Operacion i paprecedentë me koordinim të lartë, furnizim në ajër dhe përdorim intensiv të inteligjencës në kohë reale
Qindra avionë luftarakë amerikanë dhe izraelitë fluturojnë vazhdimisht mbi Iran, duke pritur momentin për të goditur objektivat e tyre ose për të neutralizuar udhëheqjen në Teheran.
Me mbrojtjen ajrore iraniane që tashmë duket e paaftë për t’iu përgjigjur sulmeve amerikane dhe izraelite, pasi, sipas Donald Trump, “forcat ajrore dhe detare të vendit janë zhdukur, udhëheqësit e tij janë zhdukur dhe teknologjia kundërajrore është shkatërruar”, interes paraqet mënyra konkrete se si zhvillohet në praktikë veprimi i përbashkët i SHBA-së dhe Izraelit.
Që në fillim, forcat e koordinuara amerikano-izraelite kishin planifikuar operacione “pa precedent” për të konsoliduar epërsinë ushtarake ndaj Iranit, për të shkatërruar lëshuesit e raketave dhe fabrikat ushtarake, si dhe për të marrë kontrollin e hapësirës ajrore të kundërshtarit.
Pilotët e forcave ajrore izraelite dhe oficerët e kundërzbulimit nuk kishin zhvilluar më parë një operacion të kësaj shkalle, ndërsa për të gjetur një rast të krahasueshëm në historinë e forcave ajrore amerikane duhet të kthehemi disa dekada pas.
Së fundmi, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se sapo të arrihet epërsia ajrore, Izraeli dhe SHBA do të kenë liri të plotë veprimi për të vazhduar fushatën e nisur të shtunën, më 28 shkurt, me synim shkatërrimin e lëshuesve të raketave dhe objekteve prodhuese të Iranit.
“Do të përdorim bomba precize me peshë 500, 1.000 dhe 2.000 paund (deri në rreth 900 kilogramë), të drejtuara me GPS dhe lazer, nga të cilat disponojmë pothuajse furnizim të pakufizuar”, deklaroi Hegseth.
Ndarja e detyrave
“Rreth njëqind avionë janë gati të ngrihen nga Izraeli çdo gjashtë orë. Me shumë gjasë, disa qindra ndodhen mbi Iran në çdo moment. Është një fabrikë”, deklaroi një gjeneral izraelit në rezervë.
Avionët furnizohen me karburant në ajër nga cisterna amerikane, duke u mundësuar të kryejnë rotacione gjashtëorëshe dhe të qëndrojnë për periudha të gjata mbi Iran. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një forcë ajrore që disponon vetëm disa qindra avionë, ndërsa “pilotët duhet të flenë”, shtoi ish-oficeri, sipas Le Monde.
Në Tel Aviv funksionon një tjetër “fabrikë”, e cila përditëson vazhdimisht objektivat e ushtrisë. Një njësi kontrolli ajror, e përbërë nga oficerë të inteligjencës dhe forcave ajrore, u cakton pilotëve, ndonjëherë për vetëm pak minuta, detyra për të goditur objektiva në Iran në formacion grupor. Këto njësi menaxhojnë dhe përditësojnë vazhdimisht “bankat e objektivave”, të cilat krijohen kryesisht nga informacioni që mbledhin avionët F-35 gjatë fluturimit.
Forcat ajrore amerikane dhe izraelite, të cilat stërviten së bashku prej tre dekadash dhe përdorin të njëjtin pajisje, kanë ndarë hapësirën ajrore iraniane, korridoret e hyrjes dhe detyrat që duhet të kryhen. Forcat izraelite kanë marrë përsipër mbulimin e Teheranit dhe veriut të vendit, ku kanë kryer shumë sulme ndaj qendrave komanduese, duke detyruar, sipas Izraelit dhe qeverisë iraniane, transferimin e kompetencave operative te komandantët lokalë.
Ato kanë kryer gjithashtu eliminime të synuara në kryeqytet dhe kanë goditur objektiva politikë, ndërkohë që sulmojnë depo raketash në pjesë të tjera të vendit.
Nga ana tjetër, ushtria amerikane ka përqendruar fuqinë e saj më të madhe goditëse në jug të Iranit dhe në objektiva detare. Qëllimi është mbrojtja e monarkive aleate të Gjirit nga raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme, si dhe nga marina iraniane.
Forcat ajrore amerikane kanë vendosur më herët mbi Iran avionë stealth F-22, të aftë për të depërtuar thellë në territorin iranian, si dhe bombardues B-2, të pajisur me municione me depërtim të thellë, të cilat mund të shkatërrojnë lëshues raketash dhe fabrika të fshehura nëntokë, objektiva që Izraeli nuk kishte arritur t’i godiste gjatë luftës së qershorit 2025.
Situata aktuale
Avionët amerikanë dhe izraelitë duken si “skifterë” që patrullojnë qiellin mbi Teheran dhe qytete të tjera iraniane, duke pritur momentin për të goditur.
Koha e qëndrimit në ajër për secilin avion mbetet e vështirë të përcaktohet, pasi detajet operative janë të klasifikuara.
Sipas ekspertëve, në të kaluarën janë regjistruar fluturime të pandërprera deri në nëntë orë nga avionë luftarakë njëvendësh. Kjo lejon të konkludohet se, duke pasur parasysh numrin e madh të cisternave amerikane për furnizim në ajër, pilotët dhe avionët mund të qëndrojnë për shumë orë në mision.
Izraeli disponon rreth 260 avionë luftarakë. Shumë prej tyre janë dyvendësh, si F-16 dhe F-15. Në këto avionë, kontrolli mund të ushtrohet si nga piloti kryesor ashtu edhe nga bashkëpiloti, çka lejon ndërrimin gjatë fluturimit dhe një periudhë të shkurtër pushimi për secilin.
Sa i përket numrit të pilotëve, megjithëse të dhënat janë tepër sekrete, vlerësohet se për çdo avion izraelit ka rreth gjashtë pilotë, të cilët, në kushtet e operacioneve intensive të ditëve të fundit, alternohen vazhdimisht. /Përshtati Pamfleti/