VOAL

VOAL

Rusia urdhëron ushtarët të kthehen në baza pas stërvitjeve afër Ukrainës

April 22, 2021

Komentet

Izraeli miraton ligjin për dënimin me vdekje ndaj autorëve të sulmit të 7 tetorit, gjyqet do të transmetohen publikisht

Parlamenti i Izraeli, Knesset, ka miratuar një ligj të ri që parashikon dënimin me vdekje dhe zhvillimin e gjyqeve publike për personat e përfshirë në sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023 dhe në marrjen masive të pengjeve. Legjislacioni u miratua me 93 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa 27 deputetë munguan ose abstenuan. Projektligji mori mbështetje të gjerë si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita izraelite.

Yulia Malinovsky, bashkë-sponsorizuese e projektligjit, deklaroi para votimit se qëllimi është që viktimat dhe familjet e tyre të përballen drejtpërdrejt me autorët e sulmeve. “Do të doja që të gjithë të mund të shihnin se si viktimat dhe familjet e tyre i shohin në sy këta vrasës, përdhunues dhe rrëmbyes”, u shpreh ajo, duke shtuar se Izraeli duhet të tregojë se është “një shtet sovran që di të mbajë përgjegjës ata që e kanë dëmtuar”. Ligji i ri krijon një kuadër të posaçëm për gjykimin e personave të akuzuar për pjesëmarrje direkte në sulmet e 7 tetorit, përfshirë anëtarë të njësisë elitare Nukhba të Brigadave Al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, të arrestuar nga autoritetet izraelite.

Të pandehurit pritet të përballen me akuza për terrorizëm, vrasje, dhunë seksuale dhe gjenocid, vepra që sipas legjislacionit të ri mund të ndëshkohen me dënim kapital. Gjyqet do të zhvillohen para një gjykate speciale ushtarake në Jeruzalem dhe disa nga seancat kryesore do të transmetohen publikisht në një platformë të dedikuar online.

Politikanët që mbështesin ligjin e kanë krahasuar procesin me gjyqin ndaj Adolf Eichmann, një prej organizatorëve të Holokaustit, i cili u ekzekutua në vitin 1962, duke mbetur i vetmi person i dënuar me vdekje nga një gjykatë civile izraelite. Ndërkohë, organizatat izraelite të të drejtave të njeriut kanë kundërshtuar ligjin, duke paralajmëruar për rrezikun e “gjyqeve të simuluara” dhe përdorimin e rrëfimeve të marra nën torturë. Aktivistët kërkojnë që të akuzuarit të kenë procese të rregullta ligjore dhe kundërshtojnë vendosjen e dënimit me vdekje.

Sulmi i 7 tetorit 2023 konsiderohet dita më e përgjakshme në historinë e Izraelit. Sipas autoriteteve izraelite, militantët e Hamasit vranë mbi 1,200 persona dhe rrëmbyen 251 të tjerë në jug të vendit. Lufta që pasoi në Rripi i Gazës ka shkaktuar mbi 72 mijë viktima, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. bw

Mbi 60 deputetë të Partisë Laburiste i kërkojnë kryeministrit Starmer të caktojë afat për dorëheqje dhe hapje gare për lidershipin

Më shumë se 60 deputetë të Partisë Laburiste në Britani kanë bërë thirrje që kryeministri Keir Starmer të përcaktojë një afat kohor për largimin e tij nga detyra, duke kërkuar nisjen e një procesi të rregullt për zgjedhjen e një lideri të ri.

 

Sipas deputetëve nga krahë të ndryshëm të partisë, Starmer nuk ka arritur t’i bindë se është i aftë të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve të ardhshme, në një kohë kur presioni politik brenda Laburistëve po rritet ndjeshëm.

Në një deklaratë të mëparshme, kryeministri u shpreh se nuk do të japë dorëheqjen dhe se do të vazhdojë të udhëheqë qeverinë, duke theksuar se Laburistët përballen me “kundërshtarë shumë të rrezikshëm” si Reform UK. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të përballet me çdo sfidë për lidershipin e tij.

Megjithatë, deklarata e tij nuk ka ndalur valën e reagimeve brenda partisë, ku një numër gjithnjë e në rritje deputetësh po kërkojnë një tranzicion të organizuar, raporton “The Guardian”.

Ndër zërat më të fortë është ai i Chris Curtis, bashkëkryetar i grupit “Labour Growth Group”, i cili tha se Starmer “nuk mund të sjellë ndryshimin që i duhet vendit” dhe se është koha për një lidership të ri. Ai kërkoi që kryeministri të vendosë një afat dhe të hapë rrugën për një garë të rregullt për drejtimin e partisë.

Po ashtu, deputetja Catherine West njoftoi se nuk do të sfidojë drejtpërdrejt Starmer, por do të mbledhë emrat e deputetëve që kërkojnë dorëheqjen e tij.

Thirrjeve për ndryshim i janë bashkuar edhe deputetë të tjerë, përfshirë Alan Gemmell dhe Jas Athwal, të cilët kanë theksuar se humbja e besimit të publikut po ndikon drejtpërdrejt në rezultatin politik të partisë.

Nga ana tjetër, disa deputetë paralajmërojnë se një ndryshim i menjëhershëm në krye të qeverisë mund të sjellë paqëndrueshmëri politike dhe të forcojë pozitat e kundërshtarëve si Nigel Farage, në një moment delikat për ekonominë dhe politikën britanike. Panorama

Lëvizje e rrallë, Pentagoni njofton mbërritjen e një nëndetëseje bërthamore amerikane në Gjibraltar

Pentagoni ka njoftuar se një nëndetëse bërthamore e Marinës amerikane ka mbërritur në Gjibraltar, në një referim të rrallë publik për vendndodhjen e një prej sistemeve më të fshehta të armatimit të SHBA-së, vetëm një ditë pasi Donald Trump hodhi poshtë në mënyrë të ashpër një propozim të ri paqeje nga Irani.

 

Marina amerikane bëri të ditur në një deklaratë se bëhet fjalë për një nëndetëse të klasës Ohio me raketa balistike, e njohur edhe si “boomer”, një platformë e teknologjisë stealth e projektuar për lëshimin e kokave bërthamore.

“Vizita në port tregon aftësitë, fleksibilitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj aleatëve të saj në NATO”, thuhet në deklaratën e Marinës, duke shtuar se nëndetësja mbërriti në Gjibraltar të dielën.

“Me aftësinë për të lëshuar raketa balistike nga nëndetëset, nëndetëset e klasës Ohio përbëjnë mjetin më të qëndrueshëm të tria­des bërthamore të Shteteve të Bashkuara”, theksohet më tej.

Pentagoni rrallëherë publikon vendndodhjet e këtyre nëndetëseve, të cilat konsiderohen tepër sekrete. Marina nuk e bëri publik emrin e nëndetëses që ndodhet në Gjibraltar.

Koha e njoftimit konsiderohet veçanërisht domethënëse, pasi u bë vetëm disa orë pasi Trump e cilësoi “krejtësisht të papranueshme” një propozim të ri nga Irani në një postim në rrjetet sociale.

“Sapo lexova përgjigjen e të ashtuquajturve ‘përfaqësues’ të Iranit”, shkroi ai. “Nuk më pëlqen”.

Trump pritet të udhëtojë drejt Kinës më vonë gjatë javës për një takim me Xi Jinping, vendi i të cilit mban marrëdhënie të ngushta me Iranin. Panorama

Çfarë fshihet pas retorikës së re të Putinit për “fundin” e luftës në Ukrainë, 5 arsyet pse gjërat po ndryshojnë

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, deklaratat e fundit të Vladimir Putinit për një “fund” të mundshëm të konfliktit kanë ngritur pyetje të reja rreth qëllimeve të vërteta të Kremlinit.

Edhe pse Rusia vazhdon të mbajë një linjë të ashpër në negociata, një sërë zhvillimesh ushtarake, ekonomike dhe gjeopolitike duket se po ndikojnë në strategjinë e Moskës.

Siç shpjegon The Guardian, pas retorikës së re të presidentit rus qëndrojnë pesë faktorë kryesorë që po e ndryshojnë gradualisht pamjen e luftës.

1. Rusia po humbet vrullin e saj në fushën e betejës
Pas kundërsulmit të dështuar ukrainas në verën e vitit 2023, Rusia kishte arritur të përparonte gradualisht në territorin ukrainas. Edhe pse sulmet ruse u karakterizuan si të ngadalta, shteruese dhe veçanërisht të kushtueshme për sa i përket humbjeve njerëzore, ekzistonte një ndjesi se Ukraina po humbiste ngadalë por në mënyrë të pashmangshme.

Sipas Guardian, kjo tani duket se po ndryshon.

Rimarrja e Kupyanskut nga forcat ukrainase në dhjetor i habiti edhe analistët ushtarakë perëndimorë, ndërsa kufizimet në përdorimin e Starlink dhe Telegram nga forcat ruse duket se kanë ndikuar në koordinimin e tyre në fushën e operacioneve, duke i lejuar Ukrainës të rimarrë territorin në Zaporizhia.

Në prill, sipas Institutit për Studimin e Luftës, Rusia humbi territor të pastër për herë të parë që nga gushti i vitit 2024 , kur Ukraina nisi një operacion surprizë në rajonin e Kurskut. Në të njëjtën kohë, përparimet ruse në muajt e mëparshëm kanë qenë të kufizuara, gjë që përforcon vlerësimin se një fitore e ngadaltë, por e sigurt ruse, nuk është më e garantuar.

2. Viktimat ruse mund të jenë duke i tejkaluar rekrutët e rinj
Ndërkohë, Ukraina pretendon se ka vrarë ose plagosur më shumë ushtarë rusë sesa ka rekrutuar Moska në pesë muajt e fundit. Edhe pse shifrat janë të vështira për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur, Kievi i bazon vlerësimet e tij në materiale nga zona e konfliktit. Sipas raporteve ukrainase, rreth 35,000 ushtarë rusë u vranë ose u plagosën vetëm në mars dhe prill, kryesisht nga sulmet me dronë.

Në të njëjtën kohë, nivelet e rekrutimit në Rusi duket se kanë rënë. Ekonomistja Janis N. Kluge, duke cituar të dhëna nga buxhetet rajonale, vlerëson se rekrutimet e reja janë midis 24,000 dhe 30,000 në muaj.

Në të njëjtën kohë, nuk ka indikacione se Putini dëshiron të vazhdojë me një valë të re mobilizimi të përgjithshëm , pas reagimeve të forta shoqërore të shkaktuara nga mobilizimi i vitit 2022.

3. Sulmet ndaj rafinerive kërcënojnë të ardhurat ruse nga nafta
Një arsye e tretë për retorikën e re të Putinit është se ekonomia ruse kishte qenë duke u ngadalësuar që nga fillimi i vitit 2026, por rritja e çmimeve të naftës për shkak të krizës së Lindjes së Mesme i ka dhënë Moskës një lehtësim të përkohshëm ekonomik.

Sipas Shkollës së Ekonomisë së Kievit, të ardhurat nga eksporti rus i naftës arritën në 19 miliardë dollarë në mars, pothuajse dyfishi i shumës në shkurt.

Megjithatë, siç vëren Guardian, sulmet e fundit ukrainase me dronë dhe raketa ndaj rafinerive dhe terminaleve ruse të naftës në Baltik kanë ulur ndjeshëm eksportet e naftës. Analistët vlerësojnë se nëse çmimet ndërkombëtare të naftës bien në të ardhmen e afërt, presioni mbi ekonominë ruse mund të rritet ndjeshëm.

4. Ukraina po zhvillohet në një fuqi të teknologjisë së dronëve dhe raketave
Në fillim të pushtimit rus, Ukraina ishte shumë e varur nga pajisjet dhe ndihma ushtarake perëndimore, me shpresa të mëdha të vendosura në avionët luftarakë F-16 dhe sistemet amerikane Patriot.

Por gradualisht u bë e qartë se furnizimet perëndimore po pakësoheshin, duke e shtyrë Kievin të investonte më shumë në teknologjinë dhe prodhimin e vet. Sulmet ukrainase thellë brenda territorit rus, madje edhe qindra kilometra nga fronti, shihen si dëshmi e kësaj aftësie të re operacionale. Në të njëjtën kohë, Ukraina pretendon se sistemet e saj të reja të interceptorëve të dronëve kanë rritur ndjeshëm efektivitetin e mbrojtjes së saj ajrore, duke kufizuar mundësitë e sulmeve ruse.

5. Putini mund të jetë duke kërkuar të ringjallë interesin e Shtëpisë së Bardhë
Së fundmi, sipas analizës së Guardian, përpjekja kryesore ruse kohët e fundit ka qenë diplomatike. Moska beson se mund ta bindë Donald Trumpin që të ushtrojë presion mbi Volodymyr Zelenskyn që të pranojë lëshime territoriale në Donetsk, duke kompensuar kështu ngecjen në fushën e betejës.

Pavarësisht deklaratave për një përfundim të mundshëm të luftës, megjithatë, nuk ka shenja se Rusia ka braktisur kërkesat e saj themelore. Bashkëpunëtorë të ngushtë të Kremlinit vazhdojnë të deklarojnë se çdo bisedë paqeje supozon tërheqjen e Ukrainës nga Donetsku.

The Guardian beson se Putini mund të jetë duke u përpjekur, përmes retorikës më të butë, ta rikthejë Ukrainën në qendër të politikës amerikane, në një kohë kur vëmendja e Uashingtonit është kthyer kryesisht në krizën me Iranin. bw

OKB paralajmëron: Krizë globale ushqimore nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se bllokimi i vazhdueshëm i Ngushticës së Hormuzit mund të shkaktojë një krizë të madhe ushqimore në botë brenda pak javësh.

 

Sipas OKB-së, ndërprerja e transportit të plehrave kimike përmes Hormuzit rrezikon të çojë miliona njerëz drejt urisë, sidomos në Afrikë dhe Azi.

Kreu i grupit të posaçëm të OKB-së për këtë çështje, Jorge Moreira da Silva, deklaroi se bota ka vetëm “pak javë kohë” për të shmangur një katastrofë humanitare.

“Rreth 45 milionë njerëz të tjerë mund të përballen me uri nëse kriza vazhdon”, tha ai për AFP.

Irani ka bllokuar prej muajsh Ngushticën e Hormuzit, si reagim ndaj luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli më 28 shkurt. Përmes kësaj rruge kalon rreth një e treta e plehrave kimike që tregtohen në botë.

Plehrat dhe lëndët e para që kalojnë nga Hormuzi furnizojnë kryesisht Brazilin, Kinën, Indinë dhe vendet afrikane.

OKB-ja po përpiqet të krijojë një mekanizëm të posaçëm që do të lejojë kalimin e anijeve me plehra kimike dhe materiale bazë si amoniaku, squfuri dhe ureja.

Sipas zyrtarëve të OKB-së, mjafton kalimi i pesë anijeve në ditë për të shmangur krizën në sektorin bujqësor.

Megjithatë, negociatat me SHBA-në, Iranin dhe vendet e Gjirit ende nuk kanë dhënë rezultat.

OKB paralajmëron se rritja e çmimit të plehrave kimike do të sjellë ulje të prodhimit bujqësor dhe më pas rritje të fortë të çmimeve të ushqimeve në gjithë botën. Panorama

Komplot kundër Putinit? Kreu i Kremlinit ka rritur në mënyrë drastike masat e tij të sigurisë! Çfarë po ndodh në Rusi?

Edhe pse është e dyshimtë që dikush nga rrethi i Putinit po përgatit vërtet një komplot, fakt është se Putini i ka rritur në mënyrë drastike masat e tij të sigurisë. Çfarë po ndodh në Rusi?


Në shërbimet sekrete evropiane po qarkullojnë informacione se është e mundur që qarqe të caktuara të elitës ruse po përgatisin një komplot kundër Vladimir Putinit. Veçanërisht interesant është roli i ish-ministrit të mbrojtjes të Putinit, Sergei Shoigu, ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të të cilit futen sistematikisht në burg nga regjimi i Putinit.

Pavarësisht këtyre spekulimeve, Kremlini ka rritur në mënyrë drastike masat e sigurisë rreth Presidentit Vladimir Putin për shkak të mundësisë së vrasjes dhe një grushti shteti. Ky informacion nga një shërbim sekret evropian u raportua nga portali hetimor rus Important Stories, si dhe nga CNN dhe Financial Times.

Por analistët kanë mendime të ndryshme rreth këtij informacioni: disa besojnë se një skenar i tillë është gjithmonë i mundur në Rusi, ku ka shembuj të panumërt komplotesh kundër sundimtarëve nga historia e atij vendi. Po ashtu edhe Shërbimi sekret i Ukrainës kryen operacione të suksesshme brenda dhe jashtë Rusisë. Të tjerë paralajmërojnë se përgatitjet për komplotin nuk po raportohen nga media: kjo mund të jetë lehtësisht loja e dyfishtë e Putinit dhe arsyeja për një tjetër spastrim brenda elitës ruse. Edhe për këtë ka shembuj të panumërt në historinë e Rusisë.

Por ajo për të cilën të gjithë bien dakord është se: Putini është i shqetësuar për sigurinë e tij. Tensionet brenda elitës po rriten gjithashtu, pjesërisht për shkak të problemeve ekonomike dhe presionit nga shërbimet e sigurisë mbi teknokratët.

Cili është roli i Shoigut?
Raporti i shërbimeve sekrete përmend konkretisht ish-ministrin rus të Situatave të Jashtëzakonshme dhe Mbrojtjes, dhe Sekretarin aktual të Këshillit të Sigurisë Ruse, Sergei Shoigu, si një “faktor potencial destabilizues”.

Ndikimi i tij është padyshim në rënie, por ai ende mund të paraqesë një rrezik potencial për regjimin e Putinit, sipas Roman Anin të Important Stories, një media investigative ruse e pavarur me seli në Riga. Ai vëren “tensione në rritje midis shërbimeve të sigurisë” në Rusi, dhe “përplasjet e klaneve” janë gjithashtu të dukshme. Sundimtari në Rusi tradicionalisht ndjek një politikë “përça dhe sundo”, por roli i Putinit si ndërmjetës është aktualisht dukshëm më i dobët.

“Për vite me radhë, Shoigu ishte udhëheqësi i një klani jashtëzakonisht të fuqishëm. Si Ministër i Mbrojtjes dhe kreu i Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme, ai arriti të mbledhë një numër të madh njerëzish nën komandën e tij dhe t’i përfshijë ata në një rrjet korrupsioni. Në thelb është diçka si një omerta mafioze”, shpjegon Anin për DW.

Në burg njëri pas tjetrit…
Shoigu dhe Putini janë miq të vjetër personalë: ata i kaluan pushimet së bashku, ka foto të tyre duke peshkuar dhe mbledhur kërpudha së bashku. Putini e emëroi fillimisht mikun e tij si ministër të emergjencave. Ai e mbajti atë pozicion për 12 vjet, dhe në vitin 2012, Putini e emëroi këtë inxhinier civil pa karrierë ushtarake si ministër të mbrojtjes. Por në mes të luftës kundër Ukrainës, Putini e shkarkoi atë në vitin 2024 dhe emëroi Andrei Belousov në vend të tij.

Interpretimi i parë i këtij shkarkimi ishte dështimi kronik ushtarak i luftës kundër Ukrainës, por me sa duket kishte më shumë arsye. Sepse një numër i zëvendësve të tij janë tashmë në burg, kështu që Shoigu duhet të ketë frikë se i njëjti fat mund ta gjejë, thotë Anin.

Përndjekja e bashkëpunëtorëve vazhdon: në mars, ish-zëvendësministri i Mbrojtjes Ruslan Talikov u arrestua dhe u akuzua për “themelimin e një organizate kriminale” që ishte fajtore për përvetësimin e parave nga buxheti në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2024, dhe ata akuzohen gjithashtu për korrupsion.

Timur Ivanov, i arrestuar në vitin 2024, u dënua me 13 vjet burg në një procedurë të ngjashme. Pavel Popov ishte 19 vjeç. Procedurat penale kundër Dmitry Bulgakov, gjithashtu një ish-zëvendës i Shoigut, janë ende duke vazhduar.

As Putini nuk është i sigurt
Prej kohësh ka qenë krejtësisht e pamundur që dikush t’i afrohet Putinit i armatosur, por Putini ende nuk mund të jetë plotësisht i sigurt nga një vrasje e mundshme, për shembull nga një dron. Këtë prill, kanali anonim rus në rrjetin Telegram VČK-OGPU raportoi se Kremlini ka frikë nga një kërcënim i mundshëm që lidhet me ngjarjet e brendshme. Gjithashtu përmenden sulme të mundshme me dron nga vetë Moska, dhe jo nga larg.

Një problem i madh ishte edhe parada tradicionale ushtarake në Sheshin e Kuq me rastin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore. Shërbimet sekrete ruse këshilluan që këtë vit ajo të anulohej plotësisht, madje edhe Putini ishte i prirur për këtë vendim. Po në fund ajo u zhvillua, por në përmasa shumë më të vogla.

Dhe kështu masat e sigurisë në Moskë po forcohen: lidhjet e komunikimit janë ndërprerë në disa rrethe, sistemet e luftës elektronike mobile po vendosen në qendër të qytetit, dhe ka mbikëqyrje edhe më të rreptë në vetë Kremlinin.

Politologia, Ekaterina Shulman, gjithashtu pohon në mediat sociale se parada më e vogël është rezultat i frikës nga vrasja, dhe gjithashtu thekson se Putini ka zvogëluar numrin e paraqitjeve publike: “Nëse siguria është një përparësi absolute, gjëja më e sigurt është të mos shfaqesh askund.”

Politologu Abas Galyamov, në një intervistë me DW, kujton një seri të tërë vrasjesh të suksesshme të gjeneralëve rusë – të cilat u atribuohen ukrainasve, kështu që Putini nuk mund të ndihet më i sigurt: “Për Putinin, siguria është pra më e rëndësishme se imazhi”.

Klanet po presin, por Shoigu është i dobët…
Galyamov vëren se konfliktet po rriten brenda shërbimeve ruse të sigurisë dhe klaneve të ndryshme në krye të Rusisë, me sa duket disa klane po veprojnë gjithnjë e më shumë në mënyrë të pavarur dhe ndikimi dhe ndërmjetësimi i Kremlinit nuk është më i dukshëm.

Sipas mendimit të tij, elitat aktualisht po shmangin konfliktin e hapur dhe preferojnë të presin zhvillimin e ngjarjeve në mënyrë që të përshtaten me rrethanat e ndryshuara. Por ai është skeptik ndaj rolit të Shoigut: ai e konsideron atë një person të dobësuar pa burimet dhe mbështetjen e nevojshme.

Dhe Ekaterina Shulman vëren se ajo që raportojnë Financial Times dhe CNN nuk është një lloj “komploti i udhëhequr nga Shoigu”.

Politologu britanik dhe eksperti i Rusisë Mark Galeotti ka një mendim krejtësisht të ndryshëm: ai i konsideron raportet për komplotin e supozuar kundër Putinit si “dezinformim të vetëdijshëm”.

Sipas mendimit të tij, ato nuk pasqyrojnë një kërcënim real. Në një koment për të përjavshmen britanike The Spectator, ai i referohet një “vale të papritur informacioni” që “i ngjan në mënyrë të dyshimtë një operacioni psikologjik”. Qëllimi i tyre, thotë ai, është të “nxisin paranojën brenda elitës ruse”, në vend që të ofrojnë një “vlerësim serioz”. Sipas Galeotti-t, Sergei Shoigu nuk ka autoritetin dhe besimin brenda qeverisë së lartë për të qenë në gjendje të kryejë një grusht shteti.

Një rrjet kompleks grupesh me ndikim
Elitat sunduese nuk janë një grup i vetëm me interesa të përbashkëta, shpjegon ish-punonjësja e Bankës Qendrore Ruse Aleksandra Prokopenko në kanalin YouTube Carnegie Politika. Kjo është arsyeja pse deri më tani nuk ka pasur përpjekje serioze për grusht shteti. Përjashtim ishte rebelimi i themeluesit të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, në qershor 2023.

Ai e përshkruan sistemin e qeverisjes së Putinit si piramida të ndërtuara rreth patronëve individualë, të lidhura me shpërndarjen e burimeve dhe aksesin në proceset e vendimmarrjes. Në një model të tillë, nuk ka një qendër të përbashkët koordinimi dhe për këtë arsye nuk ka parakusht për veprim kolektiv. Për sa kohë që përfaqësuesit e atij sistemi marrin më shumë nga Putini sesa mund të merrnin pa të, nuk ka nxitje për konflikt të hapur, përfundon Prokopenko.

Kjo nuk përjashton mundësinë e ndryshimit nëse burimet brenda sistemit fillojnë të pakësohen. Për shkak të luftës dhe sanksioneve, kjo “tortë” është tashmë më e vogël dhe shpërndahet në favor të ushtrisë dhe industrive të lidhura me të.

Kjo rrit konkurrencën midis grupeve me ndikim dhe minon stabilitetin e koalicionit ekzistues. Në të njëjtën kohë, thotë Prokopenko, grupe të ndryshme brenda sistemit po përpiqen t’i tërheqin vëmendjen Putinit drejt interesave të tyre.

Ajo e përshkruan atë jo si një luftë për të ndryshuar drejtimin e politikës, por kryesisht si një luftë për qasje në burime dhe për një vend në qendër të vendimmarrjes. Sipas saj, paqartësia ekzistuese e rregullave i përshtatet Putinit sepse i përçan elitat, i detyron ato të provojnë besnikërinë e tyre dhe u kujton atyre se të drejtat e pronës në Rusi nuk varen nga ligji, por nga vullneti politik i Kremlinit./ DW

SHBA-të sekuestrojnë uraniumin e pasuruar nga Venezuela: Fitore për Amerikën dhe botën

SHBA-të kanë njoftuar se kanë hequr uraniumin e pasuruar shumë (HEU) nga Venezuela, në atë që Departamenti Amerikan i Energjisë (DOE) e cilësoi si një fitore për Amerikën dhe botën.

Në një deklaratë të premten, DOE tha se kishte përfunduar “largimin e të gjithë uraniumit të pasuruar të mbetur nga një reaktor kërkimor i trashëguar” në kombin e Amerikës së Jugut dhe e kishte transferuar atë në SHBA për përpunim dhe ripërdorim. Sasia e hequr ishte 13.5 kg (30 paund).

Ky veprim “dërgon një sinjal tjetër në botë për një Venezuelë të restauruar dhe të ripërtërirë”, thuhet në deklaratë. Gjithashtu, ajo përshëndet “udhëheqjen vendimtare të Presidentit [SHBA] [Donald] Trump” për këtë çështje.

Uashingtoni rifilloi marrëdhëniet me Karakasin pasi forcat amerikane arrestuan presidentin venezuelian Nicolas Maduro në janar për akuza për narkoterrorizëm. Largimi i uraniumit u koordinua me Ministrinë e Shkencës dhe Teknologjisë të Venezuelës, thuhet në deklaratën e DOE.

Zyrtarët amerikanë të mospërhapjes argumentojnë se çdo rezervë civile HEU, pavarësisht nga madhësia, paraqet një kërcënim afatgjatë për vjedhje, devijim ose trafikim dhe përfundimisht duhet të hiqet nga qarkullimi. Transferimi i Venezuelës i ngjan shumë dhjetëra operacioneve të ngjashme të heqjes së HEU të kryera gjatë tre dekadave të fundit si pjesë e programeve rutinë të mospërhapjes të mbështetura nga SHBA dhe IAEA që synojnë reaktorët kërkimorë civilë. bw

Bota humb rreth një miliard fuçi naftë për shkak të bllokimit në Ngushticën e Hormuzit

Bllokimi i trafikut në Ngushticën e Hormuzit ka shkaktuar tronditje në ekonominë globale, duke penguar kalimin e një sasie të madhe të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.


Në kushte normale, rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalon përmes kësaj rruge strategjike detare.

Megjithatë, gjatë dy muajve të fundit, tregu global ka humbur rreth një miliard fuçi nafte për shkak të ndërprerjeve dhe kufizimeve në lëvizje.

Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë Saudi Aramco, Amin Nasser, rikthimi i sistemit të furnizimit në normalitet do të kërkojë kohë.

Ai u shpreh se objektivi kryesor është garantimi i rrjedhjes së energjisë edhe në kushte tensioni dhe paqëndrueshmërie, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit të tregjeve globale të energjisë. gsh

Izraeli sulmon mbi 40 objektiva të Hezbollahut në Liban, raportohet për dhjetëra persona të vrarë

Ushtria izraelite njoftoi se gjatë fundjavës ka goditur më shumë se 40 objekte infrastrukturore të Hezbollahut në Libanin jugor.

 

Në një deklaratë për X, ai tha se forcat e tij vranë gjithashtu 10 luftëtarë të Hezbollahut në Libanin jugor, duke shtuar se midis objektivave të goditura ishin objektet e magazinimit të armëve dhe një raketë.

Autoritetet libaneze thonë se forcat izraelite vranë të paktën 24 persona vetëm të shtunën.

Një dëshmitar okular i një sulmi në Saksakiya, ku sulmet vranë të paktën shtatë persona dhe plagosën 17 të tjerë, tha se viktimat ishin persona të zhvendosur dhe se midis tyre kishte edhe fëmijë. Panorama

Lufta në Lindjen e Mesme, Rusia po dërgon fshehurazi ngarkesë me pjesë dronësh në Iran përmes Detit Kaspik, duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit!

Gazeta “New York Times” ka bërë një zbulim të madh në lidhje me përfshirjen e padukshme të Rusisë në luftën e Lindjes së Mesme, sipas të cilit Moska po dërgon pjesë dronësh në Iran nëpërmjet Detit Kaspik, duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit dhe duke krijuar një korridor të ri strategjik për tregti.

 

Siç thuhet në raport, sipas informacioneve nga zyrtarët amerikanë, ky veprim po e ndihmon Iranin të rikuperojë shpejt pajisjet e humbura ushtarake pas sulmeve të fundit nga SHBA-të dhe Izraeli.

Sipas burimeve amerikane që folën në mënyrë anonime për gazetën, Deti Kaspik është bërë një rrugë e rëndësishme tregtare për Rusinë dhe Iranin, duke siguruar një rrugë të sigurt për lëvizjen e pjesëve ushtarake dhe mallrave të tjera pa shqetësimin e sanksioneve ndërkombëtare.

Kjo rrugë tregtare, e cila lidh dy vendet nëpërmjet vijave të tyre të gjera bregdetare, është lënë pas dore prej kohësh, por tani po del si jetike për forcimin e marrëdhënieve strategjike midis Rusisë dhe Iranit.

Pas fushatës së fundit të bombardimeve nga SHBA-të dhe Izraeli, Irani ka humbur rreth 60% të flotës së tij të dronëve, duke e bërë rimbushjen e rezervave të tij jetike. Dërgesat ruse, sipas zyrtarëve amerikanë, po ndihmojnë në rindërtimin e forcës ushtarake të Iranit, duke i mundësuar atij të rivendosë shpejt aftësinë e tij të dronëve.

Përveç kësaj, Deti Kaspik shërben si një rrugë alternative për transportimin e mallrave që normalisht do të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, e cila është e mbyllur për shkak të bllokimit SHBA-Iran.

Dërgesat që kalojnë nëpër Detin Kaspik përfshijnë drithëra, ushqim për kafshë, vaj luledielli dhe produkte të tjera thelbësore.

Nicole Grajewski, një eksperte dhe profesoreshë në Universitetin Sciences Po në Paris, tha se Deti Kaspik është një vend ideal për shmangien e sanksioneve dhe transportin ushtarak, ndërsa Luke Coffey, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson, tha se Deti Kaspik është pothuajse i padukshëm për politikëbërësit amerikanë. Panorama

Kremlini: Trumpi është me nxitim, por paqja në Ukrainë kërkon kohë! Çështja është e ndërlikuar

Kremlini tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara po nxitojnë të arrijnë një marrëveshje paqeje në Ukrainë, duke shtuar se është e vështirë për shkak se çështjet janë të ndërlikuara dhe bisedimet janë praktikisht të pezulluara.

 

Gjatë katër viteve të konfliktit më vdekjeprurës evropian që nga Lufta e Dytë Botërore, forcat ruse deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të marrin të gjithë rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, ku forcat e Kievit janë shtyrë prapa në një vijë qytetesh të fortifikuara.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është zotuar t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe e ka cilësuar dështimin e tij për ta bërë këtë si një nga zhgënjimet e tij më të mëdha, megjithëse të premten ai njoftoi një armëpushim nga 9 maji deri më 11 maj, për të cilin ranë dakord Rusia dhe Ukraina.

“Është e kuptueshme që pala amerikane është me nxitim”, i tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gazetarit të televizionit shtetëror Pavel Zarubin.

“Por çështja e një zgjidhjeje ukrainase është shumë komplekse dhe arritja e një marrëveshjeje paqeje është një rrugë shumë e gjatë me detaje komplekse”, tha Peskov.

Trupat ruse kanë luftuar në Ukrainë për më shumë se katër vjet, më gjatë sesa forcat sovjetike luftuan në Luftën e Dytë Botërore, të njohur si Lufta e Madhe Patriotike e viteve 1941-45 në Rusi.

Armëpushimi Ukrainë-Rusi do të përfshinte një pezullim të të gjithë “aktivitetit kinetik” dhe një shkëmbim prej 1,000 të burgosurish nga secili vend, shkroi Trump në një postim në Truth Social.

“Do të doja të shihja një zgjatje të madhe,” u tha Trump gazetarëve të premten. “Mund të jetë.”

Kremlini tha se marrëveshja ishte për tre ditë dhe se negociatat ishin ende të ndërprera.

“Negociatat ndoshta do të rifillojnë, por ende nuk është e qartë se kur,” tha ndihmësi i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov. “Pati një marrëveshje që armëpushimi i Ditës së Fitores të zgjaste për tre ditë: 9, 10 dhe 11 maj.” Panorama

Rritet tensioni në Ngushticën e Hormuzit, Teherani ngre “zonë kontrolli”! Lundrimi nën mbikëqyrjen e Gardës Revolucionare

Në një përpjekje për të konsoliduar një formë të veçantë kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, Teherani po tenton të imponojë në praktikë një regjim mbikëqyrjeje detare, duke zgjeruar pretendimet e tij edhe në zona të lidhura me infrastrukturat portuale strategjike të Emirateve të Bashkuara Arabe.

 

Ky zhvillim po rrit shqetësimin si në komunitetin ndërkombëtar të transportit detar, ashtu edhe në tregjet energjetike, pasi bëhet fjalë për një nga korridoret më të rëndësishme globale të transportit të naftës.

Klima e pasigurisë që është krijuar në rajon ka detyruar shumë kompani detare të mbajnë qëndrim pritjeje, duke shmangur kërkesat për leje kalimi nga autoritetet iraniane, nga frika e sanksioneve të mundshme amerikane.

Si pasojë, një numër i madh anijesh tregtare mbeten të palëvizshme ose lëvizin me kujdes ekstrem brenda dhe përreth Ngushticës.

Deputeti iranian Saeedi deklaroi se rreth 1.500 anije ndodhen në pritje për të marrë miratim nga Teherani për t’u larguar nga zona, çka tregon përmasën e ndërprerjes në lundrim.

Sipas kompanisë së sigurisë detare Diaplous, trafiku tregtar është kufizuar pothuajse ekskluzivisht te anijet e vogla të ngarkesave të përgjithshme që shërbejnë për Iranin, kryesisht nën 75 metra gjatësi, si dhe te disa anije të vogla mallrash me flamur të Indisë dhe Komoreve.

Në të njëjtën kohë, Teherani publikoi udhëzime të reja, përmes të cilave synon të përcaktojë një “zonë kontrolli” detare në rajon.

Sistemi i ri iranian për përcaktimin e itinerareve detare rreth ishullit Larak ka rritur nivelin e mbikëqyrjes politike dhe ushtarake mbi kalimet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.

Trupat e Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC) kanë udhëzuar anijet tregtare që dëshirojnë të kalojnë ngushticën të koordinohen me autoritetet iraniane dhe të ndjekin korridore të përcaktuara pranë ishullit Larak.

Sipas skemës së raportuar të lundrimit, anijet hyrëse drejt Gjirit kalojnë në veri të ishullit Larak, pranë vijës bregdetare iraniane, ndërsa anijet që dalin nga Gjiri kalojnë në jug të ishullit.

Kjo rregullore e zhvendos trafikun detar më afër ujërave që pretendon Irani dhe i jep IRGC-së mundësi më të mëdha për monitorimin e anijeve që kalojnë.

Irani ka përcaktuar gjithashtu zona të kontrollit dhe monitorimit të kufizuar mes korsive të lundrimit që mbikëqyren nga IRGC.

Kjo përbën një devijim nga sistemi tradicional i ndarjes së trafikut detar, i cili bazohej më shumë në korridore të lidhura me ujërat e Omanit dhe në skema ndërkombëtare të navigimit.

Megjithëse e drejta ndërkombëtare detare vazhdon të njohë të drejtën e kalimit përmes Ngushticës së Hormuzit, kritikët argumentojnë se sistemi i ri rrit kontrollin operacional të Iranit mbi anijet gjatë kalimit të tyre.

Ajo që shkakton shqetësimin më të madh në tregjet detare dhe energjetike është fakti se kjo zonë duket se shtrihet edhe në hapësira detare të lidhura funksionalisht me porte të rëndësishme të Emirateve të Bashkuara Arabe, si Khor Fakkan dhe Fujairah.

Këto porte kanë marrë rëndësi të veçantë strategjike vitet e fundit, duke funksionuar si qendra kryesore transporti dhe furnizimi energjetik, sidomos pas rënies së ndjeshme të lundrimit brenda Ngushticës së Hormuzit.

map_ormuz

Burime nga sektori detar dhe energjetik vlerësojnë se strategjia iraniane synon ruajtjen e një influence të fortë mbi rrjedhat e naftës në Gjirin Persik.

Në qendër të shqetësimit ndodhet edhe tubacioni Habshan–Fujairah, përmes të cilit Emiratet e Bashkuara Arabe përpiqen të eksportojnë naftë bruto duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit. Zgjerimi i “zonës së kontrollit” iraniane rrit presionin mbi këtë korridor energjetik, pasi krijon kushte kërcënimi të drejtpërdrejtë si për tubacionin, ashtu edhe për rrjedhat detare që përfundojnë në Fujairah.

Duhet theksuar gjithashtu se, sipas NBC News, Arabia Saudite refuzoi t’u lejonte Shteteve të Bashkuara përdorimin e bazave ushtarake dhe hapësirës ajrore saudite për operacionin “Freedom”, zhvillim që, sipas të njëjtave burime, ishte një nga arsyet kryesore që çoi Donald Trump në pezullimin e operacionit.

Kjo qasje interpretohet nga analistët si tregues se Arabia Saudite po përpiqet të shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë në një përshkallëzim ushtarak me Iranin, nga frika e sulmeve të mundshme ndaj instalimeve të saj të naftës dhe infrastrukturës kritike energjetike.

Njëkohësisht, kjo tregon edhe vështirësitë që përballin SHBA-të në krijimin e një fronti rajonal plotësisht të koordinuar sigurie për mbrojtjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, embargoja amerikane ndaj anijeve që përpiqen të hyjnë ose të largohen nga portet iraniane mbetet plotësisht në fuqi. Forcat e CENTCOM vazhdojnë të veprojnë për të garantuar zbatimin e saj.

Sipas të dhënave të Signal Ocean, të disponuara nga kompania e brokerimit detar Xclusiv Shipbrokers, aktualisht në zonën e Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit ndodhen gjithsej 186 “bulk carriers” dhe tankerë të kategorive të ndryshme.

Pamja tregon një prani të konsiderueshme tankerësh dhe “bulk carriers”, megjithatë aktorët e tregut theksojnë se të dhënat nuk mund të konsiderohen plotësisht përfaqësuese, pasi një pjesë e flotës mund të lëvizë me AIS të çaktivizuar për shkak të tensionit të lartë gjeopolitik në rajon.

Kategoria më e madhe janë “small bulkers” me 50 anije, të ndjekura nga “handysize” me 26 dhe “panamax” me 20 anije. Gjithashtu janë të pranishme tetë “kamsarmax”, gjashtë “post-panamax”, katër “supramax”, katër “ultramax”, katër “capesize”, tre “handymax” dhe tre “mini-capesize”.

Ndërsa te tankerët identifikohen gjithsej 58 anije. Dominues janë MR2 me 25 anije dhe MR1 me 11. Në rajon ndodhen gjithashtu tetë VLCC, pesë panamax/LR1, pesë aframax/LR2 dhe katër suezmax.

Interes të veçantë paraqet fakti se rreth 40% e tankerëve që ndodhen në Ngushticën e Hormuzit konsiderohen sanctioned vessels, ndërsa te bulk carriers kjo përqindje llogaritet në 11%.

Ky element pasqyron praninë e konsiderueshme të anijeve të lidhura me rrjete transporti nën regjime sanksionesh, kryesisht në tregtinë e naftës.

Megjithatë, aktorët e tregut detar theksojnë se nuk mund të përdoret termi “anije të bllokuara”, pasi shumë prej tyre qëndrojnë në rajon duke pritur udhëzime për ngarkim ose urdhra tregtarë.

Gjithashtu, nuk ka ende një pasqyrë të qartë se sa nga anijet hynë në rajon pas fillimit të krizës dhe sa prej tyre ndodheshin tashmë në Gjirin Persik përpara përshkallëzimit të tensioneve.


Send this to a friend