Zgjedhjet lokale të pjesëshme kanë përfunduar.
Partia shtet e rilindjes mavi fitoi në pesë bashkitë. PD bojkotoi. Nuk hyri në garë.
Kandidatët e pavarur i la në baltë.
Ishte një mundësi që gjithë deputetët e opozitës me të gjithë përkrahësit të bënin fushatë për kandidatët e pavarur!
Kishte mundësi, por PD preferoi që t’ia dhuronte në tabaka Edvin Ramës fitoren. Si trofe.
Si Lul Basha më 2019.
Nuk u bë fare fushatë, PD nuk pati kandidatë të saj, vetëm tha se do të mbështeste kandidatët e pavarur. Sa për të shplarë gojën.
Sepse PD nuk u mor fare me zgjedhjet lokale.
Zgjedhet lokale nuk ishin fare temë as për statuset e deputetëve në rrjetet sociale, as për temat e përditëshme të kryetarit të partisë.
Opinionistët e përnatshëm kishin probleme më të rëndësishme, zgjedhjet lokale janë periferia, province – ndërsa ata merren me metropolet.
Asnjë deputet i PD që fitoi mandatin në listat e mbyllura në pesë bashkitë nuk e prishi komoditetin, nuk shkoi asnjë prej tyre as në Berat, as në Vlorë, as në Mat, as ne Cerrik, vetëm Tritan Shehu u shfaq me Gabriel Gumën në Tepelenë, një ditë perpara heshtjes zgjedhore.
Zgjedhjet lokale nuk ishin temë e gazetarëve të Syri.net, as të Syri.TV. Ata merren me tema ndërkombëtare, presin që Edvin Ramën ta rrëzojnë nga pushteti me deus ex machina afera si ajo e McGonigal apo skandalet e takimeve të qeveritarëve të PS me narkosat në Aruba apo me miqtë e bosëve të karteleve të drogës;
Në studio opinionistët, të gjithë të majtë, pa marrë para sysh se PD propagandon se është parti konservatore, komentojnë librat investigative të Savianos apo Nello Trochia, apo dokumentarët e RAI Tre të Sigfrido Panucci-t me ekipin e tij, ndërsa asnjë prej tyre nuk i futet investigimit.
Në fund të fundit përse ata, kur investigojnë për ta italianët, kanadezët, gjermanët. Ata vetëm krehin mjekrat.
Zgjedhjet lokale nuk ishin as temë periferish, shqetësimi për votën e lirë nuk u përmend as si muhabet kafenesh, nuk iu dha asnjë shpjegim apo llogari për bojkotin popullit opozitar.
Thuhet se Sali Berisha dhe PD me establishmentin duan ta heqin nga skena politike Edvin Ramën. Po si, nëse jo me zgjedhje apo me mjete demokratike;
kanë katër vjet që flasin për protesta, në verë nuk munden të protestojnë se janë nëpër vilat e pushimeve; e verdha e vjeshtës ua shton apatinë, dimri ua prish rehatinë, pranvera i plogështon.
Kjo vetëm opozitë nuk është. Eshtë kolonë e pestë. Eshtë antiopozitë.
Opozitat frymëzojnë, ngrenë popullin në këmbë, kanë kauza, tregojnë se shqetësohen prej problemeve që përjeton vendi, zgjojnë aktivizmin, vullnetarizmin, solidarizohen me hallet dhe problemet e qytetarit, motivojnë ndërsa kjo i bojkotoi zgjedhjet lokale në pesë bashki si në vitin 2019.
Me këtë profil që e shohim të gjithë, nuk ke si të mos thuash se është krahu i djathtë i Edvin Ramës, aleati i tij.
E tillë është apatia që ushqen, si nënshtrim total ndaj një karakatine, partisë shtet të Edvin Ramës, që i ka kapur të gjitha pushtetet, përfshi edhe atë të opozitës!
****
Z.Berisha dje i la një hapësirë komunikimit me komunitetin e rrjetit social.
Me këtë rast i drejtova edhe unë një pyetje që lidhej me braktisjen e kandidatëve të pavarur që mbështeteshin nga PD.
Nuk kam qëllim të ze mat z.Berisha,
por kam detyrë të reagoj ndaj kësaj kënete stanjative që opozita me në krye PD i ofron popullit opozitar.
Opozita me në krye PD –
jo vetëm e ka paralizuar lëvizjen opozitare,
por përmes establishmentit dhe rrethit vizioz ka krijuar barriera komunikimi me përkrahësit dhe bazën,
pra establishmenti i PD po ia merr frymën, po e mbyt vetë PD
dhe prej mungesës së aksionit politik po i jep oksigjen regjimit të Edvin Ramës.
Populli opozitar gjendet midis ferrit nga keqqeverisja dhe paralizës e apatisë me të cilën drogohet nga opozita me në krye PD, që është në pasivitet të plotë.
Në lidhje me pyetjen që i drejtova, z.Berisha midis të tjerash tha se kandidatët e pavarur nuk e pranonin mbështetjen e opozitës.
Edhe nëse e pranojmë këtë tezë, duke e marrë këtë tezë plotësisht të mirëqenë
dmth nga kjo rrjedh se opozita me në krye PD në pesë bashkitë e vendit i bojkotoi zgjedhjet!