VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Publikohet video nga momentet e fundit të Milosheviqit para ekstradimit në Hagë

By | August 23, 2019

Komentet

“Vëlla i dashur ky vend është i joti”, PD nxjerr audiopërgjimin e sulmon Artan Lamen: Duhet të ishte në burg (video)

TIRANË

Partia Demokratike ka sulmuar ashpër kreun e Kadastrës, Artan Lame, duke e akuzuar për ndërhyrje për punësime në administratë. Në një dalje para mediave ish-deputetja Oriola Pampuri deklaroi se Lame duhet të ishte në burg pasi sipas PD ai ka përdorur administratën për fushatë elektorale, ndërsa shton se “vazhdon të mashtrojë shqiptarët me propagandën e Edi Ramës për punësime me konkurs”.

“Jemi dy muaj para zgjedhjeve që do të thotë se nga historia e deputetëve, kandidatë bashkie, kërkojnë ndihmë dhe mbështetje…E keni parë se Legalizimet është një nga gjerat më të rëndësishme që konsiderohet, kështu që deri në zgjedhje, historinë e ditës së shtunë nuk dua ta dëgjoj. Për sa kohë që unë ditën e shtunë jam në punë, kush mendon se do të rri pushim, fare thjesht le ta thotë dhe natyrisht të ikë pastaj. Në rastet kur janë larguar njerëz të tjerë, ua kam thënë ministrave e deputetëve përkatës; vëlla i dashur, ky vend është i joti.”, thuhej në audion ku fliste Lame, e cila u ripublikua sot nga PD. Audiopërgjimi i përket kohës para zgjedhjeve të 2017, ndërsa u bë publik nga PD në janar të vitit të kaluar.

DEKLARATA E PARTISE DEMOKRATIKE

Propaganda e Edi Ramës me punësimet shtetërore është një nga çështjet penalizuese jo vetëm për integrimin europian, por, mbi të gjitha, për keqfunksionimin dhe korrupsionin endemik, i përhapur në çfo qelizë të administratës shtetërore.

Shembull tipik i kësaj propagande është Agjencia e Kadastrës, e drejtuar prej 6 vitesh nga Artan Lame me emrin e Agjencisë së Legalizimeve. Pak ditë më parë, Artan Lame, pa u skuqur fare, foli për konkurs të ndershëm në plotësimin e disa dhjetëra vendeve të reja të punës të hapur në ketë agjenci me shtrirje në të gjithë vendin. Por gjithçka është një teatër.

Artan Lame, si gjithë kolegët e tjerë pjesë të qeverisë grabitëse të Edi Ramës, nuk mund të organizojnë konkurse të ndershme. Ata dinë vetëm të punësojnë militantë partiakë, që i përdorin në zgjedhje në shkelje të ligjit ndaj kundërshtarit politik. Artan Lame është modeli tipik i kësaj skeme skandaloze që ka mbajtur peng administratën publike gjithë keto vite, duke punësuar militantë që vijnë me lista nga partia në pushtet dhe, në vend t’u shërbejnë qytetarëve, i shërbejnë partisë në pushtet në kohë fushatash elektorale.

Rreth një vit më parë, kjo u provua me një material autentik, të publikuar në media, ku Artan Lame dëgjohet që pranon ndërhyrjen e deputetëve socialistë për marrjen në punë të militantëve dhe përdorimin e tyre gjatë fushatës. Ju ftoj ta ndekim këtë pjesë, ku Artan Lame nuk është në rolin e një shtetari që flet për konkurse, por në rolin e një partiaku që emëron militantët e sjellë nga partia.

Teatri që luhet me shqiptarët dhe tallja e tyre nga Artan Lame dhe shefi tij Edi Rama është e qartë. Në vend që ky funksionar i qeverisë të ishte sot në burg për përdorimin e administratës në fushatë, vazhdon të mashtrojë shqiptarët me propagandën e Edi Ramës për punësime me konkurs.

Modeli i vërtetë i Artan Lames dhe gjithë të ngjashmëve të tij është vetë Edi Rama. Dosja 339, e trajtuar gjerësisht nga Zëri i Amerikës pak muaj më parë, provoi se është Kryeministri ai që ndêrhyn drejtpërdrejt për prishjen e konkurseve të administratës dhe, në mënyrë kriminale, ndërhyn nga zyrat e tij për të larguar më të aftët dhe për të punësuar militantët partiakë apo njerëzit e kriminalizuar.

Edi Rama ka ngritur një shtet mafioz, ku gara në zgjedhje, gara për vendet e punës, gara për tenderat janë fasadë e një pushteti të korruptuar dhe të inkriminuar. Pra daj, sot Shqipëria ka vetëm një zgjidhje, largimin e Edi Ramës!

Zëri i Amerikës: Nderimi i dëshmorëve nacionalistë në Gjirokastër (video)

Në varrezat e dëshmorëve nacionalistë në Grehot të Gjirokastrës u kryen të shtunën nderime për 37 luftëtarë të Ballit Kombëtar, që ranë 76 vjet më parë në luftime me pushtuesit italianë. Organizata e Ballit Kombëtar në Shqipëri e shënon 14 shtatorin si “Ditën e Dëshmorëve Nacionalistë”. Familjarët e viktimave kërkuan sot që historia shqiptare për këtë ngjarje të rishkruhet pasi është manipuluar gjatë viteve të regjimit komunist. Ndërsa një grupim reagoi ashpër në ceremoni ndaj pranisë në parlamentin e sotëm shqiptar të përfaqësueve të Ballit Kombëtar.


Familjarë të dëshmorëve nacionalistë nderuan në varrezat e Grehotit 37 luftëtarë të Ballit Kombëtar, që ranë 76 vjet më parë në përpjekje me pushtuesit italianë. Mes familjarëve në ceremoni ishin edhe perfaqësues politikë te Partisë Demokratike, Ballit Kombëtar dhe ish të persektuarve politikë. Pas vendosjes se kurorave, oratorët nderuan kontributin e komandatëve të çetave të Ballit Kombëtar dhe Komandatit të Përgjithshëm Hysni Lepenica të cilët u vranë në përpjekjen me forcat fashiste italiane në 14 shtator të vitit 1943. Ish deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha se historia shqiptare për ketë ngjarje duhej të fliste për të vertetën e cila u manipulua gjatë viteve të regjimit komunist.

“Në qoftë se ka një tension dhe ka një ndrydhje të shoqërisë shqiptare është pikërisht fakti i munegsës së të vërtetës e cila për 50 vite, por edhe për tridhjetë vite pas rënies së sistemit, kjo shoqëri dhe ndoshta edhe institucionet nuk ia arritën të hidhnin dritë mbi të vërtetën”, tha zoti Alibeaj.

Ndërsa Kryetari i Organizatës së te Përndjekurve Politikë Antikomunistë Nebil Çika tha se 14 shtatori ishte një ditë e shënuar, jo vetëm për nacionalistët, por për kombin shqiptar.

“Është një ditë e shënur, por është edhe një ditë që duhet të reflektojë në rishikimin e historisë sonë. Janë këta dëshmorë nacionalistë të shpallur nga shteti shqiptar që na vendosin ne në anën e drejtë të historisë. Kemi dëgjuar 100 herë që përmendet nga politikanët se kush është ana e drejtë e historisë. Ata kishin ideal perëndimin, Shtete e Bashkuara të Amerikës, Europën,pra një Shqipëri perëndimore, demokratike, të lirë”, tha zoti Çika.

Gjatë ceremonisë, një grupim pjesëmarrës reagoi me tone të ashpra ndaj politikanëve të partive të sotme të Ballit Kombëtar të cilën janë pjesë e parlamentit shqiptar. Sipas reagimeve, prania e tyre në parlament ishte një shenjë tradhëtie ndaj vlerave të të parëve të tyre. Masakra e Grehotit vlerësohet nga burimet historike se u shkaktua nga një sulm i beftë i ushtarëve italianë që përgatiteshin të braktisnin kazermat e Grehotit pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste në Shqipëri.

Nacionalistët e mbledhur nga disa krahina që kishin negociuar për një dorëzim pa kushte u qëlluan në pabesi dhe 37 luftëtarë, mes të cilëve edhe Komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar Hysni Lepenica humbën jetën.

Tiranë: Thatësira zbulon fiktivitetin e shifrave të ekonomisë (video)

Ilirian Agolli

Ekonomia shqiptare është duke kaluar një periudhë të vështirë, ku rritja ekonomike pritet të tkurret ndjeshëm, investimet vendase dhe të huaja janë në rënie dhe ku deficiti dhe borxhi vazhdojnë të mbeten në nivele kritike, bashkë me disnivelin e eksport-importeve.

Kështu i përshkruajnë me pak fjalë zhvillimet ekonomike të vendit studiues të ekonomisë. Studiuesit pohojnë se thatësira e sivjetme nxori zbuluar brishtësinë e ekonomisë shqiptare, sepse rritja e vjetshme ekonomike erdhi kryesisht prej shirave dhe shitjes masive të energjisë elektrike.

“Nëse rritja ekonomike udhëhiqet vetëm nga sektori i energjisë elektrike, kur i gjithë prodhimi i energjisë elektrike është krejtësisht në dorë të tekave të natyrës, atëherë ne nuk kontrollojmë dot dhe nuk jemi në gjendje të projektojmë zhvillimet ekonomike të vitit. Kjo brishtësi është një nga problemet serioze që ka ekonomia e Shqipërisë. Shumë nga problemet e këtij viti kanë ardhur prej thatësirës dhe sigurimit të energjisë elektrike, po ashtu edhe me ndikime të forta mbi bujqësinë, që zë 20 për qind të prodhimit kombëtar” – tha studiuesi Selami Xhepa.

Ndërsa drejtuesja e revistës ekonomike Monitor, Ornela Liperi thotë se vjet nuk pati rritje ekonomike, sa kohë që ajo u sigurua vetëm nga shirat dhe shitja e energjisë elektrike.

“Sipas të dhënave zyrtare, kemi një përgjysmim të rritjes ekonomike nga 4% vjet në 2 për qind në 6 muajt e parë të këtij viti. Dua ta theksoj se nuk ka një përgjysmim të rritjes ekonomike, por rritja e vitit të kaluar ishte fiktive. Thjesht ra shumë shi dhe u shit shumë energji, por kjo nuk është rritje ekonomike reale” – tha zonja Liperi e Revistës Monitor.

Mungesa e investimeve të huaja shihet po ashtu si një problem kryesor, sepse Shqipëria nuk është tërheqëse prej taksave të larta, dhe investimet e huaja po shkojnë në vendet fqinje.

“Burimet që financojnë rritjen e ekonomisë, investimet e brendshme dhe ato të huaja, vazhdojnë të mbeten problematike. Mungojnë investime të huaja të rëndësishme, ndërsa investimet vendase janë të dobëta, gjykuar nga indikatori i kredisë. Kredia e re në ekonomi vazhdon të mbetet e dobët, dhe sistemi bankar më shumë vazhdon të mbetet i angazhuar në kthimin e kredive të mëparshme. Ndaj zhvillimi më i dukshëm i ekonomisë do të dojë një periudhë më të gjatë kohe” – tha zoti Xhepa.

Ekspertët thonë se e vetmja shpresë po mbetet turizmi, i cili duket se ka lëvizje, por fitimet e tij nuk po shfaqen në përmirësimin e treguesve, ose se ka evazion fiskal dhe fitmiet fshihen, ose se konsumi i turistave ka zëvendësuar konsumin e shqiptarëve tashmë të larguar nga vendi.

Papunësia është një tjetër problem kryesor. Zonja Liperi thotë se në 6 muajt e parë të vitit janë punësuar vetëm 1 mijë e 200 persona, ose 200 vetë në muaj.

“Duke parë gjithë këto lëvizje me turizmin, mendoj se rritja ekonomike duhet të kishte qenë më e lartë. Ose ka evazion, se, pavarësisht aksionin anti-informalitet, të ardhurat nga tatimet nuk janë rritur, përkundrazi tvsh-ja e brendshme, si matës kryesor, është në rënie, ose kanë ikur njerëzit dhe turistët që kanë ardhur kanë zëvendësuar atë konsum të munguar nga emigracioni shqiptar i përshpejtuar” – tha zonja Liperi.

Ekspertët pohojnë se paqëndrueshmëria e ligjeve ekonomike dhe trazirat politike janë faktorë shtesë që dëmtojnë ekonominë, po edhe kur ato kanë qenë të qëndrueshme, shifrat nuk kanë patur ndonjë përmirësim domethënës e të ndjeshëm.

U përkujtua kryengritja antikomuniste e Postribës (video)

Pëllumb Sulo

Banorë të Shkodrës dhe Postribës përkujtuan 73 vjetorin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës, e cila cilësohet si e para kryengritje antikomuniste në Shqipëri.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, duke foluar gjatë ceremonisë përkujtimore tha se banorët e Shkodrës dhe Postribës ishin të parët që e kuptuan rrezikun që po i kanosej vendit, ndaj edhe vendosën ti kundërvihen. Zonja Ademi tha se mesazhet e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës vazhdojnë të jenë aktuale.

“Sot, Kryengritja Antikomuniste e Postribës, mesazhet e saj janë më aktuale se kurrë. Një diktaturë ka filluar të instalohet në këtë vend. Po shkelen me dhunën e pushtetit edhe liritë më elementare, por edhe të shenjta, të cilat i kemi fituar prej 30 vitesh.”

Në përkujtimin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës merrnin pjesë disa prej ish deputetëve të Partisë Demokratike. Sekretari Organizativ i kësaj partie, Gazmend Bardhi, tha se banorët e Postribës e kuptuan të parët rrezikun që po i kanosesj vendit ndaj dhe reaguan.

“73 vite më pas, Kryengritja e Postribës mbetet aktuale sepse na thërret për të qendruar sërisht, për të luftuar për lirinë, për të drejtat humane, përkushtimin për të mos pranuar sundimin.”

E nisur para kohe, Kryengritja Antikomuniste e Postribës dështoi. Fazë Shabaj, banore i Postribës, thotë se kryengrija u pasua nga një masakër e gjërë e komunistëve mbi popullsinë e Postribës.

“Qeveria komuniste bëri një terror të paparë në Postribë. Pushkatoi mbi 22 vetë, u dogjën mbi 60 shtëpi me të gjithë pasuritë dhe u burgosën mbi 300 vetë në burgjet e komunizmit.”

Ndërsa Hamzë Kazazi, djali i njërit prej udhëheqësve të Kryengritjes së Postribës, Jup Kazazit, tha se komunistët shfrytëzuan dështimin e kryengritjes për të terrorizuar popullsinë e pafajshme.

“Edhe dihen masakrat që ka pësu Postriba edhe Shkodra. Duke përfitu prej kësaj, komunizmi eleminoi kë deshti; klerin katolik, klerin musliman, intelektualët me kulturë prendimore.”

I pranishëm në përkujtimin e Kryengritjes Antikomuniste të Prostribës, Nebil Çika, i cili drejton Shoqatën Antikomuniste të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë tha se prej kohësh vërehen përpjekje që ngjarje të tilla si ajo e Postribës të mbahen thjeshtë në kornizën e ngjarjeve përkujtimore.

“Ka një përpjekje titanike të politikës dhe rretheve akademike për ta mbajtë vetëm si datë historike. Por kjo nuk është datë historike, është symbol i qendresës tonë antikomuniste. Është shumë aktuale për situatën që po përjetojmë politikisht.”

Për qendresën ndaj komunizmit, Postriba dhe Malësia e Madhe janë nderuar nga Presidentët e Shqipërisë me urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”.

Meta zbulon informacionin sekret: Do digjnin Kuvendin e Shqipërisë, ja çfarë do të shfrytëzohej (video)

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka zbuluar sot në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, një informacion sekret dhe të klasifikuar, që mori një ditë para se të shfuqizonte 30 qershorin si datën e  mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vend.

Ai ka thënë se nga burime tërësisht të besueshme është njoftuar se persona të caktuar do të digjnin Kuvendin e Shqipërisë.


“Presidenti për shkak të detyrës së tij ka pasur informacione të mjaftueshme si në rrugë zyrtare dhe shtetërore, edhe përmes burimeve të tjera për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të vecantë në datën 7 qershor një ditë para se presidenti të bënte publik vendimin për shfuqizimin e datës 30 qershor ka marrë një informacion që është sekret dhe i klasifikuar, nëse komisioni do të njihet mund të ndodhë, pasi të merrej leja dhe te verifikohen certifikatat e sigurisë të anëtarëve të komisionit. Me pak fjalë, ky informacion bënte të qartë që persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e opozitës më 8 qershor, edhe për djegien e kuvendit të Shqipërisë”- tha Meta.

Me tej presidenti sqaroi:

Ky ishte informacion i besueshëm, po të kishe parasysh pasojat nga këto protesta e konfrontime, i keni parasysh deklarartat e ministrisë së brendshme për shumë policë të plagosur, duke e kombinuar këtë informacion mora ate vendim. Një ngjarje e cila mund të prodhonte pasoja për jetën e qytetarëve dhe shkatërrim të imazhit të vendit tonë që me aq ngjarje që ishin bërë deri në atë moment ishte shkatërruar. Historia e vendit tonë për fat të keq nga 2 prilli e deri në 21 janar është plot me ngjarje të tilla të hidhura ku përmes protestave e gjatë protestave kemi pasur viktima dhe isha i bindur se ishte detyra ime që të bëja gjithcka që në datën 8 qershor të evitohej në mënyrë të padiskutueshme një ngjarje e tillë e të krijoja mundësi për një dritare e reflektim midis palëve sikurse e thotë edhe qartë raporti i OSBE-ODIHR pra gjithcka ishte antagonizëm i përbashkët i dy palëve që dëmtonte dhe cënonte integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Antagonizëm do të thotë armiqësi, kështu që në këto kushte, kjo do të ishte një goditje shumë e fortë jo thjesht për zgjedhjet e 30 qershorit, por kthim i madh mbrapa per vendin. Të dyja palët kishin dhënë shembull të shkëlqyer për të ecur përpara në rrugën e konfliktit pa marre pergjegjesite e asaj qe mund te ndodhte. Jam i detyruar të shoh interesin kombëtar të vendit si president.

Tiranë: Ndryshimet gjuhësore dhe pastërtia e shqipes, flasin ekspertët (video)

Ilirian Agolli

Në Tiranë, studiues dhe qytetarë, të vëmendshëm ndaj çështjeve kulturore, diskutojnë me shqetësim mbi pastërtinë e gjuhës shqipe dhe ndikimit të saj nga gjuhë të tjera.

Autoritetet e kanë kthyer lëndën e shqipes në shkollat e mesme, por sërish problemet janë të dukshme.

Studiuesit shqipes pohojnë se ndikimi prej gjuhëve të tjera, apo hyrja e fjalëve nga gjuhë të tjera janë dukuri që përsëriten në shekuj dhe u ndodhin të gjithë gjuhëve. Por mësimi i Gjuhës shqipe nuk mjafton thjesht të ndalet rregullat e drejtshkrimit. Alarmi i vërtetë sot, sipas studiueses Enkeleida Kapia, është mospërdorimi i dendur i gjuhës shqipe me shkrim e lexim.

“Nxënësit nuk lexojnë më, ata nuk lshkruajnë më. Disa nga rregullat drejtshkrimit, për të cilat ne jemi të shqetësuar sot, vijnë pikërisht nga leximi i theksuar dhe shkrimi i theksuar, praktikave që ne kemi në shkolla. Ato vijnë edhe për shkak se si e konceptojmë mënyrën e mësimit të gjuhës amtare, duke filluar nga programet e formimit të mësuesve” – tha gjuhëtarja Enkeleida Kapia, nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Vitet e fundit është rritur vëmendja shtetërore ndaj gjuhës shqipe dhe po shtohen orët e mësimit në programet shkollave. Kjo vjen për shkak të shqetësimit të përgjithshëm se gjatë tranzicionit shqipja u destabilizua dhe mori ndikime e goditje nga më të ndryshmet, thotë studiuesja Anila Omari.

“Ndryshimet kryesore janë në fushën e leksikut, që është edhe pjesa më e lëvizshme e gjuhës, dhe më të ngadalshme janë në gramatikë e në sintaksë. Edhe atje vihen re ndryshime. Shikojmë forma të çuditshme të emrave në numrin shumës si shall / shaje, link / linqe, truk / truqe” – tha zonja Omari.

Shqipja është vazhdimisht nën presionin e gjuhëve me status ndërkombëtar si anglishtja, por po aq i madh është ballafaqimi i saj me gjuhët e vendeve fqinje si italishtja dhe greqishtja për shkak të emigrimit dhe shkëmbimeve ekonomike.

Kjo është fusha e parë ku duhet bërë kujdes më i madh, thotë Valter Memisha, drejtues i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

“Në radhë të parë është ndikimi në leksik, ku futen shumë fjalë. Ka një konkurrencë të gjerë fjalë shqipe / fjalë e huaj. Njerëzit janë pragmatistë dhe përdorin fjalën që kanë më lehtë. Por institucioni ynë punon t’i japë përparësi fjalës shqipe” – thotë zoti Memisha.

Emigrimi i shpeshtë, tregtia me të huajt, shkollimet jashtë vendit, apo pushtimet shumë-shekullore, janë dukuri të përbotshme, ku gjuhët ndikohen shumë nga njëra tjetra.

Nevoja kryesore për shqipen është se në shkolla duhet të mësohen etapat e zhvillimit historik të saj, në mënyë që ajo të njihet sa më thellë, pohojnë studiuesit, sepse kështu ajo mbrohet më mirë.

“Mendoj se alarmi që është ngritur më tepër me faktin që ne si popull, për shkak të mënyrës se si jemi shkolluar, nuk njohim mirë fazat historike të zhvillimit të shqipes. Nëse do t’i njihnim mirë këto faza, nuk do ta quanim këtë periudhë ku jemi si një rrezik i jashtëzakonshëm. Këto kanë ndodhur në periudha të ndryshme në të gjitha gjuhët, sepse përndryshe ne do të vazhdim të flisnim gjuhën e Budit dhe të Bogdanit” – tha zonja Kapia.

Shkurtimet e fjalëve në komunikImet e rrjeteve soc nuk e prishin gjuhën, thekson nga ana tjetër zonja Omari, por vëmendja e qytetarëve dhe administratës ndaj gjuhës duhet të jetë më e madhe dhe përmirësime po ndjehen si nga futja e redaktorëve gjuhësorë ashtu edhe nga futja e gjuhës shqipe në shkollat e mesme.

“Shkolla është baza për çdo gjë dhe aty duhet mëshuar më shumë. Mësimdhënia dhe trajnimi i mësuesve janë pika ku duhet patur shumë kujdes, sepse edhe aty ka mungesa. Gjithashtu duhet një reformë me tekstet, duhet një rikonceptim i mësimdhënies së gjuhës dhe letërsië shqipe në shkollë. Është gjë e mirë që edhe shteti e ka kthyer vëmendjen ndaj gjuhës dhe ndoshta bëhet diçka në këtë aspekt, pra në mësimdhënie” – tha zonja Omari.

Marrëdhëniet e shqipes me dialektet e saj në krahinat më të larmishme, sepse ende nuk është studiuar plotësisht struktura sintaksose dialektore e saj.

Zoti Memisha thotë se një nga projektet më të rëndësishme të institutit që ai drejton është ai mbi variacionet sintaksore të shqipes.

Ai shton se kujdesi për shqipen është i përditshëm, pavarësisht se sfidat janë të shumta.

“Ne duhet të ruajmë atë që është kryesorja: strukturën gramatikore. Një gjuhë e përcakton struktura gramatikore. Nëse prishet struktura gramatikore, në sintaksë dhe në gramatikë, atëherë prishet fytyra e gjuhës dhe gjuha do të shuhet edhe vdesë dalëngadalë. Shqipja është një nga gjuhët më vitale në botë. Jemi një popull i vogël dhe kemi një gjuhë që nuk është asimililuar, edhe pse pushtuesit tanë kanë qenë këtu me shekuj” – tha zoti Memisha.

Pas botimit të Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe, studiuesit po përgatitin Fjalorin Historik të Shqipes si dhe punojnë me fjalorët e leksikografisë dialektore, për një fjalor të plotë gjuhës shqipe, për një gramatikë të plotë të shqipes, duke bashkërenduar veprimtarinë shkencore me qendrat studimore në Prishtinë dhe universitete të tjera.

Mark Gjonaj thirrje diasporës të votojë në zgjedhjet e tetorit në Kosovë (video)

Burim Goxhuli

Anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut Mark Gjonaj foli për prioritetet që duhet të ketë qeveria e re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Ai kërkoi nga komuniteti shqiptar jo vetëm në Nju Jork, që të marrin pjesë në këtë proces, duke votuar përmes postës. Zoti Gjonaj foli edhe për tarifën prej 100 për qind që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe. Ai tha se Serbia e përdori këtë si justifikim për t’u larguar nga tryeza e bisedimeve.

Tarifa 100 për qind ndaj mallrave, bisedimet Kosovë-Serbi, liberalizimi i vizave e shumë çështje tjera, do të jenë sfida të mëdha për qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme që mbahen në Kosovë, më 6 tetor.

Krahas këtyre çështjeve, anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut dhe aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Mark Gjonaj, i kërkon qeverisë së re të përqëndrohet tek mirëqenia e qytetarëve.

“Është me rëndësi që të kalohet ngërçi. Sigurisht do të doja që qeveria të fokusohet në nevojat e njerëzve. Të sigurohet që të ketë reforma në sistemin shëndetësor, edukim dhe mundësi punësimi, në mënyrë që njerëzit tanë të mund të punojnë, të mbajnë veten dhe familjet e tyre”, shtoi zoti Gjonaj.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Gjonaj i bëri thirrje komunitetit shqiptar jo vetëm të Nju Jorkut që të votojë, duke e parë si kontribut drejt të ardhmjes së vendit.

“Shpresoj që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë e madhe. Është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Diaspora ka rastin të marrë pjesë në zgjedhje, me një afat regjistrimi deri më 10 shtator. Inkurajoj të gjithë ata që kanë të drejtë vote, të regjistrohen brenda afatit për të marrë pjesë në një process të besueshëm e demokratik, që do t’i japë formë të ardhmes së Kosovës. Është përgjegjësi e njerëzve tanë ndaj vendlindjes. Ju inkurajoj të shkarkoni aplikacionin që ndodhet në faqen e Komisionit Qëndror Zgjedhor”, tha Mark Gjonaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zoti Gjonaj u pyet dhe mbi qëndrimin që qeveria e re duhet të ketë karshi tarifës ndaj mallrave serbe. Sipas tij tarifa nuk është shkaktari i vërtetë i pezullimit të bisedimeve mes dy vendeve.

“Nuk ishte Kosova ajo që i ndali bisedimet. Kosova gjithmonë ka qenë në tryezë, Serbia është larguar nga ajo në mes të procesit. Tarifa është e parëndësishme dhe ka shumë pak ndikim në mirëqenien ekonomike në Serbi. U shfrytëzua si justifikim për t’u larguar. Serbia duhet të qëndrojë në atë tryezë në mënyrë që të adresohen çështjet e vërteta. Pavarësia e Kosovës nuk është fituar. Është paguar për të. Është paguar me gjak dhe dekada të tëra diskriminimi”, tha zoti Gjonaj.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut tha se lojëra si këto nga ana e Serbisë, po zbehin arritjet e Kosovës.

“Kosova vazhdon të vuajë ndërsa po mundohet të ndërtojë vendin, ndërsa Serbia vazhdon të manipulojë negociatat duke nënvlerësuar ato që kemi arritur”.

Zoti Gjonaj foli dhe rreth angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut, sidomos pasi sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo emëroi zëvëndës ndihmësin e tij Matthew Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

“Emërimi i zotit Palmer është i rëndësishëm, derisa ai sigurohet që të dyja palët të qëndrojnë në tryezën e bisedimeve. Kemi një partner të vërtetë si SHBA-të që po sigurohen se ndërmjetësimi po ecën mirë. Do të arrijmë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Por i them sërish Departamentit amerikan të Shtetit, zotit Palmer dhe komunitetit ndërkombëtar, Kosova e ka paguar çmimin e saj. Tani është koha për Serbinë të bëjë pjesën e vet. Dhe kjo nis me kërkim falje për krimet e luftës, diskriminimin dhe gjenocidin e bërë. Pas kësaj mund të ecet përpara. Kanë kaluar vetëm 20 vite. Njerëzit vazhdojnë të jetojnë me mizoritë që janë kryer. Flenë e zgjohen me dhimbje e vuajtje për humbjen e më të dashurve të tyre”, tha zoti Gjonaj.

Aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar në Amerikë tha se Serbia duhet të mësojë nga një shembull i dhënë së fundi në Evropë.

“Ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje. Nuk ka shembull më të mirë, sesa ai i dhënë së fundmi nnga Presidenti gjerman Steinmeir, i cili i kërkoi falje Polonisë dhe Evropës, rreth 80 vite pas Luftës së Dytë Botërore, për krimet që ishin bërë nga gjermanët. Është koha që Serbia të pranojë e të kërkojë falje për urrejtjen dhe dëmet, diksriminimin dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve për dekada të tëra në Kosovë. Ky do të ishte fillim i mirë për negociata”, shtoi zoti Gjonaj.

Ndër të tjera, zoti Gjonaj tha se Kosova nuk ka partner më të madh se SHBA-të sikurse Shtetet e Bashkuara nuk kanë miq më të mëdhenj se shqiptarët, miqësi kjo që ka nisur dekada më parë.

Vizita e fundit e senatorëve amerikan, Chris Murphy dhe Ron Johnson, sipas tij është dëshmi e vazhdimit të angazhimit të SHBA-së për çështjen e Kosovës.

“Ka guximtarë që ngjiten lart, pa llogaritur rrezikun në kthim”, kë ‘thumbon’ Meta?! (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur që këtë ditë të shtunë ta kalojë në plazh, ndërsa ka gjetur një shoqëri të veçantë. Teksa ka publikuar një video, Meta shihet duke përkëdhelur disa mace, ku një prej tyre (guximtari) tenton të ngjitet në tendë.


“Një mëngjes me një “buqetë” macesh, gjithmonë relaksues! Ato janë të dashura dhe ledhatare. Por ka edhe ndonjë guximtare që ngjitet lart, pa llogaritur rrezikun në kthim. Unë qëllova aty, për t’ia bërë të lehtë zbritjen.
Ju uroj një fundjavë të këndshme dhe të mbarë!”, shkruan Meta, ndërsa vjen me një mesazh me kode, duke marrë shkas kjo edhe nga zhvillimet politike në vend.

Mos vallë Meta e ka me kryeministrin Edi Rama, me të cilin kanë shkëmbyer replika në distancë, duke mos i kursyer as ironitë për njëri-tjetrin. Kujtojmë se pas vendimit të Metës për të zhdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit dhe për të vendosur një datë të re, 13 tetorin, maxhoranca kërkoi shkarkimin e tij. Madje është ngritur dhe Komisioni Hetimor për Metën, ku do të verifikohen të gjitha lëvizjet e tij institucionale të kreut të shtetit.

Lajm i madh nga Ambasada e SHBA: nga 1 tetori të gjitha llojet e vizave jepen në Kosovë (video)

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka dhënë lajmin e madh. Duke filluar që nga data 1 tetor 2019 në ndërtesën e re të kësaj ambasade në kryeqytet do të jepen të gjitha llojet e vizave.

Në një video të publikuar nga faqja zyrtare e kësaj ambasade në ‘facebook’, jepen të gjitha instruksionit për ata që ia mësyjnë kësaj ambasade për të marrë ndonjë vizë, shkruan Gazeta Express.

Një zyrtarë i lartë i kësaj ambasade, James Finan, përmes videos tregon të gjithë hapat dhe këshillat që duhet ndjekur një person që vendos të aplikojë për vizë.

Në fillim thuhet që nuk duhet marrë me vete asgjë tjetër përveç gjërave që kërkohen gjatë intervistimit, në mënyrë që të mos ketë vonesa gjatë procesit të verifikimit brenda ambasadës.

Pastaj aplikantët kalojnë në dhomën e intervistave brenda ambasadës.

Para ndërtimit të kësaj ambasade të re, shtetasit e Kosovës ishin të detyruar t’i drejtoheshin Shkupit për të aplikuar për viza.

Histori suksesi: Julia Stefani tregon mbi përvojën amerikane (video)

Ilrian Agolli

Në Tiranë, ekspertja e biznesit Julia Stefani bisedoi me gjimnazistët e organizatës “Code for Albania” mbi shkollimin dhe karrierën e saj të suksesshme në SHBA.

Julia ishte disa vite më parë një maturante me rezultate të larta në kryeqytetin shqiptar, ndërsa sot punon në firma të njohura në SHBA.

Julia Stefani është tashmë një menaxhere biznesi me përvojë shumëvjecare në drejtimin e ekipeve të teknologjisë në Silicon Valley.

Ajo bisedoi për disa orë në Tiranë me të rinjtë e organizatës Code for Albania mbi jetën dhe sfidat e saj universitare në SHBA, studimet dhe punësimet e saj në në kompaninë Sofin (Social Finance), e më parë në Facebook, Trip Adviser dhe Xpedia. Gjithçka nis nga studimi i fortë në një shkollë të mirë, thotë ajo.

“Universitetin e kam bërë në SHBA. Sistemi arsimor atje më është dukur shumë ndihmues, ka shumë mundësira gjatë fakultetit që të ndërrosh mendje, ka konsulentë që të ndihmojnë për të zgjedhur klasat, ndaj nuk më dukej e vështirë. Këtu në Shqipëri kisha një përgatitje të fortë, sidomos në gjuhë, madje kam përshtypjen se në Shqipëri shkolla ëhstë më e vështirë se sa në SHBA, sepse atje programet janë më të kuptueshme e më të qarta në sensin logjik të lëndëve” – tha zonja Stefani.

Takimi u organizua nga Qendra Alfa Plan, ndërsa shumica e pjesëmarrësve ishin anëtarë të “Code for Albania”, një organizatë jofitimprurëse e krijuar nga studentë shqiptarë, që kanë studiuar në SHBA.

“Takimi ishte shumë interesant, Julia na tregoi se si rodhi jeta e saj në SHBA nga shkolla e deri në Silicon Valley, ku punon shumë. Ajo është shumë frymëzuese për ne pjesëtarët e “Code for Albania”, është një shembull shumë i mirë për ne. Edhe mund të arrijmë shumë me studim dhe punë të fortë” – thotë gjimnazisti Sidi Koka.

Edhe Tea Aliaj është entuziaste, sidomos për faktin, që kjo histori suksesi i përket një vajze shqiptare, të cilat në Shqipëri i përfshin mosbesimi i shoqërisë.

“Julia është një frymëzim për vajzat shqiptare, aq sa të thuash: Ok, Kështu do të bëj edhe unë., do ia dal edhe unë, do të zgjedh këtë degë. Për ne vajzat prindërit thonë: Ok, ti u pranove te “Code for Albania”, një program i mrekullueshëm, por a je e sigurtë se do ta bësh këtë gjë? Sepse informatika, shkencat kompjuterike nuk janë për vajzat. Ndaj kjo bisedë ishte shumë e frytshme, sepse pamë që edhe vajzat mund t’ia dalin” – tha Tea Aliaj, nxënëse e shkolës “Servete Maçi” në Tiranë.

Endrit Mulosmani studion në shkollën e njohur “Harry Fultz”. Ai thotë se përballë informacionit të pamjaftueshëm, të rinjtë kanë nevojë të takojnë njerëz kurajoza si Julia.

“Më pëlqeu shumë mënyra se si Julia Stefani studioi në SHBA, shkoi edhe punon në SHBA dhe ka çarë jetën. Për mua ajo ëhstë shembulli i një rruge të shtruar për t’u ndjekur. Duke parë përvojat e shumë personave si Julia edhe unë do të mund të çaj më lehtë në shkollë e në punë. Edhe kur unë të jem në vendin e Julias do t’u jap të rinjve përvojën time, që t’ua bëj më të thjeshtë breit që do të vijë pas meje” – Endrit Mulosmani nga shkolla “Harry Fultz”.

Julia Stefani foli gjatë mbi studimet e saj në Shqipëri dhe në SHBA, foli hapur mbi vështirësitë, që kapërceu me këmbëngulje të madhe, duke theksuar se asnjë sukses nuk vjen pa shumë përpjekje.

“Të punojnë fort në mësime, të shohin lidhjet dhe përvojat e ndryshme, njerëz që i kanë kaluar ato përvoja; thjesht duke dëgjuar të tjerët edhe të rinjve u duket më pak e huaj sprova e asaj fushe” – thotë Julia Stefani.

Shqipëria ka shumë të rinj me talente edhe në fushat e teknologjisë dhe shkencave natyrore. Shembuj si Julia, thonë ata, përvoja më e mirë që ata duan të shohin dhe dëgjojnë si udhërrëfyes në labirintet e universitetit dhe në tregjet aktuale të punësimit brenda dhe jashtë vendit.

Daçiçi ia kujton Palmerit bashkëshorten serbe: Nga vjen gruaja juaj, andej vini edhe ju (video)

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka “vjedhur spektaklin” në një takim me përfaqësuesin special amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer dhe me kryediplomatin kosovar, Behgjet Pacolli, në Bled të Sllovenisë.

Daçiç foli për bashkëshorten e Palmerit, e cila është serbe. “Kur bëhet fjalë për Matthew, ne e njohim njëri-tjetrin për shumë vite dhe nuk pres asgjë nga ai, por shumë nga gruaja e tij, e cila ka prejardhje nga ky rajon”, deklaroi Daçiç, teksa ky deklarim i tij shkaktoi të qeshura te të pranishmit në sallë.

“Një fjalë e urtë e jona thotë se ‘nga vjen gruaja juaj, andej vini edhe ju’”, u shpreh Daçiç, si të thuash shprehjen shqiptare shumë të njohur ‘nga fshati i gruas’.

Pasi u kthye në seriozitet, Daçiç tha se Palmerin e pret një punë e vështirë në rajon.
“Nuk ka punë të lehtë, por Serbia do të jetë konstruktive, prioritete janë situata në BH, fillimi i bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, a do ta fitojë Kosova liberalizimin dhe cila është perspektiva e regjionit”, tha ai.

Serbët, shtoi ai, “nganjëherë mendojmë se raporti mes Prishtinës dhe Beogradit është prioriteti kryesor, por ai ka edhe tema tjera”.

Palmer ka kaluar një sasi të mirë të jetës dhe karrierës së tij duke punuar në Ballkan. Detyra e tij e parë ishte në Shërbimin e Jashtëm në Ambasadën e SHBA në Serbi. Ai më vonë shërbeu në Uashington dhe si këshilltar politik në Beograd, ku ndihmoi ndërmjetësimin e “Marrëveshjes së 19 Prillit” midis Serbisë dhe Kosovës.