VOAL

VOAL

Rusia thërret mbledhjen e KS të OKB-së për të debatuar sulmet amerikane në Siri

September 18, 2016

Komentet

Lufta në Lindjen e Mesme ‘frikëson’ izrealitët: Ish-agjenti i CIA-s: Izraelitët po blejnë pasuri të paluajtshme në Shqipëri, Greqi dhe Qipro, në rast se gjërat përkeqësohen

GREQI– Izraelitët po synojnë të zhvendosen drejt vendve të mesdheut, duke blerë prona në Shqipëri, Greqi dhe Qipro. Ish-agjenti i CIA-s, John Kiriakou ka deklaruar se izraelitët po blejnë prona në Shqipëri dhe Greqi, në rast se gjërat përkeqësohen në Izrael, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

Gjatë një interviste për mediat, Kiriakou dha alarmin për blerjen masive të pasurive të paluajtshme dhe tokave në Shqipëri, Greqi, Qipro nga izraelitët. Sipas Kiriakou, ky nuk është një investim i thjeshtë, por një plan për të krijuar një strehë të sigurt për emergjencat.

“Në pesë vitet e fundit, izraelitët kanë qenë blerësit kryesorë ndërkombëtarë të pasurive të paluajtshme në Greqi,” vëren John Kiriakou.

Kiriakou fillon duke iu referuar informacioneve nga kontaktet e tij në Qipro, duke vënë në dukje se izraelitët tashmë kanë filluar ta zbatojnë këtë plan. Në fakt, ai flet për krijimin e një shkolle ideologjike në Greqi, e cila do t’i shërbejë planeve strategjike të sionizmit. Qëllimi i shkollës, sipas tij, është të edukojë nxënësit hebrenj që kanë ikur në Qipro nga Izraeli.

Ai tha se izraelitët kryesojnë në blerjet e pasurive të paluajtshme kryesisht në Greqi, ndërsa vëren se kjo rritje e çmimeve dhe blerja masive nga investitorët e huaj e bëjnë të pamundur blerjen e pronave për vendasit në Shqipëri, Greqi dhe Qipro./Dosja.al

Bisedimet për paqen, Ukraina propozon Turqinë si vend për një takim të mundshëm Putin-Zelensky

Ukraina i ka kërkuar Turqisë që të organizojë një takim midis Presidentit Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, tha të martën ministri i jashtëm i vendit, ndërsa Kievi kërkon të ringjallë bisedimet e paqes.

 

“Ne i pyetëm turqit për këtë, i pyetëm edhe disa kryeqytete të tjera”, tha Ministri i Jashtëm Andrii Sybiha në komentet për gazetarët të martën.

Ai shtoi se Ukraina do të ishte e gatshme të merrte në konsideratë çdo vend tjetër përveç Bjellorusisë ose Rusisë për një takim me Putinin, të cilin Zelensky e ka kërkuar prej kohësh për të përshpejtuar një zgjidhje të luftës që shpërtheu më shumë se katër vjet më parë.

Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Rusisë dhe i lejoi Moskës të përdorte territorin e saj për të nisur pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.

Sybiha nuk tha se si iu përgjigj Ankaraja propozimit.

“Ne iu drejtuam posaçërisht turqve”, tha ai. “Por nëse ndonjë kryeqytet tjetër, përveç Moskës dhe Bjellorusisë, organizon një takim të tillë, ne do të shkojmë.”

Kremlini ka thënë se është i gatshëm ta presë Zelenskyn në Moskë, ku udhëheqësi ukrainas ka thënë se nuk do të shkojë. Panorama

Kriza në Hormuz fuqizon Korridorin e Mesëm

Zamira Eshanova

Përderisa përpjekjet diplomatike po hasin në vështirësi për të stabilizuar qasjen në Ngushticën e Hormuzit mes tensioneve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, tregtia euroaziatike po ridrejtohet gjithnjë e më shumë nga alternativat tokësore, me Rrugën e Transportit Trans-Kaspik – e njohur edhe si Korridori i Mesëm – që po shfaqet si një rrugë kyç për diversifikimin e logjistikës në Euroazi.

Më 2023, Banka Botërore e përshkroi Korridorin e Mesëm si një rrugë me rëndësi strategjike, por të kufizuar nga aspekti strukturor. Teksa fragmentimi gjeopolitik, i nxitur pjesërisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ka rritur kërkesën për korridore alternative, Banka Botërore theksoi se qëndrueshmëria afatgjatë e këtij korridori kërkon investime të koordinuara, heqjen e pengesave infrastrukturore dhe përmirësimin e procedurave doganore ndërkufitare dhe atyre të transportit.

Për të adresuar këto barriera rrugore, Banka Botërore dhe partnerët e saj më 14-15 prill u zotuan për 3.3 miliardë dollarë për forcimin e hallkave kryesore që mungojnë përgjatë korridorit, përfshirë 1.9 miliard dollarë për Kalimin Hekurudhor Verior të Stambollit në Turqi dhe një investim prej 1.4 miliard dollarësh për rindërtimin e autostradës Karagandi-Zhezkazgan në Kazakistan.

Po të njëjtën ditë kur u bë publik ky njoftim, zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz, theksoi rëndësinë e investimeve të tilla gjatë një takimi në Astana.

“Korridori Verior [përmes Rusisë] është bërë i paparashikueshëm për shkak të tensioneve gjeopolitike. Rruga jugore po i shtyn limitet e kapacitetit të saj”, tha ai. “Kjo situatë e ka bërë Korridorin e Mesëm jo një alternativë, por një zgjedhje të domosdoshme”.

Dosym Satpayev, drejtor i Grupit për Vlerësimin e Rrezikut në Almati – institut i pavarur që analizon rreziqet politike, korrupsionin dhe proceset e politikës së jashtme në rajon – tha se lufta e Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet që pasuan kanë thelluar varësinë globale nga rrugë kryesore detare sikurse Ngushtica e Hormuzit. Por, kriza aktuale mund të ketë pasoja afatgjata për tregtinë globale.

“Edhe nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet, besoj se imazhi i saj si një rrugë e qëndrueshme transporti dhe logjistike është dëmtuar për shumë vite, nëse jo përgjithmonë”, tha Satpayev. “E njëjta gjë vlen edhe për stereotipin se vendet e Gjirit Persik dhe të Lindjes së Mesme mund të garantojnë furnizime të qëndrueshme të burimeve energjetike dhe mallrave të tjera përmes Ngushticës së Hormuzit”.

Pasiguria tashmë po e riformëson çmimet globale dhe sjelljen tregtare, shtoi ai, duke thënë se një “rrezik për sigurimet detare” ka gjasa të mëdha të përfshihet në çmimet e naftës dhe të plehrave azotike.

“Rreth 25-35 për qind e furnizimeve globale me plehra kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, dhe kjo pashmangshëm do të reflektohet në çmimet në treg. Prandaj, shumë vende do të kërkojnë të diversifikojnë rrugët, pavarësisht se si zhvillohet situata. Me shumë gjasë, paqëndrueshmëria do të zgjasë për një kohë të gjatë, që do të thotë se rreziqet do të mbeten të larta. Dhe, kjo është e keqe për biznesin, sepse biznesi ka nevojë për parashikueshmëri”.

Një rajon i rrethuar nga kaosi gjeopolitik

Një faktor kyç pas rritjes së tërheqjes së Korridorit të Mesëm, sipas Satpayev, është stabiliteti relativ i rajoneve nëpër të cilat kalon ky korridor. Pavarësisht konflikteve përreth, Azia Qendrore dhe Kaukazi kanë “treguar stabilitet në kushte të kaosit gjeopolitik”.

“Kjo ka rritur interesin për të si një platformë për projekte transporti dhe ato logjistike”, tha ai. “Si rezultat, statusi i rajonit është rritur në nivel global”.

Korridori i Mesëm u përshtatet të gjithëve, shtoi ai, përveç Rusisë.

“Ne shohim se aktorët kryesorë gjeopolitikë po kërkojnë të forcojnë pozicionet e tyre në rajon, kryesisht në sferat ekonomike dhe të transportit dhe logjistikës. Kina dhe Bashkimi Evropian janë veçanërisht aktivë”, u shpreh Satpayev.

“Samiti i Samarkandit vitin e kaluar shfaqi interesin e BE-së për zhvillimin e Korridorit të Mesëm, përfshirë investime në qendrat rreth Detit Kaspik. Edhe Shtetet e Bashkuara po tregojnë interes për Korridorin e Mesëm, pasi synojnë qasje në materiale kritike dhe metale të rralla në Azinë Qendrore”.

Megjithatë, disa analistë paralajmërojnë se Korridori i Mesëm ende nuk është në gjendje që të zëvendësojë plotësisht rrugët ekzistuese tregtare, veçanërisht rrugën tokësore veriore që kalon përmes Rusisë.

Analisti për Azinë Qendrore, Temur Umarov nga Carnegie Endowment for International Peace, argumentoi se, ndonëse narrativët gjeopolitikë gjithnjë e më shumë favorizojnë diversifikimin, realitetet në terren dhe ato logjistike të tregtisë vendosin kufizime në këtë drejtim.

“Megjithatë, Korridori i Mesëm, sado që mund të duket interesant dhe potencialisht ambicioz, ende nuk është zhvilluar në një nivel ku do të mund të zëvendësonte dërgesat veriore përmes Rusisë”, tha Umarov. “Problemi nuk është mungesa e interesit për Korridorin e Mesëm, por fakti i thjeshtë se për momentin është teknikisht e pamundur të ridrejtohet e gjithë rrjedha e mallrave dhe e burimeve energjetike përmes tij, në vend të rrugëve ekzistuese veriore”.

Ai shtoi se ky kufizim strukturor nuk lidhet vetëm me mangësitë infrastrukturore, por edhe me kohën dhe shkallën.

“Nga një këndvështrim praktik, është ende herët të pritet që Korridori i Mesëm të absorbojë të gjitha vëllimet tregtare. Do të duhen investime të qëndrueshme, koordinim midis shumë shteteve dhe vite zhvillim para se të mund të funksionojë në shkallën e rrugëve veriore që janë të konsoliduara”.

Çfarë nënkupton Korridori i Mesëm për Kazakistanin?

Për Kazakistanin, rëndësia e projektit të autostradës të mbështetur nga Banka Botërore shkon përtej financimit të infrastrukturës. Projekti sinjalizon rolin në rritje të vendit si një qendër transiti në një peizazh logjistik euroaziatik që po zhvillohet me shpejtësi, i cili gjithnjë e më shumë po përcaktohet jo vetëm nga gjeografia, por edhe nga gjeopolitika, diversifikimi i rrezikut dhe kërkimi për rrugë tregtare që janë më të qëndrueshme.

Nëse qeveritë e Azisë Qendrore e menaxhojnë këtë proces në mënyrë efektive, investimet në Korridorin e Mesëm mund të përkthehen po ashtu në përfitime të prekshme për qytetarët e rajonit, pohoi Satpayev.

“Infrastruktura si hekurudhat dhe rrugët, veçmas duke pasur parasysh madhësinë e Kazakistanit, mund të rigjallërojë disa rajone që janë ekonomikisht të lëna pas dore”, tha ai. “Nga këndvështrimi i ndërtimit të hoteleve, pompave të karburantit, shërbimeve dhe infrastrukturës së mirëmbajtjes, kjo mund të krijojë një efekt shumëfishues që u jep këtyre rajoneve një jetë të dytë”.

Ai shtoi se ky potencial nuk është automatik, por varet nga qeverisja dhe cilësia e zbatim.

“Ka shpresë që nëse kjo zbatohet nën mbikëqyrjen e investitorëve dhe organizatave ndërkombëtare që financojnë këto projekte do të përmirësojë deri në një masë edhe mirëqenien e qytetarëve në shtetet tona”.

Korridori i Mesëm, i njohur zyrtarisht si Rruga Ndërkombëtare e Transportit Trans-Kaspik, u themelua në vitin 2014 nga Kazakistani, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia për të lidhur Kinën dhe Evropën përmes Azisë Qendrore, Detit Kaspik dhe Kaukazit Jugor, me lidhje të mëtejshme përmes Turqisë. Për vite me radhë, ai mbeti si projekt dytësor krahasuar me rrugën veriore të udhëhequr nga Rusia.

Korridori mbështetet nga një kombinim i huadhënësve si Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Azatike për Zhvillim, së bashku me nisma financuese nga BE-ja dhe investime të mëdha të udhëhequra nga Kazakistani, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Turqia, teksa Kina vepron si shtytëse kryesore e tregtisë përmes lidhjes së saj përmes nismës, Brezi dhe Rruga.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Trumpi e zgjat armëpushimin me Iranin por e mban në fuqi bllokadën ndaj porteve iraniane

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të martën vonë se do ta zgjatë njëanshëm armëpushimin me Iranin, por shtoi se bllokada e porteve iraniane, e cila e ka zemëruar Teheranin, do të mbetet në fuqi.

“Bazuar në faktin se Qeveria e Iranit është seriozisht e përçarë, gjë që nuk është e papritur, dhe me kërkesë të marshallit Asim Munir dhe kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, na është kërkuar ta pezullojmë sulmin tonë ndaj Iranit deri në momentin kur udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të mund të dalin me një propozim të unifikuar”, shkroi Trump në Truth Social të martën vonë.

Trump shtoi se do ta “zgjasë armëpushimin deri në momentin kur propozimi i tyre të dorëzohet dhe bisedimet të përfundojnë, në një mënyrë apo tjetër”.

Ai nuk dha ndonjë afat të saktë kohor.

Nuk është ende e qartë nëse Teherani do ta zgjasë armëpushimin nga ana e vet.

Një këshilltar i kryetarit të fuqishëm të Parlamentit të Iranit e quajti zgjatjen e armëpushimit “manovër për të fituar kohë për një sulm të befasishëm” dhe theksoi se Teherani duhet ta marrë iniciativën, pa dhënë hollësi.

Zëdhënësi shtoi gjithashtu se bllokada e tanishme amerikane e porteve iraniane është “e njëjtë me bombardim dhe përgjigja ndaj saj duhet të jetë ushtarake”.

Trump kishte paralajmëruar paraprakisht se nuk donte ta zgjaste armëpushimin e përkohshëm me Iranin, i cili pritej të skadonte sot, pasi Uashingtoni priste të kuptonte nëse bisedimet me Teheranin do të vazhdonin.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë më vonë njoftoi se nënpresidenti, JD Vance, nuk do të udhëtonte për në Islamabad të martën, për një rund të dytë negociatash të ndërmjetësuara nga Pakistani. Ai nuk tha nëse po shqyrtohej ndonjë datë e re për udhëtimin e tij.

Bllokada mbetet në fuqi

Trump shtoi në postimin e tij se SHBA-ja do ta vazhdojë bllokadën ndaj porteve iraniane, e cila deri tani ka çuar në sekuestrimin e të paktën dy anijeve nga Marina amerikane.

Teherani ka thënë se nuk do t’i rifillojë bisedimet pa u hequr bllokada, ndërsa SHBA-ja ka deklaruar se nuk do ta heqë atë derisa të nënshkruhet një marrëveshje paqeje.

Pakistani u ka bërë thirrje si SHBA-së ashtu edhe Iranit që ta zgjasin armëpushimin, por thuhet se Teherani po shqyrton mundësitë dhe po pret të shohë nëse kushtet e tij – përfshirë heqjen e bllokadës dhe njohjen e të drejtës për pasurim të uraniumit – do të plotësohen.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, e dënoi ndalimin e një cisterne iraniane nga forcat amerikane të hënën, si dhe sekuestrimin e një anijeje tjetër një ditë më parë, duke i quajtur “pirateri detare dhe terrorizëm shtetëror” dhe tha se këto veprime ngrenë pikëpyetje për përkushtimin e Uashingtonit ndaj bisedimeve serioze.

Irani e ka bllokuar hyrjen në Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet, përveç të vetave ose atyre që Teherani i lejon të kalojnë.

“Kartat e reja” të Iranit

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili është gjithashtu negociatori kryesor i Iranit, shkroi në X të hënën se Teherani është “i gatshëm të zbulojë karta të reja” në luftën me SHBA-në dhe Izraelin, duke e akuzuar Trumpin për “rrethim dhe shkelje të armëpushimit”, sepse po përpiqet t’i shndërrojë bisedimet në “dorëzim ose ta arsyetojë rifillimin e luftës”.

Trump ka kërcënuar se do ta rifillojë luftën dhe do ta sulmojë infrastrukturën civile iraniane, si ura dhe centrale elektrike, nëse Teherani nuk i pranon kushtet e tij.

Rundi i parë i bisedimeve në Islamabad më 11-12 prill nuk arriti të prodhojë marrëveshje për përfundimin e plotë të luftës, e cila filloi më 28 shkurt kur sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit goditën caqe në gjithë Iranin.

Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa anijet e mallrave janë grumbulluar në Gjirin Persik për shkak të bllokadës.

Teksa trafiku detar është ngadalësuar pothuajse plotësisht, disa anije thuhet se kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Të dhënat nga platforma e gjurmimit të anijeve MarineTraffic treguan se një anije e quajtur Ean Spir, pa flamur dhe pa pronësi të njohur, kaloi nëpër këtë rrugë ujore të martën, pasi më parë ishte ankoruar në një port irakian.

Një anije e tjetër pa flamur, Lian Star, gjithashtu duket se ka kaluar përmes ngushticës, sipas të dhënave.

Sipas analistëve të transportit detar, zakonisht rreth 140 anije kalojnë nëpër këtë ngushticë, e cila përbën rreth 20 për qind të transportit global detar të naftës dhe gazit.

Paralajmërimi i frikshëm i fizikanit nobelist: Rreziku bërthamor mund të kërcënojë ekzistencën e njerëzimit brenda dekadave

Një paralajmërim i fortë për të ardhmen e njerëzimit ka ardhur nga fizikani fitues i Çmimit Nobel, David Gross, i cili thekson se rreziku në rritje i një lufte bërthamore mund të çojë në një katastrofë ekzistenciale në dekadat e ardhshme. David Gross, laureat i Nobel Prize in Physics në vitin 2004, vlerëson se njerëzimit mund t’i mbeten rreth 35 vjet, duke u bazuar në probabilitetin në rritje të një konflikti bërthamor. Në një intervistë për Live Science, ai deklaroi se nëse dikur rreziku vlerësohej rreth 1% në vit, sot ai mund të jetë afërsisht 2% – ose një shans në 50 çdo vit.

Sipas tij, kjo llogaritje bazohet në modele matematikore të ngjashme me ato të përdorura për konceptin e half-life, që matin probabilitetin e ndodhjes së një ngjarjeje me kalimin e kohës. Fizikani shpreh shqetësim për përkeqësimin e marrëdhënieve globale, duke përmendur luftën në Evropë, tensionet me Iranin dhe krizat midis Indisë dhe Pakistanit. Ai thekson gjithashtu dobësimin e marrëveshjeve për kontrollin e armëve bërthamore.

Një moment kyç është skadimi i marrëveshjes New START më 5 shkurt 2026, marrëveshja e fundit e rëndësishme midis SHBA-së dhe Rusisë për kufizimin e arsenalit bërthamor.

Rreziku nga inteligjenca artificiale
David Gross paralajmëron edhe për rolin në rritje të inteligjencës artificiale në sistemet ushtarake. Ai thekson se ekziston rreziku që vendime kritike të merren nga makina që operojnë me shpejtësi përtej kontrollit njerëzor, ndërkohë që këto sisteme nuk janë të pagabueshme dhe mund të prodhojnë rezultate të pasakta, të njohura si “halucinacione”.

Në analizën e tij, ai i referohet edhe pyetjes së famshme të Enrico Fermi – “Ku janë të gjithë?” – duke sugjeruar se qytetërimet e përparuara mund të vetëshkatërrohen përpara se të arrijnë mbijetesë afatgjatë. Megjithëse tabloja që ai paraqet është shqetësuese, fizikani mban një optimizëm të kujdesshëm, duke theksuar se ndërgjegjësimi publik dhe presioni shoqëror mund të ndikojnë në ndryshime pozitive. “Ne i krijuam këto armë, kështu që mund t’i ndalojmë ato,” përfundon ai. bw

CENTCOM: 27 anije të detyruara të ndryshojnë kurs në Ngushticën e Hormuzit për shkak të bllokadës

Një total prej 27 anijesh janë detyruar të ndryshojnë kurs ose të kthehen drejt porteve iraniane, si pasojë e bllokadës detare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.

Sipas United States Central Command (CENTCOM), masa vlen për të gjitha anijet, pavarësisht flamurit që mbajnë. Në një video të publikuar nga kjo komandë, dëgjohet një paralajmërim i drejtpërdrejtë për çdo mjet detar që synon të hyjë ose të dalë nga portet e Iran.

“Nëse përpiqeni të thyeni bllokadën, ne do të zbatojmë përdorimin e forcës”, thuhet në mesazhin e transmetuar nga autoritetet amerikane.

CENTCOM thekson se çdo anije do t’i nënshtrohet kontrolleve dhe inspektimeve të detajuara, ndërsa bllokada do të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Iranin. bw

“Nuk e kam problem t’i takoj”, Trumpi për New York Post: Jam i hapur për kontakt të drejtpërdrejtë me lidershipin e Iranit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i hapur për kontakt të drejtpërdrejtë diplomatik me udhëheqjen e Iranit, tha ai në një intervistë për New York Post.

 

“Nuk kam problem t’i takoj,” tha ai. “Nëse ata duan të takohen, dhe ne kemi disa njerëz shumë të aftë, por unë nuk kam problem t’i takoj.”

Në zemër të negociatave, tha Trump, është një kërkesë e panegociueshme: Irani duhet të heqë dorë nga çdo përpjekje për të pasur armë bërthamore.

“Hiqni dorë nga armët e tyre bërthamore. Kjo është shumë e thjeshtë”, tha ai. “Nuk do të ketë armë bërthamore.”

Trump refuzoi të specifikonte se çfarë pasojash mund ta prisnin Teheranin në rast të një refuzimi ose dështimit të negociatave, veçanërisht në sfondin e skadimit të afërt të armëpushimit.

“Epo, nuk dua të flas për këtë me ju,” tha ai kur u pyet nëse SHBA-të do të përshkallëzonin masat, siç është sekuestrimi i anijeve shtesë të lidhura me Iranin. “Mund ta imagjinoni. Nuk do të ishte e bukur.”

I pyetur nëse SHBA-të e dinë se kush po e udhëheq Iranin, Trump tha: “Ne kemi ide mjaft të mira dhe mendojmë se po merremi me njerëzit e duhur”. bw

Astronauti i NASA-s publikon videon kur Toka “fshihet” pas Hënës, u filmua me telefonin e tij

Nga orbita, shumë mbi Tokë, Reid Wiseman kapi një pamje të rrallë dhe të thjeshtë të Hënës duke përdorur vetëm një telefon. Nuk ishte një xhirim i planifikuar, por një moment spontan, të cilin e ka ndarë në X.

Ai ndau një video disa sekondëshe të xhiruar përmes dritares së anijes kozmike gjatë misionit Artemis II në fillim të muajit Prilli, duke treguar Tokën që zhduket ngadalë pas hënës. Është një klip mahnitës, dhe akoma më mbresëlënës duke qenë se është xhiruar me një iPhone.

Vetëm një shans në këtë jetë… Ashtu si të shikoja perëndimin e diellit në plazh nga vendi më i huaj në kozmos, nuk munda t’i rezistoja një videoje të ‘Earthset’ të bërë me celular”, shkroi astronauti i NASAS krahas videos.

Në të njëjtën kohë, astronautë të tjerë si Christina Koch po përdornin kamera profesionale me lente të gjata 400 mm për të kapur imazhe të detajuara të “Tokës”, një fenomen ku Toka duket sikur perëndon poshtë horizontit, ngjashëm me një perëndim dielli në Tokë.

Këto kamera mund të kapin detaje dhe shkëlqim të pabesueshëm, shumë përtej asaj që syri i njeriut ose një telefon mund të shohë. Por ky filmim telefonik tregon një histori tjetër, tregon perspektivën e papërpunuar dhe reale të të qenit atje. gsh

Zyrtari iranian: Ngushtica e Hormuzit nuk do të dorëzohet kurrë, ligj i ri për kontrollin e saj

Një ligjvënës i lartë në Iran ka deklaruar se vendi nuk do të heqë kurrë dorë nga kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret detare më strategjike në botë për transportin e naftës dhe tregtinë ndërkombëtare.

“Kurrë. Është e drejtë jonë e patjetërsueshme,” u shpreh Ebrahim Azizi, ish-komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe aktualisht kryetar i Komitetit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në parlamentin iranian, në një intervistë për BBC-në.

 

 

Sipas tij, Irani do të përcaktojë rregullat e kalimit nëpër ngushticë, përfshirë edhe autorizimet për anijet që kalojnë në këtë rrugë jetike detare.

Azizi njoftoi gjithashtu se në parlament po përgatitet një projektligj i ri, i bazuar në nenin 110 të kushtetutës iraniane, i cili lidhet me mjedisin, sigurinë detare dhe sigurinë kombëtare. Sipas tij, forcat e armatosura do të jenë përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji.

“Po e paraqesim një projektligj në parlament… dhe forcat e armatosura do ta zbatojnë atë,” tha ai.

Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës, konsiderohet një pikë kritike gjeostrategjike. Çdo tension në këtë zonë ka potencialin të shkaktojë pasoja të menjëhershme ekonomike në tregjet globale të energjisë. gsh

Fati i armëpushimit dhe bisedimeve për paqe mbetet i paqartë teksa SHBA-ja kap një anije iraniane

Radio Evropa e Lirë

Forcat e Shteteve të Bashkuara e kanë kapur një anije me flamur iranian në Gjirin e Omanit pasi kishin shtënë ndaj saj fillimisht, sepse ajo po përpiqej ta shmangte bllokadën detare amerikane, njoftuan të dielën vonë presidenti Donald Trump dhe Pentagoni, duke e nxitur Iranin të kërcënojë me hakmarrje.

Ndërkohë, pasiguria lidhur me një rund të dytë të mundshëm të bisedimeve ballë për ballë mes delegacioneve amerikane dhe iraniane në Islamabad të Pakistanit, po vazhdon, pasi mediat shtetërore iraniane thanë se Teherani nuk do të dërgojë ekipin e tij për takimin e së hënës.

E gjithë kjo po ndodh ndërsa armëpushimi 10-ditor, për të cilin u pajtuan Uashingtoni dhe Teheranit, do të skadojë të mërkurën.

Trump ka kërcënuar me sulme të reja ndaj “të gjitha” centraleve elektrike dhe urave iraniane, nëse nuk arrihet marrëveshja.

Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA raportoi se Teherani e ka hedhur poshtë rundin e ri të bisedimeve për paqe, vetëm disa orë pasi Trump tha se përfaqësuesit e tij do të mbërrinin në Islamabad të hënën për negociata të ndërmjetësuara nga Pakistani.

“Irani deklaroi se mungesa e tij në rundin e dytë të bisedimeve buron nga ajo që e quajti kërkesa të tepruara të Uashingtonit, pritshmëri jorealiste, ndryshime të vazhdueshme të qëndrimeve, kundërshti të përsëritura dhe bllokada e vazhdueshme detare, të cilën e cilëson si shkelje të armëpushimit”, shkroi IRNA.

Qeveria e Iranit nuk ka bërë deklaratë zyrtare.

Negociatori kryesor i Teheranit, kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, ka dhënë deklarata që tregojnë “përparim”, por njëkohësisht edhe “dallime të mëdha” lidhur me bisedimet. Ai, megjithatë, nuk ka folu drejtpërdrejt për bisedimet e të hënës.

Pasiguri ka edhe për përbërjen e delegacionit amerikan. Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti JD Vance do të drejtonte rundin e ri të bisedimeve, së bashku me të dërguarin e Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndrin Jared Kushner.

Megjithatë, Trump u tha ABC News dhe MS Now se Vance nuk do të shkojë, duke përmendur shqetësime për sigurinë.

“Vetëm për arsye sigurie”, tha Trump për ABC News. “JD është i shkëlqyeshëm”.

Ai sugjeroi gjithashtu se bisedimet mund të fillojnë një ditë më vonë, të martën e 21 prillit.

Një reporter i Fox News tha se Trump i kishte thënë se, nëse Irani nuk nënshkruan marrëveshje, “i gjithë vendi do të shkatërrohet”.

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, rikonfirmoi të dielën gatishmërinë e tij për të pritur rundin e ardhshëm të bisedimeve.

“Pakistani mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj rolit të tij si një lehtësues i ndershëm dhe i sinqertë i paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit rajonal”, tha ai.

Kapja e anijes iraniane

Ndërkohë, në ujërat përreth Iranit, tensionet u rritën edhe më tej pasi forcat amerikane hapën zjarr dhe e kapën një anije mallrash me flamur iranian, e cila po përpiqej ta shmangte bllokadën detare amerikane.

Vetë bllokada është një nga pengesat për vazhdimin e bisedimeve, të paktën sipas Iranit. Teherani ka thënë se nuk do të marrë pjesë në bisedime për aq kohë sa bllokada është në fuqi, ndërsa Trump ka deklaruar se ajo nuk do të hiqet derisa të nënshkruhet një marrëveshje për paqe.

Trump shkroi në Truth Social se pasi anija iraniane, Touska, shpërfilli paralajmërimet për t’u ndalur, shkatërruesi amerikan USS Spruance “i ndaloi menjëherë duke shpuar një vrimë në dhomën e motorit”.

Anija “u përpoq ta kalonte bllokadën tonë detare dhe e pësoi”.

“Tani për tani, marinsat amerikanë e kanë në kontroll anijen… dhe po shohin se çfarë ka në bord”, shkroi Trump.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se “forcat amerikane që operojnë në Detin Arabik zbatuan masat e bllokadës detare ndaj një anijeje mallrash me flamur iranian që po përpiqej të lundronte drejt një porti iranian”.

“Forcat amerikane dhanë paralajmërime të shumta dhe e njoftuan anijen se po shkelte bllokadën amerikane”, shtoi ajo.

Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit pretendoi se të shtënat shkelën armëpushimin dhe kërcënoi se do të përgjigjej dhe hakmerrej “së shpejti” ndaj “piraterisë së armatosur”, sipas mediave shtetërore.

Ajo tha se anija po udhëtonte nga Kina drejt Iranit kur u godit dhe pretendoi se forcat iraniane sulmuan me dronë disa anije ushtarake amerikane. Ky pretendim nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Më herët gjatë javës, kishte shpresa se Ngushtica e Hormuzit, e cila zakonisht përbën rreth një të pestën e tregtisë globale të naftës, do të hapej pas më shumë se një muaji mbylljeje, pasi Teherani njoftoi se ishte hapur për trafikun tregtar detar.

Megjithatë, forcat iraniane qëlluan ndaj të paktën tri anijeve civile, dy prej të cilave raportohet se ishin indiane dhe një me flamur francez, dhe njoftuan mbylljen e serishme të ngushticës.

Përparim i madh në robotikë! Robotët vrapues ua kalojnë njerëzve në garën në Pekin

Roboti autonom Shandian u shpall fitues pasi një roboti të telekomanduar, Lightning, i cili teknikisht kishte përfunduar i pari, iu mohua çmimi sipas rregullave të vlerësimit në fuqi të aktivitetit.

Një robot humanoid është shpallur fitues i një gjysmëmaratone të mbajtur të dielën në Pekin, Kinë, duke përfunduar shumë përpara pjesëmarrësve njerëz dhe duke thyer rekordin botëror. Roboti autonom Shandian u shpall fitues pasi një roboti të telekomanduar, Lightning, i cili teknikisht kishte përfunduar i pari, iu mohua çmimi sipas rregullave të vlerësimit në fuqi të aktivitetit.

Përparim i madh në robotikë
Shandian-i autonom e përshkoi distancën prej 21 kilometrash në distriktin Yizhuang të Pekinit në 50 minuta e 26 sekonda, ndërsa Lightning-u i telekomannduar arriti kohën 48 minuta e 19 sekonda.

Por sipas rregullave të garës, të cilat përcaktojnë një ndryshim në pikëzim midis robotëve të telekomanduar dhe atyre autonomë, fitues u shpall roboti autonom Shandian. Kjo sepse kohës së robotëve të telekomanduar i shtohet kohë shtesë.

Kjo e bëri atë rreth nëntë minuta më të shpejtë se rekordi botëror i njeriut, të cilin e mban njeriu Jacob Kiplimo i Ugandës, i cili vrapoi me kohën 57:20 në Gjysmëmaratonën e Lisbonës në mars.

U thye rekordi personal
Mbi 300 robotë humanoidë morën pjesë në gjysmëmaratonë. Shumë prej tyre ranë ose u përplasën me barrierat gjatë rrugës. Megjithatë, krahasuar me garën e parë të vitit të kaluar, u regjistrua një përmirësim i dukshëm: atëherë, roboti humanoid fitues nuk e kaloi vijën e finishit deri pas 2 orësh e 40 minutash.

Robotë valltarë dhe luftëtarë Kung Fu
Kina dominon tregun global të robotëve humanoidë dhe është e angazhuar në një garë teknologjike me SHBA-në. Ky sektori gëzon mbështetje shtetërore, dhe robotët ekspozohen në mediat sociale, në panairet tregtare dhe në galat televizive si valltarë, luftëtarë Kung Fu ose boksierë.

Gjysmëmarathona e Pekinit gjithashtu shërben si ekspozitë dhe, në të njëjtën kohë, inkurajon prodhuesit të testojnë dhe përmirësojnë produktet e tyre në konkurrencë të drejtpërdrejtë mbi një distancë më të gjatë.

Gjysmëmarathona si test qëndrueshmërie
Kina thekson se ndjek një qasje ‘të përqendruar te njeriu’ për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Liu Xingliang, ekspert i ekonomisë digjitale të Kinës, shpjegoi se parashikon aplikime në sektorin e shërbimeve ose në botën shtëpiake, për të ndihmuar të moshuarit, ose në mjedise të rrezikshme si zjarret ose operacionet e shpëtimit.

Gjysmëmaratona mund të shërbejë si test qëndrueshmërie, thotë Lorenzo Masia nga Universiteti Teknik i Mynihut. Distanca e gjatë i detyron zhvilluesit të trajtojnë pengesat kryesore, si jetëgjatësia e baterisë, qëndrueshmëria e njësive të propulsorit, kontrolli në kohë reale dhe toleranca ndaj gabimeve./DW

Trumpi thotë se negociatorët po shkojnë në Pakistan, i bën thirrje Teheranit ta pranojë “marrëveshjen”

Radio Evropa e Lirë

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se përfaqësuesit e tij po udhëtojnë drejt Islamabadit, Pakistan, për një rund tjetër bisedimesh më 20 prill me Iranin, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur.

Duke shkruar në platformën e tij Truth Social më 19 prill, Trump tha se “SHBA-ja po ofron një MARRËVESHJE shumë të drejtë dhe të arsyeshme, dhe shpresoj që ta pranojnë sepse, nëse nuk e bëjnë, Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë çdo central energjie dhe çdo urë në Iran. S’KA MË ZOTI I SJELLSHËM!”.

Komentet e fundit të Trumpit vijnë vetëm disa ditë përpara skadimit të një armëpushimi dyjavor me forcat e SHBA-së dhe Izraelit më 22 prill.

Më herët gjatë javës kishte shpresa se ngushtica, e cila zakonisht përbën rreth një të pestën e tregtisë globale të naftës, do të hapej pas më shumë se një muaji të mbylljes, pasi Teherani njoftoi se ishte i hapur për trafikun komercial detar për pjesën e mbetur të një armëpushimi të veçantë 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit, i cili hyri në fuqi më 16 prill.

Megjithatë, këto shpresa rezultuan jetëshkurtra, mes raportimeve se forcat iraniane kishin sulmuar të paktën tre anije civile, dy prej të cilave thuhet se ishin me flamur indian dhe një anije me flamur francez.

Më herët më 19 prill, agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim, e afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, tha se anije me flamur të Botsvanës dhe Angolës u detyruan të ndryshonin kurs për shkak të asaj që raporti iranian e përshkroi si “kalim të paautorizuar” në këtë rrugë ujore kyç.

Në të njëjtin postim në rrjetet sociale më 19 prill, Trump gjithashtu pretendoi se kërcënimi i Iranit për të mbyllur ngushticën ishte i panevojshëm, sepse një bllokadë detare amerikane e porteve iraniane, e cila hyri në fuqi më 13 prill, “e kishte mbyllur tashmë atë”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, kritikoi bllokadën amerikane të porteve iraniane si shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Në një postim në X më 19 prill, Baqaei shkroi se ajo ishte “njëkohësisht e paligjshme dhe kriminale”, duke shtuar se “duke shkaktuar qëllimisht ndëshkim kolektiv ndaj popullsisë iraniane, ajo përbën krim lufte dhe krim kundër njerëzimit”.

Rundi i parë i bisedimeve të paqes mes SHBA-së dhe Iranit u mbajt në Islamabad më 11-12 prill, por përfundoi pa marrëveshje, edhe pse Trump ka këmbëngulur se të dyja palët “janë shumë afër një marrëveshjeje”.

Një delegacion ushtarak pakistanez i udhëhequr nga shefi i ushtrisë, Asim Munir, i cili ishte një nga ndërmjetësit kryesorë në bisedimet e para në Islamabad, mbërriti në Teheran më 15 prill duke sjellë një mesazh të ri nga Uashingtoni, në përpjekjen më të fundit për të ringjallur negociatat.

Megjithatë, pala iraniane është shprehur më skeptike se një marrëveshje është afër.

Negociatori kryesor i Iranit, kryetari i parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, tha se “ne jemi ende larg diskutimit përfundimtar”, në një fjalim televiziv më herët më 19 prill, duke shtuar se “kemi bërë përparim në negociata, por ka shumë boshllëqe dhe disa pika themelore mbeten”.

Më herët, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare, organi më i lartë i sigurisë në vend, tha se po shqyrtonte “propozimet e reja” të dorëzuara nga Munir, por shtoi se ekipi negociator iranian “nuk do të bëjë as kompromisin më të vogël, tërheqje apo zbutje”, dhe do të mbrojë interesat kombëtare “me të gjithë forcën e tij”.


Send this to a friend