VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Radarët në det: Ish-kreu i SHIU-t: Mega korrupsion brenda ministrisë së Mbrojtjes

By | September 16, 2017

Komentet

Intervista – Deputeti gjerman tregon skenarin për refugjatët: Qeveria shqiptare ofertën e ka serioze

CDU i thotë Po Shqipërisë për negociatat, megjithatë pas kësaj vjen por, thotë deputeti i CDU-së, Johann Wadephul në intervistë për DW. Ai e sheh pozitive ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri.    

Kemi një situatë të vështirë tani për Bashkimin Europian. Në këtë kontekst diskutohet edhe për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE. Pse është relevante Shqipëria?

Johann Wadephul: Shqipëria ka rëndësi dhe as më pak e as më shumë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me të cilat Gjermania ndjehet shumë e lidhur. Deklaratat e Selanikut ne i kemi parë seriozisht dhe jemi të bindur se këto vende janë pjesë bërthamë e Europës dhe se ne edhe premtimet që kemi bërë nga ana europiane duhet t’i mbajmë, edhe sepse konfliktet brenda jugosllave siç i kemi parë në vitet 90-të mund të rindizen në çdo kohë, e një proces i integrimit dhe anëtarësimit, siç ka ndodhur pjesërisht, pikërisht këto i çtensionon, prandaj kemi edhe një motivim të dyfishtë që të tregohet kujdes për këto vende.

Rekomandimi  i grupeve parlamentare, CDU/CSU është formuluar me një qëndrim pozitiv për hapjen e negociatave duke përcaktuar qartë edhe hapat e mëtejshëm, si e komentoni ju?

Kemi nevojë për një vendim të Bundestagut. Këtë ne e kemi përgatitur prej vitesh dhe me shumë kujdes, ashtu si edhe për Serbinë. Në rastin e të dy vendeve, Bundestagu merr një vendim dhe qeveria gjermane që ka kontakt të ngushtë me të gjitha grupet parlamentare ka kërkuar të dijë se çfarë është e rëndësishme për ne. E rëndësishme për ne është që të themi Po, por edhe…Pra po, duhet të fillohet me bisedimet për negociatat, por…

Cilat janë këto „por”…

Ne kemi nevojë për një orientim më të qartë ndaj vlerave europiane në disa fusha, marrëveshja e koalicionit e thotë qartë, se kriteret duhet të plotësohen edhe në fillimin e negociatave, jo vetëm në anëtarësim. Kjo nënkupton një luftë më të ashpër kundër korrupsionit se deri më tani, se reforma në drejtësi duhet të vazhdohet më me vendosmëri se deri më tani, se duhet të ketë një reformë zgjedhore që kërkohet prej kohësh si nga KE por edhe nga OSBE. Këto janë tri fusha ku ne themi se Komisioni që zhvillon bisedime i ngarkuar nga BE duhet t’i shohë me vëmendje.

Në javët e fundit ndërkohë që përgatitej ky vendim kishte diskutime e zëra kritikë mjaft konkretë brenda CDU-së, ndërkohë që Partia Socialdemokrate ndoqi një kurs më të butë. Si e shihni këtë?

Ne ndjekim të njëjtat norma. Edhe në rastin e Maqedonisë, kur qeveriste partia partnere, VMRO-DPMNE ne kemi vendosur po ashtu kritere të qarta se çfarë duhej të bëhej në Maqedoni. Të njëjtat kritere europiane vlejnë edhe për Shqipërinë e këto kërkojmë që të zbatohen, pavarësisht se kush është në qeveri. Por kur ne regjistrojmë, se prej vitesh duhej të kryhej një reformë zgjedhore, dhe OSBE për shembull e ka thënë qartë, se cilat janë kriteret, unë pyes veten, pse kjo nuk bëhet. Ose kur prej kohësh flitet se duhet bërë një proces vetingu në sistemin e drejtësisë, janë 800 persona, por deri më tani janë verifikuar vetëm një grusht njerëzish, – unë shtroj pyetjen sa seriozisht është zhvilluar ky proces deri më tani në Shqipëri. Nuk ka të bëjë me përkatësi partiake, por me kriteret që ne presim që të respektohen. E nëse Europa e merr seriozisht, duhet që të plotësohen kriteret e rëndësishme për bashkëjetesën mes vendeve në BE.

Një person që u vendos në qendër të kritikave është ministri i Brendshëm i Shqipërisë, zoti Fatmir Xhafaj. Ju keni kërkuar në disa intervista shumë konkretisht, që ai duhet të përballet me akuzat, deri edhe dorëheqjen e tij. Të enjten zoti Xhafaj u takua me ministrin e Brendshëm gjerman, zotin Horst Seehofer. Më pas ai shkroi se gjithçka u zhvillua në konsesus të plotë. U vendos paqja?

Unë besoj se ministri i Brendshëm i Shqipërisë duhet të pyesë veten, nëse mund ta përmbushë detyrën plotësisht i pavarur. Vëllai i tij është ekspozuar ndaj akuzave. Dhe unë mendoj, se një person me një përgjegjësi të tillë duhet vetë të verifikojë, nëse mund ta kryejë detyrën i pavarur, nëse mund të drejtojë me përgjegjësi një proces në shtetin e së drejtës, kur ka akuza të forta, dhe kur vëllai i tij është përballur me procese në Itali. Qeveria duhet të vendosë vetë, nëse ai është personi i duhur që e vazhdon këtë detyrë. Unë kujtoj, se edhe ambasadori amerikan,që ka qenë mjaft miqësor ndaj qeverisë, në këtë rast ka ushtruar kritikë të fortë.

Ka pasur edhe politikanë gjermanë që kanë thënë se nuk duhet të flasim kolektivisht, sepse akuzat janë drejtuar kundër vëllait të tij…

Po sigurisht, kjo është e drejtë, unë nuk jam instancë gjyqësore që jap një vendim për këtë, por ju i referoheni një sekretari shteti gjerman dhe unë jam pak i habitur, që një anëtar i qeverisë t’i parashtrojë parlamentit se ç’duhet të bëjë dhe këtë ne nuk do ta pranojmë.

Ka për momentin diskutime, dhe këtu është i kërkuar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, se Shqipëria mund të angazhohej duke ngritur qendra pranimi refugjatësh për azikërkuesit e refuzuar apo si stacion i ndërmjetëm për refugjatët në kontekstin e Frontex-it. Si e shikoni rrugën që po ndiqet?

Unë e shoh si një propozim interesant që më ka habitur, por mendoj se është një propozim i mirë, që duhet parë, kjo është një ofertë që mundësisht duhet edhe të realizohet. Ne e dimë se Shqipëria është treguar mjaft mikpritëse edhe në krizën e atëhershme në Kosovë, atëherë ishte një situatë tjetër, se bëhej fjalë për vëllezër e motra nga Kosova që flasin të njëjtën gjuhë e kanë të njëjtën kulturë. Në këtë rast do të ishte ndryshe, por si e thashë ky është një sinjal i mirë që duhet ndjekur.

Ky është edhe një propozim nga Austria, edhe nga presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk që Shqipëria të përfshihej më shumë e të mbështetej, e që do të ishte një zgjidhje jashtë BE-së, por brenda Europës. Janë më shumë teza se sa gjëra konkrete, çfarë do të bënit ju si CDU apo Gjermania për ta mbështetur këtë?

Ka dy gjëra, njëherë mendoj se qeveria shqiptare ofertën e ka serioze, dhe se verifikon kushtet juridike dhe teknike në vend për zbatimin, por nga ana tjetër edhe Komisioni Europian duhet ta mbështesë këtë masivisht, edhe financiarisht por edhe nga ana logjistike. Të dyja palët ndeshen me një detyrë jo edhe aq të lehtë, por ndoshta do të bëhet një detyrë e përbashkët. Ne jemi të hapur, mund ta përfytyrojmë këtë, e shohim një ofertë pozitive dhe Komisioni Evropian duhet të zhvillojë bisedime me Shqipërinë.

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feiclke

Johann Wadepfuhl, deputet gjerman, anëtar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag

Marrë nga DW

Kampet e refugjatëve në Shqipëri, flet edhe Presidenti i Parlamentit Evropian

Para samitit jozyrtar të BE për azilin, presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani thekson se stabiliteti i Europës varet nga Gjermania. Tajani përfytyron mundësinë e kampeve në Shqipëri ose Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për grupin mediatik gjerman “Funke Medien Gruppe” të shtunën (23.06), presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani është shprehur, se “mënyra e veprimit me çështjen e emigracionit nuk duhet të çojë në shpërbërjen e BE-së. Sipas Tajanit, nëse çdo shtet do të veprojë sipas interesave të veta, kjo do ta shpërbënte BE-në, shkruan dpa. Në të njëjtën kohë, presidenti i Parlamentit Europian u kujtoi partive gjermane në grindje të fortë për çështjen e azilit, se migracioni “nuk është një problem vetëm gjerman.”

Italia dhe Greqia ndodhen po ashtu nën presion të madh. “Tani nuk bëhet fjalë për zgjidhje të veçuara kombëtare. Ne kemi nevojë për një strategji europiane.” Në samitin e Bashkimit Europian më 28 dhe 29 Qershor pritet të diskutohet ndër të tjera edhe çështja e refugjatëve. Partia kristiansociale CSU në Gjermani kërkon që menjëherë pas tij të vendosë se si do të veprojë. Ndërkohë këtë të dielë, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka ftuar në një takim në Bruksel vendet e BE-së për krizën e emigracionit. 16 vende duan të marrin pjesë në këtë samit.

Kampe të mundshme në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut

Stabiliteti i Europës varet nga stabiliteti i Gjermanisë, tha Tajani. Ai është “kundër masave në kufijtë e brendshëm”. Zgjidhja ndodhet jashtë, jo brenda Bashkimit Europian. “Ne duhet të mbrojmë kufijtë e jashtëm me efektivitet. Duhet të investojmë më shumë në Afrikë për të luftuar arsyet e migracionit”, theksoi Tajani. Agjencia e Ruajtjes së Kufijve, Frontex duhet të forcohet me 10.000 vetë, kërkoi ai.

“Ne kemi nevojë për kampe jashtë BE.” Tajani u shpreh se e përfytyron si të mundshme, që qendra të tilla të ngrihen në Shqipëri apo Maqedoninë e Veriut. “Por ne kemi nevojë për kampe edhe në Afrikë. Libia është një vend që duhet stabilizuar. “Nigeria, Tunizia dhe Maroku janë po ashtu vende që mund të merren në konsideratë për kampe”, sipas presidentit të Parlamentit Europian./DW

Mbahet raundi i tretë i bisedimeve midis Shqipërisë dhe Greqisë

MEPJ ka njoftuar se më 22 qershor 2018, në Athinë u mbyll raundi i tretë i bisedimeve për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë

TIRANË – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë (MEPJ) ka njoftuar se është mbajtur raundi i tretë i bisedimeve për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“U mbyll më 22 qershor 2018, në Athinë raundi i tretë i bisedimeve për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë. Takimi ishte konstruktiv dhe u zhvillua në një klimë pozitive, miqësore dhe bashkëpunuese”, thuhet në njoftimin e MEPJ-së.

Gjithashtu theksohet se grupet negociatore do të vazhdojnë të punojnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe në interes të të dyja palëve.

Kujtojmë se në muajt e fundit mes zyrtarëve të Shqipërisë dhe Greqisë, janë mbajtur disa takime dhe raunde bisedimesh për çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus arritjen e marrëveshjes për kufizimin e zonave detare. aa

Tiranë: BE kërkon dialog për pronat

Zyrtarë të Bashkimit Europian në Shqipëri bënë sot thirrje që administrata dhe pronarët të dialogojnë për të zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe me mirëkuptim çështjen e pronave.

Drejtuesja e Delegacionit të Komisionit Europian, ambasadorja Romana Vlahutin, tha sot në një takim të përbashkët mes qeverisë dhe shoqatave të pronarëve se për shumë dekada u bënë shumë padrejtësi në çështjen e pronave, ndaj vetëm me dialog mes gjithë palëve mund të gjenden zgjidhje të mira e të qëndrueshme.

Ajo theksoi se e drejta e pronës është një nga të drejtat themelore e njeriut dhe për BE kjo është e panegociueshme, sepse Shqipëria është pjesëtare e Konventës Europiane të të Drejtave Njerëzore qysh nga viti 1992.

Në raportin e fundit për Shqipërinë, tha zonja Vlahutin, Komisioni Europian deklaroi qartë se Shqipëria duhet t’i përkushtohet me përparësi përmes institucioneve regjistrimit të pronave dhe kompensimit të tyre.

Shqipëria duhet të veprojë përmes një strategjie të saktë për të zgjidhur çështjen e pronave si dhe të ngrejë një sistem për menaxhimin e territorit.

Problemi vazhdon të mbetet i hapur dhe kjo është dëshmia që institucionet nuk i kanë bërë si duhet detyrat e tyre me pronat nga këndvështrimi i drejtësisë dhe i drejtave njerëzore.

“Zgjidhja e çështjes së pronave duhet veçanërisht për të përmirësuar të drejtën e pronave, për të siguruar konkurrueshmërinë në ekonomi, për të tërhequr investime dhe për të zhvilluar bujqësinë dhe përdorimin e tokës. Ligjshmëria është e para, proporcionaliteti gjatë kompensimit dhe prona private duhet mbrojtur dhe garantuar nga shteti” – tha ambasadorja Vlahutin.

Në Shqipëri ky problem, tha ajo, është më kompleks se në çdo vend tjetër; nisi me dhunimin e pronës private gjatë komunizmit; tranzicioni i gjatë solli një seri shkeljesh të tjera dhe shtoi kaosin e shkaktuar nga komunizmi.

Pasojat e ligjit 7501 për ndarjen e tokës bujqësore dhe ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave shtuan kaosin dhe sollën më shumë abuzime.

Këtyre iu shtua edhe korrupsioni dhe abuzimet nga institucionet, ndërsa shumë njerëz humbën tokat bujqësore përmes legalizimeve, ku ndodhën edhe absurditete deri në legalizimin e plazheve si prona private.

“Ndëshkimi ndaj çdo dhunimi të paligjshëm, duhet kryer ndaj secilit që pengon zotërimin e pronës nga pronari i ligjshëm. Legjislacioni është i fragmentuar, ka sjellë shumë vonesa dhe abuzime në terren, ka sjellë shumë konflikte për disa dekada, ka sjellë frikësim të njerëzve dhe pengim të zhvillimit” – tha zonja Vlahutin.

Shqipëria po zhvillon një reformë të thellë në sistemin gjyqësor dhe po përpiqet të përmirësojë zbatimin e të drejtave njerëzore përfshi edhe ato pronësore.

Misioni Euralius po studion këtë çështje nga këndshvështrimi ligjor, po mbledh përvoja nga vendet europiane si dhe po kryen një analizë mbi sfidat dhe mundësitë.

Zgjidhjet janë atje jashtë në terren, tha ambasadorja Vlahutin, duhet dialog me pronarët dhe të ndalen abuzimet me pronat.

PËRDORIMI POLITIK I FESË LOJË E RREZIKSHME ME ZJARRIN – Nga KOLEC TRABOINI

Vendimi i përfolur për sjellë 600 mijë sirianë, veç të tjerash, prish edhe ekuilibrat fetarë në vendin e shqiponjave tashmë të zgërlaqura. Shqipëria me shtesën arabe 25 për qind humbet edhe elementin e fundit të krishterë, për tu bërë kështu një vend totalisht islamik, pjesë e botës turko-arabe. Shqipëria rrezikon të kthehet në një Kalifat Islamik në principet e Turqisë së vogël europiane, për të cilën është folur nga diplomacia e qarqet e vendosjes edhe në fillimin e shekullit të kaluar? Ky mund te duket dyshim i pabazuar, por nëse i hedhin një vështrim asaj çfarë ka ndodhur gjatë 100 viteve, pak mbetet për të dyshuar. Pse ta fshehim e kujt ja fshehim se krijimi i shtetit shqiptar është pritur me hezitime nga diplomacia europiane pikërisht për shkak të përqindjes së madhe të popullsisë me besim mysliman. Atëherë ai gjykim, i cili sot në fjalime konsiderohet paragjykim, por me nënkuptime vazhdon të përvijohet si mentalitet i diplomacisë. Mos i dëgjoni çfarë thonë, por nuhatni çfarë nënkuptojnë. Konservatorizmi europian tanimë është po aq në shfaqje e lulëzim sa në fillimet të shekullit të kaluar kur vendosej fati i Shqipërisë. Mund të themi, sipas simptomave, se ky zgjim i mentalitet konservator i Europës së krishterë, e plakur tashmë, që po shpartallohet nga dyndje e popullsive energjike arabe, nxitet pikërisht si reaksion e frikë e rifigurimit të popullsisë dhe humbja e traditave të krishtera.

2000 vjet krishterim e kanë ngulitur traditën fetare si pjesë e tipar të kulturës perëndimore. Edhe në botën arabe aziatike, në kahen tjetër, po ashtu. Aq më tepër se feja e krishterë është reformuar më së shumti nga nevoja për t’ju përshtatur zhvillimeve të reja ku shteti u be laik duke u ndarë nga kisha. Mbase për disa jo e plotë kjo ndryshueshmëri, kur në kahen tjetër kemi një radikalizëm të islamit( islami politik) e përdorimit të tij prej politikës, çfarë solli përmbysje e pështjellime në Turqi e vendet arabe. Gjithsesi, edhe pse duke qenë vend i lirive, mos prisni ta thonë se duan ta ruajnë identitetin e krishterë, jo nuk e thonë kështu. Do të gjejnë fjalë të tjera, por qëllimet mbetën të njëjta. Pranimi i emigracionit të kontrolluar ka qenë një rutinë nga nevoja për fuqi punëtorë, por me përmasat që ka marrë kjo dyndje, shumë shpejt europianët mund të ndodhen para faktit të kryer të Europës së zezë, në kuptimin e dominimit të popullsive arabe-afrikane që shumohen dhjetë herë më shpejt e më shumë se europianët. Asimilimi i ardhësve është i pamundur, për shkak të fesë është gjithashtu tepër i vështirë për tu përshtatur me kulturën e traditat dhe mendësitë europiane. Ka që lindin në Francë dhe vazhdojnë të jenë fanatikë fetarë islamike.

Krimet terroriste flasin edhe për një mësues me origjinë arabe, i lindur në Angli që papritur na u gjend terrorist kamikaz në Londër, duke masakruar njerëz të pafajshëm. Të çudit fakti se kanë mbaruar universitete europiane, por mbeten në mendësinë e urrejtjes fetare. Pa aspak tolerancë. Ky është një problem i madh që e shoqëron çdo lloj emigrimi nga vendet me fe të manipuluar politikisht e të mbetur në mendësitë e mesjetës e pa kurrfarë dëshire për t’ju përshtatur kushteve të reja e jetës se re në Europë. Në aspektin reformues as që flitet për vendet në kaos të origjinës. Pra prurjet e mëdha e të pakontrolluara, sjellin edhe eksese të mëdha. Dhe potenciali më i madh i rrezikut nuk është kultura, por pikërisht feja. Njerëzit e saj predikues që duhej të shërbenin për zbutje të urrejtjes e ndasive, përkundrazi bëhen shkak i fanatizimit si dhe radikalizimit të njerëzve të thjeshtë. Se fundja çfarë i bashkon, një sirian, një afganistanas, një irakian e një jordanez të bëjnë një aksion terrorist në Paris. Amalgama e tyre e ngjizur në mendësi është padyshim dogma fetare. Intifada. Lufta e shenjtë. Veprime që i kryejnë pa i kuptuar në brendësi e pa i vendosur në kohën kur kanë lindur. Te dogmat gjejnë alibinë e ngushëllimin por edhe përrallat e ndezura për parajsën ( xhenetin) që i pret me 40 virgjëresha për dashnore. Ata që përpiqen të thonë të kundërtën thjeshtë mashtrojnë, na paraqiten kinse kjo apo ajo fe është paqësore si pëllumbat dhe e butë si mëndafsh. Paqësore në letër sigurisht, por në predikime klerikësh injorantë dhe në mjedise sociale kemi një pamje tjetër të mjerueshme. Kemi djem të rinj shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që shkojnë në Siri dhe bëhen vrasës të përbindshëm. Sa shpejt i harruam kërcënimet ogurzeza të vrasësit Lavdrim Muhaxheri dhe të tjerëve, madje në gjuhën shqipe. Kemi me dhjetëra e qindra trupa njerëzorë të sakatuar duke përfshirë edhe fëmijë. Me thirrjen tradicionale fetare arabe, që nuk dua ta përmend se tashmë ka marrë nocionin e frikës.

Pse shkruaj kështu dhe a kam sadopak rezerva sa i përket feve? Nuk mendoj se inspiroj as prioritete dhe as urrejtje fetare. Kjo për shkakun se nuk jam fetar i ngulfatur dhe i përkas mendjeve të lira të kësaj bote. Aspak i përkushtuar në dogma. Respektoj institucionin fetar të cilit i përkas si trashëgim familjar( por edhe fetë e tjera sigurisht me të cilat familjarisht jam i lidhur). Por vetëm me një kusht, që të më ndihmojnë të dua Atdheu e popullin tim, historinë, traditat dhe sigurinë e të ardhmes së kombit ku fillon e mbaron qenia jonë individuale. Nëse ka një Zot të më falë. Nuk e skllavëroj dot mendjen as përpara atij që më ka krijuar. Sepse skllavëria e mendjes nuk është qëllimi i krijimit qoftë nga hyjnitë e qoftë nga natyra. Unë as e mohoj dot e as e konstatoj dot. Universi është një pjesë e vogël e enigmës së madhe që nuk mund ende të vërtetohet si u krijua e ku qëndron. Gjithë çfarë qoftë e vërteta, dogma nuk arrin të bind njeriun e shkolluar, por as ai i dituri nuk arrin ti jap zgjidhje enigmës. Prandaj u them shpesh atyre që lëshojnë insinuata, e keni gabim kur më klasifikoni siç më klasifikonte kompania e zullapërisë turko-memurë të fundamentalisteve islamikë në mars të vitin 2000 në pesëmbëdhjetë shkrime në shtyp kundër meje (marramendëse kjo), duke më konsideruar me termin e shpikur katoliko – centrik. Se shpejti do të keni një pasqyrë të polemikave fetariste të qerthullit fanatik të asaj kohe (që vazhdon mjerueshëm), si dhe përgjigjen dinjitoze që u dha Prof. Engjëll Sedaj (1943-2006) në faqet e gazetës “Bota sot” më 20-23 mars 2000 dhe ku ndër të tjera e mbrojti edhe idetë dhe parashtrimet në shkrimin tim që ndezi atbotë Abdi Baletën, “Çfarë i solli feja e pushtuesit kombit shqiptar?”.

Po pse reagoj unë, shpesh më pyesin? Heshtja është më oportune sipas tyre. Lehtë është ta mësojë çdo kush. Kur e shoh se si zullapëria me revansh osmanik po kërkojnë të na bëjnë synet në tru si komb e si popull, me zor e përdhunë, unë nuk mund të rri e të flladitem për nën hije të lisit. Tepër i madh ky luks për kohën tonë. Por më e keqja është kur kundërshtitë e reagimet e mia që kanë qëllime kombëtare, i marrin si agresivitet ndaj islamit. Jo, kurrsesi. Nuk cenoj asnjëri në bindjet e veta brenda vetvetes. Unë kam bindjet e mia, sigurisht, që ne shprehje e shfaqje publike nuk kanë fare të bëjnë me pozicione fetare por me ato kombëtare.

Kam reaguar ashpër kur kam parë se si feja manifeston në rrugë duke krijuar imazhin e një revanshi fetar, çfarë nuk ka ndodhur as nën kushtet e pushtimit osman që kishte pushtet dhe instrument fenë islame, kam reaguar kur politikanët tanë u bënë si bajgë në këpucën e Papës duke u ngutur të tregonin gjoja katolicizmin e tyre të përkushtuar. Një rreng e një rrenë kjo për të përfituar politikisht. Kam reaguar që herët kur e kanë futur Shqipërinë në Konferencën e Vendeve Islamike edhe pse në Kushtetutën shqiptare të vitit 1992, neni 7, dhe asaj të vitit 1998, neni 10, shprehte qartë laicitetin e shtetit; ndaj vazhdoj të shpreh edhe më tej mendimin se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë organizatë fetare ka qenë e vazhdon të mbetet antikushtetuese. Pse vallë asnjë forcë politike apo shoqatë e pavarur nuk e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese, apo asnjë deputet nuk merr iniciativën të propozojë një referendum popullor për këtë shkelje kushtetuese. Mos më flisni për opozitën se ajo vetë e futi Shqipërinë në këtë batak arabo – aziatik.

Gjithmonë kam reaguar sepse e shoh se çfarë spekulimesh bëhen me fenë për përfitime politike. Nga një anë e errët qeverisëse deklarohet se jemi një komb me rrënjë e degë islamike, madje edhe burim islam na bënë si komb. Çfarë nuk është aspak e vërtetë se ku do ti çojmë të krishterët ( katolikë e ortodoksë së bashku) që e mbajtën shpirtërisht e fizikisht këtë komb nëpër shekuj pushtimi. Çfarë ta bëjmë Gjergj Kastriotin? Dhe nga ana tjetër, na i rrokën katër krerët fetarë të Shqipërisë e i dërguan si dashi me këmborë për të parakaluar rrugëve te Parisit, kinse, për ti thënë qytetërimit perëndimor merrni shembull nga ne, se ne jemi kampion në botë për mirëkuptim fetar. Bla-bla-bla. Dëngla. Se ndërkohë në Mitrovicë e rrëzuan përmbys shtatoren e Nënë Terezës, myslimanët e Shkodrës nuk e pranuan monumentin e bamirëses së madhe në hyrje të qytetit dhe projektin e zhvendosen me imponim. Kishën e Shën Shtjefnit në kala që në kohën e Gjergj Kastriotit e duan sërish xhami siç e patën kthyer pushtuesit barbar e hordhitë e egra te Anadollit, a thua se këta myslimanë fanatike te Shkodrës qënkan përfaqësues e mercenarë të revanshit osman pan Ballkanik. Po ka dhe më. Ca islamikë të qorrollisur plasën që të mos bëhet Katedralja Katolike e Prishtinës si vizion paqësor e mirëkuptues i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, përpara të cilit udhëheqësit e sotëm duken si liliputë. E me tej çfarë do politika e qeverisja që manipulon me festat fetare. Çfarë është kjo qeveri që shtron iftar e bën propagandë me fjalime dogmatike. Nuk ka shtruar(e mirë ka bërë) ndonjë drekë a darke për Krishtlindje apo Pashkë as për ortodokset e as për katoliket. Qeveritarët nuk kanë asnjë punë, madje bëjnë mirë ti zbojnë nga institucionet fetare e ti quajnë të padëshiruar sepse venë për tu dukur e dalë në media për përfitime elektorale.

Po pse duhen bërë mësime fetare në shkolla? Për ti treguar fëmijëve se nuk jemi krejt njësoj, se kemi besime të ndryshme, tu fusim në kokë dogma, apo tu nxisim luftën e shenjtë, këndej intifada andej kryqëzata. Nuk ka asnjë punë feja në shkollë. Kush do të bëhet fetar të shkojë në shkolla të posaçme që thënë të vërtetën ka më tepër seç duhet këtu ndër ne. Kemi prodhim klerikësh me shumë se na duhen. Aq me tepër se ne këtë fushë, importi po e konkuron vrullshëm prodhimin e vendit.

Edhe lajmet që jepen për mundësinë e ardhjes se 600 mijë sirianeve padyshim ka të bëjë me produktin shkatërrues të politikës në shumë pikëpamje. Por edhe efekti që do krijohet sepse ata 600 mijë do të jenë myslimanë, kjo bën që të shtohen institucionet fetare dhe të minimizohet përqindja e popullsisë se krishterë deri në zhdukje. A nuk tingëllon kjo si një dëshirë për të shfarosur autoktonët, ata më të rezistueshmit në histori, atë pjesë heroike të popullsisë që i qëndroi përballë pushtuesit pesë shekullor, jo vetëm si arbër me kulturën e traditat e veta stërgjyshore, por nuk u lëshuan as në pikëpamje fetare. Çfarë, si rezultante historike, solli që ky popull të merret në konsideratë dhe të vlerësohet si një identitet i fortë me tëra potencialet për të krijuar një shtet. Nëse popullsia do të ishte krejt islamike dhe të konsiderohej e tillë nga Europa, të jeni të bindur se nuk do të kishim pavarësi, do të konsideroheshim një province turke dhe do të copëtoheshim pa pasur kurrë një shtet, siç u tentua të bëhej prej qarqeve të diplomacisë në Londër, Shkaku dihet ani pse fshihet, nuk donin të krijohej një Turqi e re dhe e vogël në Ballkanin perëndimor. Ekzistenca e popullsive së krishterë ua zbuste këtë dyshim, por ishte dhe faktori Austro-Hungari, kjo perandori katolike që ndikoi në favor të shqiptarëve.

Nuk ka qenë e pakuptimtë as e paqëllimtë, që në momentin e aktit te madh të Pavarësisë, të ishin edhe dy shtyllat e forta të shqiptarisë, Luigj Gurakuqi (1879 -1925) dhe Dom Nikollë Kaçorri (1865-1917), madje ky i fundit zëvendëskryeministër, rangu i dytë pas Ismail Qemalit. Fakt që mjerisht në përkujtime shtetërore apo dhe shkrime anashkalohet. Shfaqje e mjerueshme e shoqëroi mbërritjen e eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Rinas ku u përcoll jashtë vëmendjes së qeverisë si të ishte një valixhe udhëtarësh. Asgjë nuk është rastësi dhe e kanë gjithsesi një kuptim. Pse bëjmë sikur nuk i dimë këto . Shqipëria u ruajt në identitet dhe u bë në saj të qëndresës së popullsisë së krishterë që i konsideronin të huaj pushtuesin osman. Përkundër mjaft shtresave të popullsisë që e konsideronin veten turq dhe ishin njësuar me pushtuesit deri ne atë masë sa kur u bë kryengritja e vitit 1911, kundër malësorëve i nisen trupa të rinisë myslimane të Shkodrës të luftonin kundër tyre. Këtë fakt historik e kanë mbuluar. Të mashtruar sigurisht nga pushtuesit turq, që lëshuan kushtrim kasnecësh në qytet, kinse malësorët kishin dalë kundër Dinit e Imanit. Dhe shkuan të veshur e të armatosur, por Dedë Gjon Luli i zuri rob sapo zbritën nga varkat në bishtin e liqenit, dhe, si i çarmatosi, i zhveshi dhe i nisi prapa për në Shkodër pa vrarë as dhe një.

Nuk mund të themi e të flemë gjumë se harmoninë e kemi të siguruar si byrek në tepsi, siç kuturisin shtetarët tek mburren nëpër kancelaritë e Europës. E di shumë mirë Europa çfarë jemi. Sepse edhe ka ndërhyrë kur kemi qenë në zgrip të luftës civile, kur qytetarët shkodranë për shkak të përçarjes fetare, që e nxiste valiu turk që nuk e kish per gjë të varte priftërinjtë katolikë ne mes të qytetit, u barrikaduan sipas përkatësisë fetare. U desh ndërhyrja energjike e Austro Hungarisë që nëse katolikët pësonin ndonjë gjë do ti shpallte luftë Stambollit. E di Europa shumë mirë se ende në Prishtinë shkojnë shqiptarët faqezinj e falen në tyrben e pushtuesve, Sulltan Muratit a Mehmetit dreqi po e di. E di Europa se disa renegat fanatikë fetare të shitur, shkojnë e marrin një historian teveqel turk që nuk lë gjë pa thënë për heroin tonë kombëtar atje në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhes ku ishte varrosur Gjergj Kastrioti e barbarët e Anadollit e zhvarrosën dhe kockat ja trazuan e humbën. E di Europa çfarë po ndodh në këto troje me tërbim e fanatizëm vetëvrasës. Mirë Europa, po ju a e dini që në fjalorët e gjuhës shqipe ka qenë e mbetet përherë fjala dhe shpjegimi në negacion kryqëzatave të krishtera këtu e shekuj më parë, para se të shfaqeshin turqit në Ballkan? Por nuk gjen asnjë fjalë e asnjë nocion që ka të bëjë me “intifadën”, luftën e shenjtë të myslimanëve kundër te krishterëve, që u shfaq aq agresive me kokëprerje në shtetin makabër të ISIS në Siri dhe Irak.

Gjithë kjo lukuni që krijon kësisoj mysybetesh turko-memure, mendojnë mbase se njerëzit dinë të lexojnë por nuk dinë të kuptojmë. Dhe laj lesh me historinë, me traditat, me kulturën arbërore, e kërko e gërmo natë ditë në rrënjët e kombit për të gjetur aty vetëm islamizmin e shekullit te XV, sikur këto troje të mos kishin pas histori më parë, sikur gjithçka ka filluar me një ferman të sulltanit. Ta zëmë krijimi i Tiranës i atribuohet, me një monument skandaloz, një kopuk-qafiri që i shërbeu deri në përçudnim sulltanëve të Stambollit, kur populli shqiptar përgjakej me pushtuesit. A e kuptoni deri ku shkon poshtërsia e politikës dhe e ëndrrës se çmendur për të krijuar këtu një Shqipëri si pjellë e hordhive arabo-aziatike. Nuk ishte një shfaqje krejt e kotë e mizerabiliteteve që sot u thurin lavdi Esat Pash Toptanit, që u vra nga një shqiptar atdhetar, Avni Rustemi, që edhe atë e anatemojnë buburrecat e historisë. Por me heqjen nga skena të kerrmës antikombëtare, nuk u shua si ideal shkatërrues esatpashtoptanizmi, sepse ja ku i kemi edhe sot llapaqenët që i thurin lavdi. Po dale, të thonë, se kjo ngordhësirë historike na paska pas edhe ndonjë të mirë. Mirëzezë, thuaj. Lëre më Haxhi Qamilët e rinj, se ata janë një tjetër kapitull i ndyrë në histori që u instumentalizua nga politika moniste, por jeton ende nëpër dëlire anadollake të cilat edhe krejt pa rrezik nuk janë.

Ndaj duhet me çdo kusht që politika të rrijë larg instrumentimit të fesë. Loja e politikes me fenë është një zjarr që potencialisht i shkreton trojet shqiptare ndaj dhe nëpër shekuj ata që i kanë radikalizuar me së shumti shqiptarët në pikëpamje fetare kanë qenë armiqtë më të egër të Shqipërisë. Ata kësisoj e kanë parë përçarjen fetare si instrumenti më i mirë e më efikas për të shuar e harruar çështjen shqiptare në Ballkan, çështje që ende mbetet e pazgjidhur. Sa më shumë afron koha e zgjidhjes, aq më e stërholluar bëhet arma me të cilën e luftojnë armiqtë tanë kauzën shqiptare. Ndaj duhet përballuar zullapëria antikombëtare, e gjithsecili, pavarësisht se çfarë besimi i përket si trashëgim familjar, apo personal, mbi gjithçka të mendojë e të punojë për kombin, ku të lindim e të vdesim si kombtaristë – që të rrojë edhe me tej shqiptaria.

Zbardhet rrëfimi i Durim Bamit: Si më pagoi Doshi që të akuzoja Metën për atentat, takimi me Tahirin

Prokuroria e Tiranës kërkon nga 1 vit burg për deputetin Tom Doshi, ish-deputetin Mark Frroku dhe Durim Bamin, të cilët akuzohen për “kallëzim të rremë” për të ashtuquajturin “atentat” ndaj Doshit. Ditën e djeshme u mbajt pas tre vjetësh zvarritje edhe pretenca në Gjykatën e Tiranës, shkruan “Panorama”.

Prokuroria, e cila përfaqësohej nga prokurorja Elsa Miha, kërkoi që Doshi, Frroku dhe Bami të dënohen me nga 1 vit burg për kallëzim të rremë dhe pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit të vendosej përfundimisht në 8 muaj burgim për secilin. Në seancë munguan tre të pandehurit, por u përfaqësuan nga avokatët e tyre.

Nga dosja hetimore, ka qenë Mark Frroku i pari që ka dekonspiruar në një farë mënyre planin e Tom Doshit për “atentatin e supozuar”. Deklarimet e tij në Prokurori kanë bërë që të zbulohet se gjithçka ka qenë një sajesë e Doshit. Ky i fundit pati deklaruar që ishte Frroku ai që e njoftoi për atentatin. Seanca për konkluzionet e mbrojtjes do të mbahet më katër korrik, ku pritet edhe vendimi.

DOSJA E PROKURORISË

Në muajin gusht të vitit 2014, i pandehuri Tom Doshi ka qenë jashtë Shqipërisë me pushime, ndërsa ka marrë një telefonatë nga i pandehuri Mark Frroku, i cili i ka kërkuar një bisedë urgjente.

I pandehuri Tom Doshi i ka shpjeguar se nuk ndodhej në Shqipëri dhe për këtë arsye, ata e kanë lënë takimin, pasi ai është kthyer nga pushimet. Nga aktet e administruara, ka rezultuar se ky takim është zhvilluar nga fundi i muajit gusht 2014, në mjediset e hotel “Sh***” në Tiranë. Në këtë takim, i pandehuri Mark Frroku i ka bërë me dije të pandehurit Tom Doshi se ndaj tij po përgatitej të kryhej një atentat dhe këtë do ta ekzekutonte një shtetas me emrin Durim Bami.

Sipas Mark Frrokut, shtetasit Durim Bami i ishte ofruar shuma prej 500 mijë eurosh për të kryer vrasjen. I pandehuri Frroku ka marrë përsipër gjithashtu që ta prezantojë të pandehurin Tom Doshi me personin që do të kryente vrasjen (Durim Bami) me qëllim që ai të mësonte më shumë detaje për rrethanat e kryerjes së këtij atentati.

Me ndërmjetësinë e të pandehurit Mark Frroku, takimi mes tyre dhe Durim Bamit është zhvilluar disa ditë më pas. Lidhur me këtë takim, Tom Doshi ka shpjeguar se Durimi i ka thënë se porosia për të realizuar vrasjen ndaj tij ishte dhënë nga Ilir Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, nëpërmjet një personi të quajtur F.S. Ky i fundit, administronte një lokal që ndodhej në zonën e “ish-Bllokut”.

Pretendohet gjithashtu që personi tjetër i përfshirë në këtë ngjarje është shtetasi R.S., kushëri i F.S., i cili në periudhën në fjalë ka pasur si detyrë të vëzhgonte lëvizjet e Tom Doshit. Sipas të pandehurit Tom Doshi, gjatë takimeve të mëparshme që ka realizuar me Durim Bamin, me ose pa praninë e Mark Frrokut, Bami ndër të tjera i ka thënë se në muajin qershor të vitit 2014, në afërsi të makinës së tij të parkuar pranë Gjykatës Kushtetuese, këta persona kishin vendosur një motoçikletë, nga ato që përdoren për shpërndarjen e picave, brenda së cilës gjendej një sasi eksplozivi që ishte paracaktuar të shpërthente në kohën që i pandehuri Tom Doshi do të hipte në makinën e tij.

Durim Bami i kishte thënë gjithashtu se ai nuk kishte pranuar që të realizohej shpërthimi, pasi kishte pasur frikë se mos dëmtoheshin edhe persona të tjerë. Në mbështetje të pretendimeve të tij, Tom Doshi ka dorëzuar para Prokurorisë një usb, e cila përmban një regjistrim audio dhe video prej 37 minutash, ku Durim Bami pohon para tij planin si më sipër.

I pandehuri Tom Doshi ka deklaruar gjithashtu se ka parë sasinë e eksplozivit të pretenduar se ishte vënë në motorin pranë makinës së tij, të cilën e ka fotografuar me aparat celular te mjediset e banesës së të pandehurit Durim Bami, e cila ndodhet në zonën e plazhit në Durrës. I pyetur, i pandehuri Mark Frroku ka shpjeguar dhe insistuar se nuk ka asnjë njohje me të pandehurin Durim Bami.

Në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk ka qenë ai që i ka dhënë këtë informacion deputetit Tom Doshi, për më tepër që të ketë prezantuar këtë të fundit me ndonjë shtetas me emrin Durim Bami. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur lidhur me këtë rrethanë edhe i pandehuri Durim Bami, i cili është ndaluar më datë 03.03.2015, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. I pyetur fillimisht si deklarues e mandej nën hetim, i pandehuri Durim Bami ka deklaruar si më poshtë.

Arsyeja e largimit të tij ishte si rrjedhojë e situatës së krijuar në media, ku deputeti Tom Doshi kishte thënë se personi që është paguar nga Ilir Meta për të vrarë atë është filmuar dhe është takuar me ministrin e Brendshëm. Për këtë fakt, atë e ka njoftuar bashkëshortja e tij në telefon që nga jashtë vendit. Ajo e ka sqaruar për të gjitha deklaratat e bëra nga Tom Doshi dhe gazetarë të ndryshëm. Të pandehurin Tom Doshi e ka njohur përmes shtetasit A.Sh., që është nipi i Doshit dhe njëkohësisht edhe njohje e tij e vjetër. Ka qenë i pandehuri Tom Doshi që e ka telefonuar dhe i ka kërkuar që të pinë kafe te lokali “A****”.

Gjatë bisedës, Tom Doshi i ka thënë që: “Kam qejf të të ndihmoj, por dua edhe ti të më ndihmosh për diçka që unë do të kërkoj”, dhe ai i është përgjigjur: “Nëse është diçka që bëhet, do mundohem që të ndihmoj”. Aty i pandehuri Tom Doshi i ka kërkuar që donte prej tij të bënte të besueshëm faktin sikur atë (Tomën) kanë dashur ta vrasin dhe personi që paguan për vrasjen e tij është Ilir Meta.

Ai ka shpjeguar se i është kërkuar që të bëhej dëshmitar dhe të thoshte në Polici që ai ishte personi i paguar për vrasjen e Tom Doshit. Gjithë kjo situatë, deklaron ai, do të ishte një gjë e sajuar mes Tom Doshit dhe tij. Pasi kanë rënë dakord për ta bërë këtë gjë, Toma i kishte premtuar se do t’i jepte një shumë parash. Shifrën konkrete ai nuk e ka përmendur, por ka thënë se ishte e madhe. Ka qenë Toma që i ka kërkuar të gjente një peron të tretë që do të bënte rolin e porositësit të vrasjes, pra lidhjen mes atij dhe Ilir Metës, pasi vetë Durim Bami nuk njihej me të.

Bami ka menduar se personi më i përshtatshëm ishte F.S., që kishte njohje me të. Po kështu, ka qenë i pandehuri Tom Doshi që i ka ofruar që të sajojnë një video sikur ndaj tij ishin bërë përpjekje për ta vrarë. Ai kishte rënë dakord me Doshin se sajesën e orvatjes së vrasjes së tij, do t’ia shpjegonte edhe ministrit të Brendshëm, në atë kohë Saimir Tahiri, me të cilin rezultoi se është takuar disa herë e në një rast edhe në prani të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së asaj kohe, Artan Didi.

Para ministrit, ai ka pohuar të njëjtat rrethana që ka deklaruar edhe deputeti Doshi, të cilat janë edhe në filmimin e bërë, por edhe pse i është ofruar mbrojtje konform të gjitha rregullave në fuqi, nuk ka pranuar të iniciojë procedurë hetimore, pra të bëjë deklarime para shërbimeve të Policisë Gjyqësore, sepse sikundër shpjegon ai, ajo çfarë ishte regjistruar mes tij dhe Tomës ishte thjesht një sajesë. Ka qenë Tom Doshi që në një nga takimet i ka kërkuar të sajonin sikur ishte përgatitur atentat ndaj tij.

Për këtë, ata do të sajonin sikur ishte vënë një motor me eksploziv te një lokal që është mbrapa dy kullave ku rrinte Toma. Motori do të vihej afër mjetit të Tomës dhe kur ai të dilte, do të realizohej shpërthimi. Për këtë qëllim kanë përfshirë edhe djalin e xhaxhait të F.S., shtetasin R.S.. Motorin e kishin blerë të vjedhur në Paskuqan. Të gjitha këto sajesa do t’i tregoheshin ministrit të Brendshëm, të cilit do t’i thuhej se shpërthimi nuk u realizua, se shoferi gjoja kishte lëvizur motorin, pasi kishte qenë shumë afër makinës së Tom Doshit. I pandehuri Bami ka deklaruar se personat që ai ka implikuar nuk kanë dijeni për këto rrethana.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur Bami edhe në pyetjen e tij në cilësinë e të pandehurit, ku ndërsa ka konfirmuar edhe një herë se plani i vrasjes së Tom Doshit është i gjithi një sajesë, e kryer për qëllime të këtij të fundit. Ai hedh poshtë çdo dyshim të ngritur nëse është kërcënuar ai apo familja e tij për qëndrimet e mbajtura në këtë proces.

PANORAMA

Romeo Gurakuqi: Edi Rama ka vendosur ta bëjë karrrieren politike duke e hedhur Republikën në kaos dhe kombin ne shperberje!

Historiani i njohur dhe deputeti i Parlamentit të Shqipërisë Romeo Gurakuqi komenton në faqen e tij në rrjetin social situatën aktuale:

“Ai ka vendosur ta bëjë karrrieren politike duke e hedhur Republikën në kaos dhe kombin ne shperberje.

Nga Kulla e Surrelit, ai zbavitet me dramën që po i sjell popullit.

Mireqënia dhe pasuria e tij,

e protagonistëve kryesore te Rilindjes Socialiste dhe e shpurës së tyre lepirese,

u ngrit dhe po perforcohet mbi gërmadhat e shkatërrimit të shtetit,

parlamentarizmit,

europianzimit, institucioneve të lirisë, rrënimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, laicizmit dhe albanianizmit.”

Tiranë, ekspozitë me piktura për Çamërinë

Në ekspozitën “Unë e dua Çamërinë” prezantohet trashëgimia kulturore, si dhe peizazhet nga krahina e Çamërisë, ndërsa nuk mungojnë as punimet për shtëpitë e rrënuara

TIRANË – Në kuadër të aktiviteteve për “Javën e Historisë dhe Kulturës Çame”, në Tiranë është hapur ekspozita “Unë e dua Çamërinë”, me punime të disa piktorëve shqiptarë.

Ekspozita me rastin e 74-vjetorit të përkujtimit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, këtë vit vjen ndryshe, në formën e artit, duke u prezantuar trashëgimia kulturore, si dhe peizazhet nga krahina e Çamërisë, ndërsa nuk mungojnë as punimet për shtëpitë e rrënuara.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, mbajti një fjalë përshëndetëse kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, i cili tha se pikturat e sjellin Çamërinë me një vlerë tjetër të jashtëzakonshme.

“Ne e dimë shumë mirë që këngët, vallet dhe historia e kanë karakterizuar krahinën e Çamërisë, si një pjesë të kolanës së vlerave të të gjithë shqiptarëve. Kësaj radhe donin ta sillnim Çamërinë ndryshe, Çamërinë e bukur, të jashtëzakonshme, që kushdo që shkon dhe e shikon e kupton sesa e bukur dhe çfarë vlerash të jashtëzakonshme ka, por edhe Çamërinë ashtu siç e kemi lënë ne, me shtëpitë e rrënuara”, u shpreh Idrizi.

Ekspozita e organizuar nga PDIU dhe Shoqata “Çamëria” do të qëndrojë e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë deri më 27 qershor, ndërsa pjesë e saj janë rreth 40 piktura të cilat janë realizuar pas vizitës që kanë kryer në Çamëri një grup piktorësh shqiptarë.

Aktivitetet e “Javës Çame” përfshijnë ekspozita, promovime librash, dhe aktivitete të tjera, dhe do të përfundojnë më 23 qershor, me pelegrinazhin e përvitshëm që organizohet në Varrezat Monumentale të Kllogjerit, në përkujtim të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Kujtojmë se nga masakrat dhe gjenocidi grek ndaj popullsisë çame në vitet 1944-1945 mbetën të vdekur mijëra shqiptarë të Çamërisë dhe mijëra të tjerë u shpërngulen nga tokat e tyre. aa

Po tani që është vërtetuar se çështja “Babale” është e manipuluar, a do t’i arrestojnë pinjollët e Beogradit? – Nga Spartak Ngjela

Korrupsioni kryeministror shqiptar Berisha-Rama duhet të eliminohet sa më shpejt që të jetë e mundur; sepse është pengesë reale kundrejt reformës në Shqipëri.

Të gjithë fqinjët e Shqipërisë në Ilirikumin Perëndimor janë hedhur në sulm për të mbrojtur korrupsionin shqiptar. Se te ky i kanë shpresat për të mos lejuar forcimin reformator të Shqipërisë sipas përkrahjes së politikës amerikane.

Edhe manipulimi i çështjes “Babalja”, dhe kërkimi i “fakteve të reja” gjithashtu, një përpjekje e tillë është, dhe e koordinuar edhe me politikat e trembura nga aleanca shqiptaro-amerikane për Ballkanin Perëndimor.

Po tani që është vërtetuar se çështja “Babale” është e manipuluar, a do t’i arrestojnë pinjollët e Beogradit?

Ç’do bëjë prokuroria e Krimeve të Rënda: me shqiptarët do jetë, apo me korrupsionin që ka vjedhur Shqipërinë dhe vetë shqiptarët?

Sipas të dhënave të perëndimorëve, në çështjen “Babalja” ka qenë edhe Rama i implikuar.

I.

Edhe pse aktualisht ky korrupsion nuk ka fare forcë, nëse do ta zgjerojmë analizën në funksion të kohës, atëherë na duhet të themi se korrupsioni kryeministror shqiptar krijon pengesë të madhe në synimet e politikës së ardhëshme të Shqipërisë.

Tani është e kuptueshme për këdo se Rama dhe Berisha do të penalizohen për nga reforma në drejtësi. Por pikërisht për këtë, të bashkuar siç janë, këta do të mundohen të krijojnë pengesa dhe trazira në Shqipëri, në mënyrë që të bllokojnë Reformën në Drejtësi dhe politikën aktive amerikane.

Gjithmonë do të mundohen të nxjerrin fakte kundër njëri-tjetrin, por vetëm me një qëllim: destabilizimin e Shqipërisë.

Gjithsesi, në këtë linjë nuk janë vetëm, sepse janë të përkrahur edhe nga Moska, Beogradi dhe Stambolli.

Të tre këta shtete, bashkë me korrupsionin kryeministror shqiptar, nuk mund ta pranojnë forcimin e Shqipërisë sipas skemës së politikës amerikane dhe gjermane.

Forcimi i Shqipërisë dhe Kosovës sigurisht që nuk mund të jetë i pranueshëm nga Rusia, Serbia dhe Turqia, por ky forcim është vetë qëllimi amerikan në këtë zonë.

Qëllimi i politikës amerikane në çështjen shqiptare në Ballkanin Perëndimor, që tani është kuptuar, ka ngritur tensionin në Beograd; sepse Beogradi është aneksuesi i trritoreve të gjëra shqiptare; Rusia sepse nuk mund të lejojë forcimin e Amerikës me anë të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, i cili sigurisht që bëhet me një Shqipëri të fortë; kurse Turqia e Edoganit ka frikën nga rreth 9 milionë shqiptarë që janë në Turqi, por sidomos për mospranimin absolut të islamit radikal në Shqipëri.

E gjithë kjo tablo kundërshtuese e ka shpresën te çifti korruptiv Rama-Berisha që të mposhtë reformën shqiptare. Po është përpjekje e kotë.

Është pamundësi absolute të mendosh që një skemë amerikane force të mundet sot. Amerika kërkon një shtet bilateral Shqipëri-Kosovë të fortë dhe do ta bëjë. Po Si?

Hapi i parë është çelja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Prandaj kjo është një gjë e sigurt më 28 qershor.

Hapi i dytë është eliminimi i të gjithë klasës politike të korruptuar të Shqipërisë.

Hapi i tretë është eliminimi i të gjithë klasës politike të korruptuar në Kosovë.

Hapi i katërt është ngritja e shpejtë e ushtrisë si armatë moderne në Shqipëri dhe në Kosovë.

Hapi i katërt është ristrukturimi modern i shtetit dhe i tregut shqiptar në Ballkanin Perëndimor, pasi të jetë strukturuar tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë

Il.

Kjo është arsyeja që sot janë të shqetësuar të gjithë krahët e reaksionit antishqiptar edhe në Beograd, edhe në Athinë. Si pasojë e këtij shqetësimi gazeta dhe ministra, akuzojnë se po kërkohet të krijohet Shqipëria e Madhe.

Në fakt këta e thonë këtë si tezë, sepse kjo ka qenë teza gjermane e Luftës së Dytë Botërore. Dhe me këtë kërkojnë të evokojnë nazizmin.

Veçse, pikërisht për këtë po bëhen qesharakë, sepse këtu lindin këto pyetje:

A mund të ketë Shqipëri të Madhe pa shqiptarë? Jo, kjo nuk mund të mendohet.

Por: atëherë, a ka shqiptarë dhe toka shqiptare të aneksuara nga sllavët dhe grekët? Po ka, dhe këta janë territore që kapin një sipërfaqe rreth 50 mijë km2 dhe një popullsi disa milionëshe shqiptarësh.

Po atëherë, kuptohet se nuk po kërkohet një Shqipëri e madhe pa shqiptarë, por një Shqipëri me kufijtë e saj etnikë në ringritjen e botës shqiptare. Dhe kjo sigurisht që do të bëhet, sepse atëherë përse shqetësohet reaksioni antishqiptar sllav dhe grek?

Gjithsesi hapat e sotëm janë një politikë e re në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar një politikë të re perëndimore me anë të dy shteteve shqiptarë në Ballkanin Perëndimor.

lll.

Poltika angleze gaboi kur ndihmoi në prishjen e Austro-Humgarisë dhe në krijimin Jugosllavinë. Tani kjo politikë është goditur dhe politika amerikane ka ndërruar kahjen e saj drejt shqiptarëve.

Është arsye shumë e madhe kjo sepse shqiptarët janë sot shumica e popullsisë së Ballkanit Perëndimor. Por nuk janë sllavë; dhe i kanë brenda vetes të tri fetë e mëdha dhe resurse të mëdha ekonomike.

Përderisa politika amerikanë në këtë zonë sot është synim ballkanik, ky synim arrihet vetëm me shqiptarët.

Po korrupsion i shqiptar?

Ky ka qënë pengesa, por kjo pengesë tani për politikën amerikane është tejkaluar.

Prandaj na duhet të theksojmë se në 28 qershor fillon marshi funebër që çon në varrim korrupsionin kryeministror shqiptar. Përpjekjet e tyre drejt politikave të tjera janë të kota.

Megjithatë po kuptohet se korrupsioni shqiptar në pushtet është i grupuar dhe punon nëpër politikat antishqiptare. Ka shenja që gazetaria dhe politika e ekstremit antishqiptar në rajon, kërkon destabilizimin e Shqipërisë.

Nuk kanë krijua asnjë rrezik deri tani, por fakti që lëvizin duhet ta shtyjë politikën amerikane që të veprojë sa më shpejt kundër korrupsionit shqiptar.

Gjykata e Kukësit liron një nga katër protestuesit në Rrugën e Kombit

KUKES- Gjykata e Kukësit ka vendosur të lirojë një nga katër protestuesit e “Rrugës së Kombit”, protestë e zhvilluar pak kohë më parë për të kundërshtuar vendosjen e tarifës për mjetet që kalojnë në këtë aks.

Protestuesi i liruar sot është Xhevahir Gashi, ndërsa pritet të nisë seanca për dy të tjerët. Gjykata e Kukësit pritet të japë masën për Elton Cengu 39 vjeç dhe Vasil Laçi, 31 vjeç.

Pak kohë më parë një tjetër i burgosur la qelinë për shkak të gjëndjes së tij shëndetësore. Florin Onuzi, 35 vjeç pësoi infarkt në burg dhe gjykata vendosi ta lërë të lirë.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit Shkodër la të lirë pak kohë më parë 7 nga 11 protestuesit kuksianë, të arrestuar pas protestës në Rrugën e Kombit.

Masa për 4 personat që mbeten në qeli ngjalli reagime në sallë dhe para gjykatës ku qëndronin familjarë e mbështetës të protestuesve të arrestuar.

Pas thirrjes së Ramës, Prefekti i Kukësit refuzon të firmosë dekorimin e Gafurr Mazrekut

Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana i eshte pergjigjur thirrjes se Kryeministrit Edi Rama dhe sot nuk ka firmosur kërkesën e Këshillit Bashkiak të Hasit për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” Gafurr Mazrekut. Pas shqyrtimit me kujdes te kërkeses se Këshillit Bashkiak për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Gafurr Mazrekun, prefekti Kuçana tha se “vendosa të mos e konfirmoj këtë vendim pasi bie ndesh me ligjin 112 të vitit 2013 për dekoratat, titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë.”

Prefekti nenvizon ne vendimin e tij se një person, që të shpallet qytetar nderi, duhet të mos jetë dënuar më parë për shkelje të rëndë të ligjit dhe nuk duhet të jetë nën hetim.

Kuçana i kërkoi Këshillit Bashkiak të jetë i kujdesshëm dhe të respektojë ligjet në rastet e propozimeve për shpalljen qytetar nderi të personave të caktuar.

Një ditë më parë Kryeministri Edi Rama e ka quajtur “provokim të papërgjegjshëm” të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Hasit për t’i dhënë titullin ‘qytetar nderi’, ish-deputetit socialist Gafurr Mazreku, i cili në dhjetor të vitit 1997 plagosi me armë në parlament Azem Hajdarin.

Pse Lul Basha duhet t’i kërkojë falje Lurës?! (…Dhe një shpjegim për bukën e mikut) – Nga Hekuran Vladi

Kryeministri Edi Rama ishte më 16 Qershor në Lurë. Unë e përshëndeta dje dhe po e përshëndes sërish këtë vizitë të tij në vendlindjen time. Kam disa vjet, që jam në frontin e sulmuesve të qeverisë dhe Ramën e kam personazh kryesor. Dje e bëra pushim. Sot, në mëngjes, u ula të lexoj çfarë ka bërë ndonjë zullum qeveria nëpër atdhe dhe unë të vazhdoj avazin tim të preferuar, kritikën ndaj qeverisë dhe shefit të saj.

Por nuk të lë Luliiiiiiii! Shihni çfare lexova: “…Me anë të një njoftimi, Partia Demokratike, ka thënë se biznesi i Llesh Doçit, bujtina që ai ka në Lurë, është ndërtuar nga paratë e trafikut të drogës…”

Ky të acaron, por unë do ruaj pak qetësinë dhe të rrjeshtoj disa argumenta, në mënyrë që të shohim pak më qartë e të gjykojmë pak më kthjellët. I. Kryeministri dhe Lura Së pari, shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut dhe Lura është një Krahinë-Kampion në këtë përkufizim elitar të civilizimit. Lura nuk e përmend bukën e dhënë, e jep dhe nuk e kërkon, thjesht të fut borxh. Së dyti, në këndvështrimin tim professional, kjo vizitë kishte, së paku, tre gjëra pozitive për Lurën: – Dje, në Lurë kanë qenë më shumë kamera, se kurrë në historinë e saj. Kjo “ushtri” kameramanësh, operatorësh e gazetarësh dje patën mundësinë të ri-freskojnë pamjet reale të mrekullisë natyrore shqiptare, e cila isht nxirë e vazhdon të nxihet me pamje të para 15 viteve nga cakenj të fondeve për mjedisin. Tashmë, nëpër televizione e rrjete sociale gjysma e pamjeve do të jenë të përditësuara dhe do te paraqesin realitetin e bukurisë së Lurës e kësisoj më shumë turistë do vërshojnë në Lurë, ani se nuk ka akoma një rrugë të hajrit. Sic vërshojnë në Theth a gjetkë. – Dje, në Lurë ka qenë i pari i vendit. Mbreti Zog ka qenë një javë në Lurë në vitet ’30 për pushime. As Enveri, as Saliu nuk qenë kurrë në Lurë. Kjo vizitë solli në vëmendjen e të gjithëve Lurën. Mbështetësit politikë të Ramës do vazhdojnë të thonë “bravo”, me një argument më shumë, Lurën, ndërsa kundërshtarët politikë të tij do vazhdojnë t’a sulmojnë atë, por tashmë do kenë një argument më shumë, Lurën. – Dje, në Lurë Rama bëri disa premtime. Po të isha Kryeministër, do t’i isha lutur të ma shkruante Rama fjalimin, aq i saktë ishte me ato që tha. Se sa do t’i mbajë premtimet, unë ndaj pesimizmin me një shumicë të madhe shqiptarësh. Cështja është se, edhe në politikë “E para është fjala”. I pari kryeministër që jep fjalën në Lurë dhe për momentin është një gjë e mire për Lurën. II. Emri Llesh Doçi dhe Lura Meqë emri Llesh Doçi u bë objekt diskutimi publik sot, po ju kujtoj, që Lura njeh në historinë e saj shumë burra me këtë emër, të gjithë nga e njëjta derë. Po të flas pak për tre prej tyre. – Llesh Nikollë Doçi, që jetoi në periudhën mes shek. XVI-XVII. Ishte prijësi i Betejës së famshme të Fushës së Shehrit në Dibër, e cila hyri në histori dhe u bë legjendë me emrin “Beteja e 300 duvakëve”. Pashai turk kishte kërkuar 300 vajza për ushtarët e tij dhe Paria e Dibrës, me në krye Llesh Doçin i bënë atij surprizën e madhe, djem të mbuluar me duvak, në vend të vajzave. Ja cfarë thotë kënga o Lul dibrani: “… Selim Pasha prej Stamollës kërkon bijën e Llesh Nikollës… …Një selam e pret Sulltani m’preu ushtrinë Llesh Dibrani Një selam ja cojmë na vetë një selam si nji tërmet… Selim Pasha moj herxhele t’mbet ushtria nër zabele si me ra ujku ndër dele…” Ky ishte një Llesh Doçi, o Luli. U vra në atë betejë. Mund të të duket si përrallë, por kjo është histori, është histori e Lurës, është histori e Dibrës. E Dibrës dhe në atë betejë mund të kenë qenë edhe të parët e tu, ndaj shko dhe pyet njëherë në Dibër, se cfarë iu thotë emri Llesh Doçi. – Llesh Zef Doçi, i cili jetoi në periudhën mes shek. XX-XXI. Kaloi nëpër tre periudha të historisë, Lufta II botërore, komunizmi dhe Lëvizjet demokratike. Ishte një etalon i inteluaktualizmës së kohës së vet, një simbol i qëndresës anti-komuniste, një nga mësuesit e pare të Lurës dhe të Dibrës. Jetoi e vdiq si Mësues. E njohin gjithë Dibra dhe shko pyet gjithashtu në Dibër për Llesh Doçin, pasi do të të tregojnë se cfarë iu thotë ky emër, gjithashtu. – Llesh Lekë Doçi, i cili ka lindur në vitet ’60 dhe jeton akoma. Mësues i gjuhës dhe letërsisë në Shkollën “Dom Nikollë Kacorri”, Lurë. I persekutuar, që fëmijë, por që kur u bë burrë u kthye në Lurë. Ai po ndjek traditën e të parëve të vet në mësimdhënie, që fillon me Kolë Bibë Doçin – Mësuesin e pare të Lurës (1908), Llesh Zef Doçi (1948), etj, etj. Për kujtesën tuaj, po ju them që është kushëri i Dom Nikollë Kaçorrit (Antar i Kongresit të Manastirit, Rilindas dhe Zv.Kryetar i Qeverisë së Vlorës) dhe kushëri i Gjokë Doçit (Hero i Popullit). Këtë Llesh Doçin e ri, qe e ke permendur sot, e njoh unë dhe do t’jua tregoj kush është dhe cfarë bën. III. Pastrimi i parave dhe Lura. Dy investime strategjike ka në Lurë, që të dyja hidrocentrale, të licensuara në kohën e qeverisë ku ju ishit ministër. Që të dyja këto investime janë në kohën dhe në vendin e vet dhe po punojnë shumë mire, krahasimisht me 90% të hec-eve të vendit. Unë po mbaroj një studim në lidhje me pastrimin e parave në energjitikë dhe emrat e tyre nuk më dalin askund. Dy investime familjare ka në Lurë, një hotel me 15 dhoma dhe një bujtinë me 2 dhoma. Që të dyve jua kam bërë unë personalisht planin e biznesit. I kam ndjekur në zhvillimin e këtij biznesi, që kur mbanin llac e tulla bashkë me fëmijët, deri sot. Hoteli është pasuri e Hasan Hotit nga Lura, i cili u mor me tregëti, që në fillimet e ’90-ës, ndërsa bujtina është e Llesh Doçit, i cili u kthye në Lurë para rreth 20 vitesh, në shtëpinë e të parëve të vet. Le të merremi pak me të dytin. Në vitin 2006 Kulla e Doçit, me të drejtë, u bë Muzeu Etnografik i Lurës.

Llesh Doçi, një mësues shembull e me reputacion të madh të trashëguar ishte kandidat i koalicionit të PD për zgjedhjet lokale në 2011-ën. Nuk fitoi, pasi PD e Dibrës nxorri një kandidat ”të pavarur”, i cili mori me orientim nga “lart” elektoratin e Lurës, në mazhorancë me PD.

Me vizionin e vet, me nxitjen e shumë amerikanëve e anglezëve e me nxitjen time personale, pavarësisht mundësive të limituara, punoi për hapjen e bujtinës. Se harrova t’ju them që në shtëpinë e tij flitet anglishtja si shqipja.

Por, sa ka kushtuar bujtina e mësues Llesh Docit?

Unë i kam shënimet e mia, por për momentin do t’ju them që ka kushtuar më pak se 1/30 e një apartamenti të atij pallatit në Vlorë, që lartësoi një pensionist – vjehërr i një kryetari partie. Pa llogaritur paratë e truallit, pasi Llesh Doçi e ka ngritur në token e vet, nuk i ka dhënë askujt përqindje. Ama, sa kushton bujtina e mësues Llesh Docit sot? Kushton shumë-shumë herë më shumë, pasi ajo është aty dhe do të trashëgohet në breza. Jo si pallati i atij pensionistit-vjehërr, që ka pastruar paratë e dhëndrrit-kryetar. Pallati kushtoi në ndërtim dhjetra milionë euro dhe tani nuk kushton asnjë qindarkë, është sërish rërë, kurse bujtina kushtoi në ndërtim qindra euro e tani kushton mijëra e do kushtojë akoma më shumë nesër.

A ka këtu pastrim parash? Kam dy shpjegime për këtë pyetje:

Djersa, që bëhet flori, nuk quhet pastrim parash, o Lul. Ka erë të keqe e është e pakëndshme, por e pasuron njeriun, e pasuron me flori dhe me nder. – Shpjegimin e dytë, atë me letra, do t’ia bëj gjykatës, asaj gjykate, që do t’ju thërrasë pas padisë për shpifje. Llesh Doci është mësues dhe besoj që do t’i drejtohet gjykatës, jo ndonjë forme tjetër për këtë shpifje të ndyrë që lëshuat këtë mëngjes vere. Të gjitha analogjitë me ngjarje, apo personazhe të familjes së Llesh Doçit nuk kanë asnjë lidhje me biznesin e tij të vogel, mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të të cilit do t’a degjoni në gjykatë.

Për t’a mbyllur. Lura nuk ia përmend bukën mikut. Edi Rama ishte mik në Lurë dje dhe Lura e priti tek Kulla e Doçit. Krejt shqiptarët, ku janë, edhe në Labëri, edhe në Gjakovë, edhe në Dibër, kanë të njëjtin zakon mikpritje. Ndaj, po ta kujtoj, që nuk ke as kokë, as këllqe t’i tregosh Lurës se ku ta presë mikun. Je i ftuar në Lurë dhe tek Kulla e Doçit do të të presim edhe ty. Por, para ftesës, duhet të bësh një gjë tjetër: T’i kërkosh falje Lurës!