VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Presidenti i Venezuelës: Jam i gatshëm të takoj Trumpin

By | June 23, 2020

Komentet

Putini nënshkruan dekretin për ndryshimet kushtetuese që e mbajnë në pushtet deri më 2036

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi dekretin për ndryshimet kushtetuese, të cilat, mes tjerash, i hapin rrugë atij të mbetet në pushtet deri në vitin 2036, nëse vendos të marrë pjesë edhe në dy palë zgjedhje presidenciale.

Sipas dekretit të nënshkruar të premten, ndryshimet do të hyjnë në fuqi të shtunën, më 4 korrik.

“Qytetarët e Rusisë kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe, në përputhje me këtë vendim, unë kam nënshkruar një dekret për publikimin zyrtar të kushtetutës me ndryshime”, tha Putin.

Ai e nënshkroi dekretin disa orë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi shpalli rezultatet përfundimtare të referendumit për ndryshimet kushtetuese, të mbajtur nga data 25 qershor deri më 1 korrik.

Sipas rezultateve, gati 78 për qind e pjesëmarrësve në votime e kanë miratuar paketën e mbi 200 ndryshimeve kushtetuese.

Kremlini e cilësoi atë si “referendum triumfues ndaj besimit te presidenti Vladmir Putin”.

Por, raportet për parregullsi në disa vendvotime dhe frikësim të aktivistëve dhe gazetarëve, kanë nxitur thirrjet e Perëndimit për hetime të menjëhershme.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë shqetësimet e Perëndimit për votimin, duke thënë se Rusia “ka qenë dhe do të mbetet e angazhuar, para së gjithash, për sovranitetin kombëtar”.

Putin ka qenë në krye të Rusisë, herë si president, herë si kryeministër, qysh në vitin 2000. rel

Kina lëshon satelit të ri me rezolucion të lartë në hapësirë

Kina ka lëshuar me sukses një satelit të ri për hulumtime të largëta me rezolucion të lartë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Agjencisë së Lajmeve Xinhua, vendi dërgoi një satelit për fotografim me rezolucion të lartë shumë dimensional në orbitën e planifikuar nga Qendra e Lansimit Satelitor Taiyuan në provincën Shanxi në veri të Kinës.

Lansimi i ri ishte i 337 në seri, e lansuar nga një raketë transportuese Long March-4B, shtoi agjencia duke cituar Administratën Kombëtare të Hapësirës Kineze.

Ky hap është pjesë e programit të Pekinit për të ulur mbështejen në teknologjitë e huaja të hartografisë topografike.

Muajin e kaluar Pekini lansoi tre satelitë me rezolucion të lartë për vëzhgimin e Tokës në hapësirë, njëri prej tyre Gaofen-9-02, për të ndihmuar në projektet e ndërtimit të lidhura me Nismën për Rripa dhe Rrugë (BRI), zhvillimi i infrastrukturës dhe aktiviteti i investimeve të Kinës u përhap në afro 70 vende. Ajo përfshin Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan me vlerë 50 miliardë dollarë.

Gaofen-9-02 është i aftë të bëjë fotografi të sipërfaqes së Tokës me një rezolucion më të vogël se një metër dhe do të përdoret për matje gjeodezike të tokës, planifikimin urban, krijimin e rrjetit rrugor, bujqësinë dhe lehtësimin e katastrofave. Sateliti do të mbështesë edhe ndërtimet e projekteve të BRI-së, tha “Global Times” i drejtuar nga shteti.

Mbi 11 milionë raste me COVID-19 në mbarë botën

Ankara

Numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka shkuar në mbi 11 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjithsej 11.001.023 raste me virusin janë regjistruar deri më tani në mbarë botën, sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 2.837.189 raste deri më tani.

Pas SHBA-së radhiten Brazili (1.501.353), Rusia (667.883), India (627.168), Spanja (297.183), Peruja (292.004), Kili (284.541), Britania (283.757), Italia (240.961), Meksika (238.511), Irani (232.863) dhe Pakistani (221.896).

Ndërkaq, në Turqi, numri i të diagnostikuarve me COVID-19 ka arritur në 202.284.

Vendet e tjera me mbi 50 mijë të infektuar janë Arabia Saudite (197.608), Gjermania (196.717), Afrika e Jugut (168.061), Franca (166.378), Bangladeshi (153.277), Kolumbia (106.110), Kanadaja (104.772) Katari (97.897), Kina (83.542), Egjipti (71.299), Suedia (70.639), Argjentina (69.941), Bjellorusia (62.698), Belgjika (61.727), Ekuadori (59.468), Indonezia (59.394), Iraku (53.708) dhe Holanda (50.335).

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa deri tani jetën kanë humbur 524.406 persona. Ndërkaq, rreth 6,2 milionë njerëz janë shëruar nga virusi.

Hyn në fuqi pakti i ri tregtar Kanada-SHBA-Meksikë

Trenton

Një pakt i ri tregtar midis Kanadasë, SHBA-së dhe Meksikës me vlerë mbi 1.5 trilion dollarë ka hyrë në fuqi sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

CUSMA, siç e quan Kanadaja, por e njohur si USMCA në SHBA, zëvendëson Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) të nënshkruar në vitin 1994. Në atë kohë ajo paraqiste marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë në botë.

Ajo u rinegociua me insistimin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ishte i mendimit se Washingtoni nuk përfitonte sa duhet sipas marrëveshjes NAFTA.

U deshën tre vjet bisedime përpara se të gjitha palët të ishin të kënaqura dhe të nënshkruajnë marrëveshjen.

“Me tregtinë midis anëtarëve të NAFTA-s, të vlerësuar me afro 1.5 trilion dollarë amerikanë në vitin 2018, ne nuk mund të mbivlerësojmë se sa jetësore është të ruash tregtinë e lirë dhe të ndershme midis tre qarqeve tona”, deklaroi më herët këtë javë kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur “një motor të ri për rritje në shekullin e 21-të që do të mbajë Amerikën e Veriut rajonin më konkurrues ekonomikisht në botë”.

Pompeo falënderoi të gjitha palët dhe theksoi se USMCA do të ndihmojë rajonin që të rikthehet në këmbët e tij “sa më shpejtë dhe më të fortë”, në mes të pandemisë së koronavirusit.

Pakti bën ndryshime në disa sektorë, duke përfshirë fushën e automobilistikës, mjedisore dhe atë të qumështit.

Ndryshimet në prodhimin e makinave përfshijnë nxitjen për më shumë përmbajtje të produkteve të Amerikës së Veriut siç është çeliku që përdoret për prodhimin e automjeteve. Ekspertët paralajmëruan se kjo mund të rrisë edhe më shumë koston e automjeteve.

Në fushën e bulmetit, fermerëve amerikanë u është dhënë një qasje në tregjet e vezëve, qumështit dhe pulave me çmime dhe kuota të rregulluara. Nuk pritet ulje e çmimeve në Kanada, por pritet të ofrojë një gamë më të gjerë të produkteve në supermarkete.

Të tre vendet ranë dakord për një angazhim më të fortë për mbrojtjen e klimës, kurse për Kanadanë kjo do të thotë më shumë përkushtim në mbrojtje të specieve të rrezikuara dhe shtresës së ozonit.

Sipas marrëveshjes së re, të tre vendet do të rishikojnë kushtet e paktit brenda gjashtë viteve të para, megjithëse marrëveshja është nënshkruar për 16 vite.

Të tre vendet do të kenë mundësinë e tërheqjes nga pakti i ri duke njoftuar gjashtë muaj më parë partnerët.

Kanadezët janë të etur për të blerë një gamë shumë më të gjerë të produkteve amerikane sesa që janë në dispozicion në Kanada dhe do të marrin një pushim sepse blerjet në internet nën 150 dollarë kanadez (110 dollarë amerikan) tani do të importohen pa tarifa. Më parë kjo ishte 20 dollarë kanadez (15 dollarë amerikan).

Rusia i hap rrugën Putinit të qeverisë deri më 2036

Rusët duket se i kanë hapur rrugën Vladimir Putinit të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036 duke votuar në shumicë dërrmuese për një paketë ndryshimesh kushtetuese të cilat gjithashtu do të rrisin pensionet.

Rezultatet e pjesshme të një votimi kombëtar, të shpallura pesë orë para mbylljes së qendrave të votimit, tregojnë se ish oficeri i KGB-së, i cili qeveris Rusinë prej më shumë se dy dekadash si president ose kryeministër, do të fitojë të drejtën për të kandiduar edhe për dy mandate të tjera.

Kjo do të thotë se ai mund të mbetet president edhe për 16 vjet të tjera.

Rusia u dha familjeve shpërblime financiare të mërkurën, dita e fundit e votimit për ndryshimet kushtetuese. Në shenjë proteste, kritikët e Kremlinit zhvilluan të mërkurën një demonstratë të vogël në Sheshin e Kuq.

Në prill, Kremlini u detyrua ta shtynte votimin për ndryshimet kushtetuese për shkak të pandemisë.

RUSIA DHE NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Propozimi për ndryshimin e kushtetutës në Rusi, synon t’i bëjë për vete të gjitha grupet. Fushata flet për ndalimin e martesave mes homoseksualëve për të tërhequr konservatorët, ndërsa premtimi për përmirësim në kujdesin shëndetësor dhe arsim është për familjet.

Madje ka diçka edhe për PresidentinVladimir Putin: Ndryshimet i hapin rrugën zgjatjes së pushtetit të udhëheqësit rus deri në vitin 2036, megjithëse disa thonë që ky element nuk është trumbetuar shumë.

Nuk është thënë asnjë fjalë. Mendoj se shumë pak është i njohur në publik fakti i zgjerimit të mandatit për Putinin, thotë politikani i opozitës, Vladimir Milov.

Presidenti Putin thotë se ndryshimet kushtetuese, do të sillnin qëndrueshmëri, duke shmangur luftën politike për pasuesin e tij të mundshëm dhe përqendruar në çështje më urgjente.

“Bëhet fjalë për ligjin themeltar, kushtetutën që është baza e parimeve në vendin tonë, jetën tonë dhe jetën e fëmijëve tanë. Do të përcaktojë garancitë tona kryesore ligjore dhe juridike”, është shprehur Presidenti Putin.

Por disa thonë se nxitimi i Kremlinit për të garantuar të ardhmen politike të zotit Putin në mes të pandemisë, reflekton keqësimin e perspektivës politike dhe ekonomike të shkaktuara nga virusi.

Ata e kuptojnë që mbështetja për të po bie…dhe kjo është një prirje afatgjatë. Në vjeshtë do të jetë më keq se në verë dhe në dimër më keq sesa në vjeshtë, thotë analisti politik, Dmitry Oreshkin.

Kremlini e ka zgjatur edhe për një javë votimin dhe ka marrë masa shtesë për të ruajtur shëndetin e votuesve.

Në qendrat e votimit, janë të detyruara dorezat, maskat dhe matja e temperatures…

“Është e vështirë të garantosh sigurinë këto kohë por me masat mbrojtëse, votimi po shkon në rregull. Dhe ne duhet të shprehim qendrimin tonë”, thotë Andrei, një banor i Moskës.

Por ekspertët e shëndetësisë shqetësohen për një rritje të numrit të infeksioneve pas votimit…duke paralajmëruar se rastet mund të mbingarkojnë spitalet e mbushura në maksimum.

Qeveria dhe zyrtarët tanë, nuk mendojnë për shëndetin e popullsisë por për ambicjet e tyre politike, thotë Anastasia Vasilyeva, Drejtore e Aleancës së Mjekëve.

Rusia ka afro 650 mijë raste me koronavirus, e treta në radhitjen globale, pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.

Por kjo nuk e ka ndalur presidentin që të vazhdojë me planet për 75 vjetorin e fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste.

Një paradë ushtarake me mijëra ushtarë pa maska, duke marshuar në Sheshin e Kuq, u mbajt javën e kaluar.

Por ashtu si vota kushtetuese, është një rrezik që nuk ndahet dot nga koronavirusi dhe suksesi i saj mund të matet në fund të fundit jo me vota ose me tanke, por nga rastet e infeksioneve që mund t’i pasojnë ato. zëri i amerikës

Të paktën 186 gazetarë në 35 vende kanë vdekur nga COVID-19

Gjenevë

Të paktën 186 gazetarë në 35 vende kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19), thuhet në raportin e organizatës joqeveritare “Press Emblem Campaign” (PEC), transmeton Anadolu Agency (AA).

PEC pohon se nga 1 marsi deri më 31 maj të këtij viti nga COVID-19 në 35 vende anembanë botës kanë vdekur të paktën 186 gazetarë, prej të cilëve dy të tretat ishin aktivë në terren.

Më tej thuhet se pandemia më së shumti ka goditur vendet e Amerikës Latine ndërsa është vërjetur një “rritje serioze” në Indi dhe Bangladesh.

Më së shumti raste të vdekjes së gazetarëve nga koronavirusi janë regjistruar në qershor. Gjatë muajit të kaluar, ku në ditë janë regjistruar të paktën dy vdekje të gazetarëve, nga COVID-19 kanë vdekur 59 gazetarë.

Sipas një hulumtimi të PEC, që nga fillimi i pandemisë në vendet e Amerikës Latine jetën e kanë humbur 93 gazetarë, 34 në Azi, 26 në Evropë, 19 në Afrikë dhe 14 në Amerikën Veriore.

Më së shumti vdekje të gazetarëve janë regjistruar në Peru 37, Brazil 16, Meksikë 14, SHBA 13 dhe në Ekuador 12.

Pakistani regjistroi 10 vdekje të gazetarëve, Bangladeshi dhe India nga 9, Nigeria 8, Britania e Madhe 7, Rusia dhe Bolivia nga 5, Franca dhe Nikaragua nga 4.

Tre vdekje të gazetarëve regjistroi Italia, Spanja dhe Republika Dominikane, nga dy Algjeria, Kolumbia, Egjipti dhe Suedia dhe nga një Austria, Belgjika, Kanadaja, Afganistani, Republika Demokratike e Kongos, Irani, Japonia, Maroku, Panama, Kazakistani, Togo, Zimbabve dhe Republika e Afrikës së Jugut.

PEC potencon se përveç rasteve të vdekjes nga COVID-19, në gjashtë muajt e parë të këtij viti në 18 vende janë vrarë 33 gazetarë.

Gjithashtu PEC shton se raporti është përpiluar në bazë të informacioneve të marra nga shoqatat kombëtare të gazetarëve, mediave lokale dhe bashkëpunëtorëve.

Në Maqedoninë e Veriut deri tani jetën e kanë humbur dy punonjës mediatik nga COVID-19.

Iran, dënim me vdekje gazetarit që frymëzoi protestat

gazetari iranian Ruhollah Zam

Një gazetar iranian, puna në internet e të cilit ndihmoi në frymëzimin e protestave ekonomike në mbarë vendin në vitin 2017, është dënuar me vdekje për veprimet e tij.

Zëdhënësi i gjyqësorit Gholamhossein Esmaili njoftoi dënimin e Ruhollah Zamit të martën.

Faqja në internet e zotit Zam, AmadNews, dhe një kanal që ai krijoi në aplikacionin popullor të mesazheve Telegram, kishte njoftuar njerëzit për kohën e protestave dhe publikuan informacione shqetësuese për zyrtarët iranianë.

Protestat e vitit 2017 përfaqësuan sfidën më të madhe për Iranin që nga trazirat masive pas zgjedhjeve në vitin 2009 dhe përgatitën terrenin për revoltat e ngjashme në nëntor 2019. Mijëra u arrestuan nga policia gjatë protestave dhe 25 njerëz u vranë.

Zoti Zam kishte jetuar dhe punuar në mërgim në Paris para se të joshej që të kthehej në Iran, ku u arrestua në tetor 2019 në rrethana ende të paqarta. Autoritetet franceze e kanë “dënuar ashpër” këtë veprim.

Ai më vonë u shfaq muajt e fundit në rrëfime të transmetuara në televizion duke pranuar veprimet e tij dhe duke kërkuar falje për aktivitetet e tij të së kaluarës.

Esmaili tha se një Gjykatë Revolucionare kishte dënuar Zamin për “korrupsion në Tokë”, një akuzë e cila shpesh përdoret për çështjet që përfshijnë spiunazh ose përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Iranit. Nuk ishte e qartë se kur ishte shpallur dënimi.

Zoti Zam mund ta apelojë çështjen e tij në Gjykatën Supreme. zëri i amerikës

Putin, President deri në vitin 2036?

Presidenti Vladimir Putin u bëri thirrje të martën rusëve të votojnë për ndryshimet kushtetuese që do t’i lejonin atij të kandidojë përsëri për president, duke i quajtur reformat një garantues të stabilitetit, sigurisë dhe begatisë.

Zoti Putin e bëri thirrjen në skenën e një beteje të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore midis Ushtrisë së Kuqe dhe nazistëve në prag të ditës kryesore dhe të fundit të një votimi shtatë-ditor në mbarë vendin që do ta ndryshonte kushtetutën për herë të parë që nga viti 1993.

Sipas ndryshimeve të propozuara, që sondazhet thonë se mbështeten nga dy të tretat e votuesve, Putin do të lejohej të kandidojë edhe për dy mandate të tjera gjashtë-vjeçare pas mbarimit të mandatit aktual që skadon në vitin 2024.

Kjo mund të bëjë që ish oficeri i KGB-së, tani 67 vjeç, të qëndrojë në këtë post deri në vitin 2036, megjithëse Putini ka thënë se nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar se çfarë dëshiron të bëjë.

Kritikët dhe mbështetësit e vendosur janë të bindur se ai do të kandidojë përsëri, ndërsa disa analistë besojnë se ai ende nuk marrë një vendim, por dëshiron t’i mbajë të hapura opsionet e tij deri në minutën e fundit, për të mos humbur influencën.

“Ne nuk po votojmë vetëm për ndryshime. Ne po votojmë për vendin në të cilin duam të jetojmë, me një arsim dhe sistemi shëndetësor modern…”, tha zoti Putin.

Gjatë fjalimit ai nuk përmendi se si mund të ndikojnë ndryshimet kushtetuese në karrierën e tij politike. Edhe gjatë fushatës zyrtare, njerëzit janë inkurajuar të votojnë për ndryshimet e tjera, pa përmendur amendamentin që lejon zotin Putin të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036, nëse rizgjidhet. zëri i amerikës

Mbi 10 milionë të prekur nga COVID-19 në të gjithë botën

Me koronavirusin e ri (COVID-19) që shpërtheu në qytetin kinez Wuhan në botë janë prekur 10.421.490 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit “Worldometer” e cila përpilon të dhënat lidhur me pandeminë si pasojë e COVID-19 kanë vdekur 508.429 persona ndërsa 5.679.143 janë shëruar.

Në botë janë aktivë 4.233.928 raste me koronavirus. Në SHBA që është epiqendra e pandemisë në botë janë konfirmuar 2.681.811 raste me COVID-19 ndërsa 128.783 kanë vdekur.

Vendet me më shumë se 50 mijë të infektuar janë Brazili (1.370.488), Rusia (647.849), India (568.315), Britania e Madhe (311.965), Spanja (296.050), Peru (282.650), Kili (275.999), Italia (240.346) ), Irani (225.205), Meksika (220.657), Pakistani (209.337), Turqia (198.613), Gjermania (195.392), Arabia Saudite (186.436), Franca (164.260), Afrika e Jugut (144.264), Bangladeshi (141.801), Kanada (103.918), Katari (95.106), Kolumbia (95.043), Kina (83.531), Suedia (67.667), Egjipti (66.754), Argjentina (62.268), Bjellorusia (61.790), Belgjika (61.361), Ekuadori (55.665), Indonezia (55.092) dhe Holanda (50.223).

Vendet me më shumë viktima të konfirmuara janë Brazili (58.385), Britania e Madhe (43.575), Italia (34,744), Franca (29.813), Spanja (28.346), Meksika (27.121), India (16.917), Irani (10.670). Belgjika (9.732), Peru (9.504), Rusia (9.320), Gjermania (9.041), Kanadaja (8.566), Holanda (6.107), Kili (5.575), Suedia (5.280), Turqia (5.115), Kina (4.634), Ekuadori (4.502), Pakistani (4.304), Kolumbia (3.223), Indonezia (2.805), Egjipti (2.872), Afrika e Jugut (2.529), Bangladeshi (1.783), Arabia Saudite (1.599) dhe Argjentina (1.280).

Mbi gjysmë milioni njerëz të vdekur nga koronavirusi në botë

Numri i viktimave nga sëmundja që shkakton koronavirusi, Covid-19, në botë ka kaluar 500,000, ndërsa numri i të infektuarve është tashmë mbi 10 milionë.

Shifrat e fundit nga Universiteti Johns Hopkins, me seli në SHBA, vijnë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të dielën për rekord të ri ditor të numrit të të infektuarve: mbi 189,000 në 24 orë.

Në SHBA, ku janë regjistruar rreth një e katërta e viktimave në gjithë botën, disa shtete kanë rikthyer masat kufizuese, në përpjekje për të penguar përhapjen e sëmundjes.

Kalifornia urdhëroi baret në Los Angelos dhe në gjashtë qarqe të tjera të mbyllen, për shkak të rritjes së numrit të rasteve.

Ky shtet tashmë ka lëshuar urdhrin e qëndrimit në shtëpi për disa zona, ndërsa San Francisko ka shpallur “pauzë” në rihapjen e ekonomisë.

Në Florida, guvernatori Ron DeSantis tha se do të mbyllë disa plazhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të koronavirusit. DeSantis tha se ndërveprimet e të rinjve po rrisin numrin e të prekurve.

“Kujdesi u hodh në erë dhe jemi ku jemi”, tha ai.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se në shtetin e tij ka pasur rritje të shpejtë të numrit të rasteve prejse bizneset kanë nisur të rihapen në muajin maj.

“Covid-19 ka marrë një kthesë shumë të shpejtë dhe shumë të rrezikshme në Teksas gjatë javëve të fundit”, tha Abbott.

Ai urdhëroi mbylljen e bareve dhe kufizoi punën e restoranteve, pasi autoritetet në Teksas konfirmuan rekord të të infektuarve me koronavirus më 26 qershor: mbi 5,900.

Disa vende të tjera po ashtu po shqyrtojnë të vendosin kufizime për të luftuar shpërthimet e reja.

Në mesin e tyre është Koreja e Jugut, ku Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raportoi të hënën për 42 raste të reja.

Zyrtarët shëndetësorë po përpiqen t’i gjurmojnë transmetimet, gjë që, sipas tyre, është kyçe për të ndaluar shpërthimet.

Ministri jug-korean i Shëndetësisë, Park Neung-hoo, tha se qeveria është e gatshme të zbatojë masa më të fuqishme për distancimin fizik, nëse epidemia vazhdon të rritet.

Qeveria britanike paralajmëroi se mund të izolojë qytetin Llastër, për shkak të rritjes së numrit të rasteve atje, por tha se planifikon të rihapë restorantet dhe parukeritë më 4 korrik.

Numri i të infektuarve po rritet edhe në Indi, ku më 27 qershor atutoritetet kanë regjistruar 18,500 raste të reja dhe 385 viktima.

Numri total i të infektuarve atje është 509,000; prej tyre, mbi 15,600 kanë vdekur.
Përgatiti: Valona Tela

Macron, së shpejti në Rusi për bisedime

Presidenti Francez Emmanuel Macron tha të shtunën se ai do të shkojë së shpejti në Rusi për bisedime të tjera me homologun e tij Vladimir Putin.

“Bisedimet për ndërtimin e besimit të filluara me Presidentin Putin në Fort Bregancon vazhdojnë,” tha zoti Macron në një koment në Twitter, duke përmendur sigurimin evropian, konfliktet rajonale dhe ndryshimin e klimës si tema kryesore.

“Do të udhëtoj së shpejti në Rusi”, shkruante ai.

Presidentët Macron dhe Putin patën të premten një bisedë me videokonferencë.

Zoti Macron ka bërë thirrje që Evropa të rishikojë partneritetin e saj strategjik me Rusinë, duke thënë se politika e viteve të fundit për sfidimin e Moskës ka dështuar. zëri i amerikës

Macron dhe Putin diskutojnë për situatën në Ballkan

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin gjatë një takimi në vitin 2019.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Francës, Emmanuel Macron kanë zhvilluar një video-konferencë gjatë së cilës janë zotuar të bashkëpunojnë më ngushtë për të trajtuar krizat ndërkombëtare.

Putini tha se diskutimet kanë prekur krizat në Ukrainë, Siri dhe Libi, si dhe tensionet në rajonin e Ballkanit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është i sigurt për përparimin në çështjet kryesore me Rusinë, përfshirë veçanërisht krizën në Libi, tha zyra e tij, të premten.

Deklarata u lëshua pas bisedës mes dy liderëve.

Macron është “i bindur se ne mund të përparojmë me Rusinë në një numër temash”, u tha një zyrtar i lartë francez gazetarëve, duke përmendur “çështjen e stabilizimit të Libisë dhe ribashkimin e institucioneve të këtij vendi”.

Macron, gjatë muajve të fundit ka ndjekur një politikë të afrimit me Rusinë, duke arritur pajtim me Putinin, për çështjet kryesore të mosmarrëveshjeve, siç është situata në Ukrainë, një qasje që i ka shqetësuar disa aleatë të Bashkimit Evropian.

Bisedimet e tyre ndodhën, pasi Macron këtë javë sulmoi ashpër ndërhyrjen e Turqisë në konfliktin në Libi.

Muajt e fundit Turqia ka rritur mbështetjen e saj për Qeverinë e Libisë të njohur nga Kombet e Bashkuara.

Aktualisht në Libi janë dy qeveri, një e njohur nga OKB-ja që e ka selinë në Tripoli dhe administrata tjetër e udhëhequr nga komandati i Forcave Kombëtare Libiane, Khalifa Haftar me seli në Tobruk.

Rusia e mbështet Haftarin, dhe Franca gjithashtu dyshohet se e favorizon atë – megjithëse Parisi insiston se ka qëndrim neutral në konflikt.

Gjatë bisedës me presidentin rus, Macron ka shprehur “shqetësimin për forcimin e pranisë turke në Libi”, tha zyrtari francez, raporton AFP.

Ai tha se gjatë dy orësh bisedimesh, Putin kishte ftuar Macronin për vizitë në Rusi dhe presidenti francez e kishte pranuar ftesën, megjithëse nuk është caktuar asnjë date e realizimit të saj.

Vizita ka të ngjarë të bëhet “në muajt e ardhshëm” dhe “para fundit të vitit” megjithëse kriza e koronavirusit do të duhej të merrej në konsideratë, tha zyrtari.

Udhëheqësi francez kishte planifikuar të marrë pjesë në ngjarje në Sheshin e Kuq në Moskë, muajin e kaluar, për të përkujtuar 75 vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste. rel