VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

PRILLI I RIEDUKIMIT – Tregim nga Konstandin Dhamo

By | February 21, 2020

Komentet

JAM I MËRZITUR POPULLI IM… – Poezi nga Sejdi BERISHA

Jam i mërzitur
Jam i mllefosur
Jam edhe i dëshpëruar
Për mendjen aq të ultë
Për kokën aq të sëmurë

Kështu nuk ecën përpara
Kështu atdhedashuria
Sikur i ngjanë plagëve të pashëruara
Kështu çmendet gjaku
Kështu terrin e sjellim

O sa më rëndojnë dhembjet shekullore
Se jam i mërzitur për Ty Kosovë
Sot kaq mund të them:
Zoti të bekoftë atdheu im
Zoti të shpëtoftë kombi im
Që aq i shkapërderdhur dukesh

Nesër ëndërroj të të përqafoj
Me mallin e bashkimit
Me etjen e vetëdijes
Se kemi të rinj e të reja
Ata e bëjnë ardhmërinë
Ata din t’i këndojnë lumturisë

Jam i mërzitur
Toka ime e pavdekshme
Populli im i përvuajtur
Njeriu im i përçudshëm
Por nuk ka çfarë t’u bëjë
As ligatina e pandemisë
As smira dhe as budallallëku i njeriut

Jam i mërzitur
Ti populli im obelisk historie
Por mos t’i rrënojmë
Përmendoret tona të pavdekësisë

Jam i mërzitur
Jam i mllefosur
Populli im
Toka ime e përgjakur
Vendi im edhe tash i plagosur…
(©S. B.)
(E enjte, 26 mars 2020)

Unë sovrani yt, Atdhe im – Poezi nga Neki Lulaj

Unë sovrani yt, Atdhe, kam kaq ëndrra e dëshira të pamata

T’i njoh vitet e  shekujt që kullojnë gjak prej plagëve

Ta njoh token e -palavruar me eshtra në brigjet e lashta

Njoh kullën e Nishit  ndërtuar me kafkat e dardanëve.

 

T’i njoh vuajtjet, brengat, ëndrrat që s’të mbaruan  kurrë

T’i njoh dëshirat  dhe   burrat që  për ty  sakrifikuan

T’i njoh edhe pushtetarët që sot për ty dalin në tribuna

T’i njoh edhe lakmitarët për pushtet që luftën  harruan.  

 

Ti njoh edhe ata që premtojnë e mashtrojnë

E premtimet  dhena  kurrë nuk i mbajnë

Ua njoh nënave  gjamat  për bijtë që iu mungojnë

Edhe pas njëzet viteve dëgjoj klithje,  gjamë e vaj.

 

E këtu bëhet luftë për pushtet, për karrike e poste

E sovrani qan  vajton  e piskon si një një xhungël e egër.

Eh, Atdheu tim e kanë kapur  dërdëllisit prej dore

E morën  mediokrët,  despotët që duken si bajlozë pa emër

Antikombëtar

 

 

-Nga Gjermania, Mars 2020-

Kush është Skeria Pjellore? – Nga SULEJMAN MATO*

Historia e popujve është e mbushur me shtresëzime, kulte të përbashkëta, me lëvizje dykahëshe dhe kundërthënie… Historia e shkruar fillon me zhvendosjen e fiseve dorike, nga Veriu në Mesdhe. Durrësi u themelua prej dorëve rreth vitit 627 para Krishtit, nga fisi i dorëve ilirë të cilët banonin në Korinth, por para kësaj date , rreth viteve 734 para Krishtit, si në afërsi të Durrësit ashtu dhe në ishullin e Korfuzit ka të dhëna që aty banonin banorë ilirë. (Kësaj here le të mos i quajmë pellazgë).Kjo tregon se fiset dorike kur zbritën në bredetin ilir gjetën një popullsi autoktone me kulturë të zhvilluar, me kulte, zakone…e ndoshta edhe me gjuhë të shkruar.Kjo kulturë prej disa historianëve është quajtur “kulturë pellazge”, ndërsa prej disa historianëve të tjerë, më të moderuar, është quajtur “kulturë ilire”.

Rreth 100 vjet para ardhjes së fiseve dorike dokumentohet që Korfuzin (ishullin Vis) e zotëronin liburnët, fis i fuqishëm ilir, i njohur për anijet e shpejta. Fiset liburne njihen si fise detzotëruese, ndërsa feakasit njihen si popull që rrjedhin nga ciklopët. (Me këtë emër njihen banorët e parë, primitivë.

 

 

Shënim” 1 .Theopompi, historian i shek. IV para Krishtit e quan Korfuzin ishulli Vis dhe sundimtarin e tij, Jon. Vis, në persisht, do të thotë “derë princërore”,por kjo fjalë rrjedh nga një VEIKOS.(indoeuropiane) Me “foikos” grekët kanë quajtur një grumbull shtëpish.

1.Emrin Skea e ndeshim për herë të parë te “Eneida” Virgjilit. Ja disa vargje të nxjerra nga poemi, ku përmendet emri “Skea”: Pra, duke ecur unë shoh një Trojë të vogël dhe një pergam , në ngjasim të atij të madhit dhe një përrua të thatë të quajtur Ksanth, dhe aty në prag puth edhe portën Skea.

Shënime rreth fjalës Skeri… Gjuhëtari Meyer fjalën SKE e lidh përbrenda shqipes me kuptimin: “anë, kënd”. Çabej thotë: “Skanje quhet bregu i detit”. Ose”vend i çarë, i krisur…. Skarie- Skerie, ka të bëjë me shumësin e shqipes. “Ndërrimi i vokalit “a” në “e”, -thotë Çabej, – është veçori e pak gjuhëve indoeuropiane”. Kepi i Skarës – Toponim në Ksamil . Ky kep i thepisur, i futur në thellësi të detit ndodhet pranë portës “SKE”, pranë Skerisë, pranë Feakës. Skriperion quhet emri i malit më të lartë të Korfuzit. E gjejmë si toponim në një guidë turistike të Korfuzit. Ky toponim lidhet me emrin shqip “zgrip”, duke pasur parasysh që Skiperioni ose Skriperioni është tejet i thepisur. “Skea” – me këtë emër vjen gjer në ditët tona porta më e lashtë e mureve rrethuese të qytetit të Butrintit, me lartësi 5 metra, gjerësi 15 metra dhe me një korridor të gjatë rreth 9 metra. Nëse porta tjetër (ajo e Luanit) e ka një histori të vetën, për portën “Skea” nuk është thënë asgjë.

Mustili e daton si të shek. V-të para Krishtit. Ai flet për një zgjerim të mbrojtjes së portës “Skea”, por datimi duhet të jetë më i hershëm. Mustili mendon që porta “Skea” i përket periudhës parahelenike për vetë blloqet e parregullta dhe të palidhura me llaç.

Ugolini, arkeologu i njohur italian që ka bërë gërmime në Butrint, portën me dalje në liqen e emërton “Skea pellazgjike”, për vetë teknikën e ndërtimit me gur të thyer të vendosur në të thatë. Pse të ketë mbetur pa histori kjo portë e lashtë, me dalje në liqen?

Sipas një legjende, muret e kalasë së Butrintit janë ndërtuar nga trojanët e parë, të cilët, pas shkatërrimit të Trojës, erdhën dhe u vendosën në Butrint. Muret e kësaj kështjelle trojanët i ngritën sipas shëmbëlltyrës së mureve të kështjellës së Trojës. Është brenda logjikës që porta kryesore e saj të mbante emrin porta “Skea”, në kujtim të Trojës së rrafshuar. Por porta “Skea” është edhe dëshmia më e lashtë e toponimit “Skeri”.

Tek poema”Odiseu”, në këngën V, thuhet:

(hyjnesha Athina) “… shkoi tek vendi ku ngrihej qyteti i feakëve,

qëmoti ata kishin banuar në Hiperien me fusha të gjera pranë ciklopëve,

njerëz të ashpër në sjelljet e tyre që punonin një mijë të zeza

me forcën e trupit, që nga ai vend i pat ngritur dikur

nurhyjnori Nausitoi dhe i vendosi ata në Skerinë pjellore.”

Një toponim tjetër që lidhet me Skerinë është mali i Skeficës ( Labëri). Pjesëza fjalëformuese “fic” apo “vic”, “fis” ose “fic”, sipas Çabejt, rrjedh nga Veikos. “vend i banuar”. Siç e kemi përmendur dhe më lart, një mbeturinë të toponimit Skeri do ta gjejmë te Shqeria e Përmetit , në kufi me Skraparin. Po kështu, mbeturina të këtij toponimi mund të jenë edhe ai i krahinës “Sheperi” të Zagorisë si dhe mali i Skerficës , në Labëri…

Dhimitër Kamarda thotë se sk-ja indoeuropiane ka dhënë në shqip një “h”. Këtu duhet të kërkojmë një “skeri” të vjetër. Kuptimi i saj i hershëm mund të ketë qenë fjala indoeuropiane “heri”, e cila në shqip ka marrë kuptimin “vërri”, “vend kullotash”.

Gjuhëtari rumun Tomashesku, i cili ka këmbëngulur ta nxjerrë gjuhën shqipe bijë të trakishtes, na sjell si shëmbëll fjalën “skiare”, që në dakisht do të thotë “gjembaç”, fjalë të cilën e lidh me shqipen: “shqerr- shkierr”.

Shënim: 1. Straboni kur flet për Korfuzin përmend fiset që e banonin dhe gjuhën që ata flisnin: “Në këtë ishull ku banojnë ahejtë, eteokretët trima, kydonët, dorët trefish dhe pellazgët hyjnorë, secili ka gjuhën e tij.”
3. “Arhia, kur u nis për në Sicili, la Kersikratin, pinjoll i fisit të Herakliut, me një pjesë të ushtrisë në ishullin që quhej prej tyre Skeria dhe tani Kerkyra, për të themeluar këtu një koloni, gjë që ky e zbatoi duke ndjekur liburnët, që zotëronin këtë ishull. (Straboni)

VENDI I MIHAL GRAMENOS NË LETËRSINË DHE GAZETARINË SHQIPTARE – Nga Thanas L. Gjika

Shek. XIX, shekulli i lëvizjeve kombëtare, e gjeti popullin shqiptar, pasardhësin e fiseve ilire, të dëmtuar rëndë prej zgjedhave të gjata romake, bizantine, sllave dhe së fundi prej asaj osmane. Gjatë kësaj zgjedhës së fundit, për të lehtësuar disa taksa dhe peshën e rëndë të sundimit turk, gati shtatëdhjetë përqind e shqiptarëve ishin konvertuar në myslimanë, pjesa tjetër kishin ruajtur besimin e krishter katolik në veri dhe ortodoks në jug.

Gjatë shekujve XVIII-XIX dhe deri në nëntor të vitit 1912, kur u fitua pavarësia e Shqipërisë, sunduesi turk përpiqej me çdo kusht ta mbante popullin shqiptar në errësirë, për ta përdorur si mish për top në luftërat e veta, që t’ia zgjaste jetën Perandorisë së vet. Për këtë arsye ishte ndaluar me ligj hapja e shkollave në gjuhën shqipe si dhe përdorimi i kësaj gjuhe si gjuhë liturgjike në kishë e xhami. Propagandohej me forcë prej sunduesve se shqiptarët myslimanë ishin osmanë (turq), bij të sulltanit, kurse shqiptarët e krishterë ortodoksë ishin grekë ose sllavë, dhe shqiptarët e krishterë katolikë ishin latinë, italianë. Edhe politikanët e shteteve të reja ballkanike që fituan pavarësinë gjatë shek. XIX filluan të ndiqnin të njëjtën propagandë kundër popullit shqiptar. Formula mesjetare bizantine cuius religio, eius nacio (lat. i cilit besim je, atij kombi i përket), këmbëngulej që për shqiptarët të respektohej edhe në shekullin XIX e XX, kur ishte pranuar se popujt e Europës ndaheshin në kombe sipas gjakut, gjuhës, zakoneve, psikologjisë dhe territorit.

Në një situatë të tillë tepër mbytëse për popullin shqiptar, lindi dhe u ngjiz Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ideologët e kësaj lëvizjeje vlerësuan tiparet e përbashkëta të kulturës shpirtërore e materiale të popullit shqiptar, luftuan ta shkruanin, ta pastronin e ta pasuronin gjuhën shqipe, faktorin më të rëndësishëm bashkues të kombit, të vinin në dukje zakonet e mira, besën, trimërinë, mikpritjen, respektin ndaj të huajit, mëshirën ndaj të pafuqishmit, etj. Ata nuk i mbivlerësuan dhe as i nënvlerësuan ndikimet e shumta që kishte pësuar prej zgjedhave të huaja të gjata mendësia e popullit shqiptar, gjuha dhe besimi i tij fetar, por vlerësuan si duhej faktin e madh, mrekullinë e mbijetesës së popullit shqiptar si një popull i veçantë midis popujve ballkanikë, i cili meritonte dhe duhej të jetonte i lirë në ato hapësira ballkanike, ku përbënte shumicën.

Rilindësit tanë qenë iluministë, njerëz me inteligjencë të lartë. Ata luftuan që populli shqiptar të zgjohej nga letargjia ku e kishte futur sundimi i gjatë dhe i egër turk. Luftuan ta nxirrnin popullin e tyre nga kjo gjendje foshnjore dhe ta aftësonin për të përdorur mendjen, logjikën e vet, për të njohur e vlerësuar tiparet e tij përbërëse.

Rilindësit tanë luftuan për përhapjen e shkrimit të gjuhës, për ringjalljen e krenarisë kombëtare, duke evokuar në letërsi të kaluarën heroike dhe duke himnizuar udhëheqësit e mëdhenj si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirrua i Epirit, etj. Krahas lëvrimit të letërsisë origjinale, ata i dhanë rëndësi dhe mbledhjes dhe botimit të letërsisë gojore të popullit. Këtë punë ata e bënë, sepse letërsia gojore ndër shqiptarët e kishte plotësuar dhe mbushur boshllëkun që kishte krijuar gjatë shekujve mungesa e letërsisë së shkruar. Letërsia gojore u kuptua drejt prej tyre si një thesar i vlefshëm kulturor, një identitet kombëtar që duhej rizbuluar dhe shpënë më tej. Për këtë punuan Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine , etj

Një ndër veprimtarët dhe krijuesit më aktivë të çerekut të parë të shek. XX është dhe Mihal Gramenua, një nga bijtë më të shquar të Korçës e të mbarë Shqipërisë, që u dallua si shkrimtar, publicist dhe luftëtar për liri e demokraci. Ai është shembulli i shkrimtarit shqiptar, i ngjashëm me poetët dhe shkrimtarët luftëtarë të popujve ballkanas, që shkruan dhe luftuan me armë kundër zgjedhës osmane, si rumunët Mihal Eminesku (Mihail Eminescu 1850-1889) e Tudor Argjezi (Tudor Arghezu, 1880-1967), dhe bullgari Kristo Botevi (Hristo Botev, 1848-1876), etj. Veprimtarinë e tij atdhetare dhe krijimtarinë letrare e publicistike, Gramenua e kreu në Shqipëri, Rumani e SHBA. Ai u bë i njohur në popull, jo vetëm përmes krijimeve letrare e publicistike, himneve e këngëve dashurore, të cilat u kënduan në kohën e tij dhe këndohen edhe sot, por dhe përmes njohjes së drejtpërdrejtë si luftëtar i lirisë, kur me pushkën krahut i ra kryq e tërthor Shqipërisë së Jugut. Ai u shqua për aktivizimin e tij të vijueshëm në lëvizjen kombëtare e demokratike, sipas motos së tij: më e vlefshme është të punonjë njeriu brenda në Shqipëri, se sa në kolonitë, moto që u bë parim i jetës së tij.

Rilindësit tanë ishin heronj. Ata u hodhën në një luftë të pabarabartë, por të mbushur me shpresë se populli shqiptar do ta ndiqte shembullin e tyre deri në fitoren e lirisë e të demokracisë dhe ia arritën synimit të tyre, ndonëse jo plotësisht për shkak të rrethanave dhe të politikës jo dashamirëse të Rusisë Cariste. Ata luftuan për ta çliruar letërsinë shqiptare prej ndikimeve të panevojshme të letërsive të huaja dhe arritën ta bënin atë një letërsi të pavarur me tiparet e veta origjinale kombëtare. Duke ecur, kush krah për krah e kush pas poetëve kombëtarë Naim Frashëri (1846-1900) e Atë Gjergj Fishta (1871-1940), shkrimtarët tanë të Rilindjes e afruan letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bënë atë shprehëse të ndërgjegjes së tyre morale dhe estetike, që ishin në përputhje me vërtetësinë historike. Ata luftuan me shumë sakrifica për dinjitetin e tyre dhe të mbarë popullit shqiptar, pra dhe për dinjitetin tonë, prandaj neve nuk na lejohet t’i harrojmë e t’i lemë pa i studiuar dhe pa i vlerësuar si duhet. Studimi dhe zbulimi i vlerave të jetës dhe veprës së tyre na ndihmon për të pajisur veten tonë me norma morale dinjitoze dhe të qëndrueshme.

* * *

Mihal Gramenua u lund në qytetin e Korçës më 13 janar 1871. Deri në moshën 15-vjeçare ai jetoi në qytetin e lindjes, ku u shkollua në shkollën fillore dhe gjysëm gjimnazin në gjuhën greke. Në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj shqiptarë, emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku ndoqi gjatë mbrëmjeve mësimet në një shkollë të mesme, që ishte hapur me ndihmën e qeverisë rumune prej Nikolla Naços. Në vitet 1907-1908 ai u kthye në atdhe, ku doli maleve me pushkë krahut për liri. Mbas korrikut 1908, kur u shpall Kushtetuta Xhonturke, ai qëndroi në qytetin e vet, në Korçë, ku punoi në ilegalitet për organizimin e lëvizjes së armatosur kundër pushtuesit turk dhe botoi gazetat e veta Lidhja Orthodokse (1909-1910) dhe pas saj Koha (1911-1912). Në faqet e këtyre gazetave ai botoi shumë artikuj, portrete, fejtone dhe skica letrare për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të popullit, për të forcuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për të diskredituar propagandat antishqiptare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë, sidomos qarqeve shoviniste greke.

Pas fitores së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, ai mbërriti disa ditë me vonesë në Vlorë, kryeqyteti i parë i shtetit të pavarur shqiptar, për të ndihmuar qeverinë dhe kryeministrin Ismail Qemali (1844-1919) për një varg punësh në atë kohë të vështirë. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur Korça u pushtua prej ushtrisë greke dhe gjithë Shqipëria prej ushtërive të shteteve ndërluftuese, Mihal Gramenua u detyrua të emigronte në SHBA bashkë me tre prej vëllezërve të tij. Në SHBA ai u vendos në qytetin Jamestown N.Y., ku vijoi botimin e gazetës Koha (1915-1919). Më 1920 u rikthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku filloi ribotimin e gazetës së tij.

Me artikujt, kryeartikujt, fejtonet, portretet, pamfletet dhe skicat letrare që botoi në vitet 1920-1924, ai ndihmoi për forcimin e mendimit demokratik dhe për fitoren e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924, kur erdhi në pushtet intelektuali i shquar Fan Noli, njeri i formuar në SHBA. Pas dështimit të këtij revolucioni dhe ardhjes në pushtet të feudalit Ahmet Zogu (1895-1961), Mihal Gramenua, duke qenë i sëmurë dhe në kushte të vështira ekonomike, u detyrua të pajtohej me situatën dhe të mënjanohej nga lufta politike. Në vitin 1926 e mbylli gazetën Koha dhe jetoi i tërhequr deri sa vdiq në shkurt të vitit 1931.

Në luftën për çlirimin kombëtar dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, si dhe në përpjekjet e para serioze për një demokraci borgjeze, ndihmesa e mendjes, e shpirtit dhe e talentit të Mihal Gramenos, është shumë e dukshme dhe e paharrueshme. Si rilindësit më të mirë shqiptarë, ai e zgjodhi luftën për liri e demokraci, sepse kuptoi se jeta në liri e demokraci e bën të mundur bashkëjetesën njerëzore në formën dinjitoze. Përmes leximeve në greqisht e rumanisht, Gramenua kishte përvetësuar mësimin e madh të Demokritit: Unë parapëlqej jetën e varfër në një demokraci, sesa pasurinë në një tirani, …. sepse liria është më e mirë se skllavëria. Kjo bindje e ndihmoi atë që të pranonte vuajtjet si shkrimtar dhe gazetar shqiptar në shërbim të lirisë për popullin e vet, se sa të pranonte propozimet që i bënë në Korçë sundimtari turk më 1909 dhe dhespoti grek më 1910, si dhe ministri italian San Juliano në Itali më 1914, për të marrë rroga të majme, po të punonte si gazetar në shërbim të politikës së tyre.

E marrë në tërësinë e vet, prej fillimeve të saj e gjer në dhjetor të vitit 1924, krijimtaria e tij përshkohet nga fryma luftarake, nga optimizmi historik, nga patosi atdhetar dhe idetë demokratike. Pas dhjetorit 1924, me riardhjen në pushtet të Ahmet Zogut pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit 1924, lëvizja demokratike ra në fashë dhe Gramenua përjetoi krizën e idealeve të kësaj lëvizjeje.

  1. Gramenua bën pjesë në radhën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes, të cilët pas vitit 1902, viti i botimit të veprës madhore Baba Tomorri të Andon Zako Çajupit (1866-1930), shënuan një periudhë të re letrare, ku bashkë me tematikën, disponimet, vizionet, format e shprehjes romantike, ata sollën edhe tema, disponime, vizione dhe forma të shprehjes realiste. Çajupit, Fishta, Gramenua, Asdreni (1872-1947) e çliruan letërsinë artistike nga fryma dhe morali fetar. Ata nuk e panë popullin shqiptar vetëm si komb, si e shihnin para tyre romantikët, por edhe si shoqëri të përbërë nga klasa të ndryshme, të cilat kishin problemet e veta. Pavarësisht se si i shtruan dhe si menduan t’i zgjidhin këto probleme, fakti që ata i panë dhe i shtruan ato, përbën një hap para për letërsinë shqiptare të asaj kohe.

Me novelat Oxhaku, E puthura dhe Varri i pagëzimit, që botoi në vitet 1904-1909, Gramenua hyri në letërsinë tonë si lëvruesi i parë i prozës së gjatë në gjuhën shqipe, ku mungonte tradita. Për t’ia dalë me sukses kësaj pune, në drejtim të ligjërimit ai iu drejtua prozës popullore, e cila i shërbeu si përvojë e gjallë artistike. Me përmbajtjen e këtyre veprave, duke shprehur pakënaqësitë ndaj normave morale të shtresave të larta e duke poetizuar vlerat shpirtërore të njerëzve të vegjëlisë, ky krijues i binte kambanës për zgjimin e ndërgjegjes shoqërore të shtresave të ulëta, ndikonte për të forcuar dinjitetin dhe respektin e këtyre shtresave ndaj vetvetes. E pikërisht me të tilla ide që shprehte ai në novelat e veta, jepte një kontribut në thellimin e frymës demokratike jo vetëm të prozës së gjatë në hapat e saj të parë, por të mbarë letërsisë sonë, çka do të bëhej në të ardhmen një nga tiparet më të qenësishme të kësaj letërsie. Me veprat e tij novelistike përmes patosit sentimental, ky autor vuri në dukje vetitë njerëzore të fshatarëve e të qytetarëve të varfër shqiptarë, shprehu simpatinë e tij për këtë pjesë të shtypur të popullit dhe u përpoq ta shpëtonte atë nga gjendja e rëndë, ndonëse në këtë çështje nuk predikoi rrugën e lëvizjeve shoqërore, por vetëm atë të mëshirës e të harmonisë utopike. Por nuk duhet harruar se të drejtoje vëmendjen tek njerëzit e varfër, tek interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë, ishte dalje kundër propagandës zyrtare. Me novelat e veta sentimentale, ku nuk mungojnë dhe elemente të realizmit, Gramenoja u hapi rrugë të mbarë prozatorëve tanë të mëvonshëm si Foqion Postolit, Nikolla Lakos, Andon Frashërit, Veli Panaritit, Sterio Spasses, Sotir Andoni, etj.

Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe është një komedi politike. Në qendër të saj autori ka vendosur luftën kundër klerit grek e veglave të tij (shqiptarët grekomanë), të cilët punonin nën rrobën e fesë për të përçarë popullin shqiptar dhe për t’i greqizuar besimtarët ortodoksë shqiptarë. Autori, si intelektual dhe atdhetar i ndershëm, kishte kuptuar se feja ortodokse ishte kthyer prej klerit grek e atij vendës grekoman, në një instrument të shovinizmit grekomadh. Prandaj, përmes humorit e satirës ai i demaskoi këto forca antishqiptare.

Në këtë komedi të Gramenos ndjehet ndikimi pozitiv i komediografit të madh francez Zhan Batist Molier (Jean Batiste Moliere, 1622-1673) në krijimin e karaktereve letrare të shërbëtorit Thanë dhe të dhespotit hipokrit grek Sofroni. Përmes dialogjeve dhe veprimeve të këtyre përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare dhe të personazheve të tjerë, realizohet satira e veprës. Krijimi i figurës së shërbëtorit Thanë, si përfaqësues tipik i popullit të thjeshtë shqiptar, dhe i dhespotit grek, si përfaqësues tipik i shovinizmit grekomadh, janë realizime të shënueshme të Gramenos. Në komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe autori arriti që urrejtjen kunër forcave kundërshtare ta shprehte jo duke e deklamuar me fjalë, si në disa poezi, por duke e ngritur atë në art, përmes motivimit të mendimeve dhe veprimeve të pesonazheve. Lidhjet midis personazheve dhe ambientit që ata i rrethon, këtu janë kapur sipas një realizmi spontan, intuitiv, pa u ndriçuar nga historizmi, nga kuptimi i karaktereve letrare si produkt i rrethanave. Veçse në këtë vepër, ky lloj realizmi është më i shëndetshëm se në novelat E puthura dhe Oxhaku.

Karakteri spontan i realizmit të Gramenos ka të bëjë me faktin se personazhet kryesorë në këto vepra mendojnë, ndjejnë e veprojnë jo gjithnjë në përputhje me logjikën e brendshme të karaktereve shoqërore që ata mishërojnë. Ata mendojnë e veprojnë shpesh herë në përputhje me idenë fillestare që ka paracaktuar autori.

Komedia politike atdhetare me tre akte Mallkim i gjuhës shqipe, e shkruar më 1902 dhe e botuar më 1905, ka qenë njohur prej A. Z. Cajupit dhe mund t’i ketë shërbyer si nxitje për hartimin e komedisë së tij politike me një akt Pas vdekjes më 1908, lënë dorëshkrim dhe botuar pas vdekjes së tij më 1937.

Tragjedia Vdekja e Pirros ka në qendër temën historike, jetën e mbretit Pirro të Epirit. Në këtë tragjedi ndjehet ndikimi i poetikës së tragjedive të Klasicizmit francez dhe të tragjedive të lashta greke. Kjo tragjedi është e para e llojit, si e tillë ajo hapi rrugën për hartimin e tragjedive klasiciste prej autorëve të tjerë si Çajupi, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi, etj. Me vëniet e shumta në skenë gjatë Rilindjes e pas saj prej grupeve amatore në kolonitë shqiptare të Rumanisë, SHBA-së dhe brenda vendit në Vlorë, Korçë e Tiranë, kjo vepër dramaturgjike luajti një rol të ndjeshëm edhe përsa i përket gjallërimit të lëvizjes teatrale, duke shënuar fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Komedia politike atdhetare Mallkimi i gjuhës shqipe dhe tragjedia Vdekja e Pirros, të cilat autori i shkroi në vitet 1902-1903 e i botoi më 1905-1906, janë ndër veprat e para të llojit. Ato, bashkë me vepra të tjera të këtij lloji, shënuan fillimet e dramaturgjisë shqiptare si gjini letrare. Pavarësisht nga karakteri spontan i realizmit të komedisë Mallkimi i gjuhës shqipe dhe i novelave E puthura dhe Varr’ i pagëzimit të Gramenos, duhet pranuar se ato ishin një prurje e mirë në kahjen e realizmit. Ato ndihmuan procesin e lindjes së realizmit, proces që filloi të merrte rrugë me Baba Tomorrin (1902) e Andon Zako Çajupit, me vepra të Pader Gjergj Fishtës, Asdrenit, Faik Konicës, Dom Ndre Mjedës dhe të konsolidohet më tej në vitet 30-të të shek. XX me veprat e Migjenit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Nonda Bulkës, etj.

Gramenua nuk është vetëm prozator e dramaturg, por edhe poet, poet i vrulleve atdhetare. Këngët Për mëmëdhenë,Lamtumirë, Uratë për liri, Ardhi dita, të cilat u bënë shumë popullore gjatë Rilindjes, ndikuan për krijimin e një mori këngësh e marshesh në vitet 1908-1912. Ato janë ndër krijimet më të mira të lirikës atdhetare që trashëgojmë nga Rilindja. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Teksti i tyre i pangarkuar me figura të vështira e të kërkuara dhe melodia e thjeshtë dhe e kapshme nga të gjithë, bënë që këto këngë atdhetare të përvetësoheshin shpejt e të përhapeshin si himne të luftëtarëve të lirisë. Meritë e poetit Grameno është edhe fakti se ai i muzikoi vetë këto këngë, mbi bazën e muzikës së këngëve revolucionare që ishin përhapur në atë kohë në mbarë Ballkanin. Këngët e tij atdhetare u kënduan jo vetëm gjatë viteve 1908-1912 nga luftëtarët e lirisë kundër zgjedhës turke dhe prej Bandës “Liria”, por edhe në vitet e Mbretërisë prej “Korit Lira” të Korcës, si dhe në vitet 1940-1944 prej popullit e luftëtarëve antifashistë kundër pushtimit italo-gjerman. Kënga “Për mëmëdhenë” dhe “Muaji i majit” këndohen edhe sot prej “Korit Lira” dhe këngëtarëve amatorëve të këngëve atdhetare e lirike.

Poezia Për Mëmëdhenë e Gramenos bashkë me poezitë Moj Shypni e mjera Shqypni e Pashko Vasës, Gjuha Shqipe e Naim Frashërit, Shqipëtar! e Çajupit, Gjuha shype e Atë Gjergj Fishtës, Kënga e Bylbylit e Dom Ndre Mjedës, Shko dallandyshe / Eja dallendyshe të F. Shirokës, Hymni i Flamurit i Asdrenit, Flamuri i At Fan Nolit, Vlora, Vlora e Ali Asllanit, Poradeci i Lasgush Poradecit e të tjera hyjnë në çdo tekst antologjik për shkollat 8-vjeçare e të mesme të Shqipërisë e Kosovës, si poezi të goditura që ndihmuan, ndihmojnë e do të ndihmojnë drejtpërdrejt në formimin atdhetar të nxënësve.

Gramenua u shqua edhe më tepër si publicist i talentuar. Ai botoi shkrime të shumta publicistike me nivel të lartë artistik si rrallëkush, për gati një çerek shekulli. Ai drejtoi vetë gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) e Koha (1911-1926), të cilat me punën e talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë.

Publicistika është, në fakt, fusha ku shkëlqeu talenti i tij krijues. Ai iu kushtua kësaj fushe me pasion e frymëzim të veçantë dhe arriti të botojë një mori shkrimesh prej mbi 3000 faqe të daktilografuara. Shumë prej këtyre faqeve kanë vlera të mëdha njohëse për jetën shqiptare të çerekut të parë të shekullit XX, periudhë që është e mbushur me ngjarje të një rëndësie të veçantë. Në këtë fushë të krijimtarisë ky publicist është ndër të parët dhe kryesorët propagandistë të rrymës atdhetare, sipas së cilës çlirimi i vendit nuk duhej pritur nga qeveritë e shteteve të huaja, si qeveria austro-hungareze, që propagandonte Faik Konica; ajo italiane, që propagandonin disa arbëreshë dhe ndonjë klerik katolikë; ose ajo turke, që propagandonte më 1908-1910 Mit’hat Frashëri. Çlirimi i vendit nga zgjedha turke, sipas Gramenos, do të sigurohej vetëm nga lufta e armatosur e popullit shqiptar.

Në plan shoqëror ky gazetar ishte gjithnjë një mbrojtës i vendosur i interesave të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe armik i bejlerëve çifligarë, i këtyre uzurpatorëve të pushtetit shtetëror pas fitores së pavarësisë.

Krijimtaria publicistike e Gramenos shquhet për trajtimin e problemeve të mprehtë atdhetarë dhe socialë. Vend qendror në të zuri ajo që ishte kryesore në jetën shqiptare të kohës: lufta për liri kombëtare dhe progres shoqëror. Heronjtë që zenë kryet e vendit në këtë krijimtari janë luftëtarët e çetave kombëtare, atdhetarët demokratë, bijtë e shtresave të ulëta, të cilët ia kishin kushtuar jetën luftës për liri e demokraci. Po ashtu, shpesh herë në qendër të krijimtarisë publicistike të Gramenos u vendosën dhe përfaqësuesit e aristokracisë shqiptare. Një pjesë e vogël e kësaj aristokracie u lidh sinqerisht me lëvizjen kombëtare për liri. Këta veprimtarë Gramenoja diti t’i vlerësonte me shkrime të ndryshme politike dhe letrare. Përmendim këtu shkrimet e tij plot frymëzim për Ismail bej Qemalin, Isa beg Boletinin, Orhan bej Pojanin, Alo bej Dishnicën, etj. Por pjesa më e madhe e kësaj aristokracie, duke parë interesat e veta të ngushta, mori një qëndrim jo atdhetar ndaj lëvizjes kombëtare dhe u përpoq të përfitonte poste e nëpunësi të pamerituara. Të tillë elementë u pasqyruan gjithmonë në plan sarkastik prej penës së këtij gazetari. Shkrimet që vunë në qendër personalitete historike si Esad Pashë Toptani, Turhan Pasha, Myfit bej Libohova, etj, i përshkon patosi satirik, përmes të cilit Gramenua demaskonte thelbin reaksionar të këtyre forcave shoqërore, mentalitetin e tyre antipopullor.

Duke qenë se Gramenua iu kushtua gazetarisë në një kohë kur demokratizmi i tij vinte duke u pjekur, sidomos pas jetës në çetën e Çerçizit, kur ai e njohu më nga afër karakterin e popullit shqiptar dhe nevojat e aspiratat e tij, në publicistikën e tij interpretimi i ngjarjeve nga këndvështrimi i shtresave të ulëta erdhi duke u forcuar vazhdimisht. Kështu, në vitet 1909-1912 ai krahas thirrjes opinga është shtylla e kombit shkroi edhe portretet letraro-publicistike, ku vuri në qendër luftëtarët kombëtarë të dalë nga radhët e bujqve dhe barinjve të varfër, për të treguar se në cilat shtresa duhej të mbështetej lëvizja e armatosur për liri. Kurse në vitet që pasuan pas shpalljes së pavarësisë, Gramenua eci dhe më tej në forcimin e ideve të tij demokratike.

Në vitet 1915-1918 ai shkroi një varg pamfletesh e fejtonesh, në qendër të të cilave vuri ish-ministrat bejlerë të Qeverisë së Vlorës (1912-1913) e sidomos të asaj të Durrësit (1914), shkrime ku ai demaskoi karakterin reaksionar të bejlerëve çifligarë si klasë. Ai tregoi se kësaj klase i kishte kaluar koha, i ishin shterur energjitë e brendshme dhe se ishte kthyer në një pengesë serioze për progresin shoqëror. Edhe pse teorikisht nuk kishte njohuri mbi ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, Gramenoja, në sajë të njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, zgjeroi e forcoi më tej botëkuptimin e vet demokratik dhe arriti në mendimin se eleminimi i mbeturinave të theksuara të feudalizmit në Shqipëri ishte një nevojë, një domosdoshmëri për të ecur përpara. Zotërimi i të tilla mendimeve bëri që, në fillim të viteve ‘20 të shek. XX, ky gazetar të orientohej drejt e të zinte vend menjëherë në radhën e veprimtarëve politikë e shoqërorë që nxitën atë lëvizje demokratike, e cila çoi në triumfin e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924.

Me shkrimet më të mira gazetareske të botuara që nga viti 1915 deri më 1924, për një dekadë të tërë, mund të themi se Gramenua qëndroi në radhën e publicistëve më të shquar të gazetarisë shqiptare. Ai shkroi e botoi qindra shkrime publicistike me nivel të spikatur artistik dhe me përmbajtje të thellë ideore. Më 1919 dhe 1921 ai ngriti ndër të parët nevojën e një reforme agrare në Shqipëri. Gjatë muajve që qëndroi në pushtet Qeveria e F. Nolit, Gramenoja në faqet e gazetës Koha kërkoi me këmbëngulje zbatimin e reformave të shpallura, në mënyrë që demokracia e shpallur të mos kthehej në demagogji. Por, për arsye që tashmë njihen, kjo qeveri u përmbys në fund të dhjetorit 1924. Kriza botëkuptimore që kaluan Mihal Gramenua, Asdreni, Hil Mosi, Milo Duçi, Risto Siliqi e shkrimtarë e publicistë të tjerë pas dhjetorit 1924, shpjegohet me karakterin spontan të demokratizmit të tyre dhe situatën mbytëse që krijoi Ahmet Zogu.        Pavarësisht nga disa dobësi ideore dhe artistike që vihen re në një pjesë të publicistikës së Gramenos, theksojmë se me pjesën më të mirë të krijimtarisë publicistike ai u shfaq në gazetarinë shqiptare si një publicist novator e i fuqishëm, me një larmi të madhe tematike e mbi të gjitha me një prodhimtari shumë të pasur me nivel të lakmueshem artistik. Ai ka meritën se lëvroi ndër të parët dhe me sukses portretin, skicën, fejtonin, pamfletin dhe letërsinë memuaristike. Për më se 20 vjet, deri në dhjetor 1924, ai qëndroi në rreshtat e parë të publicistëve tanë si një penë origjinale dhe veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Njeri me karakter të pastër, me kulturë mbimesatare për kohën, me vullnet të madh krijues, me formim atdhetar e demokratik, njohës i rumanishtes, greqishtes dhe italishtes, Gramenoja është rasti i shkrimtarit e gazetarit shqiptar autodidakt që u rrit përmes vullnetit dhe ambicjeve të veta, përmes përpjekjeve të veta të pandalshme. Ai shkruante për shtresat popullore, me një gjuhë gjithnjë të kuptueshme dhe u ndoq prej shumë shkrimtarësh e gazetarësh të kohës dhe më vonë. Gramenua, duke qenë një gazetar që vinte nga radhët e shkrimtarëve, i dha rëndësi në shkrimet e tij publicistike letrare përgjithësimit artistik, i cili u bë një tipar tjetër dallues i individualitetit të tij publicistik. Përgjithësimi artistik është një dukuri që ka ardhur në ngritje nga dhjetëvjetshi i parë tek i dyti në krijimtarinë publicistike të këtij gazetari. Përpjekja për të dhënë në mënyrë të përgjithësuar tipat e jetës bashkëkohore shqiptare e shpuri Gramenon në një dukuri të re. Ai, krahas shkrimeve të mirëfillta publicistike letrare si portreti, fejtoni, pamfleti, filloi të hartonte dhe shkrime ku hoqi dorë nga përdorimi i emrave konkretë të njerëzve dhe të vendeve ku ndodhnin ngjarjet, të cilët i zëvendësoi me emra përgjithësues të sajuar prej fantazisë së tij. Në këto lloj shkrimesh ai hoqi dorë edhe nga ngjarjet konkrete historike, të cilat i zëvendësoi me ngjarje të krijuara nga fantazia e vet. Kështu ai kaloi tek skica letrare. Që në vitin 1908 ai hartoi skicën Gazetari shqiptar, ku skaliti më mirë se kushdo tjetër figurën e gazetarit shqiptar të Rilindjes e të pas Rilindjes, të cilët punonin me ndërgjegje të kthjellët për zgjimin e popullit, pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat e tyre kudo ku jetonin e punonin, në Shqipëri, ose në kolonitë shqiptare. Në vitet 1915-1918 Gramenoja i kushtoi edhe më shumë vëmendje hartimit të skicave letrare satirike si Honxho-Bonxhot,Mëmëdheu i vjetër, Kafe oxhakët etj, përmes të cilave përgjithësoi tipin e qeveritarëve anadollakë që i morën frymën qeverisë së I. Qemalit dhe sidomos asaj të princ V. Vidit. Kurse me skicat e viteve 1921-1923 si Shëmëndëferi (Hekurudha), Duvaxhinjtë, I gjori Ibrik, Xinxifkë pasha, Xhongo-rokët etj, ai e pasuroi procesin e kritikës ndaj qevweritarëve të padenjë me krijimin e tipit të deputetëve dhe nëpunësve indiferentë e pseudopatriotë, të cilët prapa fjalëve dhe veshjeve të bukura fshihnin boshllëkun e tyre shpirtëror e mendor dhe mungesën e atdhetarizmit. Me të tilla skica humoristike e sarkastike, si dhe me fejtonet e pamfletet e shumta, duke e treguar botën shqiptare pa maskë, publicisti Grameno i hapi rrugën publicistëve dhe shkrimtarëve si Gjergj Bubani (1899-1954) dhe Nonda Bulka(1906-1972), të cilët në vitet 1921-1924 ishin në moshën e formimit të tyre dhe pak më vonë do ta shpinin në një stad të ri skicën humoristike (Gj. Bubani në vargje) dhe tregimin e shkurtër humoristik N. Bulka.

Vepra letrare e ajo publicistike e Gramenos është një nga urat e fuqishme që lidhin letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Rilindjes me atë të periudhës së Pavarësisë. Kjo vepër është pjesë e shëndoshë e asaj prurjeje letrare që ndihmoi në procesin e kapërcimit të letërsisë shqiptare nga letërsia romantike në letërsinë realiste. Për të theksuar është dhe fakti se bota shqiptare e kohës është pasqyruar në krijimtarinë letrare e publicistike të Gramenos në shumë aspekte të saj. Secila klasë mbart me vete psikologjinë dhe tiparet e saj dalluese gjithmonë shqiptare, gjë që ka çuar në thellimin e karakterit kombëtar shqiptar të kësaj krijimtarie. Ai afirmoi ato klasa e shtresa shoqërore që ndihmonin përparimin shoqëror dhe mohoi ato klasa e shtresa të cilat e pengonin këtë përparim.

Mihal Gramenua është shembulli i shkrimtarit atdhetar të përkushtuar, i cili për hir të atdheut rëmbeu herë penën dhe herë pushkën, sipas nevojave të kohës, të cilat ai kishte aftësinë t’i ndjente më shpejt e më mirë se shumë të tjerë. Në vitet 1902-1907, kur atdheu kërkonte ende vepra letrare më shumë se veprimtari atdhetare, ai ushtroi talentin e vet në dramaturgji, prozë dhe poezi, duke pasuruar letërsinë tonë me aspekte të reja si komedia, tragjedia, novela, kënga atdhetare dhe ajo lirike, etj. Kurse në vitet 1907-1912 dhe më vonë, kur atdheu kërkonte më shumë veprimtari politike dhe luftarake se letërsi, ai doli komit maleve dhe u angazhua në gazetari dhe punë politike e shoqërore. Në këto vite ai e pasuroi letërsinë shqiptare me shumë fejtone, portrete, pamflete, skica, si dhe me një vepër memuaristike. Bashkë me Asdrenin ai ndoqi mësimin e urtë: një njësi talent dhe nëntë njësi punë. Duke punuar vijimisht me vullnet e përkushtim, ai dha ndihmesën e vet me sukses në lëvrimin e disa llojeve letrare dhe për këtë ndihmesë mund të quhet, ashtu si Asdreni, shkrimtar i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të Rilindjes. Ai mund të quhet shkrimtar i rëndësishëm i Rilindjes sonë edhe pse asnjëra prej veprave të tij nuk mund të krahasohet për nga vlerat ideo-artistike me veprat madhore të Rilindjes sonë si Këngët e Milosaos të Jeronim De Radës, Histori’ e Skënderbeut e Naim Frashërit, Lahuta e Malsis e Atë Gjergj Fishtës, Baba Tomori i Andon Zako Çajupit, Kënkat e luftës e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro), Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës (Gabrielle Dara), Juvenilja e Dom Ndre Mjedës, e ndonjë tjetër. Mirëpo ndryshe nga këta krijues që shkëlqyen kryesisht me vepra letrare, Gramenua ka një avantazh që nuk e kanë ata, ai krijoi një publicistikë letrare dhe një jetë luftarake, që ua kaloi të gjithë shkrimtarëve të Rilindjes e atyre të viteve që erdhën më pas deri më 1924. Dhe kjo krijimtari publicistike letrare me portrete, skica, fejtone e pamflete duke qenë pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij letrare e ngre atë pikërisht në grupin e shkrimtarëve të rëndësishëm të letërsisë sonë të Rilindjes. Duke i parë veprat dhe bëmat e këtij shkrimtari, publicisti dhe veprimtari në mënyrë të shkoqitur, nuk mund t’i kuptojmë rëndësinë dhe vlerat e tij tërësore. Rëndësinë dhe vlerat e veprës tërësore të tij mund t’i kuptojmë po të mendojmë për një moment sikur ato t’i mungonin letërsisë dhe jetës shqiptare të çerekut të parë të shek. XX.

Po të kishin munguar veprat e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra.

Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, që u vu në skenë disa herë, do t’i mungonte një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E puthura, himnet kryengritëse Për mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumitë, kënga dashurore Muaji i majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat u bë autopsia e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare.

Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet dhe klasat në vitet 1908-1924.

Letësisë memuaristike shqiptare do t’i mungonte vepra Kryengritja shqiptare, pra pasqyrimi i bëmave të çetës së Çerçiz Topullit, ku Mihali ishte jo vetëm luftëtar, por dhe shkronjës i saj.

Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’i mungonin luftëtari i maleve, propagandisti popullor, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat.

Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shembulli i njeriut të ndershëm dhe të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk fyu e nuk shau askënd pa argumente, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me logjikë të ftohtë.

Për një shkrimtar, gazetar, luftëtar, veprimtar politik e shoqëror të përkushtuar si ai, ka pasur dhe ka shumë nevojë shoqëria shqiptare. Njeriu i urtë, i pabujë, shpesh herë mund të lihet mënjanë dhe mund të mos vlerësohet si e meriton për një kohë të gjatë e ndoshta dhe deri në vdekje, por jo përgjithmonë.

Një vlerësim shkencor të saktë për vlerat e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit Mihal Grameno deri sot e ka penguar mungesa e një botimi shkencor sa më të plotë të krijimterisë më të mirë të tij. Unë, pasi punova disa vjet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave për ta njohur e vlerësuar veprën tërësore të tij dhe në plan krahasimtar me pararendësit dhe bashkëkohësit, arrita në përfundimin se ky shkrimtar duhet vendosur në një vend më të mirë në klasifikimin që u është bërë deri sot autorëve shqiptarë të Rilindjes, ose më saktë autorëve shqiptarë të çerekut të parë të shek. XX. Në këtë klasifikim studiuesit shqiptarë kanë veçuar prej kohe tre poetë si poetë të mëdhenj: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe Atë Gjergj Fishtën (Qosja, Rexhep. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Prishtinë 2006, f. 202, 233). Tani së fundi studiuesi Jorgo Bulo e rivlerësoi dhe Andon Z. Çajupin si një nga poetët e mëdhenj të Rilindjes sonë, për faktin se ai kreu kalimin nga patosi afirmativ romantik, tipik për kulturën e Rilindjes, në patosin satirik, se solli në kulturën shqiptare mendësinë kritike duke hapur udhën e realizmit. (Çajupi, A. Z. Vepra, Toena, Tiranë 2008, përgatitur nga Akademik Jorgo Bulo, vëll.. I, Hyrje). Idenë se Çajupi, mbas botimit të veprës Baba Tomorri, duke u bërë shkrimtar shumë popullor, u bë i dyti mbas Naimit, e ka shprehur dhe studiuesi kanadez Robert Elsi (Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, DUKAGJINI, Tiranë-Pejë, 1997, f. 259).

Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes dhe të dhjetëvjetshit të parë pas saj mund të përmenden pa i renditur njëri pas tjetrit si konkuruesit e një gare, por duke i grupuar sipas individualitetit dhe ndihmesës së tyre letrare artistike në dy grupe, në shkrimtarë të rëndësishëm dhe në shkrimtarë më pak të rëndësishëm. E në këtë ndarje Mihal Gramenua mund të konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm, për faktin se me veprat dramatike i hapi rrugë komedisë e tragjedisë, me veprat novelistike i hapi rrugën prozës së gjatë, me poezitë atdhetare e dashurore i hapi rrugë këngës atdhetare dhe lirike, me skicat letrare konsolidoi realizmin si metodë letrare të qëndrueshme, kurse si publicist me shumë artikuj, portrete, fejtone dhe pamflete, ai është një gazetar i niveleve të lakmueshme, që mund të renditet menjëherë mbas Faik Konicës dhe Fan Nolit. Të tilla vlera nuk i kanë shkrimtarë si Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vincens Prenushi, etj të cilët bëjnë pjesë midis shkrimtarëve më pak të tëndësishëm të Rilindjes e fill pas saj.

Në qoftë se veprat e shkrimtarëve shqiptarë të Rilindjes e fill pas saj do t’i konsiderojmë si një polifoni, Gramenoja është një zë harmonik që nuk stonon në harmoninë e përgjithshme; po t’i krahasonim me një mozik shumëngjyrësh, do të thoshim se ngjyrat e Gramenos kanë ndritur në kohën e vet dhe nuk janë zbehur as sot.

Studimet e derisotme për jetën dhe veprën e shkrimtarit, gazetarit dhe veprimtarit Mihal Grameno nuk kanë mundur të japin në mënyrë përfundimtare e shteruese dhe gjithpërfshirëse vlerat e shumanshme të tij. Një vlerësim të tillë nuk pretendoj se e kam arritur as unë me studimin Mihal Grameno jeta e vepra 1871-1931, DDS Durrës 2012, 500 f.,  edhe pse u përpoqa dhe besoj se arrita të argumentoj një vendosje të re të vlerave të tij letrare e publicistike midis krijuesve shqiptarë të viteve 1900-1925. Jeta dhe vepra e këtij personaliteti të letërsisë, të gazetarisë dhe historisë shqiptare është studiuar, po studiohet e do të studjohet, sepse ajo është e mbushur me vlera letrare artistike dhe mesazhe të vlefshme që i vlejnë çdo epoke historike, për dinjitetin e individëve dhe të mbarë popullit shqiptar. Vepra e tërësore e Gramenos bën pjesë në shpirtin e shqiptarizmit, në vlerat më të mira dhe më rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Për këto arësye them se qyteti i lindjes, Korça, ia ka borxh një monument të plotë e jo vetëm një bust të thjeshtë si e ka sot Heroit të Popullit Mihal Grameno, ashtu si ia ka borxh edhe Gjirokastra Andon Zako Çajupit.

 

(Shënim: Po e shkëput këtë përmbledhje prej studimit tim monografik Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931 që botova më 2012, dhe po e botoj më vete mbasi kam vënë re se në qytetin e Korçës është gjallëruar propaganda grekomane e cila shpif kundër këtij luftëtari të kulluar të lirisë dhe shkrimtari e publiciti të talentuar atdhetar.

Lufta e qarqeve shoviniste greke kundër atdhetarëve shqiptarë është e vjetër, që kur ata helmuan e vranë njëri pas tjetrit Naum Veqilhaxhin, Pandeli Sotirin, Papa Kristo e Papa Vasil Negovanin, Petro Nini Luarasin, etj. Edhe lufta e këtyre qarqeve filloi dhe kundër Mihalit që kur ai ishte nxënës në vitin e fundit të gjysëmgjimnazit grek, sepse organizoi një protestë në provimin përfundimtar kundër mohimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Por Mihali nuk u tremb nga mallkimi dhe nuk u tërhoq nga lufta kunër propagandës shoviniste greke, ai shkroi e botoi shumë artikuj kundër kësaj propagande, shkroi e botoi dhe komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe, ku demaskoi klerin grek dhe atë shqiptar grekoman; shkroi e botoi tragjedinë Vdekja e Piros, ku ngriti lart bëmat e mbretit iliro-shqiptar Piro të Epirit, të cilin propaganda shoviniste greke e ka quajtur dhe e quan mbret grek, dhe Epirin shtet grek. Por kush nuk e di se disa autorë të vjetër grekë kanë shkruar se Epiri ishte i banuar prej ilirëve barbarë dhe Pirua ishte mbret barbar ashtu si Lisimaku i Maqedonisë. Në vitin 1909 Mihali e ngriti në nivel të ri luftën kundër propagandës shoviniste grekomadhe duke krijuar me shokët e tij atdhetarë Shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe botoi për një vit gazetën e kësaj shoqërie me po këtë emër, ku mbrojti shqiptarësinë e ortodoksisë së popullit të Korçës

Mirëpo këtë luftë kundër Mihal Gramenos, që e humbën gjatë Rilindjes e më pas, qarqet shoviniste greke e paskan rifilluar sërisht pas vitit 1992. Populli shqiptar doli i raskapitur dhe i varfër nga diktatura komuniste dhe mori rrugët e mërgimit pas ndërrimit të regjimit. Populli grek ua hapi portat, i punësoi dhe i ndihmoi emigrantët shqiptarë që shkuan në Greqi. Po ashtu shumë pasanikë grekë, të nxitur prej Hirësisë së Tij Anastas Janullatos, dhanë ndihma financiare të shumta për ndërtimin dhe riparimin e kishave orthodokse në Shqipëri. Mirëpo qarqet shoviniste greke rifilluan të shkojnë kundër interesave të miqësisë midis dy popujve tanë. Këto qarqe kanë punuar kundër miqësisë midis dy popujve tanë që në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. E kush nuk i kujton masakrat e andartëve grekë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore më 1914 dhe 1916 në Shqipërinë e Jugut ku dogjën mijëra shtëpi në zonën e Korçës. Kolonjës, Përmetit, e Gjirokastrës, apo masakrat kundët popullit shqiptar të Çamërisë në vitet 1944-1945?!

Janë njerëz të këtyre qarqeve që vijojnë si dikur të shpifin kundër atdhetarëve shqiptarë dhe pikërsisht kundër më të mirëve si Mihal Gramenua, sepse ata duan të deheroizojnë këtë figurë popullore, luftëtar trim dhe shkrimtar e gazetar të talentuar që ka qenë dhe është etalon i luftëtarit kundër propagandës shoviniste grekomadhe. Këto qarqe guxojnë të shpifin kundër Mihal Gramenos se ai ishte një pianik i keq, po si mund të krijonte një pianik gjithë atë korpus veprash me vlera artistike e ideore?! Guxojnë të shpifin se Zoti e dënoi kur shtiu kundër Fotit, dhespotit grek, dhe ia paralizoi gishtin e madh të dorës së djathtë. Këtë shpifje e dëgjova nga dy korçarësh dhe para disa javësh, si e kisha dëgjuar edhe prej një ish-pedagogu të Universitetit Fan Noli më 2012 në Korçë, pasi u promovua studimi im në atë universitet. Dhe nuk deshçn ta pranonin zotërinjtë të vërtetën kur u thashë se Mihali kishte dalë komit një vit më vonë pasi e vrau dhespot Fotin Çerçiz Topulli më 1906 kur kishte dalë së pari komit me çetën e Bajo Topullit. Pikërisht Mihali shkroi më 1907 një artikull te gazeta Kombi se çeta e re nuk do të merrej me vrasje individësh, por do të propagandonte çështjen kombëtare për të përgatiur popullin për luftën çlirimtare.

Grekomanët e sotëm ndoshta paguhen me pensione se gjoja janë minoritarë grekë prandaj punojnë që ta shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. Ata shpifin sepse duan që të harrohet e vërteta se dhespot Fotin e vrau Çerçizi si hakmarrje ndaj masakrës që kryen andartët grekë në Negova më 1905 ndaj dy priftërinjve vëllezër: Papa Kristo dhe Papa Vasil Negovanit. Kjo luftë kundër Gramenos është pjesë përbërëse e luftës që kanë bërë e bëjnë qarqet shovoniste greke për ta harruar e për ta mbuluar me harresë të vërtetën e madhe se bijtë e popullit shqiptar të Çamërisë me Marko Boçarin në krye dhe arbërorët ishin luftëtarët më të lavdishëm të luftës për lirinë e Greqisë nga zgjedha turke.

Duke shpresuar se do të ndikoj në ndaljen e kësaj propagande, që prish miqësinë e popullit shqiptar me atë grek, e ribotoj këtu këtë përmbledhje të studimit tim sepse s’kam mundësi financiare ta ribotoj gjithë studimin. Kurse Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës nuk planifikojnë ta ribotojnë dhe shpërndajnë këtë studim për ta lexuar sa më shumë shqiptarë dhe sidomos nxënësit e gjimnazeve, studentët dhe pedagogët e universiteteve.)

 

Më 25 mars 1914 u nda nga jeta poeti nobelist francez Frédéric Mistral

VOAL – Më 21 maj 1854, në një sallë të kalasë së Font-Ségugne, në Provence, shtatë poetë të rinj – përfshirë Paul Giéra, noter dhe pronar – takohen për t’i dhënë jetë një partneriteti, qëllimi i të cilit është të ringjallë gjuhën e lashtë dhe fisnike provansale e cila, tetë shekuj më parë, i kishte dhënë aq shumë letërsisë franceze dhe evropiane.

Frymëzuesit e iniciativës janë Joseph Romanille dhe dishepulli i tij Frédéric Mistral (Frederik Mistral); Anselme Mathieu, Jean Brunet, Théodore Aubanel dhe Alphonse Tavan plotësojnë “grupin e shtatë”. Por, ndër të gjitha, ai që do të japë nxitjen më të madhe për lëvizjen letrare të “Felibres”, pasi ai vetë e krishteroi grupin, dhe që do të prek majat më të larta të famëkeqit dhe lavdisë artistike, është Frédéric Mistral.

Lindur në Occitania, në Maillane, Bocche del Rodano, më 8 shtator 1830 nga një familje fermerësh të vegjël, ai studioi në Avignon, pastaj në Nimes derisa u diplomua për drejtësi në Aix, në 1951. I magjepsur që nga fëmijëria nga bota Provensale , ai depërton në historinë e saj, kulturën, traditën, vetë natyrën, duke asimiluar plotësisht shpirtin e tij të çmuar romantik dhe, sapo të mbarojnë studimet e tij, ai hedh vetë trupin dhe shpirtin në shkrimin e romanit të tij të parë, “Mirella” (“Mirèio”), poema epike dhe baritore në gjuhën Provençal, personazhet e së cilës bëhen një mjet për të rrëfyer jetën e përditshme dhe historinë e vetë Provence.

Botuar më 1859, vepra mori menjëherë sukses të madh: Frédéric Mistral është vetëm 29 vjeç, dhe tashmë ka shkruar kryeveprën e tij. Në vitet që pasuan ai vazhdon të botojë vepra të frymëzuara nga atdheu i tij dhe gjithnjë në vend, siç është “Natale” (“Calendau”), një tjetër sukses i madh, i 1867; “Mirtilla” (“Nerto”), në 1884; “Poema e Rhone” (“Lou pouèmo dou Rose”), në 1897; “Mbretëresha Giovanna” (“La rèino Jano”), dramë e vitit 1890.

Ndërkohë, midis 1878 dhe 1886, ai riorganizoi gjuhën Provençal në fjalorin ponderous “Thesari i Felibrige”. Sidoqoftë, larg aspiratave izoluese, ëndrra e Mistralit është që të mbledhë të gjithë popujt latinë nën shenjën e Romës dhe Katolicizmit: ky është sensi i odes “Raco Latin”, nga 1879. Më 1896 ai themeloi Muzeun Arles ( Museon Arlaten), një përmbledhje e çmuar dëshmish mbi jetën e Provencals në vitet 1800.

Më 1904, së bashku me shkrimtarin spanjoll Echegaray, ai mori çmimin Nobel të Letërsisë “në njohje të origjinalitetit të qartë dhe frymëzimit të vërtetë të prodhimit të tij poetik, i cili pasqyron bukur pamjen natyrore dhe shpirtin vendas të popullit të tij, dhe, përveç kësaj , te puna e tij e rëndësishme si filolog provansal ”.

Në vitin 1906, ai boton “Kujtime dhe tregime” dhe, më 1912, “Të korrat e ullirit”. Tani tetëdhjetë e tre vjeç, kur bota po guxon të çmendet nga lufta, Frédéric Mistral vdes në fshatin e tij të lindjes, më 25 mars 1914.

Ndër veprat e tjera të Mistral, ne kujtojmë “Ishulli i arit” (1867) dhe “Prose d’almanach”, botuar pas vdekjes midis viteve 1926 dhe 1930. Shkolla letrare Felibres, prej së cilës Mistral dëshironte të formonte një shoqëri më shumë nga statuti dhe organizimi i brendshëm, menjëherë morën sukses duke mbledhur shumë aderime. Fryma e tij romantike dhe atdhetare u shpreh shumë mirë nga vetë Mistral: “Ne jemi miq dhe vëllezër sepse të gjithë jemi të bashkuar në qëllimin për të kënduar vendin tonë; dhe ne e duam Provencal sepse, në këtë idiomë të ëmbël, ajo që mendon vjen më natyrshëm në buzë ”.

Në vitet 1870 lëvizja u shtri vetëm nga Provençali në të gjithë gjuhën e ok. Ende sot Felibres janë aktivë dhe jo rrallëherë, në Provence, ndodh që të takohet dikush që sjell një karficë në formën e një cikada; që nga momenti i parë, në fakt, insekti ishte simbol i lëvizjes. Felix Gras, i cili mori drejtimin në fund të shekullit, foli kështu: “Ne Gjinkallat! Bisha të hirshme të Zotit të Mirë që, nga trupi i tyre i vogël dhe natyra poetike e pakujdesshme e jetës së tyre të shkurtër, ne ringjallim karakterin e prejardhjes sonë jugore! si mund të ishte ndryshe sepse ato janë bërë nga një majë e tokës sonë dhe nga një rreze e diellit tonë? “./Elida Buçpapaj

Më 24 mars 1926 lindi shkrimtari nobelist italian Dario Fo

VOAL – Dario Fo lindi në 24 Mars 1926 në një familje me traditë antifashiste. Babai i tij është punëtor hekurudhor, nëna e tij fshatare dhe ata jetojnë në një fshat të vogël lombard, Leggiuno-Sangiano, në provincën e Varese.

Në një moshë shumë të re, ai u transferua në Milano ku ndoqi Akademinë e Arteve të Bukura të Brera-s dhe më pas u regjistrua në fakultetin e arkitekturës së Politeknikut, të cilin e la para se të diplomonte. Ironia e fatit, e pohuar dikur, do të marrë shumë diploma nderi me kalimin e kohës.

Sidoqoftë, në vitet e para të mësimit, veprimtaria e tij u karakterizua fort nga improvizimi. Në skenë ai shpik histori që ai vetë i reciton me një çelës farsik dhe satirik.


Në radio

Nga viti 1952 ai filloi të bashkëpunonte me Rai: ai shkroi dhe recitoi transmetimet “Poer nano” për radio, monologë të cilat pas pak u përfaqësuan në Teatrin Odeon në Milano. Nga bashkëpunimi me dy të mëdhenjtë e teatrit italian, Franco Parenti dhe Giustino Durano, “Gishti në sy” lindi në vitin 1953, një shfaqje e satirës sociale dhe politike.


Censurat

Në vitin 1954 ishte radha e “Sani da legare”, kushtuar jetës së përditshme në Itali të konflikteve politike. Nuk është për t’u habitur, teksti është prekur rëndë nga censura, dhe bashkëpunimi përfundon. Në fakt, kur burokratët ndërhyjnë në skenar, të dy braktisin transmetimin në protestë.

Në vitin 1959 ai krijoi një grup teatri me gruan e tij Franca Rame që mban emrin e tij: kështu filloi periudha e ankesave të përsëritura nga institucionet që ishin në fuqi. Ende për televizionin shkruajnë për “Canzonissima” por në vitin 1963 largohen nga Rai dhe kthehen në teatër. Ata krijojnë grupin Nuova Skena, i cili synon të zhvillojë një teatër shumë alternative, por në të njëjtën kohë popullor.


Nga TV në kinema

Më 1955 lindi djali i tij Jacopo. Ndërkohë provon edhe përvojën e kinemasë. Ai bëhet bashkautor dhe interpret i një filmi nga Carlo Lizzani (“Lo svitato”, 1955); në vitin 1957 në vend të kësaj ai vuri në skenë për Franca Rame “Hajdutë, manekinje dhe gra të zhveshura” dhe vitin tjetër “Komedi Finale”.

Dario Fo në vitet ’70

Në sezonin e teatrit 1969-1970 i takon “Mistero buffo”, mbase vepra më e famshme nga Dario Fo, e cila zhvillon kërkime mbi origjinën e kulturës popullore. Në funksionimin origjinal dhe zgjuar të Fo-së, tekstet bëjnë jehonë gjuhë dhe fjalorit mesjetar, duke marrë këtë rezultat përmes një përzierje të dialektit “Padan”, shprehjeve antike dhe neologjizmave të krijuar nga vetë Fo. Është e ashtuquajtura “Grammelot”, një gjuhë shprehëse e mahnitshme me një aromë arkaike, e integruar nga gjestet plastike dhe mimika e aktorit.


Teatri dhe politika

Në vitin 1969 ai themeloi “Collettivo Teatrale la Comune”, me të cilën më 1974 pushtoi Palazzina Liberty në Milano, një nga vendet qendrore të teatrit politik të kundër-informacionit. Pas vdekjes së punëtorit hekurudhor Pinelli, ai vuri në skenë “Vdekjen aksidentale të një anarkisti”. Pas grushtit të shtetit në Kili, nga ana tjetër, ai shkruan “Lufta e Popullit në Kili”: një kushtim për qeverinë e Salvador Allendes e cila, sidoqoftë, në një farë mënyre aludon, dhe jo shumë në mënyrë të mbrapshtë, për situatën politike dhe shoqërore që po përjetohej në Itali .


Kthimi në TV

Në 1977, pas një internimi shumë të gjatë televiziv (15 vjet), më unik sesa i rrallë në Itali, Dario Fo kthehet në ekrane. Akuza përdhosëse nuk mbaroi: ndërhyrjet e tij janë gjithmonë provokuese dhe priren të ndikojnë në realitet.


Vitet ’80

Në vitet 1980 ai vazhdoi të prodhojë shfaqje, të tilla si “Johan Padan a la descoverta de le Americhe” dhe “Il diavolo con le zinne”, duke u marrë me drejtimin dhe mësimin. Për shembull, në 1987 ai botoi “Manualin e aktorit minimal” në Einaudi, për përfitimin jo vetëm të admiruesve, por edhe të atyre që dëshirojnë të marrin rrugën e teatrit.

çmimi Nobel

Më 1997 ai mori çmimin Nobel për Letërsinë, “sepse kishte emuluar shakatë e Mesjetës, duke mashtruar autoritetin dhe mbështetur dinjitetin e të shtypurve”. “Dario Fo”, thuhet në njoftimin zyrtar për shtyp të Fondacionit Nobel, “me një përzierje të qeshurash dhe serioziteti na hap sytë nga abuzimet dhe padrejtësitë e shoqërisë, duke na ndihmuar t’i vendosim ato në një perspektivë më të gjerë historike”.

Caktimi i çmimit Nobel provokon, sipas rastit, pëlqime ose përçarje, pikërisht për natyrën pak të përcaktuar të artit të Fo (disa konkurs që dikush mund të përcaktojë një “letrar” ose “shkrimtar” në kuptimin e rreptë).


Betejat

Fituesi i çmimit, megjithatë, nuk përfiton vetëm nga lavdia e arritur, por përdor ceremoninë e ndarjes së çmimeve për të filluar një iniciativë të re kundër Direktivës për patentimin e organizmave të gjallë të propozuar nga Parlamenti Evropian.

Me pak fjalë, shndërrohet në një lloj “dëshmie” të fushatës së nisur nga Komiteti Shkencor Antivivisection dhe shoqatat e tjera evropiane, me titull “Të kundërshtosh patentën e gjeneve, nuk është e nevojshme të jesh gjen”.

Për të kujtuar edhe betejën dhe angazhimin e tij në mbrojtje të Adriano Sofrit, si dhe shfaqjen e tij të rikonstruksionit “Marino libero, Marino innocente”, u lidh pikërisht me historinë e diskutueshme të ndalimit të Bompressi, Pietrostefani dhe Sofri.


Vitet e fundit

Pas vdekjes së gruas së tij Franca Rame (maj 2013), edhe pse i moshuar, ai vazhdon me pasion aktivitetin e tij artistik, duke iu përkushtuar edhe pikturës. Ai gjithashtu do të mbështesë idetë politike të Lëvizjes së re 5 Yje të Grillo dhe Casaleggio.

Dario Fo vdes në 13 tetor 2016 në moshën 90 vjeç./Elida Buçpapaj

 

Më 24 mars 1923 lindi Gjon Shllaku, përkthyes i shquar i klasikëve helenë, latinë, francezë

Gjon Shllaku (Shkodër, 24 mars 1923 – 16 gusht 2003) ka qenë seminarist dhe më tej u shqua si përkthyes i klasikëve helenë, latinë, francezë.

Jeta

Leu djali i dytë i Prelë Shllakut dhe Pinës së Hilë Temalit, mes Lecit dhe Luigjit. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur Gjoni ishte 1 vjeç, si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali.

Tri klasët e para të fillores i kreu në kolegjën françeskane, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnuer të Jezuitve duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë[1]?, studjoi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin[2]. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus.

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte në 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si antar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkop Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër[1] , prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten[2]. Pas daljes nga burgu më 1957[3] ka punuar te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim[4]. Pas rënjes së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat.
Përkthime dhe leksikografi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit.[1] 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit[5]. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”[6]. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën[7].

Veprat

Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999[8].

Mirënjohje

Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Pres.residenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh”[9] dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”[1]. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë[10].

Çështje diskutimi

Në një intervistë Gj. Shllaku përcjell se qe 16 vjeç kur hyri në Seminar[2], ka gjasë që data e lindjes në këtë artikull të bashkëndajë të njëjtin tipar josaktësie me raste të tjera në ato kohëra si p.sh. rasti i datëlindjes së Zef Pllumit.

Burime

^ a b c d Milani P., Amaneti i fundit i Lec Shllakut, prelemilani.com, 23 korrik 2007.
^ a b c Senechal M., Long Life to Your Children!: A Portrait of High Albania, Univ of Massachusetts Press, 1997. fq. 67.
^ Bushati Xh., Gjon Shllaku, ‘Iliada’ që përktheu Iliadën…, Shqiptarja.com suplementi Kulturë, 6 korrik 2014.
^ Jubica I., Gjon Shllaku, fisniku i fundit; Ars. – p. 3, 30 mars, 2003, p. 3.
^ Kraja F., Profesor Gjon Shllaku, helenisti i madh, Flaka. – Nr. 7381, 25 mars, 2003, f. 9.
^ Kush janë shkrimtarët dhe gazetarët shqiptarë të dënuar nga diktatura, Tirana observer, 25 shtator 2012.
^ Kelmendi Sh., Elegji për Kalorësin e fundit, Ars. – Nr. 8, 31 gusht, 2003, f. 5.
^ Dibra R., Trillet letrare të një përkthyesi: Gjon Shllaku, nderim me rastin e përvjetorit të lindjes së helenistit të madh, Koha Jonë. – Nr. 79, 24 mars, 2006, f. 20 – 21.
^ Sipas dokumentit që pasqyron nderimin me dekoratët e Urdhrit Mjeshtër i Madh gjetur në gusht 2006 në faqen e Presidentit të Shqipërisë.
^ Loloçi Ç., Ndahet nga jeta helenisti i madh, Gjon Shllaku, 21 gusht 2003.

HARABELAT – Poezi nga GENC LEKA

 

Vjeshta e sosi vellon me ngadalë,

Dimri do vijë me ngrica e tufan,

Por ju zogj, këtu i bëni ballë,

Prej këtij dheu asnjë gjë s’iu ndan.

 

Ka zogj që nisin shtegtimin,

Duan pranverë, duan qiell pa re,

Por tek ky vend ju gjeni veç gëzimin,

Ndaj s’e braktisni kurrë këtë dhe.

NËNËS – Poezi nga GENC LEKA

 

U thinj ajo në rrugën e mundimit,

Por mbeti e re në zemër gjithnjë,

Ndaj i buzëqesh i pastër njerëzimit

Për gjithë zemrat që nuk thinjen më.

 

Si ky lëmsh që mbledh ti sot në duar

Ashtu t’u mblodhën brengat, nëna ime,

Ti më mësove të lexoj në thëllime

Dhe askujt të mos i lutem shpirtlëshuar.

LULET E HORASANIT – Poezi nga GENC LEKA

 

Toka që e deshët aq shumë,

Si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,

Priti sa të binit ju në gjumë

Dhe pastaj u drodh me dëshpërim…

 

Hëna dridhej vetëm për mbi retë,

Yjet u këputën një nga një!…

Kurse ju u ndatë nga kjo jetë,

Që në botë të mos vini më!

 

Këngët enden nëpër shkretëtirë,

Në çdo zemër zgjojnë mall dhe brengë,

Ndaj e zgjova prapë të shtrenjtën lirë,

Ndaj për ju derdh lot në këtë këngë.

 

Dhe sa lot derdhi në mes tuaj

Esenini i dhembshur, shpirt njeriu,

Zemërdjeguri poet nga vis i huaj

Sikur të ishte vetë Saadiu.

KËNGË PËR MIQTË E PARË – Poezi nga GENC LEKA

 

Eh, sa herë erdhët këtij fshati

Dhe këtej u ngritët tërë gaz,

E mbaj mend si ziente monopati

Kësaj rruge ç’gjurmë mbetën pas!…

 

Kënga juaj tutje nëpër erë

Natën nëpër rrugët pa mbarim…

Vetëm ju s’u lodhët asnjë herë

Ju, o miq na sollët veç gëzim!

 

Eh, sa kishit parë ju në jetë,

(Un’ i vogël isha atëherë!)

Këndej ju vinit, ju trima me fletë

Të gjithë krahut mbanit maliherë!

 

Vitet shkuan… ne më s’jemi parë

(Bashkë kemi ndenjur tek ky mur!)

Ju gjithmonë u kthyet fitimtarë,

Ju, o miq, më dhatë një flamur!

 

Dhe sa kishit parë ju në jetë!

Unë i vogël isha atëher’;

Këndej vinit ju trima me fletë

Të gjithë krahut mbanit maliherë!…