Protestuesit në Iran kanë dalë sërish në rrugë të shtunën në mbrëmje, duke sfiduar një shtypje të ashpër nga autoritetet, pavarësisht raportimeve se qindra persona janë vrarë ose plagosur nga forcat e sigurisë gjatë tri ditëve të fundit.
Sipas videove të verifikuara dhe dëshmive të drejtpërdrejta, autoritetet iraniane duket se po intensifikojnë reagimin e tyre, ndërsa vazhdon bllokimi pothuajse total i internetit në të gjithë vendin.
Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Movahedi Azad, deklaroi të shtunën se çdo person që merr pjesë në protesta do të konsiderohet “armik i Zotit”, një akuzë që në Iran dënohet me vdekje.
Që nga nisja e protestave, më shumë se dy javë më parë, qindra protestues besohet se janë vrarë ose plagosur, ndërsa shumë të tjerë janë arrestuar. Protestat u nxitën nga rritja e fortë e inflacionit dhe janë përhapur në mbi 100 qytete dhe qyteza në të gjitha provincat e vendit. Së fundmi, protestuesit po kërkojnë edhe fundin e sundimit klerikal të udhëhequr nga Lideri Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Nga ana e tij, Khamenei i ka përshkruar protestuesit si “një grup vandalësh” që, sipas tij, po përpiqen të “kënaqin” presidentin amerikan Donald Trump. Panorama