VOAL

VOAL

Sekretarja e Brendshme britanike: Nga 2021 kemi kthyer rreth 1000 kriminelë shqiptarë

August 12, 2022
blank

Komentet

blank

Mërgimtarët i dërguan në Kosovë mbi 900 milionë euro për 9 muaj

Bazuar në staristikat e BQK-së, në Kosovë deri në shtator janë dërguar diku 916,2 milionë euro.

Shuma më e madhe e dërgesave në këtë vit është shënuar në muajin gusht, e ku ishin plotë 131.6 milionë euro remitanca, kohë e cila u karakterizua me shtrenjtim të madh të çmimeve të konsumit ditor.

Por remitencat qenë të mëdha edhe gjatë muajit shtator, duke shënuar rreth 114.2 milionë euro dërgesa parash nga jashtë për në Kosovë.
Krahasuar me vitin e kaluar, pra vitin 2021, shuma e remitancave në këtë vit është rritur për 54,4 milionë euro.

Kjo, pasiqë deri në shtator të vitit 2021 mërgimtarët kishin dërguar rreth 861,8 milionë euro, ndërkohë në të njejtën përiudhë të këtij viti shuma arrit në 916,2 milionë euro.

Sipas raportit më së shumti dërgesa kishte nga Gjermania që përbën 38 për qind, ndërkohë Zvicra 17,9 për qind, më pas SHBA me 8.4 për qind, si dhe Austria me 5,4 për qind.

blank

Shqiptarët mbulojnë me flamurin kuq e zi statujën e Winston Churchill, ish-deputeti i PE: Kjo që po ndodh në Londër është turp!

Shqiptarët kanë mbështjellë më flamurin kuq e zi statujën e Winston Churchill kanë protestuar ditën e djeshme si reagim ndaj deklaratave të Suella Braverman.

Mijëra emigrantë shqiptarë u mblodhën në urën Westminster dhe marshuan drejt Pallatit të Westmisterit duke i kërkuar qeverisë respektimin e te drejtave tyre dhe duke thënë se jo të gjithë janë kriminelë.
Shqiptarët marshuan në Urën Westminstër, në Londër duke mbajtur në duar flamurin dhe pankarta.
Ish-deputet i Parlamentit Evropian Nigel Farage, nëpërmjet një postimi në Twitter ka kritikuar këtë demonstratë duke u shprehur: “Këta njerëz nuk kujdesen asgjë për vendin tonë apo sakrificat e së kaluarës. Kjo që po ndodh sot në Londër është një turp!’.

Ndërsa Sekretarja e Brendshme u kritikua nga partitë opozitare dhe disa nga ana e saj për gjuhën e ashpër që përdori në Commons në fillim të këtij muaji.

Ajo sugjeroi se vetëm konservatorët ishin ‘seriozë për ndalimin e pushtimit në bregdetin tonë jugor’.
Shqiptarët përbëjnë 12 mijë nga rekord 40 mijë emigrantë që kanë mbërritur në Britaninë e Madhe këtë vit.
Këtë javë u zbulua se Home Office deportoi 350 persona në tetor, më shumë se 100 prej të cilëve ishin shtetas shqiptarë.bw

blank

blank

 

blank

“Nuk jemi gangsterë apo hajdutë”- “Daily Mail” në lagjen e shqiptarëve në Londër

Emigrantët shqiptarë kanë qenë në fokus të mediave britanike prej kohësh, teksa ditët e fundit janë kthyer në lajmin kryesor. Nga ana tjetër qeveria e re britanike po kërkon zgjidhje të shpejta për të adresuar kalimet e kanalit dhe përgjigjet ndaj emigrantëve të shumtë.

Një polemikë e kryeministrit Edi Rama, gjithashtu ka ndezur debatet. Së fundmi “DailyMail” ka sjellë një shkrim nga brenda një lagjeje ku shqiptarët janë vendosur në veri të Londrës.

Media ka kontaktuar me drejtues shqiptarë të bizneseve si kafene dhe kompani ndërtimi, por edhe me emigrantë të ardhur me gomone vitin e fundit, të cilët kanë shprehur rezerva për gjuhën raciste dhe etiketimet si kriminelë apo gangsterë.

SHKRIMI I PLOTË
Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe akuzuan sot qeverinë se i ka bërë ata “koka turku” për politikën e dështuar të emigracionit të Britanisë – dhe kritikuan pretendimet e Home Office se ata po “luanin” me sistemin për të qëndruar në ishull.

Ata thanë se ishin larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë në Britani, për të punuar shumë dhe për të paguar taksat – ndërsa këmbëngulin se nuk pretendojnë përfitime dhe nuk janë “gangsterë apo hajdutë”.
Duke folur jashtë një kafeneje në veri të Londrës, burrat shqiptarë pohuan se ishin viktima të racizmit dhe ishin shënjestruar qëllimisht nga qeveria britanike për të larguar vëmendjen nga trajtimi i dobët ligjor i kalimit të emigrantëve në Kanal.

39-vjeçari Ervis Abdullaj, pronar i “01 Café Bar” dhe një nga rreth 150,000 shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, tha në shenjë proteste: “Shqiptarët po vijnë këtu për një jetë më të mirë. Çfarë nuk shkon me këtë? Shumë njerëz kanë ardhur nga vende të tjera, por askush nuk ankohet për ta. Shqipëria është një vend i bukur, por ka shumë korrupsion dhe dhunë atje. Shumë shqiptarë po ikin nga kushtet e tmerrshme dhe jeta e tyre është në rrezik. Mund të mos ketë një luftë atje, por nuk është një vend i sigurt”.

Abdullaj, i cili mbërriti në Britani në vitin 2014 përmes mënyrave të ligjshme tha: “Unë nuk kalova ilegalisht në një varkë dhe kam bërë një jetë të mirë për veten time në Britani. Por nëse njerëzit janë të dëshpëruar për të ardhur këtu kështu, atëherë duhet të ketë një arsye të mirë”.

“Unë punoj pothuajse 18 orë në ditë dhe si shumë shqiptarë në Britaninë e Madhe dua të kem një jetë të mirë për veten time. Qeveria britanike thjesht po përpiqet të na fajësojë ne për problemet e saj. Nuk është faji ynë që nuk mund të bashkohet dhe të bëjë diçka për krizën e emigrantëve. Kështu që është më e lehtë t’i lidhësh të gjitha me shqiptarët”, shtoi ai.

 

Bandat shqiptare në Britaninë e Madhe janë akuzuar për kontrabandën e njerëzve dhe kontrollin e pjesëve të mëdha të tregjeve të marijuanës dhe kokainës në vend.

Dritan Doda, 49 vjeç, i cili drejton një kompani ndërtimi, këmbënguli: “A jemi ne i vetmi komunitet në MB që përfshihemi në kriminalitet dhe trafik droge? Unë nuk mendoj kështu”.

“Kam 25 vjet që jam në Britani dhe nuk e di pse tani shqiptarët fajësohen për gjithçka. Ne jemi një komunitet i vogël në Mbretërinë e Bashkuar, por aktualisht jemi duke u fajësuar për të gjitha problemet e mëdha. Është racizëm për mendimin tim, sepse është më e lehtë për Qeverinë të na fajësojë ne sesa të marrë përgjegjësi”, nënvizoi ai.

Ndërtuesi Ermond Dena, 50 vjeç, i cili ka qenë në Britani për 10 vitet e fundit shtoi: “Shumë komunitete kanë kriminelë dhe tregtarë droge. Pse fokusoheni vetëm te Shqipëria?”.

“Kam vënë re një rritje të numrit të shqiptarëve që vijnë në MB gjatë muajve të fundit, por ka pasur edhe njerëz që kanë ardhur nga vende të tjera”, tha ai.

Shumica e atyre në kafenetë e shqiptarëve të Hendonit kishin qenë në Britani të Madhe për pesë vjet ose më shumë dhe pak e pranuan se kishin ardhur ilegalisht me varka emigrantësh.

Por Esadi, 24 vjeç, i cili donte të jepte vetëm emrin e tij dhe nuk donte të fotografohej, tha: “Kam ardhur vitin e kaluar me një varkë. Pagova një bandë në Shqipëri dhe ata bënë të gjitha rregullimet”.

“Shumë njerëz duan të vijnë sepse jeta në Shqipëri nuk është e lehtë. Është e vështirë të gjesh një punë dhe nëse e ke një të tillë, je me fat që të fitosh 200 £ në muaj. Unë jam duke pritur që kërkesa ime për azil të shqyrtohet dhe jeta nuk është e lehtë në Londër, por është më mirë se të jesh në Shqipëri”.

Shoku i tij, i cili nuk deshi t’i përmendet emri shtoi: “Kam paguar rreth 5000 £, që janë shumë para në Shqipëri. Në Francë ka shqiptarë që kujdesen që të hipësh në varkë. Është e rrezikshme, por ia vlen”.

Ndërtuesi Modi Reci, 42 vjeç tha: “Shumica prej nesh këtu nuk kanë ardhur ilegalisht me varka. Disa nga ata që janë përfshirë në veprimtari kriminale si tregtia e drogës, por është kot të thuash se të gjithë shqiptarët janë kriminelë. Njerëzit po vijnë këtu nga e gjithë bota, kështu që pse të na zgjidhni ne shqiptarët?”.

Eddie Terziu, 37 vjeç, një ndërtues, me origjinë nga Elbasani, tha për MailOnline: “Kam ardhur në Britaninë e Madhe për punë. Kam ardhur 15 vjet më parë dhe tani është shtëpia ime. Unë kam një grua dhe dy fëmijë, djali im më i vogël ka lindur këtu. Nuk ka punë në Shqipëri. Kështu erdha në Londër. Ishte e vështirë të filloja sepse nuk e dija gjuhën. Por kam punuar shumë dhe tani është shtëpia ime. Ne nuk jemi kriminelë, nuk jemi gangsterë. Ne nuk kërkojmë përfitime. Ne punojmë për paratë tona”.

Eduard Balla, 31 vjeç, tha për MailOnline: “Unë jam murator. Unë nuk shes drogë, nuk kam armë. Unë nuk jam kriminel”.

“Kam ardhur në Mbretërinë e Bashkuar katër vjet më parë për të gjetur një jetë më të mirë. Në Londër mund të fitoj deri në 1000 £ në javë. Në Shqipëri nëse je me fat fiton 100 £ në javë. Kështu që kam ardhur në Britani për një jetë më të mirë. Është si një ëndërr për shqiptarët të vijnë në Londër. Ne e dimë nëse punojmë shumë, mund të fitojmë para dhe të jetojmë mirë”, shton ai.

Mbrëmë kryeministri shqiptar Edi Rama dënoi Sekretaren e Brendshme Suella Braverman për ‘nxitjen e ksenofobisë’ që e cilësoi ardhjen e shqiptarëve në Britaninë e Madhe me varka të vogla si ‘pushtim’.

Shqiptarë të tjerë treguan se si u ishte dhënë statusi i refugjatit në Britani pasi u larguan nga atdheu i tyre nga frika për jetën e tyre.

Flamur Alla, 50 vjeç, një ndërtues, tha për MailOnline: “Unë jam shqiptar nga Kosova. Kam ardhur si refugjat në vitin 1999 për shkak të luftës me Serbinë. Tani jeta ime është në Britani. Tre fëmijët e mi tani janë të gjithë të rritur. Kam shqiptarë që punojnë për mua në vende në të gjithë Londrën. Ata të gjithë punojnë shumë. Ata nuk kërkojnë asgjë për asgjë”.

blank

Gatoi për Mbretëreshën Elizabeth, kuzhinieri shqiptar tregon emocionet e takimit me monarken

Ismet Shehu, shef kuzhine ka pasur fatin ta takojë mbretëreshën Elizabeth II. Në një lidhje me emisionin Goodmorning Albanians në Euronews Albania, Shehu rrëfeu emocionin e veçantë kur u zgjodh për t’i shërbyer ushqimin mbretëreshës.

Përzgjedhja e një shqiptari për të qenë aq pranë mbretëreshës kishte ngjallur edhe zili tek studentët e tjerë të kursit në vitin 2012 kur kishte ndodhur takim i rrallë.

“Na thanë se një nga studentët do të shkojë në Buckingam Palace, do bënim edhe kuzhinë dhe shërbimin, unë zgjodha shërbimin më tepër se doja të isha më pranë mbretëreshës. Më thanë shko shërbe ti, kur të shkosh do ulesh në gjunjë dhe do thuash ‘madhëria jua’. Kisha shumë emocion. Mbaj mend çdo moment të asaj dite, pati edhe zili nga studentë të tjerë pse një shqiptar shkon të shërbejë për mbretëreshën”, tregoi Shehu.

blank

“Disa të vërteta befasuese për shqiptarët në Britani”, një gazetar takon ata që kolegët e tij nuk duan t’i shikojnë

Nga Jonathan Margolis

Në një bllokim trafiku në M4, një fuoristradë e zezë Mercedes vihet pranë meje. Nëpër xhamat e saj të veshur , shoh shoferin që mban syze të errëta. Ai duket disi i keq. Ndërsa më parakalon, vërej targat që e identifikojnë makinën si shqiptare. Ai mund të jetë kirurg ose profesor, por as unë nuk mundem t’i shpëtoj paragjykimit.

Më kujtohet vizita ime e parë në Shqipëri në vitin 1985. Udhëtimet ishin të ndaluara, ishte një nga vendet e fundit në Tokë ku mund të gjeje ende buste të Stalinit në sheshet publike.

Sot Shqipëria është një vend demokratik, kandidate për t’u anëtarësuar në BE dhe një anëtare e NATO-s. Por renditet në vendin e 110-të nga 180 vende të vlerësuara nga indeksi i perceptimit të korrupsionit të “Transparency International”.

Shqipëria është gjithashtu e njohur si një burim i një numri të madh refugjatësh. Argumentet janë të ndezura për numrin e tyre dhe statusin ligjor, por shqiptarët dhe kushërinjtë e tyre, kosovarët etnikisht shqiptarë, shpesh provokojnë zemërim në Britani.

“Asnjë shqiptari të vetëm nuk duhet t’i jepet azil dhe as të lejohet të aplikojë për të”, komenton një lexues i Telegraf: “Drejt në aeroport dhe në shtëpi”. Por unë pyes veten: A ka mes tyre njerëz normalë e të denjë?

I etur për të pasur një pamje më të rrumbullakosur për shqiptarët në Britani, udhëtimi im i vogël i zbulimit filloi në ‘Illyrian Grill House’, një restorant shqiptar në Palmers Green, në veri të Londrës. Një rrugë periferike që doli të ishte një lloj Shqipërie e Vogël.

Mësimi i parë ishte se bizneset shqiptare nuk ‘bërtasin’ për të qenë shqiptare. “Mesdhetar” është përshkrimi i zakonshëm. E dyta është se ‘Illyrian’ shërben një mëngjes masiv dhe të shijshëm shqiptar, me sallam të bërë vetë, djathë shqiptar, vezë të skuqura, ullinj dhe speca të skuqur që ‘zihen’ për hapësirën në pjatë.

Është plot me familje të këndshme. Staf simpatik, të gjithë shqiptarë, me kostum të pjesshëm kombëtar, shumë mikpritës. Atë mbrëmje, unë dhe partnerja shijuam një darkë të bollshme dhe takuam edhe bashkëpronarin, 33-vjeçarin Olti Bokçiu. Ne provuam pjata si levreku i pjekur në skarë i marinuar me vaj dhe djathë të bardhë dhe një pjatë të quajtur tavë dheu – mëlçi viçi e gatuar në një pjatë balte me speca, domate, hudhër – të gjitha të shoqëruara nga një verë e kuqe e shkëlqyer shqiptare.

Bokçiu, një i ri serioz, u habit që unë kisha qenë në vendin e tij para se ai të lindte. Ai ka një diplomë biznesi dhe gjithashtu zotëron një kompani ndërtimi. Ai preferon punëtorët shqiptarë dhe polakë, por më tregoi me krenari se kishte marrë një menaxher anglez dhe dëshiron t’u japë punë më shumë njerëzve vendës.

Restorantin e kishte hapur vetëm 18 muaj më parë. Shumica e klientëve janë shqiptarë. Në mure ka fotografi të shqiptarëve të njohur si Nënë Tereza, kostume kombëtare në vitrina të stilit muzeal dhe një bust prej druri të heroit kombëtar, Skënderbeut, një komandant lufte i shekullit të 15-të.

A e sheh Bokçiu të ardhmen e tij këtu? “Sigurisht që do të qëndroj. Unë kam edhe dy vëllezër këtu, ata kanë gra dhe fëmijë në shkollë. Gjithçka që kam, e kam për shkak të këtij vendi. Kjo është arsyeja pse në zyrën time kam flamujt e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë krah për krah. Në këtë vend ka punë sa të duash”.

Në dy orë bisedë, nuk dëgjuam asnjë ankesë. Pak njerëz të lindur në Britani mund të qëndrojnë kaq gjatë pa një ankim për Britaninë. Gjithashtu, ai nuk na la as të paguanim, – mbajeni mend këtë, shqiptarët janë shumë mikpritës.

Mungesa e ankimit ishte e njëjtë edhe në bisedën time të radhës, me Adelina Morinën, një kontabiliste 43-vjeçare për një kompani globale softuerësh. Morina ka lindur në Kosovë dhe ka ardhur këtu në vitin 1992, 13 vjeç. Kur shpjegoj dyshimin tim për Mercedesin me targa shqiptare në M4, ajo buzëqesh dhe ngre supet. “Ka të mirë dhe të këqij kudo”, thotë ajo. “Kam hasur paragjykime kur kam hyrë në vendin e punës. Njerëzit nuk kishin besim tek unë dhe gjërat ishin të vështira derisa unë u tregova dhe ata panë potencialin tim”.

blank
Avokatja Klentiana Mahmutaj, 44 vjeç, është një nga shqiptaret me profilin më të lartë në Britani

Ajo pajtohet me pikëpamjen pro-britanike të Bokçiut. “Kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime këtu. Më pëlqen. Ky është një vend i mundësive. Ju mund të zgjidhni të mos i merrni ato, veçanërisht nëse pagesa nuk është e madhe. Prindërit e mi më mësuan të drejtën dhe të gabuarën. E kuptoj që ju nuk mund ta falni emigracionin e paligjshëm, por duhet të kuptoni pse njerëzit rrezikojnë kaq shumë për të ardhur këtu. Shqipëria është e bukur, por atje nuk ka garanci mbrojtje nga ligji, as sistem efikas shëndetësor, ende nuk ka infrastrukturën e duhur”.

“Kur isha një nënë e re beqare në krizën financiare të vitit 2008, –  shton ajo, – bëra tre ose katër punë në të njëjtën kohë për të rritur fëmijën tim”.

A shoqërohet ajo me shqiptarët këtu? Ajo është e afërt me motrën e saj në Hertfordshire, një menaxhere e lartë në farmaceutikë, dhe ndonjëherë shkon në një pijetore shqiptare – ‘Queen’s Arms’ në Kilburn, e cila, u habita kur dëgjova, është në pronësi të prindërve të Rita Orës, këngëtares me origjinë nga Kosova.

Lokali shërben ushqim shqiptar dhe ka muzikë live shqiptare. “Është një ambient komod”, thotë Morina, “dhe është bukur të flasësh shqip. Por jo shumë shpesh”.

Më pas, shkoj në Kings Road në Chelsea për të takuar Klentiana Mahmutaj, një avokate karizmatike 44-vjeçare e lindur dhe e shkolluar në Tiranë, dhe ndoshta – pas Rita Orës dhe koleges së saj këngëtare Dua Lipa – shqiptarja e profilit më të lartë në Britani. Është e martuar me një avokat britanik dhe ka një djalë të quajtur Uilliam.

Si avokate, ajo ka ndjekur penalisht organet zyrtare, duke përfshirë Agjencinë e Mjedisit, Zyrën e Mashtrimeve të Rënda dhe Policinë Metropolitane – dhe është krenare, si një grua e lindur jashtë vendit, që ka lejen e sigurisë që i lejon një punë kaq me përgjegjësi. “Në Shqipëri, nepotizmi është i lartë,  nuk do mundesha të bëhesha kjo që jam këtu”, thotë ajo.

Si një konservatore qendrore aktive në të drejtat e njeriut, Mahmutaj është në konflikt me çështjen e emigracionit shqiptar. Ajo vlerëson se perspektivat për shqiptarët në vendin e tyre janë të kufizuara nga korrupsioni, por këmbëngul se Mbretëria e Bashkuar duhet të hapë kufijtë e saj.

Ajo favorizon një politikë pragmatike të të qenit të hapur ndaj shqiptarëve që vijnë, që mund të jetë e dobishme për një Britani me mungesë të fuqisë punëtore. Ajo kundërshton mediat dhe politikanët që nënkuptojnë se të gjithë shqiptarët janë kriminelë duke vënë në pah përkatësinë etnike të atyre pak të dënuarve.

“Ka kriminalitet, kjo nuk është e pasaktë, por të stereotiposh dhe të pikturosh të gjithë atë vend me të njëjtën furçë dhe t’i shash të gjithë, mendoj që është gabim”.

“Shqiptarët janë njerëz të talentuar”, thotë ajo. “Jemi vetëm 3 milionë banorë në Shqipëri, por ne kemi dhënë kontribute të mëdha këtu dhe në mbarë botën në akademi, në shkencë, në mjekësi, në banka. Secilit prej nesh na takon që ta themi me krenari se jemi shqiptarë në vend që ta fshehim atë”.

Ashtu si Olti Bokçiu, edhe Mahmutaj ka një flamur shqiptar në zyrë. “Britania është shtëpia dhe ky është vendi im, por është shumë e rëndësishme të kujtohesh se kush je dhe nga vjen”…

—–

Botuar në DITA, marrë me shkurtime nga gazeta britanike The Telegraph

blank

Daily Mail: Hasi, qyteti që po zbrazet nga emigrantët, do të ngrejë statujën e Mbretëreshës së Anglisë

Nga Sue Reid, DAILY MAIL

Ai është 1 metër e 80 i gjatë dhe pi cigare, por djaloshi që qëndron me një grup shokësh në një qoshe rruge në Has, qytet i vogël i strukur mes maleve të Shqipërisë veriore, është vetëm 13 vjeç.

Kur nxjerr paketën e cigareve për të më ofruar mua një, zëri i mprehtë e tregon të qartë që është ende fëmijë.

Pavarësisht moshës, si shumë të rinj të tjerë në këtë vend të veçuar ai është i vendosur të ikë nga Shqipëria sa më shpejt të jetë e mundur.

“Muajin tjetër do iki me gomone në Angli”, më siguron me një anglisht thuajse perfekt, me vetëm një gjurmë të lehtë aksenti shqiptar.

“Gjashtë nga shokët e klasës kanë ikur gjatë kësaj vere. Më ka marrë mallin”.

Më thotë se e quajnë Gjergji, por teksa nxjerr bllokun e shënimeve që ta shkruaj, gjërat nxehen.

Ma merr dhunshëm bllokun nga dora, më kërkon stilolapsin dhe e shkarravit emrin.

“Ik zhdukuni”, bërtet teksa shokët e tij më rrethojnë dhe thërrasin njëzëri “Go, London, London”.

Duket qartë se nuk janë shumë të dhënë pas të huajve, edhe kur janë nga Britania, që fusin hundët këtu.

Më shumë djem adoleshentë shkojnë në Angli përmes La Manshit me varka nga qytet i vogël i varfër se sa nga çdo pjesë tjetër e Shqipërisë, më thotë kryebashkiaku i tij, 52-vjeçari Liman Morina.

Është një fenomen të cilin nuk mund të mos e hasësh. Jo vetëm që historitë për të janë kudo nëpër median sociale, por televizionet shqiptare japin vazhdimisht pamje të të rinjve që mbërrijnë në Dover.

Dhe shumë prej tyre janë fytyra familjare për zotin Morina. Midis migrantëve ai sheh rregullisht fëmijë që vetëm pak javë më parë kishin jetuar me familjet e tyre në Has, tani me nofkën Londra e Vogël.

I ulur në zyrën e tij në bashki, tingëllon thuajse i dëshpëruar.

“Qyteti ynë po zbrazet”, thotë. “Po i humbasim fëmijët, gjakun tonë, teksa po largohen”.

“Këtë verë, djem 15 vjeç apo edhe më të rinj janë zhdukur sepse varkat që i kalojnë andej janë më lirë tani. Prindërit i lënë të ikin. Mendojnë se në vendin tuaj i pret një jetë më e mirë. Është vendim ekonomik”.

Eksodi i rinisë shqiptare është në qendër të vëmendjes pasi një material ushtarak i publikuar nga Mail on Sunday fundjavën e kaluar tregoi se rreth 4 në 10 migrantë në varkat e trafikantëve që kalojnë nga Franca në Angli gjatë gjashtë javëve të fundit ishin nga ky vend i vogël ballkanik.

Të enjten doli se ata janë të vendosur për të qëndruar.

Më shumë shqiptarë kanë deklaruar se janë trafikuar apo që janë bërë viktima të skllavërisë moderne sapo kanë kaluar në Angli krahasuar me kombësitë e tjera.

Zyrtarë të imigracionit dyshojnë se shumë prej tyre gënjejnë për të rritur shanset për azil e për të shmangur dëbimin mbrapsht në Shqipëri, e cila konsiderohet si vend i sigurt.

Asgjë nga këto nuk e ndalon eksodin nga Hasi. Kryebashkiaku, ish-mësues shkolle, ka katër vëllezër që jetojnë në Leicester, por lutet që fëmijët e tij, dy vajza e një djalë, midis 10 e 20 vjeç, të mos largohen nga Hasi.

Megjithatë, e pranon se ky qytet “ndihet pjesë e Londrës”, pasi pothuajse çdo familje ka një të afërm që jeton në kryeqytetin anglez apo në një tjetër qytet të madh të Mbretërisë së Bashkuar.

Që nga 24 qershori, kur u mbyll shkolla, zyrtarët e arsimit thonë se mbi 60 adoleshentë janë nisur për në Britani.

Marrja e vizës angleze është e vështirë dhe e shtrenjtë, por shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza nëpër Bashkimin Evropian, deri në veri të Francës, ku iu hipin gomoneve të trafikantëve.

Një zyrtar thotë se në fund të vitit shkollor, 19-vjeçarët mbaruan shkollën i përshëndetën mësuesit me fjalët “mirupafshim në Londër”, në vend të një “mirupafshim” të thjeshtë.

Ai shton: “Anglishtja tani është lënda e preferuar në çdo shkollë të mesme. Madje nxënësit adoleshentë iu thonë mësuesve ‘thank you, sir” kur mbaron mësim. Nuk bëjnë asnjë mungesë. E dinë që anglishtja është e rëndësishme pasi gjuha iu duhet për të jetuar në vendin tuaj”.

Kur të nisë viti i ri shkollor, pas pak javësh, shkollat nuk e kanë idenë se sa nxënës do të mungojnë në banka.

E mesmja më e madh në qytet ka pasur 800 nxënës më 2016.

Në fund të këtij viti shkollor, kishte vetëm 480 në regjistër. Të tjerët kishin shkuar në Angli.

Media sociale, sidomos TikTok, nuk reshtin së prezantuari jetën e re në Britani.

Bandat shqiptare që veprojnë në Francë postojnë me guxim video ku me reklama në gjuhën e tyre për “ulje verore” për kalimin e La Manshit, me çmime që janë ulur deri në 2 mijë paund për person.

Me muzikë të lartë rap në sfond, kanë reklamuar madje edhe një “shërbim jahti” 15 mijë paund nga Calais apo Dunkirk për në Angli.

Të paktën deri mbrëmë, videot e tyre ishin ende në TikTok për të joshur klientë të rinj.

E ta mendosh që dikur shqiptarët ishin gjë e rrallë në Britani. Deri në rënien e komunizmit, tri dekada më parë, vendi i vogël ballkanik ishte i izoluar, pa asnjë kontakt me botën e jashtme.

Censusi i vitit 1991 në Mbretërinë e Bashkuar, dy vjet pas rënies së Murit të Berlinit, regjistronte vetëm 338 shqiptarë që jetonin atje.

Sot numri shkon në dhjetëra mijëra, shumica ilegalisht në Bruitani sepse nuk kanë të drejtë ligjore për azil pasi nuk vijnë nga një vend i shkatërruar nga lufta.

Dhe kështu numrat rriten. Këtë javë, Zyra e Statistikave Kombëtare nxori të dhënat e reja që tregojnë se shqiptarët përbëjnë një nga kombësitë kryesore për lindjet “jo nga Mbretëria e Bashkuar”, që janë bebet e lindura nga prindër të huaj.

Nënat shqiptare sollën në jetë 3260 fëmijë vitin e kaluar vetëm në Angli e Uells.

Sigurisht, e kundërta po ndodh në Has.

Ka më pak lindje, pas burrat e rinj kërkojnë një jetë të re, duke lënë pas vajzat që – në rrethana të tjera – do të ishin gratë e tyre.

Vajzat sorollaten në qytet pa pasur diçka për të bërë. “Thjesht rrinë gjithë kohën e shohin thonjtë ose celularët”, thotë një banakier që ka një kushëri në Manchester.

“Nuk kanë nevojë për të punuar, sepse iu dërgojnë pará vëllezërit nga Anglia. Ndërkaq, djemtë me të cilët do të ishin martuar rendin pas vajzave të tjera kur shkojnë atje”.

Pak i kuptojnë pasojat katastrofike për Hasin më mirë se Islam Kuki, një ish-oficer policie, 58 vjeç.

Ai nuk e ka parë të birin, Darim, që kur iku në Angli shtatët vjet më parë, në moshën 15 vjeç.

Që atëherë kanë ikur edhe dy djemtë e tjerë më të rritur, në të 30-at.

Asnjë prej tyre nuk ka lejen e Ministrisë së brendshme për të qëndruar përgjithmonë në Britani, megjithëse u lejohet të punojnë.

Rezultati? E Kanë të vështirë të vizitojnë prindërit që jetojnë në një apartament jo larg qendrës së Hasit.

“Jeta nuk ka kuptim kur nuk i sheh fëmijët çdo ditë”, më tha këtë javë. “Të gjithë duan shumë të vijnë e të na shohin, por nuk munden se druhen që Anglia nuk do t’i lërë të kthehen prapë atje. Na ka thyer zemrën neve si familje e të tjerëve si ne. Nuk po i shohim nipërit të rriten. Kemi mbetur vetëm”.

Darimi ndoqi një rrugë të rrahur nga shumë emigrantë shqiptarë. Kur ai arriti në Angli, i fshehur në kamion në një nga tragetet e La Manshit (mënyra kryesore para përdorimit të gomoneve), ai u fut në një qendër kujdesi si i mitur i pashoqëruar.

Shkoi në shkollë, pastaj në kolegj, ku mori zanatin e hidraulikut.

Por kur mbushi 18 vjeç dhe u konsiderua i rritur, pati probleme kur aplikimi për azil iu refuzua dy herë.

Vendosi të qëndronte pa letra, duke jetuar me frikën e kapjes nga policia dhe dëbimit si emigrant i paligjshëm.

Punonte ilegalisht me shqiptarë të tjerë në ndërtim, u dërgonte pará prindërve dhe pagoi për dy operacione bypass në zemër për të atin.

Që atëherë ka marrë një numër sigurimesh kombëtare, por nuk i është dhënë asnjëherë e drejta e përhershme për të jetuar në Britani.

I ati dhe shumë prindër në Has këmbëngulin se është e pamundur të kesh një jetë të mirë në Shqipërinë veriore. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë.

Nuk ka punë mjaftueshëm. Qyteti ka 5000 banorë, shumë në moshë pune, por vetëm 700 punojnë, 300 prej tyre në sektorin publik, si policë, shërbyes civilë apo mësues, që paguhen nga shteti.

Shumë familje, edhe ato që janë të punësuar, mbështeten shumë në paratë e dërguara nga fëmijët e tyre nga Britania, sepse nuk arrijnë ta kalojnë muajin për shkak të rrogave të ulëta.

Çdo verë, emigrantë shqiptarë që kanë fatin të kenë shtetësi britanike apo leje qëndrimi, pra janë të lirë të udhëtojnë, shfaqen në qytet.

Iu pëlqen t’i bëjnë paradë suksesit të tyre, duke ardhur me makina të shtrenjta, me lekë për familjet e dhurata nga dyqane të shtrenjtë në Britani.

Disa ngasin Lamborghini apo Maserati të marrë me qira për këtë rast. Këtë javë, dy nga vizitorët që vinin rrotull në Has kishin targa të shtrenjta angleze me fjalën “HAS” në to për të treguar rrënjët shqiptare.

Kjo shfaqje luksi në rrugët e varfra nuk kalon pa tërhequr vëmendjen e të rinjve si Gjergji që ëndërrojnë të ikin nga qyteti ku e ardhmja është e pashpresë.

“Mendojnë se do të fitojnë shumë pará e shpejt do të kenë edhe ata makina të shtrenjta nëse jetojnë në Angli”, thotë Blerim Rexhaj, 24 vjeç, pronar i “Britain”, një bar i ri i mbushur me klientë që pinë kafe e birra teksa në sfond dëgjohet muzikë shqiptare.

Ndryshe nga të tjerët, ai u kthye nga Londra për të punuar në Has.

Pasi mbërriti në Angli me kamion në moshën 14 vjeç, ai u fut në një qendër kujdesi si fëmijë e pashoqëruar e më pasi studioi inxhinieri elektrike në një kolegj në Uxbridge.

“Shkova në Angli sepse kisha një xhaxha që jeton atje e që më premtoi të më ndihmonte”, më tregon.

“Ai ka biznes qiradhënieje dhe drejton dy lavazhe. Kur lashë kolegjin, më dha shansin të punoja për të. Kurseva pará. Punoja me orë të gjata dhe kam bërë edhe shumë punë të tjera”.

Blerimi sipërmarrës mund të bënte mirë kudo. Ndonëse nuk u dëbua nga Britania si emigrant i paligjshëm, nuk e mori kurrë lejen e qëndrimit. Kjo gjë e mbante pezull dhe e shqetësonte.

Vitin e kaluar u kthye në Has dhe i përdori paratë për të hapur lokalin bashkë me dy vëllezërit, të cilët nuk janë larguar kurrë.

Nuk ishte punë e lehtë. I bën vetë pizzat, sepse nuk mund të gjejë staf. “Gjashtë nga kamerierët e kuzhinierët kanë ikur në Angli brenda pak muajve. Donin të shkonin për sa kohë që çmimi i varkave ishte i lirë”, shpjegon. “Është gjë e trishtuar për Hasin”.

Jashtë barit është një pikturë e Big Ben dhe modeli me përmasa reale i një kabine të kuqe telefonike angleze, blerë për 2000 paund në internet.

Ndërkohë, në bashki, kryetari tregon vështirësitë e jetesës atje për shkak se nuk ka punë.

“Pagat e atyre pak që kanë punë janë të ulëta. Edhe pse drejtoj qytetin, unë paguhem vetëm 680 paund në muaj. Por kostoja e jetesës, ushqimi, karburanti, kushtojnë njësoj si në Angli. Do të ishte katastrofë e madhe nëse fëmijët nuk do të kishin ikur, sepse ata iu dërgojnë pará nënave, baballarëve, vëllezërve e motrave. Mbi 8 familje në 10 mbahen nga ata. Edhe ata që kanë punë marrin ndihmë shtesë nga fëmijët në Angli”.

Pas tavolinës së tij është një fotografi e Mbretëreshës, me kapele gurkali, teksa përshëndet me dorë e buzëqeshur.

Kryetari thotë se do ta përdorë foton si model për një statujë të monarkes britanike që ka ndërmend ta vendosë në mes të një rrotullameje në qendër të qytetit.

Paratë për të financuar këtë ide të jashtëzakonshme do të mblidhen duke bërë thirrje për donacione nga mijëra hasjanë që jetojnë në Britani.

“Mendoj se do të dhurojnë bujarisht. Dhe ka shumë prej tyre”, thotë, me një shkelje syri.

Pastaj shton me ton më serioz: “Lidhjet midis vendeve janë shumë të ngushta, njerëzit e qytetit tim e shohin Mbretëreshën tuaj edhe si Mbretëreshën e tyre”. syri.net

ImageImageImage

blank

Sekretarja e Brendshme britanike: Nga 2021 kemi kthyer rreth 1000 kriminelë shqiptarë

Dje qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka larguar nga vendi 20 shtetas shqiptarë në drejtim të Tiranës me një fluturim çarter, pasi kishin kryer dënimet e tyre për krime të ndryshme.

Të deportuarit kishin marrë dënime të kombinuara me më shumë se 46 vite burg dhe në grupin e tyre përfshihet një individ që kishte tejkaluar qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme dhe dy persona të tjerë me kërkesa të dështuara për azil, me një prej tyre që kishte mbësrritur ilegalisht përmes një gomoneje në mars.

Ndërkohë një prej personave brenda grupit prej 20 të deportuarish ka qenë i dënuar për posedimin me qëllim furnizimi të drogës së klasit A dhe mbajtjen e armës në një vend publik, ndërsa një tjetër ishte dënuar me mbi 5 vjet burg për furnizim me droga të kontrolluara të klasit B.

Sa i përket rasteve në fjalë, Sekretarja e Brendshme Priti Patel tha se këta persona një kriminelë të rrezikshëm për jetën në komunitet në Britaninë e Madhe.

“Këta kriminelë kanë shkelur ligjet dhe vlerat tona dhe ne nuk do të ndalemi para asgjëje për të larguar ata që nuk kanë të drejtë të jenë këtu. Ata janë përgjegjës për vepra të tmerrshme, duke përfshirë përfshirjen në furnizimin me drogë të klasës A, e cila ka një ndikim shkatërrues te njerëzit, familjet e tyre dhe komunitetet tona. Që nga viti 2021, ne kemi depërtuar afro 1000 shkelës shqiptarë, përfshirë disa që kaluan Kanalin ilegalisht për të ardhur në MB”, tha Patel.

Më tej ajo shtoi: “Publiku britanik nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë time për t’i bërë rrugët tona më të sigurta duke vazhduar të largojmë kriminelët e huaj. Akti ynë i ri për Kombësinë dhe Kufijtë do të ndihmojë ciklin e pretendimeve dhe apelimeve të minutës së fundit që mund të vonojnë depërtimet. nKjo është pjesë e një plani të rregullt kthimesh në shumë vende, për të hequr ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në MB. Në korrik 2022, 243 shkelës të huaj të ligjit u larguan nga Britania e Madhe si në fluturime çarter ashtu edhe me fluturime të planifikuara. Që nga janari 2019, MB ka larguar 10,741 shkelës të shtetasve të huaj (deri në fund të dhjetorit 2021)”.

blank

Surprizohet Britania- Shqiptarët hyjnë në top 10-shen e prindërve me origjinë të huaj, lindën 3000 foshnja vetëm më 2021

Një informacion surprizues kanë publikuar mediat britanike ditën e sotme, teksa në vazhdën e zbulimit të grupeve shqiptare që trafikojnë emigrnatë me gomone në kanalin e “La Manshit’ kanë bërë publik edhe raportin e Zyrës Kombëtares së Statistikave që nënvizon se shqiptarët janë në top 10-en e kombësive që lindin më shumë fëmijë në ishull.

“Shqiptarët janë ndër prindërit më të zakonshëm që lindin fëmijë për herë të parë në Britaninë e Madhe. Më shumë se 3,000 foshnja kanë lindur këtu vitin e kaluar me nëna nga vendi ballkanik”, ka zbuluar Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS).

Por shifrat kanë ngritur pikëpyetje për madhësinë e vërtetë të popullsisë shqiptare në Britaninë e Madhe, e cila sipas regjistrimit zyrtar është më pak se 50,000.

 

Lajmi vjen pasi një raport tronditës u publikua nga DailyMail ku thuhej se katër nga 10 emigrantë që kalonin Kanalin me gomone ishin nga Shqipëria, i cilësuar nga Britania si një komb paqësor në bisedime për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, ndryshe  nga vendet në luftë si Siria dhe Iraku.

 

“Shqipëria u zhvendos për herë të parë në dhjetë vendet më të zakonshme të lindjes për nënat jo me kombësi të Mbretërisë së Bashkuar, ashtu si edhe për baballarët jo të lindur këtu”, tha ONS.

Ndër nënat, Shqipëria u bë vendi i dhjetë më i zakonshëm, nga vendi i 41-të që mbante një dekadë më parë, ndërsa për baballarët u bë vendi i tetë më i zakonshëm, nga vendi i 36-të që zinte një dekadë më parë.

Ish-ministri i Zyrës së Brendshme Sir John Hayes tha: “Është e çuditshme që duhet të ketë kaq shumë foshnje të lindura këtu nga prindër shqiptarë, duke pasur parasysh statistikat zyrtare për numrin e tyre. Pyetja që shtrohet është, nëse një numër i madh i shqiptaresh janë këtu ilegalisht ose nëse atyre u jepen viza me ndonjë mjet tjetër, dhe nëse po pse”.

 

Shifrat e ONS për vitin 2019 vlerësuan se kishte vetëm 47,000 shqiptarë në Britani, duke i bërë ata kombësinë e 46-të më të zakonshme jobritanike, nga të cilat 22,000 janë femra.

 

Peter Ëalsh i Observatorit të Migracionit në Universitetin e Oksfordit tha: “Të dhënat e disponueshme të imigracionit nuk japin një shpjegim të qartë se pse Shqipëria është zhvendosur për herë të parë në dhjetë vendet e para më të zakonshme të lindjes për prindërit emigrantë. Shpjegimet e mundshme për këtë përfshijnë vlerësimin e popullsisë së ONS që është shumë i ulët [për shembull për shkak të migrimit të parregullt ose reagimit të ulët ndaj sondazheve të qeverisë], ose që shqiptarët kanë më shumë gjasa të jenë në moshë riprodhuese dhe si rrjedhim të kenë më shumë fëmijë”.bw

blank

Motrat Zalli, nga arratia prej Shqipërisë së ’97-ës, tek suksesi britanik

VOA

Historia e Detinës dhe Argita Zallit është ajo që shkruan çdo emigrant shqiptar, që një udhëtim të vështirë, drejt një jetë të re, e shndërron në fitore. Ato u larguan nga Shqipëria drejt Britanisë, gjatë një viti të trishtë për vendin, më 1997-n ndërsa ishin vetëm 9 vjeç.

Aktualisht dr. Detina Zalli, punon si drejtoreshë e kurseve shkencore në universitetin Cambridge në Britaninë e Madhe. Ajo ka zhvilluar ndër të tjera postdokturën në Shkollën e Mjekësisë së Harvardit në Shtetet e Bashkuar. Motra e saj binjake, dr. Argita Zalli, është pedagoge mbi bioshkencën mjekësore e klinike, në Imperial College të Londrës. Ajo ka kryer trajnimin e saj kërkimor për postdokturën në Kolegjin Universitar të Londrës.

Së fundmi ato kanë rrëfyer historinë e jetës së tyre në TEDx Swansea, pjesë e programin të njohur TED, nën një ligjëratë të titulluar “Si të kapërcesh vështirësitë”, një rrëfim, rreth vështirësive të largimit nga Shqipëria në një vit të errët për Shqipërinë. Gjatë bisedës me Zërin e Amerikës ato flasin mbi përvojën e tyre, vështirësitë dhe arritjet. Me motrat binjake bisedoi Menada Zaimi.

blank

50 vjetori i Kongresit të Madridit, kur diaspora shqiptare u bashkua kundër regjimit komunist

Sot kujtojmë 50 vjetorin e kongresit të Madridit, kur diaspora shqiptare u bashkua kundër regjimit komunist. Korriku i vitit 1972 do të mbahet mend përgjithmonë si një datë që shënon themelimin e Aktit te Unitetit, ku të gjitha partitë dhe organizatat politike shqiptare në diasporë folën me një zë kundër tiranisë së regjimit komunist në Tiranë, duke harruar intereset e tyre dhe duke u bashkuar në mbrojtjen e lirisë:
Congressional Record” ka botuar, me 11 gusht 1972, “Aktin e Unitetit” të shqiptarëve në mërgim (ekzil) të realizuar gjatë konventës tre ditore të organizuar asokohe nga Mbreti Leka Zogu I në Madrid.
Takimi i partive dhe grupeve të
emigracionit shqiptar
I nderuari Strom Thurmond
nga Karolina e Jugut
në Senatin e Shteteve të Bashkuara
E premte, 11 Gusht 1972
Z. Thurmond. Zoti President, Leka I, Mbreti i Shqiptarëve, në një lëvizje të një rëndësie të caktuar, së fundmi thirri përfaqësuesit e të gjitha grupeve shqiptare në megrim (ekzil) në një takim në Madrid, Spanjë. Ky takim është i rëndësishëm, sepse ishte hera e parë në 20 vitet e fundit që shqiptarët që përfaqësonin ideologji të ndryshme mblidheshin për të diskutuar problemet dhe dallimet e tyre.
Në takim, delegatët diskutuan mënyrat në të cilat ata mund të punonin së bashku për të sjellë rënien e regjimit aktual jopopullor në Shqipëri, i cili ruan sundimin e tij duke burgosur ata që flasin kundër tij. Delegatët krijuan një kuadër organizativ për të lejuar që grupe të ndryshme të bashkëpunojnë pa kompromentuar ideologjitë e ndryshme.
Shqiptarët në ekzil kanë rënë dakord për herë të parë të punojnë së bashku për të sjellë lirinë në një tokë që ka kaluar shumë kohë pa të. Mendoj se është e rëndësishme që Kongresi dhe qytetarët e Shteteve të Bashkuara të ndërgjegjësohen për përpjekjet e tyre.
Zoti President, kërkoj pëlqimin unanim që kjo marrëveshje, e inicuar nga Madhëria e Tij Mbreti Leka I, të printohet në “Zgjerimet e Vërejtjeve – The Extensions of Remarks”.
Duke mos pasur asnjë kundërshtim, marrëveshja u urdhërua të printohej në Recorp, si më poshtë:
Akti i Unitetit (Act of Unity)
Me ftesë të Madhërisë së Tij Mbretit Leka I, palët dhe grupet e shqiptarëve në emigrim u takuan në Hotel Cuzco në Madrid, më 2 dhe 3 korrik 1972, dhe pasi diskutuan situatën shqiptare dhe ndërkombëtare,
Vendosën:
1- Që forcat kombëtare të jenë të bashkuara për sigurimin e një Shqipërie etnike, dhe rënien e Regjimit antipopullor që peshon rëndë mbi Shqipërinë, dhe për mbrojtjen e integritetit të Kombit nga çdo plan i huaj.
2- Që të zhvillohen aktivitete në të gjitha fushat, politike, kulturore dhe shoqërore.
3- Që të krijohet një shtyp i bashkuar.
4- Për të vënë nën veprim, pikat e mëposhtme janë të nevojshme :
(a) Një organizatë ekzekutive e përbërë nga 9 anëtarë të cilët nga ana e tyre zgjedhin Presidentin, Zëvendës Presidentin, Sekretarin dhe Thesarin.
(b) Një Organizatë Këshilluese e përbërë nga anëtarët e partive dhe grupeve politike.
5- Grupet dhe palët që nuk kanë marrë pjesë në këtë Konventë do të njoftohen dhe do të ftohen të bashkohen në këtë sipërmarrje.
6- Organizata e Bashkuar do të financohet dhe ndihmohet nga kontributet nga palët dhe grupet e nën-nënshkruara.
7- Kompetenca e Organizatës do të vendoset në diskutimet e mëvonshme.
8- Me miratimin e Kushtetutës aktivitetet e grupit dhe partive do të punojnë me kuadrin e kësaj Marrëveshjeje.
9- Sapo kjo Marrëveshje të ratifikohet nga Këshilli i të gjitha palëve dhe grupeve, Statutet do të krijohen dhe kështu do të marrin formën e saj përfundimtare dhe të përcaktuar ligjore.
10- Deri në nënshkrimin përfundimtar të Statuteve (i cili duhet të jetë jo më vonë se gjashtë muaj nga ky moment), do të krijohet një Këshill i përkohshëm Direktivash i cili më vonë do të punojë për Organizatën përfundimtare.
11- Një shumë prej 1,600 dollarësh është vendosur si fond për shpenzimet e Këshillit të përkohshëm të Direktivave.
12- Konventa njeh aktivitetet e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë në të ardhmen.
13- Ajo ndihmë morale dhe materiale duhet t’i jepet organizatës Pan Shqiptare të Vatrës, në mënyrë që ajo të vazhdojë detyrat e saj tradicionale.
14- Që të punojë ngushtë me Lidhjen e Prizrenit në mënyrë që ata të mund t’i realizojnë qëllimet e tyre.
15- Që “Komiteti Shqiptar i Lirë”, “Lidhja e Prizrenit” dhe “Vatra” për shkak të karakterit të tyre të veçantë të mos hyjnë në këtë marrëveshje.
16- Me miratimin e Kushtetutës emri përfundimtar i Organizatës do të vendoset. Kjo Organizatë do të përbëhet nga dy Këshilla, Këshilli Ekzekutiv dhe Këshilli Konsultativ.
17- Ky studim do të jetë në fuqi derisa të arrihet çlirimi i Shqipërisë, dhe
18- Këshilli i Direktivave do të përbëhet me nënshkruesit:
Zotnive:
Dr. Halim Begeja (Organizata Balli Kombtar).
Theodhor Papalilo (Partija Agrare Balli Kombtar).
Dr. Fuad Myftija dhe Hysen Mulosmanaj (O. K. L. Legalitetit).
Isa E. Ndreu (Partija Katundare).
Ndue P. Gjomarkaj (Heroizma Shqiptare) dhe Ymer Bardhi (Bashkimi Shqiptar).
Palët nënshkruese:
Organizata “Balli Kombtar”
Partija Agrare “Balli Kombtar”
Organizata K. L. Legalitetit
Heroizma Shqiptare
Bashkimi Shqiptar
Lidhja e Prizrenit
Komiteti “Shqipnija e Lirë”
Vëzhgues:
Shoqata Pan Shqiptare Vatra
Bloku Kombtar Indipendent
Zotërinj, Përfaqësues të Grupeve dhe Organizatave Politike Shqiptare në Mërgim, Delegatë të Lidhjes së Prizrenit dhe Delegatë të Komitetit Vatra dhe Shqipëria e Lirë:
Ne dëshirojmë me gjithë zemër t’ju urojmë mirëseardhjen në Madrid dhe gjithashtu dëshirojmë të shprehim vlerësimin tonë të lartë për Organizatat e ndryshme politike në Mërgim, që mirëpritën iniciativën tonë dhe emëruan delegatët e tyre në këtë Konventë, dhe për më tepër, iu shprehim vlerësimin tonë delegatëve të pranishëm në këtë Konventë.
Zhvillimet dhe ngjarjet e fundit të pashembullta në nivel ndërkombëtar, të cilat herët a vonë mund të kenë një efekt mbi situatën në Shqipëri, dhe gjithashtu duke marrë parasysh kushtet më të pasigurta të kombit tonë, na çojnë në përfundimin se që emigracioni shqiptar të jetë gati për të përmbushur misionin e tij historik të mbrojtjes së të drejtave tona kombëtare, ai duhet të jetë i bashkuar dhe jo i ndarë si sot. Bashkimi i forcave kombëtare në mërgim do të sigurojë sigurinë e Shqipërisë etnike dhe realizimin e Kauzës (Çështjes) sonë të shenjtë.
Nevoja për të parë shqiptarët në mërgim të bashkuar është theksuar shpesh nga udhëheqësit e shteteve mike si një parakusht, besojmë, për të siguruar përfundimisht mbështetjen e tyre morale dhe materiale.
E gjithë kjo bëri që ne të merrnim iniciativën për të thirrur së bashku këtë kongres të nevojshëm. Ne jemi të bindur se gjatë diskutimeve që do të zhvillohen në këtë konventë, ju zotërinj, pasi keni përqafuar Çështjen Shqiptare, do të vendosni mbi të gjitha interesat e Atdheut, duke lënë mënjanë çdo dallim ideologjik që mund të kishit në të kaluarën, në mënyrë që të arrihet bashkimi i të gjitha forcave kombëtare. Ky bashkim nuk duhet të prekë ideologjitë e veçanta të Palëve dhe Grupeve në këtë Konventë historike.
Me këtë dëshirë dhe shpresë, ju urojmë punë dhe suksese të frytshme. Me ndihmën e Zotit (Zoti na ndihmoftë!).
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albanie
blank
blank
blank
blank

Sulmi kibernetik ndaj e-Albania, njoftohen shqiptarët jashtë vendit: Shërbimet konsullore online ndërpriten përkohësisht deri në…

Pas sulmit kibernetik ndaj platformës e-Albania, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

MEPJ, njofton shqiptarët jashtë vendit se shërbimet konsullore online janë ndërprerë përkohësisht deri në një njoftim të dytë.

“ Sulmi kibernetik ka dëmtuar sistemin online, i cili mundëson aksesin e qytetarëve dhe strukturave përgjegjëse për aplikimin dhe dhënien e dokumenteve biometrikë për të gjitha konsullatat shqiptare në botë. MEPJ është në kontakt të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila po punon për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së pazakontë dhe i bën thirrje qytetarëve të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike.”, njofton MEPJ.bw

blank

CURRAJ I EPËR NA DHA JETËN, NE PO I RIKTHEJME SHPRESËN – Nga Skënder PËRPEPAJ – Londër

​​ Ne, si grup nismëtar e investitorë, të përkushtuar për vendlindjen tonë, fshatin Curraj i Epërm, i cilësuar si “Perla e Alpeve”, i shpallur kohët e fundit një nga 115 fshatrat turistikë të Shqipërisë, e kryem rikonstruksionin e plotë të kishës së vjetër (1897) të Curraj të Epërm, e cila do të përurohet me 6 gusht, me miq të ftuar nga Presidenca, Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës, nga Parlamenti i Shqipërisë, nga bashkia e Tropojës, Shoqata e Nikaj-Mërturit, Unioni “Curraj i Epërm”, etj. dhe me disa veprimtari solemne e festive, kishtare,e kulturore.
​​ Për të pasë një organizim të nivelit të lartë, të jetë sa më përfaqësues, të kenë angazhim e rezultat sa më të mirë, kemi menduar bashkarisht që të ngrihet Komisioni i Organizimit të Veprimtarisë së 6 gushtit 2022, me nje përbërje gjithëpërfshirëse nga fshati Curraj i Epërm:
​​ 1.-Skënder Perpepaj
​​ 2.-Mhill Gecaj
​​ 3.-Agron Qokaj
​​ 4.-Petrit Mehmetaj
​​ 5.- Prel Zef Ndrevataj
​​ 6.- Zef Vatnikaj
​​ Moderatorë të veprimtarisë zyrtare e kulturore do të jenë tre përfaqësues të artit, letërsisë e kulturës nga Curraj i Epërm:
​​ 1.- Ndue Vatnikaj
​​ 2.-Prek Mrishaj
​​ 3.- Alma Mehmetaj
​ Kameramani, i palodhuri Sokol Pjetër Qokaj.
​​ Kisha e re e Curraj të Epërm do të bekohet nga Ipeshkvi Dom Simon Kulli i Dioqezës së Sapës, i cili do të mbajë dhe një Meshë në mjediset e saj të rikonstruktuara plotësisht.
​​Kësaj here, sikurse dhe në përurimin e Rrugës së re të makinës para katër viteve, sikurse gjithmonë, të angazhohemi të gjithë bashkëvendasit tanë nga Currajt e Epërm, nga vendlindja jonë, nga Tropoja e Kosova, deri në Angli, Itali e Amerikë, për ta kryer me sukses të plotë, me nivel të lartë, këtë përurim të Kishës tonë në Curraj të Epërm dhe të arrijmë rikthimin e zhvillimin e gjithanshëm e të pandalshëm të jetës në kullat e tokat tona e të të parëve tanë.
​ Ky Takim i yni në Curraj të Epërm, ky Përurim i Kishes,këto veprimtari të 6 gushtit do t’iu shërbejnë edhe promovimit e lartësimit të vlerave historike, kulturore, turistike, rikthimit të jetës së re e popullimit gjithëvjetor të vendlindjes tonë të shenjtë.
Emrat e atyre që mundësuan rregullimin e Kishës do të bëhen publik së shpejti.


Send this to a friend