VOAL

VOAL

Risjellje në vemendje: Madeleine Albright rreth librit të saj: Fashizmi, një paralajmërim!

February 1, 2019

Komentet

Rënia e bujqësisë dhe industrisë në Shqipëri rrezikon 54% të të punësuarve në vend në sektorin privat

Industria dhe bujqësia janë dy sektorët që kanë shënuar ecurinë më negative gjatë vitit që sapo lamë pas. INSTAT raporti në të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto se industria në total ra me 0.69% në vitin 2023, në raport me 2022, ndërsa vetëm industria përpunuese u tkurr me 6.12%, më e forta që nga 2012-a. Sektori i industrisë, që po lulëzonte deri në mes të vitit 2022, përmbysi arritjet e një dekade nga zhvlerësimi i euros dhe rënia e kërkesës nga jashtë pas luftës në Ukrainë.

Në territor negativ, për herë të parë që nga viti 1997, ishte dhe bujqësia, që u tkurr me 0.68%. Në 10 vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023. Të dy këta sektorë janë të rëndësishëm në ekonomi, me bujqësinë që kontribuon në gati 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe industrinë në 10%.

Akoma më e rëndësishme është pesha e tyre në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT, në sektorin bujqësor sigurojnë të ardhurat rreth 420 mijë persona. INSTAT i konsideron automatikisht si të vetëpunësuar ata që jetojnë në zonat rurale. Ndërsa industria përpunuese punëson rreth 105 mijë persona. Të dhënat i përkasin vitit 2022.

Teksa në total në sektorin privat (pa përfshirë administratën shtetërore) janë të punësuar gati 970 mijë persona, rreth 524 mijë, ose 54% e tyre sigurojnë të ardhurat nga puna në bujqësi (43%) dhe në industrinë përpunuese (11%). Rënia e këtyre dy sektorëve është një sinjal negativ për perspektivën e tyre të punësimit.

Bujqësia ka hyrë në cikël rënës, e ndikuar nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm, në njërën anë, dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor, sidomos në blegtori. Në vitin 2022 numri i krerëve në blegtori shënoi rënie vjetore me rreth 13%, ndërsa gjatë dekadës krerët u përgjysmuan. Ndonëse jemi vendi më bujqësor në Europë, shumë produkte ushqimore po i marrim nga importi.

Në industrinë përpunuese peshën kryesore në punësim e mbajnë industria e tekstile e këpucëve, që në fund të vitit 2022 kishin gati 50 mijë të punësuar, ose rreth gjysmën e totalit në këtë sektor. Industria e tekstile këpucëve punon me material porositësi dhe për shumë vite me radhë ka pasur si avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore. Rritja e pagës minimale vitet e fundit që arriti në 40 mijë lekë dhe tkurrja e fortë e euros, që këmbehet me 104 lekë, nga rreth 120 lekë dy vjet më parë ka bërë që si përpunuesit e këpucës ashtu dhe të veshjeve të shohin një rënie të fortë të eksporteve. Në 2023-n, ky sektor realizoi shitje prej 126 miliardë lekësh, me rënie prej 6.6% me bazë vjetore. Tendenca rënëse vijoi dhe në dhjetor, me -15.4%.

Kjo situatë ka detyruar shumë prej tyre të shkurtojnë punonjësit, ndërsa fabrikat e vogla po falimentojnë. Shoqata e Eksportuesve njofton përditë mbylljen e kompanive dhe shkurtimin e punonjësve, teksa shumë partnerë po i zhvendosin porositë në vende me kosto më të lira prodhimi, si Tunizi, Marok e Egjipt. Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që kanë udhëhequr rritjen ekonomike vitet e fundit kanë një peshë të ulët në punësim, me përkatësisht 56 mijë dhe 3.4 mijë të punësuar.

Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, që po shohin rritje për shkak të turizmit, kishin gjithsej rreth 54 mijë të punësuar në fund të 2022-t, megjithëse në këtë sektor informaliteti është i lartë. Krahas industrisë dhe bujqësisë, dy punëdhënësit e tjerë të mëdhenj në vend janë tregtia me 136 mijë të punësuar (14% e totalit) dhe shërbimet (12% e totalit), por dhe këtu pjesa më e madhe janë të vetëpunësuar, me aktivitetin e tyre që është i varur ndjeshëm nga ecuria e konsumit. Emigracioni i lartë i viteve të fundit po shkakton rënie të konsumit, duke shtuar vështirësitë për mikrobizneset.

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

/Monitor

Raporti për Kosovën para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë për raportin për anëtarësimin apo jo të Kosovës në këtë organizatë sot gjatë një seance plenare në Strasburg.

Fjala është për miratimin e një mendimi pozitiv apo jo për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, një organizatë e cila kryesisht merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Raporti u përpilua nga deputetja greke, Dora Bakoyannis, dhe drafti i këtij raporti ishte miratuar në mars nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate.

Për t’u miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare.

Një ditë para votimit në Strasburg ka pasur konsultime të shumta për të parë se si është disponimi. Ka pasur takime mes delegacioneve të partive politike, ndërsa delegacionet nga Serbia dhe nga Kosova kanë bërë përpjekjet e fundit për t’i bindur deputetët që në numër sa më të madh të votojnë në favor të tyre. Në rastin e Kosovës të miratojnë opinionin pozitiv për anëtarësim, ndërsa në rastin e Serbisë të votojnë kundër.

Nga Kosova në selinë e Këshillit të Evropës ndodhet një delegacion i Kuvendit të Kosovës, ndërsa takime në nivele të ndryshme ka mbajtur edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Përshtypja e delegatëve të disa vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, është se do të mund të sigurohen votat e favorshme për Kosovën në këtë seancë.

Por, ata kanë vërejtur se në momentin e fundit ka pasur lëvizja nga disa vende anëtare të cilat e njohin Kosovën si shtet, por nuk janë të sigurta në mbështetjen e tyre për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në këtë moment.

Do të jetë sfidë edhe të sigurohet prania e numrit të mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar kuorumin e nevojshëm. Për këtë duhet të jenë të pranishëm së paku një e treta e anëtarëve të përgjithshëm të Asamblesë. Ndërsa, nevojitet dy e tretat e votave të të pranishmëve që raporti për Kosovën të kalojë.

Përmendet edhe mundësia që një numër i caktuar i deputetëve të mos marrin pjesë fare në seancë, në mënyrë që të mos shihen duke votuar as në favor e as kundër.

Nëse Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës të martën, atëherë çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht për të pranuar apo jo Kosovën si anëtaren më të re të organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.

Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.

Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sa i përket raportit, për të cilin do të votohet të martën, në të themelimi i Asociacionit përmendet si kusht pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por, mësohet se delegacioni i Italisë ka propozuar një amendament në këtë raport, duke kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin para anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Deri në momentin e fundit do të jetë e paqartë se si do të shkojnë votat dhe në cilën formë do të miratohet teksti.

Debati për Kosovën dhe votimi pritet të zhvillohet pasditen e së martës në Strasburg. Radio Evropa e Lirë

Zelenskyy thirrje aleatëve të dëshmojnë për Ukrainën të njëjtin unitet që treguan për Izraelin

VOA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri të hënën thirrje aleatëve që të shfaqin të njëjtin “unitet” ndaj Ukrainës siç bënë ndaj Izraelit kur penguan sulmet ajrore iraniane ndaj Izraelit gjatë fundjavës.
“Duke mbrojtur Izraelin, bota e lirë ka treguar se një unitet i tillë jo vetëm që është i mundur, por është 100 për qind efektiv”, tha Presidenti Zelenskyy.

Në një postim në rrjetin Telegram, Presidenti Zelenskyy falenderoi aleatët që kishin dërguar më shumë ndihmë për mbrojtjen ajrore ukrainase , por tha se “intensiteti i sulmeve ruse kërkon unitet më të madh“, të njëjtë si ajo që treguan për mbrojtjen e Izraelit.

“E njëjta gjë është e mundur për mbrojtjen e Ukrainës nga terrori, e cila, si Izraeli, nuk është anëtare e NATO-s”, vazhdoi ai.

Ai bëri thirrje që aleatët e Ukrainës të dëshmojnë më shumë “vullnet politik”, pasi Ukrainës po i mbarojnë municionet dhe ka dëshpërimisht nevojë për më shumë mbrojtje ajrore për të zmbrapsur sulmet ruse.

Presidenti Zelenskyy lëshoi thirrjen e tij të fundit për ndihmën e aleatëve, duke thënë se Rusia po shkakton “dëme të konsiderueshme” çdo ditë.

Paketa e ndihmës amerikane

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, pritet të vendosë këtë javë se si do të veprojë me projektligjin me fondet shtesë prej 95 miliardë dollarësh të Presidentit Joe Biden, e cila përfshin 60 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë për Izraelin.

Projektligji parashikon mbështetje partnerët në rajonin e Indo-Paqësorit si dhe ndihmë për kufirin SHBA-Meksikë. Paketa u miratua nga Senati, por është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë Reuters, The Associated Press dhe Agence France-Presse.

Begaj dhe Osmani deklaratë të përbashkët, Presidentja e Kosovës: Liderët shqiptarë do sigurohen që të kemi mbështetjen e nevojshme në KiE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një konferencë për shtyp së bashku me homologun e saj, Presidentin e Republikës Bajram Begaj nga Prishtina.

Nga atje Osmani u shpreh se Kosova është e bekuar të ketë mbështetjen e Shqipërisë në të gjithë procesin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ajo theksoi se në këto momente ligjvënësit nga Shqipëria dhe Kosova po lobojnë te homologët e tyre me shpresën se nesër Kosova do të jetë e suksesshme kur Asambleja Parlamentare e KiE të shqyrtojë një raport që rekomandon anëtarësimin e vendit.

Osmani theksoi se së bashku me Presidentin Begaj, por edhe me kryeministrin Edi Rama dhe gjithë liderët shqiptarë do sigurohen që Kosova të ketë mbështetjen e nevojshme në KiE.

“Kosova po përballet me një sfidë të re, që është anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Jemi të bekuar që kemi pasur mbështetjen e Shqipërisë në gjithë procesin. Teksa ne flasim deptuetët e Kosovës dhe Shqipërisë po lobojnë fuqishëm te homologët e tyre, dhe me shpresën se nesër do të jemi të suksesshëm në këtë votim, së bashku me Presidentin Begaj, kryeministrin Rama dhe gjithë liderët shqiptarë do të vazhdojmë të sigurohemi që Kosova ta ketë mbështetjen e nevojshme në Këshillin e Evropës. Synimi ynë është integrimi i plotë në të gjitha strukturat euroatlantike, dhe ne do të ndjekim shembullin e vendosur nga Shqipëria. Kjo është rruga e vetme për ne, asnjëherë nuk kemi pasur tjetër alternativë”, u shpreh ai.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës mblidhet pas sulmit të Iranit kundër Izraelit

Këshilli i Sigurisë i Kosovës mbajti një takim, të dielën vonë, pas një sulmi të paparë me dronë e me raketa që Irani kreu kundër Izraelit, gjatë fundjavës. Në takim u diskutuan edhe “implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale”, njoftoi të hënën zyra e kryeministrit Albin Kurti.

“Mijëra dronë të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaq sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë”, tha zyra e Kurtit në një njoftim, duke iu referuar dronëve Shahed-136 dhe Shahed-131, me të cilët Irani e sulmoi Izraelin.

Në përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në disa raste ka mohuar se ushtria serbe ka në pronësi dronët Shahed, apo se ka pasur negociata me Iranin për blerjen e dronëve.

Megjithatë, Serbia është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli dhe nga Uashingtoni për blerjen e armëve dhe të pajisjeve ushtarake nga Rusia dhe nga Kina.

Më 2023, një hulumtim i Institutit për Shkencën dhe Sigurinë Ndërkombëtare tregoi se Rusia po ndërton një fabrikë për prodhimin masiv të dronëve kamikazë, të projektuar nga Irani, për përdorim ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Në Serbi, së fundmi është prezantuar një sistem për mbrojtje ndaj dronëve, i quajtur Repellent, i blerë para pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga ana e Rusisë. Po ashtu, Serbia është vendi i vetëm evropian i cili ka importuar nga Kina pajisje të aviacionit kinez, siç janë dronët CH-95 dhe sistemi i mbrojtjes kundërajrore FK-3.

Çmimet e armatimit të blerë nga Rusia dhe nga Kina mbahen të fshehta.

Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm (SIPRI), Serbia investon më së shumti në armë dhe ushtri në Ballkanin Perëndimor.

Nga viti 2018 deri në vitin 2022, ajo ka ndarë më shumë se 1.4 miliard dollarë për këtë qëllim.

Kosova e ka akuzuar Serbinë disa herë prej shtatorit të vitit të kaluar për sjellje agresive përmes dërgimit të ushtrisë në afërsi të kufirit me të.

Në mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën” dhe publikoi, siç pretendoi, pamje të tyre. Serbia i mohoi pretendimet e tij.

Ditë më parë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, kërkoi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), që të trajtojë me seriozitet vendosjen e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përshkallëzuan në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin verior kosovar, Banjskë, duke e vrarë një rreshter policor.

Tre sulmues serbë u vranë nga shkëmbimi i zjarrit më vonë.

Kosova e ka fajësuar Serbinë se ka gisht në këtë sulm dhe se u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës, por kjo është mohuar nga Beogradi zyrtar.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit.Radio Evropa e Lirë

Ukraina kërkon më shumë sisteme Patriot

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, sërish u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Kievit që në mënyrë “urgjente” t’i dërgojë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, armë dhe municione, teksa Rusia po vazhdon të sulmojë civilët dhe shkatërrojë infrastrukturën kyçe.

Katër persona u vranë në Siversk në Donjeck, tha kreu i administratës rajonale, Vadym Filashkin.

“Katër burra nga mosha midis 36 dhe 86 vjeç vdiqën si pasojë e grantimeve. Rusët po tentojnë të vrasin sa më shumë njerëz që mundin dhe mënyra e vetme për të mbrojtur veten është të evakuohen në rajone më të sigurta të Ukrainës”, tha ai.

Kuleba, gjatë një video-adresimi në Konferencën për Siguri në Detin e Zi – që organizohet nga Ukraina dhe Bullgaria – në Sofje, tha se mbrojtja ajrore e Ukrainës është kritike për të mbrojtur edhe fqinjët e Kievit, duke bërë thirrje për përshpejtim të furnizimeve për forcat ukrainase me sisteme të mbrojtjes, sikurse sistemi Patriot, i prodhuar në Shtetet e Bashkuara.

“Mbrojtja ajrore ukrainase tani po mbron jo vetëm qiellin ukrainas nga terrori ajror rus, por është mburojë edhe e fqinjeve, Moldavisë, Rumanisë dhe Polonisë nga kërcënimi që raketat dhe dronët të hyjnë në hapësirat e tyre ajrore”, tha Kuleba.

“Në mënyrë urgjente ne kërkojmë sisteme shtesë Patriot dhe sisteme të tjera moderne ajrore, armë dhe municion. E shfrytëzoj këtë rast që edhe një herë t’iu bëjë thirrje të gjithë parnerëve tanë që të ndërmarrin hapa të rëndësishëm”, shtoi kryediplomati ukrainas.

Më 14 prill, Kuleba tha për televizionin ukrainas se po zhvillohen negociata për dërgesat e më shumë sistemeve Patriot, por u shpreh i zhgënjyer pasi argumentoi se ky proces ishte shumë i ngadalshëm, teksa shteti i tij po përballet me pushtimin e paprovokuar që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022. REL

Vjosa Osmani: Lufta për drejtësi për gratë është mision i jetës

Në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se duhet angazhuar për të mos hequr dorë në luftën për drejtësi, duke shtuar se ky angazhim është mision i jetës.

Osmani ka deklaruar të hënën se lufta për drejtësi për gratë s’është punë e vetëm një misioni apo forumi.

“Të angazhohemi për atë, s’është vetëm punë e një forumi e as e një misioni a një mandati, por bëhet mision i jetës. Jemi bërë bashkë për dhunën që flitet për konfliktet, gratë e vajzat preken më së shumti. Ndërsa jemi bërë bashkë për t’i diskutuar këto çështje, ndjej inspirim të thellë nga gratë e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj, gratë në Kosovë kanë mbijetuar në kohët më të dhimbshme.

“Rrugëtimi i tyre nuk ka qenë i lehtë”, ka shtuar ajo.

“Kosova qëndron si kampione e kësaj agjende, përfshirja qëndron si gur themeltar, si përpjekje nga dita e parë…Dua të shpreh mirënjohje për partnerët tanë, institucione tona, që ta bëjnë këtë forum të suksesshëm…Në një kohë kur konfliktet vazhdojnë, agjenda për gruan, paqen dhe sigurinë është më e rëndësishme se kurrë”, ka thënë Osmani.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mbledh në Prishtinë pjesëmarrës nga mbi 40 shtete

Edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbahet të hënën dhe të martën në Prishtinë, në kohën kur paqja dhe siguria sulmohen në pjesë të ndryshme të botës, ku gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Ky edicion bëhet e ditur do të mirëpresë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete botërore me rreth një mijë pjesëmarrës.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Forumi WPS 2024 sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në agjendën e WPS gjatë kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë e kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.

Bëhet e ditur se ky edicion i forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike.

Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej agjendën e WPS.

“Si iniciativë e presidentes Osmani, ky forum përfaqëson një nga angazhimet në anën e institucioneve të Kosovës për Samitin për Demokraci dhe do të shërbejë për shkëmbimin e praktikave më të mira, si dhe për zhvillimin e strategjive dhe hartimin e kornizave të reja veprimi në vazhdën e një arkitekture gjithnjë në ndryshim të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe përtej”, thuhet në njoftim. sn

Durrësi, qyteti më i nxehtë i Ballkanit, alarmante situata e betonizimit

Qendrat e mëdha urbane të rajonit të Ballkanit do të përjetojnë valë më të mëdha të të nxehtit se zonat rreth tyre.

Banka Botërore, në raportin rajonal për Ballkanin Perëndimor, vuri në dukje, se valët e të nxehtit pritet të rriten shpejt në dekadat në vijim.

Ndërmjet viteve 1990 dhe 2040, Durrësi do të ketë rritjen më të lartë në indeksin i madhësisë së valës së nxehtësisë midis një kampioni qytetesh të mëdha në rajon.

Pas Durrësit, temperaturat do të rriten më shpejt në qytetet Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë, Tiranë dhe Shkup.

Numri i valëve të të nxehtit në botë pritet të rritet me 4% në krahasim me verën mesatare, por temperatura në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor parashikohet të rritet deri në 7,5°C krahasuar me nivelet para-industriale.

Banka Botërore raporton se valët e të nxehtit kanë implikime për shëndetin publik dhe mirëqenien socio-ekonomike dhe kanë ndikim negativ në produktivitetin e punës në të gjithë sektorët, sidomos bujqësi dhe ndërtim.

Qytetet e Ballkanit Perëndimor vuajnë gjithashtu nga ‘pabarazia termike’. Në disa lagje banorët janë të ekspozuar ndaj temperaturave më të larta se 5°C sesa banorët e lagjet më të gjelbëruara.

Banka ndërmori një fushatë inovative për matjen e nxehtësisë në gusht 2024 dhe zbuloi ndryshime të habitshme në temperaturat e ajrit afër tokës të përjetuara nga banorë të qyteteve të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Vullnetarët e komunitetit lokal vendosën sensorë të temperaturës dhe lagështisë në automjetet e tyre dhe udhëtuan nëpër qytetet e tyre për të mbledhur mijëra matje të temperaturave, të cilat u përdorën për të krijuar hartat e ngrohjes.

Në Sarajevë, një ndryshim i temperaturës prej 7.4°C u vërejt në lagje të ndryshme, ndërsa në Mostar, pabarazia e temperaturës arriti në 8.2°C. Matjet në qytetet shqiptare kanë treguar se në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, pabarazitë e temperaturës arrijnë në intervalin 4-6°C.

Stresi i nxehtësisë u tregua sistematikisht më i lartë në lagjet me densitet të lartë të sipërfaqeve të ndërtuara, si trotuaret e asfaltit dhe një incidencë e ulët e barit, shkurreve dhe mbulesave të pemëve.

Banka sugjeroi se qytetet duhet të ulin emetimet e tyre, jo vetëm sepse kjo është e mirë për planetin, por edhe sepse kjo do të ketë përmirësim të menjëhershëm mbi rezultatet mjedisore dhe socio-ekonomike dhe mjedisore. Fokusi duhet të jetë në sektorët kyç duke përfshirë transportin, ndërtesat dhe trajtimin e mbetjeve./ MONITOR

Zoti e bekoftë shqiptarin e madh të shekullit Sami Repishtin e familjen e tij!- Nga BESIM NDREGJONI*

Zoti e bekofte shqiptarin e madh te shekullit Sami Repishtin e familjen e tij!
Fort i nderçem Prof. Repishti!
Në 99-vjetorin e lindjes tuaj Prof. Sami Repishtit, gjej rastin që ta përsëris se sa me fat kemi qenë si komunitet ne te mbijetuarit e diktatures që e kemi pasur dhe e kemi në mesin tonë. Ikonen e qendreses antikomuniste, bashkevuajtsin dhe te mbijetuarin e diktatures, shkrimtarin, publicistin, mbrojtsin e palodhur te Kosoves martire bashkepunuesin dhe mikun e idealeve Dr. Ibrahim Rugoves!
99 vjetori i juaj na gezon se lutjet tona per pranine tende ne dy shekuj Zoti na i ka pranuar.
Pena juaj u be pishtar ndriçimi per genocidin komunist ne Shqiperi, u be drite per shqiptaret e Kosoves te fitonin lirine. Zeri i juaj ushtoi ne Kongresin amerikan ne mbrojte te shqiptarve ne Ballkan.
Personaliteti i juaj atdhetar e kombdashes e nderoi Shkodren loce qe te rriti e te edukoi.
Në vend të urimit, ne bashkevuajtsit tuaj ndjehemi krenar e te falenderojme per  kontributin e madh që ka dhënë për kombin shqiptar, për 6000 te zhdukurit e komunizmit, per 36.000 te burgosurit politike  për shqiptaret në SHBA, për të drejtat e lirite e njeriut kudo.
 Te urojme  edhe shëndet e jetë të gjatë o shqiptar i madh qe lartsove emrin e Nanes Shqipni!
I lutemi te madhit Zot qe  ta festojmë së bashku 100-vjetorin e lindjes.
Zoti e bekofte shqiptarin e madh te shekullit Sami Repishtin e familjen e tije!
Besim Ndregjoni

President i Unionit Mbarkombetar Integrimt te Burgosurve e te Permdjekurve Politike te Shqiperise!

Banka Botërore: Tirana dhe qytetet e mëdha shqiptare, në vendet e fundit të renditjes për gjelbërimin në rajon

Teksa qytetet e mëdha të rajonit kanë bërë hapa para me shtimin e hapësirave të gjelbra ndërmjet vitit 2015 – 2020, qytetet shqiptare kanë një intensitet të ulët gjelbërimi në raport me ato të rajonit dhe kanë bërë hapa pas në vend që të përparojnë, vë në dukje Banka Botërore, në Raportin e fundit Rajonal që u publikua dje “Rritje gjallëruese”.

“Sipërfaqja e përgjithshme e gjelbër është përmirësuar në Ballkanin Perëndimor, edhe pse në disa qytete pësoi rënie midis 2015 dhe 2020.

Qytetet e mëdha të rajonit, si Beogradi (Serbi), Shkupi (Maqedonia e Veriut), Sarajeva (BiH) dhe Prishtina (Kosovë), dëshmuan rritje të sipërfaqes së mbulesës së gjelbër midis 2015 dhe 2020, ndërsa Tirana (Shqipëri), Tetova (Maqedoni e Veriut) dhe Prizreni (Kosovë), pësuan rënie te sipërfaqes së përgjithshme të gjelbër ndërmjet 2015-2020” referoi Banka Botërore (shiko Western Balkans – Regular Economic Report No.25 | Spring 2024 – Invigorating Growth)

Banka vë në dukje se ndryshimet në sipërfaqen e gjelbër lidhen me ndryshimet në përdorimin e tokës, por edhe nga ndryshimet në përqendrimin e CO2.

Kjo është për shkak se një klimë në ndryshim është e lidhur me një rritje e faktorëve stresues që dëmtojnë elasticitetin e bimëve, duke prishur pyjet dhe ekosistemet.

Siç shihet edhe nga grafiku i mëposhtëm, qytetet shqiptare janë më pak të gjelbëruarat në rajon. P.sh. qyteti i Fierit ka nivelin më të ulët të gjelbërimit në rajon me vetëm 2% të sipërfaqes së gjelbëruar, duke mos bërë asnjë përmirësim.

Pas Fierit, katër qytetet e tjera shqiptare si Saranda, Gjirokastra, Korça dhe Durrësi kanë nivelin më të ulët të gjelbërimit në rajon.

Nga kryeqytetet më të gjelbëruarit në rajon janë Sarajeva dhe Beogradi.

Banka Botërore vuri në dukje se qytetet e mëdha të Ballkanit vuajnë nga ndotja. Koha mesatare e udhëtimit zakonisht është e ndërlikuar nga mungesa e shërbimeve të aksesueshme të transitit publik.

Banka vë në dukje se ndryshimi i klimës është rritur në Rajonin e Ballkanit dhe qytetet janë ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta natyrore, nxehtësia ekstreme dhe cilësia e dobët e ajrit.

Qytetet me përkeqësimin më të madh janë Tirana, Shkodra, Vlora, Mostari, Sarajeva dhe Shkupi ku temperaturat janë 4,5–7,5°C më të larta se në verë krahasuar me rrethinat e tyre rurale.

Shumë qytete në rajon e kalojnë PM2.5, nivele dhe janë ndër më të ndoturit në Europë. Nivelet mesatare vjetore të PM2.5 të Shkupit janë 4.5 herë dhe nivelet e Sarajevës janë trefishuar.

Banka Botërore thekson se, është vendimtare për të reduktuar shtrirjen urbane dhe për t’i bërë qytetet më shumë kompakte. Kjo mund të bëhet me investime për të rigjeneruar zonat urbane

Së dyti, qytetet gjithashtu duhet të ulin emetimet e tyre, sepse kjo do të ketë përmirësim të menjëhershëm mbi rezultatet socio-ekonomike dhe mjedisore.

Së treti, qytetet duhet të ndërmarrin veprime për të reduktuar nxehtësinë ekstreme urbane. Masat, të tilla si çatitë e gjelbra, parqet urbane dhe kopshtet, dhe ligatinat e ndërtuara duhet të promovohen duke pasur parasysh kostot e tyre të ulëta të zbatimit dhe nga ana tjetër përfitimet e lartë mjedisore dhe sociale./Monitor

Capture

UGSHPD: VELIAJ ME DOSJEN E RE  “5D” TË KORRUPSIONIT NË SPAK

 

Më 28 Mars SPAK mori nën arrest dhe me detyrim për paraqitje 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës duke e quajtur dosja “5D”. Ata janë rrethi i ngushtë ose më të besuarit e Kryetarit Erion Veliaj të cilët po hetohen për korrupsion (nënkuptoni përvetësime, përfitime dhe influencë zgjedhore), përmes lëvrimit të disa projekteve milionëshe të pushtetit vendor në një zinxhir sipërmarrjesh private me paratë publike ku në krye të listës renditet Inceneratori i Tiranës. Në kohën kur të respektosh demokracinë dhe ku kuptohet se zyrtarët e zgjedhur veç transparencës duhet t’i shprehin publikut thellësisht qëndrimet dhe të ballafaqohen me performancën brenda të zgjedhurve të Këshillit Bashkiak, më e rëndësishmja është kostoja dhe përgjegjësitë politike e morale pa e infektuar shërbimin e përditshëm të administratës publike për shtetasit. Kjo me Bashkinë e Tiranës prej disa vitesh nuk ka ndodhur, dhe madje që pas zgjedhjeve të 14 Majit 2023 kryeqyteti që ka 27 njësi drejtohet nga një kryetar jo që qeveris  administratën vendore, por si kreu i një organizate që ka rekrutuar mes 1700 punonjësve, më profesionistë të skemave të përfitimit dhe grabitjes së fondeve publike.

Në cilat prej këtyre çështjeve qëndron integriteti dhe besueshmëria e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj?

Ky “kryetar” është zor të kapet sepse ai preferoi mbrojtjen politike bashkë me shëndetësimin pas ndërhyrjes kirurgjikale. Veliaj i rikrijoi besimin vetes që të propagandojë me nxënës të ekselencës të një shkolle të mesme të kryeqytetit dhe ditë pas dite vijoi agjendën lokale propagandistike, u mbulua nga media për ngritjen e një imazhi deri sa në një mbrëmje gjatë një studio televizive kërkoi disa herë mundësinë për t’u  dëgjuar për shkak të sakrificës shëndetësore dhe të mos ngacmohej ritmikisht me pyetje (“nuk ja dal dot me fuqinë fizike dhe se penjtë e plagës do t’i hiqte të nesërmen”). Pra edhe i qepur, Veliaj njihet se rrëshqet dhe njëkohësisht e zotëron artin e mashtrimit sepse ai në çdo dalje publike ashtu sikurse edhe me të vetët, përgjigjet që i kërkohen të drejtpërdrejta i adreson në disa mënyra; 1-duke mohuar, 2- duke bërë të paditurin, 3-duke luajtur viktimën politike dhe më shumë se këto 4- duke krahasuar numrin e shumë punëve e mira në raport me ato punë të tjera që janë gjetur me “pak gabime” dhe 5- jemi e vetmja forcë që mund të na besohet kur zgjedhësit na krahasojnë me kundërshtarin. 

Këto të gjitha janë shmangiet nga pyetja e drejtpërdrejtë logjike se cilët janë këta anëtarë të skuadrës, pra bashkëpunëtorët e tij të ngushtë janë sot janë vënë përpara drejtësisë për miliona euro dëm ekonomik? 

Në kronologjinë e ngjarjeve pra me 28 Mars, 2024 kur SPAK merr nën arrest dhe me detyrim për paraqitje 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës të quajtur dosja “5D”, një ditë më pas Erion Veliaj thyen akullin dhe del në Asamblenë e PS të Tiranës. Këto lëvizje janë lehtësisht të monitorueshme mediatikisht sepse përbëjnë tashmë fakte, janë qëndrime dhe deklarata nga një figurë publike, zyrtar i zgjedhur dhe politikan karriere që duhet të përballet me sfida të rëndësishme njerëzore dhe morale pa arritur ende tek pozicioni i administrimit të financave të qeverisjes. Për këtë arsye Veliaj ka nevojë për një kalendar faktik mbi detyrat dhe përgjegjësitë.

Dita e parë pas veprimit të SPAK-ut, mediat pranë dhe pro qeverisë dhanë asnjë lajm. Madje të nesërmen Veliaj i “pa shqetësuar” nga ndodhitë brenda organizatës, tubon mes mbështetësve dhe militantëve të Rilindjes Socialiste dhe jep deklaratën e sigurt përpara Asamblesë së PS Tiranë se si fitohen zgjedhjet e vitit 2025. Aty, ai nuk është i vetëm, por përkrahet nga funksionarë të lartë partiak, të qeverisë dhe Kuvendit, një mbulesë politike e nevojshme. Duhet veçuar në këtë rast se në këtë Asamble mori pjesë edhe sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi i cili e lartësoi Tiranën e Erion Velisë dhe u shpreh tha se kjo është një nga strukturat që prodhoi më shumë volum pune gjatë fazës së dytë të rienergjizimit politik: “… fazën e dytë, në të gjithë Shqipërinë ne ia dolëm që të anëtarësonim në strukturat e Partisë Socialiste plot 29,255 anëtarë të rinj, duke shënuar një përmirësim strukturor të të gjithë strukturës partiake në çdo qelizë të Partisë Socialiste”, ose për t’i shkuar deri në fund qëllimit duhet të cilësohet se PS synon me shpejtësi anëtarësimin e 50,ooo shqiptarëve nga të gjitha rrethet e vendit deri në çeljen e fushatës. 

Nga ky këndvështrim publiku dhe opozita përballë kësaj gjendjeje duhet të marrin urgjentisht masat e kundërpërgjigjes ndërgjegjësuese pasi ky numër prej 50 mijë anëtarësh të rinj ka një të panjohur të madhe ende të pa zgjidhur. Rilindja Socialiste ka drejtuar një thirrje rekrutuese që ne ende nuk e gjejmë dot arsyen, por qëllimi i fshehtësisë nuk është më një rastësi, por strategji e lexuar. E parë me syrin e zhvillimeve që priten, ky numër 50 mijë anëtarë të rinj, mund të konsiderohet edhe si një bonus i artë zgjedhor. Është një numër magjik që siguron një fitore të pastër nga ana e pozitës duke ua mbyllur gojën kundërshtarëve brenda vendit dhe opinionit ndërkombëtar me faktin se zgjedhjet fitohen ndershëm me rezultat bindës dhe pa makinacione. Rilindja Socialiste po blen kështu kohë deri në mbajtjen e Kongresit Socialist të shpallur në muajin Qershor ku pas spastrimeve të nevojshme që do të ndodhin dhe sipas të gjitha përllogaritjeve, elita e korrupsionit do të forcojë pozitat brenda kësaj force politike duke  kërkuar mandatin e katërt dhe duke propaganduar edhe njëherë një zotim politik që kjo elitë udhëheq bazën  rilindase dhe Shqipërinë. Në këtë kuptim nuk ka pse heshtja me Census-in dhe shtyrja e rezultatit të dhënave të jetë lënë si pa u programuar për muajin Qershor. Ushqimi me statistika dhe arritjet e Kongreseve janë rienergjizimi i gjithë ideologjisë puniste që Rilindja është përshtatur në për ta mbytur një sistem të ekonomisë së tregut të lirë dhe të demokracisë . Këto forma dhe konceptime moniste ka kohë që po e gërryejnë shoqërinë shqiptare dhe duke goditur njëkohësisht në opinion opozitën me këto mjete, PS po përpiqet të ndërtojë momentin kulmor dhe avantazhin për votat do të numërohen në zgjedhjet e ardhshme. Pra atë që fitorja me anë të zgjedhjeve të lira do të legjitimojnë një mandat të katërt të Rilindjes edhe në sy të ndërkombëtarëve, por nga qeverisja e dalë populli do të jetë  humbësi i madh përballë një regjimi të korruptuar të drejtuar prej partisë-shtet që ka për të instaluar një regjim tërësisht autoritar.

Dita e dytë, e tretë dhe e katërt dhe të tjera më pas veprimit të SPAK-ut, janë jo thjeshtë zhurma e marrjes nën arrest dhe me detyrim për paraqitje të 9 lojtarëve të skuadrës së Velisë, por ato tregojnë edhe për një veprim të pjesshëm të drejtësisë megjithëse kryebashkiaku është shprehur disa herë me zell “se do të bashkëpunojë me drejtësinë dhe nuk ka ndërmend të largohet jashtë vendit”. Pikërisht për këtë qëndrim ai mori menjëherë “garancinë” e kryeministrit dhe njëkohësisht të kryetarit të partisë Edvin Rama se Erion Veliaj ndodhet në rrugë të drejtë dhe gjendet në pozita të pafajshme. 

Por për dëmin financiar disa vjeçar që bashkia ka kush mban përgjegjësi? 

Dita e dhjetë pas veprimit të SPAK-ut, marrjes nën arrest dhe me detyrim për paraqitje të 9 lojtarëve të skuadrës së Velisë është vetëndjerja se “çështjet janë sheshuar” dhe kreu i bashkisë pasi mbjell fidanë gjendet edhe pranë shtresave në nevojë me paturpësinë më të madhe në një kohë kur i ka mbyllur dyert Këshillit Bashkiak dhe nuk ndjen detyrimin më të vogël për t’u ballafaquar dhe të dialogojë me forcat e tjera politike pikërisht nga ku kjo administratë jep llogari dhe tregon transparencë për qytetarët. Kryeqyteti 1 milionësh po shkatërrohet nga shtrenjtësia dhe taksat duke mos ju ofruar shërbimet më minimale. Pluhuri, plehrat, uji dritat dhe rrugët sa herë vërshojnë shirat nuk janë ato që do ta bënin Tiranën të lakmueshme për turizmin ndërkombëtar pasi nuk janë banorët dhe popullsia vendase ajo që fiton. Fiton propaganda e Rilindjes që gllabëron ç’të mundet duke e kthyer në financim të pushtetit, pasurimit personal dhe propagandës. Pikërisht në këtë luks propagande dhe shpenzimesh ku kryeqyteti nuk ka lënë emërtim dhe etiketë të re pa marrë, çifti bashkiak Rama-Veliaj rrëmbejnë përmes propagandës dhe në interes të fasadës së ndryshimit dhe turizmit punën e disa vjeçare të  fotografisë nga ajri. “Tirana from Air” është një produkt dokumentar dhe artistik i ndryshimeve që ka pësuar kryeqyteti, por mbi të pushteti i Ramës dhe Velisë shohin hapësirën për reklamë “të punës” për Rilindjen Socialiste duke shrytëzuar gjithë Shqipërinë. Pakënaqësia qytetare e mbështetur në të drejtën e protestës janë mjeti që i kujton pushtetit standardet demokratike të drejtësisë dhe barazisë përpara ligjit. Minimalisht në këto kushte për zemërimin qytetar rruga më e pranueshme është  dorëheqja dinjitoze dhe me letra të hapura para drejtësisë. Kjo e fundit, pra dorëheqja e cila njihet pak në politikën shqiptare ka mundësi të mos zgjasë për arsyen e vetme sepse ky aplikim në pushtetin vendor të një qyteti që strehon më shumë se 1/3 e popullsisë do të ishte një goditje vendimtare për qeverinë Rama. Çdo përllogaritje lëvizjesh dhe forcash brenda Partisë Socialiste për ta mbajtur pushtetin jashtë nivelit të korrupsionit është e pamundshme. Kjo situatë do të zvarritet deri në zgjedhjet më të afërta qofshin këto edhe të parakohëshme.

Dita e njëmbëdhjetë pas veprimit të SPAK-ut, marrjes nën arrest dhe me detyrim për paraqitje të 9 lojtarëve të skuadrës së Velisë ndeshet me protestën qytetare. Ajo është rritur dhe vazhdon presionin e qëndresës së Këshilltarëve Bashkiak të cilët prej gati dy javësh nuk dëgjohen në kuvendin e bashkisë. Protesta qytetare duhet të vazhdojë dhe të mbështetet paqësisht pasi shtrembërimi i saj me mjete dhune favorizon pushtetin dhe propagandën e tij. Vetëm atëherë se kur qeveria do t’i tregojë shtetasve se sa qindra milionë lekë janë shpërdoruar nga buxheti i shtetit dhe nga taksat e qytetarëve nga krimi i organizuar ekonomik, shqiptarët do të kuptojë se thirrjet “duam paratë tona!” të Shqipërisë së varfër në kohën e firmave piramidale janë një pikë uji në raport me skemat e përfitimit që ka instaluar elita e Rilindjes Socialiste në këto 10-11 vite qeverisje plot korrupsion.

Kjo situatë e vështirë përmes fakteve po tregon se Bashkia Tiranë është kolona e thyer e qeverisë së kryeministrit Rama. Sistemit të Drejtësisë i duhet shumë punë për të bërë përmes ligjit për të mbrojtur rendin kushtetues dhe demokracinë në Shqipëri.

11 Prill, 2024

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Parlamenti ukrainas miraton ligjin: Kievi synon të rekrutojë gjysmë milioni ushtarë brenda vitit

Pas një procesi kompleks, deputetët miratuan ligjin me të cilin Kievi synon të rekrutojë gjysmë milioni ushtarë brenda vitit. Përjashtohet ngrirja e llogarive bankare për ata që ikin

VOAL- Verkhovna Rada, Parlamenti i Ukrainës, miratoi projektligjin për mobilizimin në leximin e dytë. Deputetët që votuan pro vendimit në fjalë ishin 283. Ligji synon objektivin ambicioz për 500 mijë rekrutime gjatë vitit. Procesi i tij në fakt ishte i diskutueshëm dhe ndezi një debat të gjerë.

Me një amendament ad hoc, u përjashtua nga ligji çmobilizimi i ushtarëve pas 36 muajsh shërbimi, masë që kishte shkaktuar protesta të forta. Vendimi u mbështet nga 227 deputetë.

Amendamenti shtrëngon kryesisht rregullat për regjistrimin e personave të kualifikuar për shërbimin ushtarak. Duke filluar nga hyrja në fuqi, të gjithë meshkujt e moshës 18 deri në 60 vjeç, të kualifikuar për shërbimin ushtarak, janë të detyruar të mbajnë pasaportën e shërbimit ushtarak gjatë periudhës së gjendjes ushtarake. Gjithashtu, ata duhet të përditësojnë edhe të dhënat e tyre personale brenda dy muajve, në të kundërt mund të gjobiten.

Për më tepër, në të ardhmen dokumentet e reja ukrainase të udhëtimit jashtë vendit do të lëshohen vetëm për dokumentet ekzistuese ushtarake. Megjithatë, këto do të jenë të disponueshme vetëm pas kthimit në Ukrainë. Krahas gjobave për ata që shpërfillin thirrjet dhe njoftimet për shërbimin ushtarak, me legjislacionin e miratuar do të rrezikohet edhe heqja e lejes së drejtimit, me disa përjashtime. Megjithatë, propozimet për ngrirjen e llogarive rrjedhëse u anuluan.

Gjatë pushtimit rus, i cili ka zgjatur për më shumë se dy vjet, forcat e armatosura të Ukrainës kanë pasur gjithnjë e më shumë probleme për të kompensuar humbjet me ushtarë të rinj. Presidenti Volodymyr Zelensky kohët e fundit nxori një ligj që ul moshën e rezervistëve nga 27 në 25. Kjo do të thotë se burrat nga mosha 25 deri në 60 vjeç mund të thirren për shërbimin ushtarak. Gratë mund të dalin vullnetare për t’u regjistruar në Ukrainë.

Ushtria, Garda Kombëtare dhe Garda Kufitare kanë së bashku më shumë se një milion burra dhe gra nën armë. Potenciali i mbetur i mobilizimit u vlerësua në rreth pesë milionë nga portali ukrainas texty.org.ua.

Sulmet ruse në qytete janë gjithnjë e më intensive

Ndërkohë, bombardimet e Kremlinit ndaj qendrave të popullsisë së Ukrainës, dhe strukturave energjetike në veçanti, po bëhen gjithnjë e më intensive. Rusia lëshoi ​​më shumë se 40 raketa dhe 40 dronë në Ukrainë të mërkurën në mbrëmje, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Objektivi ishte “infrastruktura thelbësore”.

“Gjatë natës, Rusia gjuajti më shumë se 40 raketa dhe 40 dronë në Ukrainë,” tha kreu i shtetit në rrjetin social X. “Disa raketa Shahed dhe drone u rrëzuan me sukses. Fatkeqësisht, vetëm një pjesë e saj u eliminua”, shtoi Volodymyr Zelensky, duke përsëritur thirrjen e tij për partnerët perëndimorë që të mos “bëjnë një sy qorr” ndaj situatës dhe të ofrojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.

Për të kryer “sulmin masiv” të saj ndaj Ukrainës, Moska përdori raketa dhe drone “Shahed” të prodhuara nga Irani, sipas raportit të përditshëm të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës të postuar në Facebook. Ukraina arriti të shkatërrojë 37 nga 40 dronët e nisur kundër saj, tha ushtria e Kievit.rsi-eb


Send this to a friend