VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Sallatë me patëllxhanë dhe domate – Shija e perkryer e stinës

By | July 12, 2019

Komentet

Cili është sekreti i temperaturës së ujit në përgatitjen perfekte të pilafit

Mënyra më e mirë e përgatitjes së pilafit.

Pilafi është një ndër gatimet më të shpejta, më të shijshme dhe më të zakonshme të përgatitura nga amvisat në shtëpi.

Kombinohet lehtë me produkte e gatime të ndryshme, me kos, perime të pjekura, mishra të ndryshëm por edhe të tjera specialitete.

Megjithëse është një recetë në dukje shumë e thjeshtë, që të përgatitet në mënyrë perfekte pilafi kërkon hapa shumë striktë gjatë përgatitjes duke nisur nga masat e sakta ashtu si edhe temperatura e ujit gjithashtu.

Megjithëse janë dy mënyra se si mund të përgatitet pilafi, një mënyrë përmes skuqjes së orizit e më pas shtimit të ujit dhe tjetra e zierjes së ujit e më pas shtimit të orizit, dy detajet që nuk ndryshojnë janë masat e përdorura ashtu si edhe temperatura e ujit.

Masat

Me siguri, amvisat që kanë pasion gatimit e dinë që masa e përgatitjes së pilafit është 1 me 2. Pra, në një filxhan çaji oriz duhet të shtohen dy filxhanë çaji me ujë.

Për ta përgatitur edhe më të butë shtoni edhe dy apo tre lugë gjelle me ujë më shumë, kjo do të ndihmojë në përgatitjen e plotë të pilafit dhe butësinë gjithashtu.

Temperatura e ujit

Sekret i rëndësishëm i përgatitjes së pilafit është me patjetër temperatura e ujit.

Shefat e kuzhinës rekomandojnë se në të dyja rastet e përgatitjes së pilafit qoftë me skuqje ashtu si edhe me procesin e ujit të zierë së orizit, uji duhet të jetë i valuar.

Në rastin kur pilafin e përgatisni me skuqje, në momentin kur në tenxhere keni vendosur orizin për t’u skuqur, në një tenxhere tjetër shtoni sasinë e duhur të ujit dhe lëreni të ziejë derisa të vlojë, pra kur uji të nxjerrë bulëza.

Në këtë moment, kur orizi të jetë skuqur shtojini ujin e vluar dhe lëreni derisa orizi të thithë gjithë ujin apo lëngun e mishit që do të përdorni.

Të njëjtën gjë bëni edhe me përgatitjen e pilafin me ujin e zierë.

Lëreni ujin të ziejë bashkë me kripën derisa të nxjerrë bulëza e atëherë shtoni orizin dhe lëreni derisa ky i fundit të thithë gjithë lëngun.

Gjatë zierjes kalojeni nxehtësinë e zjarrit në nivel mesatar deisa pilafi të jetë gati./AgroWeb.org

Supa e Nuses – Receta e shijes dhe shëndetit të mirë në shtëpi

Njihet me emrin “Supa e Nuses” për shkak të historisë së përgatitjes së saj.

Kjo është një recetë e vjetër, fantastike, më tipikja dhe e njohura e kuzhinës orinetale.

Njihet me emrin “Supa e Nuses” për shkak të historisë së përgatitjes së saj. Mësohet se një nuse e re gjatë kohës së luftës mblodhi të gjitha produktet ushqimore që i gjendeshin në kuzhinë dhe krijoi recetën e kësaj pjate me shije fantastike.

Sot kjo supë njihet si një ndër specialitetet më të mira të kuzhinës orientale dhe është ndër kryesorët në menutë e restoranteve që ofrojnë gatime tipike të vendeve të Lindjes.

Edhe në Shqipëri, kjo supë përgatitet nga amvisat e krahinave të ndryshme, sidomos në zonat e thella rurale.

Përbërësit e kësaj supe gjenden lehtë në kuzhinën e çdo familjeje, ndaj dhe çdo amvisë duhet ta provojë me patjetër përgatitjen e këtij gatimi, i cili krahas shijes së shkëlqyer është edhe shumë i shëndetshëm gjithashtu,

Më poshtë do të gjeni nga AgroWeb.org hapat e lehtë që duhet të ndiqni për të përgatitur këtë supë krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Supës së Nuses

 Përbërësit

 (Përbërësit më poshtë janë për 4 persona)

 2 filxhanë çaji me thjerrëza

5 lugë gjelle me oriz

2 lugë gjelle salcë domateje

1 kokërr qepë

3 thelpinj hudhër

Rigon

Piper

Nenexhik

Piper djegës ( sipas preferencës)

2 lugë gjelle vaj ulliri

1 lugë gjelle gjalpë të freskët

6-7 filxhanë çaji me lëng mishi ose ujë

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të hidhni orizin në një tigan dhe ta zjeni me një filxhan çaji e pak ne ujë. Sapo të nisë të zjejë përzjeheni. Nëse uji avullon shpejt shtoni pak ujë të nxehtë.

Sapo orizi të jetë zjerë largojeni nga zjarri.

Vendosni një tenxhere tjetër në zjarr, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni gjalpin dhe vajin e ullirit.

Shtoni qepën e grirë shumë hollë bashkë me hudhrat. Kaurdisini derisa volume i tyre të bjerë.

Më pas, shtoni salcën e domates, kaurdisini të gjitha bashkë dhe shtoni në vijim lëngun e mishit  ose ujjin.

Lëreni të gjithë masën të zjejeë. Shtoni thjerrëzat e pastruara dhe orizin e zjerë.

Lërini të zjejnë bashkë përreth 30 minuta duke i përzjerë herë pas here.

Në fund shtoni pak nenexhik, piper, rigon, spec djegës sipas dëshirës dhe kripën.

Lëreni të zjejë edhe për 5 minuta bashkë me erëzat.

Kur ta keni larguar nga zjarri përzjeheni supën disa herë me lugë druri duke shtypur thjerrzat dhe orizin.

Kur ta servirni hidhini supës me patjetër edhe pak lëng limoni dhe shija do të jetë e mrekullueshme.

Turli e shpejtë me patëllxhanë – Receta në vetëm 20 minuta

Turli me Patëllxhanë.

Një recetë që gjithmonë është prezente në familjet shqiptare është turlia.

Në të vërtetë ky gatim është një nga më të mirët.

Shumë amvisa nuk kanë nevojë as për një recetë, pasi mjafton të kombinojnë perimet e stinës.

AgroWeb.org ju sjell një recetë që është edhe e lehtë por edhe e shpejtë.

Në vetëm 20 minuta jo do të keni gati për ta shijuar turlinë me patëllxhanë dhe domate.

Përbërësit

1 kg me patëllxhanë

3-4 lugë vaj ulliri

1 qepë e grirë imët

2 speca të kuq dhe të verdhë të grirë

2 gota me domate te qëruara dhe të prera në kubik

2-3 lugë gjelle me majdanoz

Kripë

Piper

Përgatitja

Si fillim lani mirë patëllxhanët dhe pasi t’i keni qëruar nga kokat, pritini në copa mesatare.

Në një tenxhere hidhni pak vaj ulliri dhe lëreni të ngrohet pak.

Kaurdisni fare pak aty copat e patëllxhanit dhe më pas lërini në një pjatë.

Tek tenxherja shtoni qepën dhe skuqeni derisa ajo të ketë ulur volumin e saj.

Më pash shtoni edhe specat e prerë dhe kaurdisini për 5 minuta.

Tani është momenti që të hidhni domatet që keni qëruar dhe prerë më parë.

AgroWeb.org ju këshillon që të ulni nxehtësinë dhe ta lini domaten derisa të ketë avulluar një sasi e konsiderueshme e ujit.

Hidhni kripë dhe piper sipas dëshirës dhe më pas shtoni edhe patëllxhanët e skuqur lehtë.

Lërini në zjarr të ulët për 10 minuta duke i kontrolluar herë pas here për shijen.

Në fund shtoni majdanozin e grirë, kjo erëz i jep pjatës një freski dhe aromë fantastike.

Kur salca të jetë mpiksur pjata juaj është gati.

Mund ta shërbeni të ngohtë duke e shoqëruar me sallata me perime të stinës apo dhe me tarator me vaj ulliri dhe hudhra.

Kjo pjatë është e lehtë dhe  shpejtë, por mbi të gjitha ka plot vlera për organizmin.

Tavë e shpejtë verore me speca dhe gjizë – Receta plot shije

Specat përdoren për sallata, gjellëra tradicionale e gatime nga më interesantet e të pasurat në shije.

Specat janë një ndër produktet që nuk mungon kurrë në kuzhinën e një amviseje shqiptare.

Ato përdoren për sallata, gjellëra tradicionale e gatime nga më interesantet e të pasurat në shije.

Një nga gatimet më të përhapura e më të shijshme të specave është skuqja e tyre dhe servirja si garniturë.

Ato mund të serviren me salcë domate dhe hudhër, me djathë, veçmas ose krahas perimeve të tjera për një antipastë të shkëlqyer.

Kur vjen stina e verës, specat e skuqur janë shumë të përdorur sepse janë një mënyrë e thjeshtë për të pasur një vakt të shijshëm e ngopës.

Megjithatë, skuqja nuk është e vetmja mënyrë e thjeshtë dhe e shijshme për servirjen e specave.

Kur ato piqen në furrë, transformohen në një pjatë të mrekullueshme, e të shijshme, sidomos kur kombinohen me gjizën aq të dashur të amvisave.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni si të përgatisni një pjatë të thjeshtë e të shijshme verore me speca.

Përbërësit:

4-6 speca

Gjizë për mbushje,

Majdanoz,

2 lugë gjelle vaj ulliri

3 thelbinj hudhër

Kripë dhe piper sipas dëshirës.

Përgatitja:

Lajini specat mirë me ujë të bollshëm ose mund t’i mbani në ujë ku keni tretur një filxhan çaji uthull molle për 15 minuta.

Më pas shpëlajini me ujë të bollshëm dhe thajini me enë kuzhine.

Prijeni kurorën e specit me gjithë bisht por mos e hidhni atë.

Hiqni farat e specit dhe ndajini mënjanë.

Në një enë hidhni gjizën dhe përziejeni me piper, hudhrën e grirë hollë, vajin e ullirit dhe majdanozin.

Përziejeni masën mirë dhe me të mbushni specat një e nga një.

Vendosini ato në një tepsi të yndyrosur lehtë, mbi të cilën mund të vendosni një letër kuzhine dhe futeni në furrë.

Specat mund t’i piqni në furrë për 30 minuta deri sa sipërfaqja e tyre të zbutet ndjeshëm dhe të marrë një ngjyrë të lehtë kafeje.

Niveli i pjekjes së specave është në varësi të preferencës.

Për servirje, hidhini në një pjatë dhe spërkatini me pak vaj ulliri.

Sekretet e përgatitjes së taratorit në mënyrë të përkryer

Ideal për të humbur në peshë, taratori do të kthehet në ushqimin tuaj të preferuar pasi nuk ju fryn dhe rëndon stomakun.

Taratori është një ndër gatimet më të thjeshta e të freskëta të traditës.

Përgatitet shumë lehtë duke bashkuar kosin, kastravecin dhe vajin e ullirit.

Njihet gjerësisht për shijen e tij të veçantë dhe vlerat e mëdha që i dhuron organizmit.

Ideal për të humbur në peshë, taratori do të kthehet në ushqimin tuaj të preferuar pasi nuk ju fryn dhe rëndon stomakun.

Megjithëse mund të jeni familjarë me shijen dhe përgatitjen e tij, në recetën e sotme AgroWeb.org ju sjell një mënyrë të re e të veçantë përgatitje.

Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj recetë me shije të mrekullueshme.

Përbërësit

250 ml kos

2 kastravecë mesatarë

1 qepë e kuqe

1 tufë kopër

2 lugë gjelle vaj ulliri

kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të filloni me larjen e kastravecëve.

Thajini mirë me letër dhe bashkë me lëkurën pritini në rrathë të hollë deri në 5 mm.

Nëse kastravecët i grini në rende, atëherë para se t’i bashkoni me kosin, duhet t’i thani mirë, në mënyrë që taratori të mos ketë ujë më shumë seç duhet.

Të njëjtën gjë bëni edhe me qepën, të cilën duhet ta prisni po ashtu në fije të holla, në fund shtoni edhe koprën e grirë hollë.

Në një enë hidhni kosin, vajin e ullirit, kripën dhe pak piper të kuq ose spec djegës sipas dëshirës për më shumë shije.

Përziejeni mirë kosin derisa të formohet një masë kremoze dhe e trashë.

Më pas shtoni edhe kastravecin me qepët dhe koprën tek ena ku ndodhet kosi.

Futeni menjëherë  në frigorifer dhe lëreni aty për 15 minuta, kështu do të përfitoni një pjatë të freskët verore.

Taratorin mund ta shoqëroni edhe me pjata të tjera ushqimesh siç është mishi apo byreku dhe shija do t’ju mahisë.

Këtë pjatë mund ta ruani në frigorifer jo më shumë se 24 orë, në mënyrë që përbërësit brenda taratorit të mos zbuten dhe ndryshojnë shije.

Krem karamel në tenxhere – Si të përgatisni recetën e shpejtë

Sot ama ju tregojmë si të përgatisni kremin karamel të freskët dhe plot shije në tenxhere.

Në stinën e verës të gjithë i shmangim recetat që kërkojnë pjekjen në furrë.

Prandaj dhe amvisat janë në kërkim të recetave të reja e të lehta që mundësisht të përgatiten sa më shpejt.

AgroWeb.org ju ka treguar disa metoda për të përgatitur recetat tuaja të dashura pa nevojën e pjekjes së saj në furrës.

Nga keku apo biskotat e buta në tigan e deri tek specat e mbushura në tenxhere dhe shumë të tjera.

Sot ama ju tregojmë si të përgatisni kremin karamel të freskët dhe plot shije në tenxhere.

Përbërësit

200 ml qumësht

3 lugë gjelle me sheqer

Gjysmë luge çaji me vanilje

1 vezë

Për karamelin

2 lugë gjelle me sheqer

1 lugë gjelle me ujë

Përgatitja

Në një enë shtoni 200ml qumësht të ngrohtë dhe tri lugë gjelle me sheqer.

AgroWeb.org ju sugjeron që ta përzjejini mirë derisa sheqeri të jetë tretur plotësisht.

Nëse dëshironi më shumë shije, apo që aroma e vezës të mos ndihet, shtoni gjysmë luge çaji me vanilje.

Në fund thyeni dhe një vezë dhe përzjejeni me telin e kuzhinës derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Për të përgatitur një krem karamel sa më kremoz, AgroWeb.org ju këshillon që ta kulloni masën në një sitë.

Ndërkohë në një tenxhere të vogël hidhni dy lugë gjelle me sheqer dhe një me ujë.

Vendoseni atë në zjarr dhe lëreni të ziejë derisa të formoni karamelin.

Sigurohuni që ta tundni tenxheren herë pas here në mënyrë që karameli të mos ngjitet.

Hidheni salcën e karamelit tek një tas dhe lëreni aty derisa të ftohet dhe të mpikset.

Tani AgroWeb.org ju sugjeron që të shtoni dhe masën me qumësht dhe vezë.

Mbulojeni tasin me letër alumini dhe vendoseni në një tenxhere ku do të shtoni ujë të nxehtë.

Sigurohuni që uji të mbulojë gjysmën e tasit me krem karamel.

Mbylleni tenxheren me kapak dhe lëreni të ziejë për 20-25 minuta

Pasi koha të ketë kaluar hiqeni tasin nga tenxherja, lëreni të ftohet plotësisht dhe futeni për pak në frigorifer.

Me një thikë largoni ëmbëlsirën nga anët e tasit dhe më pas kthejeni tek një pjatë.

Ju mbetet vetëm ta shijoni me të dashurit tuaj këtë ëmbëlsi të freskët.

Krem kakao i freskët – Ëmbëlsi delikate, shije unike

Krem kakao është një ëmbëlsirë ideale për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës, e sidomos pas vakteve të drekës dhe darkës.

Është një ëmbëlsirë e lehtë, me shije delikate, që të përfshin tërësisht menjëherë sapo e provon. Përgatitet shumë shpejt dhe thjeshtë me pak përbërës por shija e saj do t’ju magjepsë padyshim.

Krem kakao është një ëmbëlsirë ideale për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës, e sidomos pas vakteve të drekës dhe darkës.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtën përgatitjen e kësaj ëmbëlsire fantastike në shtëpi. Një mënyrë e veçantë për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.

Përgatitja e Krem Kakaos Krejt Lehtë në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

4-5 filxhanë çaji qumësht

2 kokrra vezë

1 filxhan çaji me ujë

2 filxhanë kafeje me sheqer

3 lugë kafeje me niseshte

2 lugë gjelle me kakao

Përgatitja

Në një enë apo tas me fund sferik hidhen vezët, rrihen fortë dhe më pas niseshteja, kakao dhe uji i ftohtë. Trazohen mirë të gjitha bashkë, pastaj hidhet qumështi i valuar.

Masa vihet në zjarr dhe trazohet derisa të trashet dhe të bëhet kremoze.

Më pas, kremi i përgatitur hidhet nëpër kupa dhe lihet për t’u ftohur.

Kombinimet

Krem kakao mund të kombinohet me arra dhe biskota të thërrmuara, të cilat mund t’i hidhen në sipërfaqe por edhe në fund të kupës para se të hidhni kremin e kakaos.

Gjithashtu, krem kakao kombinohet në mënyrë të mrekullueshme edhe me fruta të ndryshme. Mund të prisni disa luleshtrudhe dhe banane në kubikë të vegjël dhe t’i vendosni në sipërfaqen e krem kakaos.

Tjetër kombinim i shijshëm është edhe vendosja e lëkurave të grira të limonëve ose portokalleve si dhe frutave të thata në sipërfaqe të krem kakaos.

Vlerat ushqimore të Kakaos

Kakaoja është e pasur me minerale siç janë hekuri, magnezi, kalciumi, fosfori, bakri dhe mangani.

Ajo është një burim i mirë seleniumi, kaliumi dhe zinku. Kakaoja e ushqen trupin me karbohidrate, proteina dhe fibër dietike.

Për më tepër, kakaoja përmban nivele shumë të ulëta kolesteroli. Kakaoja përmban yndyrna mono-të-pangopura, siç është acidi oleik dhe yndyrna të ngopura siç janë acidi palmitik dhe steraik./AgroWeb.org

Pastiço me petë – Receta më e re që duhet të provoni

Receta e Përgatitjes së Pastiços me Petë.

Një recetë që ia vlen të provohet, është pikërisht pastiçoja me petë.

Kërkon pak kohë në përgatitjen e saj, por pritja dhe mundi në fund do të shpërblehen me shijen më të mirë.

Me këtë recetë nga AgroWeb.org ju mund të surprizoni të afërmit tuaj, pasi në dukje të parë duket si byrek, por në brendësi qëndron dhe çudia.

Nëse dëshironi mund ta përgatisni edhe me petë të gatshme dhe kështu do të shkurtoni shumë në kohë.

Madje mund ta provoni edhe me kima apo me perime mbushjen e makaronave, por mposhtë do të gjeni recetën klasike.

Përbërësit

Për brumin

500g miell

Një lugë e gjysmë vaj ulliri

Një lugë çaji kripë

100g gjalpë i shkrirë dhe 100ml vaj ulliri të rrahur bashkë që do përdoret për lyerjen e petëve

Pak ujë

Për mbushjen

1 pako me makarona që përdorni për pastiço

5 vezë

300ml qumësht

100g gjalpë

300g djathë i bardhë

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja

Si fillim hidhni miellin në tavolinën ku do ta punoni dhe hapeni pak mesin e tij, aty hidhni vajin e ullirit dhe kripën.

Filloni të rrihni mesin me një pirun dhe më pas shtoni ujin dalëngadalë.

Punojeni me duar derisa të formoni brumin njësoj si ai i byrekut.

Ndajeni në dy pjesë njërin pak më të madh se tjetri.

Mbulojini me një pecetë dhe lërini për një orë të pushojnë në temperaturë ambienti.

Kur të ketë kaluar koha, hapini petët hollë dhe lyejini me përzierjen e gjalpit dhe vajit.

Paloseni petën dhe lyejeni përsëri me vaj dhe gjalpë.

Peta përfundimtare duhet të jetë rreth 20 cm.

Kështu veproni edhe për petën tjetër.

Mbështillini përsëri me qese kuzhine dhe futini në frigorifer për 1 orë.

Ndërkohë që brumi është në frigorifer, AgroWeb.org ju sugjeron që të përgatisni mbushjen.

Vendosni një tenxhere me ujë për të zierë dhe hidhni kripë.

Kur të ketë valuar uji, hidhni makaronat dhe përzjejini që të mos bien në fund.

Në një tas rrihni vezët dhe shtoni qumështin, dhjathin duke e thërrmuar dhe kripë e piper.

AgroWeb.org ju këshillon që ta përzjeni mirë që të krijohet një masë e njëtrajtshme.

Makaronat ziejini pak, dhe pasi t’i kulloni kalojini përsëri në tenxhere dhe shtojini gjalpë.

Pasi t’i keni përzierë mirë hidhini dhe përzierjen e vezëve me qumështin dhe djathin.

Përzjejini me një lugë druri që makaronat të vishen plotësisht me masën e vezëve.

Nxirrini petët nga frigoriferi dhe filloni ta hapni sa madhësia e tavës, duke llogaritur që peta të dalë nga anët e saj.

Hidhni makaronat dhe përhapini në të gjithë sipërfaqen e tavës.

Më pas hapni dhe petën tjetër dhe vendoseni mbi mbushjen.

Lyejini anët e petës me gjalpë dhe vaj dhe rrotullojeni në mënyrë që të mbushja të mos dalë.

Lyejeni mirë e gjalpin dhe vajin, dhe futeni të piqet në furrën e parangrohur me 180 gradë për një orë.

Kur sipërfaqja e tij të ketë marrë ngjyrë të artë dhe mbushja të jetë mpiksur atëherë pastiçoja është gati.

Mëngjes i freskët me shalqi dhe djathë – Shije dhe shëndet i mirë

Shalqini përbëhet nga 92% ujë dhe është i dobishëm për sistemin imunitar.

Shalqini është një nga frutat më të mirëpritur dhe të dashur të verës.

Mënyra më e përhapur e shijimit të këtij fruti është ndarja në copa dhe servirja e ftohtë.

Megjithatë, ka shumë mënyra të tjera dhe interesante për të shijuar këtë frut dhe përfituar vlerat e mrekullueshme të tij.

Shalqini është një frut i ëmbël dhe i pasur me vitaminat A dhe C.

Si rrjedhojë, ai kombinohet shumë mirë si në shije dhe në vlera me djathin e dhisë dhe menten e freskët.

Sallata Me Shalqin dhe Djathë të Bardhë 

Kjo recetë që AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë kërkon djathë dhie të vjetëruar që është pak i fortë dhe me një shije dhe aromë të ndezur e të veçantë.

Por në mungesë të tij mund të përdorni edhe djathë të bardhë të llojeve të ndryshme.

Përbërësit

4 filxhanë me kubikë shalqini

Çerek filxhani me copa djathi dhie

Lëngu i një limoni jeshil

Udhëzimet

Këtë sallatë mund ta servirni në një pjatancë të posaçme ose në pjatë normale.

Mjafton t’i hidhni të gjithë përbërësit në enën e përzgjedhur dhe t’i përzieni me kujdes që të mos prishet forma e kubikëve të shalqinit.

Servireni të ftohtë.

Pse Duhet Të Hani Shalqi Çdo Ditë

Më poshtë mund të mësoni nga AgroWeb.org, vlerat e mëdha të shalqinit dhe sigurohuni që të mos të mungojë më në tryezat tuaja.

Shëndeti I Zemrës

Shalqini është i pasur me amino acide të cilat ulin tensionin e gjakut.

Shëndeti i zemrës përmirësohet edhe nga antioksidantët të cilët ulin rrezikun e atakut në zemër.

Mbrojtje Për Gjymtyrët

Shalqini përmban pigmente natyralë që luftojnë inflamacionin në gjymtyrë.

Disa studime, të cilave u referohet AgroWeb.org, thonë se falë konsumit të shalqinit, njerëzit janë më pak të prekur nga reumatizma ose artriti.

Mbrojtja e Lëkurës

Ngrënia e shalqinit shërben si mburojë për lëkurën.

Antioksidanti likopen ndihmon organizmin edhe ndaj djegieve nga dielli.

Shëndeti I Syve

Një racion me shalqin plotëson 30% të nevojës ditore për vitaminë A, e cila është thelbësore për shëndetin e syve.

Hidratim

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, 92 përqind e përmbajtjes së shalqinit është ujë, ndaj ky frut është ideal për hidratimin e organizmit.

Sheqeri Në Gjak

Niveli i glicemisë tek shalqini është 80, por falë karbohidrateve që ai përmban, do të thotë se si frut nuk arrin të rrisë nivelin e sheqerit në gjak.

Tretja

Njerëzit që vuajnë nga koliti nuk duhet t’i thonë ‘jo’ shalqinit sepse është një frut shumë i lehtë për t’u tretur.

Shalqini është i butë dhe i lëngshëm ndaj nuk i bën dëm stomakut.

Gabimet që duhet të shmangni në përgatitjen e kremit të zupës

Zupa Shtëpie.

Zupat padyshim janë ndër ëmbëlsirat më të lehta, me shije të mrekullueshme, ato mbeten ndër për të preferuarat në familjet shqiptare.

Por shpesh herë amvisat hasin vështirësi në përgatitjen e kremit të zupës, i cili është dhe baza kryesore e kësaj ëmbëlsire kaq të dashur.

Ndonjëherë kremi nuk del kompakt e i njëtrajtshëm dhe kokërrizat e mbetura mes tij gjatë përgatitjes i largojnë ëmbëlsirës shijen tipike të saj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë disa këshilla të vyera, të cilat do t’ju ndihmojnë të përgatisni në mënyrën më perfekte zupën e shtëpisë.

Përgatitja e Kremit të Zupës

Përbërësit bazë të kremit të zupës janë, qumështi, të verdhat e vezëve, sheqeri, niseshteja dhe vanilja për aromë.

Hapi i parë është tretja e niseshtesë në një tas mesatar me qumësht të vakët. Treteni mirë me lugë druri derisa niseshteja të tretet plotësisht.

Hapi i dytë është vendosja në zjarr të ngadaltë e një tenxhereje me qumështin e mbetur, shtoni aty sheqerin dhe të verdhat e vezëve të rrahura fort dhe përzjeini me lugë druri.

Bëni kujdes që kur të rrihni të verdhat e vezëv,  të largoni pjesët e bardha që mund të mbeten, pasi gjatë mpikjes së kremit ato mund të mbeten si kokërriza.

Në momentin që qumështi nis të vaket shtoni aty pjesën tjetër të qumështit ku keni tretur niseshtenë. Trazojeni edhe njëherë dhe më pas shtojeni në tenxhere.

Të gjithë masën e qumështit do ta trazoni pa ndërprerje me lugë druri derisa masa të bëhet kremoze sa duhet.

Derisa të krijohet masa kremoze e qumështit nuk ta ndërprisni përzierjen me lugë druri në këtë mënyrë do siguroni që kremi i zupës do të jetë i njëtrajtshëm.

Në momentin që kremi nis të nxjerrë bulëza në sipërfaqe, shtoni vaniljen, përziejeni dhe largojeni nga zjarri dhe nisni përgatitjen e kombinimit të zupës në kupat përkatëse.

Kombinimet e Zupës

Mënyrat më tipike të përgatitjes së zupës janë ajo me biskota, reçel dhe arra të thërrmuara.

Në fundin e kupës mund të vendosni pak biskota të thërrmuara dhe një lugë çaji me reçel qershie, shtroni një shtresë me kremin e zupës.

Vijoni sërish me një shtresë biskotash të thërrmuara dhe spërkatini me pak reçel qershie.

Më pas, vijoni me shtresën tjetër të kremit të zupës e në fund sërish biskota të thërrmuara, disa kokrra reçeli qershie dhe arra të thërrmuara./AgroWeb.org

Pulë me makaronka – Receta e shtëpisë me shije fantastike

Pulë me Makarona.

Recetat me pulë janë të shumëllojshme dhe përsëri jemi në kërkim të shijeve të reja.

Pula me pilaf të zier apo në tavë apo pula me patate janë një ushqim tradicional tashmë dhe shija e tyre është e mrekullueshme.

Ky gatim shoqëron drekat dhe darkat e shumë familjeve në qëndër të tryezave të tyre, por edhe recetat e reja janë gjithnjë të mirëpritura.

Ndryshe nga zakonisht në këtë recetë AgroWeb.org ju sjell një shije më të veçantë dhe kreative të gatimit të pulës.

Gatimi i pulës me makaronka  (makarona të vogla) në formë elbi është një risi që do t’ju mrekullojë për nga shija.

Më poshtë gjeni hap pas hapi të shpjeguar se si përgatitet kjo recetë.

Përbërësit për 3-4 persona

1.5 kg mish pule ose një pulë mesatare

2 lugë gjelle vaj ulliri

1 lugë çaji gjalpë

350 gr makarona të vogla elb

1 qepë mesatare e grirë

2 thelpinj hudhër

500 ml lëng pule

2 domate mesatare

piper i zi

kripë

majdanoz

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të filloni me përgatitjen dhe marinimin e pulës.

Ndani mishin e pulës në disa copa dhe kriposini mirë ato nga të gjitha anët.

Ndërkohë në një tigan të madh ngrohni vajin e ullirit dhe shkrini gjalpin në nxehtësi mesatare.

Kur të shikoni që vaji është nxehur, shtoni edhe copat e mishit të pulës të skuqen për 5 minuta ose derisa të shikoni që kanë marrë ngjyrë kafe nga njëra anë.

Më pas kthejini nga ana e brendshme e tyre dhe skuqini për 4 minuta të tjera, derisa të marrin ngjyrë.

Pasi të jenë gati vendosini copat e mishit të pulës në një pjatë dhe vazhdoni me përgatitjen e makaronave.

Në tiganin ku ishte pula shtoni makaronat e vogla dhe trazojini mirë, lërini të gatuhen derisa të fillojnë të zbuten.

Kur të shikoni që makaronat janë zbutur pak, shtoni qepën e grirë në kubikë të vegjël dhe lëreni në zjarr mesatar edhe për 2-3 minuta të tjera.

Pasi qepët të jenë zbutur, hidhni thelpinjtë e hudhrës së grirë dhe gatuajini për disa sekonda.

Në një ene veçmas prisni domatet në copa të vogla, shtoni lëngun e pulës bashkë me gjysmë luge çaji piper të zi dhe një lugë çaji kripë.

Vendoseni pulën sërisht në tiganin ku ndodhen makaronat dhe shtoni domatet me lëngun që përgatitët më sipër.

Rrisni pak nxehtësinë e zjarrit dhe lërini të gatuhen derisa të shikoni që përbërësit po vlojnë së bashku.

Ulni sërisht temperaturën e zjarrit në minimum dhe mbuloni tiganin me kapak derisa makaronat të kenë thithur plotësisht lëngun e pulës.

Kjo mund të zgjasë nga 10-12 minuta në mënyrë që edhe mishi i pulës të gatuhet deri në brendësi.

Më pas hiqeni nga zjarri, lëreni të ftohet për 5 minuta dhe mund t’a shërbeni duke i grirë pak majadanoz sipër.

Mënyra perfekte e përgatitjes së tavës së kosit

Kjo recetë është ndër gatimet më të preferuara të shqiptarëve.

E shijshme, e lehtë, ajo mbush gjithë shtëpinë me aromë të mrekullueshme, përballë shijes së saj dorëzohesh lehtësisht

Është e famshme ndër shekuj Tava e Elbasanit me Kos e Mish Qengji.

Nëse ka një recetë gatimi që është tipike e kuzhinës sonë autoktone e që është gatim i përgatitur vetëm nga amvisat shqiptare, ajo është pikërisht Tava e Kosit.

E pamundur t’i rezistosh kësaj pjate, jo vetëm nëse e ke të servirur në tryezë por edhe thjeshtë nëse e përmend apo e dëgjon diku, kjo tavë mbetet si një ndër gatimet më të jashtëzakonshme tradicionale shqiptare.

Sigurisht, kjo recetë është ndër recetat më të preferuara të shqiptarëve. E madje, thuhet se Tava e Kosit, traditë e qytetit të Elbasanit ishte pjata e preferuar e Ismail Qemalit.

Sipas gojëdhënave të përcjella nga të vjetrit e Kaninës, thuhet se në prag të ditëve të shpalljes së pavarësisë, kur Ismail Qemali mbërriti në Vlorë në vitin 1912, kërkoi t’i gatuanin tavën e vërtetë të kosit të Elbasanit.

Nga ajo ditë, shumë familje shqiptare, sidomos të zonave përreth gatuajnë Tavën e Elbasanit si pjesë të gatimeve tradicionale për festën e Ditës së Pavarësisë.

Më poshtë, AgroWeb.org u sugjeron recetën tipike të Tavës së Elbasanit, e cila mund të gatuhet krejt lehtë në shtëpi.

Si të Përgatisim Tavën e Shijshme të Kosit 

Përbërësit

700 gr mish qengji i freskët (ose mish pule)

150 gramë gjalpë

4 kokrra vezë të freskëta

1200 ml kos i freskët

3 lugë gjelle miell

Një filxhan i vogël kafeje me oriz

Kripë

Piper

Përgatitja e Mishit

Si fillim bëjmë gati mishin. E pastrojmë mirë me ujë të bollshëm dhe e vendosim të prerë në copa në tavë.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që të gjitha copat e mishit t’i lyeni përmes një furçe me gjalpë dhe t’u hidhni pak kripë sipër dhe një një gotë me ujë.

I vendosim në furrë që të piqen dhe i lëmë derisa të marrin ngjyrën e kuqërremtë të pjekjes.

Pasi është pjekur e heqim nga furra dhe përgatisim salcën.

Përgatitja e Salcës me Kos

Kujdesemi që ujin e mbetur në tavën e mishit të pjekur ta heqim mënjanë pasi do të përdoret për përgatitjen e kosit

Vendosim një tenxhere në zjarr dhe shkrijmë gjalpin.

Hedhim miellin dhe e kaurdisim bashkë me gjalpin.

Në momentin që mielli zverdhet pak, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni me ngadalë lëngun e mishit (të cilit i hedhim edhe gjysmë gote ujë shtesë)

Trazojmë me lugë druri dhe pa ndalesë në mënyrë që të shmangim krijimin e kokërrizave.

Pasi masa bëhet e njëtrajtshme e lëmë të vlojë pak dhe kur salca të jetë trashur e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.

Më pas, në një tas hedhim hedhim vezët dhe i rrahim fort derisa të njëtrajtësohen.

Shtojmë kripën, pak gjalpë, piperin dhe kosin dhe i përziejmë të gjitha bashkë.

Më pas, shtojmë salcën me miell dhe vijojmë t’i përziejmë derisa masa të jetë unison.

Përgatitja e Tavës

Në tavën ku kemi mishin pjekur hedhim orizin, e shpërndajmë në të gjithë tavën në mënyrë të rregulltë.

Përzjejmë edhe mishin nga të dyja anët me oriz dhe në të gjithë tavën shtrojmë salcën e përgatitur të kosit.

Sipër i hedhim pak gjalpë të prerë në copëza të vogla.

Ndërkohë sigurohemi që furra të jetë e nxehtë në 2o0 gradë dhe fusim tavën të piqet përreth 30 minuta derisa në sipërfaqe të marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Pasi fikim furrën, tavën e lëmë edhe pak për t’u mpiksur mirë në nxehtësinë e sobës e më pas e servirim të ngrohtë.

*Artikulli është konsultuar me recetat e autores së mirënjohur dhe njohëses së kuzhinës tradicionale shqiptare, Evgjeni Harizi.