Tirana zyrtare nuk do të sodisë më nga larg situatën politike në Maqedoni.
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka guxuar. Ai nuk ka ndërmend më t’i lërë partitë politike shqiptare atje të vendosin në “kokë” të tyre, siç kanë bërë vitet e fundit, ku BDI-ja e Ali Ahmetit dhe PDSH-së e Menduh Thaçit, që pas çarmostosjes së UÇK-së në vitin 2001, i bënin fresk VMRO-DMPNE-së së Nikola Gruveskit, shkruan Shekulli.
Dje u njoftua për një takim të mundshëm mes kryeministrit Edi Rama dhe liderëve politikë shqiptarë, Ali Ahmetin e BDI-së, Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA, Menduh Thaçin e PDSH-së dhe Ziadin Selën e LR-PDSH-së.
Madje, mediat në Shkup kanë shkruar se dje ka pasur një takim mes Selës dhe Ramës në zyrën e këtij të fundit në Tiranë. Siç raportohet në mediat në Shkup, Sela dhe Rama kanë folur për zgjedhjet, për kërkesat e shqiptarëve, për zgjedhjet dhe për mbarëvajtjen e tyre. Mësohet se ata gjithashtu kanë folur edhe për periudhën deri në krijimin e qeverisë së ardhshme të Maqedonisë. Dhe shefi i kabinetit të Ali Ahmetit, Artan Grubi ka konfirmuar për mediat në Shkup se mes Ahmetit dhe Ramës ka pasur një përpjekje për një takim, por për shkak të angazhimeve të Ahmetit, ky i fundit nuk ka udhëtuar drejt Tiranës. “Tentativa është për nesër (e mërkurë) megjithatë akoma e pakonfirmuar ngase ne jemi ekstremisht të zënë”, ka thënë Grubi.
Në këtë takim, Rama do të mundohet të gjejë mundësinë që katër liderët shqiptarë të paraqiten me një Program të përbashkët para mandatarit të ardhshëm maqedonas për formimin e qeverisë. Megjithëse askush nga partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk kanë pranuar të flasin se cila do të jetë tema kryesore e takimit, një gjë është e sigurt: Tirana zyrtare ka vendosur të tregojë qasje të re më serioze të Shqipërisë ndaj subjekteve në Maqedoni, sidomos pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
Negociatat
Ende pa nisur negociatat për koalicion të mundshëm për formimin e Qeverisë së ardhshme, pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit, opinioni shqiptar në Maqedoni kërkon që të “izolohet” Nikolla Gruevski dhe partia e tij nga ana e shqiptarëve. Njohësit e rrethanave politike në vend porosisin se i duhet thënë “JO!” këtij të fundit, i cili kurorëzoi fushatën parazgjedhore me retorikë të spikatur nacionaliste. Analisti politik Albert Hani, duke komentuar situatën pas zgjedhore ka thënë se shqiptarët me anë të votës treguan se nuk e duan ish-kreyministrin Gruevski.
“Politikanët e zgjedhur nuk duhet të shkojnë kundër dëshirës së popullit dhe të përkrahin parti politike që i keqpërdor shqiptarët e Maqedonisë për tu pozicionuar më mirë në shoqëri. Edhe pse me më pak mandate për deputetë në këtë përbërje të re të Parlamentit, pozita politike e shqiptarëve është tejet e lakmueshme. Nëse mençuria mbizotëron egon, politikanët e zgjedhur jo vetëm që formalisht mund faktorizohen, por mund që të kenë të drejtën e vetos në proceset vendimmarrëse.
Tani dialogu i mirëfilltë ndërpartiak është më se i nevojshëm”, tha Hani. Dhe politikologu Deniz Memedi vlerëson se partitë politike shqiptare e kanë shansin për të ndëshkuar Gruevskin, për retorikën shoviniste dhe politikat antishqiptare që ka bërë gjatë kohës sa ka qeverisur vendin. “Një tablo ideale do të ishte nëse do të ishin bashkuar gjithë subjektet politike shqiptare me qëllim të realizimit të kërkesave të popullit shqiptar.
Mirëpo, kjo do të jetë shumë e vështirë duke pasur parasysh përvojën e situatës parazgjedhore ku partitë opozitare nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët për të shkuar me një listë të përbashkët në zgjedhje. Sidoqoftë, tash kemi një situatë të re premtuese, që partitë politike do t’i detyrohen vëmendshëm ti bëjnë lëvizjet e tyre nga shkaku se panë që elektorati dinë të vlerëson se kush duhet ta përfaqësojë në dhomën e përfaqësuesve dhe gabimi eventual do të jetë edhe më ndëshkues në zgjedhjet e radhës”, deklaroi Memedi. Nikolla Gruevski, i VMRO-DPMNEsë gjatë fushatën parazgjedhore ka lëshuar mllef ndaj shqiptarëve, duke i vlerësuar qëndrimet e shqiptarëve të rrezikshme për ardhmërinë e vendit.
Marrëveshja
Edhe pse në vitin 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, duke i dhënë fund konfliktit shqiptaromaqedonas, dhe pavarësisht se pika kryesore e kësaj “ujdie” ishte përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore, të gjitha qeveritë, që kanë drejtuar prej nga ajo kohë vijojnë ta konsiderojnë Maqedoninë si shtet vetëm të maqedonasve. Gjatë 15 viteve, shqiptarët janë diskriminuar pareshtur. Dy partitë kryesore shqiptare që kanë pasur dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe bashkëqeverisje, krejt ajo që kanë bërë ka qenë shfrytëzimi i privilegjeve të pushtetit, ndërsa në raport me njëra-tjetrën vetëm sa e kanë thelluar përçarjen ndërshqiptare atje.
Komentet