VOAL

VOAL

Kush është Shqipe Mjekiqi, nënkryetarja e re e LDK-së

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka aprovuar me shumicë votash propozimin e Lumir Abdixhikut për emërimin e nënkryetarëve të rinj të partisë dhe sekretarit organizativ.

Anton Quni, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri dhe Shqipe Mjekiq janë zgjedhur nënkryetarë derisa Imri Ahemti në pozitën e sekretarit organizativ.
Por kush është Shqipe Mjekiqi nënkryetarja e re në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Mjekiqi është e lindur më 10 mars të vitit 1985, Prishtinë.

Siç mëson Gazeta Express ajo ka qenë këshilltare e Fatmir Sejdiut gjatë kohës sa ka qenë president i Kosovës dhe këshilltare e Skënder Hysenit gjatë kohës sa ky i fundit ka drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Mjekiqi siç ka treguar edhe në profilin e saj zyrtar në ‘facebook’, ka studiuar për shkenca politike në Kolegjin e Triniti në Dublin dhe në universitetin e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Sociale.

Ajo aktualisht është ligjëruese në një universitet privat në Kosovë dhe përveç gjuhës shqipe flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe komunikon në gjuhët frënge, italiane, spanjishte, dhe serbo-kroate.

Anton Quni, Gazmend Muhaxheri e Lutfi Haziri zgjidhen nënkryetarë të LDK-së

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti ka njoftuar se Anton Quni, Gazmend Muhaxheri, Lutfi Haziri dhe Shqipe Mjekiqi janë katër nënkryetarët e rinj të LDK-së, shkruan Gazeta Express.

“Nënkryetarë janë: Anton Quni, Gazmend Muhaxheri Lutfi Haziri dhe Shqipe Mjekiqi”, ka thënë ai.

Në ndërkohë Imri Ahmeti është zgjedhur sekretar organizativ i kësaj partie.

Sot Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur edhe për emrat e Kryesisë së partisë.

Këta emra pritet që të bëhen publik sot gjatë ditës.

Fuqia e Listës Serbe rezultat i mosmarrëveshjeve të partive shqiptare

Bekim Bislimi

Fuqia e Listës Serbe për të ndikuar proceset politike në Kosovë, do të varet nga raportet ndërmjet subjekteve politike shqiptare dhe qasjes së tyre për formimin e përbërjeve të reja të institucioneve të larta të vendit, vlerëson Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica.

Se cila do të jetë fuqia e Listës Serbe për të arritur qëllimet në kuadër të institucioneve të Kosovës, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, do të varet nga ndarja e resorëve dhe përbërja e qeverisë së ardhshme, thotë Verolub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”.

Më 16 mars, përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pretendon një mandat të plotë në këtë pozitë, si dhe me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është kandidati i kësaj partie për kryeministër të vendit.

Pas takimit, Lista Serbe nuk ka precizuar nëse deputetët e saj, të cilët kanë siguruar të dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në kuvend, do ta votojnë ose jo qeverinë apo presidentin e ri.

Pas takimit me Kurtin dhe Osmanin, përmes një njoftimi për media, Lista Serbe ka thënë se si përfaqësuese legjitime e komunitetit serb, është e “gatshme për konsultime dhe bisedime me qëllim të avancimit të kushteve në të cilat jetojnë serbët në Kosovë dhe se të gjitha partitë e tjera, që ndajnë këto qëndrime, do ta kenë Listën Serbe për bashkëbiseduese”.

Gjatë qeverisjes së kaluar të Kurtit, e cila zgjati 50 ditë, Lista Serbe pati marrë një ministri, e cila i garantohej me kushtetutë, por ajo nuk ishte pjesë e koalicionit qeverisës.

Zgjedhja e presidentit, rast për imponime nga Lista Serbe

Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica, në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar për deputete në kuadër të Iniciativës qytetare “Për liri”, por nuk ka arritur të bëhet deputete. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e Listës Serbe për ta shtuar ndikimin e saj politik në institucionet e Kosovës, janë parë pikërisht gjatë zgjedhjeve. Një gjë e tillë është faktuar, siç thotë ajo, edhe me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe të Gjykatës Supreme, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas saj, Lista Serbe është përpjekur që përmes votave të orkestruara të serbëve në komunat ku ata janë shumicë në Kosovë, të sigurojë mandate për deputetë për subjektet politike të komuniteteve tjera joshumicë, në mënyrë që më pas të ketë lojalitetin e tyre në, siç e quan ajo, “lojën me numra”, në kohën kur do të zgjedhet presidenti i vendit. Por, sipas saj, fuqia e Listës Serbe mund ta ketë shtratin tek mosmarrëveshjet ndërmjet subjekteve politike shqiptare.

“Në qoftë se partitë shqiptare do të bëjnë shantazhe gjatë zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe në qoftë se atë hapësirë e shfrytëzon Lista Serbe, që përmes votave të saj të përmbushë disa kuota për zgjedhjen e presidentit, si dhe në këtë mënyrë të nxjerrë përfitime për vete, atëherë kjo është çështje për zotëri Kurtin. Pra, a do ta pranojnë ai dhe zonja Osmani këtë apo do të shkojnë drejt asaj që me pakicat tjera dhe partitë shqiptare të gjejnë kompromis për kompletimin e institucioneve të Kosovës”, tha Trajkoviq.

Ajo shtoi se për mendimin e saj, do të ishte mirë dhe e dëshirueshme që në krye të institucioneve të vendit, qoftë në presidencë, qoftë në krye të qeverisë, të vijnë njerëz që nuk kanë qenë më herët në pushtet dhe ndaj të cilëve nuk mund të bëhet shantazh. Të tillët, sipas saj, nuk do të lejonin ndikime në zhvillimet politike në Kosovë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit, siç thotë ajo, “është duke i perënduar karriera politike”.

Petroniq: Lista Serbe e gatshme për bashkëpunim

Verolub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga bisedat që Lista Serbe ka pasur me Kurtin dhe Osmanin, nuk janë specifikuar detajet. Por, sipas tij, në një mënyrë Lista Serbe e kanë bërë të ditur se nuk do të pengojë formimin e qeverisë dhe nga kjo del se përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, nuk janë shumë të interesuar se çfarë përbërje do të ketë qeveria e re, marrë parasysh që një vend ministror e kanë të garantuar me kushtetutë, në rast se ekzekutivi do t’i ketë 12 dikastere. Megjithatë, sipas tij, sikurse edhe në të kaluarën, kundërshtimet e Listës Serbe ndaj qeverisë do të vazhdojnë.

“Me siguri që ato do të ekzistojnë. Por, vetë fakti që përfaqësuesit e Listës Serbe kanë shkuar për të biseduar me Kurtin dhe me zonjën Osmani, flet se ata janë të gatshëm që të bashkëpunojnë sikurse edhe më parë”, tha Petroniq.

Pretendenti i vetëm aktualisht për kryeministër, Albin Kurti, më herët ka theksuar se nuk do të ketë koalicion qeverisës me Listën Serbe. Kurti këtë subjekt e ka konsideruar si dorë të zgjatur të Beogradit zyrtarë në Kosovë.

Trajkoviq: Lista Serbe ka humbur adutin e shantazhit

Por, a do ta ketë fuqinë e ndikimit Lista Serbe për të realizuar synimet e saj politike, duke mos qenë pjesë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje?

Rada Trajkoviq shpreh mendimin që Lista Serbe do ta humbë fuqinë e ndikimit të saj, si dhe adutin me të cilin i ka shantazhuar qeveritë e deritashme, të cilat krijoheshin me koalicione, se do t’i tërheqnin serbët nga të gjitha institucionet e Kosovës në veri të vendit, në rast se nuk do të ishin pjesë e pushtetit.

“Unë mendoj që ajo (Lista Serbe) duhet ta humbë fuqinë dhe gjithsesi që do ta humbë. Por, në anën tjetër, mendoj që fuqinë më të madhe do ta humbte në qoftë se organet e Kosovës që merren me kriminalitetin, do të hynin në projektin e verifikimit të shpenzimit të parave të buxhetit në komunat me shumicë serbe. Kjo do të krijonte hapësirë që edhe disa serbë të tjerë, në perspektivë, në të ardhmen e afërt, të kenë shansin që të zëvendësojnë Listën Serbe”, tha Trajkoviq.

Se cila do të jetë fuqia e ndikimit të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, sipas Verolub Petroniqit, mbetet të shihet pas formimit të qeverisë.

“Do të shohim se si duket kjo, sepse ne ende nuk kemi një pasqyrë se si do të duket qeveria e ardhshme. Vetëm kur të arrijmë te shpërndarja e disa posteve, do të shohim se sa do të ketë Lista Serbe fuqi të ndikimit në skenën politike të Kosovës. Më e besueshme është që do të mbetet jashtë (koalicionit) qeverisës. Por, nëse do të ketë disa përmbytje, këtë do ta shohim shumë shpejt”, theksoi Petroniq.

Lista Serbe, e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi zyrtar, që nga formimi i saj në vitin 2014 e më pas, ka fituar bindshëm votat e komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, duke i siguruar të 10 vendet e garantuara për komunitetin serb në kuvend.

Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës miraton huan për Kosovën, 25 milionë euro për blerjen e vaksinave kundër COVID-19

Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB) ka miratuar dhënien e huas shtesë prej 25 milionë eurove, për të mbështetur autoritetet e Kosovës në blerjen e vaksinave kundër koronavirusit, për gati 50 për qind të popullsisë.

Kjo hua do të mbulojë edhe koston për materialet shpenzuese, bashkë me harxhimet lidhur me shpërndarjen e vaksinave dhe pajisjeve mjekësore.

Kosova pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Me këtë hua të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Kosova besohet se do të mund të blejë vaksina për 50 për qind të popullsisë.

Guvernatori i kësaj banke, Rolf Wenzel ka thënë se Banka për Zhvillim është e lumtur që do të mund të ndihmojë Kosovën në përgjigjjen e saj ndaj pandemisë, si dhe të adresojë qasjen jo të barabartë në vaksina.

“Kjo gjë nuk është thelbësore vetëm për të tejkaluar krizën aktuale me pandeminë, por edhe për të zbutur pabarazitë sociale dhe ato ekonomike në rritje, si pasojë e pandemisë”.

Kjo hua sigurohet pas një marrëveshjeje prej 35 milionë eurosh, të nënshkruar në gusht të vitit 2020 në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Bankës për Zhvillim, me qëllim të mbulimit të shpenzimeve të nxitura nga pandemia.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit. Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.

Abdixhiku paralajmëron takim të ri për kandidaturën e Osmanit për presidente

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë të premten, se javën e ardhshme do takohet me pretendenten për pozitën e presidentit në Kosovë Vjosa Osmani, për të diskutuar pozicionin e saj karshi disa çështjeve.

Ai i ka bërë këto komente pas takimit që ka pasur me ushtruesen e detyrës së presidentit Vjosa Osmanin dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Ai ka përmendur se LDK-ja është e interesuar për qasjen e Osmanit ndaj partisë që drejton Abdixhiku, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, partive opozitare dhe nismës së saj të paralajmëruar politike.

Sipas tij, LDK-ja është e interesuar për një kandidat për president, që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Kemi përfunduar takimet me LVV-në, sepse pozicionet tona janë të qarta. Ne jemi në opozitë, ata janë në pozitë. Ne do të jemi opozitë aktive dhe alternativë e re në të ardhmen”, ka thënë Abdixhiku pas takimit.

Ai ka thënë se LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e së hënës kur pritet të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi për seancat tjera.

Sipas Abdixhikut gjithçka do të varet nga vendimet që marrin organet e partisë së LDK-së.

“Nesër e kemi mbledhjen brenda partisë dhe do ta formojnë kryesinë e re. Unë do të prezantoj detajet e këtij takimi”, ka thënë mes tjerash ai.

Abdixhiku ka përsëritur sërish të premten se partia që drejton ai nuk është e interesuar të shkaktojë destabilizim politik.

Për dallim nga Abdixhiku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj ka qenë të enjten më i drejtpërdrejtë sa i përket kandidaturës së Osmanit për presidente.

Ai e ka quajtur Osmanin figurë përçarëse dhe ka thënë se PDK-ja nuk ka votë për të.

Po të enjten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që drejton ai, do të jetë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Për secilën seancë tjetër, Haradinaj ka thënë se grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç.

Ditë më parë, Haradinaj ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. rel

Lumir Abdixhiku thërret Këshillin e Përgjithshëm, nesër zgjidhet kryesia e re

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thirrur mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, për ditën e nesërme në ora 14:00, shkruan Express.

Në rend të ditës do të jenë, platforma e Kryetarit të ri të LDK-së dhe Zgjedhja e Kryesisë.
Po ashtu, kujtojmë se kryetari Abdixhiku pritet sot të mbaj një takim konsulativ me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti dhe me kandidaten për presidente Vjosa Osmani.

Lumir Abdixhiku të dielën u zgjedh kryetari më i ri i Lidhjes Demokratike pas dorëheqjes së Isa Mustafës pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

PDK dhe AAK thonë se nuk do të qëndrojnë në Kuvend kur të votohet Vjosa Osmani për presidente

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk do të qëndrojnë në Kuvend kur të votohet Vjosa Osmani për presidente.

Haradinaj, që bëri të ditur gjatë zgjedhjeve se kandidoi për president, ka përsëritur deklaratat e tij se është detyrë e VV’së si parti fituese që të sigurojë votat edhe për presidentin.
Këto komente ai i ka bërë në RTV Dukagjini.

Të njëjtat deklarata i ka bërë edhe nënkryetari i PDK’së, Xhavit Haliti.

Xhavit Haliti, nënkryetar i PDK-së dhe deputeti i zgjedhur nga kjo parti ka konfirmuar se partia të cilës ai i takon dje ka marrë vendim unanim që mos të merr pjesë në seancën e Kuvendit ku do të shpaloset kandidatura për president, respektivisht kandidatura e Vjosa Osmanit.

“Vjosën e kom pas kolege edhe në kohën kur ka punuar në kabinetin e zotit Sejdiu. Ka përvojë legjislative, por politika i ndanë njerëzit dhe partitë ka qëndrime të kundërta”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, nëse Lëvizja Vetëvendosje i merr tri pozicionet më të rëndësishme të shtetit, atëherë nuk mund të themi se kemi shtet demokratik.

“Pse duhet lënë pozitën e presidentit për opozitën, ose të kemi një president konsensual. Në vijmë nga një mendësi e tillë politikë, që domosdoshmërisht duhet ta shkatërrojmë kundërshtarin, mos ta përfillimin dhe të ndërtojmë të vetëm institucionet”, ka shtuar Haliti.

“Nëse duam ta zbatojmë një rregull që e ka imponuar Kushtetuesja, duke e kushtëzuar qëndrimin e deputetëve në seancë, mendoj se deputeti duhet të prezent në çdo situatë në Parlamentin e Kosovës, përjashtuar disa raste të caktuar nëse nuk janë dakord me atë që ndodh”, ka thënë Haliti.

Abdixhiku: LDK-ja synon shmangien e zgjedhjeve të reja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë të enjten se, partia që ai drejton, synon të shmangë zgjedhjet e reja në Kosovë.

“LDK-ja synon t’i shmangë zgjedhjet. LDK-ja synon të kontribuojë në formimin e institucioneve dhe LDK-ja synon që këto institucione të jenë demokratike, por edhe t’i përfaqësojnë të gjitha partitë politike, në veçanti pozita e presidentit”, ka deklaruar ai para gazetarëve.

Zgjedhjet e shpeshta ai i ka cilësuar të mërzitshme dhe të kushtueshme për Kosovën.

Lidhur me unitetin e deputetëve të LDK-së, sa i përket votimit për pozitën e presidentit në Kuvendin e Kosovës, ai ka thënë se për këto çështje duhet diskutuar fillimisht me organet e partisë.

“Besoj që gjatë vikendit do t’i formojmë organet e partisë, siç është kryesia e partisë, dhe aty e marrim vendimin për të gjitha çështjet, në koordinim të plotë me grupin parlamentar të LDK-së”.

Sa i përket propozimit të ndonjë emri për pozitën e presidentit, nga ana e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se rëndësishme është që fillimisht të mbahet takimi i planifikuar për të premten në mes të tij dhe ushtrueses së detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit të zhvilluar me zëvëndëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, i cili ka nisur po këtë ditë vizitën e tij në Kosovë, me qëllim të diskutimit të procesit të regjistrimit të popullsisë së diasporës.

Abdixhiku ka thënë se me Grubin kanë diskutuar marrëdhëniet mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut dhe ka ftuar diasporën që të ndihmojë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë brenda Maqedonisë së Veriut pritet të nisë më 1 prill.

Sipas regjistrimit të fundit, Maqedonia e Veriut ka rreth 2 milionë banorë, prej tyre, 25.17 për qind janë shqiptarë.

Përqindja e popullatës shqiptare lidhet edhe me të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutë, siç është ajo e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kjo pasi në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut gjuha shqipe përkufizohet si gjuhë, të cilën e flasin më shumë se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. rel

Spitalet në Kosovë drejt kolapsit, në gjithë vendin ka mbi 11 mijë raste aktive me COVID-19

KOSOVA

Kosova po përballet me një valë të re infektimesh, teksa problemi më i madh qëndron tek spitalet.

Kapaciteti i këtyre të fundit po shkon drejt fundit, teksa në vend shënohen plot mbi 11 mijë raste aktive me COVID-19.

Drejtori i Klinikës Infektive dhe infektologu, Izet Sadiku e konfirmon së spitalet po shkojnë drejt kolapsit, pasi vetëm dy javët e fundit numri është rritur me 300. bw

LDK, AAK e PDK i dalin kundër Vjosa Osmanit, nuk e votojnë për presidente

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vendosur që të mos e mbështesin për presidente Vjosa Osmanin. Në të njëjtën vijë është deklaruar ditë më parë pas takimit me Osmanin dhe Kurtin edhe Ramush Haradinaj që po synonte të garonte për karrigen më të rëndësishme të shtetit. Deri më tani, sipas burimeve, seanca për të votuar presidentin e ri është paraparë të mbahet në javën kur votohet edhe Qeveria e re, mëson Gazeta Express.

Java e ardhshme pritet të jetë përfundimtare sa i përket krijimit të institucioneve të reja. Të hënën, pak orë pas konstituimit të Kuvendit pritet të thirret edhe seanca për votimin e Qeverisë së re.

 

Gjatë të njëjtës javë është paraparë që të thirret seanca edhe për të votuar presidentin e ri.

Mirëpo, Vjosa Osmani që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk po e merr edhe përkrahjen e opozitës për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Ishte Ramush Haradinaj i pari nga partitë opozitare që tha se AAK-ja nuk e mbështet VV-në, sepse në këtë mënyrë pushteti do të koncentrohej në një parti të vetme.

“Deri tash VV së bashku me Lëvizjen Guxo, ka marr shumicën e votave për të qeverisur me vendin, por nuk i kanë dy të tretat për zgjedhjen e presidentit. Po tash ta shohim se si do të veprojnë për ta zgjedhur këtë situate, pasi që edhe qeveria varet nga kjo. VV nuk i ka fituar zgjedhjet për të shkuar në zgjedhjet, por për të qeverisur me vendin. Ne nuk do t’i japim përkrahje VVsë për ta koncentruar pushtetin te një partie e vetme”, tha ai.

Një takim për të vendosur lidhur me çështjen e presidentin e kanë mbajtur edhe në Partinë Demokratike të Kosovës që po udhëhiqet nga Enver Hoxhaj.

Pas disa orë mbledhje, në organin më të lartë të PDK-së është marrë vendim që ky subjekt të mos e votojë Osmanin për kryetare të shtetit.

“Njëri prej vendimeve të rëndësishme është që KD i PDK në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Osmani për të qenë presidente”, tha Hoxhaj.
Enver Hoxhaj pas takimit me Këshillin Drejtues të PDK-së

Se nuk votojnë Vjosa Osmanin për presidente ka thënë mbrëmë edhe ish-partiaku i saj në LDK, Lumir Abdixhiku që tashmë është emëruar si kryetar i partisë.

Ai ka thënë se nuk do të jenë pjesë e Qeverisë dhe nuk votojnë president partiak.

“LDK nuk do jetë pjesë e qeverisë, sa jam unë kryetar, LDK nuk do të jetë në qeveri, do të jem opozitë, do te merrem me rikthimin e LDK-së, në korrigjimin e gabimeve që kemi pasë duke synuar ruajtjen e nivelit demokratik në vend. Çdo pretendent për president duhet të qartësojë se çfarë pozicioni ka ndaj LDK-së, është pozicion, urryes, apo neutral, sepse presidenti këtë punë ka”, ka thënë ai.

“Ne synojmë të ndërtojmë institucione, synojmë t’i shmangim zgjedhjet se qytetarët janë lodhur me zgjedhje, kërkojmë që pozita e presidentit të jetë e pavarur. Nuk po e personalizojë Hashim-Vjosë sepse po të ishte në nievl personal, zgjedhja do të ishte e thjeshtë. Kemi pasur president partiak sikurse Thaçit, nuk duam prapë një president partiak, presidenti duhet të ketë neutralitet”, ka përfunduar Abdixhiku.

Vjosa Osmani do të nominohet për presidente, derisa, për këtë çështje e njejta ishte dakorduar me Kurtin gjatë nënshkrimit të marrëveshjes parazgjedhore.

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh

Si ndodhi vrasja e të riut në Deçan nga djali i pronarit dhe si e ndryshoi veprën prokurori

Agonis Tetaj ishte në vendin e tij të punës, kur u qëllua për vdekje nga Shaban Gogaj, djali i pronarit të kompanisë në të cilën po punonte viktima. Gogaj ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërkaq këtë të martë prokurori i rastit, Agron Uka, e ka ricilësuar veprën penale si “Vrasje nga pakujdesia”. Express ju sjell detaje nga aktakuza.

Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur mesditën e 23 shtatorit të vitit 2018 në në Deçan. Aty, 18-vjeçari Shaban Gogaj, kishte qëlluar për vdekje punonjësin 29-vjeçar, Agonis Tetaj, nga fshati Llukë i Deçanit.

Tetaj kishte mbetur i vdekur në vend, ndërkaq Gogaj i cili ishte 18-vjeçar atë kohë, ishte arrestuar menjëherë në vendngjarje.

Sipas aktakuzës, krejt kjo ngjarje kishte ndodhur menjëherë pasi Shabani kishte marrë një telefonatë nga N.M, ku sipas Prokurorisë kjo telefonatë e acaroi atë.

Në aktakuzë shkruan se në momentin kur Shaban Gogaj shkrep plumbin, Agonis Tetaj, ndodhej ndërmjet dy kolegëve te tij.

Plumbi e kishte goditur në fytyrë, konkretisht në mollëzën e djathtë. Predha e plumbit i kishte kaluar në pjesën e prapme të qafës, e cila i ka shkaktuar gjakderdhje të jashtme dhe të brendshme në cipat e buta të trurit dhe trurit të vogël, si rrjedhojë Agonis Tetaj kishte pësuar vdekje të menjëhershme.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Shaban Gogaj, me dashje e kishte privuar nga jeta viktimën Agonis Tetaj.

Gogaj ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërkaq këtë të martë prokurori i rastit, Agron Uka, e ka ricilësuar veprën penale si “Vrasje nga pakujdesia”.

Pas rikualifikimit të veprës, i akuzuari Shaban Gogaj, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë. Ndërkaq prokurori Uka ka deklaruar se te i pandehuri Gogaj, nuk ishte provuar dashja për kryerjen e vrasjes së të ndjerit Tetaj, e as ndonjë motiv apo qëllim për kryerjen e kësaj vepre.

“Nuk është argumentuar elementi i dashjes për vrasje e as për vrasje të rëndë. Duke u bazuar në nenin 7 të KPRK-së dhe në rast të dyshimit, duhet të veprohet në favor të pandehurit, pikërisht në këto rrethana dhe fakte dhe dispozita ligjore në fuqi, bëjmë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka deklaruar Uka.

E për këtë, babai i Agonisit, Isuf Tetaj, ka dërguar një letër publike në të cilin po e akuzon prokurorin Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.

“Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjygjësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka shkruar Isuf Tetaj në letrën e tij.

Tetaj në letrën të cilën ua ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, ambasadorit të SHBA’së në Kosovë Philip Kosnett, ambasadorit të Britanisë në Kosovë Nicholas Abott dhe atij të Gjermanisë, Joern Rohde, ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.

Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.

Ndryshe, përveç Gogajt, për armëmbajtje pa leje, akuzohet edhe i pandehuri Isuf Cacaj.

Këtë çështje penale e përfaqëson Prokuroria e Gjilanit, pasi Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit.

Fillon regjistrimi i deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës

120 deputetë të Kuvendit, filluan regjistrimin për Legjislaturën Vlll

 

Deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë kanë filluar me procesin e regjistrimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

120 deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës, kanë filluar me procesin e regjistrimit për Legjislaturën Vlll të këtij institucioni, në hollin e objektit të Kuvendit, në Prishtinë.

Për shkak të numrit më të madh të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit, të parët që kanë filluar me procesin e regjistrimit si deputetë të rinj janë ata nga Lëvizja Vetëvendosje.

Më pas, në këtë proces që do të zgjasë deri të premten, do të regjistrohen deputetë e partive tjera, me radhë të bazuar në numrin e deputetëve të fituar.

Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë, Lista Serbe ka siguruar 10 vendet e rezervuara për minoritetin serb.

Nga minoritetet tjera joserbe Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka siguruar 2 deputetë dhe nga 1 deputet kanë siguruar Koalicioni Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Romani Iniciativa, Nova Demokratska Stranka, Social Demokratska Unija, Jedinstvena Goranska Partija, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Kryesia e vjetër e Kuvendit, vendosi të martën që pas regjistrimit të deputetëve të rinj, seanca konstituive të mbahet më 22 mars, seancë e cila simbolikisht do të “kryesohet nga deputeti më i vjetër dhe deputeti më i ri”.

Kjo seancë do t’i ketë tre pika të rendit të ditës: Formimin e komisionit për verifikimin e mandateve; Dhënien e betimit të deputeteve dhe Zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Përgjatë kësaj jave, kandidati për kryeministër njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kandidatja për presidente nga kjo parti Vjosa Osmani, kanë takuar krerë të partive shqiptare dhe atyre nga minoritetet për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja.

Kurti në konsultime me komunitetet për qeverinë

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë vazhduar të martën takimet konsultative me përfaqësuesit e komuniteteve në Kosovë lidhur me krijimin e institucioneve të reja.

Dy përfaqësuesit e komunitetit turk që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ende nuk kanë vendosur nëse do të votojnë qeverinë e re të Kosovës.

Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke, pas takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ushtruesën e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, tha se ai bashkë me deputeten tjetër nga rradhët e këtij komuniteti do të qëndrojnë në sallë për votimin e presidentit, mirëpo bisedimet për votimin e qeverisë së re do të vazhdojnë deri të premten.

Ai tha se ky komunitet kërkon një post ministror si dhe i kanë parashtruar edhe disa kërkesa tjera. Sipas Damkës, në takim është diskutuar edhe një lidhje me hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Turqia e ka kritikuar Kosovën për këtë veprim.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik. Hapja e saj pason vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

Damka tha se qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me këtë sfidë.

“Ne do ta përcjellim këtë sfidë në qeverinë e ardhshme, por varet nga vullneti i saj si do të veprojë për këtë cështje, por ne si dy deputetë do të jemi pranë që të ketë zgjidhje të përbashkët me BE-në, OKB-në, vendet tjera dhe Turqinë në lidhje me ambasadën”, tha Damka pas takimit me Kurtin dhe Osmanin.

Emilija Rexhepi nga partia boshnjake “Partia e re demokratike”, tha pas takimit se do ta përkrahë Qeverinë Kurti 2, si dhe zgjedhjen e Osmanit për presidente. Rexhepi ka fituar një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, Rasim Demiri nga koalicioni Vakat, tha se ata asnjëherë nuk kanë qenë pengesë në formimin e institucioneve të reja. Megjithatë, Demiri, tha se ata kanë disa kërkesa për komunitetin boshnjak.

Sipas Demirit, përfaqësuesit e këtij koalicioni do të takohen dhe do të marrin një qëndim e më pas do të takohen sërish me Kurtin, për të diskutuar për kërkesat e tyre. Megjithatë, ai theksoi se këto kërkesa, nuk janë kushte për qeverinë e ardhshme.

“Javën e ardhshme ne po presim që të kemi tri votime: votimin e kuvendit, qeverisë dhe presidentit”, tha Demiri, i cili theksoi se as në rastin për zgjedhjen e presidentit, nuk do të bëhen pengesë.

Ndërkaq, Duda Bale, deputete e zgjedhur nga partia nga komuniteti boshnjak, Unioni Socialdemokrat, tha se ajo do ta votojë edhe qeverinë, por edhe për zgjedhjen e Osmanit në postin e presidentit.

“Menjëherë kemi marrë dritën e gjelbër për kërkesat që kam pasur për boshnjakët këtu në Kosovë, por edhe për të forcuar lidhjet edhe me boshnjakët në Bosnje dhe ata në shtetet e rajonit”, tha Bale, pas takimit konsultativ .

Edhe deputeti i zgjedhur Elbert Krasniqi nga radhët e komunitetit egjiptian është shprehur se do të votojë qeverinë e re si dhe Vjosa Osmanin për presidente.

Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, pas takimit me Kurtin dhe Osmanin tha se kërkojnë që sa më shpejt të formohen institucionet e reja. Ai tha se ata kanë kërkuar që të jenë pjesë e qeverisë, por nuk tregoi nëse kjo parti ka kërkuar post të ministrit.

“Për presidentin, patjetër”, tha Rrahmani kur u pyet nëse do ta votojnë Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës.

Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, pas takimit konsultativ, tha se partia e tij do të votojë për ta zgjedhur Kurtin kryeministër e Osmanin presidente.

Osmani dhe Kurti të hënën zhvilluan takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me formimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ndëkaq, për të premten është paraparë edhe takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.

Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat partia e Kurtit shënoi fitore bindëse, për 22 mars është caktuar mbajtja e seancës konstituive të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Përveç konstituimit të kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë, deputetët duhet të zgjedhin edhe presidentin e ri të vendit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Daut Haradinaj dorëhiqet nga posti i deputetit: Do të angazhohem në terren, kemi zgjedhje këtë vjeshtë

Vëllai i Ramush Haradinajt, Daut Haradinaj është dorëhequr nga posti i deputetit vetëm pak javë pasi u zgjodh.

Daut Haradinaj thotë se do ia lirojë mandatin Shemsedin Dreshajt, pasi këtë vjeshtë ka zgjedhje dhe ai do të angazohet nëpër komuna në terren.

Ai thotë se AAK do të jetë shumë më e konsoliduar dhe përgatitur këtë vjeshtë.

 

STATUSI NGA DAUT HARADINAJ

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, votues të AAK-së!

Dëshiroj të ju falënderoj për besimin e dhënë tash e sa mandate, besim të cilin jam munduar ta kryej me nder duke qenë zëri juaj në Kuvend.

Tash ne rrethanat e reja që jemi, do heqë dorë nga ky mandat për t’i krijuar hapësirë Prof.Dr Shemsedin Dreshajt të jetë deputet, dhe për të pasur mundësi kohore që të jem më prezent nëpër komunat tona edhe për faktin se do kemi zgjedhje në këtë vjeshtë. Po ma kërkon struktura angazhimin në terren dhe nuk dua t’a bëj punën në terren në dëm të mandatit të popullit.

Kolegëve të mi ju dëshiroj suksese në këtë legjislaturë.

Do jemi shumë më të konsoliduar dhe më të përgatitur këtë vjeshtë.

Fituesit të këtyre zgjedhjeve ju uroj suksese.

I juaji,

Daut Haradinaj

Hoxhaj për presidentin: Para se të flitet për personin, duhet të flitet për parime

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë të hënën se ka pasur një takim shumë të mirë me ushtruesen e detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

“Qasja jonë në takim ka qenë konstruktive, parimore, ne kemi pasur kërkesa dhe çështje të qarta, të cilat i kemi ngritur”, ka thënë ai para gazetarëve.

Hoxhaj ka thënë se PDK-ja ka krijuar një listë me tema, për të cilat ka kërkuar të di qëndrimin e Kurtit dhe Osmanit, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas tij, qëndrimi i tyre dhe diskutimi i këtyre çështjeve brenda PDK-së do të përcaktojnë qasjen e PDK-së ndaj qeverisë së re.

Në mesin e temave që ka përmendur Hoxhaj kanë qenë:

distancimi i Kurtit nga “dhuna politike”
qëndrimi për dialogun me Serbinë, “pas deklaratave të dikurshme të Kurtit se pa kërkuar falje Serbia dhe pa gjetur të gjithë të pagjeturit nuk ulet në takim me Beogradin”
qëndrimi pas deklaratave për anulim të Marrëveshjes për Asociacionin
çështja e demarkacionit me Malin e Zi, dhe “dilema nëse do të kthehet kufiri në Zhleb dhe Qakorr”
nëse do të respektohet Marrëveshja e Uashingtonit
qëndrimi për Mini-Shengenin Ballkanik
qëndrimi për moratorium njëvjeçar për mosanëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe
çështja e reciprocitetit

Sa i përket rolit të presidentit, Hoxhaj ka thënë se para se të flitet për personin, duhet të flitet për parime.

“Natyrisht se Kosova ka nevojë për stabilitet, për qartësi politike dhe ne kemi nevoje për liderë shtetërorë, që bashkojnë skenën politike dhe krijojnë unitet te populli”, ka thënë ai.

“Ne kemi kërkuar nga Kurti dhe Osmani qartësi për qasjen e tyre në raport me politikën e jashtme, meqë presidenti i ardhshëm i vendit ka rol në përfaqësimin e politikës sonë dhe qeveria ka rol në formimin e politikës së jashtme”.

Pas takimit me Hoxhajn, Osmani dhe Kurti pritet të takojnë përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Një tjetër takim me Lumir Abdixhikun, kryetarin e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës është planifikuar po ashtu të hënën, por, Abdixhiku ka thënë se nuk do të arrijë të marrë pjesë në takim sepse i duhet të dalë në zyret e LDK-së, në ditën e parë si kryetar i kësaj partie.

Kurti dhe Osmani kanë bërë këto ftesa, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kurti synon postin e kryeministrit, derisa Osmani, e cila ka garuar në listën e LVV-së synon mandat të plotë si presidente. rel

Haradinaj: Përgjegjësi e Kurtit dhe Osmanit t’i bëjnë votat për presidentin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvendin e ri për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Haradinaj i bëri këto komente pas takimit konsultativ që pati me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, dhe kreun e LVV-së, Albin Kurti.

“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën për ta krijuar Qeverinë; dy të tretat për presidentin janë në përgjegjësinë e tyre”, deklaroi Haradinaj pas takimit, në të cilin u bisedua për krijimin e institucioneve të reja.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ndërsa Osmani, e cila në këto zgjedhje garoi në kuadër të listës së LVV-së, po kërkon një mandat të plotë në krye të shtetit.

Edhe Haradinaj ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, duke e propozuar veten për postin e presidentit.

Pas takimit konsultativ me Osmanin dhe Kurtin, ai nuk tregoi nëse ka hequr dorë nga ambicia për postin e presidentit.

Kreu i AAK-së tha se në përbërjen e re parlamentare, partia e tij do të jetë një opozitë konstruktive.

“U dakorduam që në sfidat që i ka Kosova, në këto funksione, pra ne si opozitë, pra Aleanca, të bashkëpunojmë për tema të interesit nacional, çdoherë duke e ruajtur vendin”, tha Haradinaj.

Më 13 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë. rel

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës: Nxënësja Era Syla pranohet në Massachusetts Institute of Technology.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, ka bërë të ditur se nxënësja Era Syla, është pranuar në njërin ndër universitetet më të mira të botës, MIT – Massachusetts Institute of Technology.

Nxënësja Era Syla është pranuar për të studiuar matematikë në njërin ndër universitetet më të mira të botës, në MIT – Massachusetts Institute of Technology në SHBA

 

“Ky sukses i Erës para së gjithash është rezultat i talentit të saj për matematikë dhe i punës e përkushtimit të saj të palodhshme. Rikujtojmë se nxënësja Era Syla ka fituar Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020, duke u bërë kështu fituesja e parë nga Kosova e një medalje në EGMO”, thuhet në një njoftim të kësaj shoqate.

Njoftimi i plotë:

Ky sukses i Erës para së gjithash është rezultat i talentit të saj për matematikë dhe i punës e përkushtimit të saj të palodhshme. Rikujtojmë se nxënësja Era Syla ka fituar Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020, duke u bërë kështu fituesja e parë nga Kosova e një medalje në EGMO.

Po ashtu, ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale.

Shoqatat e Matematikanëve të Kosovës iu shprehë mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kanë kontribuoar në realizimin e arritjen e këtij suksesi nga ana e saj!

Me këtë rast, një falënderim të veçantë e meritojnë Bleron Baraliu dhe Valmir Krasniqi nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, të cilët e kanë ndihmuar Erën gjatë gjithë procesit dhe procedurave të aplikimit në MIT – Massachusetts Institute of Technology, si dhe i kanë ofruar asaj ndihmë e referenca kredibile e profesionale për pranim në MIT – Massachusetts Institute of Technology.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon nxënësen Era Syla për suksesin e arritur dhe i uron studime të suksesshme në MIT – Massachusetts Institute of Technology.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës.

Nxënësja Era Syla pranohet në MIT – Massachusetts Institute of Technology Student Era Syla has been accepted for …

Posted by Association of Mathematicians of Kosovo on & nbsp; Monday, March 15, 2021

Figura të reja në kryesi dhe prurje, planet e Lumir Abdixhikut për LDK-në

Posa mori fjalën pasi u zgjodh kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku i falenderoi delegatët, shumica e të cilëve votuan që ai ta marrë udhëheqjen e partisë. Pasi mbajti fjalën e parë para delegatëve dhe u urua nga kundërkandidatët, Abdixhiku foli edhe për media, ku tregoi risitë që do ta karakterizojnë LDK-në me të në krye, raporton Express.

Abdixhiku fillimisht theksoi se do të jenë gjithnjë konstruktiv dhe se “vendimet tona do të jenë kolektive dhe jo individuale”. Kështu tha edhe kur u pyet lidhur me mundësinë që deputetët e LDK-së t’ia mundësojnë Vjosa Osmanit që të zgjidhet presidente.
Ai tha se secili nga kundërkandidatët e tij sot, do të jenë në kryesinë e re të partisë. Ai gjithashtu tha se do ta ndërtojë një ekip me figura të reja brenda partisë, por paralajmëroi edhe prurje të reja.

“Po, secili kundërkandidat [do të jetë në Kryesi] – por jo vetëm – sepse këto janë figura të respektuara të LDK-së”, tha Abdixhiku.

“Do të ndërtoj një ekip të ri me figura të reja brendapartiake, por gjithashtu do të kërkojë edhe hapjen e dyerve për individë që kanë bindje të njëjta ideologjike me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Do të shihni një kryesi të re të LDK-së”, tha ai.

Abdixhiku po ashtu tregoi se LDK-ja do të ndryshojë edhe në rrafshe të tjera. Ai tha se do të ketë hapësirë për zëra kritikë brenda, dhe se do të diskutohet e do të dëgjohet edhe aktivisti i LDK-së, por edhe qytetari.

“Do të shihni një organizim të ri politik të LDK-së. Do të shihni një shtrirje territoriale të përgjithshme të lidhjes tonë dhe do të shihni një politikë që është e përgjegjshmë, që dëgjon zërin qytetar dhe që mbi të gjitha e promovon idenë tradicionale të LDK-së që është e mbështetur në shtyllën e respektimit të shtetit të Kosovës, në bashkëpunimin ndërinstitucional, në mbështetjen e të gjitha proceseve integruese ku ka nevojë dhe një LDK që ka zë kritik brenda, ka mendim kritik, ka mendje, ka diskutim dhe ecën përpara duke dëgjuar edhe aktivistin e vet, edhe qytetarin”, tha Abdixhiku.

37-vjeçari është kryetari i katërt i LDK-së. Ai në garë e la pas Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën, që synonin të njëjtën pozitë.

Para se Kuvendi Zgjedhor i LDK-së t’i niste punimet, Anton Quni u tërhoq nga kandidatura e tij për kryetar të partisë. Pas zgjedhjeve të brendshme, Quni tha se këtë vendim e mori për t’i hapur rrugë frymës së re brenda subjektit politik.

Kurti uron Abdixhikun: Bashkëpunimi opozitë-qeveri, interes i përbashkët

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka uruar Lumir Abdixhikun për zgjedhjen e tij në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se është në interes të Kosovës, që të ketë bashkëpunim ndërmjet opozitës dhe qeverisë së re.

“Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë”, tha Kurti të dielën në një postim në rrjetin social Facebook.

Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, kanë ftuar liderët e partive në takim konsultativ për formimin e institucioneve të reja.

Megjithatë, Abdixhiku, i cili të dielën, më 14 mars, mori besimin për ta udhëhequr LDK-në, tha se e ka të pamundur që të marrë pjesë në këtë takim, për shkak të konsolidimit të organeve të reja të partisë.

“Gjithsesi propozoj të premten si datë të takimit eventual, në formatin e njëjtë siç është kërkuar”, tha Abdixhiku për mediat në Prishtinë.

Abdixhiku tha se platforma e tij është që LDK-ja të jetë konstruktive dhe të mos shkaktojë probleme në formimin e institucioneve të reja.

“Qasja e jonë do të jetë konstruktive. Pjesë e platformës sime, që do ta bëj publike për media, është që ne do të jemi konstruktiv me të gjitha partitë politike shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por dhe në rajon”, tha Abdixhiku.

Më 13 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku LVV-ja e Albin Kurtit ka fituar 50.28 për qind të votave.

Kurti, më herët ka deklaruar se qeverinë mëton që ta formojë me partitë e komuniteteve joserbe, duke përjashtuar në këtë drejtim bashkëpunimin me Listën Serbe dhe partitë tjera shqiptare.

Përveç konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Kurti, Kosova duhet të zgjedhë edhe presidentin e ri.

Lëvizja Vetëvendosje, për kandidate për presidente e ka Vjosa Osmanin, e cila aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentit.

Për zgjedhjen e presidentit, sipas Kushtetutës, duhet mbështetja e 80 deputetëve të kuvendit. Deri tani, as LDK-ja dhe as partitë e tjera, nuk kanë treguar nëse do ta votojnë Osmanin për presidente.

Osmani, ish-zyrtare e LDK-së, në këto zgjedhje kandidoi në listën e LVV-së dhe është personi më i votuar, duke siguruar mbi 300 mijë vota. rel

Abdixhiku: Kryesia e re vendos nëse do ta mbështesim Osmanin për presidente

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas marrjes së udhëheqjes së partisë, është pyetur nëse deputetët e kësaj partie do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente të vendit.

Abdixhiku ka premtuar se LDK-ja do të jetë kontruktive, ndërsa ka theksuar se “Kryesia e re e merr vendimin”, raporton Gazeta Express.
“Ne do të jemi konstruktiv me të gjitha partitë shqiptare, jo vetëm në Kosovë por edhe rajon”, ka thënë Abdixhiku.

“Meqenëse dje janë certifikuar rezultatet dhe sot është zgjedhur kryetari i partisë, ju lus për mirëkuptim, që t’i themelojmë organet e reja, të zhvillojmë konsulta fillimisht të brendshme sepse vendimet tona do të jenë kolektive dhe jo individuale, gjithmonë duke respektuar frymën e kontruktivitetit në skenën tonë politike dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim duke marrë parasysh edhe respektin e ndërsjellë që partitë tjera do ta tregojnë për LDK-në”, ka shtuar ai.

Duke komentuar deklaratat e përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkanin, Matthew Palmer se partitë opozitare duhet të qëndrojnë në sallë kur të votohet presidenti, Abdixhiku ka ripërsëritur se do të sillen në mënyrë kontruktive.

“Edhe unë po them që do të sillemi në mënyrë konstruktive. Qëllimi është që të jemi kontruktivë”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku është zgjedhur sot kryetar i LDK-së, duke marrë shumicat e votave të delegatëve të partisë në Kuvendin Zgjedhor. Kundërkandidatë të tij ishin Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa.

Certifikohet rezultati i zgjedhjeve, LVV mbi 50 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi të shtunën rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke fituar 50.28 për qind të votave.

Partia e Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar 438.335 vota.

Certifikimi i rezultateve pason trajtimin e ankesave të kandidatëve për deputetë dhe subjekte politike nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.

Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.

Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse.

Hoxhiq, përfundimisht jashtë kuvendit

Ndërkaq, nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara. Dy ulëse ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës. Nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Pas ankesave në PZAP dhe Gjykatën Supreme, “Komuniteti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq” ka humbur ulësen në kuvend dhe në vend të saj ka hyrë, Unioni Socialdemokrat i Duda Bales. Ndërkaq, “Iniciativa Rome” ka mbetur vetëm me një ulëse në kuvend.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, ku u certifikua rezultati i zgjedhjeve, kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka bëri thirrje që deputetët e rinj të bëjnë reformën zgjedhore.

“Dua t’i drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lënë në udhëkryq, por t’ia japin rrugën e duhur. KQZ-ja është e gatshme që të japë kontributin e vetë profesional në këtë reformë”, tha Daka.

Ankesat në PZAP dhe Gjykatën Supreme të komuniteve joserbe

Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja më 4 mars, partitë e komuniteteve joserbe iu drejtuan Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke thënë se dy subjekte boshnjake dhe rome, kanë fituar vota me ndihmën e Listës Serbe.

Ata kanë argumentuar se subjekti “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativa Rome” kanë fituar vota në lokalitete të banuara me shumicë serbe.

PZAP-ja ka miratuar pjesërisht ankesat e këtyre partive politike, duke anuluar votat që këto dy subjekte fituan në komunat me shumicë serbe dhe duke bërë që jashtë kuvendit të mbetet Adrijana Hoxhiq. Kjo e fundit humbi betejën edhe në Gjykatën Supreme, e cila refuzoi ankesën e saj.

Hoxhiq ka paralajmëruar se do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese, por edhe mekanizmave ndërkombëtarë.

Dyshimet për manipulime të votave në QNR

Pas ankesave, PZAP-ja po ashtu kishte urdhëruar rinumërimin e votave me kusht dhe me postë të kandidatëve për deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas dyshimeve se janë manipuluar votat në favor të një kandidateje.

Pas ngritjes së dyshimeve, Meliza Haradinaj-Stublla, dha dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe nga funksionet partiake. Pas rinumërimit të votave, Haradinaj-Stublla humbi edhe mandatin e deputetes për legjislaturën e tetë.

Lidhur me dyshimet për manipulime në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve autoritetet kanë arrestuar dy persona.

Takime konsultative për krijimin e institucioneve

Kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani – që në këto zgjedhje garoi në kuadër të listës së LVV-së – kanë thirrur takime konsultative me liderët e partive, lidhur me krijimin e institucioneve të reja.

Takimet pritet të mbahen të hënën më 15 mars.

Për formim të Qeverisë në Kosovë duhen të sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës.

Kurti ka thënë se qeverinë synon ta formojë me disa parti të komuniteteve joserbe.

Kosova po ashtu pritet që të zgjedhë edhe presidentin e ri, pasi që nga 5 nëntori i vitit 2020, është me ushtrues detyre të presidentit. Kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota për të fituar ulësen në presidencë.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se për këtë post do ta kandidojë Vjosa Osmanin.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga mbi 1.7 milion qytetarë me të drejtë vote kanë votuar 48.78 për qind dhe vota të vlefshme, sipas KQZ-së, kanë qenë 877.503.

Gjykata Supreme hedh poshtë shtatë ankesa tjera kundër vendimeve të PZAP-së

Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë të premten pjesën e mbetur të aneksave të dërguara në këtë institucion kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Një ditë më parë, ky trup ka hedhur poshtë nëntë aneksa tjera të lidhura me kërkesa për rinumërim apo manipulim me vota.

Në vendimin e së premtes, gjykata ka hedhur poshtë ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, Iniciativës Rome, Partisë Liberale Egjiptiane, Partisë së Ashkalive për Integrim, Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës, Iniciativës Qytetare Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq dhe Unionit Socialdemokrat (SDU).

Adrijana Hoxhiq i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia anuloi mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq e ka vlerësuar vendimin e PZAP-së, të marrë më 8 mars, si “skandaloz dhe të papranueshëm”, pasi sipas saj, me anulimin e votave, shkelen të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës.

Ajo ka paralajmëruar se nëse Supremja nuk hedh poshtë vendimin e PZAP-së, do të shfrytëzojë edhe instanca të tjera gjyqësore, duke aluduar në Gjykatën Kushtetuese dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Arrestohet kryetari i Kllokotit Bozhidar Dejanoviq

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të premten për arrestimin e kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, lidhur me dyshimet për kryerje të veprës penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Kllokoti është komunë me shumicë serbe në Kosovë, 55 kilometra larg Prishtinës derisa Dejanoviq është anëtar i Listës Serbe.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Kosovës Ekrem Lutfiu ka thënë përmes një deklarate se urdhri për arrestimin e tij ka ardhur nga gjyqtari i procedurës paraprake, duke përfshirë edhe kërkesën për kontrollimin e objekteve të Komunës së Kllokotit.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të premten është duke u zhvilluar një aksion policor në Kosovë lidhur me procesin zgjedhor dhe dyshimet për keqpërdorime të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

“Mund të konfirmojmë se, në bazë të kërkesës së Prokurorisë dhe urdhëresës së Gjykatës kompetente, Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor. Ky operacion, i cili është duke u realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërlidhet me procesin zgjedhor”, ka thënë Kelani.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë rastin historik të bëhen pushtetarë me përgjegjësi të lartë politike – Nga Skënder MULLIQI

Kosova ka pasur mundësi të bëhët një vend i rregulluar për 22 vite në liri.Shtetit më të ri në Evropë nuk iu vunë themelet bash të mira. Nuk kishte vullnet politikë për këtë gjë, së dominojë vullneti për përfitime , për pasurime të paligjshme… Kosova më kohë është larguar nga e kaluara , ndërsa më punë ka mbetur mbrapa botës së civilizuar.Nuk ka fajtorë kujdestar , por fajtorët dihet së janë klasa politike e cila nuk u largua nga logjika e kaluara e ish sistemit komunist. Mund ti numërojmë në gishta të dorës shtetarët të cilët u përpoqën për shtëtndërtim dhe mirëqenje .I kishim simbolet nga e kaluara së si duhet dashur atdheu dhe kombi, por që ky rrugëtim shumë pak u trasua nga ata që morën timonin e shtetit të Kosovës. Më shumë u ballafaquam gjatë këtyre viteve më jurishnikët e politikës të cilët nuk treguan zgjuarësi dhe as dije . Po rrezikojmë të bëhëmi tradhëtar të idealeve tona. Po e rrezikojmë rrugën e demokratizimit .Ky eshalon politike u tregua inert, I pa aftë për kohën e pluralizmit politikë dhe për sistemin kapitalist liberal. Është e qartë së një shtet I pa ndërtuar mirë në sisteme , nuk ka mundësi ti këtë as përfaqësuesit politikë në nivelin e kërkuar.Thënë saktësisht, kur kemi rregullim të mbrendshëm, kur kemi shtet funksional dhe ligjor, atëherë janë predispozitat për pushtetarë të zot dhe në nivelin e kërkuar.Kosova ka marrë leksione jo të mira nga njerëzit të cilët shkelën në krim të organziuar , korrupcion…, të cilat dukuri bënë që te kemi një situatë përmanente të krizave politike, institucionale, dhe të krizave ekonomike.Bën që të kemi varfëri , madje edhe të formës ekstreme, si dhe largime masovike nga Kosova… Kemi edhe shumë shembujë jo të mirë të politikave dështuese të gardës së vjetër dhe reakcionare politike, të cilat janë si përvojë, që të mos përseriten.Kjo do tju shërbën forcave reformatore politike të 14 shkurtit. Këta tashmë e kan mësuar modelin e keqeverisjës më vendin , për dy decenie , që është shumë kohë e gjatë. Modeli I qeversjës së mirë është kur hiqët lakmia për pushtet apsolut, kur hiqët lakmia e hajnisë dhe zhatjës të pronës shoqërore. Kur të gjitha këto , si dhe krimi e korrupcioni bien në suaza të normalitetit …. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kan rastin historik të formohen shtetarë autoritativ,më moral dhe përgjëgjësi të lartë politik. Është e logjikshme së pas kohës së keqe, vjen kohë e bukur. Kohë e bukur ka lindur pas 14 shkurtit kur në mënyrë plebishitare u zgjodhën nga gjiri i popullit përfaqësuesit legjtimim . U zgjohën ata të cilët nuk do të lejojnë të pëmbyset anija e quajtur-Kosovë…

Hasani: Është përgjegjësi kushtetuese që deputetët të qëndrojnë në sallë kur votohet presidenti

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani thotë se deputetët kanë obligim kushtetues që të qëndrojnë në sallë kur të votohet presidenti.

”Nëse nuk qëndrojnë në sallë nuk flitet për përgjegjësi penale, por është një përgjegjësi kushtetuese të qëndrojnë në sallë”, tha ai në “Debat Plus”.
Hasani thotë se në Kuvendin e Kosovës ka pasur edhe rrahje por përgjegjësia në këtë rast ka qenë politike.

”Formimi i institucioneve është përgjegjësi kushtetuese. Njerëzit duhet të qëndrojnë në sallë dhe të kryejnë detyrat e tyre”, tha Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thotë se standardi është që në fillim të konstituohet Kuvendi e më pas të zgjidhet presidenti.

”Shefi i shtetit është institucion balancues i institucioneve tjera. Tashmë e dimë që presidenti përfaqëson unitetin e popullit”, tha ndër të tjera Enver Hasani.

Katër ujq shëtiten në qendër të Prishtinës

Katër ujq janë parë sot në qendër të Prishtinës.

Pa menduar fare, pronari i tyre ka nxierr në mes të qytetit katër ujqit e tij, duke mos pasur parasysh rrezikun që mund të kanosej qytetarëve.

Në video shihet se dy persona mbajnë të lidhur me zinxhir katër ujq deri sa ecin në Prishtinë.

Mendohet se ujqit kanë ardhur nga Bullgaria për një film i cili do të xhirohet në Kosovë, ndërsa mënyra e transportit të tyre duket se ka qenë e gabuar.

Osmani dhe Hoti zhvillojnë takime virtuale me Palmerin

Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë Vjosa Osmani, është fokusuar në takimin virtual me Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit Mathew Palmer, në themelimin pa vonesë të institucioneve të Kosovës.

Në një komunikatë për media është thënë se Palmer ka uruar Osmanin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë.

Osmani, e cila ka garuar në kuadër të listës së Vetëvendosjes ka fituar më së shumti vota, përkatësisht 300.788.

Në njoftim është thënë se të dy zyrtarët janë pajtuar se institucionet e reja duhet të fokusohen në luftimin e korrupsionit, në adresimin e pandemisë, në rimëkëmbjen ekonomike dhe në krijimin e vendeve të punës.

Në bisedë është diskutuar edhe për rëndësinë e dialogut me Serbinë dhe angazhimin aktiv në këtë proces.

Osmani ka thënë se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke derisa Palmer ka thënë se përkushtimi i Kosovës në dialog kontribuon në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit si dhe në rajon.

Palmer ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara do të jenë të përfshira si partnere në dialog, duke i koordinuar qëndrimet me Bashkimin Evropian.

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti ka biseduar të enjten me Palmerin, në një takim virual, për sfidat me të cilat përballet Kosova, mes tjerash pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Kryeministri Hoti ka falënderuar z. Palmer për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën në të gjitha etapat e shtetndërtimit”, është thënë në njoftim.

Sa i përket pandemisë, Hoti ka njoftuar të njëjtën ditë se në Kosovë do të vazhdojnë të zbatohen masat e njëjta për luftim të pandemisë së koronavirusit.

“Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrijë kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve”, ka thënë Hoti.

Megjithatë, qytetarët e intervistuar më 10 mars në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se duhet të blejnë pothuajse të gjitha ilaçet për familjarët e infektuar me koronavirus.

Vetëm në shtatë ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 4.500 raste të infektimit.

Nga data 11 shkurt, orë policore nuk ka në asnjë qytet të Kosovës, derisa orari i punës së operatorëve ekonomikë është nga ora 05:00 deri më 22:00.

Përndryshe Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.

Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.

Markoviq: E humba punën sepse nuk e votova Adrijana Hoxhiqin

Sandra Cvetkoviq

Bojan Markoviq nga komuna e Ranillugut, komunë kjo me shumicë serbe, pretendon se e ka humbur vendin e punës, vetëm sepse refuzoi të votonte për Adrijana Hodxhiqin, përfaqësuese e një prej subjekteve politike boshnjake nga Mitrovica, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Markoviq thotë se kryetari i komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq nga Lista Serbe, i kërkoi që të votonte për Hoxhiqin.

Markoviq, i cili është baba i dy fëmijëve të mitur, punonte për kompaninë e sigurimit fizik “Scorpion” me seli në Ferizaj, e cila është në pronësi të një shqiptari. Vendi i punës së Markoviqit ishte në ndërtesën e komunës së Ranillugut. Komuna është 60 kilometra nga Prishtina.

“Ai më thirri mua (kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq) dhe më dha një fletëvotim. E rrumbullakoj opsionin për mua dhe numrin në të djathtë, dhe më tha: ‘Këtë kërkesë do të ma respektosh. Voto për Adrijana Hoxhiqin dhe i pres katër vota nga ti’. Pra, që unë, prindërit e mi dhe gruaja ime ta mbështesnim këtë opsion”, thotë Markoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Fletëvotimi, të cilin Bojan Markoviq pretendon se e mori nga kryetari i Komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq.
Fletëvotimi, të cilin Bojan Markoviq pretendon se e mori nga kryetari i Komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq.

“Ata më thirrën më 16 shkurt (dy ditë pas zgjedhjeve) për një bisedë me kryetarin. Unë shkova dhe ai më tha: ‘Ku janë votat?’. Unë i thash se nuk mund ta votoja atë, as prindërit e mi nuk donin të votonin (për Iniciativën Qytetare Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq)”, shtoi ai.

Më 21 shkurt, shtatë ditë pas zgjedhjeve, Markoviq u shkarkua nga kompania e tij e punës. Dokumenti që iu dorëzua atij me atë rast dhe të cilin e ka parë edhe Radio Evropa e Lirë, thotë se punësimi i tij është ndërprerë për shkak të “zvogëlimit të numrit të punëtorëve, sipas urdhërave të komunës së Ranillugut”.

Aktvendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të Bojan Markoviqit.
Aktvendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të Bojan Markoviqit.

Markoviq shton se kryetari i Komunës së Ranillugut dhe zyrtarët e tjerë shpërndanë fletëvotime me një opsion të vetëm politik, për të cilin u thoshin qytetarëve që të votojnë.

Markoviq nuk është ankuar për vendimin e punëdhënësit dhe nuk është i gatshëm që ta raportojë rastin në polici. Sidoqoftë, ai vendosi të flasë për këtë publikisht për Radion Evropa e Lirë, sepse, siç thotë, ajo që i ndodhi atij është “turp”.
Pse Adrijana Hoxhiq?

Adrijana Hoxhiq garoi në zgjedhje me Iniciativën Qytetare Komuniti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq. Subjekti i saj fitoi 6.422 vota apo një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Sidoqoftë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vepruar në bazë të ankesës së partive të tjera boshnjake, ia anuloi subjektit të Hoxhiqit 4.205 fletëvotime pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Vendimi u mor me arsyetimin se numri i votave për partitë boshnjake u rrit me 49 për qind, që krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2019 nënkupton se “si asnjëherë më parë, mijëra votues të komunitetit serb në Kosovë votuan për përfaqësuesit boshnjakë”.

Hoxhiq e apeloi vendimin e PZAP-it në Gjykatën Supreme, e cila pritet të vendosë për këtë çështje deri më 12 mars.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, që i përfaqësoi kundërshtarët politikë të Hoxhiqit në PZAP, tha se janë manipuluar rreth 10.000 vota, të cilat janë orkestruar nga Lista Serbe.

E gjithë kjo, me qëllim të kontrollit të deputetëve joserbë nga radhët e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Hoxhiq i ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme këto pretendime.

Në Ranillug, ajo mori 255 vota ose 9.6 për qind të votave të përgjithshme në këtë komunë. E sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, në Ranillug jeton vetëm një boshnjak.
Kompania ‘Scorpion’: Kërkesa erdhi nga komuna

Xhevat Emërllahu, pronar i kompanisë ‘Scorpion’, ka vetëm lëvdata për Bojan Markoviqin. Pavarësisht nga kjo, siç tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, kërkesa për zvogëlimin e numrit të punëtorëve erdhi nga komuna.

“Në momentin që Kuvendi Komunal kërkon që ne të bëjmë zvogëlimin e punëtorëve, përmes zyrës së prokurimit, ne jemi të detyruar që ta bëjmë zvogëlimin automatikisht, sepse nuk paguan ai zotëria. Nëse për shembull i kemi pesë persona dhe ai thotë ‘ke për ta larguar një person’, ne jemi të obliguar për ta zvogëluar numrin, sepse nuk paguan faturën”, u shpreh Emërllahu.

Por, Emërllahu nuk dha sqarim lidhur me atë se pse pikërisht Bojan Markoviq u pushua nga puna dhe nëse kërkesa për largimin e tij nga puna ishte bërë më sugjerim të komunës.

“Tash ma keni bërë një pyetje shumë të rëndë”, tha ai.

Emërllahu thotë se Bojani ishte një punëtor i jashtëzakonshëm, por se “Kuvendi Komunal punon në bazë të politikave që ka, të partisë, apo çfarëdo qoftë tjetër”.

“E përsëris që ai ishte një punëtor shumë i mirë, i dëgjueshëm, me sjellje të mirë dhe na respektonte”, tha Emërllahu.
Çfarë thotë kryetari i komunës së Ranillugut?

Kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq, mohon të gjitha akuzat lidhur me Bojan Markoviqin dhe shton se ai nuk u ka bërë “presion njerëzve për të votuar për ndonjë opsion politik”.

“Unë po ju them edhe një herë, për sa i përket komunës, askush nuk u largua nga puna”, i tha Aritonoviq Radios Evropa e Lirë.

Ai shtoi se është i njoftuar për rastin që një punëtor i sigurimit u pushua nga puna, por gjithashtu pretendon se komuna nuk ka asnjë lidhje me këtë.

“Ata janë aty për të siguruar objektet në territorin e Komunës së Ranillugut dhe nëse punëdhënësi i tij e pushoi nga puna, kjo nuk ka asnjë lidhje me komunën. Ai nuk është punëtor i komunës, por punonjës i një kompanie të sigurimit fizik”, thotë Aritonoviq.

“Punëdhënësi i lidh kontratat vetë dhe po ashtu vetë edhe i përfundon. Sa kam dijeni, kontratat kanë skaduar. Tani vetëm nëse atij kontrata nuk i është vazhduar dhe nuk e ka marrë ende vendimin për përfundimin e kësaj kontrate”, shton Aritonoviq.
Hoxhiq: Kjo është çështje për Policinë

Udhëheqësja e Iniciativës Qytetare “Komuniteti i Bashkuar, Adrijana Hoxhiq”, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë thotë “se ky është rast për policinë”.

“Shpresoj që zotëria në fjalë t’i drejtohet policisë. Nuk ka rëndësi se kush e ushtron presionin, qoftë edhe kryetari, i cili duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit. Nuk vjen në shprehje që të ndryshohet vullneti i votuesve. Duhet të ketë liri absolute në ditën e zgjedhjeve. Unë i jam mirënjohës këtij zotërisë që nuk e dëgjoi rekomandimin dhe që nuk votoi në favor të iniciativës tonë, nëse për këtë dikush i ka bërë presion. Unë kërkoj që policia të hetojë plotësisht këtë çështje”, tha Hoxhiq.

Por ajo, njëkohësisht, tha se dyshon në vërtetësinë e rrëfimit të Bojan Markoviqit sepse “numri rendor gjashtë nuk është shtyrë përpara as në Mitrovicën e Veriut”.

Në këtë numër është e renditur Amra Memoviq.

“Ajo mori numrin më të madh të votave në veri të Kosovës. Sa i përket këtij numri edhe nëse do të kishte presion, ajo mori shumë pak vota nga pjesa jugore e Kosovës. Kjo, përfundimisht, është e pavërtetë”, thotë Hoxhiq.

Amra Memoviq mori 14 vota në Ranillug.
Çka pas zgjedhjeve?

Nga gjithsej 120 vende në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë.

Bazuar në rezultatet aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lista Serbe fitoi të dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, të garantuara për këtë komunitet.

Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Iniciativa Rome fituan nga dy vende secila. Subjektet politike boshnjake, Koalicioni Vakat, Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq dhe Partia e Re Demokratike, fituan nga një vend secila. Partia e Bashkuar Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, e cila përfaqëson komunitetin egjiptian dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim fituan nga një vend në Kuvend.

PZAP-ja gjithashtu anuloi mbi 800 vota të cilat Iniciativa Rome i ka marrë nga komuniteti serb në Kosovë, subjekt ky që fitoi 4,049 vota. Arsyet janë të ngjashme me rastin e Adrijana Hoxhiqit.

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve do të bëhet kur Gjykata Supreme, si instancë e fundit e ankimimit, të vendosë mbi ankesat e subjekteve politike apo kandidatëve për rezultatet e zgjedhjeve. Gjykata ka afat që të vendosë deri të premten, më 12 mars.

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, arriti një fitore bindëse në këto zgjedhje. Ai pritet që të formojë Qeverinë e re të Kosovës. Sidoqoftë, Kurti në disa raste ka thënë se nuk do ta përfshijë në koalicion qeverisës Listën Serbe, të cilën ai e konsideron si një instrument të Beogradit në Kosovë.

Partia e Kurtit fitoi 58 vende, ndërkaq për zgjedhjen e qeverisë nevojiten 61 vota. Kurti ka thënë se planifikon të formojë qeverinë me disa deputetë nga komunitetet e tjera pakicë.

Haradinaj kërkon rinumërim të votave

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Ramush Hradinaj ka kërkuar të enjten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe dënimin e keqpërdorueseve të votave.

Ai u ka thënë mediave se AAK-ja është e shqetësuar me keqpërdorimet e votave, që kanë ndodhur në disa raste nga komisionarë, të cilët i ka konsideruar të papërgjegjshëm.

“Kërkojmë nga organet e rëndit, ligjit dhe hetuesisë që kriminelet e votës të të gjitha partive të përfundojnë në burg. Ne nuk kontestojmë rezultatin e zgjedhjeve, nuk e di pse dikush duhet të jetë kundër rinumërimit” ka thënë Haradinaj.

Pas ngritjes së dyshimeve për manipulim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, Meliza Haradinaj-Stublla të martën, më 9 mars, ka thënë dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të mërkurën ka thënë se “ dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë e kanë dëmtuar procesin zgjedhor, por ajo nuk beson se ka arsye për rinumërim total të votave”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur më 4 mars rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re.

Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.

Gjykata Supreme hedh poshtë nëntë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së

Gjykata Supreme ka njoftuar të enjten se ka refuzuar nëntë nga 15 ankesat e pranuara, kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Gjashtë ankesa tjera është thënë se do të trajtohen në 72 orët e ardhshme.

Ankesat u janë refuzuar: Anton Shalës, Nezir Çoçajt, Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Hotit, Ismet Shamollit, Hisen Berishës, Lirie Kajtazit, Ekrem Hysenit dhe Gentrit Sylës.

Ankesat kanë qenë të lidhura me kërkesa për rinumërim apo manipulim me vota.

Ankesa e Adrijana Hoxhiqit, udhëheqëses së subjektit politik boshnjak “Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq”, nuk është trajtuar ende.

Ajo i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia anuloi mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq e ka vlerësuar vendimin e PZAP-së, të marrë më 8 mars, si “skandaloz dhe të papranueshëm”, pasi sipas saj, me anulimin e votave, shkelen të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës.

Ajo ka paralajmëruar se nëse Supremja nuk hedh poshtë vendimin e PZAP-së, do të shfrytëzojë edhe instanca të tjera gjyqësore, duke aluduar në Gjykatën Kushtetuese dhe mekanizmat ndërkombëtarë. rel

Forca e Sigurisë së Kosovës nis misionin e parë jashtë vendit

VOA

Një numër pjesëtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në një mision në Kuvajt, duke shënuar rastin e parë të përfshirjes së ushtrisë së Kosovës në një mision paqeruajtës ndërkombëtar.

Në ceremoninë e nisjes, që u mbajt në kazermat e Forcës së Sigurisë në Prishtinë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ky mision po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara.

“Njëzetedy vjet më parë ishte vështirë e imagjinueshme që ushtarët tanë do të ishin pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës në botë. Sot kjo gjë po bëhet realitet sepse ne e bëmë lirinë dhe e ndërtuam paqen bashkë edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Tashmë erdhi koha që t’ua kthejmë një pjesë të kontributit të tyre duke u bërë partner në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes. Nga një vend që dikur importuam trupa paqeruajtëse sot po transformohemi gradualisht në një vend që po eksporton trupa paqeruajtëse”, tha ajo.

Zonja Osmani tha se misioni i Kosovës është paqja dhe se ajo do të jetë përkrahë miqve të saj ndërkombëtar.

“Pra, që të jemi të qartë, kushdo që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës, pra në Kosovë, Amerika dhe aleatët tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal”, tha zonja Osmani.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, tha se kjo ngjarje shënon një moment të veçantë për Kosovën e cila po rreshtohet në mesin e ushtrive dhe partnerëve të saj strategjik.

“Njëkohësisht është një reflektim që të shohim prapa dhe të shprehim falënderimin dhe mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer nga të gjithë partnerët tanë, të cilët arritën në Kosovë 22 vjet më parë me të njëjtin mision, për të vendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha zoti Quni.

Dërgimi i trupave nga Kosova u bë më kërkesë të Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane dhe do të veprojnë nën komandën e Gardës Kombëtare të Iowas.

Komandanti i kësaj garde, gjenerali Ben Correll, tha përmes një video mesazhi se Shtetet e Bashkuara janë partner strategjik i Kosovës.

“Gjithandej në botë kërcënimet të brendshme dhe ato të jashtme sulmojnë paqen. Në mënyrë që të ruajmë këtë paqe na duhet qëndrueshmëri, siguri rajonale dhe globale. Partneriteti ndërmjet Gradës Kombëtare të Iowas dhe FSK-së kontribuon në arritjen e këtij synimi dhe është shembull për të tjerët se çfarë është e mundshme, duke punuar fuqishëm në ndërtimin e marrëdhënieve”, tha gjenerali Correll.

Autoritetet nuk dhanë hollësi për numrin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë që do të shërbejnë në Kuvajt, ndonëse në ceremoni ishte rreshtuar një grup prej 32 ushtarësh.

Misioni fillon, dy muaj pasi që parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi vendimin për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione mbështetëse jashtë vendit në kuadër të Ushtrisë Amerikane.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës.

Autoritetet thonë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 4 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

Anulohen votat e partive boshnjake dhe rome në komunat me shumicë serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar në tërësi votat në zgjedhjet e 14 shkurtit, për subjektet politike boshnjake në komunat të banuara me shumicë serbe, siç janë Zubin Potoku, Shtërpca, Ranillugu, Graçanica, Parteshi, Kllokoti, Novobërda, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi.

PZAP-ja ka miratuar pjesërisht apelet nga subjektet politike boshnjake Iniciativa Jonë (Nasha Iniciativa), Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), të cilat kërkuan që të anulohen votat e ardhura nga komuniteti serb për partinë Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq.

Me këtë vendim, PZAP-ja ka anuluar 4,205 vota të cilat i kishte siguruar subjekti politik boshnjak, i udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq, në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq, sipas rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kishte fituar 6,422 vota apo një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, koalicionit Vakat, i janë anuluar 583 vota, të cilat i ka fituar në këto komuna.

Unioni Socialdemorkat i Duda Bales, me këtë vendim të PZAP-së ka mbetur pa 165 vota si dhe Iniciativa Jonë ka humbur 9 vota, kurse Partia e Re Demokratike, 14 vota.

“Urdhërohet KQZ-ja që votat e përfshira në fletëvotimet e anuluara t’i largojë nga rezultati përfundimtar”, thuhet në vendim.

Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas pretendojnë se partia boshnjake“Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativa Rome” kanë siguruar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, me ndihmën e Listës Serbe.

Komunitetet joserbe thonë se këto dy parti në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë këto komunitete.

Në arsyetimin e vendimit, PZAP-ja thotë se votat e përgjithshme të partive boshnjake u rritën për 49 për qind, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019 dhe sipas këtij paneli, kjo rritje erdhi për “një arsye të vetme, ku si asnjëherë më parë, mijëra votues të komunitetit serb në Kosovë votuan për përfaqësuesit boshnjak”.

“Për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, subjekte të caktuara, si në këtë rast, Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq dhe koalicioni Vakat, kanë marrë shumicën e votave nga komuniteti serb, gjë që në këtë rast paraqet devijim të vullnetit të votuesit të komunitetit boshnjak, e krejt kjo në thelb paraqet minim të procesit zgjedhor, por edhe të integritetit të këtij procesi”, thotë PZAP-ja.

PZAP ka vendosur të anulojë edhe mbi 800 vota për Iniciativën Rome, të cilat i kishte siguruar në komunat me shumicë serbe.

Iniciativa Rome ka siguruar 4,049 vota.

“Votat e marra në vendvotimet nga Iniciativa Rome, janë në disproporcion me numrin e banorëve të komunitetit rom, e të cilat paraqesin vota të pavlefshme, për faktin se është standard jodemokratik, që me votat e votuesve të një komunitetit tjetër të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër dhe si të tilla nuk paraqesin lidhja objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

“Vendet e rezervuara janë garanci kushtetuese, të cilat Republika e Kosovës i ka marr, me të vetmin qëllim për trajtimin e avancuar të të drejtave të pakicave në kuadër të institucioneve shtetërore”, ka shtuar PZAP-ja.

Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve në Gjykatën Supreme.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, institut ky që i ka ofruar ndihmë juridike falas komuniteteve joserbe, kishte deklaruar më 5 mars se bëhet fjalë për manipulimin e rreth 10 mijë votave.

“Në bazë të ankesës që kemi përgatitur, kemi shkelje, në radhë të parë, të vullnetit të qytetarëve të komuniteteve joshumicë, kemi një manipulim të orkestruar nga Lista Serbe me disa parti boshnjake dhe rome. Janë afërsisht rreth 10 mijë vota, që kanë kaluar nga komuniteti serb te së paku dy parti të komuniteteve joshumicë”, tha Miftaraj.

Hoxhiq, ndonëse ka pranuar se ka marrë vota nga mjediset me shumicë serbe, ka hedhur poshtë akuzat se ato i janë siguruar nga Lista Serbe.

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë më 20 shkurt, vlerësoi se ankesat e komuniteteve janë krejtësisht të bazuara.

Norma kushtetuese, siç tha ai, i garanton përfaqësim efektiv secilit komunitet në vend.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti turk ka të garantuara dy ulëse, ndërkaq për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë të garantuara nga një ulëse si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota. Një ulëse e garantuar i takon edhe komunitetit goran.

Në PZAP janë dërguar mbi 200 ankesa për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Këta janë shtatë deputetët e listës së Vjosa Osmanit në Kuvendin e Kosovës

Nga 13 kandidatët e listës “Guxo” të Vjosa Osmanit, shtatë kanë arritur të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Vjosa Osmani, personi më i votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2021, ka fituar mbi 300 mijë vota, ndërkaq pas saj renditen gjashtë bashkëpunëtorët e saj.

Lista e plotë:

Vjosa Osmani

Donika Gërvalla

Haxhi Avdyli

Faton Peci

Doarsa Kica Xhelili

Jeta Statovci

Burim Karameta.

Humb jetën prokurori kosovar që hetonte vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit

Ka vdekur sot Enver Krasniqi, prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës. Prokurori Krasniqi ka vdekur para rreth një ore.

Lajmin për vdekjen e prokurorit Enver Krasniqi e ka konfirmuar për kallxo.com Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Ai ka thënë se vdekja e prokurorit është natyral. Prokurori Enver Krasniqi ishte duke hetuar rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit.

Vjedhja e 2,1 milionë eurove ka ndodhur më 21 tetor 2020.Ditë më parë, Prokuroria Speciale njoftoi se janë bllokuar 600 mijë euro të vjedhura dhe se dy persona të dyshuar janë në paraburgim, ndërkohë që janë ngrirë 34 llogari bankare.

Kurti thotë se i ka votat për ta formuar qeverinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se Qeverinë e re të Kosovës planifikon ta formojë duke marrë rreth vetes deputetë të komuniteteve joserbe, duke përjashtuar kështu një koalicion të mundshëm me partitë shqiptare dhe me Listën Serbe.

Gjatë një prononcimi për media nga Tirana, Kurti tha se beson që ta kalojë shifrën prej 61 deputetëve, sa janë të nevojshme për ta formuar qeverinë.

“Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve. Me siguri do ta kemi deputetin e komunitetit egjiptian Elbert Krasniqin, me siguri do ta kemi deputeten e komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi, do t’i kemi edhe disa të tjerë. Na nevojiten 61, do ta kalojmë numrin 61. Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e donë të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, tha Kurti.

Sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëevendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në përfundim të numërimit të votave me postë dhe pritet që shumë shpejt të shpallen rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kurti kishte refuzuar që ta marrë në koalicion qeverisës Listën Serbe edhe më 2020, por sipas Kushtetutës së Kosovës, kësaj partie, që përfaqëson serbët e Kosovës, i takuan dy ministri. rel

Kurti u nis letra Erdoganit dhe Netanyahut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, u ka nisur letra presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në të cilat është zotuar për thellim të bashkëpunimit, kur të formojë qeverinë e re në Kosovë.

Në letrën dërguar Erdoganit, Kurti ka thënë se turqit në Kosovë dhe shqiptarët në Turqi janë ura e miqësisë në mes të të dyja vendeve.

“Ne vlerësojmë rolin e turqve në Kosovë dhe ata do të vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm edhe në qeverinë time”, ka thënë Kurti.

Në letrën dërguar Netanyahut, lideri i LVV-së ka përshëndetur arritjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, dhe se ky hap për Kurtin nënkupton mundësi “për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik, politik dhe kulturor”.

“Kombi ynë ka respektuar historikisht komunitetin hebre. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, më vjen mirë që do të adresoj çështjet me rëndësi për komunitetin hebre dhe trashëgimin në shtetin tonë”, është thënë mes tjerash në letër.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi atë ditë ka deklaruar se ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Së fundmi në Kosovë ka pasur debate lidhur me vendin se ku do të vendoset ambasada kosovare në Izrael.

Ambasada turke në Prishtinë kishte kundërshtuar më herët hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Në takimin e 1 marsit mes liderit të Vetëvendosjes, dhe ambasadorit turk në Prishtinë Çağri Sakar, Kurti ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë çështjen se në cilin qytet do të vendoset ambasada, në Tel Aviv apo Jerusalem, duke shtuar se për këtë gjë do të shohin “edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”. rel

Debate rreth vendosjes së ambasadës së Kosovës në Izrael

VOA

Lëvizja Vetëvendosje theksoi të martën se njohja e Kosovës nga Izraeli dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me të është shumë e rëndësishme dhe mundësi e mirë për zhvillim. Ritheksimi i këtij qëndrimi të shprehur nga kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, pasoi reagimet që nxiti një qëndrim i zotit Kurti rreth vendit ku do të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael.

Të hënën zoti Kurti që pritet të jetë kryeministër i Kosovës, pasi që partia e tij shënoi fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, tha pas një takimi më ambasadorin turk në Kosovë se kjo “është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”

Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbinë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e të cilit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Pjesë e marrëveshjes për njohjen ishte edhe zotimi i Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem.

Ky zotim kishte nxitur reagime të vendeve që kundërshtojnë vendosjen e ambasadave në Jerusalem, përfshirë Turqinë e cila e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”.

Kjo çështje është bërë edhe pjesë e urimeve drejtuar zotit Kurti për fitoren e tij në zgjedhje edhe nga udhëheqësit e Turqisë dhe Izraelit.

Derisa presidenti turk Recep Tayip Erdogan shkruan se vendosja e ambasadës në Jerusalem “do të mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, kryeministri izraelit, Benjanim Netanyahu, shkruan se i kushton “rëndësi vendimit të Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem dhe ju pres në Izrael për përurimin e saj”. Letrat u publikuan në facebook nga zëdhënësi i zotit Kurti, Përparim Kryeziu së bashku me letrat e udhëheqësve tjerë nga bota që i kanë uruar fitoren.

Menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

“Meqë Kosova dhe Serbia e kanë përcaktuar integrimin evropian si përparësi strategjike, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të veprojnë në harmoni me këtë përkushtim që të mos dëmtojnë ardhmërinë e tyre evropiane. Serbia tashmë është duke negociuar këtë anëtarësim dhe pritet që ajo të harmonizojë politikën e saj me ato të Bashkimit Evropian”, tha atëbotë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Vëzhguesit pohojnë se qëndrimet e tilla mund të vënë në pozitë të vështirë zotin Kurti si kryeministër i ardhshëm, por tërheqin vërejtjen se vendndodhja e ambasadave është vendim i vendit mikpritës dhe Kosova nuk mund të përcaktojë se ku do ta ketë ambasadën e saj.

Debatet rreth kësaj çështjeje dhe qëndrimi i zotit Kurti u kritikuan ashpër të martën nga ish i dërguari i ish presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell. Duke shpërndarë një shkrim të gazetës izraelite Heeratz që transmetoi një shkrim të agjencisë së lajmeve Associated Press për këtë çështje ai shkroi në twitter se “udhëheqësi antiamerikan i krahut të majtë i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë kundër politikave të Shteteve të Bashkuara të sugjeruara nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Ai është gjithnjë një anti-amerikan”, shkroi ai.

Zoti Grenell njihet si autori i dakordimit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë – Serbi që u arrit në Shtëpinë e Bardhë. Në pranverën e vitit të kaluar zoti Kurti tha se zoti Grenell ishte përfshirë në rrëzimin e qeverisë së tij më 25 mars, për shkak të mospajtimeve rreth procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

LVV kritikon ashpër raportimet për shfuqizim të fletarrestit për Radoiçiqin

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar të hënën pas raportimeve të mediave lokale në Kosovë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të shfuqizuar fletarrestin për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Rodoiçiq.

“Kujtojmë se Milan Radoiçiqi, të cilit gjykata ia hoqi fletarrestin, për gjithë këto vite sfidon ligjin, por edhe sovranitetin e integritetin e Republikës së Kosovës. Me veprimtarinë e tij kriminale, sidomos në veri të vendit, ai ka qenë gjithnjë pengesë e jetës normale duke terrorizuar të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve pa dallim”, është thënë në reagimin e LVV-së përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Aty është përmendur edhe se Radoiçiq është një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Milan Radoiçiq ka qenë në arrati dhe autoritetet e Kosovës deri tani ishin në kërkim të tij.

Në nëntor të vitit 2020 është ngritur aktakuza e tretë për këtë rast, mirëpo procesi gjyqësor është ende pa epilog.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore duhet t’ia sqarojnë publikut të Kosovës vendimin lidhur me këtë rast.

“Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.

Sipas saj një vendim i tillë përbën rrezik e të panjohura.

Kjo parti, fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, është zotuar edhe një herë që kur të marrë pushtetin do të nisë procesin e vetingut në gjyqësi dhe prokurori, duke konsideruar se shtetit i duhen profesionistë dhe patriotë dhe jo “burokratë në shërbim të krimit”.

KQZ-ja refuzon mbi 20 mijë zarfe me fletëvotime nga jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se të premten në mesnatë ka përfunduar procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë, ku janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe me fletëvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë një konference për media të shtunën, tha se janë pranuar rreth 53 mijë e 600 zarfe të ardhura nga jashtë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Këto janë vetëm të dhëna preliminare sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen në Qendrën për Numërim dhe Rezultate”, tha Elezi.

KQZ-ja, shtoi Elezi, pret që gjatë të dielës të nisë numërimi i 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Ai tha se pas numërimit të votave me kusht, do të nisë edhe numërimi i fletëvotimeve të ardhura përmes postës.

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, ndërkaq po vazhdon rinumërimi i 552 vendvotime. Deri më tani, sipas KQZ-së janë numëruar 88 për qind e këtyre vendvotimeve dhe ky proces pritet të përmbyllet më vonë gjatë ditës së shtunë.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, të drejtë vote kanë pasur mbi 1.7 milion qytetarë të Kosovës.

Sipas të dhënave preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave. rel


Send this to a friend