Lista e të shpallurve në kërkim, një “gjueti shtrigash”?!
Nuk dua të merrem me absurditetin e një taksimi në erë, larg çdo bilanci real të nevojave dhe mundësive të një populli të varfër, me një mijë e një arsyet se pse ky taksim është një gur në qafën e argasur të njerëzve që kanë humbur shpresën e ku banorët e Kukësit dhe të rrethinave mbajnë kryet e vendit. Por më ka bërë përshtypje ngutja gjer në alarm, me të cilin u përpilua lista e të shpallurve në kërkim, marrja në mes të natës dhe degdisja e pjesëtarëve të kësaj liste jashtë zonës së juridiksionit të hetimit dhe arrestimit, pra një lloj pengmarrje.
Më befasoi një emër në këtë listë, emri i Azgan Haklajt, ish deputet i PD-së, një aktivist i përkushtuar i frontit opozitar, në përballje të hapura mediatike e më gjërë me qeverinë e mazhorancës së majtë. Kritikat e tij të ashpra ndaj Kryeministrit dhe funksionarëve të lartë të ekzekutivit janë një dëshmi e kësaj përballjeje. Veprimtari atdhetar dhe kulturologjik, politikani aktiv Azgan Haklaj, siç e deklaron edhe vetë, mori pjesë në protestën paqësore për traun pa alternativë dhe taksën e dyfishtë ndaj qytetarëve të këtij vendi, “si obligim moral, si ish pushtetar lokal i qarkut Kukes, si ish deputet i Tropojës i zgjedhur ndonëse i burgosur politik”. Haklaj shpallet në kërkim për gjoja “nxitje të dhunës e shkatërrimit” në këtë demonstrim, ndërkohë që gjatë gjithë kohës që janë transmetuar pamjet filmike, të cilat tashmë kanë bërë xhiron e botës, ai shfaqet i qetë dhe paqësor në mes të protestuesve. Provokimi i rëndë nga policia ndaj qytetarëve, siç dëshmojnë pamjet filmike,bënë që të avragonte rëndë situata, por nguti për të përfshirë në këto lista një personalitet si A. Haklaj, me rrezonancë të fortë politike dhe mediatike, tregon se më shumë se tentim për të hetuar të ndodhurën, kemi të bëjmë me një “gjueti shtrgash”, me një listë të përgatitur nën ethet e një ngutjes për të ndëshkuar kundërshtarët politikë.
Azgan Haklaj ka qëndruar me stoicizëm dhe qëndrestari në Shqipëri, duke luftuar me art, me libra dhe kulturë, për ta bërë më të ndjeshme e më të drejtë këtë shoqërinë tonë në kthetrat e këtij tranzicioni.
Ish politikan aktiv i Partisë Demokratike, që fitoi zgjedhjet në garën për deputet të Kuvendit të Shqipërisë në zgedhjet e vitit 2001, duke qenë i burgosur politik nga qeveria ekstremiste majtiste, ai ka provuar në lëkurë përndjekje, shantazhe, mbi të dhe familjen e tij janë bërë gjashtë atentate politike, disa herë i kanë vendosur eksplozivë në banesë, por ai ka vazhduar kauzën e tij.. Mbi politikanin Azgan Haklaj janë përdorur të gjitha llojet e atentateve, që nga snajperi, C4, granatimi me armë të rënda, aksidenti me makinë e deri tek tentativa për ta helmuar.
Kjo listë e përgatitur nën ethe, në ngut dhe panik, nuk e zbardh të vërtetën e demonstrimeve, që degjeneruan në dhunë e shkatërrim, aq më pak e zgjidh çështjen e taksimit emotiv të Rrugës së Kombit Kohët e turbullta dhe politika pisqollë janë të përkohshme, lufta për ta bërë më të drejtë e më të mirë këtë shoqëri do të jenë një rrugë e përhershme, ku ecin njerëz si Azgan Haklaj dhe qëndrestarë të tjerë.
Komentet