VOAL

VOAL

Reporterët Pa Kufij- Ramës: Ja rastet kur i ke dhunuar gazetarët, i ke quajtur nazistë

May 9, 2022
blank

Komentet

blank

Serwer: Deklarata e Chollet-Escobar për Asociacionin e njëanshme, ky është bullizim diplomatik

Profesori amerikan i John Hopkins, Daniel Serwer, ka komentuar letrën e dy bashkëkombësve të tij, Këshilltarit të Departamentit të Shtetit Derek Chollet dhe Zëvendësndihmës Sekretarit Gabriel Escobar, mbi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se shkrimi ka për qëllim t’i bëjë presion kryeministrit Kurti për të ndërruar qëndrimin e tij ndaj Asociacionit, për të cilin Serwer thotë se ai ka qenë i gatshëm ta konsiderojë vetëm në kontekstin e njohjes nga Beogradi të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës.

“Serbia ka refuzuar ta bëjë këtë. Prandaj, ankesa Chollet-Escobar është e njëanshme. Ajo nuk i ofron asgjë Prishtinës në këmbim të përmbushjes së një prej objektivave kryesore negociuese të Beogradit. Në thelb thotë “Amerika është miku juaj më i mirë, ju na e keni borxh këtë për shkak të gjithë mbështetjes që ju kemi dhënë, qeveria juaj në të kaluarën e ka premtuar atë, ne do ta bëjmë që ajo të shkojë mirë”.Ky është bullizëm diplomatik. Momente të ngjashme në të kaluarën kanë sjellë zhgënjime për Kosovën”, ka shkruar Serwer.

Profesori amerikan ka folur edhe për qëllimet e presidentit serb mbi krijimin e këtij Asociacioni në Kosovë.

“Ajo që kërkon presidenti Vuçiq është bekimi zyrtar për kontrollin hegjemonist të popullatës serbe në Kosovë. Ky kontroll tashmë ekziston, veçanërisht në katër komunat veriore të afërta me Serbinë. Beogradi ka kontrolluar për dy dekada qeveritë e tyre, sistemet arsimore dhe shëndetësore, policinë dhe gjykatat. Paratë rrjedhin drejtpërdrejt nga Beogradi në këto institucione dhe punonjësit e tyre. Pak ndodh në komunitetet serbe veriore që Beogradi nuk do të mund ta ndryshonte nëse do ta bënte këtë. Kjo përfshin aktivitetet e shumta të krimit të organizuar”.

Ai thotë se Serbia dëshiron që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë këtë kontroll etnik.

“Beogradi u thotë shpesh diplomatëve perëndimorë se objektivi është një marrëveshje më e mirë për komunitetin serb në Kosovë. Ajo po ndjek objektiva të ngjashme edhe në Bosnje dhe Mal të Zi. Por brenda Serbisë kjo shtrirje e kontrollit të Beogradit te serbët etnikë përtej kufijve të Serbisë quhet “bota serbe””.

Ndërkaq, Serwer flet edhe për atë pas së cilës qëndron kryeministri Kurti.

“Kryeministri Kurti dëshiron një vend sovran me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e tij dhe pa privilegje etnike në të gjithë territorin e tij. Kjo do të linte pa mëdyshje autoritetin në duart e shqiptarëve, pasi ata përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë. Megjithatë, Kosova nis kushtetuesisht larg këtij objektivi, pasi ka vende të rezervuara për pakicat në parlament si dhe kërkesat për pjesëmarrjen e pakicave në qeverinë e saj. Ekziston gjithashtu një Këshill i Komuniteteve që u jep pakicave qasje të drejtpërdrejtë tek Presidenti. Disa nga komunat me shumicë serbe u krijuan në mënyrë eksplicite për t’u dhënë serbëve më shumë kontroll lokal. Të gjithë kanë kompetencat e gjera të parapara me legjislacionin e Kosovës. Asnjë nga këto nuk do të ndryshojë”. syri.net

blank

Perceptimi i TIA: Shqipëria një nga vendet më të korruptuara në botë

Pavarësisht justifikimit të Edi Ramës se “hajdut 2 metra nuk ka” perceptimi i shqiptarëve është se ai qeveris përmes korrupsionit.

Indeksi i Transparency International për vitin 2022 e rendit Shqipërinë në vendin e 101 sërish pranë vendeve si Ekuadori, Kazakistani, Panamaja, Peruja, Serbia, Sri Lanka, Tajlanda dhe Turqia.

Shqipëria ka 36 pikë, 1 pikë më shumë se viti i kaluar, por Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, tha për Zërin e Amerikës se “duke qenë ndryshim i vogël, ne e konsiderojmë atë vërtet si shenjë mospërparimi”. Bie në sy fakti se Kosova vazhdon të jetë më mirë se Shqipëria përsa i përket perceptimit të korrupsionit, e renditur në vendin e 84, me 41 pikë.

 

Pasojat e korrupsionit

Shpopullimi është një nga pasojat kryesore të korrupsionit qeverisës dhe gjatë vitit 2022 fenomeni kulmoi me dyndjet e shqiptarëve që kërkojnë azil në Britaninë e Madhe. Pak javë më parë, BBC analizoi dyndjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në brigjet e Britanisë së Madhe.

Mendohet se 12 mijë shqiptarë mbërritën në Britani gjatë vitit të kaluar vetëm nga Kanali i La Manshit. Sipas BBC, korrupsioni i lartë ishte një nga shkaqet e largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre.

Ndërkohë sipas kreut të antimafias italiane Nicola Gratteri fajëson korrupsionin në vendin tonë për fuqizimin e mafias shqiptare.

Sipas tij, “mafia shqiptare është shumë e strukturuar dhe është bërë e pasur në vendin e saj, falë edhe një korrupsioni të frikshëm”.

 

“Inceneratorët” dhe “McGonigal”, skandalet e korrupsionit

Çështja e “inceneratorëve” është një nga dosjet më të mëdha të korrupsionit, por deri tani ka çuar në burg vetëm ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako. Nga dokumentat e publikuar, rezulton se pjesë e skemës së korrupsionit u bënë edhe ministra të tjerë.

Ndërkohë në Tiranë trajtimi i mbetjeve vazhdon të paguhet me dyfishimin e çmimit, megjithëse inceneratori nuk ekziston dhe plehrat thjesht groposen.

Një tjetër çështje që lidhet me korrupsionin është ajo e agjentit të FBI Charles McGonigal, i cili inicioi çështjen e lobimit të Lulzim Bashës në SHBA në bazë të informacionit që i dha qeveria shqiptare përmes Agron Nezës. Më pas McGonigal mori 225 mijë dollarë nga Agron Neza të cilat nuk i deklaroi siç ia imponon ligji në SHBA. Kryeministri Rama ka mohuar çdo akuzë për korruptimin e agjentit të FBI-së ndërsa ka thënë se paratë ishin dhënë borxh.

Korrupsioni me fondet publike ka qenë shqetësimi kryesor i Bashkimit Europian në lidhje me Shqipërinë. Gjatë vizitës në Davos, kryeministri Edi Rama e quajti të korruptuar presidenten e Parlamentit Europian. Ai tregoi se kur kishtë mësuar për skandalin e korrupsionit me eurodeputeten Eva Kaili, mendimi i parë që i kishte ardhur, ishte “Karma is a bitch”./Lapsi.al

blank

Hovenier: Nuk mbështesim asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës

VOA

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mbështesin zbatimin e të gjitha zotimeve që dalin nga bisedimet Kosovë – Serbi, por nuk mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas një debati me dyer të mbyllura për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt në mjediset e ambasadës amerikane.

Në takim morën pjesë rreth 40 përfaqësues institucionesh, partish politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Dëgjuam nga dora e parë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe si mundet kjo të përshtatet në mënyrë që sigurojë të ardhmen e Kosovës si një vend sovran i pavarur, shumë etnik dhe demokratik. Kjo perspektivë është e rëndësishme për përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se diskutimi i përqendrua në tre gjëra.

Së pari si mund të funksionojë Asociacioni i komunave serbe në praktikë dhe pjesëmarrësit në këtë takim kanë ngritur një sërë temash duke përfshirë pikëpamjet mbi përgjegjësitë e mundshme dhe kufizimet e mundshme të një Asociacioni. E dyta, si do të mund të funksiononte Asociacioni sipas kuadrit ligjor të Kosovës dhe sërish kemi dëgjuar shumëllojshmëri të perspektivave përfshirë edhe për marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. E treta, lidhur me atë se si Asociacioni do të mund të ndihmonte zhvillim ekonomik dhe ofrimin efektiv të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë”, tha ai.

Zëri i Amerikës mëson se dallimet ishin të thella ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë të cilët kanë ngulur këmbë se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin ka peshë më të madhe sesa interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga njohës të fushës në Kosovë.

Një nga pjesëmarrësit e takimit, që nuk deshi të identifikohej i tha Zërit të Amerikës se “përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk janë shprehur kategorikisht kundër Asociacionit, por kanë kërkuar garanci mbi përfitimet që mund të ketë Kosova nga themelimi i tij. Para së gjithash është kërkuar siguri që nëse Asociacioni themelohet, nuk do të mund të shfrytëzohet nga Beogradi zyrtar siç shfrytëzohen mekanizma të tjerë ekzistues në Kosovë, gjë që është garantuar nga përfaqësuesit ndërkombëtar në takim”.

Miodrag Miliçeviç nga Organizata joqeveritare ‘Aktiv’ në Mitrovicën e Veriut, tha se “elementi më i rëndësishëm ishte që ne duhet të krijojmë një perceptim të përbashkët se Asociacioni është diçka që duhet të negociohet dhe duhet të zbatohet, dhe se do të zbatohet duke u bazuar në parimet e vendosura vite më parë nga delegacionet përkatëse”.

Ai tha se çelësi për këtë proces është në duart e politikbërësve kryesorë të të dy qeverive.

“Ata më së pari duhet të ndryshojnë ligjërimin e tyre publik, duhet të ndryshojnë perceptimin mbi atë se si do të duket Asociacioni. Kemi dëgjuar qëndrime të ndryshme më parë dhe edhe sot, se Asociacioni do ta dëmtojë pavarësinë e Kosovës, Asociacioni do të jetë një lloj ‘Republika Serpska’ apo një entitet njëetnik, gjëra që i dëgjuam edhe sot nga disa pjesëmarrës. Por kur bëhet fjalë për marrëveshjet e përbashkëta dhe mirëkuptimin kjo do të mundësohej vetëm me dialog publik dhe atë shumë të ngjeshur”, tha ai.

Takimi së martës u mbajt në një periudhë të shtimit të trysnisë për themelimin e Asociacionit dhe një ditë më parë diplomatë të lartë amerikanë thanë se koha për krijimin e tij është tani. Të hënën fondacioni gjerman Friedrich-Ebert, publikoi një projekt statut se si duhet të funksionojë ai.

Prishtina heziton të themelojë Asociacionin, duke theksuar se ai mund të çojë në krijimin e një shteti brenda shtetit, ngjashëm me Republika Sërpskan në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës, që është në kundërshtim me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, ose që do të kërcënojë sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Sërpskas në Bosnje Hercegovinë. Presim që Kosova të përmbushë detyrimet e saj. Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ofrojë pikëpamjen e saj për Asociacionin që besohet që e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumë etnik dhe demokratik dhe ofron të drejta për pakicat në linjë me me marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është vendimtare, e rëndësishme dhe urgjente”, tha ambasadori amerikan.

Trysnia për Asociacioni është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

blank

BIRN: Media botërore po zien për skandalin Rama-McGonigal, Peleshi e quan çështje qesharake

Akuzat ndaj agjentit të FBI, Charles McGonigal, kanë marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe atyre vendase, por ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u përpoq t’i zhvlerësonte ato me fjalë si “qesharake” apo “stuhi në gotë”.

Nga Blerina Gjoka

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u përball të martën në Komisionin e Sigurisë në Kuvend me pyetje të deputetëve të opozitës për çëshjen “McGonigal”, ku një ish-zyrtar i lartë i FBI akuzohet për përfitime, udhëtime dhe takime të padeklaruara në Shqipëri, përfshi edhe ato me kryeministrin Edi Rama.

Peleshi përdori terma si “stuhi në gotë” dhe “qesharake” duke komentuar skandalin që ka zënë titujt e mediave botërore dhe akuzat e ngritura ndaj Charles McGonigal.

I pyetur nga deputeti Ervin Salianji nëse zyrtarët amerikanë i kishin kërkuar “garanci për stabilitet të vendit  në rast se binte Rama”, ministri iu përgjigj se institucionet ku ai pati takime në SHBA “janë shumë serioze” dhe “nuk konsumojnë politikë kaq bajate”.

“Ato që këtu ne i ngremë si stuhi në gotë dhe flluska sapuni ju siguroj që përtej oqeanit dukeshin qesharake,” tha Peleshi, duke iu referuar vizitës së tij në SHBA pak ditë më parë ku u prit dhe në Pentagon nga Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III.

Sipas tij vizita ishte e lidhur me forcimin e bashkëpunimit ndaj sulmeve kibernetike.

“Me stuhi në gotë dhe kështjella rëre nuk kishim kohë të bisedonim,” u tha më tej Peleshi deputetëve, duke shtuar se çështja McGonigal nuk iu ngrit as si pyetje në intervistat që dha në media.

Salianji i quajti deklaratat e ministrit pa lidhje me realitetin, duke iu referuar mediave botërore që  i kishin kushtuar vëmendje skandalit. Peleshi u kërkoi deputetëve të opozitës që të mos spekulonin.

“Dikush akuzohet në Amerikë për mosdeklarim të takimeve apo të të ardhurave, ju këtu e quani korrupsion për një person që nuk është fare në akt-akuzë,” tha ai.

Pyetjes së deputetit Ferdinand Xhaferri nëse ishte takuar me ish-zyrtarin e FBI gjatë vizitave të tij në Shqipëri, Peleshi iu përgjigj me ‘jo”, por shtoi se nuk do të ishte mëkat nëse do e kishte takuar.

Kryetari i komisionit Nasip Naço u përpoq disa herë të ndalonte kanalizimin e debatit për çështjen “McGonigal” duke kërkuar që mbledhja t’i përmbahej rendit të ditës, por opozita këmbënguli që kjo ishte çështje që kishte lidhje me sigurinë kombëtare./reporter.al/

blank

Walker: Asociacioni nuk është mirë të krijohet. Mendoj që duhet të refuzohet

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka thënë se Asociacioni i një grupi të ndarë nuk është një zhvillim pozitiv, duke theksuar se nuk i kupton benifitet që mund t’i ketë Kosova nëse e themelon këtë mekanizëm.

William Walker në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk është mirë të krijohet.

Walker tha se Asociacioni i një grupi të ndarë nuk është një zhvillim pozitiv, duke theksuar se nuk i kupton se benifitet që mund t’i ketë Kosova nëse e themelon këtë mekanizëm, por, që sipas tij, krijimi i Asociacionit nuk është një gjë e mirë.

“Mendoj që duhet të refuzojë atë lloj propozimi (Asociacionin), ky është mendimi im, ndoshta nuk i kuptoj benifitet e caktuara që vijnë, por, mendoj që nuk është mirë të krijohet. Një popull, një vend ku thoni, ku ju dalloni prej të tjerëve dhe të keni disa të drejta të tjera. Për mua nuk besoj që do të ndihmojë këtë vend. Asociacioni i një grupi i ndarë më ndryshe nuk është një zhvillim pozitiv”, ka thënë Walker.

Ndryshe, Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert, publikoi të hënën një projekt statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas të cilit ky mekanizëm duhet të themelohet në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Drejtuesi i këtij fondacioni në Kosovë, Rene Schlee, tha se projekti ka për qëllim të lehtësojë diskutimin publik mbi asociacionin.

“Kishim synime shumë të qarta derisa e hartuam këtë propozim. Ai duhej të arrinte tri qëllime kryesore, e para të paraqesim një propozim që është në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe sistemin ligjor të saj. E dyta të trajtojë dhe të përfshijë pritshmëritë dhe brengat praktike të qytetarëve nga komunat që pritet të jenë pjesë e asociacionit. Ndërsa e treta të jetë në linjë me marrëveshjet e Brukselit”, tha ai.

blank

Transparency International: Kosova dhe Maqedonia e Veriut lënë pas Shqipërinë dhe Serbinë, ja si renditen në indeksin botëror të korrupsionit

Me 41 pikë, Kosova ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, por ende nuk e ka nën kontroll këtë dukuri. Kështu thuhet në raportin e organizatës ndërkombëtare “Transparency International” për vitin 2022.

Për vlerësimin e 180 vendeve dhe territoreve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zeroja tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

Në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit, Kosova radhitet në vendin e 84-t me 41 pikë, dy më shumë se vitin e kaluar.

“Kosova (41) ka bërë përparim me një kornizë ligjore të përmirësuar për financimin e fushatës politike dhe zgjedhore, por zbatimi i reformave të tilla do të jetë kyç në muajt e ardhshëm”, thuhet në raport.

 

Qeverisë së Kosovës i kërkohet të jetë më transparente si dhe “të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”.

“Edhe pse vitin e kaluar nuk ka pasur skandale të korrupsionit që kanë dalë në dritë, kjo s’do të thotë se korrupsioni është nën kontroll. Shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë ulur mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike, që ka qenë problem i së kaluarës”, bëhet e ditur nga “Transparency International”.

Në raport theksohet se Ballkani Perëndimor është i njohur për rezistencën e ulët ndaj krimit të organizuar e se shtetet kanë qenë të ngadalshme në adresimin e rrezikut. Aty janë përmendur edhe tensionet Kosovë-Serbi, duke thënë se kanë qenë shkak i rritjes së rrezikut në rajon dhe minimin e bashkëpunimit kufitar, “që është çelës i luftimit të suksesshëm ndaj krimit të organizuar”.

“Vendimmarrja politike më transparente dhe e përgjegjshme, përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi, do të krijonte klimë më të përshtatshme për zgjidhjen konstruktive të konfliktit të ngrirë dhe do të mundësonte zbatimin e reformave kyçe si parakusht për integrimin në BE”, thuhet në raport.

Në indeksin ndërkombëtar për perceptimin e korrupsionit në botë nga “Transparency International”, Maqedonia e Veriut është në vendin e 85-të nga 180 vende.

Nga rajoni para Maqedonisë janë Sllovenia (41), Greqia (51), Kroacia (57), Mali i Zi (65), Kosova (84), ndërsa Maqedonia në të njëjtin vend është në shoqërinë e Surinamit, Indisë, Maldiveve, Guajanës dhe Tunizisë. Pas saj janë Shqipëria dhe Serbia (101).

“Bota ka nevojë për veprim urgjent”, thotë titulli i Transparency International mbi Indeksin Botëror të Korrupsionit. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2022 tregon se shumica e vendeve po dështojnë të ndalojnë korrupsionin.

Në krye të kësaj renditjeje renditen Danimarka, Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia.bw

blank

Norvegjia synon që në fund të marsit t’i dërgojë tanke Ukrainës

RFE/RL

Norvegjia do të dërgojë një pjesë të flotës së saj me tanket e prodhimit gjerman, Leopard, në Ukrainë “sa më shpejt që të jetë e mundur”, duke përmendur mundësinë që dërgesa të kryhet në fund të marsit, tha Ministria e Mbrojtjes.

Norvegjia është në mesin e disa shteteve evropiane që javën e kaluar premtoi se do t’i dërgojë tanket e shumëkërkuara nga Ukraina, teksa Kievi po vazhdon luftën kundër forcave ruse.

Dërgimi i këtyre tankeve u mundësua pas vendimit të Gjermanisë, vendit ku prodhohen tanket.

Norvegjia ka 35 tanke Leopard 2, por shteti nuk ka treguar se sa tanke do t’i japë Kievit.

“Ende nuk e kemi përcaktuar numrin”, tha ministri i Mbrojtjes, Bjorn Arild Gram për AFP-në.

“Është e rëndësishme që ne të koordinohemi ngushtë me partnerët tanë, në mënyrë që kjo ndihmë vërtetë të bëjë dallimin për Ukrainën”, tha ai.

“Sigurisht, ne shpresojmë që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi ai.

Javën e kaluar, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Berlini po ashtu synon të dërgojë në fund të marsit apo fillim të prillit 14 tanke Leopard në Ukrainë.

Norvegjia dhe shtetet e tjera që kanë tanke Leopard, u është dashur miratimi i Berlinit për t’i transferuar këto tanke në një shtet tjetër.

Javën e kaluar edhe Shtetet e Bashkuara treguan se do të dërgojnë në Ukrainë 31 tanke Abrams, teksa Ukraina po bëhet gati për një kundërofensivë me qëllim që të dëbojë forcat ruse nga jugu dhe lindja e shtetit.

blank

Franca nuk përjashton mundësinë e furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, por shtoi se duhen përmbushur disa kushte para se të merrej një vendim i tillë.

Franca i ka dhënë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore, njësi raketahedhëse, topa dhe pajisje të tjera ushtarake dhe është zotuar të dërgojë automjete të blinduara, por nuk ka ofruar tanke ose armatime më të rënda.

I pyetur në një konferencë shtypi në Hagë të hënën nëse Franca po shqyrton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë, zoti Macron tha se “asgjë nuk përjashtohet” për sa kohë që plotësohen disa kushte.

Në mesin e këtyre kushteve janë edhe garancitë se dërgimi i avionëve nuk do të çonte në një përshkallëzim të tensioneve, se ata nuk do të “preknin territorin rus” dhe se dërgimi i tyre nuk do të “dobësonte kapacitetet e ushtrisë franceze”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron.

Ai tha gjithashtu se Ukraina do të duhet të kërkojë zyrtarisht avionët. Ai vuri në dukje se do të takohet të martën në Paris me ministrin ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov.

Në Uashington, i pyetur nga një gazetar të hënën nëse administrata e tij po konsideronte dërgimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë, Presidenti amerikan Joe Biden u përgjigj “jo”. Zëvendës-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jon Finer tha në një intervistë për kanalin MSNBC javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të diskutonin çështjen e avionëve luftarakë “me shumë kujdes” me Ukrainën dhe aleatët.

Në javët e para të luftës, administrate e Presidentit Biden shqyrtoi një propozim sipas të cilit Polonia do të furnizonte Ukrainën me MiG-29 dhe në këmbim të tyre do të merrte avionë amerikanë F-16. Pilotët ukrainas janë të trajnuar për të drejtimin e avionëve luftarakë të epokës sovjetike.

Ideja në fund u hodh poshtë pasi Polonia doli me idenë e dorëzimit të avionëve MiG-29 në një bazë ajrore amerikane në Gjermani. Zyrtarët e Pentagonit thanë në atë kohë se perspektiva e nisjes së avionëve luftarakë nga një bazë e përdorur nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk ishte e përshtatshme.

Zyrtarët ukrainas kanë rritur kërkesat për armë më të rënda nga aleatët perëndimorë që do të ndihmonin ata në përpjekjet për zmbrapsjen e forcave ruse.

Në praninë e presidentit Macron, kryeministri holandez Mark Rutte tha se Ukraina nuk ka kërkuar zyrtarisht avionë luftarakë holandez F-16 deri më tani. Ai mbajti një qëndrim të kujdesshëm pasi ministri i jashtëm holandez u tha ligjvënësve në fillim të këtij muaji se nuk kishte “asnjë tabu” për dërgimin e avionëve luftarakë.

“Nuk po flitet për dërgimin e avionëve F-16 në Ukrainë. Nuk ka asnjë kërkesë për këtë”, tha kryeministri Rutte të hënën. “Nuk është bërë tabu, por do të ishte një hap tjetër shumë i madh.”

“Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe që Ukraina të kërkojë me saktësi gjërat për të cilat ka nevojë”, tha zoti Rutte.

Ai mirëpriti vendimet e fundit të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara për dërgimin e tankeve në Ukrainë.

“Në Holandë, ne do të vazhdojmë të shikojmë se çfarë mund të bëjmë”, zoti tha Rutte. “Ne nuk kemi tanke “Leopard 2”, ne i marrim ato me qira. Ne kemi thënë se, nëse është e nevojshme, ne jemi të përgatitur t’i blejmë dhe t’i dërgojmë ato (në Ukrainë)”, tha kryeministri holandez.

blank

Përshkallëzimi në Ukrainë dhe pesha e marrëdhënieve Moskë- Berlin

Analizë: lufta është rritur në intensitet, por askush nuk mbizotëron dhe për këtë arsye fronti diplomatik është në ngërç – Gjermania: historia dhe koalicioni i çuditshëm në qeveri shpjegojnë hezitimin për furnizim me armë

VOAL- Kievi së shpejti do të marrë tanke të reja perëndimore. Por a do të mjaftojnë këto furnizime për të ndryshuar rrjedhën e luftës, duke qenë se bombardimet ruse të Ukrainës vazhdojnë dhe se edhe në terren, pavarësisht kundërsulmimeve, ushtria ukrainase duket të jetë në vështirësi? A po përballemi vërtet me një pikë kthese në konflikt që do të bëjë të mundur zmbrapsjen e sulmeve gjithnjë e më të mprehta të Federatës Ruse? Si mund ta shpjegojmë edhe hezitimin e Berlinit për të furnizuar me tanke Leopard vendin e pushtuar? Dhe përsëri: a do të rezistojë me kalimin e kohës fronti perëndimor, tani për tani i bashkuar me sa duket në mbështetjen e Kievit?

Pyetjet, këto dhe të tjera, që revista radiofonike analitike Modem ua bëri sot – të hënën – dy ekspertëve: Luciano Bozzo, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studimeve strategjike në Universitetin e Firences dhe Beda Romano, korrespondente e Brukselit e Sole 24 Hours dhe autore e disa veprave për marrëdhëniet midis Berlinit dhe pjesës tjetër të Evropës.

“Tanket nuk do të bëjnë dallim”

“Është absolutisht e mundshme që Rusia po përgatit një ofensivë të re në Ukrainë, në të vërtetë… nuk ka asnjë dyshim për këtë. Rrjedhimisht, është gjithashtu e qartë se forcat e armatosura të Ukrainës kanë nevojë për armatim të përshtatshëm për të përballuar këtë ofensivë të re, – shpjegon Luciano Bozzo – Megjithatë, furnizimi afatshkurtër me disa dhjetëra tanke dhe disa armatime të tjera, nëse flasim për një periudhë kohore prej disa muajsh, nuk do të bëjë dallim për sa i përket realitetit aktual të luftës. Duke supozuar se dhjetëra tanke si ato të përmendura (British Challenger 2, US Abrams ose German Leopard 2, ed.) mund të mbërrijnë në Ukrainë, në anën tjetër të frontit ka një Federatë Ruse që ka ende rezerva mijëra tankesh. Prandaj, nuk besoj se furnizimi me tanke në Kiev është një hap vendimtar në zhvillimin e luftës”.

“Jemi përballë një përshkallëzimi”

Profesori kujton gjithashtu se kur nuk arrihet zgjidhja në një konflikt, lufta “rritet në intensitet”. Ndaj shkaktohet një përshkallëzim: “Të dyja palët rezistojnë dhe kundërsulmojnë për të mbizotëruar në përballje dhe kjo e shtyn konfliktin thellë nëse askush nuk arrin qëllimin e tij”.

Rritja e intensitetit është aktualisht e dukshme. Kievi, pasi ka marrë tanket, tani po kërkon raketa me rreze të gjatë dhe madje edhe avionë luftarakë: a nuk do të ndalet përshkallëzimi? “Kjo luftë po vazhdon prej një viti: rusët nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë shpejt dhe efektivisht rezultatet që synonin të arrinin; ukrainasit nga ana e tyre rezistojnë por edhe kundërsulmojnë: natyrisht duan të rimarrin territoret e humbura”, shpjegon Bozzo sërish.

Për më tepër, të dyja palët kanë “burime dhe rezerva të mjaftueshme për të vazhduar këtë përpjekje dhe për këtë arsye lufta tenton të përshkallëzohet”. Konflikti – vazhdon Bozzo – ka tendencë të rritet në intensitet edhe sepse “me rritjen e humbjeve, në veçanti njerëzore, por edhe ekonomike dhe materiale, secila nga të dy palët duhet të justifikojë para publikut dhe elektoratit të vet përpjekjet e ndërmarra dhe humbjet e pësuara: po bëhet fjalë për t’u paraqitur para prindërve të atyre djemve që vdiqën në fushë, në të dy frontet, duke u përpjekur t’i bindin se ajo sakrificë nuk ishte e kotë”. Në përmbledhje, “aksionet, me rritjen e humbjeve, rriten edhe ato”.

Marrëdhëniet Rusi-Gjermani: pesha e historisë

Për sa i përket çështjes së “Leopardit”, Berlini hezitoi shumë përpara se t’i dorëzohej presionit të aleatëve dhe të pranonte të dërgonte disa tanke (të pakta) dhe mbi të gjitha të lejonte vendet e tjera që i zotërojnë të rieksportonin tanke të prodhimit gjerman në Ukrainë. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë disa herë se dëshiron të shmangë këtë përshkallëzim. Por a është kjo arsyeja e vetme e këtij ngurrimi gjerman? “Unë do të thosha po – përgjigjet nga ana e tij Beda Romano – kjo është arsyeja kryesore”. Megjithatë, gazetarja shton se: “Natyrisht, pas paqartësive në javët e fundit qëndron edhe prania në Qeveri e një koalicioni jashtëzakonisht të veçantë, që nuk ka ndodhur kurrë më parë, i cili bashkon socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbërt”. Këto janë parti që “kanë qëndrime të ndryshme në fronte të ndryshme, veçanërisht në atë të luftës”.

Nga njëra anë, “është Partia Socialdemokrate që dëshiron të shmangë përshkallëzimin dhe dëshiron të përpiqet të mbrojë një lloj marrëdhënieje me Rusinë”, dhe nga ana tjetër “të Gjelbrit që janë shumë më të qartë në mbrojtjen e Ukrainës dhe shumë më të përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave”. Nga ky këndvështrim “prania në Berlin e një koalicioni kaq të veçantë dhe të larmishëm nuk i ndihmon pozicionit gjerman në politikën ndërkombëtare”.

Për më tepër, jo më pak e rëndësishme, është edhe pesha e historisë: “Nga pala gjermane ka një hezitim për të ndërhyrë në fushën ushtarake, një faktor që është rishfaqur gjatë dekadave në rrethana të ndryshme, dhe ideja për të parë tanke. Gjermanët e armatosur në Lindjen e Largët të Evropës sjell në kujtesën e shumë njerëzve pushtimin gjerman të Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1940”. Më pas ka një aspekt tjetër që, sipas Romanos, shpesh harrohet, por që në realitet ka rëndësinë e vet edhe në këtë situatë: “Rusia dhe Gjermania kanë marrëdhënie historike që shkojnë prapa në shekuj: mjafton të kujtojmë praninë e gjermanëve në shekullin e tetëmbëdhjetë në territore të ndryshme të Rusisë, të tërhequr atje nga Katerina e Madhe (me origjinë prusiane, red.) për të punuar”. Këto marrëdhënie midis Rusisë dhe Gjermanisë kanë gjithashtu “në një farë mënyre një lidhje romantike dhe historike që nuk mund të nënvlerësohet në këtë moment dhe pjesërisht mund të na ndihmojë të kuptojmë pozicionin e diskutueshëm të Partisë Social Demokrate”.

Romano pastaj u shpreh mbi pozicionin e NATO-s dhe gjendjen e Aleancës Atlantike, pasi Ukraina tani po kërkon gjithashtu raketa dhe avionë luftarakë. NATO, shpjegon gazetari, “është në një pozicion të veçantë: nga njëra anë kjo luftë e ka forcuar atë, ka rigrupuar vendet anëtare dhe ka forcuar unitetin e tyre”. Ndërkohë, megjithatë, diskutimet e vazhdueshme se si të trajtohet çështja ukrainase, “kanë dalë në sipërfaqe: dje kishte shumë pasiguri për furnizimin me armë të rënda, përfshirë tanket, nesër me shumë gjasa do të ketë diskutime nëse dhe si për të furnizuar avionët luftarakë të Ukrainës. Tashmë sot Gjermania ka deklaruar se nuk dëshiron ta bëjë këtë, sigurisht që nuk përjashtohet që të ndryshojë mendje, por sot qëndrimi gjerman tregon një formë tjetër çarjeje në frontin e NATO-s”.

Fronti i fortë diplomatik: frontet fokusohen në faktorin kohë

Ndërkohë, fronti diplomatik është praktikisht në ngërç. Kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se dëshiron të telefonojë Putinin dhe presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu ka deklaruar se do të vazhdojë të flasë me Moskën, duke shtuar se edhe Kina duhet të thotë fjalën e saj. Megjithatë, tani për tani, duket se vetëm armët po flasin. Arsyeja, shpjegon profesori Luciano Bozzo për RSI, qëndron në faktin se “dimensionet ushtarake dhe diplomatike janë dy anët e një medalje, ajo që bashkon politikën e jashtme dhe politikën e sigurisë”. Nëse në frontin e luftës “asgjë nuk po lëviz, si në këtë moment në të cilin jemi dëshmitarë të një ngërçi, me sulmet ruse në Bakhmuh, por me ukrainasit që vazhdojnë të mbrohen dhe madje nisin kundërsulm, është shumë e vështirë të rikuperohet kështu funksioni diplomatik: kjo sepse secila nga dy palët mendon se koha mund të funksionojë në favor të tyre. Kievi shpreson në një kolaps të Federatës Ruse, nën embargo dhe e cila ka humbur mijëra automjete të blinduara dhe të blinduara, por Rusia po mbështet në madhësinë e saj: nga njëra anë demografike, me 150 milionë banorët e saj, kundrejt pak më shumë se 40′. Ukrainë. Të dy palët mendojnë se me kalimin e kohës kundërshtari do të shembet: nga ky këndvështrim, Rusia dhe Ukraina nuk kanë asnjë nxitje për t’u ulur në një tryezë bisedimesh, ku domosdoshmërisht do të merrej diçka, por në të njëjtën kohë do të duheshin bërë lëshime palës tjetër”.

Rreziku i frakturave në Frontin Perëndimor

Faktori kohë, megjithatë, mund të krijojë edhe thyerje në frontin perëndimor: sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më shumë vazhdon përshkallëzimi. Pa harruar se kërcënimi bërthamor është ende i pranishëm në sfondin e konfliktit, me Rusinë, e cila mund të përdorë armë jokonvencionale (koka bërthamore taktike), siç u frikësuan muajt e fundit nga disa skifterë të Kremlinit.

Uniteti i shfaqur nga vendet e Bashkimit Evropian në fakt tregon disa përjashtime, kujton Beda Romano: “Duke filluar nga Hungaria, për shembull, e cila është një vend shumë i veçantë dhe që muajt e fundit i ka lënë Rusisë të kuptojë se nuk e ka një ide aq të qartë në pozicionin e kundërshtimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës”.

Prandaj, uniteti i frontit perëndimor do parë dita-ditës dhe duket gjithnjë e më delikat. RSI/Elida Buçpapaj

blank

“Big Brother” edhe në Tiranë- Policia çmonton 60 kamera, ja zonat që ishin “blinduar” dhe vëzhgoheshin nga grupet kriminale

Vijon operacioni për çmontimin e kamerave të vendosura nga grupet kriminale për të kontrolluar veprimet e policisë. Mësohet se operacioni “Fijet” për heqjen e kamerave të sigurisë të jashtëligjshme nis edhe në Tiranë.

Gazetari Igli Çelmeta tha se aksioni i parë ka filluar nga komisariati nr.1 i policisë së Tiranës për çmontimin e kamerave të vendosura nga persona të dyshuar dhe me precedente penalë.

 

Gjithashtu theksoi se lidhur me këtë çështje janë vendosur nën hetim 22 persona të dyshuar.

 

Në zonën e “Ali Demit” policia ka çmontuar 5 kamera në banesën e shtetasit E.K. i dënuar më parë për vrasje. 6 kamera janë çmontuar edhe në zonën pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë” në Ali Dem.

 

Te ish-Parku janë çmontuar 4 kamera, 10 në Laprakë, po ashtu edhe në Rrugën e Kavajës, Rruga e Elbasanit, 20 kamera tek zona e njohur si  Xhamlliku, po ashtu në zonën e 5 Majit, Fresku, Yzberisht, dhe Fushë Mëzez. Në total deri më tani janë çmontuar 60 kamera në kryeqytet.

 

Çmontimi i kamerave do vijojë në të gjithë zonat e kryeqytetit, ku secili komisariat do çmontojë kamerat e paligjshme në zonat që mbulojnë.

blank

 

(BalkanWeb)

blank

Zelensky: Rusia nuk duhet të lejohet të marrë pjesë në Lojërat Olimpike

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Kivev, 29 janar 2023

RFE/RL

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se lejimi i Rusisë për të garuar në Lojërat Olimpike 2024 në Paris do të tregonte se “terrori është disi i pranueshëm”.

Ai tha se e kishte ngritur këtë çështje me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Moska nuk duhet të lejohet t’i përdorë Lojërat Olimpike për propagandë, shtoi ai.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka thënë se atletët rusë dhe bjellorusë mund të garojnë si neutralë në Lojërat Olimpike.

Por, Ukraina ka kërcënuar se do t’i bojkotojë ato nëse atletëve rusë dhe bjellorusë iu lejohet të garojnë.

Përpjekjet e IOC-së “për të rikthyer atletët rusë në Lojërat Olimpike janë përpjekje për t’i thënë gjithë botës se terrori është disi i pranueshëm”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës me video.

Rusia nuk duhet të lejohet t’i përdorë lojërat “ose ndonjë ngjarje tjetër sportive si propagandë për agresionin e saj ose shovinizmin e saj shtetëror”, shtoi ai.

IOC-ja tha këtë javë se atletët rusë dhe bjellorusë mund të konkurrojnë si “atletë neutralë”, duke deklaruar se “asnjë atlet nuk duhet të pengohet të garojë vetëm për shkak të pasaportës së tij”.

Por, Zelensky tha se nuk mund të ketë neutralitet në sport, ndërkohë që atletët e vendit të tij po vdesin në fushë-betejë.

Lojërat Olimpike Verore të vitit 2024 do të mbahen në kryeqyetin e Francës, Paris.

blank

Albin Kurti: Ata që duan Asociacion të komunave serbe, duhet të argumentojnë arsyen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë ekskluzive për RTK2 ka thënë se beson se propozimi evropian është bazë e mirë për marrëveshjen me Serbinë dhe se është i gatshëm të bisedojë për marrëveshjet e arritura në Bruksel, por ka thënë se nuk ka marrë ndonjë argument adekuat për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

I pari i ekzekutivit ka thënë se “nuk e sheh të nevojshëm krijimin e Asociacacionit, por se është i gatshëm për diskutime për të drejtat e komuniteteve joshumicë”.

“Jam gati për bisedime për të drejtat e pakicave, të komuniteteve joshumicë, jam gati për këtë. Por duhet ta kuptoni se është shumë e rëndësishme që ata që duan më shumë të drejta sesa u jep plani i Ahtisaarit, e mbajnë barrën e argumentimit – pse u duhen më shumë. Ahtisaari mori çmimin Nobel për Paqe, çfarë do ta plotësonte planin e Ahtisaarit, cilat janë argumentet për të metat e tij. Barra e argumentit duhet të jetë mbi ata që kërkojnë diçka tjetër apo diçka më shumë”, tha Kurti në intervistë për RTK 2, e cila do të transmetohet të dielën në mbrëmje.

Tutje Kurti ka treguar se kur e ka parë propozimin e njohur më parë si ‘franko-gjerman’ dhe ka thënë që nga atëherë kanë negociuar për arritjen e marrëveshjes.

“Të jem plotësisht i qartë, sigurisht edhe i sinqertë, më 9 shtator e kam lexuar atë propozim, por nga ‘iPad’-i i Lajçakut, nuk kam pasur dokument me shkrim. Ishin së bashku me Jens Plotner dhe Emmanuel Bonn, të dërguarit nga Parisi dhe Berlini. Unë menjëherë e kam vërejtur se më në fund kemi një propozim për marrëveshje”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Duke folur për kthimin e serbëve në institucione, veçanërisht në polici, Kurti tha se nuk pajtohet me gjendjen e tanishme dhe se nuk dëshiron që serbët në veri të zëvendësohen me shqiptarë.

“Më vjen shumë keq që ata kanë dhënë dorëheqje. Mendoj se dorëheqjet janë të gabuara. Unë në parim nuk përjashtoj askënd për t’u kthyer, por nuk jam kompetentë që të vendosi për kriteret në vend të komisionit profesional. E them qartë, nuk kam ndërmend ta mbush atë vakum me shqiptarë. Nëse serbët kanë dhënë dorëheqje, serbët duhet të jenë në ato pozita dhe i ftoj të gjithë që të aplikojnë”, ka nënvizuar Kurti.

I pyetur për të vlerësuar situatën e sigurisë në Kosovë, shefi i Qeverisë tha se nuk ka hequr dorë nga premtimi i tij parazgjedhor se një nga prioritetet e tij është dialogu i brendshëm me serbët, por se aktualisht nuk ekziston mirëbesimi i nevojshëm. Ai ka paralajmëruar 123 projekte për ndërmarrje të vogla dhe biznese fillestare, prej të cilave 48 janë të destinuara për komunitetin serb.


Send this to a friend