Sot në orën 17:00, Partia Demokratike do të zhvillojë protestën kombëtare në Tiranë kundër asaj që e cilësojnë si korrupsion të qeverisë aktuale, e udhëqur nga Narkodiktatori Edi Rama. Opozita kërkon largimin e kryeministrit dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe krijimin e një qeverie teknike që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Protesta do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, paa kryeministrisë, ndërsa nuk dihen detaje mbi skenarin e tubimit. Ashtu si në protestat e mëparshme, para qytetarëve pritet të flasin disa nga figurat kryesore të PD-së, ndërsa mesazhin kryesor të betejës politike të opozitës do ta përcjellë lideri i saj, Sali Berisha.
Kjo është protesta e dytë kombëtare e opozitës pas asaj të mbajtur më 22 dhjetor. Vendimi për intensifikimin e protestave erdhi pas publikimit të hetimeve të SPAK-ut lidhur me tenderat në infrastrukturë dhe rolin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe hetimeve për tenderat AKSHI-t.
Sipas kreut të PD-së, Sali Berisha, vendimi i kryeministrit Edi Rama për të kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese masën e sigurisë ndaj Belinda Ballukut, si dhe mosdhënia e imunitetit për zëvendëskryeministren, tregojnë se qeveria po pengon drejtësinë të veprojë. Në këto kushte, Berisha ka deklaruar se protestat mbeten e vetmja rrugë për opozitën.
Rrugët e bllokuara
Policia e Tiranës ka bërë publike planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës. Duke nisur nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të ecurisë së protestës, policia njofton se mund të ketë kufizime të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore.
Protestues nga rrethet
Ndërkohë, në rrethe kanë nisur organizimet për pjesëmarrjen në protestë. Sipas burimeve nga opozita, rreth 500 protestues nga juglindja e vendit pritet t’i bashkohen tubimit në Tiranë.