VOAL

VOAL

Autoriteti i Dosjeve konfirmon: Kreu i SPAK, Arben Kraja, ka qenë hetues i komunizmit e ka hetuar çështje të kalimit të paligjshëm të kufirit

 

Një ditë pasi “Gazeta Shqiptare” botoi përgjigjen zyrtare të Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit mbi 8 prokurorët e SPAK, ku thuhej se janë emra për të cilët nuk ka dosje tek Ish-Sigurimi i Shtetit, dalin në dritë dokumente të reja. Duke qenë se të enjten Autoriteti vuri në dispozicion vendimet në versionet e tyre të shkurtuara, ‘Gazeta Shqiptare’, në zbatim të ligjit ‘Për të drejtën e informimit’, kërkoi versionin e gjatë të vendimit nr. 185 datë 03.04.2019 sa i takon kreut të SPAK, zotit Arben Kraja.

Arben-Kraja-Olsian-Cela-SPAK-Donika-Prela-Ibrahimi-Gent (2)

Njëherësh, “Gazeta Shqiptare” kërkoi të dinte nëse Autoriteti ka dokumente që vërtetojnë apo hedhin poshtë deklaratat publike, sipas të cilave z. Kraja ka qenë hetues para vitit 1990, pra në kohën e komunizmit. Kërkesa në fjalë u përligj kur studiues të periudhës së diktaturës sinjalizuan dhe kur ish-drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, z.Agron Tufa, tha publikisht se “Ish-sigurimi komunist i diktaturës rilindi plotësisht me pushtetin e Edi Ramës dhe rilindjen. Konfirmimin absolut e shohim me zgjedhjen në krye të SPAK-ut të një ish-hetuesi të komunizmit, Arben Kraja. Imagjinoni se me çfarë drejtësie e për çfarë ‘krimesh e kriminelësh të komunizmit, do mund të shqyrtonim ne me hetuesit dhe oficerët operativë grusht bashkuar rreth partisë-nënë!”.

Për sa më sipër, pas kërkesës së “GSH”-së, koordinatori Për të Drejtën e Informimit në AIDSSH, Selami Zalli, thotë se, “duke vlerësuar rëndësinë e rastit dhe në funksion të transparencës maksimale, vë në dispozicion versionin e gjatë e të pashkurtuar të vendimit të muajit prill”, ndonëse refuzoi të vërë në dispozicion procesverbalin e mbledhjes me argumentin se “në procesverbal janë pasqyruar të dhëna personale dhe informacione që kanë të bëjnë me shumë persona, njohja e të cilave nuk është e lejueshme, përveç rrethit të personave të parashikuar me ligjin 45/2015”.

Sipas versionit të gjatë të vendimit, Autoriteti pohon që z.Kraja ka qenë hetues më 1990-ën dhe se ka hetuar çështje të kalimit të paligjshëm të kufirit. Kujtojmë se gjatë kalimeve të paligjshme të kufirit, dhjetëra qytetarë shqiptarë janë vrarë.

KËRKESA E ‘GSH’-së
Të nderuar

Për t’i ardhur në ndihmë informacionit të saktë publik, në bazë të ligjit nr. 119/2014 neni 15 pika 1 dhe 2 (Për të drejtën e informimit), kërkojmë të na vihen në dispozicion vendimi i AIDSSH nr. 185 datë 03.04.2019, versioni i gjatë, i pashkurtuar dhe procesverbali i diskutimit (përfshirë mendimet paralele) për z.Arben Kraja, atëkohë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, sot kryetar i SPAK.

Njëherësh kërkojmë nga ana juaj të dimë, nëse keni dokumente që vërtetojnë apo hedhin poshtë deklaratat publike, sipas të cilave, subjekti i vendimit nr.185 datë 03.04.2019 ka qenë hetues para vitit 1990 në vendin tonë.

PËRGJIGJA E AUTORITETIT
E nderuar znj. Nikolli,

Në përgjigje, të kërkesës për informacion nr.1736/2 e datës 19.12.2019, në zbatim të dispozitave ligjore të përcaktuara në Ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, në lidhje me vazhdimin e kërkesës për informacion për vënien në dispozicion të vendimit nr. 185 datë 03.04.2019 të AIDSSH, versioni i gjatë, i pashkurtuar dhe procesverbali i diskutimit (përfshirë mendimet paralele) për z.Arben Kraja, atëkohë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, sot kryetar i SPAK, ju informoj sa me poshtë:

Vendimet e marra nga ana e AIDSH–së gjenden të gjitha të publikuara në faqen zyrtare të institucionit tonë, www.autoritetidosjeve.gov.al.

Duke vlerësuar rëndësinë e rastit dhe në funksion të transparencës maksimale, bashkëlidhur ju dërgojmë vendimin e plotë për qëllimin e kërkuar nga ana juaj, i cili përmbush në mënyrë të plotë të gjitha kërkesat tuaja në lidhje me informimin e saktë të publikut, në bazë të parashikimeve të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Në lidhje me procesverbalin e mbledhjes dhe diskutimet e bëra, nuk mund t’ju vihen në dispozicion, pasi në vendim është pasqyruar gjithçka e kërkuar, për të përmbushur qëllimin e kërkimit tuaj, si dhe për faktin se diskutimet në këto raste kanë vlerën e dhomës së këshillimit në proces dhe në procesverbal janë pasqyruar të dhëna personale dhe informacione që kanë të bëjnë me shumë persona, njohja e të cilave nuk është e lejueshme, përveç rrethit të personave të parashikuar me ligjin 45/2015.

Me respekt,

Koordinatori Për të Drejtën e Informimit

Selami Zalli
DOKUMENTI I PLOTË

Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit me pjesëmarrjen e anëtarëve znj.Gentiana Sula kryetare, Altin Hoxha anëtar, z.Marenglen Kasmi anëtar dhe z.Simon Mirakaj anëtar.

OBJEKT

Kërkesa e paraqitur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me shkresën nr.144 “Kërkesë për verifikimin e pastërtisë së figurës, përpara emërimit të kandidatëve për prokuror të Prokurorisë së Posaçme, kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

AIDSSH pasi shqyrtoi kërkesën për informacion, paraqitur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me shkresën nr.144/1, datë 21.02. 2019 sipas objektit të saj,

VËREN

Nga përmbajtja e shkresës nr. 144/1 prot. datë 21.02.2019, “Kërkesë për verifikimin e figurës së pastërtisë, përpara emërimit të kandidatëve për prokuror të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” sipas listës së dërguar Institucioni Këshilli i Lartë i Prokurorisë në zbatim të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga Ligji nr. 45/ 2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste Shqipërisë nenit 34, pika 2, germa g) të ligjit 95/2016 ‘Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’ i ka kërkuar Autoritetit nëse disponon informacion, të dhëna apo dokumente, lidhur me procesin e verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të punonjësve të tyre, me përbërje sipas shkresës së dërguar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Me shkresën nr. 144/1 prot. datë 21.02.2019, institucioni ka dërguar formularët e aplikimit, të plotësuar nga punonjësit që aplikojnë për prokuror të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se, shtetasi A.K.( Arben Kraja – sqarim i voal.ch) ka qenë me detyrë hetues në Hetuesinë e Rrethit Shkodër në vitin 1990, pra përpara datës 2 korrik të vitit 1991, që është edhe fushëveprimi i ligjit mbi bazën e të cilit vepron Autoriteti. Nga përmbajtja e dokumentacionit që ndodhet në arkivat tona rezulton se z. A.K. (Arben Kraja – sqarim i voal.ch) , ka hetuar një çështje penale në ngarkim të dy të pandehurve për kalim të paligjshëm kufiri në bashkëpunim. Si vepër penale, kalimi i paligjshëm i kufirit bën pjesë në kreun 8 të ‘Krime kundër rendit administrativ’ dhe jo në kreun ‘Krime kundër shtetit’, vepra penale këto, të parashikuara në kreun e parë neni 47 të Kodit Penal të vitit 1977.

Si e tillë, vepra penale “kalim i paligjshëm kufiri” nuk bën pjesë në kategorinë e veprave penale në kuptim të ligjit nr. 7514, datë 30.09 1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” dhe si rrjedhim nuk bën pjesë në fushën e veprimit të ligjit nr.45/ 2015 neni 2, sipas të cilit, ‘Ky ligj zbatohet për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar më 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë dhe që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr. 7514, datë 30.9.1991.

Për këto arsye, Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, vendosi që:

Të informojë Institucionin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për informacionin që kërkohet me shkresën nr., 144/1 prot. datë 21.02.2019, “Kërkesë për verifikimin e figurës së pastërtisë, përpara

emërimit të kandidatëve për Prokuror të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” se:

a).Për zotin Arben Kraja (sqarim i voal.ch), nga verifikimet e kryera deri tani, nuk figuron të ketë materiale, në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, në emër të tij, sipas Nenit 29, pika 2 të Ligjit Nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

119.-Vendim-2-634×1024

Denoncimi i Roland Luçi: Hetuesi Kraja më dërgoi vëllain në Spaç për tentativë arratisje!

Nga Roland Luçi:

Arben Kraja, nje nga speciet e kalçifikuara qe as me 1990 nuk e kuptonte se regjimi te cilit i sherbente kishte marr fund, sot eshte shefi i SPAK.

Sot ngjarja tingellon groteske, po dikur ai dergoi tim vella ne Spaç per tentative arratisjeje.
Eshte histori interesante, lexim te kendshem per ata qe kane deshiren dhe durimin te lexojne shkrimin ne linkun me poshte.
———————————————————
E tregoj per here te pare:
Nje polic qe kishte qene me sherbim ne Degen e Brendshme, nje njeri i mire nga Dajçi (Preng Z. te cilin kam rast ta pershendes nqs e lexon), te cilin e kisha pasur nxenes ne shkollen e mesme, del ne mengjes te autobusi qe na çonte ne shkolle dhe me thote se yt vella eshte demtuar ne koke gjate hetuesise ne biruce dhe jane duke e çuar ne spital.
U nisa bashke me te per ne spital dhe duhet te ishte vertet atje se ne koridorin e kirurgjise, para deres se nje dhome ndeshem ne nje polic me automatik qe bente roje, per fat i njohur i mikut e nxenesit tim. Ruante tim vella!
Imagjinoni çfare shteti idiot, imagjinoni çfare hetuesi kafshe, angazhonte police te armatosur me automatike me sherbim 24 oresh qe te ruanin ne spital nje djale te torturuar qe kishte tentuar te arratisej dhe ishte arrestuar ne…Tirane!
Nejse, jo te gjithe ishin ne nivelin e shtazerise se hetuesit tashme te famshem shef te SPAK-ut, rolin e te cilit do ta merrja mbas pak çastesh une!
Po, po, une,sepse polici roje hyri ne dhome dhe une i shoqeruar nga polici tjeter qe me pershperiti ne vesh “ben sikur je shefi” hyme mbas pak. Une nuk e kuptova ne fakt se çfare donte te thoshte, as ja vura fort mendjen fjaleve te tij. Dy policet po rrezikonin shume ne shkembim te nje gjesti human.
Sa hyme ne dhome, polici roje merr drejtqendrim dhe me pershendet me ze te larte “mirdita shef”. Aty e kuptova qe duhej qe te semuret e tjere ne dhome (ishin disa) te mos kuptonin se isha i vellai, te dukesha si hetuesi, mbasi im vella ishte ne hetuesi e nuk lejohej kurrfar kontakti me te.
Ngaqe ne Shkoder nuk isha krejt i panjohur, dikush nga te semuret ne dhome sigurisht qe me njohu se kush isha, por me mirkuptim dinjitoz sollen koken ne anen tjeter dhe une u ula per pak minuta prane tim vellai…i cili ishte i lidhur me pranga ne kembe dhe duar tek hekurat e shtratit!
Nje pamje kjo me makaber se sa plaga qe ai kishte ne koke.

Sme mbetet veçse ta uroj per detyren e re hetues Arben Krajen…

Histori

Hetuesi i diktaturës Kraja, akuzonte më 27 korrik 1990 dy të rinj nga Shkodra se kishin shkelur “normat e moralit komunist” pse donin të arratiseshin nga Shqipëria

2 korriku i ’90 solli një dyndje të paparë nëpër ambasadat e huaja në Tiranë. Regjimi pësoi një goditje të madhe në vend dhe një diskreditim të paparashikuar deri në atë në arenën ndërkombëtare. Shqipëria u njoh edhe më shumë në sy të ndërkombëtarëve mbi atë që përfaqësonte. Gjendja në vend u duk më shumë çdo herë në ekranet më prestigjioze në botë ku tregoj një popull i vajtuar që kërkonte shpresën matanë kufijve.

Vetëm pak muaj më parë, regjimi kishte hequr nga kodi penal veprën penal të “tradhtisë ndaj atdheut”, duke e kategorizuar atë vetëm në “kalim të paligjshëm të kufirit”. Por Shqipëria është vend i çudira. Shqiptarët që shpresuar se erdhi ndryshimi, morën plumbat në kufi. Të tjerë u dënuar me burg për kalim të paligjshëm të kufirit. Ata që shpresuan në dhënien e pasaportave të reja, morën vetëm një zhgënjim të ri. Mirëpo 2 korriku ishte një kohë kur edhe hetuesi më i devotshëm do ta kishte të vështirë të formulonte akuza për kalim të paligjshëm të kufirit kur një masë prej 5 – 6 mijë shtetasve e kishin “konsumuar” kolektivisht këtë “vepër penale”. Dy të rinj shkodranë, Beniamin Bizi dhe Arben Luçi, nisen nga Shkodra drejt Durrësit e më pas drejt Tiranës. Në Vorë të Tiranës i zë një patrullë policie, i arreston sikur Vora të ishte vijë kufitare. I dorëzon më pas në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër. Kjo ia kalon çështjen për kompetencë Hetuesisë.

Edhe juristi më i thjeshtë ndoshta nuk do të guxonte të niste një çështje penale për një vepër penale të me materialin e nisur “kryesisht” që duket që kjo shkollë hetuesish e prokurorësh të kohës së Enverit ia kanë marrë dorën. Dy të rinjtë punëtorë të arrestuar më 26 korrik 1990 në Vorë, njoftohen me aktakuzë një ditë më vonë për “veprën penale”. Njëri prej tyre nuk e pranon, ndërsa tjetri nën trysninë e përdorur e pranon dhe kërkon të mbyllet kjo çështje. Hetuesi i diktaturë për çështjen penale nr.310 harton edhe planin për hetimin e kësaj çështjeje të nisur “kryesisht”, duke përfshirë edhe pyetjen e familjarëve të personave, etj. E mjera Shqipëri me prokurorë e gjykatës të shkollës moskovito – enveriste që nisnin çështje sipas formulës “kryesisht”, të cilët i kanë ngelur si “dopio-gjashtë” me parimet e partisë në kokë. E keqja nuk ndalet deri këtu se nisin akoma “kryesisht”. Dhe nuk ka si të mos të vijë keq kur ata që kanë firmosur dhe certifikuar ato që njihen si krime të diktaturës komuniste, të dënuara nga disa rezoluta në vendet e BE-së, në Shqipëri, apo në vende të tjera ku sundoi regjimi komunist.

Aktakuzë kundër të pandehurve, Arben Hiqmet Luçi, Beniamin Fahri Bizi

Akuzohen se: në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shkuar me datën 26.07.1990 në qytetin e Tiranës për të hyrë në një ambasadë të huaj e për të kaluar kufirin në mënyrë të kundraligjshme, vepër penale kjo që parashikohet nga neni 127 e 11/1 e 13 të K. Penal.

Hetuesia e Rrethit Shkodër në datën 27.7.1990 ka filluar çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Arben Luçi dhe Beniamin Bizi, për veprën penale të përgatitjes për kalim të paligjshëm të kufirit. Nga hetimet e kryera ka rezultuar dhe provuar se:

Dy të pandehurit janë banorë të qytetit të Shkodrës dhe kanë shoqëri me njëri-tjetrin. Duke qenë të paformuar dhe me karakter të dobët, ata janë bërë pre e propagandës së armiqve të brendshëm e të jashtëm. Të ndikuar nga propaganda që bënte televizioni she stacionet e huaja të radios për shtetasit shqiptarë që u futën në ambasadat e huaja, në fillim të muajit korrik, ata të dy kanë vendosur që me datën 27.7.1990 të ishin në Tiranë dhe atje të futeshin në një ambasadë të huaj duke realizuar kështu qëllimin e tyre për të dalë jashtë shtetit në mënyrë të kundraligjshme. Dy të pandehurit takohen ndërmjet tyre me datën 25.7.1990 në darkë dhe e vendosin që të nesërmen me trenin e orës 14.00 që niset nga Shkodra të shkonin në Tiranë dhe të prisnin që me datë 27.7.1990 të futeshin gjatë ditës në ndonjë ambasadë. Të nesërmen, pra me datë 26.7.1990 janë nisur për në Tiranë me trenin e orës 14.00. Nga shtëpitë e tyre janë larguar pa lënë adresë fare se ku do të shkonin. Pasi kanë arritur në Vorë kanë parë se kishte shumë policë që po kontrollonin personat e dyshimtë që ishin aty. Në këto kushte, i pandehuri Beniamin i ka thënë të pandehurit Arben që të ktheheshin për në Shkodër. Por ky i fundit i vendosur plotësisht për veprën që do të kryente, nuk ka dëgjuar dhe bile ka ndikuar fort tek i pandehuri tjetër për t’ia mbushur mendjen që të vazhdonin rrugën për ku ishin nisur. Dhe kështu të dy të pandehurit zbresin nga treni në Vorë dhe nisen në këmbë, nëpër fusha për të hyrë fshehurazi në Tiranë. Por gjatë rrugës ata u kapën nga një patrullë policie dhe shoqërohen fillimisht për një rajon policie në Tiranë dhe pastaj sillen në Shkodër dhe ndalohen. I pandehuri Beniamin e pranon plotësisht akuzën që i bëhet dhe paraqitet shumë i penduar për veprën që ka kryer. Ndërsa i pandehuri Arbeni mban qëndrim shumë negative gjatë zhvillimit të hetimeve dhe nuk pranon fare që të jetë nisur për të hyrë në ambasadë. Në këto kushte, dy të pandehurit kanë konsumuar plotësisht elementet e veprës penale të përgatitjes për kalim të paligjshëm të kufirit, nëpërmjet hyrjes në ambasadë të huaj. Vepra e kryer nga të pandehurit paraqet rrezik të theksuar shoqërore. Po kështu, rrezikshmëri të theksuar shoqërore paraqet edhe i pandehuri Arben Luçi, i cili nuk pranon fare akuzën dhe mban një qëndrim shumë negative gjatë hetimit të çështjes.

Duke i konsideruar hetimet e plota dhe akuzën të vërtetuar në bazë të nenit 105 të K. Pr. Penale, ju paraqesim për gjykim të pandehurit:

1-Beniamin Bizi, i biri i Fahriut dhe i Ylfetes, i datëlindjes 1964, lindur dhe banues në Shkodër, me kombësi dhe shtetësi shqiptare me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtore me arsim 8 klasë, i pamartuar, i padënuar, pa imunitet, i arrestuar.

2-Arben Luçi i biri i Hiqmetit dhe i Liries, i datëlindjes 1962 lindur dhe banues në Shkodër, me arsim të mesëm, i paorganizuar, pa imunitet, i padënuar, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me origjinë nëpunës dhe gjendje shoqërore punëtore, i pamartuar, i arrestuar.

Akuzohen se: në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të përgatitjes për kalim të paligjshëm të kufirit, që parashikohet nga neni 127 e 11/1 e 13 të K. Penal.

Akt akuza së bashku me materialet e tjera të dosjes hetimore i kalon për gjykim Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Kjo akt akuzë u përpilua sot më datë 4.8. 1990 nga unë hetuesi Arben Kraja.

Drejtoi Durrësin 12 vjet, asnjë hetim Dakos. Banorët: Jepte leje abuzive, shiste betonin e tij

Teksa 9 persona, shumica ish-zyrtarë në nivele drejtorësh e specialistësh, qëndrojnë pas hekurave si përgjegjës për pasojat e rënda të tërmetit të 26 nëntorit me 23 jetë të humbura në Durrës, mbi kryebashkiakun që për 12 vite drejtoi qytetin nuk rëndon asnjë akuzë.

Prokuroria dhe policia nuk kanë çelur asnjë hetim për Vangjush Dakon, i cili për 3 mandate dha leje ndërtimi pa fund për pallate që tërmeti i shkatërroi. Banorët e drejtojnë gishtin te njeriu që kishin në krye të bashkisë dhe e bëjnë atë përgjegjësin kryesor të asaj që janë duke përjetuar.

Dëmtimet që la pas tërmeti në pallatin 13 katësh, në lagjen 17 të Durrësit, janë mëse të dukshme, muret e jashtme dhe të brendshme përfunduan në rrugë. Leja për pallatin që tashmë është i pabanueshëm është lëshuar në vitin 2009, kohë kur bashkia drejtohej nga Dako. Banorët kanë jetuar në një pallat, ku tërmeti iu tregoi se shkeljet ishin bërë me të dyja këmbët.

Leje ndërtimi të pazbardhura, pallate pa struktura antisizmike, themele të dobëta, kolona pa sasinë e mjaftueshme të hekurit, punime të kryera pa asnjë mbikëqyrje nga pushteti lokal. Këto janë abuzimet që tërmeti i nxori në pah të bëra kur Dako drejtonte Bashkinë e në të njëjtën kohë vëllai i tij zotëronte kompaninë e betonit, 3D, dhe ishte një ndër furnizuesit kryesor të ndërtuesve në Durrës.

Leja për pallatin 13 katësh është dhënë për 10 kate dhe një papafingo, por ndërtesa u ngrit me 13 kate. Ndërtimi i 3 kateve shtese, të cilët nuk dihet nëse ishin me leje, ishte fundosëse për pallatin, i cili nuk mundi ta mbante peshën gjatë lëkundjeve.

Pas 3 mandateve që firmosi leje të pafundme ndërtimi në Durrës, ish-kryebeashkiaku Vangjush Dako sot fshihet dhe hesht për pasojat tragjike dhe shkatërrimin e qindra pallateve. Realitetet janë të ndryshme dhe aspak të ngjashme në pak metra në lagjet e Durrësit, me pallate të shkatërruara, të cilat gjatë viteve të drejtimit të Dakos kanë abuzuar me lejet dhe cilësinë e ndërtimit, dhe nga ana tjetër pallate që nuk pësuan asnjë dëmtim të strukturës, gjatë tërmetit të 26 nëntorit./Balkan Web

Kreu i SPAK Arben Kraja: Kemi shumë punë, do bëjmë një skuadër të fortë

Një ditë pasi Këshilli i Lartë të Prokurorisë zgjodhi Arben Krajën në krye të SPAK, ky i fundit është prezantuar si drejtues i këtij institucioni. Ka qenë kreu i KLP Gent Ibrahimi ai që prezantoi Krajën para anëtarëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Ibrahimi theksoi se nga sot nis një proces i ri në kuadër të reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se tashmë SPAK është akronim që do të japë kontributin e tij.

“Është bukur që po përtojmë një stinë nisjesh, e inaugurimit. Sot bëjmë një mbyllje të procesit dhe hapim një tjetër. Sot mbyllet një derë, hapet një tjetër. Ne kemi ndjerë peshën e punës. Tashmë këto institucione janë të krijuara. Tashmë presim që dritat e skenës të zhvendosen atje ku duhet të jenë. Do të japim kontributin tonë për reformën në drejtësi. Jam i lumtur që gjatë një procesi të gjatë, transparent, kemi SPAK-un. SPAK është akronim që ndoshta dhe fëmijët e kanë mësuar. Jam optimist që ky akronim do të japë kontributin. Jam i lumtur që të prezantoj zotin Kraja në këtë detyrë. Falënderoj zonjën Prela për kontributin e saj. Tashmë gjithçka është në vendin e vet. Zoti Kraja është në krye të detyrës. Të gjithë mund të shkojnë të festojnë të qetë festat dhe të nisim nga puna vitin e ri.”, -tha Ibrahimi.

Ndërkohë, drejtuesi i SPAK në fjalën e tij të parë pas marrjes së kësaj detyre pohoi se në këtë institucion do të krijojë një skuadër të fortë, ndërsa shtoi se “nuk është koha për llafe, pasi ka shumë punë”.

“Dy fjalë shkurt se nuk dua ta zgjasë. Kemi shumë punë për të bërë. Falënderoj KLP për këtë proces transparent. Unë thash edhe dje, i falënderoj ata që votuan për mua dhe ata që votuan për kandidatët e tjerë. Do të bëjmë një skuadër të fortë dhe do ta drejtojë me kompetencë. Koha është për punë, nuk kemi shumë llafe. Dhe do fillojmë nga puna.”, pohoi drejtuesi i SPAK.

Prokurorët e parë të SPAK, me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi, janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
(BalkanWeb)

Nisma për shkarkimin e Metës- PS shtyn me 4 muaj Komisionin

Në Komisionin Hetimor për shkeljet e Presidentit Meta është miratuar shtyrja me 4 muaj e afatit të hetimit të veprimeve të tij.

Në Kuvend kaloi projekt-ligji për një shtesë në përmbajtjen e këtij hetimi, pas anulimit të dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit edhe ajo e dekretimit të Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, e cila çoi më pas në një përplasje me kreun e KED, Ardian Dvoranin.

Mazhoranca pretendon se Meta ka bërë dy shkelje të tjera sa i takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, arsye për të cilën kërkoi edhe shtyrje me 4 muaj këtë komision.

Ndërkohë nga ana tjetër, anëtari i Komisionit të Posaçëm Hetimor, Arben Zeneli ka dalë kundër këtij propozimi pasi kërkon që Komisioni të mbarojë fillimisht për atë çfarë u mblodh fillimisht, pra për anulimin e dekretit të 30 qershorit.

“Të mbarojmë fillimisht për atë çfarë u mblodhëm. Më pas përfundojmë, dhe vijojmë me shtesat.”- tha Zeneli. Halit Valteri gjithashtu deklaroi; “Nuk mund të merremi se çfarë bën sot Meta apo çfarë do bëjë Meta. Nuk bëhet kjo punë shto ujë e shto miell. Jemi kundra shtimit të objekteve të hetimit për Presidentit në këtë Komision.”
(BalkanWeb)

Meta: “S’mund të vijojmë me një qeverisje për një Shqipëri pa shqiptarë”

Duke sjellë në vëmendje shifrat e numrit të rritur të azilkërkuesve shqiptarë për vitin 2019, që tha se e kanë tronditur kur i ka lexuar, Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje shqiptarëve t’i thërrasin mendjes tha ai e mos të largohen e të humbasin atheun përgjithmonë.

Por përgjegjësi të drejtpërdrejtë tha kreu i shtetit për këtë situatë ka konflikti politik që e quajti skizofrenik dhe artificial, ndaj bëri thirrje t’i jepet fund një qeverisje për Shqipërinë pa shqiptarë, tha Meta.

“Shqetësimi më i madh është një tërmet i përditshëm që lidhet me hemoragjinë e vendit të pandalshme në atë që e quaj pa e tepruar shpopullim.

Ka qenë tronditëse për mua të lexoja statistikat zyrtare të azilit të muajit nëntor që tregonte qartë një rritje mjaft shqetësuese në gati 16 % në 10 muajt e këtij viti në krahasim me një vit më parë, jo vetëm kaq por kjo rritje është shume herë me e lartë se se Serbia apo Mali i Zi.

Të gjitha këto duhet të na bëjnë që të reflektojmë sa më shpejt sepse kjo humbje e besimit është përgjegjësi e drejtperdrejte e këtij konflikti skizofrenik artificial që s’mund të vijiojë më të jetë mënyrë qeverisje për një Shqipëri pa shqiptarë.

Politika duhet të refklektojë e para dhe shqitparët duhet ti thërrasin mendjes se mund të ikin në gjithë botën për një punë pagë e arsim më të mirë por do humbasin përgjithmonë atdheun e tyre.

Shpresoj që ky fund viti dhe ky tërmet me shumë pasoja që na mësoi se më e rëndësishmne se cdo gjë është jeta e shëndeti e dashuria për njeri- tjetrin të na ndihmojë të reflektojmë për një politike të re që do drejtohet me një mënyrë gjithëpërfshirëse me votim të lirë”.

Presidenti i shqetësuar – Kambana alarmi: Nga përkeqësimi i lirisë së medias te politika e përçarë artificialisht

Mesazhe të forta ka dhënë sot Presidenti i Republikës, Ilir Meta, teksa ka folur për kambana alarmi lidhur me përkeqesimin e lirisë së medias, politikës së përcarë artificialisht dhe shpopullimit të vendit, mes rritjes së dhimbshme të numrit të azilkërkuesve shqiptarë nëpër botë.

“Liria e medias është përkeqësuar, kushtet e punës gjithashtu, pas shumë viteve gazetarët u janë kthyer protestave, shqetësimet e gazetarëve të terrenit nuk dëgjohen, kurse pronarë e drejtues mediash e kanë asgjësuar postin e kryeredaktorit të lajmeve se e bëjnë vetë”-tha Meta, duke iu referuar raporteve të fundit që dëshmojnë për një media shqiptare pjesërisht e lirë.

“Kufizimet ndaj gjuhës së urrejtjes së urrejtjes nuk duhet kurrsesi të keqpërdoren me qëllim mbytjen mbytjen e kriktikës ndaj qeverisjes dhe të zgjedhurve, të bindjeve të ndryshme politike, të përkatësisë së besimit fetar apo të kërkesës për llogaridhënie. Ka pasur përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve. Nuk harrojnë dot dramën që shkaktoi mohimi i kësaj lirie në 50 vite të diktaturës, kalvari i vrasjeve, dënimit dhe cenimit të dinjitetit njerëzor. Pas përmbysjes së regjimit ndodhi revolucion i jashtëzakonshëm mediatik, me një numër të madh mediash. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ka korrelacion mes lirive civile dhe demokracisë, sa më e konsoliduar demokracia aq më të mbrojtura janë liritë e individit. Kamabana më e fortë e alarmit është shpopullimi i vendit, cenimi i lirive, mungesa e llogaridhënies dhe varfëria janë kushtet kryesore. Polarizimi artificial i jetës politike në vend dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes nga politika është ajo që i demotivon shqiptarët që kanë kërkesa të larta që të ikin nga vendi”- tha Meta.

Sipas tij, raporti i para një muaji tregoi se numri i azilkërkuesve për 10 muaj është rritur me 16% krahasuar me vitin e kaluar, në raportoi ne Serbinë e kemi 8.2 herë dhe 11 herë më i lartë me Malin e Zi.

“Tronditës eshte largimi i Agron Tufës, që u kërcënua familjarisht për shkak të detyrës dhe mendimeve të tij, më tronditës mosreagimi per kete largim nga ana e institucioneve dhe nuk reagon askush. As media, gazetarët dhe pedagogët nuk janë e nuk mund të jenë armiqtë nga të cilët duhet të ruhemi. Dhe nuk duhet të trajtohen si të tille”- tha Meta.

Ne fund e ka mbyllur fjalen e tij me nje urim:

“Uroj që viti i ardhëm ti gjejë mediat dhe gazetarët më të lirë, më aktivë dhe më afër të vërtetës, kjo nuk mund të ndodhe më një urim dhe dëshirë, do reflektim të tillë të shoqërisë dhe politikës, sepse një mjedis i përcarë artificial dhe përjashtues nxit urrejtjen. Te urojmë që tërmeti të shërbejë si moment ringritje dhe bashkëpunimi se dialogu na siguron demokraci të qëndrueshme dhe frymëzuese për të rinjtë që ta shohin të ardhmen në vendin e tyre”- tha Presidenti, gjate fjales se mbajtur në Konferencën vjetore të Avokatit të Popullit me temë “Liria pa urrejtje, liria e shprehjes përballë të drejtave të tjera të njeriut”.

Lutfi Dervishi për anëtarët e SPAK: Më ngjajnë si delet që …

Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka reaguar kreu i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi.

 

Në një postim në facebook, Patozi thotë se kaq gëzim sa u shpreh për ngritjen e SPAK nuk ka pasur njerëzia as në marrjen e rrogave në kohën e diktaturës, me në krye Enver Hoxhën.

Gjithashtu Patozi zbulon edhe se çfarë i ka thënë Lutfi Dervishi pas betimit të anëtarëve të SPAK tek Presidenti Ilir Meta.

“URIM VONUAR PËR I SPAK-un

Kaq gëzim të madh dhe të njëkohshëm, saç po shprehet sot për ngritjen e SPAK-it, në Shqipëri nuk ka pasur as në kohën e Enverit, kur vinte dita e rrogave.
A thua se këta prokurorët e e rinj, që u betuan paradite në Presidencë, do të hetojnë e çojnë në bankën e të akuzuarve ata fatkeqët e goditur më shumë nga tërmeti.
Ndërsa Lutfi Dervishi me tha se i ngjajnë me delet, që emocionohen nga takimi i parë me ujkun”, shkruan Patozi.

Agron Tufa: “Kreu i SPAK, hetues i diktaturës komuniste, imagjinoni se me çfarë drejtësie do të… “

Ish-kreu i Institutit për Studimet dhe Pasojat e Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, thotë se kreu i SPAK i zgjedhur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është hetues i periudhës së diktaturës komuniste.

 

Arben Kraja mori 6 vota nga anëtarët e KLP-së, pavarësisht së në mbledhjen e mëparshme të këtij institucioni ishte renditur i pari me pikë Altin Dumani.

“Ish-Sigurimi komunist i Diktaturës rilindi plotësisht me pushtetin e Edi Ramës dhe Rilindjen. Konfirmimin absolut e shohim me zgjedhjen në krye të SPAK-ut të një ish hetuesi të komunizmit, Arben Kraja. Imagjinoni se me çfarë drejtësie e për çfarë “krimesh e kriminelësh të komunizmit”, do mund të shqyrtonim ne me hetuesit dhe oficerët operativë grusht bashkuar rreth partisë-nënë!
Ka vend një pyetje këtu:
– Kush ia dha pastërtinë e figurës këtij ish-hetuesi? Mos valle ish-oficerët operative qe drejtojnë zyrat e vetingut? Po per keto gjera u konfrontova une! Për çka tjetër!?
Per këtë duhet te shprehen AIDSSH dhe DSIK, të lajnë veten
Ndryshe mbetet ne fuqi ai proverbi dibran: “Ja ma gjé, ja ma ke!”
Gjithsesi, qysh kur nisi kjo lojë e ndyre pa pike morali, unë jam shprehur ne kohë. 
, shkruan Tufa në facebook.

Aktualisht, ai ndodhet në Zvicër ku ka kërkuar azil politik bashkë me familjen, ndërsa vazhdimisht ka denoncuar që ish-hetues dhe ish-sigurimsa të diktaturës kanë pozicione të larta shtetërore.

Besnik Mustafaj: SPAK të nisë punën me qeveritarët në pushtet

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “Neës 24”, duke folur për ngritjen e SPAK, deklaroi se shqiptarët kanë pritshmëri të larta nga struktura antikorrupsion.

Lajm i mirë, por i vonuar. Unë shpresoj që prokurorët në SPAK do të kenë integritetin dhe profesionalizmin për drejtësi. Për ngritjen e SPAK, u gëzua jo vetëm Taulant Balla dhe maxhoranca, por edhe opozita. Gjithë populli po pret, e shpresojmë që të mos na zhgënjejnë”, tha ai.

Besnik Mustafaj theksoi se SPAK duhet të nisë me qeveritarët të cilët aktualisht janë në pushtet.

Uroj që SPAK të mos zhgënjejë. Puna duhet nisur nga politikanët që janë në pushtet. Në mendimin tim, SPAK duhet të fillojë me njerëzit që janë në pushtet. SPAK e ka mbështetjen e elitave intelektuale, e ka mbështetjen e popullit”, tha Mustafaj.

Ai e konsideroi ligjin antishpifje si mjaft të rrezikshëm, duke thënë se Rama dëshiron t’ju ikë kritikave.

“Ky është një ligj jashtëzakonisht i rrezikshëm. Legjislacioni shqiptar e dënon shpifjen. Kryeministri do të ndëshkojë fjalën e lirë dhe të fusë frikën. Në 25 vende të BE penalizohet shpifja, por ama penalizohet nga ligji, gjykata dhe jo nga AMA. Pastaj në lgij nuk përcaktohet se çfarë është shpifje. Me këtë kriter, që kryeministri quan shpifje, AMA do të penalizojë. Ky ligj demoralizon gazetarinë investigative”, u shpreh Mustafaj.

Për ndëshkimin e Salianjit, Mustafaj deklaroi se është një përpjekje e qeverisë për të dekurajuar opozitën.

“Ndëshkimi i Salianjit është mirëfillti një përpjekje, që ta dekurajojë opozitën që të denoncojë aferat korruptive të mëdha. Ndëshkimi në procesin e vettingut, bën që Rama të ndikojë në vendim. Kryeministri ia doli të ketë ndikim. Unë besoj se e vërteta të dalë.”, tha Mustafaj.

Besnik Mustafaj theksoi se qeveria duhet të ketë një plan më të qarë sa i takon situatës nga tërmeti.

“Qeveria po ecën shumë ngadalë në ndihma. Ndihamt nuk dihet sesi po menaxhohen. Gjithë zelli i kryeministrit të javës së parë është fikur. Nuk mund të thuash që qeveria po menaxhon mirë situatën pas tërmetit, vetëm pasi ai shkon në një familje për ta ndihmuar, në praninë e kamerave. Qeveria nuk ka vizion të qeverisë për riparim të dëmeve materiale. Shohim vetëm premtime pa koherencë. Kryeministri bën petulla me ujë. Ai që quhet Komitet duhet të dilte me program të qartë. Duhet të dilte para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Solidariteti duhet brenda parimeve të BE”, tha Mustafaj.

Deklarata e fortë e Kryemadhit: Ka lobime kundër opozitës tek ndërkombëtarët!

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaron se qeveria dhe Edi Rama lobojnë në institucione ndërkombëtare kundër opozitës dhe individëve të caktuar të saj.  

 

Sipas Kryemadhit kjo është e ligjshme në disa vende, madje edhe ajo po të kishte mundësi do të lobonte, por nuk kishte ndërmend të harxhonte asnjë lek.

“Normale që ka kundër opozitës dhe kundër individëve të caktuar. Kjo nuk është ndonjë gjë e keqe. Edhe unë po të kem mundësi do të loboja kundër Edi Ramës, por s’kam ndërmend se nuk harxhoj asnjë kacidhe lek për të lobuar kundër Ramës”, tha Kryemadhi.

Më tej, Kryemadhi u shpreh se nuk priste që ambasadorët e vendeve ndërkombëtare të mbështesnin opozitën, por nuk do lejonte që ambasadorët për çdo protestë të opozitës të bëjnë sikur këtu do bëhet lufta e tretë botërore.

“Ambasadorët këtu janë ambasadorë të shteteve të tyre. Qeveritë bashkëpunojnë me qeveri. Qeveritë nuk bashkëpunojnë me opozitën. Unë jam shumë e bindur që ambasadorët këtu do të bëjnë punën e qeverisë së tyre. Mos harroni që kanë një kryeministër që thotë do bëni kështu siç them unë, ose përndryshe ju përzura nga Shqipëria dhe i bën letër ministrit të Jashtëm. E ç’ fuqi ka një ambasador apo një diplomat, kur një kryeministër i çon letër ministrit të Jashtëm të një vendi të caktuar? Për t’u kapur dhe për t’u shantazhuar janë shumë të thjeshtë ambasadorët këtu. Shqipëria një vend i vogël është dhe të gjithë e dimë se çfarë bëhet.

Kështu që nuk pres që ambasadorët këtu të jenë në krah të opozitës. Por ama nuk do të lejoj që ambasadorët këtu për çdo protestë të opozitës, të dalin dhe të bëjnë sikur këtu do bëhet lufta e tretë botërore. Ndërkohë nuk thonë një fjalë për atë që ndodh me ligjin, për lirinë e shprehjes. Por nuk i gjykoj, nuk i paragjykoj dhe as nuk i intimidoj për këtë gjë. Por di të them që kompani lobiste që paguhen me para antishqiptare, sigurisht që lobojnë në institucione ndërkombëtare, sepse nuk është se është e paligjshme jashtë. Është e ligjshme si në Bruksel, në Ëashington, kudo për kompanitë lobiste”, u shpreh Kryemadhi, në një intervistë për Ora News.

Arben Kraja zgjidhet kryetar i SPAK (video)

Me gjashtë vota pro, Arben Karaja është zgjedhur kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Për zgjedhjen e tij votuan pro Sandër Beci, Vatë Staka, Beluri, Sheshi, Nurihan Sejti dhe Alfred Balla.

Kraja nuk ka mundur të marrë votën e kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, vota e të cilit ka shkuar për Edvin Kondilin, respektivisht edhe e vetmja votë.

Për zgjedhjen e Arben Krajës në krye të SPAK është vlerësuar eksperienca në drejtim dhe menaxhimin e burimeve njerëzore.

Gjyqtari i Apelit Alaudin Malaj letër KLD-së: Më kërcënon banda kriminale e Fatmir Xhafajt

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj, ndihet i kërcënuar personalisht dhe familjarisht nga ajo që ai e konsideron si “banda kriminale e Fatmir Xhafaj”, ish-ministrit të Brendshëm.

Në një shkresë zyrtare drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor në Tetor 2019 ku kërkonte mbrojtje fizike, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit të kryeqytetit prezanton detaje tronditëse se si, zyrtarë të lartë policorë, nën drejtimin e Xhafajt, i cili në atë kohë ishte Ministër i Brendshëm, i kanë ushtruar atij dhe familjarëve të tij të afërt presion kriminal.

Rreth 2 muaj pas kësaj kërkese, Këshilli i Lartë Gjyqësor ende nuk ka vendosur mbi kërkesën e Alaudim Malaj, ndërkohë që gjyqtari Malaj vijon të jetë i kërcënuar edhe për shkak të mos-reagimit të institucioneve ligjzbatuese ndaj personave të kallëzuar prej tij.

“Boldnews.al” ka siguruar, në mënyrë ekskluzive, shkresën që gjyqtari Alaudin Malaj i dërgon Këshillit të Lartë Gjyqësor, si edhe disa institucioneve të larta shtetërore e ambasadave kryesore në Tiranë, në të cilën kërkon marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e integritetit fizik të tij, familjarëve të tij dhe pasurisë së tyre.

Në dokument, gjyqtari Malaj jep detaje mbi ngjarjet kërcënuese dhe emrat e personave, duke përfshirë Fatmir Xhafajn, drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliu, disa zyrtarë të tjerë policorë dhe personazhe, të identifikuar prej tij si me rekorde kriminale.

Përplasja ndërmjet Alaudin Malaj dhe Fatmir Xhafaj ka ndodhur për shkak të vëllait trafikant të ish-ministrit të Brendshëm, Agron (Geron) Xhafaj. Gjyqtari Malaj, në një intervistë për “5 pyetje nga Babaramo”, në 25 Nëntor 2019, deklaroi se arrestimet e paligjshme të familjarëve të tij janë bërë nga Fatmir Xhafaj, pasi “…unë i nxora vendimin se vëllai i tij ishte dënuar në Itali. Dhe jam i bindur se kam bërë gjënë e duhur. Nuk mund të pranoja të drejtohesha nga një ministër i Brendshëm që vëllanë e ka të dënuar. Le të rrijë ministër Turizmi dhe jo i Brendshëm …”.

“Xhafaj, pjesë e grupit të strukturuar kriminal”

Alaudin Malaj informon Këshillin e Lartë Gjyqësor se, në datë 22 Tetor 2019, ai ka dorëzuar një kallëzim penal për “krijim të grupit të strukturuar kriminal” kundër Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Brendshëm, kryepolicit Ardi Veliu, si edhe punonjësve të policisë Gentjan Shehu e Alket Sulejmani.

Sipas Malajt, vëllai i tij, Agroni, në maj 2019 kishte dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë për Krime të Rënda. Për këtë kërkesë, prokuroria e drejtuar nga Donika Prela, nuk ka kryer asnjë veprim, çështja ishte pushuar dhe ajo që ishte më e rënda, dokumentat ishin zhdukur.

“Mbi interesimin tim personal, më rezultoi se kjo kërkesë ishte zhdukur në Prokurori”, thotë Alaudim Malaj në shkresën për KLGJ-në. “Në këto kushte, u detyrova të dorëzoj sërish atë kërkesë, si edhe kallëzimin ndaj Xhafajt, Veliut, etj..”, në datën 15 Tetor 2019.

Gjyqtari Malaj deklaron se një shtetas nga Vlora, M.M., me ndihmën e oficerëve të Policisë së qytetit, ka ndërhyrë me dhunë në godinën në pronësi të kompanisë së bashkëshortes së tij, dhe ka pushtuar një apartament.

Për këtë rast, por edhe për përplasje të tjera të mëparshme me këtë person, gjyqtari Malaj ka dorëzuar kallëzimet penale në Policinë e Vlorës. Sipas tij, “këtë shtetas (M.M.) e kam kallëzuar disa herë në polici, por ndaj tij nuk është kryer asnjë veprim. Ndërkohë që dokumentat që policia ka dërguar ndaj tij në prokurori janë pa asnjë akt, me qëllim për t’u pushuar ndjekja penale ndaj tij”.

Ai i referon Këshillit të Lartë Gjyqësor edhe një kërcënim serioz për jetën e tij. “Shtetasi M.M më ka kërcënuar me armë. Por, megjithëse ai e hodhi pistoletën në sytë e punonjësve të policisë, ndaj tij nuk u bë as, arrestim, as ndalim, madje as shoqërim, por vetëm e pyet, pavarësisht kallëzimit tim”, shprehet gjyqtari Malaj.

Sipas tij, kjo tregon se M.M “ka nxitjen dhe mbështetjen e autoriteteve policore për kërcënimin dhe eliminimin tim fizik”, thotë Alaudin Malaj.

Gjyqtari i Apelit, Malaj, është i bindur se pas këtyre veprimeve policore, qëndron Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Brendshëm, për të cilin ka konsideratën se është person me predentë të shumtë kriminal.

Faktet e gjyqtarit për Fatmir Xhafaj

Në shkresën drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucioneve të tjera të larta dhe ambasadave, gjyqtari Alaudin Malaj rendit ato që ai i konsideron si “precedentët kriminalë”.

Ai i rikujton Këshillit të Lartë Gjyqësor se vëllai i Fatmir Xhafaj, Agron (Geron) Xhafaj, është kreu i një grupi trafikantësh. Gjithashtu, Malaj sjell në vëmendjen e KLGJ-së veprimet e ish-ministrit të Brendshëm për fabrikimin e provave në çështjen penale “Alizoti/Geron”, në bashkëpunim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ard Veliu dhe zyrtarë të tjerë të uniformave blu.

Alaudin Malaj hedh dyshime edhe mbi vdekjen e shoferit të Fatmir Xhafaj, punonjës i Gardës që u gjet i vdekur në garazhin e atij institucioni.

Po ashtu, gjyqtari Malaj i referon Këshillit të Lartë Gjyqësor edhe disa veprime anti-ligjore të kryera nga Policia e Shtetit kundër familjarëve të tij të afërt.

“Vëllai im është mbajtur i arrestuar 12 orë, për një vepër penale që nuk kishte asnjë lidhje. Djali i tezes time, E.Z., është shoqëruar dhe mbajtur për rreth 20 orë në polici, gjithashtu pa kryer asnjë vepër penale dhe në kundërshtim me ligjin”, deklaron gjyqtari Malaj.

“Në ditën e kësaj kërkese, (22 Tetor 2019), babai im dhe djali i tezes, janë rrethuar nga 20 punonjës policorë. Kushëriri im është shoqëruar nga policia dhe është mbajtur për rreth 4 orë në komisariat, ku pyetej nëse kishte konflikt me ndokënd”, vijon Malaj, i cili i konsideron të gjithë këto veprime si forma presioni ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Heshtja e KLGJ

Në përfundim të shkresës së tij, gjyqtari Alaudin Malaj kërkoi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që të merrnin në konsideratë kërkesën për mbrojtje të posaçme, për të shërbyer “si mbrojtje përballë kësaj politike kriminale të Fatmir Xhafaj dhe bandës së tij, e cila, për përfitim politik, mund të shtyj dhe nxis nëpërmjet organeve shtetërore vrasjen dhe përçmimin në publik të gjyqtarëve”.

Rreth 2 muaj pas kësaj kërkese, “Boldnews.al” ka mësuar se ndaj gjyqtarit Alaudin Malaj nuk është ndërmarrë asnjë mbrojtje e posaçme. Këshilli i Lartë Gjyqësor është diskret për rastet konkrete mbi kërkesat e gjyqtarëve për mbrojtje të posaçme.

KLGJ, në një komunikim zyrtar të mëhershëm me “Boldnews.al”, iu referua ligjit “Për informacionin e klasifikuar sekret”, duke deklaruar se “emrat e gjyqtarëve (që janë në mbrojtje apo kanë bërë kërkese, shën.red.) dhe gjykatat ku ata ushtrojnë detyrën nuk mund të bëhen publikë, ndërsa afati i ruajtjes së klasifikimit është 10 vjet”.

Rasti “Alaudin Malaj”, si edhe të tjerë të publikuar më parë nga “Boldnews.al” dëshmojnë faktin që institucionet ekzekutive e kanë të lehtë të ushtrojnë presion, kërcënime e shantazhe ndaj gjyqtarëve, ndërkohë që këta të fundit shpenzojnë javë e muaj me kërkesa për mbrojtje, të cilat, si në çështjen e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, nuk pranohen ose vonohen shumë.

Një ditë pas dënimit nga gjykata, Presidenti Meta pret ish deputetin Ervin Salianji

Një ditë pasi gjykata e dënoi me 1 vit burg për çështjen e ‘Babale’, ish deputeti i PD Ervin Salianji është thirrur nga kreu i shtetit. Lajmin e bën me dije zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi në një postim në rrjetet sociale.

“Presidenti i Republikës Ilir Meta, priti sot në një takim ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Ervin Salianji, për t’u njohur nga afër me shqetësimet e tij në lidhje me cënimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij.

Gjatë këtij takimi, Presidenti Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kreu i Shtetit e inkurajoi Salianjin, që të mos humbasë besimin tek drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet proceduriale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që procesi gjyqësor që ka nisur të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive.

Kreu i Shtetit e garantoi Salianjin se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje me sensibilitet të lartë publik, duke inkurajuar një gjykim shterues dhe transparent”.

Promovohet libri “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912)”

Është promovuar dje libri “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912) të studiuesit Paulin Marku. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta në bazë të memorandumit të nënshkruar nga Muzeu Historik Kombëtar dhe Akademia e Studimeve Albanologjike. Të ftuarit e nderit në këtë aktivitet ishin: Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, Akademiku Beqir Meta, Drejtor i Institutit të Historisë dhe Dr. Paulin Marku, autori i librit.
Dokumentet diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve Dr. Paulin Marku i ka hulumtuar në Arkivin Historik Diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Në vëllimin e parë (janar-qershor 1912) janë përzgjedhur, përkthyer dhe përgatitur për botim, telegrame, relacione dhe informacione të ndryshme të diplomatëve italianë, në të cilat evidentohet qartë këndvështrimi dhe roli që pati Italia në çështjen shqiptare gjatë vitit 1912. Këto dokumente hedhin dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, atë të pragut të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Cutillo theksoi se ishte tejet i nderuar për ftesën në këtë panel. “Ky është një moment historik për Shqipërinë, ku Italia luajti një rol të rëndësishëm. Po afron koha që unë të largohem nga Tirana, dhe më bëhet qejfi që do kthehem në Romë me një kujtim të tillë historik. Ju falënderoj të gjithëve edhe i uroj suksese të mëtejshme autorit”, përfundoi ambasadori Alberto Cutillo.

Beqir Meta tha se: “Pa ndihmën e arkivit në Itali nuk do të mundeshim kurrë të zotëronim këtë libër unik. Do doja të falënderoja përzemërsisht autorin. Këto burime kanë interes të madh për historinë e vendit tonë. Paulini vendos një gur bazik në këtë periudhë historike, por në një të ardhme të shpejtë do ketë gurë të tjerë të radhës”.
Autori i librit, Dr. Paulin Marku, falënderoi përzemërsisht gjithë të pranishmit në këtë aktivitet. “Kjo e sotmja, është një ditë shumë e rëndësishme për mua. Kemi patur mungesë në dokumentacionin italian të kësaj periudhe. Falë mbështetjes së Departamentit, mu propozua të merresha me nxjerrjen në dritë të këtij dokumentacioni. Ka patur vështirësi në hulumtim, por si për çdo historian, kjo transformohet në kënaqësi”. Andrea Llukani, duke referuar fjalimin e drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçit (në mungesë të tij) theksoi se: “Populli shqiptar ka një histori të lashtë dhe me karakteristika të veçanta. Një vend të rëndësishëm zë Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Ajo dha një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin dhe afirmimin e kombit shqiptar që u finalizua në vitin 1912 me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Për këtë periudhë, dokumentet e huaja kanë peshë të pazëvendësueshme dhe na japin mundësinë të shohim në brendësi politikën e një shteti dhe të hulumtojmë në mënyrë të detajuar”.

EMRAT- Kush janë 18 gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme, çfarë vendosi KLGJ-ja

Këshilli i Lartë Gjyqësor ngriti në detyrë 12 gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe 6 të Gjykatës së Apelit, duke i bërë ata gjyqtarë të posaçëm.

 

Gjykata e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të fillojnë punën sot, ndërsa zyrtarisht, dy gjykatat e Krimeve të Rënda do të shkrihen.

“Sot, më datë 18.12.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës, në të cilën miratoi vendimin për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe disa vendimeve të tjera individuale për sistemimin në pozicion të gjyqtarëve të Gjykatave për Krimet e Rënda, të cilat nga dita e nesërme pushojnë së funksionuari si të tilla”, njoftoi dje KLGJ-ja.

Më tej, Këshilli, në kushtet e pushimit së funksionuari të Gjykatave për Krimet e Rënda, vendosi transferimin e gjashtë gjyqtarëve, konkretisht Fehmi Petku, Gjovalin Përnoca, Gurali Brahimllari, Idriz Mulkurti, Dhurata Haveri (të Gjykatës së Apelit) dhe Luan Hasneziri (i Gjykatës së Shkallës së Parë), pranë disa Gjykatave të Apelit apo të Shkallës së Parë me juridiksion të përgjithshëm, duke filluar nga data 19.12.2019 dhe deri në përfundimin për ata të procesit të rivlerësimit kalimtar përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku në rast të konfirmimit në detyrë nga ky i fundit, gjyqtarët e transferuar gëzojnë të drejtën e zgjedhjes për t’u transferuar në çdo pozicion që do të jetë i lirë në atë moment apo që pritet të bëhet i lirë brenda gjashtë muajve, respektivisht në Gjykatat e Apelit apo të Shkallës së Parë me juridiksionin të përgjithshëm.

Në përfundim, po për shkak të pushimit të funksionimit të Gjykatave për Krimet e Rënda, Këshilli vendosi edhe transferimin e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, z. Dritan Hallunaj, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, detyrë, ushtrimin e së cilës e fillon pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë të Tiranës.

GJYQTARET E POSAÇEM

GJYKATA E APELIT

Albana Boksi
Nertina Kosova
Saida Dollani
Dhimitër Lara;
Sokol Binaj
Nure Dreni

GJYKATA E SHKALLËS SË PARË
Daniela Shirka
Etleva Dede
Flora Haredinaj
Ilirjana Olldashi
Irena Gjokaj
Marsela Balili
Miliana Muçaj
Ardit Mustafaj
Bib Ndreca
Fran Prendi
Klodian Kurushi
Sandër Simoni

PANORAMA

Ambasada e SHBA: SPAK- hetim zyrtarëve, bosëve të krimit dhe atyre që ishin të paprekshëm

Hap te rendesishem në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK), e ka quajtur ambasada amerikane ne Tirane, betimin e tete prokuroreve te SPAK, mengjesin e sotem te Presidenti Meta.

 

Me nje shenim ne faqen e vet ne Facebook, ambasada e SHBA ne Tirane thekson se “Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm’.

Postimi i ambasades amerikane 

Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar.

Emrat: 8 anëtarët e SPAK bëjnë betimin tek Presidenti, nis punën Prokuroria kundër korrupsionit e krimit të organizuar

Anëtarët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u betuan sot para Presidentit të Republikës.

Në Presidencë u zhvillua ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: znj. Elida Kaçkini, znj. Enkeleda Millonaj, z. Edvin Kondili, z. Behar Dibra, z. Arben Kraja, z. Klodian Braho, z. Ened Nakuçi dhe z. Altin Dumani.

¨

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta:

“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.

Profesorët e sizmologjisë ofruan hartë të re sizmike më 2013, llogaritën fuqinë e tërmeteve që mund të ndodhin

Shqipëria është një ndër vendet më sizmoaktive në Europë. Energjia e çliruar nga tërmetet e brezit ku ndodhet Shqipëria është rreth 15% e energjisë totale të çliruar nga tërmetet e gjithë botës. Si një vend sizmik ku tërmetet kanë demonstruar lojën e tyre demoniake që në kohërat e lashta, për vendin tonë një shkencë si sizmologjia është domosdoshmëri.



Në vitin 2013 katër sizmologë të njohur në vend, Prof.Eduard Sulstarova, Prof.Shyqyri Aliaj, Prof.Siasi Koçiu dhe Prof. Betim Muço, i ofruan qeverisë një hartë të re sizmike qe shoqëronte botimin e tyre të përbashkët me titull “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”.

Akademikët kanë theksuar faktin se në territorin e Shqipërisë, me probabilitet 80%, mund të ndodhë një tërmet 7 ballë një herë në çdo 5 vjet, një tërmet 8 ballë çdo 10 vjet, ndërsa një tërmet 9 ballë çdo 30-40 vjet dhe tërmeti maksimal i mundshëm arrin magnitudën 7.

Sizmologët në botimin e Akademisë së Shkencave kanë renditur 9 zonat e burimeve sizmike në vendin tonë.

Sipas tyre në Ultësirën Pranadriatike pra në zonën bregdetare duke pasur në konsideratë potencialin e lartë sizmik të brezit tërmetor Adriatiko-Jonik, mund të ndodhin në të ardhmen tërmete me magnitudë 7.00, më tej listohen edhe 8 zona të tjera.

Në botim analizohen edhe faktorët e truallit që ndikojnë në intensitetin e tërmeteve. Profesorët sugjerojnë të shmangen trojet e buta dhe të ngopura me ujë. Për bazamentet e godinave, kjo do të reduktonte dëmin potencial nga tërmetet. Në faqen 65 të librit përmendet edhe zona e ish-Kënetës në Durrës për të cilën shkruhet se ka kushte shumë të dobëta ku trualli përbëhet nga leshterikë, rëra pluhrorë etj që përfundojnë në argjile të dobëta të rrjedhshme.

Pikërisht tek Ish-Këneta në Durrës, lëkundjet e forta bënë që katet e para të disa banesave të futeshin nën tokë. Historia e ndërtimeve këtu u shënjua me një tragjedi për familjen Lala e cila humbi 8 anëtarë pasi banesa 4 katëshe u zhyt nga lëkundjet.

Nga studimi i tërmeteve te ndryshëm të vendit tonë rezulton si rregull se trojet e dobëta me nivel të cekët të ujërave nëntokësore e rrisin intensitetin sizmik dy ballë në krahasim me intensitetin në trojet e fortë shkëmborë, raporton “BalkanWeb”.

Sipas analizës rrezikun më të lartë sizmik në Shqipëri e ka rajoni kufitar Shqipëri- Mal i Zi, trekëndëshi Vlorë-Lushnjë dhe Tepelenë, zona kufitare Shqipëri- Greqi si dhe Korçë-Pogradeci. Studimit ia rrisin vlerën edhe hartat e rrezikut sizmik probabilitar të Shqipërisë, vlerat e rrezikut sizmik për 370 bashki e komuna, si edhe vlerat e plota spektrale për te gjithë qytetet e vendit.

Në studim arrihet përfundimi se rezultatet e këtij vlerësimi probabilitar të rrezikut sizmik duhet të shërbejnë si bazë për kodin e ri të ndërtimeve antisizmike në vend, duke zëvendësuar Hartën e Rajonizimit Sizmik të Republikës së Shqipërisë, miratuar nga Këshilli i Ministrave në dhjetor 1979, e cila është ende në fuqi.

Në një postim të datës 9 dhjetor 2019 Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë në rrjetet sociale një shkrim, lidhur me studimin sizmologjik në fjalë. Meta e shoqëroi shkrimin me diçiturën “Koha për të dëgjuar shkencëtarët, jo servilët”./ BW

Rama s’tërhiqet: Nesër “antishpifje” miratohet. Keqardhje për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave mbi miratimin e paketës anti-shpifje, ndërsa thekson edhe njëherë se projekti është dakordësuar edhe me OSBE.

Në twitter, në përgjigje të reagimeve kundër paketës, Rama shkruan se ndjen “keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë”.

 

Reagimi i plotë:

Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë; për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin http://www.parlament.al/News/Index/9800

Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vienës nën drejtimin e harlemdesir. I falenderoj për kontributin e çmuar dhe angazhimin në vazhdim për aktet nënligjore Antishpifje

“Paketa antishpifje”, KiE: Nevojë për përmirësim urgjent

Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, tha sot se ndryshimet ligjore, pjesë e së ashtuquajturës “Paketë antishpifje”, të propozuara nga qeveria shqiptare “kanë nevojë për përmirësim urgjent. Disa dispozita në të vërtetë nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave”. Përmes një deklarate ajo shprehu “shqetësim të thellë” që parlamenti shqiptar vijoi me shqyrtimin e ndryshimeve të propozuara.

“Unë jam veçanërisht e shqetësuar që kompetencat diskrecionale që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të ekzagjeruara dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe ndërhyrja e një rregullimi nga Shteti të mediave online, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend” – thekson zonja Mijatovic, e cila më parë ka mbulluar dhe funksionin e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e mediave.

Në deklaratën e saj për situatën e krijuar në Shqipëri, Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut nënvizon se “është me rëndësi të madhe të sigurohet që interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik dhe që të mbizotërojë vetë-rregullimi nga ana e mediave, përfshirë mediat online”, shprehet zonja Mijatovic ndërsa i bën “thirrje anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë projekt-ligjet aktuale dhe t’i bëjnë ato në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës ” zëri i amerikës

Shkatërrimi i pyjeve po kërcënon speciet e rralla të Shqipërisë

Shkatërrimi i pyjeve dhe kullotave në male dhe shndërrimi i tokës bujqësore në troje banesash po dëmton florën dhe faunën shqiptare dhe disa nga habitatet më të rralla në Europë, cilëson një studim i PNUD mbi ndikimin e faktorëve njerëzore dhe klimaterikë në mjedis.

Degradimi i habitateve po shndërrohet në rrezik për pasurinë natyrore të vendit lajmëron programi i Kombeve të Bashkuara.

Shndërrimi i tokës së punueshme bujqësore në toka e përdorur për ndërtimin e banesave çon në degradimi i habitateve. Ndërkohë në zonat pyjore prerjet e paligjshme dhe shkatërrimi i livadheve dhe kullotave kanë një ndikim të madh në humbjen e habitatit.

Humbje të mëdha janë evidentuar në zonën bregdetare të Shqipërisë. Përmbytjet e shpeshta kanë denatyruar kushtet për rritjen e bimëve dhe kafshëve në këto zona.

Shqipëria ka tashmë një ligj për biodiversitetin dhe ligjin për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, të cilat përmbajnë dispozita për mbrojtjen e biodiversitetit brenda zonave të mbrojtura, si dhe jashtë tyre. Por pavarësisht institucioneve të shumta dhe ligjeve të posaçme ende mungojnë inventarët e sakta mbi speciet dhe sidomos ato të kërcënuara.

Shqipëria brenda territorit të saj ka ekosisteme detare, zona bregdetare, liqene, lumenj, shkurre me gjelbërim të përhershëm, pyje me gjethe të gjera, pisha, kullota alpine dh livadhe. Gjithashtu në Shqipëria gjenden edhe ekosistemet e maleve të larta.

Shqipëria është gjithashtu e njohur për rrjetin e pasur hidrografik e përbërë nga lumenj, liqene, ligatinat, ujërat nëntokësorë dhe detet.

Në Shqipëri ka 3200 bimë të larta, 800 lloje kërpudhash, 313 lloje peshqish, 323 lloje zogj, 36 lloje zvarranikë, etj. Shqipëria numëron 150 lloj speciesh krejtësisht të sajat që nuk rriten e zhvillohen në asnjë vend tjetër. Në Shqipëri gjenden edhe 400 specie bimore ballkanike të rralla dhe 18% e specieve të rralla europiane.

Programi NAPA menaxhon rrjetin e zonave të mbrojtura dhe rrjeteve të tjera natyrore si Natura2000. Gjithashtu ky program monitoron florën dhe faunën në këto zona. Qeveria e Shqipërisë ka krijuar një sistem përfaqësues të Zonave të Mbrojtura (ZM), i cili mbulon pothuajse 16% të territorit shqiptar. Sistemi i zonave të mbrojtura konsiston kryesisht në 15 parqe kombëtare, në disa rezerva natyrore të menaxhuara dhe peizazhe të mbrojtura, në të cilat gjendet shumica e specieve.

PNUD vë në dukje se programi NAPA nuk ka prodhuar ndonjë raport monitorimi mbi biodiversitetin që në vitin 2017./monitor

Ndërtimi i një godine në Valbonë, KPA riçel hetimin gjyqësor për anëtarin e KLP

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të hënën më 16 dhjetor që të riçelë hetimin për anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Arben Dollapaj, duke pranuar një pjesë të kërkesave për hetim të bëra nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, konkretisht për të verifikuar lidhur me procedurat e  ndërtimit të godinës në Valbonë të Tropojës dhe për konkflikt të mundshëm interesi me shitësin e banesës në Tiranë.

 

Gjatë seancës së të hënës, Ballhysa renditi një listë të gjatë që konsideronte se duheshin verifikuar.   Ai tha se është e nevojshme të hetohet pasuria faktike lidhur me ndërtesën në Valbonë ku të evidentohet investimi dhe përllogaritja e shpenzimeve për strukturën e të verifikohet leja ndërtimore. Komisioneri kërkoi që lidhur me këtë pasuri të cilësohen si persona të tjerë të lidhur motra dhe vëllai.

Ballhysa tha se Dollapaj ka paraqitur 10 prova lidhur me këtë pasuri, ndër to: një ekspertim nga një inxhinier; deklarimet e motrës dhe të vëllait; një ekstrakt historik të subjektit të vëllait; lëvizje e llogarive të motrës në USD; SËIFT code nga e njëjta bankë dhe mandate pagese doganore në emër të vëllait.

“Vlerësojmë se subjekti në mënyrë deklarative ka pranuar se pjesa e vëllait dhe e motrës është përdorur së fundmi si bujtinë, ndërsa pjesa e tij është ende e papërfunduar”, pohoi Ballhysa.

Ai theksoi se ekspertimi dhe aktet e dorëzuara nuk kënaqin nevojat e hetimit pasi rezultojnë shuma të ndryshme investimi; s’ka të dhëna për vlerat e investimeve të kryera nga familjarët dhe se nuk identifikohet vlera totale e investimit. “Identifikohet leja ndërimore, por nuk ka verifikim se si është zbatuar”, pohoi Ballhysa. Ai shtoi se objekti ka përfunduar dhe se mund të regjistrohet për pjesët takuese dhe se deklarata noteriale e familjarëve të Dollapajt nuk mund të merrej me fuqi të plotë provuese pasi është se është bërë gjatë procesit të vetingut. Sipas Ballhysës, duhet administruar dosja e plotë nga Bashkia Tropojë për këtë ndërtesë dhe duhet hetuar për të ardhurat e ligjshme të Dollapajt për pjesën e tij.

Komisioneri theksoi më tej në qëndrimin e tij, si për shkak se vetë Dollapaj ka deklaruar se investimi ka qenë i përbashkët me motrën dhe vëllanë, atëherë ka marrëdhënie interesi dhe duhet të cilësohen si persona të tjerë të lidhur.

Ballhysa evidentoi se shuma 25 mijë USD e deklaruar si hua e marrë nga vëllai subjektit prej kunatit që jeton në SHBA, është dërguar nga një person tjetër. Ai kërkoi që të mos konsiderohet kjo vlerë. Komisioneri pohoi se edhe aktet e zhdoganimit janë kryer nga një person që nuk është investitor në ndërtesën në Valbonë. Komisioneri tha se nuk mund të konsiderohen si të ardhura të ligjshme edhe dhuratat nga motrat që jetojnë në USA, nëse nuk verifikohet burimi i ligjshëm i tyre.

Lidhur me ndërtesën në Tiranë, Ballhysa u ndal fillimisht në nevojën e verifikimit të mundësisë së prokurorit Dollapaj për të plotësuar kushtet për marrjen e kredisë së butë.

Ai kërkoi gjithashtu që të konsiderohet si person tjetër i lidhur edhe kunati H.S. që jeton në USA, i cili i ka dhënë hua 25 mijë USD vëllait të prokurorit Dollapaj për blerjen e shtëpisë në Tiranë. Ballhysa këmbënguli për verifikimin e konkliktit të mundshëm të interesit pasi, duke argumentuar se shtëpia është blerë më lirë nga kostoja e ndërtimit.

Pasi u tërhoq për rreth dy orë e gjysmë për të konsultuar dokumentacionin e dorëzuar nga Dollapaj dhe qëndrimin e Komisionerit, trupa gjykuese e përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Luan Daci relator dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo anëtarë, vendosi të riçelë hetimin dhe të lejojë marrjen e provave për një pjesë të kërkesave të Ballhysës.

Kolegji vendosi t’i kërkojë të dhëna disa institucioneve lidhur me ndërtimin dhe zhvillimin e ndërtesës në Valbonë. Konkretisht u vendos t’i kërkohet informacion ZVRPP Tropojë për regjistrimin e kësaj pasurie; Bashkisë Tropojë dokumentacioni i praktikës së dhënies së lejes së ndërtimit; Ministrisë së Turizmit të dhëna për pajisjen me certifikatë për operimin në fushën e turizmit dhe Drejtorisë Rajonale Tatimore Kukës dokumentet për regjistrim e aktivitetit si “bujtinë” në Valbonë.

Ndërsa lidhur me shtëpinë në Tiranë Kolegji vendosi t’i kërkojë të Ministrisë së Drejtësisë të dhëna për gjendjen gjyqësore të shtetasit Kosovar që i ka shitur banesën vëllait të prokurorit Dollapaj. Gjithashtu, u vendos t’i kërkohet prokurorive Durrës, Tiranë dhe asaj të Përgjithshme informacion nëse prokurori Dollapaj ka hetuar ndonjë çështje ku ka qenë subjekt shtetasi Kosovar në fjalë.

Kryesuesi Adrian Hajdari shtoi se Kolegji kishte vendosur që t’i kërkojë Komisionerit Publik të japë vlerësimin e tij në lidhje me denoncimet e publikut dhe që subjekti të ndihet i lirë të depozitojë çdo provë.

Më pas ju dha fjala mbrojtësit të prokurorit Arben Dollapaj, avokatit Viktor Gumi i cili duke ju referuar qëndrimeve të Komisionerit për dhuratat e dërguara nga motrat e Dollapajt për nënën e tyre, tha se në seancën e 4 dhjetorit kishin depozituar dokumente të shtetasve amerikanë. Ai shpjegoi se praktika e deklarimit të të ardhurave në shtetin amerikan jepet për 6 vitet e fundit. Sipas avokatit Gumi, duke qenë se mbesa e ka dhënë dhuratën në vitin 2013, përfshihet në gjashtë vitet e fundit. Kurse motrat e që i kanë dhënë dhuratat në vitin 2006 nuk mund të kenë dokumente për atë periudhë.

Prokuori Arben Dollapaj tha në fund të seancës se edhe pse huaja i ishte dërguar vëllait nga një person tjetër dhe jo nga kunati, ata në atë periudhë kishin qenë bashkëpronarë. “Për transparencë do të përpiqem të sjellë prova e deklarata noteriale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë gjë”, theksoi prokurori Dollapaj edhe pse për këtë qëndrim të Komisionerit nuk u riçel hetimi.

Kolegji vendosi të shtyjë seancën e radhës për më datë 16 janar 2020, ora 10:00.

Gjatë seancës së 4 dhjetorit, prokurori Arben Dollapaj u shpreh se ishte i hapur për riçeljen e hetimit gjyqësor dhe për çdo lloj verifikimi në Valbonë e në Tiranë.

/BIRN/

Arben Malaj: “Më kanë kërcënuar familjen”

Ish-ministri i Financave Arben Malaj, i pezulluar nga detyra e anëtarit të bordit të Këshillit Mbikqyrës tregoi se familja e tij është kërcënuar njësoj si familja e një tjetër profesori.

“Për të ikur familja ime në Amerikë procedurat i ka zbatuar Ahmetaj, me ata që kërkuan të ikte urgjentisht se kërcënohej njësoj si familja e një profesori tjetër”, tha Malaj.

 

Më tej Malaj u shpreh se mesazhi për shkarkimin e tij zv.kryeministrit Erion Braçe, nga Edi Rama i ka mbërritur në mes të natës. Ish-ministri Malaj tha se në parlament me poezinë e Reshat Arbanës do të rrëfejë se çfarë është duke bërë keq Komisioni i Ekonomisë dhe pse duhet ndaluar sa më shpejt.

“Gjërat nuk janë kaq të lehta sa i shikoni. Ngrihet natën Edi Rama dhe i çon sms Erion Braçes shkarkoni Arben Malaj. Jo jo, s’janë të lehta. Pjesën politike do ta bëj vetëm në parlament. Sepse në kulturën time Komisioni i Ekonomisë është thellësisht profesional, në parlament me poezinë e Reshat Arbanës, do t’ia qartësoj se çfarë është duke bërë keq dhe pse duhet ndalur sa më parë për të mirën e tij dhe të popullit. Unë jam i majtë i përkas të majtës dhe raportet e mia me të majtën nuk i kam të kushtëzuara me karrige politike apo profesionale”, tha Malaj.

Deklarata ‘bombë’ e Sekretarit të PPE: Krimi i organizuar në Shqipëri ushqehet nga politika, PPE mbështet programin e PD

TIRANË

I ftuar për të dytin vit rradhazi në Akademinë Politike të FRPD-së Christian Kremer zv.sekretar i Pergjithshëm i Unionit të Partive Popullore Europiane ka vënë gishtin mbi plagën e krizës politike në Shqipëri, që sipas tij,  është lidhja e krimit të organizuar me politikën.
Gjatë fjalës së tij në Tiranë, Kremer tha se krimi i organizuar për fat të keq vazhdon të ushqehet nga politika.

“Konstatoj për fat të keq që problemet janë të njëjta sepse ne në Bruksel i dimë fare mirë problemet në vend. Për shembull çështja e ndarjes së krimit të organizuar nga politika, largimi i personave me rekorde kriminale nga postet publike. Megjithëse këto kanë qenë probleme madhore kemi parë që asgjë nuk është zgjidhur deri tani. Krimi i organizuar ende ushqehet nga politika dhe jeta shoqërore dhe janë qytetarët e thjeshtë dhe të ndershëm që paguajë këtë faturë. Prandaj PPE ka qenë e qartë,  BE dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të ushtrojë presion në mënyrë që krimi i organizuar të luftohet në Shqipëri. Çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë vazhdojnë dhe problem të tjera të reja kanë dalë së fundmi për median”- deklaroi Kremer duke apeluar BE-në të ushtrojë presion ndaj Tiranës që të luftohet krimi.

Zv.sekretari i PPE preku edhe çeshtjen e hapjes së negociatave duke garantuar mbështetjen e plotë të organizatës më të madhe politike në Europë.
“Me lejoni të them diçka në lidhje me pranimin në Bashkimin Europian. Lista e gjatë e problemeve të pazgjidhura nga kjo qeveri nuk ka ndihmuar në diskutimet tona në Bruksel por qëndrimi i PPE është dhe ka qenë shumë i qartë. Megjithëse ka shumë probleme. Ne e konsiderojmë një gabim të madh historik mosnisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Bashkimi Europian nuk është i plotësuar pa Ballkanin Perëndimor dhe pa Shqipërinë. Ju mund të mbështetni në solidaritetin tonë edhe në muajt në vijim kur të trajtohet çështja e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian” – tha Kremer.

Duke folur në emër të Unionit të djathtë europianë Kremer garantoi mbështetje totale për programin e Partisë Demokratike.
“PPE mbështet plotësisht propozimet PD për të zhvilluar ekonominë, për të krijuar vende pune dhe për të sjellë prosperitet ekonomik në mënyrë që ju si brez i ri të keni prosperitet në të ardhmen”, – deklaroi zv.sekretari i PPE.

Zv.sekretar i Pergjithshem i Unionit të Partive Popullore Europiane Christian Kremer në krye të fjalës së tij shprehu dhimbjen dhe solidaritetin tim për viktimat dhe të plagosur nga tërmeti i 26 nëntorit.

PD – Ramës: Fati yt është i lidhur me Vangjush Dakon

“Ku është fletë-arresti i Vangjushit?”,- me këtë pyetje të shkruar në pankartën që mbahet në dorë nga një i ri, Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, shoqëron reagimin ku refuzohet edhe njëherë tjetër ftesa për bashkëpunim, e bërë nga kryeministri Edi Rama.

Nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar sot, Rama kërkoi bashkëpunimin e Lulzim Bashës pas tragjedisë së tërmetit, por PD rendit disa arsye për të cilët thotë se pengojnë bashkëpunimin.

Një prej tyre, sipas PD-së, është edhe lidhja e Ramës me Vangjush Dakon dhe Arben Ahmetajn.

Reagimi i plotë

Edi Rama vazhdon të bëjë show mbi tragjedinë e 26 Nëntorit, duke u përpjekur të mbulojë paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe abuzimin e qeverisë së tij me propagandë të shëmtuar kundër opozitës.

Për fatin e keq të Shqipërisë dhe qytetarëve të prekur nga tërmeti, këto 3 javë provuan se vendi drejtohet nga një kryeministër i dështuar. Edi Rama dështoi të menaxhojë situatën pas tërmetit, dështoi t’u japë qytetarëve sigurinë për banesat e tyre, dështoi të mbrojë interesin publik, duke mbrojtur paturpësisht 150 milionë dollarë që u jep oligarkëve për koncesionet korruptive të firmosura prej qeverisë se tij.

Dëshmi e dështimit të Edi Ramës është edhe përgjegjësia direkte për vdjekjen e 24 qytetarëve në pallatet e shpallura të pabanueshme në Thumanë pas tërmetit të 21 Shatorit, për të cilët nuk mori asnjë masë për ti strehuar, duke i lënë në mëshirën e fatit.

Dështimi më i madh i Edi Ramës është se nuk shndërroi dot Partinë Demokratike dhe opozitën në fasadën e pushtetit të tij të korruptuar dhe të kriminalizuar. Ai e ka të lidhur fatin me Vangjush Dakon dhe Arben Ahmetajn, ndërsa ne me qytetarët shqiptarë.

Në këtë kohë fatkeqësie, shqiptarët kanë parë se e vetmja forcë e përgjegjshme, që ka ngritur zërin për interesin e tyre është opozita. Ne nuk përfituam politikisht nga tragjedia, ne nuk u tallëm me viktimat dhe as nuk i përdorëm të prekurit nga tërmeti, siç po përpiqet prej ditës së parë, Edi Rama, i cili shpiku edhe fejesën e të birit për t’u viktimizuar para shqiptarëve që ia kanë hequr vizën me kohë.

Mima skanon Durrësin: Qytet fantazmë pas tërmetit, biznesi në gjendje kastrofike

Tërmeti i 26 nëntorit e ka shndërruar pjesërisht Durrësin në një qytet fantazëm. Kur kanë kaluar tre javë nga tërmeti, ish-deputeti demokrat, Florian Mima, i cili e ka prekur nga afër terrenin thotë se situata mbetet po ajo.

I ftuar në RTV Ora ai thotë se veç qytetarëve që kanë humbur shtëpitë, ka edhe të tjerë që ende nuk e dinë nëse banesat e tyre janë apo jo të sigurta për të vazhduar jetesën në to.

Mima: Jemi përditë në Durrës, një qytete që në zona të caktuara ka marrë pamjen e një qyteti fantazëm. Fytyra njerëzish të trishtuar dhe të pasigurtë, ende nuk kanë marrë një copë letër që ky pallat është i banueshëm apo jo. Edhe ku ka pasur vizita të grupeve nuk është lënë një copë letër, s’ka një vlerësim. Kanë kaluar tre javë dhe nuk kemi një mistri të hedhur për ato ndërtesa që mund të riparohen.

E njëjta situatë edhe me biznesin.

Mima: Biznesi në Durrës është në gjendje kastrofike. Njerëzit kanë frenuar blerjet. Vizituam dje një biznes me 400 punëtorë, ka hyrë dhjetori dhe nuk ka një ditë pune të regjistruar. Kontraktorët në Itali e kërcënojnë se do prishin kontratën.Është i detyruar të paguajë pagën e këtij muaji vetëm që të mos i largohen punëtorët.250 milion lekë të vjetra ishte fatura e pagës për dhjetorin. Besoj se fatura nëse përfshin futjen e rreziqeve të tjera që mund të ndodhin në këtë vend dhe nuk janë në dorën tonë, fatura mund të jetë e rangut të miliarda dollarëve.

“Mund të jemi pranë një tragjedie, të vijnë ekspertët”, tërmeti dëmtoi dy kullat e Azotikut në Fier

Dy kullat e ish-repartit të Urës në Azotikun e Fierit, rrezikojnë të shemben pas lëkundjeve të forta të tërmetit të 26 nëntorit, ato kanë pësuar spostime të konsiderueshme.

Një kullë është spostuar 10 deri në 12 gradë ndërsa tjetra 7 deri në 8 gradë. Kullat kanë një lartësi prej 60 metrash dhe janë ndërtuar në vitet 70-80.

I pyetur nga Report TV Drejtori i Azotikut Adnand Çupa thotë se kullat mund të shemben ndaj kërkon vlerësimin e menjëhershëm të gjendjes së tyre nga ekspertët.

“Mbas tërmetit të 26 nënëtorit, që fatmirësisht e kurseu qarkun e Fierit, përfitoj nga rasti që në ish-uzinën e plerave të ish-Azotikut në Fier.Ky tërmet nuk ka kaluar pa pasoja.

Kulla ka pësuar një devijancë më të madhe pas tërmetit. Ajo që na shqetëson është që në një tërmet tjetër mund të ndodhemi pranë një tragjedie. Kërkoj që grupet e ekspertëve të verifikojnë, të bëjnë dhe prova laboratorike”, tha drejtori i Aziotikut Fier Adnand Çupa.

Shembja e kullave mund të shkaktonte një tragjedi të vërtetë pasi në këtë zonë periferike jetojnë familje rome dhe pranë kullave qarkullojnë makina të shumta.

Në këtë zonë janë edhe 8 kulla të ftohjes që janë tejet të amortizuara të ndërtuara rreth 50 vite më parë.

Presidenca i bën thirrje Dvoranit: Bën mirë t’i publikosh vetë i pari të gjitha provat dhe videot

Presidenca ka një përgjigjie për kreun e KED Ardian Dvorani, pas deklaratës së tij për mediat.



Zëdhënësi i Presidentit të Republikës Tedi Blushi i kërkon kreut të KED të ruajtë qetësinë dhe të mbledhë mendjen. Më pas i lutet të mos dëmtojë provat dhe t’i publikojë i pari ato dhe videot.

“Dvoran, ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen! Të lutem mos dëmto provat se do rëndosh më shumë pozitën tënde! Më thonë gazetarët se paske publikuar dhe një video? Shumë mirë!

Vetëm ruaj qetësinë me videot, se publikimi i tyre nuk ka filluar akoma! Ne e dimë që ty të kanë ngatërruar në anglisht, por do të sqarojmë edhe në shqip! Ndaj bën mirë t’i publikosh vetë i pari të gjitha provat dhe videot!

Megjithatë, ne me shumë qetësi po presim hetimin! Reforma në Drejtësi do ecë përpara dhe askush nuk mund ta ndalë dot!”

Në një deklaratë për mediat sot Dvorani tha se do vazhdojë të ushtroj deri në fund kompetencat dhe se nuk ka lënë asnjëherë të kuptohet se ndjekja penale ndaj tij mund të bllokojë këtë institucion.

Ndërtuesi i katërkatëshes në kërkim, akuzohet për vrasjen e 8 pjesëtarëve të familjes Lala

Ndërtuesi i vilës katër katëshe në zonën e Kënetës ku humbën jetën 8 anëtarë të familjes Lala është shpallur në kërkim nga policia. Ai akuzohet për vrasje me dashje në mënyrë indirekte.

I vetmi i mbijetuar nga shembja e banesës së familjes Lala në Durrës është 17-vjeçari Ramë Lala. Gjendja e tij shëndetësore nuk është paraqitur e mirë prandaj është nisur drejt Italisë për të marrë një mjekim më të specializuar. Jetën e Ramë Lalës, e shpëtoi një lavatriçe. Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake krijoi mjaft hapësirë sa për t’i mbrojtur trupin dhe kokën 17-vjeçarit, pas shembjes së banesës katër katëshe nga tërmeti i fuqishëm që la pas të paktën 50 viktima.

Tetë anëtarët e familjes Lala që u shuan nga tërmeti tragjik
1. Amelia Lala 8 vjeç
2. Sahadete Lala 79 vjeç
3. Griselda Lala- 22-vjeç
4. Marjeta Lala 31 vjeç
5. Emilio Lala
6. Enis Lala 2 vjeç
7. Dionisa Lala 2 vjeç
8. Ilir Lala, 52 vjeç

Arrestohen burrë e grua, pronarët e ‘Vila Palmës’

Duket se përgjegjësit e tragjedisë së 26 nëntorit po vihen para drejtësisë. Pas shoqërimit e arrestimit të 17 zyrtarëve, mësohet se janë arrestuar edhe pronarët e “Vila Palmës”, Dëshira Qato dhe Arben Qato.

Sipas informacioneve, ende të pakonfirmuara zyrtarisht, në pranga ka rënë edhe Artur Terziu, pronari i ‘Bar Barons’.

Bari në fjalë u bë lajmi kryesor në situatën post-tërmet pasi pronari kishte holluar kollonat për të pasur më shumë hapësirë për lokalin e tij e për rrjedhojë, pallati në Durrës u shemb totalisht.

“Ka patur plan për vrasjen, iku Agron Tufa, do ekzekutojmë Çelon”- Spartak Braho ironizon

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Spartak Braho ka reaguar për largimin në azil të ish-Drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa.

Braho në një intervistë për gazetën “Dita”, ka thënë se ky ishte largimi i një falsifikatori të historisë dhe një plagjiator i rëndomtë. Ikja e Tufës për Brahon nuk e ka shqetësuar, madje ai thotë se “ është një mashtrues me pak”.

Në të vërtetë nuk më bëri asnjë përshtypje ikja e tij. Ishte largimi i një falsifikatori të historisë, një plagjiator i rëndomtë, ndaj dhe ikja e tij nuk kishte se si të më shqetësonte. Tani kemi një mashtrues më pak, tha Fatos Tarifa. Ndërsa Dr. Sabit Brokaj e quajti një bëzhdilë me të cilin nuk ia vlen të merresh”, thekson Braho.

Në mënyrë ironike, Braho i përgjigjet dhe akuzave të Agron Tufës për një plan për ta eliminuar fizikisht.

Braho thekson se ka patur plan dhe se kjo detyrë i është besuar Arben Dukës, ndërkohë që shton po me ironi se tashme që iku Agron Tufa, do ekzekutohet Çelo Hoxha.

“– Po, ka patur. Pavarësisht se ju shpesh keni botuar në gazetën tuaj edhe idetë e Tufës, unë them me përgjegjësi se një plan i tillë ka ekzistuar. Nuk po bëj aspak humor me një çështje kaq serioze. E merrni me mend apo jo: Kanë dashur ta ekzekutojnë Agronin! Kjo është lebetitëse për Shqipërinë e shekullit të 21-të! Janë bërë edhe mbledhje për këtë punë. Fatmirësisht, mua më përjashtuan nga atentati, pasi më thanë se boll ke vrarë në kohën e komunizmit. Detyrën ia ngarkuan Arben Dukës. Mund t’ia kishin ngarkuar edhe Sabitit, Fatosit apo Shaqirit.
Edhe ti, Xhevdet, pavarësisht se je nga Mallakastra, në mbledhjen e celulës vendosëm të të përjashtonim nga aksioni, pasi ti nuk di të zbrazësh kobure. Dhe, mbi të gjitha ke ndihmuar shfaqjen e Agron Tufës në letrat shqipe. I ke botuar poezitë e para qysh në vitin 1989, kur ai ishte ushtar në Shkodër. Nuk të takonte ty të vrisje një talent.

Nejse, e pranoi Beni të bënte atentatin, se i ra dhe shorti. E pranoi heroikisht si Avni Rustemi. Por atentati nuk u krye, pasi Agroni iku para se të vihej në zbatim plani. Por mendoj se edhe Ben Duka nuk do bënte dot gjë, ka harruar si zbrazet koburja, pasi e ka mendjen te vjershat.

Sidoqoftë, plani ka ekzistuar. Hetimet e mëtejshme, pasi të kthehet Tufa, do ta vërtetojnë katërcipërisht atë… Beni pranon dhe vetë në një poezi të që botoi para dy ditësh në gazetën tuaj, kur thotë: “Dhe fjalën vijova unë:/ “Meqë jam një Kolonel,/ do ta zgjidh vetë këtë punë, /edhe llafi nuk na del!”

“Jemi në vijim të luftës,/ kam dy ditë që e mendoj, /që Çelon në vend të Tufës, / vetë ta ekzekutoj! Këtu mbyllëm diskutimet,/ më tutje fjalën ç’ta zgjasim, / unike qenë mendimet, /që Çelo Hoxhën të vrasim!”, thekson deputeti i Kuvendit.

Më tej Braho i bën apel Agron Tufës të kthehet sa më parë.

Nuk kam apel për ambasadat. Ato i dinë mirë punët e tyre. Me që më kërkuat një mendim apo një apel, siç thatë, po e jap për Tufën: Agron Tufa! Lëri mënjanë ata që të bëjnë qejfin kot dhe me demagogji se ligji i shkelur është njëlloj kudo në kapitalizëm. Ti i pari e ke baltosur.

Deri sa nuk ua ke mbushur mendjen edhe ambasadave të të ndihmonin, prokurorisë e qeverisë, lëre këtë pune dhe kthehu sa më parë. Ne do të na kesh në krah sinqerisht, për aq kohe sa nuk ke faj. Aq më tepër femijët e tu.

Na duhesh Agron, edhe për faktin se je gatuar ndryshe dhe ne duhet të merremi me ty. Me Çelon që ke lënë pas nuk na e mbush dot mendjen”, thekson Braho.

EMRAT- Ja kur do të betohen te Presidenti Meta 8 prokurorët e SPAK

Më 19 Dhjetor, 8 prokuroret e zgjedhur te SPAK do te bejne betimin te Presidenti Ilir Meta. 

Lajmin e ka konformuar sot zedhenesi i Presidentit, i cili ka njoftuar se ceremonia e betimit do te zhvillohet te enjten qe vjen ne oren 09:30. 

“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, në përgjigje të kërkesës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Kryetarin e KLP-së, z.Gent Ibrahimi, në mbështetje të nenit 61 pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, ditën e enjte, në datën 19 dhjetor 2019, ora 09:30, organizon ceremoninë e betimit të 8 (tetë) prokurorëve të emëruar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK)”- njofton zedhenesi Tedi Blushi, ne nje shenim ne faqen e tij ne FB.

Emerimi i 8 prokuroreve ne SPAK behet per nje mandat 9 vjeçar pa te drejtë riemerimi dhe kerkon votim nominal per secilin prej tyre.

LISTA E ANETAREVE TE SPAK

Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë
Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Edvin Kondili, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Elida Celami (Kaçkini) prokurore në Prokurorinë e Tiranës
Ened Nakuçi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Elbasanit
Klodian Braho, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

205 familje durrsake protestojnë në Bashki! Pallati i tyre i dëmtuar, ndërtuesi është zhdukur

205 familje të një godine në lagjen nr.17 në Durrës, kanë dalë në protestë para bashkisë së Durrësit.

Familjet e prekura nga tërmeti kërkojnë zgjidhje për pallatin ku jetojnë, pasi ndërtuesi që ka ngritur godinën është ‘zhdukur’. Banorët presin që shteti t’i japë zgjidhje kësaj situate, pasi pallati i tyre duhet të riparohet, por ndërtuesi i godinës nuk gjendet.

FOTOT- Ky është çifti që u vetëhelmua në Librazhd pak ditë pas dasme

Familja Hajdari në Librazhd është goditur rëndë sot nga lajmi se ka humbur nusen e cila kishte vetëm 5 ditë që kishte hyrë në atë shtëpi si bashkëshortja e djalit, Olsian Hajdarit i cili tani ndodhet në luftë me jetën në spitalin e qytetit, por ka humbur gruan.

Rezarta Hajdari, vetëm 19 vjeçe humbi jetën sot para se të mbërrinte në spital, ku mjekëve nuk u kishte mbetur më asgjë për të bërë, ndërsa po përpiqen të mbajnë gjallë bashkëshortin e saj, 27 vjeçarin.

Çifti i sapomartuar, nuk kishte mundur as të hidhte më shumë se 2 foto në rrjetet sociale, e për shkaqe që janë ende të paqarta për policinë, ata kanë tentuar t’i japin fund jetës duke u vetëhelmuar. Rezarta nuk ia doli dot!

Nga postimet e tyre në rrjetet sociale, duket që çifti ishin të dashuruar dhe i kushtonin deklarata dashurie njëri-tjetrit.

Policia ka reaguar me nje informacion paraprak ku thotë se 19 vjeçarja ka mbërritur pa shenja jetë në spital.

“Do shënjestrohen burgjet ku mbahen kriminelët e mëdhenj”, SHBA zbulon planin për Shqipërinë

Ambasada amerikane zbulon planin e investimeve per burgjet shqiptare, ne kuader te mbeshtetjes se reformes ne keto vende te vuajtjes se denimit. 

Me nje shenim ne faqen e vet ne FB, ambasada njofton per takimin e fundit te zhvilluar mes Drejtoreshes se Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara Julie Craven me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili.

“Me në investim fillestar prej 920 000 dollarë, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës do të ndërtojë programe që do shënjestrojnë burgjet ku mbahen disa prej kriminelëve më të mëdhenj”- njofton ambasada e SHBA ne Tirane.

Postimi i ambasades se SHBA ne Tirane

Drejtoresha e Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara Julie Craven u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili për të biseduar mbi planet e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur reformën e burgjeve në Shqipëri. Me në investim fillestar prej 920,000 dollarë, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës do të ndërtojë programe që do shënjestrojnë burgjet ku mbahen disa prej kriminelëve më të mëdhenj. Investimi i Shteteve të Bashkuara do të forcojë aftësinë e personelit të burgjeve për të ndalur dhe shkatërruar aktivitetin e paligjshëm pas hekurave dhe do të aktivizojë procese për të luftuar korrupsionin në sistemin penitenciar.

Artan Fuga: “Na poshtëroi tërmeti sa s’na ka poshtëruar 500 vjet robëri!”

Pas tërmetit tragjik që goditi vendin, shumë personalitete apo politikanë vizitojnë vazhdimisht zonat më të prekura, ndërsa publikojnë edhe video gjatë bisedave me banorët.

Akademiku Artan Fuga ka reaguar ashpër ndaj këtyre publikimeve, ndërsa shprehet se video e biseda të tilla, i paraqesin shqiptarët si një popull servil, të pakulturuar e gjysëm debila.

 

Sipas Fugës kjo është një katastrofë e mjerueshme televizive, ndërsa shton se “tërmeti na poshtëroi aq sa nuk na ka poshtëruar as 500 vjet robëri!”

Postimi i plotë:

Pasqyra që na rrënon dinjitetin.
———————————
Dëmi më i madh i disa videove dhe bisedave a gjysëm bisedave në rrugë a nëpër shtëpi të cilat transmetohen pastaj në televizione ose në ndonjë portal,

është se ata i paraqesin shqiptarët e zgjuar, të mënçur, dhe kritikë,

na paraqesin neve pra

si një popull:

servil,
hipokrit,
të paditur,
të pakulturuar,
të nënshtruar,
gjysëm debila,
madje që nuk dimë as edhe të formulojmë dot as mendime logjike!

Katastrofë e mjerueshme televizive që na ve përpara surratit pasqyrën që na shtrembëron veten tonë,

Sikur e meritojmë Piramidën mbi kokën tonë.

Sa më të rrënuar skllevërit aq më e lartë maja e Piramidës.

Me vjen keq për këtë pamje të llahtarëshme që e shoh për ditë me zë dhe figurë!

Nuk është ky populli im!

Unë e di që ata luajnë teatër,
bëj kuvendin sipas vendit,
shkëmbejnë pesë lajka me një çadër dimrore!

Tregti e detyruar!

Fake News i llahtarshëm!

Ndaleni këtë rregji se nuk na ka hije!

Lutem!

Na poshtëroi tërmeti aq sa nuk na ka poshtëruar as 500 vjet robëri!

Nuk ka nevojë t’a shtojmë edhe më!

Dosja dërgohet në gjykatë në limitet e afatit, bien akuzat ndaj Lulzim Bashës për lobimin rus e pastrim parash

Prokuroria ka dërguar në gjykatë, në limitet e afatit, dosjen ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë, ish-sekretari i përgjithshëm të PD, Arben Ristani dhe financierit Ilir Dervishi.

3 prokurorët e çështjes ishin të ndarë në vendimmarrje, dy prej tyre Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako për ta çuar në gjykatë dhe Kol Hysenaj për të vijuar hetimet, por drejtuesja e prokurorisë nxorri një udhëzim të përgjithshëm sipas të cilit rekomandon prokurorët të kryejnë veprime të mëtejshme për çështjen.

 

Ky udhëzim nuk është marrë në konsideratë nga dy prokurorë dhe duke qenë se afatet hetimore përfundonin sot më 12 dhjetor dosja është dorëzuar në gjykatë. Krahas dosjes në gjykatë është dorëzuar edhe akti i drejtueses së prokurorisë e cila konstaton disa pavlefshmëri. Fati i dosjes ‘Basha’ do vendoset nga gjykata për hetim, rishqyrtim apo pushim.

Hetimet për këtë çështje nisën kryesisht nga Prokuroria e Tiranës, pas një shkrimi të revistës amerikane, Mother Jones, e cila hidhte dyshime të forta se kompani të lidhura me shtetas rusë kishin financuar në favor të Partisë Demokratike. Referuar deklarimeve të kompanisë së lobistit Nik Muzin, rezultonte se ajo kishte marrë tri pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Njëra nga pagesat është bërë nga kompania Biniata Trade, e regjistruar në Skoci, e krijuar si partneritet i dy kompanive të tjera, të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, aksionet e të cilave zotërohen nga shtetas rusë.

Sipas Prokurorisë, Lulzim Basha dhe zyrtarët e tjerë të PD-së nuk i kanë deklaruar këto pagesa, por vetëm një shumë prej 25 mijë dollarësh, e për këtë shkak duhet të përgjigjen për falsifikimin e formularëve. Pas njoftimit për dërgimin e çështjes në gjyq për shefin e opozitës i menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike.

Replikat- “Do ndalojë dhe qentë të lehin”- Profesorët kundërshtojnë paketën anti-shpifje

Paketa e ligjeve anti-shpifje ka sjellë reagimet e forta të profesorëve të gazetarisë, të cilët kanë qenë sot të pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Medias.

Profesor Mark Marku ka deklaruar para deputetëve, se “që kur u bë kështjella e Surrelit, u bë dhe rreziku për mediat online”.

Marku ka thënë se me  paketën anti-shpifje, Rama do të jetë i vetmi që “kakaris” dhe se do u ndalojë dhe “qenve të lehin”.

Ndërkohë që edhe analisti, Argon Gjekmarkaj ka thënë gjatë fjalës së tij se “sulltanatet janë të bukura për t’u treguar në përralla dhe jo për t’ju jetuar”.

Më tej analisti ka thënë se nëse deputetet do ta votojnë këtë nismë, do u heqin të drejtën fëmijëve të tyre të bëjnë gazetari në të ardhmen.

“Çdonjëri e ka të shtrenjtë karrierën, por jo me çdo kusht, nuk është e thënë që kryeministri t’u përkëdhele, diku do u ngelë hatri, fëmijët tuaj do duan të bëjnë gazetarin, jo lakeut e servilit, kanë nevojë për hapësirë lirie e demokracie”, u shpreh Gjekmarkaj.

Nga ana tjetër, deputeti i maxhorancës, Musa Ulqini është revoltuar me debatin në mbledhje, duke u kërkuar pedagogëve që të mos fyejnë deputetët.

Ndërkohë që Mark Marku i është kundërpërgjigjur: “Keni ulur kokën për çdo standard të demokracisë, sjellja prej 6 vitesh ju përgënjeshtron atë që thotë”./PANORAMA.al

 (Shiko videon e debatit Mark Marku, Mirela Kumbaro)

Replikat në Komisionin e Medias

Mark Marku: Nuk e keni miratimin për këtë nga asnjë organizatë mediash dhe nga asnjë njeri me mend në kokë, kaq po them.  Që kur u bë kështjella në Surrel u bë rreziku për mediat online, ne kemi qenë pjesë, kam qenë relator i një pr/ligji dhe e dimë procedurën se si ka funksionuar, kemi pritur 2 vjet që të vinte opozita që të miratohej ligji, kemi pasur ekspertë nga KE, BE, një nga më të mirët për mediat në Evropë, vetëm për një gjë nuk kemi rënë dakord për këtë ligj që ju po e hidhni poshtë, për zgjedhjen e kryetarit të AMA.
Pas 5 vjet konsultimesh e ekspertizash kemi arritur te ai produkt që gjithsesi nuk është perfekt. Këtu i vetmi aktor interesi është kryeministri dhe po e bëni këtë ligj për atë, ju si përfaqësues te popullit nuk jeni të zotë për t’iu kundërvënë ai do të kakarisë vetëm ai, do tu mbyllë gojën edhe qenve, do t’u ndaloni edhe qenve që të lehni, këtu do të arrini.

Halit Valteri: I keni bërë fresk ju Ramës në banaqe për të marrë ndonjë kockë e për të mbajtur ato portale. A na njeh ti, a s’na njeh nuk më intereson fare ca mendon ti.

Agron Gjekmarkaj: Idiotet janë popull, vulgu gjithashtu ! Dialektika demokratike e pranon që ata te votojnë dhe te përfaqësohen ! Konstatoj se ata janë te përfaqësuar me zë dhe figure! Shume gjera te çuditshme po ndodhin ne vendin tonë, kohe pas kohe, dite pas dite, ku republika e brishte e Shqipërisë po shndërrohet ne sulltanatin e Arnautistanit ! Sulltanatet janë te bukura te rrëfehen neper përralle me qellim fluturues, po jo për te jetuar ne vitin 2019 !Projektligji për te cilin na keni ftuar te flasim është një turp, është një faj por edhe nevoje e një njeriu qe dëshiron te sundoje! Karriera është e dashur për këdo për ne e për ju, por jo çdo çmim duhet paguar për te! Sot kinse per te shmangur abuzimin me fjalinë po tentoni ta vrisni fjalën! Mbani nje qëndrim per femijet tuaj nesër qe mund te behën gazetar apo njerëz qe do ta kërkojnë dhe përdorojnë lirine e fjalës! Mos u lini kete marre tek dera dhe kete pengese te re! Gjithsei edhe po u veteposhteruat nuk do te jeni te sigurte! Nuk eshte e thene qe Kryeministri nuk jua nderpret karrieren edhe pasi tju perdoroje! Ky projekt nuk duhet rishikuar , duhet refuzuar po nuk e bete ju do ta beje koha, shoqeria duke paguar kostot e veta! Dialektika e lirise triumfon mbi sulltanatet

Musa Ulqini: Duhet të na dëgjoni, ju kemi thirrur…

Mark Marku: Jo kam takim, a ka mundësi, nëse keni pyetje, por e kam marrë zonjën e i thashë dua të vijë, për respekt të komisionit, se e bëj për vete respektin, por edhe për detyrim për shkak të situatës që po krijohet, edhe angazhimeve të mia, kam ardhur me vetëdije, kam pasur takim tjetër. Nuk ka kuptim të diskutoj, se është parim retorik, me ata që nuk të bashkon asgjë mos diskuto kurrë, por ty zonjë të bashkon interesi për të bërë një ligj për Ramën dhe ky është dallimi

Musa Ulqini: Nuk ka ndodhur që trupa profesorësh që edukojnë gazetarët të vijnë këtu e të ofendojnë, të tejkalojnë normën etike. Më vjen shumë keq.

Mark Marku: Keni ulur kokën për çdo standard të demokracisë, sjellja prej 6 vitesh ju përgënjeshtron atë që thotë./ PANORAMA.al


Send this to a friend