Ngjarjet e kësaj jave nuk janë thjesht një episod i radhës në kronikën e krizave politike shqiptare. Ato përbëjnë një moment alarmi strategjik për interesat kombëtare, për raportin mes pushteteve dhe për pozicionimin gjeopolitik të Shqipërisë.
Kryeministri, në podkastin e tij javor, të shtunën e kaluar, deklaroi me një lloj mburrjeje se kishte çarmatosur në hyrje të kryeministrisë disa “trimosha”, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kishin refuzuar të dorëzonin “patllaken”. Menjëherë, BKH ka reaguar ndaj kësaj deklarate duke thënë se çështja në fjalë kishte të bënte vetëm me verifikimin nga ana e agjentëve të saj të vendit të depozitimit të armëve përpara se të hynin në këtë institucion. Megjithatë, ajo që bie në sy në deklaratën e Kryeministrit janë dy shprehje – “trimosha”dhe “patllake”. I njohur për përzgjedhjen e fjalëve dhe konteksteve që mbartin ato, duket se KM edhe kësaj rradhe përzgjodhi me kujdes pikërisht nënkuptimin arkaik, duke i përshkruar agjentët e BKH-së si të rinj të vrullshëm në këtë zanat dhe papërvojë përballë gardës së vjetër dhe se mjete e tyre të vjetëruara, “patllaket”, nuk mund të krahasohen me sofistikimin që ai posedon. Megjithatë, nënkuptimi i fjalëve të përdorura mbetet në nivel interpretimi.
Ajo që është konkrete, nga të gjitha argumentet ligjore apo institucionale që mund të artikuloheshin për SPAK-un, Kryeministri zgjodhi të theksojë çarmatimin e agjentëve të BKH-së. Kjo nuk është e rastësishme. Ky nënvizim dhe formë e komunikimit përbën një sinjal jashtëzakonisht të rrezikshëm, jo për faktin teknik të çarmatimit – që mund të diskutohet në nivel rregulloresh – por për zgjedhjen politike të mesazhit. BKH dhe SPAK janë investim i drejtpërdrejtë strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian: financiarisht, teknikisht, politikisht dhe diplomatikisht. Mbështetja amerikane ndaj SPAK dhe BKH është e vazhdueshme, e pandërprerë, e dukshme dhe e strukturuar, ku përfshihet prania e vazhdueshme e ekspertëve amerikanë nga agjenci të ndryshme federale me tre shkronja.
Në këtë kontekst, theksimi publik i “çarmatimit” të tyre nuk është thjesht retorikë e brendshme. Është sinjal. Është mesazh. Dhe sinjalet në fushën e sigurisë nuk janë kurrë neutrale.
Përpjekja e ngritjes së alibisë europianiste
Ky episod nuk është rast i izoluar. Prej më shumë se 6 muajsh, pas një fushate intensive lobimi për të krijuar lidhje me administratën Trump, mesa duket Kryeministri i Shqipërisë ka hequr dorë dhe tashmë ka kaluar në anë tjetër: tashmë ai nuk humbet asnjë rast pa ndjekur një linjë të qëndrueshme distancimi nga ShBA. Kjo linjë shpesh është kristalizuar në mënyrën më të shëmtuar që mund të bëjë një burrë shteti: tallje publike, në dy raste, me Presidentin Trump përpara palëve të treta jo-dashamirëse ndaj ShBA-së për ngatërrimin e Armenisë me Shqipërinë; dhe deklarata në median austriake se “vetëm BE di të ndërtojë shtet, ndërsa Amerika i rregullon gjërat me bomba dhe pastaj me predikime”.
Ai e di shumë mirë që SPAK dhe BKH janë sa produkt i amerikanëve aq edhe i europianëve. Por KM po ndjek taktikën e përçarjes në nivel retorike për të gjetur një strehim tek acarimi aktual mes BE-së dhe ShBA-së, acarim i cili nuk ka lidhje fare as politike e as organike me atë që KM shqiptar përfaqëson sot. Nga ana e tij, kjo është një zgjedhje politike e vetëdijshme për të arritur objektivin që i ka caktuar vetes – të shpëtojë nga përgjegjësia penale e mëkateve të tij shqiptare duke bërë sikur është me evropianët.
Sot, në një moment kur marrëdhëniet BE-ShBA janë realisht të tensionuara për çështje strategjike madhore – nga Ukraina, te siguria energjetike, te kriza e brendshme politike europiane – KM shqiptar nuk ka luksin të luajë lojëra flamurtarësh ideologjikë në emër të kombit. Sidomos një vend i vogël si i yni, me institucione të brishta dhe histori të dhimbshme varësie strategjike. Përplasja me SPAK-un dhe simbolika e sulmit ndaj BKH-së krijojnë një alibi të rrezikshme: pretendimin se çdo goditje penale ndaj Kryeministrit apo rrethit të tij është produkt i një “lufte gjeopolitike”, ku ai paska zgjedhur “krahun europian” kundër atij amerikan. Kjo narrativë e njohur dhe lojë jashtëzakonisht e dëmshme dhe e rrezikshme në Ballkan, është stërpërdorur disa herë nga udhëheqësit e saj dhe fundi i tyre është i ditur tashmë.
Bashkimi Europian ka problemet e tij me korrupsionin, siç tregojnë edhe skandalet e fundit, duke përfshirë figura të nivelit të lartë, si Kaili dhe Mogherini. Por korrupsioni institucional nuk ka qenë kurrë filozofi shtetndërtuese e perëndimit. SPAK-u nuk është projekt kundër Europës, siç po përpiqet ta shesë Kryeministri, por instrument për të rikthyer minimumin e besimit tek institucionet shtetërore ku shqiptarët paguajnë taksat e tyre. Fatkeqësisht e gjithë kjo që po ndodh për shqiptarët do të thotë dobësim i institucioneve shtetërore, aq të dëshiruara nga ne. Do të thotë cënim i marrëdhënies strategjike me aleatët tanë kryesor dhe rrezik afatgjatë për sovranitetin dhe stabilitetin. Nga ana tjetër, historia na e ka mësuar qartë: Europa, pa ombrellën amerikane, nuk ka qenë kurrë garanci e mjaftueshme për sigurinë e shqiptarëve.
Kur interesi personal i përkohshëm vendoset mbi interesin kombëtar të përhershëm, kemi jo një, por dy herë tradhti: ndaj kombit dhe ndaj historisë. Megjithëse historia e thotë gjithmonë të vërtetën, ne shqiptarëve zakonisht historia na e thotë të vërtetën kur është tepër vonë për ta korrigjuar atë.
Marrëdhënia me ShBA-në nuk është emocionale; është ekzistenciale. Çdo devijim nga kjo linjë nuk dobëson vetëm një qeveri: dobëson Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e kanë më këtë luks në këto kohë të vështira.












Diten qe e tha Edi Rama kete ide thash: “Kahere nuk kam degjua ide, mendim me te qelluar” Te lumte Edi, ke hy ne histori sepse ne te arthmen do te thone njerezit :”Kjo eshte ideja e Edi Rames”. I nderuari akademik Qosja, te ju them te drejten me hetret nuk me keni pelqye si njeri, sidomos ne aspektin e qendrimit tuaj rreth besimit ne Zot, ngase ty te njeh gjithe populli shqiptare edhe me gjere si njeri i menqur, ndersa Zoti ne librin e tij te fundit thote: “Zotit ja kane friken vetem te menqurit”. Une e kisha paksa veshtire te te radhis aty ku te radhisnin te tjeret. Me ke pelquyer ne dy raste dhe prej atehere kam ndrruar mendimin per ty. Fillimisht kur iu ke kundervue Kadarese dhe hera e dyte eshte kjo per te cilen po ben fjale shkrimi i mesiperm. Pra Edi Rama mendoj se do te hyje ne historine e re shqiptare me idene qe dha me rastin e pervjetorit te dhjete te pavaresise se Kosoves. Ngase duhet ta pranojme eshte i pari qe dha kete ide te qelluar. Nuk di qe dikush te kete dhene nje ide te tille para tij. Kjo ide e Edit sa me heret qe realizohet mev mire do jete per nev shqiptaret ne te dy anet e kufijeve te tanishem dhe me gjere. Dhashte Zoti u befte ashtu si tha Edi Rama.
Po tha Edi ndonje budallallik, gati eshte ky per ta pershendetur!