VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

RECETA PA KOMB – Libër i autorit SAIMIR LOLJA

By | May 18, 2018

Komentet

TAKIMET E LETRAREVE, EDHE SPONTANE, JANË TË DOBISHME – Nga TAHIR BEZHANI

 

Takimi në Bajram Curri i disa miqve letrarë, me datën 7gusht 2018, edhe pse spontan, ishte mjaft interesant, frytdhënës në ide dhe konkret në propozime.

Duke shkëmbyer mendimet,krijuesit Hysen Berisha,Shaban Nokshiqi,Lulzim Logu e Tahir Bezhani:

Në hotelin i bukur ”Shkelzeni”,mbuluar me pisha dhe ajrin e freskët bjeshkor,u takuam një grup miqsh poetë,krijues nga Malësia e Gjakovës,duke pirë kafe dhe duke biseduar për krijimtarinë letrare. Në fakt,poeti 92 vjeçar, Shaban Nokshiqi, kishte nxjerrë nga botimi këto ditë,librin e tij të pestë me poezi ”Piramida”, i cili u bë edhe shkak i bisedës për letërsi. Duke shkëmbyer mendimet,krijuesit Hysen Berisha,Shaban Nokshiqi, Lulzim Logu e Tahir Bezhani,trajtuan edhe disa çeshtje të organizimeve të ndryshme, me rëndësi të veçantë, siç është “Festa e Plisit”,manifestim nga viti 2014,të cilin e organizojnë me sukses letraret e Klinës,në krye me Ismet Krasniqin –Lala , krijuesin e mirënjohur,kritikun letrar me zë,z.Prend Buzhala,e krijues tjerë nga Klina.

Ky manifestim për “Plisin” organizohet edhe nga Shoqata “Bytyqi” në krye me Agron Çjidija,për teritorin e Shqipërisë.  Këto dy manifestime,kanë dhënë kontribut të madh në aspektin e ndriçimit të historikut të Plisit të bardhë.

Në aktivitet e organizuar nga krijuesit  Klinës, në disa edicione, kanë mbajtur fjalën e tyre një numër i madh studiuesish, të cilët me tezat e tyre shkencore, kanë argumentuar bindshëm prejardhjen e Plisit të bardhë nëpër shekuj. Nga këto biseda,si spontanisht, rrodhën edhe propozime konkrete, për kulmimin e idesë së manifestimit për “Plisin”,i cili ka disa vite që mbahet në të dy anët e trungut shqiptar. Nga takimi te hotel”Turisti” në Bajram Curri,dolën edhe këto propozime nga grupi i krijuesve të lartcekur.U tha aty se do ishte mirë që manifestimi për “Plisin” të përfundonte në trojet e Binak Alisë së Bujanit,në Kullën e Mic Sokolit,me një organizim mbarëkombëtar,ku do merreshin edhe disa qëndrime konkrete,si:

 

  1. Nga ky manifestim t’iu drejtohet materiali dhe mendimi dy institucioneve të dijes(Universiteteve) tona,Tiranë- Prishtinë,për të përpunuar idenë dhe për t’iu dhënë propozim dy Parlamenteve(Prishtinë-Tiranë) që “Festa e Plisit” të jetë festë mbarëkombëtare,caktuar(paraparë) me akte ligjore nga dy vendet.
  2. Dita e cekur(paraparë në aktet ligjore të Parlamenteve),të jetë ditë e gjithë shqiptarëve në botë,por në trojet tona,mundësisht të gjithë,të dalin me plisa të bardhë në kokë në të gjitha vendbanimet e tyre,por edhe në vend punimet e tyre,njëditore.
  3. Ky manifestim ka rrënjët më të thella se vet Flamuri jonë kombëtar,dhe si i tillë të jetësohet gjithsesi.
  4. Një mendim se manifestimi te Kulla e Binak Alisë të ishte mikpritësja e këtij manifestimi,vjen natyrshëm edhe shkaku i të qënit pranë vendit ku u mbajt “Konferenca e Bujanit” të ishte përforcim i ideve të saj,që datojnë nga viti: 1943/44

Këto ” pak”mendime që u dhanë gjatë bisedës,te tjerat që do vijnë nga të tjerët,do ishin në grumbullin e atyre dëshirave dhe qëllimeve që i dëshirojmë të gjithë,por,vetëm se duhet punuar për realizimin e tyre me këmbëngulje dhe të bashkuar…..

Tahir Bezhani,7 gusht,2018

Bajram Curri

Krijues nga Shqipëria vlerësojnë punën krijuese të mërgimtarëve shqiptarë nga Suedia – Nga Hysen Ibrahimi

 

Lezhë, 5 gusht 2018

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, nga Suedia, përuroi numrin e 9-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare edhe në qytetin e Lezhës. Bashkia e Lezhës, kishte organizuar një ceremoni të veçantë për  këtë promovim dhe libri i nëntë i Thesarit u mirëprit nga shumë shkrimtarëve, krijues dhe intelektualë, të pranishëm.

Përgjegjësi për trashëgiminë kulturore në Bashkinë e Lezhës, Paulin Zefi ngriti lartë punën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI Albani”, duke vlerësuar se pasqyrimi i punës së mërgimtarëve në Suedi, por edhe krijuesve në shumë troje shqiptare, është shumë i rëndësishëm sidomos në mërgatë.

Ndërkaq, Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, tha se Lezha ka bërë historinë me Kuvendin e saj të 1444, ku ishin mbledhur shumë burra për ta bërë bashkë kombin shqiptar dhe trojet e tij. Prijësi i tyre ishte heroi ynë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Shumë ngjarje janë zhvilluar më pas, duke pasur frymëzim atë Kuvend burrash dhe atë Besëlidhje. Ndërsa këtë vit, shumë krijues, intelektualë e politikanë, janë bërë bashkë për të shënuar 550 vjetorit të shkuarjës në përjetësi të Skënderbeut, tha Ibrahimi, duke shprehur mirënjohje për pritjen që i bënë zyrtarët e Lezhës, për të promovuar librin e 9-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare.

Në këtë ceremoni, fjalë rasti mbajtën edhe L.Prenga, M.Lacaj, Gj,Marku, edhe M. Deda. P. Baloi

Librat e Thesarit Kombëtar i vlerësuan lartë edhe krijuesit Kadri Tarelli dhe Kujtim Mateli, i cili ndër të tjera tha: “Po e përsëris, nuk njoh shoqatë të dytë në emigracion që të bëjë punë kaq të madhe, siç bën Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi Xi Albani” në Suedi. Kurse, Kujtim Mateli, ndër të tjera tha se shqiptarët në Suedi, me krijimtarinë e tyre janë bërë pjesë përbërëse e letërsisë shqipe. Ajo njihet në gjithë trojet shqiptare dhe po hyn si vlerë e  letërsise, pavarësisht se krijohet jashtë trojeve tona”, tha Mateli.

Ndërsa, Viron Kona, i cili është edhe anëtar i SHSHASH, tha se shqiptarët në Suedi, në veçanti ata të mbledhur në SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, bëjnë një punë të rëndësishme, duke pasqyruar ngjarje dhe histori të rëndësishme të popullit shqiptar dhe duke i botuar ato pastaj në librat e Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare.

Deri tani SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, ka botuar 9 vëllime të librit “Thesar Kombëtar  Mërgatës Shqiptare” në Suedi. Numri i 9-të përmbanë gjithashtu histori e fakte nga shumë ngjarje të rëndësishme të kombit shqiptar, përmban opinione, vështrime, analiza, vlerësime,  përurime të librave, shkrime nga manifestime të ndryshme kulturore të shqiptarëve.

Në ceremoninë e promovimit në Lezhë, kryetari i SHSHASH, Hysen Ibrahimi, ndau disa mirënjohje për krijues shqiptarë. Kurse “Anëtar Nderi” i shoqatës, u shpallë, Nikollë Lleshi, president i Shoqatës Kombëtare për Miqësi dhe Bashkëpunim Shqipëri-Itali.

Me kërkesë te tyre u pranuan si anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani@, Suedi”: Prenk Baloi , Martin Dedaj dhe Gjon Marku.

Të gjithë ishin dakort që për shkrimet dhe botimt, të vazhdojnë koordinimet në interes të çështjës kombëtare.

E kryetari i Bashkisë së Lezhës, Frank Frrokaj, kishte organizuar një koktej rasti, për të nderuar mërgimtarët kosovarë, që punojnë dhe krijojnë në Suedi. Në fund të kësaj ceremonie, anëtarë të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, vizituan edhe varrin e Skënderbeut në Lezhë, ku po kryhen punimet renovuese.

HAVZI NELA- PROMETEU I FJALËS SË LIRË – Nga Azgan HAKLAJ*

 

Jemi në Vitin Jubilar të Heroit tonë Kombtar të Gjergjit të madh, arkitektit të Nëntorit të parë të Shqiptarëve, themeluesit të Shtetit të Përqendruar Arbëror, i cili mbushi 550 vjetorin e kalimit të tij në amshim. Në 140-Vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ndonëse e largët në kohë ripërtëriu Epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut). Shqiptarët startuan për herë të parë me platformë të qartë politike, për bashkimin e katër vilajeteve në një shtet të vetëm të pavarur nga Perandoria Otomane.

 

Mendja me fektiu tek Pashko Vasë Shkodrani me veprën e tij: “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët…”, që u bë platformë e Lidhjes së Prizrenit dhe tek Lidhja e Pejës e Haxhi Zekës, me “Besa-besë”, që frymëzoi Rilindasin e madh Sami Frashërin për të shkruar veprën e tij: “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. Krejt natyrshëm gjatë këtij meditimi u ndala tek qëndrestarët e mëdhenj. Ata burra sypatrembur për të cilët Atdheu- Flamuri Kombtar, liria e kujtimi i veprës së ndritur të Kryetrimit Shqiptar, e i Rilindasve tanë ishte lejtmotivi i jetës së tyre.

 

Një nga këta burra heroik eshtë poeti Havzi Nela.

Ai ishte disidenti, heretiku antikonformist, martiri rebel, kauza e të cilit ishte Liria- barazia-drejtësia.

Diktatura komuniste e ekzekutoi barbarisht më 10 gusht të vitit 1988.

Havzi Nela ishte poeti i fundit i ekzekutuar nga Perandoria Komuniste.

U ekzekutua pasi kaloi nje kalvar të gjatë në burgjet komuniste, Elbasan, Vlorë, Spaç, Rrëshen, Burrel, Ballsh, Qafë Bari, i dënuar dy herë 15 vjet në vitin 1967 pasi kishte kundërshtuar Kolektivizimin dhe ndalimin e Besimit Fetar dhe ishte larguar nga Shqipëria dhe 8 vjet ridënohet si elemet i rrezikshëm në vitin 1975.
Pas lirimit nga burgu në vitin 1986, internohet në fshatin Arrën në vitin 1987.

 

Më dt. 10 gusht, ora 03, Havzi Nela thotë fjalën e fundit: Varet në qendër të Kukësit dhe lihet ashtu i varur deri në orën 11 për të terrorizuar qytetarët tek ish agjensia e udhëtarëve.

Më 11 gusht, ora 01, futet në njě gropë në vend të një shtylle vertikalisht.

 

Para tij Neroni shqiptar kishte pushkatuar poetët, Villsom Blloshmi e Genc Leka, si armiq të popullit. Sabotatorë e agjent të imperializmit. Ekspertja e aktakuzës së tyre Diana Çuli gëzoi privilegjet e diktaturës si gardiane e saj. U zgjodh deputete në vitet e demokracisë, madje guxuan ta propozojnë edhe për Çmimin “Nobel” në letërsi.

 

Ekzekutimi i Havzi Nelës është rast i pashembullt në histori për nga egërsia e simbolika e krimit.

Ai u var në litar pikërisht në vendin ku nuk guxuan të dislokoheshin as armatat e tmerrshme të Hitlerit.

Urrejtja patologjike e Ramiz Alisë, Kristaq Ramës, Nexhmie Hoxhës, Fehmi Abdiut dhe talebanëve të diktaturës ndaj Havzi Nelës nuk njihte kufi, duke thyer të gjitha kodet zakonore e morale të shqiptarëve, duke sfiduar dhe ligjet e diktaturës.

Ata guxuan që me kufomën e viktimës së tyre të terrorizonin një qytet të tërë.
Terrori me të vdekurin apo nekroterrori është karakteristikë e hordhive barbare pushtuese e otomanëve, mongolëve e serbëve. A nuk vepruan njësoj otomanët me luftëtarët e patriotët e shquar Sefë Kosharja, Avdullah Hoxha e Shaban Binaku.

 

3000 vjet më parë Akili i ktheu kufoměn e Hektorit mbretit Priam dhe madje e përcolli me nderime nga kampi i tij. 2000 vjet më parë Ponc Pilati i lejoi dishepujt e Krishtit ta zbrisnin nga kryqi dhe ta varrosnin.

 

Kur Kristaq Rama hodhi firmën pa ju dridhur dora për ekzekutimin e Havzi Nelës, nuk mund ta imagjinonte se pak kohë më pas do të përballej në gjyq, i akuzuar për një krim ordiner nga i biri sot kryeminister i Shqipërisë Edi Sulltan Rama.

 

Havzi Nelën guxuan ta vrasin për fjalën e lirë ata që ligji u njihte të drejtën e faljes dhe të amnistisë.

 

Klika e frikshme staliniste nuk guxoi ta dënonte apo ta ekzekutonte publikisht Eseninin i cili kishte akuzuar regjimin bolshevik dhe e kishte quajtur Revolucionin e Tetorit 1917 që vetë e kishte mbështetur: “Tetor i egër e mashtrues”. Sigurisht e zhduku në fshehtësi KGB-ja, eksperte e punëve të pista, dhe e propagandoi si vetëvrasje.

 

Sovjeti Suprem i Moskës e dënoi duke e dërguar në gulag disidentin e madh Aleksandër Solzhenitsin, por nuk guxoi ta vriste.

Kur falangat fanatike frankiste vranë Garsia Lorkën e madh, gjenerali fashist Franko i gjykoj me ashpërsi.

 

Para pak ditësh u nda nga jeta Saharovi Shqiptar Adem Demaçi i identifikuar si armiku me i madh ideologjik i Jugosllavisë Titiste. Kaloi 28 vjet në burgjet serbe, por as UDB-ja e as Rankoviçi nuk guxuan ta ekzekutojnë.

 

E theksova që në fillim të shkrimit jo pa qëllim Vitin Jubilar të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), sepse krahas veprave të tjera të ndritshme i parapriu Qytetërimit Europian me një Kryevepër: “Heqjen e dënimit me vdekje”. Ju deshën 500 vjet Evropës së Helmut Kolit, Shirakut e Andreotit të ratifikonin me ligj idenë gjeniale të Prijësit Shqiptar.

 

 

Havzi Nela u vra nga egërsia bizantine e kupolës komuniste, e cila poetët shkrimtarët e intelektualët i donte skllevër e sherbëtorë të ideologjisë së saj.

 

Të njëjtën strategji ndjek sot Qeveria bandite e kalifatit të Sulltan Ramës e kodifikuar me emrin Rilindja.

 

Nëse babai, daja dhe etërit komunistë të Ramës e vranë Havzi Nelën në emër të ideologjisë staliniste, Xhonturku Rama po i rivret disidentët dhe po shkatrron institucionet e shtetit e ato të kulturës në emër të një ideologjie neo-otomane që rrezikon zhbërjen jo vetëm kulturore, por dhe etnike dhe territoriale. Për interesat e tij utilitare Rama shiti Kauzën Çame, shiti Detin, ua dha Aeroportin e Vlorës së Ismail Qemalit shpurës së Erdoganit.

 

Rama ka rënë në rrjetën e trekëndëshit Moskë- Ankara- Athinë.

Së bashku me sivllaun e tij Vuçiq ishte krushk i kurorëzimit të Erdoganit si Sulltan i Ri e Despot i Turqisë. Tufa me lule e Erdoganit tek Mustafa Qemal Ataturku ishte mesazhi i fundit të Republikes Demokratike Turke dhe instalimi i pushtetit absolut të tij.

 

Politika antikombëtare dhe antiperëndimore e Ramës. Shkatërrimi i sovranitetit të organeve kushtetuese. Kapja e prokurorisë, shkatrrimi i sistemit gjyqësorë. Shpallja e Opozitës esadiste, kur në fakt ai dhe banda e tij të kujtojnë Haxhi Qamilin. Të gjitha këto janë imitim i filozofisë sunduese të babait të tij shpirtëror Erdoganit, i cili i shpalli 2.000 gjeneralë dhe guljenistët “armiq të popullit” dhe po kthen denimin me vdekje.

 

Shpallja e tij vasal i binomit Putin- Erdogan tregoi se pikërisht në vitin Jubilar të Heroit Kombëtar të Gjergjit të madh, ai ka si qëllim të vërtetë jo nderimin e kësaj figure të ndritur, por zhbërjen e veprës së tij dhe të Rilindasëve të vërtetë të Kombit shqiptar. Aq shumë e urren sa në një aktivitet benjamini i tij Erion Veliaj ia mbuloi me sofrabez të zi (ferxhe) shtatoren në Sheshin “Skënderbej”.

 

Ky Don Kishot i politikës me atlete Adidas dhe me pature, është nxënës i keq i historisë.
Ëndrra e tij e çmendur për të shembur Panteonin e Kulturës, Teatrin Kombëtar, për të ndërtuar kulla e për të grabitur pronën publike, duhet të ndalet nga Sovrani Popull.
Rama në shenjë hakmarrjeje për bunkierin që e shkatërruan të Persekutuarit e Opozita e Bashkuar, si simbol komunist, kërcënon se do shembë Simbolin Kombëtar, ku janë luajtur “Epoka para gjyqit” e Kryeveprat e Dramaturgjisë Shqiptare.
Ai po luan aktin e fundit të dramës së tij përpara se të bjerë në humnerën e thellë që ka gatuar në të gjithë këto vite të pushtetit të tij. Ende ka aktivistë të opozitës në proçese gjyqsore që shkatërruan bunkierin e ndertuar pa leje si simbol të diktaturës.

 

Ende ka të burgosur politikë nga Kukësi i Havzi Nelës, të cilët shembën traun e ndërtuar pa leje në Rrugën e Kombit, ndërsa “Kmerët e Ramës” duan të shembin Koloseun tonë, Teatrin Kombëtar, duke e grabitur pronën publike dhe shembur simbolin e kujtesës historike.

Në prag të 30 vjetorit të varjes së disidentit Havzi Nela nga familja biologjike dhe politike e Sulltan Raměs, po i perifrazoj disa vargje që ai i krijoi me mend, pa patur laps e letër, duke rimuar me anë të gishtave, botimin e të cilave e bëri të mundur shkrimtari Petrit Palushi:

“Në qelitë e burgut pa ajër e pa dritë,
Fryma po më merret m’janë terrue sytë.
Po dirgjem i mjerë, mbrohem rroj me shpresë,
Jeta m’u rendue deshirë nuk kam të vdes

Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kabare,
Ma sfiliten trupin, zemra s’ndihet fare.
Me durim përgjoj kur do t’ma hapin derën,
Po e pres lirinë si zogu pranverën.

Fryma e Helsinkit u derdh porsi era,
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;
Këtu, në vatrat tona, futi gaz dhe shpresë,
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do të vdesë.

Këto janë disa nga letrat e tij që ka nxjerrë nga burgu.

Kjo tregon sa shumë e donte poeti jetën, por më shumë donte Lirinë. Ai shprehet solemnisht: “Vdekja për Lirinë nuk më tremb aspak”

 

Havzi Nela, i merzitur kur ikën nga Shqipëria shkruan në një copë letër dhe e vendos në një lis:”Lamtumirë Atdhe i dashur /Po të lë me zemër plasun”/.

 

Me guximin e tij sfidoi regjimin gjakatar të etërve të Edi Ramës, ndërsa sot me veprën e tij sfidon vetë Edi Ramën dhe pushtetin e tij kleptokratik.

 

Në përkujtim të 75 vjetorit të lindjes së tij, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, deklaron: “Poeti Havzi Nela është kambanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e degjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”

Novosejanët e quanin Havziun lisin qëndrestar me rrënjët e të cilit mbrohet “Lëndina e Luleve”.

Poeti amerikan Uitman na ka lanë një postulat: Nuk kam çfarë t’i jap Kombit tim përveçse fjalës.
Havzi Nela na la testament fjalën e bukur poetike, për të cilën bëri sakrificën sublime. Për fjalën e lirë u martirizua. Dha gjënë më të shtenjtë jetën. Diktatura komuniste e ekzekutoi 30 vjet më parë në mënyrën më makabre. Me fjalën e lirë sfidoi diktaturën më të egër ně Europë.

 

Jeta e tij ishte mjaft e shkurtër se u këput nga litari i diktaturës, nga gijotina komuniste, por i mjaftoi për ta shkruar emrin në panteonin e historisë kombëtare.  Vepra e tij sot sfidon regjimin Despotik të pinjollit të diktaturës komuniste Edi Ramës. Ajo është apel i ndërgjegjes kombëtare. Është aktakuza me e rëndë, verdiktin për të cilën duhet ta japë shpejt Sovrani Popull, kur t’i bëjë gjyqin epokës kriminale të Sulltan Ramës dhe krimeve të diktaturës komuniste.

_____

*Mjeshtër i Madh. President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar (UAKSH).

LEZHA E BESËLIDHJES, PRITI “THESARI KOMBËTAR. 9” – Nga Kadri Tarelli

Pas Prizrenit, pak dit më parë, të dielën më 29, të Korrikut 2018, në kuadër të “Vitit të Skënderbeut”, në bibliotekën publike “At Gjergj Fishta”, të qytetit të Lezhës, u organizua përurimi i librit “Thesari Kombëtar. 9”, botim i Shoqatës letrare-artistike “Papa Klementi XI. Albani”, që vepron në Suedi. Me këtë rast, u përuruan edhe librat: “Po të pres”, përmbledhje me poezi, të autorit Idriz Gashi dhe “Fjalori mjekësor, me fjalë dhe fraza mjekësore”, në dy gjuhë shqip-suedisht, të autorit Fetah Bahtiri.

Në sfond një flamurtar i bukur dhe i hijshëm, veshur me kostum tradicional, mbante të shpalosur flamurin tonë kombëtar. Ai mbushi me hijeshi dhe frymë atdhetarie sallën dhe të pranishmit e shumtë. Ishte një gjetje e bukur dhe shumë kuptimplote, që pa fjalë fliste shumë.

Takimin e hapi z. Hysen Ibrahimi, kryetari i shoqatës letrare-artistike “Papa Klementi XI. Albani”, ku me pak fjalë vuri në dukje veprimtarinë e madhe të intelektualëve shqiptar të mërgatës, në mbajtjen gjallë të traditës dhe kulturës shqiptare te mërgimtarët tanë, që jetojnë e punojnë në Suedi, duke përmendur veç veprimtarive të shumta, edhe botimin e mbi 300 tituj librash, në dy gjuhë, shqip dhe suedisht.

Në takim foli edhe z. Viron Kona, Anëtar nderi i shoqatës, dhe shkrimtari Kujtim Matelli. Këtu edhe unë pata një fjalë të shkurtër përshëndetëse:

 

AMANETI PËRMBUSHET, KUR TË JEMI TË BASHKUAR!

Përshëndetje organizatorëve!

Përshëndetje edhe nikoqirëve lezhjan!

Megjithëse kisha ftesë, më vjen keq, që nuk mora pjesë në tubimin e zhvilluar para katër ditëve në Prizren, në kuadër të 140-vjetirt të “Lidhjes shqiptare”, takim që e prisja me padurim. Sidoqoftë ja ku jam përsëri mes jush, për të mirëpritur, ashtu si në Durrës, “Thesarin Kombëtar. 9”, tashmë në Lezhë, qytetin e kulturës, historisë, letërsisë, besës dhe lavdisë.

Për të qenë i vërtetë me veten, kam mbi 10-vjet, që veprimtarët tanë nga Suedia, t’i pres e t’i përcjell, në Durrës dhe në Tiranë, duke qenë i pranishëm edhe në veprimtaritë e organizuara në përurimin e veprave të tyre, me vlera atdhetarie e shqiptarie, si në Durrës, Tiranë, Tropojë, Mitrovicë. Kështu kam pasur nderin, që në nëntor 2013, të përshëndes edhe mbërritjen e “Thesarit. 1 dhe 2” në Durrës. Pjesëtarëve u dhurova librin tim, kushtuar arsimit: “Misionarë në udhën e dijes”. Këtij takimi i kushtova një shkrim, publikuar në gazetën Republika: 05. 11. 2013 dhe Prishtina Press: 06. 11. 2013 dhe “portali “Fjala e lire” në Londër: ku deklarova: “Suedia ju dha mikpritje, strehë dhe liri. Askush nuk mund të thotë, se suedezët ua e dhurojnë apo ua e falin vlerësimin. Them se e meritoni. Nuk janë suedezët ata, që ju thonë çfarë të bëni, nuk janë ata, që ju dërgojnë këtu, por është zëri, vepra dhe përkushtimi juaj atdhetar, që ju sjell. Të gjitha janë frute të shpirtit krijues të mërgimtarëve tanë, për t’u ndjerë e qenë vetvetja. Ndaj ju them: Ju lumtë! Vazhdoni kështu se jeni në rrugë të mbarë. Koha dhe historia do t’u vlerësojë dhe kombi do t’u nderojë”. Jam i kënaqur, se koha e vërtetoi. “Thesari” u shumua dhe po vazhdon udhën nëpër trojet shqiptare dhe në shumë qytete të tjerë, duke prekur duart, mendjet dhe zemrat Arbënore.

Në Mitrovicë, në intervistën dhënë “TV. Mitrovica”, më: 19. 08. 2017. delklarova : “Unë nuk njoh shoqatë të dytë në emigracion, që brenda pak vitesh nga themelimi, (rreth 7-vjet), të bëjë punë kaq të madhe, siç bënë shoqata e shkrimtarëv edhe artistëve shqiptar, ”Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi. Veprimtaritë arsimore, artistike dhe kulturore janë të shumta, duke mbajtur gjallë atdhedashurinë dhe frymën kombëtare. Këtu përfshihen edhe botimet me vlerë, si revista, libra, studime, fjalorë, përkthime në dy gjuhët dhe thesarin, 1-2-3-4-5-6-7-8-9. Besoj se përsëri më jepni të drejtë.

Bashkohem me fjalën e Z. Hysen Ibrahimi thënë në takimin kushtuar 140-vjetorit të “Lidhjes shqiptare të Prizrenit”: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është frymëzim dhe amanet i papërmbushur”, duke shtuar: Zëri i “Besëlidhjes” nuk është shuar. Amaneti përmbushet, kur të jemi të bashkuar.

 

Faleminderit!

 

Kadri Tarelli

Lezhë. Më: 29, të Korrikut.  2018.

Një libër për alienët, nga Arian Kadiu – Nga VIRON KONA, shkrimtar

 

 

-Disa mbresa dhe opinione nga leximi i romanit “Pas takimit me alienët” të shkrimtarit të njohur  Arian Kadiu-

1.

Letërsia për fëmijë më ka tërhequr vazhdimisht, një parapëlqim ky që më vjen nga fëmijëria, kur lexoja me zell dhe kërshëri të veçantë librat fantastikë e shkencorë: “Pesë javë me balon” dhe “Bijtë e kapitenit Grand”, të Zhyl Vernit, “Udhëtimi i çuditshëm i Nils Holgersonit nëpër Suedi”, të Selma Lagerlof, “Robinson Kruzo” të Daniel Defo dhe shumë e shumë vepra të tjera të letërsisë botërore, por edhe të asaj shqiptare. Leximi i tyre më ka përfshirë në botën magjike të fabulave dhe aventurave të personazheve, saqë mbaj mend që nuk doja ta lëshoja librin nga dora deri në faqen e fundit. Madje, kënaqësia e leximit të këtyre veprave, më shoqëronte edhe më tej teksa përfytyroja vazhdimisht episodet dhe ngjarjet e tyre, që shpesh i bisedonim me shokët dhe miqtë e vegjël në shkollë e  në lagje. Mund të them me plotë gojë se kjo ndjesi dhe kërshëri më përfshiu edhe kur lexova kohët e fundit romanin fantastik“Pas takimit me alienët” të shkrimtarit të njohur shqiptar, Arian Kadiu.

Përpara se të shfaq disa përshtypje dhe opinione të mia, që më lindën gjatë dhe pas leximit të këtij libri, dëshiroj të sjellë në vëmendjen e lexuesit se Arian Kadiu, ka lindur në Peshkopi, në vitin 1943, është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë -letërsi shqipe. Ka fituar titujt: Profesor Doktor (2007), “Mjeshtër i Madh” (2017) dhe “Nder i qytetit të Peshkopisë” (2012). Ka punuar gazetar dhe redaktor në gazetën “Mësuesi”, specialist në kabinetin pedagogjik të Peshkopisë, Specialist Kombëtar në Institutin e  Studimeve Pedagogjike,  kryeredaktor i revistës “Univers’, sekretar kolegjiumi i revistës   “Mjekësia dhe infermieria bashkëkohore”, pedagog i jashtëm në universitet, etj.,ndërkaq, ka dhe disa specializime ndërkombëtare për psikologjinë e moshave të reja.

        Arian Kadiu

Ai është autorë i 53 librave me karakter shkencorë (mbi 15 libra), letërsi artistike (16 libra), tekste shkollore 17 libra) si dhe autorë i qindra artikujve me karakter studimorë, shkencorë dhe publicistikë, ndërkohë që është pjesëmarrës dhe kontribuues në veprimtari të shumta dhe të larmishme arsimore dhe kulturore brenda dhe jashtë vendit. Ka fituar disa çmimeve letrare në rrafshin kombëtar.

Ndërkaq, duke qenë se në artikull kam objekt një libër artistik të  këtij autori, po sjellë në kujtesën e lexuesit edhe një sërë titujsh librash të tij të këtij zhanri si: “Aventurat e pabesueshme të Batos”, fitues i çmimit të parë në konkursin  shpallur nga shoqata e shkrimtarëve për fëmijë (Novelë-përrallë, 2002), “Pendimi i arushit pa bisht”, (Pjesë për kukulla,1975), fitues i çmimit të dytë në konkursin e 30-vjetorit të çlirimit të atdheut, “Vajza e Kuklandit” (Roman), “Një telefonatë në mesnatë” (Roman),  “Kur dremiste Sahati i Tiranës (Roman, 2013),  “Një ndodhi në det” (Tregime, 1997), “Pse dridhet harku i violinës” (Tregime, 1974), “Pas takimit me alienët” roman i rekomanduar nga MASH për lexime jashtë klase (Roman, 2002),  “Trishtimi i blertë” (Novela për adoleshentë, 2003),  “Stina  e pestë” (Poezi, 2003),  “Qyteti prej rëre dhe pallati i vërtetë” (Tregime, 1978),  “Takimi i parë” (Novelë e tregime 1972)…

Ashtu siç përmenda më sipër në këtë artikull po ndalem veçanërisht te romani fantastik shkencor “Pas takimit me alienët”, botuar në vitin 2004  nga Shtëpia Botuese “Fllad”, i cili është i rekomanduar nga MASH për lexime jashtë klase. Libri është botuar dhe ribotuar disa herë, pasi interesim për të nga fëmijët dhe të rinjtë kanë ardhur duke u rritur.

        

2.

Që në fillim dëshiroj të them se, romani “Pas takimit me alienët”, për hir të së vërtetës më tërhoqi dhe më mbajti ndezur kureshtjen nga fillimi deri në fund. Faqe pas faqeje ndjeva se u zhyta në një botë të bukur dhe tërheqëse, ku përpara lexuesit shfaqen personazhe origjinalë dhe interesantë, përshkruhen episode dhe ngjarje që ngacmojnë fantazinë dhe imagjinatën, të vënë në mendime dhe të bëjnë të ndjesh dhe të përjetosh  thellë bukurinë e një vepre të vërtetë letrare.

Romani, të cilin autori ua kushton djemve të tij  Helidorit, Florianit dhe Albit, është ndarë në dy libra: Libri i parë mban titullin “Të pabesueshme dhe të besueshme” dhe Libri i dytë   “Zbulimet e reja të Albit”.

Që në nisje të Librit të parë, me mjeshtëri të lartë artistike, autori e tërheq lexuesin dhe e “zhyt” magjishëm në atmosferën e librit: “Albit i doli gjumi. Për çudi nga dritarja vinte një erë e lehtë. Po djali u drodh. Jo nga era  e freskët. Ai e kishte mbyllur dritaren me dorën e  tij. Madje, edhe i ati, kur i uroi “Natën e  mirë!” e kish provuar në ishte mbyllur. Kush e kishte hapur atëherë?! Dikush ishte në…

Kështu, libri rrëmben kureshtjen e lexuesit, i cili në vazhdim mëson se Albi u tremb derisa i ra të fikët dhe, kur u përmend ai e pa veten përsëri në krevat. Deshi të ngrihej por nuk mundej, ndërkohë që një zë i ngjirur, i mprehtë që sikur dilte nga një magnetofon i vjetër, e bëri të shtrihej, të mos merrte frymë dhe të shqyente sytë…

Kureshtja e lexuesit vjen duke u rritur dhe ai përfshihet nga ankthi pritës: si do të vijonin ngjarjet më pas? Dhe, gjatë leximit, shpejt lexuesi i vogël  mëson se  përball Albit qëndronte një alien, i cili i shprehu një dëshirë paqësore: të njihej me djaloshin…

Në vazhdim ishte kureshtja që e bëri Albin ta kërkonte vetë alienin, ta takonte dhe të bashkëbisedonte me të. Alieni erdhi. E quanin Entei dhe mes tyre nis një miqësi dhe bisedë e këndshme. Alieni tregoi se planeti nga ai vinte ishte shumë më përpara, shumë më i zhvilluar dhe se shpejtësia me të cilën ata lëviznin në hapësirë ishte sa gjysma  e shpejtësisë së dritës. Ata kishin ardhur disa herë në Tokë për të shpëtuar disa alienë, që njerëzit i kishin zënë robër…Ndërkaq, autori me takt dhe mjeshtëri, na tregon se edhe vet personazhi kryesor Albi ka një të fshehtë, ai ka lindur me fletë…

Teksa tregimet dhe aventurat vazhdojnë, ndodhemi përpara një situate të re, përpara Albit shfaqet një tunel dhe, duke qenë me fletë e duke pasur mik një alien, ai dëshiron të futet dhe të zbulojë…Më tej, me një fantazi tërheqëse,  shkrimtari e vendos personazhin e tij në situata të magjishme, interesante dhe të pëlqyeshme për fëmijët, por edhe që nxisin kureshtjen e  tyre për të mësuar vazhdimin. “Letra e të padukshmit” hap një tjetër dritare kureshtje, teksa vijojnë tregimet: “A mund ta kalosh ylberin?”,  “Albi i përgjigjet letrës së të padukshmit”, “Nga kompjuteri vërsulet një ujk”, “Butoni jeshil”, “Një krokodil”, “Ishulli i panjohur”,  “Pajtoni i mrekullueshëm”, “Ujku tmerron pyllin”,“Letra tronditëse me lajme shumë të këqija”, “Butoni i kuq”, “Shqiponja e plagosur”,“Alieni Entei apo xhuxhi i vogël dalë nga përrallat”, “Në bibliotekat më të mëdha të botës”, “E fshehta për djalin e padukshëm”.

Shkrimtari gjen rastin të na tregoji se me gjithë botën e vrullshme  dhe të përfshirë në aventura, Albi ka edhe merakun të ndihmojë doemos djalin (personazh) që e ka zënë halli se si ai të bëhet i dukshëm, nga i padukshëm që është aktualisht. Me ndihmën e alienit Entei, Albi e gjen ilaçin e duhur dhe ia dërgon recetën djalit të padukshëm me internet. Aty lexuesit e vegjël do të njihen me kënaqësinë e madhe që ndjeu Albi sepse po ndihmonte një fëmijë të zgjidhë hallin e  tij të madh, nga i padukshëm të bëhet i dukshëm. Kështu, Albi shfaqet përpara lexuesit si një djalë me zemër të gjerë, me botë të madhe shpirtërore, me merak që të mos shikojë vetëm veten e tij, por të ndihmojë edhe njerëz të tjerët që kanë halle dhe, në këtë veprim-ndihme, ai gjen kënaqësi. Bukur, apo jo?

Por le të vijojmë me kapitujt e tjerë,  sesi vazhdon libri, aventurat dhe tregimet e të cilit, bëhen njëri më interesant dhe më i bukur se tjetri. Ja, po vazhdoj me leximin e kapitullit: “A do të kthehej në vendin e tij?” Pra, edhe Albi qenka përpara një halli të madh: A do të kthehej dot në vendin e tij, në shtëpinë e tij, te prindërit dhe familja e tij? Dhe, autori, mjeshtër në artin e krijimit, me fantazi dhe imagjinatë, zgjon besimin edhe të personazhit, Albit, por edhe të lexuesit se “Doemos duhej të gjente një rrugëdalje. Ky udhëtim fantastik e kishte mësuar që s`duhej të dorëzohej asnjëherë…” Ama deri atëherë ai kishte mësuar si pa kuptuar shumë gjëra, kishte mësuar edhe për ylberin, se si formohej ai; kishte mësuar për ujkun dhe zakonet e  tij të egra; për shqiponjën  me sy dhe vesh të mprehtë; për delfinët që shpëtojnë varka me njerëz, për…

Po vijojmë më tej,  sesa bukur autori gërsheton tregimet dhe aventurat. A nuk ndodh që fëmijët shpesh thonë: “Ah, sikur të arrijë në majë të atij mali dhe do të shija prej atje gjithë botën!” Por, ai nuk e di se kur arrin në majë të atij mali që dëshiron, kuptohet me shumë mundime dhe sakrifica të mëdha si alpinistët, shikon se përpara ka disa maja të tjera, mbase edhe më të larta…

Libri i parë mbyllet me “Epilogun”, ku autori gjen rastin t`i shpjegojë lexuesit të vogël se çfarë kuptojmë me fjalën “Epilog”? Me atë rast, ata që nuk e dinë mësojnë se “Epilogu është pjesa përmbyllëse e një vepre letrare ose fati i mëtejshëm i personazheve pasi ka kaluar një kohë.”

Në vazhdim, shkrimtari e  përgatit lexuesin të hap faqen e parë të Librit të dytë, që titullohet “Zbulimet e reja të Albit” dhe që vijon me tregimet: “Ngjarja më e madhe  e kohës”, ku lexuesi njihet me të tjera aventura, me të tjerë personazhe të librit…Ja tek shfaqen mjeshtër Kliti, i cili kush e di pse “Nuk donte të bëhej Kryetar Shteti?”; vazhdojnë tregimet: “Kështjella misterioze”, “Lëkura e gjarprit”, “Ku është arka e madhe?”, “Qenushi i vogël “shkatërron” misionin e tyre sekret”, “Albi gjen arkën e madhe”, “Arkëza e vogël, e fshehta e thesarit”, “Peshku”magjik”,“Cironka e artë”,“Ngjyrat e  globit”, ku fëmijët argëtohen me ngjarje plot bukuri dhe kureshti e që të nxitin të vazhdosh më tej leximin, duke u ndaluar dhe duke menduar herë për njërin tregim dhe herë për tjetrin, ndërkohë që fantazia dhe imagjinata fëmijërore bëjnë hapat e tyre të mëdhenj drejt realizimit të ëndrrave dhe dëshirave për jetën, për shkollën, për lodrat, për aventurat, për dashurinë për familjen, njerëzit, atdheun…Vazhdon Libri i dytë me tregimin: “Dy shpendë por krejt të veçantë”, ku fëmijët mësojnë se cili është shpendi më i vogël dhe shpendi më i madh, vendbanimet e  tyre, karakteristika dhe veçori, zakone…Pastaj “Alieni xhuxhi i përrallës” lexon” në mendjen e Albit”. Në këtë tregim shfaqet dukshëm dashuria e Albit për njerëzit, ai nuk e pranon kushtin e  Xhuxhit të përrallave, që të largohet dhe të mos kthehet më tek njerëzit, kështu që, ai pranon që më mirë t`i hiqeshin fuqitë magjike, sesa të ndahej nga njerëzit. Vazhdon tregimi tjetër “Albi stërvit qenin”, i cili ishte dhuratë nga xhuxhët e përrallave. Akoma më interesantë janë tregimet“Përgatitje për aventurën e  re”, “Me anijen kozmike në Hënë’. Aventura në Hënë është mjaft tërheqëse dhe të mban ndezur kureshtjen, por edhe u mëson lexuesve të vegjël për mënyrën e  fluturimit drejt Hënës, si dhe dukuri e fenomene natyrore dhe fizike, fakte dhe kuriozitete interesante. Veçanërisht tërheq vëmendjen tregimet “U nisën tre, por u kthyen dy udhëtarë nga Hëna” dhe  “Fundi i epilogut të dytë”.

3.

Lexon 144 faqe libër dhe qëndron i menduar një copë herë. Libri të ka vënë në mendime, ai ka nxitur fantazinë dhe imagjinatën,  ka ngacmuar mendimet, deri atëherë të fjetura, i ka vënë ato në lëvizje, dhe, kësisoj, lexuesi i vogël kërkon të ketë jetën dhe aventurat e  tija, të shoqëruar me episode dhe ngjarje interesante. Ashtu si dhe personazhi kryesor i librit Albi, edhe ai ëndërron dhe përfytyron, nxitet dhe dëshiron, teksa librin e mban shtrënguar në duart e tij të vogla. Është kjo mjeshtëria e shkrimtarit Kadiu, i cili ndodhet në çdo shkronjë dhe faqe të librit, me fantazinë dhe krijimtarinë e tij, ndërkohë që e nxit vazhdimisht lexuesin, të vazhdojë të vozitë në detin e  jetës, me anijen e tij të ëndrrave e përfytyrimeve, të çajë dallgët…Ja, edhe erërat janë të mbara…!

                                                                                       

                                                                        Viron Kona

Shkrimtar

Poetja që dhimbjet i shëron me lirika – Ese nga Përparim Hysi


Libri me poezi “Ëndërr ishte” të DIANA  ZHITIT

 
  Sapo hoqa, përkohësisht, nga dora librin me poezi “Ëndërr ishte” të DIANA ZHITIT. E lexova atë dhe nën impresionin e këtyre poezive po shkruaj. DIANA ZHITI me këto poezi, në disa syresh, natyrisht sikur më rëmon mua ca plagë të vjetra. Ca plagë të vjetra, që, po u hoqe koren, zënë dhe jo vetëm dhëmbin,por, në të njëjtën kohë, zënë e  rrjedhin.
Diana Zhiti i takon atij brezi  që ka vuajtur, pa patur  fare faj. Për 23- vjet ka qenë e internuar në fshatin Grabian të Lushnjes. Të ishe në Grabian, do të thoshe se shikoje vetëm qiellin se me të tjerat ishe përcjell. Diçka si para portës së FERRIT. A nuk shkruhej atje:”Ju që hytë në këtë portë, mos mbani më asnjë shpresë”. Atje, brenda “portësferr” të GRABIANIT jetoi 23-vjet. E lanë pa shkollë: e privuar qoftë dhe për shkollë nate. Shkoi 7-vjeç dhe e la këtë”portferri” 30-vjeç. Qe e bija e një intelektuali nacionalist, që,sado kish mbaruar dhe për mësues mathematike, por dhe për ekonomi, duhet të paguante për hiç mos gjë. Por,Diana ZHITI, ishte bijë e një familje që,tradicionalisht, ishin të dhënë pas arsimit e kulturës dhe,sado e privuar nga e drejta e arsimimit,ajo u arsimua privatisht dhe gjithë dhimbjen e privacionet, po i zbuste me vargjet e saj. Me lirikat e saj. Lirikat e saj janë të freskëta, janë si ato”fashot” që përdorim për të fashuar plagët. Plagët që duam të mbyllen.
                                                *     *     *
Unë nuk  kam qenë i persektuar si Diana, por, kur them që”rëmoi ca plagë të mia”, e kam fjalën që ndodhi që”ca plagë të dhimbshme” i bleva me para. E kam fjalën për”plagët e mia” që m’u hapën në”vitet e ikjes në emigrim”. Nuk qenë pak,por plot 12-vjet dhe,sado që isha në një nga vendet më të bukura të Amerikës, në FLORIDA, dhe,sado që isha në mes të mirave,edhe trupi,edhe shpirti më dhimbte. Për të shëruar ato “plagë të mia”,edhe unë si DIANA ZHITI shkruaja lirika. Më kujtohet një poezi lirike që thoshte:”Plagët që m’u hapën nga  vitet e ikjes/i shëroi me poezitë e ALI PODRIMJES/…ku shpirti im bie në bunacë/herë i vë një rimë/herë një asonancë/. Ja,kjo qe “ngjashmëria” e lirikave të mia me ato të DIANA ZHITIT.
                                                      *    *    *
DIANA ZHITI jo vetëm ka profilin e saj poetik,por ka zërin e saj dhe ky zë vjen në poezi pa një”teprim elegant”, kur  thotë  XHON KITS. Dhe në vazhdim, duke ndjekur faqe për faqe poezitë, që, të gjitha, vijnë si përjetime apo sikur autorja po bën “blic” me aparat. Ajo shpirtbrishtë siç është,mend qan për një “trumcak” që era i ka marrë folenë.”… me ngadalë hapa dritaren/ Mos u tremb trumcaku im/…”tash e qetë dhe i sigurt/cicërin e cicërin/.
Dhe,përsëri, tek i shoh që poezitë një nga një,janë impresione që i vijnë dhe i faniten poetes para sysh dhe ajo,fal tyre, zë i sjell dhe për ne, atëherë përsëri më vjen ndërmend ai poeti i bukur,XHON KITS, që vdiq nga tuberkulozi si MIGJENI ynë,por 26-vjeç, që ka thënë: “Nëse poezia nuk vjen natyrshëm si vinë gjethet e një peme,do ishte mirë të mos vinte fare”. Shikoni sa natyrshëm vinë poezitë e DIANËS:
Vajzës sime
Zambak i liqenit tim shpirtëror
Ç’lumturi,kur të mbajta xhanit
Ti erdhe praruar, si bekim qiellor
Më vure stemartën e nënës ballit.
A ka më natyrshëm se sa kaq?…
Dhe një”blic” tjetër.Këtë e sheh tek poezia “A mund të kërcejmë?”: “Dorën gjithë delikatesë e zgjat drejt meje/melodia e valsit më thërret në vallëzim/ E prisja këtë çast:gjaku vërshon nëpër deje/ si zog i pulatur gufoi shpirti im/.
Lirikat e DIANA ZHITIT ngjasojnë me një kopsht me lule. Hyn në këtë lloj”kopshti” dhe nuk di ç’lule të zgjedhësh. Nëse,për një çast zgjedh njërën, ca më tutje, sikur ta”bën me sy” një tjetër. Më ndiqni veç në dy”lule të këtij kopshti”
“Adio,thashë”:” Mos më shih  me sytë melankolik të mjelmës/adio,- thashë,- e mbrapa s’ka kthim/ me duarët e tua i preve arteret e zemrës/që betuar qe për ty, të rrihte në amshim/. A nuk ka kjo poezi”lule! atë vlerën e atij postulatit:dy fjalë ndajnë detin? Dhe pak më tej,poezia “Ah,sikur!”  “Të shihja,kur shkoje udhës me shokët/por nuk guxoja të ngrija sytë të të shihja/ ti,hijerëndë, vështroje shtu kot/ më lije pa teklif/prej akthit të vdisja/.
*     *    *
Ngaqë hyra në “kopshtin poetik” të DIANA ZHITIT, nuk kam se si mos vazhdoj edhe me ndonjë përshtypje prekëse në poezitë e saj. Poezia,deri diku, është sekret i shpirtit, por DIANA sikur nuk mban sekrete.Ajo sikur ta jepë shpirtin në dorë dhe tek shkruan poezi, vjen e  na bëhet e afërt dhe transaparente si xham. Tek “Bagazhi i kujtimeve”, në një nga strofat, bën”anamnezën” e jetës së saj: “… disa kujtime,kullojnë veç lot/ ah, të mundesha t’i harroja sot/ ose”… ankthe pa fund/ dimra të ftohtë/net pa gjumë/…Pse kështu,o ZOT?!!! Tek mendoj për stilin që ka përdour poetja në poezitë e saj, më vjen ndërmend thënia:” Cilësia e vetme që duhet të arrihet në stil,është qartësia. A ka më të thjeshta dhe më të qarta se poezitë e DIANA ZHITIT?  Nëse ndodh kështu,- arsyetoj unë,- se DIANA ZHITI shkruan për ato që ka ndjerë dhe ndjen vet. Duke ndjekur më tutje arsyetimi tim, me DIANA ZHITIN ka ndodhur ashtu siç thonë:” Poetët janë të lindur, oratorët kanë nevojë të shkollohen”. A nuk është e”lindur”,POETJA DIANA ZHITI?
*      *     *
Sikur, për një çast, të ndodhte që kushdo që do lexojë këtë “ese” timen për poezinë e DIANA ZHITIT, të kish mundësi
që të shihte librin që më ka dhuruar DIANA, do çuditej që gati 10-faqe libri t’i gjejë  të thyera dysh. Janë poezitë që do veçoja në”esenë” time.Por nuk ndodhi kështu; sa hyra tek”kopshti i saj”, e humba si Xhaferri simiten dhe, në po ndaloj këtu, e bëj enkas që mos e kaloj masën. Por ajo që konstatoj, në  një si”emërues të përbashkët” të gjithë vëllimit, nuk kam  si mos nënvizoj atë tipar të bukur të POETES që” mllefin e urrejtjes ” e ka bërë dalje. Ka ndodhur ajo që shumë bukur e ka thënë Teologu francez ANRI LAKORDER që thotë:”Do që të jesh i lumtur për një çast? Hakmerru! Do të jesh i lumtur përgjithmonë? Fal! Dhe DIANA ZHITI di që të falë.
Në tërësi, në libër, ajo nuk flet vetëm për vete. Libri prandaj ka vlera më të mëdha se, siç vërej,ajo sikur ka patur parasysh atë që thotë Leopardi: “Nuk ka gjë më të neveritshme se sa të flasësh shumë për veten”. Urime,DIANA ZHITI dhe me libra të tjerë!
 
                                     Tiranë, 30 korrik 2018

TROPOJA, HALLKË QË LIDHË DAMARËT E TOKËS SË SHQIPONJAVE DHE TË GJAKUT SHQIPTAR…! – Rilexim me shkas nga Sejdi BERISHA

 

(Në qytetin Bajram Curri, atë ditë ishte festë karakteristike, edhe historike: komuna Lekbibaj, posmortum nderoi me mirënjohjen “Qytetar nderi” i Nikaj-Mertur, burrin e kësaj ane, birin e fshatit Gri, z. Sadik Selman Lushajn, për bujari, nderë e sofër gjithmonë të shtruar ndër kohëra për njeriun dhe mikun…)

 

Se Tropoja është krahina, pjesa e atdheut, e bujarisë dhe e historisë madhështore, dëshmoi edhe manifestimi i organizuar me rastin e ndarjes së mirënjohjes “Qytetar nderi” nga komuna Lekbibaj, për sofër buke gjithmonë të shtruar dhe për bujari e miqësi të paparë, të nderuarit z. Sadik Selman Lushaj nga fshati Gri, të cilën, në mënyrë solemne ia dorëzoi birit të tij, Zeqir Lushajt, kryetari i kësaj komune, z. Gëzim Meshaj.

Ky njeri, ky bir i fshatit Gri, ky burrë i Tropojës dhe shtëpia e familja e tij u shqua, për traditën e lartë për mikpritjen dhe bujarinë e treguar dhe të dëshmuar ndaj komunitetit Nikaj-Mertur, por edhe si një shtëpi dhe derë gjithmonë e hapur e me sofër të shtruar e plot dashuri njerëzore.

 

Bajram Curri, qyteti që ka histori të lashtë dhe të veçantë e që madhështon kombin e Shqipërinë

 

Nuk është edhe lehtë të ngritët madhështia dhe bujaria në rrugëtimin historik

 

Para se të fillonte manifestimi dhe festa e kësaj dite, meditoja dhe krenohesha se kjo anë e atdheut, kjo krahinë, Tropoja, ka një histori aq të veçantë, aq madhështore, aq krenare por edhe aq të dhimbshme, sa që njeriu dhe krijuesi apo historiani e shkencëtari nuk e ka edhe aq të lehtë ta shkoqisë thelbin e rrugëtimit historik të këtyre trojeve, por edhe as peshën e sinqeritetit, të besnikërisë, të dashurisë dhe të zemërgjerësisë ndaj njeriut. Dhe, gjithnjë para më del historia edhe e largët, edhe ajo e djeshme por edhe rrugëtimi i sotëm i Tropojës, që janë pjesë e frymëmarrjes së kombit dhe e atdheut.

Pra, si të mos mendosh për madhështinë dhe burrërinë e bijve dhe bijave të kësaj treve, si të mos e kujtosh dhe përjetosh qëndrueshmërinë dhe heroizmin e bijve të kësaj ane. Dhe, kur fillon t’i numërosh, të dalin shumë e shumë dhe zemra të bëhet mal, shpirti bëhet dritë dhe lapidar, që të detyron të flasësh e të tregosh për begatin dhe karakterin e veçantë të njeriut të këtij dheu. Listë e gjatë emrash, libër i madh historie…! Kështu,… meditoja: kjo është ajo Tropoja për të cilën më shpjegonte dhe më rrëfente babai im, kurse unë atëbotë nuk mund ta kapja këtë rrëfim plot dritë të babait tim, i cili edhe pse isha i ri, nga pak dëshironte të më “ngarkonte” me historinë e atdheut, me qëndresën, trimërinë dhe me vuajtjet e kombit. Ngase, kishte dëshirë të më begatojë me atë që edhe vet e kishte shkrumb, për ta ditur rrjedhën e lumit të historisë, e cila ishte dhe është edhe sot plot krenari, por edhe plot përplasje e çarje, por që këto kanë bërë që shqiptarët e kësaj ane të ndritshme të tokës së shqiponjave, që gjithmonë të janë brumosur me vetinë dhe zemërgjerësinë e bujarisë, mikpritjes, bukëdhënies mysafirit dhe të çdo kalimtari të mirëfilltë që shkelte dheun e kësaj ane.

Por, çfarë reflekton nga e gjithë kjo bujari dhe bukëdhënie. Gjithsesi se reflekton shpirtin e madh të njeriut, zemërbardhësinë dhe shpirtmadhësinë, të cilat veti gjithsesi janë të mishëruara dhe të ndërlidhura fortë edhe me vendosmërinë dhe trimërinë e bijve tropojanë për ruajtjen dhe mbrojtjen e atdheut, për lirinë dhe për mos përkuljen nga askush që cenon gjërat e shenjta të vendlindjes dhe të atdheut. Kështu, më parakalojnë në mendje shumë figura historike: Bajram Curri, Mic Sokoli, Konferenca e Bujanit, Kullat, Shpella e Dragobisë, Shkëlzeni me tregimet dhe rrëfimet e veta të thëna e të pathëna, Valbona me ujin e kaltërsive të nënqiellit tropopjanë dhe ushtimën e valëve që sikur gjithnjë shndërrohen në libra rrëfimesh që nuk janë hapur as shkruar e lexuar sa duhet… Të gjitha këto më ndërlidhen me fisnikërinë, bujarinë, me sofrën gjithmonë të shtruar, me pushkën për mbrojtjen e nderit dhe të atdheut, të cilat kësaj radhe nuk po i pedati as nuk po i tarashkati…!

 

Bujaria thesar i rrallë njerëzor…

 

Kthemi tek manifestimi. Pranë restorantit kishin filluar të mblidhen miqtë dhe mysafirët, të cilët kishin ardhur pothuaj se nga të gjitha anët e Shqipërisë. Kishin ardhur edhe nga Kosova. Kishin ardhur nga Shkodra, Dibra, Tepelena por edhe nga shumë vise të tjera, kurse nga Tropoja po se po. E, të gjithë këta mysafirë e kishin një shkak dhe një histori të veçantë për ardhjen në këtë dasmë nderi e kujtimi, sepse, lidhej jeta e së kaluarës me shtëpinë, bujarin dhe sofrën gjithmonë të shtruar për mikun të Sadik Selman Lushajt.

Nga Shkodra kishte ardhur, Nue Deda, kumar i kësaj familje, i cili më rrëfen se gjyshi e tij, Zef Preka nga Currajeti, Sadik Selmanin, kur i kishte pasur jo më shumë se pesë vjet, e kishte strehuar në shtëpinë e tij dhe e kishte bërë si anëtar familje. Tash ky rrëfim më provokoi mendjen për t’u shndërruar si pelegrin në historinë e kombit tim… Ndoshta e dini se çfarë dua të them?! Por po e tregoj vetëm një cep mendimi: shih se çfarë madhështie ka njeriu i kësaj toke, kombi im… Kurrë nuk ka qenë problem përcaktimi fetar. Njerëzit e kësaj toke të sertë kanë qenë dhe e duan njëri-tjetrin pa dallim feje. Kjo është dëshmuar dhe treguar me decenie e shekuj, edhe pse shpeshherë armiqtë kanë tentuar të shkaktojnë përçarje e ndarje ndërfetare. Pra, edhe këtu qëndron një lapidar madhështie dhe e veçantisë shpirtërore e shqiptarëve, që të tjerët nuk e kanë pasur dhe as nuk mund ta kanë.

Ndërsa, kthehem sërish tek manifestimi. Kishin ardhur siç thashë nga shumë vise, nga shumë qytete e vendbanime, të cilat lidhen me historinë e familjes së Sadik Selman Lushajt, lidhen edhe miqësinë shpirtërore edhe të djalit të tij, z. Zeqir Lushaj, por jo vetëm të tij, sepse, kjo familje është e gjanë dhe e respektuar me vëllezër, motra, xhaxhallarë edhe më të gjithë bijtë e kësaj toke. Sepse, Tropoja kështu e ka, është hallkë e fortë e historisë, e vlerave shpirtërore, kulturore dhe arsimore të Shqipërisë.

Tash, në sallën solemne shoh shumë mysafirë, aty është edhe z. Lulzim Logu, krijues, edhe kryetari i komunës Lekbibaj, z. Gëzim Meshaj, pastaj krijuesit, z. Gjon Neçaj, z. Ibrahim Kadri Mala, z. Haki Zllami, z. Asllan Osmanaj, z. Hysen Zogaj e shumë e shumë të tjerë.  Aty janë vëllezërit Naser e Skënder Shatri nga Istogu i Kosovës, krijuesi nga Gjakova, z. Tahir Bezhani dhe autori i këtij shkrimi, është edhe z. Zeqir Lushaj, djali i Sadik Selman Lushajtt, i cili një kohë të gjatë ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është krijues letrar dhe regjistrues i shumë e shumë dokeve e zakoneve të kësaj treve dhe të shqiptarizmës, aty janë të gjithë, edhe bija e Sadik Selmanit që jeton në Tiranë, edhe nipi Arif Hoti, dhe lista do të bëhej e madhe po t’i numëronim të gjithë…

 

Respektimi i figurave historike lartëson historinë e Tropojës dhe të Malësisë së Gjakovës

 

Në sallën përplot, në fillim nga ngriti në këmbë këndimi i himnit kombëtar, pastaj këtë eveniment me rëndësi të shumëfishtë e hap, krijuesi dhe kryetari i Shkrimtarëve të Tropojës, z. Lulzim Logu. Ai foli për rëndësinë e nderimit dhe të respektimit të figurave historike të të gjitha fushave, të cilat figura duhet të lartësohen në librin-almanakun e Malësisë së Gjakovës dhe gjithandej vlerave shqiptare. Pastaj, kryetari i komunës Lekbibaj, z. Gëzim Meshaj, foli për figurën e Sadik Selmanit, për bujarinë e familjes së tij dhe për sofrën gjithmonë të shtruar për mikun e mysafirin e zemrës e të shpirtit por edhe për komunitetin. Të gjithë e dëgjonim me respekt e vëmendje, fjalët e të cilit sikur na sollën këtu e mbi gjysmë shekulli pas, duke na sjellë madhështinë dhe bujarinë e familjeve shqiptare në atë kohë kur ishte edhe rëndë edhe vështirë në të gjitha aspektet, atëherë, kur skamja besa e kishte edhe derën prej çeliku!

Ishte ky një falënderim për rikujtimin e veprave dhe madhështive të tilla. Pas këtij momenti, pason fjala e avokatit, Ramë Muja, i cili i forcon vulën bujarisë së familjes të Sadik Selmanit. Kurse, krijuesi i mirëfilltë dhe kronisti, Gjon Neçaj, duke folur për sofrën përherë të shtruar, për bujarin dhe dashurinë njerëzore të Sadik Selmanit dhe familjes së tij, i dha një vështrim pothuaj studiues e historik të rrugëtimit kombëtar më theks të veçantë në qëndresën dhe tolerancën ndërfetare, e cila është thesar i paparë dhe shembull unik tek popujt dhe kombet. E në vazhdim, peshën e kësaj dite e begatoi edhe fjala e krijuesit, Ibrahim Kadri Mala.

Kjo ngjarje ishte e begatuar edhe një program kulturor, me ç’rast shumë poezi i lexuan nxënësit e shkollave nga qyteti Bajram Curri, u hedh vallja dhe u kënduan shumë këngë kushtuar bujarisë dhe trimërisë se bijve të kësaj ane dhe jo vetëm të kësaj ane. Ndërsa, këtë eveniment i përjetësuan në foto shumë pjesëmarrës.

Është me rëndësi të theksohet se pas ndarjes solemne të mirënjohjes “Qytetar Nderi” i komunës Lekbibaj, Sadik Selman Lushajt të fshatit Gri, të cilën gjë e bëri kryetari, Gëzim Meshaj, e që me ndijim të thellë shpirti e me emocione e mori i biri i Sadikut, z. Zeqir Lushaj, pastaj, në bisedat e lira u shpalos një pjesë e mirë e historisë së Tropopjës dhe e Malësisë së Gjakovës, të cilën e rrëfenin mbase edhe e komentonin secili në mënyrën e vet shumë burra të kësaj ane, në mesin e të cilëve kishte edhe të moshuar, mbi supet e të cilëve peshonin edhe mbi nëntëdhjetë vite.

Ishte kjo një kënaqësi, ishte ky një mesazh për të vazhduar traditën, për t’i nderuar, kujtuar dhe përjetësuar të gjitha figurat e rrugëtimit historik të Tropojës dhe të Malësisë së Gjakovës. Sepse, jo vetëm kjo pjesë e atdheut, ka nevojë për një punë të tillë për ta bërë me peshë dhe të begatë e të pavdekshme historinë tonë. Sepse, siç theksova në fjalën time përshëndetëse: Edhe sot komuna Lekbibaj, bashkia Bajram Curri, Tropoja… po dëshmojnë se janë pjesë e rëndësishme e historisë së kombit dhe e Shqipërisë. Se, kurrë nuk i harrojnë bijtë dhe as bijat e veta, se nuk e harrojnë të kaluarën duke e quar përpara të sotmen.

Se Tropoja është hallkë e fortë që lidhë të gjithë damarët e tokës së shqiponjave, që lidhë damarët e gjakut shqiptar.

Këtë e dëshmon edhe kjo ngjarje e sotme, e cila është edhe një mesazh se ne mund të ecim madhështorë nëse bashkojmë mendjen dhe punën, nëse flakim hasmëritë dhe hapim zemra për dashurinë ndaj njëri tjetrit.

Pra, kjo është Tropopja, kjo është komuna Lekbibaj.

«Receta pa komb» një recetë për t’u lexuar – Nga AJET NURO

Nja dy mendime rreth librit të Prof. Saimir Lolja « Receta pa komb »

Nuk do t’a tepëroja po të shkruaja në titull « Receta pa komb » një recetë për t’u lexuar me çdo kusht… Sapo mora njoftimin për daljen e librit dhe temën që trajtonte, shpejtova të dërgoja komandën në Tiranë për të patur në dorë librin e profesor Loljes që unë e njof prej kohësh dhe artikujt e tij të i lexoj duke e ditur se nuk është humbje kohe, pra artikujt apo shkrimet e tij janë nga ato që mund t’i quash « vlerë e sigurt ».

Pse më tërhoqi tema e librit? Qysh në nën-titullin e librit shkruahet : « Lufta e sllavo-komunistëve për « çlirim » ishte një luftim për ripushtim… prej marrveshjes Entente Anlglo-Sovjetike ». Përgjatë 45 vjetëve të regjimit komunistë, kemi patur një versiuon të historisë, të bërë nga « fituesit » dhe ç’do opozicion me këtë kënd-vështrim, ka qenë herezi dhe madje shumë njerëz e kanë paguar shtrenjtë qoftë një fjalë thënë ndryshe nga ajo që thuhej zyrtarisht. Pas ndryshimeve të fillim-viteve ’90 ka patur shumë përpjekje për t’a riparë historinë, për t’i dhënë vendin e duhur shumë ngjarjeve dhe aktorëve që duam s’duam kanë bërë histori. Gjatë kësaj periudhe janë botuar kujtime nga më të ndryshmit por përpjekjet për të parë historinë nga një kënd tjetër kanë qenë të pakta. Më keq akoma. Të gjithë e dimë manipulimin e historisë nga diktatura që nga përrallat e krijimit të partisë komuniste nga vetë komunistët shqiptarë duke mohuar rolin e jugosllavëve në të apo edhe trajtimin e « Marrveshjes së Mukjes » dhe fillimin e vëlla-vrasjes mes shqiptarëve, e megjithatë, ka historianë që me ç’do kusht duan të vazhdojnë në atë drejtim a thua se « vija e kuqe » duhet t’a përshkruaj edhe sot historinë e shiptarëve.

Para se t’a lexoja librin kisha kureshtje. Kur libri të bie në dorë, nuk zhgënjehesh. Ai është i lehtë për t’u lexuar dhe aty gjen shprehje që të ngelen në mendje. Së pari, nuk mund t’a mohoj se më bëri përshtypje shprehja « xhihani sllavo-komunist ». Nëse xhihadi pretendon një luftë të shenjtë kundër të « pafeve » xhihadi sllavo-komunist kishte një luftë të gjithanshme dhe pa kompromis ndaj « botës së vjetër ». Çfarë krahasimi!

Fronti Naciona-Çlirimtar (nga ku vjen dhe titulli i librit, përveç se ishte një term jo shqiptar i sugjeruar nga patronët e agjentëve dhe argartëve të sllavo-komunizmit, nuk ishte gjë tjetër në shqip veç « Lëvizja Pa Komb » apo Ballo Jo Kombëtar.

Nuk dua të rishkruaj çfarë shkruhet në libër por është interesant fakti se si doli Enver Hoxha në krye të lëvizjes komuniste dhe kush e ndihmoi të ecte në luftën për t’u bërë numri një i Shqipërisë. Rekrutimet që i kanë bë atij dhe shokëve të tij agjentët e Moskës dhe ata të Londrës.

Unë gjithmonë jam habitur me kujtimet e diktatorit dhe librat që ai i botoi pikërisht pak para s të ikte nga kjo botë. Çuditërisht, i plakur, i sëmurë dhe i pa-aftë të shprehej normalisht, atij i erdhi frymëzimi dhe kujtesa dhe shkruajti kundër jugosllavëve, sovjetikëve, anglo-amerikanëve dhe « kllasës » së përmbysur. Dokumentat e kohës shkruajnë ndryshe nga ç’kujton diktatori shqiptar.

Fatkeqësishtë, historia dhe ngjarjet e viteve ’30, `40 dhe mandej u diktuan nga të tjerët, anglezët, rusët dhe jugosllavët. Është për të ardhur keq tek lexon atë që ndoshta ne e dinim por e shkruar në letër duket edhe më e rëndë, ndihma që Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë i dhanë Jugosllavisë titiste për të nënshtruar vëllezrit e tyre të një gjaku. Sot, pseudohistorianët, enveristët dhe gjithë veglat sllavo-komuniste mund të përpiqen të n’a e shesin diktatorin si luftëtar të çështjes kombëtare dhe sidomos të çështjes së shqiptarëve të Kosovës, por fakti që partia komuniste gjatë luftës e kishte bërë të qartë se bashkimi kombëtar ishte një ide armiqësore dhe sidomos fakti i çfarosjes së mijëra nacionalistëve shqiptar nga Kosova pas L II B tregon të kundërtën. Dhe si mund të ndodhte ndryshe kur emisarët jugosllavë qenë komandantët dhe urdhëruesit e vërtetë të strukturave partiake dhe ushtarake të sllavo-komunistëve shqiptarë.

Doni të dini më shumë për Konferenën e Pezës, Kongresin e Përmetit, për konferencën e Mukjes apo se çfarë ndodhi në Dukat të Vlorës, një fshat i rreshtuar në krah të Ballir Kombëtar? Lexon librin dhe do të keni një ide edhe më të qartë se çfarë ndodhi në Shqipëri dhe që vendosi fatin e pothuajse gjysmë shekulli pas Luftës II botërore.

Keni dëgjuar për 28 mijë dëshmorë të luftës? Besoni tek kjo shifër?

Po pas luftës, çfarë ndodhi? Jam habitur me faktin e vjedhjes së pasurive të shqiptarëve. E dija se komunistët ende pa ardhur në pushtet filluan masakrat ndaj kundërshtarëve të tyre dhe sidomos ndaj intelektualëve dhe klerit sidoms atij katolik por edhe ndaj të pasurve. Këtyre të fundit, iu morën me dhunë gjithçka ata kishin mundur të krijonin me punë dhe djersë prej vitesh. Qeveria komunuste mblodhi me forcë, tortura dhe vrasje floririn e shqiptarëve dhe gjer këtu këto fakte i dija. Por që t’ua tranferonin atë « vëllezërve të tyre të idealit, jugosllavëve » këto e mëson nga libri i profesor Lolja.

Çfarë ndodhi në Kanalin e Korfuzit? Duket se edhe këtu, versioni i komnistëve shqiptarë dhe që është mbrojtur edhe nga historianë oborrtarë duket i kundërt me faktet.

Dhe së fundi, duke qenë se në Shqipëri nuk pati ndonjë përmbysje të vërtetë, duket se agjentët sllavo-komunist janë me shumicë në jetën polito-shoqërore shqiptare. Kush janë ata. Autori, citon persona, organizata dhe ngjarje konkrete që vërtetojnë faktin që shumë nga politikanët tanë janë agjentë të fuqive të tjera që tradicionalisht kanë patur ndikim në politikën shqiptare.

« Receta pa komb » është një anlizë faktesh interesante dhe me interes jo vetëm për shqiptarët. Ndaj libri është shkruar në anglisht. Në origjinal libri titullohet « The Nation-Free Recipe ». Personalisht do të doja të ishte origjinali në shqip. Unë e lexova me vëmendje çdo frazë e çdo fjalë dhe ndonjë herë dukej si një përkthim.

Edhe një herë, nëse në këto 27-28 vite pas renies së komunizmit në Shqipëri nuk keni mundur të mendoni se si mund të ketë qenë historia e Shqipërisë në vitet para L2B dhe pas saj, e parë ndryshe, lexoni « Receta pa komb ». Aty e vërteta nuk është absolute, merrni atë që mendoni se u duhet dhe bëni analizën tuaj. Sidoqoftë faktet janë aty. Ato nuk i ndryshon dot askush.

 

Ajet Nuro

Montreal, korrik 2018

Bota e Qazim D. Shehut në vargjet poetike – Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

Një figurë e njohur e letrave shqipe, si Qazim D. Shehu, ka kohë që ka hyrë në vaktin e pjekurisë poetike. Ky poet ka një zë origjinal, ndaj dhe ndjek shtigjet e veta të krijimtarisë, duke iu shmangur me elegancë përditshmërisë.

Përmes përjetimeve dhe mbresave personale, ky poet i talentuar arrin të zbërthejë thelbin e kategorive të larta morale të së mirës, të bukurisë, të natyrës dhe të peshës që duhet të ketë njeriu në jetë.

Origjinalitetin e këndvështrimit poetik të Qazim D. Shehut lexuesi mund ta kundrojë me hollësi në nivelin e motiveve kryesore të lirikës së tij. Motivi është një komponent i qëndrueshëm i krijimtarisë së tij artistike. Në poezinë e tij, si motive kryesore janë motivet e romantikës së dashurisë, të bukurisë së natyrës, të marrëdhënieve të njeriut me natyrën dhe, përgjithësisht, motivet qytetare. Në të bie në sy hijeshia realiste e ligjërimit poetik dhe magjia e strukturimit të vargut. Natyrshmëria e rendit të fjalëve përcjell plot delikatesë intonacionin e frymëzimit të tij poetik.

Ligjërimi poetik i Qazim D. Shehut të bën përshtypje për forcën shprehëse, të cilën ia japin mjetet artistike, figurat që ai di t’i organizojë me art.

Njerëzit e letrave, si askush tjetër, janë vëzhgues tepër mendjemprehtë të skenave të jetës së përditshme. Prandaj edhe prapësitë që vihen re në ato skena nuk mund të mos ngjallin brengat e poetit që derdhen në vargje:

Një urë u shemb, një autobus ra,

Sa ura të shembura historia jonë ka?

Historia pak rrugë na la,

Ministra dhe pushtues – njësoj ata.

Gurmaz më të gjatë paskan pasur

Se sonda për te Ferri i Dantes.

Poeti flet me gjuhën e zemrës, ai derdh në vargje fjalët që i burojnë nga honet e shpirtit. Mendimi dhe fjala në ligjërimin e tij janë në unitet artistik.

Jeta urbane mbjell trishtim në shpirtin e poetit. Shqetësimi i tij shkrihet me revoltën qytetare të artistëve të skenës që me kohë kanë marrë në dorë armën e artit dhe janë ngritur në mbrojtje të hapësirave publike, të cilat babëzia pushtetare kërkon t’i pushtojë për interesat e veta dhe të kastës oligarkike.

Ndaj poeti shpërthen me mllef artistik:

Pallate përballë  njëri-tjetrit,

Ashensorë që prishen shpesh,

Nga një ballkon te tjetri

Mund të kërcesh…

Njeriu natyrën ka përzënë,

Sikterisur si armike,

Njeriun mendtë e kanë lënë

Në jetën e tij nevrike…

Me thjeshtësinë dhe çiltërsinë e një fëmije, poeti derdh në letër shqetësimet e zemrës. Ai e ka të pamundur të mos e thotë atë që mendon. Prandaj në vargjet e tij nuk kanë vend fjalët me poza dhe me dy kuptime. E tillë është poezia e tij, sepse i tillë është karakteri i tij. Me gjithë larminë e natyrshme të të kuptuarit të së vërtetës, prapëseprapë duhet thënë se poeti njeh dhe pranon vetëm kultin e saj. Kësisoj poeti, me artin e fjalës artistike, i mëson lexuesit të ndjekin vetëm rrugën e së vërtetës, të mësojnë se si ta dallojnë atë dhe se si ta pastrojnë nga ndotjet e njerëzve të pushtetshëm. Poeti Qazim D. Shehu vepron kësisoj, sepse është i bindur se me forcën e fjalës artistike ai mundohet të arrijë pikësynimin kryesor që i ka vënë vetes, si njeri i letrave: ruajtjen e shëndetit moral të njerëzve, në mënyrë që shpirtrat e tyre të mos i prekin të ligat e kohës dhe ndërgjegjja e tyre të mbetet e pastër.

Thjeshtësia e vargjeve poetike të Qazim D. Shehut mbart në vetvete edhe një tjetër kuptim me një domethënie tepër të thellë: në vitet 1990-1991, në vendin tonë nuk u përmbys sistemi totalitar. Përkundrazi. Ai sistem totalitar thjesht u zëvendësua me një sistem neototalitar, por tashmë në kushtet e ekonomisë së tregut, të cilin e kemi të pranishëm në vatrat tona edhe sot e gjithë ditën. Por, në dallim nga sistemi totalitar i vrasjeve, i internimeve, i burgimeve dhe i përndjekjeve politike, sistemi neototalitar është sistemi i mbjelljes së varfërisë në radhët e pjesës dërrmuese të popullit shqiptar, një varfëri e pamëshirshme kjo, e cila ka vite që atij po i imponohet nëpërmjet pushtetit të urisë. Prandaj poeti me edukatë të shëndoshë qytetare rri e ofshan përmes vargjeve të tij plot bubullimë:

Historia jonë ndreqet,

Sa herë vjen më i forti,

E njëjta xhaketë mbeti,

U kthye vetëm stofi.

Gjuha e komunikimit të poetit me lexuesin është e thjeshtë, e gjallë, e stilit bisedor. Një gjë e tillë vlen të theksohet edhe më tepër, meqenëse materiali poetik i vargjeve të tij është një shembull mbresëlënës se si duhet të ruhet pastërtia e gjuhës sonë amtare, të cilën po e dyndin ca shtampa gazetareske, ca kancelarizma dhe ca terma të huaj politikanësh që vijnë e shtohen përmes mjeteve të informimit masiv.

Këto mbresa që pata nga krijimtaria e poetit Qazim D. Shehu dhe që i ndava me lexuesit e nderuar të faqeve të internetit, i nxora nga vëllimi i tij i fundit me titull “Krahë përmallimi”, një vëllim ky, të cilin Shtëpia Botuese “Ermal” e ka nxjerrë nga shtypi dhe e ka hedhur në qarkullim këtë vit dhe mua më ra në dorë ca kohë më parë.

Tiranë, 27 korrik 2018

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, frymëzim, amanet i papërmbushur – Nga HYSEN IBRAHIMI

Prizren, 25 korrik 2018

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, mblodhi mbrëmë në Prizren studiues, intelektualë, e personalitete të shumta nga të gjitha trojet shqiptare, në një sesion shkencor që ia kushtoi 140 vjetorit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit.

Hapjen e sesionit e bëri Osman Ahmetgjekaj nënkryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, duke shprehur një falendërim të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët ishin në numër të madh në këtë sesion. “Faleminderit që na jeni bashkuar sot në këtë sesion, në Prizrenin tonë, në kryeqendrën shqiptare. Dua të falenderoj në veçanti donatorët, pa ndihmën e të cilëve nuk mund të veprojmë”, tha Ahmetxhekaj, I cili po shoqërohej nga njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj Naim Latifi.

Shoqata e shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI Albani”, kishte ideuar dhe kishte ngritur një Këshill Organizativ për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit. Kryetari i këtij Këshilli Mustafë Kabashi, tha se kishin bërë përpjekje maksimale për të realizuar këtë qëllim sa më mirë. Ai falendëroi anëtarët e Këshillit dhe komunën e Prizrenit, për gjithë mbështetjen që kanë ofruar.

Ndërkaq, kryetari i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë dhe mbetet një amanet i hapur për gjeneratat e sotme dhe të  ardhshme. “Ne çdo ditë kemi qenë të frymëzuar nga ajo Lidhje se si duhet punuar për atdheun. Tani, sa më shumë që shkruajmë dhe i përkthejmë ngjarjet tona historike, aq më shpejtë dhe më drejtë do të kuptojë bota për historinë shqiptare”, tha Ibrahimi në pjesën hyrëse.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka vlerësoi punën e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” se ka mbajtur gjallë kulturën në mërgatë, duke theksuar se është e nevojshme të shkruhet edhe më shumë për çështjet dhe zhvillimet kombëtare, siç ka qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. “Lidhja e Prizrenit është një datë e rëndësishme e kombit shqiptar, ku për herë të parë kishte një bashkim të vilajeteve me kërkesa të njëjta, duke u bashkuar politikisht dhe ushtarakisht. Edhe 140 vjet pas ne nuk kemi arritur idealet e Lidhjë së Prizrenit, bashkimin e trojeve shqiptare. Ne nuk duhet t’i harrojmë ato kërkesa, përkundrazi, duhët të jenë synim i yni”, tha me këtë rast Haskuka.

Ai theksoi rolin e mërgatës, duke e cilësuar atë si bërthamë, që ka mbajtur gjallë Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe kërkesat e saj, si mërgata nga Kosova por edhe nga vistet tjera shqiptare. “Mërgata ende na e mbanë gjallë këtë frymëzim dhe nëse mërgata shqiptare nuk e ka humbur lidhjen me Kosovën, Shqipërinë, është pikërisht aspekti kulturor dhe ne si komunë do të vazhdojmë të bashkëpunojmë më të gjitha shoqatat që mbajnë gjallë këto lidhje”, tha kryetari I Prizrenit Mytaher Haskuka.

Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali, Nikollë Lleshi, vlerësoi angazhimin e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, që ka zgjedhur Prizrenit të shënojë këtë ngjarje të madhe historike.

“Këtu në Prizren, që në themelet e tij ka punën dhe sakrificat e mëdha që shqiptarët kudo që ndodhën shpalosen identitetet e tyre më shumë dinjitet dhe largpamësi. Prizreni i Kuvendeve dhe i vendimeve të mëdha historike,i ka skalitur ato sakrifica në gurë, që nuk vdesin kurrë, ato janë një shembull i qendrës dhe i burrërisë së këtij vendi”, tha z. Lleshi.

Kryetari i Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqyri Galica tha se SHSHASH në momentet vendimtare të historisë kombëtare ka ndihmuar ne pasqyrimin e aktivitetit te mergates. Kurse sot po vazhdon përpjekjet për ta ndihmuar edhe nëpërmjet krijimtarisë letrare e artistike dhe shkencore, për ta ngjallur vetëdijën e brezave të ardhshëm, për kontributin dhe sakrificën që do të bëjë çdo shqiptar. Krijimet e tuaja inventive, kontaktet me krijues gjithëandej, dëshmojnë përkushtimin tuaj për ta ndihmuar atdheun edhe në rrethana të reja dhe për ta pasuruar krijimtarinë letrare e artistike me vepra moderne”, vlerësoi Galica, duke shprehur gatishmërëinë e Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës për bashkëpunim shumëdimensional.

 

Ndërkaq, Prof. Asllan Murati, foli për figurën e Ymer Prizrenit, ai kishte bërë bashkë burrat e kombit për të pavarësuar trojet shqiptare. “Lidhja e Prizrenit është gurthemeli i pavarësisë së trojeve shqiptare. Ani që Turqia ishte islame, duke e parë që vendet ballkanike, kërkonin të merrni trojet shqiptare. Ymer Prizreni kishte tubuar rreth tij bashkë me Abdyl Frashërin shumë burrat tjerë të kombit per mbrojtjen e tokave shqiptare. Ata kanë hyrë në historinë e kombit tonë dhe janë të pavdekshëm. Ata duhet të jenë busullë për ne, se si ne duhet të shkojmë gjurmeve të tyre”, tha Prof. Asllan Murati, ish kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, duke përcjell mesazhin edhe njëherë se, pavarësisht përkatësive fetare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë për kombin.

 

Në sesionin e gjashtë shkencor u paraqiten tetë kumtesa shkencore:

  • “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe rëndësia e saj”, autor Fadil Geci
  • “Lidhja e Prizrenit në epikën historike, autor Mehmet Rukiçi
  • “Për poemën, kënga e Lahutarit për Lidhjen e Prizrenit, I botuar 40 vjet më parë”, autor Nuhi Vinca
  • “Burimet arkivore për themelimin dhe rolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrnit”, autor Ruzhdi Panxha
  • “Lidhja historike shqiptare e Prizrenit”, autor Sylë Osmani
  • “Rrugëtimi i ekspozitës së Lidhjës së Prizrenit”, autor Jusuf Osmani
  • “Mbrojtja e dokumenteve në Lidhjen e Prizrenit”, autore Myvedete Basha
  • “Lidhja e Prizrenit – frymëzim për mërgatën shqiptare”, autor Hysen Ibrahimi

Të gjitha kumtesat në fokus kishin Rolin e Lidhjes së Prizrenit në proceset vendimarrëse të shqiptarëve, në të gjitha kohërat. Kumtesat e plota të sesionit të gjashtë shkencor të organizuar nga SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi do të botohen në vëllimin  nr. 10-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi, që do të dalë vitin e ardhshëm.

Në kuadër të këtij sesioni u promovuan edhe 7 libra të rinj, të autorëve të ndryshëm, të cilët i mbështetë SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”:

  • “Princesha Meri”, roman i autorës Elhame Gjurevci, referoi Mone Juniku
  • “Fjalor, shprehje, fraza, dhe këshilla në shërbimet mjekësore, shqip-suedisht”, autor Fetah Bahtiri, referoi, Elhame Gjyrevci
  • “Po të pres”, autor Idriz Gashi, referoi Isuf Bajraktari
  • “Pëshpëritje e jetës në mërgim”, roman, autor Xhavit Çitaku, referoi Hysen Ibrahimi
  • “Vullkan i shpërthithur”, autor Bajram Muharremi, referoi Fetah Bahtiri
  • “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, autor Hyrë Tejeci Murati, referoi Mehmet Rukiqi
  • “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare”, nr.9, SHSHASH, “Papa Klementi XI Albani, në Suedi, referoi Rrahman Rrahmani

Në fund të sesionit shoqata ndau mirënjohje për disa personalitete që kanë kontribuar për Lidhje Shqiptare të Prizrenit dhe për ata që kanë ndihmuar organizimin e Sesionit e gjashtë shkencor të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Ndërsa Hyrë Tejeci Murati, u shpall “Anëtare Nderi” e shoqatës, për kontributin e saj me librin “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, një përmbledhje e 9 vëllimeve e “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” në Suedi.

NIKO SUDARI, PËRKTHYES I KOLLOSËVE TË LETËRSISË BOTËRORE – Nga Kadri Tarelli

Kadri Tarelli shkruan.

 

Veprimtari

Në mbasditen e 25 korrikut, 2018, në sallonin e artit “Sigal”, në Durrës, u organizua një takim me përkthyesin e njohur Niko Sudari, i cili paraqiti librin voluminoz “Gusht 1914”, roman epope të nobelistit rus Aleksandër Sollzhenicin. Takimi u organizua nga klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit. Veprimtarinë e drejtoi bukuroshja durrsake Hygerta Sako, posaçërisht e ardhur nga Tirana.

Pjestarët që folën, vunë në dukje vlerat e përkthimit, si një mesazh për të gjithë ata që nisin udhën e mundimit, për të përkthyer bukur dhe me ndjenjë:

Nikoll Spathari, kryetari i klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit.

Vladimir Muça, shkrimtar dhe kritik letrar.

Fatmir Minguli, shkrimtar, studiues, eseist.

Naim Kërçuku, sekretar i klubit.

Recitoi, poeti Agim Bajrami.

Fatmir Baçi. Anëtar i Akademisë së Bosnjës.

Mes tyre edhe unë Kadri Tarelli, ku pata nderin të them pak fjalë lidhur me gjuhën e përdorur nga përkthyesi Niko Sudari, në veprën “Gusht 1914”.

 

NIKO SUDARI, PËRKTHYES I KOLLOSËVE TË LETËRSISË BOTËRORE

Aleksandër Sollzhenicin në romanin epope, “Gusht 1914”.

Para do kohësh, në një bisedë të zakonshme me z. Agim Bajrami, duke pirë kafe, e pyes: Ç’ mendim ke për klubin e shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit? Nuk e priste, apo bëri sikur s’ më kuptoi, ndaj vazhdova: E kam fjalën për cilësinë e shkrimeve dhe botimeve të kolegëve tanë shkrimtarë e poetë. Ai m’u përgjigj: “Mos pyet! Në Durrës kanë zbritur nobelistët”. Qeshëm të dy, për këtë shaka të shaka e kripur. Tani që po flas, mendoj se kishte të drejtë. Sepse miku ynë Niko Sudari, na solli të përkthyer në Durrës, nobelistin Aleksandër Sollzhenici, autorin e  romanit epope, “Gusht 1914”.

Cilësitë dhe vlerat e romanit, i kanë thënë të tjerët, ata që e nderuan autorin me çmimin “Nobel”. Shija e artistit nuk qëndron tek dëshira me të cilën shkon të punojë, por me shkëlqimin e punëve që kryen”, thotë diku filozofi i mesjetës, Thoma Akuini. Mesazhet i prek dhe i ndjen secili lexues, po kështu shijon dhe gjuhën e përdorur, për të cilën edhe unë po them vetëm pak fjalë.

Kisha përshtypjen se vetëm historianët vuajnë, u del shpina dhe u skuqen sytë, nga letrat e shumta. Paskam gabuar, këtë mund ta thonë më mirë vetë përkthyesit. Gjithsesi, ai që niset të përkthejë, është i dënuar dy dhe trefish:

Së pari, duhet të njohë mirë gjuhën dhe kulturën e vendit dhe po kaq mirë edhe gjuhën e kulturën e shkrimtarit. Dikush këtë mund ta quajë mrekulli, ndërsa unë e quaj torturë, pasi gjithë jetën është i dënuar të studiojë e të mësojë, ndryshe është i dështuar.

Më pas: Ai duhet të futet në lëkurën e autorit, të jetojë, të mendojë e të veprojë si ai. Njëkohësisht, si në rastin tonë, ta bëjë atë të flasë shqip. Shkrimtari vetë, vuan të ketë frymëzim dhe t’i gjejë mendimet, se për t’i shprehur e ka kollaj në gjuhën e tij, ndërsa përkthyesi vuan, t’i njohë ato, t’i bluajë në vetvete, t’i përshtatë dhe t’i bëjë të kuptueshme për publikun e tij. Përkthimi nuk është shqipërim i një dokumenti çfarëdo.

Më tej, ai është i dënuar të dashurohet me autorin, t’i ndjejë frymëmarrjen, rrahjet e zemrës, buzëqeshjen dhe trishtimin, tekat, veset, dobësitë, botëkuptimin, mbase edhe prapësitë e tij, gjë që nuk është e lehtë, të paktën shpirtërisht.

Së fundi: Përkthyesi e rikrijon veprën me të gjitha përmasat: letrare, artistike, shkencore dhe filozofike. Në shumicën e herëve, është i detyruar të njohë edhe fjalorin e profesioneve të ndryshme, sepse ato janë pjesë e jetës dhe e krijimtarisë.

Besoj se kam të drejtë kur shprehem kështu. Ja shikoni Nikon, mikun tim të hershëm, s’ka vënë fare mish në faqe, thjesht vetëm nga mundimi për të studiuar e mësuar, që përkthimi të jetë i saktë, i kuptueshëm, por i bukur dhe i pëlqyeshëm.

Cilido nga ne lexuesit, në fund arrin në përfundim, se autori e ka arritur synimin e tij, duke i shtuar letërsisë shqipe këtë libër me vlerë. Të them të drejtën, Niko ka bërë një punë të admirueshme, jo thjesht për volumin, por më së shumti, që autorin nobelist e bën të flasë shqip, pa mundim dhe pa shprehje të zgjatura e të pakuptimta. Kjo është meritë e kulturës së gjerë, përfshirë atë të dy gjuhëve, njëkohësisht të njohjes së gjuhës sonë letrare, siç i themi të njësuar, apo standarde. Niko edhe kur flet, nuk përdor dialekt, megjithëse është rritur në Shijak dhe nusen e ka nga Korça.

Nuk ka nevojë për krahasime me përkthime e përkthyes, por shqetësimi ynë si punëtorë të letrave, është se janë shtuar ca si shumë përkthimet pa kurrfarë rregulli gramatikor dhe sintaksor, përfshirë edhe përdorimin vend pa vend edhe i fjalëve të jashtme (kështu i quaj unë fjalët e huaja), që medemek tregojnë kulturë. Nuk zgjatem të analizoj shkaqet, pasi i njohim dhe i dimë të gjithë.

Nuk dua të fyej njeri, por që të përkthesh, së paku duhet të jesh shkrimtar apo poet, ndryshe i hyn detit në këmbë dhe bën, që të shqetësohet një armatë e tërë gjuhëtarësh, mësuesish, shkrimtarësh dhe lexuesish. Niko është mësues, shkrimtar dhe historian i njohur.

Besoj se me lexuesi jam në një mendje, sepse ky libër i përkthyer bukur, ka këto veçori:

  1. a. Sintaksa e fjalisë është e saktë, nuk përjashtohet gramatika, shenjat e pikësimit, fjalë formimi, etj.
  2. b. Ka Shumë pak fjalë të “Jashtme”, disa janë shumë të përdorshme në fjalorin e shqipes ditore.
  3. c. Libri është shkruar në gjuhën letrare standarde dhe pa dialektalizma.

Për këtë mendoj, se vetë përkthimi nuk e qas këtë mundësi të fundit. Më lejoni të përsëris diçka, që e kam thënë para do kohësh, në një konferencë shkencore në Kosovë, ku flitej për dialektet dhe mëkati që bën gjuha standarde. Pavarësisht se disave u erdhi pak thartë, unë u shpreha: “Shkrimtari dhe poeti, vallë ka për detyrë t’i flasë, mëhallës dhe katundit, apo t’i dërgojë mesazhe kombit?”.

Niko Sudari, me përkthimin e tij, i dërgon mesazh kombit.

 

Urime Niko Sudari, në përkthime të tjera po kaq të mira e të arrira!

Faleminderit

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 25. Të korrikut. 2018.  

Në gjashtëvjetorin e vdekjes së poetit Ali Podrimja: ARRATISJA E POETIT * – Nga Sinan KAMBERAJ

« I paloi krahët zog i kaltër /Te koka vuri gurin e vet

Nuk u zgjua as e pamë më /Gjumi i tokës e kishte zënë

Tek mbyllej në pikë të zezë universi”

*

(Këto janë vargje të Ali Podrimjes, me të cilat, poeti frëng Marc Delouse, e mbyll poemën “Requiem: Iku Aliu“, shkruar katër ditë mbasi Aliu ishte gjetur pa shenja jete, rrëzë një pylli në periferi të qytetit Lodeve të Francës, më 21 korrik 2012, ku po merrte pjesë në Festivalin Poetik “Zërat e Mesdheut”

1.

Ali Podrimja, njëri ndër poetët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, në mos më i madhi, iku papritmas nga kjo botë, në kulmin e krijimtarisë së tij letrare, duke lënë një vend bosh në mjedisin kulturor shqiptar. Me artin e vet poetik Aliu arriti të kapërcente kufijtë kombëtarë, duke zënë një vend nderi në rradhët e krijuesve të poezisë së sotme në botë.

Ali Podrimja arriti të ‘bëhej’ një Poet i Madh, përveç tjerash, në saje të një dhuntie, – nëse mund të thuhet, – natyrore për Poezinë. Si  rrallëkush tjetër, ai arriti të skalisë një ‘vargmal poetik’ me mjetin e artit letrar – Fjalën, duke e përdorur atë me karar, pa e lënduar hyjninë e saj. Aliu i shndërronte si me magji fjalët në metafora, të cilat, si të tilla, duket se rrezatojnë fuqishëm vetëm në vargun e tij, duke i dhënë poezisë  një vulë të veçantë stilistike, do të mund të thuhej – podrimjane.

Ali Podrimja çmohet me të drejtë si një poet gjithënacional, poet i ‘gjeografisë shqiptare’. Ky epitet i atribuohet Aliut, për shkak se ai arriti ta rikrijonte poetikisht Atdheun e copëtuar – në një Atdhe të plotē, të përbashkët, simbas projektit të pararëndësve të tij, arkitektëve të Rilindjes sonë, i cili, për fat të keq nuk u realizua për shkak se historia, padrejtësisht, nuk qe në anën e shqiptarëve.

Ali Podrimja ka qenë dhe mbetet një poet i vetmisë, i dhimbjes dhe i krenarisë kombëtare. Ai e njohu, e vuajti thellë dhe e “qau me bote”, – siç do të thoshin himariotët, – dhimbjen shqiptare. Përmes vargjeve të Aliu kjo dhimbje nisej brigjeve të Jonit,  ngjitej gjithandej brigjeve të Adriatikut, Kalonte Alpet Shqiptare dhe shtrihej poshtë në Rrafshin e Dukagjinit, aty ku e kishte Kullën e Fjalës Poeti i Madh.

2.

Ali Podrimja, i njohur si një njeri që s’i zihej vendi vend, duke nxituar për të qenë “i kudondodhur” në të njëjtën kohë, – në jetën kultutore e letrare, – nuk pati nge, më sa dihet, të na e linte një autobiografi të shkruar. Megjithatë, disa miq të tij të fëmijërisë e të djalërisë, na ofruan këto ditë ca të dhëna biografike për Aliun. Sado të shkurtëra, ato prapëseprapë mbesin kujtime të ngrohta për figurën e Aliut, duke përmbushur, poashtu, kurreshtjen e lexuesve të zhanrit të biografive.

Miqtë e tij më të afërt e përshkruajnë Aliun si një çun thatim, të shkathtë e simpatik, të cilin, siç thonë ata, “nuk e kishte përkëdhelur gjithaq jeta“. Aliu, fundi i fundit, këtë mungesë e ndante me moshatarët e tij që kishin lindur në kohë të pakohē, në “Zezonën e Kosovës”.  E mbajnë mend si një çun të urtë, herë të tërhequr e herë “rebel“, por gjithnjë të dashur e zemërmirë; pastaj si një çapkën, të cilin, pas dashuriçkave të moshës djaloshare, e kishte zënë papritmas një Dashuri e Madhe – Poezia!

Aliu, mbase nuk do ta ketë besuar as vetë, se kjo e Fundit, pra Poezia, s’do ta lëshonte kurrë dhe se Ai do të bëhej Princi i Saj i përjetshëm.

Miqtë e tij bashkëmoshatarë e mbajnë mend Aliun, në rininë e tij të parë, si një kampion të shumëfishtë në kërcimet nga Ura e Shenjtë në lumin Erenik të Gjakovës, ku Ali ‘Taliani’ dilte gjithnjë i Pari; pastaj si një nxënës mesatar në mësime, me prirje për artet, të cilën fillimisht ia njihnin të tjerët, por jo ai vetëvetes. (Aliu thotë se nuk kishte dashur të bëhej poet, – paçka se më vonë ndërron mendjen, – atëherë kur filloi ta shijonte “famën” në mesin e bashkëmoshatarëve të tij).

Rexhep Ferri, një piktor i shquar yni dhe mik i Aliut, më i vjetër se ai nga mosha, i cili e mbajti përjetësisht miqësinë me të, thotë se njëherë Aliu kishte dashur ta kalonte kufirin e të shkonte në “Shqipërinë e Enver Hoxhës“ (!). Një profesor i tij i dashur, Besim Bokshi, – thotë Rexhepi – kur Aliu i kishte folur në besë për “planin e tij”, – e kishte këshilluar të hiqte dorë nga kjo punë, sepse “atje nuk do të mund të shkruante si këtu”. Aliu e kishte përfillë këshillën prindore të Profesor Bokshit.

Shumë nga miqtë e Aliut, të cilët tashmë i la, “e duronin” t’ua prishte edhe gjumin e natës, kur përmes telefonit ua lexonte poezitë, të cilave s’u ishte tharë akoma boja në letër, duke e ndarë gëzimin krijues bashkë me ta, thotë Prof. Ferri.

3.

Aliu e përjetoi “madhështinë“ e të qenit poet, pas botimit të poezisë programatike, tashmë antologjike, “Kosova – gjaku im që nuk falet”. Ai ka treguar vetë se kjo poezi, e botuar në Revistën Letrare “Jeta e Re“, i ka shkaktuar aq shumë telashe politike, sapo e kishte parë dritën, saqë, po të mos e kishte shpëtuar “Ëngjëlli i tij Mbrojtës”, – siç e quan ai Esad Mekulin, – ajo do të mund të ishte poezia e tij e fundit. Si kryeredaktor i kësaj Reviste, përmes një “mjeshtërie“ që ia kishte mësuar jeta, doajeni i Poezisë shqipe në Kosovë, e kishte shpëtuar Poetin, Revistën, si dhe vetën e tij.

Më vonë Aliu e ka shpalosur edhe më mirë ‘misionin’ e vet poetik:

“Mos u bën poet /nëse nuk vdes për secilin varg /për secilën fjalë”

Ali Podrimja e shfaqi hapur rebelizmin e tij krijues në vitin 1971. Ai ishte autor i Traktatit Letrar me titull “Vox Clamantis in Deserto”, (Zëri i të Vetmuarit në Shkretëtirë) botuar në shtypin e kohës. Ky Traktat pat shkaktuar një tronditje në skenën politike e kulturore të Kosovës. Mirëpo qe fashitur, si rezultat i reagimit të fuqishëm të krijuesve të tjerë të rinj të arteve, që iu bashkuan Podrimjes. Krijuesit e rinj kosovarë po i kundërviheshin Realizmit Socialist, shkollës dogmatike artistike, qe po e ‘vriste’ letërsinë dhe artet e tjera. Në saje të këtij akti të guximshëm zunë të viheshin themele të reja të artit modern në Kosovë, në frymën e lirisë Perëndimore dhe të Shkollës së Shkrimit të Lirë.

Një klimë e zbutur politike bëri që Aliu t’i shpëtonte “ndëshkimt” për herezinë në Kosovë, aty ku e kishte shfaqur “rebelimin”. Sado paradoksalisht, ai e pagoi këtë “faturë” atje ku kishte dashur të arratisej kur ishte Çun. Aliut nuk i botoheshin veprat në Tiranë. Në fakt, të rrallë ishin autorët kosovarë që botoheshin asokohe në “Shqipërinë e Enver Hoxhës” (!), ndërsa Aliu – hiç. Aliu, thonë të gjithë, – e ka thënë edhe ai vetë, – e ndjente thellë këtë dhimbje. Ishte e rëndë për të, sepse Ai e ka dashur haptas, shumë, më shumë se shumëkush tjetër – Shqipërinë, ose – sa Dardaninë, siç kishte qejf ta quante shpeshherë Kosovën.

Vetëm pas rënies së diktaturës staliniste, veprat e Aliut janë botuar e ribotuar në Tiranë. Ato janë çmuar e nderuar njësoj si në Prishtinë.

Dhe, Aliu i gëzohej pa masë kësaj njohjeje.

Rrugën e artit poetik të Ali Podrimjes e kanë ndjekur në Kosovë një plejadë krijuesish, bashkëmoshatarë dhe më të rinj se ai. Vargu i poetëve të rinj ështe i gjatë dhe ata i janë mirënjohës Ali Podrimjes për mbështetjen që u ka dhënë, në cilësinë e redaktorit shumëvjeçar në Shtëpinë (e Madhe) Botuese “Rilindja”.

Poashtu, një plejadë e tërë shkrimtarësh të rinj, tashmë jo dhe aq të rinj, në Shqipëri, secili më i mirë se tjetri, i qëndrojnë përkrah poetit Ali Podrimja, duke e ndjekur shkollën e tij stilistike.

4.

Ali Podrimja ka lëvruar me sukses disa gjini letrare. Ka shkruar ese e recensione, tregime, trajtesa e kumtesa, si dhe vëzhgime kulturore e shoqërore. Por, Ëmblema e tij mbetet Poezia.

Në një hark kohor 50 vjeçar krijimtarie, Ali Podrimja ka botuar e ribotuar mbi 40 vepra poetike, ose mbi 60, bashkë me ato të përkthyera në shumë gjuhë të botës.

Kritika letrare shqiptare e konsideron kryevepër jetësore të Podrimjes vëllimin poetik “Lum Lumi”, të cilin ia kushton të birit, Lumit të vogël, i cili vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Aliu bëri të pamundurën, duke kërkuar derman për voglushin deri në Paris, por vdekja qe e pamëshirshme. Ia rrëmbeu Lumin, sadoqë Prindi Ali “s’mund ta nēnshkruante vdekjen e tij” në spital.

Aliu e përjetoi dramatikisht këtë gjëmë, por e përjetësoi estetikisht, duke e ndarë dhimbjen bashkë me lexuesit e tij. Përmes dhe përtej kësaj tragjedie personale, Aliu, si një poet i persiatjes së thellë, arrin ta projektojë dramën individuale në rrafshin kolektiv shqiptar, duke e shtrirë artistikisht nocionin e Dhimbjes vetiake në përmasat e Dhimbjes universale.

“Lum Lumi” është një libër me vargje jo të shkruara, por të shkrira, është një kurorë monumentale vargjesh elegjiake podrimjane.

Në fakt, motivi i dhimbjes e përshkon pjesën më të madhe të krijimtarisë poetike të Ali Podrimjes. Spikat dhimbja për Kosovën e pushtuar, për Çamërinë e martirizuar, për arvanitët e Moresë, për arbëreshët e De Radës, për muhaxherët e Sanxhakut të Nishit, të katandisur nëpër shkretëtirat e Anadollit dhe gjithandej në Lindjen e Mesme, në Siri e në vende të tjera përrreth. … (Aliu i ka ‘shkelur këmbë’ vetë këto vende, fshatra e qytete, duke shkruar poezi dhe duke vënë në fund të tyre vendin dhe datën e shkrimit, si një shenjë mbi gur varri).

5.

Këto ditë Aliun e kanë përkujtuar me pietet miq të tij të shumtë, lexues të pasionuar të veprës së tij, krijues, gazetarë, piktorë, artistë, botues, studiues të letërsisë dhe të arteve, kolegë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, kudo në trojet shqiptare, si dhe në diasporë. E kanë përkujtuar, poashtu, miq shkrimtarë të huaj, nga të katër anët e botës, duke e quajtur ikjen e tij një humbje të madhe për letërsinë tonë, por edhe për artin poetik botëror.

Mirëpo, edhe Ali Podrimja ka ditur të nderojë personalitete e miq, si pakkush tjetër, me përkushtime poetike, si Martin Camajn, Nënë Terezën, Ibrahim Rugovën, Gjelosh Gjokajn, Ismail Kadarenë, Adem Demaçin, Robert Elsin, e shumë të tjerë.

6.

Aliu u ‘arratis’ nga kjo botë. Ai nuk pati nevojë më për ne, sadoqë ne kishim nevojë për të. Ai do të na mungojë shumë.

Dhimbja që pllakosi vendin për humbjen e Aliut, respekti që iu bë e po i bëhet këto ditë në trojet shqiptare, si dhe në Diasporë, është një shenjë e mirë, një shenjë se shoqëria shqiptare ka filluar ta marrë paksa vetën. Sadoqë, nderimi ‘post mortum’ i Krijuesit është vetëm një kthim i “borxhit të pashlyer” ndaj Tij, në të gjallë të Tij.

Kriza morale që ka mbërthyer botën shqiptare mbas Çlirimit, në të dy shtetet tona, mund të jetë ndoshta, pasojë e një “jete të kaluar qençe“, (siç thotë Aliu në një poezi të tij), pasojë e një vuajtjeje të gjatë nën pushtim. Ndaj, ‘mos o Zotynë’, siç do të thoshte Aliu, të pamësuar me lirinë, po e “refuzojmë” me kaq ashpërsi Atë?

Atdheun po e ngulfasin mujsharët, ata që pandehin se na kanë “çliruar” dhe na e kanë sjellë Lirinë, dhe si rrjedhojë – vetëm ata duhet ta gëzojnë atë.

Hë për hë, nuk ka mbetur rrugë tjetër përveç se t’i lutemi Zotit të mos bëhemi për të na qarë ndonjë Ali i Ri. Tanimë, jo për zullumin e “Ujkut” të rrezikshëm alegorik të Ali Podrimjes, por të një Ujku tjetër, të ri.

Pas ngordhjes së Ujkut të Vjetër, asaj kafshe të egër e mizore, që na e nxiu jetën, kemi nevojë për pak më shumë ngrohtësi e butësi, që të mos shndërrohemi, “aman, o Trima”, (shprehje e Aliut) në një grigjë, – tash jo metaforike, – se s’ka kush të na qajë më.

Ne, si vdektarë që jemi, Zoti e di, mund të mos jetojmë as sa Poeti Ali.

Dhe, ngaqë s’mund të bëhemi të gjithë poetë, – jo që jo si Aliu, – nuk kemi mundësi as të arratisemi, siç u “arratis” Ai nga kjo botë.

Aliu e jetoi Jetën e Tij siç deshi vetë. Lumë si Ai!

New York,

8 nëntor 2012

——————

*) Fjalë e mbajtur në Orën Përkujtimore kushtuar Ali Podrimjes, në Fordham University, në New York, më 8 Nëntor 2012, botuar te Gazeta Shqiptare – Amerikane ILLYRA dhe Gazeta DIELLI, organ i Federatës VATRA.

——

PS:

Ora Përkujtimore kushtuar poetit Ali Podrimja qe mbajtur asokohe me nisiativën e ish-gazetarit të Zëtit të Amerikës dhe Botuesit ‘Gjonlekaj Publishing’ CO, në New York, Gjekë Gjonlekaj; Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe TV Kultura Shqiptare, drejtor – Adem Belliu.

Folës: Prof. Paolo Palombo, Sinan Kamberaj, Raimonda Moisiu, Eleonora Gjoka. Moderatore: Lidia Ujkaj nga kanali televiziv 5 – Fox dhe Gjekë Gjonlekaj. (Foto: Beqir Sina)