VOAL

VOAL

Kriza në LDK ngre pikëpyetje të reja për formimin e institucioneve

Shtatorja e Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Kosovës, që gjendet përballë institucioneve qendrore të Kosovës: Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.

Bekim Bislimi

Teksa Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, një tjetër zhvillim po e ndërlikon edhe më tej skenën politike.

Përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës – partisë që shihet si partnerja më e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një shumice qeverisëse – kanë ngritur pikëpyetje jo vetëm për të ardhmen e saj politike, por edhe për ndikimin që mund të kenë në procesin e formimit të institucioneve.

Kërkesat publike për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, të shoqëruara me replika mes figurave drejtuese të partisë, kanë nxjerrë në pah ndasitë e brendshme që pasuan rezultatin zgjedhor.

Në këtë klimë, analistët vlerësojnë se mënyra se si do të menaxhohet kjo krizë, mund të ndikojë në kapacitetin e LDK-së për të negociuar një marrëveshje politike, edhe pse nuk besojnë se vetëm zhvillimet brenda saj do ta përcaktojnë fatin e institucioneve të reja.

Çfarë ndodhi në LDK?

LDK-ja u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos arritur të ndryshojë pozicionin që ka mbajtur edhe në dy palë zgjedhjet paraprake – më 9 shkurt 2025 dhe më 28 dhjetor 2025.

Ky rezultat riktheu debatet e brendshme mbi drejtimin e partisë.

Këtë javë, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.

Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.

Përplasjet u reflektuan shpejt edhe në diskursin politik mes partive.

Nga koalicioni fitues u tha se mbetet e paqartë se me cilën “rrymë” brenda LDK-së duhet të zhvillohen negociatat për krijimin e institucioneve, ndërsa nga vetë LDK-ja u përgjigjën se partia ka vetëm një adresë për vendimmarrje: kryetarin Lumir Abdixhiku.

Përçarjet që e bëjnë më të vështirë vendimmarrjen

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë se debatet e fundit nuk përbëjnë një zhvillim të papritur për LDK-në.

Sipas saj, sa herë që në këtë parti është hapur çështja e lidershipit, procesi është shoqëruar me përçarje, fraksione dhe largim të figurave të rëndësishme politike.

Emini vlerëson se deklaratat për paqartësitë se me kë duhet negociuar për formimin e institucioneve të reja, janë pjesërisht politike, por njëkohësisht pasqyrojnë edhe realitetin e brendshëm të LDK-së.

“Edhe pse adresa formale për negociata është kryetari i partisë, LDK-ja karakterizohet nga fraksione të ndryshme, të cilat kanë preferenca të ndara për partneritetet politike. Një pjesë favorizon bashkëpunimin me LVV-në, ndërsa një pjesë tjetër preferon vazhdimin e bashkëpunimit me PDK-në, siç ndodh aktualisht në Prishtinë, ku të dyja partitë bashkëqeverisin në nivel lokal”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Mendim të ngjashëm ndan edhe analisti dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhiri.

Ai thotë se, nëse përplasjet vazhdojnë, LDK-ja rrezikon të humbasë jo vetëm stabilitetin e saj të brendshëm, por edhe besueshmërinë si partnere në procesin e krijimit të institucioneve.

“Pa gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha fraksionet, nuk mund të kalohet në fazat e tjera. Fillimisht duhet adresuar pakënaqësitë e strukturave, në mënyrë që më pas të mund të ndërtohet një qëndrim i unifikuar ndaj ofertave eventuale të LVV-së”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

LDK: Vendimet i merr kryetari, por negociatat ende nuk kanë nisur

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i minimizon debatet e fundit, duke i cilësuar ato si pjesë të funksionimit demokratik të partisë dhe jo si shenjë të një krize të pazakontë.

Sipas tij, diskutime të ngjashme kanë shoqëruar edhe periudha kur LDK-ja drejtohej nga Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, sidomos pas proceseve zgjedhore që nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme.

“Kjo është normale për LDK-në. Po të mos kishte reagime, do të duhej të pyeteshim se çka po ndodh”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ai konfirmon se, deri më tani, partia nuk ka marrë asnjë ftesë për negociata, por thekson se çdo komunikim eventual duhet t’i drejtohet kryetarit të LDK-së, Abdixhiku, për t’u shqyrtuar më pas në organet drejtuese të partisë.

Deklarata e Hazirit erdhi pasi Donika Gërvalla, nga partia Guxo, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit garoi në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, tha për televizionin KTV se brenda LDK-së ekzistojnë “disa rryma të ndryshme”, të cilat e bëjnë të paqartë se me kë duhet të zhvillohen bisedimet për një marrëveshje të mundshme.

Se kontaktet politike ende nuk kanë nisur e konfirmon edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha.

Ai thotë se bisedimet pritet të fillojnë vetëm pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i certifikojë rezultatet përfundimtare.

“Qytetari e ka thënë fjalën e vet dhe mendoj se pushteti, por edhe presidenti duhet të zgjidhen mbi bazën e kësaj premise”, thotë Rexha për Radion Evropa e Lirë.

A mund ta pengojë kriza në LDK krijimin e institucioneve?

Pavarësisht zhvillimeve të fundit në LDK, njohësit e çështjeve politike nuk besojnë se procesi i krijimit të institucioneve të reja varet vetëm nga kjo parti.

Dështimi i partive për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit – më pak se tre muaj pas konstituimit të tij – dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 7 qershor.

Për këtë arsye, posti i presidentit mbetet edhe tani një nga temat më të ndjeshme të negociatave të mundshme.

LDK-ja e ka bërë të qartë se ai është një nga kushtet kryesore për një marrëveshje eventuale me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.

Emini vlerëson se, aktualisht, sfidat shkojnë përtej krizës së brendshme në LDK.

Sipas saj, edhe pse përçarjet e bëjnë më të vështirë ndërtimin e një qëndrimi unik për negociata, pengesa kryesore mbeten mungesa e besimit ndërmjet partive politike dhe kalkulimet elektorale që vazhdojnë të dominojnë skenën politike.

“Sa i përket çështjes së presidentit, as kjo nuk është një zgjidhje automatike. Nuk është e sigurt që posti i presidentit do t’i ofrohej LDK-së. Por, edhe nëse kjo ndodh, mbetet e hapur çështja e emrit që do të mbështetej. Kjo lidhet edhe me raportet komplekse të Lumir Abdixhikut me Vjosa Osmanin dhe me mënyrën se si do të menaxhoheshin këta ekuilibra brenda dhe jashtë partisë”, thotë Emini.

Në listën e LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Abdixhiku ishte kandidat për kryeministër, ndërsa Osmani kandidate për presidente.

Emini shton se, nëse partitë arrijnë konfigurime të tjera parlamentare, qeveria mund të formohet edhe pa një LDK plotësisht të konsoliduar.

“… në atë rast, pasojat e përçarjeve do të mbeteshin kryesisht brenda LDK-së”, thotë ajo.

Muhaxhiri, vlerëson se, pavarësisht formulës së ardhshme të bashkëqeverisjes, LDK-ja duhet të sigurojë rol të qartë në vendimmarrje dhe përfitime politike që do t’i shërbenin edhe perspektivës së saj elektorale.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjë në dialog me një qasje të personalizuar. Nuk ka më sens që LDK-ja të sillet pa urgjencë vepruese dhe me indiferencë komode ndaj pozitës së saj në spektrin politik kosovar”, thotë Muhaxhiri.

Megjithatë, ai mbetet skeptik për mundësinë e një marrëveshjeje të shpejtë, duke vlerësuar se, pavarësisht deklaratave për gatishmëri për bashkëpunim, ende nuk ka shenja se partitë po afrohen drejt një kompromisi.

“Identifikimi i një personaliteti përbashkues për postin e presidentit sërish mund të shndërrohet në një përpjekje sizifiane, me rrokullisje kolektive mbrapa”, përfundon Muhaxhiri, duke iu referuar mundësisë që Kosova të përballet sërish me bllokada politike… dhe sërish me zgjedhje.

 

 

Presidenti Trump rinovon Emergjencën Kombëtare për Ballkanin: Tensionet Serbi-Kosovë dhe kriza e korrupsionit në Shqipëri Nga Kastriot Haxhiaj

 

Më 20 qershor 2025, Presidenti Donald Trump firmosi vazhdimin për një vit të gjendjes së emergjencës kombëtare për Ballkanin Perëndimor. Dokumenti, i publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, rinovon një mekanizëm të vjetër që tani fokusohet fort te korrupsioni sistemik, sfidat ndaj sovranitetit dhe pengesat për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Tensionet Serbi-Kosovë në qendër të shqetësimeve

Në veri të Kosovës, situata mbetet e tensionuar. Gjatë viteve të fundit, autoritetet kosovare kanë zbuluar disa herë në fshatrat me popullullsi kryesisht serbe sasi të mëdha armësh, municionesh, uniformash ushtarake dhe pajisje komunikimi, që sugjerojnë përgatitje për veprime destabilizuese.

Incidentet kufitare, stërvitjet ushtarake serbe pranë vijës kufitare dhe raportet për drone mbi territorin kosovar kanë shkaktuar alarm në të gjithë rajonin. Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur këto provokime të hapura, ndërsa misioni i KFOR-it po monitoron me kujdes çdo lëvizje për të parandaluar një përshkallëzim të ri. Këto zhvillime përforcojnë pikërisht shqetësimet që Presidenti Trump përmend në dokument: minimi i sovranitetit dhe marrëveshjeve të pas-luftës.

Shqipëria dhe protestat e vazhdueshme kundër korrupsionit

Në Shqipëri, korrupsioni në nivele të larta ka nxitur protesta masive në Tiranë me thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe hetim të plotë të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas hetimeve të SPAK-ut dhe raportimeve të medias perëndimore, Balluku dyshohet se ka manipuluar tendera të mëdhenj infrastrukturorë. Mesazhet e zbuluara tregojnë ndërhyrje të drejtpërdrejta për të favorizuar kompani të caktuara.

Rama e mbrojti atë për muaj të tërë, duke vonuar dorëheqjen dhe krijuar përshtypjen se po pengon drejtësinë. Mesazhi i protestuesve është i qartë: mjaft me korrupsionin që po e gllabëron vendin.

Migrimi masiv dhe shpresa për një Shqipëri ku rinia nuk detyrohet të largohet

Kjo krizë vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me një migrim madhor të të rinjve. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT dhe analizave të censusit, rreth 500,000 shqiptarë janë larguar nga vendi midis viteve 2012 dhe 2023-2025. Kjo valë e re emigracioni ka kontribuar në tkurrjen dramatike të popullsisë, që tani është rreth 2.36 milionë banorë.

Protestuesit e shohin korrupsionin si shkakun kryesor të kësaj “ikjeje të madhe”. Synimi i tyre është të ndryshojnë vendin: ta bëjnë Shqipërinë një shtet të begatë, me mundësi reale pune, drejtësi dhe transparencë, ku të rinjtë të mos detyrohen të emigrojnë, por të qëndrojnë, të investojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.

Çfarë do të thotë kjo për rajonin?

Duke vazhduar emergjencën, Presidenti Trump po sinjalizon se Uashingtoni i sheh këto probleme – tensionet territoriale dhe korrupsionin e thellë – si kërcënim real për stabilitetin e Ballkanit. Pa reforma të vërteta në drejtësi, transparencë dhe dialog, rajoni do të vazhdojë të mbetet larg synimeve evropiane. Qytetarët po kërkojnë ndryshim konkret. Pyetja e madhe është nëse klasa në pushtet do ta dëgjojnë këtë zë para se të jetë vonë.

Qeveria e shpalli “non-grata”- Ikballe Huduti i përgjigjet Ramës: Dal në protestë kundër padrejtësive, pozitat janë amanet dhe përgjegjësi

TIRANË– Ikballe Berisha Huduti, për të cilën Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, nxorri urdhrin për shpalljen “non-grata”, për një periudhë 15-vjeçare, i është përgjigjur kryeministrit Rama. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo shkruan se ka dalë në protestë kundër padrejtësive, ndërsa shton se pozitat janë amanet dhe përgjegjësi.

Ajo shprehet se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët. Kjo duke theksuar se nuk kërkon armiqësi me askënd. Huduti deklaroi se dalja e saj në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare.

Reagimi i plotë:

I nderuar Kryeministër Edi Rama.

Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.

Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.

Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.

Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti përdoret me drejtësi, ai bëhet bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për mbajtësin e tij.

Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.

Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.

As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë./Dosja.al

Shqipëria ia ndalon hyrjen për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti, duke e cilësuar “kërcënim për sigurinë”

Protestues në kryeqytetin shqiptar Tiranë, më 21 qershor. Huduti ishte parë në njërën prej protestave të këtij muaji kundër Qeverisë shqiptare.

 

Jetmira Delia-Kaci

Shqipëria ia ka ndaluar të enjten hyrjen në vend për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti – e njohur për qëndrimet e saj pro Iranit dhe kundër Shteteve të Bashkuara – duke e akuzuar si “kërcënim për sigurinë e vendit”, pasi ajo ishte parë në protestat e këtij muaji në Tiranë.

Huduti mori pjesë në një prej protestave që po zhvillohen në kryeqytetin shqiptar tash e 25 ditë kundër ndërtimit të një resorti në një zonë të mbrojtur në jug të Shqipërisë, i cili lidhet me kompaninë e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një reagim në Facebook, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilësoi Hudutin si një prej përfituesve të kësaj proteste, duke theksuar se ajo “predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës”.

Burimet bënë të ditur për Radio Evropa e Lirë se vendimi për t’i ndaluar hyrjen Hudutit është marrë pasi “veprimtaria e saj vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike”.

Urdhri u nënshkrua nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe u është përcjellë Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit për zbatim të menjëhershëm.

Rama shkroi se figura të tilla si Huduti “në emër të fesë predikojnë urrejtje, nxisin përplasje dhe përpiqen të shfrytëzojnë kauza mjedisore për qëllime politike dhe ideologjike”.

Ai publikoi gjithashtu fotografi ku Huduti shfaqej pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad.

Huduti është predikuese fetare nga Kosova, e njohur për përkatësinë e saj në komunitetin shiit. Ajo njihet për qëndrimet publike në mbështetje të figurave dhe politikave të Republikës Islamike të Iranit.

Në këtë fotografi të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve, IQNA, shihet Ikballe Huduti pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinehad, në Iran.

Në këtë fotografi të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve, IQNA, shihet Ikballe Huduti pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinehad, në Iran.

Ajo ishte arrestuar më 2020 nga autoritetet kosovare pas publikimeve të saj në rrjetet sociale në mbështetje të gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, i cili ishte nga një sulm amerikan me dron në Irak atë vit.

Ajo u akuzua për shtytjen e veprave terroriste në Kosovë, por u lirua më vonë nga akuzat në mungesë të provave.

Ndërkohë, ky është rasti i dytë në pak ditë që kryeministri Rama përmend pjesëmarrës në protestë për lidhje me Iranin.

Dy ditë më parë, Dritan Goxhaj, i cili lexoi pesë kërkesat e protestuesve për Qeverinë, u quajt nga Rama si “zëdhënës i interesave të Iranit”.

Rama publikoi në Facebook pjesë nga postime të një llogarie që mban emrin dhe fotografinë e Goxhajt, ku janë publikuar postime me qëndrime të ashpra kundër politikave të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Lindjen e Mesme, si dhe me tone mbështetëse ndaj Iranit dhe Hezbollahut, të cilin një postim e përshkruan si “rezistencë të armatosur”.

Hezbollah është grup militant dhe parti politike që kontrollon një pjesë të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur.

Rama i ka paraqitur protesta e tanishme kundër Qeverisë së tij dhe ndërtimit të resortit në Zvërnec jo si revoltë spontane qytetare, por si të nxitur nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe nga dezinformimi.

Ai ka folur për “luftë hibride”, duke përmendur fillimisht ndikime nga Greqia dhe Irani, më pas propagandë të shpërndarë nga blogerë dhe rrjete sociale, si edhe pjesëmarrje të personave nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Më 20 qershor, Rama tha se vëmendja ndërkombëtare për Zvërnecin nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me përfshirjen në projekt të Jared Kushnerit dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan, Donald Trump.

Gjatë protestës më 21 qershor, një vajzë e hoqi flamurin izraelit në Ambasadën e Izraelit në Tiranë dhe e grisi atë gjatë kohës kur protestues të shumtë po marshonin në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë.

Protestat në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera të Shqipërisë kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe hetimeve për pronësinë e tokës – kanë hyrë në ditën e 24-të.

Prokuroria e Posaçme është duke kryer hetime në lidhje me kontratat e shitjes së tokës, ku do të realizohet ky projekt.

Sipas të dhënave zyrtare, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Ndërkaq, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Aktivisti Ilir Xhemalaj: Të rinjtë kanë marrë fatin në dorë, protesta do të çojë në dorëheqjen e Edi Ramës

Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 26-të, aktivisti Ilir Xhemalaj shprehet i bindur se lëvizja qytetare do të arrijë objektivin e saj kryesor, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në programin e drekës në News24, përballë gazetares Ola Bruko, Xhemalaj theksoi se forca e protestës qëndron te pjesëmarrja e të rinjve, të cilët sipas tij kanë vendosur të marrin në dorë fatin e vendit.

“Sot të rinjtë janë ngritur nga kafenetë dhe kanë marrë fatin në dorë. Janë të shkolluar, të artikuluar dhe të vendosur për të sjellë ndryshimin që kërkon vendi”, deklaroi ai.

Sipas Xhemalajt, protestës i japin qëndrueshmëri edhe profesionistët e rinj që janë bashkuar nga diaspora, mes tyre mjekë, inxhinierë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

“Ka të rinj të arsimuar, mjekë dhe inxhinierë që kanë ardhur nga diaspora për t’iu bashkuar kësaj kauze. Pikërisht kjo e bën protestën të qëndrueshme dhe do të arrijë qëllimin e saj, dorëheqjen e Edi Ramës”, u shpreh ai.

Ndërkohë, gjatë të njëjtit emision, aktivisti Eduart Kaca ngriti diskutimin për ndryshimin e sistemit të qeverisjes në vend. Ai argumentoi se modeli aktual parlamentar ka dështuar dhe se Shqipëria duhet të kalojë në një sistem të ngjashëm me atë amerikan.

“Sistemi parlamentar ka dështuar, ashtu si edhe sistemi shumëpartiak. Kemi parti pa institucione dhe liderë të përhershëm. Shqipëria ka nevojë për një sistem amerikan, me president të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe me kompetenca të plota”, deklaroi Kaca.

Revoltat masive- Agron Duka thirrje socialistëve: Dëgjoni zërin e protestuesve, nesër mund të jetë vonë!

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar lidhur me protestat qytetare, duke u bërë thirrje socialistëve që të reflektojnë dhe të dëgjojnë kërkesat e shqiptarëve që prej javësh janë në shesh.

Përmes një reagimi publike, Duka shprehet se protestuesit përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe nuk duhet të etiketohen apo të trajtohen si kundërshtarë politikë. Sipas tij, ata kërkojnë një shtet më funksional, më shumë llogaridhënie dhe përfaqësim, jo përçarje apo hakmarrje.

“Gabimi më i madh që mund të bëhet sot është t’i përçmosh ose t’i etiketosh. Ata nuk po kërkojnë të shembin vendin, por ta bëjnë atë më të jetueshëm”, thekson Duka. Kreu i PAA-së u ndal edhe te zërat kritikë që kanë ardhur nga figura të njohura të së majtës, duke përmendur emra si Ndre Legisi, Ilir Zela, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Arben Malaj dhe Ditmir Bushati. Sipas tij, nuk mund të konsiderohet armik kushdo që shpreh kritika ndaj qeverisë apo pushtetit.

REAGIMI I DUKES
Si mbështetës i protestave qytetare dhe i së drejtës së njerëzve për t’u dëgjuar, dua t’u drejtohem sot socialistëve me një thirrje të sinqertë për reflektim.
Ata që prej 26 ditësh janë në shesh, janë fëmijët e qindra mijëra shqiptarëve, të majtë, të djathtë, pa parti, për të cilët të gjithë ne që jemi marrë me politikë kemi bërë aq sa mundëm, por dukshëm jo aq sa duhej, që ata të gëzonin një jetë më të mirë, një demokraci më të shëndetshme, një shtet që u shërben të gjithëve, e jo vetëm një pakice.
Me këmbëngulje, guxim, kreativitet, qytetari dhe me numra të paparë në këto tre dekada, ata janë jo vetëm kartolina më e bukur e Shqipërisë europiane, por edhe dëshmia se asgjë nuk mund të jetë më si më parë në politikën tonë.
Prandaj gabimi më i madh që mund të bëhet sot është t’i përçmosh, t’i etiketosh apo t’i trajtosh si kundërshtarë. Sepse ata nuk po kërkojnë të shembin vendin; po kërkojnë ta bëjnë atë më të jetueshëm. Nuk po kërkojnë hakmarrje; po kërkojnë llogari. Nuk po kërkojnë përjashtim; po kërkojnë përfaqësim.
Dhe këtë zë nuk mund ta mbulojnë as sulmet, as ironitë, as teoritë e komplotit. Sepse kur në shesh dalin kaq shumë të rinj, prindër, profesionistë, qytetarë të lirë dhe njerëz që nuk kanë kërkuar kurrë asgjë nga politika, detyra e politikës nuk është të gjejë armikun, por të kuptojë mesazhin.
Prandaj, kur qytetarët flasin me këtë forcë, përgjigjja nuk mund të jetë mbyllja, arroganca apo përçmimi.
E nëse unë sot mund të konsiderohem kritik ndaj kësaj force politike, për të cilën kam pasur nderin të shërbej në qeveri, dua të pyes shumë thjesht: po kur zërin e ngrenë edhe vetë socialistët, çfarë janë?
Ndre Legisi, Ilir Zela, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Arben Malaj, Ditmir Bushati e të tjerë qenkan në shërbim të Iranit?
Po ata qindra e mijëra socialistë të thjeshtë që kanë zbritur në shesh sepse janë përjashtuar nga vendimmarja, të cilëve nuk ua dimë emrat, por i kanë dhënë besimin PS-së ndër vite, janë në shërbim të Rusisë?
Jo. Jo çdokush që kundërshton është armik, por prova se problemi nuk është te protesta, por te pushteti juaj, që ka humbur aftësinë të dëgjojë. Kur çdo kritik quhet armik, atëherë nuk po mbrohet partia e as qeveria, po mbrohet karrigia.
Partia Socialiste u kthye në qeverisje në vitin 2013-të për t’u mos u bërë bunker pushteti, as për të parë me përçmim njerëzit që kërkojnë llogari. Përkundrazi, ajo u rrit duke denoncuar arrogancën, mbylljen dhe mendësinë se pushteti është pronë personale.
Dhe me qetësinë që më dikton përvoja, si edhe distanca që kam zgjedhur me vetëdije nga jeta parlamentare, mund të them se në politikë nuk ka gabim më të madh sesa të përsërisësh vetë ato që dikur i ke kundërshtuar te të tjerët. Të denoncosh dje një pushtet që nuk dëgjonte, dhe sot të mos dëgjosh vetë. Të kritikosh dje arrogancën, dhe sot të flasësh me arrogancë. Të kërkosh dje përgjegjësi për skandale, dhe sot të sillesh sikur pushteti është i pandashëm nga emri yt.
Pushteti nuk është destinacion ku mbërrihet për të qëndruar përgjithmonë; është një përgjegjësi e përkohshme, një shërbim që të besohet nga qytetarët dhe që një ditë duhet t’u kthehet atyre me llogari. Kur kthehet në qëllim në vetvete, kur karrigia bëhet më e rëndësishme se njerëzit, atëherë politika humbet kuptimin dhe pushteti humbet legjitimitetin moral.
Rreziku i vërtetë sot nuk është protesta. Rreziku është që mosdëgjimi ta kthejë pakënaqësinë në një krizë edhe më të thellë besimi; një krizë ku qytetarët të mos besojnë më as te qeveria, as te opozita, as te institucionet, as te vetë politika.
Dhe kur një vend hyn në këtë shkallë mosbesimi, ai nuk bëhet thjesht më i vështirë për t’u qeverisur. Bëhet më i vështirë për t’u mbajtur bashkë.
Prandaj kjo krizë nuk kërkon ndryshime politike të vërteta. Këta qytetarë nuk mund të dëgjohen vetëm nga larg, as të përmenden vetëm në fjalime. Ata duhet të përfshihen në një sistem më të hapur, më përfaqësues dhe më të drejtë.
Shqipëria ka nevojë për institucione që dëgjojnë, për parti që hapen, për vendimmarrje që nuk mbyllet në pak duar dhe për një politikë që nuk i kujton qytetarët vetëm ditën e votimit. Nëse ka një mesazh të madh nga kjo protestë, është se njerëzit nuk kërkojnë thjesht të protestojnë; por kërkojnë të kenë zë në vendin e tyre.
Prandaj, dëgjojini qytetarët sot. Nesër mund të jetë vonë. bw

“Shqipëria, kryelajm botëror”! Ish-zv/ministrja e PS ‘rrëzon’ Ramën: Protesta solli atë që qeveria s’e arriti me miliona euro lobime dhe propagandë

Nga Ornela Çuçi, ish-zv/ministre e Turizmit dhe Mjedisit

Ka 23 ditë që në Tiranë po ndodh diçka që nuk e kam parë prej shumë kohësh. Nuk flas për protestën. Flas për njerëzit. Njerëz që flasin me njëri-tjetrin. Njerëz që buzëqeshin. Njerëz që ndalojnë për të përshëndetur dikë që nuk e kanë parë prej vitesh. Njerëz që diskutojnë për të ardhmen dhe jo vetëm për ikjen. Për herë të parë pas shumë kohësh, në këtë qytet po shoh njerëz që duken sikur besojnë se fjala e tyre ka ende peshë. Dhe pikërisht duke parë këtë energji, kam kuptuar se ajo që shohim çdo mbrëmje në bulevard është vetëm maja e ajsbergut. Njerëzit nuk po vijnë thjesht në protestë. Po organizojnë jetën e tyre rreth saj. Një ditë vjen burri, ditën tjetër gruaja.

Njëri qëndron disa orë dhe largohet që të kujdeset për fëmijët, pastaj vjen tjetri. Disa vijnë pas pune. Të tjerë para pune. Disa qëndrojnë pak dhe kthehen përsëri të nesërmen. Disa vijnë vetëm në marshim. Të tjerë presin t’u kalojë marshimi pranë pallatit dhe dalin për një copë herë. Protesta duket sikur funksionon me turne. Dhe pikërisht kjo më ka bindur se ajo që shohim në rrugë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që po ndodh. Sepse protesta nuk është vetëm turma që shohim. Protesta është edhe turma që nuk e shohim. Janë njerëzit në administratën publike që bien dakord me shumë nga ato që thuhen aty, por që nuk guxojnë të dalin. Jo sepse nuk duan, por sepse e dinë që vendi i punës në këtë vend shpesh varet nga bindja dhe jo nga aftësitë e tyre. Janë punonjësit e kompanive që sot janë sekuestruar, nesër mund të sekuestrohen, ose që prej muajsh jetojnë me pasigurinë se çfarë do të ndodhë me vendin e tyre të punës.

Janë familjet e tyre. Janë bizneset që nuk flasin, sepse kanë frikën e inspektorëve te dera. Janë profesionistët që nuk flasin, sepse dikush nga drejtuesit e kompanisë ua ka dhënë mesazhin e qartë se fati i kompanisë dhe i tyre varet nga kjo qeveri. Janë njerëzit që nuk protestojnë sepse kanë frikë të protestojnë. Pakënaqësia për atë që po i ndodh këtij vendi nuk zhduket në qytetet ku në protestë del vetëm një njeri. Nuk zhduket në administratë. Nuk zhduket në kompani. Ajo thjesht nuk shihet. Prej frikës. Dhe pikërisht për këtë arsye, numri i njerëzve në shesh nuk tregon domosdoshmërisht madhësinë e pakënaqësisë. Madje mund të ndodhë e kundërta. Në vende ku njerëzit ndihen të lirë, pakënaqësia shfaqet lehtë.

Në vende ku njerëzit kanë frikë për vendin e punës, për kontratën, për biznesin apo për të ardhmen e familjes së tyre, pakënaqësia fshihet. Kryeministri ka zgjedhur ta shpjegojë këtë protestë në çdo mënyrë të mundshme, përveç asaj që lidhet me të dhe me qeverisjen e tij. Ditët e fundit kemi dëgjuar teori nga më të ndryshmet, deri te pretendimi se në Tiranë po luhet një pjesë e rëndësishme e gjeopolitikës globale. Edhe mund të ndodhë. Ëndrra janë… Mund të ketë interesa politike, ekonomike apo ndërkombëtare që ndërthuren me atë që po ndodh. Historia është plot me shembuj ku konflikte më të mëdha se vetë vendet janë reflektuar në beteja lokale. E megjithatë, ka një element që asnjë teori gjeopolitike nuk arrin ta shpjegojë, energjinë e kësaj proteste. Sepse njerëzit mund të organizohen, mund të mobilizohen dhe madje mund të nxiten për shumë arsye. Por askush nuk mund të importojë në bulevard zhgënjimin e një shoqërie.

Askush nuk mund të krijojë artificialisht ndjesinë e padrejtësisë, lodhjen, mosbesimin dhe frustrimin që janë grumbulluar për vite me radhë. Këto ose ekzistojnë, ose nuk ekzistojnë. Dhe ndoshta pikërisht sepse kjo energji është reale, protesta ka filluar të prodhojë diçka që shkon përtej bulevardit. Ka filluar të tërheqë vëmendje. Jo vetëm në Tiranë, por edhe jashtë saj. Jo vetëm tek ata që protestojnë, por edhe tek ata që prej vitesh e kanë parë Shqipërinë përmes historive të kuruara me kujdes nga makineria e komunikimit shtetëror. Dhe pikërisht këtu qëndron ironia më e madhe e gjithë kësaj historie. Për më shumë se një dekadë, kjo qeveri ka investuar energji, kohë dhe para të panumërta nga buxheti i shtetit për ta bërë Shqipërinë lajm ndërkombëtar. Janë paguar kompani komunikimi, janë organizuar samite, janë prodhuar fushata promovimi, janë blerë hapësira mediatike dhe janë ndërtuar me kujdes histori suksesi për konsum ndërkombëtar.

Për vite me radhë kemi parë Shqipërinë e fasadës që i kemi prezantuar botës. Dhe mirë kemi bërë, sepse Shqipëria është e bukura e dheut dhe meriton të promovohet. Kemi parë Shqipërinë e transformimit, të mrekullisë digjitale dhe të historive që duhej të pushtonin faqet e para të gazetave të botës. Kemi parë deri edhe “Diellën” të shndërrohej në simbol të Shqipërisë së re dhe moderne. E megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk arriti atë që po arrin sot protesta. Sot Shqipëria është sërish në faqet e para të mediave ndërkombëtare. Vetëm se këtë herë nuk është aty falë një kontrate komunikimi, një kompanie lobimi apo një fushate marketingu. Është aty sepse mijëra qytetarë kanë krijuar një histori që nuk mund të blihet dhe nuk mund të kontrollohet.

Nëse kryeministri ka të drejtë dhe e gjithë gjeopolitika globale po luhet sot në Tiranë, atëherë duhet pranuar se ia doli më në fund. Ëndrra për t’u bërë kryelajm ndërkombëtar u realizua. Vetëm se për herë të parë pas shumë vitesh, për këtë reklamë nuk pagoi asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. E paguan qytetarët me kohën e tyre, me këmbënguljen e tyre, me netët e tyre në bulevard dhe me guximin e tyre për të mos u larguar. Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse kjo histori po lexohet kudo. O sa mirë me qenë shqiptar!!! bw

Balluku kritikon protestuesit, i quan “turma”! Shpërthejnë akuzat: O hajdute, o maskareshë! Ti duhet të ishte në burg!

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, ka postuar disa pamje të transmetuara nga CNN, të cilat, sipas saj, po krijojnë keqkuptime në mediat ndërkombëtare.


Pamjet e Kakomesë janë interpretuar sipas saj sikur kanë lidhje me Zvërnecin. Ajo ka guxuar të vendosë dhe shënimin ‘fake news’ ndaj CNN, duke thënë se këto pamje po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.

“Turmat e protestuesve dhe disa video që qarkullojnë në rrjete sociale kanë ndikuar në mënyrën si perceptohet Shqipëria në disa raste, duke krijuar keqkuptime edhe në media ndërkombëtare.

Madje, edhe media si CNN kanë pasqyruar pamje nga Kakomeja, të cilat janë interpretuar gabimisht si reagim ndaj projekteve turistike. Në fakt, këto pamje nuk lidhen me Sazanin apo Zvërnecin.

Përhapja e informacionit të pasaktë mund të krijojë një imazh jo plotësisht real të Shqipërisë, duke ndikuar në perceptimin publik dhe në klimën e përgjithshme të investimeve dhe turizmit“- thekson Balluku.

Postimi i Ballukut
Postimi i Ballukut

Por, të shumtë kanë qenë qytetet që i janë “përveshur” ish-zv.kryeministes, e cila tashmë po hetohet për korrupsionin dhe pastrim parash.

Përgjigjet e disa qytetarëve në postimin e Belinda Ballukut:

Wilma Puka: “Imazhi I Shqiperise po demtohet nga ti e Rama e gjithe ju hajduter r te korruptuar.. e jo nga njerez qe u ka ardh shpirti me dal… jeton ku jeton e te mbron kush te mbron se ne nje vend tjeter do kishe dhene llogari me kohe.”

Alti Cekrezi: “Sa te kesh palloshin nuk futesh ne burg ti jo por do ju vi dite”

David Miko: “Po burgu ku esht?”

Valter Tuna: “Po ti moj k*re akoma ke silikon dhe del e na ben poste? Akoma?”

Alki Alkeo: “Pasojat e qeverise tuaj te qelbur ishalla do zoti ju shikoj te gjithve ne burg Bu*e e rames”

Aleksander Thanasi: “Na e jep pak netflixsin qe perdorje te vila nese ste duhet me ?”

Miri Ademi: “Shko te burgu ti”

Gezim Suzana Hidri: “Ooooo hajdute Oooo maskaresh , keto jane pasojat e gjithe pislliqeve te rraces tate moj bastarde Belinda”

Daniel Mehmeti: “Pse ju thoni Turma.? Apo kur votojne keta jane ‘Sovrani’…”

Eduart Zejnati: “Pergatitu shperterisht per ça te pret , dite te bukura vijne per popullin e sketerre per ju”

Rreze Mbretenore: “Sot me shumee ne oren 19:00 per shqiperine ”

Eda Kondo: “Mos ja qaj hallin sepse pjesa me e madhe e pergezojne dhe e quajne te drejte veprimin.”

Altin Axhami: “A po të vjen keq ty aa? Me mëndu ti për Shqipërinë ashtu sikur duhet, do kishim ndryshim të madh dhe të huajt do mendonin ndryshe. Ju po e vjedhni, po e coptoni dhe po i largoni njerëzit nga vendi i tyre dhe të huajt e dinë se çfar bëhet këtu. Të lutem mos bëj postime të tilla më ti se e menderose fare!”

Linda Apostol Kotani: “Ti moj zonje je e fundit qe Mund te na japesh ndonje informacion te sakte … Jeni te PAFYTYRE!”

Fatjon Dapi: “Po ata miliardat qe ke vjedh ti si ndikojne ne opinionin Nderkombetar moj Shoqja Bela??! ”

El Ve: “Po rrugët qe u çane si kane ndikuar? Po fakti qe jane leshuar dy urdher arreste”

Lirim Krruçi: “A fole edhe ti!?”

Aure Lio: “Ke shumë të drejtë për këtë për deformimin e nje lajmi të tillë…. Por që minimalisht të paktën ti duhet të ishe në burg me kohë por që lavdi Perandorisë duhet të thuash…..”

Ana Ana: “Rama burg belindja burg”

Discover Albania: “Vetem ti nuk duhet te fasesh, bej ndonje kurs per kuzhuniere se do te duhet te 313”

Andrea Tushe: “Populli eshte i pakenaqur prej jush.!”

Hysi Alkeda: “Ne kete pike na cuat kur s ks shtet te na mbroj te mbrohem vet .. mbase te gjith bashke gjejm nje rruge drejt europes ..pa ju qe s dini c hall kemi dhe jemi shqiptare. Turp turp.”

Ilir Jazxhi Ilir: “Si ke kurajo dhe flet”

Aranit Bicaku: “Po hajdutlliku si perceptohet tek cnn?”

Hekuran Alia: “Kush e ka rrethuar sipas teje kakomen…nuk jan te rrethit te ngusht aty???ti nuk je keshtu se kuptoj qe her pas here nuk je vetvetja.”

Adi-Eda Dautaj: “Seriozisht????? Jeni shume dobet per te qene bindes!!!”

Engin Blc: “Jo sesht e vertet ne video e thot qart qe esht ne kakome dhe nuk ka lidhje me Jared kushner por me revolten qytetare kunder jush ca kujton se do na hedhesh hi syve meqe esht ne anglisht ke harruar se shqiptaret nuk jan me te humbur ka shum qe kuptojn anglisht nese je ti nje nga ato qe se kupton me thoj se ta bej un perkthimin e sakt te videos”

Flamur Dardeshi: “O @spak ec e merre kte plaçkitsen”

Paolo Kodrina: “Vetem ti mos fol se duhen me ardh 10 miliard turista per te perfitu shqiperia lekt si ke vjell ti edhe ke fytr akoma e na bo moral lali eri po te pret mos harro sapunin ”

Brixhilda Kukaj: “Imazhin e Shqiperise e prish fakti qe ju nuk jeni prapa hekurave akoma. Ju jeni turpi i Shqiperise.”

Romeo Bori: “Po vjet qe shembet thethin ne mes sezonit turistik nuk ju erdhi gjynaf per turistet ??”

Oriel Reli Xhaja: “Se besoj se demtohet me shum perceptimi nga kto se sa kur degjojn se sa e korruptuar deri ne palce eshte qeveria juaj”

Ledi Doce: “Me kaosin & korrupsionin qe keni shkartuar ju, edhe me deshiren e mire per te qene sa me i sakte, nuk je dot. Sa mbyllet nje vrime, hapet nje grope, mbyllet gropa, hapet krateri e keshtu me rradhe. Vetem kur te zhdukeni ju pergjithnje nga politika do zhduken dhe te pakten krateret.”

Elena Lato: “Le ta marrin te huajt si t duan, le te keqinformohen sa te duan, ne nuk duam te ndertohet pa kriter as ne Kakome, as ne Zvernec edhe as ne Narte-Vjose dhe ne asnje vend te Shqiperis, te ndertohet sic ndertohet ne gjithe boten pa prishur natyren…”

Rel Pasku: “Si mund të guxosh e të postosh në këto kohë të vështira për veten tënde e të kesh hallin se çfar do mendojnë të huajt për ne kur je ti ajo që na ka vjedhur 100 ndra milion euro… Kthe lekët e shporru se as në burg sduam të të mbajm me bukë”

Gaz Taipi: “Nga Shtatori beju gati per burg se eshte me fresk.”

Ervin Kyçyku: “Armiku i Partise Socialiste gjithmone Populli ose imperializi amerikan”

Cajup Cangollari: “Bela në Burg, Rama në Burg”

Une Revoltohem: “jo mo jo vertet eee… Ja paske gjetur zgjidhjen SPAK-ut e justifikove Vilen?”
Edona Haklaj: “Hahahha po per tenderat e tu çfarë thonë kto mediat ndërkombëtare, e ka parë? Shkruaje çik emrin tënd dhe lexoji se të sjell pak me këmbë në tokë mbase ”

Ledjon Kutriçi: “Sna intereson imazhi nderkombetar para burgut tend Belinda Balluku ”

Elsi Goxhaj: “Vrl nderkombetarve po ti hash gezuar ato qe vodhe ti ”

Robert Hyso: “Perse nuk del e te na shpjegosh pak se cfare ndodh kur gjykata e larte jep nje vendim ne lidhje me aeroportin e vlores…”

Arta Shaba: “Znj. Balluku,
Imazhi i Shqipërisë nuk dëmtohet nga qytetarët që protestojnë dhe as nga mediat që raportojnë. Imazhi i Shqipërisë dëmtohet kur media ndërkombëtare raporton se SPAK ngre akuza për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa pushteti politik vihet në lëvizje për t’i mbrojtur ata.

Reuters, Washington Post, AP dhe media të tjera nuk po flasin për Shqipërinë për shkak të disa videove në rrjetet sociale. Ato po flasin për Shqipërinë sepse një zëvendëskryeministre u vu nën hetim nga SPAK, sepse u kërkua heqja e imunitetit të saj dhe sepse kjo kërkesë u bllokua politikisht.

Në çdo demokraci europiane, pyetja që shtrohet nuk është “pse protestojnë qytetarët?”, por “a janë të gjithë të barabartë përpara ligjit?”.

Nëse qeveria është e bindur për pafajësinë e zyrtarëve të saj, mbrojtja më e mirë nuk është bllokimi i procedurave apo ndryshimi i ligjeve. Mbrojtja më e mirë është t’i lihet drejtësisë të bëjë punën e saj deri në fund.”

gsh

Themeluesi i FRESSH godet Ramën “Maskat ranë, kryeministri të dorëhiqet”, Ilir Zela: Kriminalizoi Kuvendin e emëroi horra në qeveri! Ja pse socialistët e vërtetë janë në protestë

Shkruan ILIR ZELA, themelues dhe kryetari i parë i Rinisë Eurosocialiste Shqiptare

Një pjesë e rëndësishme e rinisë shqiptare po proteston këto ditë në rrugët e Tiranës. Kërkesat e tyre për një sistem politik demokratik e funksional ndër shqiptarë janë thelbësisht të drejta! Socialistët i mishëruan këto aspirata në Kushtetutën e vitit ’98. Socialistët i rezistuan fashizmit në pushtet në 1992-1997. Stabilizuan vendin pas krizës së ’97-ës, hapën perspektivën e shkatërruar të bashkimit me Europën, kontribuuan në çlirimin e Kosovës dhe ndërmorën reformën në drejtësi në 2015. Ka një paralele midis shpirtit të socialistëve të mishëruar në këto kontribute dhe aspiratave të të rinjve në këtë protestë. Por, për fat të keq, medalja ka edhe një anë tjetër. Është autokracia e sotme, e cila është larguar nga aspiratat e shqiptarëve! Janë rilindarët e pasuruar, të trashur e stërplakur në pushtet, bartësit e korrupsionit dhe amalgamës me krimin, të cilët janë objekti i kësaj proteste, siç janë edhe subjekt i SPAK. Kam parë këto ditë socialistë që po marrin pjesë në protesta, duke dëshmuar shqetësimin e tyre për gjendjen në të cilën është katandisur demokracia në vend. Kam parë edhe disa socialistë të tjerë, të cilët i kanë bërë jehonë artikulimeve nën panik të autokratit kryeministër.

Raporti i socialistëve me protestën më ka nxitur të bëj pyetjen: vallë, të jenë katandisur të gjithë socialistët në klone të subjekteve të SPAK-ut, në viktima të oligarkisë? Do të dëshiroja që revolta e të rinjve të jetë një mundësi për socialistët të rigjejnë partinë e tyre të zaptuar nga trusti i betonit, të kuptojnë se sakrifikimi i demokracisë së brendshme në emër të unitetit fals ishte në thelb uzurpim i pushtetit nga një person ose një grup pa lidhje me socialistët e vërtetë, pjesa më e shëndoshë e të cilëve nuk i besuan kurrë Edi Ramës, por në të njëjtën kohë e përkrahën bujarisht. Protesta është edhe një mundësi për ata socialistë, të cilët besuan te rilindarët pa e lidhur këtë besim me leje kullash e përbindëshash të tjerë të betonit apo përfitime sharlatanësh, të administrojnë zhgënjimin e tyre e të kuptojnë që atdheu, pyjet e kullotat, bregdeti, plazhet e fushat janë më të rëndësishme se një vend pune në administratë, një kapardisje firmatosh në sallat e institucioneve, nxjerra jashtë funksionit kushtetues, apo një përfitim momental prej sistemit të korruptuar të pushtetit autokratik.

Kur shoh socialistë të kontributeve në protestë, pyes veten nëse ka kuptim t’u thuash këtyre njerëzve se uzurpimi i vullnetit të tyre ka përzënë nga vendi ynë 1 milion shqiptarë, ka kontribuar në arrogancën e pushtetit dhe dobësimin e llogaridhënies. Ata i dinë këto dhe prandaj protestojnë! Socialistët e shohin se kolltukofagët e sotëm janë më të plakur e shumë më të dhjamosur se bllokmenët e brezit më të fundit të regjimit hoxhist. Socialistët e dinë që ka ardhur koha që një brez i ri të rigjejë vlerat më të mira të së majtës dhe të kërkojë modestisht të marrë pjesë në udhëheqjen e atdheut. Por të jesh socialist dhe të shkosh në protestë, do të thotë që ke hequr dorë nga përpjekja për ta çliruar politikën, nuk beson te mundësia që një lidership i ri për socialistët, por edhe për të gjitha alternativat e tjera politike, të realizohet përmes proceseve të demokracisë së brendshme. Vendi i protestës së socialistëve duhet të jetë në radhë të parë vetë Partia Socialiste. Socialistët duhet të rigjejnë vetveten, t’ia dorëzojnë drejtësisë të gjithë rilindarët që ajo po i kërkon prej kohësh. Të bëhen njësh pa mëdyshje të mëtejshme me aspiratat e shqiptarëve për shtet, drejtësi, dinjitet e bashkim me Europën!

A ka vërtet një mundësi për një rrugë të re të bazuar në kolegjialitet përkundër arrogancës, të bazuar në legjitimitet përkundër aleancës me korrupsionin, monopolet dhe krimin, të bazuar në konkurrencë dhe zgjedhje përkundrejt sjelljes uzurpatore, sipas së cilës zgjedhjet janë të mira derisa unë zaptoj kreun, pastaj zgjedhjet janë të këqija që unë të mbretëroj? A ka socialistë që e kanë parë fundin e rrugës së drejtimit autokratik ditën kur 81 nga 83 mandatet propagandisht të tyre u përdorën për të mbrojtur paprekshmërinë e korrupsionit në krye të qeverisjes pa llogaridhënie? A ka socialistë që besojnë në llogaridhënie, ndryshimin dhe ripërtëritjen?

Kushdo që është përfshirë në hajni në këto vite, që ka lejuar korrupsionin apo e ka relativizuar atë, duhet të hapë krahun, duhet të hapë rrugën, duke u kërkuar falje thellë e thellë të gjithë socialistëve! Për të mos lënë asnjë mëdyshje, faljen më të madhe duhet ta kërkojë Edi Rama, i cili në 2005 u përgjërua për demokraci të brendshme, një anëtar një votë dhe për luftë ndaj korrupsionit. Megjithëse u mbështet bujarisht nga e gjithë struktura e Partisë Socialiste, ai nuk arriti kurrë të bëhej një socialist, por thjesht i pa socialistët si hambar votash, duke i futur në grackën e zgjedhjes midis tij dhe Saliut. Edi Rama duhet të kërkojë falje për të gjitha kundërthëniet e tij në krye të PS-së dhe të qeverisë, që nga kriminalizimi i përbërjes së Kuvendit e deri te emërimet e horrave në qeveri, nga shkatërrimi i konceptit të shtetit e deri te largimi nga vendi i më shumë se 1 milion shqiptarëve, nga vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi e deri te pengimi i drejtësisë përmes marrjes nën mbrojtje politike të subjekteve të SPAK-ut. Tani maskat kanë rënë dhe Edi Rama ua ka borxh socialistëve dorëheqjen, lirimin e rrugës. Nëse nuk e bën, socialistët nuk mund të hidhen bashkë me të në greminën ku po i tërheq, do të dinë të zgjedhin një rrugë tjetër!

Nëse ka një fije mirënjohjeje në qenien e Edi Ramës, është koha ta shfaqë atë. Prej 13 vjetësh është kryeministër me votat e socialistëve. Asnjë pushtet nuk mund të jetë i përjetshëm! Hezitimi për t’i hapur rrugë ndryshimit tani rrezikon ta lërë partinë e Dritëro Agollit si një kujtim të bukur të një të shkuare të largët, me shumë mundësi pa anëtarë dhe pa votues. Ose PS ndryshon rrugë tani, ose një e majtë e re, e paralajmëruar nga disa prej intelektualëve më në zë të saj, do të ngrihet si alternativë e qenësishme politike. Eksperimenti dhe praktika e autokracisë kanë përfunduar me dështim, shëmti, hajni dhe tallje. Është koha për demokraci!

Si themelues dhe kryetar i parë i FRESSH-it, si një anëtar i Partisë Socialiste që prej vitit 1992, si deputet i saj i zgjedhur dy herë me votë të drejtpërdrejtë, si anëtar i zgjedhur në forumet më të larta drejtuese të saj në kohën kur zgjedhjet ishin të vërteta, do të dëshiroja të besoja te njerëzit e thjeshtë të së majtës bujare. Do të doja t’i shoh t’i japin fund përkrahjes për të keqen, sidomos në rastin kur ajo ka helmuar një pjesë të shpirtit të tyre! Do të doja t’i shoh ta rikthejnë partinë e tyre aty ku i takon, në brazdën e aspiratave të shqiptarëve për liri, paqe, barazi, dinjitet e bashkim kombëtar! Uroj që sa më parë, përfaqësuesit më të mirë të rinisë, të cilët e kuptojnë gjeneratën Z, jo klonet e zaptimit, të vijnë në krye të së majtës dhe të kontribuojnë me një mendësi të re për një Shqipëri që duhet patjetër të mbyllë tranzicionin dhe të renditet me demokracitë perëndimore si anëtare e BE-së dhe jo të kthehet mbrapsht nën zaptim! bw


Media austriake exxtra24.at: Tiranë: A po përballet Rama me largimin nga posti ?

Ekipi Editorial i exxtra24.at

Tensionet politike, protestat e vazhdueshme dhe presioni në rritje nga qarqet e biznesit po nxisin spekulimet rreth zgjedhjeve të reja të mundshme.

Ndërsa të ashtuquajturat protesta Flamingo vazhdojnë të tërheqin vëmendjen në disa pjesë të vendit dhe në nivel ndërkombëtar, dhe debati politik në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i nxehtë, exxtra24 ka mësuar se skenarë të ndryshëm të ardhshëm për vendin po diskutohen brenda qarqeve politike dhe ekonomike.

Sipas informacionit të marrë nga exxtra24 nga qarqe biznesi me lidhje të mira, thuhet se po zhvillohen bisedime prapa skenave në lidhje me pasojat e mundshme politike të krizës së vazhdueshme. Këto diskutime po shqyrtojnë gjithashtu nëse dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama mund të lehtësojë një rifillim të rregullt.

Aktualisht nuk ka konfirmim zyrtar për këtë. Megjithatë, shqetësimet po rriten në pjesë të komunitetit të biznesit se tensionet e vazhdueshme politike mund të dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Sidomos duke pasur parasysh negociatat e vazhdueshme të pranimit në BE, shumë udhëheqës biznesi dhe investitorë kanë frikë se një krizë e zgjatur qeveritare mund të pengojë zhvillimin e vendit.

Disa përfaqësues të biznesit me ndikim thuhet se po lobojnë te vendimmarrësit politikë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar stabilitetin. Për shumë kompani, fokusi është më pak te politika partiake dhe më shumë te e ardhmja ekonomike e Shqipërisë.

Nëse Kryeministri jep dorëheqjen, rruga drejt zgjedhjeve të reja do të jetë e hapur në parim. Megjithatë, vëzhguesit theksojnë se një qeveri kalimtare do të ishte e nevojshme deri atëherë për të marrë detyrat e detyrës dhe për të siguruar një proces të rregullt demokratik.

Për muaj të tërë, përfaqësuesit e opozitës në veçanti kanë kërkuar që çdo zgjedhje e re të mbahet nën një shqyrtim të shtuar ndërkombëtar. Sipas tyre, vetëm një proces zgjedhor transparent i mbikëqyrur nga institucionet evropiane mund të rindërtojë besimin.

Nëse zhvillimet aktuale do të çojnë vërtet në një fillim të ri politik, mbetet për t’u parë. Megjithatë, ajo që është e sigurt është se Shqipëria po përballet me një fazë vendimtare. Javët e ardhshme mund të përcaktojnë nëse situata politike qetësohet apo nëse vendi po shkon drejt një krize edhe më të thellë.

Për shumë qytetarë, udhëheqës biznesi dhe vëzhgues ndërkombëtarë, një pyetje qendrore është parësore: Si mund ta sigurojë Shqipëria stabilitetin politik, ndërsa njëkohësisht ndjek kursin e saj evropian?

https://www.exxtra24.at/albanien-steht-premierminister-rama-kurz-vor-dem-ruecktritt/

Demokratët Europianë: Rama s’mund të shpërfillë kërkesat për llogaridhënie! Shqipëria nuk është për shitje, e ardhmja e saj europiane duhet t’u përkasë qytetarëve të saj — jo oligarkëve

 

 

Në një deklaratë për shtyp, Partia Demokratike Europiane, pjesë e ‘Renew Europe’, aleancës së liberal-demokratëve në Parlamentin Europian, i bëri të martën thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të dëgjojë zërin e protestuesve për ndryshim demokratik dhe llogaridhënie.

“E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk duhet të rrëmbehet nga interesat oligarkike”, thuhet në nisje të qëndrimit të Partisë Demokratike Europiane, pjesë e ‘Renew Europe’, publikuar të hënën në mbrëmje, kur në Tiranë po mbahej protesta e 23-të radhazi kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

Protesta, që nisi si një kundërshtim ndaj planeve të qeverisë për të ndërtuar një kompleks rezidencial në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner, u shndërrua shpejt në një lëvizje anti-estabilishment me kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit.

Partia Demokratike Europiane thotë se po ndjek me shqetësim mobilizimin qytetar në Shqipëri dhe pyetjet që ai ngre për transparencën, shtetin e së drejtës dhe të ardhmen europiane të vendit.

“Ajo që nisi si një protestë kundër një projekti të kontestuar imobiliar në një zonë natyrore të mbrojtur është kthyer në një kërkesë më të gjerë për llogaridhënie dhe ndryshim demokratik. ‘Revolucioni i Flamingove’ tregon se shumë shqiptarë nuk pranojnë që aspiratat e tyre europiane të reduktohen në marrëveshje të errëta, privilegje private dhe interesa oligarkike”, thuhet në qëndrimin e demokratëve europianë.

Sandro Gozi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane dhe deputet i Parlamentit Europian, thotë se “ky mesazh duhet të dëgjohet në Tiranë dhe në Bruksel” dhe se “pas trembëdhjetë vjetësh në pushtet, Kryeministri Edi Rama nuk mund t’i shpërfillë kërkesat legjitime për llogaridhënie dhe për një ndryshim të vërtetë kursi, nëse kjo është ajo që shqiptarët zgjedhin me mjete demokratike”.

“Shqipëria i përket Bashkimit Europian,” shton Gozi, “por anëtarësimi nuk mund të ndërtohet mbi mbrojtje të dobësuara, marrëveshje pas dyersh të mbyllura apo rrëmbimin e të mirave publike nga një grusht i fuqishëm. Zhvillimi duhet t’u shërbejë qytetarëve, të mbrojë trashëgiminë natyrore dhe të respektojë shtetin e së drejtës.”

“Shqipëria nuk është për shitje, e ardhmja e saj europiane duhet t’u përkasë qytetarëve të saj — jo oligarkëve”, përfundon Gozi.

Në këtë kontekst, PDE bën të ditur se Gozi paraqiti të hënën një pyetje prioritare me shkrim drejtuar Komisionit Europian, duke kërkuar se si e vlerëson ai këto zhvillime përkundrejt detyrimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit lidhur me shtetin e së drejtës, transparencën dhe mbrojtjen e mjedisit, dhe çfarë hapash do të ndërmarrë për të garantuar vendimmarrje transparente dhe respektimin e të drejtës për protestë paqësore.

“Shuplaka” për Ramën vjen nga Franca! Deputetja mbështet protestat në Shqipëri dhe kritikon Macronin: Mos mbështesni një qeveri që mashtron vendin e saj

Eurodeputetja franceze Manon Aubry ka reaguar publikisht në lidhje me situatën politike në Shqipëri, duke kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron për pritjen që i bëri kryeministrit Edi Rama dhe duke shprehur mbështetje për protestat që po zhvillohen në vend.

Me këtë deklaratë, eurodeputetja franceze u shpreh kundër mbështetjes së pakushtëzuar ndaj qeverisë shqiptare, duke pretenduar se ajo po favorizon interesa të mëdha ekonomike në dëm të vendit dhe duke përshëndetur lëvizjen protestuese që është pagëzuar me emrin “Revolucioni i Flamingove Rozë”.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Aubry shkruan:

“Edi Rama, kryeministri shqiptar, u prit dje nga Macron, ndërkohë që Shqipëria është në revoltë prej 23 ditësh. Franca nuk duhet t’i japë çek të bardhë një qeverie që po e shet vendin e saj interesave të Trump-it dhe oligarkëve. Rroftë Revolucioni i Flamingove Rozë!”. bw

Goditet rëndë Qeveria e Pedro Sánchezit, ish-ministri i tij dënohet me 24 vite burg për korrupsion! Opozita: Kryeministri është politikisht përgjegjës

POLITICO –  Rastet e korrupsionit vazhdojnë të godasin kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, ndërsa ish-ministri i Transportit dhe aleati i tij kyç, José Luis Ábalos, u dënua të hënën me 24 vite burg për manipulimin e kontratave publike për maska mbrojtëse dhe furnizime të tjera mjekësore në këmbim të ryshfeteve në kulmin e pandemisë Covid.

 

Gjykata Supreme e Spanjës e shpalli ish-ministrin fajtor për korrupsion, përvetësim fondesh, trafik ndikimi dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa ish-këshilltari i tij, Koldo García, mori një dënim prej 19 vitesh për rolin e tij në skemë.

Në një lëvizje surprizuese, gjykata pezulloi dënimin me katër vjet e gjysmë burg dhe gjobën prej 3.7 milionë eurosh ndaj biznesmenit Victor de Aldama, duke përmendur bashkëpunimin e tij me prokurorët dhe gatishmërinë për të dorëzuar dokumente kyçe që shpjegonin funksionimin e brendshëm të skemës korruptive.

Gjatë gjyqit, biznesmeni pretendoi se një pjesë e fitimeve që ai kishte ndihmuar të përvetësoheshin ishte kanalizuar drejt Partisë Socialiste dhe madje tentoi të implikonte kryeministrin, por në fund nuk arriti të paraqiste prova që mbështesnin pretendimet e tij.

Duke kritikuar butësinë e gjykatës ndaj Aldamës, ministri i Transportit, Óscar Puente, tha se shoqëria duhet ta mbajë shënim vendimin.

“Shikoni, fëmijë? Nëse kryeni krime, por më pas silleni mirë dhe ‘bashkëpunoni’, falja do të vijë,” shkroi ai në një postim në X. “Nuk do të shkoni as në burg.”

Dënimi i Ábalos dhe masa e gjatë e burgimit – më e gjata e dhënë ndonjëherë ndaj një ish-ministri qeveritar – është një goditje për Sánchez, i cili e ngriti politikanin në poste të larta si në Partinë Socialiste në pushtet, ashtu edhe në dy qeveritë e tij të para.

Kryeministri spanjoll po përpiqet të shkëputet nga numri i madh i rasteve të korrupsionit që përfshijnë aleatë të afërt politikë, të afërm dhe anëtarë të tjerë të rrethit të tij të ngushtë.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit, lideri i opozitës, Alberto Núñez Feijóo, kreu i Partisë Popullore të qendrës së djathtë, kërkoi dorëheqjen e Sánchez.

“Kryeministri është politikisht përgjegjës për korrupsionin e ministrave të tij në detyrë,” tha ai. “Këshilltari i tij më i besuar, kujdestari dhe njeriu i porosive të regjimit të Sánchez, është dënuar.”

Megjithatë, Feijóo tha se nuk do të përpiqet të paraqesë një mocion mosbesimi në parlamentin spanjoll, pasi nuk ka gjasa që shumica e deputetëve ta mbështesin atë. Përveç nëse detyrohet të largohet, kryeministri është zotuar të qeverisë deri në vitin 2027, kur përfundon legjislatura aktuale.

Por të hënën, aleatë parlamentarë si Gabriel Rufián vunë në pikëpyetje nëse ka kuptim që Sánchez të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, kur partia e tij po lidhet gjithnjë e më shumë me korrupsionin.

“Çfarë kuptimi ka të rezistosh vetëm për hir të rezistencës?” pyeti Rufián në X. “Të qeverisësh do të thotë të legjislosh, jo të rezistosh.”

Një kryeministër nën zjarr

Kryeministri spanjoll dikur e konsideronte Ábalos si një nga aleatët e tij më të afërt.

Pasi garda e vjetër e Partisë Socialiste e detyroi Sánchez të largohej në vitin 2016, Ábalos mbeti një mbështetës i palëkundur dhe e shoqëroi politikanin e rrëzuar në një fushatë bazë për të rimarrë kontrollin e partisë.

Kur Sánchez u rizgjodh në krye të socialistëve vitin pasues, Ábalos u promovua në një post të lartë partiak dhe u ngarkua të mbante një fjalim kyç kundër korrupsionit, i cili kurorëzoi votën e suksesshme të mosbesimit që rrëzoi kryeministrin e atëhershëm Mariano Rajoy në vitin 2018.

Pas rikthimit në pushtet, Sánchez i dha Ábalos portofolin e Zhvillimit dhe Transportit – një post kyç që mbikëqyr shumë nga kontratat publike më fitimprurëse të vendit.

Sipas vendimit të gjykatës, Ábalos përvetësoi fonde për të marrë me qira ose blerë disa prona dhe për të mbuluar shpenzime të tjera personale ndërsa ishte në detyrë.

Sánchez është përpjekur të distancohet nga Ábalos që nga viti 2021, kur ish-ministri u largua nga rolet e tij si në qeveri ashtu edhe në drejtimin e partisë. Pasi Ábalos u vendos në paraburgim më herët këtë vit, Sánchez deklaroi se ndonëse dikur kishte “besim politik” tek ish-aleati i tij, “nga pikëpamja personale, ai ishte një i panjohur i plotë për mua.”

Këto deklarata kanë bërë pak për të ulur perceptimin e korrupsionit brenda partisë në pushtet dhe rrethit të ngushtë të kryeministrit, veçanërisht pas ngritjes së akuzave muajin e kaluar ndaj ish-kryeministrit socialist José Luis Rodríguez Zapatero për pastrim parash, trafik ndikimi dhe akuza të tjera penale, si dhe pas një bastisjeje të fundit në selinë e partisë në kuadër të një hetimi të veçantë për mashtrim.

Gjatë një seance javën e kaluar, Zapatero mohoi çdo shkelje dhe premtoi se do të “japë shpjegimet e nevojshme” për të provuar “ndershmërinë dhe integritetin” e tij.

Vendimi i së hënës përmbyll pjesën e parë të një çështjeje më të gjerë që përfshin Ábalos dhe García. Gjykata Kombëtare e Spanjës po trajton procedura të veçanta lidhur me manipulimin e pretenduar të kontratave të punëve publike në këmbim të ryshfeteve, ku përfshihet edhe një tjetër ish-zyrtar i lartë socialist, Santos Cerdán.

Në një deklaratë, zyra e kryeministrit tha se qeveria “shpreh pa asnjë mëdyshje keqardhje dhe dënon sjelljet që kanë shkelur qartësisht këto parime”, duke shtuar se mbetet “e përkushtuar për të vazhduar punën për ndërtimin e një Spanje shembullore, ku korrupsioni as nuk lavdërohet dhe as nuk tolerohet.” Panorama

Revolta masive e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e Ramës, reagon ministria e Jashtme gjermane: Njerëzit në Shqipëri kanë të drejtë të protestojnë

Qeveria gjermane ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri ku mijëra qytetarë kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. I pyetur nga Deutsche Welle, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Martin Giese theksoi se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore e qytetarëve.

Giese u pyet nëse Berlini është në kontakt me protestuesit në Shqipëri, nëse është në dijeni të kërkesave të tyre dhe çfarë pret nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në raport me protestat.

Zyrtari i lartë u shpreh se autoritetet gjermane kanë marrë dijeni për zhvillimet, por theksoi se ajo është një çështje e brendshme politike.

Pyetje nga Deutsche Welle: A është qeveria gjermane në kontakt me protestues në Shqipëri? A e di Berlini çfarë kërkojnë ata? Dhe çfarë pret nga qeveria e Edi Ramës në raport me protestat?

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Martin Giese: Unë i kam marrë parasysh njoftimet për këtë. Bëhet fjalë për një projekt kundër të cilit ka protesta.

Sigurisht njerëzit në Shqipëri kanë të drejtë të protestojnë. Por kjo është një çështje e brendshme politike në Shqipëri. Për këtë nuk mund të japim shumë informacion./DW

Rusia thotë se Ukraina ka kryer sulme vdekjeprurëse në Krime

Ngushtica e Kërçit në Krime. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Radio Evropa e Lirë

Katër persona janë vrarë dhe 28 janë plagosur nga sulmet ukrainase me dronë në Gadishullin e Krimesë – që kontrollohet nga rusët – tha guvernatori i Krimesë, i instaluar nga Rusia.

Ndaras, autoritetet lokale në rajonin Krasnodar të Rusisë thanë se një sulm ukrainas me dronë goditi një ndërtesë për transportin e naftës, duke vrarë të paktën një person që ishte pasagjer në një traget që u përfshi nga flakët. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka konfirmuar këtë sulm.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 239 dronë ukrainas janë rrëzuar gjatë natës.

Guvernatori i vendosur nga Rusia në Krime, Sergei Aksyonov tha se pikat e karburanteve në mbarë gadishullin kanë pezulluar shitjet për publikun dhe bizneset, për shkak se rezervat janë kufizuar vetëm për agjencitë qeveritare që janë përgjegjëse për shërbimet esenciale dhe të sigurisë.

Ukraina, e cila po përballet me pushtimin që Rusia nisi pesë vjet më parë, së voni ka intensifikuar sulmet në Krime – ku gjendet Flota e Detit të Zi të Rusisë – duke goditur linjat furnizuese të gadishullit dhe duke nxitur edhe një krizë për karburante.

Një operator lokal i rrjetit elektrik raportoi ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona pas dëmtimeve në rrjetet e furnizimit me energji, ndërsa qarkullimi i trageteve nëpër Ngushticën e Kërçit, që ndan Krimenë nga rajoni i Krasnodarit, u pezullua përkohësisht.

Autoritetet gjithashtu ndaluan qarkullimin për më shumë se nëntë orë në urën e Krimesë, duke bërë që 11 trena të përballeshin me vonesa në itineraret e tyre.

PE miraton raportin për Shqipërinë, shqetësim liria e medias: Dënojmë sulmet dhe retorikën e përdorur nga zyrtarët e lartë

Parlamenti Europian ka publikuar raportin për vitin 2026 për Shqipërinë.

Në raporti ngrihet shqetësim në lidhje me lirinë e medias dhe sulmet ndaj gazetarëve.

Parlamenti Europian dënon armiqësinë ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të pavarur të medias, duke u ndalur në sulmet verbale dhe retorikën anti-media të përdorur nga zyrtarë të lartë.

“Dënim i fortë i retorikës anti-media nga zyrtarë të lartë: raporti “dënon fuqimisht armiqësinë ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të pavarur të medias”, duke përmendur shprehimisht sulme verbale dhe retorikë anti-media nga zyrtarë të lartë, fushata denigruese dhe ngacmim mizogjinist online — shumica e të cilave synojnë gazetarë që raportojnë për sundimin e ligjit, korrupsionin dhe drejtësinë.
-Numër i lartë padish ndaj gazetarëve: shprehet shqetësim për numrin e lartë të padive ndaj gazetarëve (SLAPP); shpërbluarja e shpifjes dhe fyerjes nuk është bërë ende plotësisht, sipas standardeve evropiane.
-Transparenca e pronësisë së medias: kërkohet transparencë më e madhe e konflikteve të mundshme të interesit të pronarëve të medias dhe e shpërndarjes së reklamave shtetërore për të mbrojtur pavarësinë editoriale”, thuhet në raport. bw

PE për Shqipërinë- “PS pengoi arrestimin e Ballukut”, Brukseli: Duhen ndjekje penale e dënime përfundimtare për korrupsionin në nivele të larta

Në raportin përfundimtar të Parlamentit Evropian për Shqipërinë 2026, ngrihen disa shqetësime që lidhen kryesisht me sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit, por gjithashtu edhe me lirinë e medias dhe sulmet ndaj gazetarëve.

Sipas raportit, duhen ndjekje penale dhe dënime përfundimtare në lidhje me korrupsionin në nivele të larta.

Kujtojmë se Partia Socialiste me forcën e kartonëve pengoi arrestimin e ish-zëvendës kryeministres Belinda Balluku, duke rrëzuar kërkesën për heqjen e imunitetit të dorëzuar në Kuvend nga Prokuroria e Posaçme.

“Rënie alarmante në Indeksin e Korrupsionit: Shqipëria ka rënë nga vendi i 80-të (2024) në të 91-tin (2025) në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. [AM 112]
-Korrupsioni mbetet “shqetësim serioz”: pavarësisht përparimit në kuadrin ligjor, raporti thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe Shqipëria duhet të forcojë kapacitetet policore dedikuara.
-Mungesë rezultatesh në dënime të nivelit të lartë: kërkohet konsolidim i “track record-it” të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, sidomos në raste të korrupsionit të nivelit të lartë.
-Presion ndaj SPAK: thirrje për të garantuar pavarësinë e vazhdueshme, burimet adekuate dhe kapacitetin operacional të SPAK, “pa kufizuar fuqitë hetimore dhe pa dëmtuar punën e saj” — referencë indirekte ndaj përpjekjeve për ta dobësuar. [AM 100, 124, 128, 132, 137]
-Pasuritë kriminale: kërkohen përpjekje më të forta për gjurmimin, sekuestrimin dhe konfiskimin efektiv të aseteve kriminale”, thuhet në raport. bw

“Shqipëria nuk është në shitje!”- Eurodeputeti gjerman flet në Parlamentin Europian për protestat në Tiranë: Populli shqiptar po tregon guxim, po ngre zërin për transparencën

 

Eurodeputeti gjerman Sebastian Everding, ka ngritur në Parlamentin Europian çështjen e protestave që po zhvillohen në Shqipëri për mbrojtjen e Lagunës së Nartës dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se vendi nuk duhet të sakrifikojë pasuritë natyrore për interesa ekonomike.

“Ajo është protesta e njerëzve që nuk pranojnë më që natyra e çmuar të sakrifikohet për projekte të mëdha ekonomike”, tha ai.

Në fjalën e tij, Everding tha se mijëra qytetarë shqiptarë po dalin çdo ditë në rrugë për të mbrojtur një nga zonat më të rëndësishme ligatinore të rajonit të Mesdheut.

Sipas tij, kjo protestë nuk është vetëm një çështje mjedisore, por një reagim qytetar për transparencë dhe mbrojtjen e interesit publik.

“Mijëra njerëz në Shqipëri dalin çdo ditë në rrugë për të mbrojtur Lagunën e Nartës. Ata po luftojnë për një nga zonat më të rëndësishme ligatinore në të gjithë rajonin e Mesdheut, një habitat për mijëra flamingo dhe shumë specie të tjera të rralla”, tha Everding.

Ai shtoi se qytetarët shqiptarë po tregojnë guxim, po ngrenë zërin për transparencën dhe po kërkojnë që vendimmarrjet të mos udhëhiqen vetëm nga interesat e disa individëve.

“Populli shqiptar po tregon guxim. Ai po ngre zërin për transparencën, për mbrojtjen e mjedisit dhe për një të ardhme që nuk duhet të përcaktohet vetëm nga interesat e pak individëve përfitues”, u shpreh eurodeputeti.

Everding ka theksuar se vendimmarrjet e ndikuara nga korrupsioni dëmtojnë besimin te institucionet.

“Kush shkatërron mjedisin, toleron korrupsionin dhe shpërfill interesat e qytetarëve, rrezikon edhe besimin te rruga evropiane e Shqipërisë”, deklaroi ai.

Sebastian Everding :Shqipëria nuk është në shitje. Mijëra njerëz në Shqipëri dalin çdo ditë në rrugë për të mbrojtur Lagunën e Nartës. Ata po luftojnë për një nga zonat më të rëndësishme ligatinore në të gjithë rajonin e Mesdheut, një habitat për mijëra flamingo dhe shumë specie të tjera të rralla.

E ashtuquajtura “Revolucioni i Flamingove” është shumë më tepër sesa një lëvizje mjedisore. Ajo është protesta e njerëzve që nuk pranojnë më që natyra e çmuar të sakrifikohet për projekte të mëdha ekonomike.

Populli shqiptar po tregon guxim. Ai po ngre zërin për transparencën, për mbrojtjen e mjedisit dhe për një të ardhme që nuk duhet të përcaktohet vetëm nga interesat e pak individëve përfitues.

Dhe duhet ta themi qartë, aty ku korrupsioni ndikon në vendimmarrjet politike, vihet nën presion njëkohësisht demokracia, shteti i së drejtës dhe mbrojtja e natyrës.

Kush shkatërron mjedisin, toleron korrupsionin dhe shpërfill interesat e qytetarëve, rrezikon edhe besimin te rruga evropiane e Shqipërisë. Evropa përfaqëson shtetin e së drejtës, transparencën dhe mbrojtjen e komuniteteve tona. gsh

Kriza në LDK ngre pikëpyetje të reja për formimin e institucioneve

Shtatorja e Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Kosovës, që gjendet përballë institucioneve qendrore të Kosovës: Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.

Bekim Bislimi

Teksa Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, një tjetër zhvillim po e ndërlikon edhe më tej skenën politike.

Përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës – partisë që shihet si partnerja më e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një shumice qeverisëse – kanë ngritur pikëpyetje jo vetëm për të ardhmen e saj politike, por edhe për ndikimin që mund të kenë në procesin e formimit të institucioneve.

Kërkesat publike për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, të shoqëruara me replika mes figurave drejtuese të partisë, kanë nxjerrë në pah ndasitë e brendshme që pasuan rezultatin zgjedhor.

Në këtë klimë, analistët vlerësojnë se mënyra se si do të menaxhohet kjo krizë, mund të ndikojë në kapacitetin e LDK-së për të negociuar një marrëveshje politike, edhe pse nuk besojnë se vetëm zhvillimet brenda saj do ta përcaktojnë fatin e institucioneve të reja.

Çfarë ndodhi në LDK?

LDK-ja u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos arritur të ndryshojë pozicionin që ka mbajtur edhe në dy palë zgjedhjet paraprake – më 9 shkurt 2025 dhe më 28 dhjetor 2025.

Ky rezultat riktheu debatet e brendshme mbi drejtimin e partisë.

Këtë javë, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.

Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.

Përplasjet u reflektuan shpejt edhe në diskursin politik mes partive.

Nga koalicioni fitues u tha se mbetet e paqartë se me cilën “rrymë” brenda LDK-së duhet të zhvillohen negociatat për krijimin e institucioneve, ndërsa nga vetë LDK-ja u përgjigjën se partia ka vetëm një adresë për vendimmarrje: kryetarin Lumir Abdixhiku.

Përçarjet që e bëjnë më të vështirë vendimmarrjen

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë se debatet e fundit nuk përbëjnë një zhvillim të papritur për LDK-në.

Sipas saj, sa herë që në këtë parti është hapur çështja e lidershipit, procesi është shoqëruar me përçarje, fraksione dhe largim të figurave të rëndësishme politike.

Emini vlerëson se deklaratat për paqartësitë se me kë duhet negociuar për formimin e institucioneve të reja, janë pjesërisht politike, por njëkohësisht pasqyrojnë edhe realitetin e brendshëm të LDK-së.

“Edhe pse adresa formale për negociata është kryetari i partisë, LDK-ja karakterizohet nga fraksione të ndryshme, të cilat kanë preferenca të ndara për partneritetet politike. Një pjesë favorizon bashkëpunimin me LVV-në, ndërsa një pjesë tjetër preferon vazhdimin e bashkëpunimit me PDK-në, siç ndodh aktualisht në Prishtinë, ku të dyja partitë bashkëqeverisin në nivel lokal”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Mendim të ngjashëm ndan edhe analisti dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhiri.

Ai thotë se, nëse përplasjet vazhdojnë, LDK-ja rrezikon të humbasë jo vetëm stabilitetin e saj të brendshëm, por edhe besueshmërinë si partnere në procesin e krijimit të institucioneve.

“Pa gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha fraksionet, nuk mund të kalohet në fazat e tjera. Fillimisht duhet adresuar pakënaqësitë e strukturave, në mënyrë që më pas të mund të ndërtohet një qëndrim i unifikuar ndaj ofertave eventuale të LVV-së”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

LDK: Vendimet i merr kryetari, por negociatat ende nuk kanë nisur

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i minimizon debatet e fundit, duke i cilësuar ato si pjesë të funksionimit demokratik të partisë dhe jo si shenjë të një krize të pazakontë.

Sipas tij, diskutime të ngjashme kanë shoqëruar edhe periudha kur LDK-ja drejtohej nga Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, sidomos pas proceseve zgjedhore që nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme.

“Kjo është normale për LDK-në. Po të mos kishte reagime, do të duhej të pyeteshim se çka po ndodh”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ai konfirmon se, deri më tani, partia nuk ka marrë asnjë ftesë për negociata, por thekson se çdo komunikim eventual duhet t’i drejtohet kryetarit të LDK-së, Abdixhiku, për t’u shqyrtuar më pas në organet drejtuese të partisë.

Deklarata e Hazirit erdhi pasi Donika Gërvalla, nga partia Guxo, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit garoi në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, tha për televizionin KTV se brenda LDK-së ekzistojnë “disa rryma të ndryshme”, të cilat e bëjnë të paqartë se me kë duhet të zhvillohen bisedimet për një marrëveshje të mundshme.

Se kontaktet politike ende nuk kanë nisur e konfirmon edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha.

Ai thotë se bisedimet pritet të fillojnë vetëm pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i certifikojë rezultatet përfundimtare.

“Qytetari e ka thënë fjalën e vet dhe mendoj se pushteti, por edhe presidenti duhet të zgjidhen mbi bazën e kësaj premise”, thotë Rexha për Radion Evropa e Lirë.

A mund ta pengojë kriza në LDK krijimin e institucioneve?

Pavarësisht zhvillimeve të fundit në LDK, njohësit e çështjeve politike nuk besojnë se procesi i krijimit të institucioneve të reja varet vetëm nga kjo parti.

Dështimi i partive për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit – më pak se tre muaj pas konstituimit të tij – dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 7 qershor.

Për këtë arsye, posti i presidentit mbetet edhe tani një nga temat më të ndjeshme të negociatave të mundshme.

LDK-ja e ka bërë të qartë se ai është një nga kushtet kryesore për një marrëveshje eventuale me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.

Emini vlerëson se, aktualisht, sfidat shkojnë përtej krizës së brendshme në LDK.

Sipas saj, edhe pse përçarjet e bëjnë më të vështirë ndërtimin e një qëndrimi unik për negociata, pengesa kryesore mbeten mungesa e besimit ndërmjet partive politike dhe kalkulimet elektorale që vazhdojnë të dominojnë skenën politike.

“Sa i përket çështjes së presidentit, as kjo nuk është një zgjidhje automatike. Nuk është e sigurt që posti i presidentit do t’i ofrohej LDK-së. Por, edhe nëse kjo ndodh, mbetet e hapur çështja e emrit që do të mbështetej. Kjo lidhet edhe me raportet komplekse të Lumir Abdixhikut me Vjosa Osmanin dhe me mënyrën se si do të menaxhoheshin këta ekuilibra brenda dhe jashtë partisë”, thotë Emini.

Në listën e LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Abdixhiku ishte kandidat për kryeministër, ndërsa Osmani kandidate për presidente.

Emini shton se, nëse partitë arrijnë konfigurime të tjera parlamentare, qeveria mund të formohet edhe pa një LDK plotësisht të konsoliduar.

“… në atë rast, pasojat e përçarjeve do të mbeteshin kryesisht brenda LDK-së”, thotë ajo.

Muhaxhiri, vlerëson se, pavarësisht formulës së ardhshme të bashkëqeverisjes, LDK-ja duhet të sigurojë rol të qartë në vendimmarrje dhe përfitime politike që do t’i shërbenin edhe perspektivës së saj elektorale.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjë në dialog me një qasje të personalizuar. Nuk ka më sens që LDK-ja të sillet pa urgjencë vepruese dhe me indiferencë komode ndaj pozitës së saj në spektrin politik kosovar”, thotë Muhaxhiri.

Megjithatë, ai mbetet skeptik për mundësinë e një marrëveshjeje të shpejtë, duke vlerësuar se, pavarësisht deklaratave për gatishmëri për bashkëpunim, ende nuk ka shenja se partitë po afrohen drejt një kompromisi.

“Identifikimi i një personaliteti përbashkues për postin e presidentit sërish mund të shndërrohet në një përpjekje sizifiane, me rrokullisje kolektive mbrapa”, përfundon Muhaxhiri, duke iu referuar mundësisë që Kosova të përballet sërish me bllokada politike… dhe sërish me zgjedhje.

 

 

Haziri: Abdixhiku ose unë mund t’i unifikojmë votat e LDK-së për president

Selia qendrore e LDK-së në Prishtinë

 

Bekim Bislimi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër.

Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj.

“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.

Osmani më herët ka deklaruar se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.

Haziri theksoi se LDK-ja aktualisht “ka vetëm një adresë kryesore”, të cilës mund t’i drejtohet Lëvizjen Vetëvendosje, për ndonjë marrëveshje eventuale.

“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Kjo është përgjigja e tij ndaj deklaratave të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së.

Pas publikimit të këtij lajmi, Haziri shkroi në Facebook se “asgjë s’ka ndryshuar” dhe se nominimi i Vjosa Osmanit për presidente “mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së”. Ai tha se, “në kuadër të debatit paszgjedhor”, në emër të LDK-së ka paraqitur parime gjithëpërfshirëse dhe modalitete për bashkëpunim të mundshëm, me qëllim “krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”.*

Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar ekipit të Osmanit për koment, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, Gërvalla në një intervistë për televizionin vendor KTV, duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, tha se brenda saj “janë disa rryma të ndryshme”.

Sipas saj, LVV-ja e ka problem të flasë me LDK-në, sepse “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, për ndonjë marrëveshje eventuale për konsolidimin e institucioneve të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vetë parlamentar”, theksoi Gërvalla.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haziri shpjegoi se deri më tash në adresë të LDK-së “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për të biseduar për ndonjë marrëveshje eventuale.

Sipas tij, në rast se një ftesë e tillë arrin në adresë të partisë, atë do ta shqyrtojnë organet e LDK-së dhe vendimmarrja do të jetë e brendshme varësisht se cila do të jetë oferta e LVV-së.

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura paraprake dështoi të votonte një president të ri brenda afatit kushtetues, pasi Vjosa Osmanit i skadoi mandati pesëvjeçar në prill.

Nga LVV-ja kanë thënë se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjen e krijimit të institucioneve të reja, pasi të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas Kushtetutës, për themelimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë kërkohet vota e së paku 61 deputetëve.

Fituesja e zgjedhjeve, LVV-ja e Kurtit pritet të ketë 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh dhe ajo mund t’i bëjë numrat, së bashku me pakicat joserbe, për Kuvendin dhe Qeverinë.

Por, për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë.

*Ky lajm është përditësuar me postimin në Facebook të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri.

 

E ardhmja e LDK-së – Hykmete N. Bajrami: Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme

E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.

Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë.

Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim.

Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme.

Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend.

Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë.

Qëndrimi im nuk ka ndryshuar.

LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve.

LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!

Donika Gërvalla: Çdo ditë e gjithmonë në anën e së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale si Armë Lufte, bashkë me U.D. të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, takuam znj. Vasfije Krasniqi Goodman, z. Ramadan Nishori dhe përfaqësueset e Medica Kosova, Medica Gjakova, KRCT-së dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.
Në një moment të tillë, në shenjë respekti për ata që, për vite me radhë, kanë qëndruar pranë të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke u ofruar mbështetje, duke dokumentuar të vërtetën dhe duke mbrojtur të drejtën e tyre për drejtësi e dinjitet. Në kohë kur shumëkush heshti, ata zgjodhën të dëgjojnë. Në kohë kur stigma rëndonte mbi viktimat, ata zgjodhën t’u qëndrojnë pranë.
Vasfije Krasniqi Goodman dhe Ramadan Nishori, me guximin e tyre të jashtëzakonshëm, i dhanë zë një dhimbjeje që për shumë vite ishte mbajtur në heshtje. Falë tyre dhe falë punës së palodhshme të organizatave që i mbështetën, shoqëria jonë ka bërë hapa të rëndësishëm drejt njohjes së së vërtetës dhe respektimit të dinjitetit të të mbijetuarve.
Gjatë takimit folëm për veprimet konkrete që institucionet duhet t’i ndërmarrin për ta bërë më të qasshme dhe më dinjitoze rrugën drejt njohjes së statusit dhe realizimit të të drejtave të tyre, përfshirë rishikimin e afateve për aplikim, lirimin nga taksat gjyqësore, sigurimin e kushteve më të përshtatshme për funksionimin e Komisionit të Verifikimit dhe garantimin e një procesi që në çdo fazë respekton dinjitetin e të mbijetuarve.
Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës nuk është vetëm detyrim institucional. Është përgjegjësi shtetërore, morale dhe njerëzore. Republika e Kosovës ka për detyrë të vazhdojë të qëndrojë në anën e tyre, me respekt, me mbështetje dhe me përkushtim të palëkundur për të vërtetën, dinjitetin dhe drejtësinë.

Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie mbi Lumir Abdixhikun e Vjosa Osmanin, arkitektët e këtij projekti politik Nga Agim Veliu

Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, përfundimisht, nuk mund të maskohet me interpretime kreative apo të paraqitet si sukses.

Qytetarët folën qartë, ndërsa LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj.

Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile.

Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet.

U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore.

Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza.

Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë sepse e morën përgjigjen nga elektorati.

LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal.

Ka nevojë për përgjegjësi konkrete.

Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore.

Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale.

Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies.

Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre.

LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj.

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!

 

Refuzimi i gazit rrezikon partneritetin e Kosovës me SHBA-në, paralajmëron Oda Amerikane

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një kompani për eksportin e LNG-së në Luiziana më 2019. Fotografi ilustruese nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehu shqetësim për “mungesën e vazhdueshme të konsideratës” nga Qeveria në detyrë e Kosovës karshi thirrjeve të Qeverisë amerikane për përfshirjen e vendit në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG), duke paralajmëruar se një shpërfillje e thirrjeve amerikane mund të ketë ndikim në partneritetin mes dy vendeve.

“Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës”, u tha në reagimin e OEAK-ut më 17 qershor.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti ka shprehur më shumë interesim për “gazifikimin e qymyrit” vendor.

“Këtë [gazifikimin e qymyrit] mund ta bëjmë me një kompani amerikane, për shembull”, ka deklaruar më herët Kurti.

Gazifikimi i qymyrit nënkupton procesin industrial ku qymyri shndërrohet në gaz të djegshëm, të quajtur gaz sintetik, i cili më pas mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se është shqetësues fakti që të gjitha shtetet e tjera të rajonit kanë shprehur zotim që të bëhen pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, “e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, tha OEAK-u.

Kjo odë tha se Kosova varet për prodhim të energjisë nga kapacitete të vjetruara gjeneruese – duke iu referuar dy termocentraleve të vjetra me qymyr, Kosova A dhe Kosova B ku prodhohet rreth 90 për qind e energjisë – dhe nga importet e mëdha të energjisë. Prandaj, sipas kësaj ode, qasja në LNG-në amerikane përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe “një zgjedhje strategjike”.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, tha OEAK-u.

Kjo thirrje e OEAK-ut vjen pasi nga Ambasada amerikane në Prishtinë vazhdimisht së voni po bënë thirrje për përfshirjen e Kosovës në projektin e LNG-së amerikane.

E ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Anu Prattipati, tha në fillim të qershorit se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji dhe citoi të dhënat e Doganës së Kosovës, se vendi ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.

Këto të dhëna tregojnë një rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.

Sipas Prattipatit, në një të ardhme të afërt, teksa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten Kosova, do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj.

Prattipati, në opinionin e publikuar në mediat lokale, gjithashtu e citoi të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, i cili tha për Radion Evropa e Lirë më 10 maj se “sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane”, dhe se “Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”.

“Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën”, shkroi Prattipati.

Së voni, disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit.

Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.

Kosovë- Epoka 27-vjeçare e ujit falas në veri drejt fundit

Nadije Ahmeti

Për gati tri dekada, uji në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është konsumuar pa u faturuar. Tani, kjo praktikë e gjatë po shkon drejt fundit.

Banorët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit pritet që gjatë këtij viti të hyjnë për herë të parë në sistemin e rregullt të pagesës.

Kjo do të shënojë një kthesë të rëndësishme për një shërbim që për vite ka funksionuar jashtë rregullave të zakonshme të pagesës, duke krijuar rreth 20 milionë euro detyrime të pambledhura, sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”.

Por, çfarë do të ndodhë me borxhin e akumuluar ndër vite?!

Njëzet e shtatë vjet pa faturë

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, banorët e katër komunave janë furnizuar me ujë nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, por pa asnjë mekanizëm faturimi.

Sipas të dhënave të kompanisë, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, vetëm nga viti 2016 deri në vitin 2025, vlera e ujit të shpenzuar ka arritur mesatarisht rreth 900 mijë euro në vit, ndërsa në disa periudha ka kaluar edhe mbi 1 milion euro.

Viti Shpenzimet Subvencionet
2016 815.912 816.658
2017 891.987 987.000
2018 1.031.978 580.000
2019 1.111.248 1.048.929
2020 1.007.244 700.00
2021 855.878 691.029
2022 846.221 340.000
2023 897.108 Nuk ka të dhëna
2024 981.208 Nuk ka të dhëna
2025 959.868 Nuk ka të dhëna

Shpjegimi për këtë situatë nuk lidhet me një faktor të vetëm.

Pas luftës, veriu i Kosovës – i banuar kryesisht nga komuniteti serb – ka funksionuar për vite me struktura paralele dhe lidhje më të forta me institucionet e Serbisë sesa me ato të Kosovës.

Edhe pse furnizimi është kryer nga KRU “Mitrovica”, mungesa e kontrollit efektiv në terren dhe mosfunksionimi i plotë institucional kanë bërë që të mos vendoset asnjëherë një sistem i rregullt i faturimit dhe inkasimit.

Në vend të pagesës nga qytetarët, kostoja është mbuluar nga buxheti i shtetit përmes subvencioneve.

Fillimi i ndryshimit

Në fillim të vitit të kaluar, KRU “Mitrovica” nënshkroi marrëveshje me kryetarët e atëhershëm të katër komunave veriore për fillimin e procesit të faturimit dhe inkasimit të ujit.

Sipas Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), faturimi fillimisht ishte planifikuar të niste në tre muajt e parë të këtij viti.

Por, nga vetë KRU “Mitrovica” konfirmohet se procesi është shtyrë dhe pritet të fillojë në fund të vitit 2026.

Arsyeja kryesore lidhet me mungesën e stafit të rekrutuar dhe organizimin e shërbimit në terren.

“Kompania ka hapur konkurse ku kanë aplikuar 500 persona. Janë punësuar 44 qytetarë serbë, të cilët tashmë janë në proces të integrimit në sistemin teknik, komercial dhe financiar”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për Radion Evropa e Lirë.

Pas kësaj faze bëhet e ditur se do të nisë edhe regjistrimi i konsumatorëve, fushata informuese dhe instalimi i ujëmatësve.

ARRU-ja ka përcaktuar tashmë tarifat që do të vlejnë edhe për veriun: 0.53 euro për metër kub për konsumatorët shtëpiakë dhe 0.69 euro për ata komercialë dhe institucionalë, pa TVSH.

Sipas rregullatorit, këto tarifa janë të njëjta për gjithë zonën e shërbimit të KRU “Mitrovica”, e cila përfshin Mitrovicën e Jugut, Skenderajn, Vushtrrinë dhe katër komunat veriore.

Të gatshëm për të paguar, por kërkojnë transparencë

Në terren, reagimet e qytetarëve janë të ndryshme, por jo refuzuese.

Disa banorë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se janë të gatshëm të paguajnë faturat, por kërkojnë qartësi dhe informim paraprak.

“Është normale të paguash. Në çdo vend normal faturat duhet të paguhen”, thotë Andrija Todoroviq.

Ai shton se është i vetëdijshëm që faturat do t’i lëshojë Kosova, duke kujtuar se edhe energjinë elektrike e paguan përmes kompanisë serbe Elektrosever, e cila ka licencë për operim në Kosovë.

“Ne kemi edhe letërnjoftime të Kosovës, prandaj është normale të paguajmë edhe faturat”, shton Todoroviq.

Bashkëvendasja e tij, Ollga Nikolliq, thotë se ka ardhur koha që kjo të ndryshojë.

“Është koha të fillojmë të paguajmë”, thotë ajo.

Dragani, në anën tjetër, nuk është kundër pagesës së faturave, por thotë se askush nuk i ka informuar për kushtet sipas të cilave do të llogaritet uji i shpenzuar, as se cila kompani do të jetë përgjegjëse për këtë.

“Asgjë nuk është transparente. Ne nuk jemi kundër pagesës, por dikush duhet të na informojë se kujt duhet t’i paguajmë”, thotë ai.

Hap drejt barazisë dhe shërbimeve më cilësore

Ekspertët e sektorit të ujërave e shohin faturimin si një hap të domosdoshëm drejt normalizimit të sistemit.

Afrim Lajçi thotë se kjo pjesë e vendit ka funksionuar jashtë rregullave të sistemit të Kosovës për një kohë të gjatë.

Sipas tij, përfshirja në sistemin e faturimit sjell barazi dhe përmirësim të shërbimeve.

“Përfitimet do të jenë të dyanshme, pasi faturimi pritet të sjellë shërbime më cilësore për qytetarët, por edhe t’i vendosë ata në një pozitë të barabartë me pjesën tjetër të vendit. Në këtë mënyrë, ata nuk do të trajtohen më ndryshe në aspektin e shërbimeve publike, por njësoj si qytetarët e Mitrovicës së Jugut dhe të gjithë Kosovës”, thotë Lajçi për Radion Evropa e Lirë.

Skender Bublaku vlerëson se të hyrat e reja do ta forcojnë financiarisht Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, duke mundësuar investime në infrastrukturë, zgjerim të shërbimeve dhe përmirësim të furnizimit me ujë në zonat që ende kanë qasje të kufizuar.

Kostoja që u mbulua nga shteti

Për gati tri dekada, uji i konsumuar në veri nuk është paguar nga qytetarët, por, deri në një masë, është mbuluar nga buxheti i shtetit.

Sipas të dhënave të KRU “Mitrovica”, nga viti 2016 deri më 2025, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar me rreth 5.2 milionë euro për këtë shërbim.

Analisti i politikave në Institutin për Studime të Avancuara – GAP, Bekim Salihu, thotë se subvencionimi i ujit mund të jetë parë si masë për të garantuar furnizimin dhe stabilitetin, por, sipas tij, ky model nuk është dashur të vazhdojë për kohë kaq të gjatë, sepse ka krijuar standard të dyfishtë.

“Mesazhi për paguesit e rregullt ka qenë demotivues dhe ka dëmtuar kulturën e pagesës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Institucioni i Avokatit të Popullit bën të ditur se, deri më tani, nuk ka pranuar ankesa për këtë çështje, por edhe ai e konsideron të ndjeshme nga aspekti i barazisë dhe diskriminimit.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ai thotë shkurtimisht se, në rast se sigurohen informata relevante ose paraqiten ankesa që kërkojnë trajtim, do të veprojë në përputhje me mandatin e tij.

Çfarë ndodh me borxhin 20 milionësh?

Një nga pikat më të paqarta mbetet trajtimi i borxhit të akumuluar ndër vite.

KRU “Mitrovica” thotë se faturimi do të nisë nga zeroja, ndërsa për borxhin e vjetër prej rreth 20 milionë eurosh “do të vendoset në të ardhmen”.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e transparencës mund të krijojë perceptim të një amnistie të heshtur.

“… prandaj, qeveria duhet të publikojë shifrat reale dhe të gjejë një skemë tranzitore, të moderuar e të zbatueshme, për trajtimin e borxhit”, thotë Salihu.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të kërkohet të shlyhet edhe borxhi i grumbulluar.

Paralelja me rrymën: Një precedent i njohur

Rasti i ujit ngjan me atë të energjisë elektrike në veri, e cila për vite nuk është paguar dhe është mbuluar nga institucionet dhe qytetarët e tjerë të Kosovës.

Situata ndryshoi vetëm në vitin 2024, kur furnizimi dhe faturimi kaluan te kompania serbe Elektrosever, e licencuar në Kosovë, pas disa marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

SHBA-ja paralajmëron “përshtatje të kontributit” në KFOR

Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të KFOR-it.

 

Valona Tela

Shtetet e Bashkuara pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, në kuadër të një procesi më të gjerë të rishikimit të pranisë ushtarake të Aleancës në vend.

Një zyrtar i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi bazohet në rishikimin vjetor të bërë nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), e cila rekomandoi përshtatjen e trupave në terren.

“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë, NATO-ja do të optimizojë pozicionimin e Forcës së Kosovës (KFOR). Si rezultat, Komanda Evropiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje – në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut – të kontributit amerikan në KFOR, në përputhje me këtë rishikim të udhëhequr nga SHAPE”, tha zyrtari i EUCOM-it për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë misionin një komponent kyç të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, pa dhënë detaje për natyrën apo përmasën e ndryshimeve të mundshme.

NATO: Prani më e vogël graduale në KFOR

Javën e kaluar, NATO-ja njoftoi se do ta zvogëlojë gradualisht praninë e saj në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha, përmirësimit të situatës së sigurisë.

Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime nga selia e Aleancës në Bruksel për treguesit konkretë që mbështesin këtë vlerësim, veçanërisht në veri të Kosovës, ku situata mbetet e brishtë.

Në përgjigje, një zyrtar i NATO-s tha se Aleanca nuk komenton çështje operative apo të inteligjencës, por theksoi se situata në terren monitorohet vazhdimisht dhe nga afër përmes mjeteve të ndryshme, për të siguruar që misioni mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij.

Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga mbi 4.600 trupa nga 31 vende.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe ministritë e Mbrojtjes në Itali dhe Hungari – dy nga kontribuueset kryesore në KFOR, krahas SHBA-së – për të mësuar nëse planifikojnë rishikim të forcave të tyre, por nuk mori përgjigje.

As Ministria e Mbrojtjes e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Në një aktivitet javën e kaluar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova ka ushtri të fortë dhe polici të aftë dhe se, së shpejti, do të ketë edhe xhandarmëri, me synim garantimin e paqes, stabilitetit dhe avancimin drejt integrimit në NATO dhe BE.

KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, si reagues i dytë.

Misioni është përgjegjës për sigurinë përgjatë kufirit me Serbinë, ndërsa në pjesët e tjera të vijës kufitare përgjegjësinë e ka Policia e Kosovës.

Debati për praninë amerikane në Kosovë dhe më gjerë

Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të KFOR-it – një ulje e ndjeshme krahasuar me mbi 5.000 trupat e vendosura në vitin 1999, kur misioni u krijua pas përfundimit të luftës.

Që nga ajo kohë, SHBA-ja ka edhe kampin Bondsteel pranë Ferizajt, që konsiderohet baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan.

Debati për rishikimin e mundshëm të pranisë amerikane në Kosovë nisi qysh në fillim të vitit të kaluar, kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

Gjatë një vizite në Varshavë atëkohë, Hegseth tha se e ardhmja e pranisë amerikane do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike të SHBA-së.

Megjithatë, një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes tha për Radion Evropa e Lirë asokohe se nuk ka ndryshime në pozicionimin aktual të forcave amerikane.

Po ashtu, në shkurt të këtij viti, gazeta amerikane Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se SHBA-ja është duke kërkuar nga Aleanca që të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.

Edhe atëherë, një zyrtar i Pentagonit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndryshime në dislokimin e forcave amerikane.

Sipas Komandës Evropiane të SHBA-së, numri i përgjithshëm i forcave amerikane në Evropë është luhatur mes 75.000 dhe 105.000 që nga viti 2022.

Prej tyre, rreth 63.000 janë të dislokuara në mënyrë të përhershme, ndërsa pjesa tjetër shërben me rotacion.

Numri më i madh i trupave amerikane – mbi 35.000 – ndodhet në Gjermani, ku gjendet edhe baza ajrore Ramstein, me mbi 16.000 ushtarakë, civilë dhe kontraktorë.

Në fillim të majit, SHBA-ja njoftoi tërheqjen e 5.000 trupave nga Gjermania brenda 6-12 muajve të ardhshëm.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se vendimi pasqyron nevojat operacionale dhe situatën në terren.

“Reduktimi i SHBA-së në KFOR do të ishte destabilizues”

Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit, i publikuar në fund të muajit të kaluar, e përshkroi praninë e SHBA-së në KFOR si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

Analisti Mark Montgomery, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo reduktim i pranisë amerikane në KFOR do të ishte “shumë destabilizues”, pasi do ta largonte SHBA-në nga “pika më e mundshme e tensioneve” – kufiri Kosovë-Serbi – dhe do të dërgonte sinjal se Uashingtoni po tërhiqet nga roli i sigurisë.

Ai shton se SHBA-ja është thelbësore për suksesin e KFOR-it dhe se diskutimet për ndryshime në politikën ndaj Kosovës janë “shqetësuese”, pasi mund të dobësojnë parandalimin dhe të nxisin Serbinë të testojë vendosmërinë e SHBA-së dhe të Evropës.

Montgomery thekson se ruajtja e niveleve aktuale të trupave amerikane në KFOR është një masë me kosto të ulët, por me rëndësi të lartë strategjike, ndërsa çdo zvogëlim do të sillte, sipas tij, “kohë më të vështira” për Kosovën dhe rajonin.

“Pa asnjë zëvendësim logjik për Shtetet e Bashkuara në këtë rast, ka shumë gjasa që kushtet të destabilizohen më tej nëse SHBA-ja bën një hap prapa”, thotë Montgomery.

Ai shton se Kosova duhet ta forcojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara duke thelluar bashkëpunimin ekonomik, duke avancuar pavarësinë energjetike dhe duke lobuar vazhdimisht për një rol të qëndrueshëm dhe të fuqishëm amerikan në KFOR. Në të njëjtën kohë, ai thekson se vendi duhet të zgjidhë bllokadën e brendshme politike dhe të dëshmojë stabilitet institucional dhe qeverisje demokratike.

Pesë të arrestuar në aksionin për krime lufte në Reçak

Fotografi nga aksioni i sotshëm, e publikuar nga institucionet e sigurisë.

 

Radio Evropa e Lirë

Pesë persona janë arrestuar të dielën gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, gjatë operacionit janë realizuar urdhër-kontrolle në disa lokacione.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për identitetin e të arrestuarve apo veprat konkrete për të cilat dyshohen, ndërsa kanë paralajmëruar se më shumë informacione do të bëhen të ditura në një konferencë për media që do të mbahet më vonë.

Rasti “Reçaku II” lidhet me hetimet për krime lufte që rrjedhin nga ngjarjet në fshatin Reçak të Shtimes gjatë luftës në Kosovë.

Më herët, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku u vranë 42 civilë shqiptarë.

Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale e ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.

Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Kjo masakër shtyri NATO-n t’i niste bombardimet për t’i dhënë fund luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë, dhe përfundimisht pavarësimit të vendit disa vite pas çlirimit.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Nga Kim Mehmeti: POROSI PROTESTUESVE – JU JENI INVESTIMI MË I MADH STRATEGJIK QË ËSHTË BËRË NË SHQIPËRI!

“Bëhuni gjithnjë e më shumë, sepse kështu e zbukuroni Shqipërinë dhe vetëm kështu do ta mposhtni Piktorin, i cili nuk e kursen as familjen e Presidentit amerikan për ta mbuluar fytyrën vetjake të shkatërrimtarit të shqiptarisë.

Brohorimat tuaja kundër plehut politik tridekadësh, që ka mbuluar mëmëdheun, janë ftesa më e sinqertë për investitorët e huaj dhe investimi më i madh strategjik që ndonjëherë është bërë në Shqipëri.

Jo vetëm se po e largoni plehun politik që e ka mbuluar dhe po e kalb Shqipërinë, por ju po e shpëlani edhe mëkatin e gjeneratës sime, e cila ju la në duart e burrështetasve, të cilëve nuk do t’u besohej as një fermë pulash, ngaqë do t’i hanin shpendët dhe do t’i vidhnin vezët.

Mos bini pre e “mendjendriturve” të shumtë që dalin nëpër ekranet e televizioneve të financuara nga krimi, duke e mbrojtur Piktorin, sepse ata për këtë paguhen dhe, nëse bie punëdhënësi i tyre, ata mbeten pa grazhdin ku majmen dhe pa baltën e turpit, ku përpëliten si derra.

Jo vetëm tani, por gjithmonë, Shqipëria do të mburret me ju e do të turpërohet nga ata që sot duan ta heshtin dhe ta komprometojnë zërin tuaj të sinqertë rinor, i cili mëmëdheut ia freskon damarët e shpresës dhe krenarisë.”

“As në tokë, as në qiell, nuk ka vend për shqiptarët!” Shkrime anti-shqiptare shfaqen në Shkup pas protestës

Tensionet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut duket se janë rikthyer në fokus pas shfaqjes së mesazheve me përmbajtje anti-shqiptare, vetëm pak ditë pas protestës së studentëve që kërkonin zhvillimin e provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi nga qendra sportive “Forca” në Shkup, ku është shkruar një slogan me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve: “As në tokë, as në qiell, vend për shqiptarë nuk ka”.

Pamja është shpërndarë gjerësisht edhe nga figura politike dhe aktivistë, të cilët kanë kërkuar reagim dhe ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, deri tani nuk është raportuar asnjë reagim zyrtar nga autoritetet.

Incidenti vjen në një periudhë kur janë shtuar rastet e retorikës anti-shqiptare në vend. Edhe më herët, gjatë një aktiviteti sportiv, nga tifozë maqedonas u dëgjuan kore dhe thirrje fyese ndaj shqiptarëve, duke nxitur reagime dhe shqetësime për rritjen e gjuhës së urrejtjes. bw

“8 orë pa ujë e ushqim” – Studentët nga Tirana denoncojnë keqtrajtimin nga policia maqedonase ditën e protestës për gjuhën shqipe

“As ujë, as liri lëvizjeje”.

Për më shumë se 8 orë, 40 studentë shqiptarë nga Tirana që udhëtonin për t’iu bashkuar protestës për gjuhën shqipe në Shkup, thonë se u përballën me presion, kontrolle të vazhdueshme dhe trajtim të papranueshëm nga autoritetet maqedonase.

Sipas dëshmive të tyre, pasi u ndaluan në kufirin e Bllatës, studentët u kontrolluan një nga një dhe u sorollatën nga Dibra deri në Kumanovë, edhe pse destinacioni i tyre ishte Shkupi.

Ata tregojnë se gjatë gjithë kohës janë shoqëruar nga policia dhe nuk janë lejuar as të ndalonin për të blerë ujë, ushqim apo për të kryer nevojat personale.

Studentët denoncojnë se janë mbajtur për orë të tëra nën presion, me kërcënime dhe keqtrajtime psikologjike. bw

Protesta e studentëve në Shkup, bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti: E përkrahim! Takuam kryeministrin Mickoski dhe ramë dakord të implementohet ligji i gjuhës dhe për shqipen

Bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka mbështetur protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës.

 

Në “Studio24”, Mexhiti deklaroi se studentët shqiptarë prej 20 vitesh e japin provimin e jurisprudencës në gjuhën maqedonase dhe janë privuar nga kjo e drejtë.

“Studentët kanë të drejtë. Protestat ishin të qeta dhe ne i mbështesim”, u shpreh ai.

Sipas Mexhitit, policia është përpjekur të shmangë tensionet gjatë protestës, por pas përfundimit të saj pati një incident, ku u arrestuan dy shqiptarë dhe një maqedonas pas një përleshjeje fizike.

Ai shtoi gjithashtu se është arritur një dakordësi me kryeministrin Hristijan Mickoski për zbatimin e ligjit për gjuhët dhe zgjerimin e përdorimit të shqipes në disa fusha të arsimit dhe licencimeve.

Sipas tij, në disa raste nevojiten ndryshime ligjore dhe në të tjera ndryshime të rregulloreve për të mundësuar përdorimin e gjuhës shqipe.

Izet Mexhiti: Në të kaluarën studentët nuk kanë protestuar, janë privuar nga kjo e drejtë sepse provimin e jurisprudencës e japin prej 20 vitesh në gjuhën maqedonase. Protestat kanë qenë të qeta dhe ne i përkrahim si zë që kanë të drejtë.

Policia është munduar të mos ketë përplasje. Pas protestës ka pasur një incident dhe janë arrestuar dy shqiptarë dhe një maqedonas për përleshje fizike.

Kemi rënë dakord me kryeministrin Mickoski që të implementohet ligji i gjuhës dhe të përdoret edhe gjuha shqipe për disa sfera të arsimit, licenca etj. Diku kërkohet ndryshim ligji, diku kërkohet ndryshim rregulloreje.

Ina Zhupa në takimin Maqedoni e Veriut-Shqipëri: Trashëgimia natyrore dhe zonat e mbrojtura, përgjegjësi e përbashkët. Të zbatohen rekomanimet e UNESCO-s për Ohrin

Kryetarja e Komisionit për Turizmin, Kulturën dhe Diasporën Ina Zhupa, mori pjesë në takimin e përbashkët të komisioneve parlamentare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, organizuar me mbështetjen e OSBE-së, mbi sfidat e përbashkëta mjedisore dhe sigurinë klimatike. Gjatë fjalës së saj, Zhupa theksoi se mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi e përbashkët që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe cilësinë e jetës së qytetarëve në rajon.

Statusi i plotë i Ina Zhupës:
Strugë!
Takimi i përbashkët i komisioneve parlamentare Shqipëri-Maqedoni e Veriut për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta mjedisore dhe ato që lidhen me sigurinë klimatike me mbështetjen e OSBE.

Ndryshimet klimatike nuk janë më një problem i së ardhmes. Ato po ndikojnë sot drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë, në ekonominë, turizmin, trashëgiminë natyrore dhe kulturore, si dhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. Përmbytjet, zjarret, ndotja, mungesa e burimeve ujore dhe degradimi i ekosistemeve janë sfida që nuk njohin kufij shtetërorë dhe që kërkojnë bashkëpunim të përbashkët.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë jo vetëm kufij dhe pasuri natyrore të përbashkëta, por edhe përgjegjësinë për t’i mbrojtur ato për brezat e ardhshëm. Liqenet tona, zonat e mbrojtura, trashëgimia kulturore dhe potenciali turistik i rajonit varen nga aftësia jonë për të ndërtuar politika të qëndrueshme dhe për të vepruar me vizion afatgjatë. Rekomandimet e UNESCO për liqenin e Ohrit, janë detyra për të dy anët e kufirit dhe duhet jetë përgjegjësi e shtuar qe secila të zbatoj rekomandimet. Mënyra si trajtojmë zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe anasjelltas ndikon të dyja shtetet. Duhet kuptojmë që mbrotja e mjedisit është mbrojtje e vetë shoqërisë.

Ky forum është një mundësi e vlefshme për të ndarë eksperienca, për të forcuar partneritetet dhe për të ndërtuar qasje të koordinuara ndaj sfidave që prekin të ardhmen tonë të përbashkët. bw

Studentët në Shkup protestë më 18 maj për gjuhën shqipe, Mickoski: Po punojmë për zgjidhje, bëni durim

Studentët shqiptarë në Shkup nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre për mbrojtjen dhe mundësinë e dhënies së provimeve shtetërore në gjuhën shqipe. Pas paralajmërimit të tyre për zhvillimin e protestës së dytë më 18 maj, kryeministri Hristijan Mickoski duket se ka bërë një hap prapa, duke deklaruar se qeveria po punon për të gjetur një zgjidhje. Kryeministri kërkoi durim nga ana e studentëve pasi qeveria do t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

“Bëhet fjalë për një çështje mbi të cilën po punojmë si qeveri. Besoj se shumë shpejt do të dalim me një propozim-zgjidhje, i cili do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces që të bëjnë durim”, shprehet ai.

Sipas kryeministrit Mickoski, protestat po nxiten nga forca politike që synojnë tensione dhe përçarje.
Një muaj më parë, studentët shqiptarë protestuan përpara Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë në Shkup. Me thirrjet “unë flas shqip”, studentët kërkuan dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore në gjuhën shqipe – një e drejtë që, sipas tyre, garantohet edhe me Kushtetutë. bw

VLEN-i më në fund u bashkua – Një karrige me dy të ndenjura Nga Dijana Toska

Një karrige me dy prapanica

VLEN-i më në fund u bashkua.

Pesë kryetarë u mblodhën me e ndërtu “partinë e madhe”, por i gjithë halli ishte:

sa prapanica i nxë një karrige.

Dhe në këtë luftë egosh, pasi nuk u morën vesh kush me u ul i pari, shpikën “zgjidhjen historike”: dy kryetarë për një karrige.

Madje këtë farsë e shpallën solemnisht në Ditën e Europës, duke i tregu edhe Europës se deri ku mund të shkojë pazari politik te ne.

Tash fillon filmi i vërtetë.

Kur të fillojë shtyrja mes dy prapanicave kush me mbet më gjatë në karrige…

Interesant po duket ky unitet…

Po edhe më interesante do të jetë, çka do të bëjnë disa ….. që janë në pritje, e disa të tjerë të eliminuar…që nuk janë përfshirë në këtë koalicion të prapanicave…

Në fund veç një pyetje po më mbetet,

Si urohet një karrige me dy prapanica?

“ u trashëgofshi”… apo “mos u rrëzofshi”?

Koalicioni VLEN në Maqedoninë e Veriut shndërrohet në një parti të vetme! Kush do jenë dy kryetarët

Pesë parti politike shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeveritar, u bashkuan zyrtarisht në një subjekt të vetëm politik.


Për herë të parë në historin e pluralizmit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në krye të partisë VLEN do të ketë dy kryetarë, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.

Në kongresin ku u vendos bashkimi i partive të koalicionit u tha se VLEN u shndërrua në parti të vetme, në shtëpi të përbashkët politike, në forcë që bashkohet rreth një vizioni për të ardhmen, ku vendimmarrja nuk do të varet nga një lider i vetëm.

Kulturë e re politike
Bashkëkryetari i partisë VLEN, Izet Mexhiti, tha se kjo parti do të ndjekë një model të ri funksionimi, duke u distancuar nga mitizimi i liderëve politikë. Modeli që po ndjek VLEN është i ngjashëm me sistemet evropiane, ku fuqia nuk përqendrohet te individi, por te ekipi drejtues.

“VLEN po sjell një frymë të re demokratike në këtë nën qiell duke mos u bazuar te individi, fuqia është te e gjithë udhëheqësia e VLEN-it dhe jo e përqëndruar te një individ. Nuk është model që e kemi shpikur, është model që funksionon me sukses në shtetet europiane. Për herë të parë pas shumë vitesh shqiptarët po e ndejnë se pesha e votës së tyre, po kthehet në peshë të vërtetë politike, në përfaqësim të vërtetë, në forcë vendimmarrëse, dhe kjo është arsyeja se pse ky bashkim ka rëndësi historike. Dy kryetarët do ta udhëheqin këtë parti, jo si ndarje, por si balancë, jo si kompromis por si garanci, se askush nuk është mbi vullnetin e përbashkët brenda VLEN-it” , tha bashkëkryetari i posazgjedhur Izet Mexhiti.

Jo politikës që jeton nga zënkat
VLEN nuk do të jetë thjesht bashkim partish, nëse mbetet vetëm kaq, atëherë nuk kemi bërë asgjë, tha bashkëkryetari tjetër Bilall Kasami. VLEN do të jetë kulturë e re politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo do të jetë më e qetë, serioze, më institucionale dhe e përgjegjshme ndaj qytetarit. Sipas Bilall Kasamit, shqiptarët nuk kanë nevojë për politikë që jeton nga zënkat, shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat.

“Ne besojmë tek familja si vendin e parë ku njeriu mëson besimin, përgjegjësinë dhe dashurinë për tjetrin. Besojmë te puna e ndershme, te njeriu që ngrihet herët për ta mbajtur familjen e vet, te sipërmarrësi që rrezikon, krijon dhe nuk pret gjithçka nga shteti. Besojmë në identitetin tonë, në gjuhën, në kulturën, në besimin dhe në ato vlera shpirtërore që na kanë mbajtur bashkë edhe në kohët kur kemi pasur pak mundësi, por shumë dinjitet. Ne besojmë në një shtet modern, në institucione që funksionojnë, në administratë profesionale, në drejtësi që është e barabartë për të gjithë, jo nënë për dikë e njerkë për dikë tjetër”, tha bashkëkryetari i VLEN Bilall Kasami.

Kurti: VLEN dëshmoi përgjegjësi politike
I panishëm në Kongresin e VLEN-it në Shkup ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Bashkimin e pesë subjekteve politike shqiptare Kurti e vlerësoi si peshë të veçantë politike dhe shoqërore.

“Ne jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim ndarje, copëtime politike në formacione të reja. Prandaj është shumë më e rrallë dhe domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik. Kjo përveç se dëshmon përgjegjësinë politike, përbën një model të ri bashkëpunimi për organizmat politikë që veprojnë në rajon”, tha Kurti.

VLEN zgjodhi me shumicën e votash edhe dy nënkryetarët e partisë: Bekim Çoku dhe Mimoza Musa, ndërsa Sekretar i Përgjithshëm i partisë u zgjodh Bekim Sali./DW

“Je ëndrra e çdo vajze” Media greke: Politikani i ri shqiptar që është bërë viral në TikTok për pamjen e tij

Media greke Protothema shkruan se, ai është anëtari më i ri i organit suprem të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe ka marrë një rol aktiv në çështjet politike dhe ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit shqiptar.

TIRANË-  Një valë e papritur popullariteti është shkaktuar nga analisti politik dhe akademiku shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ylli Pacuku i cili është bërë viral në TikTok.

Media greke Protothema shkruan se, ai është anëtari më i ri i organit suprem të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe ka marrë një rol aktiv në çështjet politike dhe ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit shqiptar.

Ai mban gjithashtu pozicionin e Zëvendëspresidentit të Shoqatës Evropiane të Studentëve të Drejtësisë (ELSA) në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse deri më tani ai njihej kryesisht për praninë e tij publike dhe aktivitetin shkencor, këtë herë interesi është drejtuar te pamja e tij, me shumë përdorues që e krahasojnë atë madje me një model.

Komentet në rrjetet sociale kanë qenë të zjarrta me shumë gra që e përshkruajnë atë si “ëndrra e çdo vajze”, “jashtëzakonisht simpatik”, ndërsa nuk mungojnë as referencat për “bukurinë e gjakut ilir”, me një ton krenarie. Në shumë postime, ai paraqitet si një kombinim i pamjes dhe inteligjencës, një fakt që e ka bërë atë një nga figurat më të diskutuara në skenën politike të Maqedonisë së Veriut./Dosja.al

SHBA-ja ndalon importin e dërgesave të kompanisë kineze në Serbi

Hyrja në kompaninë e bakrit Zijin në Serbi. 6 prill 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Agjencia Amerikane për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit (CBP) njoftoi të martën se ka lëshuar një urdhër për ndalimin e dërgesave të bakrit dhe produkteve të bakrit që prodhohen në Serbi nga kompania kineze Zijin Copper D.O.O., për shkak të dyshimeve se në procesin e prodhimit është përdorur puna me detyrim.

Vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe personeli i CBP-së në të gjitha pikat hyrëse në Shtetet e Bashkuara do të ndalojë dërgesat e produkteve të bakrit të prodhuara në objektet e Zijin-it në Serbi, u tha në njoftim.

Ky është urdhri i dytë që CBP-ja lëshon për ndalimin e dërgesave të kompanive kineze që operojnë në Serbi për shkak të përdorimit të punës me detyrim, pasi një urdhër i ngjashëm ishte lëshuar më parë për gomat e automjeteve që kompania Linglong prodhon në Zrenjanin, në veri të Serbisë.

“Prodhuesit amerikanë përballen me konkurrencë të pandershme kur kompanitë e huaja i ulin kostot duke përdorur punë me detyrim”, deklaroi ndihmëskomisionerja ekzekutive e Zyrës për Tregti të CBP-së, Susan S. Thomas.

“Duke zbatuar ligjet tona kundër punës me detyrim, CBP-ja mbron të drejtat e njeriut, si dhe sigurinë ekonomike të vendit tonë”, shtoi ajo.

Sipas njoftimit, urdhri për ndalimin e dërgesave të Zijin-it është rezultat i një hetimi të CBP-së dhe informacioneve që tregojnë se Zijin Serbia prodhon bakër dhe produkte bakri duke përdorur punë me detyrim.

Në njoftim thuhet po ashtu se CBP-ja ka analizuar deklarata të punëtorëve, fotografi, shënime nga terreni të grupeve të fokusit, mesazheve tekstuale, raporte të organizatave joqeveritare që janë të qasshme për publikun, artikuj medialë dhe kërkime akademike.

“Kur merren së bashku, këto prova treguan se punëtorët në kompaninë Zijin Serbia janë të ekspozuar ndaj gjashtë treguesve të punës me detyrim të përcaktuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës: shfrytëzimit të cenueshmërisë, mosdhënies së pagave, frikësimit dhe kërcënimeve, kufizimit të lirisë së lëvizjes, mbajtjes së dokumenteve personale dhe orëve të tepërta të punës jashtë orarit”, thuhet në njoftim.

CBP-ja theksoi se faktet që mbështesin këta tregues dëshmojnë se punëtorët janë përfshirë në punë me detyrim, pra në punë që kryhet jovullnetarisht dhe nën kërcënimin e ndëshkimit.

Duke theksuar se të dhënat tregtare tregojnë që produktet e Zijin-it importohen ose ka gjasa të importohen në Shtetet e Bashkuara, CBP-ja njoftoi se importuesit e dërgesave të ndaluara mund t’i shkatërrojnë ose t’i rieksportojnë ato, ose mund të përpiqen të dëshmojnë se mallrat nuk janë prodhuar duke përdorur me detyrim.

Ndërkaq, kompania kineze Zijin është përballur më parë me akuza për ndotje të mjedisit.

Serbia u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Ukraina

Analiza e Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë tregon se 44 shtetas rusë kanë marrë shtetësinë e Serbisë vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, dhe se në mesin e tyre ka edhe persona që janë nën sanksione ndërkombëtare.

 

Ludmilla Cvetkoviq, Jovana Kërstiq

Që nga fillimi i këtij viti, Qeveria e Serbisë u ka dhënë shtetësi katër herë më shumë shtetasve rusë sesa të gjithë shtetasve të tjerë të huaj së bashku.

Në mesin e tyre ka edhe rusë që janë nën sanksione ndërkombëtare, ka konstatuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) përmes analizës së vendimeve të Qeverisë serbe.

Qeveria e Serbisë i jep këto shtetësi duke i arsyetuar me “interesa” për Serbinë.

Valerij Kazikajev është shtetas i Serbisë që nga 16 janari.

Ai ndodhet në listën e sanksioneve amerikane që nga prilli i vitit 2023, për shkak të lidhjeve të biznesit me oligarkun rus, Alisher Usmanov.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk e ka komentuar për REL-in vendimin e Qeverisë së Serbisë për t’i dhënë atij shtetësi.

Një tjetër bartës i ri i pasaportës serbe është shtetasi rus, Sergej Kondratenko, i cili e mori shtetësinë më 13 nëntor 2025.

Ai ndodhet nën sanksionet ukrainase për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”.

Shtetas i ri i Serbisë është edhe Igor Koljushev, inxhinier rus ndërtimi në fushën e urave.

Ai është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.

Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të REL-it lidhur me dhënien e shtetësisë serbe personave që janë nën sanksione ukrainase.

As Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve se pse po u jep shtetësi qytetarëve rusë të sanksionuar.

Qeveria e Serbisë ka vazhduar trendin e dhënies gjithnjë e më të shpeshtë të shtetësisë për shtetas rusë, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit se kjo u mundëson atyre hyrje pa viza në Bashkimin Evropian.

Kjo është theksuar edhe në një non-paper të fundit të Komisionit Evropian, në të cilin REL-i ka pasur qasje.

Në këtë dokument paralajmërohet se përfitimi i përshpejtuar i së drejtës për udhëtim pa viza në BE nga shtetas rusë përmes marrjes së shtetësisë serbe — numri i të cilëve është rritur — paraqet rrezik të mundshëm sigurie për BE-në.

“Serbia jo vetëm që nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë, por në mënyra të ndryshme po e anashkalon politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha për REL-in Bojana Sellakoviq nga organizata joqeveritare Konventa Kombëtare për BE-në.

Si vend kandidat për anëtarësim, Serbia ka regjim pa viza me BE-në dhe detyrim për harmonizim të politikës së jashtme me të.

Megjithatë, ajo nuk ka vendosur viza për qytetarët rusë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kush janë personat e sanksionuar me pasaportë serbe?

Valerij Kazikajevit i janë vendosur sanksione amerikane me qëllim “pengimin e mëtejshëm të importit të teknologjive kritike që Rusia i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës”.

Këto masa iu vendosën në prill të vitit 2023 për shkak të lidhjeve të tij të biznesit me miliarderin rus, Alisher Usmanov.

Sipas të dhënave të Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja, OFAC, Kazikajev është një nga anëtarët e lartë të menaxhmentit ose bordeve drejtuese të kompanive në sektorin e metaleve dhe minierave të lidhura me Usmanovin — Metalloinvest dhe Udokan Copper.

Kazikajev është, gjithashtu, pronar i kompanisë sllovake KTH Group Spol SRO. Edhe kjo kompani është nën sanksione amerikane.

Ukraina i vendosi sanksione Kazikajevit në nëntor të vitit 2023. Masat përfshijnë ngrirjen e pasurisë, ndalimin e aktivitetit të biznesit dhe një sërë kufizimesh të tjera financiare.

REL-i nuk arriti të kontaktojë me Valerij Kazikajevin.

Oligarku Alisher Usmanov, i afërt me pushtetin në Kremlin, është një nga rusët më të pasur.

Ai ka biznese në fushën e minierave, industrisë së metaleve, telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit.

Shtetet e Bashkuara e vendosën Usmanovin në “listën e zezë” në mars të vitit 2022.

Në arsyetim thuhet se ai është i afërt me disa zyrtarë të lartë rusë që janë nën sanksione amerikane, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe Dmitry Medvedevin, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

Departamenti amerikan i Thesarit thotë, gjithashtu, se Usmanov ka në dispozicion një rrjet kompanish të regjistruara në të ashtuquajturat parajsa fiskale, përmes të cilave mund të kryejë transaksione financiare – çka potencialisht i mundëson anashkalimin e sanksioneve.

Ai është gjithashtu nën sanksionet e Australisë, Kanadasë, BE-së, Japonisë, Zelandës së Re, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sergej Kondratenko, një tjetër shtetas rus që ka marrë së fundmi pasaportë serbe, është sanksionuar nga autoritetet ukrainase.

Autoritetet ukrainase kanë konstatuar se Kondratenko është pronari përfundimtar i kompanisë Royal Pay Europe, ndaj së cilës Ukraina vendosi sanksione në vitin 2023 për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”.

Këtë e tregojnë të dhënat e degës ukrainase të organizatës Transparency International.

Royal Pay Europe është e regjistruar në Letoni, dhe merret me pagesa elektronike dhe shërbime të tjera financiare.

Byroja Shtetërore e Hetimeve e Ukrainës nisi në vitin 2023 një procedurë penale ndaj kësaj kompanie për përvetësimin e më shumë se 30 milionë eurove, që bankat e huaja kishin ndarë për njërën nga bankat komerciale ukrainase.

“Sipas materialeve të atij hetimi, gjatë luftimeve në rajonin e Harkivit, kompania u përpoq të riregjistronte të drejtat pronësore mbi pasuritë e paluajtshme të një banke ukrainase që ishte në proces likuidimi”, thuhet nga Transparency International.

Me vendim të Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit në Ukrainë në vitin 2024, kompanisë iu konfiskua pasuria në atë vend, në vlerë prej rreth 44 milionë dollarësh. Këto para u transferuan në buxhetin shtetëror të Ukrainës.

Gjatë hetimit, autoritetet ukrainase të sigurisë e lidhën Kondratenkon edhe me një rrjet rus bastesh.

Sergej Kondratenko nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it, të dërguar në një adresë elektronike, të njohur për redaksinë.

Igor Koljushev, inxhinier rus i ndërtimit në fushën e urave, është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.

Masat ndaj tij lidhen kryesisht me ndalimin e nxjerrjes së kapitalit nga Ukraina dhe me kufizime të rrjedhave financiare.

Sipas të dhënave të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Koljushev është drejtor teknik i Institutit Giprostroymost në Shën Petersburg.

Kjo është një nga kompanitë kryesore ruse të specializuara në projektimin e urave dhe objekteve të transportit.

REL-i nuk arriti të kontaktojë as me Koljushevin.

Në prill, shtetësi serbe mori edhe Yakub Zakriyev, nip i udhëheqësit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, por Qeveria e Serbisë e tërhoqi atë vendim katër ditë më vonë.

Zakriyev ndodhet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përfshirjes së tij në institucionet e Rusisë.

Nën sanksione të SHBA-së dhe BE-së është edhe vetë Kadyrov, i cili prej vitesh përballet me akuza për shpërfillje të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë rrëmbime, tortura, vrasje dhe përndjekje të pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve as për dhënien, as për anulimin e shtetësisë për nipin e Ramzan Kadyrovit.

Në shtator të vitit 2025, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), raportoi se së paku katër shtetas rusë kishin marrë shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë, ndonëse ishin nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.

Sipas këtyre raportimeve, shtetësi serbe morën tre menaxherë të gjigantit rus të energjisë, Gazprom.

Shtetësi mori edhe Ruslan Alisultanov, ish-zëvendësministër i Bujqësisë i Çeçenisë dhe biznesmen, i cili sot prezantohet si udhëheqës në industrinë ushqimore të Rusisë.

Portali hulumtues KRIK dhe portali rus Important Stories raportuan në prill të vitit 2025 se në mesin e personave të cilëve Qeveria e Serbisë u kishte dhënë shtetësi kishte disa rusë të lidhur me elitën politike të Kremlinit, dhe me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë, FSB.

Ata raportuan, gjithashtu, për persona të lidhur me industrinë ushtarake, për njerëz që u pasuruan gjatë luftës në Ukrainë dhe për figura të lidhura me gjigantë të tjerë të biznesit.

Për Serbinë “interes”, për BE-në “rrezik sigurie”

Analiza e REL-it tregon se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, 44 shtetas rusë morën shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë.

Nga fillimi i vitit 2022 deri në qershor të këtij viti, më shumë se 300 rusë kanë marrë shtetësi serbe.

Kjo u konstatua përmes shqyrtimit të vendimeve të Qeverisë së Serbisë për dhënien e shtetësisë, të publikuara në Gazetën Zyrtare.

Ky nuk është numri përfundimtar, sepse edhe Ministria e Brendshme jep shtetësi sipas procedurës së rregullt, nëse plotësohen kushtet e caktuara.

Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa shtetas rusë kanë marrë shtetësi serbe që nga viti 2022.

Qeveria e Serbisë mund të japë shtetësi sipas një procedure të veçantë dhe të përshpejtuar ligjore, e cila arsyetohet me “interes për Serbinë”.

Megjithatë, ajo që për autoritetet serbe paraqet “interes për Serbinë”, për BE-në është një “sfidë e mundshme sigurie”.

Shtetësi serbe marrin sportistë dhe artistë rusë, por edhe biznesmenë të lidhur me Kremlinin dhe persona të sanksionuar.

Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë do të ndërmarrë lidhur me paralajmërimet e Brukselit, e as se si e shpjegon rritjen e numrit të shtetësisë serbe të dhënë rusëve.

Marko Todoroviq nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane, CEP, thotë se nga Serbia pritet që t’i ketë parasysh interesat e BE-së kur merr vendime që ndikojnë në sigurinë e hapësirës Shengen.

“Kur BE-ja, nga kujdesi, po shqyrton se si t’ua vështirësojë qytetarëve rusë marrjen edhe të vizave turistike, tendenca në Serbi për t’u dhënë atyre shtetësi që automatikisht ua hap derën Shengenit duket si lëvizje në drejtim krejtësisht të kundërt”, tha ai për REL-in.

Disa vende anëtare të BE-së po bëjnë presion ndaj Komisionit Evropian që të propozojë një ligj që do ta lehtësonte refuzimin e vizave turistike për shtetas rusë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas të dhënave të BE-së, numri i vizave turistike të lëshuara për qytetarët rusë për hapësirën Shengen u rrit gjatë vitit 2025 në gati 480.000 — niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Sa rusë ka në Serbi?

Falë regjimit pa viza, mijëra shtetas rusë kanë kaluar nëpër Serbi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Disa ikën nga mobilizimi, të tjerë erdhën për të vazhduar pa pengesa biznesin me vendet perëndimore.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, të cilat REL-i i mori përmes kërkesës për qasje në informacion publik në janar të vitit 2025, pak më shumë se 48.000 shtetas rusë kishin qëndrim të përkohshëm në Serbi.

Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa janë aktualisht në Serbi deri në publikimin e këtij teksti.

Çfarë rrezikon Serbia?

Duke u dhënë shtetësi personave të sanksionuar, sipas Marko Todoroviqit nga CEP-i, Serbia po i rrezikon drejtpërdrejt integrimet e veta evropiane dhe po e minon komunitetin të cilit synon t’i bashkohet.

“Kjo sugjeron se ekziston ndikim rus në pjesë të aparatit politik dhe të sigurisë, të cilat i bëjnë këto ‘shërbime’ me shpresën se do të kalojnë pa u vërejtur, ose madje pa u shqetësuar fare për pasojat e mundshme politike”, vlerëson ai.

Ai thotë se non-paper-i është gjithashtu sinjal se Komisioni do ta ndjekë nga afër mënyrën se si Serbia e zbaton këtë proces, sa i hollësishëm është kontrolli dhe nëse vërtet verifikohet prapavija e aplikuesve.

Bojana Sellakoviq nga Konventa Kombëtare për BE-në thotë se rritja e numrit të shtetësive të dhëna qytetarëve rusë, përfshirë edhe personave të sanksionuar, tregon se Serbia nuk ka orientim të qartë të politikës së jashtme dhe po i ruan marrëdhëniet me Rusinë.

“E gjithë kjo nuk është në linjë me një shtet që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, sepse rregullat atje janë shumë strikte dhe shumë të qarta”, tha Sellakoviq.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat me BE-në që nga dhjetori i vitit 2021, dhe një nga arsyet është edhe mosharmonizimi me politikën e jashtme të bllokut.

Në samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor, në Tivat të Malit të Zi, Serbisë iu tha se duhet të përcaktohet mes Rusisë dhe Kinës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian në anën tjetër.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha atëherë se Serbia duhet të vendosë se ku përket, dhe se “balancimi mes Rusisë, Kinës dhe Evropës është i papranueshëm”.

Ai sqaroi se udhëheqësit evropianë ia kishin bërë këtë të qartë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Jellena Jankoviq dhe Iva Martinoviq kontribuuan në këtë raport

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç refuzoi të merrte pjesë në festimet e 20 vjetorit të rivendosjes së pavarësisë të Malit të Zi

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç refuzoi një ftesë për të marrë pjesë në festimet e 20 vjetorit të rivendosjes së pavarësisë të Malit të Zi, duke thënë se nuk kishte “asgjë për të festuar” dhe se pjesëmarrja do të ishte si të “pështynte në fytyrë” popullin e tij.

Mali i Zi feston Ditën e Pavarësisë çdo vit më 21 maj. Festa kombëtare përkujton referendumin historik të mbajtur më 21 maj 2006, ku 55.5% e qytetarëve të vendit votuan për  të rivendosur pavarësinë e plotë. Edhe pse Parlamenti malazez shpalli zyrtarisht pavarësinë disa ditë më vonë, më 3 qershor 2006, 21 maji mbetet festa shtetërore e përcaktuar ligjërisht.

Njëzet vjet pasi Mali i Zi rivendosi pavarësinë e tij, Presidenti i Serbisë refuzoi të merrte pjesë sipas tij në një “festim pompoz” që përkujtonte 20-vjetorin e shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia më 21 maj, sipas ANSA që citon Tanjug. “Mora një ftesë për të marrë pjesë në festimin pompoz të shkëputjes nga Serbia”,“Sigurisht, nuk do të shkoj. E dua Serbinë më shumë se çdo gjë tjetër në botë, dhe festimi i një ngjarjeje të tillë do të ishte një turp dhe një fyerje për mua dhe popullin tim. Lejojini të festojnë si të duan.” “Dua vetëm që qytetarët e Serbisë të dinë një gjë: ata po festojnë shkëputjen e tyre nga ne, Serbia, me shumë bujë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar. Do të kisha shumë për të thënë për paaftësinë e udhëheqjes sonë në atë kohë, por ata zgjodhën atë mundësi. Shoh që janë të entuziazmuar që i kanë lënë serbët dhe Serbinë. “U uroj atyre suksese dhe lumturi”, shtoi Vuçiç.”

Regjimi po i afrohet fundit, Vuçiç s’ka mësuar asgjë nga gabimet e Orban!

Aleksandar Vuçiç nuk arrin të gjejë një përgjigje për protestat e studentëve. Të rinjtë janë gjithnjë e më të organizuar, programi i tyre po merr formë gradualisht dhe veprimeve të tyre po u bashkohen grupe më të gjera shoqërore. Por ai bën shumë përpjekje për t’u kundërvënë studentëve “pa përvojë” me peshën e tij politike ndërkombëtare. 

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Orban

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, premtoi të shpallë zgjedhje të parakohshme vitin e kaluar, por që atëherë ai e ka shtyrë vazhdimisht këtë veprim, shkruan gazeta hungareze Nepsava në një artikull me titull “Presidenti i Serbisë nuk ka mësuar asgjë nga gabimet e Viktor Orbanit”.

Megjithatë, koha po punon kundër tij, si dhe represioni dhe ndërhyrjet e autoriteteve bazuar në arsye të shpikura, vëren gazeta, me pretendimin se Vuçiç me siguri po shkon drejt humbjes.

Demonstruesit kërkojnë thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe fundin e regjimit të Aleksandar Vuçiç , i cili ka qenë në pushtet për 14 vjet.

Aleksandar Vuçiç nuk arrin të gjejë një përgjigje për protestat e studentëve.

Që nga rënia e Slobodan Millosheviqit, protesta e së shtunës në Beograd ishte e dyta më e madhe në Serbi, shkruan gazeta hungareze, duke iu referuar Arkivit të Takimeve Publike, bazuar në vlerësimin e të cilit, midis 180 dhe 190 mijë njerëz morën pjesë në Sheshin Slavija.

Megjithatë, policia serbe arriti të numëronte vetëm 30, maksimumi 34 mijë demonstrues.Protesta më e madhe u organizua gjithashtu nga studentët, në mars, kur u mblodhën rreth 375 mijë njerëz.

Përpara protestës së së shtunës, ashtu si në rastet e mëparshme, trafiku i trenave u pezullua përsëri për të vështirësuar mbërritjen në kryeqytet. Këtë herë, kompania hekurudhore serbe njoftoi se natën midis të premtes dhe të shtunës, mori një telefonatë anonime në lidhje me pajisje shpërthyese të vendosura në të gjitha trenat dhe depot hyrëse.

Gazeta kujton se në mars, përpara zgjedhjeve parlamentare në atë vend, një çantë shpine e braktisur, e cila dyshohet se ishte e mbushur me eksplozivë, u gjet Hungari pranë tubacionit të gazit që të çon në

Provokimi i zakonshëm nuk mungoi as këtë herë.

Përpara protestës, kishte qenë në fuqi një alarm i madh sigurie, disa mijëra anëtarë të policisë së ndërhyrjes u dërguan në terren. Pas protestës, shpërthyen përleshje, kur një grup i vogël filloi të qëllonte drejt policëve, të cilët menjëherë filluan ta shpërndanin brutalisht demonstratën.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se u arrestuan 47 protestues.

Studentët, organizatorët e protestës, deklaruan në deklaratën e tyre se disa pjesëmarrës pësuan lëndime serioze, ndërsa disa prej tyre përfunduan në spitalin e urgjencës.

Aleksandar Vuçiç nuk arrin të gjejë një përgjigje për protestat e studentëve. Të rinjtë janë gjithnjë e më të organizuar, programi i tyre po merr formë gradualisht dhe veprimeve të tyre po u bashkohen grupe më të gjera shoqërore.

Megjithatë, presidenti ende nuk bën thirrje për zgjedhje të jashtëzakonshme, por ka njoftuar tubimin e tij masiv për qershor në të njëjtin vend në sheshin Slavija, ku dëshiron të tregojë se kampi i mbështetësve të tij është më i shumtë në numër.

Përveç kësaj, ai bën shumë përpjekje për t’u kundërvënë studentëve “pa përvojë” me peshën e tij politike ndërkombëtare. Dhe vizita e tij në Kinë, e cila filloi të dielën, shoqërohet pikërisht nga një atmosferë e tillë: Presidenti kinez Xi Jinping, pas Donald Trump dhe Vladimir Putin, pret presidentin serb./Pamfleti

(Video) Shaip Kamberi, ka vlerësuar shumë të rëndësishëm takimin e zhvilluar në Preshevë me Kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm takimin e zhvilluar në Preshevë me kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, duke theksuar se ky takim vjen në një kohë kur shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të përballen me politika diskriminuese nga regjimi në Beograd.

Kamberi ka theksuar se për vite me radhë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë përballur me margjinalizim sistematik, përfshirë pasivizimin e adresave, përjashtimin nga institucionet shtetërore, diskriminimin ekonomik dhe mohimin e të drejtave kombëtare e gjuhësore.

Ai ka kritikuar politikën e Beogradit, duke thënë se Serbia kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, ndërsa të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Sipas Kamberit, bashkë me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, kanë ngritur vazhdimisht zërin kundër diskriminimit dhe kanë kërkuar barazi reale, përfaqësim proporcional dhe respektim të marrëveshjeve të arritura.

Ai ka përshëndetur gjithashtu angazhimin amerikan dhe iniciativën për Ligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë kundër diskriminimit, autoritarizmit dhe standardeve të dyfishta.

“Në Preshevë sot nuk kemi folur vetëm për problemet e shqiptarëve të Luginës, por edhe për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë qytetarët. Simetria në të drejta është koncepti politik që garanton paqe afatgjate”, ka deklaruar Kamberi.

Në fund, ai ka theksuar se “koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund”. /rtvpresheva.com

Mali i Zi shënon 20 vjet nga rikthimi i pavarësisë shtetërore

Festimet për pavarësinë e Malit të Zi në maj të vitit 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Me një sërë manifestimesh, koncertesh dhe deklaratash nga zyrtarët se rruga drejt Bashkimit Evropian, uniteti qytetar dhe forcimi i institucioneve mbeten prioritetet kryesore, Mali i Zi shënon sot njëzet vjet nga referendumi i vitit 2006, me të cilin riktheu pavarësinë shtetërore.

Me këtë vendim, pas 88 vjetësh, Mali i Zi u bë sërish i pavarur.

Në referendum votuan 86.5 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Prej tyre, pavarësinë e mbështetën 55.5 për qind, ndërsa 44.5 për qind votuan për qëndrimin në një shtet të përbashkët me Serbinë.

Sot, 20 vjet më vonë, sipas sondazheve të opinionit publik, idenë e një Mali të Zi të pavarur do ta mbështesnin rreth 70 për qind e qytetarëve.

Fushatën e atëhershme për pavarësi e udhëhoqi lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq.

Pyetja e referendumit ishte: “A dëshironi që Republika e Malit të Zi të jetë shtet i pavarur me subjektivitet të plotë ndërkombëtar?”

Fushata e referendumit u zhvillua në një atmosferë tensionesh mes bllokut për pavarësi dhe partive proserbe që kërkonin shtet të përbashkët me Serbinë.

Në këtë proces morën pjesë edhe pakicat kombëtare, të cilat ishin pjesë e bllokut për pavarësi.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se dy dekada pas rikthimit të pavarësisë, Mali i Zi ka një ide që e bashkon dhe e udhëheq – “Mali i Zi evropian dhe projekti i një Evrope të bashkuar”.

Në një ceremoni me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë, Spajiq tha se referendumi i vitit 2006 ishte një hap i madh, por vetëm hapi i parë në ndërtimin e shtetit, raportoi Radio Televizioni i Malit të Zi.

Njëzet vjet pas referendumit, Mali i Zi është një shtet i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i NATO-s dhe “kandidat i radhës” për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht mbetet një vend me ndarje të thella politike dhe me ndikim të fortë të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai ka përjetuar trazira të shumta politike, por edhe një ndryshim paqësor të pushtetit në vitin 2020, kur fituesit e referendumit ua dorëzuan pushtetin atyre që në vitin 2006 ishin kryesisht për bashkim me Serbinë.

Kush është aleati kryesor i Rusisë në Ballkan?

Një delegacion i Republikës Sërpska në Moskë, me rastin e shënimit të Ditës së Fitores më 9 maj, 2026.

 

Millosh Teodoroviq

Llogaritja e lidhjeve të vendeve të Ballkanit me Rusinë është në interes të Moskës, por jo meritë e saj, thotë Paolla Petriq, drejtoreshë e Zyrës së Fondacionit Heinrich Boll Stiftung në Sarajevë, për Radion Evropa e Lirë.

“Ballkani është një nga zonat e saj të ndikimit ose një nga pikat përmes të cilave përpiqet të trazojë gjeopolitikisht Evropën dhe Bashkimin Evropian dhe të pengojë integrimin euroatlantik të kësaj pjese të Evropës. Kjo është në interes të Moskës, ndërsa përgjegjësia është tek elitat lokale, se çfarë aleancash krijojnë dhe nëse i çojnë ato drejt Brukselit ose jo”, shpjegon Petriq.

Aleancat që Moska i mban pas vitit 2022 dhe fillimit të zbatimit të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, në Ballkan shpesh shihen përmes shembullit të Serbisë.

Sa kanë ndryshuar marrëdhëniet Beograd-Moskë?

Edhe pse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, ajo nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, duke rrezikuar kështu procesin e saj të integrimeve evropiane, i cili përfshin edhe harmonizimin gradual të politikës së jashtme me atë të Brukselit.

Por, në të njëjtën kohë, në marrëdhëniet Beograd-Moskë janë shënuar edhe ngecje të dukshme.

Momenti më i ndjeshëm ndodhi rreth një vit më parë, kur Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë e akuzoi Beogradin se armët e prodhuara në Serbi, përmes vendeve të treta, janë duke përfunduar në duart e forcave ukrainase.

“Kjo i mundëson Kievit të marrë formalisht produkte të industrisë ushtarake që nuk janë më serbe, por që montohen në fabrikat e armëve në vendet perëndimore. Montimi dhe mbushja e municionit kryhen kryesisht në Çeki dhe Bullgari”, thuhej në deklaratën e Moskës në qershor të vitit 2025.

Drejtoresha e Qendrës për Edukim Qytetar nga Podgorica, Dalliborka Ulareviq, vlerëson se Rusia nuk ka shumë alternativa dhe se, për këtë arsye, në marrëdhëniet me partnerët e saj toleron shumë gjëra që në rrethana të tjera nuk do t’i pranonte.

“Serbia mbështetet te Rusia edhe për shkak të çështjes së Kosovës. Nga ana tjetër, Rusisë i duhet një shtet i madh, përmes të cilit mund të ushtrojë ndikime të tjera, pasi një pjesë të ndikimit në Bosnje dhe Hercegovinë e ka ushtruar përmes Serbisë. Tani, kjo po ndodh në mënyrë më të pavarur në Republikën Sërpska”, thotë Ulareviq për Radion Evropa e Lirë.

A është Dodik “më i suksesshëm” se Vuçiq?

Millorad Dodik, udhëheqës i partisë kryesore të serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, është takuar nëntë herë me presidentin rus, Vladimir Putin, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Dodik, i cili u detyrua të tërhiqej nga pozita e presidentit të entitetit Republika Sërpska pas një vendimi gjyqësor, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, u hoq në tetor të vitit të kaluar edhe nga lista e sanksioneve amerikane, ku gjendej që nga viti 2017.

Në këtë mënyrë, Dodik arriti një pozitë balancimi, që është strategji shumëvjeçare edhe e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ky balancim pragmatik që Millorad Dodik po e zbaton tani në praktikë, nuk është i qëndrueshëm në thelb. Lëvizjet që lidhen me Dodikun janë bërë me siguri në koordinim me Moskën, por afati i tyre është i kufizuar nga administrata aktuale në Uashington. Për më tepër, ka pasur tashmë edhe një krisje në komunikimin mes Dodikut dhe Vuçiqit. Nuk duhet harruar se ai, për një periudhë, është kritikuar edhe në mediat e Beogradit”, thotë Ulareviq.

“Dueti që luhet në marrëdhëniet Banja Llukë – Beograd është gjithashtu një konstante në Ballkanin Perëndimor dhe ndonjëherë, si në një marrëdhënie të vështirë dashurie, mund të ndodhë një qetësi e përkohshme”, thekson në anën tjetër Petriq.

Kush është aleati rus në BE pas Orbanit?

Me humbjen e kryeministrit hungarez, Viktor Orbanit, pas 17 vjetësh në pushtet, Rusia ka mbetur pa një aleat brenda Bashkimit Evropian.

Në shënimin e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, përveç Dodikut, i pranishëm ishte edhe kryeministri sllovak, Robert Fico.

Sllovakia, përmes gazsjellësit “Druzhba”, mbetet e varur nga importi i gazit rus, ashtu si edhe Bullgaria, e cila, megjithatë, i ka ulur ndjeshëm importet që nga viti 2022, duke u mbështetur më shumë në furnizime nga Azerbajxhani përmes Greqisë dhe Turqisë.

Por, pavarësisht kësaj, kryeministri bullgar, Rumen Radev, nga pozita e qendrës së djathtë, e mbështet vazhdimin e importit nga Rusia.

Tsvetomir Nikollov, bashkëpunëtor i Qendrës për Studimin e Demokracisë në Sofje, vlerëson se rëndësia e Radevit për Moskën është rritur.

“Kur je pjesë e BE-së dhe NATO-s, je brenda dhe është shumë më e rëndësishme të kesh instrumente të tilla, në mënyrë që të mund të bllokosh qëndrime apo hapa të caktuar politikë, duke përdorur mundësinë e vetos dhe mekanizma të ngjashëm”, thotë Nikollov.

Ai shton se është pak e mundshme që Radev të luajë në të ardhmen rolin e një aleati rus në Evropë, siç ka bërë Orban.

“Regjimi i Orbanit nuk ka qenë aq efektiv sa ç’prisnin aktorët rusë, sepse Hungaria është në një pozitë ndryshe… Ajo është një lojtare e rëndësishme në botë, jo vetëm në Evropë”, shpjegon Nikollov, duke kujtuar gjithashtu se lëvizja MAGA (Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe) në SHBA është frymëzuar pjesërisht edhe nga politika e brendshme hungareze.

Ku ndryshon populizmi në Ballkan dhe në BE?

Rritja globale e populizmit u jep forcë edhe përpjekjeve të Rusisë në politikën e jashtme.

Në Ballkan, kjo tendencë është e dukshme në Serbi, por në mënyrë të ngjashme mund të shihet edhe përmes rritjes së partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në Gjermani, mbështetjes që gëzon Fico në Sllovaki, apo populizmit të djathtë të kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Në Mal të Zi – vendin që konsiderohet ndër më të avancuarit në procesin e anëtarësimit në BE – besohet se, pavarësisht ndarjeve ideologjike, është arritur një lloj konsensusi për orientimin evropian.

“Narrativët prorusë nuk janë zhdukur. Ata sot, në këtë moment kur thoni se Mali i Zi ka avancuar mjaft në rrugën drejt BE-së, kanë aktorët e tyre në pushtet, kanë një pjesë të hapësirës mediatike, rrjetet sociale dhe narrativë më të gjerë identitarë e gjeopolitikë që shpesh përputhen me ndjenja të forta proserbe dhe antiperëndimore”, thotë Ulareviq.

Ajo kujton, gjithashtu, se Mali i Zi ka mbyllur 13 nga gjithsej 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE.

Mbyllja e të gjithë kapitujve është kusht për anëtarësim, që do të thotë se ngecja në 20 kapitujt e mbetur mund të ketë një kosto të lartë.

Sipas Petriqit, “dështimi në vendosjen e demokracisë” është arsyeja pse populizmat në Ballkan janë më të rrezikshëm sesa ata që janë zhvilluar në shtetet e BE-së.

“Kur them demokraci, mendoj për ndarjen bazike të pushteteve që nënkupton një demokraci. Ne vazhdimisht ngecim në këtë bazë, në themelet e demokracisë dhe nuk arrijmë kurrë te ndërtimi i mëtejshëm. Pra, ky është një dallim i madh”, thotë ajo.

“Kur flasim për atë se sa e paqëndrueshme është sot demokracia gjermane, ne e dimë se atje themelet janë – për momentin – shumë të forta; ato mund të lëkunden, por janë rezistente ndaj tronditjeve. Ndërsa te ne, demokracia ende nuk është e aftë t’u rezistojë tronditjeve”, përfundon Petriq.

Përgatiti: Valona Tela

Ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq: Qarqe nga Beogradi tentuan me femra ta destabilizonin Kosovën dhe ta komprometonin KFOR-in

 

Ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka deklaruar se qarqe të fuqishme politike dhe të sigurisë nga Beogradi qëndronin pas të ashtuquajturës “afera S.Ç.”, me qëllim destabilizimin e Malit të Zi dhe komprometimin e Kosovës në prag të proceseve të rëndësishme politike në rajon.

Qëllimi ishte të kompromentohej KFOR-i në Kosovë, udhëheqja e tij ushtarake. Për këtë qëllim, u përgatitën 27 vajza të cilat do të silleshin te zyrtarë të lartë ushtarakë të KFOR-it.

“Midis tyre ishte edhe S.Ç. Informacioni që morëm në atë kohë ishte se ajo po stërvitej në ambientet e stadiumit të Obiliqit. Për fat të mirë, KFOR-i dhe UNMIKU morën informacionin në kohë dhe e parandaluan këtë aktivitet”, tha Gjukanoviq.

Qëllimi i të ashtuquajturës “aferë S.Ç.” ishte të forcohej pozicioni negativ i bashkësisë ndërkombëtare kundër pavarësisë së Malit të Zi duke kompromentuar Malin e Zi dhe mua, tha ish-presidenti malazez Milo Gjukanoviq, kryeministër i hershëm dhe udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve, president nderi i DPS-së, në pjesën e fundit të një interviste me Televizionin E me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.

Në emisionin “Gjurmë në Kohë”, Gjukanoviqi foli për periudhën e rivendosjes së pavarësisë, progresin ekonomik, integrimin euroatlantik, marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe (KOS), por edhe për skandalet si një mjet i domosdoshëm politik dhe mediatik i kundërshtarëve të tij.

Ai nuk ka dyshim se skandali S.Ç, i nisur në nëntor 2002, është një shprehje e vazhdimësisë së shkatërrimit të agjencive të sigurisë dhe inteligjencës së Serbisë, i ndihmuar nga karrierizmi dhe joprofesionalizmi i disa njerëzve të rëndësishëm në udhëheqjen shtetërore të Malit të Zi.

Ai beson se shkaku i menjëhershëm i skandalit ishte rezultati çuditërisht i mirë që koalicioni i DPS dhe SDP arriti në zgjedhjet parlamentare në tetor të atij viti.

Objektivat

Ai thekson qëllimet e skandalit. Më i rëndësishmi, beson Gjukanoviqi, ishte të parandalonte formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme dhe kështu të vononte aktivitetet e saj në përgatitjen e referendumit.

– Së dyti, ideja ishte të minohej uniteti brenda koalicionit qeverisës. Ata mbështeteshin në disa çarje që ekzistojnë në marrëdhëniet midis DPS dhe SDP.

Një nga qëllimet shtesë ishte kompromentimi i prokurorisë malazeze, përmes aludimeve se disa zyrtarë të lartë të prokurorisë malazeze morën pjesë në trafikim.

Kjo do t’i dërgonte një mesazh bashkësisë ndërkombëtare se Mali i Zi nuk ka kapacitetin për të vendosur sundimin e ligjit, as vendosmërinë dhe kapacitetin për t’u marrë seriozisht me problemet globale siç është trafikimi – theksoi Gjukanoviq.

Ai gjithashtu kujton rrethanat në bashkimin shtetëror të atëhershëm, duke deklaruar se autoritetet në Beograd e lexuan saktë në atë kohë se Marrëveshja e Beogradit ishte një lëshim taktik për të shtyrë referendumin për pavarësi për tre vjet, me qëllim sigurimin e partneritetit me BE-në, i cili, sipas Gjukanoviqit, ishte i nevojshëm urgjentisht për legjitimimin dhe njohjen ndërkombëtare të rezultateve të referendumit.

“Një nga qëllimet e aferës për të kompromentuar kreun e KFOR-it u parandalua. Në kabinetin e Presidentit të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, Vojislav Koshtunica, u mblodh një ekip që përfaqësonte vazhdimësinë e politikës që nga koha e Sllobodan Millosheviqit: Rade Bullatoviq, Gradimir Naliq, Sasha Tijaniq, Lila Nedeljkoviq. Këta ishin njerëz që luanin me ndjenjat nacionaliste të Koshtunicës dhe që e shtynë atë në konfrontime me Zoran Gjingjiqin, me qëllim që Serbia të qëndronte në rrugën e saj tradicionale anti-perëndimore. Gjithashtu, në një konfrontim me mua me qëllim që të parandalohej pavarësia e Malit të Zi dhe të ruhej shteti i përbashkët”, tha Gjukanoviq.

Këto plane, thekson ai, u shërbyen me besnikëri nga aparati shumë i fuqishëm i inteligjencës ushtarake dhe të sigurisë i shtetit të Serbisë.

Siç thotë ai, shtylla e atij aparati ishte shërbimi i kundërzbulimit ushtarak i kryesuar nga gjenerali Aca Tomiq.

Një nga qëllimet e asaj qendre politike dhe të sigurisë së pushtetit, thotë ai, ishte destabilizimi i Kosovës. Ata besonin se në këtë mënyrë do të ngadalësonin dhe në fund do të pengonin njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

“Qëllimi ishte të kompromentohej KFOR-i në Kosovë, udhëheqja e tij ushtarake. Për këtë qëllim, u përgatitën 27 vajza të cilat do të mashtroheshin nga zyrtarë të lartë ushtarakë të KFOR-it. Midis tyre ishte edhe S.Ç. Informacioni që morëm në atë kohë ishte se ajo po stërvitej në ambientet e stadiumit të Obiliqit. Për fat të mirë, KFOR-i dhe UNMIKU morën informacionin në kohë dhe e penguan këtë aktivitet”, shtoi Gjukanoviq.

“Karrierizmi dhe joprofesionalizmi i disa njerëzve të rëndësishëm në udhëheqjen shtetërore të Malit të Zi shërbyen për të ndërtuar një aferë në Mal të Zi”, theksoi ndër tjera ai.

Gjukanoviq deklaron se KOS-i e përgatiti aferën sipas formulës së zakonshme të veprimit, duke kërkuar një partner në Mal të Zi.

“Rrethanat në skenën politike malazeze në atë kohë ishin terren i përshtatshëm për veprime të tilla”, tha Gjukanoviq.

Roli i Joviqeviqit

Kujton se koalicioni DPS-SDP kishte garuar në zgjedhje një vit e gjysmë më parë, në prill 2001, nën sloganin “Fitorja është për Malin e Zi”, duke fituar dhe duke fituar 36 vende, jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri. Gjashtë vendet e Aleancës Liberale ishin çelësi për formimin e një qeverie dhe një mjet shantazhi politik.

“Këto shantazhe varionin nga kërkesat financiare deri te kërkesat e pazakonta, shumë origjinale që ne t’u lëshonim pesë vendet tona parlamentare. Në fund, LS donte të përcaktonte kryeministrin e ardhshëm të asaj qeverie së bashku me SDP-në, si një partner të vogël koalicioni. Ata u përpoqën përmes kanaleve të ndryshme të më impononin një kandidat që dëshironin, si president që propozon kryeministrin e emëruar. Kandidati që preferoja dhe që në fund formoi atë qeveri – Filip Vujanoviq – nuk ishte i pranueshëm për ta. Ata kishin dy të preferuar, qëllimisht nuk do të them se kush ishte i dyti, por njëri ishte Andria Joviqeviq. Unë besoj se ky spekulim i nxiti ambiciet e Joviqeviqit në një farë mënyre. Ai nuk u bë kryeministër në atë kohë, por mbeti ministër i brendshëm”, kujton Gjukanoviq.

Nga ai pozicion, shton ai, një vit më vonë kur doli në dritë çështja e trafikimit, Joviqeviqi tregoi një interes të fortë për menaxhimin e çështjes.

“Nuk mu duk e çuditshme. Është logjike që ministri i Brendshëm të merrej me problemin e hetimit të përgjegjësisë së mundshme të të dyshuarve për trafikim. Megjithatë, Joviqeviqi u përpoq ta projektonte pakënaqësinë dhe frikën e tij për karrierën e tij të ardhshme si tek publiku vendas ashtu edhe tek ai ndërkombëtar. Disa ditë pasi çështja e trafikimit u bë publike, Joviqeviqi u takua në Tiranë me Helga Konradin, kreun e grupit të punës për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Ai iu ankua asaj se për shkak të aktiviteteve të tij do të mbetej pa një mandat ministror në qeverinë e re që po përgatitej. Ajo besonte se mund të përdorte ndikimin e saj për të lobuar për një mandat ministror për Joviqeviqin. Por unë isha ai që formonte qeverinë, jo Helga Konradi. Andria Joviqeviqi nuk ishte anëtar i Qeverisë së re”, theksoi Gjukanoviq.

Në kohën para skadimit të mandatit të tij të mëparshëm ministror, Joviqeviqi, sipas Gjukanoviqit, e projektoi pakënaqësinë e tij ndaj departamentit të sigurisë publike dhe, siç thotë ai, përjashtoi në mënyrë shumë tendencioze nga hetimi shërbimin e sigurisë shtetërore të kryesuar nga Dushko Markoviq.

“Mund të supozoj realisht se dyshimi i tij ndaj shërbimit të sigurisë shtetërore dhe Dushko Markoviqit u rrit për shkak të qëllimit tim për ta propozuar Markoviqin për postin e Ministrit të Brendshëm. Në atë kohë, kur publiku politik vendas e njohu pakënaqësinë e ministrit Joviqeviqi dhe kuptoi se ai po përpiqej ta përdorte rastin e trafikimit si një mundësi për afirmim ndërkombëtar, u shfaqën faktorë politikë vendas dhe e bindën atë të bëhej kandidati i tyre i opozitës për President të Malit të Zi në zgjedhjet që pasuan disa muaj më vonë. Ata natyrisht donin ta bënin Andria Joviqeviqin rival të kandidatit të atëhershëm presidencial të DPS-së, Filip Vujanoviq. Ishte një fushatë serioze politike dhe mediatike që përfundoi me tërheqjen e Joviqeviqit nga kandidatura. Është e mundur të rindërtohet me shumë detaje ajo atmosferë plot pasion dhe karrierizëm, jam i sigurt, jo vetëm e ministrit Joviqeviq, por edhe e një numri njerëzish të tjerë nga sektori i sigurisë publike, gjë që për fat të keq rezultoi në një qëndrim jo mjaftueshëm profesional në dëm të shtetit të Malit të Zi”, shtoi Gjukanoviq.

“Shërbimi i sigurisë publike nuk e tregoi veten të denjë për të qenë ide e krijuesit të aferës, një shërbim i fuqishëm siç është KOS i Beogradit”, shtoi ai.

Gjukanoviq thotë se sipas recetës së vendosur, në krijimin e aferave të tilla, përdoret gjithmonë një problem i vërtetë.

“Në atë moment, lindi problemi i trafikimit të raportuar të S.Ç, një gruaje fatkeqe nga Moldavia, e cila ndoshta pati një jetë të vështirë për vite me radhë, në Republikën Srpska, Serbi, dhe rrallë në Mal të Zi. Dhe e cila vendosi të përpiqej të dilte nga jeta e saj e vështirë, duke u vendosur në një shtëpi të sigurt për gra dhe duke denoncuar disa persona që ajo pretendonte se kishin ushtruar dhunë ndaj saj. Dhe shërbimet e sigurisë u përpoqën ta përdornin atë situatë për të ndërtuar mbi aferën, duke dashur të përfshinin në të, së pari, kreun e prokurorisë malazeze, dhe pastaj mua si president të shtetit malazez”, kujton Gjukanoviq.

Ai, vëren ai, reagoi menjëherë dhe dha një deklaratë para gjyqtarit hetues dhe deklaroi diçka që, siç thotë ai, është e vërteta absolute – se nuk e kishte parë kurrë atë person në jetën e tij.

“Isha një avokat i fortë që çështja të hetohej deri në fund. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi”, tha ai.

Sigurisht, thotë Gjukanoviq, atëherë iu bë e qartë se për çfarë bëhej fjalë.

“Shërbimi i Sigurisë Publike nuk tregoi asnjë pjekuri për atë që ishte ide e krijuesve të aferës, një shërbim i fuqishëm siç është KOS i Beogradit. Duke përjashtuar Shërbimin e Sigurisë Shtetërore nga hetimi, detyra kryesore e të cilit ishte mbrojtja e interesave të sigurisë kombëtare të Malit të Zi nga të gjithë ata që e kërcënonin atë në mënyrë shkatërruese, Joviqeviq ua lehtësoi punën krijuesve të aferës”, tha Gjukanoviq.

“Zbulimi i një farse të madhe dhe përshtypja e dhimbshme se, mbi të gjitha, Mali i Zi nuk është mjaftueshëm i përgatitur për t’u përballur me sfidat që do të krijohen nga kundërshtarë të ndryshëm të interesave kombëtare malazeze”, shtoi ai.

Pse Vuçiq e fajëson Malin e Zi pas arrestimit të shefit të policisë së Beogradit?

Ludmilla Cvetkoviq

Në vend që të flitet për shefin e arrestuar të policisë së Beogradit, akuzat drejtohen ndaj Malit të Zi.

Ndërsa publiku pret përgjigje pas arrestimit dhe shkarkimit të drejtuesit kryesor të policisë në kryeqytetin e Serbisë, presidenti i këtij vendi akuzon Malin e Zi se ka “importuar” klane narkotike në Serbi.

Këto pretendime të Aleksandar Vuçiqit, deri tani, nuk janë komentuar nga Podgorica zyrtare.

As Qeveria e Malit të Zi dhe as Ministria e Brendshme e këtij vendi nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

E, zëvendëskryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Malit të Zi, Nikolla Zirojeviq, i ka vlerësuar këto deklarata si të papërshtatshme.

“Nëse e pyetni Vuçiqin, ne të gjithë në Mal të Zi jemi serbë, vetëm kriminelët janë malazezë dhe vijnë nga Mali i Zi”, ka thënë ai.

Ky deputet i opozitës nga Socialdemokratët ka konsideruar se pyetja më e rëndësishme është se “pse dikush nga cilido shtet e sheh Serbinë si terren të përshtatshëm për t’u marrë me krim”.

“Dhe, mendoj se përgjigjja për këtë pyetje duhet kërkuar brenda kufijve të Serbisë, përkatësisht nga pushteti ekzekutiv në Serbi”, ka thënë Zirojeviq.

Çfarë është thënë për arrestimin e Milliqit?

Vesellin Milliq ka qenë në një nga pozicionet më të larta drejtuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) kur është arrestuar.

Ai dyshohet se ka fshehur vrasjen e një burri, të cilin mediat e lidhin me një grup kriminal në Beograd.

Ai është vrarë në një restorant në Beograd, ku ka qenë edhe Milliq.

Përveç këtij të fundit, janë arrestuar edhe tre policë.

Prokuroria dyshon se Milliq ka qenë në restorant në shoqëri të dy personave të dyshuar për vrasjen dhe se ai e ka telefonuar viktimën, duke i propozuar që të shkonte për të sqaruar mosmarrëveshjet mes tyre.

Po ashtu, thuhet se i ka sugjeruar që të mos shkonte i shoqëruar nga sigurimi i tij.

Gjatë një paraqitjeje të jashtëzakonshme, një ditë pas arrestimit të shefit të policisë së Beogradit, Vuçiq nuk ka dhënë më shumë detaje për rolin e Milliqit, por ka folur për klanet kriminale malazeze.

Avokati dhe ish-ministri i Policisë serbe, Bozho Prelleviq, vlerëson se deklaratat e Vuçiqit për Malin e Zi janë përpjekje për të larguar vëmendjen nga ajo që ka ndodhur në Beograd.

“… që në një restorant, i cili pothuajse është i mbyllur për publikun, ka ndodhur një vrasje e rëndë, që trupi ka humbur dhe që janë arrestuar pjesëtarë të MUP-it”, thotë Prelleviq për Radion Evropa e Lirë.

Trupi i të vrarit ende nuk është gjetur, ndërsa në kërkime, sipas njoftimeve të autoriteteve, është përfshirë edhe ushtria.

Për çfarë e akuzon Vuçiq Malin e Zi?

Pa e lidhur drejtpërdrejt me rastin ku është i përfshirë shefi i policisë së Beogradit, Vuçiq, më 16 maj, ka bërë një sërë akuzash ndaj Malit të Zi.

“Na e vranë gjysmën e shtetit. Nuk janë fshatrat Shkalari dhe Kavaçi afër Beogradit, por ju na e importuat këtë të keqe këtu”, ka thënë ai.

Klani i Kavaçit dhe ai i Shkalarit janë dy grupe kriminale rivale nga zona e Kotorrit në Mal të Zi, konflikti i të cilave zgjat që nga viti 2014, kur në Valencia është zhdukur një ngarkesë me kokainë.

Që atëherë, në përplasjet mes tyre në territorin e Malit të Zi, Serbisë dhe vendeve të tjera janë vrarë më shumë se 70 persona.

Këto grupe lidhen me trafik ndërkombëtar droge, vrasje dhe vepra të tjera penale.

Radoje Zvicer konsiderohet si një nga udhëheqësit e klanit famëkeq të Kavaçit dhe ndodhet në listën e 50 personave më të kërkuar në Evropë.

Që nga viti 2020, kur është plagosur rëndë në Kiev, çdo gjurmë e tij ka humbur.

Në krye të klanit të Shkalarit ka qenë Jovan Vukotiq, i cili është vrarë në vitin 2022 në Stamboll.

Gazetari hulumtues serb, Vuk Cvijiq, thotë se grupet kriminale vështirë mund të ndahen mbi baza kombëtare, sepse janë të përziera dhe bashkëpunojnë mes vete.

“Këtë e shohim edhe nga rastet që kanë përfunduar me vendime të formës së prerë, si në rastin e Darko Shariqit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Shariq, shtetas serb që nga viti 2005, por i lindur në Mal të Zi, është dënuar në Beograd për kontrabandë të më shumë se pesë tonëve kokainë.

Cvijiq thotë se kriminelët nga Serbia dhe Mali i Zi kanë pasaporta të të dyja shteteve.

“Ata nuk do të gjendeshin në Serbi nëse nuk do të ndiheshin të sigurt këtu”, shton ai.

Dikur, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se është zvogëluar veprimtaria e grupeve kriminale nga Mali i Zi në Serbi.

“Për shumë vite, grupet kriminale shfrytëzonin Beogradin dhe Serbinë për përplasje të ndërsjella. Por, ne i kemi prerë degët e oktapodit kriminal malazez dhe veprimtaria e tij në Serbi është zvogëluar”, ka thënë Daçiq për Radio-Televizionin e Serbisë në tetor të vitit 2024.

Daçiq nuk është deklaruar publikisht që nga arrestimi i shefit të policisë së Beogradit.

Roli i pretenduar i Millosh Medenicës

Vuçiq ka deklaruar, po ashtu, se disa pretendime për vrasjen në Beograd janë duke u publikuar në rrjetin social X nga Millosh Medenica, një person në arrati nga Mali i Zi.

Besueshmëria e këtyre videove, megjithatë, nuk është konfirmuar nga Radio Evropa e Lirë.

“Këtë e tha ky kriminel i dënuar me vendim gjykate, përsëri nga Mali i Zi, të cilin, sipas të dhënave tona të inteligjencës, aktualisht e mbron klani i Kavaçit dhe e mban në territorin e Malit të Zi”, ka thënë Vuçiq.

Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse policia malazeze ka informacione për Millosh Medenicën, siç ka pretenduar Vuçiq, apo nëse ka verifikuar origjinën e videove.

Më herët, policia e Malit të Zi ka deklaruar se videot, të cilat janë publikuar disa herë në rrjetet sociale pas arratisjes së Millosh Medenicës, janë krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, edhe pse ekspertët thonë se nuk ka prova të mjaftueshme për këto pretendime.

Medenica është dënuar në janar në Mal të Zi me dhjetë vjet burg për krim të organizuar.

Pas këtij vendimi, ai është arratisur nga arresti shtëpiak dhe ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar.

Edhe nëna e tij, Vesna Medenica, ish-kryetare e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, është dënuar me dhjetë vjet burg.

Përplasje në 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi

Avokati Prelleviq vlerëson se akuzat ndaj Malit të Zi, i cili këtë muaj shënon 20 vjet prej ndarjes nga bashkësia shtetërore me Serbinë, janë bërë për qëllime elektorale.

“A janë tani problem kroatët, malazezët, maqedonasit? Duhet të hidhet një bombë tymi dhe dikush të japë shpjegime”, thotë ai.

Prelleviq konsideron se është domethënëse edhe sjellja e tabloidëve proqeveritarë në rastin e ish-shefit të policisë së Beogradit.

“Kur ndodhi kjo, heshtje në tabloidët shtetërorë, që do të thotë se nuk u lejuan të shkruajnë. Pastaj, [Vuçiq] tha diçka për malazezët dhe ata menjëherë filluan të shkruajnë për këtë”, thotë ai.

Vuçiq, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, ka bërë deklarata të ashpra ndaj këtij vendi dhe ka refuzuar të marrë pjesë në festime.

“E dua Serbinë më shumë se çdo gjë në botë dhe të festoja diçka të tillë, do të më vinte turp dhe do të pështyja mbi veten dhe mbi popullin tim”, ka deklaruar ai më 14 maj.

Ministria e Punëve të Jashtme e Mal it të Zi i ka vlerësuar këto deklarata si politikisht të papërgjegjshme.

Përgatiti: Valona Tela

Presidenti Trump rinovon Emergjencën Kombëtare për Ballkanin: Tensionet Serbi-Kosovë dhe kriza e korrupsionit në Shqipëri Nga Kastriot Haxhiaj

 

Më 20 qershor 2025, Presidenti Donald Trump firmosi vazhdimin për një vit të gjendjes së emergjencës kombëtare për Ballkanin Perëndimor. Dokumenti, i publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, rinovon një mekanizëm të vjetër që tani fokusohet fort te korrupsioni sistemik, sfidat ndaj sovranitetit dhe pengesat për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Tensionet Serbi-Kosovë në qendër të shqetësimeve

Në veri të Kosovës, situata mbetet e tensionuar. Gjatë viteve të fundit, autoritetet kosovare kanë zbuluar disa herë në fshatrat me popullullsi kryesisht serbe sasi të mëdha armësh, municionesh, uniformash ushtarake dhe pajisje komunikimi, që sugjerojnë përgatitje për veprime destabilizuese.

Incidentet kufitare, stërvitjet ushtarake serbe pranë vijës kufitare dhe raportet për drone mbi territorin kosovar kanë shkaktuar alarm në të gjithë rajonin. Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur këto provokime të hapura, ndërsa misioni i KFOR-it po monitoron me kujdes çdo lëvizje për të parandaluar një përshkallëzim të ri. Këto zhvillime përforcojnë pikërisht shqetësimet që Presidenti Trump përmend në dokument: minimi i sovranitetit dhe marrëveshjeve të pas-luftës.

Shqipëria dhe protestat e vazhdueshme kundër korrupsionit

Në Shqipëri, korrupsioni në nivele të larta ka nxitur protesta masive në Tiranë me thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe hetim të plotë të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas hetimeve të SPAK-ut dhe raportimeve të medias perëndimore, Balluku dyshohet se ka manipuluar tendera të mëdhenj infrastrukturorë. Mesazhet e zbuluara tregojnë ndërhyrje të drejtpërdrejta për të favorizuar kompani të caktuara.

Rama e mbrojti atë për muaj të tërë, duke vonuar dorëheqjen dhe krijuar përshtypjen se po pengon drejtësinë. Mesazhi i protestuesve është i qartë: mjaft me korrupsionin që po e gllabëron vendin.

Migrimi masiv dhe shpresa për një Shqipëri ku rinia nuk detyrohet të largohet

Kjo krizë vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me një migrim madhor të të rinjve. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT dhe analizave të censusit, rreth 500,000 shqiptarë janë larguar nga vendi midis viteve 2012 dhe 2023-2025. Kjo valë e re emigracioni ka kontribuar në tkurrjen dramatike të popullsisë, që tani është rreth 2.36 milionë banorë.

Protestuesit e shohin korrupsionin si shkakun kryesor të kësaj “ikjeje të madhe”. Synimi i tyre është të ndryshojnë vendin: ta bëjnë Shqipërinë një shtet të begatë, me mundësi reale pune, drejtësi dhe transparencë, ku të rinjtë të mos detyrohen të emigrojnë, por të qëndrojnë, të investojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.

Çfarë do të thotë kjo për rajonin?

Duke vazhduar emergjencën, Presidenti Trump po sinjalizon se Uashingtoni i sheh këto probleme – tensionet territoriale dhe korrupsionin e thellë – si kërcënim real për stabilitetin e Ballkanit. Pa reforma të vërteta në drejtësi, transparencë dhe dialog, rajoni do të vazhdojë të mbetet larg synimeve evropiane. Qytetarët po kërkojnë ndryshim konkret. Pyetja e madhe është nëse klasa në pushtet do ta dëgjojnë këtë zë para se të jetë vonë.

SHBA-ja zgjat emergjencën kombëtare për Ballkanin Perëndimor

Radio Evropa e Lirë

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2026.

Kjo emergjencë ishte shpallur për herë të parë me urdhër ekzekutiv më 2001, por sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, të publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, ajo do të zgjatet edhe përtej 26 qershorit të këtij viti shkaku i gjendjes në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe gjendja e tanishme në këtë rajon “paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

“Për këtë arsye… emergjenca kombëtare e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor, duhet të vazhdojë përtej qershorit 2026”, thuhet në njoftim.

Urdhri ekzekutiv për gjendjen në Ballkanin Perëndimor u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në këtë rajon.

Më pas, më 2021, SHBA-ja kishte zgjeruar fushëveprimit e kësaj emergjence kombëtare, pasi që u tha se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.

Ky vendim mund të jetë sinjal se Uashingtoni vazhdon ta shohë Ballkanin Perëndimor si shqetësim për sigurinë dhe stabilitetin, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, cilat shihen si vende ende të cenueshme.

Në një raport në maj, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e paraqiti Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.

Raporti i DASH-it identifikoi Rusinë dhe Kinën si aktorë keqdashës që synojnë të përfitojnë nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë në qeverisje në rajon, por nënvizon gjithashtu angazhimin e SHBA-së për t’iu kundërvënë ndikimit të tyre.

Gjendja e sigurisë në Kosovë ka qenë e qetë në vitet e fundit, por vendi është përballur me një krizë institucionale duke mbajtur zgjedhjeve të njëpasnjëshme në gati dy vjetët e fundit për shkak të mungesës së konsensuseve politike brenda partive partiake.

Në anën tjetër, NATO-ja njoftoi më 12 qershor se, gjatë vitit të ardhshëm, do ta bëjë një përshtatje graduale të pranisë së saj në Kosovë, duke reflektuar vlerësimin për një situatë të qëndrueshme të sigurisë në vend.

Ndërkohë, Bosnje e Hercegovina është ende në pritje të emërimit të një përfaqësues të ri ndërkombëtar, pasi Christian Schmidt njoftoi dorëheqjen më herët këtë muaj.

Kjo çështja ka shkaktuar përplasje në Bosnje lidhur me zyrën ndërkombëtare që mbikëqyr zbatimin e paqes.

Entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, miratoi në maj deklaratënpër mbylljen e zyrës së përfaqësuesit të lartë, gjë që u kundërshtua nga partitë politike nga entiteti tjetër, Federata e Bosnje e Hercegovinës, të cilat thanë se ajo duhet të mbetet në Bosnje me kompetenca të plota.

Indeksi i Dhomës Amerikane: Klima e biznesit e përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit! Shkak, burokracia e qeverisë dhe korrupsioni! Sipërmarrjet raportuan rënie të marrëdhënies me autoritetet Tatimore

Klima e biznesit rezulton që të jetë përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane (AmCham) për vitin 2025, i sapopublikuar, ka shënuar një rënie të fortë në raport me vitin e mëparshëm, ku ndikimin kryesor e ka dhënë klima e brendshme politike, infrastruktura, performanca e ekonomisë, burokracia e qeverisë, dhe korrupsioni.

 

Sipas të dhënave të publikimit, Indeksi i Biznesit të AmCham për vitin 2025 arriti në 40.34 pikë nga 100 të mundshme, duke shënuar një rënie prej 6.13 pikësh krahasuar me vlerën 46.47 që ishte në vitin 2024.

“Treguesit sinjalizojnë një përkeqësim sistemik të integritetit të tregut në Shqipëri, me disa prej komponentëve kyç që kanë shënuar rënien më të fortë krahasuar me vitin 2024.

Ndër treguesit më problematikë rezultojnë klima e brendshme politike, infrastruktura dhe perceptimi i korrupsionit, të cilët kanë regjistruar nivelet më të ulëta në 14 vitet e publikimit të këtij vlerësimi.

Përqendrimi i një numri kaq të madh treguesish në trajektore negative sugjeron se dobësimi nuk është i izoluar, por prek disa dimensione themelore të mjedisit të biznesit.

Sipas të dhënave, kjo prirje përbën një sinjal alarmi për institucionet, komunitetin e biznesit dhe të gjitha palët e interesuara për konkurrueshmërinë dhe klimën e investimeve në vend”, deklaroi kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Neritan Mullaj.

Kjo është rënia më e fortë historike, që nga viti 2012, kur ka filluar të publikohet indeksi.

Perceptimi i përgjithshëm i anëtarëve të AmCham lidhur me klimën e biznesit në Shqipëri pësoi gjithashtu rënie në vitin 2025, duke u zvogëluar me 9.54 pikë dhe duke zbritur në vlerën 37.02.

Shqetësimet kryesore të identifikuara nga pjesëmarrësit në anketë për vitin 2025 ishin: monopoli dhe konkurrenca e ndershme, burokracia qeveritare, klima e brendshme politike, ekonomia informale, disponueshmëria e stafit vendas të kualifikuar dhe korrupsioni.

“Treguesi i informalitetit mbetet një nga shqetësimet kryesore për bizneset në Shqipëri. Sipas rezultateve të anketimit, 73% e të anketuarve e perceptojnë nivelin e informalitetit si të lartë ose shumë të lartë. Vlerësimi i këtij treguesi ka rënë në nivelin 3 këtë vit, duke regjistruar një përkeqësim krahasuar me edicionin e mëparshëm. Kjo prirje tregon se masat e ndërmarra kundër informalitetit nuk kanë arritur të prodhojnë rezultate të qëndrueshme në kohë dhe se perceptimi i biznesit vijon të reflektojë sfida të konsiderueshme në zbatimin e rregullave të konkurrencës dhe formalizimin e ekonomisë”, nënvizoi Mullaj.

Megjithëse “gjetja e stafit vendas të kualifikuar” ishte i vetmi tregues që shënoi përmirësim në vitin 2025 (+1.45 pikë), ai përsëri mbetet ndër shqetësimet kryesore për bizneset që operojnë në Shqipëri.

Perceptimet u përkeqësuan pothuajse në të gjithë treguesit kryesorë të klimës së biznesit gjatë vitit 2025. Rëniet më të theksuara u regjistruan në klimën e brendshme politike (-14.00 pikë), infrastrukturë (-12.29 pikë), performance e ekonomisë shqiptare (-11.4), burokracinë qeveritare (-9.54 pikë), korrupsion (-9.36 pikë), klima e biznesit (-9.34), ekonominë informale (-6.08 pikë), rendin dhe sigurinë në vend (-6.17 pikë), si dhe në monopolin dhe konkurrencën e pandershme (-4.85 pikë).

Bizneset raportuan gjithashtu një rënie të perceptuar në marrëdhëniet me autoritetet publike. Rënia më e madhe u regjistrua në marrëdhëniet me pushtetin vendor (-7.04 pikë), e ndjekur nga autoritetet tatimore (-5.56 pikë), ministritë (-5.45 pikë), autoritetet doganore (-3.67 pikë) dhe gjykatat (-3.21 pikë).

Perceptimet e pjesëmarrësve në anketë mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare u dobësuan gjithashtu ndjeshëm në vitin 2025, duke rënë me 11.44 pikë. Kjo u shoqërua me një rënie të perceptimit për kërkesën e brendshme për mallra dhe shërbime (-2.89 pikë), ndërsa perceptimet lidhur me kërkesën për eksport të mallrave dhe shërbimeve mbetën gjerësisht të qëndrueshme gjatë së njëjtës periudhë.

Tre shqetësimet më të vogla të biznesit janë furnizimi me energji, kërkesa për mallra e shërbime në eksport dhe marrëdhëniet me administratën doganore.

Për herë të parë, anketa e viteve 2025-2026 përfshiu një seksion të dedikuar për mjedisin digjital në Shqipëri. Sa i përket infrastrukturës digjitale, 39.2% e të anketuarve e vlerësuan atë pozitivisht, krahasuar me 23.9% që e vlerësuan negativisht, ndërsa 36.9% mbetën neutralë. Lidhur me e-government (shërbimet qeveritare elektronike) dhe shërbimet digjitale publike, 30.1% e pjesëmarrësve shprehën një vlerësim pozitiv, ndërsa 35.8% i vlerësuan këto shërbime negativisht dhe 34.1% mbetën neutralë.

Pritshmëritë mbeten pesimiste

Kur u pyetën për pritshmëritë për vitin 2025, gjatë hartimit të indeksit të 2024-s, bizneset u shfaqën optimiste, duke pritur një përmirësim të tij. Realiteti tregoi se ata u zhgënjyen, pasi viti 2025 ishte më keq sesa pritshmëritë, me indeksin që shënoi një rënie të fortë.

Për 2026-n, pritshmëritë e biznesit nuk janë më optimiste, teksa indeksi nuk pritet të shënojë ndonjë përmirësim nga nivelet ku rezultoi realisht në 2025-n.

Grafiku i dytë tregon pritshmëritë për Indeksin e Biznesit të AmCham për vitin 2026. Gjithashtu, grafiku krahason pritshmëritë me rezultatin real për secilin prej viteve të kaluara.

Të dhënat historike tregojnë se përgjithesisht pritshmëritë me realitetin kanë shkuar në të njëjtin drejtim, me përjashtim të 2015-s, që përkon dhe me peroudhë zgjedhore dhe të 2025-s.

Metodologjia

Anketa e Indeksit të Biznesit të AmCham për vitin 2025 u zhvillua online nga data 30 mars deri më 16 prill 2026. Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në anketë ishte 208, nga të cilët 175 e plotësuan atë plotësisht, duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve. Anketa iu drejtua ekskluzivisht anëtarëve të AmCham Shqipëri (Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri) dhe kërkoi mendimin e tyre lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri gjatë vitit të kaluar (2025), si dhe vlerësimin e tyre për vitin aktual (2026)./Monitor

Protestat për largimin e Ramës, mesazhi i fortë i kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë: Luftoni korrupsionin, rrisni dialogun

Teksa vendi është përfshirë në protesta masive antiqeveritare prej 24 ditësh, një mesazh i fortë ka ardhur nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Van Cleve, në një konferencë të zhvilluar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

 

Ai tha se duhet të luftohet korrupsioni në fushën e investimeve dhe gjithashtu që të ketë progres duhet dialog.

“Shpresoj të ketë dialog, kam parë edhe investimet shqiptare, ka pasur një dialog konstruktiv, ka psur rezultate konkrete. Duhet luftuar korrupsioni në këtë aspekt për të cilin jemi duke folur, le ta marrim këtë mesazh të fortë, në mënyrë që të ecim përpara.
Theksin do ta vendosja te dialogu”, tha ai. Panorama

Gjenerali Eric Wendt konfirmohet nga Senati si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri

Ambasadori Eric Wendt është konfirmuar nga Senati i SHBA-së me 51 vota pro dhe 47 kundër, duke marrë miratimin përfundimtar për detyrën e tij diplomatike.

Sipas burimeve, votimi në seancë plenare vjen pas miratimit të mëhershëm në komisionin përkatës të Senatit, ku kandidatura e tij mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve.

Më herët, kandidatura e tij kishte marrë mbështetjen e Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Amerikan me votim 19-3, duke hapur rrugën për miratimin përfundimtar në seancën plenare të Senatit.

Me këtë votim, procedura e konfirmimit përfundon dhe pritet që ambasadori të marrë detyrën në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga administrata amerikane. bw

SHBA: Shqipëria të mirëpresë investimet e huaja, por të garantojë siguri për sektorët strategjikë

Jetmira Delia-Kaci

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që Shqipëria të garantojë sigurinë e sektorëve strategjikë dhe të infrastrukturës kritike, ndërsa mirëpresin investimet e huaja që nxisin ekonominë.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, tha më 15 qershor se investitorët kërkojnë siguri, rregulla të qarta dhe mbrojtje nga aktorë që nuk veprojnë sipas standardeve ndërkombëtare.

VanHorn mori pjesë në një prezantim mbi draft-kornizën e shqyrtimit të investimeve të huaja, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë e Shqipërisë dhe Oda Amerikane e Tregtisë.

Qeveria e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, e cilëson këtë mekanizëm si hap të rëndësishëm për përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.

“Kur presidenti [amerikan, Donald] Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt”, tha VanHorn.

Ajo shtoi se qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim dhe kjo, sipas VanHorn, është e rëndësishme.

Diplomatja amerikane e cilësoi këtë mekanizëm jo si burokraci, por si deklaratë strategjike, pasi tha tregon se Shqipëria është e hapur për biznes në një mënyrë që mbron interesat kombëtare dhe plotëson standardet ndërkombëtare.

“Kompanitë amerikane janë këtu – në energji, ndërtim dhe teknologji – dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë. Por, investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne”, tha diplomatja amerikane.

Ajo tha se miratimi i një ligji është vetëm fillimi, por zbatimi i tij tregon nëse do të dështojë apo do të ketë sukses. Dhe, për të arritur suksesin, VanHorn tha se SHBA-ja do të mbështesë Shqipërinë gjatë procesit të zbatimit.

Duke theksuar se këto mekanizma do të mbrojnë investitorët, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Tiranë e bëri të qartë se “kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë – dhe ky është mjedisi që tërheq llojin e investimeve afatgjata dhe cilësore që Shqipëria meriton”.

Korniza e re e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte të Shqipërisë është hartuar nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim dhe komunitetin e biznesit, përfshirë me Odën Amerikane të Tregtisë.

Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane në Shqipëri, theksoi se korniza nuk është krijuar për të kufizuar investimet e huaja, por për të rritur besimin e investitorëve përmes transparencës, parashikueshmërisë dhe procedurave të qarta rregullatore.

Ndërkaq, presidenti i Odës Amerikane në Shqipëri, Grant Van Cleve, e cilësoi miratimin e mekanizmit të shqyrtimit të investimeve si kulmin e një përpjekjeje afatgjatë të udhëhequr nga Oda në bashkëpunim me institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Kjo kornizë pasqyron vite bashkëpunimi dhe përkushtimi”, deklaroi Van Cleve. “Ajo përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në forcimin e klimës së investimeve në Shqipëri, duke siguruar që interesat strategjike kombëtare të mbeten të mbrojtura”.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, tha se ky mekanizëm i ri rrit transparencën, sigurinë juridike dhe besueshmërinë e mjedisit të investimeve, si dhe forcon kapacitetet për të mbrojtur sektorët strategjikë të vendit.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar investimet e huaja direkte arritën mbi 1.6 miliard euro.

Oda Amerikane e Tregtisë në Shqipëri mbështet mekanizmin e shqyrtimit të investimeve të huaja, por kërkon që ai të jetë më i qartë, më i parashikueshëm dhe i bazuar në ligj të plotë për të mos krijuar pasiguri për investitorët.

Mekanizmi i ri i kontrollit të investimeve të huaja është përfshirë në Ligjin për investime të huaja, ndërkaq paralelisht Qeveria shqiptare ka njoftuar se Ligji për investime strategjike, që u jep projekteve të caktuara statusin e investitorit strategjik, do të shfuqizohet në përputhje me angazhimet ndaj Bashkimit Evropian.

Njoftimin për shfuqzimin e Ligjit për investime strategjike ditë më parë e bëri kryeministri Rama, i cili tha se ky ligj kishte arritur qëllimin e tij. Shfuqizimi i ligjit është kërkesë edhe e protestuesve kundër projektit turistik në Zvërnec dhe atij në Sazan, projekte që janë lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Trump.

Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015 me një afat trevjeçar, por që prej asaj kohe afati i funksionimit të tij është shtyrë gjashtë herë. Ligji ofron lehtësira procedurale, fiskale dhe administrative, investime publike, dhënien e tokës publike dhe ndërhyrjen e shtetit për shpronësim të pronës private, e të tjera lehtësira për ata që përfitojnë statusin “investitorë strategjikë”.

Prej katër vjetësh, BE-ja në raportet e progresit për Shqipërinë ka kërkuar rishikimin e këtij ligji. Dy vjet më parë ambasadori i BE në Tiranë u shpreh se ky ligj i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. Ai kishte shprehur shqetësimin se i gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të Shqipërisë.

Në dhjetor të 2024 Qeveria e Shqipërisë i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit.

Në lidhje me projektin që Kushner tha se do të investonte në Zvërnec, Rama ka thënë më herët se nuk ka pasur kërkesë për status të investitorit strategjik.

Ditë më parë, kreu i Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale tha se për katër vjet kanë punuar në krijimin e një destinacioni të klasti botëror në bregdetin shqiptar “një destinacion me dizajn të menduar mirë, që kujdeset për aspektin mjedisor dhe që ofron mundësi afatgjata ekonomike”.

Ai tha se qëllimi është i thjeshtë, dhe ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës dhe ndërtimit të diçkaje për të cilin brezat e ardhshëm do të jenë krenarë.

“E ardhmja [e projektit] në fund të fundit përcaktohet nga Shqipëria dhe populli shqiptar”, tha Abehsera.

Mijëra njerëz po protestojnë prej 16 ditësh në Tiranë, në qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe në disa shtete të botës, duke kundërshtuar punimet për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës, mes shqetësimeve lidhur me ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Zvërneci gjendet në zonë të mbrojtur që është habitat për flamingot, fokat dhe shumimin e breshkave të detit. Flamingoja është shndërruar në simbol të protestave, me demonstruesit që mbajnë në duar zogjtë rozë dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i Flamingos”.

Ambasada Amerikane në Tiranë uron Donald Trumpin për ditëlindje: Një patriot i palodhur që lufton çdo ditë për vendin që do

Ambasada Amerikane në Tiranë, ka uruar presidentin amerikan dhe njëherësh Presidentin e 45-të dhe të 47-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, me rastin e ditëlindjes së tij.


Në një mesazh publik, ambasada vlerëson figurën e Trump si një “patriot të palodhur”, i cili sipas deklaratës “lufton çdo ditë për vendin që do, për njerëzit të cilëve u shërben dhe për Ëndrrën Amerikane”.

“Gëzuar ditëlindjen Presidentit të 45-të dhe të 47-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump. Një patriot i palodhur që lufton çdo ditë për vendin që do, për njerëzit të cilëve u shërben dhe për Ëndrrën Amerikane”, thuhet në urimin e publikuar, krahas një fotoje të Trump. gsh

Ombrella amerikane fillon të mbyllet për Ballkanin

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi një raport për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor – në përgjigje të një kërkese të Kongresit amerikan – ku thekson se epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar.

 

Valona Tela

Politika e re amerikane kërkon më shumë nga Ballkani Perëndimor dhe premton më pak nga vetja. Ajo zhvendos fokusin te bashkëpunimi ekonomik, dhe lë në plan të dytë rolin tradicional politik dhe të sigurisë.

Në një rajon me institucione të brishta dhe tensione të hapura, kjo qasje nuk është pa rrezik.

Bashkëpunëtorja e Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve, Heather Conley, veçon Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën si vendet më të cenueshme – e para për shkak të strukturës së fragmentuar shtetërore dhe ndarjeve etnike, e dyta për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me Serbinë dhe varësisë nga bashkësia ndërkombëtare për sigurinë.

Ajo thotë se zhvendosja drejt “pronësisë lokale”, pa lidership të qartë dhe pa strategji të detajuar, mund të thellojë bllokadat ekzistuese dhe të forcojë aktorët nacionalistë dhe të korruptuar, ndonëse e konsideron të nevojshme qasjen e re.

“Unë mendoj se zgjidhjet duhet të vijnë dhe të mbështeten nga vetë vendet, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Përpjekjet e forcave të jashtme transatlantike për të imponuar zgjidhje, nuk kanë pasur sukses, pavarësisht se janë provuar si mbi njërën, ashtu edhe mbi tjetrën palë. Kosova dhe Serbia, për shembull, i kanë shfrytëzuar marrëveshjet për të rritur nacionalizmin në të dyja anët”, thotë Conley për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi nga fundi i majit një raport të ri për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, në përgjigje të një kërkese të Kongresit amerikan.

Dokumenti thekson se epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar dhe se angazhimi i SHBA-së do të fokusohet më shumë në stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë, sesa në ndërhyrje direkte për rindërtim apo “shpëtim” të rajonit.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës për koment mbi dokumentin amerikan, por nuk mori përgjigje nga asnjëri institucion.

Ajo që vihet re është se qasja amerikane tani, dallon qartë nga politika e viteve ’90, kur Shtetet e Bashkuara luajtën rol të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e konflikteve në Ballkan.

Atëkohë, Uashtingtoni udhëhoqi procesin e arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit për t’i dhënë fund luftës mbi trevjeçare në Bosnje, ndërsa më vonë drejtoi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, për të ndalur dhunën dhe spastrimin etnik në Kosovë.

“Po veprojmë për të parandaluar një luftë më të gjerë… dhe një fuçi baruti në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë gjatë këtij shekulli – me pasoja katastrofike. Po veprojmë për të qëndruar të bashkuar me aleatët tanë për paqe”, tha presidenti amerikan, Bill Clinton, më 24 mars 1999 – ditën kur NATO-ja nisi bombardimet.

Pas asaj periudhe, roli amerikan mori formën e një “patronazhi” të vazhdueshëm për ndërtimin e shteteve dhe institucioneve në Ballkan, duke mbështetur sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe veçanërisht sigurinë.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Departamentit amerikan të Shtetit me pyetje lidhur me qasjen e re në rajon dhe ndikimet e saj, por nuk mori përgjigje.

Conley, e cila në fillim të viteve 2000 ka shërbyer si zëvendëse e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, vlerëson se dokumenti nuk përbën një strategji të plotë, por më tepër një përpjekje për të pasqyruar prioritetet aktuale të administratës amerikane.

Sipas saj, ai ndërthur elemente të politikës tradicionale të Shteteve të Bashkuara në rajon – si lufta kundër krimit të organizuar – me fokusin ekonomik të epokës së presidentit Donald Trump.

“Është koha të provohen disa qasje të reja, ku liderët marrin përgjegjësi për një drejtim të ri, pa i fajësuar faktorët e jashtëm se po i detyrojnë drejt tij. Evropianët dhe amerikanët mund të ofrojnë mbështetje, por edhe masa korrigjuese nëse situata fillon të devijojë dhe të rrisë paqëndrueshmërinë. Pra, jam e hapur ndaj qasjeve të reja, por nuk shoh detajet dhe njerëzit që do t’i çojnë përpara ato”, thotë Conley.

Ajo që bie në sy, sipas Conleyt, është edhe mungesa e një elementi tradicional të politikës amerikane: perspektiva evropiane.

Në dokumentet e mëparshme amerikane për Ballkanin Perëndimor, integrimi në BE ishte objektiv qendror. Në këtë rast, Evropa është pothuajse e padukshme. Ky ndryshim, sipas Conleyt, sinjalizon një ndarje më të madhe të roleve mes SHBA-së dhe BE-së.

“Ne kemi të njëjtat interesa me BE-në për stabilitet dhe zhvillim ekonomik në rajon, por BE-ja ka pasur vështirësi ta përmbushë këtë rol. Dhe, kur krizat fillojnë, zakonisht SHBA-ja ndërhyn dhe përpiqet t’i menaxhojë ato. Por, do të donim të shihnim një qasje më të qëndrueshme të BE-së në këtë drejtim. Prandaj, dokumenti amerikan e thekson qartë se SHBA-ja do të ndjekë politikën e vet dhe, në njëfarë mënyre, e ndan veten nga ajo që bën BE-ja”, thotë Conley.

Politikë afatgjate e Bashkimit Evropian ka qenë integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në këtë proces, Mali i Zi konsiderohet më i avancuari, ndërsa Kosova është e vetmja pa status kandidati.

E, së fundmi, disa shtete anëtare të BE-së kanë propozuar që vendet e ardhshme anëtare të kenë të drejta të kufizuara gjatë një periudhe kalimtare, pas pranimit në bllok – gjë që ka nxitur reagime të ndryshme në rajon.

Për Mark Montgomeryn, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, BE-ja nuk mund ta zëvendësojë SHBA-në në Ballkan, sepse i mungon si aftësia e besueshme ushtarake, ashtu edhe uniteti politik.

Ai vlerëson se as vetë Ballkani Perëndimor nuk është ende i gatshëm për qasjen e re amerikane, pasi balanca e sigurisë – veçanërisht në raportin Kosovë-Serbi – mbetet e brishtë.

Edhe pse raporti i Departamentit amerikan të Shtetit e konsideron praninë e forcave amerikane në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt, Montgomery thotë se ka zëra se Elbridge Colby, nënsekretar i Mbrojtjes për Politika, është duke konsideruar disa ndryshime në KFOR.

“Mendoj se reduktimi i forcave amerikane në KFOR do të ishte në masë të madhe destabilizues. Do të nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara nuk janë më plotësisht të angazhuara në menaxhimin e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës, që unë e konsideroj si pikën më të rrezikshme të tensioneve në Ballkan. Po ashtu, do të dërgonte sinjal për Rusinë dhe Serbinë se SHBA-ja po tërhiqet nga një rol i rëndësishëm i sigurisë në rajon”, thotë Montgomery për Exposenë.

Raportimet për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga KFOR-i, ku aktualisht shërbejnë rreth 590 ushtarë amerikanë, nuk janë të reja dhe kanë qarkulluar edhe përpara.

Hera e fundit kur Pentagoni iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, ishte në shkurt, kur deklaroi se nuk ka për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave.

Pyetjes tani, nëse nënsekretari Colby po shqyrton ndryshime, siç pretendon Montgomery, nuk iu dha përgjigje.

Vetë NATO-ja paralajmëroi më 12 qershor se do të zvogëlojë praninë në Kosovë – gradualisht gjatë vitit te ardhshem – për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend, por nuk është ende e qartë se cili kontingjent mund ose do të tërhiqet.

Montgomery e lidh çdo ndryshim të pranisë amerikane në Evropë edhe me implikime më të gjera strategjike.

Ai e sheh Ballkanin Perëndimor si një hapësirë ku ndikimi rus dhe ai kinez mbeten të pranishëm përmes rrjeteve politike, ekonomike dhe të sigurisë, ndaj paralajmëron se këta aktorë e lexojnë me shumë kujdes çdo ndryshim në angazhimin amerikan.

“Gjëja më e rëndësishme për të qenë të përgatitur për Kinën, është që ajo të besojë se SHBA-ja do të jetë realisht e përfshirë kur siguria të jetë në rrezik. Nëse ne e dobësojmë besueshmërinë e pranisë sonë ushtarake në Evropë, atëherë dërgojmë sinjale se nuk na intereson. Prandaj, jam shumë i shqetësuar se si do të reflektohet kjo në dinamikën Rusi-Kinë”, thotë Montgomery.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit identifikon Rusinë dhe Kinën si aktorë keqdashës që synojnë të përfitojnë nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë në qeverisje në rajon, por nënvizon gjithashtu angazhimin e SHBA-së për t’iu kundërvënë ndikimit të tyre.

Vedran Xhihiq, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës, thotë se, ndonëse dokumenti amerikan i paraqet Kinën dhe Rusinë si faktorë që veprojnë kundër interesave të SHBA-së, këto pozicione nuk janë të pandryshueshme.

Sipas tij, zhvillimet globale dhe interesat ekonomike mund ta kthejnë Rusinë nga kërcënimi në partner.

“Nëse përfundon lufta në Ukrainë dhe SHBA-ja ka interesa të mëdha ekonomike – si në krijimin e bizneseve me Rusinë, apo në shfrytëzimin e burimeve minerare dhe sektorit të energjisë në Ukrainë – atëherë mund të përfundojmë në një situatë ku Rusia bëhet partnere e SHBA-së edhe në Ballkanin Perëndimor. Në një skenar të tillë, mund të imagjinohet që Rusia dhe SHBA-ja të angazhohen bashkë në projekte biznesi, për shembull në sektorin e energjisë në Bosnje apo në Serbi”, thotë Xhihiq për Exposenë.

Xhihiq e veçon raportin Kosovë-Serbi si një çështje thellësisht politike dhe të pazgjidhur, për të cilën thotë se qasja e re amerikane – e fokusuar tek ekonomia dhe marrëveshjet transaksionale – nuk është e mjaftueshme.

Për Kosovën, sipas tij, rruga më e sigurt afatgjatë është afrimi me BE-në dhe forcimi i brendshëm përmes reformave, në mënyrë që t’i përballojë më mirë si luhatjet e politikës amerikane, ashtu edhe presionin nga Serbia.

“Angazhohuni me Uashingtonin aty ku është e dobishme, por mos e trajtoni mbështetjen e SHBA-së si automatike ose të mjaftueshme”, është porosia e tij.

“E di që kjo nuk varet plotësisht nga Kosova, për shkak të pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin, por, gjithsesi, vendi duhet të ecë përpara, të përqendrohet te reformat e brendshme, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit e të tjera. Duhet të dëshmojë funksionalitetin e shtetit, të lobojë vazhdimisht dhe të jetë i qëndrueshëm në përpjekjet e tij”, thotë Xhihiq.

Në linjë të ngjashme, Montgomery argumenton se Kosova dhe vendet fqinje duhet të forcojnë rolin e tyre si partnerë të besueshëm politikë dhe ekonomikë, përfshirë edhe përparimin drejt pavarësisë energjetike.

Por ai, gjithashtu, sugjeron që aleatët rajonalë të NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia – të lobojnë si në strukturat e NATO-s, ashtu edhe drejtpërdrejt në SHBA, për ruajtjen e rolit amerikan në Ballkan.

“Do të ishte në interesin më të mirë të Kosovës të zgjedhë një qeveri funksionale që mund të marrë përgjegjësitë dhe të qeverisë në mënyrë efektive. Kjo është gjithmonë e rëndësishme, por bëhet veçanërisht kritike në rastet kur SHBA-ja mund të mos jetë plotësisht bashkëpunuese”, thotë Montgomery.

Kështu, edhe pse nga këndvështrime të ndryshme, vëzhguesit mbërrijnë te një pikë e përbashkët: çdo hap prapa i SHBA-së nuk mbetet bosh, por krijon hapësirë që mund të mbushet nga pasiguria ose nga ndikimi i aktorëve konkurrues.

Ndaj, një qasje pragmatike dhe e balancuar nga të gjitha palët mbetet kyç për të shmangur përshkallëzimin e rreziqeve në një rajon ende të brishtë.

I hiqet ‘non grata’ Berishës nga SHBA, Nancy VanHorn ia konfirmon në telefon

 

 

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i është hequr sanksionimi i shpallur pesë vite më parë ku nuk lejohej që të hynte në SHBA. Ky vendim i marrë, i është komunikuar nga Departamenti i Shtetit Berishës, gjatë një bisedë telefonike disa minutëshe nga e ngarkuara me punë e SHBA-së Nancy VanHorn.

Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA më 19 maj 2021. Vendimi u njoftua nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili deklaroi se Berisha ishte përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm” gjatë ushtrimit të detyrave publike. Si pasojë, atij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara. Sipas deklaratës zyrtare amerikane, akuzat lidhen me shpërdorim fondesh publike, ndërhyrje në procese publike dhe përdorim të pushtetit për përfitime personale dhe për aleatët e tij politikë. Berisha i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

Pas më shumë se 5 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur t’i heqin non gratën kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

I pyetur sot nga gazetarët në hyrje të Kuvendit nëse informacioni është i vërtetë, Berisha zgjodhi të mos japë asnjë koment. Ai i përshëndeti gazetarët me buzëqeshje dhe hyri në sallën e Kuvendit pa iu përgjigjur pyetjes.

Unë erdha, u krye”, tha Berisha nga foltorja.

Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA më 19 maj 2021. Vendimi u njoftua nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili deklaroi se Berisha ishte përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm” gjatë ushtrimit të detyrave publike. Si pasojë, atij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara. Sipas deklaratës zyrtare amerikane, akuzat lidhen me shpërdorim fondesh publike, ndërhyrje në procese publike dhe përdorim të pushtetit për përfitime personale dhe për aleatët e tij politikë. Berisha i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar./Dosja.al

Qeveria e shpalli “non-grata”- Ikballe Huduti i përgjigjet Ramës: Dal në protestë kundër padrejtësive, pozitat janë amanet dhe përgjegjësi

TIRANË– Ikballe Berisha Huduti, për të cilën Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, nxorri urdhrin për shpalljen “non-grata”, për një periudhë 15-vjeçare, i është përgjigjur kryeministrit Rama. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo shkruan se ka dalë në protestë kundër padrejtësive, ndërsa shton se pozitat janë amanet dhe përgjegjësi.

Ajo shprehet se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët. Kjo duke theksuar se nuk kërkon armiqësi me askënd. Huduti deklaroi se dalja e saj në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare.

Reagimi i plotë:

I nderuar Kryeministër Edi Rama.

Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.

Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.

Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.

Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti përdoret me drejtësi, ai bëhet bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për mbajtësin e tij.

Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.

Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.

As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë./Dosja.al

Shqipëria ia ndalon hyrjen për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti, duke e cilësuar “kërcënim për sigurinë”

Protestues në kryeqytetin shqiptar Tiranë, më 21 qershor. Huduti ishte parë në njërën prej protestave të këtij muaji kundër Qeverisë shqiptare.

 

Jetmira Delia-Kaci

Shqipëria ia ka ndaluar të enjten hyrjen në vend për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti – e njohur për qëndrimet e saj pro Iranit dhe kundër Shteteve të Bashkuara – duke e akuzuar si “kërcënim për sigurinë e vendit”, pasi ajo ishte parë në protestat e këtij muaji në Tiranë.

Huduti mori pjesë në një prej protestave që po zhvillohen në kryeqytetin shqiptar tash e 25 ditë kundër ndërtimit të një resorti në një zonë të mbrojtur në jug të Shqipërisë, i cili lidhet me kompaninë e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një reagim në Facebook, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilësoi Hudutin si një prej përfituesve të kësaj proteste, duke theksuar se ajo “predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës”.

Burimet bënë të ditur për Radio Evropa e Lirë se vendimi për t’i ndaluar hyrjen Hudutit është marrë pasi “veprimtaria e saj vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike”.

Urdhri u nënshkrua nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe u është përcjellë Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit për zbatim të menjëhershëm.

Rama shkroi se figura të tilla si Huduti “në emër të fesë predikojnë urrejtje, nxisin përplasje dhe përpiqen të shfrytëzojnë kauza mjedisore për qëllime politike dhe ideologjike”.

Ai publikoi gjithashtu fotografi ku Huduti shfaqej pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad.

Huduti është predikuese fetare nga Kosova, e njohur për përkatësinë e saj në komunitetin shiit. Ajo njihet për qëndrimet publike në mbështetje të figurave dhe politikave të Republikës Islamike të Iranit.

Në këtë fotografi të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve, IQNA, shihet Ikballe Huduti pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinehad, në Iran.

Në këtë fotografi të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve, IQNA, shihet Ikballe Huduti pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinehad, në Iran.

Ajo ishte arrestuar më 2020 nga autoritetet kosovare pas publikimeve të saj në rrjetet sociale në mbështetje të gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, i cili ishte nga një sulm amerikan me dron në Irak atë vit.

Ajo u akuzua për shtytjen e veprave terroriste në Kosovë, por u lirua më vonë nga akuzat në mungesë të provave.

Ndërkohë, ky është rasti i dytë në pak ditë që kryeministri Rama përmend pjesëmarrës në protestë për lidhje me Iranin.

Dy ditë më parë, Dritan Goxhaj, i cili lexoi pesë kërkesat e protestuesve për Qeverinë, u quajt nga Rama si “zëdhënës i interesave të Iranit”.

Rama publikoi në Facebook pjesë nga postime të një llogarie që mban emrin dhe fotografinë e Goxhajt, ku janë publikuar postime me qëndrime të ashpra kundër politikave të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Lindjen e Mesme, si dhe me tone mbështetëse ndaj Iranit dhe Hezbollahut, të cilin një postim e përshkruan si “rezistencë të armatosur”.

Hezbollah është grup militant dhe parti politike që kontrollon një pjesë të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur.

Rama i ka paraqitur protesta e tanishme kundër Qeverisë së tij dhe ndërtimit të resortit në Zvërnec jo si revoltë spontane qytetare, por si të nxitur nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe nga dezinformimi.

Ai ka folur për “luftë hibride”, duke përmendur fillimisht ndikime nga Greqia dhe Irani, më pas propagandë të shpërndarë nga blogerë dhe rrjete sociale, si edhe pjesëmarrje të personave nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Më 20 qershor, Rama tha se vëmendja ndërkombëtare për Zvërnecin nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me përfshirjen në projekt të Jared Kushnerit dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan, Donald Trump.

Gjatë protestës më 21 qershor, një vajzë e hoqi flamurin izraelit në Ambasadën e Izraelit në Tiranë dhe e grisi atë gjatë kohës kur protestues të shumtë po marshonin në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë.

Protestat në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera të Shqipërisë kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe hetimeve për pronësinë e tokës – kanë hyrë në ditën e 24-të.

Prokuroria e Posaçme është duke kryer hetime në lidhje me kontratat e shitjes së tokës, ku do të realizohet ky projekt.

Sipas të dhënave zyrtare, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Ndërkaq, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Aktivisti Ilir Xhemalaj: Të rinjtë kanë marrë fatin në dorë, protesta do të çojë në dorëheqjen e Edi Ramës

Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 26-të, aktivisti Ilir Xhemalaj shprehet i bindur se lëvizja qytetare do të arrijë objektivin e saj kryesor, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në programin e drekës në News24, përballë gazetares Ola Bruko, Xhemalaj theksoi se forca e protestës qëndron te pjesëmarrja e të rinjve, të cilët sipas tij kanë vendosur të marrin në dorë fatin e vendit.

“Sot të rinjtë janë ngritur nga kafenetë dhe kanë marrë fatin në dorë. Janë të shkolluar, të artikuluar dhe të vendosur për të sjellë ndryshimin që kërkon vendi”, deklaroi ai.

Sipas Xhemalajt, protestës i japin qëndrueshmëri edhe profesionistët e rinj që janë bashkuar nga diaspora, mes tyre mjekë, inxhinierë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

“Ka të rinj të arsimuar, mjekë dhe inxhinierë që kanë ardhur nga diaspora për t’iu bashkuar kësaj kauze. Pikërisht kjo e bën protestën të qëndrueshme dhe do të arrijë qëllimin e saj, dorëheqjen e Edi Ramës”, u shpreh ai.

Ndërkohë, gjatë të njëjtit emision, aktivisti Eduart Kaca ngriti diskutimin për ndryshimin e sistemit të qeverisjes në vend. Ai argumentoi se modeli aktual parlamentar ka dështuar dhe se Shqipëria duhet të kalojë në një sistem të ngjashëm me atë amerikan.

“Sistemi parlamentar ka dështuar, ashtu si edhe sistemi shumëpartiak. Kemi parti pa institucione dhe liderë të përhershëm. Shqipëria ka nevojë për një sistem amerikan, me president të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe me kompetenca të plota”, deklaroi Kaca.

Revoltat masive- Agron Duka thirrje socialistëve: Dëgjoni zërin e protestuesve, nesër mund të jetë vonë!

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar lidhur me protestat qytetare, duke u bërë thirrje socialistëve që të reflektojnë dhe të dëgjojnë kërkesat e shqiptarëve që prej javësh janë në shesh.

Përmes një reagimi publike, Duka shprehet se protestuesit përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe nuk duhet të etiketohen apo të trajtohen si kundërshtarë politikë. Sipas tij, ata kërkojnë një shtet më funksional, më shumë llogaridhënie dhe përfaqësim, jo përçarje apo hakmarrje.

“Gabimi më i madh që mund të bëhet sot është t’i përçmosh ose t’i etiketosh. Ata nuk po kërkojnë të shembin vendin, por ta bëjnë atë më të jetueshëm”, thekson Duka. Kreu i PAA-së u ndal edhe te zërat kritikë që kanë ardhur nga figura të njohura të së majtës, duke përmendur emra si Ndre Legisi, Ilir Zela, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Arben Malaj dhe Ditmir Bushati. Sipas tij, nuk mund të konsiderohet armik kushdo që shpreh kritika ndaj qeverisë apo pushtetit.

REAGIMI I DUKES
Si mbështetës i protestave qytetare dhe i së drejtës së njerëzve për t’u dëgjuar, dua t’u drejtohem sot socialistëve me një thirrje të sinqertë për reflektim.
Ata që prej 26 ditësh janë në shesh, janë fëmijët e qindra mijëra shqiptarëve, të majtë, të djathtë, pa parti, për të cilët të gjithë ne që jemi marrë me politikë kemi bërë aq sa mundëm, por dukshëm jo aq sa duhej, që ata të gëzonin një jetë më të mirë, një demokraci më të shëndetshme, një shtet që u shërben të gjithëve, e jo vetëm një pakice.
Me këmbëngulje, guxim, kreativitet, qytetari dhe me numra të paparë në këto tre dekada, ata janë jo vetëm kartolina më e bukur e Shqipërisë europiane, por edhe dëshmia se asgjë nuk mund të jetë më si më parë në politikën tonë.
Prandaj gabimi më i madh që mund të bëhet sot është t’i përçmosh, t’i etiketosh apo t’i trajtosh si kundërshtarë. Sepse ata nuk po kërkojnë të shembin vendin; po kërkojnë ta bëjnë atë më të jetueshëm. Nuk po kërkojnë hakmarrje; po kërkojnë llogari. Nuk po kërkojnë përjashtim; po kërkojnë përfaqësim.
Dhe këtë zë nuk mund ta mbulojnë as sulmet, as ironitë, as teoritë e komplotit. Sepse kur në shesh dalin kaq shumë të rinj, prindër, profesionistë, qytetarë të lirë dhe njerëz që nuk kanë kërkuar kurrë asgjë nga politika, detyra e politikës nuk është të gjejë armikun, por të kuptojë mesazhin.
Prandaj, kur qytetarët flasin me këtë forcë, përgjigjja nuk mund të jetë mbyllja, arroganca apo përçmimi.
E nëse unë sot mund të konsiderohem kritik ndaj kësaj force politike, për të cilën kam pasur nderin të shërbej në qeveri, dua të pyes shumë thjesht: po kur zërin e ngrenë edhe vetë socialistët, çfarë janë?
Ndre Legisi, Ilir Zela, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Arben Malaj, Ditmir Bushati e të tjerë qenkan në shërbim të Iranit?
Po ata qindra e mijëra socialistë të thjeshtë që kanë zbritur në shesh sepse janë përjashtuar nga vendimmarja, të cilëve nuk ua dimë emrat, por i kanë dhënë besimin PS-së ndër vite, janë në shërbim të Rusisë?
Jo. Jo çdokush që kundërshton është armik, por prova se problemi nuk është te protesta, por te pushteti juaj, që ka humbur aftësinë të dëgjojë. Kur çdo kritik quhet armik, atëherë nuk po mbrohet partia e as qeveria, po mbrohet karrigia.
Partia Socialiste u kthye në qeverisje në vitin 2013-të për t’u mos u bërë bunker pushteti, as për të parë me përçmim njerëzit që kërkojnë llogari. Përkundrazi, ajo u rrit duke denoncuar arrogancën, mbylljen dhe mendësinë se pushteti është pronë personale.
Dhe me qetësinë që më dikton përvoja, si edhe distanca që kam zgjedhur me vetëdije nga jeta parlamentare, mund të them se në politikë nuk ka gabim më të madh sesa të përsërisësh vetë ato që dikur i ke kundërshtuar te të tjerët. Të denoncosh dje një pushtet që nuk dëgjonte, dhe sot të mos dëgjosh vetë. Të kritikosh dje arrogancën, dhe sot të flasësh me arrogancë. Të kërkosh dje përgjegjësi për skandale, dhe sot të sillesh sikur pushteti është i pandashëm nga emri yt.
Pushteti nuk është destinacion ku mbërrihet për të qëndruar përgjithmonë; është një përgjegjësi e përkohshme, një shërbim që të besohet nga qytetarët dhe që një ditë duhet t’u kthehet atyre me llogari. Kur kthehet në qëllim në vetvete, kur karrigia bëhet më e rëndësishme se njerëzit, atëherë politika humbet kuptimin dhe pushteti humbet legjitimitetin moral.
Rreziku i vërtetë sot nuk është protesta. Rreziku është që mosdëgjimi ta kthejë pakënaqësinë në një krizë edhe më të thellë besimi; një krizë ku qytetarët të mos besojnë më as te qeveria, as te opozita, as te institucionet, as te vetë politika.
Dhe kur një vend hyn në këtë shkallë mosbesimi, ai nuk bëhet thjesht më i vështirë për t’u qeverisur. Bëhet më i vështirë për t’u mbajtur bashkë.
Prandaj kjo krizë nuk kërkon ndryshime politike të vërteta. Këta qytetarë nuk mund të dëgjohen vetëm nga larg, as të përmenden vetëm në fjalime. Ata duhet të përfshihen në një sistem më të hapur, më përfaqësues dhe më të drejtë.
Shqipëria ka nevojë për institucione që dëgjojnë, për parti që hapen, për vendimmarrje që nuk mbyllet në pak duar dhe për një politikë që nuk i kujton qytetarët vetëm ditën e votimit. Nëse ka një mesazh të madh nga kjo protestë, është se njerëzit nuk kërkojnë thjesht të protestojnë; por kërkojnë të kenë zë në vendin e tyre.
Prandaj, dëgjojini qytetarët sot. Nesër mund të jetë vonë. bw

“Shqipëria, kryelajm botëror”! Ish-zv/ministrja e PS ‘rrëzon’ Ramën: Protesta solli atë që qeveria s’e arriti me miliona euro lobime dhe propagandë

Nga Ornela Çuçi, ish-zv/ministre e Turizmit dhe Mjedisit

Ka 23 ditë që në Tiranë po ndodh diçka që nuk e kam parë prej shumë kohësh. Nuk flas për protestën. Flas për njerëzit. Njerëz që flasin me njëri-tjetrin. Njerëz që buzëqeshin. Njerëz që ndalojnë për të përshëndetur dikë që nuk e kanë parë prej vitesh. Njerëz që diskutojnë për të ardhmen dhe jo vetëm për ikjen. Për herë të parë pas shumë kohësh, në këtë qytet po shoh njerëz që duken sikur besojnë se fjala e tyre ka ende peshë. Dhe pikërisht duke parë këtë energji, kam kuptuar se ajo që shohim çdo mbrëmje në bulevard është vetëm maja e ajsbergut. Njerëzit nuk po vijnë thjesht në protestë. Po organizojnë jetën e tyre rreth saj. Një ditë vjen burri, ditën tjetër gruaja.

Njëri qëndron disa orë dhe largohet që të kujdeset për fëmijët, pastaj vjen tjetri. Disa vijnë pas pune. Të tjerë para pune. Disa qëndrojnë pak dhe kthehen përsëri të nesërmen. Disa vijnë vetëm në marshim. Të tjerë presin t’u kalojë marshimi pranë pallatit dhe dalin për një copë herë. Protesta duket sikur funksionon me turne. Dhe pikërisht kjo më ka bindur se ajo që shohim në rrugë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që po ndodh. Sepse protesta nuk është vetëm turma që shohim. Protesta është edhe turma që nuk e shohim. Janë njerëzit në administratën publike që bien dakord me shumë nga ato që thuhen aty, por që nuk guxojnë të dalin. Jo sepse nuk duan, por sepse e dinë që vendi i punës në këtë vend shpesh varet nga bindja dhe jo nga aftësitë e tyre. Janë punonjësit e kompanive që sot janë sekuestruar, nesër mund të sekuestrohen, ose që prej muajsh jetojnë me pasigurinë se çfarë do të ndodhë me vendin e tyre të punës.

Janë familjet e tyre. Janë bizneset që nuk flasin, sepse kanë frikën e inspektorëve te dera. Janë profesionistët që nuk flasin, sepse dikush nga drejtuesit e kompanisë ua ka dhënë mesazhin e qartë se fati i kompanisë dhe i tyre varet nga kjo qeveri. Janë njerëzit që nuk protestojnë sepse kanë frikë të protestojnë. Pakënaqësia për atë që po i ndodh këtij vendi nuk zhduket në qytetet ku në protestë del vetëm një njeri. Nuk zhduket në administratë. Nuk zhduket në kompani. Ajo thjesht nuk shihet. Prej frikës. Dhe pikërisht për këtë arsye, numri i njerëzve në shesh nuk tregon domosdoshmërisht madhësinë e pakënaqësisë. Madje mund të ndodhë e kundërta. Në vende ku njerëzit ndihen të lirë, pakënaqësia shfaqet lehtë.

Në vende ku njerëzit kanë frikë për vendin e punës, për kontratën, për biznesin apo për të ardhmen e familjes së tyre, pakënaqësia fshihet. Kryeministri ka zgjedhur ta shpjegojë këtë protestë në çdo mënyrë të mundshme, përveç asaj që lidhet me të dhe me qeverisjen e tij. Ditët e fundit kemi dëgjuar teori nga më të ndryshmet, deri te pretendimi se në Tiranë po luhet një pjesë e rëndësishme e gjeopolitikës globale. Edhe mund të ndodhë. Ëndrra janë… Mund të ketë interesa politike, ekonomike apo ndërkombëtare që ndërthuren me atë që po ndodh. Historia është plot me shembuj ku konflikte më të mëdha se vetë vendet janë reflektuar në beteja lokale. E megjithatë, ka një element që asnjë teori gjeopolitike nuk arrin ta shpjegojë, energjinë e kësaj proteste. Sepse njerëzit mund të organizohen, mund të mobilizohen dhe madje mund të nxiten për shumë arsye. Por askush nuk mund të importojë në bulevard zhgënjimin e një shoqërie.

Askush nuk mund të krijojë artificialisht ndjesinë e padrejtësisë, lodhjen, mosbesimin dhe frustrimin që janë grumbulluar për vite me radhë. Këto ose ekzistojnë, ose nuk ekzistojnë. Dhe ndoshta pikërisht sepse kjo energji është reale, protesta ka filluar të prodhojë diçka që shkon përtej bulevardit. Ka filluar të tërheqë vëmendje. Jo vetëm në Tiranë, por edhe jashtë saj. Jo vetëm tek ata që protestojnë, por edhe tek ata që prej vitesh e kanë parë Shqipërinë përmes historive të kuruara me kujdes nga makineria e komunikimit shtetëror. Dhe pikërisht këtu qëndron ironia më e madhe e gjithë kësaj historie. Për më shumë se një dekadë, kjo qeveri ka investuar energji, kohë dhe para të panumërta nga buxheti i shtetit për ta bërë Shqipërinë lajm ndërkombëtar. Janë paguar kompani komunikimi, janë organizuar samite, janë prodhuar fushata promovimi, janë blerë hapësira mediatike dhe janë ndërtuar me kujdes histori suksesi për konsum ndërkombëtar.

Për vite me radhë kemi parë Shqipërinë e fasadës që i kemi prezantuar botës. Dhe mirë kemi bërë, sepse Shqipëria është e bukura e dheut dhe meriton të promovohet. Kemi parë Shqipërinë e transformimit, të mrekullisë digjitale dhe të historive që duhej të pushtonin faqet e para të gazetave të botës. Kemi parë deri edhe “Diellën” të shndërrohej në simbol të Shqipërisë së re dhe moderne. E megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk arriti atë që po arrin sot protesta. Sot Shqipëria është sërish në faqet e para të mediave ndërkombëtare. Vetëm se këtë herë nuk është aty falë një kontrate komunikimi, një kompanie lobimi apo një fushate marketingu. Është aty sepse mijëra qytetarë kanë krijuar një histori që nuk mund të blihet dhe nuk mund të kontrollohet.

Nëse kryeministri ka të drejtë dhe e gjithë gjeopolitika globale po luhet sot në Tiranë, atëherë duhet pranuar se ia doli më në fund. Ëndrra për t’u bërë kryelajm ndërkombëtar u realizua. Vetëm se për herë të parë pas shumë vitesh, për këtë reklamë nuk pagoi asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. E paguan qytetarët me kohën e tyre, me këmbënguljen e tyre, me netët e tyre në bulevard dhe me guximin e tyre për të mos u larguar. Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse kjo histori po lexohet kudo. O sa mirë me qenë shqiptar!!! bw

Balluku kritikon protestuesit, i quan “turma”! Shpërthejnë akuzat: O hajdute, o maskareshë! Ti duhet të ishte në burg!

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, ka postuar disa pamje të transmetuara nga CNN, të cilat, sipas saj, po krijojnë keqkuptime në mediat ndërkombëtare.


Pamjet e Kakomesë janë interpretuar sipas saj sikur kanë lidhje me Zvërnecin. Ajo ka guxuar të vendosë dhe shënimin ‘fake news’ ndaj CNN, duke thënë se këto pamje po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.

“Turmat e protestuesve dhe disa video që qarkullojnë në rrjete sociale kanë ndikuar në mënyrën si perceptohet Shqipëria në disa raste, duke krijuar keqkuptime edhe në media ndërkombëtare.

Madje, edhe media si CNN kanë pasqyruar pamje nga Kakomeja, të cilat janë interpretuar gabimisht si reagim ndaj projekteve turistike. Në fakt, këto pamje nuk lidhen me Sazanin apo Zvërnecin.

Përhapja e informacionit të pasaktë mund të krijojë një imazh jo plotësisht real të Shqipërisë, duke ndikuar në perceptimin publik dhe në klimën e përgjithshme të investimeve dhe turizmit“- thekson Balluku.

Postimi i Ballukut
Postimi i Ballukut

Por, të shumtë kanë qenë qytetet që i janë “përveshur” ish-zv.kryeministes, e cila tashmë po hetohet për korrupsionin dhe pastrim parash.

Përgjigjet e disa qytetarëve në postimin e Belinda Ballukut:

Wilma Puka: “Imazhi I Shqiperise po demtohet nga ti e Rama e gjithe ju hajduter r te korruptuar.. e jo nga njerez qe u ka ardh shpirti me dal… jeton ku jeton e te mbron kush te mbron se ne nje vend tjeter do kishe dhene llogari me kohe.”

Alti Cekrezi: “Sa te kesh palloshin nuk futesh ne burg ti jo por do ju vi dite”

David Miko: “Po burgu ku esht?”

Valter Tuna: “Po ti moj k*re akoma ke silikon dhe del e na ben poste? Akoma?”

Alki Alkeo: “Pasojat e qeverise tuaj te qelbur ishalla do zoti ju shikoj te gjithve ne burg Bu*e e rames”

Aleksander Thanasi: “Na e jep pak netflixsin qe perdorje te vila nese ste duhet me ?”

Miri Ademi: “Shko te burgu ti”

Gezim Suzana Hidri: “Ooooo hajdute Oooo maskaresh , keto jane pasojat e gjithe pislliqeve te rraces tate moj bastarde Belinda”

Daniel Mehmeti: “Pse ju thoni Turma.? Apo kur votojne keta jane ‘Sovrani’…”

Eduart Zejnati: “Pergatitu shperterisht per ça te pret , dite te bukura vijne per popullin e sketerre per ju”

Rreze Mbretenore: “Sot me shumee ne oren 19:00 per shqiperine ”

Eda Kondo: “Mos ja qaj hallin sepse pjesa me e madhe e pergezojne dhe e quajne te drejte veprimin.”

Altin Axhami: “A po të vjen keq ty aa? Me mëndu ti për Shqipërinë ashtu sikur duhet, do kishim ndryshim të madh dhe të huajt do mendonin ndryshe. Ju po e vjedhni, po e coptoni dhe po i largoni njerëzit nga vendi i tyre dhe të huajt e dinë se çfar bëhet këtu. Të lutem mos bëj postime të tilla më ti se e menderose fare!”

Linda Apostol Kotani: “Ti moj zonje je e fundit qe Mund te na japesh ndonje informacion te sakte … Jeni te PAFYTYRE!”

Fatjon Dapi: “Po ata miliardat qe ke vjedh ti si ndikojne ne opinionin Nderkombetar moj Shoqja Bela??! ”

El Ve: “Po rrugët qe u çane si kane ndikuar? Po fakti qe jane leshuar dy urdher arreste”

Lirim Krruçi: “A fole edhe ti!?”

Aure Lio: “Ke shumë të drejtë për këtë për deformimin e nje lajmi të tillë…. Por që minimalisht të paktën ti duhet të ishe në burg me kohë por që lavdi Perandorisë duhet të thuash…..”

Ana Ana: “Rama burg belindja burg”

Discover Albania: “Vetem ti nuk duhet te fasesh, bej ndonje kurs per kuzhuniere se do te duhet te 313”

Andrea Tushe: “Populli eshte i pakenaqur prej jush.!”

Hysi Alkeda: “Ne kete pike na cuat kur s ks shtet te na mbroj te mbrohem vet .. mbase te gjith bashke gjejm nje rruge drejt europes ..pa ju qe s dini c hall kemi dhe jemi shqiptare. Turp turp.”

Ilir Jazxhi Ilir: “Si ke kurajo dhe flet”

Aranit Bicaku: “Po hajdutlliku si perceptohet tek cnn?”

Hekuran Alia: “Kush e ka rrethuar sipas teje kakomen…nuk jan te rrethit te ngusht aty???ti nuk je keshtu se kuptoj qe her pas here nuk je vetvetja.”

Adi-Eda Dautaj: “Seriozisht????? Jeni shume dobet per te qene bindes!!!”

Engin Blc: “Jo sesht e vertet ne video e thot qart qe esht ne kakome dhe nuk ka lidhje me Jared kushner por me revolten qytetare kunder jush ca kujton se do na hedhesh hi syve meqe esht ne anglisht ke harruar se shqiptaret nuk jan me te humbur ka shum qe kuptojn anglisht nese je ti nje nga ato qe se kupton me thoj se ta bej un perkthimin e sakt te videos”

Flamur Dardeshi: “O @spak ec e merre kte plaçkitsen”

Paolo Kodrina: “Vetem ti mos fol se duhen me ardh 10 miliard turista per te perfitu shqiperia lekt si ke vjell ti edhe ke fytr akoma e na bo moral lali eri po te pret mos harro sapunin ”

Brixhilda Kukaj: “Imazhin e Shqiperise e prish fakti qe ju nuk jeni prapa hekurave akoma. Ju jeni turpi i Shqiperise.”

Romeo Bori: “Po vjet qe shembet thethin ne mes sezonit turistik nuk ju erdhi gjynaf per turistet ??”

Oriel Reli Xhaja: “Se besoj se demtohet me shum perceptimi nga kto se sa kur degjojn se sa e korruptuar deri ne palce eshte qeveria juaj”

Ledi Doce: “Me kaosin & korrupsionin qe keni shkartuar ju, edhe me deshiren e mire per te qene sa me i sakte, nuk je dot. Sa mbyllet nje vrime, hapet nje grope, mbyllet gropa, hapet krateri e keshtu me rradhe. Vetem kur te zhdukeni ju pergjithnje nga politika do zhduken dhe te pakten krateret.”

Elena Lato: “Le ta marrin te huajt si t duan, le te keqinformohen sa te duan, ne nuk duam te ndertohet pa kriter as ne Kakome, as ne Zvernec edhe as ne Narte-Vjose dhe ne asnje vend te Shqiperis, te ndertohet sic ndertohet ne gjithe boten pa prishur natyren…”

Rel Pasku: “Si mund të guxosh e të postosh në këto kohë të vështira për veten tënde e të kesh hallin se çfar do mendojnë të huajt për ne kur je ti ajo që na ka vjedhur 100 ndra milion euro… Kthe lekët e shporru se as në burg sduam të të mbajm me bukë”

Gaz Taipi: “Nga Shtatori beju gati per burg se eshte me fresk.”

Ervin Kyçyku: “Armiku i Partise Socialiste gjithmone Populli ose imperializi amerikan”

Cajup Cangollari: “Bela në Burg, Rama në Burg”

Une Revoltohem: “jo mo jo vertet eee… Ja paske gjetur zgjidhjen SPAK-ut e justifikove Vilen?”
Edona Haklaj: “Hahahha po per tenderat e tu çfarë thonë kto mediat ndërkombëtare, e ka parë? Shkruaje çik emrin tënd dhe lexoji se të sjell pak me këmbë në tokë mbase ”

Ledjon Kutriçi: “Sna intereson imazhi nderkombetar para burgut tend Belinda Balluku ”

Elsi Goxhaj: “Vrl nderkombetarve po ti hash gezuar ato qe vodhe ti ”

Robert Hyso: “Perse nuk del e te na shpjegosh pak se cfare ndodh kur gjykata e larte jep nje vendim ne lidhje me aeroportin e vlores…”

Arta Shaba: “Znj. Balluku,
Imazhi i Shqipërisë nuk dëmtohet nga qytetarët që protestojnë dhe as nga mediat që raportojnë. Imazhi i Shqipërisë dëmtohet kur media ndërkombëtare raporton se SPAK ngre akuza për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa pushteti politik vihet në lëvizje për t’i mbrojtur ata.

Reuters, Washington Post, AP dhe media të tjera nuk po flasin për Shqipërinë për shkak të disa videove në rrjetet sociale. Ato po flasin për Shqipërinë sepse një zëvendëskryeministre u vu nën hetim nga SPAK, sepse u kërkua heqja e imunitetit të saj dhe sepse kjo kërkesë u bllokua politikisht.

Në çdo demokraci europiane, pyetja që shtrohet nuk është “pse protestojnë qytetarët?”, por “a janë të gjithë të barabartë përpara ligjit?”.

Nëse qeveria është e bindur për pafajësinë e zyrtarëve të saj, mbrojtja më e mirë nuk është bllokimi i procedurave apo ndryshimi i ligjeve. Mbrojtja më e mirë është t’i lihet drejtësisë të bëjë punën e saj deri në fund.”

gsh

Themeluesi i FRESSH godet Ramën “Maskat ranë, kryeministri të dorëhiqet”, Ilir Zela: Kriminalizoi Kuvendin e emëroi horra në qeveri! Ja pse socialistët e vërtetë janë në protestë

Shkruan ILIR ZELA, themelues dhe kryetari i parë i Rinisë Eurosocialiste Shqiptare

Një pjesë e rëndësishme e rinisë shqiptare po proteston këto ditë në rrugët e Tiranës. Kërkesat e tyre për një sistem politik demokratik e funksional ndër shqiptarë janë thelbësisht të drejta! Socialistët i mishëruan këto aspirata në Kushtetutën e vitit ’98. Socialistët i rezistuan fashizmit në pushtet në 1992-1997. Stabilizuan vendin pas krizës së ’97-ës, hapën perspektivën e shkatërruar të bashkimit me Europën, kontribuuan në çlirimin e Kosovës dhe ndërmorën reformën në drejtësi në 2015. Ka një paralele midis shpirtit të socialistëve të mishëruar në këto kontribute dhe aspiratave të të rinjve në këtë protestë. Por, për fat të keq, medalja ka edhe një anë tjetër. Është autokracia e sotme, e cila është larguar nga aspiratat e shqiptarëve! Janë rilindarët e pasuruar, të trashur e stërplakur në pushtet, bartësit e korrupsionit dhe amalgamës me krimin, të cilët janë objekti i kësaj proteste, siç janë edhe subjekt i SPAK. Kam parë këto ditë socialistë që po marrin pjesë në protesta, duke dëshmuar shqetësimin e tyre për gjendjen në të cilën është katandisur demokracia në vend. Kam parë edhe disa socialistë të tjerë, të cilët i kanë bërë jehonë artikulimeve nën panik të autokratit kryeministër.

Raporti i socialistëve me protestën më ka nxitur të bëj pyetjen: vallë, të jenë katandisur të gjithë socialistët në klone të subjekteve të SPAK-ut, në viktima të oligarkisë? Do të dëshiroja që revolta e të rinjve të jetë një mundësi për socialistët të rigjejnë partinë e tyre të zaptuar nga trusti i betonit, të kuptojnë se sakrifikimi i demokracisë së brendshme në emër të unitetit fals ishte në thelb uzurpim i pushtetit nga një person ose një grup pa lidhje me socialistët e vërtetë, pjesa më e shëndoshë e të cilëve nuk i besuan kurrë Edi Ramës, por në të njëjtën kohë e përkrahën bujarisht. Protesta është edhe një mundësi për ata socialistë, të cilët besuan te rilindarët pa e lidhur këtë besim me leje kullash e përbindëshash të tjerë të betonit apo përfitime sharlatanësh, të administrojnë zhgënjimin e tyre e të kuptojnë që atdheu, pyjet e kullotat, bregdeti, plazhet e fushat janë më të rëndësishme se një vend pune në administratë, një kapardisje firmatosh në sallat e institucioneve, nxjerra jashtë funksionit kushtetues, apo një përfitim momental prej sistemit të korruptuar të pushtetit autokratik.

Kur shoh socialistë të kontributeve në protestë, pyes veten nëse ka kuptim t’u thuash këtyre njerëzve se uzurpimi i vullnetit të tyre ka përzënë nga vendi ynë 1 milion shqiptarë, ka kontribuar në arrogancën e pushtetit dhe dobësimin e llogaridhënies. Ata i dinë këto dhe prandaj protestojnë! Socialistët e shohin se kolltukofagët e sotëm janë më të plakur e shumë më të dhjamosur se bllokmenët e brezit më të fundit të regjimit hoxhist. Socialistët e dinë që ka ardhur koha që një brez i ri të rigjejë vlerat më të mira të së majtës dhe të kërkojë modestisht të marrë pjesë në udhëheqjen e atdheut. Por të jesh socialist dhe të shkosh në protestë, do të thotë që ke hequr dorë nga përpjekja për ta çliruar politikën, nuk beson te mundësia që një lidership i ri për socialistët, por edhe për të gjitha alternativat e tjera politike, të realizohet përmes proceseve të demokracisë së brendshme. Vendi i protestës së socialistëve duhet të jetë në radhë të parë vetë Partia Socialiste. Socialistët duhet të rigjejnë vetveten, t’ia dorëzojnë drejtësisë të gjithë rilindarët që ajo po i kërkon prej kohësh. Të bëhen njësh pa mëdyshje të mëtejshme me aspiratat e shqiptarëve për shtet, drejtësi, dinjitet e bashkim me Europën!

A ka vërtet një mundësi për një rrugë të re të bazuar në kolegjialitet përkundër arrogancës, të bazuar në legjitimitet përkundër aleancës me korrupsionin, monopolet dhe krimin, të bazuar në konkurrencë dhe zgjedhje përkundrejt sjelljes uzurpatore, sipas së cilës zgjedhjet janë të mira derisa unë zaptoj kreun, pastaj zgjedhjet janë të këqija që unë të mbretëroj? A ka socialistë që e kanë parë fundin e rrugës së drejtimit autokratik ditën kur 81 nga 83 mandatet propagandisht të tyre u përdorën për të mbrojtur paprekshmërinë e korrupsionit në krye të qeverisjes pa llogaridhënie? A ka socialistë që besojnë në llogaridhënie, ndryshimin dhe ripërtëritjen?

Kushdo që është përfshirë në hajni në këto vite, që ka lejuar korrupsionin apo e ka relativizuar atë, duhet të hapë krahun, duhet të hapë rrugën, duke u kërkuar falje thellë e thellë të gjithë socialistëve! Për të mos lënë asnjë mëdyshje, faljen më të madhe duhet ta kërkojë Edi Rama, i cili në 2005 u përgjërua për demokraci të brendshme, një anëtar një votë dhe për luftë ndaj korrupsionit. Megjithëse u mbështet bujarisht nga e gjithë struktura e Partisë Socialiste, ai nuk arriti kurrë të bëhej një socialist, por thjesht i pa socialistët si hambar votash, duke i futur në grackën e zgjedhjes midis tij dhe Saliut. Edi Rama duhet të kërkojë falje për të gjitha kundërthëniet e tij në krye të PS-së dhe të qeverisë, që nga kriminalizimi i përbërjes së Kuvendit e deri te emërimet e horrave në qeveri, nga shkatërrimi i konceptit të shtetit e deri te largimi nga vendi i më shumë se 1 milion shqiptarëve, nga vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi e deri te pengimi i drejtësisë përmes marrjes nën mbrojtje politike të subjekteve të SPAK-ut. Tani maskat kanë rënë dhe Edi Rama ua ka borxh socialistëve dorëheqjen, lirimin e rrugës. Nëse nuk e bën, socialistët nuk mund të hidhen bashkë me të në greminën ku po i tërheq, do të dinë të zgjedhin një rrugë tjetër!

Nëse ka një fije mirënjohjeje në qenien e Edi Ramës, është koha ta shfaqë atë. Prej 13 vjetësh është kryeministër me votat e socialistëve. Asnjë pushtet nuk mund të jetë i përjetshëm! Hezitimi për t’i hapur rrugë ndryshimit tani rrezikon ta lërë partinë e Dritëro Agollit si një kujtim të bukur të një të shkuare të largët, me shumë mundësi pa anëtarë dhe pa votues. Ose PS ndryshon rrugë tani, ose një e majtë e re, e paralajmëruar nga disa prej intelektualëve më në zë të saj, do të ngrihet si alternativë e qenësishme politike. Eksperimenti dhe praktika e autokracisë kanë përfunduar me dështim, shëmti, hajni dhe tallje. Është koha për demokraci!

Si themelues dhe kryetar i parë i FRESSH-it, si një anëtar i Partisë Socialiste që prej vitit 1992, si deputet i saj i zgjedhur dy herë me votë të drejtpërdrejtë, si anëtar i zgjedhur në forumet më të larta drejtuese të saj në kohën kur zgjedhjet ishin të vërteta, do të dëshiroja të besoja te njerëzit e thjeshtë të së majtës bujare. Do të doja t’i shoh t’i japin fund përkrahjes për të keqen, sidomos në rastin kur ajo ka helmuar një pjesë të shpirtit të tyre! Do të doja t’i shoh ta rikthejnë partinë e tyre aty ku i takon, në brazdën e aspiratave të shqiptarëve për liri, paqe, barazi, dinjitet e bashkim kombëtar! Uroj që sa më parë, përfaqësuesit më të mirë të rinisë, të cilët e kuptojnë gjeneratën Z, jo klonet e zaptimit, të vijnë në krye të së majtës dhe të kontribuojnë me një mendësi të re për një Shqipëri që duhet patjetër të mbyllë tranzicionin dhe të renditet me demokracitë perëndimore si anëtare e BE-së dhe jo të kthehet mbrapsht nën zaptim! bw

“Dosjet Shqiptare” Ina Zhupa: Rama e trajton Shqipërinë si pronë private! Betonizim dhe privilegje për një grusht njerëzish

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa teksa i referohet një libri të titulluar “Dosjet Shqiptare” ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se e ka trajtuar Shqipërinë si pronë private.

 


Sipas Zhupës, kjo tregon qartë mënyrën sesi territori shqiptar është menaxhuar gjatë viteve të fundit duke favorizuar interesat e një grupi individësh në dëm të qytetarëve.

Deputetja demokrate ngriti shqetësime për mungesën e transparencës në shumë prej projekteve të përfshira në libër, duke pretenduar se në rreth 41 për qind të tyre nuk identifikohet porositësi apo zhvilluesi.

“Në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me zhvillim normal urban, por me një model të ngritur mbi mungesën e transparencës, mbi privilegjet, mbi përjashtimin e qytetarëve nga vendimmarrja dhe mbi betonizimin e territorit.

Vetë arkitektët e përfshirë në këto projekte e pranojnë atë që qytetarët kanë kuptuar prej kohësh. Ata flasin për ftesa të drejtpërdrejta nga Kryeministri. Flasin për projekte që nuk kanë kaluar përmes konkurseve. Flasin për një proces ku vizioni i një njeriu zëvendëson konsultimin publik, institucionet dhe interesin e komuniteteve lokale”, shprehet Ina Zhupa.

Deputetja demokrate përmendimi si shembuj zona si Narta, Zvërneci, Divjaka, Himara, Palasa, Gjipeja, Rana e Hedhun, Kune-Vaini, Lukova, Saranda dhe projekte të ndryshme në Tiranë, duke pretenduar se ato pasqyrojnë një model të njëjtë zhvillimi.

Zhupa kritikoi gjithashtu ligjin për Investimet Strategjike dhe ndryshimet ligjore që sipas saj kanë dobësuar mbrojtjen e zonave të mbrojtura, duke favorizuar ndërtimet në territore me rëndësi të veçantë natyrore dhe turistike.

“Ligji për Investimet Strategjike u kthye në mekanizëm për dhënien e privilegjeve të jashtëzakonshme mbi tokën publike dhe private.

Ligjin 21/2024, hoqi çdo lloj mbrojtje zonave të mbrojtura dhe e la në dorë të qeverisë për te ndërtuar ku të donte pa asnjë kufizim.

Ndaj protesta qytetare kundër këtyre ligjeve dhe kundër qeverisë po bashkon gjithnjë e më shumë njerëz. Sepse qytetarët po kuptojnë se nuk po përballen me projekte të veçanta, por me një model të tërë qeverisjeje”, thuhet në deklaratën e Ina Zhupës.

Prononcimi i Ina Zhupës

Të nderuar gazetar

Jam para jush për librin e fshehtë për shqiptarët “Albanian Files” ose “Dosjet Shqiptare”, i cili nuk është thjesht një katalog ndërtimesh po është dëshmia më e qartë se si Edi Rama e ka trajtuar Shqipërinë për vite me radhë: si pronë private, si një ekspozitë personale dhe si një territor ku vendos vetëm ai.

Një investigim serioz i Lorin Kadiu të medias citizens.al, të cilin e përgëzoj, na solli në vëmendje atë që e kishim denoncuar por nuk kishim arritur dot të kishim fakte si ky libër. Një masakër të vërtet të një Shqipërie për një grusht njerëzish, ku shqiptarët janë të humburit e mëdhenj.

Parathënia e Ramës hapet me fjalën “dosje”, të cilës ia thërret kuptimin nga dosjet e survejimit komunist, sipas tij ato janë dosjet e shkruara për njerëzit pa i pyetur. “Instrumente frike”, i quan ai,dhe pikërisht kështu janë këto plane për Shqipërinë dhe pse ai thotë që është e kundërta.

Në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me zhvillim normal urban, por me një model të ngritur mbi mungesën e transparencës, mbi privilegjet, mbi përjashtimin e qytetarëve nga vendimmarrja dhe mbi betonizimin e territorit.

Vetë arkitektët e përfshirë në këto projekte e pranojnë atë që qytetarët kanë kuptuar prej kohësh. Ata flasin për ftesa të drejtpërdrejta nga Kryeministri. Flasin për projekte që nuk kanë kaluar përmes konkurseve. Flasin për një proces ku vizioni i një njeriu zëvendëson konsultimin publik, institucionet dhe interesin e komuniteteve lokale.

Në çdo demokraci normale, transformimi i territorit bëhet përmes debatit publik, planifikimit afatgjatë dhe respektimit të interesit të qytetarëve dhe mos prekjes së zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore.  Në Shqipërinë e Edi Ramës, territori është trajtuar si një plaçkë për t’u ndarë.

Në 41 për qind të projekteve nuk identifikohet fare porositësi apo zhvilluesi.

Kjo mungesë transparence nuk është një detaj teknik. Është tregues i një kulture qeverisëse ku shqiptarët nuk konsiderohen pronar të territorit, por spektator i vendimeve që merren mbi të.

Për vite me radhë, shqiptarëve u është premtuar zhvillim, ndërsa në realitet kanë parë betonizim.

U është premtuar hapësirë publike, ndërsa kanë parë privatizim të saj.

U është premtuar mbrojtje e trashëgimisë, ndërsa kanë parë copëzimin dhe dhënien me koncesion  të saj.

Rrënimi i Teatrit Kombëtar nuk ishte thjesht shembja e një godine. Ishte simbol i një filozofie qeverisëse që e sheh kujtesën historike si pengesë për projektet e radhës.

E njëjta filozofi është shfaqur në trajtimin e trashëgimisë kulturore në Butrint ku pasuria kombëtare është trajtuar si asete që mund të transferohen, koncesionohen apo menaxhohen pa konsensusin e qytetarëve.

Paralelisht me këtë proces, është ndërtuar një regjim privilegjesh ligjore për investitorët e favorizuar.

Ligji për Investimet Strategjike u kthye në mekanizëm për dhënien e privilegjeve të jashtëzakonshme mbi tokën publike dhe private.

Ligjin 21/2024, hoqi çdo lloj mbrojtje zonave të mbrojtura dhe e la në dorë të qeverisë për te ndërtuar ku të donte pa asnjë kufizim.

Ndaj protesta qytetare kundër këtyre ligjeve dhe kundër qeverisë po bashkon gjithnjë e më shumë njerëz.Sepse qytetarët po kuptojnë se nuk po përballen me projekte të veçanta, por me një model të tërë qeverisjeje.

Një model ku vendimet merren lart dhe imponohen poshtë.

Një model ku konsultimi publik konsiderohet formalitet.

Një model ku territori shihet si mall për t’u ndarë.

Një model ku bregdeti, lagunat, zonat e mbrojtura, qytetet historike dhe hapësirat publike trajtohen si parcela të gatshme për zhvillim

Po ta lexoni këtë libër do vini duart në kokë,  Narta dhe Zvërneci, te Divjaka, Himara, Orikumi, Vlora, Palasa, Gjipeja, Rana e Hedhun, Kune-Vaini, Lukova dhe Saranda, Tirame me kullat te garda e republikës, te Stadiumin Selman Stermasi, Pallatin e Kongreseve, Jetimoren Zyber Hallulli, Pallatin e Sportit, vila qeveritare në Velipojë dhe Vlorë, kudo shfaqet e njëjta logjikë: zgjerimi i vazhdueshëm i betonit drejt zonave më të ndjeshme dhe më të vlefshme të territorit shqiptar dhe shkatërrimi i çdo trashëgimie kulturore apo natyrore.

Po flasim për qindra mijëra dhe në disa raste miliona metra katrorë zhvillim të planifikuar në brigje, laguna, parqe kombëtare dhe zona me rëndësi të jashtëzakonshme natyrore.

Po flasim për territore që u përkasin brezave të shqiptarëve dhe jo qeverive të përkohshme.

Edhe më alarmante janë indiciet që po dalin nga hetimet e SPAK, të cilat kanë ngritur dyshime serioze mbi burimin e kapitaleve që kanë ushqyer një pjesë të bumit të ndërtimeve, si dhe mbi mekanizmat e përvetësimit të pronave në zona me interes të lartë ekonomik.

Këto zhvillime e bëjnë edhe më të domosdoshme transparencën e plotë për çdo projekt, përfitues, procedurë dhe vendimmarrje. Dosjet e Shqipërisë duhet jenë indicie për dosjet e ardhshme të SPAK-ut.

Shqiptarët nuk janë kundër zhvillimit.

Shqiptarët janë kundër zhvillimit pa rregulla.

Janë kundër zhvillimit pa konsultim.

Janë kundër zhvillimit që shkatërron trashëgiminë.

Janë kundër zhvillimit që betonizon bregdetin.

Janë kundër zhvillimit që pasuron pak njerëz dhe varfëron shqiptarët.

Shqipëria nuk është ekspozita personale e Edi Ramës.

Shqipëria është atdheu i shqiptarëve.

Dhe askush nuk ka të drejtë ta projektojë, ta ndajë, ta betonizojë apo ta tjetërsojë pa pyetur qytetarët e saj.

Nga Zvërneci në Miami -Një investim luksoz, një konflikt i pazgjidhur pronësie dhe një hetim për pastrim parash kryqëzohen në Zvërnec

 

Dokumente pronësie pë Zvërnecin

Një investim luksoz, një konflikt i pazgjidhur pronësie dhe një hetim për pastrim parash kryqëzohen në Zvërnec. Historia e Artur Shehut hedh dritë mbi mënyrën se si janë fituar, transferuar dhe kontestuar disa nga tokat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.

Në një nga daljet e tij të rralla publike, Artur Shehu foli në fillim të këtij muaji për televizionin shtetëror shqiptar përmes një lidhjeje video nga Shtetet e Bashkuara, lidhur me projektin e madh turistik që po zhvillohet në veri të fshatit jugor të Zvërnecit.

Ai deklaroi se me investitorët kishte komunikuar vetëm përmes ndërmjetësve dhe se toka e kontestuar që përfshihet në këtë zhvillim të debatueshëm i përket atij. “Dua të sqaroj diçka. Këto parcela janë në pronësi të familjes sime prej shumë kohësh dhe kjo është e padiskutueshme”- tha ai.

Pak ditë më vonë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) hapi një dosje ndaj 20 personave për trafik droge dhe pastrim parash përmes investimeve në pasuri të paluajtshme në Rivierën Shqiptare.

Dokumentet gjyqësore, të cilat janë parë nga Kathimerini, përmbajnë edhe emrin e plotë të Artur Shehut. Gjithashtu u vendos sekuestrimi i 110 milionë eurove në llogarinë bankare të noterit të tij.

Kjo shumë ishte paguar më 24 prill nga kompania Albanian Land Development, e mbështetur nga interesat e bizesmenëve nga Katari mbi tokën e lidhur me investimin turistik në Zvërnec.

Ndërkohë, banorët e Zvërnecit janë të përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me Shehun, e cila kishte nisur rreth një dekadë përpara se dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, të shfaqte interes për të investuar në zonë.

“Si u shfaq ky njeri këtu? Cilat janë rrënjët e tij në këtë vend? Ku kanë jetuar babai apo gjyshi i tij? Ku është varrosur familja e tij?”- pyet njëri nga banorët e përfshirë në konfliktin ligjor për parcelat e kontestuara.

Për banorët vendas, Artur Shehu, 60 vjeç, mbetet një figurë misterioze. Ata thonë se nuk e kanë parë kurrë personalisht dhe e përshkruajnë si një njeri pa lidhje me zonën, i cili “u ka vjedhur tokat”.

Në sfondin e protestave në rritje në Tiranë kundër korrupsionit dhe elitës politike, të nxitura pjesërisht nga zhvillimi i debatueshëm në Zvërnec, rasti i Shehut hedh dritë mbi transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme në disa prej zonave më të vlefshme të bregdetit shqiptar.

Përmes dokumenteve gjyqësore dhe dëshmive të banorëve, Kathimerini përpiqet të ndjekë dhe të ndriçojë rrugëtimin e tij.

Nga forcat speciale në bizneset e Vlorës

Një nga rrëfimet më të përhapura është se Artur Shehu ka shërbyer në forcat speciale shqiptare dhe më pas ka hapur një hotel dhe kazino në Vlorë, qendra administrative e qarkut ku ndodhet edhe Zvërneci.

Sipas mediave shqiptare, në vitin 1999 dy persona u vranë në një sulm të armatosur ndaj një lokali në pronësi të tij. Një prej viktimave ishte i afërm i Shehut. Thuhet se ai u largua nga Shqipëria pak kohë më pas dhe përfitoi azil politik në SHBA në vitin 2001.

Disa vite më vonë, ai u vendos në Miami, në një vilë me vlerë rreth 3 milionë dollarë, me katër dhoma gjumi dhe pamje nga një fushë golfi, duke u paraqitur si biznesmen aktiv në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

Artur Shehu nuk iu përgjigj kërkesës së Kathimerini për koment lidhur me këtë artikull.

“Shqiponja e Zezë”

SPAK po hetonte rrjete të trafikut të drogës kur hasi në rastin e Artur Shehut. Një i afërm i tij ishte dënuar me tetë vite burg në Belgjikë për trafik droge në qershor 2024. Autoritetet belge ia dërguan dosjen, me emrin e koduar “Black Eagle” (“Shqiponja e Zezë”), prokurorëve shqiptarë.

Dokumente të ngjashme iu përcollën edhe autoriteteve gjyqësore në Spanjë. Tashmë po hetohen edhe takime të zhvilluara nga Shehu në Monako, Gjermani, Spanjë dhe Aruba. SPAK siguroi gjithashtu qasje në komunikime të platformës së koduar Sky ECC, një aplikacion i përdorur gjerësisht nga rrjete kriminale ndërkombëtare.

Sipas dokumenteve gjyqësore, një nga këto biseda, e datës gusht 2020, përfshin dy persona të lidhur me trafikun e drogës që diskutojnë për Shehun dhe mundësinë e blerjes së pronave në Zvërnec: “Im kushëri thotë që duhet të jesh në Vlorë të dielën ose të hënën. Duhet të marrim një varkë për në Zvërnec që t’i shohim ato prona. Po vijnë disa miq”.

Dosja e SPAK-ut thekson se Artur Shehu nuk ka precedentë penalë, megjithëse “ai shfaqet vazhdimisht si pronari fundor i shumë parcelave në zonën e Vlorës, të përfituara përmes dokumenteve të falsifikuara”.

Në shumicën e rasteve, dokumentet e kontestuara duket se janë tituj pronësie të dyshuar si të falsifikuar, që pretendojnë origjinë që nga periudha osmane. Në disa prej këtyre rasteve – disa ende në gjykim – nuk është Shehu ai që është proceduar apo dënuar, por bashkëpunëtorë të tij ose persona që ia kanë transferuar pronat.

Mungesa e transparencës dhe dyshimet për pastrim parash

Sekuestrimi i 110 milionë eurove të lidhura me blerjen e tokës në Zvërnec ka ngritur pikëpyetje serioze mbi burimin e fondeve dhe transparencën e transaksionit. Për opozitën, aktivistët dhe një pjesë të opinionit publik, çështja e ka tejkaluar tashmë debatin për pronësinë e tokës dhe është shndërruar në një test për mënyrën se si funksionon sistemi i kontrollit të kapitalit në Shqipëri.

Fakti që pagesa për tokën ndodhet në qendër të një hetimi të SPAK-ut ka ushqyer dyshimet për pastrim parash dhe përfshirjen e interesave të paqarta financiare në një nga projektet më të mëdha turistike të viteve të fundit.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, mungesa e transparencës mbi transaksionet dhe pronësinë reale të parcelave mbetet një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga kritikët e projektit.

Beteja ligjore

Konflikti ligjor i banorëve të Zvërnecit me Artur Shehun përmendet gjithashtu në dosjen e SPAK-ut. Ajo përfshin fitoren e banorëve në gjykatë në vitin 2013 dhe ndërlikimet që e pasuan. Në vitin 2014, Gjykata e Apelit në Vlorë vendosi që çështja të rigjykohej nga një trupë tjetër gjyqësore.

Tre vite më vonë u konstatua se gjykata nuk kishte juridiksion për ta shqyrtuar çështjen. Më pas ajo kaloi në Gjykatën e Lartë në Tiranë dhe u rikthye sërish në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë. Deri më sot, çështja nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe të formës së prerë.

“Ne duam vetëm toka tona”– thotë Panajot Subashi gjatë vizitës së Kathimerini në Zvërnec. Ai tregon një dokument të zverdhur nga koha, që dëshmon se në vitin 1991, pas rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës, toka shtetërore iu shpërnda banorëve sipas Ligjit 7510.

“Po presim vendimin e gjykatës. Vetëm Zoti e di çfarë do të ndodhë”- shton ai. Sot në Zvërnec kanë mbetur më pak se 150 banorë. Shpopullimi i fshatit është i dukshëm në shtëpitë e mbyllura dhe oborret e mbuluara nga barërat e këqija.

Megjithatë, lidhja e tij me projektin e debatueshëm turistik të Jared Kushner dhe Ivanka Trump e ka vendosur fshatin në hartën ndërkombëtare. Që kur historia u bë publike, ekipe televizive nga Gjermania, SHBA-ja dhe vende të tjera e kanë vizituar zonën.

“Flamingot” e Tiranës

Në kryeqytetin shqiptar, i njëjti ritual po përsëritet çdo mbrëmje që nga fillimi i qershorit.

Shitës ambulantë vendosin stenda me flamuj shqiptarë përgjatë bulevardit që të çon te zyra e kryeministrit, ndërsa turma gjithnjë e më të mëdha mblidhen në rrugë.

“Revolucioni i Flamingove”, siç është quajtur, nuk është më thjesht një lëvizje mjedisore. Ai është shndërruar në një lëvizje kundër establishmentit, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen si të qeverisë, ashtu edhe të opozitës.

Franc Gripshi, 29 vjeç, emigrant në Mynih dhe punonjës në një kompani që mbledh të dhëna satelitore, u kthye së fundmi në Shqipëri për të marrë pjesë në protesta. “Problemet që më detyruan të largohem nga vendi para 10 vitesh mbeten ende të pazgjidhura. Sistemi arsimor nuk funksionon si duhet dhe tregu i punës është në gjendje të mjerueshme. Dua ndryshim politik”- thotë ai për Kathimerini.

Agron Shehaj, deputet opozitar dhe kryetar i Partisë Mundësia, merr pjesë gjithashtu çdo ditë në protestë. “Protestat mund të jenë nxitur nga shqetësimet për mungesën e transparencës rreth projektit të Zvërnecit, por ato janë shndërruar në diçka shumë më të madhe”- deklaron ai.

“Asnjëherë më parë kaq shumë shqiptarë nuk kanë dalë në rrugë në mënyrë kaq paqësore dhe të vendosur. Ata kërkojnë ndryshim të sistemit. Duan fundin e një modeli të korruptuar qeverisjeje, të ndërtuar mbi shkëmbimin e favoreve mes politikanëve, oligarkëve dhe rrjeteve të krimit të organizuar”– nënvizon ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka këmbëngulur se investimi në Zvërnec do të vazhdojë sipas planit, pavarësisht protestave, shqetësimeve mjedisore dhe ngrirjes së fondeve të përdorura për blerjen e tokës. Ai deklaron se mbrojtja e mjedisit mbetet prioritet i qeverisë dhe pretendon se protestat po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë jashtë vendit.

Taverna “Ivanka”

Larg Tiranës, turistë të shumtë në Zvërnec – disa me motorë katërrotësh, të tjerë me autokamper – vazhdojnë të shijojnë brigjet e Adriatikut. Projekti turistik i planifikuar ka lënë tashmë gjurmët e para.

Gardhi me tela me gjemba që rrethonte tokën e kontestuar është hequr, megjithëse bazamentet prej betoni që e mbanin qëndrojnë ende aty. Një rrugë e improvizuar me zhavorr përgjatë plazhit, e ndërtuar para pezullimit të punimeve, është ende e dukshme.

Por ka edhe shenja më të fshehta që sugjerojnë se ndryshime të mëdha mund të jenë në horizont për këtë rajon ende të paprekur. Në pyllin e dendur me pisha, disa kilometra larg Zvërnecit, tabela e parë që bie në sy të vizitorëve mban një emër jo fort të zakonshëm për Shqipërinë: “Taverna e Peshkut Ivanka”./ Përshtati “Pamfleti” Nga “Kathimerini”

Send this to a friend