Ekspertët deklaruan se kanë marrë parasysh disa nga propozimet e përfaqësuesve të së djathtës, të cilët u larguan të dielën. Asnjë ndryshim për pikën kryesore të kundërshtimeve. Mbetet në fuqi skema me 3/5 e votave për emërimet nga parlamenti
Në Shqipëri grupi i ekspertëve të nivelit të lartë mbylli mbrëmë rishikimin e projektit të ndryshimeve kushtetuese mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Kostitucionalisti Sokol Sadushi, i shoqëruar nga përfaqësuesit e Euralius (misioni i Bashkimit europian i asistencës për Drejtësi) dhe Opdat (misioni amerikan) njoftoi se “Puna e grupit të ekspertëve është e përfunduar dhe ne e kemi draftin gati për t’ia dorëzuar Komisionit ad hoc”, u shpreh ai. Tani do të jetë ky Komision i cili do të duhet të miratojë për t’ja kaluar më pas Komisionit të Venecias për vlerësimin përfundimtar.
Përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë dy ditët e fundit në takimet e ekspertëve. Ata u larguan duke akuzuar se nga ana e shumicës nuk u morën parasysh alternativat e propozuara prej tyre, kundër përzgjedhjes me tre të pestat e votave të anëtarëve të disa institucioneve të Drejtësisë nga ana e parlamentit. Opozita i referohet pikëpyetjeve të ngritura nga Komisioni i Venecias për këtë cështje, për të cilën dje u prononcua sërish dhe kryetari demokrat Lulzim Basha: “Në bazë të këtij rekomandimi të qartë, të zezë mbi të bardhë të Venecias, ekspertët tanë bënë propozimet përkatëse dhe me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë u arrit një formulë kompromisi, e pas kësaj ekspertët e Edi Ramës u tërhoqën për t’u konsultuar qartësisht me Edi Ramën. Të nesërmen, me rikthimin e ekspertëve në tryezën e punës ishte e qartë se vullneti i Edi Ramës ishte kapja e drejtësisë dhe jo reforma në drejtësi. U zhbë formula e kompromisit të së shtunës dhe me kokëfortësi u insistua në shumicën prej 3/5 që është shumica që disponohet nga dyshja Rama –Meta”, deklaroi kryetari i opozitës.
“Një pjesë e vërejtjeve të tyre janë përfshirë në materialin tonë, ndërsa pjesa tjetër jo. Ne e konsiderojmë punën të plotë”, shpjegoi zoti Sadushi duke saktësuar se në variantin përfundimtar i cili do t’i shkojë Komisionit ad hoc ekziston vetëm një opsion. “Do jetë me 3 të pestat”. Ndërkohë, ekspertët kanë pranuar disa nga propozimet e paraqitura nga Ministria e Drejtësisë, të cilat janë paraqitur si variante alternative. Zoti Sadushi nuk shpjegoi se cilat ishin konsideruar të vlefshme. Dy ekspertët e përzgjedhur prej Ministrisë kishin dorëzuar të dielën në mbrëmje një paketë me ndërhyrje kushtetuese të cilat në thelb ishin tërësisht të ndryshme nga projekti mbi të cilin po punohej.
Gjatë ditës së djeshme tema e reformës në Drejtësi duket se ka qenë në qendër të një takimi që ambasadori amerikan Donald Lu pati me presidentin Bujar Nishani. Javën e shkuar presidenti kërkoi një tryezë të drejtuesve kryesorë politik të vendit, ndërsa dje, në një intervistë për të përditshmen “Panorama” ai kritikonte me nota të forta procesin e reformës. Sipas tij ai ishte “një proces i mbyllur, aspak profesional, i njëanshëm dhe pa asnjë objektiv të deklaruar qartë”. Presidenti është i mendimit se një vit e gjysëm punë e ekspertëve të huaj dhe vendas të angazhuar nga Komisioni ad hoc i parlamentit shqiptar ishte një kohë e cila “shkoi dëm. Komisioni i Venecias e rrëzoi të gjithë themelin e asaj që ishte shkruar dhe palët u ulën të nisin nga pika zero”, shprehet zoti Nishani, I cili shkon më tej kur hedh dyshime se shumica mund të kërkojë të korruptojë deputetë të opozitës për të garantuar votat e nevojshme për miratimin e reformës.
Mbi takimin mes presidentit Nishani dhe ambasadorit amerikan nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar. Ndërkohë që pasditen e djeshme, diplomati amerikan është takuar dhe me kryeministrin Edi Rama. Ambasadori Lu ka qenë një mbështetës i fortë i procesit të reformës, ndërsa në mënyrë të përsëritur ka nënvizuar publikisht se projekti i ndryshimeve kushtetuese mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe se ekspertët e saj dhe të Bashkimit europian janë pjesë e hartimit të këtyre ndryshimeve. Madje ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara bashkëndajnë pronësinë mbi projektin e hartuar.
Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, ka folur për fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjet e tyre me organizatat mafioze në Itali.
I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Trocchia deklaroi se mafia shqiptare ka ndërtuar ndër vite një strukturë të organizuar dhe fleksibile, që i ka mundësuar të zgjerohet shpejt dhe të krijojë marrëdhënie të forta me grupet kriminale italiane.
“Mafia shqiptare ka një strukturë shumë të mirë, të paktën nga sa e njohim ne në Itali. Janë grupe që kanë aftësinë të shkrihen dhe të përhapen menjëherë”, u shpreh gazetari italian.
Ai theksoi se sot ekziston një ndërthurje e fortë mes mafias shqiptare dhe organizatave kriminale italiane si Ndragheta dhe Camorra, veçanërisht në aktivitetet që lidhen me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Sipas Trocchia-s, bashkëpunimi mes tyre shtrihet në bizneset ilegale, rrjetet e furnizimit me lëndë narkotike dhe aktivitetet financiare të paligjshme.
Gazetari investigativ deklaroi gjithashtu se Italia ka shërbyer si një “palestër” për grupet kriminale shqiptare që prej viteve ’90, periudhë gjatë së cilës shumë trafikantë shqiptarë krijuan lidhje të drejtpërdrejta me botën e krimit italian.
“Mafia shqiptare ka gjetur në Itali një palestër në vitet ’90 dhe ka bërë stërvitje. Kolona shumë të rëndësishme dhe trafikantë të rëndësishëm kanë kaluar në Itali, kanë pasur lidhje me krimin italian”, tha ai.
Sipas Trocchia-s, pas më shumë se tre dekadash bashkëjetese dhe bashkëpunimi kriminal, raporti mes mafias shqiptare dhe organizatave italiane nuk është më i njëanshëm.
“Raporti i tyre është sot mes të barabartësh”, deklaroi gazetari italian.
Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për kampet e procesimit të emigrantëve të kapur në det në përpjekje për të shkuar drejt Italisë.
Sipas Trocchia-s, kjo marrëveshje përfaqëson një dështim të dukshëm si nga pikëpamja politike, ashtu edhe nga ajo ekonomike, duke sjellë kosto të larta për palët e përfshira.
“Marrëveshja Itali-Shqipëri për refugjatët është një dështim i madh për të dyja palët. Italia ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro, ndërsa rreth 120 milionë euro shkojnë për Shqipërinë për të garantuar sigurinë”, u shpreh gazetari.
Ai shtoi se, sipas tij, vendimi për këtë marrëveshje ka qenë i gabuar nga ana politike dhe ekonomike, duke e cilësuar si një zgjedhje të pasaktë të qeverisë italiane.
“Unë besoj se kjo marrëveshje ka qenë një zgjedhje e gabuar nga ana e Melonit dhe një pozicionim i gabuar politikisht”, deklaroi Trocchia.
Gazetari italian ngriti gjithashtu dyshime mbi ndikimin që kjo marrëveshje mund të ketë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se edhe vetë Italia, sipas tij, ka humbur peshë në arenën evropiane.
“Nuk e di nëse kjo marrëveshje e ndihmon Shqipërinë për anëtarësim në BE, sepse edhe Italia ka humbur peshën e saj në arenën europiane”, tha ai.
EKSKLUZIVE ‘A SHOW’ – Ruhet me truproja, gazetari Trocchia: Kërcënimet pas librit për mafien shqiptare. Pse hesht Rama për takimin në Aruba?
Në një intervistë direkte me emisionin ‘A Show’ me gazetarin Adi Krasta, gazetari i njohur investigativ italian i ‘Domani’, Nello Trocchia, ka rrëfyer detaje mbi kërcënimet që çuan në vendosjen e tij nën mbrojtje të rreptë (eskortë) nga autoritetet italiane.
Gazetari konfirmoi gjithashtu se mesazhe shqetësuese i kanë ardhur edhe nga nipi i një narkotrafikanti italian, i lidhur ngushtë me grupet kriminale shqiptare që operojnë në kryeqytetin italian.
Një nga pikat më të nxehta të bisedës ishte informacioni i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) italiane për një takim të ndodhur në ishullin Aruba në vitin 2019, midis një karteli kriminal dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare.
Trocchia sqaroi se përpara se të publikonte këtë lajm në librin e tij, kishte tentuar disa herë të merrte një version zyrtar nga kryeministri shqiptar, por kishte hasur në heshtje totale.
INTERVISTA E PLOTË
Adi Krasta: Në linjë të drejtpërdrejtë me kolegun tonë, gazetarin investigues, Nelo Trokja, i cili duhet të jetë në lidhje me mua dhe ja ku është. Nelo është një kënaqësi që je me ne.
Nello Troçhia: Shumë faleminderit. Faleminderit dhe për ftesën.
Krasta: Pra, nuk është vetëm ndjeshmëria jonë gazetareske, por për ty, i dashur Nelo, kemi edhe një ndjenjë miqësie dhe, si të themi, edhe kuriozitet njerëzor. Pyetja ime e parë ka të bëjë me situatën e re që është krijuar, ku ndodhesh. Më thuaj nëse është e mundur, a mund të na tregosh çfarë ka ndryshuar, që agjencitë e rendit në Itali kanë vendosur të të shoqërojnë me eskortë.
Trochia: Absolutisht po, kështu është. Mirëmbrëma juve dhe të gjithë teleshikuesve. Që nga mëngjesi i së shtunës më është komunikuar ky vendim për të rritur nivelin tim të mbrojtjes. Unë prej më shumë se dy vitesh kisha tashmë një formë vëzhgimi pranë shtëpisë sime, periodike, me një frekuencë orare të ndryshme, por që nga mëngjesi i së shtunës kam eskortë.
Pra, mbrojtja ime është forcuar, në kuptimin që unë lëviz ekskluzivisht me makinën e shërbimit i shoqëruar nga agjentët e institucioneve, të cilët i falënderoj për këtë vendim, ashtu siç i kam falënderuar gjatë këtyre viteve për vendimet e marra në lidhje me sigurinë time.
Këto ndryshime, natyrisht, lidhen me vlerësime që janë bërë nga Komiteti për rendin dhe sigurinë publike, ku marrin pjesë të gjitha forcat hetimore të kryeqytetit, prefekti i kryeqytetit, dhe për atë që mund të them unë, është se kur më është treguar, ma kanë thënë 20 ditë më parë në gazetën time, por kam bërë edhe unë një denoncim, një informim të Karabinierëve, pra për faktin se kam marrë kërcënime nga mjedise kriminale të lidhura me grupe kriminale me të cilat jam marrë gjatë këtyre viteve dhe me të cilat do të merrem edhe në të ardhmen.
Pastaj ka edhe prova të tjera, në vëmendje të hetuesve, për hetime për të cilat unë nuk kam dijeni, natyrisht. Por në fund janë marrë të gjitha elementet dhe është vendosur të më jepet eskortë.
Krasta: Më kujtohet gazetari i Rai 2, nëse nuk gaboj Sigfrido Ranuçi, i cili ka bërë këtë shërbim mbi Shqipërinë, ishte sinqerisht i shqetësuar për mundësinë që mafia shqiptare, një mafie që vepron me degë dhe rregulla ndoshta të ndryshme, por edhe të ngjashme me ato të mafies italiane, megjithatë në një farë mënyre vihet në diskutim kjo tipologji e ndryshme, më agresive e mafies shqiptare, një mafie reale në një kuptim. Nuk e di nëse mund të supozojmë, të hamendësojmë në këtë rast, mundësinë që pas librit të rëndësishëm, në të cilin ti flisje për mafien shqiptare, disa kërcënime vijnë sinqerisht nga këto grupe shqiptare në Itali dhe jo vetëm. A mund ta konfirmojmë këtë lidhje apo nuk ka, në këtë rast, një lidhje të dukshme?
Trochia: Shiko, unë i përmbahem fakteve. Faktet thonë se disa muaj më parë, dhe besoj se edhe kjo është një vlerësim, sepse është një vendim i rezervuar që i komunikohet më pas personit, në rastin tim mua. Besoj se kanë vlerësuar edhe një letër anonime që ka mbërritur muajt e kaluar në Prokurorinë Antimafia të Romës, në të cilën flitej qartë për librin tim ‘Invincibili’ mbi mafien shqiptare dhe për një lloj nervozizmi të disa grupeve kriminale në Itali që i referohen kriminalitetit shqiptar në Shqipëri.
Kjo ka ndodhur. Çfarë ka ndodhur tjetër? Që mes kërcënimeve të qarta dhe mesazheve shqetësuese që më kanë ardhur, të hapura, ka një që ka ardhur nga nipi i një narkotrafikanti që për vite me radhë ka qenë i lidhur me kriminalitetin shqiptar, me atë lloj mafieje të Romës që është e lidhur me kriminalitetin shqiptar dhe me këta trafikantë italianë.
Dhe është e qartë që subjektet që më kanë dërguar mesazhe shqetësuese dhe kërcënuese i referohen grupeve kriminale shqiptare. Kjo është e sigurt. Vendimi përfundimtar, megjithatë, siç thashë më parë, merret nga autoritetet në një mbledhje që ka karakter të rezervuar, pra sekret, kështu që ndoshta lidhet edhe me shumë mjedise të tjera kriminale, por ka edhe rastin tim dhe nuk duhet neglizhuar fakti që aktualisht Roma, kryeqyteti i Italisë ku unë jetoj, është një qytet i përshkuar nga grupe kriminale ku ato shqiptare kanë një rol të rëndësishëm, dhe unë me këto merrem prej kohësh.
Krasta: Në vendet me demokraci hibride, siç është Shqipëria në këtë moment, disa lajme të rëndësishme shoqërohen në një farë mënyre edhe me mosbesim, me thashetheme vulgare, me hipoteza që më pas bëhen, si të thuash, komplekse pothuajse për të dobësuar forcën e versionit, të rrëfimit, të versionit real të faktit. Ti e di shumë mirë që përshkrimi yt që ke bërë për takimin në Aruba është shoqëruar në Shqipëri nga një narrativë qeveritare, nga histori që përpiqen të dobësojnë analizën e gazetarisë, të gazetarit investigativ, në këtë rast analizën tënde. Si mund të jemi didaktikë me këtë publik të telenovelave turke, në një farë kuptimi? A mund të themi, të konfirmojmë që gjëja është; një, e rëndësishme; dy, e rrezikshme; tre, tregon një Shqipëri të vështirë, agresive, mjaft kërcënuese në një farë kuptimi, me lidhje të forta, me pika të forta me botën e krimit ndërkombëtar, në këtë kuptim. Nelo, si mund të jemi ne, ti në këtë rast, bindës për të mbrojtur këtë dëshirë të madhe që ka njerëzit për të krijuar dy histori paralele, ku e vërteta shpesh bashkëjeton me versionin e rremë?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, një fakt që është i pakontestueshëm. Në Itali ka një prokuror ndër ata me mw shumw pwrvojw dhe më kompetentët që quhet Nicola Gratteri, i cili prej vitesh lufton ‘Ndranghetën, mafien më të fuqishme të Italisë dhe që tani ndan tregun e drogës me grupet kriminale shqiptare.
Nicola Gratteri, unë e kam intervistuar në librin tim dhe i bëj një pyetje. Ky është një fakt. E pyes; në të kaluarën e afërt, kundërshtarë të qeverisë Rama, gazetarë, vëzhgues, e kanë quajtur Shqipërinë një narkoshtet, një model narkoshteti, natyrisht ndryshe nga ato që kemi njohur në vitet e kaluara. Sipas meje është një ekzagjerim. Nicola Gratteri, prokuror i Napolit, një nga figurat simbol të luftës kundër mafies në vendin tonë, është përgjigjur jo, nuk është ekzagjerim, përkundrazi.
Dhe ky është një fakt që nuk mund të kundërshtohet duke delegjitimuar, siç ndodh shpesh, edhe në ambientin italian dhe jo vetëm shqiptar, punën gazetareske. Ky është një fakt. Një fakt tjetër i pakontestueshëm është se në një informatë të Drejtorisë Hetimore Antimafia italiane, shkruhej se kishte ndodhur një takim mes një karteli kriminal në Aruba në vitin 2019 dhe disa përfaqësuesve të papërcaktuar, të paspecifikuar të qeverisë Rama.
Unë, para se të shkruaja një fjali, një element të tillë, që është një informatë policore e Drejtorisë Hetimore Antimafia, që është forca më e rëndësishme hetimore në vendin tonë, kam realizuar një hetim, për një takim mes një karteli kriminal në Aruba në 2019.
Unë, para se të shkruaj, përmes zëdhënësve, përmes numrit të tij personal, i jam drejtuar Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, kryeministrit, atij që drejton Shqipërinë, liderit, për ta pyetur nëse mund të konfirmonte praninë në vitin 2019 të subjekteve të lidhura me qeverinë shqiptare, sepse gazetaria ime është një gazetari që kur ka një akt zyrtar si ai që sapo përmenda, pra një informatë e Drejtorisë Hetimore Antimafia, bën gjithmonë një punë verifikimi, prove, pune gazetareske.
Në këtë rast, duke iu referuar qeverisë Rama, kryeministrit Rama, unë telefonoj kryeministrin Rama. Nëse ai vendos të mos përgjigjet, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet. Fakti që ai nuk ka dashur të përgjigjet në asnjë mënyrë, në asnjë nga mënyrat që unë i kam propozuar, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet.
Unë kam një fakt, unë raportoj informacionin e Drejtorisë Hetimore Antimafia, e raportoj fjalë për fjalë, e raportoj në librin tim. Dhe në të njëjtën kohë telefonoj ekzekutivin shqiptar, kërkoj të konfirmojë, të eksplorojë, të monitorojë nëse ka qenë kjo prani, sepse mund të ishte prania e një zëvendësministri, e një personi që ndoshta në mirëbesim po bënte një takim pune.
Mund të kishte shkuar në mirëbesim. Unë, për të kuptuar më shumë, bëj këto pyetje, sepse gazetarët duan të kuptojnë para së gjithash. Por nuk është se unë i censuroj lajmet. Unë kam dhënë një lajm, kam bërë gjithçka për të marrë edhe përgjigjen, versionin e qeverisë, por kjo përgjigje nuk më ka ardhur. Dhe unë lajmin e kam publikuar.
Krasta: Po të bëj një pyetje të fundit dhe pastaj të lë të lirë. Më kujtohet Saviano. Ai donte, e donte dhe e urrente faktin që prej shumë kohësh shoqërohet me një eskortë policore në jetën e tij të përditshme, një eskortë profesionale, pra e agjentëve për të mbrojtur jetën e tij. Por në këtë kuptim, dua të të pyes, ti sigurisht do të vazhdosh të bësh profesionin tënd, të punosh në profesionin tënd, pavarësisht rrethanave të reja që janë krijuar. Pyetja e parë. Pastaj, i shoqëruar nga një pikëpamje profesionale, dhe në fund, sipas teje, bazuar në analizën hetimore, informacionet që ke marrë deri tani, njohuritë e tua personale e kështu me radhë, a do të vijë apo mund të vijë një moment që e ashtuquajtura mafie shqiptare të marrë një formë edhe më kërcënuese, e lidhur me shtetin shqiptar të momentit dhe të rrisë pak forcën kundër ligjit, etj. Si e sheh ti këtë raport tëndin në të ardhmen me këtë problem të madh dhe të rëndësishëm mes dy vendeve tona mike?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, sepse duhet të jemi të qartë. Unë i kam quajtur narkotrafikantët shqiptarë ‘të pathyeshëm’, jo vetëm sepse doja të jepja një titull libri, por sepse eksponenti më i rëndësishëm i kolonës romane, që quhet Arben Zogu, ndërsa ne po flasim, është i lirë. Është i lirë dhe është një nga eksponentët më të rëndësishëm të këtij bote kriminale. Subjekte të tjerë që unë i citoj në libër janë të lirë.
Po presim nga Dubai ekstradimin e Dorian Piku, ekstradimin e Altin Sinomatit, që në këtë moment janë ende atje dhe të subjekteve të tjera, ashtu si kolona romane e Zogut ka shumë subjekte të tjera të lira, janë të lirë në Romë, të lirë për të vepruar. Po flasim për një kolonë, për një nga kolonat për të cilat unë flas.
Dëshira për pushtet, për para, aftësia korruptive për të kontaminuar sektorë publikë, administrativë të kriminalitetit shqiptar, kjo aftësi është e jashtëzakonshme. Nuk ka prioritete të tjera për një qeveri, nuk ka prioritete të tjera përveç luftës së ashpër kundër mafies shqiptare, dhe këtë e kam kuptuar duke intervistuar një ish-magjistrat, Mandoi, i cili kritikon qeverinë shqiptare dhe thotë se ligji për konfiskimin nuk është i përshtatshëm për të luftuar nivelin e kriminalitetit që ka arritur në Shqipëri krimi.
Dhe siç më ka treguar një bashkëpunëtor drejtësie, që dikur ishte vrasës, ku nuk arrin pushka, ku nuk arrin kallashnikovi, arrijnë paratë. Aftësia e mafies shqiptare është të korruptojë si element qendror, sepse ka sasi të mëdha parash që vijnë nga narkotrafiku. Nuk ka prioritete të tjera, janë lojtarë ndërkombëtarë.
Nuk ka prioritet tjetër për një qeveri përveç luftës kundër mafies shqiptare dhe kundër nivelit shumë të lartë të korrupsionit që natyrisht i heq qytetarëve, i heq komunitetit dhe ia jep disa subjekteve të lidhura me krimin. Kjo është përgjigjja për pyetjen e dytë. Për të parën, unë do të vazhdoj të bëj profesionin tim.
Sigurisht, është e qartë që gjithçka bëhet më e komplikuar, është e pashmangshme, edhe vetëm në organizimin e jetës së përditshme. Unë gjithmonë kam thënë se ne jemi zgjedhjet që bëjmë, nuk jemi pasojat tona, por jemi zgjedhjet tona. Edhe pse ndonjëherë pasojat janë ndërhyrëse në jetën tonë të përditshme.
Unë do të vazhdoj të bëj gazetarin, kam nisur nga Campania, që është një tokë e madhe, dhe tani punoj për gjigantë që për mua janë simbole, si Giancarlo Siani. Ditët e fundit ishte përvjetori i 48-të i vrasjes së këtij gazetari intelektual nga mafia siciliane.
Unë mendoj se ne kemi detyrimin, ne që bëjmë këtë profesion, ta bëjmë sa më mirë të jetë e mundur dhe kur kemi lajmet, t’i japim, t’i rrëfejmë edhe hijet, kontradiktat, dhe të denoncojmë sistemet kriminale dhe të pushtetit.
Krasta: Nelo, të falënderoj shumë, të jam shumë mirënjohës që fole me mua. Faleminderit shumë këtë mbrëmje, faleminderit shumë.
Trochia: Faleminderit, dhe një përshëndetje e ngrohtë për të gjithë ju dhe një përqafim për Shqipërinë, një tokë që e dua shumë.
Deputeti i PD-së Luan Baçi ishte në Studio24, për të folur mbi situatën e Partisë Demokratike dhe opozitës.
Duke folur mbi garën për kreun e PD-së, ku Berisha kandidon i vetëm, Baçi theksoi se askush nuk i vë dot kushte demokratëve se kë duan të keën kryetar.
Sa i përket 3-4 kandidatura të mundshme për kryetar, që nuk u pranuan, Baçi shton se ata u porositën të dalin aty, por nuk dha më shumë sqarime.
Luan Baçi: Nuk do merrem me retorikën për të thënë që atje nuk ka garë. Berisha është i pakonkurrueshëm. 3-4 figura të falin por jo individë që i porosisin që të dalin aty. Sali Berisha ka vërtetuar që me vota është kryetar i partisë. Ka shumicën dërrmuese. Kushdo që garon me Berishën as 4% të votave nuk merr. Berisha është sot për sot bashkuesi i opozitës. Ka disa partia parlamentare ose jo. Por nuk janë ata që do venë kushte partisë më të madhe opozitës kë do venë kryetare. Nuk i themi ne partive të reja kë keni kryetar ose jo.
Është qejfi i tyre. Ne kemi kryetar Sali Berishën. E zgjedhim ne kryetarin. Ata nuk duan të bashkohen, le ta gjejnë vetë hallin. Kemi Kodin zgjedhor. Zoti Lapaj, ka bërë propozimin për kodin, Berisha ka pranuar atë kod zgjedhor që ka propozuar zoti Lapaj. Me prag 4%. Nëse zhduket nën 4% nuk ja vlen. Nëse tremben nga pragu nuk janë parti politike. Janë propozuar lista të hapura, koalicione parazgjedhore. Po të miratohet një kod i tillë, nuk do ketë shumë nga ata që duan të futen në parlament. nëse u leverdis për të prishur le ta prishin. Nuk janë për rotacionin.
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas seancës në GJKKO, duke deklaruar se Prokuroria ka rrëzuar akuzën kryesore për një lobim të dyshuar prej 1 milion dollarësh në SHBA për një foto me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas Metës, gjatë seancës përfaqësuesi i Prokurorisë ka pohuar se çështja lidhet vetëm me një pagesë të ligjshme prej 15 mijë dollarësh për “McKeon Group”, shumë që ai thotë se e ka deklaruar publikisht dhe më herët edhe para SPAK-ut, kur është pyetur për këtë çështje rreth tre vite më parë.
Më tej Meta ka komentuar gjithashtu edhe raportimet në mediat ndërkombëtare në lidhje me këtë dosje, të cilat, sipas tij kanë shërbyer si bazë për ngritjen e akuzave dhe izolimin e tij politik për 19 muaj.
“Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës”, ka shkruar ai.
Ilir meta: Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.
Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.
Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.
Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.
Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm janë rikthyer sërish në qytetin e Vlorës, ku Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka njoftuar ndërprerje të furnizimit në disa zona të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, shkak i kësaj situate është një avari e rëndë e konstatuar në tubacionin kryesor 500, pranë zonës “Miramare”, e cila ka sjellë domosdoshmërinë e stakimit të të gjitha stacioneve të ujësjellësit.
UKV bën me dije se masa është marrë me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në rrjet dhe parandalimin e dëmtimeve më të rënda në sistemin e furnizimit me ujë.
“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët se, për shkak të një avarie të rëndë në tubacionin 500, të furnizimit me ujë, pranë zonës “Miramare”, janë stakuar të gjitha stacionet e ujësjellësit.
Grupet e Degës Teknike janë angazhuar në terren dhe do të punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë në kohën më të shpejtë të mundshme, me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në furnizimin me ujë.
Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve deri në normalizimin e situatës. Faleminderit për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftimin e UKV.
Kujtojmë se edhe në muajin dhjetor, Vlora mbeti katër ditë pa ujë, ndërprerje e cila preku mijëra familje dhe biznese.
Asokohe defekti u riparua pas ardhjes nga Turqia të pjesëve hidraulike të nevojshme për tubacionin kryesor të ujësjellësit.
Ish-presidenti Ilir Meta është paraqitur sot në ambientet e reja të Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po mbahet seanca e dytë në themel.
Meta është shfaqur në kafazin e xhamit brenda sallës së gjyqit.
Ndërkohë në një moment, Meta ka përshëndetur me simbolin e shqiponjës.
Avokati Cakrani ka kërkuar që seancat të bëhen të hapura për mediat në mënyrë që publikut të shikojë të vërtetat e e procesit dhe hetimit politik. syri.net
Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka prezantuar në rrjetet sociale një sërë propozimesh për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, duke theksuar nevojën për një reformë të thellë që, sipas tij, rrit përfaqësimin dhe besueshmërinë e procesit.
Lapaj propozon një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore, duke argumentuar se kjo do të siguronte barazi të votës në të gjithë territorin dhe përfaqësim më të drejtë në Kuvend.
Sipas tij, proporcionalja kombëtare bën që “vota të ketë vlerë të barabartë në çdo cep të atdheut”, ndërsa deputetët do të mbajnë përgjegjësi kombëtare dhe jo vetëm rajonale.
Ai thekson gjithashtu rëndësinë e listave të hapura, duke e konsideruar këtë si mënyrë për t’i dhënë qytetarit të drejtën të zgjedhë vetë përfaqësuesit dhe për të shmangur, siç shprehet, imponimet nga kryetarët e partive.
Një tjetër pikë e propozuar është krijimi i koalicioneve parazgjedhore, që sipas Lapajt do të ndihmonte maksimizimin e votës dhe bashkëpunimin mes forcave politike pa humbur identitetin e tyre.
Në lidhje me administrimin zgjedhor, ai kërkon depolitizim të komisioneve në nivel KZAZ, duke përfshirë profesionistë të lirë si avokatë, noterë dhe psikologë të përzgjedhur me short, për të rritur besueshmërinë e procesit.
Lapaj propozon gjithashtu vendosjen e një pragu prej 4% për hyrjen në Kuvend, duke e konsideruar si një mekanizëm që ruan stabilitetin dhe shmang fragmentarizimin e skajshëm politik.
Sa i takon numrit të deputetëve, ai shprehet kundër uljes së tij nga 140, duke argumentuar se kjo nuk sjell kursim real dhe përkundrazi rrit përqendrimin e pushtetit dhe dobëson garën zgjedhore. bw
Një incident i pazakontë është regjistruar këtë të diel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një automjet ka përfunduar në shkallët e godinës së Kryeministrisë.
Pas ndalimit të mjetit, drejtuesi është parë duke dalë nga automjeti dhe duke u ngjitur drejt hyrjes së institucionit, ku më pas ka goditur me shkelma dyert e godinës.
Në pamjet e publikuara shihet edhe një efektiv policie që afrohet pranë automjetit, por më pas qëndron në distancë pa ndërhyrë në momentin kur qytetari godet hyrjen e Kryeministrisë.
Deri tani nuk dihen motivet që kanë çuar drejtuesin e mjetit në këtë veprim.
Tre shtetas italianë janë mes gjashtë personave të proceduar penalisht pas protestës së 8 majit të organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ku u pati edhe përplasje me policinë.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se sipas hetimeve paraprake, autoritetet kanë provuar përfshirjen e tyre në akte dhune ndaj efektivëve, megjithatë ata nuk dyshohet se kanë marrë pjesë në hedhjen e molotovëve.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se shtetasit e huaj janë marrë në pyetje nga hetuesit, por kanë refuzuar të japin shpjegime lidhur me arsyet e përfshirjes së tyre në protestë dhe mënyrën se si u bënë pjesë e tubimit.
Në total, për incidentet e ndodhura gjatë protestës janë proceduar gjashtë persona, të dyshuar për dhunë ndaj policisë dhe përdorim të mjeteve molotov në drejtim të forcave të rendit.
Hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë ende.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka dënuar dhunën policore ndaj gazetarëve gjatë protestës së opozitës, duke e cilësuar atë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe informimit.
Zhupa solli në vëmendje rastin e gazetares Marsi Korreshi të Syri TV, e cila u godit me ujë me presion gjatë raportimit në terren.
Ajo iu referua edhe raportit të Reporterëve pa Kufij, sipas të cilit gazetarët që mbulojnë protesta shpesh bëhen viktima të dhunës policore.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
“Gazetarët që mbulojnë protestat bëhen viktima të dhunës policore”, shkruante vetëm pak ditë më parë raporti i Reporterëve pa Kufij. Fatkeqësisht ky alarm ndërkombëtar, u vërtetua sërish dje në protestën e opozitës.
Pamjet tregojnë qartë sulmin ndaj operatorëve dhe gazetarëve që ishin në krye të detyrës, duke dokumentuar zhvillimet në terren. Gazetarja Marsi Korreshi e Syri tv godit dy herë nga uji me presion në distancë shumë të afërt dhe në drejtim të fytyrës, ndërsa goditja e dytë dhe e rrëzoi në tokë.
Dhuna ndaj medias është dhunë ndaj lirisë së informimit dhe një tregues i rrezikshëm i sjelljes së një narkopolicie që nuk i përgjigjet ligjit, por urdhrave politikë.
Asnjë uniformë nuk e vendos policinë mbi Kushtetutën dhe mbi të drejtat themelore të qytetarëve. Detyra e policisë është të garantojë rendin dhe sigurinë, jo të godasë gazetarët dhe të intimidojë median. Këto akte duhet të dënohen dhe autorët të mbajnë përgjegjësi.
VLORË– Tregu i fruta-perimeve në qendër të Vlorës është mbyllur, si pjesë e projektit për rijetëzimin e zonës pranë Sahatit. Tregtarët kundërshtojnë zhvendosjen drejt Jallisë së Nartës, duke e cilësuar zonën të largët. Tregtarët shprehen se vendndodhja e re është tepër larg dhe e papërshtatshme për aktivitetin e tyre, ndërsa kërkojnë shtyrje të afateve për të shitur mallin që kanë në stok.
Një nga tregtaret thotë me batuta se janë bërë si kanali i Hormuzit të rrethuar nga policët, ndërkohë që shton se policia ata të drogës i lejon, ndërsa tregtarët e fruta-perimeve jo.
Qytetarja: Jemi bërë si kanali Hormuzit, policë atje, policë këtu.
Pyetje: çfarë po shisni?
Qytetarja: Ata të drogës i lënë neve nuk na lejnë.
Pyetje: Ku do shkoni tani?
Qytetarja: Në të sëmës
Po ashtu, pakënaqësi kanë shprehur edhe qytetarët, të cilët thonë se mbyllja e tregut i lë pa një pikë të rëndësishme furnizimi me produkte të freskëta./Dosja.al
Komentet