Prej disa ditësh jam shënjestruar në hapësirën digjitale për publikimin tim më të fundit ndaj Gent Bejkos. Personalisht, nuk mendoj se individi meriton më shumë vëmendje, por fenomeni që ai përfaqëson është po i njëjti fenomen shqetësues që e ka lënë Shqipërinë në vend numëro prej dekadash, andaj ia vlen një përpjekje për ta analizuar.
Postimi im nuk ishte çështje opinioni. Faktet janë publike: fjalët e përdorura ndaj nismëtarëve të peticionit, pjesëmarrja në event me një figurë problematike dhe komunikimi publik rreth tij. Qëllimi i postimit tim nuk ishte fotografia në vetvete, por një çështje më e gjerë: marrëdhënia e figurave publike me pushtetin dhe përgjegjësia që vjen me ndikimin publik. Sepse në fund të ditës është zgjedhje se çfarë poston, komenton, pëlqen apo shpërndan online. Është zgjedhje se si e përdor platformën që të është besuar nga publiku. Këto nuk janë rastësi, por vendime të vetëdijshme.
Përgjigjja ndaj këtyre fakteve nuk ishte reflektimi, por sulmi personal, i cili ka eskaluar
në sulme te koordinuara nga “luftëtarët e tastierave”, që nxitojnë të përndjekin pa gjykuar. Kjo është pikërisht arsyeja pse debati nuk është më për një individ, por për kulturën tonë të refuzimit të përgjegjësisë.
Thonë se gjuha është pasqyra e kulturës. Kjo bëhet edhe më e dukshme përmes fjalëve unike që gjenden në gjuhë të ndryshme dhe që përshkruajnë emocione, fenomene apo vlera të vështira për t’u përkthyer në gjuhë të tjera.
Accountability është një nga ato fjalë dhe vlera që duket se mungon si në fjalor, ashtu edhe në qasjen historike të shqiptarëve në përgjithësi, dhe të figurave publike në veçanti. Përkufizimi i saj është i thjeshtë: detyrimi për të shpjeguar, justifikuar dhe mbajtur përgjegjësi për veprimet, vendimet dhe pasojat e tyre. Në praktikë, kjo do të thotë të pranosh gabimet si hapin e parë drejt ndryshimit.
Accountability nuk ka për qëllim ndëshkimin, por zhvillimin. Askush nuk është i pagabueshëm. Dallimi qëndron tek aftësia për të pranuar gabimet, për të mësuar prej tyre dhe për të ndryshuar, me ndershmëri, transparencë, dhe guxim.
Kalimi nga “më ftuan” te “pranova ftesën”, apo nga “më nxorën fotot” te “dola në foto”, mund të duket i vogël. Në të vërtetë, ai përfaqëson dallimin thelbësor mes shmangies së përgjegjësisë dhe pranimit të saj.
Kjo vlen edhe për popujt, shoqëritë dhe qeveritë. Për sa kohë kritikën e shohim si akuzë dhe përgjegjësinë si ndëshkim, rrezikojmë të humbasim rolin tonë aktiv në formësimin e fatit tonë. Nuk mund të krijojmë një version më të mirë të vetes, vendit dhe shoqërisë, nëse refuzojmë të marrim përgjegjësi aktive për zgjedhjet e shkuara apo të tashme. Sepse një njeri apo një shoqëri që nuk përballet me të kaluarën e vet me ndershmëri rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime.
Postimet e ditëve të fundit nxjerrin në pah se shumë figura publike nuk janë të gatshme të marrin përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e tyre. Njëherazi, është përgjegjësia jonë qytetare t’i vëmë personat publikë përballë përgjegjësisë për mënyrën se si e përdorin fuqinë që buron nga vetë publiku.
Persekutuesit e sistemit komunist kurrë nuk u vendosën përballë përgjegjësisë, qoftë kjo ligjore apo publike. Rezultati i asaj qasjeje është sistemi politik aktual, ku të njëjtat figura kanë akumuluar pasuri dhe pushtet në kurriz të po të njëjtëve njerëz, por me një tjetër teknikë. Mungesa e llogaridhënies nuk është thjesht problem individual, por edhe një problem kulturor dhe institucional, pasojat e të cilit i vuajmë ende sot. Në fund të fundit, thelbi i protestës së javëve të fundit është pikërisht vënia përpara përgjegjësisë e një sistemi që për dekada ka abuzuar me pushtetin që buron nga populli 
Ka ardhur koha që brezi ynë të jetë ndryshe dhe të krijojë një standard të ri përgjegjësie për figurat publike, qofshin ata politikanë, artistë, influencer etj. Një standard që nuk shpërblen oportunizmin, vetëpromovimin dhe shmangien e llogaridhënies, por ndershmërinë për të pranuar gabimet dhe guximin për të mbajtur përgjegjësi për to. Vetëm atëherë mund të pretendojmë se po ndërtojmë një kulturë demokratike më të shëndetshme se ajo që trashëguam.
