VOAL

VOAL

Mustafa: Nuk jap dorëheqje nga posti, opozita të japë dorëheqje nga gazi e dhuna

December 30, 2015
blank

Komentet

blank

Policia e Kosovës po vazhdon hetimet në zonën rreth Banjskës

Policia e Kosovës në një rrugë në afërsi të fshatit Banjskë, në veri të Kosovës më 26 shtator 2023.

 

Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjeje të armatosur me një grup personash, nga e cila mbeti i vdekur një polic dhe tre sulmues.

Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.

Në Banjskë, fshatin e vogël rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, mund të hyjnë dhe dalin vetëm banorët e tij me nevoja urgjente, sipas Elshanit.

Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

Pasi shtiu ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur iku dhe u strehua në manastirin e Banjskës, ku i vazhdoi përleshjet me policinë e Kosovës.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi gjashtë të tjerë.

Ndërkohë në mbrëmjen e 25 shtatorit në hotelin Banjska janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për armëmbajtje.

Vendet perëndimore dënuan ashpër sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës dhe kërkuan një hetim urgjent dhe që personat e përfshirë të sillen para drejtësisë.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.

Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.

blank

Drejtori i Policisë: Rreth 30 të dyshuar të tjerë ikën në këmbë, lanë pas 24 automjete

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë së rreth 30 persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, kanë arritur të ikin nga Manastiri i Banjskës në këmbë.

Hoxha tha se ata kanë lënë pas 24 automjete, një prej të cilave mjet i blinduar. Brenda këtyre veturave, Hoxha tha se janë gjetur sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm.

“Personat e tjerë të dyshuar që bazuar në pamjet e sigurisë, mund të ishin rreth 30 persona kanë arritur që të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth manastirit të Banjskës, duke lënë mbrapa automjetet e tyre, që gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, rezulton të jenë 24 automjete, një mjet i blinduar, si dhe dy motorrë me katër rrota, në brendi të të cilave automjete gjendej në sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm”, ka deklaruar Hoxha në konferencën e përbashkët me Ministrin Xhelal Sveçla.

Në vendin e ngjarjes, Hoxha tha se janë gjetur trupat e tre personave të vrarë, të cilët ishin të pajisur me armë të gjata dhe të veshur me uniforma ushtarake.

“Gjatë ekzaminimit të vendin e ngjarjes, në hapësirat në dhe përreth Manastirit të Banjskës janë gjetur trupat e tre personave të vrarë që janë në process të verifikimit, të cilëyt dyshohet të jenë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me ekipet e Policisë së Kosovës. Personat e vrarë ishin të pajisur me armë të gjata dhe kishin të veshur uniforma dhe pajisje të tjera ushtarake”, ka thënë Hoxha.

blank

Kosovë: Të arrestuarit në Banjskë, ‘shtetas të Serbisë’

Të arrestuarit në Banjskë të Zveçanit, që dyshohet se ishin në kontakt me sulmuesit e Policisë së Kosovës, kanë shtetësi të Serbisë, konfirmon prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Naim Abazi.

“Shtetas të tjerë nuk kemi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se disa nga të arrestuarit, përveç nënshtetësisë serbe, kanë edhe dokumente të Kosovës, por nuk specifikon se sa prej tyre kanë të tilla.

Sipas tij, të gjithë ata janë ende në proces të intervistimit.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 syresh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre sulmues dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet. Ato nuk thanë nëse personat tjerë të armatosur, u larguan.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarve u është caktuar tashmë masa e ndalimit prej 48 orësh dhe se ata dyshohen për një sërë veprash, përfshirë “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Duke folur në një konferencë për gazetarë të hënën, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se hetimet për të arrestuarit janë duke vazhduar.

“Sa i përket identifikimit të personave që kanë qenë prezentë, është duke u bërë një punë e madhe, por, për momentin, informacionet në këtë drejtim nuk mund t’i ndajmë me publikun”, tha Hoxha.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i tij i Brendshëm, Xhelal Sveçla, akuzuan Beogradin zyrtar për orkestrimin e sulmit në Banjskë.

Çfarë thonë autoritetet në Beograd?

Në Beograd nuk ka asnjë informacion zyrtar për sulmuesit e Policisë së Kosovës, përveç asaj që tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Serbët nga Kosova u rebeluan, pasi nuk deshën ta vuajnë më terrorin e Kurtit”, tha Vuçiq.

Por, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare në pyetjet se kush janë sulmuesit, kush i ka trajnuar dhe me kë kanë qenë të lidhur.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse dikush nga grupi i sulmuesve ka kaluar në Serbi dhe nëse ai është arrestuar.

Meho Mahmutoviq, drejtor i spitalit në Novi Pazar, qytetit më të afërt përtej kufirit të Kosovës, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar deklaratat e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, se gjashtë sulmues të policisë në Banjskë po trajtohen në këtë spital.

REL-i mori vesh jozyrtarisht nga një burim brenda spitalit se disa nga sulmuesit janë duke u trajtuar aty. Megjithatë, burimi nuk ka mundur ta thotë numrin e saktë dhe as të japë informacione për gjendjen e tyre shëndetësore.

Ekipi i REL-it shkoi te spitali në Novi Pazar pasditen e së hënës, por nuk vërejti prani të shtuar të policisë.

Qeveria e Serbisë dhe Zyra për Kosovën në Serbi nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për t’i komentuar pretendimet e ministrit Sveçla se Millan Radoiçiq – nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe – është i lidhur me sulmin.

Qeveria serbe nuk iu përgjigj as pretendimeve të Prishtinës se grupi që ka sulmuar Policinë e Kosovës, dyshohet se është mbështetur aktivisht nga kjo qeveri.

As Presidenca e Serbisë nuk dha ndonjë koment.

Dushan Janjiq, nga Forumi joqeveritar për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e zakonshme për hetimet që të mos zbulojnë emra, derisa të kontrollohet gjithçka.

“Nëse autoritetet në Beograd dinë vetëm atë që ka lexuar Vuçiq, atëherë duhet ta zëvendësojnë menjëherë Vulinin”, thotë Janjiq.

Aleksandar Vulin është kreu i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA). Ai është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, nën dyshimet për korrupsion dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për lidhje me Rusinë.

Janjiq thotë se, aktualisht, nuk ka informacione se ku janë “njëzet apo tridhjetë personat e mbetur nga grupi që u përlesh me Policinë e Kosovës”.

Autoritetet e Kosovës thanë se grupi prej rreth 30 sulmuesish ishte i armatosur me armë të rënda, përfshirë, sipas tyre: granata, armë ushtarake dhe disa automjete të blinduara.

Një sasi e madhe e këtij armatimi u konfiskua, tha Policia e Kosovës.

Janjiq thotë se motivi i sulmit ndaj Policisë së Kosovës është politik dhe përmend deklaratën e Vuçiqit se bëhet fjalë “për rebelim të popullit” serb.

“Tash e tutje mund të flasim për parapolici apo paraushtarakë brenda komunitetit serb”, thotë Janjiq.

Në një adresim të jashtëzakonshëm më 24 shtator, Vuçiq i hodhi poshtë akuzat se policia apo ushtria serbe janë të përfshira në sulmin në Banjskë.

Ekspertë të sigurisë në Kosovë thanë për Radion Evropa e Lirë se grupi që sulmoi policët kosovarë, nuk është strukturë spontane, por e organizuar dhe e parapërgatitur mirë.

“Tash, lind pyetja: A ka qenë drejtpërdrejt shteti serb i përfshirë në këtë strukturë apo kanë qenë elemente radikale të përziera? Kjo është vështirë të konfirmohet. Por, pasi që ka persona të arrestuar, atëherë informacionet se kush i ka shtyrë ata që të organizohen, do të gjenden”, tha Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Edhe Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i tha REL-it se sulmi në veri duket se ishte një aksion “i organizuar mirë”.

Komuniteti ndërkombëtar e dënoi sulmin në Banjskë në termat më të fuqishëm.

blank

Policia e Kosovës merr në kontroll Banjskën, vijon operacioni për kapjen e agresorëve serbë

Një ditë pas sulmit terrorist që i mori jetën një efektivi të Policisë së Kosovës dhe la pas dy të tjerë të lënduar, situata në veri të Kosovës është e qetë.

Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar se ditën e sotme situata në fshatin Banjskë dhe përreth është e qetë, pasi policia tanimë ka kontrollin e zonës.

Megjithatë mësohet se operacioni i policisë ende vijon, ndërsa ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me agresorët e tjerë serbë që u larguan nga manastiri i Banjskës pas ndërhyrjes.

Ajo shtoi se hyrja në fshatin Banjskë është e pamundur dhe se aty janë lejuar vetëm banorët e zonës, të cilët i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë.bw

blank

Sulmuesit në veri, “të strukturuar dhe të përgatitur”

Fshati Banjskë, 24 shtator 2023

Bekim Bislimi

Grupi i personave të armatosur që sulmoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, nuk është strukturë spontane, por e organizuar dhe e parapërgatitur mirë, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë.

Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë në Prishtinë, vlerëson se “formacioni imiton grupin mercenar rus, Wagner”, ndërsa Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se ai nuk ka mundur të veprojë “pa dijen e autoriteteve të Serbisë”.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën të dielën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Autoritetet thanë se rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra gjatë sulmit.

Sipas tyre, sulmuesit e armatosur, rreth 30 syresh, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan.

Sipas Sveçlës, autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi.

Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Çfarë thonë ekspertët e sigurisë?

Profesori Islami thotë për Radion Evropa e Lirë se grupi i armatosur, i cili sulmoi policinë në Banjskë, ishte një formacion i strukturuar dhe i përgatitur mirë.

Sipas tij, grupi nuk funksionoi si i izoluar dhe i vetorganizuar, por si një formacion me uniforma, me armatim specifik dhe i lidhur “me institucionet e sigurisë së Serbisë”.

“Uniformat e tilla i ngjajnë grupit [mercenar rus] Wagner. Duket se ky grup i strukturuar edhe ishte imitues i grupit Wagner”, thotë Islami duke iu referuar mercenarëve rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe në zona të tjera konflikti.

“Armët e gjata, armët luftarake, të gjitha ato janë armë që përdoren në vijën e parë të frontit nga afërsia. Këto janë të mjaftueshme që të thuhet se ky grup terrorist, i lidhur me shtetin serb, ka kryer terrorizëm shtetëror në një territor të huaj”, thotë Islami.

Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se, bazuar nga mënyra se si u realizua sulmi në Banjskë, nuk mund të thuhet se formacioni kreu një akt spontan.

Sipas tij, ai veproi i orkestruar dhe me plan për ta destabilizuar pjesën veriore të Kosovës.

Një gjë e tillë, thotë ai, nuk ka mundur të ndodhë pa dijen e autoriteteve të Serbisë.

“Nëse flasim për mënyrën se si ata janë paraqitur, ajo tregon qartë se ata persona janë trajnuar, janë përgatitur, kanë marrë resurse mjaft të kushtueshme që të mund të operojnë. Mendoj se është e pamundshme që [autoritetet serbe] të mos i kenë informacionet. Tash, lind pyetja: A ka qenë drejtpërdrejt shteti serb i përfshirë në këtë strukturë apo kanë qenë elemente radikale të përziera? Kjo është vështirë të konfirmohet. Por, pasi që ka persona të arrestuar, atëherë informacionet se kush i ka shtyrë ata që të organizohen, do të gjenden”, shpreh bindjen Vrajolli.

Çfarë u tha në Prishtinë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i hetimeve do të ofrojë më shumë të dhëna se kush ishin personat e “formacionit profesionist” që sulmoi policinë, si hynë dhe kur hynë në Kosovë, si dhe kush janë urdhërdhënësit dhe dirigjuesit e sulmit.

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se bëhet fjalë për “grup terrorist”.

Sipas tij, disa nga sulmuesit janë “pjesëtarë të Mbrojtjes Civile” – organizatë të cilën Qeveria e Kosovës e shpalli terroriste, në fund të qershorit.

Duke folur për Radio Televizionin e Kosovës, Sveçla tha se sulmi kundër Policisë së Kosovës është realizuar me mbështetjen e “shtetit të Serbisë” dhe drejtoi gishtin drejtpërdrejt kah presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Çfarë u tha në Beograd?

Vuçiq i hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve të Kosovës.

Duke folur në një adresim të drejtpërdrejtë televiziv, ai tha se serbë të Kosovës u rebeluan “duke mos dashur që ta durojnë më tej terrorin e Kurtit”.

Dy nga tre personat e vrarë nga grupi i sulmuesve, tha Vuçiq, janë nga Mitrovica e Veriut.

“Ne ende po kontrollojmë për t’u siguruar që nuk janë emra të rremë”, tha ai.

“Fajtori i vetëm për atë që ndodhi në Kosovë është Albin Kurti”, tha Vuçiq dhe shtoi se sulmuesit nuk kishin uniforma të ushtrisë apo policisë serbe.

Çfarë tha komuniteti ndërkombëtar?

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e dënoi vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe tha se është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se i dënon ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson edhe bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, tha se ka biseduar të dielën me udhëheqësit e të dyja vendeve.

Borrell, u tha në një komunikatë të zyrës së tij, bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit.

Tensionet në veri

Pjesa veriore e Kosovës, përkatësisht komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.

Popullata atje, e ndikuar nga Beogradi zyrtar dhe strukturat që funksionojnë nën udhëheqjen e tij, nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës.

blank

Qeveria e Kosovës ndan 30 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve për ngrohje

Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 milionë euro, për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo është shuma më e lartë financiare që Qeveria, në bashkëpunim më Bashkimin Evropian, ka ndarë për subvencionimin e pajisjeve për sektorin e banimit.

Përmes kësaj skeme, u shpreh ajo, synohet jo vetëm të ulet çmimi në fatura, por edhe të rriten gjasat për furnizim të rregullt me energji.

“Sot po lansojmë thirrjen që subvencionon investimet në pajisje ngrohëse efiçiente; si pompë termike, kondicionerë ose klimë të tipit inventer me efiçiencë të lartë, kaldaja dhe stufa individuale me biomasë, si druri dhe veleti”, tha Rizvanolli në një konferencë për media, më 22 shtator.

Investimet në këtë masë janë kyçe për të rritur efiçiencën e energjisë në sektorin e banimit, tha ajo, pasi një pjesë e madhe e energjisë nga familjet konsumohet për ngrohje.

Aplikimi do të nisë nga sot (22 shtator) në platformën online të Qeverisë se Kosovës, E- Kosova dhe do të zgjasë deri më 25 nëntor 2023. Ata, të cilët i plotësojnë kriteret, do të përfitojnë një subvencion prej 45 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh. Kurse, pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes, sipas njoftimit, nuk do të subvencionohen.

Një subvencionim për pajisje të tilla ka ndodhur edhe vitin e kaluar. Rizvanolli tha se përfituesit e vitit të kaluar kanë kursyer deri në 40 për qind në faturat e energjisë elektrike.

Me qëllim të kursimit të energjisë elektrike dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës muajin e kaluar ka vendosur të subvencionojë rreth dy mijë familje për izolimin e shtëpive të tyre.

Kurse, më 17 shtator ka përfunduar aplikimi për fazën e parë të subvencionimit për sistemin diellor të ngrohjes të ujit sanitar.

Po ashtu, ekzekutivi është duke subvencionuar pajisje elektrike shtëpiake, si enëlarëse, rrobalarëse dhe frigoriferë.rel

blank

Kurti takon Ashtonin: Përballemi me çështje të njëjta si para 10 vjetësh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njofton se të premten në mbrëmje ka darkuar me ish- Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton, ku kanë diskutuar për politikën dhe çështjet evropiane, përfshirë edhe ato rajonale.

“Kryeministri nënvizoi se edhe sot, ndonëse rolet e tyre janë të ndryshëm në krahasim me dhjetë vjet më parë, shumë çështje me të cilat përballemi janë të njëjta”, citohet Kurti në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, gjatë qëndrimit në Kosovë ka kërkuar që dialogu Kosovë-Serbi të ecë përpara dhe të ketë normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

blank

Leposaviqi dhe Zubin Potoku anëtarësohen në Asociacionin e Komunave të Kosovës

Leposaviq, korrik 2023.

 

Leposaviqi dhe Zubin Potoku janë anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës më 14 shtator, njoftoi partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje tha në rrjetin social Facebook se “kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut votuan pro bashkimit në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Lista Serbe e kundërshtoi këtë vendim, duke thënë se “ai nuk është në përputhje me kërkesat e serbëve lokalë”, dhe se si i tillë “do të vazhdojë ta përshkallëzojë situatën në veri të Kosovës”.

Në fund të muajit të kaluar, Asociacionit iu bashkua edhe Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Çka është Asociacioni i komunave të Kosovës?

Asociacioni i komunave të Kosovës funksionon në Kosovë si organizatë joprofitabile e themeluar për t’i përfaqësuar dhe për t’u shërbyer interesave të anëtarëve të saj, gjegjësisht komunave të Kosovës. Pjesë e këtij Asociacioni janë 34 komuna të Kosovës. Kuvendi ka 126 anëtarë dhe përbëhet nga të gjithë kryetarët e komunave dhe nga një këshilltar i zgjedhur për secilin nga dhjetë këshilltarët komunalë dhe përfaqësues nga komunitetet jo-shumicë në kuvendet e komunave. Misioni i këtij Asociacionit është të krijojë qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunat dhe përmes tyre të arrihet një performancë e kualitetit të lartë në shërbimin e nevojave për anëtarët e saj.

Pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës në prill – Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – në zgjedhjet e bojkotuara nga qytetarët serbë, Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi kishin kërkuar gjithashtu nga institucionet kosovare që ndërtesat publike të këtyre komunave të kyçen në sistemin energjetik të Kosovës dhe të paguajnë për energjinë elektrike të komunave që udhëheqin.

Mitrovica e Veriut, së bashku me tri komunat e tjera në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar.

Faturat e energjisë së shpenzuar në veri, fillimisht janë paguar nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Megjithatë, në këto dy komuna dhe në dy të tjerat në veri të Kosovës pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme, të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar që nga fundi i majit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.rel

blank

Dorëheqje nga komunat, ‘vetëm në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës’

 Flamuri i Republikës së Kosovës i vendosur në ndërtesën e Komunës së Zveçanit

 

Mundësinë e dorëheqjes, si mënyrë për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, janë të gatshëm ta shqyrtojnë kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

Kryetarët e dy komunave tjera në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, Erden Atiq i Mitrovicës së Veriut dhe Lulzim Hetemi i Leposaviqit, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ata do të jepnin dorëheqje dhe në çfarë rrethanash.

REL-i i kontaktoi ata pas komenteve të të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për Zërin e Amerikës, se “rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhjet e reja” do të ishte “nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë japin dorëheqje”.

Pas kërkesës së BE-së, Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri, me qëllim të shtensionimit të situatës atje.

Tensionet në zonë janë rritur qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë hyrë në zyrat e tyre, me gjithë kundërshtimet e popullatës lokale serbe.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat komuniteti serb i ka bojkotuar.

Qeveria e Kosovës ka nxjerrë tashmë një udhëzim administrativ, për të cilin ka thënë se u hap rrugë zgjedhjeve të reja, por, sipas njohësve të çështjeve juridike, dokumenti mund të hasë në pengesa kushtetuese.

“Dorëheqjet – rrugë më e shpejtë”

Zeqiri i Zubin Potokut dhe Peci i Zveçanit – të dy nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë – thonë se janë të gatshëm t’i shqyrtojnë dorëheqjet vetëm në marrëveshje me Qeverinë dhe Presidencën e Kosovës.

“Nëse Kosova po sanksionohet për shkak të kësaj administrate në veri, unë jam i hapur për t’i biseduar të gjitha opsionet, por zgjidhja është me dakordim. Nëse ka marrëveshje të të gjithë kryetarëve, Qeverisë dhe partive për dorëheqje, kjo mund të ndodhë dhe është një rrugë më e shpejtë”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, çështja e dorëheqjeve nuk është diskutuar ende me aktorët qeveritarë.

Nëse ndodhin, Peci thotë se dorëheqjet do të duhej të vinin nga të katër kryetarët e komunave në veri.

“Nuk çon peshë vetëm njëri të japë dorëheqje e tre të mbesin”, thotë ai.

“Për hir të qytetarëve, për hir të shtetit do të arrinim një mirëkuptim, por të shohim … deri tani nuk kemi pasur asnjë ftesë zyrtare për të dhënë dorëheqje apo ndonjë takim”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

REL-i kontaktoi Qeverinë e Kosovës dhe Presidencën e Kosovës për t’i pyetur nëse janë duke shqyrtuar ndonjë takim me kryetarët e komunave në veri, por, deri në publikimin e këtij artikulli, dy institucionet nuk u përgjigjën.

Më herët, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Qeveria, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të kërkojë dorëheqje nga kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që vijnë nga kjo parti. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, ka thënë më 13 shtator se dorëheqjet janë “kërkesë vetëm e Beogradit”.

Kërkesës së REL-it për komente nuk iu përgjigj as Lëvizja Vetëvendosje.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, tha se “zgjedhjet në veri tashmë janë bërë të nevojshme dhe të domosdoshme”. Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tha se Qeveria e Kosovës “nuk shquhet aspak për koordinim”.

“Duhet marrëveshje e gjerë”

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave në veri do të duhej të vinin si refleksion i tyre, por mbi bazën e një marrëveshjeje më të gjerë politike mes ekzekutivit, kryetarëve dhe faktorit ndërkombëtar.

“Pa një marrëveshje më të madhe politike ekziston rreziku që nëse do të kishim parcializim të situatës – në atë kuptim që do të ofronin dorëheqje gjysma e kryetarëve, përkatësisht dy nga ta – do të futeshim në një cikël edhe më problematik të zhvillimeve, ku, potencialisht, nuk do të garantohej as pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhje”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Si për aspektin procedural, ashtu edhe atë kohor dhe financiar, Cakolli thotë se dorëheqjet janë zgjidhja më e lehtë.

Por, sipas tij, hapat e deritashëm të Qeverisë nuk tregojnë se ajo ka vullnet për ndonjë marrëveshje politike me kryetarët.

“Insistimi i Qeverisë për të ndjekur modelin me anë të peticionit, sado që në dukje është demokratik, në vetvete nuk ka asnjë garanci që do të ketë pjesëmarrje të komunitetit serb në të dyja proceset [edhe në peticion, edhe në zgjedhje]”, thotë Cakolli.

Çfarë parasheh Udhëzimi Administrativ?

Udhëzimi Administrativ, i cili është bërë publik më 5 shtator nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, parasheh fillimisht inicimin e një peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse dhe nënshkrimin e tij nga 20 për qind e votuesve të asaj komune.

Më pas, peticioni me nënshkrime do t’i dërgohej kryesuesit të kuvendit komunal dhe ai do ta dërgonte atë për verifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nëse KQZ-ja vlerëson se janë ndjekur hapat e duhur, ajo organizon votimet për largimin e kryetarit nga funksioni.

Për largimin e tij do të duhen 50 për qind plus një votë e qytetarëve.

Sipas njohësve të çështjeve juridike-kushtetuese, votimi në bazë të këtij udhëzimi është një formë e referendumit, për të cilin Kosova nuk ka bazë ligjore.

Me Ligjin për vetëqeverisje lokale në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mbahen në tri raste: nëse kryetari jep dorëheqje, nëse qytetarët e kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe nëse kryetari nuk paraqitet në vendin e punës për më shumë se një muaj, pa arsye.

blank

Serwer: Vuçiç është i interesuar të pushtojë veriun e Kosovës

Pritjet nga takimi i radhës në Bruksel për profesorin dhe analistin e njohur, Daniel Serwer, janë të ulëta dhe nuk sheh përgatitje për një rezultat të suksesshëm nga të dyja palët, arsyeja, sipas tij, është se nuk shihet ndonjë reflektim i madh.

“Nuk shoh diçka të madhe nga ana e Beogradit, por as ndonjë veprim serioz sa i përket Asociacionit, thjesht nuk shoh ndonjë përpjekje për ndonjë kompromis”, deklaroi Daniel Serwer në “Lajmet e fundit”, në RTK.

Për telefonatat që kryeministri Kurti pranon nga përfaqësues dhe emisarë ndërkombëtarë, analisti Server tha se është një dozë e madhe e trysnisë, e presionit mbi kryeministrin Kurti.

“Kemi parë disa nga pasojat, tashmë, dhe do të mund të kishte akoma,por nuk mendoj se do të funksionojnë, ngase as Prishtina e as Beogradi nuk janë të gatshëm për kompromis”, deklaroi Serwer.

Sipas tij, Beogradi është duke gëzuar mbështetje të madhe nga SHBA dhe BE pa pasoja, sidomos për sulmin ndaj trupave të NATO-s, apo për kidnapimin e zyrtarëve policorë. Sjellja e Serbisë, tha ai, është konsistente dhe nuk ka gatishmëri për kompromis, derisa shtoi se ka nevojë për zgjidhje të shumë çështjeve.

“Vuçiç e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm ta njohë Kosovën dhe në mënyrë të qartë thekson se është i interesuar për ta mbajtur veriun, për të pushtuar atë dhe unë mendoj se ka mundësi ta bëjë”, ka deklaruar analisti Daniel Serwer në “Lajmet e fundit”, në RTK.

blank

Rashiqi e akuzon Serbinë për shantazh dhe i kërkon ta lirojë drejtorin e Leposaviqit

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

 

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i bëri thirrje të dielën, siç e quajti ai, regjimit radikal të Serbisë ta lirojë drejtorin e ri të Komunës së Leposaviqit, Nikolla Radimiroviq, për të cilin tha se u arrestua më 9 shtator dhe po mbahet në Rashkë, jugperëndim të Serbisë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të shtunën vonë se politikan serb i Kosovës Radimiroviq u arrestua së bashku me të fejuarën e vet.

Nikolla është i biri i zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radimiroviq.

Rashiqi tha më 10 shtator në një konferencë për media në Prishtinë se “arsyeja për arrestimin e Nikollës është presioni ndaj Radoicas.”

“Guxoj të them se kjo është pjesë e metodologjisë së shantazheve”, theksoi Rashiq.

Radimiroviq u emërua drejtor i Administratës së Komunës së Leposaviqit pas zgjedhjeve të prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë dhe të cilat u bojkotuan dhe u kundërshtuan nga serbët – duke çuar në tensionimin e gjendjes.

Ai e përshkroi gjendjen si “më të vërtetë dramatike”, duke shtuar se “është një metodologji e cila po zbatohet që 7-8 vite, kur them aq vite, rasti im personal zgjatet kaq shumë. Sa herë jam përpjekur ta kalojë kufirin jam ndaluar [nga policia serbe] për disa orë, çdo herë. Unë zakonisht shkoj [në Serbi] për vizita familjare.”

Rashiq tregoi se Radimiroviqi ishte ndaluar në pikën kufitare në Leposaviq për më shumë se tetë orë, para se të dërgohej në një stacion policor në Rashkë, ku është duke u mbajtur në pritje të gjykatësit paraprak.

“Ai është marrë në pyetje nga persona që prezantohen si anëtarë të BIA-s [Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë]. Sipas informacioneve, ai do të mbahet atje deri të hënën së paku.”

Rashiq e akuzoi Qeverinë e Serbisë se po bën përpjekje për t’i kontrolluar politikanët serbë të Kosovës përmes presionit dhe shantazheve.

“Kemi arritur në kulmin e një situate ku secili prej nesh që mendon ndryshe prej regjimit radikal, ekstrem, që fatkeqësisht e ka pushtetin në Beograd, jemi bërë cak i veprimeve të vrazhda dhe johumane.”

Rashiq u emërua në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi Goran Rakiq dha dorëheqje, së bashku me serbë të tjerë nga veriu, në nëntor të vitit të kaluar.

Rakiq vjen nga radhët e Listës Serbe – e vetmja parti që kishte mbështetjen e Beogradit për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti Rashiqin “llum”, pasi u emërua ministër në Qeverinë e Kurtit.

Arrestimi i Radimiroviqit vjen më pak se një javë para rinisjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel të lartë në Bruksel.

Ministri Sveçla i kërkoi Serbisë t’i ndalë presionet dhe “aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj.”rel

blank

U rrah brutalisht nga Milan Radojçiqi, shkarkohet kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut

Aleksandar Spiriq, shkarkohet nga pozita e kryetarit të Komunës paralele të Mitrovicës së Veriut. Javën e kaluar u mësua se Spiriq ishte rrahur brutalisht nga Milan Radojçiq për interesa të ngushta financiare.

Para disa ditësh është raportuar se kryetari i Komunës paralele të Mitrovicë së Veriut, Aleksandar Spiriq, është rrahur brutalisht nga Milan Radojçiq.

Një gjë të tillë për RTV Dukagjini e kanë konfirmuar burime brenda organeve të sigurisë së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur në fund të gushtit, ndërkohë që nga të njëjtat burime nga organet e sigurisë konfirmohet se Aleksandar Spiriq është dërguar në malet e Kopaonikut dhe atje është rrahur brutalisht nga ana e Milan Radojçiqit.

Ndërkaq, mësohet se Spiriq, është shkarkuar nga pozita e kryetari të Komunës paralel të Mitrovicës së veriut.


Send this to a friend