VOAL

VOAL

PriFest hap dyert për festivalin ukrainas të filmit nga Odessa

September 24, 2022
blank

Komentet

blank

“DailyMail”: Ylli i popit, Dua Lipa po u jep famë shqiptarëve në mbarë botën

Dua Lipa ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Ky lajm ka marrë vëmendjen e Daily Mail, ku në një artikull të publikuar së fundmi, shkruan se ylli i popit flet me krenari për origjinën e saj shqiptare.

“Do të jem edhe unë shqiptare me letra”, është shprehur artistja.

Media britanike, ka përshkruar rrugëtimin e Duas dhe hapat drejt suksesit dhe shkruan se artistja me prindër refugjatë nga Kosova po iu jep famë shqiptarëve kudo në botë.

“Këngëtarja 27-vjeçare ka lindur në Londër në vitin 1995 nga prindër kosovarë-shqiptarë që ikën nga konflikti dhe paqëndrueshmëria politike në Ballkan. Ajo shpeshherë e ka përmendur me shumë krenari origjinën e saj shqiptare në rrjete sociale dhe në intervista të ndryshme. Ajo gjithashtu shijon udhëtimet familjare në Shqipëri dhe Kosovë dhe merr pjesë në tradita të tilla si balancimi i një gote në kokë ndërsa kërcen”, shkruan “Daily Mail”.

 

Artikulli më tej vijon:

“Në vetëm 27 vjeç, këngëtarja është një nga yjet më të mëdhenj të popit britanik duke realizuar një ëndërr që e kishte kur ajo ishte një nxënëse e shkollës fillore në Camden”, shkruan “Daily Mail”.

‘E lindur në Londër, Dua ndoqi shkollën fillore shtetërore dhe shijoi për herë të parë performancën ndërsa merrte mësimet në shkollën e njohur botërore Sylvia Young Theatre. Pasi kaloi disa vite në Prishtinë pasi puna e babait të saj si menaxher marketingu i ktheu ata në vendlindjen e tij në Kosovë, Dua vendosi me guxim të kthehej e vetme në Britaninë e Madhe në moshën 14-vjeçare në ndjekje të ëndrrave të saj për t’u bërë një yll i popit.

“Në vitin 2014, pasi arriti 4 nivele A në një kolegj të formës së gjashtë të të gjitha vajzave në Camden, adoleshentja e talentuar kishte nënshkruar me Warner Bros Records. Vetëm tetë vjet më vonë, ajo ka bërë një turne në botë me një album nr.1, ka marrë tre çmime Grammy dhe gjashtë çmime Brit. Dua, e cila thotë se ndihet edhe kosovare edhe britanike, bashkëthemeloi Fondacionin Sunny Hill me babanë e saj Dukagjin Lipa, i cili tani drejton Agjencinë e Komunikimit të Republikës, me seli në Bukuresht. Fondacioni ka dhënë 100,000 euro për bamirësi dhe ngjarje kulturore në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, dhe drejton Festivalin Sunny Hill, i cili u organizua nga Dua Lipa në vitin 2018”, shkruan “Daily Mail”.

Po ashtu “Daily Mail” tregon dhe momentin kur Dua Lipa ka postuar një foto të hartës së Shqipërisë dhe Kosovës me mbishkrimin “autochthonous”.

“Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, duke u bërë vendi më i ri në Evropë. Nacionalistët shqiptarë pretendojnë se e kanë vendosur vendin para serbëve, kështu që për ta Kosova është një vend i shqiptarëve etnikë. Sipas BBC-së, fansat dhe kritikët e akuzuan Duan se po mbron ekspansionizmin shqiptar, i cili përfshin krijimin e një Shqipërie të Madhe, që të jetë shtëpia e të gjithë shqiptarëve autoktonë.

Serbia dhe Rusia nuk e njohin Kosovën, por shumica e vendeve të tjera e njohin. Tweeti erdhi menjëherë pasi përdoruesit e mediave sociale filluan të qarkullojnë një peticion duke kërkuar që hartat e Apple të përfshijnë Kosovën si një entitet të veçantë. Pastaj Dua ndau një postim me hartën ku shfaqej Shqipëria dhe Kosova ku shkruhej: ‘Pse Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë Serbi’, ndërsa kërkoi që Apple të vendosë Kosovën dhe Palestinën në hartat e tyre”, shkruhet në artikullin e “Daily Mail”.bw

blank

Qytetarët sfidojnë të ftohtin, Dua Lipa ‘ndez’ sheshin ‘Skënderbej’ në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Festimet për 28 nëntorin, në 110-vjetorin e Pavarësisë kanë kulmuar me festivalin e këngëtares me famë botërore, Dua Lipa në Sheshin ‘Skënderbej’.

Koncerti ka nisur me këngëtaren Elvana Gjatën dhe këngën ‘Kuqezi’.

Ndërkohë në nisje të koncertit, Dua Lipa u shpreh se nga Tirana mbyll turneun e saj.

“Faleminderit shumë, urime 110 vjetorit të pavarësisë. Faleminderit për suportin, për energjinë që po na jepni sot. Kjo është nata e fundit e turneut, këtu sot përfundojmë në Tiranë me ju. Faleminderit shumë që jeni këtu”, ka thënë Dua Lipa.

Në shesh janë qindra qytetarët që kanë sfiduar temperaturat e ulëta për të ndjekur spektaklin. bw

blank

Këngëtarja shqiptare: Nuk ndjeva racizëm as në Greqi e as në SHBA, por në Shqipëri!

“Më trego të vërtetën, a je paragjykuar, ka patur rracizëm ndaj teje në Greqi apo SHBA?

“Jo, nuk më ka ndodhur andej, rracizmi më ka ndodhur në Shqipëri, më quajtën “Greke” për faktin se kam kaluar një pjesë të jetës në Greqi. Unë e ndjej veten Shqiptare dhe për këtë më vjen keq.

Stefani Spiri, këngëtarja e re shqiptare me origjinë nga Gjirokastra po përpiqet të ushtrojë aktivitetin e saj artistik edhe në Shqipëri, pavarësisht se po studion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E ftuar në emisionin ‘N’kohë’ të gazetarit Ermal Qori, Spiri ka befasuar me deklaratën e saj. Pyetjes së moderatorit nëse është përballur me sfidat e paragjykimit në shtetin grek ku ka kaluar fëmijërinë e saj, ajo është shprehur hapur.

“Jo, nuk më ka ndodhur andej, rracizmi më ka ndodhur në Shqipëri, më quajtën “Greke” për faktin se kam kaluar një pjesë të jetës në Greqi. Unë e ndjej veten shqiptare dhe për këtë më vjen keq”-Tha ajo

Pavarësisht kësaj, edhe pse e re në moshë e karrierë, Spiri ka treguar mundësit e performancave jashtë kufirit shqiptar.

“Kam kënduar kudo jashtë Shqipërie. Kam kënduar në parlamentin Europian, në Greqi, në Itali në Amerik dhe së fundmi në Shqipëri te Kënga Magjike”-Tha Stefania.
Studimet në Los Angeles, Stefania i quan sfiduese ndërsa e kategorizon ai eksperiencë veçantë. /Shqiptarja.com

blank

Prej tash, Rita Ora në pulla postare të Kosovës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është bërë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës.

Pulla me imazhin e saj do të lëshohet në qarkullim postare të shtunën, më 26 nëntor, në një ditë të veçantë për artisten e madhe shqiptare dhe britanike, pikërisht në ditëlindjen e saj.

Për më shumë se dhjetë vite në majat më të larta të skenës muzikore dhe artistike ndërkombëtare, ajo shfrytëzoi çdo rast që përmes famës së vet të promovojë vendin e saj të lindjes, Kosovën, si dhe tërë kombin shqiptar.

Ajo ishte frymëzimi i parë për të rinj e të reja që të ndjekin dhe t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre edhe përtej kufijve të trojeve shqiptare.

Me rastin e lansimit të kësaj pulle postare, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, ka shprehur mirënjohje për Rita Orën.

blank

blank

blank

Bebe Rexha, e vetmja shqiptare e nominuar për “Grammy Awards 2023”

Këngëtarja, Bebe Rexha është e vetmja artiste shqiptare e nominuar për edicionin e 65-të të ceremonisë së ndarjes së çmimeve Grammy Awards 2023.

Rexha, me origjinë nga Maqedonia e Veriut është nominuar në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike/elektronike” për këngën e saj “I’m good (Blue)” në bashkëpunim me DJ-in e famshëm, David Guetta, njofton KlanKosova.tv.

Kjo nuk është hera e parë që Bebe nominohet në këtë ngjarje prestigjioze. Ajo ishte nominuar edhe dy herë të tjera në vitin 2019, por që nuk kishte arritur të triumfonte në asnjërën kategori.

Ikona e muzikës pop, Beyonce është artistja më e nominuar për Grammy me gjithsej 9 nominime, kjo falë suksesit të albumit të saj të fundit “Renaissance”.

blank

“Fluturat”, historia e 21 grave shqiptare që jetuan në internim

VOA/Klementina Cenkollari

Regjisori shqiptar Bujar Alimani, po sjell për publikun shqiptaro-amerikan filmin e tij të fundit “Fluturat”, një dokumentar me historitë e 21 grave që kanë lindur e janë rritur në kampet e internimit në Gradishtë të Lushjes. Regjisori Alimani thotë se synon të konkurojë në festivalin e filmit në Los Anxheles, që zhvillohet në pranverë të vitit të ardhshëm. Në një bisedë me kolegen Klementina Cenkollari, regjisori Bujar Alimani thotë se shteti shqiptar dështoi t’i kërkonte ndjesë publike shtresës së ish të përndjekurve, ndërsa jo vetëm politika, por edhe vetë artistët, kanë bërë pak të mos harruar pasojat e diktaturës.

Filmi dokumentar “Fluturat” i cili sjell historinë, rrëfimet dhe përjetimet e 21 grave që kanë lindur e janë rritur në kampet e internimit në Gradishtë të Lushjes, do të shfaqet këtë fundjavë në Universitetin e Harvardit.

Regjisori Bujar Alimani i ka takuar në Shqipëri, SHBA, Francë, Itali e Kanada këto gra, që ai ka quajtur “Fluturat”, duke sjellë përmes historive të tyre, historinë e mijëra shqiptarëve që vuajtën nën regjimin komunist.

“Në këtë dokumentar kam provuar për herë të parë, atë prekjen e pulsit të së vërtetës. Historitë ishin kaq troditëse, kaq të vërteta, por kaq të mbushura me emocion dhe paralelisht të mbushura me kaq dritë nga njerëz që tanimë ia kanë dalë, e kanë kaluar atë pjesë e jetojnë në të gjithë botën me shumë dinjitet”.

Regjisori Alimani thotë për Zërin e Amerikës se beson se filmi ndihmon në sensibilizimin e ndërgjegjës kombëtare mbi regjimin komunist, ndërsa për të huajt, për t’u njohur me këtë pjesë të hidhur të atij realiteti.

“Të merresh me ndërgjegjen kombëtare në radhë të parë tenden dhe më pas të bashkëatdhetarëve të tu, është një gjë jashtëzakonisht e madhe. Nëse shqiptarët do të gjejnë copëza të vetëvetes, copëza të bashkëvuajtësve në sistemin komunist totalitar, të tjerët do njohin një copë Shqipërie që nuk e kanë njohur, një copë Shqipërie që ka qenë e mjegulluar, nën errësirë, ose nën etiketën se Shqipëria ka qenë në komunizëm nga 1945 deri 1990, por se çfarë ka ndodhur brenda këtij segmenti, është shumë e vështirë që një i huaj të hyjë”.

Në Lushnje, në Myzeqe dhe fshatrat përreth, u dërguan rreth 90 për qind e të gjithë të internuarve politikë në shkallë vendi.

Disa prej grave u kthyen në Gradishtë për herë të parë, që nga rënia e sistemit komunist, për xhirimin e filmit. Megjithatë, regjisori thotë se rrëfimet në dokumentar kanë qetësuar disi ndërgjegjet e tyre të lënduara nga ato që kanë kaluar.

Zëri i Amerikës: Mendoni ju se është bërë sa duhet për këtë kategori, që është dënuar vetëm sepse mendonte ndryshe?

“Jo nuk mendoj. Mendoj se është bërë shumë shumë pak. Mendoj se ata kanë marrë vetëm thërrime, përderisa i mungoi një ndjesë, nga Parlamenti i Shqipërisë. Publikisht, shteti shqiptar duhet t’i kishte kërkuar të falur gjithë kësaj shtrese, për të gjithë ato që ka bërë shteti i mëparshëm, Kjo nuk u krye kurrë. Janë krijuar disa institute, disa formacione të cilat përpiqen të bëjnë gjëra, por nuk mendoj se shteti shqiptar dhe Shqipëria kanë bërë shumë për këtë pjesë. Këtu nuk flitet për gjëra materiale, që ia morën vazhdimisht dhe sistematiksiht për 45 vjet. Këtu flitet për ndjesë morale. Flitet për një rivendosje të gjerave atje ku duhen. Akoma edhe arti nuk ka bërë aq sa duhet”.

Krahas qindra burgimeve dhe pushkatimeve me gjyq e pa gjyq, diktatura internoi mijëra persona të të gjithë moshave për shkak të mosbindjes së tyre ndaj regjimit komunist.

Teksa gjykon se as arti nuk ka bërë sa duhet që shoqëria të mos harrojë pasojat e sistemit, regjisori Alimani zbulon se ka po punon për një projekt tjetër për këtë temë.

“Mendova se duhet të nxitoj që të xhirojë prindërit e tyre, këtë pjesë të moshës së fundit, e cila është në fakt dëshmia, dëshmitarët më të gjallë të atyre që kanë pësuar këto familje. Me 20 prej tyre, xhirimet i kam bërë në Shqipëri, Nju Jork dhe Ohajo, do mund të ndërtoj një pjesë të dytë me të moshuarit e internimeve dhe persekutimeve. Këtu synon dhe sjellja e tyre, edhe udhëtimi i të gjithëve së bashku në Muzeun e Viktimave të Komunizmit në Uashington”.

blank

Për herë të parë në histori, tri artiste shqiptare nominohen për të njëjtin çmim në MTV Europe Music Awards

Të dielën do të mbahet mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve të muzikës, MTV Europe Music Awards 2022.

Në këtë mbrëmje çmimesh pritet të bëjnë histori shqiptarët, pasi që nga prezantuesja, performuesit e deri te të nominuarit – janë të gjithë artistë me prejardhje shqiptare.

Rita Ora me bashkëshortin e saj, Taika Waititi, do të jenë nikoqirë të mbrëmjes që do të prezantojnë edicionin e sivjetmë të MTV EMA.

Ndërkohë, dy këngëtaret tjera të njohura shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha dhe Ava Max, do të performojnë në mbrëmjen e madhe hitet e tyre më të fundit.

Këto të dyja madje janë edhe të nominuara për të fituar një nga çmimet e mbrëmjes, atë të “bashkëpunimit më të mirë”.

Në këtë kategori atyre iu bashkohet në konkurrim edhe shqiptarja tjetër me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.

Bebe Rexha është nominuar për bashkëpunimin e saj me David Guettan, “I’m good (Blue)”, Ava Max për bashkëpunimin me DJ Tiësto, “The Motto”, gjersa Dua Lipa për bashkëpunimin “Sweetest Pie” me Megan The Stallion.

Fituesin e kësaj kategorie do ta vendosë vet publiku duke votuar në këtë LINK.

Kjo është hera e parë në histori që tri shqiptare garojnë për të njëjtin çmim, por jo hera e parë që më shumë se një artist shqiptar nominohet në të njëjtën kategori në çmime ndërkombëtare.

Në vitin 2019, Bebe Rexha dhe Dua Lipa ishin të nominuara për të njëjtin çmim në Grammy Awards, “Artisti i ri më i mirë” – çmim të cilin përfundimisht e fitoi Dua.

Në po të njëjtin vit, Dua ishte nominuar në të njëjtën kategori me Rita Orën në mbrëmjen e madhe britanike të çmimeve “Brit Awards 2019”. Ato garonin për çmimin kryesor “Videoja muzikore më e mirë” me nga dy klipe të tyre.

Edhe në vitin 2017, Rita dhe Dua konkurronin njëra-tjetrën për të njëjtin çmim, “Best Look (Pamja më e mirë)”, në MTV Europe Music Awards 2017.Express

blank

Ndahet nga jeta kantautori italian Carmelo La Bionda

Vëllezërit La Bionda në kulmin e karrierës së tyre

VOAL- Carmelo La Bionda vdiq të shtunën në mëngjes; me vëllain e tij Michelangelo, ai formoi dyshen muzikore “La Bionda”, e konsideruar ndër më të rëndësishmet e muzikës disko italiane. La Bionda ka bërë breza të tërë të kërcejnë, kryevepra e tyre dhe ende sot një sukses mbarëbotëror është “One For You, One for Me”, “Një për ty, një për mua”. Këngëtari ishte i sëmurë nga kanceri dhe vdiq në shtëpinë e tij në Milano në moshën 73-vjeçare.

Carmelo, me Michelangelo, kishin filluar të shkruanin këngë në vitin 1970, të nxitur nga kompania diskografike Ricordi. Debutimi si autorë i dy vëllezërve vizionarë është me ‘Primo sole, primo fiore’ interpretuar në Festivalin e Këngës në Venecia nga Ricchi e Poveri. La Bionda më pas bashkëpunon me Mia Martinin, për të cilën Michelangelo shkruan me Dario Baldan Bembo dhe Bruno Lauzi ‘Piccolo Uomo’ ‘Njeriu i Vogël’. ansa-eb

blank

Ndahet nga jeta aktori i mirënjohur i teatrit ‘Migjeni’ Enver Hyseni

Aktori i mirënjohur Enver Hyseni është ndarë nga jeta ditën e sotme. Artisti performonte në teatrin Migjeni në Shkodër. Ka qenë miqtë e tij të cilët kanë njoftuar ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur.

Në shfaqen e tij të fundit, artisti solli një dramë duke qenë vetëvetja. Kapitullin e jetës së tij artistike, aktori e mbylli duke rrëfyer jetën si aktor por edhe si njeri.

Ka qenë miku dhe kolegu i tij Stefan Çapaliku ai që shkroi mbi jetën e artistit duke mbledhur copëzat e kujtimeve të tij.

E pikërisht me këtë dramë, arstisti në diktaturë e më pas rrëfeu për herë të fundit për publikun duke u ngjitur në skenën e teatrit, vetëveten. syri.net

blank

“Pacientja e dhomës 271”- Publikohet letra e fundit e Hueyda El Saied: Çfarë do që të ndodhë, s’do t’ju harroj kurrë

TIRANE

Më 23 nëntor të vitit të kaluar artistja e njohur Hueyda El Saied, u nda nga jeta në moshën 46-vjeçare pas humbjes së betejes me kancerin e gjirit.

Një vit më pas bashkëshorti i saj Thierry dhe Gabriel në kuadër të Tetorit Rozë, kanë vendosur të ndajnë edhe një dëshmi të Hueydës, e cila gjatë kohës që kurohej në spital ka realizuar edhe një pikturë shumë të veçantë.

Hueyda El Said ka shkruar një letër shumë prekëse dhe njëherësh falenderuese pë rata që e ndihmuan në betejën e saj të gjatë dhe të vështirë, nga mjekët, infermierët, dhe të gjithë ata që e ndihmuan.

Ajo ka treguar se në këtë pikturë kanë marrë pjesë e gjithë ekipi për të shprehur mirënjohjen e saj për 36 pjesëmarrësit dhe për ato ekipe mjekësore që shpëtojnë jetë gjatë gjithë vitit.

Postimi i plotë në faqen e Hueyda El Saied:
Gabriel dhe unë jemi të kënaqur të ndajmë me ju këtë dëshmi
“Pacientja e dhomës 271” nga Hueyda jonë e dashur më 19 tetor 2021, për luftën e saj kundër kancerit të gjirit!! Pra, dëshmi e trimërisë së saj të mahnitshme !! Menaxhuar nga Gabriel & Thierry
“… Jam pacientja e dhomës 271, e shtruar prej disa javësh në QSHL, pas rëndimit të kancerit tim të trefishtë negativ të gjirit, me të cilin po luftoj prej më shumë se një viti.
Kohët e fundit kam kuptuar se nuk jam vetëm në luftë dhe se çdo sukses ka qenë një punë ekipi. E kam fjalën sigurisht për personelin infermieror në kuptimin e gjerë: infermierët, mjekët, burrat dhe gratë, përfshihen të gjithë! Kam zbuluar këtu njerëz të jashtëzakonshëm, profesionistë të përkushtuar, aq të përkushtuar dhe të këndshëm, saqë më mungojnë fjalët.
Kjo është arsyeja pse unë ju detyrohem.
Kështu, duke qenë se jam piktore, më lindi ideja të krijoj një pikturë kolektive në të cilën do të merrnin pjesë të gjithë. Dhe të gjithë ranë dakord të kontribuojnë në këtë pikturë të titulluar Rilindja. Secili nga ana tjetër, ata pikturuan një pjesë të kësaj luftëtare shumëngjyrëshe, dhe ka qenë një goditje me penel kundër sëmundjes.
Prandaj, kjo pikturë është mënyra ime për të shprehur mirënjohjen time për 36 pjesëmarrësit dhe më gjerë për ato ekipe mjekësore që shpëtojnë jetë gjatë gjithë vitit.
Çfarë do të ndodhë, nuk do t’ju harroj kurrë: Vania, Cathy, Sabah, Hélène, Charles, Brigitte, Malou, Sophie, Marie, Caroline, Nicola, Micky, Nathalie, Coumba, Sophie, Antonio, Inès, Céline, Caroline, Fiona, Sophia, Laura, Tatiana, Alisson, Élise, Débora, Vanessa, Aude-Aline, Pauline, Lucie, Isabelle, Peggy, Julie, Hugo, Maryse dhe Razia.
Faleminderit shumë për kujdesin tuaj, mirësinë tuaj, bujarinë tuaj.
Faleminderit që keni qenë këtu dhe që jeni akoma këtu çdo ditë. Ju kryeni një punë mahnitëse.
Dhe faleminderit përsëri për ata që nuk mundën të merrnin pjesë në pikturë.
Ne do të mbizotërojmë mbi ata shënues, ato tumore, ato metastaza, nuk do t’i lëmë të fitojnë.
Jeta është një e mirë e përbashkët.
Fitorja është punë ekipi”.

blank

Gati gjysmë shekulli në skenë: “Flauti më bëri kjo që jam”

Flautistja kosovare, Venera Mehmetagaj-Kajtazi, tash e 48 vjet është në skenën e muzikës klasike. Ajo është flautistja e parë e Orkestrës Simfonike në Kosovë, e cila që nga mosha 14 vjeçe, nisi të shkelë skenat vendore dhe botërore. “Besoj që edhe pak do të jap kontributin tim… dhe do t’ua lë të rinjve”, thotë Mehmetagaj-Kajtazi, teksa rrëfen për Radion Evropa e Lirë rrugëtimin e saj prej gati gjysmë shekulli.

blank

Brady dhe Bündchen divorcohen

VOAL- Pas 13 vitesh, martesa mes Gisele Bündchen dhe Tom Brady merr fund. Sipas People, çifti paraqiti kërkesën për divorc në Florida dhe arriti një marrëveshje për kujdestarinë e përbashkët të fëmijëve të tyre, Benjamin 12-vjeçar dhe Vivian Lake nëntë-vjeçar.

Zyrtarizimi erdhi pasi ylli i futbollit dhe top modelja me origjinë braziliane kanë jetuar të ndarë prej muajsh. Sipas thashethemeve pas ndarjes qëndron vendimi i Brady për të mos u tërhequr nga futbolli. Çifti filloi të takohej në vitin 2006, dasma e tyre në 2009. Vetëm shkurtin e kaluar të dy kishin festuar 13-vjetorin e martesës dhe të dy kishin shkëmbyer mesazhe dashurie në rrjetet sociale.

“13 vjet më parë – shkroi Brady – ne të dy thamë Po … dhe ti ishe gjëja më e mirë që ka ndodhur në jetën time. Të dua tani më shumë sesa mund ta imagjinoja”. “Gëzuar përvjetorin dashuria e jetës sime” – kishte shkruar në vend të tij Xhisiela. Pastaj në portugalisht, “Te amo!” me emoji zemre. rsi-eb


Send this to a friend