Kryepolici i ri do të jetë një kukull e kryeministrit dhe pa dijeninë e tij nuk bëhet asnjë emërim në institucion.
Kështu u shpreh sot në emisionin “Kjo Javë” të “News 24” ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Kombëtar, Asllan Dogjani.
Ndërsa komentoi garën për pasardhësin e të shkarkuarit Ilir Proda, ai ndau mendimin se kryepolici do të jetë në shërbim të kryeministrit Edi Rama, pasi pa dakordësinë e tij nuk mund të zgjidhet. Ai kritikoi gjendjen e Policisë, ku tha se “efektivët kanë frikë mos kolegu i nxjerr në pritë”.
“Kryeministri nuk kalon një polic pa dijeninë e tij, jo më kreu i Policisë. Është një njeri që merret me detajet. Një drejtor që do të jetë një kukull, kukull e kryeministrit. Po nuk iku Rama nuk ka shpresë, nuk është çështje individi por modeli. Nuk është mungesë ligji por krizë e thellë e mos zbatimit të ligjit. Ka krizë institucionale dhe të përgjithshme dhe kjo zgjidhet vetëm kur qytetarët të votojnë të lirë”, tha ai.
Dogjani nënvizoi se dikur Rama mbështeste drejtësinë, kurse tani që i ka shkuar te dera pas marrjes e pandehur e Belinda Ballukut, zv/kryeministres së shkarkuar dhe pezulluar, ai thotë se drejtësia është e varur.
“Kryeministri dikur mbështeste drejtësinë, reformën dhe thoshte se është e pavarur, kurse kur drejtësia i shkoi te dera për shkak të zv/kryeministres nën akuzë dhe të pandehur, tha se është e varur. Pra kur i shërben atij është e pavarur dhe kur i shkon atij, e varur. Drejtorët e policisë nuk miratohen dhe zgjidhen pa kaluar nga kryeministri, sepse kryeministri e do Policinë në shërbim të tij. Ka pasur raste kur më ka thënë dikush u zgjodha drejtor policie. Ka shefa dhe polic të mirë, por ka edhe të paaftë. Sot policia nuk ka profesionalizëm dhe njerëz të aftë. Kam qenë drejtor edhe në kohën e PS, jam emëruar në atë kohë nga Fatos Nano”, tha ish-deputeti.
Por sa e dëmtuar është Policia?
“Do duhet shumë kohë që Policia të kthehet në 2005, 2009 apo 2012. Periudha 2005-2009 u bënë goditje të grupeve kriminale dhe krimi iku, e njihte forcën e shtetit. Nuk them se s’ka pasur probleme. Por tani janë bashkë, nuk i dallon dot ku është pushteti dhe ku është mafia. Sot shumë efektivë ikin nga Policia. Pagat qesharake. Sot të shet kolegu, të nxjerr në pritë kolegu”, tha ai.
Por cili do të jetë kryepolici i ri sipas Dogjanit? Deputeti refuzoi të jepte emër konkret, duke shtuar se mund t’i prishte punë.
“Përsa i përket garën mund të them se ka emra shumë të mirë, por nuk i lënë të punojnë. Nuk po them emër, sepse si pjesë e opozitës po të them emrin mund të prishë punë. Ka emra të mirë, por unë mendoj se drejtori i ri do jetë kukull e kryeministrit. Po nuk iku Rama, këtu ka krizë politike, të përgjithshme, institucionale. Kjo ikën kur të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme”, tha ish-ligjvënësi opozitar.
I pyetur për zhvillimet e fundit politike, Dogjani ndau mendimin se Rama është në orët e fundit të pushtetit dhe nuk e kalon vitin në krye të qeverisë, teksa tha se zgjidhja janë protestat, qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira.
“Unë mendoj se janë orët e fundit të Ramës dhe mendoj se ai nuk e kalon këtë vit. Kam bindjen se shqiptarët do i kthehen vendit, Shqipërisë dhe protestës për të larguar Ramën. Patjetër me protesta ikën Rama, me çfarë tjetër? Madje të jenë më të fuqishme. Opozita ka qëllim protestat, qeverinë teknike dhe zgjedhjet e lira”, u shpreh Dogjani.
Kurse për garën brenda PD-së dhe zgjedhjet në të, ai tha se “nga to unë pres transparencë, garë të lirë dhe të ndershme”.
“Unë jam për greva dhe protesta të ashpra”- Dogjani për Salianjin: Askush brenda PD s’duhet ndaluar të kandidojë!
Ish-deputeti ka folur në lidhje me problematikat brenda PD dhe përplasjen mes kreut të partisë Sali Berisha dhe ish-deputetit Ervin Salianji.
Dogjani u shpreh se mendimet ndryshe duhet të pranohen dhe se lufta duhet të bëhet brenda partisë në mënyrë që PD të përmirësohet. Ai ka shtuar se duhet të vlerësohen mendimet ndryshe dhe jo ato që “servilosen”, duke pohuar se kushdo brenda partisë ka të drejtë të kandidojë, përfshi dhe Salianjin, por sipas rregullave dhe kritereve.
“Në demokraci duhet të pranohen edhe mendimet ndryshme, unë nuk gjykoj asnjë individ sepse jam vetë që për shkak të parimeve u kam rënë drejt për drejt atyre që kanë tentuar t’i shkelin parimet. Gjithmonë në grup kam thënë mendimin tim dhe partia ka nevojë të thotë gjërat në grup, jo për servilë. E kam bërë luftën brenda dhe unë do të sugjeroja gjithkënd që lufta duhet bërë brenda PD për të ndihmuar partinë. Duhet një unifikim pas zgjedhjeve. Rreziku i qytetarëve është Rama me këtë qeveri, PD është në proces votimi dhe nëse duam të kemi zhvillim, ai vjen nga vota”, tha ai.
Ai kërkoi dhe sugjeroi gjithashtu ashpërsimin e diskursit politik të opozitës, me protesta të forta dhe deri në grevë urie.
“Unë e kam thënë mendimin tim dhe e them. E kam shprehur se duhen protesta të forta, më të ashpra. Madje edhe greva e urisë. Duhet të vazhdojnë dhe forcohen deri në rrëzimin e Edi Ramës dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh ai.
Dhe më tej shtoi:
“Protestat të vijnë duke u ashpërsuar. Nuk është molotovi zgjidhja. Të kenë pjesëmarrje më të madhe, të krijohet frymë besimi që të afrohen në PD. Duhen protesta të shpeshta, duhen gjetur mënyra të tjerë për të ndikuar në opinion. Duhen greva urie dhe forma të tjera”.
Duke folur për situatën e brendshme në parti, Dogjani theksoi se PD nuk ka luksin të përçahet, pasi sipas tij një ndarje e opozitës do të favorizonte kryeministrin Edi Rama për të qëndruar në pushtet.
I pyetur për një garë të mundshme përballë kreut aktual të PD-së, Sali Berisha, Dogjani u shpreh se në parti duhet të ketë konkurrencë, por theksoi se nuk ka ndërmend të kandidojë, pavarësisht mbështetjes që ka marrë në zgjedhjet e mëparshme.
“Kam marrë 8 mijë vota në qarkun e Tiranës dhe u jam mirënjohës, por nuk e kam ndërmend të kandidoj,” tha ai, duke shtuar se prioriteti mbetet bashkimi i opozitës dhe rritja e presionit politik ndaj qeverisë.