VOAL

VOAL

Rrëmbeu dhe vrau 15-vjeçaren, prova që ‘fundosi’ Behar Bajrin

September 22, 2018

Komentet

“Kemi rezerva kudo!”- Shtëpia e Bardhë: SHBA ka më shumë se mjaftueshëm armë për një luftë të zgjatur me Iranin!

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë “më shumë se sa duhet” armë për të zhvilluar një luftë të zgjatur me Iranin, pavarësisht sinjaleve të mëhershme të presidentit Donald Trump, i cili kishte lënë të kuptohej se rezervat nuk ishin në nivelin e dëshiruar.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë më shumë se kapacitet të mjaftueshëm jo vetëm për të zbatuar me sukses Operacionin Epic Fury, por edhe për të shkuar shumë më tej”, u shpreh ajo gjatë konferencës së sotme për shtyp. 

Më herët, Trump ishte shprehur i pakënaqur për gjendjen e rezervave të armëve amerikane, duke shkruar në platformën Truth Social të hënën se “kemi furnizim të mirë, por nuk jemi aty ku duam të jemi”.

Drejtues të kompanive të mbrojtjes pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë të premten, në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar prodhimin.

Megjithatë, Leavitt theksoi se Trump i referohej vendimit të administratës së Joe Biden për të dërguar armë amerikane në Ukrainë “falas”, për ta ndihmuar në luftën kundër Rusisë, dhe jo ndonjë shqetësimi aktual për mungesë furnizimesh.

“Presidenti po theksonte se, fatkeqësisht, për katër vjet patëm një udhëheqës shumë të paaftë në këtë Shtëpi të Bardhë, i cili dhuroi shumë nga armët tona më të mira pa asgjë në këmbim”, deklaroi ajo.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë u pyet në lidhje me kërcënimin e menjëhershëm ndaj SHBA-së që, sipas administratës, e bëri të domosdoshëm sulmin kundër Iranit.

Gazetari përmendi gjithashtu komentet e kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili më herët ishte shprehur se nuk ekzistonte një “plan i zbatueshëm dhe i menduar mirë”.

“E refuzoj plotësisht premisën e pyetjes suaj”, u përgjigj zëdhënësja Karoline Leavitt. “Presidenti Donald Trump nuk merr vendime në vakum.”

Ajo vijoi duke thënë se “ndjesia e presidentit, e bazuar në fakte”, ishte se Irani përbënte kërcënim për SHBA-në.

“Kjo ka rezultuar qartazi të jetë vendimi i duhur dhe efektiv”, shtoi ajo, ndërsa nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes lidhur me deklaratat e Starmer. gsh

UGSHPD: RAMA ME PLANIN “B” TË FORMULA- 1, 2027 – 2030 ( Asfalti, një formulë e korrupsionit )

A ka një plan “B” Rama për garat e F1 mundësisht në 2027 apo 2030 tani që shembja e rrugëve të sapo ndërtuara po ndëshkojnë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë dhe turistëve në çdo skaj të vendit?

Përgjigjen e sjell “Asfalti, një formulë e korrupsionit”, që është edhe diçitura e  skicës së LD-NY26 për një investim prej 185.5 milion eurosh që qeveria shqiptare kërkon të investojë për pistën e garave të shpejtësisë së Formula 1 në Krastë të Elbasanit.

Duhet theksuar se zyrtarë të administratës shtetërore, drejtues politik të Rilindjes Socialiste, ministra dhe deri vetë kryeministri e kanë nisur propagandën prej projekteve vizatimore e deri tek videove tredimensionale ekspozimin e një arritjeje që gëlltit para në prag fushatash vendore dhe të përgjithshme dhe ku ato pak ndërtime që kanë ndodhur vetëm shembjet dhe erozioni tani janë të pranishme.

Kush mban përgjegjësi?, – do të ishte një pyetje.

Përgjigja zbulon ideuesit.

Prej vitit 2021 e deri në 2030 kur kryeministri mendon garën, Janë Balla, Gonxhja, Balluku, kryetarët e bashkisë së Elbasanit dhe vetë Rama që përmes medias dhe televizioneve kanë bërë propagandë elektorale për investime në ekonomi sa herë ju është dashur për zgjedhjet.

Është thënë se kjo qendër do të kishte tërheqje 365 ditore të interesit të shqiptarëve dhe turistëve. Do të ishte një imazh i ngjashëm sikurse edhe ai që provuan shqiptarët në 2025 me “Giro d’ Italia”.

Por të flasësh në shifra se cila është infrastruktura që e mbështet këtë sport tërheqës, standardet ndërkombëtare janë ku e ku në raport me konceptin e korrupsionit dhe epideminë e asfaltit elektoral që ka shoqëruar tre mandatet e Ramës, dhe këtë të katërtin nën erozion dhe shembje për shkak të paaftësisë, vjedhjes e së fundi reshjeve apo terrenit rrëshqitës.

Një jave që përgatit tre ditët kryesore të garave në fundjavë i duhet një infrastrukturë pritjeje për të përballuar qëndrimin dhe lëvizjen e mesatarisht 120 mijë njerzve.

A është menduar kjo?

Jo!

Megjithatë Rama e ka Planin “B”.

Si ideator dhe investitor dhe “celebrity” që sinjalizon mbylljen e garës me flamurin me katrorë bardh e zi, por jo më në pushtet dhe pa e ditur se si do të vejë fati i infrastrukturës  jo më në 2027 dhe në 2030, nga Surreli në Krastë nga ‘Qafa e Kërrabës” do të ketë pajtuar me qira ndonjë kafshë transporti për të mos i munguar ngjarjes sportive dhe imazhit që rilindësit e kanë fort për zemër.

2 Mars, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Rutte: Do të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për të përmbushur misionin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës në Shkup, 3 mars 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se misioni paqeruajtës në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm dhe i gatshëm për misionin e tij”.

Duke folur për rolin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të aleancës, gjatë vizitës së sotshme në Shkup, Rutte tha se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi strategjike për NATO-n.

Ai falënderoi Shkupin zyrtar për kontributin në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se ky mision “vazhdon të luajë rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”.

“Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për të përmbushur misionin”, tha ai, duke shtuar se bashkëpunimi mes aleatëve është thelbësor për sigurinë e përbashkët.

Misioni i KFOR-it u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai mbetet operacioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë aktivë të NATO-s.

Fillimisht, forca shumëkombëshe numëronte mbi 50.000 trupa, ndërsa sot ka rreth 4.700 ushtarë. Rreth 590 prej tyre janë nga Shtetet e Bashkuara.

Deklaratat e Ruttes vijnë në një kohë kur, muajt e fundit, janë shtuar diskutimet për mundësinë e një rishikimi të angazhimit amerikan në misionet e jashtme të NATO-s, përfshirë edhe Kosovën.

Megjithatë, Pentagoni ka thënë se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave në KFOR.

Në Kosovë, KFOR-i vazhdon të jetë përgjegjës për sigurinë e kufirit tokësor me Serbinë dhe për garantimin e një mjedisi të sigurt, veçanërisht në veri të vendit, ku tensionet mbeten të pranishme për shkak të mungesës së njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Konflikti në Lindjen e Mesme, Rutte: NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, theksoi të martën se aleanca ushtarake “nuk është e përfshirë vetë” në atë që po ndodh në Lindjen e Mesme, por se do të “mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO-s” nëse është e nevojshme.

“Le të jemi absolutisht të qartë për atë që po ndodh këtu. Irani është afër të pajisë veten me një kapacitet bërthamor dhe një kapacitet raketash balistike”, tha ai.

“Mendoj se të gjithë jemi më mirë me largimin e tij (Ajatollah Ali Khamenei i vrarë të shtunën nga një sulm) dhe me kapacitetin bërthamor dhe balistik të mposhtur dhe degraduar tani që po flasim.”
Rutte përsëriti se operacioni u krye nga SHBA-të dhe Izraeli, dhe ndërsa disa aleatë po ofrojnë mbështetje, kjo bëhet në baza dypalëshe. bw

Kurti e Abdixhiku sërish pa konsensus për postin e presidentit, LDK-ja thërret mbledhje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, (majtas) dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku (djathtas).

 

Radio Evropa e Lirë

“Ende nuk e kemi zgjidhjen, por do t’ju njoftojmë së shpejti”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Sipas Kurtit, takimi ishte “në një atmosferë konstruktive”, ndërsa çdo zhvillim i ri tha se do të bëhet i ditur për publikun.

Duke folur për mediat pranë Kuvendit të Kosovës, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, bëri të ditur se grupi parlamentar i LDK-së do të mblidhet sot.

Deputetë të tjerë të LDK-së që u deklaruan për media, Kujtim Shala dhe Anton Quni, sinjalizuan se një vendim për postin e presidentit do të merret në atë takim.

Takimi vjen teksa afati kushtetues për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit po afrohet, dhe pas raundit të parë të bisedimeve mes Kurtit dhe Abdixhikut, kur nuk u arrit konsensus mes partive.

“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, pati thënë Abdixhiku epas takimit të 2 marsit, duke shtuar se LDK-ja mbetet e hapur për diskutime të mëtejme, por skeptike ndaj idesë që secila parti të shkojë në Kuvend me kandidat të vetin.

Abdixhiku kishte theksuar se për LDK-në gara me disa kandidatë është “procedurë e paraparë për të dështuar” dhe mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Nga ana tjetër, Kurti para takimit të djeshem kishte deklaruar se për zgjedhjen e presidentit “duhet dikush që i siguron 80 vota”, pa përmendur emra konkretë.

Ai ka thënë më herët se Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të ishte figurë e përshtatshme për postin e presidentit, duke theksuar se vendit i duhet një personalitet që, sipas tij, “u bën ballë shtrëngatave” në rrethanat aktuale gjeopolitike. Megjithatë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. Partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për, siç kanë thënë, njëanshmëri në favor të Qeverisë.

Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

 

Këshilli i Mandateve- Publikohet raporti i Opozitës për imunitetin e Ballukut: Prokuroria konfirmon kërcënim dëshmitarësh dhe rrezik prishjeje provash

Kërkesa është paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila argumenton se janë rënduar nevojat e sigurimit dhe se ekziston rrezik real për cenimin e hetimit penal.

 

TIRANË- Raporti rekomandues i miratuar nga 5 anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve për imunitetin e Belinda Ballukut është publikuar ditën e sotme. Kërkesa është paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila argumenton se janë rënduar nevojat e sigurimit dhe se ekziston rrezik real për cenimin e hetimit penal.

Sipas raportit, Prokuroria ka konfirmuar përmes metodave speciale të hetimit se deputetja ka intimiduar dëshmitarë dhe ka tentuar të ndikojë në procesin hetimor. Po ashtu, evidentohet se dokumente dhe prova të rëndësishme ndodhen pranë institucioneve që ajo drejtonte, ndërsa theksohet edhe vonesa në dërgimin e materialeve nga ARRSH.

Çështja lidhet me procedura prokurimi publik, përfshirë projektin e “Ndërtimit të tunelit të Llogarasë” dhe disa lote të Unazës së Jashtme të Tiranës, ku Balluku akuzohet për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

Sipas opozitës SPAK argumenton se pas caktimit të masave fillestare – “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim nga detyra” – janë zbuluar fakte të reja penale dhe janë shtuar hetime për procedura të tjera prokurimi dhe koncesione, çka sipas organit të akuzës përbën bazë ligjore për zëvendësimin e masës me arrest në burg ose në shtëpi.

Në analizën ligjore, anëtarët e opozitës theksojnë se Kuvendi nuk duhet të vlerësojë provat në themel, por vetëm të verifikojë ekzistencën e një procedimi penal dhe mungesën e motivimit politik. Sipas tyre, imuniteti procedural nuk mund të shndërrohet në mburojë ndaj drejtësisë.

Raporti i Plotë:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 16.12.2025 është vënë në lëvizje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila me shkresën nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025, ka kërkuar nga Kuvendi: “Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, të znj. Belinda BALLUKU, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit.”.

Kjo kërkesë e prokurorisë shoqërohet nga relacioni përkatës i arsyetuar, si dhe me provat e plota të administruara në mbledhjen e Këshillit, me anë të të cilit parashtrohet se Prokuroria në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025, ka marrë si të pandehur dhe person nën hetim deputeten Belinda Balluku, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur (11 fakte penale), veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.

Kërkesa që bazohet në nenet 73, 95, 103 të Kushtetutës, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, është marrë në shqyrtim nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (në vijim Këshilli) në mbledhjet e datave 19.12.2025 dhe 23.02.2026.

Në përfundim të shqyrtimit nga Këshilli, përfundimisht, 5 anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pakicës parlamentare, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit; si dhe nga analiza e fakteve dhe rrethanave të cështjes, rekomandojnë deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë TË VOTOJNË PRO, për miratimin e kërkesës nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për deputeten Belinda BALLUKU”, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.

Në miratimin e këtij Rekomandimi mbajmë në konsideratë sa më poshtë:

Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pika 2 e nenit 73 synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (jo të deputetëve të veçantë) për aq sa ajo mund të cenohet si rezultat i procedimeve penale me sfond politik ndaj deputetëve të veçantë. Në këtë kuptim vlen të theksohet edhe qëndrimi i Komisionit të Venecias, sipas të cilit imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre, por qëllimi kryesor i tij (imunitetit parlamentar) është mbrojtja e vetë parlamentit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij.

Në këtë kuptim, Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrimin dhe ka krijuar standardin, sipas të cilit duhet të ekzistojë një prezumim themelor që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit përkatës janë të motivuara politikisht dhe se paprekshmëria e tij duhet të zbatohet vetëm në rastet kur ka arsye për të dyshuar se në vendimin për ndjekjen penalisht të deputetit ka element partiako-politik. Për këtë arsye, ushtrimi i përgjegjësisë kushtetuese nga ana e Kuvendit, për të dhënë autorizimin me të cilin zyrtari publik zhvishet nga paprekshmëria, duhet të synojë vetëm mbrojtjen e veprimtarisë normale parlamentare dhe verifikimit nëse akuza është e motivuar politikisht.

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, që u frymëzuan nga nevoja për të intensifikuar luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë, reformuan thelbësisht konceptin e imunitetit parlamentar. Rregullat e reja kushtetuese kanë tentuar të afrojnë zyrtarin e lartë shtetëror me qytetarin e zakonshëm në raport me përgjegjësinë penale dhe përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Një ndryshim i tillë, erdhi si nevojë, jo vetëm e një orientimi politik qeverisës në vitin 2012, por edhe si një detyrim për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të disa  marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave përmendim “Konventa penale kundër korrupsionit” e GRECO-s.

Në këtë pikëpamje, Kuvendi verifikon vetëm procedurën që është zhvilluar, pa i hyrë cilësisë dhe vlerës së provave në drejtim të faktit penal dhe të autorësisë. Imuniteti procedural nuk mundet dhe nuk duhet që në asnjë rrethanë të shndërrohet në një mburojë nga pandëshkueshmëria apo si pengesë për drejtësinë. Nëse pranohet e kundërta, atëherë ҁdo akt i prodhuar është absolutisht i pavlefshëm, sepse në mënyrë të dukshme Kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe merr kompetencë për ushtrim të paligjshëm të ndjekjes penale, pra uzurpon kompetenca gjyqësore. 

Nëse Kuvendi shqyrton nevojën apo jo të kryerjes së një veprimi konkret hetimor nga ana e organeve të drejtësisë, atëherë demokracia përballet me një rrezik flagrant: rrënohet parimi i ndarjes së pushteteve i sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës. Jo vetëm kaq, por situata shthuret dhe passjell një tërësi pasojash, që dëmtojnë pa kthim parimet e drejtësisë dhe të shtetit, ku sundon ligji. Në këtë terren kushtetues, në rastin konkret, është detyrë e Kuvendit të verifikojë vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit, që kërkohet nga prokuroria për arrestimin e deputetit. Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare.

Ne deputetët e pakicës parlamentare në Këshill, mbajmë në konsideratë edhe standardin e vendosur nga Komisioni i Venecias, sipas të cilit: “organi parlamentar që shqyrton një kërkesë për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një shqyrtim ligjor të çështjes. Vendimi duhet të bazohet mbi faktet dhe meritat e çështjes siç i parashtrojnë autoritetet dhe deputeti në fjalë dhe jo mbi konsiderata të tjera politike apo të jashtme.”. Në përputhje me këtë standard, Kuvendi nuk ka kompetencë për të vlerësuar meritën e cështjes për caktimin e masës së sigurimit, llojit të saj apo kushteve për secilën masë, por ka rol vetëm në verifikimin e ekzistencës formale të përmbushjes së këtyre kushteve. Në të kundërtën ai do të bënte shqyrtim ligjor të cështjes, jashtë kompetencës së tij kushtetuese dhe në shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit midis pushteteve.

Kuvendi, duke mos qenë organ kompetent sipas Kushtetutës përgjegjës për hetimin penal, nuk mund të cmojë meritën se cila është masa e përshtatshme e sigurimit për të mbrojtur hetimet, apo të veprimeve konkrete që duhet të ndërmarrë prokuroria që hetimi të jetë i plotë dhe i pacenuar. Kjo është një kompetencë ekskluzive e pushtetit gjyqësor. Nëse Kuvendi do të vlerësonte që një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme sesa një tjetër, apo një masë e caktuar sigurimi është e mjaftueshme, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetin gjyqësor dhe për pasojë ndërhyrje e drejtpërdrejtë, në mënyrë antikushtetuese, në hetimin penal.

Në rastin në shqyrtim Kuvendi nuk është ftuar për të caktuar një masë sigurimi, sepse nuk është kompetencë e tij caktimi i masës së sigurimit. Kuvendit i është kërkuar autorizim nga Prokuroria, që ajo të ketë mundësi t’i drejtohet gjykatës për caktimin e masës së sigurimit. Ashtu sikurse edhe pika 3 e nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale sanksionon: “3. Kur nevojat e sigurimit rëndohen, gjykata, me kërkesë të prokurorit, mund të vendosë zëvendësimin e saj me një masë më të rëndë ose caktimin e një mase sigurimi shtrënguese ose ndaluese shtesë”, është kompetencë kushtetuese dhe ligjore e Gjykatës, që me kërkesë të prokurorisë, të vendos për zëvendësimin ose jo të masës së sigurimit.

Caktimi i masës më të përshtatshme të sigurimit dhe për pasojë vlerësimin kushtetuese/ligjor për këtë, është brenda sferës ekskluzive të Gjykatës. Vendimmarrja e Gjykatës i nënshtrohet kontrollit të brendshëm nga vetë sistemi gjyqësor, fillimisht në Gjykatën e Shkallës së Parë në mënyrë periodike, më pas nga Gjykata Apelit, Gjykata e Lartë apo Gjykata Kushtetuese. Nëse Kuvendi do të mbante qëndrimin që ska nevojë për një veprim të caktuar në kuadër të një hetimi penal (caktimi i një mase më të rëndë sigurimi personal për të mbrojtur të pa cenuar hetimin), ndërkohë që organi i ngarkuar nga Kushtetuta për të ushtruar ndjekjen penale – Prokuroria – cmon dhe vërteton të kundërtën, atëherë Kuvendi në mënyrë antikushtetuese do të uzurponte kompetencat e organit të hetimit dhe pushtetit gjyqësor, duke i njohur vetes atributin e caktimit të masave të sigurimit. Kjo do të ishte një ndërhyrje brutale në sferën e kompetencave të pushtetit gjyqësor dhe për pasojë cenim flagrant i nenit 7 të Kushtetutës – parimit të ndarjes dhe të balancimit midis pushteteve.

Në përputhje të sa më lart, Kuvendi, në këtë lloj procedure, ka autoritet kushtetues të verifikojë VETËM:

(1) Ekzistencën e një procedimi penal të ligjshëm dhe mungesën e motiveve politike në hetimin penal të cështjes;

(2) Ekzistencën e kushteve ligjore për autorizimin e veprimit të kërkuar nga prokuroria;

(3) Plotësimin nga ana përmbajtësore të disa kritere të elaboruara nga Komisioni i Venecias.

Në përfundim të këtij verifikimi, rezulton në mënyrë të përmbledhur se:

1. Provohet se ekziston një procedim penal i ligjshëm dhe se në rastin konkret jemi përpara prezumimit bazik që imuniteti duhet të hiqet sepse nuk ka asnjë pretendim apo arsye të besohet se akuzat kundër deputetes Balluku janë të motivuara politikisht. Madje edhe vetë ajo, përmes avokatëve të saj, e konfirmon një fakt të tillë.

2. Provohet “dyshimi i arsyeshëm” i bazuar në prova. Prokuroria tregon në mënyrë të qartë se ekziston dyshimi i arsyeshme dhe ai bazohen në një set provash që janë depozituar bashkëlidhur kërkesës dhe relacionit shoqërues, gjithsej 80 prova, të ndara në 12 volume.

3. Provohet rreziku për procedimin penal. Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku. Pozicioni i saj si deputet i mazhorancës, ish-Zëvendëskryeministër dhe ish-ministër; lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm të ministrave aktual në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës pubike (drejtorë të përgjithshëm të promovuar në detyra prej saj), është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal.

Për më tepër, gjatë mbledhjes së Këshillit të datës 23.02.2026, prokurorët sqaruan më tej këtë rrezik, duke theksuar dhe paraqitur provat përkatëse se deputetja Belinda Balluku është përpjekur të ushtrojë presion mbi dëshmitarët, përmes dy formave: (1) Përmes “të fortëve”, për të cilët prokuroria deklaroi se po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar, verifikim që mbulohet nga sekreti hetimor; (2) ⁠përmes zyrtarëve publikë, pjesë e kabinetit të ministres, të cilët, ose kanë shantazhuar për shkarkime nga puna ndaj familjarëve, ose kanë ofruar para në këmbim të ndryshimit të dëshmive dhe avokatit.

4. Provohet nevoja e kryerjes së veprimit nga ana e prokurorisë, në kuadër të përshtatshmërisë së masës së kërkuar.  Prokuroria, në kërkesën e saj dhe në përgjigjet e dhëna përpara Këshillit, tregoi qartë se cdo masë tjetër, vec asaj të arrestit, është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale për të cilat po procedohet dhe për shkak të personalitetit kriminal të deputetes Belinda Balluku. Në këtë drejtim, duhet të evidentohet se rasti konkret paraqet rrezikshmëri të shtuar, për shkak të përsëritjes në vazhdimësi të të njëjtës vepër penale, duke dëmtuar drejtpërdrejt imazhin e institucioneve shqiptare në sytë e opinionit publik, por edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, nevojat e sigurimit janë rënduar për personin nën hetim dhe të pandehurën Belinda Balluku. Është fakt që prokuroria nuk ka kërkuar masë sigurimi në momentin që deputeti Belinda Balluku është marrë i pandehur për një fakt penal – Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë. Më pas, ka lindur nevoja për caktimin e masës së sigurimit, sepse ajo ka marrë cilësinë e personit nën hetim për një tjetër fakt penal – Ndërtimi i Lotit të 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, ku prokuroria dhe gjykata, në respekt të parimit të përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit personal, kanë kërkuar dhe caktuar një masë të lehtë të sigurimit personal, atë të “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe të masës ndaluese të “Pezullimit të ushtrimit të një funksioni a shërbimi publik”, e cila ka mbetur e pazbatueshme për shkak të shkarkimit të saj nga detyra. Më pas, në ngarkim të deputetit Belinda Balluku janë atribuuar edhe 6 fakte të reja penale dhe indicie të mjaftueshme për 3 fakte të tjera penale, dhe kjo ka diktuar nevojën e prokurorisë për të kërkuar autorizimin nga Kuvendi i Shqipërisë për të lejuar paraqitjen në gjykatë të kërkesës për caktimin e masës “arrest në burg” apo “arret në shtëpi”. Për më tepër, mos kryerja e veprimit mund t’i japë mundësi të pandehurës që të dëmtojë hetimet dhe të pengojë drejtësinë. Është kompetencë e prokurorisë dhe gjykatës që më pas të vlerësojnë në mënyrë periodike vijimin ose jo të nevojave që diktojnë kryerjen e një veprimi të caktuar në mbrojtje të hetimeve.

5. Provohet përmbushja e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për heqjen e imunitetin. Deputeti Belinda Balluku, përmes avokatëve të saj, nuk ngriti asnjë pretendim se ndodhemi përpara ndonjë prej kritereve që ka përcaktuar Komisioni i Venecias për mbajtjen e imunitetit dhe konkretisht: kur pretendimet janë qartazi dhe haptazi të pabazuara; kur shkelja e pretenduar është një pasojë e paparashikuar e një veprimi politik; kur pretendimet janë paraqitur qartësisht për motive politiko-partiake (fumus persecutionis) me qëllim shqetësimin ose intimidimin e deputetit ose ndikimin tek mandati i tij; kur procedurat ligjore mund të rrezikojnë seriozisht funksionet demokratike të parlamentit ose të drejtat themelore të një deputeti ose grup deputetësh.

Në mungesë të këtij pretendimi, Kuvendi nuk mund të dalë jashtë vlerësimit të këtyre kritereve dhe është i detyruar të votojë pro heqjes së imunitetit, për shkak se provohet që përmbushen kriteret e Komisionit të Venecias për heqjen e imunitetit si më poshtë:

(i) Heqja e imunitetit të deputetit, nuk e vë në rrezik serioz funksionin demokratik të parlamentit; 

(ii) kërkesa për dhënie autorizimi (heqje imuniteti) është përshkruar në aktet e Prokurorisë se bazohet në shkaqe të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta;

(iii) Shkelja e pretenduar nga ana e prokurorisë (akuzat) është veçanërisht e rëndë, për shkak se ajo është e përsëritur në 11 fakte penale, me një dëm të konsiderueshëm financiar dhe për një fond publik me vlerë jashtëzakonisht të lartë – 1.1 miliard euro;

(iv) Shkelja që i atribuohet deputetit e për të cilat kërkohet heqja e imunitetit, nuk është pasojë e veprimtarisë së tij si parlamentare;

(v)  Dhënia e autorizimit (heqja e imunitetit) është një barrierë e vërtetë, e cila nëse nuk realizohet, atëherë verifikohet një pengim real i drejtësisë;

(vi) Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili kompromenton tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e Parlamentit në sytë e publikut dhe në marëdhëniet institucionale me organet e tjera, për shkak se shkelet pa asnjë motiv ligjor parimi kushtetutes i barazisë përpara ligjit dhe parimi i ndarjes e balancimit mes pushteteve.

6. Provohet përmbushja e të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore të caktimit të masave të sigurisë, të parashikuara nga nenet 228, 229, 230 dhe 260 të Kodit të Pocedurës Penale. Konkretisht:

Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit të parashikuara në pikën 1, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “1. Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova.”. Dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në të paktën 11 fakte penale ekziston dhe ai është i bazuar në prova (80 prova) që prokuroria i ka paraqitur në mënyrë shteruese në Kuvend.

Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit të parashikuara në pikën 2, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “2. Asnjë masë nuk mund të zbatohet kur ka shkaqe padënueshmërie të shuarjes së veprës penale ose dënimit.”. Në rastin konkret nuk ka shkaqe padënueshmërie dhe të shurjes së veprës penale apo të dënimit sipas legjislacionit në fuqi.

Deputeti Belinda Balluku përmbush të gjitha kushtet për caktimin e masve të sigurimit penal, të parashikuara në pikën 3, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale sepse: a) prokuroria provoi se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, bazuar në rrethana fakti; b) ekziston rreziku që ajo të largohet, për shkak se rrezikon një dënim të rëndë për një krim të rëndë; c) për shkak të rrethanave të faktit (përsëritjes së krimit) dhe personalitetit të të pandehurit (dyshohet për kryerjen e veprave penale në 11 raste) ka rrezik që ajo të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet (tentativa për pengimin e drejtësisë përmes intimidimit të dëshmitarëve tashmë ka ndodhur dhe po hetohet nga prokuroria).

Në kërkesën për autorizim prokuroria ka argumentuar se në kërkesat e saj për caktimin e masave të sigurimit ka mbajtur parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret, duke përmbushur kështu kushtin e përcaktuar në pikën 1, të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale. Është fakt që prokuroria dhe gjykata kanë respektuar deri më tani parimin e përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit perosnal. Në këtë mënyrë, Prokuroria përmes veprimeve konkrete të përshkallëzuara, ka respektuar kërkesat e pikës 2 të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penal, sipas të cilës “2. Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal.”. Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit” me ato të “Arrestit në burg” apo “Arrestit në shtëpi”, ka ndodhur kur rëndësia e faktit penal është rritur (nga 2 fakte penale, tashmë është nën hetim për 11 fakte penale – nga të cilat për një ka statusin e të pandehurit, 7 ka statusin e personit nën hetim, ndërsa për 3 të tjera ende nuk ka një status të konfirmuar procedural, por veprimet/mosveprimet janë në proces hetimi paraprak); sanksioni për dënimin e mundshëm ka shkuar potencialisht nga maksimumi në 10 vjet, në maksimumi në 35 vjet; është vërtetuar vazhdimësia dhe përsëritja, si dhe ekzistenca e rrethanave rënduese të parashikuara nga Kodi Penal (veprat penale dyshohen se janë kryer në bashkëpunim).

Është mbajtur në konsideratë kushti i parashikuar në pikën 1, të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “1. Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.”. Është fakt që prokuroria ka vepruar në mënyrë të përshkallëzuar. Kur nevojat e sigurimit e kanë mundësuar dhe është vlerësuar e përshtatshme caktimi i një masë më të lehtë të sigurimit, kur kemi qenë përpara 2 fakteve penale, nga ana e prokurorisë nuk është kërkuar masa e sigurimit “Arrest me burg”, por ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit”. Në këtë moment të hetimit, ku pozita dhe nevoja e sigurimit është rënduar, për shkak të hetimeve për 11 fakte penale, që janë dëshmi e rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit, organi i prokurorisë vlerëson të papërshtatshme masat e tjera të sigurimit personal, përvec masave të sigurimit “Arrest në burg” apo “Arrest në shtëpi”.

Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit ligjor për caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg”, të parashikuara në pikën 2 të nenit 230, për shkak se: (a) nuk është një grua shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të; (b) nuk është një person që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë; (c) nuk është person që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç; (d) nuk është një person toksikoman apo i alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm.

Përmbushet kriteri ligjor i parashikuar në pikën 3 të nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale, për zëvendësimin e një mase më të lehtë sigurimi me një masë më të rëndë, për shkak se ndodhemi në rrethanën kur nevojat e sigurimit janë rënduar. Sikurse është argumentuar gjerësisht nevojat e sigurimit janë rënduar, në të dyja drejtimet: qoftë në drejtim të rëndësisë së faktit penal (nga 2 fakte/vepra penale aktualisht janë 11 fakte/vepra penale të dyshuara); qoftë në drejtim të sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete (sanksioni ka shkuar potencialisht nga maksimumi në 10 vjet, në maksimumi në 35 vjet).

Veçanërisht, në këtë procedurë parlamentare, duhet patur parasysh edhe impakti që do të kishte mosdhënia eventuale e autorizimit sipas kërkesës së Prokurorisë, që do të përbënte rastin e parë në historinë e Parlamentit, që pas fillimit të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, krijuar si një organ i specializuar për të luftuar fenomenin e pandëshkueshmërisë në rradhët e zyrtarëve të lartë.

Në një version të tillë, do të rezultonte se:

Së pari, mbajtja apo ruajtja e një imuniteti të tillë në vetvete është një cenim i parimit kushtetues të barazisë para ligjit, i cili është thelbi i vetë Shteti të së Drejtës. Maksima “Sado lart që ti të jesh, ligji është gjithnjë mbi ty” përmbyset duke u shndërruar në “nëse je anëtar i Parlamentit, i Këshillit të Ministrave, nëse ke mbështetjen e Edi Ramës, ligji nuk mund të të prekë”. Ky do të ishte sinjali më i gabuar që Parlamenti kurrsesi nuk duhet ta emetojë ndaj qytetarëve të tij.

Së dyti, vetë rregullat e imunitetit, në thelbin e tyre kanë potencialin e madh që të keqpërdoren nga deputetët, dhe të shndërrohen prej tyre në një strehë për t’u mbrojtur nga shkeljet e ligjit. Një vendimmarrje e tillë do të shërbente si një incentiv për të tërhequr në strehën e parlamentit njerëz më rekorde kriminale, plagë e madhe kjo, akoma shumë e freskët dhe aktuale e politikës shqiptare.

Së treti, rregullat e imunitetit në vetvete, dhe për më shumë akoma një vendimarrje për mbajtjen e imunitetit në rastin konkret do të minonte besimin e publikut te Parlamenti si institucion dhe do të krijonte përçmim për politikën, politikanët dhe vetë sistemin politik. Kuvendi, pa asnjë dilemë, duhet të miratojë dhënien e autorizimit sepse vetëm në këtë mënyrë, secili prej deputetëve veçmas, por edhe Kuvendi si një i tërë, tregon standardin më të lartë të sjelljes etike dhe bëhet model për të tërhequr në mjedisin politik njerëz të rinj dhe me vlera.

Së katërti, nëse Kuvendi voton për mbajtjen e imunitetit dhe për pengimin e drejtësisë, ky veprim do të ishte goditja më energjike ndaj shpresës së publikut dhe aksionit politik brenda dhe jashtë vendit për Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë, si themel edhe i rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Së pesti, mbajtja e imunitetit nga Kuvendi në rastin konkret tregon haptazi mungesë vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe rrjedhimisht, përbën një hap pas në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, Kuvendi do të godasë fort pritshmëritë dhe përpjekjet e shoqërisë shqiptare për t’iu bashkuar familjes evropiane, e cila na ka vënë ndër të tjera edhe kushtin për luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit.

Përfundimisht, dëshirojmë të evidentojmë se në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë duhet të mbështetemi në ruajtjen e interesit publik, në nxitjen e luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, në mbrojtjen e reputacionit të Parlamentit, në mospengimin e drejtësisë, në mosndërhyrjen e kompetencave të sistemit të drejtësisë dhe në dhënien e mundësisë deputetit të cilit i kërkohet heqja e imunitetit, që të pastrojë figurën politike, në mënyrë të padyshimtë, nga një autoritet i pavarur dhe i paanshëm, siç është sistemi i drejtësisë, duke respektuar parimin e barazisë përpara ligjit.

Kjo arrihet vetëm nëse përmbushet Rekomandimi për “Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për deputeten Belinda Balluku”, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.

Në të kundërt, përmes mosmiratimit të Rekomandimit “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit për deputeten Belinda Balluku”, cenohet interesi publik; dekurajohet lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin; dëmtohet reputacioni i Parlamentit; pengohet drejtësia dhe Kuvendi shndërrohet në mburojë politike në mbrojtje të zyrtarëve të lartë të korruptuar; ndërhyhet në kompetencat e sistemit të drejtësisë; si dhe cenohet parimi i barazisë përpara ligjit.

Deputetëve i është dërguar:

Raporti i plotë (prej 48 faqe) të 5 anëtarëve të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetin, përfaqësues të pakicës parlamentare.

Kërkesa nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, së bashku me një Relacion të detajuar të Prokurorisë prej 63 faqe ku specifikohen rrethanat dhe provat (gjithësej 80 prova, të ndara në 12 volume) e fakteve penale për të cilat dyshohet deputetja Belinda Balluku.

Procesverbalet e plota të mbledhjeve të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetin të dateve 19.12.2025 dhe 23.02.2026, të dërguara përmes shkresës nr. 831/2 Prot. datë 27.02.2026 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Nota Verbale e mbrojtësve të deputetes Balluku (parashtrimet me shkrim), që ju vunë në dispozicion Këshillit, të dërguar përmes shkresës nr. 831/1 Prot. datë 24.02.2026 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Përsa i përket setit të plotë të povave (gjithësej 80 prova, të ndara në 12 volume – dërguar në mënyrë elektronike), ato mund të tërhiqen, ashtu sic Prokuroria e Posacme konfirmoi në mbledhjen e datës 19.12.2025, pas nënshkrimit nga secili deputet të “Deklaratës së ruajtjes së sekretit hetimor” të Prokurorisë së Posacme, pranë Sekretarisë së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që vepron sipas udhëzimeve të Kryetarit të Këshillit – Kryetarit të Kuvendit z. Niko Peleshi. Dëshirojmë të theksojmë se kërkesa e Prokurorisë i është drejtuar të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë (jo vetëm anëtarëve të Këshillit) dhe Prokuroria konfirmoi se provat janë të detyrueshme që të jenë pjesë e praktikës parlamentare të secilit deputet dhe se nuk ka asnjë pengesë ligjore nëse përmbushet kushti për ruajtjen e sekretit hetimor (nënshkrimi i deklaratës përkatëse). dosja.al

Shaip Kamberi: Padia në Strasburg për pasivizimin e adresave mund të bëjë një kthesë të rëndësishme në një betejë të gjatë

VOAL- Deputeti shqiptar i Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi, në faqen e tij në fb, e vlerëson si një kthesë të rëndësihme në një betejë të gjatë padinë e bërë në Strasburg kundër pasivizimit të adresave shqiptare nga regjimi i Beogradit:
Padia në Strasburg për pasivizimin e adresave mund të bëjë një kthesë të rëndësishme në një betejë të gjatë.
Regjistrimi i padisë në Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kundër Serbisë është rezultat i një pune të vazhdueshme juridike dhe politike për ndërkombëtarizimin e çështjes së pasivizimit të adresave.
Ky hap nuk është i rastësishëm, ai është vazhdim i angazhimit institucional të Këshilli Kombëtar Shqiptar për ta ngritur këtë problem në instancat më të larta evropiane.
Falënderim për avokatin Drini Grazhdani për profesionalizmin dhe përkushtimin, si dhe për znj. Teuta Fazliu për guximin qytetar me u përballur me Serbinë në bankat e drejtësisë evropiane.
Kjo nuk është vetëm një betejë ligjore, është një betejë për dinjitet, barazi dhe ndalimin e diskriminimit sistematik.

BIRN: Shembjet në korridorin VIII dëshmojnë për ‘keqmenaxhimin’ si model qeverisje

Bllokimi prej dhjetë ditësh i Juglindjes së vendit si pasojë e shembjes së rrugës në një aks të Korridorit VIII ka sjellë sipas ekspertëve, dëme të pallogaritshme ekonomike dhe njerëzore në vendin ku kostot e ndërtimit të rrugëve janë më të lartat në rajon.

Më 18 shkurt, qeveria shqiptare organizoi Ministerialin për Korridorin VIII me praninë e zyrtarëve shtetërore nga Italia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania. Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali e cilësoi projektin si “aset strategjik për ndërlidhjen dhe sigurinë europiane” dhe rolin e Shqipërisë në këtë projekt si “një nga nyjet më të besueshme”.

Por ende pa u zbehur shkëlqimi i fotove të aktivitetit, një prej akseve kryesore rrugore të tij, ai Librazhd-Pogradec, pësoi dëmtime të rënda duke bllokuar për gati dhjetë ditë komunikimin me juglindjen e vendit.

Menjëherë pas ngjarjes, Prokuroria e Elbasanit njoftoi se ka ngritur një grup hetimor me qëllim hetimin e rrethanave që kanë shkaktuar bllokimin e këtij aksi dhe fillimin e procedimit penal për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.

Qeveria nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për ngjarjen, duke ia faturuar fajin përbërjes gjeologjike të tokës, ndërkohë që shembja e këtij aksi rrugor i shtohet veprave të tjera infrastrukturore të investuara gjatë viteve të fundit, të cilat kanë pësuar dëmtime.

Bllokimi i rrugës nacionale drejt Juglindjes nuk ka krijuar probleme vetëm për njerëzit, por edhe për ekonominë dhe sigurinë e vendit. Sipas Konfederatës së Industrive të Shqipërisë, ky bllokim ishte “goditja më e rëndë në kohë paqe për ekonominë si dhe sigurinë kombëtare”.

Ekspertë të ekonomisë po ashtu ndajnë qëndrimin se ky bllokim ka pasoja të mëdha në ekonominë e vendit dhe lidhet me keqmenaxhimin e investimeve infrastrukturore dhe mungesën e një strategjie të qartë të qeverisë.

Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike e quan gjithashtu shembjen “një alarm të vërtetë për sigurinë kombëtare”.

“Ka nevojë për analiza të thelluara teknike, politike, juridike rreth asaj çfarë po ndodh në infrastrukturën publike në tërësi dhe mbi fondet e mëdha që janë dhënë e jepen kryesisht pa garë dhe të dyshuara gjërësisht në mënyrë korruptive,” tha ai.

Aset strategjik apo propagandistik?

Korridori VIII u ideua si një bosht strategjik Lindje-Perëndim që do te lidhte Detin Adriatik me Detin e Zi, duke funksionuar si një nxitës kyç ekonomik për integrimin në BE, stabilitetin rajonal dhe tregtinë. Për Shqipërinë, përfitimet projektoheshin me fuqizimin e rolit të vendit si portë detare, nyje tranziti si dhe qendër logjistike rajonale.

Megjithatë, ekspertët besojnë se qeveria shqiptare e sabotoi këtë projekt, pavarësisht propagandës për rëndësinë e tij.

Sipas Irena Beqirajt, konsultente financiare, ky projekt fillimisht është dëmtuar nga zhvendosja e Portit të Durrësit në Porto Romano dhe nga devijimi i linjës rrugore të Korridorit VIII nga projekti fillestar në segmentin e fundit në pjesën shqiptare.

Këto dy lëvizje, thotë ajo, “jo vetëm kanë rritur kostot, por edhe do të vonojnë përfundimin e projektit, duke vonuar kuptohet edhe përfitimet ekonomike”.

Edhe analisti politik, Neritan Sejamini thotë se “shkatërrimi i Portit të Durrësit dhe mbetja pa një port të mirëfilltë edhe për disa vite të tjera” është jo vetëm dëmtim i integrimit ekonomik të vendit, por edhe goditje për vetë konceptin e Korridorit VIII – në të cilin porti i Durrësit ka një rol kyç dhe strategjik.

Gjithsesi, Sejamini e konsideron të tejkaluar rolin e Korridorit VIII, i konceptuar që në vitet ’90.

“Zhvillimet ekonomike dhe infrastrukturore të mëvonshme kanë ulur rëndësinë e këtij korridori. Tregtia me Italinë, Greqinë, Kosovën, Turqinë, Gjermaninë kanë më shumë vlerë për Shqipërinë se sa tregtia me Maqedoninë e Veriut, Bulgarinë dhe Evropën Lindore,” theksoi ai.

Zef Preçi po ashtu beson se trajtimi si aset strategjik i kësaj rruge për qeverinë shqiptare mbetet vetëm në terren deklarativ; pa bërë përpjekje të mjaftueshme për financimin e tij.

“Edhe aty ku është siguruar mbështetja e duhur financiare, siç tregojnë dëmtimet në këtë aks rrugor, korrupsioni ka cënuar rëndë efektivitetin e fondeve, duke kompromentuar kështu edhe qëllimet e mira të deklaruara nga qeveria Rama,” theksoi ai.

“Modus operandi”

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të tij parakalojnë në asfalte të shtruara rishtas në çdo fushatë elektorale, duke propaganduar investime qindramilionëshe – ndonëse një pjesë prej tyre janë prishur që me shiun e parë.

Sipas ekspertëve, dëmtimet e rrugëve lidhen me mungesën e projekteve, studimeve dhe mbikëqyrjen profesionale, ndërkohë që tenderat e tyre konsiderohen jotransparentë dhe pa konkurrencë.

Sipas Sejaminit, dëmtimet e rrugëve dëshmojnë mbi të gjitha “nivelin e mjerueshëm të qeverisjes”.

Në mungesë të vlerësimit të dëmeve në mënyrë direkte, Sejamini thotë në mënyrë indirekte mund të hamendësohet për miliarda lekë dëme me shkatërrimin dhe bllokimin e rrugës në aksin Librazhd- Pogradec.

“Miliarda lekë në investime në rrugë që tashmë janë zeruar, dhjetëra miliarda lekë kosto e ribërjes së këtyre investimeve dhe riparimeve të tjera të nevojshme dhe miliarda lekë dëme ekonomike për tregtarët, sektorin e turizmit, të transportit dhe bizneseve në përgjithësi,” tha ai, pa llogaritur koston njerëzore.

Sipas Irena Beqirajt, problematikat në infrastrukturë nxjerrin në pah mungesën e një strategji të qartë, ndërkohë që keqmenaxhimi është bërë “modus operandi”.

Duke u bazuar në një raport të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, Beqiraj thotë se Shqipëria investon çdo vit rreth 400 milionë euro në ndërtimin e rrugëve me një kosto mestare prej 12.9 milionë euro për kilometër – kosto kjo më e larta në rajon. Në mënyrë paradoksale, Shqipëria rrezikon të mbetet në periferi të zhvillimit infrastrukturor edhe konektivitetit.

“Shifrat tregojë një të vërtetë vështirësisht të mohueshme,” thotë Beqiraj, duke shtuar se amortizimi mesatar i veprave publike është 20% ose disafish më e lartë se mesatarja botërore që variaon nga 4.25 në 10.4%.

“… kostot me të cilat rrugët janë ndërtuar janë tepër të larta dhe rrugët ndërtohen keq. Si rrjedhim, infrastruktura rezulton e paqëndrueshme, si e tillë kërkon rikonstruksione më të shpeshta,” theksoi ajo.

Edhe për Zef Preçin, shembja e rrugës në ndërtim e sipër në aksin Librazhd-Pogradec nuk mund të shihet si një episod i izoluar, por si “një fenomen ekonomik korruptiv në nivel sektorial”.

“Fakti që janë dëmtuar kryesisht rrugët e ndërtuara gjatë dekadës së fundit është një akuzë publike për korrupsionin dhe keqqeverisjen e vendit gjatë kësaj periudhe, për projektet mashtruese dhe të motivuara politikisht, për ndërtimin e rrugëve elektotale, për kompanitë e oligarkëve klientë të qeverisë…,”tha Preçi. bw

Mark Rutte: Evropa “mbështet plotësisht” veprimin e SHBA-së ndaj Iranit! NATO nuk do të përfshihet

Evropa “mbështet plotësisht” veprimet e Shteteve të Bashkuara në Iran, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, duke theksuar se politika e Teheranit përbën “kërcënim” për kontinentin evropian, Izraelin dhe rajonin përreth.

 

Në një intervistë për BBC, Rutte u shpreh se Evropa “po ndërmerr realisht veprime”, duke nënvizuar angazhimin e aleatëve në përballje me situatën e krijuar.

I pyetur nëse kishte dijeni paraprake për sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, ai u përgjigj se nuk diskuton publikisht detaje të tilla. Megjithatë, theksoi se ka zhvilluar “shumë biseda” me zyrtarë amerikanë dhe se Uashingtoni dhe NATO “janë në koordinim të ngushtë”.

Sa i përket mundësisë së përfshirjes së forcave të NATO-s në operacione, Rutte ishte i prerë: “Jo, kjo është qartësisht një operacion i udhëhequr nga amerikanët dhe izraelitët”.

Ai shtoi gjithashtu se “ajo që po shohim tani” është se aleatët e NATO-s dhe “miqtë tanë në rajon” po përballen me “sulme të pakontrolluara” nga Irani, ndaj dhe po bëjnë gjithçka që munden në këto rrethana.

Zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë më tej në rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Panorama

Rasti për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi dërgohet në Gjykatën e Strasburgut

Fotografi nga protesta e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në nëntor 2024.

 

Radio Evropa e Lirë

Një padi lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë është dërguar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, bëri të ditur avokati Drini Grazhdani përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, padia kundër Serbisë është rezultat i një “pune të përbashkët juridike dhe njerëzore” dhe lidhet me një çështje që, siç tha, ka rëndësi të gjerë publike.

Ai falënderoi bashkëpunëtorët për përgatitjen e rastit, ndërsa veçoi edhe Teuta Fazliun, e cila, sipas tij, ka pranuar të përfaqësojë çështjen në fjalë.

“Ky rast nuk ka të bëjë vetëm me një individ, por me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ndalimin e praktikave diskriminuese sistematike”, shkroi ai.

Pasivizimi i adresave nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar. Ky veprim rezulton me humbjen e shtetësisë serbe dhe, rrjedhimisht, të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të përfituar sigurim shëndetësor e pension, si dhe për t’u punësuar.

Çështja është ngritur vazhdimisht nga shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe nga Qeveria e Kosovës, e cila e ka cilësuar praktikën si diskriminuese. Për këtë temë janë organizuar edhe protesta ndër vite.

Në Raportin e Progresit për Serbinë të publikuar më 4 nëntor nga Komisioni Evropian, në pjesën për mbrojtjen e minoriteteve thuhet se “pjesëtarët e minoritetit kombëtar shqiptar vazhdojnë të ngrenë shqetësime lidhur me mënyrën se si policia kontrollon statusin e banimit të tyre në jug të Serbisë, duke rezultuar me ‘pasivizimin’ e adresave të caktuara”.

raport theksohet se autoritetet duhet t’i shpjegojnë më mirë publikut mënyrën e kryerjes së këtyre kontrolleve dhe të adresojnë shqetësimet për mungesë të mjeteve efektive të ankimimit.

Çështja e pasivizimit është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023, ku thuhet se kjo praktikë duket se është zbatuar në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.

Në raportin e Komisionit Evropian po ashtu thuhet se plani i veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione “ende nuk ka prodhuar rezultatet e duhura” dhe se pakicat kombëtare vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në administratën publike dhe në polici.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në këtë shtet.

Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin – në raportet ndërkombëtare konsiderohet si zonë e izoluar, që merr vëmendje kryesisht në periudha zgjedhore.

Në korrik të këtij viti, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dorëzoi një draft-rezolutë për situatën e shqiptarëve në Luginë, duke kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe që të pezullohen masat administrative për pasivizim të adresave.

Monitor: Shqipërisë po i ikin të rinjtë, 62% e emigrantëve nën 35 vjeç, largohen dhe familjet e reja

Shqipëria po vijon të vuajë nga hemorragjia e popullsisë edhe pas më shumë se 30 viteve tranzicion, ku po dominon largimi i të rinjve. Të dhënat e Eurostat treguan se vetëm në vitin 2024 kanë emigruar në vendet e Bashkimit Europian rreth 44 mijë shqiptarë.

Vetëm pas pandemisë, në 4 vjet, për periudhën 2021-2024, nga vendi kanë ikur të paktën 180 mijë persona dhe këtu nuk përfshihen të dhënat e Greqisë dhe as Mbretërisë së Bashkuar, me këtë të fundit që pa një valë ikjesh që kulmoi në 2022-n. ritmet e emigracioni u përshpejtuan pas pandemisë.

Eurostat ka publikuar dhe të dhënat e detajuara sipas grupmoshave, të personave që janë larguar nga Shqipëria në 2024-n. sipas përpunimeve të “Monitor” është i dukshëm dominimi i të rinjve. Grupi kryesor që ikin janë midis 25-29 vjeç, me mbi 6 mijë persona, ose 14.3% të totalit. Pas tyre vijnë të rinjtë e moshës 30 deri në 34 vjeç, me 13% të totalit.

Dukuri e fortë është dhe largimi i familjeve të reja, me fëmijë të vegjël, teksa grupmosha nën 15 vjeç përbënte gati 18% të të larguarve.

Në total, 62% e personave që kanë ikur emigrantë në vitin 2024 ishin nën 35 vjeç. Një pjesë e rëndësishme vitale dhe me përvojë e tregut të punës gjithashtu po preferon të largohet, me grupmoshën 35-49 vjeç që përbënte 20% të të ikurve.

Të dhënat historike të INSTAT tregojnë se ka një ulje të moshës së emigracionit. Psh në 2019-n, grup mosha kryesore që emigroi ishte ajo midis 30-34 vjeç, me 15.6% të totalit.

Largimi i të rinjve është një nga arsyet kryesore që ka bërë që mosha mediane, (ajo që e ndan popullsisë përgjysmë), të rritet me ritme shumë më të shpejta se në Bashkimin Europian. Të dhënat e tjera të Eurostat bënë të ditur se Shqipëria kishte një moshë mediane 44.3 vite në 2025, shumë afër mesatares europiane prej 44.9 vitesh.

Në 2015-n, mosha mediane ishte 34.7 vjeç. Kjo do të thotë që në 2025-n, gjysma e popullsisë ishte nën 44.3 vjeç, ndërsa 10 vite më parë Shqipëria ishte shumë më e re, me gjysmën e popullsisë që ishte më e re se 34.7 vjeç.

Ikja e grupmoshës riprodhuese ashtu dhe nga ndryshimi i stilit të jetesës kanë bërë që dhe lindjet të bien ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Shqipëria po përjeton një nga krizat më të thella demografike në historinë e saj modern. Shifrat e fundit të vitit 2025 tregojnë një rënie drastike të numrit të lindjeve me rreth 74% krahasuar me fillimin e viteve ’90, ku Shqipëria regjistronte një rekord prej 82,125 lindjesh, ndërsa 35 vite më vonë, ky numër ka zbritur në nivelin kritik prej 21,425 lindje.
Faktorët kryesorë që kanë ushqyer këtë trend janë plakja progresive e popullsisë, largimi i të rinjve, që po vazhdon me ritme të larta dhe ulja e shkallës së fertilitetit në vetëm 1.21 fëmijë për grua.

Ky ndryshim i modelit të familjes, i kombinuar me ikjen e forcës riprodhuese drejt BE-së, e ka vendosur vendin përpara një sfide ekzistenciale, që nuk po merret aspak seriozisht nga qeveria, përkundrazi kjo e fundit po përhap narrativen që emigracioni ka ndalur dhe tashmë dominojnë kthimet, kur po ndodh tërësisht e kundërta.

Të dhënat e INSTAT për emigracionin neto, që mat diferencën mes atyre që kthehen dhe atyre që ikin ështe negativ, me personat që ikin të cilët përbëjnë më shumë se dyfishin e atyre që kthehen. Në vitin 2024 migracioni neto arriti rreth -43,761 persona, niveli më i lartë i regjistruar edhe për shkak të korrektimeve nga cens 2023. Në vitin 2025, ndonëse me rënie, treguesi mbeti shumë i lartë, rreth -28,836 persona./ Monitor

Kurti: Murat Jashari do të ishte figura ideale për president

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka thënë të dielën se beson që Murat Jashari – nga familja e heroit Adem Jashari – do të ishte figura ideale për pozitën e presidentit dhe nëse për partitë politike në Kosovë ka qenë e pamundshme të gjendet një figurë unifikuese për këtë pozitë, atëherë pajtohet që secila parti të ketë kandidatin e vet për president në Kuvend.

Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, dhe anëtarë tjerë të familjes, e kanë bërë të qartë më herët gjatë javës se nuk kanë ambicie për pozitën e presidentit, dhe një pozitë të tillë do ta shqyrtonin vetëm një rast të ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme apo lufte civile.

Kurti e ka përmendur se marrë për bazë situatën aktuale gjeopolitike në botë, ai beson se vendit i duhet “një figurë që u bën ballë shtrëngatave” me të cilat përballet shteti, prandaj sipas tij, Murat Jashari “do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur” dhe vazhdon të mbetet rasti ideal.

“Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë, profesor e personalitet sikurse Murat Jashari, do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin. Rrethanat gjeopolitike, lufta në Ukrainë, konflikti SHBA-Iran dhe tensionet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, si dhe kërcënimet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior kërkojnë një moment reflektimi”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani ka thënë se e dëshiron edhe një mandat, mirëpo LVV-ja, e cila e pati kandiduar për mandatin e parë, tani nuk e përmend emrin saj.

Edhe partitë opozitare duket se nuk kanë votë për të, meqë me raste e kanë kritikuar për njëanshmëri në të mirë të partisë së Kurtit.

“Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e të paktën 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secila parti të propozojë kandidatin e vet për president dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit. Në fund do të fitojë ai ose ajo që arrin të marrë mbështetjen e deputetëve nga tri rundet, siç e kërkon Kushetuta në procedurën e saj”, ka thënë Kurti.

Ai e ka bërë këtë deklaratë teksa e ka komentuar ofertën që i ka bërë një ditë më parë Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës që emri i presidentit të propozohet nga partia që udhëheq ai.

Për të propozuar një kandidat për president duhet siguruar 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa LVV-ja, e vetme, i ka 57 sosh. Të gjitha partitë tjera i kanë më pak se 30 deputetë.

Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin, prej 120 votave në total.

Kurti ka paralajmëruar se të hënën do të diskutojë sërish për këtë çështje me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra garë e hapur, ku secili subjekt e ka kandidatin apo kandidaten për president, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe LVV-ja do ta ketë kandidatin e saj për president”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Ndonëse Hamza i ka bërë ofertë Kurtit që kandidimin ta bëjë partia e tij, ai nuk e ka përmendur ndonjë emër konkret.

Pozita e presidentit në Kosovë është kryesisht ceremoniale – për shkak se vendi është republikë parlamentare – dhe prej një presidenti kërkohet të jetë figurë unifikuese mes partive politike.

Më herët gjatë javës, Arsim Bajrami, ish-ministër i Administratës Publike dhe i Arsimit, ka shprehur gatishmërinë për t’u bërë president.

Njëjtë, gatishmëri ka shprehur javë më parë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, mirëpo partitë tjera nuk i kanë dhënë mbështetje.

Nëse vendi dështon që të finalizojë këtë proces me kohë, atëherë përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare, pa i bërë ende një muaj prej kur u bë me Qeveri të re.

Organizata të shoqërisë civile kanë bërë thirrje që një proces i tillë të shmanget, duke kërkuar që interesi qytetar të vendoset para atij partiak.


Send this to a friend