VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Prizren, shfaqet filmi “Ballkoni” i regjisores Lendita Zeqiraj

By | May 10, 2020

Komentet

Grenell: Nuk duam fjalë boshe – do të zbatojmë marrëveshjen e 4 shtatorit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell, në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do sjellë paqe, stabiliteti ekonomik dhe jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe rajonit”, tha presidenti Thaçi.

Ai falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump, për angazhimin në arritjen e marrëveshjes ndërsa nënvizoi se “kjo marrëveshje u bë e mundshme në Shtëpinë e Bardhë dhe ne besojmë fuqishëm se përsëri SHBA-të mund të arrijë marrëveshjen finale politike për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.

Zoti Grenell mbërriti të hënën në mbrëmje në Prishtinë si pjesë e një delegacioni, që drejtohet nga shefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe shefja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, pas ditë pas dakordimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin ekonomik.

Zoti Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila, siç thuhet, garanton zbatimin e projekteve që dalin nga dakordimi i 4 shtatorit.

Më pas ambasadori Grenell tha se kjo vizitë është dëshmi e përkushtimit amerikan për marrëveshjen e nënshkruar në Washington.

Erdhëm ta dëshmojmë përkushtimin rreth marrëveshjes për normalizimin ekonomik. E dimë se Kosovës i janë bërë premtime në të kaluarën dhe duam të zotohemi se do të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.

Ne nuk duam fjalë boshe, ne duam t’u tregojmë qytetarëve të Kosovës se cilët janë aleatët më të mëdhenj, se ne qëndrojmë me ju dhe mund të ecim përpara me zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori Grenell, duke theksuar se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë do të ndryshojnë peizazhin politik të rajonit.

Presidenti Trump që nga fillimi më ka thënë që të vijë të gjejë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbështetet ne krijimin e vendeve të punës dhe jo diskutime politike. Simbolizmat janë të rëndësishëm, por nuk mund ta paguajnë qiranë tuaj, nuk mund ta ushqejnë familjen tuaj dhe nuk japin shumë shpresë”, tha zoti Grenell, duke nënvizuar se presidenti Trump “është vërtet krenar për këtë marrëveshje historike dhe të mos gabohemi ne nuk do të ishim këtu pa presidentin Trump…nëse nuk do të thoshte presidenti Trump që të bëjmë diçka ndryshe për rajonin, të shkojmë të bëjmë diçka ndryshe për qytetarët. Pasi që marrëveshja u nënshkrua, përsëri presidenti Trump na tha në Zyrën Ovale që të vijmë ta zbatojmë. Nuk janë vetëm fjalë, ai është president i veprimeve”, tha ambasadori Grenell.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se prania e delegacionit amerikan “tregon vendosmërinë edhe seriozitetin e presidentit Trump, të administratës së tij, të ambasadorit, të gjithëve bashkëpunëtorëve të tij për zbatimin e një marrëveshje që po cilësohet me plotë të drejtë, marrëveshje historike, hap tepër i madh drejt finalizimit të marrëveshjes finale në mes dy vendeve. Kishim një bisedë të gjerë, të detajizuar për të gjitha pikat e marrëveshjes, e them me kënaqësi dhe e kam për nder ta them se do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshje, pra është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe rajon edhe bashkë me këtë momentum të ri ekonomik besoj që do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike”.

Ai tha se marrëveshja do të krijojë mijëra vende të reja pune dhe do ta shndërrojë Kosovën dhe rajonin në një regjion më të integruar në aspektin të infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik.

Zoti Boehler, tha ndërkaq se deklarata e nënshkruar sonte është zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. “Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë, kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollarë dhe këtu përfshihet, autostrada e Paqes, hekurudha, gazi natyror. Po ashtu kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset e vogla dhe të mesme”, tha ai.

Analisti Ilir Ibrahimi thotë për Zërin e Amerikës se vizita e zyrtarëve amerikanë tregon përkushtimin e administratës së presidentit Trump për të jetësuar atë dakordim.

“Kjo duhet përshëndetur, ende ka pakënaqësi se çfarë marrëveshje do të nënshkruhet sot mirëpo nëse i shohim ato që janë marrë përsipër nga pala kosovare në Washington shihet se do të ketë investime në infrastrukturë kryesisht, të cilat do të mundësojnë një zhvillim më të madh ekonomik e cila do ta afronte rajonin më tepër dhe që do të çonte edhe deri te ulja e mosmarrëveshjeve ndërmjet popujve në rajon e sidomos në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Zoti Ibrahimi thotë se synimi përfundimtar i administratës amerikane mbetet një marrëveshje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e dime që presidenti Trump ka dërguar dy letra ku si rezultat i marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë ai e sheh njohjen e ndërsjellë, kjo është edhe kërkesa që e ka pala kosovare në çdo takim publikisht po besoj edhe privatisht në takime. Unë besoj që kjo qasje që ka marr administrata do të çojë atje. Nëse rajoni ka një prosperitet ekonomik, nëse ka infrastrukturë që do të bëj të mundshme lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe ku do të shihet një prosperitet për të ardhmen e dy popujve atëherë nuk e shoh të pamundur që edhe këto mosmarrëveshje politike të tejkalohen”, tha zoti Ibrahimi.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë se çdo investim në infrastrukturë është i mirëseardhur sepse e lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave. Mirëpo ai thotë se problemet kryesore mbeten ato të barrierave jotarifore.

“Paralelisht me ndërtimin e rrugës duhet të zgjidhen edhe këto probleme sepse nuk ka logjikë ne të investojmë miliarda në një rrugë ku qytetarët apo bizneset hezitojnë me shfrytëzu atë rrugë për shkak të politikës së shtetit serb është e paparashikueshme ndaj Kosovës”, tha ai.

Zoti Panxha thotë se një mundësi e mirë për qasje në financa për prodhuesit e Kosovës do të jetë edhe përfshirja e Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar në rajon.

“Kompanitë prodhuese kanë nevojë për qasje në financa. Kushtet se si do t’i financojnë kompanitë tona ende janë në fazën fillestare dhe nuk e dimë saktësisht se cila do të jetë qasja e tyre por ardhja e DFC në Kosovë është lajm i mirë, unë besoj që do të rritet investimi i kësaj organizate amerikane si në energji, në prodhim dhe në sektorë të cilat ata i kanë definu. Sa shpejt do të ndodh kjo nuk e kemi ende të qartë se kur do të operacionalizohet besoj që pas takimit të sodit shumë përgjigje do t’i kuptojmë”, tha zoti Panxha.

Korporata Ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar dhe Banka për Eksport-Import, nënshkruan javën e kaluar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, për të ndihmuar financimin e Autostradës së Paqes, ndërmjet të dyja vendeve. zëri i amerikës

SHBA dhe Kosova zotohen për zbatim të shpejtë të marrëveshjes së Uashingtonit

Shkumbin Ahmetxhekaj

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës mirëpresin “përfundimin e shpejtë të një marrëveshjeje të ee për nxitjen e investimeve Kosovë-SHBA”.

Deklarata u nënshkrua në Qeverinë e Kosovës në praninë e presidentit Hashim Thaçi, dhe të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.

“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollarë. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu, mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, sqaroi Boehler në një konferencë për media në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, konfirmoi se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit.

“Ky është një momentum i ri që do të sjellë zhvillim ekonomik, jo vetëm për Kosovën por për tërë rajonin. Do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshje dhe shpresojmë të arrijmë së shpejti edhe marrëveshjen politike”, deklaroi Hoti, duke shtuar se nuk e di se kur mund të arrihet kjo e fundit. Hoti u shpreh i bindur se me këto projekte do të hapen mijëra vende të reja pune.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon nisjen në praktikë të zbatimit të asaj çfarë u nënshkrua në më pak se tri javë më parë nga liderët e Kosovës dhe Serbisë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për normalizim ekonomik. Delegacioni 14 anëtarësh i administratës amerikane u udhëhoq nga Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC).

Boehler së bashku me udhëheqësen e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, më 15 shtator kanë nënshkruar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes.

DFC pritet që bashkë me Bankën amerikane për Eksport-Import të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.

Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar Autostradën e Paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Të hënën në mbrëmje, delegacioni amerikan niset për në kryeqytetin serb, Beograd, ku të martën pritet të hapë zyrën e saj DFC-ja amerikane.

Vetëvendosje reagon për deklaratën e Trumpit: Me këtë qasje rehabilitohen kriminelët e luftës, s’po vendoset paqe

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratës së Trumpit ditën e djeshme në Karolinë e Veriut kur tha se SHBA ka ndaluar vrasjet masive Kosovë- Serbi që i kanë kryer njëra-tjetrës për vite me radhë.

Sipas LVV, me këtë qasje të SHBA rehabilitohen kriminelët e luftës së palës serbe, dhe nuk vendoset paqja por zgjatet konflikti i ngrirë.

Në reagimin zyrtar, thuhet se nëse shkak në luftën e Kosovës ka qenë konflikti etnik atëhere NATO s’kishte për të ndërhyrë dhe Millosheviç s’do provohej përgjegjës nga vetë SHBA, NATO e OKB si dhe vendet e fuqishme botërore.

Duket se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pritur aspak mirë deklaratën e djeshme të Trump, që e përdori në Karolinën e Veriut gjatë fushatës elektorale si një sukses i Shtëpisë së Bardhë.

REAGIMI NGA LËVIZJA VETËVENDOSJE

Dje dëgjuam presidentin e ShBA-ve të flasë në një tubim elektoral për “ndalje të vrasjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë”, që paskan bërë krime të tilla kundër njëra-tjetrës, “për shekuj me radhë”.

Besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës. Po ashtu, ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua “prej qytetarëve”, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese.

Këtë temë e shtjellon historiani Noel Malcolm, “Kosova – Një histori e shkurtër”, i cili tash e dy dekada është bërë lektyrë për ushtarakët e KFOR-it, pra edhe ata amerikanë, të stacionuar në Kosovë, dhe mendojmë se duhet të lexohet edhe prej diplomatëve e këshilltarëve të presidentit që merren me çështjen e Kosovës e atë të Serbisë. Nëse lufta në Kosovë do të kishte qenë e karakterit etnik, pra dallimi etnik na paska shkaktuar konfliktin, atëherë kurrë nuk do të intervenonte NATO dhe Milosheviqi nuk do të mund të konsiderohej përgjegjës prej vetë ShBA-ve, NATO-s, OKB-së, e vendeve kryesore demokratike të botës. E vërteta është që prapa krimeve e masakrave qëndronte një aparat shtetëror gjenocidal (i cili më herët kishte sulmuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë), kurse në anën tjetër populli shqiptar i pambrojtur në Kosovë, që u vetëmbrojt. NATO nuk mund të qëndronte duarkryq teksa Srebrenica po përsëritej në Kosovë.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe buxhetin më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe blen armë prej Perëndimit, por ç’është më e keqja, vazhdimisht blen prej Rusisë, e së fundi u bë vendi i parë evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës. Ndërsa Kosova, e cila ka partner të vetëm gjeopolitik perëndimin, ShBA e NATO, ka një ushtri minimale, nuk ka as armatim të rëndë e as buxhet të mjaftueshëm. Si mund ta rrezikojë Kosova e varfër dhe e çarmatosur Serbinë? Është Serbia ajo që ka pretendime në Kosovë, dhe armatimi i saj ofensiv nuk ka për synim vendet e largëta të botës, por pikërisht vendet fqinje e në radhë të parë Kosovën.

Me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë, por po zgjatet konflikti i ngrirë. Paqja vendoset kur dënohen e çarmatosen fajtorët e kur ShBA mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës, siç ka bërë gjithnjë. Paqja vendoset kur Serbia e njeh Kosovën e pavarur dhe ballafaqohet me të kaluarën e saj. Jo kur rehabilitohen ish bashkëpunëtorët e Milosheviqit që bënë agresion e kryen gjenocid. bw

Kolonel Ahmet Alishani nderohet me Çmimin “Ahmet Krasniqi”

 

Në të 18-ten ditë të shtatorit 2020, në Prishtinë, në mjedise të hotel “Grand”, kolonel Ahmet Alishani, u nderua me çmimin e lartë “Ahmet Krasniqi, me motivacionin: “ Për kontribute të larta për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës, të dëshmuara gjatë jetës së tij ushtarake e civile, veçanarisht në strukturat e FARK-ut me ministër të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqin dhe me shkrime studimore e publicistike në media”.

Drejtori i Gazeta e Alpeve per Gjermani Hilmi GASHI duke ia dorëzue në Prishtinë kolonel Ahmet ALISHANIT çmimin e lartë AHMET KRASNIQI

Çmimi i lartë “Ahmet Krasniqi”, i akorduar nga “Gazeta e Alpeve” (gazetë rajonale, panshqiptare e ndërballkanike) iu dorëzua nga bartësi i këtij Çmimi për vitin 2019, nga atdhetari e veprimtari i njohur Hilmi Gashi i Drenicës: drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Gjermani, Austri, Luksemburg e Lihtenshtejn; publicist; Veteran i Luftës së Kosovës; mik, bashkëluftëtar e bashkëpunëtor i afërt i kolonel Ahmet Krasniqit, ish-Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës (FARK) e“ Hero i Kosovës”; ma herët dhe ish-antar i Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes të Kosovës- të udhëhequr nga heroi Ukshin Hoti.

Atdhetari e veprimtari Kolonel Ahmet Alishani- ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm i FARK-ut, është një ndër miqtë e bashkëpunëtorët më të afërt të kolonel Ahmet Krasniqit, Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), autor i disa shkrimeve në media, si në “Gazeta e Alpeve” etj.

Në këtë event ceremonial, në kushte të kufizuara nga masat e Covid-19, nderonin me praninë e tyre dhe drejtues e bashkëpunëtorë të “Gazeta e Alpeve” nga Tirana e Kosova.

Kolonel Ahmet Krasniqi u lind me 15 janar 1948 në Zhilivodë të Vushtrisë të Kosovës, në gjirin e familjes së patriotit hero Aziz Zhilivoda. Kreu suksesshëm Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Tokësore (1969-‘73) dhe Akademinë Komanduese (1981-‘83). E filloi karrierën ushtarake në Zagreb, pastaj komandant në Garnizonin e Gospiqit, por në kohën e Luftës Kroato-Jugosllave dezertoi nga rradhët e APJ-së dhe rreshtohet në anën e Luftës Kroate, së cilës i bën sherbime të larta e shumë të dobishme, çfarë nuk kishin mundur t’ia bënin as vet institucione ushtarake Kroate. Pas ngjarjeve në Qirez e Likoshanë të Drenicës dhe më 4-6 mars 1998 në Prekazin legjendar, formohet Ministria e Mbrojtjes me ministër Kolonel Ahmet Krasniqin, njiherash dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, duke krijuar qendra e kurse stërvitore, ngriti njësitë e brigadat e para në Zonën e Dukagjinit si Brigada 131 me komandant Rrustem Berishën, Brigada 133 me komandant Kemajl Shaqirin, brigadat në Kolsh e Kalimash me komandantë përkatës major Fuad Ramiqi dhe Rashit Mustafa (Karadaku), etj.; kryhet beteja e madhe frontale me armikun në Loxhë nga Brigada 134 e Tahir Zemajt, etj. Ndërkohë që kolonel Ahmet Krasniqi po udhëhiqte Luftën e Kosovës për Liri e Pavarësi, dora e zezë e qëlloi fshehurazi dhe e vret në natën e vonë të 21 shtatorit 1998, në Tiranë, para 22 vitesh.

Çmimi “Ahmet Krasniqi” u nda për herë të parë në “Takimin e Plavë-Gucisë”, në Vuthaj, më 1 gusht 2019, organizuar nga “Gazeta e Alpeve”, në prani të Nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu; të këshilltarit për Rajonin të Presidentit të Shqipërisë, z. Flamur Gashi; të ish ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, dr. Islam Lauka e të tjerë. Fitues i parë i këtij Çmimi të madh ishte atdhetari e veprimtari Hilmi Gashi nga Drenica, publicist, Veteran i Luftës së Kosovës.

 

RALI  LURA

NJË HISTORI RRETH VARREZËS SË USHTARËVE TË MONARKISË AUSTRO- HUNGAREZE NË PEJË – Nga Ryzhdi Baloku

 

 

Serbët ia kanë ditur hallin vetës çdoherë, kur kanë pasur punë me ndonjë shtet të fortë.

Shteteve, si Austria e Hungaria, as Jugosllavia e as Serbia si okupuese të Kosovës që ishin dikur, s’kanë pasur guxim t’ia zhdukin varrezën e ushtarëve të tyre në Pejë, varre të para një shekulli, edhe pse ka pasur ca tentime të fshehta, por pa sukses, nga “duart e zgjatura” të pushtetarëve lokal, serb e malazez, për t’i asgjësuar kryqet e varreve, pak nga pak, e në mënyrë tinëzare, si hajnat, natën, e jo siç kanë vepruar pa frikë e pa fije turpi mbi varret shqiptare, të cilat janë fshirë nga faqja e dheut, me një “lëvizje”, brenda ditës.

Ai pushtet, ngjashëm ka vepruar edhe me qytetin antik që graviton në hyrje të Pejës, i njohur në histori me emrat: “Siperana, Seperana, Separana, Separanta dhe Separantum”, me përhumbje gjurmësh, ngase objektet arkeologjike të gjetura aty, kishin të bënin me paraardhësit e shqiptarëve.

Lidhur me këtë temë, vlen për të cekur se në vitet e 60-ta, si nxënës i vijoja mësimet në Gjimnazin e Pejës, andaj, pothuajse çdo ditë më duhej të kaloja rrugës që shtrihej bri kësaj varreze të ushtarëve të Monarkisë Austro-Hungareze, të rënë në Luftën e Parë Botërore, gjatë viteve 1914-1918. E mbaj në mend mirë tablonë e saj plot kryqe betoni, të cilat qëndronin mbi varre që shtriheshin deri në stom të rrugës. Sot, shumë nga ato kryqe mungojnë, si tentativë e pushtetit lokal serbo-malazez të asaj kohe, që kishte për qëllim t’ia humbnin gjurmët e ekzistencës së varreve të cekura.

 

 

 

 

Sipas mendimit tim, në ruajtjen e kësaj varreze të ushtarëve Austro-Hungarez, rol të rëndësishëm kanë luajtur famullitarët dhe personelit i kishës katolike “Shën Katarina” të Pejës, e cila graviton shumë afër kësaj varreze. Kam bindjen se ata iu kanë kundërvu drejt për së drejti tentativave për tjetërsimin e kësaj sipërfaqeje tokësore.

Mendoj se, angazhimi i tyre lidhur ruajtjen e kësaj varreze është rezultat i mirënjohjes dhe njëkohësisht një mënyrë edhe e larjes së një pjese të borxhit që e kanë shqiptarët ndaj Monarkisë së përmendur.

Duke e ditur mirë se Austria dhe Hungaria si dy shtete të fuqishme do t’i dilnin zot priftit dhe personelit të kishës katolike shqiptare në Pejë, pushtetarët lokal të asaj kohe “e kanë ulur bishtin. Pra, sipas mendimit tim, e gjithë kjo është edhe arsyeja përse ka arritur të mbijetoj kjo varrezë, brenda qytetit të Pejës.

Sa i përket varrezave të shqiptarëve, pushteti okupues i asaj kohe e ka ditur mirë se s’ka kush të reagoj për to, andaj edhe i ka zhdukur pa i lëvizur qerpiku.

Sot, banorët e lagjes, në të cilën graviton varreza e ushtarëve të cekur, tregojnë se, këtë varrezë e viziton herë pas here ambasadori i Hungarisë dhe personeli i asaj ambasade.

Në anën tjetër, lidhur me këtë çështje, të moçmit flasin se si në Pejë janë zhdukur shumë varreza shqiptare, e që ndër to përmenden ato në krye të lagjes Kapeshnicë, për çfarë banorët e saj ende e përdorin toponimin “Breg Vorre” si përcaktim orientues, pastaj “Vorret e Gjata”, ku deri në vitet e 60-ta të shekullit XX ishte fusha e futbollit, e cila më vonë u shndërrua në park, e që afër saj, mandej asokohe u ndërtua “Shtëpia e Kulturës”, në një pjesë të kësaj varreze.

Dikur në këtë qytet ka pasur varrezë shqiptare edhe në “Karagaç”, mu aty ku gjendet “Parku i Madh”, në të cilin vend funksionon objekti hotelier “Kampi” dhe në të cilat sipërfaqe janë ndërtuar sallat dhe fushat sportive, në të dy anët e saj.

Lidhur me varrezat që s’ekzistojnë më, mora vesh se brenda rrethojave të “ish-Dispanzerit” paska qenë një varrezë e shqiptarëve, ku pos tjerëve është varrosur edhe Gjon Augustin Gashi, i njohur si Gjoni i Vogël, si dhe tjetra varrezë më e hershme se kjo, së bashku me një kishë shqiptare paska qenë në lagjen “Asllan Çeshme” të Pejës.

Sa i përket varrezës së përmendur, aty ku prehen eshtrat e 208 ushtarëve të Monarkisë Austro-Hungareze dhe ushtarëve të shteteve tjera të rënë në Luftën e Parë Botërore, gjatë viteve 1914-1918, duhet të ruhet me fanatizëm nga shqiptarët, sepse mu ai shtet i asaj kohe ia vuri themelet e shtetit shqiptar, pas rënies së Perandorisë Otomane, përkundër ca shteteve me ndikim që asokohe ishin kundër, e që po ashtu në këtë pjesë të trojeve shqiptare, për herë të parë pas okupimit serb e malazez, ata në Kosovë i hapën edhe shkollat në gjuhën shqipe, për çfarë duhet t’ju jemi shumë mirënjohës.

Thaçi zbardh temat e diskutuara me Erdoganin: Turqia, partnere strategjike e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme në Stamboll është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin kanë zhvilluar një bisedë produktive.

Presidenti Thaçi nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, shprehet mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë që i bëri Erdogan.

“Mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe për bisedën produktive për të gjitha çështjet me interes të përbashkët, përfshirë bashkëpunimin dypalësh, çështjet rajonale dhe globale. Turqia është një partnere strategjike, e cila ka mbështetur forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Në takimin e sotëm ishte prezent edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, kurse takimi u zhvillua në rezidencën presidenciale Vahdettin në Stamboll.

Thaçi, ka realizuar udhëtimin e parë jashtë shtetit, në Turqi, prej fundit të qershorit të këtij viti kur Gjykata Speciale propozoi aktakuzën ndaj tij. Ndërsa ishte nisur nga Prishtina për në Vjenë e pastaj do të shkonte në SHBA, Presidentit iu ndal në gjysmë rrugëtimi drejt Shtëpisë së Bardhë pasi Specialja lëshoi njoftim se ka propozuar aktakuzë ndaj Thaçit

Kurti: Duhet prani e përhershme e Policisë së Kosovës në Karaçevë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur në një konferencë për media, për aksionin e mbrëmshëm të Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Ish-kryeministri Kurti ka përgëzuar punën e Policisë së Kosovës, mirëpo ka thënë se koka e krimit të organizuar nuk është në Karaçevë.

“Krimi i organizuar në Karaçevë nuk e ka kokën në Karaçevë. Gjarpri i krimit e ka vetëm bishtin në Karaçevë, jo kokën. Uroj që të mos dal ajo e mbrëmshmja edhe një shfaqje më shumë e regjimit të vjetër. Pas aksionit të mbrëmshëm nevojitet prani e përhershme në Karaçevë të Dardanës”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

“Numri më i madh i kriminelëve të paqes për metër katrorë në Republikën e Kosovës është në Prishtinë”, ka shtuar Kurti.

Në aksionin policor të së premtes, për kapjen e veprimtarive të kundërligjshme u arrestuan mbi 30 persona në fshatin Karaçevë, në mesin e tyre 10 policë.

Po ashtu, në këtë aksion, njoftohet se u rrënuan edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.

Komunikata e rrezikshme numër 59 – Nga Xhafer Shatri

Televizioni publik është në rrugë të sigurt për t’i ngjarë si veja vesë televizionit verikorean. Pushtetarët tanë, sa herë kanë problem me atë që Jungu e quan domosdoja e kompensimit, i gjuhen RTK-së. Sepse aty kalirojnë mbarë e mbrapshtë pa dro se dikush ju shtron pyetje të pakëndshme. Në intervista të tilla shihet qartas parapërgatitja skenike dhe pyetjet e porositura. Kur ai që luan rolin e gazetarit tejkalon la mis en scène, atëherë mjafton një rrudhje syri ose një mërrolje vetullash e shefit të shefit të shefave që ai të tërhiqet me grimasën e fajësisë.

Kjo u pa edhe në intervistën e Hashim Thaçit dhënë, nga zyra e tij, RTK-së, më 12 shkurt 2019. Ishte një vjellje publike e shëmtuar e injorancës dhe hipokrizisë. Çuditem se si këshilltarët e tij e lejojnë të bëjë gafa të tillë. Por, fundja edhe ata janë banorë të të njëjtës kënetë morale.

Meqë taksa ndaj Serbisë tashmë është bërë këngë për lahutë, Thaçi e drodhi zërin deri në shterrje, duke folur 30 minuta për diçka që do të mjaftonin tri fraza me vetëm një kryefjalë. Jam krejt i sigurt se Amerikës i dhëmbin veshët nga serenatat e mujsharëve që e dijnë zezëditën që po i pret.

Por, të merremi vesh, qëllimi i intervistës nuk ishin taksat. Ishte një hall tjetër i kahershëm që lidhet me luftën dhe rolin destruktiv të Hashim Thaçit në të. Ishte halli i komunikatës famëkeqe numër 59 që mbante firmën e të ashtuquajturit Shtab i përgjithshëm i UÇK-së. Kjo komunikatë, si duket është objekt i Gjykatës speciale dhe, si shumë të tjera, edhe kjo fletërrufe e shëmtuar i atribuohet Hashim Thaçit, këtij përçarësi të paskrupull të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.

Për çka është fjala? Në një konflikt mes Gani Gecit dhe Abedin Rexhës, Sandokanit, të nxitur sipas të gjitha gjasave nga Hashim Thaçi, më 7 tetor vritet Abedin Rexha. Si Geci, si Sandokani, nga ato që dihen deri tash, kanë qenë luftëtarë të vendosur për çlirimin e Kosovës. Mirëpo Gani Geci, aktivist i LDK-së, me disa mbështetës të tij, disa vite më parë, kishin bërë një ‘gabim’: e kishin penguar Hashim Thaçin që, përmes një komploti të tejdukshëm, të bëhet kryetar i Forumit rinor të LDK-së për komunën e Skënderajit, kështu që personi i njohur me nofkën Gjarpni, nuk e kishte harruar këtë disfatë, prandaj edhe ishte përpjekur gjatë luftës dhe pas saj ta eliminonte fizikisht Gani Gecin. Ishte kjo një hakmarrje primitive që u kushtoj me jetë disa personave.

Komunikata numër 59, e botuar më 31 tetor 1998 në gazetën “Bota e Re“, të cilën, asokohe, e redaktonte i biri i njërit prej agjentëve më të rrezikshëm të KOS-it (Shërbimi sekret ushtarak serb) në komunën e Istogut, demonizonte Gani Gecin, duke e shpallur atë dhe familjen e tij si njerëz të Serbisë, ndërsa Ganiun edhe si bashkëpjesëmarrës në ekspeditat ndëshkimore të policisë serbe kundër shqiptarëve. Ishte ky një kafshim i pabesë prej gjarpni që i hapte rrugën një lufte vëllavrasëse në orët më të liga të Kosovës.

Por ajo që nuk e priste Thaçi ishte se kundër kësaj komunikate shpifëse, më 5 nëntor 1998, dolën të gjithë bashkëluftëtarët e Adem Jasharit (11 veta), disa prej të cilëve, njerëz shumë të afërt të Thaçit, duke nënvizuar se Geci, një luftëtar aktiv që prej ditëve të para të kryengritjes së armatosur, e kishte vrarë Sandokanin në rrethana të vetëmbrojtjes së domosdoshme.

Familja Geci, një familje e madhe dhe e njohur gjithandej në Drenicë, e prekur padrejtësisht në nder e në sedër, nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të korrigjohej kjo shpifje denigruese me kërkim falje publike.

Iu desht të durojë e të presë mbi 20 vjet për këtë akt të thjeshtë dhe detyrues për çdo njeri me minimumin e skrupujve moral. Sepse atë që Hashim Thaçi ka mundur dhe e ka pasur për detyrë ta bëjë me mijëra herë e bëri vetëm atëherë, kur i trokiti në derë rreziku real i Gjykatës speciale.

Thaçi në RTK, me atë fjalorin dhe sidomos sintaksën e tij fukaré, përtypte dhe përsëriste me vështirësi fjalët e mësuara përmendsh:

“… Gjatë luftës kanë ndodhur abuzime të individëve të caktuar… me luftën e UÇK-s, me emrin e UÇK-së me emra të individëve të caktuar nga Ushtria Çlirimtare… janë lëshuar komunikata apo deklarata edhe nga bahnofa jashtë vendit për të përçarë UÇK-në, për të përçarë ushtarët e UÇK-së, për të krijuar konfuzion në opinionin publik por edhe për të cënuar njerëzit…, ka pasur deklarata e komunika që kanë qenë krejtësisht në kundërshtim me vullnetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…

Por për të përmendur rastin konkret, komunikatën 59 që përmendet në opinion është një komunikatë abuzuese që nuk i takon UÇK-së është nxjerrur nga individë keqbërës dhe pa dijeninë e Shtabit të përgjithshëm… është lënduar luftëtari i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuptimin moral dhe kombëtar Gani Geci dhe familja e tij, prandaj shprehi ndjesë dhe keqardhje pse kjo gjë nuk është sqaruar deri me tani se ajo deklaratë dhe disa të tjera, e ka pasur deklarata apo komunikata që janë nxjerrë me lista të tëra të njerëzve të politikës së Kosovës duke filluar nga Ibrahim Rugova duke i rrrezikuar, duke i kërcënuar që kanë qenë vërtetë deklarata abuzuese të njerëzve keqbërës… “

Disa trabantë të Thaçit këtë mea culpa u përpoqën t’ia shesin opinionit të traumatizuar si burrëri. Por ky pranim i stërvonuar dhe i nxjerrë me një kërcënim serioz penal mund të jetë çdo gjë, por burrëri kurrsesi jo. Llogaritë e Hashim Thaçit ishin të kalkuluara mirë, ai me këtë gjoja kërkimfalje shpresonte të evitojë disi që Gani Gecin, një njohës të mirë të rrethanave dhe të luftës në Drenicë të mos e ketë si dëshmitar në Gjykatën speciale.

Por t’i kthehemi komunikatës së ‘famshme’: të gjithë njohësit e rrethanave e dijnë se kjo komunikatë dhe përplot të tjera që turpërojnë çdo Lëvizje Atdhetare ose janë shkruar ose janë diktuar nga Hashim Thaçi, alias Gjarpni. Personalisht. Shpejt opinioni publik, përmes Gjykatës speciale do të mësojë edhe gjëra të tjera të ngjashme poaq të neveritshme.

Vlen të përmendet gjithashtu se, bashkëluftëtarët e Thaçit, Jakup Krasniqi e Bardhyl Mahmuti, intervistën e tij në RTK e komentuan si një përpjekje për të shfajësuar vetën. Jakup Krasniqi pohoi se: “Hashim Thaçi si udhëheqës politik i UÇK-së e di shumë mirë se asnjë komunikatë e UÇK-së nuk është lëshuar “nga banhofat me qëllim që të përçajë UÇK-në”. Sikur të kishte ndodhur një gjë e tillë ne do të kishim reaguar që në atë kohë kundër çfarëdo tendence të tillë…“

Ndërkaq, Bardhyl Mahmutit, pas intervistës në fjalë, kishte pasur një bisedë me Gani Gecin. Në thelb edhe Mahmuti mohon çdo autorësi të kësaj komunakte dhe për intervistën e Thaçit thotë se : Në këtë rast kemi të bëjmë jo vetëm me praktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës, por edhe drejtimin e gishtit për nxitje konflikti.“

Për këtë çështje të mprehtë, para dy vitesh dha detaje edhe një njohës tjetër i mirë i rrethanave të luftës në Drenicë, gazetari e deputeti Milaim Zeka. Familja Geci, duke iu referuar Zekës ka pohuar publikisht se tre dëshmitarë: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Fatmir Limaj konfirmojnë se komunikatën numër 59 e ka shkruar Hashim Thaçi. Sipas Milaim Zekës, Hashim Thaçi ia ka lexuar Rexhep Selimit në telefon satelitor komunikatën nr. 59 dhe Rexhep Selimi i ka thënë Thaçit se këto shpifje unë nuk i përkrah ndërsa Hashimi ia ka kthyer „e di por po du me ja futë“.

Meqë po flasim për komunikata, nuk duhet harruar edhe një gjë. Përcjellësit e procesit të montuar politik që po mbahet tash disa muaj në Prishtinë kundër Murat Jasharit, Sadri Ramabajës etj., si pjesëtarë të të ashtuquajturit grup “Syri i popullit“ kanë vërejtur të përvijohet një tendencë diabolike e Prontomafisë që autorësia e komunikatave të pakëndshme, përfshi edhe këtë me numër 59,  t’i faturohen Sadri Ramabajës.

Para dy vitesh, Hashim Thaçi, u përpoq ta davarisë edhe një dyshim tjetër poaq të rrezikshëm në një procedurë penale. Fillimisht ai u zotua se ishte i gatshëm, sipas kanunit, të bënte be me 124 pleq për të dëshmuar pafajsinë lidhur me vrasjen mizore të Haki Imerit, të cilin, më 2 nëntor 1999, duke u kthyer nga shkolla ku punonte e arrestuan tre ‘ushtarë’ të UÇK-së. Atë e dërguan në mal e torturuan mizorisht dhe në fund e vranë dhe e dogjën. I vetmi faj i Haki Imerit ishte se ai ishte aderues dhe aktivist i LDK-së.

Familja e tij vite me radhë ka drejtuar gishtin drejt Hashim Thaçit si nxitës të këtij krimi.

Vëllai i Hakiut, Imeri, gjatë luftës është arrestuar nga Sabit Geci në Shqipëri dhe është mbajtur atje disa muaj nëpër burgje të improvizuara ku edhe është torturuar mizorisht nga Sabiti dhe banditët e tij. Imeri, një burrë i zgjuar e i guximshëm ka bërë të pamundurën për të zbardhur vrasjen e të vëllait dhe kur e pa se kjo është e pamundur, sepse drejtësia në Kosovë është kryesisht vullnet i Prontomafisë, përdori zgjuarsisht frikën e Thaçit nga ‘Specialja’, i mori një dekoratë të detyruar  “Hero i Kombit“ për vëllain e vrarë dhe, çka është më e rëndësishmja, edhe një skenë të emetuar në televizion, kur Thaçi shkoi vetë, gjoja për nderime, te varri i Haki Imerit.

Ishte një pamje e paharrueshme që të përkujtonte filmat e Hiçkokut, sidomos momentin kur vrasësi kthehet në vendin e krimit./15.02.2019

 

Vojsa Osmani ia dërgon Hagës kërkesën e Thaçit lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka nisur letër Ekaterina Trendafilovas, kryetares së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, rreth kërkesës së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në këtë letër, që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, Osmani ka kërkuar shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore.

Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.

Letra e nisur nga Osmani drejt Trendafilovas.

Letra e nisur nga Osmani drejt Trendafilovas.

Më 25 gusht, presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare. Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Në letrën dërguar Trendafilovas, Osmani ka thënë:

“Do t’ju isha mirënjohëse nëse ndryshimet e propozuara do t’i dërgoheshin te Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të kushtetutës”.

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon në gusht të këtij viti. Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vetë këtë gjykatë.

Sipas amendamentit ekzistues të Kushtetutёs lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar, një Dhomë e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, vendos ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me ligjin e veçantë.

Nëse ky propozim arrin te deputetët, ai duhet të miratohet me dy të tretat e votave në kuvend, apo 80 vota.

Në Gjykatën Speciale në Hagë nuk kanë dashur të komentojnë veprimin e presidentit lidhur me vazhdimin e mandatit të gjykatës.

Mirëpo, në fund të vitit të kaluar, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a do të duhet që institucionet e Kosovës të vendosin për vazhdimin e mandatit të gjykatës, zyrtarët në Hagë kanë thënë se “për vazhdimin e mandatit, nuk janë të nevojshme formalitetet ose veprimet specifike”.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kundër të cilit tashmë është paraqitur një aktakuzë për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pranë kësaj gjykate, në fund të gushtit ka thënë se shpreson se deputetët do ta mbështesin këtë kërkesë. Sipas tij, “mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi e nderon Kuvendin e Kosovës, dhe rrit përgjegjësinë e shtetit të Kosovës”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Presidenti Thaçi i ndan ‘Urdhrin e Lirisë’ presidentit Trump

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se i ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë –presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Në një videomesazh dhe komunikate për medie të zyrës së presidentit Thaçi, thuhet se në një letër dërguar presidentit Trump, ka deklaruar “se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike. Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shpëtimtares sonë që në ditët tona më të errëta na qëndroi pranë dhe vazhdon edhe sot”, thuhet mes tjerash në letër.

Presidenti Thaçi e siguron me ketë rast presidentin amerikan se “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kemi punuar shumë në këto vite dhe jemi të përgatitur të japim kontributin tonë për paqe dhe siguri në botë. Po ashtu, jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Është më e qartë se kurrë, thuhet në letër “që kjo mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli juaj në këtë proces është jetik. Kosova është me të vërtetë e bekuar që gëzon mbështetjen tuaj të palëkundshme për përmbushjen e aspiratave të saj”.

Presidenti Thaçi thekson ndërkaq se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nuk do të kishte qenë e mundur “pa energjinë, synimin e qartë, dhe angazhimin direkt, të palëkundur dhe besnik të këshilltarit tuaj për siguri kombëtare, z. Robert O’Brien dhe të dërguarit tuaj special, ambasadorit z. Richard Grenell. Në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tyre, po ashtu kam ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për z. O’Brien dhe z. Grenell, për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Ëashington”.

Ai me këtë rast e ka ftuar presidentin Trump që të vizitojë dhe të bindet “për progresin që ju e keni bërë të mundur. Do të ishte nder i madh t’ju mirëpres dhe t’ju prezantoj popullin më pro-amerikan në botë”, thuhet në letrën e presidentit Thaçi. zëri i amerikës

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me FBI-në, arreston tre persona të dyshuar për krime kibernetike

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se në bashkëpunimin me Byronë Federale të Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara, ka arrestuar të mërkurën tre persona të dyshuar për kryerje të veprave penale “hyrje në system kompjuterik”.

Të dyshuarit, E.J, (1998), Ç.B, (1998) dhe V.S, (1996), dyshohet se kanë shënjestruar platforma të ndryshme online dhe më pas kanë kryer veprimtari të paligjshme kibernetike.

“Të dyshuarit në vazhdimësi kanë vendosur dhe shitur të dhëna të ndryshme elektronike, të cilat paraprakisht i kanë siguruar përmes veprimeve të paligjshme online, si kredit kartela të vjedhura në shumë shtete të botës, virusë të ndryshëm kompjuterik, ‘mjete’ për sulme kibernetike, e-mail adresa dhe fjalëkalime, numra të telefonit si dhe të dhëna tjera”, është thënë në njoftimin e Policisë.

Pas kontrollimit të dy lokacioneve, Policia ka sekuestruar: shtatë shtëpiza kompjuteri, tre kompjuterë laptopë, katër hard disqe, shtatë telefona mobile, pesë USB memorje, dy mikro SD memorje, para të gatshme – 2625 euro dhe dokumente tjera të ndryshme.

Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit është thënë se janë në mbajtje. rel

Kosova kushtëzon Serbinë për Asociacionin: Zbatimi, pas njohjes reciproke

Shkumbin Ahmetxhekaj

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të rikthehet në fokus të dialogut Kosovë-Serbi këtë të enjte, porse autoritetet kosovare insistojnë se kjo temë “do të jetë vetëm pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyjave vendeve”.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti thotë se Kosova do të kushtëzojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe me njohjen reciproke. Ai e konfirmoi këtë qëndrim për Radion Evropa e Lirë, para se ekipet e ekspertëve të të dyjave vendeve të takohen të enjten në Bruksel, ku do të diskutojnë “për aranzhimet rreth komuniteteve joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronave”.

Beqiri insiston se Kosova nuk do të nënshkruajë marrëveshje të veçanta për çështje specifike.

“Qëndrimi zyrtar i delegacionit të Kosovës dhe i kryeministrit po ashtu, është se asnjë marrëveshje, sado e vogël, për çështje që duken të parëndësishme, nuk mund të arrihet, nëse nuk arrihet marrëveshja finale, ligjërisht e obligueshme, gjithëpërfshirëse, ku do të përfshihet edhe njohja”, deklaroi Beqiri për REL.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kjo çështje ka nxitur debate të ashpra e protesta masive në Kosovë.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në një debat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian tha se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të vitit 2015. Pas kthimit në Prishtinë, ai tha se “zbatimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me secilën shkronjë të Kushtetutës”.

Sidoqoftë, mbetet e paqartë se si do të procedohet tutje, kur kihet parasysh se një ekip menaxhues në gusht të 2018-tës, i përbërë nga katër anëtarë serbë – Vinka Radosavljeviq, Dejan Radojkoviq, Igor Kallamar dhe Svetisllav Durleviq – kishte dorëzuar në Bruksel një draft-statut për funksionalizmin e Asociacionit, i cili nuk u diskutua asnjëherë dhe mbeti në sirtarët e BE-së. Ky ekip menaxhues, i emëruar zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës, kishte autonomi të plotë në punën e vet.

Thaçi: Rihapja e temës së Asociacionit, kthim prapa për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një deklarimi për media në Prishtinë më 15 shtator, u shpreh kritik për rihapjen e temës së Asociacionit në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar këtë gjë si “kthim prapa për Kosovën”.

Presidenti Thaçi deklaroi se takimi i së enjtes, në mes të ekipeve të ekspertëve, është i rrezikshëm duke shtuar se askush nuk ka të drejtë që të arrijë një marrëveshje të re për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e ‘Republikës Serbe në Kosovë’. Për diçka të tillë mendoj se Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin”, u shpreh Thaçi.

BE konfirmon diskutimet për Asociacionin

Në BE nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse draft-statuti i ekipit menaxhues është ende valid apo nëse do të jetë temë diskutimi.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë se në takimin e së enjtes do të ketë diskutime për aranzhimet e përgjithshme, në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Asociacioni/Bashkësia ishte mekanizëm që u gjet në 2013-tën për të adresuar nevojat e komunitetit joshumicë serb. Është esenciale që si pjesë e negociatave për marrëveshje gjithëpërfshirëse, të adresohen aranzhimet e përgjithshme për komunitetin joshumicë”, deklaroi Stano, pa specifikuar përmbajtjen e “aranzhimeve të përgjithshme”.

(Mos)Koordinimi i koalicionit qeverisës

Partnerja në koalicionin qeveritar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është zënë në ‘befasi’ nga rihapja e temës së Asociacionit dhe zotimi i kryeministrit Hoti në Parlamentin Evropian për zbatimin e marrëveshjes të vitit 2015.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, që vjen nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, në një deklarim për Radion Evropa e Lirë tha se kjo çështje as që ishte temë diskutimi në takimet e javës së kaluar në Bruksel, gjatë një vizite zyrtare të delegacionit qeveritar të Kosovës.

“Mund të konfirmoj se në asnjë takim që kam qenë unë, Asociacioni nuk u hap si temë. Gjatë vizitës së fundit në Bruksel, unë i kam pasur tri takime me kryeministrin dhe asnjëherë nuk u hap si temë. Temat kanë qenë (raportet me) Brukselin, përditësimi për dialogun dhe ka pasur pyetje që kanë qenë publike prej deputetëve. Dhe me sa e di unë, me sa më kujtohet, askush nuk ka pyetur për këtë temë”, tha Tahiri, duke shtuar se nuk ka njohuri se çfarë do të ndodhë në procesin tjetër dialogues të Brukselit.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka emëruar Skender Hysenin si koordinator për dialogun me Serbinë, gjë që kishte acaruar raportet LDK-AAK, ku kjo e fundit kishte kërkuar publikisht përfshirjen e zyrtarëve të saj në proces. Hyseni nuk ka dhënë detaje për temat që do të diskutohen.

Pas takimit të ekspertëve këtë të enjte, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar një takim në nivel liderësh, brenda muajit shtator.

Pas emërimit në këtë post në prill të këtij viti, Lajçak pati thënë se dialogu Prishtinë-Beograd nuk do të jetë proces i pafund, duke paralajmëruar marrëveshje eventuale brenda një viti. Edhe mandati i tij fillestar është i kufizuar në 12 muaj.


Send this to a friend