VOAL

VOAL

Poezi dhe poemë nga PRENG MACA

January 31, 2020
blank

Komentet

blank

NGA PËRRALLAT E LASHTA TË KAZAKISTANIT- Ermeku- Përktheu Agim Xh. Dëshnica

Jetonte në një fshat një plakë e urtë. Na kishte plaka një djalë me emrin Ermek. Na kishte dhe vetëm një lopë të dobët, që jepte pak qumësht.
Një ditë Ermeku la nënën dhe shkoi në qytet.
Me të mbërritur, hyri në pazar. Dëgjoi atje një burrë të moshuar, që mbante mbi shpinë një sënduk të rëndë. Në çdo hap, që hidhte, burri i moshuar thoshte:
-Atij që ma ble këtë sënduk, ka për t’i ardhur keq! Po dhe atij, që nuk ma ble, keq ka për t’i ardhur.
Iu afrua burrit të moshuar Ermeku dhe e pyeti:
-Sa kërkon për këtë sënduk o xhaxha?
-Njëqind flori, or djalë i mirë!
Ia dha njëqind florinjtë. Ermeku, e mori sëndukun dhe e dërgoi tek e ëma. U gëzua ajo nga dhurata sa s’ka. Mezi e futi në kasolle. Dha e mori ta hapte, por s’mundi dot. Sënduku qe i kyçur dhe çelësi mungonte. E theu plaka kyçin me zor, ngriti kapakun po ç’të shihte! Brenda, na qenkesh mbyllur një vajzë me bukuri të rrallë. Goja e saj si kuti,sytë më të shkëlqyer se dielli,vetullat si hëna, buzët si qershi.
Vajza doli nga sënduku. U përshëndet me plakën, u miqësuan shpejt të dyja dhe kështu, nisën të rronin bashkë si nënë e bijë.
Njëherë vajza iu lut plakës t’i jepte penj mëndafshi. Dhe me ato qendisi portretin e vet..
-Merre tani këtë- i tha, sapo e mbaroi dhe, shite në qytet.

Plaka e mori dhe u nis për në pazar, atje iu afrua një gjysëmtullac mjekërbardhë, e pa atë portret aq të bukur, e pëlqeu dhe e bleu shtrenjtë. Plakës i rrahu zemra nga lumturia dhe u kthye në shtëpi duke kërcyer. Vajza qendisi portretin e dytë. Plaka e mori dhe shkoi prapë në pazar,gjysëmtullaci, ia bleu edhe atë.

Plaka u pasurua. U bë me shtëpi të re, me mure guri.
Vajza qendisi portretin e tretë. Plaka e nxori në pazar. Përsëri ia bleu gjysëmtullaci dhe e pyeti:
-Ku jeton bukuroshja e qendisur në këtë portret?
Plaka iu përgjigj:
-Me mua në shtëpinë time.
Gjysëmtullaci i shkoi plakës në shtëpi. Pa vajzën dhe iu soll mendja rrotull. U përpoq ta mashtronte,por ajo e përzuri. Na u zëmërua gjysëmtullaci dhe i dërgoi Ermekut një letër mbushur me gënjeshtra.
E lexoi letrën Ermeku dhe u bë erë për në fshat. Kur mbërriti, kasollen s’e pa gjëkundi. Njerëzit i treguan shtëpinë me mure guri dhe i thanë:
-Nëna jote tani jeton ja, atje.
Hyri Ermeku në dhomën e parë. Zgjati krahët e ëma, e priti me mall e qau nga gëzimi. U fut djali në dhomën e dytë dhe u mahnit. Në divan rrinte një vashë me bukuri të rrallë. Ermeku rrëmbeu kamën dhe pa folur e goditi vajzën e bukur në gjoks. Gjaku rrodhi çurrk nga trupi i saj. E mori pastaj ai dhe e hodhi jashtë dritares.
Plaka qau me dënesë dhe i tha:
-Bir, ç’bëre ashtu! Ç’faj të kishte vajza e gjorë?
Ermeku i lexoi së ëmës , letrën që kishte marrë nga gjysëmtullaci.
-Janë të gjitha shpifje! – thirri plaka- Të gjitha trillime të poshtra! Dhe i tregoi djalit të vërtetën.
Atëherë djali u trondit, sepse kuptoi sa egërsisht ishte sjell me vajzën e mirë e të pafajshme. Ai doli nga shtëpia me të shpejtë që ta varroste,por nuk e gjeti. “Pra nuk e paskam vrarë për vdekje”-
mendoi djali dhe u gëzua shumë. Mori një shufër hekuri, mbathi këpucët me pafta dhe u betua para së ëmës:
-O do ta gjej të bukurën, o vdes, moj nënë! Dhe u nis ta kërkonte. E mori vesh gjysëmtullaci, se ç’kishte ndodhur, ndaj u vu edhe ai në kërkim të vajzës.
* *

Nuk kaloi shumë kohë u përhap fjala se vashëzën e paskësh shpëtuar një mjek i zoti, që banonte në shtëpinë fqinje. Pasi dëgjoi rënkimet e së plagosurës, qe sulur tek vendi nga i vinte zëri, e gjeti dhe, si e mjekoi, të nesërmen e çoi në spital në qytet e i qendroi te koka. Kur vajza e bukur u shërua, e mori prapë në shtëpinë e vet dhe i tha:

-Unë të shpëtova jetën! A nuk e kam me hak që të martohem me ty?
-Mirë!- ia ktheu ajo.- thirr miqtë, muzikantët, këngëtarët e valltarët dhe le të bëhet dasma!
Po, kur doktori vrapoi të ftonte njerëzit,vajza doli nga shtëpia dhe s’u pa më.
Doktorit sa si ra pika. “Ose do ta gjej,-tha me vete,-ose do t’i jap fund jetës! “
E bukura në ate kohë po ecte nëpër stepë. Sa e panë dy barinj ranë në dashuri me të. Plasi sherri në mes tyre:
-Unë do ta marr për nuse!- uluriti njëri.
-Jo ti, po unë!- bërtiti tjetri.
Vajza hyri në mes e u foli e qetë:
– Kot grindeni! Unë do të martohem me atë që do të më sjellë ujë nga lumi përtej malit.
Barinjtë rrëmbyen nga një bucelë dhe u sulën për në lumë. Kurse vajza vijoi të ecte në rrugën e saj.
-Ose do ta gjejmë ose do të mbytemi-thirrën barinjtë.
Lanë bagëtitë dhe u nisën ta kërkonin. Pas ca, vajza takoi rrugës një bari tjetër. I kërkoi ujë për të shuar etjen dhe si u çlodh pak, i bleu atij një dele dhe një palë veshje burrash.
E theri delen dhe me lëkurën e saj të butë, mbuloi kokën. Flokët nuk i dukeshin më. U vesh si burrë i vertetë, pastaj vijoi udhën. Bariu u ligështua dhe tha me
vete:

“Pa atë bukuroshe, nuk ka më gëzim për mua në këtë jetë!”

La delet dhe nxitoi andej nga iku vajza.
Udha e lodhshme, tashmë kishte mbaruar dhe bukuroshja arriti në qytet.
Në rrugë e sheshe, i zunë sytë grumbuj njerëzish.
-Përse janë mbledhur ata?- pyeti disa kalimtarë.
-Ka vdekur hani- iu përgjigj njëri.
-Populli është grumbulluar të shpallë hanin e ri.- shtoi tjetri.
-Do lëshojnë një zog të kaltërt – tha i treti. Njeriu mbi kokën e të cilit do të ulet zogu, do të jetë këtej e tutje hani ynë i ri. Dhe ashtu ngjau vërtet.-Nga një kafaz i artë u lëshua një zog i kaltërt. Ai pasi u rrotullua për një kohë lart në ajër, u ul dhe ndaloi mbi kokën e një qerosi. Por vezirët që ëndërronin të bëheshin han bërtitën:
-Nuk mund të jetë hani ynë një burrë qeros. Të lëshohet zogu për herë të dytë. E lëshuan. Zogu fluturoi dhe u ndal te vajza e mbuluar me lëkurën e deles të kthyer nga ana pa lesh.
-Jo, jo! – thirrën përsëri vezirët- Ta lëshojmë edhe njëherë!
Dhe ashtu bënë. Por edhe herën e tretë zogu i kaltërt u rrotullua dhe u ndal mbi vajzën. -Nuk kishin ç’të bënin më vezirët. Burri, nën teshat e të cilit fshihej vajza me bukuri të rrallë u shpall

han. Dhe kështu ajo ia nisi të drejtonte të giithë vendin. Një ditë thirri një piktor t’i bënte një portret dhe mandej atë ta vendosnin në një shtyllë, pranë një pusi, në portat e qytetit, ku takoheshin dyzet rrugë. U dha urdhër rojeve, që ta kapnin e ta sillnin menjeherë në pallat cilindo që do ta sodiste portretin e do të thoshte qoftë një fjalë të vetme. U afrua te pusi gjysëmtullaci, piu ujë dhe u ul të çlodhet.Vështroi portretin te shtylla dhe klithi nga habia:

-Ajo është!-tha.
Rojet e kapën në çast e tërhoqën zvarrë dhe e çuan te hani.
E vërejti vajza me pushtet dhe urdhëroi ta mbyllnin në burg. Kaluan tre muaj. U afrua te pusi Ermeku i lodhur. Piu ujë dhe pa portretin.
-“Ah! Vasha ime!”-tha. -dhe ra pa ndjenja.
Rojet e mbërthyen me të shpejtë.
-Ç’faj kam bërë!?- u ankua ai.
-Hesht! – i bërtitën ata.- Ec me ne te hani. Atje do të japësh llogari!.
Dhe ia çuan Ermekun hanit, vajzës sundimtare. Ajo e njohu menjëherë, porositi ta vendosnin te dhoma më e mirë, me shumë stoli dhe t’i bëheshin sherbime të denja si për një mik të nderuar.
Kaluan pak kohë dhe para hanit sollën mjekun dhe tre barinjtë.
Dha urdhër të mbylleshin në një dhomë të mirë.
Pas dy muajsh iu bë gjyqi të gjithëve: Gjysëmtullacit Ermekut mjekut dhe tre barinjve.
Secili tregoi hapur nga kishte ardhur, përse dhe si qe gjendur në zotërimet e hanit. Në fund hani hoqi veshjen e burritdhe iu duk fytyra e vërtetë. Të gjithë mbetën sy e gojë hapur. Sidomos gjashtë të pandehurit, kur njohën vajzën me bukuri të rrallë pas së cilës kishin vrapuar ditë të tëra. Ata ranë më gjunjë para sundimtares dhe kërkuan të falur.
Hani fajësoi gjysëntullacin. E ndëshkoi me pesë goditje shkopi në të ndenjurat dhe e liroi.
Mjekut i dha shumë flori, i dhuroi një kalë dhe një qyrk mëndafshi. Barinjtë i la të lirë të ktheheshin te kopetë e tyre. Dhe u martua me Ermekun. I lëshoi atij fronin. Kurse plakën e mori nga
fshati në pallat, që të jetonte me ta e gëzuar.
Hani Ermek sundoi me drejtësi, për lumturinë e popullit të vet.
blank

POEZIA SFIDANTE E FATIME KULLIT- Nga prof. Neki Lulaj

Karakteristike për poezinë lirike të Fatime Kullit është prania e autorit, jo vetëm si objekt i pasqyrimit, por edhe subjekt që përfshihet në strukturën estetike të poezisë. Poezia e saj është një
poezi impresioniste, që përcjell ndijimet dhe përshtypjet subjektive.

 

Tematika e saj, në radhë të parë, është intime. Ajo përcjell vizionin dhe mendimet e heroit lirik në raport me dashurinë, raportet e saj me këtë temë të përjetshme sa impresionuese dhe po aq e vështirë
dhe problematike me veten dhe me subjektin e dashuruar.

 

Në kritikën letrare kam ndeshur vlerësimin e poezisë së saj si një poezi “liçencioze”, që i referohet termit “licenza potika”. E përkthyer në shqip, do të thotë “liri poetike”.

 

Me dikotominë “liri poetike” përftohet liria, e cila është kaq e lirë dhe kaq e munguar, e domosdoshme për poezinë lirike. Kjo liri ka të bëjë me raportin midis subjektit dhe objektit lirik të pasqyruar
në poezi. Ky është raporti midis femrës dhe mashkullit në jetë dhe në poezi.

 

Fatime Kulli na ka sjellë në poezinë e saj një raport të tendosur të marrëdhënieve midis tyre, gjë e cila përfton një dramë të vërtetë intime, të cilën poetja e quan “dëshpërim i bardhë”. Poezia,
për atë, është ushqimi shpirtëror “jo vetëm për vete, por për shumë gra me qeshje fëmije”. Poezitë e saj i lexojnë fshehura burrat si “mollë e ndalume” prej moralit të pështirë, që triumfon mes turmës si moral i ndershëm..”

 

Kjo i shkakton asaj mërzi dhe trishtim:

 

“Ëndrrat e mia

 

Dergjen kohërave epilepsike,

 

Në copëza ndjesish kafshuar…

 

…………

 

“Ëndrrat e mia

 

Fundosen e ngrihen

 

Me pelerinën e hijeve,

 

Damarëve të çarë të diellit.”

 

Një mërri të pakapërcyeshme i sjell poetes ky qëndrim patriarkal:

 

“… mundim, torturë, vuajtja ime!

 

Ku është fshehur qielli i shikimit tënd?

 

Lëngata ime po shkrihet nën ritmin e shiut

 

Që kërkon paqe tek këmbët e mia”.

 

Poezia është i vetmi mjet i saj për t’iu larguar kësaj drame intime:

 

“Vargjet më lypin bukë,

 

Nga kafshata ime!

 

Pena lufton me muzën,

 

Pikturon portretin e dritës, e pasionit

 

Dashuruar marrëzisht me varfërinë!

 

Poezia parakalon, si ushtar fitimtar.”

 

Dy janë metaforat karakteristike të poezisë së saj: “ajri i lirë” dhe “dimri burrë”.

 

Në këtë duel simbolik midis “pranverës” dhe “dimrit” shtjellohet drama intime midis dashurisë dhe xhelozisë, midis pasionit dhe moralit patriarkal në poezinë e Fatime Kullit.

 

Ajri i lirë, ajri pranveror është “armiku i thatësirës” dhe i “akullnajës shpirtërore”.

 

Poetja i bën thirrjen patetike: “Afrohu frymë, argëtohu…, dashuro, mos urre,/Amazona të ka hapur dyert e zemrës” për këtë ajr me “frymën e dashurisë”:

 

“Ti je ajri që të përvëlon…

 

Veshur me lëkurën e përkëdheljeve, më ngroh…

 

Ashtu si dielli që ngroh lakuriqësinë e tokës

 

Dhe e bën të mbijnë barëra të njomë

 

Edhe në kohë dimri, fshehur nën gur”

 

……….

 

“Dhimbja, si engjëll i pafaj këndon

 

Nën murrlanin e Borës burrë…”

 

Ky ajër “ lëshon degëza arome/Syri puth dorën e diellit/Me buzë prej gruaje”.

 

Poezia e Fatime Kullit është komplekse. Kjo është një poezi sa realiste dhe impresioniste, po aq dhe simbolike.Te ajo kemi paraqitje të drejtpërdrejtë të përshtypjeve. Ato janë subjektive dhe të
çastit. Ajo nuk krijon situata, por përcjell ndijimet e veta të drejtëpërdrejta, pa e rënduar poezinë me figura të kërkuara dhe komplekse. Atë e karakterizon sinqeriteti i ndjenjës dhe perceptimi i natyrshëm i saj. Mendimi te ajo zëvendësohet me perceptimin,
kurse gjykimi me instiktin. Poezia e saj dallohet për spontanitetin genuin. Vargëzimi i saj është i lirë, është një monolog i hapur me vetveten, që rrjedh pa asnjë sforcim, duke u shndërruar vetvetiu në një dialog të heshtur me ndërgjegjen e lexuesit.

 

Lidhur me stilistikën poetike dhe ecurinë e aktuale të poezisë së Fatime Kullit, vërehet një zgjerim i ndjeshëm i tematikës. Poezia e saj nga një poezi “liçencioze”, e përqëndruar në perceptimet
dhe përjetimet te vetvetja, te marrja me dramën intime, poezia ka hedhur vështrimin edhe në botën jashtë vetes së vet. Ajo u ka bërë vend kujtimeve të jetës, duke i bërë në heshtje thirrje shoqërisë, lexuesit për një mbështetje morale.

 

Ajo i drejtohet qytetit ku ka kujtimet e jetës së vet. Ky qytet shndërrohet në një simbol, në një prag ku ajo kërkon të mbështetë shpirtin e saj të lodhur nga kjo dramë sfilitëse midis moralit dhe
dashurisë, të përleshjes së të moralshmes me të pamoralshmen, të së kaluarës dhe së ardhmes së jetës së vet shpirtërore, pavarësisht se qyteti buzë Adriatikut mund të ketë qenë edhe indiferent ndaj dramës së saj shpirtërore. Ajo e quan “park i mallkimit”,
ku poetja “shpesh me gishtërinjtë e zemrës” ka “ Gdhend(ur) dhimbjen e nënshkruar/Shpresën e arratisur bashkë me pëllumbin e paqes…”:

 

“Qyteti im,

 

Dua të fle e të zgjohem nën shushurimën e valëve të tua,

 

Të fshij pluhurin e harresës,

 

Të derdh vorbullën e mendimeve zhgënjyese…”

 

Ajo nuk i dorërëzohet trishtimit. I mbetet besnike kredos së vet intime, erosit të vet: “Mos e lër ëndrrën të të ikë/ Pa i zhveshur lëkurën e fundit./…Lyeje bukëzën me qumështin e syrit”… “shpirt,
falja sytë kullës/të thërrmojë gurin”.

 

Ëndrrën e saj e vesh një tis utopik elegjak: “Çdo burrë xheloz,/…Si qengj do të zbutet /Në botën e sinqertë të varrit tim”.

 

Ajo shkruan “duke ulërirë” për “dashurinë, për sytë e gruas të lotuar, të lënduar, për shpirtin e lodhur, të sfilitur nga përdhosja e moralit.”

 

Kjo është deviza e ligjërimit sfidant estetik dhe moral e poetes Fatime Kullit, që i drejton shoqërisë dhe kohës së vet!

Tiranë ,shtator 2023

blank

Suksesshëm shënohet edicioni i shtatë i konkursit poetik , organizuar nga Poeteka Mbarëkombëtare ” Ndue Bytyçi” Nga Xhane Sherif Imeraj

Forumi letrar i njohur me emblemën “Poeteka Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” nën kujdesin, përgatitjen, moderimin dhe drejtimin e poetes Xhane Sherif Imeraj në rolin e sekretares, mbështetur si një nëndegë e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren me kryetar Av. Agron Gjedia, organizuan të dielen datë 17 shtator 2023, në mjediset e Hotel Panoram Dajt, edicionin e shtatë të Manifestimit Letrar.

Poeteka Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” këtë vit shpalli konkursin letrar kushtuar poetit dhe prozatorit të shquar Millosh Gjergj Nikolla, (Shkodër, 13 tetor 1911 – Torre Pellice, 26 gusht 1938), i njohur me pseudonimin ose emrin e tij të pendës, Migjeni. me rastin e përvjetorit të 85-të të ndarjes nga jeta të një ndër poetët dhe shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. I quajtur ndryshe “shkrimtari i mjerimit” por i njohur edhe si zëri, kushtrimi, thirrja e fuqishme ndaj përfaqësimit dhe energjisë së rinisë tek të cilët ai shikonte ndryshimin dhe të ardhmen e vendit.

Shpallja e konkursit u bë me date 26 qershor 2023, duke publikuar edhe rregullat e kriteret që duhet të ndiqeshin nga autoret që do të konkuronin.

Risi për këtë vit ishte aplikimi i sistemit vlerësues”Blind”, me qellimin e mirë që të realizohej një konkurs sa më dinjitoz. Me vlerësime profesionistësh të besuar dhe të vlerësur nga të gjithë, pa paragjykime, favorizime dhe shteg të lirë per ndërhyrje tek juria. siç ndodhe rendomte ne konkurse dhe veprimtari të ngjashme.

Menjëherë pas shpalljes së konkursit, në posten tonë elektronike, filluan të vine krijime konkuruese nga autorët shqiptarë anembane trojeve Shqiptare dhe Diaspora, gjithsej 62 (gjatëdhjetë e dy) autor, emrat e të cilëve u bënë publik vetëm gjatë Orës Letrare dhe më pas në rrjet.

Krahas festimeve të festës së “Plisit të bardhë” organizuar nga Shoqata Mbarëkombëtare “BYTYÇI” Tiranë-Prizren, e kordinuara edhe me disa Shoqata të tjera kulturore nga disa rrethe dhe krahina të Shqipërisë dhe mbarë trojeve tona, u mbajt edhe takimi letrar.

Ora Letrar filloi rreth ores 12:00. Kishim të pranishëm një numër të respektuar të autorëve konkurues, adhurues të letësisë, miq, e dashamirës të këtij eventi te ardhur nga gjitha viset shqiptare. Filluam pa humbur kohë. Ndryshimi i vendit ku zakonisht zhvillonim Orën Letrare, na solli jo pak vështirësi. Shoqata kishte mundur të siguronte vetem hapsiren jashtë në natyrë për aktivitetin e festës , e ndërsa për zhvillimin e Ores Letrare , nuk kishim mundur të siguronim një salle, apo të pakten një vend në hapsirat e brendshme të Restoran Panorama, që të mund të kishim më së paku qetësi. Takimi u zhvillua në verandë dhe ishim shumë pranë vendit ku zhvillohej festa , këndonin e kërcenin, performonin grupe të shumta artisitke, dhe muzika e lartë, sado që kërkuam të ulnin pak volumin e muzikës, dhe kërkesa jonë patjetër që u dëgjua, përsëri vinte e lartë, dhe me zor që dëgjoheshim, pasi nuk kishim as mikrofon.

Dy tre poet/e edhe u irrituan për të tilla kushte, por nuk kishim ç`të benim, nuk kishim mundësi tjetër.

E shqetësuar për të tilla kushte, ndërmenda për një çast disa vargje të migjenit nga poema e mjerimit… atëherë fillova të mos i vë më re vështirësite dhe me një qetësi, dashuri, nderim dhe respekt ndaj figurës së lartë të letësisë shqipe Migjenit dhe gjithë të pranishmëve dhe atyre që u bënë pjesë me krijimet dhe vlerësimet e tyre, vijova me një zë të ngritur mbi normalen time, që të mund të dëgjohem nga të pranishmit.

Kishim menduar të kemi edhe muzikë të lehtë në sfond dhe interpretimet e vargjeve të Migjenit, por edhe kjo pike nuk u arrit … Si asistente më erdhi në ndihmë gjatë gjithë kohës edhe mbesa ime, gjimnazistja Valbona Imeraj.

Hapja e Orës Letrare ishte me një përshëndetje dhe falenderim nga ana ime për të gjithë konkuruesit të pranishem dhe jo të pranishëm që ju përgjigjen devotshmërisht këtij eventi. Konkurset letrare nuk janë gara sportive, frymëzimi dhe muza nuk e pranojnë këtë. Organizimet e këtyre konkurseve letrare duhet t`i shohim si promovime, takim me miq dhe koleg, shkëmbime përvojash dhe eksperiencash… si dhe kohë e kaluar bukur.

Vazhduam me leximin e emrave të gjashtëdhetë e dy autorëve konkurues. Kodet numerike i vendosem në bazë të mbërritjes kohore të email-ve të dërguara nga secili autoret, pra një vet-rendititje.

Më pas fjalën e mori kryetariri Z. Gjedia. i cili na u bashkua për pak çaste… Përmbledhtazi shprehi ç`kishte për të thënë rreth këtij aktiviteti, përshëndeti dhe uroi pjesmarrësit, pa harruar të kërkonte edhe ndjesë për kushtet jo të përshtatshme, por që nuk kishte gjetur dot zgjidhje tjetër. Pas fjalës së tij Kryetari u largua për tek një tjetër kënd i festës ku kërkohej pranija e tij…

Vazhduam me tej me prezantimin e Jurive. Për vlerësimin e krijimeve konkuruese Poeteka Mbarëkombëtare ” Ndue Bytyçi” mundësoi dy juri:

1. Juria Speciale ( sistem vlerësimi “Blind”) , e cila kishte kompetencat e zgjedhjes së tre çmimeve të para.

2. Juria e Pranishme , në rolin drejtimit dhe moderimit të këtij eventi si dhe dhenies së çmimeve Speciale dhe Inkurajuese etj.
Në Jurinë Speciale na kanë nderuar me vemendjen, kohën dhe vlerësimin e tyre:

1. Elida Buçpapaj poete, publiciste, përkthyese, bashkeditore me bashkëshortin, poetin dhe studiuesin e shquar Skënder Buçpapaj të platformës mediatike Voal.ch.

2. Timo Merkuri nga Saranda, poet, shkrimtar, studiues
3. Ndue Ukaj nga Kosova, shkrimtar, kritik letrar dhe publicist
4. Albert Vataj, kritik letrar, poet, shkrimtar dhe gazetar
5. Arber Ahmetaj nga Tropoja, eseist, përkthyes, shkrimtar e poet,
6. Kliton Nesturi nga Tirana, prozator, poet, publicist dhe dramaturg
7. Dan Ibrahimi nga Kosova,poet, publicist
8. David Boseta nga Shodra, poet, shkrimtar
9. Albi Lushi nga Kavaja, poet, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
10. Z. Alfons Zeneli nga Tropoja, kritik, poet dhe gazetar i njohur.

Theksoj se emrat e anëtarëve të Jurisë Speciale u përcollen me duartrokitje dhe vlerësim nga të pranishmit.

• Juria e Pranishme:
1. Aziz Bytyçi, poet , gazetar nga Kosova.
2. Vera Istrefi nga Kukësi, poete ( E cila për arsye shëndetësore nuk mundi të vinte) por që vlersimet e saj na i dergoi në email.)
3. Xhane Sherif Imeraj nga Tropoja, anëtare e kryesisë së Shoqatës “ Bytyçi”, sekretare e Poetekes Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” , poete.
• Poetin e nderuar Dan Ibrahimi, meqenëse e kishim të pranishëm, e ftova të na bashkohej që të na plotësonte si panel (pa të drejtë vlerësimi).
Me dëshirën që Ora Letrara të jetë sa më e përmbushur, menduam të kishim të pranishë edhe disa të ftuar, miq të nderuar,
Të ftuarit: :
1. Mbesa e MIGJENI tonë të madh , Znj. Angjelin Ceka së bashku me bashkëshortin e saj Z. Neritan Ceka ….
Për hirë të së vërtetës më është dhënë mundësia t`i njoftoj pak vonë, date 14 shtator 2023, dhe vetëm nëpërmjet një mesazhi në watsApp, numrin e të cilëve e mundësova nëpërmjet një miku të mirë të përbashkët. E megithatë, çifti i nderuar Angjelina dhe Neritan Ceka, paten mirësinë të vlerësonin ftesen tonë, duke na nderuar me pergigjen e tyre, të cilën ua lexova të pranishmëve direkt nga telefoni ..:
“ Ju falenderojmë për ftesen, por ishte e pamundur të merrnim pjesë, për shkak të angazhimeve të mëpareshme. Mbetemi në kontakt për raste të tjera dhe ju urojmë sukses ne veprimtarinë fisnike dhe aktuale.
Neritan dhe Angjelina Ceka “
2. Z.Agim Nikaj , mësues, piktor, poet dhe shkrimtar nga Nikaj Merturi
“KOHËT MIGJENIANE OSE MIGJENSHKRIMET”
… Toka ku mbinë shkrimet migjeniane është e nxehtë. Aty shkrijne akuj e ngrica. …. Jeta me shumëllojshmërinë e veprimtarisë së saj përmban dritën dhe errësirën. Toka qe rrit vargje migjeniane më mirë të mbetet djerr e vendet të mbeten të pabanuara se sa në vajtim.
“ HIJA e THYER” –Ese dhe Skica Letrare – nga Agim Merturi
( Në pa mundësi që të ishte i pranishëm…)
3. Z.Gjokë Sokol , Etnologu, Poeti dhe shkrimtari nga Gjakova . Fatëmirësisht e kishim të pranishëm. Në fjalën e tij përshëndeti takimin dhe pjesëmarrësit dhe interpretoi disa vargje kushtuar Migjenit.
4. Z. Ibrahim Hamzaj, nga Bytyçi, mësues, intelektual shumëprofesionesh, drejtues i suksesshem në disa sektore e veprimtari ku është përfshirë.
( Në pa mundësi të jetë i pranishëm…)
… Në vitin 1960 u hap shkolla e pare fillore në Zherkë.
…u bë një ndërtes e vogël me material rrethanorë, gur e baltë dhe mbuluar me derrasa ahu. Ajo kishte 2 dhoma, një klasë mësimi dhe një drejtori të vogël. Në vitin e parë të hapjes, u regjistruan 17-të nxënës në të katër klasat e fillores… Shkolla filloi rregullisht. Mësimi bëhej me klasa kolektive dhe me sistem 4- oresh. Ky sistem mësimi kërkonte shumë energi dhe një metodë mësimdhënje të veçantë e të kualifikuar…
Kjo shkollë u bë e dalluar në shkallë rrethi dhe qëndronte emri i saj dhe i mësuesit gjithnjë në këndin e shkollave më të mira në qytetin e B. Currit.
I vumë shkollës emrin “ Migjeni”.
Në fillim u refuzua, se ishte shumë emër i madh për një shkollë të vogël, por kur e argumentova, se ky emër ka në thelb perspektiven e këtyre fëmijeve, të ardhmen e tyre më të mirë e më të ditur, u pranua. (shkeputur nga libri “ NËPËR VITET E JETËS” – Ibrahim Hamzaj .
Një ndër moment kulminante dhe emocionuese të këtij eventi letrar ishte padyshim shpallja e fituesve.
Vlerësimet e jurisë special i kasha në zarf.
Për vlerësimet e çmimeve Speciale dhe Inkurajuese, u moren parasysh disa vlerësime dhe sugjerime të konsiderueshme të jurisë Speciale si dhe vlerësimet nga anëtaret e Jurisë së pranishme, Verës dhe Azizit.
• Juria Speciale vlerësoi me Çmim të Parë, respektivisht me çmimin MIGJENI krijimin me Kod: 6) Poezia me titull: “ULË NË KARTON NË BALL TË QYTETIT” – me autor poetin e mirënjohur Fran Ukcamaj
• me Çmim të Dytë , krijimin me Kod: 2) dhe krijimin me Kod: 59) respektivisht …
Poezinë me titull:
“MBLEDHËS I GJURMËVE” – me autor poetin Tahir Bezhani
dhe poezinë me titull:
“Unë… Lisi më i moçëm n`Ballkan” – me autor poetin Gjin Progni
• me Çmim të Tretë u vlerësuan krijimin me Kod: 23) dhe krijimin me Kod: 14), respektivisht..
Poezinë me titull :
“AJO ISHTE NËNA” – me autore poeten Esmeralda Nikaj
dhe poezia me titull:
“Migjenit ose poema që s’u bë kurrë bukë e mjerimit” – me autor poetin Rei F. Hodo
Juria Speciale bashkë me Jurinë Prezente, kanë vlerësuar me çmim special dhe inkurajues , këto krijime …
• Me çmim Special vlerësohen krijimet:
Kodi : 28) Poezia me titull: “ËNDËRRIMTARI ” (Migjenit) ~Anton Marku
Kodi: 45) Poezia me titull: ” MBI FRONIN E NOSTALGJISË” ~ Shqipe Hasani
Kodi: 30) Poezia me titull: ” DIELL MIGJENIAN” ~ Migena Arllati
Kodi: 9) Poezia me titull: ” EVË” ~ Vlora Rexhaj
Kodi: 53) Poezia me titull: ” ME MIGJENIN NË DY KOHË” ~ Xheladin Mjeku
Kodi: 29) Poezia me titull: “Migjeni nji legjendë” ~ Farida Zmijani Ramadani
• Ndërsa me çmim Inkurajues vlerësohen krijimet:
Kodi: 26) Tregimi me titull: “KULLAT E HESHTURA” ~ Ylltare Ferati . Certifikaten e Çmimit Inkurajues , ja dorëzoi Z.Ndue Vatnikaj, poet nga Nikaj-Mërturi.
Kodi: 48) Ese me titull: ” MIGJENI NË MES SHKRIMTARIT TË MJERIMIT DHE MJERIMIT TË SHKRIMTARI” ~ Ilaz Hajra – Lumi. Certifikaten e Çmimit Inkurajues , ja dorëzoi Z. Dan Ibrahimi, poet, publicist nga Kosova.
Kodi: 1) Poezia me titull: “I shtrydh kockat nëpër kohë!!” ~ Miranda Derti
Eventi mori ngjyra akoma edhe më e bukur nën interpretimet e disa autorëve..: Ilaz Hajra, Miranda Derti, Rabie Bytyçi , Kasam Shaqirvela, Gjokë Sokoli, Monika Muzikanti etj.
Edhe poeti Dan Ibrahimi interpretoi një poezi përshëndetëse nga libri i tij, “ e njëjta hënë”
Kishim githashtu edhe një recituese nga SHKA Zeri i Llapushes Caralluk Malishevë
1. Anita Krasniqi me poezinë “O moj Shqypni” .
Certifikata Pjesëmarrëse u shpërndanë për të gjithë autorët që u bënë pjesë e këtij konkursi.
Në fund dua të them se suksesin e padiskutueshë këtij takimi letrar ja dhuruan natyrisht autorët pjesëmarrës dhe shumë prej krijimeve konkuruese mjaft të arrira. Në veçanti këtë sukses ja dhanë miqtë tanë të nderuar, anëtaret e jurisë special me pranin e tyre nëpërmjet vlerësimeve me mjaft seriozitet dhe profesionalizëm. Të cilet i falenderoj shumë nga zemra.
Krenare për atë çfarë u realizua!
Suksese dhe mbarësi të gjithëve dhe mirë u takofshim në evente të tjera letrare dhe artistike akoma edhe më të bukura.
URIME – Poeteka Mbarëkombëtare “ Ndue Bytyçi”
URIME – Shoqata Mbarëkombëtare “BYTYÇI” Tiranë – Prizren.
Xhane Sherif Imeraj
Tiranë – 21 Shtator 2023
—————-
Për mundësimin e fotove falenderoj fotografin e njohur z. Kristaq Janushi
Si dhe mbesen time : Valbona Imeraj.

blank
blank
blank
blank

O KADRI BISTRICA- Poezi nga Ismet TAHIRAJ

Dielli arat po i sos

Një mjegull bie dendur,

O Kadri Bistrica

Pa kafen e mëngjesit

Lëshoja  një za Azem Bejtës

Te verri plak

T’i   kontrollojë pushkës

Fishekët e teneqes

Se  moti i prishur

Po i gërryen udhët.

 

More  tash vjen trimi i urtë

Ukë Kovaçica

Që s’njeh  pleqëri

Po anëpërtej e tej

I bie Ibrit , o mbrapsht nuk  kthehet.

 

Se Topliku  , nuk  fashitet

Se  zaptuesit  s’i as shmitri.

 

Pa ma thirr pak Idriz Seferin

Kur Bistricë  e  pinte kafenë

Më tirq e plis të bardhë

E ruante dhe Berretarin * e dimer e behar

 

Po ty  nuk të lanë vetëm

As  terr as ne AG ,

Pragun nuk e nëmnin

As dardhën ugere më gjithë hambar.

 

 

Dil Kadri Bistrica

Plagë të janë tharë

 

*berretarin ,adulohet në Berçanin  më prejardhje shqipe Berre .

blank

Lirika vjeshte – Cikël me poezi nga Përparim Hysi

 

1.Një djallushe

Një djallushe,lozonjare,synë ma shkel me çapkanllëk
Qoftë bekuar,sado me naze,që më jep “jarallëk”
Dhe më fton ajo veçan,kushedi seç do më thotë
Sado i moshuar jam,mezi po duroj dot.

Por veçan as që foli,por m’u hodh ajo mbi kokë
E vërteta,kështu ndodhi (më tej s’di a tregoj dot?)
Të tregoj a mos tregoj,për ju fare s’ka rëndësi
I moshuar,por po pohoj:me të bëmë dashuri!

Eh,se ç’vajti me”djallushen”,as që pyeti për më tej
Dhe,tek shkruaj,s’e fsheh skuqjen,sado ç’bëri,e pëlqej
Çfarë më bëri kjo djallushja,nuk është lehtë që ta harroj
Sado që më mbuloi skuqja, unë me mall e kujtoj.

2.Nuk flenë dashuritë

Eja,sonte,këtë natë
Eja,bashkë të rrimë!
Natën le ta kthejmë në çast
Dhe bashkë ta gëdhijmë.

Eja të pijmë nga një gotë me verë
Ta pijmë bashkë me qejf
Dhe unë aty,tek ytiprehër,
Të shtrihem,bërë”telef”.

Të dy bashkë,të përqafuar,
Bashkë shkëmbejmë”tepsitë”
Që të dy,tërë natës zgjuar
Se nuk flenë dashuritë.

3.Kur ke mall

Sado heshtëm,më shumë folëm
Sepse folëm ne me sy
Dhe pa folur,ne u “njohëm”
Shkëmbyem dashuri.

Edhe ç’ndodhi më pastaj
Se më shumë u”njohëm”
Ç’është e drejta,s’është kollaj
Të tregoj se ç’ndodhën?

Sepse gjetëm njëri-tjetrin
Ashtu krejt,rastësisht,
Më “rinove” mua,të vjetrin,
M’u fale,dashurisht.

4. Soditje

“Pllaja” që shoh nga prapa,
Ka “lëndinën” për matan
Sado jam me flokë të bardha
Mëdysh ndahet imi xhan.

Në”lëndinë” kam kullotur
Vite tutje,djalërisë,
Duket,ende nuk jam”ngopur”
E pëlqej,pleqërisë.

Shpreh dëshira prej “rioshi”
Nepsi rritet,mosha shkon
Ah, dëshira! Mos u sosshi!
Ah,moj zemër,që drithëron!.

5.Për një vetull,për një sy

Për një vetull,për një sy
Çfarë t’ju them,që vallahi
As që pyes për pleqëri
Edhe bëhem prapë i ri.
Pa zë nisem si veri
Dhe gjej miken ku rri
I puth vetull,i puth sy
Ca të “tjera” që i di
Me dy duar e mbërthej
Për më tej nuk dëftej
SE kam erz dhe kam cipë
Vjershës këtu i vë pikë.

Tiranë, 26 shtator 2023

blank

PËRKUJTOJMË NË THETH ALBANOLOGUN E SHQUAR ROBERT ELSIE*- Nga THANAS L. GJIKA

blank

Kur isha në ShBA u mora vesh me Prof. Dr. Dom Nikë Ukgjinin, klerik e punonjës shkencor në Institutin e Studimeve Teologjike dhe Filozofike Shkodër, që më 26 korrik të realizonim tek kisha e Thethit një meshë të thjeshtë për të kujtuar albanologun Prof. Robert Elsie, ku preheshin eshtrat e tij.

Dom Nikë Ukgjini është diplomuar në Zagreb dhe ka vite që shquhet si studiues dhe si punëtor i palodhur për rindërtimin e kishave të rënuara me vlera historike. Ai ka punuar fort për rindërtimin e Kishës në Kukël, ku kishte shërbyer Dom Ndre Mjedai, kishë tek e cila ai shkon vullnetarisht për të meshuar cdo të dielë. Përvec të tjerave ai ka punuar për rindërtimin e kishës së Gjon Pagëzorit në Mërqi të Lezhës, punë e cila është drejt përfundimit, monument historik me vlera të mëdha mbasi aty në janar të vitit 1703 u mbajt Kuvendi i Arbërit me porosi të Papës shqiptar Klementi I XI, Albani.

U nisa nga Tirana me taksi në ora 7:00 bashkë me studiuesin e shkrimtarin Kristaq Nanushi, marrëdhëniet miqësore me të cilin nuk i kam ndërprerë që nga vitet 60-të të shekullit të kaluar, kur ishim studentë e shokë dhome në konvikt. Në Shkodër tek Kryekisha na prisnin Dom Nika dhe gazetari e kameramani Ndoc M. Shaben. Dom Nika preferoi të vijonim rrugën me dy makina, ai mori në makinën e tij Ndocin dhe na priu, kurse shoferi ynë Besim Zorba, një tiranas i sjellshëm e i kujdesshëm u nis mbas tyre. Rruga ishte e gjitha e asfaltuar me bordura anësore të cilat e mbronin nga gurët që binin gjatë reshjeve të dendura. Kur arritëm në majë të Qafës së Bogës, Dom Nika doli nga rruga dhe mori majtas drejt një bregoreje prej ku dukej Thethi. Ndalëm te lokal i ri, Hotel-Restorant me arkitekturë karakteristike të atyre anëve: kati i parë me gurë të skalitur dhe dy katet e tjerë me trungje druri. Pronarët ishin vendali. Një vajzë simpatike mori porosinë dhe na solli kos, arra e mjaltë vendosur në tasa kristali. Kafet Kapucino i shoqëroi me ujë të ftohtë që sillej në lokal me tuba prej burimit aty pranë. Ujë bore. Vapa e korrikut nuk ndjehej në mbarë atë bjeshkë, rrethuar me maja të larta alpine.

Në ora 1:00 PM arritëm në Theth, ku kisha qenë si pushues në kampin e dikurshëm në vitet 70-të. Ndryshime të shumtë të binin në sy, rruga e gjerë, bujtina të reja të ndërtuara rrëzë malit. Thethi ishte kthyer në një qytezë turistike, ku vinin rrotull grupe turistësh, jo vetëm nga Europa Qendrore, cekë, kroatë, gjermanë, por edhe nga Afrika e Veriut. Në oborrin e kishës takuam një grup vajzash veshur bukur me rroba mëndafshi që mbanin shami në kokë. U bëra kurioz dhe i pyeta nga ishin. Më thanë se ishin nga Algjeria.

Dom Nika na priu e u futëm te kisha e vogël, ku ai zuri vend tek altari e ne u ulëm në stolat e sallës. Dëgjuam historikun e krijimit të kësaj kishe prej një prifti franceskan në vitin 1840, kur në Theth jetonin vetëm pak familje barinjsh. Ndërtesa e re e kishës ishte më e madhe se origjinalja, të cilën e kishin prishur gjatë fushatës antifetare që ndërmori qeveria në kohën e diktaturës. Unë lashë te tavolina një kopje të kujtimeve të printuar në 12 faqe, kujtime që kisha shkruar për Prof. Robert Elsie-n. T’i lexojnë vizitorët që do të shkojnë aty për ceremoni fetare…

Pastaj shkuam tek vorrezat e fshatit pranë kishës. Territori ishte i rrethuar me mure për t’i mbrojtur varret nga bagëtitë, por dhe nga kafshët e egra gjatë dimrit. Barëra të shumtë kishin mbirë e rritur në të gjitha rrugicat midis varrezave, madje dhe mbi varre. I papërtuari Ndoc, la më njanë kamerën dhe iu fut punës për shkuljen e barërave që kishin mbirë mbi varin e Robert Elsie-t. Dom Nika dhe ai kishin marrë pjesë dhe në ceremoninë e varrimit në vitin 2017 bashkë me një grup pedagogësh të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe disa autoritete te Shkodrës. Në varrin e tanishëm ishte vendosur tek kryet, në vend të gurit të hershëm, një gur i madh i harkuar, vepër arti, ku ishin gdhendur disa shenja te lashta dhe emri e mbiemri i albanologut të ndjerë, datat e lindjes e të vdekjes. Ky varr dukej si një djep i madh. Aty vendos tufat e luleve…

Dom Nika veshi përparsen dhe mbajti përshpirtjen duke lexuar pjesë nga ungjijtë. Në mbyllje tha lutjen e rastit. Të gjithë bashkë bëmë kryqin dhe shqiptuam me zë të lartë: “AMIN”!

I Përjetshëm qoftë kujtimi i albanologut Robert Elsie, që ia kushtoi jetën studimit të letërsisë, kuturës e traditave të popullit shqiptar!

*ALEANCA ME SHBA-të DHE BE-në PO E LULËZON SHQIPËRINË.

(Shënime udhëtimi, 24 korrik – 7 shtator 2023, pjesa e II-të)

blank

Hugo Adolf BERNATZIK, në ditët e qershorit Pusi i Patanit(FK) dhe Stomi i Negles(FK)-1929- Nga NDUE HOTI

Te vegjlit e pelikaneve/desheve te detit perkdhelen,
ne shtepizen e vogel pas trupit, te ngrohte te prinderve te tyre,
pas pak duket se me te rriturit,
po “rrefejne” per ngjarjet e dites.

Pastaj ata vendosin,
njeri pas tjetrit sqepin e gjate,
mbi shpine dhe nata e tere,
fundoset ne imazhin e familjes,
se lumtur dhe bashkesise,
se ngushte.

Qetesia bie,
kenetat flene,
shtresa e reve ne kupen e qiellit,
u zhduk,
yjet shndrisin si perla te arta,
ne kadifen e e zeze te qiellit.

Disa lakuriqe nate turren,
ne nje fluturim te shpejte,
cafkat e nates bejne zhurme,
ne kalim e siper,
pervec kesaj,
cdo gje e gjalle,
nje enderr e heshtur,
e palevizshme.

Edhe une doja,
te mbyllja syte,
por mushkonjat depertonin,
nga cdo e care sado e vogel,
e velit qe kisha hedhur mbi sy,
e shendrrojne fytyren time,
ne nje forme te bucatun,
qe me me dhemb shume.

Kjo torture behet normale,
kaluan ore te tera,
me ne fund fresku lakjmeroi, lindjen e diellit.

Qysh ne oret e para te nadjes, degjova gugitje,
me pas dallova zogjte,
qe pushonin qetesisht,
njeri pas tjetrit,
si nje tufe patash .

Jashte ndodhet nje pelikan,
femer e rritur ,
me sa duket roja,
gjumi i saj i lehte u prish,
nga zhurmat e vogla,
dhe dyshuese,
ajo hodhi syte perreth.

Vetem kur detyra mbaron,
e bindur se nga larg,
nuk ka asnje rrezik,
kthehet me ngadale ne gjendjen,
e me parshme te qete.

Erresira fashitet,
nga drita e diellit,
me nje ze te lehte roja lajmeron, fillimin e dites se re.

Eksploratori i pelikanit Hugo,
ka zbritur ne fushen bregdetare,
ne Stomin e Neglave(FK),
ujin per te pire e mbush te Currili,
ne Pusin e Patanit afer grykes se Matit,
pikerisht atje,
ku eshte me veshtire,
krejtesisht prekese eshte,
sesi mikpritet europiani,
i cili paragjykohet nga populli ,
si nje i huaj fisnik.

I zoti i shtepise ofron,
me te miren,
ben me teper se mundesite,
te ngrenet luan ketu nje rol kryesor.

Kafja e zeze e pergatitur,
sipas menyres turke,
nuk duhet te mungoje,
bulmetrat jane te preferuar,
mund te shijosh kosin,
tamlin dhe tlyenin,
pjeserisht te perzier ne yndyr.

Mishi piqet ne helle dhe shijon shkelqyeshem,
specat djegsa ngrohin,
qiellzen e europioanit,
melcite dhe veshkat jane gjerat,
me te shijeshme,
koroniku, perpeqi, djathi i zier, pija kryesore rakia esht’.

Para se te filloi ngrenia,
me i vjetri uron: <<ju befte mire>!,
ndersa te tjeret pergjigjen:
<< ju lumshin duart>>!
Vendasi nuk e ze ne goje,
kete veshtiresi,
keto nuk jane te vogla,
ne gjithe kete fushe,
por mjaftohet me nje:
<<tungjatjeta>> !,
<<a je, si je>>?
<<a u lodhe>> ?.

Te marresh parasysh duhet,
kur viziton per nje ore,
nje shtepi,
aty do te behet me siguri,
ftese per te ngrene,
rrezik i shpeshte esht’,
te presesh dy ore per te ngrene, ndryshe, do te prekesh rende,
te zotin e shtepise.

Kurre nuk duhet ta refuzosh,
kasollen me te varfer po te jete,
nese te ka qelluar te ndalosh,
pa kthyer nje filxhan kafe,
ose qumesht.

Ky tipar karakteristik,
shume i kendshem,
do te lejonte disa,
t’i paragjykonin banoret ketu,
si altruiste,
ky iluzion zbutet shume shpejt,
kur i njeh ata nga afer.

Shtepite rralle jane me mure guri,
si ne Malsi,
shtepi provizore,
ketu nuk gjendet asgjekundi gur’,
duhet ta ndertojne,
shtepine provizore,
me nje thurje argjilore,
ky lloj ndertimi nuk zgjat shume ,
nevojitet me pak mund,
me derrasa, dy kateshe me derrasa, mbuluar me pullazina,
dritaret te vogla,
jane perseri.

Fshatarit te ultesires,
nuk i duhet te mundohet,
neper shtigje te ngushte,
rruget e tij nuk jane te mira,
dielli i thane ato,
i ben gjithe pluhur,
shiu me i paket i shendrron,
ne baltovine rreshqitese.

Keshtu bregdetari i fushes,
hipen mbi qerre dhe lekundet,
si ne nje anije mbi vale,
te dyja rrotat teper te medha,
te cilat rrotullohen,
rreth nje boshti druri te pa lyer,
renkojne si shpirtera mekatare,
ne ferr,
ne toke lene gjurme te thelle.

Qete zhyten,
ne detin e baltonvines,
cdo hap e bejne te fundosur,
deri ne gju,
mrekulli sesi keto kafshe,
durojne rruge kaq te gjata,
zotrojne kaq energji.

Vetem buajte ndjehen mire,
ne keneta te tilla,
kete e bejne me shume qejf,
stines se nxehte,
buallit i duhet te rrije,
gjithe diten ne uje,
lekuren e tij te zeze e mbulon,
nje shtrese e verdhe argjile,
gjendja e tij e brendeshme merr, hijen e nje qetesie filozofike,
megjithate ai,
nuk eshte shume paqesor,
per shkakun me te vogel kocinjt’,
luftojne me njeri-tjetrin,
ne lendine dhe ndeshin briret’

Ne mesnate me zgjoi njehere,
nje dem i kreshperuar,
i vjeter, si eger,
cadres ia kishte ngulur syte,
sic shikon dikush,
ate qe i takon,
dhe me nje goditje te brireve, grisi nje ane te tere te saj.

Por nuk i eci,
te me sulmonte mua,
pasi nje e shtene gjemoi,
ne veshet e tij,
iu desh te largohej,
per te mos u dukur me aty.

Po binte nje shi i stuhishem,
asnje njolle nuk dukej,
ne erresire,
mua me duhej te mjaftohesha,
me ngarkimin e aparateve,
dhe armeve,
te vendosja nuk mundesha,
te kerkoja ndonje shtepi,
aty prane passi ajo,
qe shqiptarve iu duket,
e natyrshme,
ne europianve na duket, vecanerisht naten,
teper e bezdishme:
ka atmosfere te keqe,
te renduar dhe keqberes,
te panumurt.
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
Hugo Adolf Bernatzik, lindur në Vjenë më 1897, i diplomuar si etnograf dhe fotograf, është themelues i disiplinës së Etnologjisësë Aplikuar. Kontaktet e para me shqiptarët i kishte që më 1914, në kohën kur Princ Vidi i dërguari i Fuqive të Mëdha kishte ardhur në Shqipëri për të vënë bazat e shtetit shqiptar. Në kohën e luftës së parë botërore ishte në Shqipëri në cilësinë e Oficerit të Amatës së Austrisë. Gjatë kohës që ishte në cilësinë e oficerit, ripërtëriu miqësitë që kishte krijuar me bijte e oficerëve shqiptarë, që kishin shërbyer në Gardën e truprojave të Sulltanit Abdyl Hamitit, gardë e përbërë kryesisht prej oficerëve shqiptar, të cilët me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar ishin kthyer për t’i shërbyer vendit të tyre.
Vetë Bernatzik do të shkruante se gjatë qëndrimit në Shqipëri kishte kaluar shumë ditë me shokët e fëmijërisë. I mahnitur siç duket nga bukurite natyrore dhe karakteri i njerëzve do të shprehej se nga koha e kontakteve të para nuk e kishte lënë të qetë dëshira për të vizituar Shqipërinë, deri sa përfundimisht në vitin 1929, i paisur me tendë fushimi, , me një barkë lundruese dhe një aparat fotografik realizon dëshirën e madhe të tij ”për ta njohur me themel atë vënd të veçantë dhe banorët e tij të guximshëm”. Ai do të shkruante se “shqiptarët janë popull me karakteristika të theksuara burrërore, të guximshëm, të ndershëm dhe mikpritës, tolerantë dhe bashkjetues, një popull që gjatë shekujve ka nxjerrë oficerë ndër më të mirët, burra shteti të njohur, nëpunës etj”. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri vizitoi Shkodrën, Krujën(Gjormin, Gurezin), Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Korçën, Beratin, Voskopojën, Kënetën e Tërbufit dhe të Maliqit, Liqenin e Ohrit dhe të Prespës. Gjurmoi ne vecanti faunen shqiptare, ne vecanti per te fotografuar pelikanin.
Të gjitha këto vende që vizitoi i fokusoi në aparatin fotografik dhe me përshkrime i botoi në një kapitull për Shqipërinë, Albanien-das Land des Schkipetaren(=Shqiperia vendi i shqiptareve).
Ne zonen e Gurezit/Fushkuqes eksploroi zonat me te thella bregdetare si ne anen jugore Neglat, Bregun e Gjapshit dhe ate veriperendimore Pusi i Patanit ne grykderdhje te Matit. Ne kete treve atij i ben pershtypje veshja e malsores se Nenshkodres dhe realizon te pakten kater fotografi si me poshte.

blank

Hugo Adolf BERNATZIK(1897-1970), eksplorator i pasionuar ndaj PELIKANIT(=Dashi i Detit).

blank

 

Nje grua me femijen e saj, Pusi i PATANIT, GUREZ-foto e H. A. Bernatzik, v.1929

 

 

blank

Moment i improvizuar kur martohet nje vajze, nga dy gra te nje shtepie nga PUSI i PATANIT, sipas deshires se fotografit austriak, H. A. Bernatzik.

 

blank

Gruaja nga PUSI i PATANIT, ne qender te fotos, gjurmohet nga fotografi H. A. Bernatzik, kur shkon ne nje nga te martat e fundit te qershorit v. 1929, ne kishen e Shen Ndues mbi qytetin e Lacit.

 

blank

Eksploratori i Pelikanve ka fotografuar nje bari ne breg te lumit Gjapsh(ne drejtim te Koder Reke. Ne zonen e Tiranes quhet lumi i Tiranes, ne zonen e Ishmit quhet lumi Ishem dhe ne grykderdhje afer Kepit te Rodonit, quhet lumi i Gjapshit). Fotografi duke krahasuar bariun me drurin, kerkon te tregoi lartesine e drurit.

 

 

blank

Pelikani i fotografuar nga eksploratori i faunes H. A. Bernatzik ne bregdetin e Gurezit/Fushkuqes ne v. 1929, quhet Dashi i Detit.

 

blank

Momenti i uljes se pelikanit eshte fotografuar pas nje sakrifice nga ana e fotografit austriak, duke pritur i fshehur per disa ore, ndoshta disa dit’.

blank

ALEANCA ME SHBA-të DHE BE-në PO E LULËZON SHQIPËRINË- Nga THANAS L. GJIKA

 

(Shënime udhëtimi, 24 korrik – 7 shtator 2023, pjesa e I)

Në korrik të këtij viti ndjehesha i dobët e shumë i merzitur. Kisha hyrë në të 80-at, kisha hartuar e botuar qindra artikuj studimorë, dhjetë libra me studime dy prej të cilë monografi pesëqindfaqshe, njëra kushtuar jetës e veprës së Heroit të Popullit Mihal Grameno dhe tjetra jetës e veprës së përhapësit të shquar të Krishtërimit – Shën Palit. Për to kishin dhënë vlerësime pozitive studiues të kualifikuar shqiptarë e amerikanë, por jo institucionet përkate të atdheut.

Bashkeshortja ime, Julia, bashkë me vajzën Ani dhe djalin Ergon, më sugjeruan duke më ndihmuar e financiarisht, që të bëja një vizitë të gjatë në Shqipëri. Kështu munda të vizitoja shumë qytete e fshatra rreth e rrotull atdheut. Pashë me vëmendje rrugët, ndërtesat, lokalet moderne, njerzit që dukeshin të ushqyer e veshur mirë. Shumë hotele e restorante lluksozë, vila e shtepi komode, objekte tregetie dhe industriale, plantacione me fruta, toka te mbjella, kope me dhën, dhi e lopë, koshere bletësh me shumicë, pyje të rigjeneruar, turistë të shumtë në bregdet e nëpër qytete e fshatra të ndryshëm…

Me një fjalë pashë dhe shijova realitetin konkret të Shqipërisë së Re, që ka lulëzuar pas virit 1992, kohë kur atdheu ynë është në aleancë me boten Perendimore Euro-Atlantike.

Duket qartë se gjatë 45 vjetëve që kaloi Shqipëria në aleancë me Botën Lindore Socialiste, populli punoi rëndë, por ecja ishte e ngadalshme, me shumë mundime e sakrifica, nën frikën e terrorit të partisë-shtet, e cila ndiqte parimin që i dha krijuesi i saj Miladin Popovici: “Partia duhet të luftojë armiqtë dhe kur nuk ka të tillë, t’i krijojë ata“.

Në këto 30 vjet Shqipëria, duke qenë në aleancë me ShBA-të dhe BE-në ka bërë transformime, të cilët mund t’i bënte jo më shpejt se në 300 vjet, po të vijonte nën drejtimin e partisë-shtet. Këtë ndryshim kolosal e pranojnë edhe ish-komunistët, por këta ia njohin si meritë Partisë Socialiste dhe jo aleancës me ShB-të e BE-në dhe nuk pushojnë se ankuari, se sistemi demokratik ka krime, korrupsion dhe fukarallek. Nuk duan t’ua kujtosh krimet dhe fukarallëkun e mbarë popullit të kohës kur ata ishin në pushtet. Nuk duan të kuptojnë se në botën Perëndimore ku sundon demokracia dhe shteti ligjor ka korrupsion, por ky korrupsion ka kapur disa individë, por jo sistemin, kurse në Shqipëri ku sundojnë pasardhësit e klanit komunist, korrupsioni ka kapur gjithë klasën sunduese, e cila do të mënjanohet pasi të vendoset ligji.

NË RESPEKT TË MËSUESIT SADIK LEKA DHE POETIT HAVZI NELA.

Kur jetoja në qytezën Lancaster MA isha njohur me dy të rinj kuksianë të zgjuar e punëtorë, Albert e Besim Leka. Të dy bashkë me nuset e tyre Eliamonda dhe Laureta na prisnin e na respektonin mua dhe Julian si prindërit e tyre. Kjo miqësi u forcua edhe më pasi erdhën edhe prindërit e tyre, Sadiku e Baftia dhe vëllezërit e tjerë Albani, Adriatiku e Klodi. Luanim shah, bilardo, shëtisnim bashkë, laheshim te pishina, bisedonim për të kaluarën në atdhe, etj. Te Sadiku dhe Barfia dhe djemtë e tyre njoha tipin model të malësorëve shqiptarë që dalloheshin për virtute, për edukatën tradicionale, që nuk ta jep shkolla por jeta. Të gjithë ishin të pashëm, të shëndetshëm, njëri më të mirë se tjetri. Mirëpo vitin e kaluar Sadikut iu përshpejtua pleqëria dhe brenda disa muajve u largua nga jeta. Bashkëshortja dhe djemtë e tij shkuan dhe e varrosën në fshatin e lindjes pranë nënës e vëllait të vet, si ua kishte lënë ai amanet.

Sivjet, zonja Baftie, Alberti e Besimi me nuset dhe Albani kishin vendosur të shkonin përsëri në Shqipëri për të përkujtuar njëvjetorin e ndarjes nga jeta të babait të tyre të dashur. Ky vendim më nxiti që ta shfrytëzoja rastin për të shprehur respektin tim për mikun e mirë, mësuesin e nderuar Sadik Leka. Të këtij mendimi kishin qenë edhe motra e Bafties, z-nja Mereme me bashkëshortin z. Bardhi Gjinollari dhe motra e Lauretës, z-nja Diona me bashkëshortin z. Lumtor Vrapi.

25 korrik u bashkuam të gjithë në fshatin Qinamakë të Kuksit, mbi cepin jugor të Liqenit të Kuksit. Aty kishin shkuar dhe dy vajzat e të ndjerit, mjekja Violeta Hoxha dhe infermjerja Aferdita Sinaj.

Varrezat e bukura të fshatit ishin vendosur midis pemëve në një faqe kodre të pyllëzuar. Pas fjalëve ngushëlluese dhe fotove të rastit, pjesëtarët u drejtuan te klubi i fshatit, ish-shkolla e dikurshme, ku i ndjeri kishte sherbyer si mesues e drejtor. Për respekt të babës, Albani dha kafe, raki e duhan për ne dhe të gjithë bashkëfshatarët që u ndodhën aty. Kurse dreka ceremoniale me mbi 150 pjesëmarrës u dha në një lokal të ri madhështor në qytetin e Kuksit. Një hotel-restorant i tillë nuk gjendet në Clinton MA, ku janë vendosur familjet Leka, ndoshta as në Worcester MA, ku jetoj unë, sepse amerikanët I japin më shumë rëndësi funksionit sesa paraqitjes.

Pasi Hoxha bëri lutjen e rastit, pjesëtarët nëpër tavolina filluan të tregonin episode nga jeta e puna e mesuesit Sadik Leka në fshatin e tij, e sidomos në Suroj, ku ishte drejtor i gjimnazit. Në atë kohë në Surroj kishte pasur tri shkolla të mesme: një gjimnaz të përgjithshëm, një gjimnaz nate dhe një gjimnaz profersional bujqësor. Sot ai fshat ështe braktisur, aty jetojne vetem dy a tri familje, kurse në Qinamakë jetojnë rreth 50 familje, të shpërndara në disa mëhallë, që shtrihen në një sipërfaqe te madhe. Ky fshat me pyje e toka të shumta që shtrihet nga maja e malit e deri poshtë te Liqeni, ka mundësi të zhvillojë blegtorinë dhe të industrializojë ujrat e pishme malore, që burojnë në disa vende.

Vellezërit Leka kanë toka afer bregut të liqenit dhe mendoj se pasi të përfundojë rruga Kukës- Bicaj-Skavicë dhe të jetë vënë në funksion aeroporti i ri që po ndërtohet në anën lindore të liqenit, kanë për të ndërtuar aty një vilë verimi. E ardhmja e ketij fshati dhe e krejt anëve të Liqenit të Kuksit është e lidhur me ndërtimin e hidrocentralit te Skavicës në rrethin e Dibrës, sepse liqeni i ri që do të krijohet aty do të sistemojë e disiplinojë nivelin e ujit të liqenit…

Mbas drekës Z. Abdulla Domi, kryetar i Qarkut të Kuksit, fis i z-njës Baftie Domi, u dha kafet e lamtumirës familjarëve të të ndjerit, mikut të tij Sadik dhe neve që kishim shkuar nga larg. Në orën 4:30 PM u nisëm për Tiranë plot emocione pozitive. Gjatë rrugës mendoja për faktin se sa mirë i respektoi familja e madhe Leka traditat shqiptare lidhur me respektimin që I bëhet të vdekurit. Mundimi dhe shpenzimet nuk merren parasysh, mjafton që respekti të kryhet si e meriton Ai.

blank

I paharuar qoftë kujtimi i babait, mësuesit e mikut të urtë Sadik LEKA!

TE FALEM HAVZI NELA, TY O POET MARTIR.

Gjatë shëtitjes në qytetin e Kuksit ndalova tek busti i poetit martir, guximtarit të rallë Havzi Nela (1934-1988), vendosur para shkollës që mabnte emrin e Tij. Në basoreljev ishin gdhendur katër rreshta nga një poezi e tij:

Thoni dritë ai kërkoi

E vetë dritë nuk pa me sy.

Thoni për njerëzinë këndoi

E për vete nuk jetoi!

Gjatë bisedave miku im Sadik Leka më kishte treguar se më datën 9 gusht të vitit 1988 ishin lajmëruar punonjësit e mësusit e rrethit të Kuksit të ndodheshin të nesërmen më 10 gusht në ora 10 AM para sheshit të qytetit për të parë ekzekutimin e tradhëtarit Havzi Nela. Por kur populli shkoi në ora 10 AM e gjeti të varrur kufomën e mësuesit dhe poetit rebel. Pushteti kishte frikë ta ekzekutonte para popullit këtë viktimë të tij, prandaj kishte porositur që akti të kryhej që në ora 2:00 e natës dhe kur të vinte populli të këputej litari e kufoma të tërrhiqej zvarrë lidhur pas një kamioni e pasi të vëtitej rreth qytetit për të ngjallur tmerr e frikë, të hidhej tek fusha e druve ku të mbulohej me plehra…

Me vrasje e varrje kishte filluar ai regjim, dhe ja një vit para rënies së murit të Berlinit, po kryente dënimin e tij të fundit, varrjen e një poeti disident…

blank

Havzi Nela, busti yt në Kukës rezaton dritë si monumenti i Bajram Currit në Tropojë.

Thanas L. Gjika
blank

AMI 2 VJEÇE SHKON NË ÇERDHE- Nga ALBERT HABAZAJ

Vjersha për fëmijë
Mbesës së vogël Amaris B. Habazaj, që sot ka ditëlindjen e mbush 2 vjeçe
Zemrat na u ngrohën
Dhe na ndezin këngën,
Malet lule hodhën
Dhe në valle këmbën.
.
Në gëzim me ne
Vijnë për ditëlindjen,
Me gaz e hare
Prapë në valle ngrihen.
.
Sot u bë e madhe
Plot 2 vjeçe mbushi,
Të na zërë në valle
Zgjat doçkat Amushi.
.
Si zogë nëpër këmbë
Me ne ngatërrohet,
Serioze, syrëndë
Te Perla ankohet.
.
Se ne e mërzitëm,
Pse-në ajo e di,
Në krahë pse s’e ngritëm
A tjetër çudi.
.
Ajo do vëmendje
Gjithë ditën e ditës,
Për ne, me shumë ëndje
Është syri i dritës.
.
Ami kolopuçe
Ka shkuar në çerdhe,
Zogjtë me vogëlushët
I thanë: Mirëse erdhe!
.
Me ta dorë më dorë
Më e kaltra ëndërr,
Bukuroshja e vogël
Princesha e ëmbël.
Vlorë, 23.09.2023
blank

Vajza të Çamërisë- Cikël poetik nga HAMIT TAKA

OH…

“O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë”… – Migjeni

Oh, kam frikë, kam frikë ta them të vërtetën
Se fatin ma caktojnë ca burrështetas qeveritarë,
Ku s’ia vlen të jesh as i mënçur as i ndershëm
Gjersa ata gangot i kanë si këshilltarë…

Dhe mbisundon heshtja, kur s’guxojmë ne të flasim
Për partizimin që shkatërroi çdo vlerë shqiptare
Ku një deputet shitet e blihet për miliona euro
Dhe një votues për një thes miell a për pesë pare…

Oh, si ta kuptoj radikalizmin, banditizmin partiak
Pse ma përçmojnë mendimin, djersën e mundit,’
Kur në xhungël ndihet vetëm zëri i cubit injorant,
Dhe askush nuk druan e s’friket nga ora e fundit…

Dhe sa shumë flitet për destruktivizmin e tri feve,
Por jo, jo për talebanët e tmerrshëm partiakë,
Që rininë e degdisën nëpër botë e kafeneve,
Ku deshqiptarizohet, kriminalizohet e zhytet në batak…

Oh, sa e turpshme, trishtuese, poshtëruese
Hashtja juaj krijues, profesorë dhe akademikë!
A s’e dini ju sa i ndihmoni politikanët shkatërrues
Në kalbëzimin e vlerave, që ushqen plehun politik?

Oh, do të mbisundojë heshtja, gjersa ne të flasim,
Dhe mbi shpatulla do të na rëndojë guri i Sizifit,
Por do të vijë koha që ne njëzëri do të bërtasim
Dhe ju pangopës “nga sytë këmbë” atëherë do të ikni…

Oh, sa gjatë ëndërruam për një tjetër botë!
Shpresuam të ndalonim në limanin e ëndrrave
Po rrënja e vjetër në asnjë vend tjetër nuk gjethon
Veçse në tokën ku ka rrënjët dhe gjakun e zëmrave

NJË LETËR NËN DERË

Mbase unë sonte nuk do të vij
Ti fike dritën kur të biesh.
E di se shtrati të duket varr
Po sqetullat prapë ti mund t’i lyesh.

Mbase as nesër në portë s’do trokas,
Ti darkën mos e ler të shtruar
Dhe djalit, kur ta vësh në gjumë,
Përralla të frikshme mos t’i thuash.

Mbase papritur kaloj kufirin
Si një skllav i arratisur nga padroni
Dhe në tokë të huaj rrëshqas e bie
Buzë një gremine e buzë një honi.

Mbase i dehur në kabarera
Ndeshem keqas me një zezak a bjond,
Mbase diku në një skutë të errët
Pusi më zë një vagabond;

Mbase në një sofër të pa shtruar
Përtyp kotheren e urisë
A fillikat i vetëm në një tren
Rend mesnatës drejt lirisë;

Mban ky kurmi i mërgimtarit
Dhe qafë e tij si qafë e djallit…
Veç kudo qofsha, në parajsë a ferr
Unë sonte flë në shtrat të mallit.

VAJZAT ÇAME

Gjeshtër e lulëzuar buzë lumit duket
Shtati juaj i hedhur, vajza të Çamërisë
Në ujërat e gjolit nga zilia zanat futen
Kur në sy ju ndizet shkëndi e dashurisë;

Buzëqeshja juaj, e freskët e kristaltë
Me gurgullima krojesh djelmoshave u ngjan;
Borë e pastër duart, të bardha zambak,
Dy buzët kur puthin, të ëmbla koralë;

Një notë hyjnore puthja juaj e kulluar
Ajo të magjeps, të deh ajo aq shumë
Sytë tuaj të ndezur – dy yje flakëruar
Në dashuritë tuaja dikur humbisja unë;

Si gjeshtër që jepet nga era buzë lumit
Në valle dridheni, belhollat vajza came,
Djemve që joshen nga shikimet, parfumet
Fresk e tufane u bëni me çitjane…

blank

Recension i fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe të prof.dr. Eshref Ymerit- Nga Prof. dr. HAJRI SHEHU

Thonë që fjalorët janë librat më të mirë që mund të shkruhen për gjuhën. Sepse fjalorët janë fryt i një pune të ngulët për qëmtimin e njësive që do të përbëjnë korpusin e tij, punë e cila zgjat me vite e vite të tëra, në mos me dhjetëvjeçarë. I tillë është rasti edhe i “Fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe”, që po i vihet në dorë lexuesit, i cili e ka zanafillën gjysmë shekulli më parë, kur prof. Eshref Ymeri nisi punën për vjeljen e shprehjeve frazeologjike të gjuhës shqipe nga disa qindra vepra letrare, publicistike e politiko-shoqërore.
Ky është fjalori i pestë frazeologjik i prof. E. Ymerit. Katër të tjerët janë gjuhë e huaj – shqip (italisht-shqip – me bashkautorë, rusisht-shqip, anglisht-shqip e frëngjisht- shqip – ky i fundit me bashkautor). Të pesë fjalorët janë të mëdhenj. Në katër të parët, frazeologjia e shqipes ballafaqohet denjësisht me frazeologjinë e katër gjuhëve të mëdha botërore.
Në Fjalorin e tanishëm, shqipja “ballafaqohet” me vetveten – me pasurinë e saj të madhe frazeologjike, me sinoniminë e variantësinë e saj të gjerë. Fjalori mund të vlerësohet denjësisht edhe si Fjalor frazeologjik sinonimik i gjuhës shqipe.
Një nga detyrat e gjuhësisë sonë është ngritja e kulturës gjuhësore të popullit. Fjalori i prof. Eshref Ymerit mendojmë se e përmbush më së miri këtë detyrë. Përdoruesi e ka rrugë të shtruar Fjalorin për të gjetur të gjitha grupet semantike – ato që kanë të bëjnë me tipare fizike a morale të njeriut, me veprime a mosveprime të njeriut, me veprime a punë të pamenduara të njeriut, me
marrëdhëniet ndërmjet njerëzve etj. Mjafton që përdoruesi i Fjalorit të shkojë te fjala bosht e frazeologjisë (p.sh., te zemër, te dërrasë, te masat etj.) dhe do të gjejë thesarin – të gjitha shprehjet – kryesisht sinonimike. Po t’i veçonim grupet semantike, do të kishim disa minifjalorë frazeologjikë. Për dashatarët e fjalëve të urta e të fjalëve fluturake Fjalori është udhërrëfyesi i duhur. Letërsia
artistike është zakonisht trualli ku gjejnë përdorim stilistik frazeologjitë a fjalët e urta, sepse në të ka vend më shumë roli shprehës i gjuhës. Natyrisht, kjo varet nga gjinia e veprës letrare, nga individualiteti i shkrimtarit, nga tipi i frazeologjisë etj. Dhe shkrimtarët kanë një ndihmëtar shumë të vyer te Fjalori frazeologjik i prof. Eshrefit. Po aq ndihmë ka edhe për publicistët.
Njësitë frazeologjike e fjalët e urta janë të rëndësishme jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si burim të dhënash shoqërore për kulturën materiale dhe shpirtërore të popullit. Për këtë arsye pasqyrimi i tyre në fjalorë është i vlefshëm edhe për folkloristin, etnografin e sociologun. Në Fjalor, përdoruesi do të gjejë mjaft frazeologji që kanë të bëjnë me mjeshtëri e zeje popullore, me festa popullore, me etnografizma (shih, p.sh., lulja e dasmës “degë lisi e zbukuruar me lule etj. që vihet mbi çatinë e shtëpisë si shenjë gëzimi a gazmendi kur merret nusja”) e festa popullore etj.
Në Fjalor përfshihen, siç u tha, edhe fjalë të urta. Shih në Fjalor: burri s’matet me pëllëmbë, po me zemër; vër zemrën atje ku jep fjalën! kush u martua e s’u gëzua, s’bëhet lundra me dru marene. Edhe fjalët e urta konsiderohen mjet gjuhësor. Ato janë karakteristikë e gjuhës së gjallë bisedore. Klasifikimi i tyre tipologjik bëhet në gjuhësi e jo në folkloristikë, çka do të thotë se ato e kanë vendin në fjalor. Ndryshe nga njësitë frazeologjike, fjalët e urta kanë strukturë më konservative, domethënë, përgjithësisht ato funksionojnë në ligjërim me kontekste të caktuara sintaksore, pothuajse të pandryshueshme e të papërpunueshme. Stilistikisht, ato përdoren në mënyrë ballësore, domethënë, në të gjitha stilet funksionale (në letërsinë artistike, në publicistikë, në letërsinë shkencore-popullarizuese etj.).
Në Fjalor ka edhe fjalë fluturake (shih, p.sh., koha është pará/flori). Fjalët fluturake janë fakte ligjërimore me karakter përgjithësues – të drejtpërdrejtë ose të figurshëm. Janë modele letrare. Prandaj, ashtu si fjalët e urta, edhe ato e kanë vendin në fjalor.
Fjalori është filologjik. Jepet fjala bosht (me shkronja të mëdha) dhe pastaj njësia (a njësitë) frazeologjike me shpjegimin leksikografik. Tipologjikisht, Fjalori është diferencor (krahasimi bëhet me një fjalor të përgjithshëm shpjegues). Ai nuk shpjegon fjalët. Ai shpjegon frazeologjitë. Edhe brenda vetes, Fjalori është diferencor: Ai përfshin njësi frazeologjike aktive, domethënë, që janë të gjuhës së njësuar letrare shqipe. Në një fjalor frazeologjik, edhe renditja e njësive brenda vargut ka vlerën e vet. Ajo ka të bëjë me vendosjen e lidhjeve të një njësie frazeologjike me njësi të tjera frazeologjike brenda sistemit të gjuhës. Në një fjalor frazeologjik, edhe shtypshkrimi ka vlera përdalluese. Prandaj Fjalori paraprihet nga një Hyrje, shkruar nga autori me kulturë leksikore, e cila i tregon përdoruesit ç’është ky Fjalor e si është ky Fjalor dhe si duhet përdorur ky Fjalor.

Njësia frazeologjike është njësi semantike funksionalisht e afërt me fjalën, por më e ndërlikuar se fjala. E ç’është atëherë njësia frazeologjike? Cili është vëllimi i saj? Deri ku shkojnë kufijtë e njësisë frazeologjike? Cili është roli i tyre komunikues- funksional? Cili është tipari i tyre stilistik? Si përdallohet shprehësia e tyre emocionale? Si përdallohen vargjet frazeologjike sipas rolit komunikues-funksional të njësive? Për këtë ka një koncept të ngushtë a shumë të ngushtë. Ka edhe një koncept të gjerë a shumë të gjerë. Autori ka anuar nga koncepti i gjerë. Shpjegimi i njësisë

frazeologjike në Fjalor bëhet sipas funksionit sintaksor. Sinonimet frazeologjike përdoren (në shpjegim) si plotësuese. Shih, p.sh. ta shet shkumën për ajkë dhe pastaj ta shet sapunin për djathë. Njëherësh, ato janë me vlerën që ka sinonimi si mjet gjuhësor. Sipas hierarkisë së tyre, sinonimi është edhe me vlerë stilistike. Krahaso ta shet shkumën për ajkë dhe të hedh (të shtie) trutë e gomarit. Kur njësia frazeologjike ka më shumë se një kuptim, përdoren numrat. Veçoria stilistike e njësisë jepet me shënime stilistikore (shak – me shaka, përb – me ngjyrim përbuzës etj.).
Veçoria ligjërimore është dhënë me shënimet libr -librore, bis – bisedore, thjeshtligj – e ligjërimit të thjeshtë etj. Në disa njësi frazeologjike që janë ndërkombëtarizma e lidhen me histori, personalitete historike, mitologji etj., jepet edhe shpjegim plotësues enciklopedik. Shih, p.sh., te ahur, Albion, ar etj. Për përdoruesin e Fjalorit ky shpjegim është shumë i këndshëm.
Duam të përveçojmë tri pasuri të mëdha të gjuhës shqipe që na vijnë në Fjalorin e prof. Eshref Ymerit. Ato janë: sinonimia frazeologjike, variantësia frazeologjike (këtu vijnë edhe fjalët e urta) dhe bashkë me to e brenda tyre – frazeologjia popullore dhe fjalët e urta popullore. Autori ka qëmtuar e vjelë me kujdes e me dashuri të veçantë dhe ka krijuar një kartotekë vetjake vigane. Dhe kjo lëndë na vjen e përzgjedhur dhe e situr aq imët. Në Fjalor ka njësi frazeologjike me mbi 30 sinonime. Prandaj, siç u shprehëm më sipër, Fjalori mund të quhet mirëfilli Fjalor frazeologjik sinonimik i gjuhës shqipe. Sinonimia frazeologjike është pasuri e pakufishme për zhvillimin e sistemit stilistik të shqipes, sepse, sa më shumë njësi frazeologjike të ketë në përdorim, aq më

shumë ato mund të dallohen stilistikisht. Fjalori i prof. Eshrefit ia sjell shkrimtarit e publicistit këtë pasuri të renditur alfabetikisht. Variantet frazeologjike janë po aq pasuri e pakufishme e shqipes. Në Fjalor ka dhjetëra e dhjetëra variante frazeologjike. (Shih, p.sh., vetëm te fjala titull zavë/zavëz – një fjalë jo dhe aq e njohur). Pasuria e tyre është te mënyra e ndërtimit dhe e motivimit të njësisë frazeologjike, që vjen nëpërmjet ndryshimit të përbërësve kuptimorë (krahaso: të shtie në lak dhe të shtie në kllapë; të fut në ujë dhe të nxjerr pa lagur dhe të fut në lumë… dhe të fut në pus… dhe të fut në det). Dhe variantësia frazeologjike e shpëton shkrimtarin e publicistin nga monotonia ligjërimore. Siç dihet, pothuajse shumica e njësive frazeologjike janë popullore. Pse? Sepse për nga burimi janë krijime të popullit; për nga gjymtyrët përbërëse, janë fjalët e fondit themelor dhe fjalët më të zakonshme e më të njohura. Gjuha letrare “i zgjedh” njësitë leksikore e semantike (fjalët dhe kuptimet) krahinore popullore dhe merr e përvetëson ato që i sjellin vlera pozitive. Me njësitë frazeologjike e fjalët e urta puna është ndryshe:

Gjuha letrare i merr këto pa kufizime (sigurisht, pas një përpunimi drejtshqiptimor, drejtshkrimor e gramatikor). Bie fjala, pse të mos e marrë gjuha letrare frazeologjinë (me prejardhje krahinore) flet si miza në shytkë? Dhe sa më shumë njësi frazeologjike të ketë, aq më shumë shtohet sinonimia frazeologjike ose variantësia frazeologjike (ngaqë e njëjta frazeologji na vjen me gjymtyrë të ndryshme përbërëse) e siç u tha, aq më shumë zhvillohet sistemi stilistik i shqipes dhe aq më shumë mund të dallohen stilistikisht njësitë frazeologjike (krahaso: i ra hunda dhe i ra lafsha). Këtej vjen edhe një nga vlerat e frazeologjisë popullore e në këtë hulli, edhe e botimeve si ky Fjalor.
Profesor Eshrefi e njeh aq mirë ligjërimin popullor dhe na e sjell po aq mirë në Fjalor. Shumica e njësive frazeologjike, përveç kuptimit (leksikor) objektiv, kanë edhe ngjyrim shprehës-emocional. Ai është ngjyrim kuptimor plotësues dhe e shoqëron gjithnjë kuptimin (themelor) të njësisë frazeologjike. Madje, janë figurshmëria dhe shprehësia e njësisë frazeologjike ato që e fuqizojnë përdorimin e saj në gjuhë (krahaso: të ha me gjithë opinga). Fjalori na vë përpara tërë atë lëndë e gjithë ato sinonime për të parë e studiuar si ndodh përtëritja e ngjyrimit shprehës-emocional me përtëritjen e formës së brendshme të frazeologjisë.
Kemi përshtypjen që nuk janë studiuar shumë veçoritë stilistike të njësive frazeologjike të shqipes.
Ekzistenca në gjuhën letrare shqipe e njësive frazeologjike, ku vargu sinonimik shkon deri në dhjetë e më shumë njësi (në këtë Fjalor deri në 40), të cilat kanë edhe variante, krijon mundësi për zhvillimin e sistemit stilistik, sepse stilistika në fushën e togfjalëshave të qëndrueshëm nuk është gjë tjetër, veçse zgjedhje. Dhe sa më shumë njësi frazeologjike e variante frazeologjike të ketë në qarkullim, aq më shumë ato fitojnë dallime stilistike e aq më shumë ka vend për të zgjedhur. Dhe ky Fjalor na vë përpara aq shumë frazeologji sinonime e variante, tubuar leksikografikisht, të cilat me emocionalitetin, me shprehësinë dhe me mënyrën e tyre të përdorimit, na japin mundësi t’i studiojmë më shumë veçoritë stilistike të njësive frazeologjike të shqipes në ligjërimin bisedor, në publicistikë etj.

Fjalori është i madh. Dhe sa më i madh të jetë një fjalor frazeologjik, aq më i vështirë është shpjegimi, përcaktimi e përveçimi a tubimi i sinonimeve dhe i varianteve frazeologjike. Edhe t’i gjesh vend një njësie frazeologjike është e vështirë. Autori e ka bërë shumë mirë këtë punë. Sinonimet janë në vendin e vet. Secili variant është në vendin e vet. Renditja alfabetike është siç duhet. Prin fjala bosht e njësisë frazeologjike. Shpjegimet për kuptimin e njësive frazeologjike janë të sakta e të qarta. Dhe frazeologët kanë në Fjalor të gjithë tipat e frazeologjive. Leksikologët dhe leksikografët mund të shohin në Fjalor modelet strukturore-semantike te variantet e njësive frazeologjike, domethënë, siç u tha, te variantet që kanë semantikë të përbashkët dhe figurshmëri të njëjtë, por që kanë të ndryshme gjymtyrë të veçanta (tipi u dogj nga qulli/qumështi e i fryn kosit). Në këtë variantësi dhe, përgjithësisht, te frazeologjia e te ky Fjalor frazeologjik, dialektologu mund të zbulojë edhe bashkëmarrëdhëniet ndërkrahinore të njësive frazeologjike dhe të përcaktojë saktë arealet frazeologjike; etnografi – sende e dukuri; etimologu – etimologji të frazeologjive.

Fjalori është për të gjithë – për shkrimtarët dhe publicistët, për mësuesit dhe studentët – për të gjithë ata e ato që duan ta ngrenë më lart ligjërimin e tyre të folur e të shkruar. Fjalori na nxit për ta njohur më thellë pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe e sidomos të ligjërimit popullor. Ai na nxit fort ta gjurmojmë e ta mbledhim frazeologjinë popullore. Ai na nxit ta përvetësojmë
frazeologjinë e ta rritim kulturën tonë gjuhësore, edhe duke e zbukuruar të folurit tonë me përdorimin e frazeologjive.
Tiranë, qershor 2022
blank

Rënkimi i shkodës- Poezi nga YMER LLUGALIU

(Voal.ch i boton poezitë e lëna në dorëshkrim të studiuesit dhe disidentit llapjan .Ymer Adem Llugaliu,
i dënuar politik me shumë vite burgimi dhe izolimi nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës)
Gjëmon shkoda sonte
Uuuv, uuuv, uuuv
Gulçon quuf, gjuuuv….!
t’u e grith kurrizin
e lakuem të maleve,
me sytë e shpërlamë
errësirën depërton.
Ku po shkojmë vallë,
kjo rrangallë ku po na çon?
Asnji sekondë rrangalla
s’e pushon këtë rënkim,
sikur mban mbi supe
brengen, dhimbjen, trishtimin…
e shpirtit tim.
Yjet e shtanguna
nëpër shndritjen
e zbetë dhe të ftohët
nga larg më dërgojnë
Lamtumirë!
Pse i gëzohesha mëngjesit
me nuhat aromën
nder manushaqet vesëbiluer,
qenkam fajtuar.
Pse dita diellin
me imitue në shkëlqim,
paskam ba gabim.
Pse nga nji grimcë të zemrës,
Zjerm prometean,
E kam tfillue ndër fjalë,
tel elektrik
nder zemra njerëzore,
mbi këtë terrinë dogme
nga pak me shndrit,
paskam ba faj.
Rënko e mos pusho,
rënko moj rrangallë!
Shpirtin padrejtësia
si ranë e Saharës
në udhëtim po ma djeg.
Po ku duem me u ndal ?
-Në atë teposhtzë,
më tha shoferi dinak.
-Po këtu qenka gropë.
-Kujdes në ecje,
përbri asht nji shpellë,

Send this to a friend