PRISHTINË – Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme ka vendosur që seanca e ardhshme plenare të mbahet nesër, të enjten, me fillim nga ora 10:00. Pas polemikave dhe fërkimeve të shumta ndërmjet të përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për shkak të mospërdorimit të sigurimit fizik nga ana e Kryetarit të Kuvendit, për ta ndërprerë bllokimin e punës nga opozita, në çka po insiston LDK, në fund u vendos që nesër do të shtohen masat e kontrollimit fizik të gjithë deputetëve.
Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit, në të cilën sërish munguan shefat e grupeve parlamentare të opozitës, Vetëvendosjes (VV), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, megjithatë nuk kaloi pa fërkime.
Kësaj radhe polemika pati ndërmjet të PDK-së dhe LDK-së për shkak të qëndrimit tolerant të kryeparlamentarit Veseli ndaj opozitës, përkundër veprimeve që nga bashkësia ndërkombëtare u quajtën jodemokratike dhe të dhunshme, pasi deputetët e opozitës përdorën filikaqa, hodhën ujë dhe në fund, gaz lotsjellës, për ta penguar zhvillimin e seancës normale të Kuvendit.
Fillimisht, kryeparlamentari Veseli deklaroi se, bllokimi i Kuvendit nga partitë opozitare po bëhet kryekëput për arsye politike dhe po pamundësohet debati për shumë çështje, përfshirë edhe dy marrëveshjet e kontestuara nga opozita, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Ai shtoi se, me këtë bllokim po tentohet të kërkohet shkas për nxitjen e trazirave më të mëdha, në rrugë.
“Është një situatë reale të cilën e kemi qe një muaj, dikujt i ka pëlqyer e dikujt jo, mënyra se si e kemi kaluar këtë muaj. Ne jemi duke u futur drejt krizës drejt një qëllimi të qartë që përmes Kuvendit të fillohet lëvizja e madhe dhe Kuvendi të përdoret si shkas. Si kryetar i Kuvendit do të luftoj deri në fund që, Kuvendi të mos përdoret për një revolucion të fuqishëm, të madh e as të vogël” tha Veseli.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri kundërshtoi këtë qëndrim të kryeparlamentarit duke insistuar se Rregullorja e Punës së Kuvendit qartazi e përcakton se si duhet të veprohet në rast të bllokimit të punës së Kuvendit.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka kërkuar nga Veselit ë jetë më i vendosur në gjetjen e rrugëve për ta tejkaluar këtë situatë dhe se, në këto rrethana njeriu nuk mund të mbetet i mirë me të gjithë.
“Ne duhet me e deblloku punën e Kuvendit , duhet me e funksionalizu dhe ndoshta të gjitha detajet nuk përcaktohen megjithatë, mjaftueshëm përcaktohet në Rregullore ajo se, si mund të vije deri tek debllokimi” tha Beqiri .
Ai insistoi tek kryeparlamentari që të shtohet maksimalisht kontrollimi i deputetëve, për të parandaluar futjen e mjeteve të rrezikshme dhe të palejuara në Kuvend, që do të mund të rrezikonin deputetët.
Kjo deklaratë e Beqirit e ka nxitur kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin që të reagoi duke thënë se, ai kurrë në jetë nuk është frikuar, përveç nga turpi dhe me këtë rast ka ripërsëritur se, sa të jetë ai kryetar i Kuvendit, forcat e sigurimit nuk do të ndërhyjnë gjatë seancës për shkak të debateve të nxehta apo hedhjeve të vezëve.
Sidoqoftë, Veseli u shpreh se, në bazë të Rregullores e ka për obligim që për shtimin e masave të sigurisë të konsultohet dhe të vendos së bashku me të gjithë anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, gjë të cilën pastaj është i obliguar edhe ta zbatojë në sallë.
“A dëshironi t’i largoni 29 deputetë të opozitës dhe a dëshironi të merrni vendim që të futen forcat e sigurisë në Kuvend, nesër?” pyeti Veseli duke kërkuar që Kryesia të deklarohet nëse dëshiron t’i nxjerr deputetët e opozitës nga seanca apo jo, në momentin kur ata fillojnë bllokimin.
Komentet