VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Raporti final i OSBE/ Basha: E pëmbledhur me dy fjalë “Masakër Zgjedhore”! Konfirmon se më 25 prill u tjetërsua vullneti i shqiptarëve

By | July 27, 2021
blank

Komentet

blank

Arkiv – Fjala në sheshin e Shën Pjetrit ORËT E EMOCIONIT SHQIPTAR – Nga PAPA FRANÇESKU

Më 25 shtator 2014, e enjte, pas kthimit të Atit të Shenjtë nga vizita në Shqipëri

Të dashur vëllezër e motra, Sot dua t’ju flas për Udhëtimin Apostolik, që bëra në Shqipëri, të dielën e kaluar. E bëj këtë, së pari, si akt falenderimi për Zotin, i cili ma mundësoi këtë Vizitë për të treguar, edhe fizikisht e në mënyrë të prekshme, afërsinë time e të gjithë Kishës me këtë popull. Dëshiroj pastaj, të përtërij mirënjohjen time vëllazërore për Ipeshkvijtë shqiptarë, meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, që punojnë me kaq impenjim. Mendimi im plot mirënjohje shkon edhe tek autoritetet, që më pritën me kaq shumë dashamirësi, si edhe tek të gjithë ata, që punuan për realizimin e vizitës.

Kjo vizitë lindi nga dëshira për të shkuar në një vend që, pasi u shtyp për një kohë të gjatë nga një regjim ateist e çnjerëzor, po përjeton përvojën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve. M’u duk shumë e rëndësishme ta inkurajoj në këtë udhë, që ta vazhdojë me këmbëngulje e të thellohet në të gjitha aspektet, për të mirën e përbashkët. Për këtë, në qendër të udhëtimit, qe një takim ndërfetar, në të cilin pata mundësinë të shoh me kënaqësi të thellë se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve e bashkësive, që u përkasin feve të ndryshme, jo vetëm mund të dëshirohet, por është konkretisht e mundur dhe e zbatueshme në praktikë.

Ata e praktikojnë! Është fjala për një dialog të vërtetë e të frytshëm, larg relativizmit, duke pasur parasysh identitetin e secilit. Në fakt, ajo që i bashkon shprehjet e ndryshme të fesë, është udha e jetës, vullneti për t’i bërë mirë të afërmit, pa e mohuar e pa e nënvlerësuar identitetin e secilit.

Takimi me meshtarët, me njerëzit e shuguruar, me seminaristët e me lëvizjet laikale, qe rasti për të kujtuar me mirënjohje, me çaste përmallimi të madh, martirët e shumtë të fesë.

Falë pranisë së disa të moshuarve, që i kanë jetuar në trupin e tyre persekutimet e tmerrshme, rijehoi feja e sa e sa dëshmitarëve heroikë të së kaluarës, të cilët e ndoqën Krishtin deri në pasojat më ekstreme. E pikërisht nga bashkimi intim me Jezusin, nga marrëdhëniet e dashurisë me Të, për këta martirë – si për çdo martir – lindi forca për të përballuar ngjarjet e dhimbshme, që i çuan drejt martirizimit.

Edhe sot, ashtu si dje, forca e Kishës nuk qëndron aq në aftësitë organizuese ose në struktura, të cilat, gjithsesi, janë të nevojshme, por Kisha nuk e gjen forcën e vet aty. Forca jonë është dashuria e Krishtit! Një forcë, që na mban në çastet e vështira e që frymëzon veprimin e sotëm apostolik për të dhuruar mirësi e falje, duke dëshmuar kështu mëshirën e Zotit.

Duke përshkuar udhët kryesore të Tiranës, që nga aeroporti çon në sheshin qendror, munda të shoh portretet e dyzet meshtarëve të vrarë gjatë diktaturës komuniste, për të cilët është nisur çështja e lumnimit. Këta u shtohen qindra rregulltarëve të krishterë e myslimanë, vrarë, torturuar e internuar vetëm sepse besonin në Zotin.

Kanë qenë vite të errëta, gjatë të cilave u bë rrafsh me tokën liria fetare e ishte e ndaluar të besoje në Zotin, mijëra kisha e xhami u shkatërruan, u shndërruan në magazina e kinema, që përhapnin ideologjinë marksiste, librat fetarë u dogjën e prindërve nuk iu lejua t’u vinin fëmijëve emrat fetarë të paraardhësve. Kujtimi i këtyre ngjarjeve dramatike është thelbësor për të ardhmen e një populli.

Kujtimi i martirëve që rezistuan me fe është garanci për fatet e Shqipërisë; sepse gjaku i tyre nuk është derdhur kot, por është farë, që do të sjellë fryte paqeje dhe bashkëpunimi vëllazëror. Vërtet, sot, Shqipëria është shembull, jo vetëm për rilindjen e Kishës, por edhe për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve.

Prandaj, martirët nuk janë të mundur, por fitimtarë: në dëshminë e tyre heroike shndrit sërish gjithpushteti i Zotit, që gjithnjë e ngushëllon popullin e vet, duke hapur udhë të reja e horizonte shprese.

Këtë mesazh shprese, bazuar në fenë në Krishtin e në kujtimin e së kaluarës, ia besova krejt popullsisë shqiptare, të cilën e pashë entuziaste dhe të gëzuar në vendet e takimeve e në kremtime, ashtu si edhe në rrugët e Tiranës.

I inkurajova të gjithë të marrin energji gjithnjë të reja nga Hyji i ringjallur, për të qenë tharmi ungjillor në shoqëri e për t’u impenjuar, siç po ndodh tashmë, në veprimtari bamirëse e edukative.

Falenderoj edhe një herë Zotin, sepse, me këtë Udhëtim, më dha mundësinë të takohem me një popull të guximshëm e të fortë, që nuk u përkul para dhimbjes.

Vëllezërve e motrave të Shqipërisë u përsëris ftesën për të pasur guximin e së mirës, për të ndërtuar të tashmen e të ardhmen në vendin e tyre e në Evropë.

Ia besoj frytet e vizitës sime Zojës së Këshillit të Mirë, që nderohet në Shenjtëroren me të njëjtin emër në Shkodër, që Ajo të vazhdojë ta udhëheqë këtë popull-martir në udhën e tij.

Përvoja e vështirë e së kaluarës thelloftë gjithnjë e më shumë hapjen ndaj vëllezërve, sidomos ndaj më të brishtëve, dhe e bëftë gjithnjë e më shumë protagonist të atij dinamizmi të bamirësisë, kaq të nevojshëm në kontekstin e sotëm shoqëroro-kulturor.
Do të doja që të gjithë ne të përshëndesim këtë popull të guximshëm, punëtor, që në paqe, kërkon bashkimin.

blank

Zëri i Amerikës: Sulmohen qendrat e regjistrimit të makinave në veriun e Kosovës

Autoritetet e rendit në Kosovë njoftuan sot se në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në ndërtesën e e komunës së Zubin Potokut, ndërsa në një tjetër qendër të tillë në komunën e Zveçanit janë hedhur bomba, që nuk kanë shpërthyer.

Policia tha se po kryen hetime dhe ende nuk ka ndonjë të arrestuar lidhur me incidentet për të cilat kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, sipas hetimeve të para, “nuk ishin aksidentale por të qëllimshme”.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Kurti tha se individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin e Kosovës dhe po e cenojnë paqen.

“Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, shkroi kryeministri Kurti duke nënvizuar se sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i kryejnë nuk do të tolerohen.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që banojnë në veri të lumit Ibër, pavarësisht përkatësisë etnike, që të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cilësoi incidentet si akte “kriminale me elemente terroriste”.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, tha ai duke nënvizuar se ministria e Punëve të Brendshme do të angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe të zbatojë vendimet qeverisë së Kosovës në tërë territorin e saj.

“Ftojmë qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”, tha ai.

Djegia e Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve ndodh në një kohë kur grupe qytetarësh serb për të gjashtën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak, në veriun e banuar me shumicë serbe, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Nga e hëna, makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë. Fillimi i zbatimit të këtij vendimi është masë e ndërsjellë meqë njësoj veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.

Zbatimi i vendimit të qeverisë për targat e makinave ka tensionuar marrëdhëniet edhe ashtu të ndera ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Autoritetet e Kosovës janë shprehur të gatshëm që të heqin masën e reciprocitetit në rast se edhe Serbia zotohet të bëj të njëjtën gjë për makinat me targa të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi.

Por zyrtarët në Beograd kanë hedhur poshtë një gjë të tillë duke kërkuar që njësitë e posaçme të policisë së Kosovës të largohen nga veriu dhe autoritetet në Prishtinë të heqin masën e vendosur më 20 shtator. Serbia ka hedhur poshtë mundësinë e vazhdimit të bisedime në Bruksel pa u përmbushur këto kushte, ndërsa tha se ka ngritur gatishmërinë luftarake të trupave të saj në afërsi të kufirit me Kosovën.

Diplomatet perëndimor po bëjnë thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve në veriun e Kosovës, dhe kthim në tryezën e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se “të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

Zoti Escobar tha se i dërguari i posaçëm evropiane për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak, ka disa propozime shumë të mira dhe po përpiqet t’i mbledhë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme.

Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, tha ai duke nënvizuar se “është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë”, theksoi zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit..

blank

Në Shqipëri idhujt e politikës së lartë janë pa krena dhe pa krena e duan edhe tufën e idhujtarëve – Nga SHABAN MURATI

Në Shqipëri idhujt e politikës së lartë janë pa krena dhe pa krena e duan edhe tufën e idhujtarëve. Prej 30 vitesh në tranzicion politika e lartë shqiptare jep çdo ditë shembuj ulëritës për padinjitetin, pakarakterin dhe pagdhendjen në nivele samiti, të cilat nuk i shëron dot as një dhe as disa gjuhë të huaja. Si nuk doli një politikan i lartë shqiptar, me mustakë apo pa mustakë, që të kuptojë se kur stuhia e historisë i le idhujt pa krena, duhet me vrapue për në shtëpi, sepse nuk ka më vend në çadrën tënde politike.

Shpirti i zi ua ka rrëzuar krenat idhujve të politikës së lartë, të cilët si rregull tërheqin me vete drejt theqafjes idhujtarët pa krena, që gjenetikisht mbetën një vertebër deformuese e këtij populli. “Çdo gja që s’ka krye asht kufomë e kufoma s’e ka vendin mes të gjallëve”,-thotë Migjeni largpamës.

Gerontokracia e çmendur politike i ndjek shqiptarët si nemesis storica i një mallkimi, që vjen nga zemra e dheut dhe e malit.

blank

‘E shkuara’ e PD është histori suksesi, krenarie dhe lavdie! – Nga EDI PALOKA

“E shkuara” e PD është histori suksesi, krenarie dhe lavdie për gjithë shqiptarët!

E shkuara e PD është përmbysja e komunizmit dhe hapja e rrugës për demokraci!

E shkuara e PD është fitorja e pluralizmit në Shqipëri.

E shkuara e PD është largimi i Shqipërisë nga Lindja dhe rivendosja e marëdhënieve me SHBA e partnerët tanë natyralë, Perëndimin!

E shkuara e PD është vendosja e ekonomisë së tregut dhe lirisë së biznesit në Shqipëri!

E shkuara e PD janë anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE.

E shkuara e PD është dhe celebrimi me SHBA dhe aleatët i pavarësisë së Kosovës!

E shkuara e PD janë këto dhe shumë të tjera, për të cilat jo vetëm demokratët por dhe shqiptarët duhet të ndjehen krenarë!

Prandaj ne demokratët jemi dhe shpresa e shqiptarëve për të ardhmen sepse kemi pasur një histori të lavdishme ndërkohë që kundërshtarët tanë, ata që qeverisin sot, kanë një të shkuar të zezë dhe një të tashme po aq të zezë për shqiptarët!

Ne shohim nga e ardhmja, jo duke harruar e shkelmuar të shkuarën, por duke bërë të kundërtën: duke e ngritur këtë të ardhme mbi vlerat më të mira të së shkuarës e duke shkelmuar të keqen e asaj të shkuare!

blank

Kur amerikanët përfunduan si sekserë për vilat e një autokrati Nga Enton Palushi

Shqipëria e drobitur nga hallet e saj dhe e mbingarkuar me lajme të shumta duket se nuk ia ka pasur ngenë këto ditë të merret me një dramë të rëndë që po konsumohet në kufirin mes Meksikës dhe SHBA. Mijëra haitianë të vendosur në një kamp në kushte mizerabël presin deportimin nga SHBA, ndërsa dhuna policore e ushtruar mbi ta po krahasohet me periudhën e skllavërisë.

Ky është një tjetër skandal mbi shpatullat e brishta të presidentit Joe Biden, i cili dje u përball me një tjetër lajm të hidhur. I dërguari special i SHBA për Haitin, Daniel Foote dha dorëheqjen duke theksuar se pamjet e vuajtjeve të haitianëve janë çnjerëzore. Sipas tij, Haiti është një shtet i dështuar dhe i rrënuar edhe për shkak të ndërhyrjeve të SHBA në punët e brendshme, duke mbështetur kandidatë të pavotuar dhe marioneta të Perëndimit. Por ‘bomba’ e Foote ishte qëndrimi i tij se Haiti nuk do ecë kurrë përpara nëse qytetarët nuk do lejohen të zgjedhin në mënyrë dinjitoze drejtuesit e tyre me votë të lirë dhe të ndershme.

Foote i bashkohet kështu një numri gjithmonë e në rritje ekspertësh dhe politikanësh në botë që e shohin problemin e madh te fakti se Perëndimi jo vetëm nuk po i mbështet dhe nuk po investon te zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por po i dëmton ato. Haiti është një shembull ulëritës në këtë drejtim.

Gjithçka në këtë vend të Karaibeve nisi në vitin 1990. Pas revoltave të shumta, qytetarët kishin arritur të rrëzonin diktatorin famëkeq, Baby Doc Duvalier, i njohur për 1001 të zeza, por mbi të gjitha se shpenzoi miliona USD nga buxheti i shtetit për dasmën e tij luksoze.

Vendi do i drejtohej kutive të votimit dhe për herë të parë mund të zgjidhnin të lirë. Jean-Bertrand Aristide fitoi me shumicë të konsiderueshme dhe dukej se Haiti po futej në kursin e duhur. Por gjithçka zgjati vetëm 8 muaj. Më 29 shtator 1991, ushtarët qëlluan mbi banesën e Aristide. Ai shpëtoi me shumë fat dhe arriti të fshihej në parlament. Një sulm i dytë pak më vonë ia doli të kapte të gjallë Aristiden. Grushti i shtetit udhëhiqej nga gjenerali Raoul Cedras.

Aristide nuk ishte një engjëll, por ajo që pasoi i dha dërrmën demokracisë në vend. Në sy të Aristides, Cedras po thurte planin se çfarë do bënin me të, duhej ta varnin aty, ta ekzekutonin apo ta linin të largohej në azil. Për fat fitoi skenari i fundit, pasi rebelët nuk donin ta nisnin pushtetin me një vrasje të këtij niveli.

Cedras mori pushtetin dhe nisi të ekzekutonte kundërshtarët. Në atë kohë ishte një sekret i hapur se CIA kishte mbështetur grushtin e shtetit. Tek e fundit, Cedras ishte diplomuar në programin famëkeq Shkollat e Amerikës të Departamentit të Mbrojtjes në SHBA.

Por shumë shpejt Uashingtoni nisi të ftohej me Cedras, për një arsye që nuk lidhet aq shumë me demokracinë. Haiti ishte bërë një aktor i rëndësishëm në tregtinë globale të drogës dhe pasojat po binin mbi qytetarët e SHBA. Mbi të gjitha ekzistonte frika e zakonshme me çdo autokrat, se sa më shumë kalon koha, aq më i vështirë bëhet rrëzimi i tij.

Një skenar për pushtimin e Haitit u rrëzua dhe presidenti Bill Clinton vendosi të dërgojë anijet ushtarake pranë brigjeve të këtij vendi duke treguar ‘dhëmbët’ në një operacion të quajtur Ruajtja e Demokracisë.

Cedras nisi të trembej, por si praktikant i magjisë Vudu, u premtonte shtetasve të tij se do i sulmonte amerikanët me një ushtri prej 60 mijë zombish të padukshëm.

Më 8 shtator të vitit 1994, gjashtë praktikantë të magjisë Vudu kryen disa rite para ambasadës amerikane në Haiti. Besojeni ose jo, pas kësaj diçka e rëndë ndodhi në Uashington. Një avion i vogël Cessna humbi kontrollin dhe fluturoi drejt dhomës së gjumit të çiftit presidencial Clinton. Piloti vdiq, por për fat askush tjetër nuk u lëndua. Në Haiti nisi festa. Shpirtrat Vudu ishin në krahun e tyre.

Nuk dihet nëse Clinton u bë supersticioz, por Shtëpia e Bardhë dërgoi në Haiti një delegacion të lartë për të negociuar. Në delegacion ishte ish-presidenti Jimmy Carter, senatori Sam Nunn dhe gjenerali Colin Powell, që e njihte Cedras nga koha kur e stërviste në tokën amerikane.

Treshja e lartë i ofroi gjeneralit Cedras 1 milion dollarë që të largohej nga vendi. Këtu nisi një histori qesharake dhe surreale. Cedras tha se në marrëveshje duhej shtuar edhe dhënia me qira e tre pronave të tij në Haiti, përfshi vilën e mamasë së tij. Nga ky moment, tre diplomatët u kthyen në sekserë dhe nisën punën për të dhënë me qira vilat. Pasi gjetën edhe qiraxhiun e fundit për vilën më të madhe me një vlerë 4 mijë dollarë në muaj, marrëveshja u nënshkrua.

Në orën 3 të mëngjesit më 13 tetor 1994, një avion ushtarak mori gjeneralin Cedras dhe familjen e tij. Po atë ditë, Shtëpia e Bardhë zhbllokoi 79 milion dollarë asete të 600 oficerëve ushtarakë nga Haiti.

Edhe pse u duk se u gjet një zgjidhje, Haiti u fut në një cikël krizash, korrupsioni dhe varfërie. Vetëm para pak ditësh u vra presidenti i këtij vendi, ndërsa emigracioni masiv nuk ndalet.

Sa për Cedras, ai hapi një dyqan në Panama. Më vonë u zhvendos në ishullin Contadora, ku kishte jetuar më parë Shahu i Iranit, të cilin amerikanët e kishin përdorur po ashtu për një grusht shteti pas zgjedhjeve të lira në vend. Çfarë ironie!/Syri.net

blank

Shfaqjet e një qurramani të llastuar – Nga Gjeneral Piro Ahmetaj

Në respekt të mijëra konsideratave për “kurajon dhe oponencën e fortë” ndaj qasjes diskretituese të Lulzim Bashës mbas 25 Prillit, po ndaj disa qëndrime shtesë:

Së pari, besoj që tashmë të jenë kthjelluar të gjitha dilemat: “ish-PD ose edhe më qartë, kompania private e Lulzim Bashës i ka shitur, ia kanë manipuluar/vjedhur si dhe i ka humbur në mënyrë turpëruese edhe zgjedhjet e 25 Prillit 2021”!

Veçmas, ose të trija së bashku, nuk ka më asnjë pikë rëndësie. Ashtu si edhe retorika e të gjithëditurve, dufi i militantëve të dëshpëruar në rrjete sociale apo diskutimet e skuadrës humbëse ose të punësuarve të rinj nga PD në Kuvend pas shtatorit 2021 (Basha, Bardhi, Rrushaj, Duma, Salianji, Gjekmarkaj etj. të (de) graduar si ofiqarë), do kenë zero interes për demokratët, deri në zgjedhjet e  2025-ës!

“Fshati digjet, znj…” krihet thotë populli. Ja kështu, mbasi e rimori pa turp karrigen, Kryetari doroviti skuadrën e tij humbëse dhe sekserët zullumqarë me poste në forume (Këshill Kombëtar dhe Kryesi) vetëm për të forcuar murin e kamikazëve dhe si Ali komiku i Bagdadit, vijon të mbajë ligjërata mbi «fitoret madhështore që e presin PD-në nën udhëheqjen e tij, në mos në 2025-ën,  e sigurt në 2029-ën”!

Së dyti, pavarësisht kostumit perëndimor, artikulimit euro-atlantik  apo balukeve bolshevike, “qasja delinkuente  e Lulzim Bashës dhe gardës së ofiqarëve rreth tij”, e ka katandisur tashmë PD-në në një kompani të falimentuar.

Me fjalë të tjera, 13 Qershori, 18 Korriku dhe 30 Gushti 2021 do të inventarizohen në memorien e pluralizmit si funerale poshtëruese të vlerave dhe  besimit të PD-së!

Parë kështu, këto tri data demonstrojnë jo vetëm papërgjegjshmërinë perverse të Kryetarit humbës, por edhe mungesën dëshpëruese të kurajos në partinë që ka lindur dhe ka për mision lirinë!

Kështu, faqe e zezë kur personazhe me peshë publike, prisnin si “haleluja” renditjen në listën e Kryetarit mashtrues dhe me zvarritje në të trija këto ngjarje, për të hipotekuar fundin pa lavdi të PD-së së Lulzim Bashës!

Ndërsa një gardë pagatorësh, ende zgërdhihen nëpër studio dhe Kuvend duke brohoritur “deri në vdekje me udhëheqësin e lavdishëm”, edhe pse nën drejtimin e tij në 8 vjet, PD s’ka asnjë fitore të vetme.

Neveri për mediat e kapterëve, ngritur me paratë e VEFA-s dhe ushtrinë e punësuar me byrek në portalet e familjarëve që qelbën dynjanë me propagandën “edhe humbës i përsëritur, edhe krenar, edhe trim i tërbuar, edhe pro amerikan i madh”!

Keqardhje për dhjetëramijëra demokratë, që edhe mbas dëshpërimit për humbjen mëkatare, i marrin zvarrë në llogoret e betejave e radhës “për mbrojtjen e nderit të Kryetarit humbës”.

Së treti, për rrethana shtesë e kam ndjekur i pasurprizuar dhe i pazhgënjyer, “trimërimin e vonuar” të Lulzim Bashës për ta përjashtuar (vrarë Babën) nga grupi parlamentar dhe pabesinë cinike për ta diskretitur ish-Kryetarin, Presidentin,  Kryeministrin,bashkë me të edhe historinë dhe vlerat e PD-së për 30 vjet!

Që Kryetari pa këllqe, këtë vendimarrje nuk e ka bërë as për PD-në, as për Shqipërinë, as për SHBA-në dhe as për t’u hakmarrë në emër të armiqve të Berishës, por vetëm për interesat e tij private “këtë e di edhe maçi” thonë nga jugu, dhe besoja ta dinë edhe të punësuarit e rinj në Kuvend, që fluturojnë nga gëzimi që “janë thirrur nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë”!

Çfarë mjerimi!

Nga ana tjetër, shpreh neverinë për qasjen e Bashistëve: “Kush nuk është pro Kryetarit të Madh, është armik  i SHBA-së, i PD-së dhe i kombit”.  Pra “Rreziku amerikan” i një forme moderne, edhe më tinzare se e E. Hoxhës.

Kujtohuni se për të rimarë karrigen e Kryetarit në 13 Qershor, si skuth i stërvitur, u tha demokratëve: “kush nuk më voton mua, njeh zgjedhjet e vjedhura dhe voton armikun Rama” !

Po ashtu qasja se “ato që di unë dhe Berisha s’do i merrni vesh kurrë”, janë shfaqje të një qurramani të llastuar, pasi mbështetur në parimet bazë, liderët e partive (jo të kompanive private) kanë detyrim të informojnë stukturat për “gjithçka që dinë”, ashtu siç edhe mbajnë përgjegjësi për ato që bëjnë dhe nuk bëjnë në interes të organizatës që drejtojnë!

Për sa që angazhohen me përgjegjësi publike, kjo qëndron për Bashën edhe për Berishën, për t’u thënë demokratëve dhe shqiptarëve: “çfarë nuk do të marrin vesh kurrë?!”

Shqipëria nuk ka armë bërthamore dhe kujtohuni që mbasi bëri publike edhe Email-et e ambasadorit Donald Lu, “Basha është shpallur i pabesuar nga USA për sekrete”.

Po ashtu e gjykoj si provokim të rëndë, ndryshimin tinzar të statusit si dhe shashkën cinike “nuk i mbledh forumet për vendimarrjet e SHBA-së”, sikur partinë ta ketë trashëgimi.

Nëse vërtet ka dalldisur deri këtu, anëtarësia e PD-së duhet të kërkojë komision mjekësor se qenka shumë rëndë.

Së katërti, edhe“reagimi i vonuar” i Berishës, mesa duket i frymëzon militantët, por nuk besoj të bindë  demokratët dhe shqiptarët me arsye të shëndoshë.

Për shembull, që Basha ka qënë i emëruari dhe kanakari tij dora vetë, kjo është “vërtet e çimentuar” në hapësirën mbarëshqiptare dhe atë ndërkombëtare ! Ashtu siç edhe është “e vërtetë e rrënjosur”tashmë që Lulzim Bashën nuk e ka zgjedhur askush as në 2005-ën, as në 2011-ën, as në 2013-ën, as në 2017-ën, as në 2021-in, por është emëruar me bekimin, mbështetjen dhe heshtjen dëshpëruese të Sali Berishës.

Nga ana tjetër, jo çdo e keqe vjen për të bërë dëm. Kështu, përtej  personalizimit bajat me Berishën apo me Bashën, uroj që ky realitet i krijuar nga kjo rrethanë, të ndezë dritat e shpresës për të zgjuar arsyet fisnike mbi domosdoshmërinë kritike për ta transformuar, ridimensionuar si dhe rikthyer vlerat e të djathtës moderne në PD.

Së pesti, statusin“non grata” nga DASH, si çështje familjare, Berisha e ka adresuar në gjykatë, dhe deri sa ajo të shprehet, “prezumohet pafajësia”! Ky mbetet një parim i përbotshëm në demokraci. Nëse njerëzit do të ndëshkoheshin me proçedura teknike dhe mbi fakte të paprovuara nga gjykata, do të ishte shuar gjysma e njerëzimit !

Si dëshmitar teknik, ripërsëris vendosmërinë e mirënjohur dhe rolin thelbësor të ish-Kryeministrit Berisha në procesin drejt/pas anëtarësimit në NATO. Kështu, risjell në kujtesë se në 2012-ën, Shqipëria vlerësohet zyrtarisht“një ndër 5 vendet model për përmbushjen për kontributet në NATO”!

Duke parë nga ky këndvështrim, pa bërë as prokurorin, as avokatin, as gjykatësin, “vendimin ndaj Berishës nuk e gjej relevant me kohën, as të mirëbalancuar, as racional dhe as proporcional me nevojën që ka Shqipëria për të rritur besimin te modelet e shtetit të së drejtës (SHBA/BE) si dhe për përmirësuar mekanizmat e demokracisë funksionale”!

Shpresoj që Bashistët të mos më shpallin në “grupin armiqësor anti-USA” = janë bërë për t’u mëshiruar.

Thënë këtë, lëvizja “Foltore” do të dështonte pa lindur ende, nëse do ta bashkonte çështjen e familjes Berisha, domosdoshmërinë jetike dhe   përgjegjshmërinë e “babait”, për të ndërmarrë një operacion shpëtimi për PD-në.

Duam apo nuk duam, është fakt se të gjitha opsionet e tjera anti- Bashë kanë dështuar me sukses të plotë në këto 8 vite. Pra e besojmë apo jo, Berisha ka kapacitetin për ta shkundur nga themelet kështjellën e pushtuar nga një sekt humbësish.

Së fundmi, thënë sa më lart,  refuzoj me përbuzje të përfshihem më tej në debatin banal : “Dr. Berisha apo Lulzim Basha” edhe pse kurrë, për asnjë arsye, për asnjë referencë dhe rrethanë, nuk ka fare vend për krahasime !

Për më tepër, e përsëris se jo personalizimi dhe ndarja në llogore, por ngritja, e një Bordi Tranzitor Mirëbesimi mbetet domosdoshmëri për të nisur një proces të shëndetshëm transformimi, me qëllim rikthimin e PD-së në shinat e së djathtës moderne si dhe të besimit te demokracia funksionale si SHBA dhe gjithë Europa.

Ndaj, duke ju falënderuar për mijëra mesazhet inkurajuese, dua ta përsëris fort se jam i përkushtuar për të kontribuar me përgjegjshmëri shtesë në mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare si dhe ne forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, NATO-n, etj.

*Gjeneral Piro Ahmetaj: 

Ekspert i për Sigurinë Kombëtare dhe NATO-n 

Zv/President i Këshillit të Atlantikut 

Ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në PD 

Këshilltar Ushtarak i Presidentit 

Zv/SHSHPFA dhe Përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në SHAPE/NATO

blank

Koha për Marrëveshjen e Madhe, jo pazarin e radhës – Nga KASTRIOT ISLAMI

Rama është personazhi i vetëm politik që gjatë 20 vjetëve të fundit ka treguar me shëmbuj konkretë se i urren marrëveshjet, ai jo vetëm nuk është i gatshëm të merret vesh me opozitën/kundërshtarët, por edhe kur për shkak të ndërhyrjes së ndërkombëtarëve arrihet ndonjë marrëveshje, ai fillon të mendojë si ta prishë atë dhe nuk qetësohet pa e prishur atë…Për ta arritur këtë qëllim ka përdorur paratë e pista të korrupsionit për të blerë disa deputetë, lobuar në disa zyra apo komprometuar zyrtarë të lartë që mbulojnë zhvillimet në Shqipëri.

Rama ka qënë konkretisht i prirur të përdorë paratë e korrupsionit për të “blerë” disa deputetë të opozitës për ta arritur “maxhorancën” e nevojshme (3/5 ose 2/3 e deputetëve të kuvendit) për të arritur sipas interesave të tij personale marrëveshjet e kërkuara, përkatësisht për ndryshimin e kodeve apo ndryshimet kushtetuese…

Rama gjithashtu ka prishur “traditën” e vendosur në Shqipëri në vitet 1991-2013 për marrëveshje mes maxhorancës e opozitës edhe në ato raste kur maxhoranca zotëronte në kuvend “numrat e nevojshëm” për miratimin e kodeve apo të Kushtetutës… thënë ndryshe të gjitha reformat e lidhura mes ndryshimin/amendimin/hartimin e kodeve janë bërë gjithnjë me pjesëmarrjen e maxhorancës e të opozitës përmes “komisioneve konsensuale” pra pa keqpërdorur sasinë e votave të zotëruara në parlament nga një ose disa forca politike të maxhorancës.

Me ardhjen në krye të qeverisë në vitin 2013, Rama, për të kryer të gjitha reformat e nevojshme, më konkretisht reformën territoriale, reformat elektorale, reformën e drejtësisë e të tjera si dhe ndryshimet kushtetuese është angazhuar personalisht për “blerjen e një numri të nevojshëm deputetësh”, duke shmangur kështu marrëveshjet maxhorancë-opozitë për reformat më të rëndësishme… Kjo gjë është mundësuar edhe nga qëndrimi minimalisht indiferent i ndërkombëtarëve (diametralisht i ndryshëm nga qëndrimi i tyre në periudhën 1991-2013) dhe dobësitë eventuale të segmenteve të ndryshme të opozitës… Por pavarësisht këtyre “arsyeve” të fundit, përgjegjësia kryesore bie mbi Ramën që i vendosur për të siguruar pushtet absolut dhe zaptuar të gjithë insititucionet ka përdorur pushtetin, paratë e pista të korrupsionit dhe fondet e pasuritë publike për të arritur qëllimet e tij makiavelike…

Pa u futur në analizën e zgjedhjeve të vitit 2013 që tashmë dihet dhe të qëndrimeve diametralisht të kundërta të faktorëve të ndryshëm në kuvend, është e qartë se Rama s’i zotëron as 3/5 e deputetëve për të ndryshuar kodet e rëndësishme që lidhen me reformën territoriale, zgjedhore e të drejtësisë dhe as të 2/3 për të ndryshuar Kushtetutën. Për cështjen e Kushtetutës, në realitet do të duhej një studim i thelluar politiko-juridik për të vlerësuar e vendosur lidhur ndryshimin e Kushtetutës apo hartimin e një Kushtetute tërësisht të re dhe aq më pak me amendimin/ arnimin e saj të pjesshëm. Natyrisht të gjitha këto do të kryheshin pasi a) të analizoheshin arsyet e të gjitha krizave dhe dobësive të deritanishme (ky do të ishte një proces tërësisht teknin në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias, me angazhimin e ekspertëve më të mirë vëndas; një proces gjithëpërfshirës e transparent, dhe në konsultë me publikun e median) dhe b) më tej do të kryhej konceptimi i dokumentave/paketave ligjore të këtyre ndryshimeve/reformave dhe c) në fund do të mund të bëhej me konsnesus të gjëra miratimi i tyre në Kuvend.

Nëse realisht do të kishte vullnet politik nga të gjthë palët për të vendosur vëndin në shinat e normalitetit, kjo do të thoshte që të gjithë faktorët e rëndësishëm në kuvend të konceptonin dhe pranonin një Marrëveshje “ligjore” për a) reformën territoriale, b) reformën zgjedhore, c) reformën e drejtësisë (në konsultë me Komisionin e Venecias të ndryshonin vetëm dispozitat e miratuara më parë në mënyrë të njëanshme nga Rama së bashku me disa deputetë të “blerë”) dhe d) konceptimin e hartimin eventual të një Kushtetute të re.

Natyrisht kjo Marrëveshje “ligjore” do të duhej të plotësohej me disa “”mirëkuptime” për “komponentet politike” të Marrëveshjes së Madhe, më konkretisht (kjo listë është e hapur) me a) vendosjen e një date për zgjedhjet e parakohshme vendore, b) pak më vonë edhe të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme, por edhe c) me emërimin gjithpërfshirës e transparent të drejtuesve të disa disa institucioneve kushtetuese dhe të rëndësishme që janë në prag ose ju ka kaluar afati i rinovimit. Natyrisht kësaj marrëveshje do të duhej të shqërohej me një platformë e plan masash si dhe një kalendar veprimesh për tranzicionin drejt normalitetit për të implementuar në përmbajtje e në kohën më të përshtatshme reformat miratuara dhe Kushtetutën e re.

blank

Për idiotët shqiptarë, që e quajnë sportin vetëm sport – Nga SHABAN MURATI

Rrjeti botëror televiziv “Al Jazzera” noftonte në 21 shtator nga Sarajeva se ylli serb i tenisit ndërkombëtar Novak Gjokoviç ka postuar një fotografi, ku gjatë vizitës këto ditë në Bosnje-Hercegovinë ka dalë sëbashku sëbashku me kreun e një nga bandat më të egra kriminale serbe të luftës në Bosnje, Milan Joloviç, i cili ka marrë pjesë në gjenocidin serb në Srebrenicë. Për krimet e tij gjatë luftës në Bosnjë, Joloviç është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2017 nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi.

Në 2020 tenisti Gjokoviç pranoi dekoratën “Urdhëri i “Serpska republikës” nga udhëheqësi separatist serb dhe mohuesi i gjenocidit të Srebrenicës, Milorad Dodik, dekoratë që i është dhënë kriminelëve ndërkombëtarë të luftës si Sllodoban Millosheviç, Ratko Mlladiç, Radovan Karaxhiç, etj. Për tenistin Gjokoviç qarkullon edhe një foto, ku ai në një dasëm po këndon duet sëbashku me kreun separatist serb Dodik. Nacionalizmi dhe shovinizmi serb bashkon ikonat e tij, nga politika, ushtria e policia e deri te muzika e sporti, që bëhen bashkë për flamurin e zi të hegjemonizmit serb në Ballkan.

Nuk e di se si mund ta komentojnë këtë çiftëzim shovinist të sportit serb me gjenocidin serb kozmopolitët ruralë në Tiranë, të cilët kanë bërë zbulimin e madh internacionalist se sporti është vetëm sport dhe muzika vetëm muzikë. Mos u habisni kur ndonjë kozmopolit qeveritar ta ftojë Gjokoviçin për vizitë në Shqipëri, dhe madje t’i japë edhe ndonjë dekoratë si në kohën e lumtur të miqësisë shqiptaro-jugosllave.

blank

Një sqarim për Autoritetin e shkatërrimit të dosjeve të të burgosurve politikë – Nga Bedri BLLOSHMI

Lexova në një portal se, drejtoresha e shkatërrimit të dosjeve të të burgosurve politikë, Genta Sula qënka vlerësuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra me “Mirënjohja e Artë”. Po ju sqaroj se kush punon në atë institucion që drejton Genta Sula. Të gjithë ju që i çoni falenderime nga Amerika e largët duhet të dini se aty punon oficeri i Sigurimit, Xhavit Shala me gruan e tij. Duhet të dini se Xhavit Shala ka qënë operativ i Sigurimit në rrethin e Elbasanit dhe ka futur me dhjetëra njerëz në burg. Në këtë institucion Genta Sula ka mbledhur dhe punësuar edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit, edhe këta familjarisht. Ka mbledhur edhe bijtë e komunistëve që baballarët e tyre kanë kryer këto krime.

Kur them se ky është një instirucion i shkatërrimit të dosjeve, po ju përmend rastin e dosjes së poetit të pushkatuar, Genc Leka. Genta Sula i ka dhënë një disk me disa materiale djalit të Gencit, Petrikës, por kur unë e pashë atë disk vura re se aty mungonin materialet kryesore. Mungonte Aktekspertiza e Diana Çulit, mungonte protokolli i sekretarit të Parë të Librazhdit që ka marrë vendimin për pushkatimin e dy poetëve, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Mungonte porosia e Hysni Kapos, Sako Ramës, Miti Mitos dhe plot porosira nga Komiteti Qëndror të cilët jepnin porosi se çfarë po bëhet me gjyqin e Librazhdit. Mungonin edhe poezitë e Genc Lekës, apo letrat e korrespodencës me Lushnjen.

Pra dua të them se ato materiale që ajo i kishte dhënë Petrika Lekës nuk janë materiale të klasifikuara, por gjëra të rëndomta.

Ndërsa përsa i përket dosjes së Vilsonit dhe dosjes time, Genta nuk na i dha. Unë kam hyrë në Arkivë që në vitin ’94 dhe kam zbuluar dosjet formulare të Gencit dhe Vilsonit, të cilat i kam botuar para 20 vjetësh dhe Genta i ka në tavolinë këto libra. Tani do t’i botoj në veçanti.

Pra kjo do të thotë se Genta Sula mbron bijtë e komunistëve, mbron Sigurimin e Shtetit dhe fsheh të vërtetat si dhe çdo ngjarjeje kriminale dhe monstruoze të atij regjimi të urryer.
Përsa më sipër unë po ju sjell fakte edhe me foto ku shihet se si hanë dhe pinë në dreka dhe darka të shtuara nga Genta Sula me fondet e dhëna pë gjetjen e të pushkatuarve, me oficerët e Sigurimit, spiunët dhe bijtë e komunistëve që Genta i ka grumbulluar aty.

Po ju them edhe një fakt tjetër; aty është edhe një fondacion i quajtur “Harabeli” që bashkëpunon me Genta Sulën dhe harxhojnë paratë që janë dhënë për të gjetur njerëzit e pushkatuar. U bënë 8 vjet dhe nuk është gjetur asnjë i pushkatuar.

Dy fjalë edhe për të ashtuquajturën “Ekspozitë” që u shfaq mbrapa Kryeministrisë. Binte në sy mungesa e fotografive të Gencit dhe Vilsonit si dhe mungesa e dokumenteve të Sigurimit të Shtetit. Më e tmerrshmja që më bëri përshtypje pasi e pashë të gjithë “Ekspozitën” ishte se, mungonte fotografia e poetit Havzi Nela të varur në litar më 10 gusht 1998 në Kukës. A thua është e paqëllimshme kjo?!

Unë nuk e di nëse “Vatra” pasi të njihet me këto fakte tronditëse do të falenderojë apo jo përsëri Geanta Sulën.

blank

Foto 1: E para djathtas, Genta Sula me ekipin e saj në një drekë në Pezë.

blank
Foto 2: Në të majtë oficeri i Sigurimit Xhavit Shala me bashkëshorten.

blank

blank

Diplomati grek: Rruga e Dendias në fund ndoshta do të çojë në njohje të Kosovës

Diplomati grek, Alexandros Mallias, në një opinion të publikuar në gazetën prestigjioze greke “Kathimerini” ka folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu edhe raportet në mes të Greqisë dhe Republikës së Kosovës.

Mallias i cili ka shërbyer edhe si ambasador i Greqisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se intensifikimi i raporteve në mes të Prishtinës dhe Athinës dhe rruga që po ndjek kryeidplomati grek, Nikos Dendias, mbase në fund do të finalizohen me njohje.

“ Ministri i Punëve të Jashtme, z. Dendias, filloi një dialog të nivelit të lartë midis Greqisë dhe Republikës së Kosovës. Në fund të rrugës ndoshta do të ketë njohje”, ka shkruar Mallias, transmeton Gazeta Express.

Ai në këtë opinion të tij thotë se një zhvillim i tillë do ta afronte Greqinë me faktorin shqiptar dhe që sigurisht do të lëkundte primatin e Turqisë.

Kohëve të fundit është diskutuar shumë për punën e njohjes së Kosovës nga Greqia. Një gjë e tillë ka nxitur edhe reagime të ashpëra nga Beogradi, të cilët janë lutur shtetit grek që të mos e ndërmarr një hap të tillë./GazetaExpress/

blank

Disa shqiptarë duan ta bëjnë revolucionin antiburokratik 32 vjet pas atij të Millosheviçit – Nga SHABAN MURATI

Vonesat shqiptare

Shqiptarët i bëjnë gjërat me vonesë historike ose antihistorike.

Vonesë historike: Regjimin komunist shqiptarët e larguan tre vjet pasi rumunët vranë Çausheskun.

Vonesë antihistorike: Revolucionin antiburokratik një grup shqiptarësh po përpiqen ta bëjnë në vitin 2021 ose 32 vjet pas revolucionit antiburokratik serb të Sllobodan Millosheviçit.

blank

Heshtja e Opozitës ndaj masës të reciprocitetit…! – Nga Skënder MULLIQI

Se opozita nuk është konstruktive , u pa më rastin e vënies së masës të reciprocitetit për targa ndaj Serbisë. Kjo opozitë sikur nuk interesohet ku vjen në pyetje mbrojtja e shtetësisë së Kosovës!Asnjë fjalë për reciprocitetin, sikur bëhët fjalë për një shtet krejtë tjetër! Heshjta karshi taksës është argati për Vuqiqin dhe Serbinë , unë nuk e kuptojë këtë ndryshe. Serbia është shtet i pa reformuar , të cilin po e drejtojnë ultranacionalistët e Sheshelit dhe të Millosheviqit.Serbia nuk ka hequr dorë nga ndarja e Kosovës përmës ”Zajednicës”, siq e përseriti Vuqiqi nga Budapesti ,ku ishte për vizitë .Këto dhe shumë e shumë gjera të tjera i dinë mirë blloku opozitarë. Opozita nuk është aty që më çdo kusht më rrëzuar pushtetin, por është më e kontrolluar punën e pushtetit. Kjo Opozitë dihet së e ka pru vendin për 20 vite sa ishte në pushtet, në gjendje të mjerë ekonomike dhe sociale, si dhe në gjendje jo të mirë politike , më plotë kriza institucionale .Opozita në vend që të reformohet , ajo po vazhdon më avazin e vjetër .Po iu shmangën temave të cilat janë më rëndësi jetike për vendin.Kurrë nuk dhanë sqarime para opinionit të gjerë public ,pse kemi gjithë këtë varfëri, pa punësi, dhe gjithë këto largime masovike nga Kosova! Nuk dhanë sqarim dhe as nuk dhanë llogari para popullit për izolimin dhe hajnitë e mëdha që ia kan bërë Kosovës! Pak kush dha llogarinë në këtë vend , për krim të organizuar dhe për korrupcion !

Thjeshtë e gjithë kjo është për çdo kritikë.

Nuk dhanë përgjegjësi për asgjë edhepse ishin në radhët e para.E privelegjuan vetën në shoqëri, duke i përligjur shumicën.E gjithë profitin e ndalën për vete, familjarë dhe militantë partiakë.Këto grupe përfituese dhe zhvatëse ,ishte dashur të dënohën më votën e lirë në zgjedhjet locale , siq u dënuan më votën e lirë në zgjedhjët nacionale. Ka ardhur koha që seriozisht Qeveria e re e cila po punon mirë , të merrët edhe më temën e zbulimit të prejardhjës së pasurisë të fituar më grabitje , më manipulime dhe rrena .Të tillët që qytetarëve dhe Kosovës i bën dëme nuk ka mundësi më, të simpatizohen më dhe as të votohen nga populli. E kjo Opozitë sikur nuk po dëshirojnë më kuptuar së duhët të sillën më përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ndaj vendit . Nese rishtazi po përgatitën më e kthyer regjimin e diktataturës , janë të vonë …!


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend