Maxhoranca ka ndërmarrë një projektligj për të kufizuar harkun kohor që studion Instituti për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Ligji është nënshkruar nga 10 deputetë të Partisë Socialiste, në mes të cilëve është edhe Spartak Braho, deputeti që nisi edhe debatin me Agron Tufën për studimet që ISK-ja kishte bërë për periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në relacionin që e shoqëron projektligjin, socialistët argumentojnë se Partia Komuniste është krijuar në 8 nëntor 1941 dhe në programin e saj nuk ka pasur elementët diktatorialë, ndaj harku kohor i LANÇ-it nuk mund të jetë pjesë e studimit të ISK-së, sepse instalimi i diktaturës u bë pasi komunistët morën në dorë qeverisjen e vendit.
“Objekti dhe qëllimi i ligjit është i lidhur me krimet dhe pasojat e komunizmit ne Shqipëri pas çlirimit të vendit dhe jo me të gjithë periudhën që nga krijimi i forcës politike komuniste antifashiste. Dokumentet historike kanë treguar se Partia Komuniste Shqiptare, e themeluar në 8 nëntor 1941, fitoi mbështetje popullore veçanërisht me programin politik dhe me platformën për krijimin e një fronti të gjerë lufte, ku do të merrnin pjesë pa dallim të gjitha forcat politike dhe antifashiste të vendit.
Partia Komuniste Shqiptare, në programin e saj të shpallur, nuk shtronte kryerjen e revolucionit socialist, diktaturën e proletariatit dhe as shtetëzimin e mjeteve të prodhimit apo luftën e klasave. Ajo shtronte çështjen e çlirimit të vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimin e një rendi demokratik në Shqipëri. Me luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare u arritën objektivat themelore dhe konkretisht, çlirimi i vendit dhe rivendosja e pavarësisë kombëtare.
Regjimi komunist nuk mund të lidhet me periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, luftë e cila u fitua me gjakun e mijëra dëshmorëve dhe siguroi pavarësinë e vendit. Vetëm pas përfundimit të LANÇ-it, Fronti Demokratik, ku ishin të përfshirë komunistët, mori në dorë qeverisjen e vendit duke vendosur disa detyra, ndërmjet të cilave: eliminimi i kundërshtarëve politikë, qeverisja e re, hartimi i Kushtetutës, reforma ekonomike etj.. Nisur nga parashtrimi i mësipërm, periudha e komunizmit, objekt i këtij ligji, nuk mund të jetë periudha para datës 28 nëntor 1944”, theksohet në relacion.
Ky projektligj pritet që të futet në punimet e Kuvendit dhe pas miratimit, ISKja nuk do të ketë më të drejtë që të hulumtojë mbi veprimtarinë e komunistëve gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
PANORAMA
Komentet