András Riedlmayer, ekspert botëror për arkitekturën islame pranë Universitetit të Harvardit, e mbështet anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Këtë e ka pohuar zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme që e ka vlerësuar shumë lobimin e një hebreu hungarez për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
“Paramendoni sa fantastike është kur një hebre hungarez, ekspert i Harvardit amerikan për arkitekture islamike, lobon për Kosovën në Unesco? Ja shembull i tolerancës globale fetare dhe miqësisë mes popujve. Faleminderit Andras Riedlmayer”(sic), ka shkruar Thaçi.
Riedlmayer ka qenë edhe ekspert i Tribunalit të Hagës në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviq, ku ka dëshmuar se Serbia qëllimisht ka shkatërruar një numër të jashtëzakonshëm xhamish, ka bërë spastrimin etnik të Kosovës. Tash së fundi është edhe redaktor i një libri të botuar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Bashkësia Islame e Kosovës mbi shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë. Edhe ky libër është botuar për qëllim lobimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Më 22 Korrik të këtij viti, Kosovapress e ka intervistuar András Riedlmayer, intervistë që po e sjellim si më poshtë:
KosovaPress: Ju jeni një ekspert i arkitekturës islame në Qendrën për Dokumentim pranë Programit Aga Khan në Universitetin e Harvardit. Sa është i rëndësishëm anëtarësimi i Kosovës në UNESCO?
András Riedlmayer: Anëtarësimi në UNESCO është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe për njohjen e saj në mbarë botën.
UNESCO mund t’i ofrojë Kosovës këshilla nga ana e ekspertëve të specializuar në këtë fushë, por edhe mbështetjen për trajnimin e specialistëve kosovarë në mbrojtjen ligjore, ruajtjen, inventarizimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore të vendit.
Këtu përfshihet mbrojtja e trashëgimisë së prekshme, materiale të Kosovës – të mishëruar në ndërtesat e bukura të vjetra, në qytetet historike të Kosovës, në muzetë e saj, dhe lokacionet arkeologjike. Veç kësaj, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të jetë i vlefshëm edhe për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jo materiale të Kosovës – për regjistrimin dhe ruajtjen e traditave gojore në Kosovë, arteve të performuara të saj, praktikave sociale, ritualeve, ngjarjeve festive, shkathtësive tradicionale artizanale dhe shprehjeve të tjera të kulturës dhe identitetit të Kosovës.
KosovaPressP: A ka Kosova objekte të rëndësishme të arkitekturës islame që mund të konsiderohen si objekte të trashëgimisë?
András Riedlmayer: Kosova ka qenë prej kohësh udhëkryq i Ballkanit, aty ku rrymat e mëdha fetare dhe kulturore mesdhetare janë puqur dhe kanë ndërvepruar më njëra-tjetrën dhe me traditat lokale. Këto ndërveprime kulturore i kanë dhënë Kosovës një trashëgimi të jashtëzakonshme, duke përfshirë një traditë 600-vjeçare të traditës islame evropiane, në lulëzim e sipër, njëherësh një pjesë e trashëgimisë së vendit që meriton një njohje dhe vlerësim më të mirë.
Shembujt përfshijnë xhamitë e vjetra të Kosovës dhe monumente të tjera të arkitekturës islame, të tilla si Xhamia, Hamami i Sulltan Mehmed Fatihut (i ndërtuar më 1461), në Prishtinë; Xhamia e Tregut (1471), në Pejë; Xhamia e Gazi Ali Begut (1410), në Vushtrri; Xhamia dhe Biblioteka Islame e Hadum Sylejman Agës, në Gjakovë (e ndërtuar më 1592-95); Hamami, Xhamia dhe Biblioteka e Gazi Mehmet Pashës (1563-1574) dhe Xhamia e Sinan Pashës (1615) në Prizren. Këto janë vetëm disa nga objektet e trashëgimisë islame evropiane të Kosovës.
Përreth këtyre monumenteve dhe dhurimeve përkatëse islamike (të njohura si vakufe), u ngritën shkolla islame, tregje, lagje dhe qytete të tëra, si Prizreni, Gjakova, Vushtrria dhe Peja. Këto monumente dhe qytete historike janë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë historike dhe kulturore të Kosovës dhe meritojnë njohje e mbrojtje.
KosovaPress: Argumenti kryesor i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është shkatërrimi i kishave nga individë të caktuar në Kosovë. Si do ju përgjigjeshit këtyre akuzave?
András Riedlmayer: Ky nuk është një argument valid. Mos harroni se gjatë luftës së viteve 1998-1999, 218 xhami, rreth 40 për qind e të gjitha xhamive në Kosovë, u shkatërruan apo dëmtuan, si pasojë e sulmeve nga forcat serbe. Forcat serbe po ashtu dogjën e shkatërruan pazaret e vjetra në qytetet e Gjakovës, Pejës dhe Vushtrrisë, ata shkatërruan xhaminë e vjetër dhe kullat historike në qytetin e vjetër të Deçanit, por shkatërruan edhe shumë qytete dhe fshatra të tjera.
Kjo përbënte, sipas fjalëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, një “fushatë sistematike nga ana e forcave serbe, kundër popullatës shqiptare të Kosovës me motive posaçërisht fetare, e cila përfshiu dëmtimin dhe shkatërrimin sistematik të monumenteve kulturore dhe të objekteve të shenjta myslimane.” [Gjykimi nga ana e Dhomës Gjyqësore të ICTY, Prokurori kundër Vllastimir Gjorgjeviq, 23 shkurt 2011, paragrafi 1855].
Në anën tjetër, mrekullisht, asnjë kishë apo manastir i vetëm serb në Kosovë nuk është dëmtuar apo shkatërruar nga shqiptarët gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Fatkeqësisht, kjo ndryshoi pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999, kur mijëra refugjatë shqiptarë të cilët ishin dëbuar nga Kosova gjatë luftës u kthyen në qytetet dhe fshatrat e tyre të djegura. Gjatë verës së vitit 1999, dhjetëra kisha dhe manastire ortodokse u dëmtuan dhe rreth 40 syresh u shkatërruan në sulmet hakmarrëse. Trazirat ndëretnike të marsit 2004 rezultuan në dëmtimin e 30 kishave dhe manastireve të tjera.
Sulmet mbi trashëgiminë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin, në të shumtën e rasteve, të kryera nga formacione të armatosura të shtetit serb. Dëmet e shkaktuara ishin të tmerrshme dhe të jashtëzakonshme – por qeveria serbe deri më tani ka refuzuar t’i njohë këto dëme, dhe ajo nuk ka ofruar asnjë kërkimfalje apo dëmshpërblim për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës.
Njerëzit të cilët sulmuan kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë në mars të vitit 2004 ishin protestues të dhunshëm civilë. Qeveria e Kosovës u përgjigj duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndajë fonde publike për riparimin dhe restaurimin e kishave dhe manastireve të dëmtuara. Afro 200 akuza janë ngritur ndaj protestuesve të marsit 2014; 143 individë u dënuan, 67 prej të cilëve morën dënime me burg prej më shumë se një vit. Nuk janë shënuar incidente të reja që do të rezultonin në dëmtimin të kishave në Kosovë në dekadën e fundit. Mendoj se këto fakte flasin për vete.
KosovaPress: A mendoni se diplomacia e Kosovës ka dështuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore? Serbia i ka regjistruar të gjitha monumentet si serbe?
András Riedlmayer: Pretendime të tilla “eksterritoriale” ndaj trashëgimisë së ndodhur në territorin e një shteti tjetër nuk kanë precedent dhe vlefshmëri. Kjo nuk është çështje që ia vlen të debatohet. Trashëgimia e paluajtshme i takon vendit ku ajo ndodhet, vendit që është përgjegjës për mbrojtjen e saj. Mbani në mend se shumica e ndërtuesve dhe mjeshtërve që ndërtuan xhamitë dhe kishat e Kosovës ishin banorët vendas, siç ishin edhe njerëzit të cilët kanë shfrytëzuar këto monumente përgjatë shekujve për t’u falur dhe për rituale të rëndësishme, dasma apo funerale. Këto monumente, ashtu si edhe njerëzit që i kanë shfrytëzuar ato, u përkasin qyteteve dhe fshatrave në të cilat kambanoret dhe minaret janë pjesë e peizazhit shumetnik dhe shumfetar të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka bërë shumë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të këtij realiteti kulturor në Kosovë. Që nga viti 2012, MPJ e Kosovës ka sponsorizuar Nismën ndërfetare të Kosovës (Interfaith Kosovo) – në kuadër të së cilës janë mbajtur një sërë konferencash dhe punëtorish në të cilat kanë qenë pjesë edhe prijës fetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të Kosovës dhe nga vende anembanë botës. Nisma Interfaith Kosovo tani është në komunitetin global online përmes faqes www.interfaithkosovo.org dhe ka sponsorizuar një sërë publikimesh mbresëlënëse, në mesin e tyre një libër mbi shkatërrimin e trashëgimisë islame në luftën e Kosovës 1998-1999, për të cilin kam pasur nderin të kontribuoj me fotografi dhe një tekst hyrës. /KosovaPress/


