Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar një protestë masive që do të mbahet pasditen e kësaj të marte në Shkup, duke kërkuar zbatimin e plotë të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, një e drejtë e garantuar me ligj dhe Kushtetutë.
Kjo lëvizje vjen si një përshkallëzim pas një proteste të parë, e cila, sipas organizatorëve, hasi në “vesh të shurdhër” nga ana e institucioneve shtetërore dhe politike.
I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, Çlirim Iseni, student në Maqedoninë e Veriut dhe një ndër organizatorët e protestës tha se marshi protestues pritet të nisë nga Ura e Gurit dhe do të përfundojë para Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas tij, kjo protestë nuk është më vetëm për një çështje specifike, siç ishte provimi i jurisprudencës në protestën e parë, por ka marrë përmasat e një “orteku”, duke u shndërruar në një kauzë thelbësore dhe gjithëpërfshirëse për të drejtat themelore të shqiptarëve.
Si një prej organizatorëve, Iseni shprehu bindjen se pjesëmarrja do të jetë shumë më e madhe, duke synuar trefishimin e numrit të protestuesve të mëparshëm, duke theksuar mbështetjen që kanë marrë jo vetëm brenda vendit, por edhe nga Shqipëria e Kosova.
Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme mbetet “zbatimi i plotë i përdorimit të gjuhës shqipe”. Studentët argumentojnë se kjo nuk është një lëshim, por një e drejtë që buron nga statusi i shqiptarëve si “popull autokton dhe shtetformues”, që përbën një të tretën e popullsisë dhe që është e garantuar nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001.
Në ora 4:30 pasdite planifikojmë të nisemi nga Ura e Gurit, do të marshojmë drejt qendrës dhe të arrijmë te Ministria e Drejtësisë, ku do protestojmë për të drejtat tona, të drejtat tona që na, që i kemi të garantuara me ligj dhe me Kushtetutë. Të drejtat që ata po mundohen të na i shkelin në vazhdimësi. Ne nuk merremi me ato çështje që janë paksa të politizuara. Kjo çështje është ngritur para dy viteve nga kolegu ynë Mevlani dhe mori atë hovin e madh kur u bashkangjitën parlamentet e tre universiteteve shqiptare. Dhe nga këtu ndodhi ky ndryshimi i madh që të gjithë ne, ne shfrytëzuam çdo mundësi para se të dalim në protestë.
Bëmë peticione të ndryshme, rezoluta të ndryshme, por hasëm në vesh të shurdhër dhe pastaj dolëm në protestën e parë, e cila ishte për provimin e jurisprudencës. Ne nuk morëm asnjë përgjigje konkrete nga ajo. Qeveria dhe ministria nuk reflektuan fare dhe ne tani po detyrohemi të dalim në protestën e dytë, për të cilën tani po protestojmë për gjuhën shqipe, sepse gjatë kësaj periudhe, kur ata heshtën, neve na u ngritën edhe disa çështje të tjera, probleme në fakultete të ndryshme, dhe tani po shkojmë në atë më të përgjithshmen, për gjuhën shqipe.
Shpresoj ta trefishojmë numrin që e patëm atë ditë. Sepse kemi mbështetje të madhe. Po. Sepse kemi mbështetje të madhe. Marrim mbështetje nga kudo, sidomos nga Shqipëria e Kosova. Përfaqësuesit politikë që tani i kemi në pushtet, ata të bllokut shqiptar, nuk kanë pasur ndonjë përgjigje konkrete për ne deri tani. Janë munduar të na zvarritin me përgjigje se kemi krijuar një grup punues, është krijuar një komision, por nuk kemi asgjë konkrete. Dhe tani nuk mund të na zvarrisin deri në pafundësi. Aq ishte durimi jonë. Ne, tani për tani, do ishim të kënaqur vetëm me zbatimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe. Është diçka që na takon, është diçka që e meritojmë si popull autokton dhe popull shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne përbëjmë 1/3 e popullatës.
Na është garantuar me Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, nga përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Ne jemi popull shtetformues dhe janë të drejta që na takojnë dhe nuk zbrapsemi. Unë dhe bashkëmoshatarët e mi jemi pjesë e një rinie mendjehapur dhe nuk lejojmë të na shkelin apo të na anashkalojnë. Këtë që po e bëjmë ne, nuk është vetëm për të mirën tonë, është për të mirën e brezave të ardhshëm që do vijnë pas nesh. Jemi lodhur më në Maqedoninë e Veriut duke luftuar për të drejtat tona themelore, nga krijimi i shtetit e deri më tani. Pse ne të luftojmë për diçka që ka luftuar më parë edhe babai im, edhe gjyshi im?
Do ju drejtohesha të gjithëve që po na shikojnë: gjuha jonë nuk shuhet. Ata e flasim dhe e shkruajmë këtu. Ditën e shtunë paradite, në mënyrë të çuditshme, pa ndonjë paralajmërim që do ketë ndonjë ceremoni ose diçka, dalin një top forcash speciale dhe marshojnë rrugëve në një lagje të Kumanovës dhe brohorasin parulla nacionaliste, dhe në mënyrë shumë të zhurmshme, gjë që ka shqetësuar qytetarët e Kumanovës, por edhe gjithë vendin. Ajo ka bërë jehonë në gjithë vendin. Dhe unë atë e mora si lloj ngjallje frike nga për qytetarët.