VOAL

VOAL

Presidenti Trump presion zyrtarit të Xhorxhias për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve

January 4, 2021

Komentet

Trumpi pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Çfarë dihet deri tani?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trumpi, duke treguar një urdhër ekzekutiv pas inaugurimit si president në Uashington, më 20 janar 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën, i cili pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.

Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën e SHBA-së dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por deri më tani, nuk ka marrë përgjigje.

Në uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.

Në tetor të vitit të kaluar, USAID-i shënoi 25-vjetorin e themelimit në Kosovë, ku ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e nënshkroi një grant me USAID-in, i cili ofronte ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synonte ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.

Aktualisht, USAID-i në Kosovë është duke financuar një mori aktivitetesh. Ndër to janë:

  • ndihma mbi 12 milionë dollarëshe për mbështetjen e reformave legjislative dhe ngritjen e Gjykatës Komerciale;
  • ndihma 15 milionë dollarëshe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien në qeverisje;
  • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për të adresuar sfidat e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në komuna;
  • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prioritizmit të nevojave të qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore;
  • ndihma mbi 16 milionë dollarëshe për të promovuar konkurrencën e mirë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare;
  • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale;
  • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për të rritur kapacitetet institucionale për zhvillimin e tregut të energjisë.

Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë periudhës kur SHBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.

Ndihmësadministratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin Elizabeth McKee – pjesë e administratës së ish-presidentit amerikan, Joe Bien – kishte thënë gjatë vizitës së saj në Kosovë vitin e kaluar se fokusi i USAID-it në të ardhmen do të jetë mbështetja e realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Kjo është një mundësi reale për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara në anëtarësimin në BE dhe të jenë në gjendje jo vetëm t’i kalojnë reformat, por t’i zbatojnë ato në një mënyrë kuptimplote”, kishte thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Por, urdhri, ndër shumë të tjerë që Trumpi nënshkroi në ditën e tij të parë pas kthimit në detyrë, tha se “industria dhe burokracia e ndihmës ndërkombëtare nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe në shumë raste janë të kundërta me vlerat amerikane”.

Tutje, aty thuhet se këto ndihma “shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore duke promovuar ide në shtetet e huaja që janë drejtpërdrejt të kundërta me marrëdhëniet harmonike dhe stabile brenda dhe midis shteteve”.

Si pasojë, Trump shpalli se “nuk do të shpërndahen më ndihma ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara në një mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Javën e kaluar, sekretari i ri amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu tha anëtarëve të Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit se “çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim, duhet të justifikohet me përgjigjen ndaj tri pyetjeve të thjeshta”.

“A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fuqishme? A e bën Amerikën më të pasur?”, tha ai.

Urdhri i nënshkruar nga Trumpi e lë në dorë të Rubios ose përfaqësuesit të tij për të përcaktuar se nëse një ndihmë është në përputhje me politikat apo jo, në konsultim me Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit.

Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Ndihmën Ndërkombëtare janë agjencitë kryesore që mbikëqyrin ndihmën ndërkombëtare.

Trump ka kritikuar prej kohësh ndihmën ndërkombëtare, pavarësisht faktit se ndihma e tillë zakonisht përbën rreth 1 për qind të buxhetit federal, përveç rrethanave të jashtëzakonshme siç janë miliardat e armatimeve të dhëna Ukrainës.

Trump ka qenë kritik ndaj shumës së dërguar në Ukrainë për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes së saj kundër pushtimit të Rusisë.

Llogaritja e fundit zyrtare e ndihmës ndërkombëtare në administratën e Bidenit tregon se 68 miliardë dollarë janë angazhuar për programe jashtë shtetit që shtrihen nga ndihmat për katastrofa deri te shëndeti dhe iniciativa pro demokracisë në 204 shtete dhe rajone.

Disa nga marrësit më të mëdhenj të ndihmës amerikane, Izraeli me 3.3 miliardë dollarë në vit, Egjipti me 1.5 miliard dollarë në vit dhe Jordania me 1.7 miliard në vit besohet se do të shohin ulje dramatike në financim, pasi këto shuma janë të përfshira në pako afatgjata që datojnë nga dekada më parë dhe në disa raste janë të rregulluara nga obligime traktatesh.

Financimi për agjencitë e OKB-së, përfshirë agjencitë për ruajtjen e paqes, të drejtat e njeriut dhe refugjatët, kanë qenë tradicionalisht shënjestra për administratat republikane. Administrata e parë e Trumpit e nisi reduktimin e shpenzimeve për ndihmën ndërkombëtare, duke pezulluar pagesat për disa agjenci të OKB-së, përfshirë Fondin e Popullsisë të OKB-së dhe financimin për Autoritetin Palestinez.

Presidenti Trump shpalos vizionin në ditën e parë të mandatit të dytë

VOA Anita Powell

Presidenti Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën, duke njoftuar veprime të shumta ekzekutive për çështjet kryesore si emigracioni dhe energjetika. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell Presidenti Trump, në fjalimin e tij të parë si President, premtoi gjithashtu se do të zgjerojë territorin e Shteteve të Bashkuara, siç tha ai, deri në Mars.

Në ditën e parë të mandatit të dytë, Presidenti Donald Trump shpalosi vizionin për një Amerikë më të guximshme dhe më të madhe.

“Shtetet e Bashkuara do të bëhen sërish një komb që rrit pasurinë, zgjeron territorin, ndërton qytete, rrit pritshmëritë tona dhe mbart flamurin tonë në horizonte të reja dhe të bukura. Ne do të ndjekim fatin tonë deri në hapësirë, duke dërguar astronautët amerikanë për të vendosur flamurin tonë në planetin Mars”, tha Presidenti Trump.

Më pas ai filloi punën duke nënshkruar një mori urdhrash ekzekutivë. Ai tha se ato përfshijnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin jugor, gjë që mundëson dërgimin e trupave në kufi dhe shpalljen e energjetikës si urgjencë kombëtare. Kjo mundëson rritjen e shpimeve në tokë për të nxjerrë më shumë naftë. Ai gjithashtu deklaroi se ka vetëm dy gjini, mashkull ose femër, dhe tha se do të urdhëronte që Gjiri i Meksikës të riemërohej si Gjiri i Amerikës.

Historianët thonë se Presidenti Trump përdori fjalimin që tradicionalisht ka qëllim të bashkojë vendin për të portretizuar një të ardhme me të cilën shumë amerikanë mund të mos pajtohen.

“Fjalimi ishte më pak një fjalim inaugurues dhe më shumë një fjalim që mbahet në Kongres për gjendjen në vend. Ai renditi një sërë idesh e projektesh, nga deportimi i emigrantëve, deri te rimarrja e kontrollit mbi Kanalin e Panamasë. Fjalimi ishte një përzierje e zemërimit, gënjeshtrave dhe termave bullizues. Kjo nuk është diçka që kemi dëgjuar më parë nga fjalimet inauguruese”, thotë për Zërin e Amerikës profesor Jeremi Suri nga Universiteti i Teksasit në Austin.

Mijëra mbështetës të Presidentit Trump erdhën në Uashington nga i gjithë vendi duke thënë se politikat e tij kanë rëndësi për ta.

“Ai po rikthen gjykimin e shëndoshë në vend. Shumë njerëz mendojnë se ne jemi shumica e heshtur dhe kjo do të na japë mundësinë të flasim me zë të lartë dhe të mos kemi frikë të themi të vërtetën dhe të flasim me logjikë të shëndoshë”, thotë Melanie Voll, banore Cleveland.

Menjëherë pas inaugurimit, Presidenti Trump foli me një grup më të vogël mbështetësish në Kapitol dhe përsëriti pretendimet se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “plotësisht të manipuluara”, një pretendim për të cilin nuk ka prova.

“Mendoj se ky ishte një fjalim më i mirë se sa ai që mbajta më parë, apo jo? Unë mendoj se ky është më i mirë”, tha Presidenti Trump.

Disa nga mbështetësit e fuqishëm të Presidentit Trump shprehën gëzimin e tyre.

“Kështu duket një fitore e vërtetë”, tha miliarderi Elon Musk.

Zoti Musk ishte njëri nga miliarderët që morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Organizatat që merren me mbrojtjen e konsumatorëve po japin alarmin për disa nga lëvizjet më të heshtura të presidentit të ri, që synojnë të zbusin disa rregullore. Ata thonë se nga këto vendime do të përfitojnë kompanitë e miliarderëve.

“Administrata e ardhshme e Trumpit dëshiron të pezullojë një sërë rregullash dhe të heqë një sërë masash mbrojtëse për publikun, me kërkesë të atyre që janë më të pasurit mes nesh, për shkak të interesave të veçanta të korporatave. Ata përfitojnë kur ne nuk kemi masa mbrojtëse”, thotë Lisa Gilbert, presidente e organizatës joqeveritare ‘Public Citizen’.

Historianët dhe analistët thonë se nuk është e qartë se sa nga veprimet e ditës së parë të Presidentit Trump, të cilat zyrtarët thonë se janë mbi 100, do të funksionojnë kur të sfidohen ligjërisht. Për këtë përgjigje, thonë ata, duhet pritur.

Trumpi merr detyrën dhe zotohet se do të jetë “paqebërës”

Ray Furlong

Donald Trumpi u betua si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke u zotuar se do të jetë një “paqebërës”.

“Ne do ta matim suksesin tonë jo vetëm me betejat që i fitojmë, por edhe me luftërat që ne i përfundojmë dhe – ndoshta më e rëndësishmja – me luftërat në të cilat nuk do të hyjmë kurrë”, tha Trump.

Deklaratat e tij ngjallin shpresë e frikë në zonat më të mëdha të konflikteve në botë.

Për ukrainasit, të pushtuar nga Rusia për gati tre vjet, paqja është shumë e dëshiruar.

Po kështu edhe në Lindjen e Mesme ka shumë njerëz që shpresojnë për një fund të konfliktit.

Megjithatë, Trump nuk dha asnjë detaj se si do të arrihet dhe ruhet paqja.

Duke e uruar Trumpin përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se “paqja përmes politikës së forcës”, është një shans “për të forcuar udhëheqjen amerikane dhe për të arritur një paqe afatgjate dhe të drejtë, që është prioriteti kryesor”.

Kështu do të dëshironte Zelensky që ta cilësonte Trumpin si paqebërës: duke i mundësuar Ukrainës të hynte në bisedime nga një pozicion i fuqishëm, me ndihmën e ofruar nga SHBA-ja.

Por, gjatë fjalimit të tij pas betimit, Trump e kritikoi administratën e mëparshme për “financime të pakufizuara për mbrojtjen e kufijve të huaj”.

Në Ukrainë ka shqetësime se rikthimi i Trumpit mund ta dobësojë atë, duke mos i dhënë mbështetje ushtarake, dhe ta detyrojë të bëjë paqe me kushte të pafavorshme.

“Të gjithë janë shumë të lodhur nga [lufta], por nuk pres që ai të jetë një magjistar dhe ta shndërrojë të gjithën në përrallë”, i tha Radios Evropa e Lirë një grua në Zaporizhja të Ukrainës, disa orë para inaugurimit të Trumpit.

Komentet e presidentit rus, Vladimir Putin, e nënvizuan edhe më shumë këtë frikë.

Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Putin tha se është i hapur për dialog me administratën e re të SHBA-së për përfundimin e konfliktit në Ukrainë, duke u bazuar në një “paqe të qëndrueshme”.

Këto fjalë tingëllojnë si boshe në Ukrainë, pasi ai ende ka nën kontroll zona të mëdha të territorit ukrainas.

Në Lindjen e Mesme, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e përshëndeti inaugurimin e Trumpit, duke thënë se “ne do t’i japim fund terrorit të Iranit”.

Deklarata e Trumpit se do të jetë një paqebërës, u shoqërua edhe me një referencë për luftën në Gazë.

“Kam kënaqësinë të them se nga dje – një ditë para se ta merrja detyrën – pengjet në Lindjen e Mesme po ktheheshin në shtëpi, te familjet e tyre”, tha Trump.

Ai iu referua kështu fazës së parë të një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.

Dy palët ishin në luftime të ashpra për më shumë se 15 muaj.

Është e paqartë nëse marrëveshja do të mbahet.

Gjithashtu, është e paqartë se si administrata e re amerikane do t’u qaset bisedimeve të mëtejshme të planifikuara.

Për këtë, ashtu si edhe për Ukrainën, Trump nuk dha ndonjë detaj.

Por, ky ishte një fjalim inaugurues dhe jo një deklaratë politike.

Ditët dhe javët në vazhdim mund t’i qartësojnë gjërat.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Marco Rubio konfirmohet nga Senati si Sekretar i Shtetit

VOA Marrë nga Associated Press

Senati konfirmoi shpejt ish senatorin Marco Rubio si Sekretar të Shtetit të hënën me një votim unanim, duke i dhënë Presidentit Donald Trump anëtarin e parë të kabinetit të tij të ri në ditën e inaugurimit.

Marco Rubio, ish senator republikan nga Florida, është ndër kandidatët më pak të debatueshëm të Presidentit Trump dhe votimi ishte vendimtar 99-0. I emëruari i Presidentit Trump për drejtor të CIA-s, John Ratcliffe pritet gjithashtu të miratohet me një votim të shpejtë.

Votimet për emërimet e tjera, duke përfshirë ish veteranin e luftës dhe ish drejtuesin e një emisioni lajmesh në Fox News, Pete Hegseth për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, pritet të bëhen më vonë gjatë javës.

“Marco Rubio është një njeri shumë inteligjent me njohuri të jashtëzakonshme të politikës së jashtme amerikane”, tha Senatori republikan Chuck Grassley në hapje të votimit në Senat.

Shpesh është traditë që Senati të mblidhet menjëherë pas ceremonisë së inaugurimit për të filluar me miratimin e anëtarëve të kabinetit të presidentit të ri, veçanërisht të zyrtarëve të sigurisë kombëtare. Gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, Senati konfirmoi me shpejtësi kandidatët e tij për Sekretar të Mbrojtjes dhe Sekretar të Departamentit të Sigurisë Kombëtare në ditën e tij të parë në detyrë.

I emëruari i ish Presidentit Joe Biden për drejtor të inteligjencës kombëtare u konfirmua në ditën e tij të inaugurimit.

Me kthimin e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe kontrollin e Kongresit nga Partia e tij Republikane, anëtarët e tij të kabinetit pritet të miratohen pa vështirësi të mëdha, pavarësisht skepticizmit fillestar dhe kundërshtimit nga ligjvënës nga të dyja partitë.

JD Vance betohet si Zëvendës President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

JD Vance është betuar në ambientet e Kapitolit në Uashington për marrjen e detyrës si zëvendës President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vance do të shërbejë si zëvendësi i Donald Trump, i cili do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Dyshja Trump dhe Vance siguruan mandatin e ardhshëm në krye të Shtëpisë së Bardhë pas fitores së zgjedhjeve presidenciale kundër demokratëve të kryesuar nga kandidatja Kamala Harris, paraardhësja e Vance në detyrën e re. bw

Trumpi dhe Bideni arrijnë në Kongres

Valona Tela
  • Donald Trump betohet sot si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
  • Këtë post, ai e mbajti edhe nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zëvendësi i Trumpit, JD Vance, betohet gjithashtu.

Trump dhe Biden tashmë në ndërtesën e Kongresit

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, bashkë me presidentin në largim, Joe Biden, arritën në ndërtesën e Kongresit amerikan, ku do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Trumpit.

Dy liderët u takuan paraprakisht në Shtëpinë e Bardhë dhe pinë çaj.

Presidenti i ri do të betohet në orën 17:47, sipas kohës në Kosovë.

Kjo orë është zgjedhur pasi që Trump do të bëhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Për shkak të motit të ftohtë, ceremonia e inaugurimit mbahet brenda dhe jo para ndërtesës së Kongresit, siç ndodh zakonisht.

Biden lë përfundimisht Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, la përfundimisht Shtëpinë e Bardhë, duke u nisur bashkë me presidentin e zgjedhur, Donald Trump, drejt Kongresit, ku do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Trumpit.

Biden shërbeu në këtë post një mandat katërvjeçar.

CNN raporton se Biden i la një letër Trumpit në Zyrën Ovale.

Presidenti i 46-të i SHBA-së, Joe Biden.

Presidenti i 46-të i SHBA-së, Joe Biden.

Trump dhe Biden udhëtojnë bashkë drejt Kongresit

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe presidenti në largim, Joe Biden, u nisën drejt ndërtesës së Kongresit amerikan, ku do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Trumpit.

Sipas traditës, Trump dhe gruaja e tij, Melania, u pritën fillimisht në Shtëpinë e Bardhë nga Biden dhe gruaja e tij, Jill, për të pirë çaj.

Masa të shtuara sigurie para ndërtesës së Kongresit amerikan.

Masa të shtuara sigurie para ndërtesës së Kongresit amerikan.

Si do t’i qaset administrata e re Trump Kosovës?

Vëzhguesit e zhvillimeve politike janë të rezervuar kur flasin për qasjen që pritet ta ketë Trump ndaj Kosovës gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Kosova, aktualisht, është në mes të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit; marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë nuk kanë shënuar ndonjë përmirësim, e ngjashëm ka ngecur edhe avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, tha në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, Trump do marrëveshje.

Në përfundim të mandatit, Joe Biden bën faljet e fundit për të parandaluar “hakmarrjen” nga pasardhësi i tij

VOA Marrë nga Associated Press

Disa orë para përfundimit të mandatit të tij, Presidenti Joe Biden fali Dr. Anthony Faucin, gjeneralin në pension Mark Milley dhe anëtarët e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit në Kapitol, duke përdorur fuqitë e jashtëzakonshme të postit për t’i mbrojtur ata nga “hakmarrja e mundshme” e administratës së ardhshme të Donald Trumpit.

Vendimi i zotit Biden vjen pasi Donald Trumpi paralajmëroi për një listë armiqsh me emra të atyre që e kanë sfiduar politikisht, ose kanë ndërmarrë hapa për ta mbajtur përgjegjës për përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit të SHBA më 6 janar, 2021.

“Shpallja e këtyre faljeve nuk duhet të shihet si një pohim se këta individë kanë kryer ndonjë shkelje, dhe as nuk duhet të keqinterpretohet si pranim fajësie për ndonjë vepër penale”, tha zoti Biden në një deklaratë.

“Vendi ynë u detyrohet këtyre nëpunësve publikë një borxh mirënjohjeje për angazhimin e tyre të palodhur ndaj vendit tonë”, tha ai.

Faljet, të shpallura ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë në presidencën e zotit Biden, kanë qenë temë e një debati të nxehtë prej muajsh në nivelet më të larta të Shtëpisë së Bardhë.

Është e zakonshme që një president të lëshojë falje në fund të mandatit të tij, por amistia zakonisht u ofrohet amerikanëve që janë dënuar për krime. Zoti Biden po e përdor këtë kompetencë në mënyrën më të gjerë dhe më të paprovuar të mundshme: për të falur ata që nuk janë hetuar ende. Vendimi hedh bazat për një përdorim edhe më të gjerë të faljeve nga zoti Trump dhe presidentët e ardhshëm.

Ndërsa Gjykata e Lartë vendosi vitin e kaluar se presidenti gëzon imunitet të gjerë nga ndjekja penale për ato që mund të konsiderohen akte zyrtare, këshilltarët dhe aleatët e presidentit nuk gëzojnë një mbrojtje të tillë.

Ekziston frika se Trump ose presidentët e ardhshëm mund të përdorin premtimin për një falje të plotë për të inkurajuar aleatët që të ndërmarrin veprime të cilave mund t’u rezistonin nga frika e pasojave nëse shkelnin ligjin.

“Këto janë rrethana të jashtëzakonshme dhe nuk më lejon ndërgjegjia të mos veproj,” tha zoti Biden, duke shtuar se “Edhe kur individët nuk kanë bërë asgjë të gabuar – dhe madje kanë bërë gjënë e duhur – dhe në fund e vërteta do të dalë, thjesht fakti i të qenit nën hetim ose ndjekja penale mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme reputacionin dhe financat e dikujt.”

Dr. Fauci ishte drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetit për gati 40 vjet, përfshirë gjatë mandatit të zotit Trump dhe më vonë shërbeu si këshilltar kryesor i zotit Biden për shëndetësinë deri kur doli në pension në 2022.

Ai ndihmoi në koordinimin e përgjigjes së vendit ndaj pandemisë COVID-19 dhe nxiti zemërimin e zotit Trump kur kundërshtoi këshillat e paprovuara shkencërisht të shëndetit publik të zotit Trump.

Zoti Fauci që atëherë është vënë në shënjestër të urrejtjes nga njerëzit e së djathtës, të cilët e fajësojnë atë për urdhrat përm përdorimin e maskave dhe politika të tjera që ata besojnë se shkelnin të drejtat e tyre, edhe pse qindra mijëra njerëz po vdisnin.

Mark Milley është ish-kryetari i Shtatmadhorisë së ushtrisë. Ai më pas e quajti zotin Trump fashist dhe detajoi qëndrimet e zotit Trump lidhu me ngjarjet e 6 janarit 2021.

Ai tha se është mirënjohës ndaj zotit Bidenit për faljen, pasi nuk i duhet të shqetësohet më për “hakmarrjen”. Zoti Biden fali gjithashtu anëtarët dhe këshilltarët e komisionit të 6 janarit që hetoi sulmin, si dhe oficerët e policisë së Kapitolit dhe të kryeqytetit Uashington që dëshmuan para komisionit për përvojat e tyre atë ditë, kur një turmë e zemëruar dhe e dhunshme e mbështetësve të zotit Trump sulmoi Kapitolin.

Biden, një institucionalist, ka premtuar një tranzicion të qetë drejt administratës së ardhshme, duke ftuar zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë ai paralajmëroi gjatë fjalimit të tij lamtumirës për një oligarki në rritje. Ai ka paralajmëruar prej vitesh se kthimi i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një kërcënim për demokracinë. Vendimi i tij për të thyer normat politike me faljet paravepruese u mor për shkak të këtyre shqetësimeve.

Zoti Biden ka vendosur rekordin presidencial për numrin më të madh të faljeve, përfshirë faljen e djalit të tij Hunter.

Ai njoftoi të premten se do të zbusë dënimet e pothuajse 2,500 personave të dënuar për vepra jo të dhunshme të lidhura me drogën. Ai më parë njoftoi se po ua lehtësonte dënimet 37 nga 40 personave të dënuar me vdekje e, duke i kthyer dënimet e tyre në burgim të përjetshëm vetëm disa javë përpara se zoti Trump, një përkrahës i hapur i zgjerimit të dënimit me vdekje, të merrte detyrën.

Gerald Ford i dha një “falje të plotë dhe absolute” në vitin 1974 paraardhësit të tij, Richard Nixon, për skandalin Watergate.

Ai besonte se një gjyq i mundshëm do të “shkaktonte debat të zgjatur dhe përçarje” dhe se zoti Nixon e kishte paguar “me dënimin e paprecedentë të heqjes dorë nga posti më i lartë i Shteteve të Bashkuara”, siç shkruhet në shpalljen e faljes.

Donald Trumpi inaugurohet sërish në postin e presidentit amerikan

VOA

Donald Trumpi kthehet në presidencën amerikane të hënën me një ceremoni inaugurimi në Uashington, që do ta bëjë atë presidentin e parë i cili do të shërbejë në mandate jo të njëpasnjëshme që nga vitet 1890.

Miliona amerikanë pritet ta ndjekin në televizion ndërsa 78-vjeçari Donald Trump bën betimin për një mandat të ri katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Presidenti Joe Biden, 82 vjeç, largohet nga presidenca pas një mandati të vetëm.

Ceremonia e inaugurimit do të jetë një ngjarje në një rreth më të ngushtë për shkak të motit të ftohtë, me rreth 600 pjesëmarrës që do të jenë dëshmitarë të ndryshimit të pushtetit brenda Kapitolit, në vend të ngjarjes tipike në mjedis të hapur për të cilën 250,000 veta kishin siguruar biletat.

Parakalimi tradicional i inaugurimit përgjatë rrugës Pensilvania nga Kapitoli në Shtëpinë e Bardhë është anuluar gjithashtu për shkak të motit. Zoti Trump pas betimit do të shfaqet më pak se tre kilometra larg Kapitolit në një pallat sporti dhe koncertesh me kapacitet prej 20,000 personash.

Zoti Trump u zotua të dielën vonë të “veprojë me shpejtësi dhe forcë historike dhe të zgjidhë çdo krizë me të cilën përballet vendi ynë”, ndërsa u foli mbështetësve të tij në Uashington.

“Nesër në mesditë, bie perdja mbi katër vitet e gjata të rënies amerikane dhe ne fillojmë një ditë krejt të re të fuqisë dhe begatisë amerikane”, tha zoti Trump.

Ai është zotuar të nënshkruajë një mori urdhrash ekzekutivë pas marrjes së detyrës, përfshirë ato që zhbëjnë politikat e administratës së Presidentit Biden. Ndër zotimet e tij të spikatura gjatë fushatës elektorale ishte ai për dënimet masive të atyre që ndodhen ilegalisht në vend.

Zoti Trump është zotuar gjithashtu se do të vendosë shpejt tarifa të larta ndaj partnerëve kryesorë tregtarë, përfshirë Kanadanë, Kinën dhe Meksikën.

Presidenti i zgjedhur thotë se ka në plan të falë shumë nga 1500 mbështetësit e tij që sulmuan ndërtesën e Kapitolit më 6 janar 2021, në përpjekje për të bllokuar Kongresin që të vërtetojë se zoti Biden fitoi zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump i ka quajtur të arrestuarit dhe të dënuarit “patriotë” dhe “pengje” të përndjekur gabimisht.

Akuzat se republikani Donald Trump u përpoq të përmbyste në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, u hoqën pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2024, për shkak të një politike të Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të presidentëve në detyrë.

Zoti Trump u zotua për muaj të tërë t’i jap fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës përpara se të marrë detyrën, por ditët e fundit ndihmësit e tij kanë thënë se synimi tani është të përpiqet të arrijë një armëpushim në 100 ditët e para të administratës së tij.

Trumpi zotohet përsëri se do t’i japë fund luftës në Ukrainë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, flet gjatë një tubimi në Uashington, 19 janar.

 

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë përsëri se do t’i bëjë Ukrainën dhe Rusinë t’i japin fund luftës gati trivjeçare.

Ai gjithashtu theksoi se do t’i kërkojë talibanëve t’ia kthejnë SHBA-së pajisjet e saj ushtarake në vlerë miliarda dollarë, të cilat ishin lënë pas në Afganistan në vitin 2021.

“Unë do t’i jap fund luftës në Ukrainë, do ta ndal këtë rrëmujë në Lindjen e Mesme dhe do ta parandaloj Luftën e Tretë Botërore”, tha Trump në palestrën Capital Arena në Uashington të dielën, një ditë para se ta bëjë betimin si president.

Ai nuk shpjegoi se si do t’i arrinte këto.

Analistët thonë se do të jetë e vështirë përfundimi i luftës në Ukrainë së shpejti, sepse presidenti rus Vladimir Putin beson se ai po fiton dhe nuk është i nxitur për ta ndalur luftën.

Gjatë këtij tubimi, Trumpi bëri një përmbledhje të synimeve që ai pretendon se do t’i përmbushë gjatë katër vjetëve të ardhshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë forcimin e ushtrisë.

Trump do të betohet si presidenti i 47-të më 20 janar, në mesditë. Ceremonia do të mbahet brenda ndërtesës së Kongresit për herë të parë pas 40 vjetësh, për shkak të motit acar

Gjatë fjalimit të tij, Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara po u japin talibanëve në Afganistan “miliarda dollarë në vit” dhe se ai do ta ndalojë këtë nëse grupi ekstremist nuk i kthen miliarda dollarë në pajisje amerikane.

“Dhe unë them, nëse do të paguajmë miliarda dollarë në vit, duhet t’u themi atyre se nuk do t’ua japim paratë nëse nuk na i kthejnë pajisjet tona ushtarake”, tha Trump.

Shtetet e Bashkuara lanë në Afganistan pajisje ushtarake të vlefshme rreth 7 miliardë dollarë, kur u tërhoqën në gusht të vitit 2021, pasi talibanët rimorën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

Rimarrja e pushtetit nga talibanët ka çuar në një rënie drastike ekonomike, ku më shumë se gjysma e afro 24 milionë banorëve të vendit kanë nevojë për ndihmë humanitare, si ushqim, sipas USAID-it, agjencisë amerikane për zhvillim.

Shtetet e Bashkuara ia kanë ndarë më shumë se 2.1 miliardë dollarë ndihmë humanitare Afganistanit që nga marrja e pushtetit nga talibanët, sipas USAID-it.

Që kur morën pushtetin, talibanët janë dënuar nga liderët perëndimorë, organizatat ndërkombëtare dhe aktivistët për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, veçanërisht kundër grave dhe vajzave.  REL

Trumpët kthehen në Shtëpinë e Bardhë, çfarë roli do të ketë secili anëtar i familjes

Melania, Eric, Donald Jr., Ivanka dhe Barron, e gjithë familja Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë të hënën pas inaugurimit të Donald Trump. Po çfarë roli do të ketë secili anëtar i familjes?

Edhe pse të afërmit e tij pritet të jenë më pak të përfshirë në këtë mandat të dytë të Trump, disa pritet të mbajnë një rol kyç si këshilltarë jozyrtarë të republikanit.

Gruaja e tretë e Trump, Melania, me të cilën ai u martua në vitin 2005, po kthehet si zonja e parë e SHBA. Ish-modelja 54-vjeçare do të banojë në Shtëpinë e Bardhë me ndërprerje, sipas CNN, siç bëri gjatë mandatit të parë të bashkëshortit të saj.

Tradicionalisht, zonjat e para të SHBA-së përfshihen në organizimin e darkave zyrtare dhe duke marrë përsipër të promovojnë çështjet sociale. Herën e parë që mori këtë rol, Melania Trump u përfshi në luftën kundër ngacmimeve në internet.

Djali i madh i presidentit amerikan, biznesmeni 47-vjeçar Don Jr ushtroi ndikim të madh te babai i tij për të zgjedhur J. D. Vance si zëvendëspresident.

Donald Trump Jr nuk pritet të marrë një rol zyrtar në Shtëpinë e Bardhë, por do të mbetet nënkryetar ekzekutiv i biznesit familjar, Organizata Trump.

Ivanka Trump u distancua nga politika në fund të mandatit të parë të babait të saj , pasi ishte një nga këshilltaret e tij kryesore.

“Unë e di koston e kësaj dhe nuk jam gati t’ua vë atë fëmijëve të mi,” tha së fundmi Ivanka, 43 vjeçe, nënë e tre fëmijëve.

Bashkëshorti i saj Jared Kushner ishte gjithashtu këshilltar i Trump në mandatin e tij të parë, duke u marrë kryesisht me liderët e vendeve të Gjirit gjatë periudhës kur SHBA po negocionte përfundimin e Marrëveshjes së Abrahamit për të normalizuar marrëdhëniet e saj me Izraelin.

Këtë herë, thekson CNN, Kushner nuk do të ketë një rol zyrtar, por do të jetë një këshilltar jozyrtar i Trump për çështjet e Lindjes së Mesme.

Eric Trump, 41 vjeç, më i riu nga fëmijët e Trump nga martesa e tij e parë, ishte nënkryetar i Organizatës Trump gjatë mandatit të parë të babait të tij, duke u shfaqur në mitingje dhe në televizion për ta mbrojtur atë. Ai pritet të mbajë të njëjtat role edhe në mandatin e dytë të Trump.

Bashkëshortja e tij, Lara Trump, e cila po përpiqet të bëjë karrierë si këngëtare, së fundmi dha dorëheqjen si nënkryetare e Partisë Republikane.

Një fëmijë i vetëm nga martesa e Trump me Marla Maples, Tiffany kishte bërë disa paraqitje publike në krah të babait të saj gjatë mandatit të tij të parë. 31-vjeçarja e diplomuar në drejtësi ka marrë pjesë në disa mitingje në vitin 2024, por planifikon të qëndrojë larg politikës, ndërkohë që sipas mediave amerikane, ajo është në pritje të një fëmije.

Gjatë mandatit të parë të Trump, nëna e tij Melania e mbrojti atë nga sytë e publikut, por tani 18-vjeçari Barron duket i gatshëm të fillojë rrugën e tij në politikë.

Një student në NYU në Nju Jork, fëmija më i vogël i Donald Trump ka qenë një pjesë e rëndësishme e strategjisë së republikanit për të tërhequr të rinjtë në 2024, duke përfshirë inkurajimin e tij për të intervistuar Andy Ross, një YouTuber i njohur.

Charles Kushner, babai i Jaredit, do të jetë ambasadori amerikan në Francë. Edhe pse u dënua për evazion fiskal dhe ryshfet për dëshmitarë, Trump e fali atë në vitin 2020.

Massoud Boulos, vjehrri i Tiffany Trump, do të jetë këshilltari i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme. sn

Shtëpia e Bardhë, si realizohet zhvendosja e presidentëve brenda vetëm gjashtë orëve

VOA Dora Mekouar

Kur Donald Trumpi të betohet si presidenti i 47-të i vendit, në Shtëpinë e Bardhë do të ndodhin një seri gjërash në prapaskenë. Për rreth gjashtë orë, sendet personale të Presidentit në largim Joe Biden dhe familjes së tij do të hiqen nga rezidenca ekzekutive. Ndërkohë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, rezidenca private do të shndërrohet në shtëpinë e presidentit të sapobetuar.

Në momentin që Joe Biden largohet nga Zyra Ovale për herë të fundit – zakonisht në mëngjesin e ditës së inaugurimit – punonjësit e Shtëpisë së Bardhë hidhen në veprim. Zyra e mirënjohur duhet të riorganizohet, sipas shijeve të presidentit të ardhshëm.

Si u pëlqen që të jetë e pajisur Zyra Ovale? Çfarë tapeti? Çfarë perdesh, çfarë tavoline, etj, sepse kjo është zona e parë që përgatitet“, thotë Angella Reid, ish-punonjëse në Shtëpinë e Bardhë.

Fotot tregojnë se Presidenti Biden ndryshoi tapetin dhe disa karrige në vitin 2017, pasi mori drejtimin nga Donald Trump-i – që është pararendësi dhe pasardhësi i tij.

Por duket se kolltukët dhe perdet kanë mbetur të njëjtat.

Familja e presidentit jeton në katin e dytë dhe të tretë të Shtëpisë së Bardhë.

Përpara ditës së zhvendosjes, presidenti i ardhshëm dhe zonja e parë përzgjedhin mobiljet dhe veprat e artit që dëshirojnë nga koleksioni i Shtëpisë së Bardhë. Në kohën kur presidenti i ri mbërrin në shtëpi në Ditën e Inaugurimit, i gjen të vendosura mobiljet, së bashku me fotot personale.

Kur hyjnë presidenti i ri dhe zonja e parë, ata gjejnë shampon e tyre të preferuar në dush. Kanë furçën e dhëmbëve, pastën e dhëmbëve, rrobat e tyre të varura në dollap“, thotë Kate Andersen Brower, autore e librit “Rezidenca” (“The Residence”).

Gjithçka ndodh në më pak se gjashtë orë dhe për këtë angazhohen rreth njëqind punonjës të Shtëpisë së Bardhë.

Nuk realizohet nga profesionistë të ndonjë firme private. Është personeli i rezidencës që e bën këtë. Pra ndihmojnë të gjithë dhe këta nuk janë njerëz që janë të trajnuar për zhvendosjen. Nuk punësohen profesionistë për shkak të shqetësimeve të sigurisë“, thotë zonja Brower.

Shumë nga personeli i rezidencës së Shtëpisë së Bardhë punuan për Donald Trump-in gjatë mandatit të tij të parë nga janari 2017 deri në janar 2021.

Pra, punonjësve vërtet u pëlqente Donald Trump-i, sepse ai është mësuar të ketë njerëz përreth që i shërbejnë // dhe, ai madje u jepte bakshish në para të thata, me kartëmonedha 20-ëshe dhe 50-ëshe dhe ata e vlerësojnë këtë. Ata nuk janë persona politikë. U intereson vetëm se si i trajton presidenti”, thotë zonja Brower.

Presidenti Barack Obama e punësoi zonjën Angella Reid si drejtuese për shërbimet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2011. Ajo mbikëqyri ditën e zhvendosjes në janar 2017, kur u largua familja Obama dhe hyri familja Trump.

Përdornim termin ‘kaos i organizuar’, por në të vërtetë është një operacion shumë i koordinuar. // Bëhen prova disa herë për atë ditë; të gjithë mezi presin të vijë momenti“, tregon zonja Reid.

Kishte disa probleme, si për shembull mund të përdorej vetëm një ashensor.

Ashensori nuk përdorej në maksimum. E korrigjova këtë dhe fituam një orë kohë. Kishte raste për shembull kur dysheku i caktuar për ndonjë dhomë nuk ishte në madhësinë e duhur“, thotë zonja Reid.

Por sfida kryesore është gjithmonë kufizimi kohor. Dhe ka vetëm rreth gjashtë orë për të bërë gjithçka gati, për ta mirëpritur familjen e re presidenciale në shtëpinë e tyre të re.

Presidenti i zgjedhur Trump premton plotësimin e zotimeve të tij një ditë para inaugurimit

VOA Marrë nga Reuters

Donald Trumpi tha të dielën në mbrëmje përpara përkrahësve të tij në Uashington një ditë përpara se të kthehet në Shtëpinë e Bardhë se do të vendosë kufizime të rrepta për emigracionin në ditën e tij të parë në detyrë, duke premtuar se do të përmbushë me shpejtësi premtimin kryesor të fushatës së tij.

“Nesër në perëndim të diellit, pushtimi i vendit tonë do të ketë marrë fund,” tha ai mes brohoritjeve të përkrahësve të tij në pallatin e sporteve dhe koncerteve “Capital One”.

Presidenti i zgjedhur Trump përsëriti zotimin e tij të fushatës për të ndërmarrë përpjekjen më të madhe të dëbimit në historinë e Shtetevr të Bashkuara.

Ishte fjalimi i tij i parë madhor në Uashington që nga fjalimi i tij më 6 janar 2021, para sulmit në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij.

Mijëra mbështetës të Presidentit të zgjedhur pritën në të ftohtë dhe shi për orë të tëra, për të marrë pjesë në tubimin e tij të fitores.

Zoti Trump ka thënë se do të falë shumë nga mbi 1500 personat e dënuar ose të akuzuar në lidhje me sulmin. Tubimi i së dielës i zotit Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të përcaktojë tonin e mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Një burim me dijeni për planet e tij tha se siguria kufitare do të zërë një vend të rëndësishëm në urdhrat e parë ekzekutivë të zotit Trump të hënën, të cilat ka të ngjarë të përfshijnë klasifikimin e karteleve të drogës si “organizata të huaja terroriste”, si edhe shpalljen e një situate emergjence në kufirin SHBA-Meksikë.

Më herët të dielën, Trump hëngri mëngjes me senatorët republikanë amerikanë pranë Shtëpisë së Bardhë.

Më pas ai vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit të dielën.

“Tubimi i Fitores për ta Bërë Amerikën Sërish Madhështore” filloi në orën 3 të pasdites në “Capital One Arena”, një stadium i brendshëm për lojërat e hokejit dhe basketbollit, si dhe një vend i caktuar për disa nga festimet e inaugurimit të së hënës, pas parashikimeve për mot të ftohtë të ashpër, që i shtynë zyrtarët të anulonin festimet e planifikuara në mjedise të hapura.

 

Radha e mbështetësve, shumë të veshur me xhaketat e kuqe të markës së njohur Trump dhe kapelet MAGA, shtrihej në disa blloqe në qendër të Uashingtonit. Disa thërrisnin “SHBA! SHBA!” dhe të tjerët flisnin me megafon ndërsa prisnin.

Zona të mëdha të kryeqytetit, përreth Kapitolit dhe Shtëpisë së Bardhë janë bllokuar nga gardhe çeliku që nga java e kaluar dhe ka patur një prani të shtuar të policisë në të gjithë zonën.

Tubimi i Presidentit të zgjedhur Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të japë një pamje të tonit që ai planifikon të mbajë gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Në javët e fundit, ai ka befasuar vendet aleate me shprehjen e mendimit për marrjen e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, si dhe shndërrimin e Kanadasë në një shtet të Shteteve të Bashkuara.

Emigracioni pritet të jetë objekt i veprimeve të para ekzekutive të Presidentit të zgjedhur Trump pas marrjes së detyrës, së bashku me çështjet e energjisë dhe politikat që synojnë promovimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, tha për kanalin televiziv CBS këshilltari i tij i ardhshëm për sigurinë kombëtare, Mike Waltz.

“Populli amerikan i dha atij një mandat të qartë. Mbyllni kufirin tonë, deportoni më të këqijtë e më të këqijve, përballuni me kartelet”, tha zoti Waltz në një intervistë për emisionin “Face the Nation”.

Axhenda e zotit Trump mendohet se ishte një tematikë e mundshme edhe gjatë mëngjesit të tij me senatorët republikanë në Blair House, godina përballë Shtëpisë së Bardhë, që përdoret për aktivitete të ndryshme. Senatorë kryesorë republikanë, si John Cornyn, Susan Collins, Ted Cruz, Rick Scott dhe Tim Scott ishin ndër të pranishmit që u panë duke u larguar nga aktiviteti të dielën.

Tubimi pritej të kishte ngjashmëri me fjalimet e lira që kanë qenë një element kryesor që nga fushata e tij e parë presidenciale në vitin 2016.


Send this to a friend