Kryeministri Edi Rama po përpiqet të ndryshojë ligjin me qëllim për të mbrojtur zv/kryeministren Belinda Balluku, jo vetëm nga heqja e imunitetit, por edhe nga arrestimi që po kërkon SPAK në Kuvend, për shkak se po intimidon dëshmitarë dhe po prish provat.
Kështu u shpreh juristi pranë PD-së, Franc Nuri, në studion e “News 24” ditën e sotme.
Ai komentoi aktualitetin politik, lëvizjet e fundit të mazhorancës, vendimin e Kushtetueses dhe analizoi procedurën penale dhe juridike, teksa vuri theksin te përpjekja e mazhorancës për ta mbrojtur me të gjitha mënyrat Ballukun, aktualisht e pandehur, nën akuzë dhe me masë sigurie pezullim nga detyra prej GJKKO, që u la në fuqi nga vendimi i Kushtetueses.
“Qeveria e gjithë po kthehet në një zyrë avokatie për të mbrojtur në të gjitha mënyrat zv/kryeministren Belinda Balluku. Rama po kërkon që të ndryshojë ligjin për të mbrojtur zv/kryeministren Belinda Balluku. Të mos pengohet më drejtësia dhe SPAK, t’i hapet rruga heqjes së imunitetit”, tha Nuri mes të tjerash.
Ai bëri thirrje që mazhoranca dhe qeveria të mos e pengojnë më drejtësinë, t’i hapin rrugën mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe t’i hiqnin imunitetin Ballukut, duke lejuar SPAK që të bëjë punën e tij.
Sipas Nurit, procesi i vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese ka qenë i pazakontë dhe i paprecedentë. Ai theksoi se gjykata është mbledhur tri herë dhe ka zhvilluar rreth 10 orë diskutime përpara se të arrinte në një rezultat përfundimtar 4 me 4, që çoi në rrëzimin e kërkesës së qeverisë.
Për Nurin, Kushtetuesja mori një vendim nën presion dhe nuk zgjidhi thelbin e çështjes, por megjithëkëtë, u tha qartë se vendimi i GJKKO mbetet në fuqi për pezullimin.
“Ky është një vendim i sforcuar dhe mendoj i marrë nën presion. Gjykata nuk e zgjidhi thelbin e çështjes, pra nuk dha një përgjigje të qartë nëse GJKKO ka ose jo të drejtë të pezullojë një anëtar të qeverisë”, u shpreh Nuri. Megjithatë, me këtë vendim, sipas tij, ka rimarrë fuqi ligjore vendimi i shkallës së parë i GJKKO-së, duke lënë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga funksionet e saj si zv/kryeministre dhe ministre. Për rrjedhojë, Balluku nuk lejohet të ushtrojë funksione shtetërore dhe të paraqitet në zyrat e institucionit për sa kohë masa mbetet në fuqi”, analizoi juristi.
Juristi vuri në dukje se SPAK ka kërkuar një masë edhe më të ashpër, duke depozituar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku, me qëllim arrestimin e saj. Sipas tij kërkesa është paraqitur në fillim të dhjetorit, por prej rreth dy muajsh nuk është shqyrtuar dhe zvarritet prej PS.
“Ka urgjencë në këtë proces, pasi ekziston rreziku i prishjes së provave. Pa heqjen e imunitetit, nuk mund të kryhen kontrolle banese, automjetesh apo telefonash. Pas dy muajsh vonesë, edhe vetë kontrolli humbet kuptimin”, theksoi Nuri.
Për Nurin, Balluku duhet të ishte dorëhequr që në fillim të procesit, por përkundër kësaj, kryeministri këmbëngul për mbrojtjen e saj, deri në ndryshim të ligjit.
“Është e pakonceptueshme që të ndryshohen ligje për raste individuale, sidomos për një vend që pretendon integrimin në Bashkimin Europian. Zoti Rama ishte ai që mburrej me reformën në drejtësi, kurse tani do të ndryshojë ligjin, madje del kundër edhe për çështjen e pagave”, u shpreh ai.
Nuri komentoi edhe përplasjen e fundit të kryeministrit me gjyqësorin për çështjen e pagave, ku u shpreh kundër kërkesës për rritjen.
Por Nuri theksoi se ka disa muaj që Rama përdor gjuhë urrejtjeje ndaj drejtësisë dhe juristëve, edhe pse dikur mburrej me reformën në drejtësi.
“Rama përdori një gjuhë urrejtje ndaj juristëve dhe drejtësisë. E ka përdorur edhe në të shkuarën, madje edhe për juristët shprehej publikisht. Ka disa muaj në fakt dhe nuk është vetëm çështja e pagave. Ai madje ka folur me emër dhe mbiemër për prokurorë dhe gjyqtarë, për çështje të ndryshme. Ka acarim të tejskajshëm të kryeministrit ndaj gjyqësorit. Madje ai komenton dhe sulmon vendimet e drejtësisë dhe kjo nuk është normale, nuk ka asnjë rast në vendet e BE-së të tillë, ku përmenden me emra e mbiemra. Vetëm në Shqipëri ndodhin këto. Tani merret edhe me pagat e gjyqtarëve dhe u bën presion mediatik apo u tërheq vëmendjen. Rama ishte një nga mbështetësit e reformës dhe madje mburrej me këtë reformë, kurse tani po sulmon gjyqësorin”, nënvizoi Nuri.