VOAL – UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama kritikoi qëndrimin “gjithnjë e më agresiv të Rusisë” ndaj Ukrainës, ku forcat qeveritare janë duke luftuar separatistët pro-rusë në lindje, qysh në prill të vitit të kaluar.
“Kemi pasur rastin të diskutojmë për situatën në Ukrainë dhe për sjelljen gjithnjë e më agresive që ka marrë Rusia”, ka thënë Obama, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Shtëpinë e Bardhë.
Ai po ashtu i ka bërë thirrje Rusisë që “të ndalojë mbështetjen e separatistëve dhe të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina”.
Vendet perëndimore dhe NATO-ja akuzojnë Rusinë se mbështet rebelët në Ukrainë me armë dhe trupa, por Moska i hedh poshtë këto akuza. rel
Qeveria e kryeministrit Péter Magyar do të hapë më 4 nëntor arkivat e shërbimeve sekrete të periudhës 1945–1989. Vendimi synon të hedhë dritë mbi rrjetin e survejimit të regjimit komunist, por historianët paralajmërojnë se dokumentet mund të zbulojnë histori të ndërlikuara familjare dhe bashkëpunime të imponuara përmes kërcënimeve…
Qeveria hungareze do të publikojë më 4 nëntor emrat e dhjetëra mijëra personave që shërbyen si informatorë të shërbimeve të sigurisë gjatë regjimit komunist. Sipas gazetës britanike The Guardian, autoritetet synojnë të përballen me të kaluarën e vendit dhe të forcojnë besimin e qytetarëve te institucionet demokratike.
Nga viti 1945 deri në vitin 1989, shërbimet hungareze të sigurisë përdorën një rrjet të gjerë informatorësh për të mbikëqyrur popullsinë dhe për të shtypur kundërshtimin politik. Disa bashkëpunëtorë vepruan nën kërcënime ose shantazhe, duke raportuar për fqinjët, miqtë, kolegët dhe madje familjarët e tyre. Të tjerë pranuan të bashkëpunonin në këmbim të përfitimeve personale.
Për dekada, autoritetet mbajtën të kufizuar qasjen në këto dokumente, të cilat ruhen në Arkivin Historik të Shërbimeve të Sigurisë Shtetërore në Budapest.
Kryeministri Péter Magyar premtoi gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të prillit se do t’i hapte arkivat. Në shtator, qeveria e tij miratoi legjislacionin që mundëson publikimin e dokumenteve. Sipas sondazheve të cituara nga The Guardian, më shumë se dy të tretat e hungarezëve e mbështesin këtë vendim.
Ministri i Marrëdhënieve Shoqërore dhe Kulturës, Zoltán Tarr, e mbrojti nismën duke theksuar se një shoqëri demokratike ka të drejtë të njohë të kaluarën e saj.
Historianët vlerësojnë se dokumentet përmbajnë emrat e rreth 50 mijë deri në 60 mijë personave, prej të cilëve vetëm rreth 10% besohet se janë ende gjallë.
Megjithatë, arkivat nuk ofrojnë një pasqyrë të plotë të veprimtarisë së secilit person. Autoritetet disponojnë dosje të hollësishme për rreth 9 mijë individë dhe planifikojnë t’i publikojnë ato në shkurt 2027, pasi të heqin të dhënat personale që mbrohen me ligj.
Një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve u shkatërrua gjatë kryengritjes antisovjetike të vitit 1956, ndërsa materiale të tjera u zhdukën gjatë tranzicionit politik të vitit 1989.
Historiani István Papp, drejtues i departamentit akademik të arkivit, e mbështet hapjen e dosjeve, por shpreh shqetësim për familjet që mund të zbulojnë për herë të parë përfshirjen e të afërmve të tyre në rrjetin e informatorëve.
Edhe Miklós Kiss, i mbijetuar i një kampi hungarez të punës së detyruar, beson se vendi duhej t’i kishte publikuar dokumentet shumë më herët, ashtu siç bëri Gjermania pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Gjermania Lindore hapi dosjet e policisë sekrete Stasi në vitin 1992, Republika Çeke në vitin 2003, ndërsa Letonia publikoi dokumente të ngjashme në vitin 2018.
Çështja mbetet e ndjeshme edhe për politikën hungareze. Që nga vitet 2000, lista jozyrtare kanë përfshirë emra politikanësh dhe artistësh të njohur, duke shkaktuar polemika dhe kriza politike. Shumë prej personave të përmendur i kanë mohuar akuzat.
Historiani Domokos Szokolay shpreson që publikimi i dokumenteve të mos shndërrohet në një proces poshtërimi publik, por të ndihmojë shoqërinë të kuptojë rrethanat në të cilat njerëzit bashkëpunuan me aparatin e sigurisë.
Sipas historianëve, një emër në arkiva nuk mjafton gjithmonë për të përcaktuar përgjegjësinë individuale, pasi dokumentet mund të mos tregojnë nëse bashkëpunimi ishte vullnetar, i imponuar apo sa informacion kishte dhënë personi përkatës.
Hapja e arkivave pritet t’u japë qytetarëve hungarezë mundësinë të mësojnë më shumë për mekanizmat e survejimit të regjimit komunist, ndërsa debati mbi përgjegjësinë historike dhe mbrojtjen e privatësisë mbetet i hapur./Pamfleti
Matthew Palmer, diplomati i njohur amerikan me përvojë të gjatë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, si ish Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Azinë, i cili ka luajtur një rol kyç në politikën e jashtme amerikane në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor në LinkedIn ka bërë një prononcim në lidhje me të ardhmen e Serbisë pas fitores të zgjedhjeve nga Listës Studentore, si më poshtë:
“Një parashikim i shkurtër, në cilësinë time si përfaqësues i CEPA-s*.
Lëvizja studentore në Serbi ishte thellësisht frymëzuese.
Faza tjetër – kalimi nga entuziazmi i protestave te puna konkrete e qeverisjes – do të jetë sfiduese.
Ky tranzicion ofron një mundësi reale për t’i dhënë një shtysë të re procesit të integrimit të Serbisë në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
Kjo do të kërkojë një ndjesi urgjence dhe mirëbesim nga të gjitha palët.
Momenti për ta nisur është tani.”
—-
*CEPA (shkurtim për Center for European Policy Analysis – Qendra për Analiza të Politikave Evropiane) është një institut kërkimor (think tank) jo-fitimprurës dhe jo-partiak me seli kryesore në Uashington, D.C. dhe qendra në Londër dhe Bruksel.
Në komunikimin me Voal.ch në lidhje me ndihmën ligjore që ju jep falas protestuesëve, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Kushtetutën dhe apeli që i drejton policisë, kemi këtë prononcim të Av.Lulzim Tanushit :
“Mbështetjen per protestuesit e kam nisur qe ne fillim të arrestimeve me daten 2 Korrik. Qe ne ditën e 3 kur nisi revolucioni Flamingom kam dalë vetë duke protestuar dhe ndihma ligjore prej meje per protestuesit ka qenë pa dallim aty dhe pa pagese per te vetmen arsye se na bashkon kauza e përbashkët dhe une ate kauzë e kam te shenjte. Une aty kam dalë se dua te ndryshojmë sistemin
Per mua kushdo që ka protestuar i jam mirënjohës sepse ndajmë njëjtën qëllim (flas ne parim se ka dhe aty njerez qe nuk kane interes per ndryshim sistemi as per te rrezuar kete qeveri)
Unë jam për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, si dhe për ndryshimin e sistemit rajonal proporcional aktual në proporcional kombëtar me lista te hapura, me formulën D’Hondt me prag 2 ose 3%. Une jam per ndryshimin e Kushtetutës, veçanërisht pjesen e mandatit te KM, jo me shume se 2 mandate per te shmangur pushtetin absolut dhe autoritar marrë dhe kontekstin historik dhe zonën ku jemi (mendesi ballkanase), dhe per mos me forcuar lidhjet e pushtetit ekzekutiv me grupe qe punojnë kundra interesit te kombit, ashtu sikurse dhe per mos lejuar qe pushteti ekzekutiv prej kreut te saj te dehur nga pushteti por dhe te kompromentuar te mos degradojnë ne piken qe te kapin pushtetet e tjera, sikurse po ndodh, dhe KM mos te mbaje peng te ardhmen e kombit per hallet e tij personale dhe as mos te shesë interesat strategjike te kombit. Ndër të tjera ndryshime ne Kushtetute është imuniteti i zyrtarëve të lartë si Kryeministër, ministra apo deputet, të balancohen kompetencat e presidentit, mënyra e zgjedhjes së tij, qe mos kemi nje president qe nuk shërben per asgje apo te jete i padobishëm ne rast krize politike, si dhe të përfshihet pjesa e referendumeve, si mekanizmi më drejtpërdrejtë i demokracisë. Këto janë disa prej elementëve domosdoshëm dhe mbi të gjitha të panegociueshëm që duhet të ndryshohen.
Ky ndryshim është thembra e Akilit sepse na eshte marre sovraniteti peng… sot nuk kemi perfaqesim real te vullnetit popullit…. askush nuk perfqesohet
E kam të rëndësishme te them pse jam ne proteste dhe pse kam suportuar protestën dhe protestuesit
Une aty s’jam pa qëllim, une jam per ndryshimin e sistemit me pika konkrete.
Deri tani kam mbështetur mbi 50 protestues, i ndjek procedurat deri në fund që nga arrestimi. Kemi disa vendime ku jane shpallur arrestimet e paligjshme. Kemi bere ankime ne apel per vendimet e tjera e tani jemi duke pritur.
Policisë i bën apel te respektojë vetem ligjin, të mos japin asnje urdhër paligjshëm, te mos i bindet asnje urdhëri te paligjshëm dhe zinxhiri komandues mos japë urdhëra të paligjshëm pasi nuk i përjashton nga përgjegjësia ligjore zbatimi urdherave të paligjshëm… Te referojnë dhe të dalin publikisht si sinjalizues nese jane urdhëruar ose jane ne dijeni te shkeljeve masive te ligjit, sepse aty ku punojnë eshte bere praktikë paligjshmeria, pasi kane mbrojtje ligjore si dhe në momentin qe ndalojnë dike dhe e neutralizojnë mos te ushtrojnë dhunë, asnje formë dhune, por te respektojnë te drejtat ligjore te tyre.”
Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, 15 vjet pasi ajo u vra me armë zjarri në Prishtinë.
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila bëri të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë, më 22 tetor 2026.
Përveç veprës penale të vrasjes, A.J. akuzohet edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë ka ndryshuar në këtë rast pas një dekade e gjysmë dhe çfarë e ka mundësuar ngritjen e aktakuzës pikërisht tani.
Sipas raportimeve të mëhershme, i akuzuari ndodhej në Spanjë dhe autoritetet kosovare kishin hasur në pengesa për ekstradimin e tij.
Radio Evropa e Lirë e pyeti Prokurorinë për arsyet e vonesës së aktakuzës, zhvillimet eventuale në hetime dhe vendndodhjen aktuale të të akuzuarit, por, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk mori përgjigje.
Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk konfirmoi nëse e ka pranuar aktakuzën dhe në cilën fazë ndodhet procedura gjyqësore.
Rasti i Diana Kastratit është kthyer në një shembull të dështimit institucional në mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.
Diana u vra vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata, e cila nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj – një mosveprim që Gjykata Kushtetuese më vonë e konstatoi si shkelje të së drejtës për jetë.
Vrasja dhe kërkesa për mbrojtje që mbeti pa përgjigje
Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar me armë zjarri në qafë, ndërsa i dyshuar për vrasjen ishte ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.
Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me A.J., për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013.
Pas paraqitjes së padisë, ajo ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.
Më 26 prill të atij viti, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente.
Sipas ligjit në fuqi, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve.
Por, kërkesa mbeti pa përgjigje.
Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.
Mosveprimi i gjykatës u bë më pas objekt i një beteje të gjatë ligjore, të nisur nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati.
Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të së drejtës për jetë
Në prill të vitit 2012, prindërit e Dianës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë kishte cenuar të drejtat themelore të vajzës së tyre.
Në shkurt të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë.
Në aktgjykimin e saj, ajo konstatoi se Gjykata Komunale kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente.
Sipas Kushtetueses, ky mosveprim përbënte shkelje të së drejtës për jetë, të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata konstatoi gjithashtu shkelje të së drejtës për mjete juridike, të garantuar me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në aktgjykim përmendet edhe një masë disiplinore ndaj gjyqtarit që kishte trajtuar kërkesën e Dianës.
Nga konstatimi i shkeljes te dëmshpërblimi
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, prindërit e Dianës vazhduan përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi nga shteti.
Në nëntor të vitit 2013, Gëzim dhe Makfire Kastrati ngritën padi kundër institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre dhe mosveprimi i autoriteteve për ta mbrojtur.
Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që Republika e Kosovës t’u paguante prindërve të Dianës 95 mijë euro dëmshpërblim për vuajtjet shpirtërore.
Megjithatë, pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, Gjykata e Apelit e uli shumën e dëmshpërblimit në 30 mijë euro në shkurt të vitit 2023.
Sipas vendimit të Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës u detyruan ta paguanin këtë shumë në mënyrë solidare.
Pse i dyshuari nuk është sjellë para drejtësisë?
Për vite me radhë, pamundësia e ekstradimit të të dyshuarit nga Spanja kishte qenë një nga pengesat kryesore për procedimin e rastit të vrasjes së Diana Kastratit.
Në maj të vitit 2022, organizata QIKA raportoi se Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin konfirmuar se Spanja kishte refuzuar ekstradimin e të dyshuarit në Kosovë.
Sipas QIKA-s, Prokuroria kishte pezulluar hetimet për këtë rast.
Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Ngritja e aktakuzës tani shënon një zhvillim të ri në rastin që ka mbetur pa epilog penal për 15 vjet.
Ajo, megjithatë, nuk nënkupton shpalljen fajtor të të akuzuarit, i cili prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
IKD: Pengesat për ekstradim nuk duhet ta arsyetojnë pritjen e pakufizuar
Arrita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se vonesa prej 15 vjetësh në ngritjen e aktakuzës për vrasjen e Diana Kastratit ngre shqetësime për aftësinë e sistemit të drejtësisë për të vepruar në kohë, ndonëse një pjesë e saj mund të shpjegohet me pengesat për ekstradimin e të dyshuarit nga Spanja.
Sipas saj, institucionet duhet të sqarojnë se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë gjatë këtyre viteve për sigurimin e pranisë së të akuzuarit, përfshirë nëse kanë lëshuar fletarrestim ndërkombëtar dhe nëse kanë shfrytëzuar mekanizmat e bashkëpunimit juridik e policor.
Rezniqi përmend ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Spanja në gusht të këtij viti, si dëshmi se pengesat politike nuk e përjashtojnë domosdoshmërisht bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Pengesat e mëhershme nuk duhet të trajtohen si të pandryshueshme dhe as të shërbejnë si arsyetim për pritje të pakufizuar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Rezniqit, ngritja e aktakuzës në mungesë mund të jetë mundësuar nga ndryshimet në legjislacionin procedural penal, të cilat krijojnë hapësirë që procedura të ecë përpara edhe kur i pandehuri nuk është i qasshëm për organet e drejtësisë.
Ajo paralajmëron se vonesa të tilla rëndojnë vuajtjet e familjarëve, mund të vështirësojnë administrimin e provave dhe minojnë besimin në institucione.
“Pezullimi i hetimeve nuk duhet të shndërrohet në harresë institucionale”, thekson Rezniqi.
Aktakuza në kohën e një tjetër rasti që tronditi Kosovën
Aktakuza për vrasjen e Diana Kastratit vjen në kohën kur Kosova po përballet me reagime të shumta pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Pejë, për të cilën dyshohet ish-kunati i saj.
Edhe Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Gjetjet preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) nxorën në pah një varg lëshimesh në trajtimin e rastit.
Sipas IPK-së, Policia nuk kishte dokumentuar ekzekutimin e një urdhri mbrojtës të lëshuar më 7 shtator, ndërsa një urdhër tjetër, i 16 tetorit, ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë.
Po ashtu, drejtuesit policorë në Pejë nuk kishin trajtuar një kërkesë të hetuesit për rivlerësimin e rrezikut dhe shtimin e masave të sigurisë për Zekajn.
Pas vrasjes, një varg zyrtarësh policorë dhe prokurorësh u pezulluan nga detyra, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor, duke e cilësuar vendimin si akt të përgjegjësisë morale.
Kuvendi i Kosovës ka themeluar edhe një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast.
Megjithëse rrethanat e dy vrasjeve janë të ndryshme, të dyja rastet kanë ngritur pyetje për efektivitetin e institucioneve në mbrojtjen e grave që raportojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë.
Është shtyrë për më 17 nëntor ora 10 seanca për Erion Veliaj dhe të pandehurit e tjerë për shkak të mungesës së disa avokatëve.
Gazetari Fatjon Gjinaj njofton se gjykata lexoi shkresën e Erion Veliaj të nisur nga paraburgimi i Fierit.
“Siç jeni vënë në dijeni nga mediat ditët e fundit, unë jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi policësh pa më thënë se ku do më dërgonin, pa dijeninë time, 100 km larg gjykatës ku po gjykohem dhe larg gruar me dy të mitur dhe nënës time pensioniste. Toni Gogu më ka vizituar pas transferimin dhe më ka thënë që kjo ka ndodhur me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Më ka thënë që prokurorët ishin gati të shtonin akuza deri tek ajo e prishjes së rendit kushtetues. Kjo si ndëshkim që kam mbështetur protestën e flamingove dhe studentëve, por kjo është e vërtetë aq sa është i vërtetë kallëzimi i Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Kërkoj nga gjykata të marrë masat e duhura për ta verifikuar këtë që ka ndodhur”
Gjykata relatoi se burgjet nuk e kanë vënë në dijeni për transferimin drejt Fierit. Gjykojmë se nuk është kompetencë e jona, sa i takon pretendimeve se transferimi është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, të ndjek rrugën institucionale, nuk është objekt i këtij gjykimi. I takon organeve kompetente të verifikojnë pretendimet e tij.
Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar për mediat pas shtyrjes së seancës gjyqësore, ku Veliaj nuk ishte i pranishëm.
Ndreca ka folur edhe për takimin mes Veliajt dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në ambientet e burgut.
Sipas avokatit, ministri ka shkuar për të takuar Veliajn rreth orës 22:30 dhe ka qëndruar me të për rreth një orë e gjysmë në zyrën e drejtorit të burgut.
Ai theksoi se Veliaj nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë për të takuar ministrin, ndërsa shtoi se nëse Gogu kishte si qëllim inspektimin e kushteve në institucionin e vuajtjes së dënimit, duhej ta kryente këtë detyrë në mënyrë zyrtare dhe i shoqëruar nga inspektorët përkatës.
“Nuk ka kërkesë nga Veliaj për ta takuar Gogun. Ai nuk mund të shkojë në orën 22:30 të darkës. Nëse do të shkonte për zbatimin e detyrës, duhet të shkonte në mënyrë zyrtare, jo të takonte për një orë e gjysmë një person nën hetim në zyrën e drejtorit të burgut. Nëse ka qëllim të inspektojë kushtet në burg, duhet të shkojë me inspektorë”, u shpreh Ndreca. bw
Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga gjithsej 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE.
Radio Evropa e Lirë
Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të dhjetorit 2026, ndërsa marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027.
Këto afate parashihen në një plan paraprak të Komisionit Evropian.
Plani është pjesë e një udhërrëfyesi që Komisioni Evropian pritet ta publikojë më 4 nëntor për katër vendet që kanë përparuar më së shumti drejt anëtarësimit në BE: Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.
Sipas dokumentit që siguroi Radio Evropa e Lirë, Mali i Zi pritet t’i mbyllë kapitujt e mbetur të negociatave gjatë dy konferencave ndërqeveritare, në nëntor dhe dhjetor të këtij viti.
Më pas, në pranverën e vitit 2027, pritet të përfundojë hartimi i marrëveshjes së anëtarësimit, e cila mund të nënshkruhet deri në verë, mundësisht në qershor.
Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga gjithsej 33 kapitujt e negociatave.
Të paktën edhe një kapitull pritet të mbyllet deri në fund të kësaj jave.
Komisioni Evropian, megjithatë, thekson se këto afate nuk janë përfundimtare.
Sipas tij, përparimi i negociatave do të varet nga sa shpejt Mali i Zi i përmbush kushtet për anëtarësim.
Komisioni sqaron, gjithashtu, se plani nuk garanton përfundimin e negociatave apo nënshkrimin e marrëveshjes brenda afateve të parashikuara.
Vendimet përkatëse do të varen edhe nga institucionet e BE-së, përfshirë Këshillin e BE-së, Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian.
Dy konferenca ndërqeveritare deri në fund të vitit
Mali i Zi synon t’i mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti. Për këtë qëllim, janë planifikuar dy konferenca ndërqeveritare, në nëntor dhe dhjetor.
Sipas udhërrëfyesit të Komisionit Evropian, në konferencën e nëntorit pritet të mbyllen përkohësisht pesë kapituj:
Energjia
Politika e transportit
Siguria ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare
Tatimet
Lëvizja e lirë e mallrave
Komisioni planifikon që konferencat e fundit ndërqeveritare të mbahen në dhjetor, kur pritet të mbyllen kapitujt e mbetur:
Shërbimet financiare
Politika rajonale dhe koordinimi i fondeve strukturore
Mjedisi dhe ndryshimet klimatike
Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes
Dispozitat financiare dhe buxhetore
Gjyqësori dhe të drejtat themelore (kapitulli 23)
Drejtësia, liria dhe siguria (kapitulli 24)
Institucionet dhe çështjet e tjera (kapitujt 34 dhe 35)
Kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me sundimin e ligjit, Mali i Zi i ka hapur që në vitin 2013.
Këta janë ndër kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit, pasi përparimi në ta ndikon në ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Sipas rregullave të BE-së, ata hapen ndër të parët dhe mbyllen të fundit.
Prandaj, edhe në planin e Komisionit Evropian, mbyllja e tyre është paraparë në fazën përfundimtare të negociatave.
Në paketën e zgjerimit, që Komisioni Evropian do ta publikojë të mërkurën, vlerësohet se Mali i Zi ka vazhduar të shënojë përparim në reformat që lidhen me të drejtat themelore, duke përmbushur kriteret përfundimtare për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24.
Megjithatë, mbyllja e kapitujve është e përkohshme.
Sipas rregullave të negociatave, marrëveshja për secilin kapitull nuk konsiderohet përfundimtare derisa të arrihet një marrëveshje e përgjithshme për të gjithë kapitujt.
Drafti i marrëveshjes së anëtarësimit në pranverën e vitit 2027
Komisioni Evropian parashikon që hartimi i marrëveshjes për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian të përfundojë në pranverën e vitit 2027.
Për ta arritur këtë, Komisioni duhet ta paraqesë pjesën e mbetur të draftit në fillim të vitit të ardhshëm.
Për hartimin e marrëveshjes është duke punuar një grup i posaçëm pune, i themeluar në prill, i cili mblidhet pothuajse rregullisht në Bruksel.
Më pas, teksti i marrëveshjes duhet të harmonizohet dhe të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe Mali i Zi.
Ai duhet, gjithashtu, të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së dhe në gjuhën malazeze.
Nënshkrimi i marrëveshjes në qershor 2027
Sipas planit paraprak, marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027.
Por, përpara nënshkrimit duhet të përmbushen disa kushte:
Legjislacioni themelor i BE-së duhet të përkthehet në gjuhën malazeze dhe përkthimi të rishikohet nga Këshilli i BE-së.
Komisioni Evropian duhet të japë mendim pozitiv për anëtarësimin e Malit të Zi.
Parlamenti Evropian duhet të japë pëlqimin për anëtarësimin.
Këshilli i BE-së duhet të miratojë vendimin për pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Mbikëqyrje deri në anëtarësim dhe mundësi për shtyrjen e tij
Marrëveshja e anëtarësimit të Malit të Zi pritet të jetë e para e një gjenerate të re marrëveshjesh, që do të përmbajnë mekanizma më të rreptë mbrojtës, në përputhje me politikën e re të paraanëtarësimit, të publikuar nga Komisioni Evropian më 30 shtator.
Marrëveshja parasheh që BE-ja të vazhdojë ta monitorojë Malin e Zi deri në ditën kur ai të bëhet anëtar i saj.
Për këtë qëllim, dy herë në vit do të përgatiten raporte në formë tabelash për të vlerësuar përparimin e vendit.
Nëse gjatë kësaj periudhe Mali i Zi shënon hapa prapa në përmbushjen e kushteve dhe masat për korrigjimin e problemeve nuk japin rezultat, BE-ja mund ta shtyjë anëtarësimin e tij, si masë të fundit.
Pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe nga Mali i Zi.
Kroacia, vendi i fundit që iu bashkua Bashkimit Evropian, e nënshkroi marrëveshjen e anëtarësimit në dhjetor të vitit 2011, ndërsa u bë anëtare më 1 korrik 2013.
Qeveria e Malit të Zi ka vendosur si objektiv që vendi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.
Deri vonë pothuajse të pamposhtur në pushtet, sot të mundur politikisht, Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban u shfaqën së bashku në rrjetet sociale me një mesazh: “Do të rikthehemi”.
Ish-presidenti i Serbisë dhe ish-kryeministri i Hungarisë e humbën pushtetin në zgjedhjet e këtij viti – Vuçiq pas 14 vjetësh, ndërsa Orban pas 16 vjetësh.
Këta dy politikanë populistë, që kanë bashkëpunuar ngushtë ndër vite, kanë shumë të përbashkëta.
Humbjeve të tyre zgjedhore u paraprinë akuzat e kundërshtarëve politikë për korrupsion të përhapur, keqpërdorim të pushtetit, pasurim të paligjshëm dhe vënie të institucioneve shtetërore nën kontroll politik.
Megjithatë, siç vlerëson për Radion Evropa e Lirë Millan Niç, hulumtues i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, dallimi i parë mes tyre vërehet në mënyrën se si reaguan pas humbjes në zgjedhje.
“Viktor Orban, praktikisht, u zhduk nga skena publike për një javë. Ai udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për një kampionat futbolli. Kjo kishte pasoja të rënda për moralin e partisë së tij, Fidesz. Partia dukej e demotivuar dhe nuk ishte e qartë se kush po e drejtonte në të vërtetë”, thotë Niç.
Sipas tij, mbështetja publike për Fideszin ra ndjeshëm pas zgjedhjeve, me rreth 10 deri në 15 për qind.
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Niç thotë se Vuçiq arriti ta shmangte këtë gabim.
“Nëse e ndiqni komunikimin e tij publik, do të shihni se ai u drejtohet kryesisht votuesve të vet, strukturave partiake dhe rrjeteve të ndryshme joformale të lidhura me sistemin e tij politik”, thotë ai.
Edhe pse pushteti mbetet formalisht në duart e Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit deri në formimin e Qeverisë dhe Parlamentit të ri, ditët pas zgjedhjeve u karakterizuan nga shtimi i aktiviteteve të prokurorive, arrestime të zyrtarëve të lartë të policisë dhe hetime mbi punën e institucioneve shtetërore.
“Miq në kohë të vështira”
Një javë pas zgjedhjeve në Serbi, Orban e vizitoi Vuçiqin në shtëpinë e prindërve të tij, në periferi të Beogradit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ata thanë se “miqtë e vërtetë bëhen edhe më të afërt në kohë të vështira”.
Sa u përket përfitimeve që mund t’i kenë dy liderët populistë nga bashkëpunimi politik, tani kur janë në opozitë, Niç thotë se ngjashmëritë mes sistemeve të tyre politike i shtyjnë ta vazhdojnë atë bashkëpunim.
“Kjo është në interesin e të dyve, sepse kanë edhe marrëdhënie të ngushta personale. Mendoj se vazhdimi i bashkëpunimit të tyre nuk duhet ta befasojë askënd”, thotë ai.
“Por, duhet pasur parasysh se ata kanë mësuar nga njëri-tjetri shumë kohë përpara këtyre zhvillimeve politike. Kanë shkëmbyer përvoja, përfshirë edhe strategjitë zgjedhore, por kjo nuk i ka ndaluar të pësojnë humbje politike”, thotë Niç.
Çfarë i bashkon?
Politikat populiste, mbështetja e ndërsjellë dhe lidhjet e ngushta që Orban dhe Vuçiq i theksojnë vazhdimisht në publik.
Vuçiq dhe Orban duke ngrënë byrek në një furrë buke në Suboticë, në veri të Serbisë, më 27 nëntor 2025.
Po ashtu, të dy janë përballur me kritika të ashpra nga Brukseli për cenimin e demokracisë në vendet e tyre.
Jozef Makai, gazetar i gazetës Atlatszo dhe ligjërues në Universitetin Kodolanyi në Sekeshfehervar, thotë se bëhej fjalë për regjime hibride, ku ekzistonte një “fasadë e demokracisë”, ndërsa shteti dhe mediat ishin vënë nën kontroll politik.
“Të dyja sistemet mbështeteshin te një lider i fortë, nacionalist, që pretendonte se mbronte interesat e shtetit dhe të kombit”, thotë ai, duke theksuar se, pavarësisht ngjashmërive, këto dy regjime nuk ishin identike.
Një tjetër e përbashkët e tyre është miqësia dhe bashkëpunimi me presidentin rus, Vladimir Putin, presidentin kinez, Xi Jinping, si dhe me ish-presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
Dy ish-liderët i lidhin edhe projektet e përbashkëta mes dy shteteve, të cilat u shoqëruan me akuza për mungesë transparence, korrupsion dhe marrëveshje të arritura përmes lidhjeve personale.
Një prej tyre ishte modernizimi i linjës hekurudhore Budapest-Beograd, i realizuar nga një kompani kineze në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara me qeveritë e të dyja vendeve.
Qeveritë e reja në Serbi dhe Hungari kanë paralajmëruar se do t’i rishikojnë kontratat dhe marrëveshjet e arritura nga paraardhësit e tyre.
Çfarë ndryshoi në Hungari pas ndërrimit të pushtetit?
Në muajt pasi Peter Magyar dhe partia e tij, Tisza, morën pushtetin, nisi procesi i përcaktimit të përgjegjësisë së ish-zyrtarëve shtetërorë.
Me vendim të Parlamentit hungarez, u themelua Zyra Kombëtare për Rikthimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë.
Kjo zyrë ka kompetencën dhe detyrën të hetojë keqpërdorimet dhe menaxhimin jotransparent të fondeve publike, si dhe të rikthejë në pronësi të shtetit pasurinë që është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.
Në tetor u arrestua ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Gyorgy Matolcsy, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Orbanit.
Ai u arrestua nën dyshimet për mashtrime financiare dhe keqpërdorim të fondeve publike.
“Kjo ishte e paimagjinueshme. Nëse dikush do të më thoshte se, para zgjedhjeve, kishte menduar që Matolcsy do t’i kalonte Krishtlindjet e këtij viti në paraburgim, do ta kisha të vështirë ta besoja”, thotë Makai.
Sipas tij, është joreale të pritet që të gjithë ata që “e kanë plaçkitur shtetin për 16 vjet”, të përfundojnë në burg brenda natës.
“Nuk mund të hapësh një rast dhe të thuash se po e gjykojmë Orbanin, sepse ishte kryeministër për 16 vjet dhe krijoi sistemin që krijoi. Kjo nuk është drejtësi revolucionare, por shtet ligjor që bën punën e vet. Secili duhet të gjykohet në një rast të veçantë dhe kjo kërkon kohë”, thotë ai.
Hungaria është bërë, gjithashtu, pjesë e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), duke hapur rrugën për hetimin e pretendimeve për keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian gjatë qeverisjes së Orbanit.
A po ngushtohet rrethi i Orbanit?
Makai kujton “aferën e konvojit të arit” të marsit të këtij viti, kur njësia kundër terrorizmit (TEK), në prag të zgjedhjeve parlamentare, ndaloi automjetet e blinduara të bankës shtetërore të kursimeve të Ukrainës, të cilat po transportonin para dhe ar nga Austria drejt Ukrainës, sipas procedurave të zakonshme.
Zyrtarët ukrainas u ndaluan dhe rasti u bë një nga temat kryesore të fushatës zgjedhore të Orbanit, gjatë së cilës ai e akuzonte Ukrainën për ndërhyrje në zgjedhje.
Hetimet e zhvilluara pas ndryshimit të pushtetit konstatuan se veprimet e autoriteteve hungareze, kishin qenë të pabazuara.
Më pas nisi një hetim për të verifikuar dyshimet se ish-kryeministri hungarez kishte urdhëruar personalisht sekuestrimin e ngarkesës.
“Po shohim se ky ishte një operacion në shërbim të zgjedhjeve dhe fushatës elektorale. Ky është një rast ku hetimet i janë afruar mjaft Orbanit dhe mendoj se mund ta vënë në një pozitë shumë të vështirë”, thotë Makai.
Ai shton se është “e vështirë të thuhet” nëse Orban sot ndihet i qetë në vendin e tij, duke pasur parasysh hetimet që po zhvillohen për keqpërdorimin e fondeve publike.
“Por, ajo që shohim është se vajza dhe dhëndri i tij janë zhvendosur në Londër. Ata kanë filluar gjithashtu të shesin një pjesë të perandorisë së tyre të biznesit”, thotë Makai.
“Mendoj se po përpiqen të tërhiqen dhe kjo mund të jetë një shenjë se duan të jenë diku tjetër, ku ndoshta ndihen pak më të sigurt”, sipas tij.
Çfarë po ndodh në Serbi pas zgjedhjeve?
Në ditët e para pas humbjes zgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe, nisën hetimet për punën e deritanishme të institucioneve publike.
Po ashtu, u ndalua Davor Macura, pronar i Alta Bankës, me seli në Beograd.
Macura, i afërt me Partinë Përparimtare Serbe, është një nga katër biznesmenët serbë për të cilët kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve, përmes një letre drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Dy ditë para arrestimit të tij, Banka Qendrore e Serbisë ia hoqi Alta Bankës licencën e operimit.
Autoritetet konstatuan se gjendja financiare e Alta Bankës ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe se mund të përkeqësohej edhe më tej.
Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë nisi të hetojë dyshimet për transferimin e parave të bankës jashtë vendit.
Vetë Vuçiq deklaroi se nuk i frikësohet arrestimit, pasi, sipas tij, nuk ka nënshkruar dokumente apo marrë vendime që lidhen me paratë.
“Unë nuk nënshkruaj asgjë dhe nuk merrem fare me çështje që kanë të bëjnë me paratë. Prandaj, nuk mund të gjendet asgjë kundër meje në këtë drejtim”, tha Vuçiq më 1 nëntor për televizionin Pink, i cili prej vitesh mbështet Partinë Përparimtare Serbe.
Sipas Niçit, përshtatja me rrethanat e reja politike ka qenë më e vështirë për Orbanin sesa për Vuçiqin.
“Vuçiq ka më shumë mundësi ta ruajë ndikimin e tij politik, sepse ende nuk e ka lëshuar plotësisht pushtetin”, thotë ai.
“Ajo që ndodhi në Hungari brenda një muaji apo një muaji e gjysmë pas zgjedhjeve, ndoshta do të ishte skenari më i mirë i mundshëm për Serbinë dhe Listën Studentore. Në Hungari, Fidesz ia dorëzoi vërtet Qeverisë së re ministritë dhe administratën shtetërore. Pra, kishte një dorëzim të plotë të pushtetit”, shton Niç.
Kundërshtarë të ndryshëm politikë
Si regjimi i Vuçiqit, ashtu edhe ai i Orbanit, u karakterizuan nga “dobësimi dhe pothuajse zhdukja e opozitës tradicionale”, thotë Makai.
“Më pas, në Serbi u shfaqën studentët, ndërsa në Hungari Peter Magyar. Ata arritën ta tronditnin sistemin, duke i vënë papritur pushtetet e atëhershme përballë një sfide të re, së cilës nuk dinin si t’i përgjigjeshin”, thotë Makai.
Megjithatë, kundërshtarët politikë që i mundën në zgjedhje, dallojnë nga njëri-tjetri.
Orbanin dhe partinë e tij, Fidesz, i mundi një ish-bashkëpartiak i tij.
Dy vjet para zgjedhjeve, Magyar u distancua nga partia në pushtet, të cilën e akuzoi për korrupsion dhe përhapje të propagandës.
Në zgjedhje, ai udhëhoqi partinë proevropiane të qendrës së djathtë, Tisza, e cila shënoi fitore bindëse.
Në anën tjetër, regjimin e Vuçiqit e mundi një lëvizje studentore, pa një udhëheqës të qartë dhe pa përvojë të mëparshme politike.
Studentët i përzgjodhën kandidatët e tyre në mbledhje të hapura studentore, nga radhët e profesorëve universitarë, mësimdhënësve, juristëve, fermerëve, artistëve dhe sportistëve.
Protestat u nxitën nga vdekja e 16 personave, pas shembjes së një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, vetëm katër muaj pasi stacioni ishte përuruar për herë të dytë pas rinovimit.
Në të dyja ceremonitë e përurimit morën pjesë zyrtarë shtetërorë, ndërsa në të parën ishin të pranishëm edhe Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban.
Kontribuoi: Millosh Teodoroviq; përktheu: Valona Tela
Në një reportazh të ‘Channel 5’ me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, ku u trajtua gjerësish protestat e Flamingove, foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili u vu në vështirësi kur u pyet në lidhje me akuzat për lidhje me krimin dhe korrupsionin. Madje ai braktisi edhe intervistën.
Po në atë reportazh foli edhe deputetja e pavarur, Marjana Koçeku, e cila komentoi projektin e Zvërnecit.
Koçeku thekson se bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kombëtare, pasi Zvërneci është një zonë e mbrojtur me vlera të jashtëzakonshme mjedisore, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin e Mesdheut.
Po ashtu, deputetja Koçeku ka ngritur edhe shqetësimin e moskonsultimit me qytetarët për projektet me rendesi kombetare.
“Kjo po ndodh në Zvërnec, bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kombëtare, që lidhet me një zonë të mbrojtur, një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Mesdheun. Kjo zonë karakterizohet nga një biodiversitet unik dhe habitate të veçanta që strehojnë specie të rrezikuara. Pra, e gjithë kjo po ndodh në një hapësirë kaq të veçantë, e cila përmban monumente natyrore për krijimin e të cilave janë dashur shekuj, por që tani gjendet papritur nën presionin e investitorëve të huaj, pa u marrë fare mendimi i njerëzve”, ka deklaruar deputetja. Panorama
Opozita mund Partinë Socialiste në Tiranës. Këto janë të dhënat e nxjerra nga një sondazh më i fundit i bërë për llogari të Syri-t.
Sondazhi tregon të dhëna interesantë të rritjes së partive opozitare, ku duket qartë se Partia Demokratike me koalicionin e saj, së bashku me partitë “Shqipëria Bëhet” dhe partia “Mundësia” janë fituese në Tiranë me 48.5%, kundrejt 42% të Partisë Socialiste.
Prej muajsh, Shqipëria ndodhet në një krizë të rëndë politike, ndërsa mijëra nxënës të shkollave të mesme, studentë dhe pedagogë universitetesh janë ngritur në protesta dhe revoltë kundër qeverisë së Edi Ramës. Protestës i është bashkuar edhe Partia Demokratike dhe forca të tjera politike.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të pranuara nga të gjitha palët.
Në këtë klimë të tensionuar politike, kompania e njohur italiane e sondazheve, “Istituto Demoscopico”, e njohur edhe si “NOTO”, ka realizuar një sondazh ekskluziv për SYRI-n, ku ka pyetur qytetarët se për cilën parti politike do të votonin nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin ditën kur ata janë intervistuar.
Sondazhi është realizuar në periudhën 18–27 tetor 2026, në një kohë kur vendi po përjetonte protestat dhe revoltën studentore, si dhe përshkallëzimin e krizës politike. Kampioni i sondazhit përbëhet nga 2,000 qytetarë të intervistuar. Nga përpunimi i të dhënave është evidentuar mbështetja për partitë politike opozitare dhe partinë në pushtet. Marzhi i gabimit të sondazhit është plus/minus 3.3%.
Sipas rezultateve të sondazhit të realizuar nga NOTO për SYRI-n, mbështetja për partitë politike paraqitet si më poshtë:
• Partia Socialiste e Shqipërisë: 42%
• Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike: 37.5%
• Partia Mundësia: 6%
• Nisma dhe Shqipëria Bëhet: 5%
• Lëvizja Bashkë: 4%
• Koalicioni i Djathtë për Zhvillim (DZH): 2%
• Partia Socialdemokrate: 1.5%
• Koalicioni Euro-Atlantik (KEA): 1%
• Lëvizja Atdheu (LA): 0.5%
• Partia Aleancë Kombëtare Shqiptare: 0.3%
• Partia Aleanca për Demokraci dhe Drejtësi (ADR): 0.2%
TIRANË- Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar se pas arrestimit dhe situatës së krijuar ndaj kryebashkiakut të Tiranës qëndron kryeministri Edi Rama. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” nëse Veliaj ka dyshime se pas arrestimit të tij qëndron Rama, Ndreca u përgjigj shkurt: Po.
Avokati argumentoi se dyshimet e tij lidhen me zhvillimet gjatë gjithë procesit, duke veçuar si provë sjelljen pas transferimit të Veliajt dhe qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë. I pyetur nëse ekziston një konflikt mes Erion Veliajt dhe ish-zv.kryeministres, Belinda Ballukut, Ndreca u shpreh se nuk ka informacion për një përplasje mes tyre.
Avokati foli gjithashtu për ndikimin që situata e krijuar mund të ketë në të ardhmen politike të Veliajt brenda Partisë Socialiste. Ai tha se nuk ka informacion se cili do të jetë qëndrimi i tij politik në vijim, pasi nuk kanë diskutuar për këtë çështje.
Megjithatë, Ndreca e cilësoi situatën si një moment tronditës edhe për të si socialist, duke kujtuar se Veliaj vijon të jetë anëtar i Kryesisë së PS-së, drejtues politik i qarkut Tiranë dhe kryetar i PS-së së Tiranës. Ai theksoi se nuk mund të parashikojë se si do të sillet Veliaj politikisht në vijim, pasi nuk kanë pasur komunikime për këtë çështje.
Pjesë nga intervista:
Gazetari Blendi Fevziu: A ka dyshime Veliaj që mbas dënimit, mbas arrestimit i qëndron Rama?
Ndreca: Sapo e thashë po.
Gazetari: Po. Ku i mbështet këto dyshime?
Ndreca: Këto janë dyshime të gjithë procesi dhe prova fundore është sjellja mbas transferimit dhe sjellja e ministrit të Drejtësisë, i cili ka thënë hapur.
Gazetari: A ka një konflikt mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut?
Ndreca: Nuk kam informacion që ka një konflikt.
Gazetari: Ndërkohë, cili do të jetë qëndrimi i Veliajt, se ju ndoshta se dini, nga qelia në raport me të qenit një prej drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste? Është kryetar i Bashkisë së Tiranës i zgjedhur dhe anëtar i Partisë Socialiste, anëtar i lartë i Partisë Socialiste. Cili do jetë vijimi i mëtejshëm i tij?
Ndreca: Nuk kam një informacion se çfarë sjellje politike do ketë në vijim zoti Veliaj, por ajo që mund të them është që kjo, kjo situatë apo ky moment është vërtet një moment tronditës edhe për mua si socialist dhe për një prej personave që ne bashkë kemi qenë shpesh në debate ku unë kam mbrojtur PS.
Gazetari: Po, ju e keni mbrojtur kauzat e PS-së edhe kur kanë qenë pak të pambrojtshme, po.
Ndreca: OK, ky është diskutim tjetër, por unë kam qenë këtu për të mbrojtur Partinë Socialiste, pra jam përfaqësues i Partisë Socialiste, kam qenë deputet i Partisë Socialiste dhe realisht është një moment tronditës si për mua si socialist, jo vetëm si avokat i zotit Veliaj, por sigurisht edhe për zotin Veliaj, i cili është anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste sot që flasim, është drejtuesi politik i qarkut Tiranë sot që flasim dhe është kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës sot që flasim, përveç se kryetar i Bashkisë së votuar nga socialistët e Tiranës. Dhe për rrjedhojë, patjetër që do ketë efekte edhe në sjelljen politike të zotit Veliaj. Se si zoti Veliaj do komportohet në vijim, nuk kam informacion, se s’kemi folur./Dosja.al
Amerikanët u drejtohen sot, më 3 nëntor, kutive të votimit në zgjedhjet e mesmandatit, të cilat do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit dhe mund t’ua ndryshojnë rrjedhën dy vjetëve të mbetur të presidencës së Donald Trumpit.
Mbi 50 milionë amerikanë kanë votuar tashmë para ditës së zgjedhjeve, ndërsa miliona të tjerë pritet të votojnë gjatë së martës.
Zgjedhjet zhvillohen në një kohë kur presidenti Trump përballet me pakënaqësi për koston e lartë të jetesës, politikat tregtare dhe luftën me Iranin.
Sipas BBC-së, sondazhet e fundit e vendosin mbështetjen për Trumpin në rreth 30 për qind, ndërsa disa gara që dikur konsideroheshin të sigurta për republikanët, janë bërë më konkurruese.
Edhe pse Trump nuk është vetë kandidat, rezultati do të përcaktojë nëse republikanët do ta ruajnë kontrollin e Kongresit apo demokratët do të fitojnë mundësi më të mëdha për ta kundërshtuar agjendën e tij.
Fushata përfundon me gara të forta në disa shtete
Kandidatët republikanë dhe demokratë i bënë të hënën thirrjet e fundit për vota, me tubime në shtete si Teksasi, Miçigani dhe Ajova.
Trump e përmbylli fushatën me një fjalim në Uashington, ku deklaroi se republikanët kanë bërë përpjekje të mëdha për të siguruar mbështetjen e votuesve.
Presidenti tha gjithashtu se ka mbajtur 31 tubime gjatë 27 ditëve të fundit, krahas angazhimeve të shumta telefonike në mbështetje të kandidatëve republikanë.
Teksasi dhe Miçigani, ndër garat që po ndiqen me vëmendje
Një nga garat më të rëndësishme zhvillohet në Teksas, ku demokrati James Talarico përballet me republikanin Ken Paxton për një vend në Senat.
Asnjë demokrat nuk ka fituar zgjedhje në nivel shteti në Teksas që nga viti 1988, por sondazhet e fundit tregojnë një garë të ngushtë mes dy kandidatëve.
Në tubimin e fundit në Austin, Talarico kritikoi tarifat tregtare dhe luftën në Lindjen e Mesme, duke i lidhur ato me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve.
Paxton, ndërkaq, premtoi uljen e kostos së jetesës dhe u bëri thirrje mbështetësve republikanë të dalin në votime.
Një garë tjetër e rëndësishme zhvillohet në Miçigan, ku republikani Mike Rogers përballet me demokratin Abdul El-Sayed.
Rogers është përpjekur të tërheqë edhe votues demokratë të pakënaqur me kandidatin e partisë së tyre, ndërsa El-Sayed e ka përqendruar fushatën te vështirësitë ekonomike të familjeve amerikane.
Në këtë shtet, politikat tarifore të Trumpit ndaj Kanadasë janë bërë gjithashtu çështje e fushatës, për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Edhe Alaska, që tradicionalisht ka mbështetur republikanët, po tërheq vëmendje.
Senatori republikan, Dan Sullivan, përballet me demokraten Mary Peltola në një garë që është bërë më konkurruese sesa pritej.
Ekonomia dhe lufta me Iranin dominojnë shqetësimet e votuesve
Kostoja e jetesës është një nga çështjet kryesore që kanë ndikuar në fushatën zgjedhore.
Rritja e çmimeve të ushqimeve, karburanteve, banimit dhe kujdesit shëndetësor ka qenë në qendër të kritikave të demokratëve ndaj administratës Trump.
Në Miçigan, kandidati demokrat, Abdul El-Sayed, deklaroi se në vendin më të pasur dhe më të fuqishëm në botë nuk duhet të jetë kaq e vështirë të përballohen shpenzimet për karburante, ushqime, banim dhe shërbime mjekësore.
Republikanët, ndërkohë, kanë mbrojtur politikat ekonomike të presidentit, duke premtuar ulje të kostove dhe vazhdim të reformave.
Lufta me Iranin ka shtuar, gjithashtu, presionin politik mbi Trumpin, veçanërisht për shkak të ndikimit të saj në çmimet e energjisë.
Vetëm disa orë para zgjedhjeve, mediat amerikane raportuan për sulme të reja të forcave amerikane ndaj objektivave iraniane në ishullin Keshm, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Çfarë janë zgjedhjet e mesmandatit?
Zgjedhjet e mesmandatit mbahen çdo katër vjet, në gjysmën e mandatit të presidentit amerikan, dhe përcaktojnë përbërjen e Kongresit për dy vjetët e ardhshëm.
Në këto zgjedhje, amerikanët votojnë për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe rreth një të tretën e 100 vendeve të Senatit.
Në disa shtete votohet edhe për guvernatorë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe çështje të ndryshme lokale.
Komentet