Protesta e 28-të radhazi për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë u zhvillua dje në Tiranë, ku qindra qytetarë marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet e tyre kundër qeverisë.
Një nga elementët që i dha më shumë ngjyra dhe simbolikë protestës ishin pankartat e vendosura në muret e Kryeministrisë, ku protestuesit renditën mesazhe dhe akuza ndaj qeverisë.
Mes pankartave që tërhoqën më shumë vëmendje ishin:
“Dita e 28-të, jemi ende këtu sepse demokracia nuk pret.”
“Kafshatë që s’kapërdihet është vetëm abuzimi! Mjaft është mjaft! Mbro veten dhe natyrën.”
“Ju keni pushtetin e krimit, ne kemi forcën e së vërtetës.”
“Meritojmë një vend nga ku nuk na duhet të arratisemi.”
“Frika është arma e pushtetit, guximi është arma e qytetarëve.”
Protestuesit deklaruan se do të vijojnë mobilizimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre, duke theksuar se nuk do të ndalen derisa të ketë ndryshim politik.
Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar se sot do të mbahet protesta e 29-të radhazi.
Grumbullimi i qytetarëve është parashikuar të nisë në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit pritet të shprehin sërish kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë. bw