Gazetari Osman Stafa foli për gjendjen e rëndë në sistemin shëndetësor në Shqipëri, teksa mori fjalën në protestën masive të qytetarëve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Ai theksoi se në Spitalin Onkologjik mungojnë ilaçet dhe pajisjet për trajtimin e pacientëve me kancer, ndërsa ironizoi edhe retorikën e kryeministrit se agjentët e huaj po ndikojnë protestën.
Gazetari ngriti pyetjen nëse janë “agjenturat e huaja” ato që kanë lënë spitalet pa ilaçe dhe pajisje, kanë rritur çmimet dhe kanë detyruar mijëra shqiptarë të largohen nga vendi.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të mos heqin dorë nga protestat, duke theksuar se tubimet nuk organizohen nga partitë politike, por nga nevoja e shqiptarëve për të kërkuar zgjidhje për problemet ekonomike dhe sociale.
“Pas datës 20 të çdo muaji, në spitalet ndërpriten analizat. Kanë nisur dje se për dy muaj nuk u ndërprenë analizat për shkak të presionit publik. E imagjinoni dot të shtrohesh në spital dhe të ndërpresin analizat rutinë. Sot në Onkologjik nuk ke ilaçe.
Nuk ka pajisje për të trajtuar kancerin dhe këta na thonë janë agjenturat e huaja që organizojnë protestat. Agjenturat e huaja i lanë spitalet pa ilaçe e pajisje, shpopulluan këtë vend, i ngritën çmimet e ushqimeve, i lanë pensionet aq të ulëta? A është kjo e vërteta jonë? Prandaj ky shesh është qëndresa më e bukur që i ka ndodhu këtij vendi.
Këtë popull s’e ka thirrur partia, por Shqipëria për hallet e shumta, me të cilat ndeshemi përditë. Forca jonë është rezistenca në këtë shesh. Të mos lodhemi, sepse këta nuk lodhen duke vjedhur me koncesione, te paratë që duhet të shkonin te spitalet.
E kanë lënë spitalin pa ilaçe. Një shtet që nuk punon për të siguruar trajtim për pacientin. Ka rënë sistemi. Kush nga ju ka shkuar në spital dhe ka dhënë lekë për shërbimin të ngrejë dorën? Nuk mund të vijojmë më kështu sepse do ta paguajmë ne.
Shqipëria nuk ka protokolle. Shkon në spital, bën ekzaminim, shkon në shtëpi dhe vdes. E kanë kopshtin Eden 4.3 mln euro. Kanë para për qejfet e tyre, dhe nuk kanë për ilaçe.
A ia dilni dot me ato rroga që merrni për t’ia dalë në Shqipëri, për të ndërtuar të ardhmen e fëmijët? E vërteta jonë duhet të mbledhë në shesh këdo sepse është për ne. Më 4 korrik është lajmëruar një protestë e madhe. Diaspora përsëri duhet të jetë këtu.”, tha ai. gsh