Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nisi sot turin e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, me vizitën e saj të parë në Tiranë, ku u prit nga kryeministri Edi Rama. Turi i saj i paraprin takimit të nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor, i cili parashikohet të mbahet në 6 tetor në Slloveni.
Në kryeqytetin shqiptar, Presidentja e KE-së u takua dhe me presidentin Ilir Meta, e më pas do të marrë pjesë në përurimin e ‘Shkollës Korb Muça” dhe “Kopshtit Europa’, të rindërtuara me fondet e BE –së, në kuadër të programit EU4Schools, pjesë e mbështetjes financiare të ofruar për përballimin e psojave të tërmetit shkatërrues të vitit 2019.
Pasdite, Presidentja Von der Leyen do të udhëtojë për në Shkup, ku do të takojë kryeministrin Zoran Zaev, si dhe presidentin Stevo Pendarovski, për të vijuar me një vizitë në një qendër kulturore rinore, së bashku me kryeministrin Zaev.
Të mërkurën në mëngjes, Presidentja Von der Leyen do të jetë në Prishtinë, ku do të bisedojë me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ajo gjithashtu do të vizitojë, së bashku me Kryeministrin, Kopshtin “Cicërimat”, i cili u ndërtua me fondet e BE -së. Presidentja më pas do të udhëtojë për në Podgoricë, ku do të pritet nga Presidenti Milo Gjukanoviç dhe Kryeministri Zdravko Krivokapiç. Gjatë qëndrimit të saj, ajo do të vizitojë Institutin e Shëndetit Publik i cili mori mbështetjen e BE -së në luftën kundër pandemisë, i shoqëruar nga Kryeministri.
Po të mërkurën në mbrëmje, Presidentja e Komisionit europian, do të jetë në Beograd, ku do të takohet me Presidentin Aleksandar Vuçiç, ndërsa të nesërmen në mëngjes do të bisedojë me kryeministren Ana Brnabiç. Me presidentin Vuçiç, zonja Von der Leyen do të marrë pjesë më pas në ceremoninë e nisjes së një projekti hekurudhor, pjesë e Korridorit X, si dhe do të jetë e pranishme në nënshkrimin e një kontrate për rehabilitimin e një pjese të Autostradës së Paqes, e cila mbështet nga BE-ja.
Ndalesa e saj e fundit, të enjten në mbrëmje, dotë jetë Bosnja dhe Hercegovina. Presidentja e Komisionit do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Urës Svilaj që lidh Kroacinë dhe Bosnjë -Hercegovinën, së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković dhe Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija. Në Sarajevë, ajo gjithashtu do të ketë takime me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.














Komentet