VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Qëllohet në mes të Vjenës milioneri shqiptar, ndau Marinën nga i dashuri

By | June 3, 2017

Komentet

Më 25 nëntor 2012 u nda nga jeta atdhetari dhe diplomati i shquar Gani Azemi

Më 25 nëntor 2012 u nda nga jeta atdhetari dhe diplomati i shquar Gani Azemi.

Gani Azemi lindi më 1951 në fshatin Babush, afër Gadimes së njour në Kosovë për shpellën e saj të famshme me kristalet e mrekullueshme. Ndoshta këtu, ku dhe mbaroi studimet e para, ai u formua si idealist i kristaltë, me shpirtin e lirisë dhe dashurinë e pakufishme për vendin e tij, Kosovën. Mbaroi normalen e Ferizajt e më pas universitetin e Prishtinës. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u përfshi në protestat dhe demonstratat e vitit 1968 për “Kosovën Republikë” dhe natyrshëm një protestues i kësaj moshe nuk mund ta tradhëtonte veten e tij në asnjë moshë tjetër.

Prandaj nuk iu nda veprimtarisë patriotike për një Kosovë të lirë e të pavarur, derisa nën presionin e forcave të sigurisë e të shërbimit të fshehtë serb u detyrua më 1978 të arratiset nga vendi e të kërkonte azil në Bruksel. Eshtë interesant fakti se kur Ganiu u arratis nga Kosova në Perendim po kryente shërbimin ushtarak në armatën jugosllave. Të guxoje të ikje nga ai shërbim ishte një guxim i dyfishtë, që shprehte veç tjerash vendosmërinë e tij për të sfiduar regjimin e Beogradit në Kosovë. Një sfidë, të cilën pak njerëz e kanë realizuar. Dhe për këtë arësye Gani Azemi ishte në shënjestër të goditjeve dhe të atentateve të UDB-së.

Shërbimi sekret serb nuk mund të pranonte këtë sfidë, si dhe devotshmërinë dhe punën atdhetare të tij me qëllim lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Prandaj u përpoq që ta likuidontë atë fizikisht, siç kishte bërë me patriot të mëdhenj të asaj kohe si Jusuf e Bardhosh Gërvalla (1981) apo Enver Hadrin më vonë (1990). Ai u largua dhe dezertoi nga ustria jugosllave pas një dhune e torture të zgjatur në kohë, për ç’shkak ishte dobësuar dhe do të përballes edhe me ndonjë sëmundje. Ashtu, I dobët, por me vullnet të fortë Ganiu i tha “JO” shërbimit ushtarak, i tha “JO”, torturës e dhunës fizike e psikologjike të regjimit të Beogradit.

Gani Azemi u shfaq në Bruksel asokohe jo si një punëkërkues, por si një luftëtar lirie. Shpirti i lirisë ishte dhe shpirti i Kosovës, e cila pak më vonë do të bëhej përsëri pre e dhunës dhe terrorit serb. Ndodhën ngjarjet e vitit 1981, të krahasueshme me ato të vitit 1968, dhe Prishtina e qytete të tjera të vendit u pushtuan nga tanket, ushtria dhe policia federative e Jugosllavisë (saktësisht Serbisë).

Zoti Azemi prej këtij momenti organizoi mërgatën e Brukselit, më pas të të gjithë shqiptarëve në Belgjikë e më vonë me ndikim tek e gjithë mërgata në Europë e deri në Amerikë, për të denoncuar dhunën shtetërore të Beogradit në Kosovë. Denoncimi i atyre veprimeve antihumane e antishtetërore ishte një detyrë parësore për shumë arësye.

– Sepse Serbia ishte shfaqur para opinionin europian si viktima e shqiptarëve dhe e kombeve të tjera në Ballkan dhe me evidentimin e dhunës serbe e denoncimin e saj, ajo do të shihej me sytë e një realiteti ekzistues.

– Sepse shqiptarët, ata në Shqipëri dhe shumë shqiptarë të Kosovës në diasporë nën ndikimin e ideologjisë komuniste hoxhiane, u shfaqën në opinionin perendimor si nacionalistë, si njerëz problematikë, që duan të ndryshojnë hartën e Ballkanit me dhunë. Ky qëndrim i Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, duke thirrur në ndihmë të pushtetit nacionalizmin e përforcoi përceptimin se “serbët janë vërtet viktima të shqiptarëve”. Në vend të ankoheshin shqiptarët, ankoheshin serbët, në vend që shqiptarët të qanin për varret që hapeshin, ata mburreshin me heroizmat e tyre dhe me dëshmorët fiktivë të tyre, duke e ndihëmuar procesin e viktimizimit të Serbisë e të serbëve.

Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, Gani Azemi punoi me mish e me shpirt për bashkimin e diasporës shqiptare në botën e Perendimit dhe për këtë qëllim bashkëpunoi ngushtë me shumë patriot të tjerë me emër, si Jusuf Gërvalla në Gjermani e Hysen Gërvalla në Zvicër. Në këto përpjekje ai u shpreh gjithnjë kundër indoktrinimit të shqiptarëve me ideologjinë komuniste, që vinte si propagandë e regjimit komunist të Tiranës. Sipas tij “nuk fitohet përkrahja e botës demodratike me parulla komuniste, por vetëm duke kërkuar mbrojten e të drejtave të njeriut dhe të popullit për shqiptarët të Kosoves”. Duket se Deklarata e të Drejtave Universale të Njeriut si dhe zhvillimet që kishte marrë mbrojtja e këtyre të drejtave pas Konferencës së Helsinkit kishin shënuar një ndikim të jashtëzakonshëm te ai.

Bashkatdhetarët e tij mërgimtarë e mbajnë mend Gani Azemin si një personalitet me cilësitë e një njeriu të mençur e të urtë, karizmatik e më një zë të fuqishëm si vocal e në përmbajtje, si një intelektual që ushqente besim, krijonte atmosferë entusiazmi dhe dëshmonte fuqinë e mendimit të tij patriotic e demokratik. Vokali i tij ndoshta ishte i trashëguar nga babai, i cili ishte një imam (hoxhë) I zoti në fshatin e tij të lindjes.

Gani Azemi nuk u tundua nga kjo lloj megalomania, u tërhoq nga vetëmburrja. Ashtu i qetë, paqësor, dukë prodhuar gjithnjë energji positive ai iu ngjiz jo vetëm fakteve, ngjarjeve, të dhënave, argumenteve që prodhonte sidomos grupi për të Drejtat e Njeriut, të cilin ai e drejtonte bashkë me Enver Hadrin, por i tillë u shfaq para bashkëbiseduesve europianë. Rastësisht ose jo ai jetoi dhe militoi në kryeqytetin e Europës së Bashkuar. Aty gjeti bashkëbisedues të shumtë, me të cilët kontaktoi çdo ditë e çdo orë, duke ndarë me ta ngjarjet e Kosovës, sidomos dhunën e terrorin serb që ushtrohej mbi shqiptarët. Nuk u ndal asnjë moment dhe punoi me përkushtim në marrëdhënie të ngushtë me politikanët e diplomatët europianë të Brukselit, me median europiane, me personalitete të kulturës dhe shkencës. Bashkëshortja e tij, Mejreme Azemi, e cila është ende sot e angazhuar me shtypin dhe medien në Bruksel, u bë një mbështetje e jashtëzakonshme për Gani Azemin, duke krijuar kështu një çift të aftë e të suksesshëm në përpjekjet e mundimshme në ndihmë të çeshtjes kombëtare shqiptare.

Natyrisht që dalja e Dr. Ibrahim Rugova ne skenën politike dhe të lidershipit të Kosovës krijoi një hapësirë të re për përpjekjet e vazhdueshme të diasporës shqiptare në ndihmë të çlirimit të vendit nga sundimi e dhuna e Serbisë. Duhet thënë se diaspora e shqiptarëve të Kosovës mund e duhet shënuar si kontribuesja kryesore e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe për shkak të pamundësive për të vepruar në territorin e saj. Gani Azemi kishte shumë arësye të ishte në një linjë me Rugovën e të bëhej krahu i djathtë i tij në kryeqytetin europian, ku vendimmarrja ishte shumë domethënëse për lirinë e shqiptarëve. Ai kishte një profil të lartë intelektual, kishte kapërcyer, ashtu si edhe Rugova, nëpër shumë realitete të dhimbshme për vendin, kishte marrë pjesë në barrikadat e luftës për liri, kishte një përvojë të gjatë të luftës “guerile” kundër pushtetit e dhunës serbe në Kosovë. Nga ana tjetër kishte një temperament të qetë, e urrente protagonizmin, por punonte fort për të informuar botën demokratike për çka po ndodhte në Kosovë. Ai ishte i urtë, i kthjellët, karakteristika këto që i pëlqenin liderit historik të Kosovës.

Për të gjitha këto arësye mund të thuhet se Rugova dhe Gani Azemi u mirëkuptuan që së paku në Bruksel të plotësonin njëri-tjetrin. Nëpërmjet Gani Azemit Ibrahim Rugova ishte çdo ditë i pranishëm në Parlamentin Europian e në Komisionin Europian, por edhe në Këshillin e Europës. Ai u bë urëlidhëse midis Prishtinës e Brukselit si dhe mbështetja kryesore e Ibrahim Rugovës në ndërtimin e promovimin e çeshtjes shqiptare të Kosovës në Bruksel. Dhe jo vetëm në institucionet europiane, por edhe në selinë e NATO-s Gani Azemi u gjend kurdoherë si bashkëbisedues dhe ndërlidhës i politikave të lëvizjes çlirimtare të Kosovës me interesat, konjukturat dhe rrethanat në të cilat duhej të vepronte Aleanca e Atlantikut.

Nëse ka patur ndonjë lidhje të qëndrueshme e të pakompromis për lirinë e Kosovës midis dy personaliteteve, si dhe midis Kosovës dhe Europës, midis Prishtinës dhe Brukselit, kjo lidhje padyshim mund ta marrë emrin si lidhja midis Dr. Rugovës dhe Gani Azemit. Në këtë mënyrë zoti Azemi u bë “ambasadori” i parë i presidentit Rugova në Bashkimin Europian, u formua praktikisht e teorikisht si një diplomat i klasit të lartë, u shqua për një marrëdhënie miqësore, mirëkuptimi e kompromisi me partnerët e tij të politikës dhe diplomacisë euripiane e euro-atlantike, duke shkuar hap pas hapi te krijimi i bindjes se “Kosova vuan një regjim aparteidi”, dhe se “duhet dalë nga kjo situatë dhune e terrori të pandërprerë të regjimit të Milosheviçit”. Sa më shumë shtohej terrori serb në Kosovë, aq më shumë i rriste Gani Azemi kredencialet e vendit të tij dhe përçonte argumentet e ndërhyrjes nga jashtë për zgjidhjen e konfliktit.

Por edhe kur lindi UÇK, ai me shumë maturi e largpamësi dalloi se lëvizja paqësore e Dr. Rugovës dhe Lëvizja e Armatosur për Çlirimin e Kosovës ishin dy aleatë të pandashëm për lirinë e saj. Qenë shumë pak ata njerëz që Luftën dhe UÇK-në e kuptuan dhe e interpretuan si të tillë, si zgjatim i përpjekjeve të shqiptarëve për liri e pavarësi, fillimisht përmes lëvizjes paqësore active të refuzimit të regjimit serb në Kosovë. Ndër ta spikati Gani Azemi, duke dhënë mesazhin e bashkimit të shqiptarëve në luftën kundër përpjekjeve të Milosheviçit për asgjësimin e tyre.

Pas Luftës Gani Azemi thjesht iu gëzua çlirimit të Kosovës dhe mbeti gjithnjë besnik i vijës së urtë e filozofisë përbashkuese të presidentit Rugova. Ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, qeveria e Kosovës e emëroi Gani Azemin si këshilltar-Ministër në ambasadën e saj në Bruksel. Nuk e di nëse do të gjendej apo u gjet ndonjë diplomat tjetër si ai për ta përfaqësuar Kosovën si ambassador në kryeqytetin europian! Por ky aspekt nuk është çeshtje që mund të trajtohet në këtë homazh me rastin e 4 vjetorit të asaj dite të dhimbshme, kur njeriu i urtë e besnik i Rugovës dhe i Kosovës ndërroi jetë.
I vendosur në Bruksel më 1978 si refugjat politik, Gani Azemi për dekada të tëra ishte aktivist i palodhshëm për lirinë dhe pavarësisë së Kosovës.

Angazhimi i tij ishte i pareshtur e i shumanshëm, si gazetar, publicist, aktivist e diplomat.

Puna dhe veprimtaria e pakursyer dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Azemit, është shoqëruar përherë nga synimi i paepur për sensibilizim të vendimmarrësve në Bruksel me kauzën e Kosovës.

Gani Azemi ishte në ballë të një numri nismash, përfshirë edhe si bashkëthemelues i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ndërsa gjatë tri viteve të fundit shërbeu si këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.

“Është shumë e vërtetë, një shembull i cilësisë gjermane”, Merkel 15 vjet kancelare, çfarë shkruan “Le Parisien”

Urime, por jo vetëm, mbërritën për Angela Merkel, në 15-vjetorin e saj si kancelare.

Gazeta franceze “Le Parisien” e shfrytëzoi përvjetorin si një mundësi për të intervistuar politikanë me të cilët Merkel ka mbajtur konsultime dhe negociata gjatë gjithë karrierës së saj.

“Ajo është deri tani personaliteti më i madh politik në Evropë”, gazeta citoi të thoshte ish-ministri i Jashtëm francez Bernard Kouchner.

“Merkel është një grua që di të jetë e fortë, por kurrë e vështirë”, theksoi ai.

“Merkel është shumë e vërtetë, një shembull i cilësisë gjermane”, kujton Jean-Marc Ayrault, i cili ishte kryeministri i Francës nga 2012 në 2014.

“Ajo gjithashtu mund të jetë e besdisshme, sepse ndonjëherë është shumë e ngadaltë, jo shumë e tronditur”, shtoi ai.

Politikanët e tjerë francezë gjithashtu e përshkruan kancelaren gjermane si dikë që merr kohë për vendime të rëndësishme.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, uroi përmes ‘Twitter’ dhe shkroi se “kancelarja Merkel ndërmori hapa vendimtarë për ta bërë Europën më të fortë në kohë sfiduese dhe është sot një nga udhëheqësit më të respektuar në botë”.

Në tetor 2018, udhëheqësja e demokristianëve në pushtet në Gjermani (CDU) njoftoi se nuk dëshironte të kandidonte përsëri në zgjedhjet federale 2021.

Në dhjetor 2018, Annegret Kramp-Karrenbauer, një kryeministre landi, u zgjodh si pasardhësi i saj në krye të CDU. Alternativa e krahut të djathtë për Gjermaninë (AfD) në konferencat e saj thotë shpesh se “Merkel duhet të ikë!”. “Duroni njerëz, edhe një vit ka mbetur”, shkroi ligjvënësja e AfD, Joana Cotar

Më 20 nëntor 1975 u nda nga jeta diktatori Francisco Franco

VOAL – Francisco Franco Bahamonde lindi më 4 dhjetor 1892 në El Ferrol, një qytet port në Spanjën veriperëndimore (në rajonin e Galicisë) jo shumë larg La Coruña. Familja e klasës së mesme është e lidhur tradicionalisht me marinën. Fëmijëria e tij nuk është me fat: prindërit e tij ndahen dhe Francisco nuk duket se ka shumë dashuri për babanë e tij, të cilin ai do ta përshkruajë si introvert dhe të ndrojtur.

Francisco Franco hyn në Akademinë Ushtarake të Toledos në moshën 14 vjeç: ai është një nga kadetët më të rinj dhe më të shkurtër. Pesë vjet më vonë ai bëhet një oficer dhe kërkon të përfshihet në ushtrinë afrikane. Përvoja e tij afrikane filloi në vitin 1912 dhe do të ketë ndikim të konsiderueshëm në formimin e karakterit dhe aftësive të tij profesionale.

Franco është një oficer trim. Ai u plagos disa herë dhe madje rëndë. Falë vlerës së tij dhe angazhimit të tij, emri i tij shumë shpejt u bë i njohur dhe figura e tij e rëndësishme në mjedisin ushtarak.

Në vitin 1920 ai u bashkua me radhët e Legjionit, një elitë ushtarake vullnetarësh, prototipi njerëzor i të cilit është aventurier. Ai shquhet për shqetësimin e tij për nevojat e ushtarëve, por edhe për qëndrueshmërinë e tij dhe parimin e disiplinës. Me kalimin e kohës ai u bë një mjeshtër në luftën afrikane falë njohjes së tij me manovrat e vogla, mbështjellëse në terrene të ashpra. Karizma e tij është ajo e një mbrojtësi të vendosur të autoritetit moral të ushtrisë.

Karriera e tij ushtarake ishte e shpejtë dhe e shkëlqyer: më 1923 ai ishte nënkolonel, dy vjet më vonë kolonel dhe në 1926, në moshën 34 vjeç, gjeneral brigade.

Gjatë diktaturës së Përgjithshme të Primo de Rivera kishte mosmarrëveshje me të në politikën afrikane dhe u emërua drejtor i Akademisë Ushtarake të Zaragoza, ku shumë prej profesorëve ishin ushtarët Africanist. Franco kritikon natyrën provizore të diktaturës së Primo de Rivera, megjithatë disa nga bashkëpunëtorët e tij do të jenë shtyllat themelore të regjimit të tij të ardhshëm.

Ai pranon pa asnjë entuziazëm shpalljen e Republikës së dytë dhe nuk e miraton shpërbërjen e Akademisë së Zaragozës nga qeveria Republikane, udhëheqësit e së cilës e konsiderojnë Frankon gjeneralin e vetëm me të vërtetë të rrezikshëm për përvojën socialiste-republikane. Pavarësisht kësaj, në dy vitet e dyta Ministri Radikal Hidalgo e emëron Shef Shtabi: shqetësimi i tij i parë është t’i japë forcë shpirtit ushtarak përmes Gjykatave të Nderit dhe të përmirësojë kushtet materiale të ushtrisë.

Francisco Franco bashkëpunon gjithashtu në drejtimin ushtarak të shtypjes së Revolucionit Asturian të vitit 1934.

Para luftës civile ai mbante një pozicion politik shumë të izoluar. Ai është një profesionist i ushtrisë dhe figura e tij identifikohet me ide konservatore, por të moderuara. Ashtu si shumüe ushtarakë të tjerë të garnizonit në Marok, ai urren profesionin e politikanit, të cilin ai e konsideron shkakun e sëmundjeve të Spanjës. Tashmë në atë kohë mentaliteti i tij ishte anti-liberal edhe pse nuk ishte ekstremist. Ai gjykon politikanët të jenë “kukulla të neveritshme” dhe tashmë në një nga shpalljet e para të korrikut 1936 ai deklaron se spanjollët janë “ngopur me ta”.

Idetë themelore të linjës së Frankos para luftës civile janë nacionalizmi ekstrem dhe anti-komunizmi. Në realitet, ideologjia e tij kristalizohet në vitet midis 1933 dhe 1939: në këtë periudhë ai fillon të manifestojë fetarinë e tij dhe interpretimin e tij të thjeshtë për të kaluarën historike të Spanjës, konceptuar si një luftë e përhershme midis disa forcave tradicionale, fetare dhe patriotike dhe të tjerëve. antikombëtare dhe që lidhen me masonerinë.

Vendimi i tij për të ndërhyrë në luftën civile (1936-1939) ishte i vonuar, por i qartë dhe që nga fillimi ai aspiroi të ushtronte përgjegjësi supreme politike. Francisco Franco nuk duket si asnjë figurë tjetër historike e epokës bashkëkohore që ushtroi pushtetin në vetën e parë. Ai vinte nga prejardhje njerëzore dhe ideologjike shumë të ndryshme nga ato të Hitlerit ose Musolinit dhe aftësia oratorike e tyre nuk mund të krahasohet me pakësimin e gjesteve dhe të fjalës që ishte i diktatorit Spanjoll.

Ai takohet me Hitlerin në Hendaya në 1940 dhe Musolinin në Bordighera në 1941. Pavarësisht presionit nga Gjermania dhe Italia, Franco e vendos Spanjën në një pozicion neutraliteti.

Në vitin 1950 ai u martua me Carmen Polo, nga një familje e shquar Asturiane.

Pasi u vendos përgjithmonë në Madrid në pallatin Pardo, Franco gjithnjë e më shumë paraqitet si mbreti i Spanjës së re. Dhe bashkë me të gruaja e tij Carmen, e ngritur në gradën e mbretëreshës gjatë ceremonive. Franco pret që gruaja, siç ndodhi me zonjat e aristokracisë, të drejtohet me ndajshtimin señora. Gjatë festimeve zyrtare, marshi mbretëror luhet kur shfaqet señora.

Si një monark absolut, gjatë mbretërimit të tij të gjatë Franco do të grumbullojë tetëmbëdhjetë prona, dhurata prej katër milion pesetash dhe qindra medalje ari përkujtimore të dhuruara nga qytete dhe institucione. Gruaja do ta shkrijë këtë të fundit në shufra.

Ushtria është për Frankon institucioni më i shenjtë e i rëndësishëm dhe ai i konsideron virtytet ushtarake si më të mirat. I dashur për disiplinën, ai e praktikon atë dhe e kërkon atë në politikë, të cilën e konsideron si përmbushje të detyrës së tij. Anë të tjera të karakterit të tij janë qetësia dhe kthjelltësia që përfshijnë ftohtësinë e tij të njohur, e cila qëndron në kontrast të plotë me shtysën dhe entuziazmin e shumë protagonistëve të jetës publike.

Mënyra e veprimit e Frankos pothuajse gjithmonë konsiston në mos nxitimin e gjërave. Përballë një veprimi të shkëlqyeshëm, kontradiktor dhe shpesh të hutuar që karakterizoi diktaturën e Primo de Rivera, Franco zbaton metodën e paravlerësimit dhe lejimit të kalimit të kohës t’i zgjidhë problemet.

Kjo ndihmon për të shpjeguar kohëzgjatjen e gjatë të pushtetit të tij që do të vazhdojë deri në vdekjen e tij më 20 nëntor 1975 në Madrid për shkak të sëmundjes së Parkinsonit./Elida Buçpapaj

Më 20 nëntor 1942 lindi Joe Biden, Presidenti i 46 i SHBA

VOAL – Joe Biden, emri i plotë i të cilit është Joseph Robinette Biden Jr, lindi në Scranton, Pennsylvania (SHBA) më 20 nëntor 1942. I njohur për rolin e tij si numri dy gjatë presidencës së Barack Obama në 2020 Joe Biden është Presidenti i 46 i SHBA i dalë nga votat e 3 nëntorit 2020. Në këtë biografi të shkurtër të Biden, ne zbulojmë jetën e jashtëzakonshme të kësaj figure kryesore në politikën amerikane: nga sukseset politike te tragjeditë personale, të kapërcyera falë një karakteri të fortë dhe një shpirt gazmor.


Joe Biden: një karrierë e rëndësishme politike

I lindur nga prindër katolikë të prejardhjes irlandeze, Catherine dhe Joseph Biden Sr. Joe Biden është i pari i një familjeje të madhe: Joe ka një motër më të vogël, Valerie dhe dy vëllezërit më të vegjël James dhe Frank. Në vitet 1950, babai i tij përjetoi vështirësi të konsiderueshme në gjetjen e punës në qytetin e vogël të Scranton, gjë që bëri që familja të transferohej në Delaware në 1953; këtu babai bëhet një shitës i makinave të përdorura.

Pas diplomimit në 1961, Joe Biden ndoqi Universitetin e Delaware për të studiuar histori dhe shkenca politike. Gjatë vitit të tij të vjetër ai takon Neilia Hunter, gruan që më vonë bëhet gruaja e tij. Joe zgjedh të ndjekë kursin për të ndjekur një drejtim në drejtësi. Në 1968 ai u diplomua për juridik, duke u bërë avokat; praktikë e mëvonshme, por me pak sukses.

 

Megjithëse nuk e konsideron veten shumë politikan, ai i afrohet kauzës së Partisë Demokratike në të njëjtën kohë, pjesërisht për shkak të mospëlqimit të tij ndaj presidentit të atëhershëm Richard Nixon.

Përvojat e para politike

Në 1970 Joe Biden kandidoi për këshillin lokal të qytetit në Delaware; fiton dhe më pas vendos të synojë për pozita më të larta politike. Në vitin 1972 ai u zgjodh në rolin e senatorit, duke përfaqësuar shtetin e tij: vetëm në të tridhjetat ai u bë anëtari më i ri i Senatit, një pozicion që e mbajti deri në vitin 2009. Gjatë mandatit të tij, ai mbajti poste të ndryshme, përfshirë atë të Presidentit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit.

Një thirrje për presidencën

Në 1988 ai kandidoi për në zgjedhjet paraprake Demokratike, duke pretenduar se ishte frymëzuar nga modeli i Punës, por u mund nga Michael Dukakis. Ai përpiqet përsëri në 2004, vetëm për të hequr dorë në favor të John Kerry. Në janar 2007 ai provon përsëri vrapimin e tij për në Shtëpinë e Bardhë. Sidoqoftë, në vitin 2008 ai njoftoi se po tërhiqej nga gara për shkak të rezultateve të dobëta të arritura në grupin parlamentar të Iowa-s.

Barack Obama, kandidat dhe më pas fitues i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008, zgjedh Joe Biden si zëvendësin e tij: së bashku ata mposhtin çiftin e republikanëve McCain-Palin dhe krijojnë një nga marrëdhëniet më solide të parë ndonjëherë midis një presidenti dhe numrit dy të tij.

Në vitin 2020 ai ende po kandidon për zgjedhjet presidenciale: pas një fillimi të ndrojtur, fitoret në shtetet e Jugut dhe në shtetet e tjera kryesore – për numrin e votuesve – e bëjnë atë emrin kryesor të Partisë Demokratike.

Jeta private e Joe Biden: Tragjeditë dhe forca e karakterit

Si fëmijë Joe Biden e kupton se ai ka një formë belbëzimi dhe e detyron veten ta kapërcejë atë duke memorizuar fjalime të gjata. Ky përkushtim e çon atë të shkëlqejë në të folurit në publik.

Në vitin 1969, gruaja e tij Neilia, e martuar disa vjet më parë, lind djalin Beau. Vitin pasues, lindi fëmija i dytë, Hunter Biden; në 1971, Neilia lind një vajzë, Naomi Christina.

Pas zgjedhjeve në 1972, për fat të keq, Biden nuk është në gjendje të festojë suksesin për shumë kohë: vetëm disa javë pas zgjedhjeve, gruaja e tij Neilia dhe tre fëmijët janë përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik. Neilia dhe vajza Naomi, vetëm një vit, ata mbeten viktima; Fëmijët Beau, tre vjeç dhe Hunter, dy vjeç, duke lënë të plagosur rëndë. Muajin pasardhës, Biden betohet në Senat nga shtrati i spitalit të djalit të tij Beau, pasi të dy djemtë janë ende duke u rikuperuar nga plagët e tyre.

Sa i rëndësishëm është roli i Biden si senator, fëmijët mbeten përparësia numër një në një kohë kaq delikate në jetën e tij dhe të tyre.

Vite më vonë Biden gjen lumturinë kur takon Jill Jacobs, një mësuese e shkollës së mesme, me të cilën martohet në 1977.

Katër vjet më vonë Jill lind vajzën Ashley Biden.

Në vitet në vijim, Joe kapërcen dhimbjet familjare dhe vështirësitë personale për të arritur suksesin politik dhe propozon idetë e tij për ndryshime në sektorë të ndryshëm.

Sidoqoftë, gjatë mandatit të dytë të Obamës si deputet, tragjedia familjare troket përsëri në derën e Biden: në maj 2015, djali i tij Beau Biden vdes, vetëm 46 vjeç, nga një tumor në tru. Në varrim, Presidenti Obama lexon lavdërimet.

Vdekja e Beau inkurajon babanë e tij që veçanërisht të mbështesë kërkimin e kancerit përmes veprimeve të tij politike.

Natyra e veçantë e Joe Biden duket se është virtyti që e ndihmon atë të durojë tragjedi personale, të kapërcyera me shkathtësi gjatë jetës së tij.

Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Më 7 nëntor, pas disa ditësh pritje për shkak të fletëve të votimit dhe rinumërimit të votave, Joe Biden u zgjodh President; është presidenti i 46-të amerikan. Së bashku me të, Kamala Harris zgjidhet, gruaja e parë që mban rolin e nënkryetarit në historinë e Shteteve të Bashkuara./Elida Buçpapaj

 

Më 19 nëntor 1863 Presidenti Abraham Lincoln mbajti fjalimin e famshëm të Gettysburgut

Lufta Civile Amerikane – Më 19 nëntor 1863 Presidenti Abraham Linkoln mban një fjalim në ceremoninë e përkushtimit të varrezave për ushtarët e rënë në betejën në Gettysburg (1 – 3 korrik 1863). Fjalimi  i tij zgjati vetëm dy minuta, dhe një gazetë e kohës e quajti “fjalim që do të mbulohej nga mjegulla e kohës”. Por ndodhi e kundërta, fjalimi i Getisburgut sot u mësohet fëmijëve të shkollave për recitim, dhe cilësohet si më i rëndësishmi në historinë amerikane; ndërsa gazeta Patriot News, pasardhëse e gazetës Patriot & Union e cila botoi komentin nënçmues më 1863, vetëm pak ditë më parë, 13 nëntor 2013, në një shkrim të saj kërkoi ndjesë duke thëne se redaktorët e asaj kohe nuk e kishin kuptuar “rëndësinë e momentit, elokuencën e përjetshme dhe rëndësinë e vazhdueshme të fjalimit të presidentit Linkoln.” Beteja në Gettysburg, u zhvillua nga data 1 deri më 3 korrik të vitit 1863, fitorja e saj nga ushtria e Unionit shënoi pikëkthesën në luftën civile, që përfundoi më 1865 me fitoren e forcave të bashkimit.

Fjalimi i Linkolnit në varrezat e të rënëve në Gettysburg

“87 vjet më parë etërit tanë krijuan në këtë kontinent një komb të ri, konceptuar në liri dhe perkushtuar në pohimin se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Tani ne jemi angazhuar në luftë të madhe civile, provim nëse ky komb ose çdo komb i konceptuar dhe i përkushtuar në këtë mënyrë mund të durojë gjatë. Ne jemi mbledhur në një fushë-betejë të kësaj lufte të madhe. Kemi ardhur t’ia përkushtojmë një pjesë të kësaj fushe, vend-pushimit përfundimtar për ata që këtu dhanë jetën që ky komb të mund të rrojë. Kjo është krejt e nevojëshme dhe përshtatshme që duhet t’a bëjmë. Por, në një kuptim më të gjërë, ne nuk mund t’a përkushtojmë – nuk mund t’a bekojmë – nuk mund t’a shenjtërojmë – këtë tokë. Burrat trima, të gjallë e të vdekur, të cilët luftuan këtu, e kanë shenjtëruar atë, pëmbi fuqisë sonë të pakët për të shtuar apo hequr. Bota pak do të vërë re, pak do të mbajë mend çfarë ne themi këtu, por ajo kurrë nuk mund të harrojë çfarë ata bënë këtu. Kjo është për ne të gjallët, të përkushtohemi për punën e papërfunduar të cilën ata të cilët luftuan këtu deri tani kaq fisnikërisht e avancuan. Eshtë për ne që të përkushtohemi për detyrën e madhe të mbetur para nesh – që nga këta të vdekur të nderuar të marrim përkushtim në rritje për kauzën për të cilën ata dhanë masën e fundit të plotë të përkushtimit – që ne këtu të vendosim se këta të rënë nuk kanë vdekur kot – se ky komb, nën Perëndinë, do të ketë një lindje të re të lirisë – dhe se qeveria e popullit, nga populli, për popullin, nuk do të zhduket nga faqja e dheut.”

ZHAN VALZHANI Nga Muçi Xhepa

Sheshi “Skënderbej” ishte shkretuar i tëri. Neoni përkrah xhamisë herë ndizej e herë fikej. Errësira përzier me shiun e akullt të shtonte frikën. Përbindëshi sapo kishte ngrënë numrin dy. Çezari, miku im i ngushtë, nguli këmbë të shkonim te “Xhamllëku”. Brenda, një grua pa uniformë pastronte lokalin.
– Kam vetëm spinaq me vezë, – tha ajo.
Vezët e zhytura në ujin e spinaqtë ta prisnin oreksin. Nuk kishim marrë ende pjatat, kur te dera u shfaqën tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Ishin lagur deri në palcë. Vajza, që dukej rreth dhjetë vjeç, më e rritura ndër ta, iu afrua gruas dhe i kërkoi për të ngrënë. Ajo e urdhëroi të dilte jashtë. Çezari i dha pjatën e tij; ashtu bëra edhe unë dhe u larguam. Çezari banonte te halla dhe më kërkoi ta shoqëroja. Rrugës folëm për vrasjen. Kur iu afruam hotelit të vogël, përballë “Zërit të Popullit”, dëgjuam zërin e sportelistit t’u çirrej tre fëmijëve që kishim lënë te Xhamllëku.
– Dilni jashtë! – thërriste, duke i shtyrë me dorë.
U afruam. I pyetëm. Vajza, duke qarë, tha se nuk kishin ku të kalonin natën. Ora po afronte nëntë; Çezarit i duhej të shkonte. Unë e kisha lënë me një mik për të marrë prej tij fjalorin gjermanisht-anglisht dhe, meqë rruga kalonte pranë konviktit të vajzave të mjekësisë, i mora fëmijët me vete. Kur u afruam te dera e konviktit, e këshillova vajzën e madhe t’i lutej dezhurnit të kalonin natën atje. Prita jashtë. Pas pak fëmijët dolën duke qarë.
– Na përzuri, – tha me dënesë vajza.
Së largu u duk miku im; ecte ngadalë, duke tërhequr këpucët e shkelura te thembrat. Me njërën dorë shtrëngonte nën sqetull çantën, ku mbante studimin për gjuhën shqipe, kurse me tjetrën përpiqej të drejtonte çadrën, që ia rrëmbente era. Ndriçimi i neonit mbi trotuar ishte i zbehtë. Ndonëse kaloi fare pranë, ai nuk më njohu.
– Zhan Valzhan, – i thirra, – Fantinës ia kanë flakur Kozetën në rrugë.
Qeshi me zë të brendshëm, të thellë.
– Hajdeni zogj në çerdhen time, – i ftoi, pa pyetur se cilët ishin.
I mblodhi rreth vetes dhe të pestë morëm rrugën për te banesa tij. Toka, vende-vende, ishte me pellgje uji dhe baltë. Shtegu kalonte përmes një rrëpire të pashtruar e përfundonte në një hendek të madh, që e kaluam me vështirësi. Djali më i vogël mbahej fort te këmba e tij. Filluam të ngjisim shkallët, që nxinin pus. Në katin e tretë, atij i rrëshqiti këmba e me zor u ngrit. Kur arritëm në katin e pestë, hoqi një copë tulle nga korniza e derës, nxori një çerek qiriri, e ndezi me vështirësi, hapi derën dhe, duke u kthyer nga hyrja përballë, tha:
– Ai atje më ka prerë dritat.
Në atë apartament banonte një punonjës policie. Sapo hymë në kuzhinë, dhoma e tij e punës, nxori nga një dollap i vogël pesë qirinj, nga një për secilin. I vendosi në parvazin e dritares, i ndezi me kujdes dhe me zërin që kumbonte qiellor u tha fëmijëve:
– Mirë se erdhët, engjëj të shenjtë!
Vajza e vogël vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë e me lot gëzimi i tha:
– Xhaxhi, ti je si ne!
Atë ditë fëmijët kishin ardhur nga Shkodra të takonin babanë e tyre te Burgu i Ri. I kishte sjellë njerka, e cila, pasi kishte mësuar se të shoqit ia kishin kthyer dënimin në politik, i kishte braktisur. Të nesërmen në mëngjes, Petro Zheji, antikomunisti trim, pasi i ushqeu dhe u preu biletat fëmijëve “armiq”, me dashuri hyjnore i përcolli për Shkodër.
(Ky tregim është pjesë e librit “Në sirtar, tregime” të autorit Muç Xhepa.)
Petro Zheji

Në Restorantin “SOLE” ku flitet shqip

E papritura më e këndshme (e gjithë jetës sime) ndodhi kësaj vere, teksa miqtë e mi Afife dhe Tanush Frashëri më ftuan për të vizituar Venecian dhe Vjenën.
Përveç mrekullive të kryeqytetit austriak, të ngrënat: drekat dhe darkat i kalonim tek Restoranti “SOLE”, i cili ndodhet në zemër të Vjenës, jo larg Teatrit të Operës të Vjenës dhe ndërtesës së famshme të Shoqatës së Muzikës (Musikverein) ku jepen koncertet e Vitit të Ri, ky lokal i bukur gjendet në rrugicën e këndshme dhe mrekulluese “Annagasse”.
Aty të gjitha ndërtesat janë të stilit barok, të shekullit XVII e të XVIII, përfshirë edhe Kishën Shën Anna në mes të rrugicës – e cila i ka dhënë emrin të gjithë rruginës.
Kur po kalonim nëpër rrugicën “Annagasse”, ende nuk kishte rënë nata dhe befas dëgjojmë melodinë “O sole mio” interpretuar nga dy instrumentistë, thuajse përballë Kishës Shën Anna ndodhet Restoranti “SOLE” i ndërtuar 34 vite më parë prej zotëri Akim Nuredinit, ardhur në Vjenë nga fshati Kajan i Tetovës.
Pronarin e restorantit zotëri Akim Nuredinin nuk e takuam dot pasi ai kishte shkuar për të parë ndeshjen e Real Madridit së bashku me tenorin e famshëm Placido Domingon, të cilin e ka mik të ngushtë.
Sapo afrohemi pranë hyrjes së restorantit na përshëndesin mirëseardhjen në gjuhën shqipe (aty punojnë disa kamerierë italianë që flasin shqip si edhe Matilda, një zonjë nga Elbasani, madje në ditët e pastajme, Xhovani italiani na pyeti: (… me hudhër apo pa hudhër?… ).
Së pari takuam Fatmirin, djalin e dytë të zotëri Akimit, ai ka studiuar biznes është një djalë shumë simpatik, që na njeh me të dashurën e tij italiane, një vajzë shtathedhur, e bukur me sy që i shkëlqejnë veshur fare thjesht me një bluzë të bardhë dhe pantallona xhins ngjan fort me vajzat tiranase, ajo flet fjalë shqipe me shqiptim të saktë dhe kur i them vargjet e poetit: “Në zemër tënde vetëm unë, / në zemër time vetëm ti / dhe jashtë bota përgjimtare / dhe jashtë syri plot zili”. (Vajza pyet vetëm për kuptimin e fjalës “zili”).
Djali i madh i zotëri Akimit, Naseri ishte një tjetër befasi edhe ai ka studiuar menaxhim biznesi (po e them me fjalë të thjeshta profesionin e tij) në Eton Sussex në Angli atje ku kanë studiuar Princi Charles i Uellsit, bijtë e tij princat William dhe Harry si edhe Princesha Kate, bashkëshortja e William-it. Naseri flet një anglishte të përkryer dhe qëndrimi, sjellja e tij tregojnë veç fisnikëri. Këta dy bij të zotëri Akimit përveç punëve të tyre vijnë dhe punojnë në restorantin e babait të tyre.
Ky restorant me këtë emër kuptimplotë është frekuentuar dhe frekuentohet nga personalitete të artit, muzikës, politikës, të cilët sikur kanë gjetur aty “shtëpinë e tyre”. Kështu mund të përmendim dirigjentë të shquar: Pierre Boulez, Daniel Barenboim, Lorin Maazel, Seiji Ozawa, Zubin Mehta, Mariss Jansons, etj. Solistë e soliste të shquar: Placido Domingo, Edita Gruberova, Anna Netrebko, Thomas Hampson, Jose Carreras, Jonas Kaufmann, Cecilia Bartoli, Saimir Pirgu, Elina Garanca, Albano, Angelica Kirchsclager, Ramon Vargas, Juan Diego Florez e të tjerë. Gjithashtu koncertmaestro dhe Intendentë të operave, instrumentistë: Julian Rachlin, Vladimir Malakhov, basi Ferrucio Furlanetto, baritoni Dmitri Hvorostovski, Intendentja e Operës së Napolit, një dirigjent francez dhe po një koncertmaestër francez e të tjerë. Në Restorantin “Sole” kanë lënë gjurmë edhe politikanë si: Bill Clinton, Heinz Fischer (President i Republikës Austriake), kryeministra dhe lista nuk mbaron, por vazhdon…
Një restorant kaq i famshëm me kaq shumë njerëz të famshëm.
Pronarit të Restorantit “Sole”, familjes së tij, punonjësve të papërtuar ju uroj që t’u bëhet rruga e jetës Diell!

Aki Nuredini me Aida Garifullina dhe Plácido Domingo

 

Telegramet makabre: “Varini në litar, në Maliq, aty ku kryen sabotimin!”

 

 

Telegramet nga populli ku kërkohej ekzekutimi me vdekje i inxhinierëve dhe teknikëve të akuzuar për sabotim gjatë tharjes së kënetës së Maliqit…

Më 8 nëntor 1946, në kinemanë Nacional në Tiranë u hap gjyqi ndaj 11 inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit, arrestuar një pjesë prej tyre që në datën 28 shtator 1946 dhe pjesa tjetër në vijim deri në datën 24 tetor 1946. Ata ishin ing. Abdyl Sharra, ing. Aleks Vasili, gjeometrat Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, bashkëshortja e ing. Vasil Manos, kroatja Zyrika Mano dhe punëtorët Jani Vasili dhe Anastas Risto, të cilët i akuzonin si korrierë të të parëve. Në valën e dytë të arrestimeve ishin prangosur ing. Vasil Mano, gjeometri Mihal Stratobërdha dhe llogaritari italian Eugenio Scaturo, për ta mbyllur këtë fazë me arrestimin e ing. Kujtim Beqirit më 24 tetor 1946. Të 11 të arrestuarit akuzoheshin për sabotim. Gjyqi po bëhej i hapur. Jashtë ndërtesës së kinemasë ishin vendosur altoparlantë të mëdhenj, me anë të të cilëve qytetarët e Tiranës ndiqnin gjithçka flitej brenda.

Akt-akuza vinte në dukje se: “Të gjithë të pandehurit e mësipërm që kanë qenë me përgjegjësi të ndryshme për tharjen e Maliqit dhe që kanë pasur lidhje me elementë të jashtëm, janë të akuzuar se kanë kryer sabotime të rënda duke i shkaktuar shtetit dëme të mëdha. Gjithashtu specifikohet se për të kryer këto sabotime, të pandehurit kanë kryer mbledhje të fshehta, që u kanë raportuar të huajve rreth punimeve dhe që kanë ndjekur urdhëresat e tyre për kryerjen e sabotimeve”.

Të gjithë të akuzuarit, me përjashtim të gjeometrit italian Mario Guarnieri, e pranuan akuzën për sabotim dhe kërkuan mëshirën e trupit gjykues. Shumë prekëse ishte fjala e fundit para gjyqit e ing. Vasil Manos, i cili nuk kërkoi mëshirë për vete, por për bashkëshorten e tij, Zyrikën.

Gjykata vendosi fajësinë e të gjithë të pandehurve duke i cilësuar si sabotatorë dhe armiq të popullit. Dy drejtuesit e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, u dënuan me varje në litar; ing. Vasil Mano, bashkëshkortja e tij Zyrika dhe llogaritari italian Eugenio Scaturo u dënuan me pushkatim; gjeometrat Pandeli Zografi dhe italiani Mario Guarnieri me burgim të përjetshëm; gjeometri tjetër Mihal Stratobërdha u dënua me 10 vjet burg dhe punë të detyrueshme; punëtori Anastas Risto 2 vjet burgim e punë të detyrueshme; ndërsa 16-vjeçari Jani Vasili u dënua “1 vjet burgim me kondicional, me kusht që të mbajë sjellje morale e politike të mira”. Për të dënuarit me burgim u urdhërua gjithashtu konfiskimi i pasurisë së tyre personale dhe humbja e të drejtave qytetare e politike. Ekzekutimi i dënimit me vdekje u vendos të bëhej në Maliq.

Momenti i pushkatimit të inxhinierëve të Maliqit, mes tyre edhe Zyrika Mano, e cila u ekzekutua ndërsa ishte shtatzënë

Ndërsa perdja e pjesë së parë të kësaj tragjedie kishte rënë, një skenar i dytë po thurej me shpejtësi në zyrat e larta të Sigurimit të Shtetit. Ata kishin vendosur ta shfrytëzonin mirë këtë ngjarje për të eliminuar të gjithë kundërshtarët potencialë të regjimit komunist dhe këshillonin të vazhdonin arrestime të tjera në Maliq dhe të gjendeshin lidhjet që inxhinierët dhe teknikët e Maliqit mund të kishin edhe me inxhinierë dhe teknikë në Ministrinë e Punëve Botore në Tiranë, apo gjetkë në Shqipëri. Kështu, ende pa mbaruar procesi i parë i Maliqit, një tjetër proces po ndërtohej. Më 29 tetor 1946, organet e Sigurimit të Shtetit arrestuan ing. Aleks Vasili, gjeometrat Mirush Përmeti, austriakun Hans Vala, shoferin Lambi Napuçe dhe mjekun italian, Golfredo Paskual Rizo. Akuza ishte e ngjashme si për grupin e parë. Ata po gjykoheshin si armiq të popullit, sabotatorë të pushtetit dhe anëtarë të grupit të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit .

Më 21 nëntor 1946, gjithashtu në sallën e kinemasë “Nacional” filloi gjyqi i hapur edhe për këtë grup.

Gjatë zhvillimit të gjyqit, ata pranuan hapur që nuk kishin simpati për regjimin e vendosur në Shqipëri, ata gjithashtu pranuan se në Maliq punët nuk kishin ecur siç duhet, kishte pasur vonesa, mungesë organizimi etj.. Ata, madje, e konsideruan veten fajtorë që nuk kishin folur më herët për këto problematika që kishin vënë re në Maliq, por në përfundim të procesit ata nuk pranuan që të kishin sabotuar dhe të kishin qenë pjesë e ndonjë grupi sabotatorësh. Mungesa e pranimit të fajësisë nuk e pengoi prokurorin e çështjes të kërkonte dënim me vdekje për ing. Aleks Vasilin dhe gjeometrin Hans Vala dhe burgime të rënda për tre të tjerët. Ajo nuk e pengoi as gjykatën që në përfundim të gjyqit të jepte dënim me vdekje për ing. Aleks Vasilin dhe gjeometrin Mirush Përmeti. Hans Vala, gjeometri austriak, i cili kishte punuar në shumë zona të Shqipërisë që prej vitit 1940, u dënua me 30 vjet burgim, mjeku italian Golfredo Rizo me 10 vjet burgim dhe Lambi Napuçe me 5 vjet.

Këto dy procese shënojnë një prej njollave më të errëta në historinë e regjimit komunist. Ata shënuan fillimin e një lufte pa kompromis që do të zhvillohej në të gjithë shtresat intelektuale në vend.

Për ta legjitimuar në popull edhe për procesin e inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit, regjimi do të organizonte “revoltën” popullore ndaj tyre, me letra e telegrame ku ende pa u mbyllur gjyqi kërkohej dënimi me vdekje për ta.

Kujto.al sjell këtu një grup telegramesh dërguar nga të katër anët e vendit, ku kërkohej me ngulm dënimi kapital për ta. Gjuha e urrejtjes në këto telegrame është gjuha që do të përdorë regjimi që prej këtyre proceseve të para e për dekada me radhë, deri në ditët e fundit të tij.

Telegramet

Qeverisë Demokratike Tiranë

Ne puntorët dhe nëpunësit e Minierës Bakrit Rubikut, të mbledhun në nji konferencë të gjanë, shprehim kënaqësinë për aprovimin e vendimit të gjyqit kundra bandës së sabotatorëve të liqenit të Maliqit.

Ne që punojmë me të gjithë forcat, na që kemi dhanë dëshmorë në punë për të ngritur sa ma parë ekonominë t’onë, kërkojmë që qeverija të jetë e pamëshirshme kundra këtyne elementave që për të robëruar popullin shiten tek të huajtë.

Kundra mbeturinave të fashizmit neve do të jemi të pamëshirshëm. Gjyqi i Tiranës na hapi sytë. Ende anmiqtë e popullit nuk ngopen me djersën dhe gjakun tonë, pra neve për këtë kërkojmë:

VDEKJE ANMIQVE TE POPULLIT.

RROFTE PUSHTETI POPULLOR.

VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT

Punetoret e Minierës Bakrit Rubikut

Firmat

Vrasja e korrespondentit të “Reuters” dhe New York Times, Nebil Çika -12 nëntor 1944/ Kur pushkatohej një gazetar!

Vrasja e korrespondentit të “Reuters” dhe New York Times, Nebil Çika, bashkë me 13 intelektualë të tjerë.. Kur Tirana po priste marshin e komunistëve që do të zbrisnin nga malet për të marrë pushtetin…. Historia tragjike e çiftit simpatik në kryeqytetin e viteve ’40, publicistit dhe përkthyesit të spikatur Nebil Çika dhe italianes Elssa Martineli.  

Nga Luljeta Progni

Disa të panjohur, të armatosur, u shfaqën në portën e shtëpisë së Nebil Çikës, natën e 12 nëntorit të vitit 1944. Ishte kohë darke. Nebili bashkë me të shoqen, Elsa Martinelli dhe kunatin, Aleks Mavraqi ishin ende në tryezën e bukës. Ishte kohë e trazuar…Tirana po priste marshin e komunistëve që do të zbrisnin nga malet për të marrë pushtetin.

Nebil Çika ishte një ndër gazetarët më në zë të kohës, publicist dhe përkthyes i shquar.  Elsa ishte një vajzë e mirarsimuar në Itali. Ajo ishte bija e një arbëreshi që ish dashuruar me djalin e talentuar dhe kish lënë Italinë për të jetuar me të, në Shqipërinë e varfër. Nata e 12 nëntorit 1944, do ta kthente përmbys gjithë jetën e tyre sepse njerëzit e panjohur e morën me forcë gazetarin Nebil Çika dhe kunatin e tij, Aleks Mavraqi për ta çuar te skutat e hotel “Bristol”, prej nga nuk do të kthehej më kurrë. Nebil Çika bashkë me Aleks Mavraqin dhe intelektualë të tjerë të asaj kohe si Ismail Petrela, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Syrja Kokalari, Reshat Stërmasi, Muharrem Lleshi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari, Ali Panariti u vranë mizorisht nga komunistët. U vranë pa gjyq, pa bërë asnjë faj, u vranë sepse ishin intelektualë të shquar që kishin kontribuar për atdhe. U vranë sepse ishin personalitete që do të ktheheshin në telash për diktatorin.

 

 

 

Kur do të vritej, Nebil Çika ishte ende korespondent i dy mediave shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Ditët e nëntorit 1944 kur komunistët shpallën fitoren ndaj pushtuesve, redaksia e agjensisë telegrafike angleze “Reuter” dhe ajo e New York Times, prisnin lajmet nga korespondenti i tyre në Tiranë Nebil Çika. Por shpejt ata do të merrnin lajmin se ai ishte pushkatuar.

Elssa e kish marrë vesh lajmin e pushkatimit disa ditë më vonë, kur kufomat e 14 intelektualëve u gjenden të dekompozuara në ambjentet  e Hotel Bristol. Pak ditë më pas Elsa do të arrestohej si “armike e popullit“ për ta kaluar dy vite nëpër qelitë e burgjeve të diktaturës, që kishin nisur të ngriheshin në Tiranë e gjithë Shqipërinë. Sepse të parën gjë që bëri udhëheqja komuniste ishte kthimi i shtëpive në burgje. Vënde ku do të ekzekutohej apo burgosej deri në asgjësim, e gjithë elita intelektuale e Shqipërisë.

Elsa Martinelli qëndroi në burg për rreth dy vite derisa u riatdhesua nga qeveria italiane. Ishte shtetase italiane, nga familje arbëreshe. Pas dy vitesh tortura nëpër burgjet komuniste, Elsa do të kthehej zemërthyer në vendin e saj. Do të largohej nga Shqipëria ku kishte përjetuar çastet më të bukura të jetës së saj, por edhe ato më të dhimbshmet. Kish kaluar kohët e bukura të rinisë në krah të djalit nga Preveza që u shkollua në auditoret e universiteteve të Perëndimit, gazetar, publicist, përkthyes i Kantit dhe Niche-s e shumë filozofëve të tjerë evropianë. Themelues i gazetës “Arbënija”, drejtues i revistave “Minerva” e “Java”,“Miku i Librit”, Bota e re”.

Elsa ishte një zonjë e arsimuar dhe me kulturë të lartë që kishte kontribuar në emancipimin e grave në kryeqytet. Ishte diplomuar për Letërsi në Itali dhe pasioni i saj për letërsinë ishte një ndër shkaqet që e kish bashkuar me Nebilin. Elsa e kish shoqëruar me ëndje bashkëshortin, redaksive të gazetave e revistave në pasionet e tij për letërsinë e publicistikën, për përkthimin. Ishte mbështetja kryesore për Nebilin, bashkë me të motrën Ikbal Çika dhe bashkëshortin e saj Aleks Mavraqi.

Në atë kohë, Elsa dhe Nebili ishin ndër personazhet më të dashura në qytetin e Tiranës. Kur kurorëzuan lidhjen e tyre në fejesë, një artikull i dedikohej kësaj ngjarje. Kolegët e tij të revistës “Minerva”, i kushtuan një artikull fejesës me zonjushën Elsa Martinelli. Ishte në një farë mënyre kronika rozë e mediave të kohës.

Shumica e njerëzve e kanë marrë vesh se drejtori i kësaj reviste z.Nebil Çika, u fejua me zonjushën Elsa Martineli. Dhe për së shpejti edhe do të martohen.

Redaksia e kësaj reviste e pa të udhës që të shprehë gëzimin e saj duke botuar bash në këtë faqe fotografitë e çiftit të ri dhe të përfitojë nga ky rast për të thënë nja dy fjalë për drejtorin e saj.

Nebil Çika, gazetar i vuar dhe trim, shkrimtar i mprehtë dhe i dinjitetshëm, nacionalist dhe përparimdashës. Është mjaft i  njohur në botën shqiptare dhe popullin shqiptar. Tërë jeta e tij, tërë energjia dhe mundimi i tij, në çdo rast e në çdo kohë u derdh burrërisht për triumfin e së mirës, të së drejtës dhe sidomos të përparimtares. Në çdo shkrim të tij, në çdo mendim të tij, shihet impulsi i fortë i idealistit që s’lë rast pa shqelmuar traditën e ndryshkur skllavëronjëse dhe pa treguar me gisht nglutas dhe me instikt të sigurt udhët e qytetërimit dhe të lartësimit.

Mbasandaj nga pikëpamja profesionale, nuk besojmë të dyshojë ndokush se Nebili është më i zoti gazetar që ka vëndi ynë sot për sot dhe se “Arbënia”, qoftë si lëndë, qoftë si drejtim e qoftë si shitje, është një sukses i plotë.

Ne pra, redaksia që i rrimë më afër e njohim edhe më mirë, morëm këtë rast për ti uruar një jetë të lumtur dhe një vijim gjithnjë ngulur në misionin e tij të rëndë si shkrimtar dhe mendonjës që ka ndaj shoqërisë shqiptare.

“Minervistë”

Por bashkëjetesa e tyre ishte e destinuar të përfundonte shpejt. Sepse Nebil Çika u pushkatua natën e 12 nëntorit 1944, ndërsa Elsa pas dy vitesh burg, në diktaturën komuniste, u riatdhesua në vendin e saj në Itali. Elsa jetoi me kujtimin e të shoqit deri në fundin e jetës. Historia e tyre mbeti si një ndër ngjarjet e dhimbshme të rinisë së Tiranës në prag të diktaturës.

Intelektuali i pabindur kundrejt çdo regjimi kishte kuptuar pse ishte i papëlqyer nga regjimet kur kritikonte qeverinë e Ahmet Zogut: “E prandaj në regjimin e Zogut klasat drejtonjëse i urrenin mentarët që nuk ishin robëruar prej tyre dhe i luftonin dhe i mënjanonin në dëm të madh të shoqërisë dhe të mirëfunksionimit të saj. Sot nuk i mënjanon kurrkush dhe kanë mundësinë të punojnë e të prodhojnë: Numri i tyre është padyshim shumë i vogël; nuk janë më shumë se njëzet, po të marrim sidomos parasysh prodhimin mendor të vendit.

Ishte shenjestruar nga fashistët si shkrimtari: “që ushtronte influencë të dëmshme, sidomos mbi rininë stundentore, prandaj është e dobishme të ndalohet botimi i një reviste të tillë dhe i botimeve të tilla në përgjithësi”. Për këtë arsye, më 25 nëntor 1940, Nebil Çikën e internuan në Itali. E megjithatë as nga pushtuesit nuk u pushkatua, por u vra nga shqiptarët komunistë që vranë shumë nga intelektualët e Shqipërisë.

E kish parashkruar fatin e tij të keq në artikullin: “Mentarët dhe rrethi shoqëror”. E kur i referohej Saint Simonit, i cili duke folur për elitën franceze kishte thënë: “Po të qe se Franca humbiste papritmas të pesëdhjetë dijetarët e parë të saj, të pesëdhjetë artistët e parë të saj, të pesëdhjetë industrialistët e parë të saj, të pesëdhjetë lëvruesit e parë të tokës së saj, kombi do të bëhej një trup pa shpirt, do t’i ishte prerë koka. Po të qe për kundra se humbiste të gjithë personelin zyrtar të saj, nga kjo gjë nuk do të dilte për vendin veçse një dëm i vogël”.

Por historia rodhi në atë mënyrë që skenari hipotetik i mendimtarit francez do të realizohej dhunshëm në Shqipëri. Vetë Nebili do të ishte ndër të parët mendimtarë që do të vritej padrejtësisht. Trupi i tij dhe i 13 intelektualëve të tjerë, u lanë për disa ditë në Hotel Bristol dhe më pas i morën dhe i zhdukën. Familjet e tyre ende nuk i kanë gjetur eshtrat e tyre. Ndërsa në vëndin ku ndodhej Hotel Bristol, ku sot është Muzeu Kombëtar, nuk është vendosur ende një pllakatë përkujtimore në nderim të tyre.

blank

 

Gjergj Shabani, mësuesi, folkloristi dhe instrumentisti i harruar – Nga Luigj Shabani – Torino, Itali

Kishte kohë që mësuesit veteran dhe filatelistit të njohur shkodran Luigj Shabani i kishim kërkuar të na shkruante rreth figurës së Gjergj Shabanit, ungjit të tij, emrin e të cilit e kishim hasur dendur në revistën e mirënjohur “Kumbona e së Dielles”, në vitet ‘30-’40 të shekullit të kaluar, si mbledhës i folklorit të Mirditës (nga e kishte dhe vetë origjinën e largët), kur ai kishte qenë mësues në Konviktin “Mirdita” të Oroshit, duke nisur nga viti i largët 1929. Kontributi i tij i spikatur si folklorist lidhet me këngët e mbledhura prej tij nëpër Mirditë, të përfshira dhe në serinë “Visaret e Kombit”, botuar në Tiranë, nga viti 1937 e në vijim. Zoti Luigj, që i ka kaluar të 85-at, është i pasionuar pas filatelisë dhe studimit të saj, fotografisë dhe relikteve të tjera të vjetra shkodrane. Organizator i palodhur eventesh në lëmin e filatelisë, tri vite më parë, qe kthyer nga Torinoja ku jeton, në Shkodër, për të çelur një ekspozitë filatelike.

Ai nuk e kishte pasur të lehtë, prej andej (Itali), të gjurmonte të dhëna dhe dokumente rreth jetës dhe veprimtarisë së ungjit të tij artist dhe folklorist, çka kohët e fundit ishte mundësuar nga kërkimet e familjarëve të afërt të Gjergj Shabanit në Shkodër.

Shkodra është një minierë thesaresh kulturore të pashoqe dhe lypet shumë punë për t’i nxjerrë nga harresa, përmes publikimesh kësodore etj. E themi këtë dhe për një fakt; ne kërkonim të zbulonin profilin e Gjergj Shabanit si folklorist, kurse shënimet e tij të intervistës dhënë kompozitorit të njohur Zef Çoba, një çerek shekulli më parë, për “Radio Shkodrën”, zbulojnë jo vetëm pasionin e tij për muzikën popullore si mjeshtër i mandolçelit, por dhe shumëçka nga ahengu i papërsëritshëm shkodran, traditën e karnavaleve në Shkodër etj.

 Ndue Dedaj

 Fëmijëria e Gjergjit, mes Prizrenit dhe Shkodrës

Gjergj Shabani u lind në Prizren me 19 prill 1910. Ishte fëmija i tretë i Gjok Markut dhe i Tereze Palucës, e motra e profesor Ndue Palucës. Gjergji ishte djalë i vetëm, mbas dy vajzave. Paraardhësit e Gjokës kishin shkuar në Kosovë nga Xhuxha e Fandit (Mirditë). Ndërkohë në Mirditë, kishin mbetë dy degë të fisit: Karaçët dhe Begu. Gjoka, baba i Gjergjit, ka lind në Brekoc, ndërsa Tereze Paluca ka lindë në Smaç. Nuk dihet saktësisht koha dhe shkaku i vërtetë i këtij emigrimi në Kosovë, pse e tanë familja e përbame prej dy degësh, ajo e Ndue Shabanit dhe ajo e Gjok Markut, kanë emigrue së pari në krahinën e Gjakovës dhe ma vonë janë vendos në Prizren. Shtëpinë e kanë pasë afër Kishës dhe komshi kanë pasë familjen e Nanë Terezës. Në vitin 1921, apo në fillimet e vitit 1922, Gjok Marku asht detyrue të emigrojë në Shkodër, në Shqipni. Shkaku kryesor që Gjoka emigroi familjarisht nga Prizreni në Shkodër ishte ishte se policia serbe e kishte cilësue si nji ndër bashkëpunëtorët kryesorë që transportonte me pajtonin e tij ilegalisht shumë atdhetarë të Kosovës në rrethina dhe jashtë Prizrenit, përherë të sigurtë në çdo kohë të ditës dhe të natës. Serbët ranë në gjurmët e Gjokës, e arrestojnë dhe pa gjyq e denojnë me pushkatim. Falë aftësive, guximit të tij, në nji moment të përshtashëm, gjatë një përballje për jetë a vdekje, si njohës i mirë i terrenit, hidhet guximshëm në nji rrgadhe dhe fatmirësisht u pështon batareve serbe dhe del kaçak në mal për disa kohë, gjersa ilegalisht arrin të kthehet në Prizren.

Rifillon veprimtarinë me patriotët e vendit. Shokët, miqtë, bashkëpunëtorët e tij e njoftojnë se urgjentisht duhet të lanë Prizrenin, sepse kësaj rradhe dënimi ishte me varje, me rrezikshmeri të naltë. Gjoka del në mal kaçak, ndërsa Terezja, me ndihmën e miqve të familjes në mësheftësi të plotë përgatitet për largim familjar të mënjehershëm. Përcillet prej miqve të familjes dhe në errësinën e natës fillon ikja. Në dalje të Prizrenit, Gjoka bashkohet me pjesëtarët e familjes dhe fillon udhëtimi pa e njoftë terrenin, malesh, pyjesh të pafund me tre fëmijët dhe gruen. Udhëtim shumë i vështirë, i lodhshëm i mundshëm dhe me të papritunat e çasteve e sigurimin e ushqimit.

Mbas shumë vuejtjesh mbërrijnë në Shkodër. Strehën e parë e gjejnë tek Ndue Paluca. Famullia e Shkodrës me interesimin e profesorit të njohur i sistemon në nji shtëpi Kishe.

Në Prizren Gjergji mbaroi disa klasa të shkollës fillore.

Në Shkodër ndjek shkollën plotore të françeskanëve. Dokumenti me Nr. Amze 927, nr. i regjistrit 26, vërteton se Gjergj Shabani ka ndjekë rregullisht këtë shkollë. Ai u asht nënshtrue provimeve të lirimit me rezultate shumë të mira. Dokumenti i datës 8 korrik 1926 mban firmën e drejtorit të shkollës P. Anton Harapi.

Gjergj Shabani, në rendin e IV, ka ndjekë rregullisht mësimet prej datës 10. 10. 1928 deri me12. 2. 1929. Dukumenti nr. 81, Elbasan, më1. 3. 1931, firmosë nga zv. drejtori A. Gashi.

Mësues në Orosh të Mirditës dhe folklorist i pasionuar

Me mbarimin e kësaj shkolle, Ministria e Arsimit, me dekretin nr. 41 Tiranë, 24. IX. 1929, e emnon Gjergj Shabanin mësues në shkollën e Konviktit “Mirdita” në Orosh, me rrogë mujore 120 franga ari. I emnuemi porositet me u gjetë në krye të detyrës më 15 të atij muej, pse me 20 do të fillojnë mësimet rregullisht. Dokumenti nr. 1/1. Drejtori i Konviktit: Ejell Ndoca.

Tërheqin vemendjen dy shkresa të firmosuna prej drejtorit Ndoca.

E para: Z. Gjergj Shabani dha fjalën e besës në mënyrë të ligjës së nëpunësavet. Orosh më 10 tetuer 1929.

E dyta. I emnuemi prej Ministrisë s’Arsimit, me qarkoren nr. 4433, dt. 18. IX.1929, mësues në Fand, me rrogën mujore franga ar 120, u transferue mësues në Konviktin “Mirdita” po me atë rrogë, me shkresën e Ministrisë në fjalë, nr. 4247, dt. 21. IX.1929, për mungesë personelit në këtë konvikt.

Në kohën që Gjergj Shabani shërbeu mësues në Mirditë, vullnetarisht hapi dhe drejtoi vetë dy kurse për të mësuar shkrim e këndim, një për burra e një për gra, rreth 16 vetë. Me lejen e Drejtorit kursin burrave e zhvilloi në shkollë, ndërsa atë të femnave radhazi në dy shtëpi të katundit. Kursi vazhdoi për dy vite mësimore. Qëllimit iu arrit dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë kurs u aftësuen në shkrim dhe lexim. Me shumë sukses Gjergji e realizoi këtë mision të tij. Gjergj Shabani ka meritën se është mësuesi i parë që njohim që punoi për zhdukjen e analfabetizmit në fshat.

Në kohen e lirë, Gjergji i kushtoi nji randësi të veçantë mbledhjes së folkorit në Mirditë. Ai, mblodhi doke, zakone, proverba, kangë të vendit, ato të vajit, të gjamve. Ai kishte aftësi të veçantë me shkrue shpejt e saktë fjalët e kangëtarit apo të vajtojcës në gjamen e nji të vdekuni. Materialin e mbedhun e rishikonte për saktësinë e shkrimit dhe e sistemonte në arshivë. Në Shkodër Gjergji ka botue në disa revista lokale të kohës, si: “Zani Shna Ndout”, “Kumona e së Djelës” etj. “Visaret e Kombit”, ndër të tjera, botojnë nji elegji të bukur të marrun drejtpërdrejt nga vajtojca mirditore. Në fund të materialit ka shënue inicialet e emrit të tij: Gj. Sh.

Unë nuk kam pasë mundësi me hulumtue e me mbledhë shkrimet e Gjergjit në shtypin e atyre viteve të largëta. Baba em dhe agja Gjergji krenoheshin për bibliotekat e tyne familjare. Fatkeqësisht u damtuem më 1945. Në bazë të nji urdhëni të pushtetit të asaj kohë, shumë prej materialeve që kishin ata në bibliotekat e tyne duheshin dorëzue. Për me e zbatue urdhnin e pushtetit, me dy karroca të mbushura me libra, revista të ndalueme, apo materiale të tjera të kësaj natyre duhej me i dorëzue në pikën e grumbullimit të tyne. Baba dhe Axha (Gjergji) u kthyen në shtëpi të randuem shprtnisht e të lodhun moralisht, po edhe të zhgënjyem shumë. E gjithë kjo pasuni nuk u ba pronë e bibliotekës së qytetit, por së bashku me shumë libra, revista e botime të tjera të dorëzueme prej qytetarëve, familjeve të mirënjohura shkodrane, iu vunë zjarrin e i dogjen me ceremoni në oborrin e Gjimnazit të Shtetit. Ky ishte aksioni i parë zyrtar i vendosjes së diktaturës së proletariatit.

Krenaria e dy familjeve Shabani për bibliotekat e tyne u fashit. Por nuk mbaroi me kaq. I vdekuri e kishte lanë litarin jashta. Pak muej ma mbrapa u përhap lajmi i kobshëm, i frikshëm se nji gjamë e madhe e pret popullin e Shkodrës. Nji kontroll i befasishëm, i rreptë, i pamëshirshëm do të ushtrohej në qytet. Ankthi, tmera, pasiguria qe jo vetëm për pronarët e bibliotekave private, por të gjithëve u kishte hymë frika në palcë. Në Shkodër kishte shumë intelektualë, familje të mirënjohura që kishin fonde të mira botimesh me vlera të mëdha dhe të trashigume ndër breza.

Në prag të këtij “cunami” të rrezikshëm për prindin dhe axhën tim, çka duhej ba për shumë materiale që nuk i kishin dorëzue simbas urdhnit të parë?! Të gjitha shtigjet ishin të mbylluna dhe pa rrugë dalje. Atyne u kishin mbet dy rrugë për zgjedhje: ose jeta e tyne e matejshme pa travlajë, ose shkatrrimi dhe zhdukja e çdo materiali që rrezikonte burgun?!.. Zgjodhen të dytën. Gjithshka tjeter u shkatrrue, u dogj dhe u tret në tokë. Ata dolën nga ajo “betejë” me humbje të mëdha materialesh unikale që nuk zëvendësoheshin kurrë ma. Stuhia revolucionare bolshevike mundet që ka përla shumë dokumenta shkrimore të Gjergj Shabanit, që nuk gjenden ma përjetë të jetës. Si e pa besueshme më duket të mund të ketë shpëtue ndonji shkrim, mbetë në ndonji skutë.

Gjergj Shabani dhe ahengu shkodran

(Sipas një interviste të tij të vitit 1944 dhënë kompozitorit Zef Çoba për “Radio Shkodrën”)

Vendosja e Gjergjit me punë në Shkodër ishte me randësi për ahengun shkodran, që i kushtoi vite të tana të jetës së tij. U lidhë ngusht dhe bashkëpunoi fuqimisht me të ahengxhijt ma të vjetër në moshë se ai. Ai ishte i vetmi muzikant që zotnonte shkëlqyshëm 5 instrumenta, të cilët përdoreshin në grupin e ahengut popullor. Virtuoz ishte në përdorimin e mandolçelit dhe të mandolinës.

Ai ka lanë në dorëshkrim15 fletë të formatit A/4, intervistë me profesor Zef Çobën, i ftuem në Radio Shkodra, më 23 Maj 1994. Intervista asht e ndame në 3 tri pjesë. Në pjesën e parë tregohet për formacionin e grupit të ahengxhijve, që përbëhej prej 4-5 instrumentave, si qemale, saze, fyell, dajre, pare të vogla dhe dy kangëtarë. Veshja e ahengxhijve ishte me kostum kombëtar. Në përgjithësi ata ishin artizanë, marangosa, rrobaqepës, këpucarë etj. Rreshtohshin kambëkryq përpara nji safrabezi të endun bukur në tezgjah, ku vendoseshin shishet e rakisë mezet e të tjera. Programi çelej me kangën “Nji tubë drandofile ta çova për dashni”. Ahengu mbaronte tue zbardh drita e ditës së re dhe mbyllej me kangën “Kur fillon drita me dalë”. Provat parapërgatitore basheshin në shtëpitë e ahengxhijve. Përparësi kishin shtëpitë me oborr të madh dhe me hajat. Shpenzimet e pijeve e të tjera i përpjesëtonin në mes tyne. Banorët e rrugicave përreth ishin spektatorë të rregullt të tyne deri edhe në mbarim të programit. Ata ishin njiheri dhe vlerësusit e tyne.

Gjergji kujtonte me nderim të ndjerin Mark Hil Mosi, me të cilin kishin oborrin e përbashkët në përdorim. Nësa po bashim aheng na afrohet e na thotë: “Sa mirë do të ishte me qenë në maje të Taraboshit dhe mi i ra veglave tueja e flladi me i marr dhe me i shpërnda kangët mbi Shkodër dhe me i ndigjue populli! Ju këndoftë gjithmon shpirti dhe zemra e juej se na jepni kënaqësi shumë…”

Në intervistë, Gjergji, njohës i mirë i muzikës popullore, i ban nji analizë të hollësishme evolucionit që pësoi ndër vite grupi i ahengut shkodran me të rejat e kohës tue hy instrumentat e dorës. Formacionet e reja që linden apo u krijuen, zgjanuen dhe zbukuruen në mënyra të ndryshme orkestracionin e kangëve e tjera… Synimet e Gjergjit ishin: perfeksionimi i matejshëm në zotnimin e artit të muzikës,vlerësimi, çmimi i kolegëve të aftë dhe dëshira me luejt në grup me ata, të cilët i kanë njoftë mirë kangët popullore të ahengut shkodran. Ndër shumë të tjerë kolegë ai përmend: Paulin e Karlo Palin, Ndoc e Kin Kumrinë, Latif Çokun me violinë, Kolë Lufin virtuozin e violinës, Xhevat Boriçin me klarinetë, Adem Manin artistin e dajres, Dush Topçin, Pjetër Tafilin me saze, mjeshtrin e mjeshtrave të kangës popullor, si dhe kangëtarët: Shuk Prifti, Nush e Pjetër Bushati, Kolë Mati Tukja, Imer Garuci, Pjeter Tafili dhe në veçanti me shumë nderim Kolë Gurashin.

Muzika e grupit popullor, ahengu, ishte muzika e kohës shumë e kërkume në masën e popullsisë. Në mungesë lokalesh, grupe – grupe, artistët mlidheshin simbas rradhe në shtëpitë e tyne, ditëve të shtuna dhe të dielave. Ata e fillonin në muzgun e mbramjes dhe programi mbyllej me zbardhjen e dritës. Në këto takime të rregullta javore, rregulli ishte me u njoftë me kangët e reja që delshin, dhe që i përshtateshin ahengut, ato hynin në programin e tyne. Së dyti, kangët e ahengut pastroheshin prej fjalëve të hueja, kryesisht prej orientalizmave, po ashtu tematika e kangëve, tashti subjekti kryesor u ba dashunia ndaj vajzës e përshkrume nga ana figurative me figura si lulja, karajfili, vjollca, sheboja, marangjyli, molla, dardha, ftoni, shega etj. Këtu u ba ndryshimi i madh i subjektit arkaik oriental. Tashti i këndohet vajzës dhe jo djalit. Në ditët e pranverës grupet e ahengxhijve organizonin me familjet e tyne pikniqe në katundet rreth Shkodres, si në: Bardhaj, Rrenx, Ura e Mesit etj. po edhe jashta Shkodres, në Pukë, Lezhë, Tiranë, Durrës (seicili në xhep të vet). Gjatë gjithë vitit, ahengxhijt ftoheshin në familjet qytetare për raste gëzimesh familjare, fejesa, dasma e vlen me u theksue dhe vu në dukje me të madhe, se askush prej ahengxhijve nuk pranonte shpërblim financiar!

Dy pika kulminante të grupeve muzikore ishin: karnavalet dhe shtregullat madhshtore të vetmet në Shkodër.

Karnavalet në Shkodër. E martja e të lidhunave. Kremtimi i karnavaleve në këtë ditë ishte bashkudhëtare e jetës kulturore në qytetin tonë shumë vjet ma para. Kemi edhe dokumenta e fotografi të vitit 1919 të organizueme prej Kolë Idromenos dhe mikut të tij Zef Simon Dajçi. Nga vjeti në vjet organizimi dhe kremtimi i kësaj feste tradicionale kishte përparime cilësore në çdo drejtim. Ky ishte nji manifestim shumë i bukur i kangës dhe “ahengut” shkodran. E kishim ba rregull që në çdo fillim vjeti me nis organizimin e manifestimit të karnavaleve në Shkodër. Së parit shënonim të gjitha kangët që do të këndoheshin atë ditë. Caktonin intenerarin e qarkullimit, pikëndalesat e karnavalev ku do të jepej nji program me kangë rreth 30′. Çdo muzikant e kishte për detyrë me sigurue rekuizitën personale, pronotimin e pajtoneve të hapun dhe likujdimin e shërbimit, e fundit ishte dalja e a grupit muzikor prej bansës së nji muzikanti. Këtu fillonte kremtimi i karnavaleve në drejtim të qendrës së qytetit prej ku bahej shpërndamja simbas grafikut të paracaktuem. Shkodra, në këtë ditë kremtonte me aheng kangët e bukura të saj. Jehona e ahengut shperndahej kudo në qytet. Madhështor ishte shoqnimi i karvanit të ahengut prej banorëve. Në çdo rrugë, në çdo pikë ndalese mikpritja, nderimi qytetar ishte tejet i veçantë prej banorëve, të cilët sa ndigjoshim tingujt dhe kangët, na delnin para me vrap, me sahana plot me petulla, me pije. Aty bahej nji koncert madhështor ku s’bashku këndonim plot gëzim e hare. Ky ishte nderim, mirënjohje dhe vlerësimi i madh qytetar që na frymëzote dhe na gëzonte të gjithëve!

Me keqardhje, kjo veprimtari, ky manifestim i madh kulturor në qytetin tonë filloi të venitet gjatë Luftes së Dytë Botënore. Fundi apo prendimi i këtij manifesmi madhështor të muzikës dhe të kangëve përla të ahengut popullor shkodran erdhi me “cunamin” komunist të fillim vitit 1945. Nuk bahej fjalë ma me marr guximin me organizue këtë manifestim të bukur kulturor në Shkodër! Përfundimi dih ej prej të gjithëve!

Manifestimi i dytë i radhës të ahengut të këngës popullore shkodrane ishin: “Shtregullat”. Me mbarimin e festes madhështore të Karnavaleve, radhën e kishin “Shtregullat”, nji rast i dytë i nji manifestimi madhështor të muzikës dhe e kangës popullore shkodrane. Shtregullat organizoheshin në bazë rrugësh, lagjesh. Shumë familjarë që kishin oborre të mëdha me pemë si manin, binin dakord me organizue “Shtregullat” në oborret e tyne. Koha e “Shtregullave” ishte data 22 prill e çdo viti. Rregulla apo parimi i këto manifestimi ishte i bukur e frymëzues në veçanti për brezin e ri. Në shtregull hyp nji femën, zakonisht vajzë dhe nji djalë i ri e lëkundte litarin ku curulatej sa andej këndej vajza. Grupi i ahengut shoqnonte kangëtarin dhe masën e spektatorëve pjesëmarrës në këtë veprimtari të bukur muzikore dhe argëtimi të masave popullore. Ky aktivitet muzikor zgjaste disa orë të mira të kësaj nate. Edhe kjo traditë e bukur e nji manifestimi popullor, me keqardhje mori fund me ardhjen e “cunamit” komunist në Shkodër!

Radio Shkodra. Event historik për qytetin tonë shenon data 28 qershor 1945, datë kjo që na kujton ditën e parë që në Shkodër u krijue ky instucion me randësi të veçantë historike. Drejtori i parë i këti institucioni ishte Lec Angjelin Luka, spikër Tef Gjoni, teknikët Mati Jubani dhe nji ushtarak i mbetun rob lufte në Shkodër. Nji ndër nismëtarët e shumtë isha edhe unë me shokët e grupit të kangës popullore shkodrane. Muzikantat ishin: Kolë Lufi violinë, unë Gjergj Shabani mandolçel, Ndoc Bedeni braç, Tish Fishta bugari, Tom Prela bas perde, Adem Mani dajre. Kangëtarë ishin Kolec Marpali dhe Pina Hilmar Pali Deda. Ahengu u transmetue direkt me autoparlanta të vendosun në rrugët e qytetit tonë. Gëzimi i të gjithve ishte shum i madh.

Grupi ynë i ahengut shkodran hyni i pari në historin e Radio Shkodrës. Vullnetarisht pa pagesë kena vazhdue me dhanë programe të ahengut popullor me perlat e kangëve të Shkodrës tonë. Në Radio Shkodra kena inçizue komplet kangët perla të ahengut shkodran, inçizimi asht ba në shirita. Ma vonë me keqardhje mësuem nji lajm të hidht se shiritat u zhdukën. Përsëri nji lajm u përhap në Shkodër se inçizimet e ahengut tonë u prishën për të inçizue fjalën e Krushovit në mitingun e Shkodrës, gjatë vizitës së tij në këtë qytet në vitin 1959. Nuk i di sa këto kanë qenë të vërteta. Në qoftë se po, atëherë me keqardhje të madhe tham se kjo asht nji fatkeqësi dhe humbje e madhe e pariparueshme kurrma. Për këto arsye ahengu i kangëve mbetet i padokumentuem. Në RadioTirana dhe në Institutin e Folklorit në Tiranë ka inçizime të ahengut shkodran. Mendoj se ndonji studiues i ahengut do t’i shërbente shumë kulturës në Shkodër me arritë me shkrue nji libër posaçerisht me kangët e ahengut tonë, që për shum e shum vite banë që Shkodra jonë të ishte krenare për perlat e kangëve qytetare shkodrane.

Gjergji për artistin popullor Kolë Gurashi

Ky burrë i moshuem, i lindun me 14.01.1880, i ka lanë Shkodrës tonë nji trashigimi kulturore shumë të pasun si studiues, krijues, kangëtar, muzikant, piktor dhe etnograf. Për Kolën viti 1900 asht fillimi i rrugës së gja të të kangës popullor re. Ai si mjeshter, njiheri edhe si organizator i ahengut shkodran, u lidh miqësisht me Kasem Xhurin, Markun e Krajanes, Palok Kurtin, Sait Hoxhën. Bashkëpunimi i tyne shërbeu ma së miri për të njohun kangën popullore shkodrane dhe interpretimin e saj. Ai ishte shoku, miku, mësuesi i të gjithë ahengëxhijve shkodrane,deri në diten e fund të jetës së tij me 7 Mars 1971, kur u shua në moshën 92 – vjeçare.

Gjergji me ahengëxhijt e mbetun kishin mendue me i kremtue mësuesit të tyne 90 – vjetorin e jetës së tij. Fatkeqësisht, të gjithë ishin shue dhe kishin mbetë vetëm Kola dhe Gjergji. Në një rreth të ngushtë familjarësh, shokësh Kola këndonte me armoni këngët e jetës së tij dhe e shoqnonte me mandolçel Gjergji. Në harenë e këtij gëzimi familjar, Gjergji, uron mikun dhe mësuesin e madh të ahengut shkodran: “Me gjithë se tash jemi pleq, jemi plakë, por jo rrenue, vdeksh o Kolë mbi 100 vjeç. Se kurr kanga s’të ka mungue”.

Ky event historik në nderim të Kolë Gurashit, artistit të madh të muzikës dhe ahengut të kangëve popullore shkodrane, shënoi edhe fundin e këtij brezi të madh të këtyne artistëve ahengëxhij të kangës popullore shkodrane, që Kolë Gurashi e pagëzoi “Shkodra e Baballarëve”.Gjergj Shabani me këte rast ia dorëzoi stafetën e kësaj veprimtarie disavjeçare kushtue ahengut shkodran të kangës popullore të përlave të muzikës shqiptare, Rafaelit, profesor në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova”.

Në shenj mirënjohjeje, nderimi për Gjergjin, babën e vet në përjetësimin e traditave të familjes “Shabani”, Rafaeli ka sajue nji “mikromuzeum”. Aty janë sistemue të gjithë instrumentat që ka përdor Gjergji në grupin e ahengut popullor shkodran, disa veshje të përdorura për festën e madhe popullore në Shkodër “Karnavalet”, disqe, gramafoni me pllaka, fotografi të ahengut në Shkodër e të tjera. Mendoj se asht nji relike unikale e kësaj natyre. Nji kënaqësi dhe krenari për brezat pasardhës të familjeve tona.

Gjendet pasqyra e mbretëreshës Maria Antoinette në shtëpinë e një familje, vlen mijëra euro

Një familje mëson papritur se pasqyra e varur për 40 vjet tek shkallët, dikur i përkiste mbretëreshës së fundit të Francës Maria Antoinette dhe vlen më shumë se 11 mijë euro.

Kjo familje ishte me të vërtetë e shokuar kur mësoi se pasqyra që ata kishin lënë mënjanë, ishte një thesar i vërtetë, shkruan “DailyMail”.

Antiku kishte qenë në murin e tualetit për 40 vjet – me pronarin në dijeni se ishte përdorur nga Mbretëresha e fundit e Francës.

Pasqyra me përmasa 50 cm me 40 cm mendohet se ka qenë pjesë e rëndësishme në një nga pallatet franceze të Antoinette.

Pasqyra tashmë mendohet të arrijë të paktën 11 mijë euro në një ankand në Bristol.

Pasqyra mendohet se i përkiste gruas së Napoleonit Eugenie, e cila kishte një fiksim me Antoinette.

Ajo bleu sende nga pasuria e saj personale dhe madje mbajti një ekspozitë për nder të saj.

Ajo erdhi në pronësinë e tanishme në fillim të viteve 1980 kur u dha përmes trashëgimisë.

Aiden Khan i Ankandeve në Lindjen e Bristolit tha: “Është e jashtëzakonshme të mendosh se kjo pasqyrë, me historinë e saj të pabesueshme, ka qenë e ulur në një mur të një toke poshtë për kaq shumë kohë”.

Pasqyra është montuar në një kornizë të gdhendur imët me gjethe dhe hardhi në përpjekje për ta bërë atë më të përdorshme.

Pasqyra u ble në vitet 1950 nga një mik i familjes së pronarit aktual dhe kur ai blerës origjinal vdiq në vitet tetëdhjetë, ajo u trashëgua nga Gjyshja e pronarit të tanishëm.

Ata kurrë nuk e menduan vërtet se vlen dhe u duk se e konsideruan atë më interesante sesa të vlefshme.

Pasqyra paraqitet si pjesë e Specialistit të Lindjes së Bristolit ‘Fine Art & Antiques Ankand’ që do të mbahet të Premten 13 Nëntor në 10:00.

Andërr e shejtë… nga Jozef Radi

 

Tue gërmue ndër dorshkrime t’hershme e gjeta kët andërr, të shkrueme me ngut e thuej nëpër terr. E kisha harrue, e kur e gjeta, u përndrita si me pasë gjetë nji thesar. Kishte nji datë të shënueme përfund, 20 vjet e ma tepër… Ishin kohnat, mbas humbjes së Lazrit. Periudhë shumë e trishtë, kisha nis mërgimin, dhe prej ditës së vorrimit të tij (operacioni i parë) për thuej nji vit bana katër operacione!! Unë, që thuej s’shifja kurrë andrra, Lazri po më shfaqej herë mbas here, e gjithnji si njeri i braktisun. Edhe kjo andërr e shkrueme 20 muej mbas vdekjes e tillë asht. Si duket s’po mbrrija kurrqysh me u pajtue me humbjen e tij… Kujtoj se atë natë vere jam çue vrij, e njashtu përgjumshëm e nëpër terr e kam shkrue me nji frymë…

E kam kap kët andërr, si më kap nji shpend n’fluturim…

jozef radi, 8 tetor 2020

Nder endrrat e pakta qe shoh, kete ender e kam shkruar, ne kohen e endrres…

N’andërr, m’u bà sikur Lazri na kishte hikë prej shpie, e kishte tretë pa asnji gjurmë…

Dikush na lajmëroj se jetonte diku n’nji luginë t’largët, ku vazhdimisht mbramjeve dilte nji hanë e madhe e shndriste si me magji ndër ujna t’nji liqeni e gjithkah shfaqeshin peisazhe t’melodishme… N’nji bregore, e kishte ngritë nji kasolle me kashtë e kallama, e gjithçka rreth saj e kishte selitë me duer t’veta… Ndihesh i lumtun, aq i lumtun e i përhumbun n’at gjelbërim, e mrekulli solemne të natyrës…

Në shpi, të tanë ishim të shqetësuem. Mungesa e tij dita-ditës po bahej nji ankth mbytës. Nana n’at dhimbën e saj ma shumë se për gjithçka, ishte e shqetsueme për faktin se njerzia po mërmërisnin, se e kishim përzanë plakun prej shpie!!

S’po e kisha hiç hallin e hallkut, po s’dijsha ku ishte, as ku me e kërkue! E njashtu kuturu, isha nisë si nëpër mjegull me e gjetë… E vërtet, mbas do kohe e mjaft mundimesh mujta me e gjetë.

Ishte tue shetitë i menduem e i përhumbun n’vetvedi, bregut t’nji liqenit. Me do rroba të kahershme, që u kujtova se na kishte porositë me ia ruejtë!

Iu hodha vrik e n’qafë. Posa m’pa u step e u tremb! Po kërkoja njat aromën e tij, djersë e përzieme me duhmë duhani, që e kishte tymosë ma shumë se nji gjysë shekulli.

Ecëm njashtu shtrëngue, derisa m’çoi te tempulli i vetmisë së tij. Ishte nji kasolle të vogël. M’kallzoj me imtësi gjithçka, e se i kishte punue vetë, me duer t’veta. Edhe pse me pamje të trishtë e ngjyrë dheu ndritej lumtunie. Sa herë i afrohesha me ia pà mirë ftyrën, më shmangte. I avitesha i përqëndruem me ia prekë ato tipare të skalituna që ia njihja përmendsh e me e puthë, po m’shprishej e m’bahej mjegull.

I thashë se na mungonte, se na mungonte shumë të tanve. Na mungonte prej ma të parit te ma i mbrami, e në shpi s’jetohesh pa hijen e tij. I kallzova se ia kisha botue librin që e donte aq fort. Veç njat herë mujta me ia dallue buzqeshjen e tij, e njat pamje si prej mermeri gdhendë profili i tij. Befas iu lshue nji curril i hajthëm loti. U gzue si fmijë e s’më lshonte prej krahve. Iu luta sërish m’u kthye te shpia, pse tanë e prisnim.

“Jo, – m’tha – s’mundem! Jam i lumtun këtu! Më pëlqen vetmia, natyra, heshtja. Jam përshtatë! Hoqa pak keq si fillim, po tash kam gjithçka, çka kam dishrue n’jetë. Kam jetue tanë kohën me ju e për ju! Edhe në t’keqen ma të madhe, ju kam dhanë t’mirën e domosdoshme! Kam dhanë për ju e për tjerë gjithë çka kam pasë t’shenjtë… Tash a s’asht e drejtë me jetu edhe unë pak për vedi?! Me e rishkrue jetën, përtej njatyne mjerimeve toksore nëpër të cilat kalova… Të tanë jeni t’zot e vedit! A s’duhet edhe unë me i dal zot pamundsive t’mia! Due me lexue, me shëtitë, me shkrue… due me mendue për gjithçka e me dashtë hyjnishëm; mos me bezdisë kend po as me m’trazue kush! Këtu ku jam, as plakem e as rinohem ma! E pra, ta dish: jam me ju edhe prej këtu! Ju shof e ju mbroj ngado shkelni!

Duhet me m’kuptue ti ma mirë se kërkush, e me m’shpjegue edhe ndër tjerë!
Pse, veç ti mundesh!

Dhe nji lotë i kristaltë i pikonin mbi këmishën time t’bardhë!

M’kishte dalë gjumi… e lotët ishin n’sytë e mi…

18 qershor 2000


Send this to a friend