Institucionet e Drejtesise kane raportuar ne Kuvend.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, është pyetur nga deputetët e Kuvendit te Shqiperise për Kodin e ri Penal dhe atë aktual. Çela tha se qëndrimin e tij mbi çështjen e ka shprehur edhe më parë, ndërsa shtoi se dënimet dhe Kodi aktual që kemi është mjaftueshëm i ashpër.
Kryeprokurori theksoi se drafti i ri i Kodit Penal ecën në drejtim të kundërt me parimet e humanizmit. Ai shtoi se ashpërsimi i dënimeve vetëm agravon problemet shoqërore aktuale.
“Unë këtë çështje e trajtova edhe në raportim në Komision. Është çështje komplekse. Kam opinion të fortë për këtë. Kodi që kemi është mjaftueshëm i ashpër. Dënimet janë mjaftueshëm të ashpra. Nuk mund të jetë burgu zgjidhja e vetme e problemeve të shoqërisë. Po ecim në drejtim të kundërt me parimet e humanizmit. Në BE është parimi i humanizmit që i bën bashkë ato vende. Humanizmi është thelbi, qasja që duhet të kishte dhe drafti i Kodit Penal. Ashpërsimi i dënimeve vetëm ekstremizon dhe agravon problemet shoqërore që ne kemi”, tha Çela.
****
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ishte i pari që mori fjalën, teksa bëri edhe një përmbledhje të të gjithë veprimtarisë të institucionit që drejton përgjatë vitit 2024. • Çela e vuri theksin tek mungesa e prokurorëve dhe volumin e lartë të çështjeve për shqyrtim, si dhe kërkesa për përmirësimin urgjent të infrastrukturës. • Një tjetër çështje për të cilën ai kërkoi reagim urgjent, teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetëve ishte siguria në institucionet e drejtësisë, sidomos pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda Apelit në Tiranë. • I pyetur për draftin e Kodit të ri Penal, ai tha se i mungon humanizmi. • Sipas Prokurorit, nuk është i nevojshëm ashpërsimi i dënimeve pasi, siç shtoi ai, burgu nuk mund të jetë zgjidhja për çdo problem të shoqërisë. • Prokurori tha gjithashtu se duhet bërë më shumë edhe për hetimet lidhur me pastrimin e parave. • Sa i përket ndërtimeve pa leje, Çela tha se ka pasur 1130 procedime gjatë vitit të kaluar.