VOAL – PRISHTINË – Shteti i Serbisë mbetet partneri kryesor në tregun e Kosovës. Produkte të prodhuara në këtë shtet, has në çdo vitrinë të dyqaneve apo qendrave të mëdha tregtare në Kosovë.
Por, një gjë e tillë nuk ndodhë me produktet “Made in Kosova” në shtetin fqinj, në Serbi.
Megjithatë, ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se pavarësisht problemeve politike Kosovë – Serbi, në aspektin ekonomik këto dy shtete kanë marrëdhënie të mira tregtare, por që bashkëpunimi është në favor të ekonomisë së Serbisë.
Sipas raportit “ Statistikat e Tregtisë së Jashtme” publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajin mars të këtij viti, thuhet se përqindja më e madhe e importit për këtë periudhë ka qenë nga Serbia me 15.3 për qind, kurse Kosova ka arritur të eksportojë në territorin e këtij shteti vetëm 5.6 për qind.
Ndërkaq, sipas shifrave zyrtare në vitin 2013, importi i produkteve të Serbisë në Kosovë ka qenë mbi 285 milionë euro, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në Serbi mbi 14 milionë euro.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq shprehen se bashkëpunimi ekonomik është vulë për fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “vetë prania e numrit të madh të prodhimeve të Serbisë në Kosovë është dëshmia më e mirë se bashkëpunimi në mes këtyre dy shteteve, në aspektin ekonomik është mjaft dinamik dhe në këtë drejtim ka avancime”.
“Në fund të fundit, në Bruksel mund të arrihen marrëveshje të shumta të natyrës politike, por asnjë marrëveshje politike nuk mund të ketë qëndrueshmërinë, zbatueshmërinënëse, nëse nuk e ka vulën ekonomike”.
“Prandaj edhe në raportet Kosovë – Serbi bashkëpunimi ekonomik dhe vula e qëndrueshmërisë ekonomike duhet të jetë mjaft e rëndësishme dhe prioritare“, tha Gërxhaliu.
Ai ka shtuar se në këtë drejtim shqetësuese mbetet fakti se shoqëria kosovare shumë më tepër është e orientuar për të importuar nga Serbia se sa për të eksportuar.
Për këtë ai kërkon nga autoritetet kompetente që të përkrahin sektorin privat, konkretisht industrinë e prodhimit.
Edhe Flamur Keqa, ekspert për çështje ekonomike, thekson se marrëdhëniet ekonomike në mes të këtyre dy shteteve janë në nivelin e duhur, por këto marrëdhënie janë të pabarabarta.
Kjo sipas tij, ndodh pasi shteti i Serbisë ka një ekonomi dhe prodhim të zhvilluar karshi Republikës se Kosovës, që ka një ekonomi dhe industri të prodhimit të pazhvilluar.
“Nëse i shohim këto elemente, vërejmë se bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë ka qenë në favor të ekonomisë së Serbisë. Përkundër asaj se fuqia ekonomike e Serbisë ka sunduar mbi fuqinë ekonomike të brishtë të Kosovës, megjithatë ka vendosur edhe barriera shtesë në lëvizjen e lirë të mallrave të Kosovës në Serbi“, tha Keqa
Ndryshe, javën e kaluar Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), e kanë vizituar përfaqësues të Odës Ekonomike të Serbisë, me ç’rast është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që një zyrtar nga OEK-u të jetë në zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe anasjelltas.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, konsideron se ekonomia bashkon popujt e ndarë dhe me këtë bashkëpunim Kosova si shtet promovon dialogun, partneritetin dhe bashkëpunim ekonomik rajonal.
“Pikërisht ekonomia ka qenë ajo që ka afruar Evropën e ndarë nga Lufta e Dytë Botërore. Prandaj ne nuk bëjmë as më pak as më shumë se çfarë ka bërë Evropa në vitin 1957-58, me Traktatin e Romës. Duhet të jipet mundësia e bashkëpunimit ekonomik jo vetëm në forma klasike, por në forma të avancuara, që ne bashkërisht të jemi aktivë edhe në shërbime edhe me tregti me vendet e treta dhe më gjerë”.
“Serbia i ka dy marrëveshje strategjike të tregtisë së lirë, është partnere shumë e denjë e Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha ka lidhje shumë të mira me shtetet e ish Bashkimit Sovjetik. Pse mos të shfrytëzohet një gjë e tillë?”
Sidoqoftë edhe në aspektin ekonomik në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ka pasur probleme.
Pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës, për tri vjet radhazi Serbia nuk kishte lejuar produktet kosovare të hyjnë në tregun e saj.
Kurse në vitin 2011, si masë reciprociteti autoritetet kosovare kishin bllokuar produktet e Serbisë. rel
Komentet