VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Prokuroria kërkon nga Ivanovi tërheqjen e plotë të faljeve

By | June 3, 2016

Komentet

”Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, arrestohen 16 të rinj në Maqedoninë e Veriut për koret raciste në Shkup

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar për ndalimin e 16 të rinjve maqedonas, të dyshuar për fyerje ndaj shqiptarëve, në lagjen Gjorçe Petrov, në dalje të Shkupit në drejtim të Tetovës.

Aksioni i policisë erdhi pas një videoje të publikuar në Facebook ku shiheshin një grup të rinjsh duke brohoritur thirrje të rënda ndaj komunitetit shqiptar si “shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”.

Brohoritjet kishin ndodhur derisa rrugës po kalonte një kolonë makinash e dasmorëve shqiptar; të stolisur me flamuj kombëtarë.

Thirrjet e të rinjve kishin provokuar dasmorët të cilët kanë ndaluar makinat dhe janë nisur në drejtim të grupit maqedons, por nuk ka pasur përplasje fizike meqë grupi është shpërndarë.

“Janë thirrur në bisedë informative, janë zhvilluar biseda me ta. Konkretisht për rastin e të shtunës, janë ndaluar 16 persona dhe po merren të gjitha masat me qëllim që të zbardhet rasti. MPB-ja do të ketë zero tolerancë për veprime të këtilla, kështu që do të punohet në mënyrë intensive deri sa të sanksionohen të njëjtit“, ka deklaruar zëdhënësja e MPB-së, Suzana Praniq.

Të rinjtë besohet të jenë tifozë të klubit të futbollit “Vardari” të njohur si “Komitët”

Tifozët e njëjtë edhe një javë të parë kishin marshuar sheshit të Shkupit me brohoritje të tilla derisa në stadiumin e qytetit po luante ndeshje Shkupi-Vardari.

Ky akt ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale duke kërkuar masa nga institucionet për parandalimin e veprimet të tilla.

“Sjelljet e Komitëve burimin e kanë tek sistemi, që u jep fuqi dhe përkrahje, pavarësisht kush është në pushtet. Për sa kohë sistemi nuk i dërgon prapa grillave këto huligan, fenomene të këtilla s’do të kenë të ndalur”, kështu ka reaguar Ziadin Sela nga partia Aleanca për Shqiptarët.

Edhe pse me Kodin Penal, gjuha e urrejtjes është e dënueshme nga një deri në pesë vite burg, deri tani askush nuk është ndëshkuar për gjuhë të urrejtjes e cila në Maqedoninë e Veriut është e pranishme në të gjitha manifestimet sportive, por edhe në tubime e protesta të partive.

/REL

Andov: Bëmë gabime ndaj shqiptarëve, nuk duhej të ndodhte lufta më 2001

Garda e Nderit ngreh flamurin kombëtar në Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Shkup, 8 shtator, 2020.

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut gjatë 29 vjetëve të pavarësisë, ka bërë përparime të mëdha, por edhe gabime të cilat i kanë kushtuar humbje kohe për arritjen e synimeve të saja kryesore: anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Stojan Andov, kryetar i parë i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ai ka drejtuar institucionin ligjvënës në vitin 1991 kur vendi shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia. Sikur në atë kohë të mos bëheshin disa gabime, thotë Andov, vendi mund të ishte shumë më herët pjesë e strukturave euroatlantike, ndërsa nuk do të ndodhte edhe konflikti në vitin 2001.

Gabimet, sipas tij, janë bërë në raportet me shqiptarët, të cilët bojkotuan referendumin për pavarësi si dhe miratimin e Kushtetutës së parë, e cila Maqedoninë e atëhershme e definonte si shtet ekskluzivisht të maqedonasve.

“Sigurisht që kishte gabime. Nuk duhej që të vinim deri te konflikti në vitin 2001, pasi disa çështje mund të zgjidheshin më herët, por ja që u vonuam. E dimë se në referendumin për pavarësi nuk dolën votuesit shqiptarë… Qysh atëherë gjërat mund të vendoseshin më ndryshe. Siç edhe e dimë, deputetët shqiptarë nuk e votuan as Kushtetutën e parë në vitin 1991. E gjithë kjo duhet të shërbente si mësim, por ja që u veprua pak me kokëfortësi. Mendonim se mund të bëhemi pjesë e NATO-s me disa operacione që zhvilluam brenda shtetit në vitin 1993. Ne e donim Perëndimin, por nuk kishin përvojë, kështu që na u ngatërruan punët dhe u vonuam”, thotë ish-kryetari i kuvendit, Stojan Andov.

Drejtuesit e institucioneve, si të arriturën më të madhe të vendit që nga shpallja e pavarësisë, kanë theksuar anëtarësimin në NATO dhe pritjet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, mbylljen e kontesteve me fqinjët, zgjidhjen e problemeve të brendshme ndëretnike përmes Marrëveshjes së Ohrit, por edhe përballjen me sfida tjera.

Shpëtim Pollozhani, kryetari i shoqatës së ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë shqiptarë, të cilët që në kohën e monizmin u angazhuan për barabarësinë e shqiptarëve, nuk është i kënaqur me të arriturat gjatë kësaj periudhe pavarësie.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë kërkesa ende nuk kanë gjetur zgjidhjen e plotë, si zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare e përfaqësimi i drejtë në institucione, ndërsa flet edhe për vlerësimet lidhur me anëtarësimin e shtetit në NATO.

“NATO-ja e ka projektin e vet dhe kështu e ka futur në gjirin e saj. Pra, mendoj se më tepër është meritë e NATO-s për anëtarësim e saj në këtë aleancë sesa meritë e klasës politike të Maqedonisë së Veriut. Nuk mendoj se gjërat kanë ndryshuar për të mirë, pasi sikur të ndryshonte për të mirë, atëherë do të zvogëlohej numri i atyre që e lënë vendin dhe ikin. Puna tregon se dukuritë ndryshojnë për të keq. Kjo i detyron të gjithë kuadrot që nuk tregojnë serivilitet ndaj partisë në pushtet, kuadro që janë me dinjitet, që janë profesionist, që janë të ngritur, që kanë një qëllim, që kanë një ëndërr, ata largohen”, thekson Pollozhani.

Ai thotë se ky shtet mund të ketë sukses vetëm nëse hiqen paragjykimet mes njerëzve.

“Nëse nuk ndryshon mentaliteti politik se ‘shqiptari i ndershëm është shqiptar i manipulueshëm’, do të mbytemi në të njëjtën anije, të dy palët, edhe ne edhe maqedonasit. Nëse ata ndryshojnë mentalitetin hegjemon ndaj shqiptarëve, edhe ata do të ndryshojnë mentalitetin ndaj vetvetes, atëherë mendoj se punët mund të lëvizin”, shprehet Pollozhani.

Temelko Ristevski, profesor i së Drejtës Kushtetuese thotë për Radion Evropa e Lirë se të arritura janë shënuar, por jo edhe ngritje e vetëdijes për përgjegjësitë ndaj shtetit.

“Mendoj se kemi arritur shumë. Për herë të parë në historinë tonë maqedonase kemi shtet të pavarur, demokratik, sovran, shtet maqedon. Kemi arritur të bëhemi pjesë e NATO-s, ndërsa presin edhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, kemi edhe dobësitë tona të sjelljes ndaj shtetit, ende nuk kemi vetëdije të lartë për përgjegjësitë që duhet të kemi ndaj shtetit në përgjithësi. Te ne ende ka korrupsion të lartë, ende nuk kemi shkallë të lartë të përgjegjësisë, ende kemi të theksuar individualizmin duke lënë anash interesat shoqërore e shtetërore. Këto janë disa faktorë që po pengojnë rrugën tonë drejtim zhvillimit dhe përparimit, të shtetit dhe shoqërisë”, thotë Ristevski.

Opozita maqedonase kritikon heshtjen shtetërore për marrëveshjen Prishtinë-Beograd

Flamuri i Kosovës dhe ai i Serbisë.

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka kritikuar institucionet shtetërore dhe partitë politike në pushtet, të cilat, siç thuhet, tashmë tri ditë po heshtin lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, në prani të presidentit amerikan Donald Trump.

“Vendi ynë u prononcua për Venezuelën, Korenë e Veriut, demokracinë në Poloni, por jo për çështjet që lidhen me Serbinë dhe Kosovën – dy fqinjët tanë me të cilët kemi bashkëpunimin dhe shkëmbim ekonomik më të zhvilluar…”, ka deklaruar Ilija Dimovski ish-deputet dhe zyrtar i VMRO-DPMNE-së, duke theksuar më tej se çfarë sipas tij do të ishte me rëndësi për pozicionin shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

“Ne nuk duhet ta shikojmë këtë çështje përmes prizmit të ndjenjës për cilindo palë, por ekskluzivisht përmes prizmit të interesit të Republikës së Maqedonisë (v.j. së Veriut) dhe interesit të të gjithë qytetarëve të saj. Interesi ynë në rajon është që të kemi stabilitet afatgjatë. Në interes të Republikës së Maqedonisë është që mosmarrëveshjet të mos zgjidhen përmes ndryshimit të kufijve. Është në interesin tonë të mos kemi konflikte ushtarake në asnjë prej kufijve tanë për shkak të rrezikut të përhapjes së konfliktit drejt nesh. Është në interes të Republikës së Maqedonisë (v.j. së Veriut) që të investohet në infrastrukturë, transport, tregti dhe ekonomi kudo në shtetet fqinje”, ka theksuar Dimovski.

Lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit kishte reaguar në Facebook, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti duke e vlerësuar marrëveshjen “lajm të mirë nga djepi i demokracisë, nga vendi që bën ndryshim, nga vendi që promovon paqe, siguri dhe stabilitet, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“U arrit Marrëveshja historike në mes dy shteteve sovrane, Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është një hap kolosal drejt marrëveshjes finale dypalëshe dhe Ballkanit në paqe e prosperitet ekonomik. Miqësia shqiptaro-amerikane dhe bashkëpunimi ynë strategjik janë sa shekullore aq edhe të përjetshme”, ka theksuar Ahmeti.

Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin ekonomik, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. rel

Përfundon intervistimi i Ali Ahmetit nga prokurorët e Gjykatës Speciale

Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është intervistuar nga prokurorët e specializuar të Gjykatës Speciale.

Pas intervistimit në cilësinë e dëshmitarit, Ahmeti tha se nuk e ka të lejuar të japë detaje rreth procesit.

“Deri në përfundim të këtij procesi, nuk mund të ndajë asnjë informacion me opinionin sepse kështu e përcakton ligji dhe dua që ta respektoj ligjin. Në përfundim të këtij procesi, atëherë mund të flasim. Sot ka marrë fund procesi i intervistimit tim. Kam qenë në cilësi të dëshmitarit”, tha Ahmeti para gazetarëve.

I pyetur se cili është mendimi i tij për këtë gjykatë, Ahmeti tha shkurt se “është vendim i Kuvendit të Kosovës dhe ky vendim është ekzekutuar”.

Intervistimi i sotëm (3 shtator) i Ahmetit ka qenë vazhdimësi e intervistimit të ditës së djeshme që zgjati rreth 8 orë.

Ahmeti ka qenë një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Që nga viti 2019 qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Gjykata Speciale, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Prokurorisë në Hagë u formua nga autoritetet në Kosovë pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare.

Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Për formimin e kësaj gjykate u deshën edhe ndryshime kushtetuese, që u miratuan nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. rel

Shkup, shënohet 110 vjetori i lindjes së shenjtores Nënë Tereza

Të mërkurën në Shkup, në vendlindjen e shenjtores Nënë Tereza u shënua 110 vjetori i lindjes së saj. Instituti për Ruajtjen e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Shoqata “Shkupjania Nënë Tereza” përuruan pllakën përkujtimore të shkruar në maqedonisht, shqip dhe anglisht në sheshin qendror të Shkupit, ku ka qenë shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut.

Në të vërtetë, për vite me radhë në këtë vend ka pasur një pllakë në maqedonisht dhe anglisht por jo dhe në gjuhën shqipe, që indinjonte komunitetin shqiptar.

Një nga folësit, Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut foli me mburrje për shenjtoren Nënë Tereza si “simbol i humanizmit të pafund, simbol i dashurisë ndaj njeriut, kujdesit dhe ndjeshmërisë ndaj të sëmurëve, martirëve dhe të pafatëve në jetë”, siç tha z. Xhaferi.

Skënder Hasani, drejtor i Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve tha se me themelimin e Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut brenda Institutit, “personaliteti i Nënë Terezës ka edhe një përkujdesje shkencore, që në mënyrë studioze do ta ndriçojë figurën e saj, do t’i pasurojë informacionet për të dhe gjithnjë do ta begatojë personalitetin e madh të Nënës Terezë në mjedisin tonë”.

Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza ishte larguar nga vendlindja në moshën 18 vjeçe për t’iu bashkuar misionit të bamirësisë dhe ajo kishte arritur ta vizitojë Shkupin katër herë, ndërsa e ëma, motra dhe i vëllai jetonin në Tiranë.

Sot në Shkup jeton një komunitet i vogël katolikësh shqiptarë. Shumë prej tyre janë shpërngulur, sidomos në Kroaci. Në Shkup ka një kishë të vetme katolike në të cilën meshat nuk bëhën në gjuhën shqipe dhe as nuk ka një prift shqiptar.

Shtëpia e shenjtores në kryeqytet ishte rrëzuar me urdhër të autoriteteve komuniste të kohës pas tërmetit të vitit 1963, me vlerësimin se kishte pësuar dëme serioze.

Në Shkup, disa qindra metra larg shtëpisë së lindjes është ngritur një shtëpi – muze për nder të Nënë Terezës të cilën e vizitojnë qindra njerëz nga mbarë bota. zëri i amerikës

Ali Ahmeti nuk do të jetë në votimin e qeverisë së re, thirret në Hagë për dosjen ndaj UÇK-së

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti nuk do të jetë prezent në seancën e votimit të qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, pasi është kërkuar nga prokurorët e Gjykatës Speciale të Kosovës, që të dëshmojë për dy ditë në kuadër të dosjes ndaj ish-krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ahmeti ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Seanca e votimit të qeverisë së re të koalicionit LSDM-BDI mbahet më 2 shtator, kurse prokurorët i kanë kërkuar Ahmetit të jetë  në dispozicion për dy ditë për të dëshmuar.

Zëdhënësi Prokurorisë Speciale për krime të luftës në Kosovë, Christopher Bennett është shprehur për mediat se ndërsa nuk është ngritur aktakuza, nuk mund të thuhet pse dhe në çfarë cilësie është thirrur kreu i BDI.

Sipas tij, Prokuroria Speciale e Kosovës dhe gjykata nuk kanë dhënë detaje në publik deri në një vendimin përfundimtar, as nuk dihet kush është akuzuar dhe kush është dëshmitar, ndërsa theksoi se “ky rregull vlen edhe për Ahmetin”.

“Ne nuk japim detaje në lidhje me asgjë që lidhet me hetimin tonë. Informacioni që po thoni (se ai u thirr për të dëshmuar) mendoj se vjen nga vetë Ahmeti”, tha Bennett.

Lideri i BDI-së konfirmoi se ai ishte thirrur të dëshmojë para prokurorëve të Prokurorisë Speciale në Kosovë më 2 dhe 3 shtator. Ndërkaq, në mediat shqiptare dhe maqedonase në Shkup është folur edhe për një mundësi të dorëheqjes së Ahmetit nga kreu i BDI-së e largim nga politika, nëse zyrtarizohet ndonjë akuzë ndaj tij.

Kurse nga BDI, këto zëra i kanë quajtur të pabaza dhe të rreme. Drejtues të BDI-së kanë thënë se Ahmeti është në Hagë për të dëshmuar dhe se nuk ka fare lidhje me ndonjë dosje ndaj tij./ dita

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim jep dorëheqjen pas përplasjeve me kreun e partisë

“Mbetem parimor dhe rrjedhimisht dorëhiqem nga mandati i deputetit të popullit për të evituar konflikt të mundshëm të interesit me votën time në kuvend”.

I tillë ka qenë vendimi i papritur, i deputetit shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pak ditë pas zgjedhjeve.

I sapo zgjedhur nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Florin Besimi bëri të ditur se do të jep dorëheqje nga posti i deputetit.

Ai thotë se për të është nder t’i përfaqësojë qytetarët në Kuvend dhe se rrethanat imponojnë të merr një vendim tjetër.

“Jam shumë krenar që vota juaj kontribuoi në arritjen e marrëveshjes më të mirë koalicionuese që kemi arritur ndonjëherë në të kaluarën, përfshirë edhe kryeministrin e parë shqiptar të vendit. Marrëveshje, e cila u vlerësua si historike nga të gjithë figurat relevante politike shqiptare”.

“Duke qëndruar stoik në parimet për barazi, drejtësi, mundësi për të gjithë dhe duke respektuar në tërësi dhe pa asnjë hezitim ligjin dhe vullnetin e popullit, unë ju njoftoj se mbetem parimor dhe rrjedhimisht dorëhiqem nga mandati i deputetit të popullit për të evituar konflikt të mundshëm të interesit me votën time në kuvend”, tha Florin Besimi.

Ai thotë se ky vendim vjen në pajtueshmëri me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe në ditën kur janë shpallur kandidatët për ministra të rinj.

“Marrëveshjet e mëdha historike e tejkalojnë mandatin tim të deputetit. Rikthehem në shërbim të popullit, aty ku mund të kontribuoj më së shumti, në profesionin tim dhe në qytetin tim. Zoti ju bekoftë dhe na priftë e mbara, gjithmonë bashkë dhe përherë për të mirën e përbashkët. Ju falenderoj nga zemra për mbështetjen dhe besimin e dhënë”, shkruan Besimi.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, kryetarja e Komisionit Anti-korrupsion, Biljana Ivanovska tha se Florin Besimi nuk do të mund të votojë për Qeverinë e re dhe për vëllanë e tij për ministër të Financave për shkak se kjo përbën konflikt interesi.

Pritet dorëheqja: Ali Ahmeti thirret në Hagë pak ditë pas arritjes së marrëveshjes historike për qeverinë e re në Shkup

Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, në Maqedoninë e Veriut, i cili ka qenë edhe luftëtar në luftën e Kosovës 1998-1999, tha të mërkurën në mbrëmje se Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë ka kërkuar ta marrë atë në pyetje.

Ahmeti konfirmoi se ka pranuar “pa asnjë hezitim” kërkesën e prokurorëve që po hetojnë krimet e kohës së luftës dhe pasluftës nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

“Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk pranoi të japë informacione se përse është thirrur në Hagë Ahmeti.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep informacione për hetimin e tij, kështu që unë nuk mundem as të konfirmoj dhe as të mohoj asgjë”, u përgjigj Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për gazetën Nezavisen të Maqedonisë së Veriut.

Ahmeti shërbeu në UÇK, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, dhe më pas edhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, e cila luftoi kundër forcave të sigurisë së Maqedonisë së Veriut gjatë një konflikti të armatosur jetëshkurtër në vitin 2001.

Pasi konflikti përfundoi me një marrëveshje paqeje që u dha shqiptarëve etnikë më shumë të drejta, në vitin 2002 Ahmeti dhe ish-liderët e drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare kombëtare formuan partinë BDI.

Që atëherë, BDI-ja ka mbetur partia më e madhe etnike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe ka qenë në disa qeveri, përfshirë edhe atë të fundit, të udhëhequr nga social demokratët.

Ftesa për Ahmetin erdhi një javë pasi prokurorët e Hagës përfunduan marrjen në pyetje katër-ditore të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi më 24 qershor se akuzon Thaçin, si dhe politikanin e lartë të Kosovës Kadri Veseli dhe ish-luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku do të gjykohen të dyshuarit, janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar.

Ato u ngritën nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë i Kosovës nuk ishte aq i fortë sa të gjykonte raste kaq të ndjeshme.

E ashtuquajtura “gjykatë speciale” është kundërshtuar gjerësisht nga shqiptarët e Kosovës që e shohin atë si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirimin nga sundimi serb.

Ftesa e Ahmetit vjen gjithashtu vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut të 15 korrikut, ku BDI-ja e tij i përforcoi pozicionet e saj si partia më e madhe shqiptare në vend, duke fituar 15 vende në parlamentin e përbërë nga 120 vende, duke bërë që ajo të ketë përsëri rolin kryesor gjatë bisedimeve të ardhshme për formimin e qeverisë së ardhshme.

Sipas mediave në Shkup, thirrja në Hagë mund të pasohet nga dorëheqja e Ahmetit si kryetar i BDI. Artan Grubi, i cili në qeverinë e re do jetë zv.kryeministër, mund të jetë zëvendësuesi i tij në rast dorëheqje.dita

Talat Xhaferi rizgjidhet Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut

Isak Ramadani

Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut e rizgjodhi Talat Xhaferin si kryetar të të tij. 62 ligjvënës të partive të shumicës së re parlamentare votuan pro, 43 deputetë të VMRO-DPMNE-së kundër, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare “Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa” u larguan nga seanca para aktit të votimit.

Seanca u zhvillua mes kritikave të shumta të deputetëve opozitarë maqedonas të cilët thanë se nuk do ta votonin zotin Xhaferi për shkak të aleancës së partisë së tij me LSDM-në, drejtuesit e së cilës i konsiderojnë si njerëz të përfshirë në vepra kriminale dhe manipulime të tjera.

Zoti Xhaferi falënderoi deputetët për besimin e dhënë, përfshirë ata të opozitës për debatin konstruktiv, përfshirë ata që u larguan nga salla para se të fillonte votimi. “Do të jem në funksion të ligjeve të Kushtetutës dhe rregulloreve”, tha kryetari i sapozgjedhur i parlamentit.

VMRO-ja u përpoq të bindte BDI-në që të mos hynte në koalicion me LSDM-në për shkak të, siç tha ajo, ofendimeve dhe nënçmimeve që anëtarët e LSDM-së kishin bërë gjatë fushatës së fundit zgjedhore nda BDI-së dhe shqiptarëve.

Ish-kryetari i grupit të deputetëve të opozitës, Nikolla Micevski kritikoi shumicën për “mënyrën e turpshme të drejtimit të seancave, duke mos respektuar të drejtat e deputetëve dhe duke keqpërdorur rregulloren e parlamentit.”

Ndërkohë, deputeti i koalicionit “Aleanca për Shqiptarët – Alternativa” Skender Rexhepi theksoi “vjedhjen e votave”, sipas tij, në zgjedhjet e fundit “që vranë shpresën e shqiptarëve për demokraci”. “Nuk do të marrim pjesë në një akt të turpshëm historik të votimit”, tha deputeti Rexhepi.

Talat Xhaferi ishte Kryetar i Parlamentit gjatë mandatit të kaluar, respektivisht nga 27 prilli i vitit 2017, kur ndodhën sulmet e dhunshme nga përkrahës të VMRO-së ndaj ligjvënësve brenda parlamentit. Ai ka qenë deputet edhe në përbërje të kaluara dhe Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Me profesion është ushtarak, ka ndjekur studimet në Akademinë ushtarake në Beograd dhe ka qenë oficer i ushtrisë jugosllave. Më vonë ai u angazhua në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, e cilia organizoi një kryengritje kundër forcave policore dhe ushtarake në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut për të drejta më të mëdha të shqiptarëve në këtë vend.

Shumica e re parlamentare i ka 62 deputetë, prej të cilave 46 të LSDM-së, 4 të Lëvizjes Besa, 15 të BDI-së dhe 1 të Partisë Demokratike Shqiptare, të mjaftueshëm për ta votuar edhe kabinetin e ri qeveritar, i cili do të drejtohet nga udhëheqësi i LSDM-së, Zoran Zaev.

Sela-Gashi: BDI nuk ka legjitimitet në Qeverinë e dakorduar

Shkup

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi deklaruan se Qeveria e dakorduar mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe koalicionit “Mundemi” dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nuk ka legjitimitet dhe se kjo parti që nga dita e parë nuk e mbajti premtimin për kryeministrin shqiptar, raporton Anadolu Agency (AA).

Para Kuvendit kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela tha se marrëveshja e djeshme mes LSDM-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë së re “është jolegjitime dhe nuk është shprehje e vullnetit të qytetarëve”.

“Kur jemi te ai legjitimitet, oponenti ynë BDI nuk e ka atë legjitimitet, sepse ata, të gjithë qytetarët janë dëshmitarë, se vullnetin e qytetarëve e kanë keqpërdorur, e vodhën, e blejtën me para dhe e frikësuan”, theksoi Sela.

Mes tjerash, Sela tha se ende presin përgjigje nga Prokuroria për parregullistë zgjedhore në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 15 korrik të këtij viti.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se premtimi kryesor i BDI-së para zgjedhjeve ishte kryeministri shqiptar dhe këtë premtim e shkelën që në ditën e parë dhe për këtë shkak këtu nuk mund të ketë legjitimitet.

“Humb çdo legjitimitet sepse kanë mbledhur vota mbi këtë premtim. Nëse nuk e kthejmë këtë komponentë në demokraci do të humb kuptimi i fjalës së dhënë, fjalës së dhënë publike”, tha Gashi.

Liderët e LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, dje mbajtën takim pas të cilit e njoftuan opinionin se kanë arritur marrëveshje koalicionimi për formimin e shumicës parlamentare. Ata paralajmëruan se pjesë e koalicionit qeveritar do të jetë edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).

Sipas procedurave, pas marrëveshjes për qeveri të re, kryeparlamentari Talat Xhaferi pritet të caktojë vazhdimin e seancës konstituive në të cilën do të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Pastaj, kryeparlamentari duhet të thërrasë një seancë të re në të cilën duhet të zgjidhet qeveria e re.

Kujtojmë se presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, më 13 gusht i dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë së re kreut të LSDM-së, Zoran Zaev i cili udhëheq koalicionin “Mundemi” që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik.

Në këto zgjedhje, sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), koalicioni “Mundemi” fitoi 46 deputetë, VMRO-DPMNE-je 44 deputetë, BDI-ja 15 deputetë, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 deptuetë, E Majta 2 deputetë dhe Partia Demoratike Shqiptare (PDSH) 1 deputet.

LSDM dhe BDI vazhdojnë qeverisjen, kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të mandatit

Isuf Kadriu

Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë njoftuar arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshje u bë e ditur nga liderët e dy partive, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti. Kreu i LSDM-së, Zaev tha se do të jetë kryeministër me mandat të plotë katërvjeçar, duke bërë kështu të ditur se ky post nuk do të ndahet në rrotacion me BDI-në, e cila këtë post e kishte moto kryesore të fushatës zgjedhore.

Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por Zaev njoftoi se kryetar i kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja.

Zaev tha se me BDI-në janë pajtuar që gjatë mandatit katërvjeçar bashkërisht të punojnë në ndarjen e përgjegjësive sikur dhe përbërjes së qeverisë së re.

“Lufta kundër koronavirusit do të jetë prioritet në punën e qeverisë, sikur edhe standardi ekonomik, rritja e pagave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jemi pajtuar për forcimin e sistemit të drejtësisë, hetimin e pasurisë së funksionarëve dhe të kaluarën e tyre”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Sa i përket postin të kryeministrit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se si BDI-ja do të arsyetojë heqjen dorë nga kjo kërkesë me të cilën udhëhoqi fushatën zgjedhore.

“Ky vendim që është marrë të martën, pritej nga të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë për vazhdimin e proceseve integrues. Ne kemi dalë me kandidat (për kryeministër) si e drejt e jona legjitime dhe nëse do të barrikadohemi, asnjëherë nuk do të arrijmë zgjidhje për të mirën e qytetarëve. Mendoj se qëllimi është arritur që të përçojmë mesazhin te të gjithë qytetarët”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar se beson se ky partnerit i radhës së me LSDM-së, do të jetë më i suksesshëm deri më tani.

Por, Zoran Zaev tha se me BDI-në janë pajtuar që 100 ditë e fundit të qeverisë, kryeministri do të propozohet nga BDI-ja.

“Qeveria e Përzhinës më nuk do të funksionojë për shkak të problemeve në të kaluarën. Por, kur vinë zgjedhjet, të gjitha partitë duhet të ndjehen të barabarta, kështu që LSDM-ja do të pranojë që 100 ditë para zgjedhjeve, me propozim të BDI-së, të zgjidhet një kryeministër i ri”, tha Zaev.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, LSDM-ja e Zoran Zaevit ka fituar 46 ulëse në kuvend, BDI-ja 15, opozita shqiptare 12, PDSH-ja 1. Në rast se brenda 20 ditëve LSDM-ja nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë fituese, VMRO- DPMNE-së e cila ka 44 ulëse në kuvend.

Sipas Kushtetutës, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të marrë minimum 61 vota të deputetëve.

Certifikohen rezultatet, shqiptarët me 32 mandate në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ne Maqedoninë e Veriut ka miratuar vendimin për shpalljen e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut.



Gjatë seancës së hapur, kreu i KSHZ-së Oliver Derkovski njoftoi se janë certifikuar rezultatet e përbërjes së re parlamentare prej 120 deputetësh.

LSDM 46 mandate
VMRO-DPMNE 44 mandate

BDI 15 mandate
ASH-AA 12 mandate
E majta 2 mandate
PDSH 1 mandat

Gjatë këtij mandati katërvjeçar në godinën ligjvënëse, shqiptarët do të përfaqësohen nga gjithsej 32 deputetë shqiptarë nëpër parti dhe koalicione të ndryshme. Pa mandate mbeten Integra, GDU, Moro, Glas za Makedonija, E vetmja Makedonia, SDU, Tvoja prtija, Demokratët dhe Partia popullore rome.


Send this to a friend