MIK Festival rikthen në Korçë me surpriza që ndërthurin traditën dhe bashkëkohësinë. Festivali i bën një homazh të veçantë lirikut më të madh të vokalit shqiptar Gaqo Çakos, ku sopranoja Inva Mula do të interpretojë në fund të mbrëmjes me të birin. Edicioni i këtij viti sjell për herë të parë në skenë serenatat e vjetra, të kënduara nga artdashës, që kanë dëshiruar gjithmonë të performojnë, në funksion të misionit për të edukuar breza përmes artit.
Korça do të mirëpresë një nga ngjarjet kulturore të edicionit të 8-të të MIK Festival, nën drejtimin artistik të sopranos me famë ndërkombëtare Inva Mula. Më 11 korrik, në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, do të zhvillohet një koncert-homazh për një prej figurave më të mëdha të vokalit shqiptar, Gaqo Çako, në 90-vjetorin e lindjes së tij. Në konferencën për shtyp të mbajtur pak ditë para nisjes së festivalit, Inva Mula ndau me publikun dhe mediat surprizat që rezervon ky edicion, duke theksuar vlerën e kujtesës artistike, si dhe emocionet personale që mbartin disa nga netët e këtij viti.
Në mbrëmjen e 11 korrikut, do të interpretojnë emra të njohur të skenës shqiptare si Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhielden Dervishi, Tatjana Kora Elmazi dhe artistë të Orkestrës së Forcave të Armatosura, nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço. Homazhi për Gaqo Çakon do të jetë një ndërthurje e elegancës vokale me përkushtimin shpirtëror, duke rikthyer në skenë frymën e një epoke të artë të interpretimit operistik shqiptar. Kulmi emocional i kësaj mbrëmjeje pritet të jetë performanca përmbyllëse, ku vetë Inva Mula do të interpretojë së bashku me të birin, që simbolizon vazhdimësinë e një trashëgimie familjare, por edhe lidhjen intime mes muzikës dhe shpirtit.
Ndërsa një ditë më pas, në Dardhë, balerini i mirënjohur Eno Peçi do të jetë pjesë e koncertit gala “Vienna Style”, një tjetër pikë kulmore e festivalit.
Misioni i MIK Festival mbetet të edukojë breza përmes artit dhe të ruajë trashëgiminë kulturore. Për herë të parë këtë vit, festivali rikthen në skenë serenatat e vjetra të Korçës, të interpretuara nga ata që kanë dashur gjithmonë të jenë pjesë e saj, duke i dhënë zë kujtimeve dhe pasioneve që nuk kanë reshtur kurrë.sn
Komentet