Satelitët rusë dyshohet se kanë kryer dhjetëra regjistrime fotografike të objekteve ushtarake dhe zonave strategjike në të gjithë Lindjen e Mesme, me qëllim mbështetjen e Iranit në operacionet e tij kundër forcave amerikane dhe objektivave të tjera në rajon.
Sipas një vlerësimi të shërbimeve sekrete ukrainase, të shqyrtuar nga Reuters, gjatë periudhës 21–31 mars, satelitët rusë kanë realizuar të paktën 24 skanime në 11 vende të rajonit, duke mbuluar gjithsej 46 objektiva, përfshirë baza ushtarake, aeroporte dhe zona me rëndësi energjetike.
Raporti sugjeron se vetëm pak ditë pas këtyre regjistrimeve, disa nga objektivat e vëzhguara, përfshirë baza dhe qendra komanduese u goditën nga raketa balistike dhe dronë iranianë, duke treguar një model të qartë veprimi.
Dokumenti thekson gjithashtu bashkëpunimin në rritje mes Rusisë dhe Iranit edhe në fushën kibernetike, ku hakerë nga të dy vendet dyshohet se kanë koordinuar aktivitete të përbashkëta.
Burime ushtarake perëndimore kanë konfirmuar për Reuters një intensifikim të aktivitetit të satelitëve rusë në rajon, si dhe ndarjen e imazheve të mbledhura me Iranin.
Vëzhgime në disa vende kyçe të rajonit
Sipas të njëjtit raport, monitorimi satelitor ka përfshirë disa vende strategjike, përfshirë Arabia Saudite, Turqia, Jordania, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në Arabinë Saudite, janë kryer nëntë vëzhgime, pesë prej tyre mbi një zonë ushtarake pranë qytetit Hafr al-Batin, ku dyshohet se synohej identifikimi i elementeve të sistemit amerikan të mbrojtjes ajrore THAAD.
Po ashtu, zona në Izrael, Katar, Irak dhe Bahrein janë monitoruar në mënyrë sporadike, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ngushticës strategjike të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas raportit, satelitët rusë po ndjekin nga afër këtë rrugë detare jetike, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz të lëngshëm. Në këtë zonë, Irani thuhet se ka vendosur një bllokadë de facto për anijet që i konsideron “jo-miqësore”.
Megjithatë, Reuters thekson se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur përmbajtjen e këtij vlerësimi.
Nga ana tjetër, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë deklaroi se çdo mbështetje e jashtme ndaj Iranit nuk ndikon në suksesin operacional të SHBA-së.