VOAL

VOAL

Rama sulmon SPAK-un: Po hetoni Ardian Dvoranin, kampionin e anti-korrupsionit nga DASH

May 7, 2022

Komentet

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve rezolutë drejtuar KLGJ-së: Togat e zeza nën presion të vazhdueshëm. Mbingarkesa në Gjykata e paprecedentë, shqetësues cenimi i sigurisë!

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i është drejtuar me një rezolutë Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke ngritur shqetësime serioze dhe urgjente mbi funksionimin e gjykatave, veçanërisht atyre të Tiranës dhe Apelit.

Në dokument theksohet se mbingarkesa e jashtëzakonshme e çështjeve, mungesa e gjyqtarëve, problemet e sigurisë dhe standardet jorealiste të vlerësimit po cenojnë drejtpërdrejt pavarësinë e gjyqësorit, mirëqenien e gjyqtarëve dhe të drejtën e qytetarëve për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

REZOLUTA

Drejtuar: Këshillit të Lartë Gjyqësor

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, në ushtrim të rolit të saj përfaqësues dhe në përmbushje të misionit për mbrojtjen e pavarësisë, dinjitetit dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor, në mbledhjen e saj të fundit të dates 10.12.2025, vendosi t’i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për të paraqitur shqetësime serioze dhe urgjente lidhur me funksionimin e disa gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, veçanërisht Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Në këtë moment, këto gjykata janë ato që përballojnë ngarkesën më të madhe të çështjeve të juridiksionit përkatës në shkallë vendi. Gjithashtu, i njëjti shqetësim vlen edhe për gjykatat administrative.

Që prej fillimit të zbatimit të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting), nga viti 2018 e në vijim, këto gjykata, dhe jo vetëm, janë përballur me një situatë mbingarkese të paprecedentë, të zgjatur në kohë, të shoqëruar me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore, si në nivelin e gjyqtarëve ashtu edhe të administratës gjyqësore.

Kjo situatë ka tejkaluar kufijtë e një vështirësie të përkohshme, duke cenuar drejtpërdrejt respektimin e parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, efikasitetin dhe eficiencën e administrimit të drejtësisë, si dhe perceptimin dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor. Kjo situatë është shoqëruar madje dhe me raste ekstreme të cenimit të jetës së gjyqtarëve, deri në rastin tragjik të kolegut tonë gjyqtar z. Astrit Kalaja.

Njëkohësisht, mbingarkesa strukturore dhe afatgjatë (puna me orare përtej atij zyrtar, angazhimi me punë gjatë fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare e pushimeve vjetore), ka cenuar rëndë mirëqenien fizike, psikologjike dhe sociale të gjyqtarëve dhe të stafit administrativ, duke krijuar kushte pune që bien ndesh me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për ushtrimin e pavarur dhe dinjitoz të funksionit gjyqësor. Mirëqenia e gjyqtarëve njihet tashmë edhe në dokumentet e Kombeve të Bashkuara si element thelbësor për garantimin dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe cilësisë së drejtësisë (Deklarata Nauru mbi Mirëqenien e Gjyqësorit datë 25.05.2024). Fluksi i jashtëzakonshëm i çështjeve, rishortimet e vazhdueshme dhe mungesa e infrastrukturës kanë vendosur gjyqtarët përballë një presioni të vazhdueshëm profesional dhe njerëzor, duke i cenuar në ushtrimin e pavarur dhe cilësor të funksionit gjyqësor.

Në këtë kontekst, Shoqata parashtron problematikat konkrete të mëposhtme dhe paraqet kërkesat përkatëse ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor, si organ kushtetues i qeverisjes së sistemit gjyqësor.

I. Problematikat e konstatuara
1. Siguria institucionale në gjykata
1.1. Kontrolli i personave që hyjnë në ambientet e gjykatave kryhet nga persona të patrajnuar dhe pa standarde të unifikuara sigurie, me trajtim finanaciar të ulët. Për pasojë punonjësit e sigurisë caktohen punonjës të sektorit të shërbimeve mbështetëse të cilet rekrutohen me pagën e përafërt me pagën minimale në shkallë vendi, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të kryer këtë shërbim në mënyrë efikase.

1.2. Mungon ndarja funksionale e ambienteve të brendshme ndërmjet:
• gjyqtarëve;
• stafit administrativ;
• palëve në proces dhe publikut.

1.3. Në shumicën e ambienteve gjyqësore mungojnë pajisjet teknike të kontrollit të sigurisë (detektorë metalikë, mjete skanimi etj.).

1.4. Nuk ka personel të dedikuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore në sallat e gjykimeve.

2. Ngarkesa e punës dhe menaxhimi i çështjeve

2.1. Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përballen aktualisht me një ngarkesë mesatare që tejkalon 1100 çështje për gjyqtar (ngarkesë kjo tashmë sistematike prej më shumë 7 vjetësh). Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm po ashtu përballet me një ngarkesë të lartë të çështjeve të prapambetura, duke e bërë të pamundur realizimin e standardit kushtetues të gjykimit brenda afateve të arsyeshme. Radha e shqyrtimit të ankimeve të zakonshme në këtë gjykatë është ende në vitet 2017–2018, ndërkohë që rreth 50.000 dosje presin shqyrtimin.

Kjo ngarkesë vjen si pasojë e:
a) organikës së paplotësuar të gjyqtarëve, e cila deri në fund të vitin 2022 për gjykatën e shkallës së pare ka qenë rreth 52% sipas raportit të ILD-së datë 29.09.2023 dhe vijon të jetë e tillë, ndërsa për gjykatën e apelit ka një numër shumë të vogël gjyqtarësh vetëm 32 nga 78 që duhet të kishte. Kohët e fundit KLGJ-ja, me delegimin dhe ngritjen në detyrë të disa gjyqtarëve nga gjykata e shkallës së parë, ka rritur numrin e gjyqtarëve në këtë gjykatë, por efektiviteti i kësaj vendim-marrje mbetet për t’u vlerësuar në kushtet e mungesës së infrastrukturës me salla gjykimi, zyra gjyqtarësh dhe staf administrative mbështetës.

b) mungesës së stafit administrativ shoqëruar me mangësi në trajnimin e tyre profesional, veçanërisht të sekretarëve dhe ndihmësve ligjorë, duke sjellë:

• vonesa procedurale;

• angazhim të gjyqtarëve në detyra administrative, në kundërshtim me natyrën e funksionit të tyre.

2.2. Transferimet e gjyqtarëve të kryera nga KLGJ-ja gjatë viteve të fundit nuk kanë prodhuar rritje reale të kapaciteteve gjyqësore, për shkak se janë shoqëruar me ngritje në detyrë dhe lëvizje paralele të gjyqtarëve në gjykata të tjera.

2.3. Rishortimi i çështjeve të mbetura nga gjyqtarët e larguar ose të transferuar ka krijuar:

• rritje të menjëhershme të ngarkesës për gjyqtarët aktualë dhe cenimin e mirëqenies së tyre fizike, psikologjike, emocionale, duke i vënë përballë një situate të vazhdueshme për gjykimin e çështjeve tej kapaciteteve të mundshme njerëzore dhe përballjen me presionin e palëve, për shkak të pamundësisë së respektimit të afateve ligjore të gjykimit të çështjeve dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Gjyqtarët përballen me menaxhimin e një situate të jashtëzakonshme, që nuk ka ardhur për faj të tyre;

• vonesa të mëtejshme në shqyrtimin e çështjeve;

• pakënaqësi dhe mungesë besimi nga ana e palëve në proces.

2.4. Transferimet, përfshirë edhe ato të përkohshme, nga një seksion në një seksion tjetër brenda së njëjtës gjykatë, kanë sjellë rishortim çështjesh sipas vendimit nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së dhe ndërprerje të vazhdimësisë së gjykimit e për pasojë ngarkesë joproporcionale mes gjyqtarëve.

2.5 Nuk ka mjaftueshëm salla për të zhvilluar gjykimet në gjykata. Kjo ka sjellë si pasojë cenimin e cilësisë dhe transparencës së procesve gjyqësore në raport me palët. Godina e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është krejtësisht e papërshtatshme, duke qenë se mungojnë hapësirat e nevojshme për salla gjyqi (ka vetëm 8 salla dhe me kalimin e gjyqtarëve të rinj në këtë gjykatë bëhet tejet e vështirë, në mos e pamundur, që gjyqtarët të zhvillojnë seanca gjyqësore), ka mungesë hapësire për arkiva, akomodim të gjyqtarëve dhe stafit ndihmës, mungesë të ambienteve të përshtatshme për avokatët, palët ndërgjyqëse, prokurorët, të paraburgosurit si dhe për qytetarët.

3. Vlerësimi dhe pëgjegjësia e gjyqtarëve

3.1. Vendimi nr. 433, datë 22.07.2025, i Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për përcaktimin e afateve standarde minimale kohore dhe standardeve minimale sasiore”, parashikon kritere të cilat, në kushtet aktuale të mbingarkesës strukturore, rezultojnë objektivisht të parealizueshme për një pjesë të konsiderueshme të gjykatave, veçanërisht për ato të Tiranës. Ky vendim parashikon mundësinë e gjykatave për të vendosur afate tej atyre të parashikuara në të , sipas specifikave të tyre, duke i deleguar kompetencën për të sanksionuar këto rregulla Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, të secilës gjykatë. Megjithatë, vlerësojmë se ky mekanizëm krijon mundësinë që gjykata të ndryshme të vendosin rregulla të ndryshme mbi afatet e gjykimit dhe standartet minimale sasiore, për rrjedhojë shkallë të ndryshme vlerësimi. Kjo krijon premisën për pabarazi në trajtimin e gjyqtarëve në shkallë vendi .

Kjo sjell për pasojë:
• trysni dhe presion ndaj gjyqtarëve;
• subjektivizëm në procesin e vlerësimit;
• rrezik për ushtrimin e pushtetit diskrecional nga organet vlerësuese dhe kontrolluese;
• dekurajim të ushtrimit normal të funksionit gjyqësor, për shkak të kritereve jo të qarta; jotranspartente dhe jo të unifikuara të vlerësimit të gjyqtarëve.

Vendimi nr. 433/2025, shton klimën e trysnisë dhe presionit ndaj gjyqtarëve për të arritur afate jorealiste për kohën, dhe për pasojë cenon cilësinë e gjykimeve dhe në tërësi performancën e gjykatës. Deri tani gjyqtarët kanë treguar përgjegjshmëri dhe angazhimin maksimal në evadimin e një numri të konsiderueshëm dosjesh, i cili tejkalonte ndjeshëm standardet sasiore të ngarkesës, të cilat ishin në fuqi sipas Vendimit nr. 261/2, datë 14.04.2010, të KLD-së. Në këtë situatë të një krize komplekse, për shkak të ngarkesës dhe backlog-ut të mbivendosur prej disa vitesh, KLGJ-ja duhet të gjejë mekanizma për të rritur kapacitetet në gjykata, në vend të implementimit të një akti nënligjor shumë të kontestuar paraprakisht nga trupa gjyqësore. Ky akt nënligjor nuk kontribuon në mbështetjen e gjyqtarëve dhe as në një menaxhim më të mirë të kohës gjyqësore, por në rritjen e presionit ndaj tyre, si dhe në cenim të pavarësisë së brendshme të gjyqtarëve. Një rregullim i tillë nënligjor duhet të përputhet me kuadrin ligjor, realitetin objektiv të gjykatave, si dhe me praktikat me të mira ndërkombëtare për të përcaktuar, në funksion të sistemit të vlerësimit dhe mbikëqyrjes së gjyqtarëve, afate kohore dhe standarde sasiore që janë të arsyeshme, por dhe të mundshme, sidomos në situatën aktuale, për t’u realizuar. Për këto arsye, ky vendim duhet të rishikohet dhe të merren në konsideratë opinionet e trupës gjyqësore, të bëra prezent pranë KLGJ-së me komunikimet e mëparshme elektronike.

3.2. Standardi 4-mujor për arsyetimin e vendimeve gjyqësore, i vendosur mbi bazën e raportit të ILD-së, të datës 29.09.2023, dhe i miratuar nga KLGJ-ja, nuk është proporcional dhe as realist në kushtet e një ngarkese pune të jashtëzakonshme, që ka filluar prej më shumë se shtatë vitesh dhe që vijon të jetë e tillë. Madje, kjo është konstatuar edhe nga KLGJ-ja në rastet e kërkesave të ILD-së për masa disiplinore. Presioni i vazhdueshëm për respektimin e këtyre afateve cenon pavarësinë funksionale të gjyqtarit dhe të sistemit gjyqësor, që duhet të garantohet jo vetëm ndaj pushteteve të tjera, por edhe brenda vetë sistemit.

II. Kërkesa dhe propozime
1. Në lidhje me sigurinë institucionale
1.1. Rritja e numrit të punonjësve të trajnuar për garantimin e sigurisë në gjykata dhe përmirësimi i statusit të tyre financiar.
1.2. Vendosja e detektorëve dhe pajisjeve të tjera të kontrollit në hyrjet e gjykatave.
1.3. Krijimi i ambienteve të ndara dhe të sigurta për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore, në funksion të garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë.
1.4. Sigurimi i personelit të dedikuar për ruajtjen e rendit në sallat e gjykimit.
1.5. Krijimi i ambienteve të reja per salla gjykimi.

2. Në lidhje me ngarkesën dhe menaxhimin e çështjeve
2.1. Plotësimi në mënyrë emergjente i vendeve vakante të gjyqtarëve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Me qëllim plotësimin sa me shpejt të vendeve vakante, por edhe në funksion të mos cënimit të pavarësisë së brendshme të sistemit gjyqësor, propozojmë përshpejtimin e proceseve të vlerësimit të gjyqtarëve dhe mundësisht kryerjen e këtyre vlerësimeve përpara se gjyqtarët të hyjnë në proceset e ngritjes në detyrë apo të lëvizjeve paralele.
2.2. Në gjykatat e shkallës së pare propozohet mosshortimi i çështjeve të dorëzuar nga gjyqtarët për shkak të promovimit dhe lëvizjes paralele tek gjyqtarët aktualë të mbingarkuar, deri në emërimin efektiv të gjyqtarëve të rinj. Kjo kërkon eventualisht një ndërhyrje në vendimin nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së.
2.3. Përmirësimi i mekanizmave nënligjorë, vendimit nr. 724, datë 07.12.2023, të KLGJ-së, për të shmangur rishortimin e çështjeve në rast transferimi nga një seksion në një seksion tjetër brenda të njëjtës gjykatë.

2.4. Shtimi i stafit administrativ, veçanërisht i sekretarëve gjyqësorë, trajnimi i tyre për të përmirësuar nivelin profesional, shoqëruar me përmirësimin e trajtimit financiar.
2.5 Implementimi i një sistemi të digitalizuar në gjykata, që do të rriste ndjeshëm eficiencën dhe efektivitetin në menaxhimin e çështjeve gjyqësore.

3. Në lidhje me vlerësimin dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve

3.1. Përcaktimi i një ngarkese reale, objektive dhe të përballueshme çështjesh për çdo gjyqtar, duke garantuar një ndarje të drejtë dhe të barbartë mes tyre në shkallë gjykate dhe vendi.

3.2. Në lidhje me vendimin nr. 433, datë 22.07.2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për përcaktimin e afateve standarde minimale kohore dhe standardeve minimale sasiore”, vlerësojmë të përshtatshme dhe në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe ligjore, në kuadër të propozimit për ndryshimin e këtij vendimi, të parashikohen rregullime në lidhje me standartet që normojnë veprimtarinë e gjykatave në një situatë të jashtëzakonshme dhe/ose pezullimin e zbatimit të tij, gjatë periudhës tranzitore të mbingarkesës strukturore, deri në përmirësimin e situatës përmes plotësimit të vakancave dhe arritjen e ngarkesë reale të punës së gjyqtarëve sipas pikës 3.1.

3.3. Moszbatimi i standardit 4-mujor për arsyetimin e vendimeve gjyqësore për aq kohë sa vazhdon situata e jashtëzakonshme e ngarkesës në punë.

3.4 Hartimi dhe zbatimi i një strategjie të unifikuar komunikimi institucional, me qëllim informimin transparent dhe objektiv të publikut mbi problematikat reale me të cilat përballet aktualisht sistemi gjyqësor, në funksion të ndërgjegjësimit mbi shkaqet e vonesave në gjykim dhe të forcimit të besimit të publikut në drejtësinë.

III. Përfundime
Për sa më sipër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor të ndërmarrë masa konkrete dhe të menjëhershme për adresimin e problematikave të mësipërme, në funksion të garantimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, mirëqenies së gjyqtarëve dhe ofrimit të një drejtësie cilësore, efektive dhe të besueshme për qytetarët. Shoqata shpreh gadishmërinë për të bashkëpunuar me Këshillin e Lartë Gjyqësor në adresimin e situatës dhe zgjidhjen e problemeve të mësipërme.

Berisha: Vjedhjet e Ballukut shkojnë në 1.2 mld euro- Lulet e ‘kopshtit’ i ujiste Linda, kopshtari ishte baxhanaku i Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se vjedhjet e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës arrijnë në vlera deri në 1.2 mld euro.


Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Balluku ka 300 apartamente dhe 14 supermarketë.

I ndalur tek dosja e AKSHI-t, kryedemokrati u shpreh se “ai ishte kopshti privat i Edi Ramës, lulet i ujiste Linda e Surrelit, ndërsa kopshtar ishte baxhanaku i kryeministrit”.

“Edi Rama pa dorëzuar veten e vet nuk dorëzon Lubi Ballukun. Sic keni dëgjuar nga dosja e plotë demi dhe vjedhjet shkojnë në 1.2 miliard vetëm në këto dosje, aty hajduti i parë është Edi Rama.

Krahas tyre ju keni dëgjuar se ka dalë edhe dosja e baxhanakut, e kopshtit privat të Edi Ramës apo AKSHI-t. Lulet e atij kopshti i ujiste Linda, jo Linda e AKSHI-t, por ajo e Surrelit. Kopshtari i atij kopshti ishte Frangu, baxhanaku i Edi Ramës.

Në atë kopsht shtetëror ishin marrë tre pengje dhe ndoshta gjëra të tjera të mëdha mund të dalin.

Rama e ka të qartë që mbi të rëndojnë krime të përmasave që dalin jashtë parashikimeve.

Nëse Lubisë i janë gjetur 300 apartamente, 14 supermarkete etj, ju garantoj se ato të Ramës janë 8-10 më të mëdha sesa këto të Lubisë. Pra kemi të bëjmë me këtë situatë”, tha nder te tjera Berisha. gsh

Të rinjtë kanë ikur! 70% e emigrantëve shqiptarë në Europë nën 45 vjeç

Mosha e 2,2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është mjaft e re sipas të dhënave nga Ces Hub i Bashkimit Europian.

Shumica e vendeve të BE zhvilloi censet e popullsisë më 2021, nga të cilat u evidentua popullata e emigrantëve sipas vendeve të origjinës dhe mosha e saj.

Në total 70% e shqiptarëve që jetojnë në BE janë deri në 45 vjeç. Mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive (15–49 vjeç), me grup-moshën 30–49 vjeç që dominon fort, me 40.7% të totalit.

Kjo peshë është pothuajse identike si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, duke treguar se emigracioni nuk është më një fenomen i kufizuar kryesisht te meshkujt, por ka marrë një karakter familjar dhe më të balancuar gjinor.

Sakaq, struktura e popullsisë rezidente në Shqipëri është dukshëm më e plakur. Brenda vendit, pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa grup-moshat e reja dhe ato në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur.

Përkundrazi në emigracion, grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa moshat mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshme (0.3%), çka tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht një emigracion i moshave të reja dhe të mesme, jo i pensionistëve.

Edhe grup-mosha nën 15 vjeç ka një peshë të konsiderueshme në diasporë me 19%, çka tregon praninë e familjeve emigrante dhe një proces më të qëndrueshëm vendosjeje jashtë vendit. Ndërsa në Shqipëri rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm peshën e fëmijëve në strukturën e popullsisë.

Në terma ekonomikë dhe demografikë, grafiku konfirmon se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune, duke lënë pas një popullsi gjithnjë e më të vjetër.

Ndërsa jashtë vendit shqiptarët janë kryesisht në moshat që kontribuojnë në rritje ekonomike, brenda vendit barra mbi sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe financave publike është në rritje.

Sipas të dhënave të fundit nga Cens Hub emigrimi në dekadën e fundit shënonte 56 % meshkuj në Gjermani, 53 % në Greqi dhe 51 % meshkuj në Itali. Shtetas shqiptarë që jetojnë në Evropë figurojnë të jenë të një moshe të re, edhe në raport me strukturën e popullssisë së vendeve pritëse.

Migrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re. Ai është i dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë, me largimin e një mase të madhe banorësh nga trevat shqiptare.

Akoma vazhdon të mbetet veprues dhe të japë impaktet e tij domethënëse, si në aspektet demografike, po ashtu edhe në ato sociale dhe ekonomike të vendit./ Monitor

 

 

Degradimi i shëndetësisë – Spitalet pa shërbim për sklerozën multiple, pacientët marrin ilaçe kot

 

“Unë kam marrë lloj e soj medikamentesh, jo të duhura”, shprehet Ambra Koka e cila është diagnostikuar me sklerozën multiple kur ishte vetëm 3 vjeçe.

Prindërit e dërguan në Itali për trajtim ku pati një gjendje stabël, por nisja e trajtimit në Shqipëri ka rënduar aspektin shëndetësor të Ambrës.

“Kohët e fundit marr një medikament që më jep shumë efekte anësore. Më është bllokuar këmba e majtë. Kam patur edhe temperaturë çdo dy ditë dhe është një gjendje që nuk e përballoj dot. E kam lënë ilaçin disa muaj, por mjekët më dhanë të njëjtin mjekim. Tani pres skemën e vitit 2026 për të marrë një trajtim të ri”, shprehet Ambra.

Pacientët me sklerozën multiple deri në vitin 2025 kanë patur vetëm dy medikamente për trajtim. Nga viti i ardhshëm, numri i tyre shkon në 6, por sërish Shqipëria mbetet mbrapa vendeve të rajonit për trajtimin e këtyre pacientëve.

“Kërkojmë transparencë. Çfarë ilaçesh po marrim, pse po i pimë, çfarë përmirësimi apo përkeqësimi do të kemi. Maqedonia ka 10 ilaçe, Mali i Zi më shumë, Serbia akoma edhe më shumë. Madje, edhe Kosova ka mbulim më të mire”,- shton Ambra.

Pacientët me sklerozën multiple kanë nevojë për shërbim fizioterapeutik, shërbim psikologjik si dhe integrim në tregun e punës, nevoja këto që ende janë të munguara./A2 CNN

“Shteti lajmëroi kriminelët!”- Zhdukja e verës miliona euro nga kantina e Ergys Agasit, Shehaj: Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku!

Kryetari i Partisë “Mundësia” dhe deputeti Agron Shehaj, ka denoncuar publikisht një rast, që sipas tij, dëshmon bashkëpunimin e hapur mes krimit të organizuar dhe institucioneve shtetërore, lidhur me zhdukjen e verës miliona euro nga kantina e Ergys Agasit.


Sipas Shehajt, disa ditë më parë prokuroria ka ushtruar kontroll në vilën e Ergys Agasit, ku në kantinë është konstatuar një koleksion verash me vlerë të paktën 3 milionë euro. Prokuroria ka komunikuar menjëherë me doganat, duke kërkuar sekuestrimin e mallit.

Por, sipas tij, doganat i kthejnë përgjigje prokurorisë dhe i thonë: “Sot është shumë vonë, tani është shumë vonë, është natë. Do të shkojmë nesër në mëngjes.”

Ai theksoi se gjatë natës, sipas informacioneve, janë njoftuar të afërmit e Ergys Agasit, të cilët kanë shkuar në kantinë, kanë marrë verërat, kanë prishur provat dhe kamerat e sigurisë dhe janë larguar. Të nesërmen, doganat janë paraqitur në vendngjarje dhe kanë deklaruar se nuk ka më mall për t’u sekuestruar.

“Kjo është arsyeja pse SPAK-u kërkon arrestimin e të akuzuarve. Por nëse ky është një tregues i qartë i bashkëpunimit midis krimit të organizuar dhe shtetit”, deklaroi Shehaj, ndërsa shton se “imagjinoni sesi prishen provat nga drejtorat e KESH-it, OSHEE-së apo të AKSH-it, të cilët pavarësisht se SPAK-u i ka marrë në hetim”.

Shehaj akuzoi kryeministrin Rama se po mbron zyrtarë të lartë të dyshuar për korrupsion, përfshirë edhe zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestim.

“Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku, për të cilën po ashtu SPAK-u ka kërkuar arrestin e saj, por Edi Rama e ka marrë në mbrojtje. Kjo po ndodh në Shqipëri! I gjithë shteti është vendosur në mbrojtje të të korruptuarve dhe të kriminelave dhe kundër SPAK-ut. Rama vazhdon duke i sulmuar”, shprehet ai.

 

Agron Shehaj: Është e pabesueshme ajo që po ndodh me drejtësinë. Para disa ditësh prokuroria ka shkuar në vilën e Ergys Agasit dhe në kantinë ka gjetur një koleksion verash prej të paktën 3 mln euro,  me një vlerë prej të paktën 3 mln euro. Ka komunikuar me doganat dhe i kërkuar doganave që të shkojnë ta sekuestrojnë mallin. Por, doganat çfarë bëjnë?

I kthejnë përgjigje prokurorisë dhe i thonë: “Sot është shumë vonë, tani është shumë vonë, është natë. Do të shkojmë nesër në mëngjes.”

Ndërkohë lajmërojnë të afërmit e Ergys Agasit, të cilët shkojnë, marrin verën, prishin provat, prishin dhe kamerat e sigurisë dhe ikin. Qartësisht të nesërmen doganat shkojnë dhe thonë: “Na vjen keq, por aty nuk kishte më mall.” Kjo është ajo që po ndodh. Kjo është arsyeja pse SPAK-u kërkon arrestimin e të akuzuarve. Por nëse ky është një tregues i qartë i bashkëpunimit midis krimit të organizuar dhe shtetit, imagjinoni sesi prishen provat nga drejtorat e KESH-it, OSHEE-së apo të AKSH-it, të cilët pavarësisht se SPAK-u i ka marrë në hetim. Disa prej tyre janë në arrest shtëpie, Edi Rama nuk i lëshon.

Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku, për të cilën po ashtu SPAK-u ka kërkuar arrestin e saj, por Edi Rama e ka marrë në mbrojtje. Kjo po ndodh në Shqipëri! I gjithë shteti është vendosur në mbrojtje të të korruptuarve dhe të kriminelave dhe kundër SPAK-ut. Rama vazhdon duke i sulmuar.

Sot ka dalë dhe ka thënë: “Prokurorët dhe gjykatësit që janë vërsulur Arkës së shtetit”. Imagjinoni, kjo është çmenduri! Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Duhet të kemi zgjedhje të parakohshme sa më shpejt! Nuk mund të vazhdohet më në këtë mënyrë. Tani e ka nxjerrë kokën. Edi Rama është i korruptuar me të korruptuarit! gsh

“Rama po zvarritet se do të shpëtojë veten dhe familjen e tij”, Bardhi nga njësia 1 Tiranë: Në protestën e 22 Dhjetorit, të gjithë bashkë kundër qeverisë së korruptuar

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, u takua me banorët e njësisë nr.1 në Tiranë, ku në fokus të diskutimeve ishin arsyet pse qytetarët duhet t’i bashkohen protestës së 22 dhjetorit, para kryeministrisë.

Bardhi u shpreh se demokratët dhe qytetarët janë të gjithë bashkë kundër Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit.

“Fundi i tij po vjen ashtu siç e kishim paralajmëruar: si Kryeministri i bandave dhe më i korruptuari në historinë e shtetit shqiptar.

Duke penguar drejtësinë të bëjë punën e saj, Edi Rama po zvarritet duke menduar se do të shpëtojë veten dhe familjen e tij. E ka gabim, qytetarët do të ngrihen dhe do ti japin përgjigjen e merituar. Duke nisur nga kjo e hënë!”, shkruan Bardhi në rrjetin social facebook.

Protestojmë të gjithë bashkë, të hënën, datë 22 Dhjetor, ora 18:00, përpara Kryeministrisë.

Nga Njësia 1 Tiranë demokratët dhe qytetarët janë të gjithë bashkë kundër Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit. Fundi i tij po vjen ashtu siç e kishim paralajmëruar: si Kryeministri i bandave dhe më i korruptuari në historinë e shtetit shqiptar.

Duke penguar drejtësinë të bëjë punën e saj, Edi Rama po zvarritet duke menduar se do të shpëtojë veten dhe familjen e tij. E ka gabim, qytetarët do të ngrihen dhe do ti japin përgjigjen e merituar. Duke nisur nga kjo e hënë! bw

Dosja e Ballukut/ Berisha: Jo vetëm Bolino, shuma të mëdha ka marrë edhe Top Tuneli! BB është Ben Blushi

Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjete sociale, theksoi se Karlo Bolino nuk është i vetmi emër i përfshirë në dosjen e Lubi Ballukut.

Ai shtoi se shuma të mëdha parash janë përvetësuar gjithashtu nga Top Channel dhe figura të tjera të lidhura me “Top Tunelin”, ndërsa “BB” i referohet Ben Blushit.

Berisha denoncoi atë që e quajti një “rreth vicioz” të përfitimeve dhe shpëlarjes së mediave, duke theksuar se pasojat më të rënda bien mbi qytetarët që mbeten pa ilaçe, ndërsa dokumentet e zbuluara duhet të zgjojnë zemërimin e merituar të shqiptarëve ndaj kësaj mafie.

“E vërteta, në përgjime përfshihej Karlo Bolino, përfshihej ai BB, duhet ta them këtu, ishte Ben Blushi, ai vepra shkruan, por aty ishte.

Përfshiheshin edhe të tjerë.

Kjo do të thotë mafiozizëm i tmerrshëm i medieve.

Imagjino pak, ky mafioz që e ka filluar jetën si i tillë, vjell vrer, shpif dhe trillon kundër opozitës, ndërkohë që ka marrë tokat e lënë për gjimnaz nga pronarët me 4 vendime të Edi Ramës.

Katër vendime për tokën në mes të Tiranës, për të ndërtuar zyrat e tij.

Karlo Bolino, vetëm në një nga këto regjistrimet, ka qindra milionë me këste që Evis Berberi të shpifte për Sali Berishën, të shpifte për ju, të mashtronte shqiptarët p[ër të vërtetat, të lavdëronte Edi Ramën.

Por Karlo nuk është i vetëm.

Të themi atë që është.

Shuma më të mëdha ka marrë Top Channel.

Aty BB-ja. Tek tuneli, nuk e quajtën kot Top Tuneli, etj. Dhe sa portale mbahen me paratë që u vidhen taksapaguesve për të shpëlarë fytyrat e nxira të këtyre hajdutëve ministra. Pra një rreth vicioz.

Por edhe njëherë do kërkoj mirëkuptimin se forma më e zezë për mua është kjo bie tek të sëmurët me sëmundje të rënda se mbeten pa ilaçe se u vidhen fondet.

Dhe mediat heshtin, dhe në të gjitha mediat është vetëm një gazetar që pranon çdo lloj kërcënimi për t’u bërë zëri i atyre të sëmundjeve.

Uroj që këto dokumente të zgjojnë tek shqiptarët zemërimin e merituar ndaj kësaj mafie.”- tha Berisha.

Protesta kombëtare e 22 Dhjetorit, Sali Berisha: I japim ultimatum Edi Ramës, të largohet

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se në protestën kombëtare të opozitës më 22 Dhjetor, do t’i jepet ultimatum kryeministri Edi Rama për t’u larguar.


“I japim ultimatumi Edi Ramës, duhet të largohet. Dorëheqja e Edi Ramës është kusht që Shqipëria të gjejë paqen që meriton”, tha Berisha.

Duke shtuar se: “Rama urdhëroi deputetët e tij që të mos lejonin heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut, për faktin e vetëm që nëse Lubia ka 300 apartamente, Rama ka minimum 1000.

Nëse Lubia ka 2-3 vila, Rama është pronar në resorte të tëra turistike”. gsh

Berisha: Zgjidhja e vetme ligjore dhe kushtetuese kundër kësaj qeverie është qytetari shqiptar me revoltën dhe zemërimin e tij

Rama rrugën ligjore e mbylli. E mbylli sepse në këtë vend, si fjalë e fundit është Gjykata Kushtetuese të cilën ai, po të përdor një term figurativ, e ekzekutoi të parën dhe e asgjësoi me korrupsion të paimgjinueshëm. Kështu që zgjidhja e vetme ligjore dhe kushtetuese është qytetari shqiptar me revoltën dhe zemërimin e tij. Ai tani ka të drejtë në ligj, kushtetutë e moral, të marrë çdo hap, të përdorë çdo mjet për largimin e kësaj bande nga pushteti, pasi kjo bandë është faktuar se nuk ka asnjë legjitimitet.

Dua të ju them qytetarëve, siç dëgjuan për AKSHI-n, kopshtin privat të Edi Ramës, që është një dosje edhe më e zezë se sa tuneli i Llogarasë dhe dosjet që janë paraqitur gjer sot për Lubi Ballukun, por ndër të tjera, tek AKSHI është një ndër mekanizmat kriminal më kryesorë të grabitjes së votës. Aty është gatuar dhe fermentuar i tërë procesi i manipulimit dhe plaçkitjes së votave të shqiptarëve. dosja.al

“S’trembem nga procedimet”, Lapaj thirrje Ramës poshtë zyrës së tij: Dorëhiqu! Koha që brezi i ri të na bashkohet!

Nga protesta para Kryeministrisë e Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj lëshoi një lumë me akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se Rama ka vjedhur masivisht shqiptarët.

“Ftoj qytetarët të bashkohen dhe që Rama të dorëhiqet. Premtimet që dha, Rama gënjeu dhe nuk i mbajti
Është koha që brezi i ri të bashkohet. Është koha e së mirës kundër së keqes. Nuk trembem nga procedimet penale.”, tha Lapaj. bw

“Balluku mund të zgjedhë një tmerr pa fund ose një fund të tmerrshëm”- Artan Hoxha: Veliaj, Balluku dhe AKSHI, 3 rrënjët kryesore të pushtetit të Ramës

Gazetari Artan Hoxha foli mbi dosjen Balluku, mbrëmjen e sotme në “Kjo Javë”.

 

Teksa po shprehej mbi korrupsionin e Ballukut nga ekstratet e dosjes së publikuar në media, Hoxha tha se Balluku është mes zgjedhjes së një tmerri pa fund ose një fundi të tmerrshëm.

Më tej ai mori 3 rastet e forta të këtij viti, Veliaj, Balluku dhe AKSHI që sipas tij janë 3 rrënjët kryesore të pushtetit të Edi Ramës.

Balluku sot mund të zgjedhë një tmerr pa fund ose një fund të tmerrshëm. Tmerri pa fund është rruga ku përpiqesh të shpëtosh, por zhytësh edhe më shumë. Fundi i tmerrshëm është dorëzimi i menjëhershëm dhe arrestimi,

Rama jo është pranë, por ai po përpiqet të vonojë vajtjen e tij në SPAK. Ngjarjet e këtij viti, nisi me Erion Veliajn, vazhdoi me Ballukun, dhe përfundoi me AKSHI-n.

Tre rrënjët kryesore që mbanin trungun e pushtetit të Edi Ramës. Dhe janë qarku më i madh në vend që s’ka ndodhur të fitojë 12 mandate, dhe na solli Zengjinenë në parlament”- shprehet Artan Hoxha.

Këshilli i Mandateve vendos që anëtarët të marrin me vete USB me prova për dosjen ‘Balluku’

Kërkesa u bë nga anëtarët demokratë të Këshillit, e pas shqyrtimit Këshilli vendosi që mund ta marrin USB me 10 mijë faqe, por të ruajnë sekretin hetimor dhe të mos bëjnë publike përmbajtje nga dosja hetimore për Zv. kryeministren Belinda Balluku.

 

TIRANË- Këshilli i Mandateve ka vendosur që anëtarët të marrin me vete USB me prova për dosjen ‘Balluku’. Kërkesa u bë nga anëtarët demokratë të Këshillit, e pas shqyrtimit Këshilli vendosi që mund ta marrin USB me 10 mijë faqe, por të ruajnë sekretin hetimor dhe të mos bëjnë publike përmbajtje nga dosja hetimore për Zv. kryeministren Belinda Balluku.

Ndërkohë gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, avokati i Ballukut ka kerkuar 3 jave kohe te njihet me dosjen, por prokuroret e SPAK ka thënë se mund të marrë 5 ditë kohë maksimumi. Ndërkohë, PS ka propozuar që mbledhja të shtyhet më datë 19 janar./Dosja.al


Send this to a friend