VOAL

VOAL

Prokuroria: Ja lista e personave që Sadri Ramabaja dhe ‘Syri i Popullit’ planifikonin t’i vrisnin

October 9, 2017

Komentet

Tranziti i pasigurt: Kosovarët “nën gjykimin” e Serbisë

Pikëkalimi mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, është një prej zonave ku autoritetet serbe kanë arrestuar shqiptarë të Kosovës.

 

Bekim Bislimi

Kur Tefik Mustafa u kthye në Kosovë pas më shumë se një viti në burgjet e Serbisë, familja e tij e pa të thyer fizikisht dhe emocionalisht.

Sot ai është në Zvicër, duke trajtuar problemet me shikim dhe një krizë nervore – pasoja këto të drejtpërdrejta të kushteve të rënda në burgun ku u mbajt, sipas familjes.

Historia e tij është vetëm një nga shumë rastet e ngjashme të viteve të fundit, kur qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe gjatë udhëtimeve transit.

Nga udhëtim transit, në 13 muaj paraburgim

Djali i tij, Qamili, rrëfen se Tefik Mustafa – shtetas i Kosovës dhe i Italisë – u nis më 1 qershor 2024 drejt Sllovenisë, përmes Serbisë – rrugë që e kishte përdorur dhjetëra herë më parë.

Në vendkalimin kufitar të Merdares, midis Kosovës dhe Serbisë, ai u ndalua nga policia serbe.

“E detyruan që telefonatën e fundit me familjen ta bënte në gjuhën serbe. Pastaj, për 79 ditë nuk na lejuan asnjë kontakt”, rrëfen Qamili për Radion Evropa e Lirë.

Pas një muaji paraburgim në Prokuple, Tefiku u transferua në një burg të sigurisë së lartë në Beograd.

Sipas të birit, ai u akuzua për organizimin e rrëmbimit të tre policëve serbë në qershor të vitit 1999, në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Për familjen, akuza ishte absurde, sepse, siç thotë Qamili, Tefiku as që ndodhej në Kosovë në atë kohë.

Nga viti 1997, ai jetoi dhe punoi në Gjermani, deri më 2004, kur u kthye për herë të parë në Kosovë, pas përfundimit të luftës, thotë Qamili.

 

Prokuroria kërkoi 27 vjet burg, por Gjykata e dënoi me një vit. Në fund, sipas Qamilit, Tefikun “e shpallën të pafajshëm” dhe e liruan pas 13 muajsh në paraburgim.

“Nuk kanë gjetur fakte. Plus, kur e kanë liruar babanë, e kanë shpallur të pafajshëm”, thotë ai.

Qamili pretendon se gjatë kohës në burg, Tefikut i është dëmtuar rëndë shikimi për shkak të ambientit të errët, në të cilin është mbajtur.

“Babai, për momentin, gjendet në Zvicër. Ka shkuar për vizitë dhe për trajtim mjekësor, lidhur me problemin me sy, por edhe për një lloj ‘bllokade’… është një lloj krize nervore”, shpjegon ai.

Po sipas tij, familja ka shitur prona dhe është futur në borxhe “për të paguar qindra mijëra euro”, që avokatët serbë kërkonin për ta nxjerrë të lirë.

Gjashtë të arrestuar dhe një i zhdukur më 2025

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me shtetasit e Kosovës, të arrestuar në Serbi këtë vit.

Por, burime të REL-it brenda MPJD-së konfirmojnë se deri më tash këtë vit janë regjistruar gjashtë raste arrestimesh dhe një rast rrëmbimi nga autoritetet serbe.

Të arrestuarit, sipas tyre, dyshohen për “krime lufte” ose “vepra kundër rendit kushtetues të Serbisë”.

Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD

Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.

Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Sasha Gjorgjeviq – i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.

Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.

Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.

Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq – pjesa veriore e Kosovës – më 1 nëntor.

Më 14 gusht, autoritetet serbe kanë njoftuar se i kanë ndaluar edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata janë liruar.

Shifrat që nuk i di askush

Avokatët nga Kosova nuk mund t’i mbrojnë qytetarët e ndaluar në Serbi pa licenca serbe, por bashkëpunojnë me avokatë vendas.

Arianit Koci, i angazhuar në disa prej rasteve, thotë se shifrat zyrtare janë “relativisht të pasakta”.

“Ka raste kur biznesmenë të caktuar janë ndaluar – me pretendimet se kanë kryer krime të luftës – dhe më pas janë liruar. Por, ata kanë insistuar që të mos bëhen publike këto informata, për shkak se, sipas tyre, ata duhet të vazhdojnë të kalojnë nëpër Serbi”, thotë Koci për Radion Evropa e Lirë.

Ai përmend edhe rastin e një ish-polici që u ndalua për disa orë dhe u lirua pa u marrë vesh nga askush.

“Ka shumë raste të tilla”, thotë ai dhe shton se Serbia “i zvarrit qëllimisht procedurat”.

“Në rastin e Hazir Hazirit, dëshmitarët e kanë shfajësuar. Por, prokuroria tani kërkon ta kontrollojë telefonin e tij të vitit 2025 për një ngjarje të vitit 1999. Si është e mundur kjo?”, pyet ai.

Sipas tij, Haziri ka kaluar dhjetëra herë më parë nëpër territorin e Serbisë dhe nuk është ndaluar deri në shtatorin e sivjetmë.

“Qytetarët janë [dëm] kolateral. Gjithmonë pëson individi kur dy shtetet kanë probleme. Këtë mekanizëm, si duket, Serbia po e shfrytëzon në mënyrë brutale”, shton Koci.

Arrestimet si instrument politik

Ekspertët, gjithashtu, vlerësojnë se këto ndalime ndodhin zakonisht kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë rriten.

Në dy vjetët e fundit, ato kanë qenë të larta, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj edhe në pjesën veriore të vendit, ku popullata shumicë serbe vazhdon të jetë e ndikuar nga pushteti në Beograd.

Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, thotë se qytetarët janë bërë “kolateral politik”.

“Është një lojë ‘ping-pong’. Është një kolateral që e paguajnë qytetarët e Kosovës për shkak të raporteve të tensionuara me Serbinë, si dhe për shkak se Kosova dhe Serbia kanë mbetur nën hijen e interesimit ndërkombëtar, si pasojë e luftimeve në Ukrainë dhe zhvillimeve në Lindjen e afërt”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Serbia po simulon “reciprocitet”, duke pretenduar se po arreston kosovarë si kundërpërgjigje për procedurat në Kosovë ndaj serbëve.

“… por, çdo ndalim i jashtëligjshëm është shkelje e të drejtave të njeriut. Arrestimi e pastaj lirimi i shfajëson në letër, por dëmi ndaj personit është i pariparueshëm”, thotë ai.

Shala kritikon klasën politike në të dyja vendet që po i përdor këto raste vetëm për retorikë, pa bërë përpjekje për të ndërtuar mekanizma të vërtetë bashkëpunimi, me ndërmjetësim ndërkombëtar ose ndërinstitucional.

Gjatë këtij viti, MPJD-ja e Kosovës ka përsëritur disa herë thirrjen që shtetasit kosovarë të shmangin udhëtimin përmes territorit të Serbisë, duke vlerësuar se “Serbia nuk është më një territor, i cili ofron siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të shtetasve të Republikës së Kosovës, në veçanti ndaj shqiptarëve”.

Territori i këtij vendi shfrytëzohet sidomos nga shtetasit që duan të kalojnë në territor të BE-së, duke hyrë fillimisht nga Serbia në Hungari, si dhe anasjelltas nga diaspora që viziton Kosovën.

Prishtina dhe Beogradi i kanë hequr dokumentet për hyrje-dalje nga vera e vitit 2022.

Mes tjerave, ato kanë edhe Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, të arritur qysh në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunimi në praktikë gati se nuk ekziston.

Arrestimet si pasojë e mungesës së dialogut

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, e sheh valën e arrestimeve të shtetasve të Kosovës në Serbi, si dhe të serbëve të Kosovës, si pasojë të drejtpërdrejtë të ndërprerjes së dialogut politik mes dy vendeve.

Sipas tij, që nga takimi i fundit i nivelit të lartë në shtator të vitit 2023, komunikimi mes palëve është “praktikisht i shkatërruar”.

“E gjithë kjo tregon se dialogu nuk po funksionon. Arrestimet pa asnjë koordinim janë dëshmi se të gjitha kanalet e komunikimit janë rrënuar”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Gogiqit, arrestimet e shtetasve të Kosovës në Serbi janë edhe rezultat i presionit të brendshëm politik.

Procedurat penale të nisura në Kosovë kundër disa zyrtarëve serbë – përfshirë edhe drejtues të Listës Serbe për shkelje të dyshuara të ligjeve në Kosovë – kanë krijuar pritshmëri te publiku në Serbi që Beogradi të “përgjigjet”.

Për ta qetësuar këtë opinion, thotë Gogiq, autoritetet serbe shpesh arrestojnë kosovarë gjatë transitit.

Por këto lëvizje, sipas tij, janë edhe një mesazh politik për Prishtinën: “Është simptomatike që arrestimet ndodhin pothuajse paralelisht, në të dyja anët.”

Gogiq shton se tensionet e brendshme në Serbi – protestat e shumta kundër pushtetit që prej nëntorit të kaluar – e ushqejnë po ashtu këtë dinamikë.

Një pjesë e opinionit e akuzon presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për “butësi” ndaj Kosovës, dhe arrestimet shërbejnë si përgjigje politike ndaj këtyre kritikave, sipas tij.

Gogiq paralajmëron se pa bashkëpunim mes dy sistemeve të drejtësisë – qoftë edhe përmes misionit të BE-së në Kosovë, EULEX – qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë do të vazhdojnë të përballen me pasiguri juridike, duke mos e ditur se “çfarë i pret” kur hyjnë në territorin e palës tjetër.

Kurti: Mospajtimet me SHBA-në, gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të enjten se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

“Kur Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga ne që t’i pranojmë refugjatët nga Afganistani menjëherë kemi thënë ‘po’, e kemi hequr taksën 10 për qind, po ashtu po i pranojmë edhe ata të cilët Shtetet e Bashkuara nuk i duan në territorin e tyre, nëse nuk gaboj një ose dy prej tyre tani janë këtu, kemi pranuar t’i pranojmë 50”, ka thënë Kurti në një intervistë dhënë televizionit lokal në Kosovë, Kanal 10.

Duke folur më tej për mospajtimet eventuale me SHBA-në, Kurti ka thënë se ka pasur raste kur Shtetet e Bashkuara kanë konsideruar që qëndrimi i tij karshi Serbisë ka qenë shumë rigoroz.

“Por unë nuk mund të pres nga SHBA-ja që ta ketë qëndrimin për Serbinë si e ka Kosova. SHBA-ja e ka njohur Serbinë, e ka njohur edhe Kosovën, janë miq e aleatë tanë. Madje janë aleati i pazëvendësueshëm dhe partneri kyç i yni, janë edhe miku ynë special”.

I pyetur nëse do të mund të shmangej pezullimi i dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës, Kurti ka insistuar se marrëdhëniet mes dy palëve janë shumë të mira dhe janë të shtrira në tri dimensione: zhvillim, diplomaci dhe mbrojtje.

“Kurrë nuk kanë qenë, sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë, marrëdhëniet më të mira sesa tani me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kemi kulmin. Si shtet i pavarur e kemi kulmin sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë”, ka deklaruar ai.

Në shtator të këtij viti, SHBA-ja ka bërë të ditur se ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet Kurtit janë parë si sfida për përparim.

Disa analistë politikë patën komentuar atë kohë se pezullimi ishte paralajmërim se mbështetja ndërkombëtare për Kurtin dhe Qeverinë e tij po zbehet.

Gjatë viteve të fundit, Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Por bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.

Për dialogun strategjik

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

Marrëdhëniet me Serbinë

I pyetur për ngecjet në dialogun e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, Kurti ka thënë që kur s’ka dialog mes dy vendeve, jeta nuk pushon në Kosovë.

“Unë angazhohem aktivisht për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, kur ka pauza në këtë proces, jo për fajin tim, atëherë unë merrem me normalizim të shtetit të Kosovës”, ka thënë Kurti për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Ai nuk është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq prej sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Kurti e kërkon dorëzimin e Millan Radoiçiqit nga autoritetet serbe, i cili e ka marrë përgjegjësinë për orkestrim të sulmit në Banjskë. Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj tij.

Radoiçiq ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – në kohën e kryerjes së sulmit dhe tani besohet se strehohet në Serbi.

Përveç kësaj, Kurti ka përsëritur në intervistën e 11 dhjetorit se kërkon edhe tërheqjen e një letre të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq përmes së cilës ajo pati shprehur rezerva për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe për Aneksin e zbatimit të saj.

Kosova dhe Serbia patën arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt të vitit 2023.

Disa zyrtarë të BE-së kanë thënë se Serbia e ka tërhequr letrën, por deklarata kundërthënëse në këtë drejtim ka pasur disa herë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet prej vitit 2011. Palët kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Përparimi në këtë proces është kyç për aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Kurti priti në takim studentët përfitues të skemave të bursave

Prishtinë, 11 dhjetor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pritën sot në Qeveri studentë përfitues të skemave të ndryshme të bursave, përfshirë bursat për studime jashtë vendit në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoratë, si dhe përfituesit e bursave të komuniteteve.

Gjatë takimit, Kryeministri Kurti uroi studentët për suksesin e arritur dhe nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve që synojnë shkollimin në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare.

Ai theksoi se investimi në arsim cilësor mbetet një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, duke shprehur besimin se këta të rinj do të jenë kontribues të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe shoqëror të vendit pas përfundimit të studimeve.

Ministrja Nagavci vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e studentëve fitues të bursave, duke theksuar se skemat mbështetëse për studentët përfaqësojnë investim të drejtpërdrejtë në kapitalin njerëzor të Kosovës.

Në vijim rikujtoi se gjatë pesë viteve të fundit MAShTI ka zgjeruar ndjeshëm skemat e bursave, si për studentët brenda vendit ashtu edhe për ata që studiojnë jashtë dhe theksoi përkushtimin për të vazhduar punën drejt rritjes së cilësisë në arsim dhe zgjerimit të mundësive për studentët.

Studentët përfitues shprehën mirënjohjen për mbështetjen e ofruar dhe vlerësuan mundësinë për të ndjekur studimet në universitete brenda dhe jashtë vendit. Ata theksuan se do t’i vënë njohuritë e fituara në shërbim të avancimit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe MAShTI rikonfirmuan përkushtimin për të vazhduar politikat mbështetëse që u mundësojnë të rinjve të vendit të përfitojnë nga arsimi cilësor në vend dhe jashtë tij, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të shtetit. Zyra e Kryeministrit

Ulutash: Komunikimet e rregullta me ushtrinë serbe, vitale për të parandaluar përshkallëzime

Radio Evropa e Lirë

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, tha se komunikimet rregullta me ushtrinë serbe janë të rëndësishme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm.

Ulutash i bëri këto deklarata pas vizitës në Serbi, ku u takua me kreun e ushtrisë serbe, gjeneralin Millan Mojsilloviq.

“Komunikimet e rregullta dhe të hapura mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë janë vitale për të adresuar zhvillimet e rëndësishme dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm të përshkallëzimit me kohë, në mënyrë të duhur, transparente dhe konstruktive. Në javët dhe muajt në vijim, unë do të bëj pjesën time për t’u siguruar që të vazhdojmë t’i shfrytëzojmë sa më mirë këto komunikime të rregullta”, tha Ulutash përmes një deklarate.

Edhe gjatë mandatit të parë të tij në krye të KFOR-it, Ulutash kishte vizituar Beogradin.

Ulutash e falënderoi për mikpritjen Mojsilloviqin me të cilin, tha se “veçse kam zhvilluar një bashkëpunim të hapur dhe frytdhënës gjatë mandatit tim të parë në krye të KFOR-it. Mezi pres të takohem sërish me të, së shpejti”.

Kreu i KFOR-it tha se misioni është i angazhuar për të ofruar siguri që “mundëson krijimin e kushteve të nevojshme për dialog politik”.

“NATO – përfshirë përmes punës së përditshme të KFOR-it – vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit, si kornizë për të adresuar çështjet e mbetura me qëllim që të përfitojnë të gjithë njerëzit”, tha Ulutash.

Sipas gjeneralmajorit Ulutash tha se ky mision për çerekshekulli ka luajtur rol kyç në mirëmbajtjen e paqes dhe duke ofruar siguri për të gjithë qytetarët në Kosovë. Siguria në rajon, sipas gjeneralmajorit turk është e lidhur me sigurinë e Evropës dhe në mbarë zonë euroatlantike.

Gjeneralmajori turk u rikthye në drejtimin e KFOR-it në muajin tetor. Mandati i parë njëvjeçar i Ulutashit në krye të KFOR-it nisi në tetor të vitit 2023 dhe përfundoi në tetor të vitit pasues.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

KFOR-i, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në KFOR aktualisht janë mbi 4 mijë paqeruajtës nga vende të ndryshme të botës.

DEKLARATË PUBLIKE E FAMILJES SË TË NDJERIT HAKI IMERI: MBËSHTETJA JONË PËR GUXO-LVV -GANI GECIT NUK I KA DHËNË KUSH TË DREJTËN TË FLASË NË EMRIN TONË

 

-Ne, familja e të ndjerit Haki Imeri, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik lidhur me deklaratat e fundit të z. G. Geci, të cilat konsiderojmë se janë të pavërteta, të motivuara politikisht dhe të papranueshme.

-Demokracia dhe pluralizmi janë vlera themelore të shoqërisë sonë ato na garantojnë të drejtën të shprehim lirshëm mendimin dhe të zgjedhim kë të mbështesim politikisht, pa imponime dhe pa presione.

-Demokracia ka kuptim vetëm kur secili individ gëzon të drejtën që vullneti i tij/saj të respektohet dhe të mos i imponohet askujt.

-Deklaratat e tilla , të bëra duke pretenduar se dikush po flet “në emrin tonë” ose ne emrin e Haki Imerit , janë me prapavije dhe krejtësisht të pavërteta.

-Familja e Haki Imerit nuk përfaqësohet nga z. Geci dhe as nuk i ka dhënë askujt të drejtën të flasë në emrin tonë.

-Ne përbëhemi nga vëllezër, fëmijë, nipa e mbesa , dhe kemi legjitimitetin të shprehim qëndrimet dhe vendimet tona politike, pa u ndikuar nga askush .

-Ne i urojmë z. Fadil Geci sukses në angazhimet e tij politike.

Por qëndrimi ynë politik në këto zgjedhje është i qartë: mbështetja jonë shkon për koalicionin Guxo–LVV.

-Kjo është zgjedhja jonë, sipas bindjeve tona, dhe është e drejta jonë demokratike.

-Nëse Zoteriu ne fjale pretendon se ka dijeni se kush qëndron prapa vrasjes së vëllait/babait/axhës/gjyshit tonë, atëherë ai është i obliguar ligjërisht t’i paraqesë këto informacione para organeve të drejtësisë në Kosovë ose në Hagë.

-Bërja e deklaratave politike, duke përmendur emra apo organizata pa i paraqitur provat në prokurori, krijon mjegull e konfuzion dhe i shërben vetëm interesave personale ose elektorale.

-Sipas Nenit 378 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “mosraportimi i veprave penale ose i autorëve të tyre”, çdo person që posedon informacione të besueshme për një vepër penale të rëndë dhe nuk i paraqet ato informata tek organet kompetente, kryen vepër penale të dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

-Prandaj, nëse z. Geci pretendon se di emra apo rrethana konkrete mbi këtë ngjarje, ai duhet të veprojë sipas ligjit jo të përdorë dhimbjen, e familjeve për qëllime politike..

-Gjykata Speciale ka trajtuar shumë raste, përfshirë raste ku vetë z. Geci është përfshirë ose është deklaruar si dëshmitar.

-Megjithatë, ai kurrë nuk ka sqaruar publikisht arsyet e mospjesëmarrjes së tij si deshmitar ne procesin gjyqesor ne Hage , pavarësisht pretendimeve të tij të vazhdueshme.

-Deklaratat e tij të dates 09/12/2025 mbi “përgjegjësi penale të individëve” janë kontradiktore, të pambështetura dhe nuk kontribuojnë në zbardhjen e së vërtetës.

-Ne veprojmë mbi parime demokratike, pluraliste dhe mbi vlera të lirisë, shprehjes së mendimit..

-Askush nuk ka të drejtë të na imponojë qëndrime apo orientime politike në emër të interesave personale ose të palëve të treta.

-Instrumentalizimi i familjes sonë apo i kujtimit te vellait , babait axhes , gjyshit , Haki Imeri është i papranueshëm.

-Ftojmë opinionin publik që të mos bie pre e manipulimeve të tilla dhe ftojmë çdo person që pretendon se ka informacione për krime t’i adresojë ato në organet e drejtësisë dhe jo në deklarata të mjegullta publike.

 

 

Aktakuzë ndaj tre të dyshuarve për shpërthimin në Ibër-Lepenc

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.

Sipas njoftimit, J.V., D.V., dhe I.D akuzohen për veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “spiunazhit”.

Aktakuza thotë se J.V. dhe D.V., së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv [rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene ‘TNT’] në brendësi të kanalit”.

“J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit Ibër-Lepenc, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, u tha në njoftimin për media.

Çfarë është Ibër-Lepenci?

Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, me seli në Prishtinë, është një ndërmarrje që furnizon me ujë të papërpunuar industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë, si dhe prodhon energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit.

Sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, kompania është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt, 1967.

Ndërtimi i këtij sistemi u bë në dy faza: Faza e Ibrit, e cila përfundoi më 1986, dhe faza e Lepencit, e cila nuk u realizua.

Kjo ndërmarrje sot është shoqëri aksionare, 100% në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Prokuroria Speciale tha se J.V. akuzohet po ashtu për spiunazh, pasi sipas saj, ai deri në momentin e arrestimit, “në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”.

Hetimi për këtë rast, sipas Prokurorisë, u krye në bashkëpunim me partnerët evropianë.

Lidhur me shpërthimin, autoritetet kishin arrestuar dhjetëra persona të dyshuar dhe kishin sekuestruar armë dhe eksplozivë.

Por, deri më tani dihej se për këtë rast ishin dërguar në paraburgim vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq, që janë dy nga tre të akuzuarit.

Pas shpërthimit në Varragë të Zubin Potokut, autoritetet në Kosovë e fajësuan Serbinë për rastin, por Beogradi i mohoi akuzat.

Kosova e konsideron shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit si akt terrorist.

Pas shpërthimit, Shtetet e Bashkuara se nuk kishte prova që e lidhnin drejtpërdrejt Beogradin me shpërthimin, por se ishte herët për nxjerrjen e përfundimeve. SHBA-ja atëbotë po ashtu tha se në hetime ishin përfshirë edhe agjentët e Byros Federale të Hetimit (FBI).

Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, furnizon me ujë disa qytete të Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Kjo ndërmarrje është në pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës.

Presidenti i Hungarisë zhvillon vizitën e parë zyrtare në Kosovë! Osmani i kërkon ndihmë për heqjen e masave nga BE

Ajo përsëriti rëndësinë e mbështetjes hungareze për heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se integrimi euro-atlantik i vendit mbetet prioritet strategjik.

 

KOSOVË- Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, së bashku me Zonjën e Parë, Zsuzsanna Nagy, qëndroi sot për herë të parë në një vizitë pune në Kosovë. Ata u mirëpritën në Presidencë nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.

Presidentja Osmani, gjatë takimit bilateral theksoi synimin për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, duke vlerësuar rolin e Hungarisë si partner i rëndësishëm për Kosovën. Ajo përsëriti rëndësinë e mbështetjes hungareze për heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se integrimi euro-atlantik i vendit mbetet prioritet strategjik.

“Sot për herë të parë, qëndroi për vizitë pune në Kosovë, Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, së bashku me Zonjën e Parë, Zsuzsanna Nagy. Së bashku me Prindonin i mirëpritëm në Presidencë dhe shprehëm synimin që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të rritet në çdo drejtim. Në takimin bilateral me Presidentin Sulyok përsërita se mbështetja e Hungarisë për heqjen e masave të padrejta të BE-së, është thelbësore. Integrimi euro-atlantik i vendit tonë është në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, të rajonit dhe të gjithë kontinentit evropian,” shkruan Vjosa Osmani në Facebook./Dosja.al

Vjosa Osmani krah politikanëve serbë, reagon presidenca e Kosovës: Foto e manipuluar! Policia të nis hetimet dhe të marrë masa

Presidenca e Kosovës ka reaguar pasi një foto e manipuluar, e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale, ka nisur të qarkullojë në rrjetet sociale, duke paraqitur në mënyrë të rreme Presidenten Vjosa Osmani krah kryeparlamentares serbe Ana Brnabiq.

 

Në reagimin zyrtar thuhet se fotoja është plotësisht e rreme, një montazh me qëllim të qartë për të dëmtuar figurën e Presidentes dhe për të ushqyer narrativat e fabrikuara që i shërbejnë agjendave të huaja.

“Pamja është FAKE, një montazh i krijuar për të shkaktuar konfuzion dhe për ta goditur Presidenten Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin me dinjitet në arenën ndërkombëtare,” thuhet në reagim.

Presidenca e cilëson këtë veprim si të ulët, të rrezikshëm dhe pjesë të një fushate të organizuar dezinformuese që synon të dëmtojë udhëheqjen e vendit dhe të minojë stabilitetin institucional.

“Presidentja Osmani ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm i shtetësisë dhe dinjitetit të Kosovës. Asnjë foto e rreme nuk mund ta zbehë këtë,” theksohet më tej.

Presidenca u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa ndaj përhapësve të kësaj dezinformate, duke paralajmëruar se veprime të tilla cenojnë sigurinë publike dhe përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet e vendit.Panorama

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë! Partitë politike publikojnë listat, kush u përfshi e kush mbeti jashtë

Partitë politike i kanë publikuar listat me kandidatë me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme që mbahen më 28 dhjetor. 


Në lista ka pak risi pasi shumica e emrave janë ata të cilët kanë kandiduar edhe në zgjedhjet e kaluara. Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prin kryetari i saj, i cili ëstë edhe kryeministër në detyrë Albin Kurti.

Ai pasohet nga Glauk Konjufca, Donika Gërvalla-Schwarz, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku e Shqipe Mehmeti-Selimi. Në listë është edhe Andin Hoti, që mban numrin 11 si dhe ish-kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma.

LVV

Në dhjetëshen e parë pos Bedri Hamzës janë edhe Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Arben Mustafa, Besa Kabashi Ramaj, Rrahman Rama, Eman Rrahmani, Sala Jashari dhe Kujtim Gashi.

Hamza e ka quajtur listën gjithëpërfshirëse e me profesionistë të shumtë. “Energji e re me mbi 50 kandidatë që garojnë për herë të parë dhe 37 gra që e forcojnë përfaqësimin. Një përbërje që reflekton përgjegjësi dhe përkushtim ndaj interesit qytetar dhe shtetëror. Jemi bashkë dhe të përkushtuar për ta çuar Kosovën përpara”, ka shkruar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në Facebook.

PDK

Në dhjetëshen e parë të listës së Lidhjes Demorkatike të Kosovës, pas Lumir Abdixhikut janë Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Abdullah Hoti, Anton Quni, Jehona Lushaku-Sadriu, Ferid Agani dhe me numrin 10, Ukë Rugova.

Abdixhiku ka thënë se lista është kombinimi i “njerëzve të dëshmuar në profesionet e tyre, aktivistëve të palodhur të LDK-së, gjeneratës së re që kërkon hapësirë e përgjegjësi, dhe figurave që kanë ndërtuar institucione, ekonomi, arsim e siguri”.

Në listë nuk është përfshirë ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, i cili ka thënë se përjashtimi i tij nga lista e LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, është një padrejtësi e pashembullt.

LDK

Në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në dhjetëshen e parë, pas Ramush Haradinajt, janë renditur Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Bekë Berisha, Arbër Tolaj, Albana Bytyqi, Pal Lekaj, Gani Dreshaj, Diellza Kukaj dhe Agim Çeku.

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Edhe Nisma e cila në këto zgjedhje do të garojë e vetme, e ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë.

Dhjetë të parët në listën e Nismës janë: Fatmir Limaj, Xhevahire Izmaku, Arbëreshë Krasniqi, Mevludin Krasniqi, Endrit Shala, Albulena Balaj Halimaj, Artan Nimani, Çerkin Dukolli, Jehona Rrafshi Lumi dhe Nexhat Mustafa.

Kryetari i Nismës, Limaj, në një konferencë për media të dielën mbrëma, ka thënë se nëse e kalojnë pragun zgjedhor prej 5% atëherë në Kuvendin e Kosovës, Nisma do t’i bashkohet Grupit Parlamentar të PDK-së.

NISMA

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të organizohen më 28 dhjetor. Ato u shpallën meqë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit asnjë nga dy të mandatuarit për ta bërë qeverinë, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, nuk arritën të sigurojnë votat e mjaftueshme në Kuvend.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt Lëvizja Vetëvendosje pati marrë mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind. E dyta pati dalë Partia Demokratike e Kosovës me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind. Në vendin e katërt qe radhitur koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind./KOHA NET

U betuan kryetarët e rinj serbë të komunave në veri të Kosovës

Sandra Cvetkoviq

Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor u mbajtën seancat konstituive, në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e rimorën edhe zyrtarisht pushtetin, duke e bërë betimin.

Ceremonia e betimit të tyre u mbajt në prani të simboleve shtetërore të Kosovës, dhe me raste u panë edhe flamuj të shtetit të Serbisë.

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha në Facebook se “gjithçka u zhvilllua në rregull dhe në përputhje me dispozitat që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës” në seancat konstituive në kuvendet komunale në mbarë vendin.

“Kryetarëve të rinj u uroj një mandat të suksesshëm dhe u dëshiroj punë të mbarë”, shkroi Krasniqi.

Zyra e Bashkimit Evropian mirëpriti dorëzimin “pa probleme” të qeverisjes komunale, përfshirë edhe në katër komunat në veri.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen”, u tha në një njoftim të publikuar në Facebook.

Komuna me shumicë serbe në veri u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Lista Serbe – parti që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha më 3 dhjetor se kryetarët e rinj të komunave – Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok – pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë.

Lista Serbe, gjithashtu, më parë kishte njoftuar se do t’i anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.

Pas zgjedhjeve lokale të tetorit, Bashkimi Evropian kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pret që pushteti i ri lokal në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, në periudhën e ardhshme do të “qëndrojë konstruktiv në zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave të popullatës përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjet”.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parashikon se për çdo vendim ose akt tjetër të komunës, që nuk përputhet me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ose institucioni tjetër përgjegjës i Qeverisë së Kosovës.

Çfarë ka ndryshuar që nga viti 2023?

Menjëherë pas marrjes së detyrës, kryetarët shqiptarë të komunave vendosën flamurin e Kosovës në ndërtesat komunale, që deri atëherë nuk shihej në asnjë institucion në veri.

Të katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndërsa Lista Serbe kishte deklaruar se e gjithë kjo ishte “okupim i veriut”.

Më pas, në bashkëpunim me autoritetet qendrore të Kosovës, u punua edhe për mbylljen e institucioneve lokale të Serbisë, si Organet e Përkohshme Komunale, Qendrat për Punë Sociale, ndërmarrjet publike komunale dhe të tjera.

Gjithashtu, autoritetet lokale morën në pronësi objektet ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet “jolegjitime” të financuara nga Serbia ose paralajmëruan shembjen e ndërtesave të ndërtuara pa leje.

Ndërkohë, në vend të institucioneve serbe u hapën institucione të Kosovës, poste dhe banka, dhe filloi edhe hapja e subjekteve ekonomike në pronësi të shqiptarëve, si supermarkete, restorante të ushqimit të shpejtë, dyqane ëmbëlsirash – veprime që hasën në rezistencën dhe bojkotin e komunitetit lokal serb.

Komuna e Mitrovicës së Veriut në mes të këtij viti nënshkroi gjithashtu një memorandum mirëkuptimi me Komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikon ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, një nismë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Përplasjet dhe kriza

Popullsia me shumicë serbe nuk i pranoi kryetarët shqiptarë të komunave në veri, dhe shpërthyen kriza të njëpasnjëshme. Në fund të majit të vitit 2023, kur kryetarët shqiptarë morën pushtetin, ndodhi edhe një përplasje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, para ndërtesës së Komunës së Zveçanit, ku u lënduan më shumë se 100 persona nga të dyja palët.

Tensionet në veri kulmuan me sulmin nga një grup i serbëve të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur u vra një polic i Kosovës. Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ndërsa Prishtina e akuzoi edhe Beogradin për përfshirje, gjë që është mohuar nga Serbia.

Që nga ajo kohë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në nivel politik ka qenë i bllokuar.

Ndërkohë, BE-ja, e cila ndërmjetëson dialogun, në vitin 2023 vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri. Disa nga këto masa filluan të largoheshin gradualisht në maj të këtij viti.

Lidhur me heqjen e plotë të masave, burime nga BE-ja i thanë Radios Evropa e Lirë të premten se në këtë fazë nuk mund të supozohet për një vendim të heqjes së tyre, i cili sipas tyre do të merret nga Këshilli në momentin e duhur varësisht nga rrethanat në terren.

VIDEO- “Hap strategjik”: Kosova bëhet gati të ndezë motorët e mbrojtjes

Valona Tela
Arben Hoti

Fabrika e parë e municioneve do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, me prodhimin e parë të planifikuar për fundin e vitit 2026. Ekspertët amerikanë e shohin këtë si një hap të duhur për forcimin e sigurisë. Por, paralelisht, ngrihen edhe pyetje mbi kapacitetet reale të Kosovës, sfidat teknike dhe implikimet rajonale që mund t’i sjellë kjo nismë.

Transporti urban në Kosovë rifillon punën pas grevës njëjavore

Pas grevës 1-javore, Transporti Urban ka njoftuar se do t’i rikthehet punës nga sot.

Në njoftim thuhet se pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave dhe pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës, do të rifillojë ofrimin e shërbimit të transportit publik qysh nga sot.

“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.

Punëtorët e Transporti Urban dhe transportuesve privat kanë protestuar çdo ditë para objektit të Komunës së Prishtinës.

Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të enjten për të miratuar bartjen e të hyrave vetanake, për t’i hapur rrugë pagesës së faturave.

Alokimi i një pjese të këtyre mjeteve është bërë tek sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Bëhet fjalë për 2.7 milionë euro.


Send this to a friend