VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Poeti Atdhe Geci – Nga Prof. Belgizare H. Kryeziu

By | July 6, 2018

Komentet

Lindita Fejzo: Jam e dashuruar me jetën, u këndoj dhimbjeve të saj – Nga VEPROR HASANI

Lindita Fejzo Kola mësuese në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” në Tiranë, është edhe poete. Para pak kohësh botoi vëllimin me poezi “Hije jete”. Lindita ka një rrëfim poetik të veçantë, ngjason me rrjedhën e një burimi që rrjedh qetësisht dhe ëmbël mes një lëndine. Shkruan për dhimbjet e jetës, por nuk ankohet, nuk loton, nuk trishtohet, nuk gjunjëzohet; pranon gjithçka të saj me qetësi, madje po kaq qetësisht i rrëfen ato, por kur i lexon provon një ndjesi të veçantë, aq sa të bën të pyesësh veten: “Ku e fshehin këtë forcë kaq të madhe këto vargje që duken kaq të brishta”?  Ndoshta vetë jeta e ka bërë të pajtohet me dhimbjen por duke parë gjithnjë tek e nesërmja dhe e bukura. Në fëmijërinë e saj pati dy dhimbje të mëdha: humbjen e nënës kur ishte 11 vjeçe dhe humbjen e vëllait kur ajo nuk i kishte mbushur të gjashtëmbëdhjetat. Babai i saj për t’ia lehtësuar brengat i tregonte çdo natë përralla që jeta e saj të bëhej më e bukur dhe ta largonte prej dhimbjeve; ndaj duket sikur në poezitë e saj është edhe ai rrëfimi përrallor i të atit që rrjedh ngadalshëm drejt një fundi që mbaron gjithnjë me mrekulli: nëna e saj zbret nga qielli dhe i vjen pranë për të ndenjur me të, kurse vëllai, diku prej një vend të largët, i dërgon me erën, mallin që nuk i shuhet që prej asaj kohe kur iku. Përfytyrime të tilla ndjesish gjen te poezia e Linditës. Ato të mbeten në mendje, nxitin fantazinë për të krijuar me imagjinatën tënde mbresat e përjetuara; ajo rrëfen me zërin babait të saj. Gjithçka e rrëfyer në fëmijëri tashmë i shndërrohet në poezi. Ja disa vargje prej saj:

 

Në ç’univers fshihesh,

Lundron, në cilat dete.

Pse ikën pa mua,

Pse s’më merr me vete?

Herë pas herë shfaqen edhe pyetjet e saj; është malli i motrës për vëllanë, është brenga për nënën e humbur, është fëmijëria e saj që ende diku rri fshehur në shpirtin e saj. Duket sikur e kërkon në universe të largëta në dete të trazuara, që edhe ajo të jetë atje. “Pse ikën pa mua?”- është pyetja e saj, duket sikur ka mbetur vetëm, ndaj i kërkon ta marrë me vete edhe sikur atje jeta të mos jetë më e bukur, por vetëm të jetë me atë që i mungon. Me imagjinatën e saj dëshiron të arratiset drejt qiejve për të bërë dashuri me retë, të lërë pas marrëzinë e qytetit, mjegullzat nën neonë, hapat që nuk ndihen më në rrugë dhe njëkohësisht të jetë edhe po aq tokësore. Të gjitha këto i shkruan bukur, aq sa harrohesh pas tyre në një rrëfim të ëmbël, për t’u përmendur vetëm kur i del librit në fund:

 

U tretën dhe hapat e fundit,

U qetua qyteti zhytur në marrëzi,

Drejt qiellit rend tymi i duhanit,

Me retë të bëjë dashuri.

 

U tretën mjegullzat nën neonë,

Pa arritur në shtëpizën – çati.

Filtër-oxhak mbetur në dorë

Pas pak me tokën do t’bëjë dashuri…

Lindita Fejzo Kola u lind në fshatin Starje të Kolonjës i njohur për atdhetarinë e njerëzve të tij. Nga Starja është edhe i madhi Hasan Zyko Kamberi, i cili pati guximin t’i fshikullonte edhe sulltanët me ironinë e tij. Dikur Starja ka qenë qytet, edhe Pukëvili (konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës), pati dëshirën ta vizitonte, por nuk pati guxim sepse njerëzit iu duken të rreptë e të frikshëm. Mit’hat Frashëri për këtë vizitë të Pukëvilit, shkruan: “Nga Konica dhe Pindua, shëtitari arrin në Kolonjë gjer afër Starjes, ku nuk’ guxon të hyjë nga frika se mos egërsohen gjindja duke e njohur prej petkave se është i huaj; regreton që nuk vizitoi dot vendin, afër Kodrës, (fshatit Kodras),  ku i kishin thënë, gjenden celula me sarkofagje të gdhëndur në shkëmb, një katakomb i math”. Ndësa vetë Pukëvili shkruante: “Toka e Kolonjës është me glinë dhe e çan dielli kur bën thatë. Popullsi e këtij vëndi rron në anarshi, hajdutëri, dhe varfëri sadoqë toka, me gështenjat, dushkun dhe drurët e tjerë mund të siguronte jetën e një popullsie më të madhe. Në malet ka ujq, arinj dhe egrësira të tjera; drurët rrinë të pashartuar dhe vendësit hanë pemë të egra: Kështu e gjetmë nga të moçmit, thonë! Venë dhe hyjnë në shërbime në Egypt , né Algjérë, në Tonuz”. Por, pavarësisht përshkrimit të Pukëvilit, prej Starjes kanë dalë mendje të ndritura të kombit.

Edhe poezia e Lindita Fejzo Kola ka për të mbetur sepse ajo është e veçantë, e mbushur me vërtetësi ndjenjash dhe emocione. Nëse ndihesh i trishtuar lexo librin e poetes Lindita, edhe në poezitë e trishtura do të gjesh gëzimin e saj, ashtu siç thuhet edhe në vargjet e mëposhtme, ku edhe pse ka lot dhe gjethe të rëna, sërish ka një filiz, dhe një pranverë që vjen sërish:

 

Pëshpërin shelgu lotues,

Psherëtin gjethepak.

Një filiz lastar i thotë

Se pranvera do vijë prapë.

 

As ndarjes nuk i jep notat e një trishtimi të madh që mund të të mbajë të gjunjëzuar; te poezia e saj ka dritë, ka një të nesërme që vjen bashkë me lindjen e diellit; dashurohesh me poezinë saj. Madje të duket sikur këto poezi kanë ekzistuar edhe më parë; poetja veçse zbuloi vendndodhjen e tyre dhe i solli enkas për ne. Në ndarjet e saj, është tjetri që ka ikur, kurse ajo është përsëri atje te gurra e vjetër si për të dëgjuar gurgullimat e ujit që rrjedh. I merr valzat e tij dhe i bën vargje, i përshkruan me shpirtin e saj ashtu si dikur ndjente ledhatimet e dorës së nënës, e cila e la kur poetja ishte një vogëlushe vetëm 11 vjeçe. Edhe vetë poetja kështu na thotë: “Nuk ka poezi më të bukura se ledhatimet e nënës, nuk i harrova kurrë ato, edhe tani që jam nënë e dy fëmijve. Vargje do të thur me buzëqeshjen e tyre, sepse buzëqeshja e fëmijës është lumturia më e madhe e nënës. Kështu ndihej edhe nëna ime kur më shihte si rritesha në sytë e saj. Ndaj kam dëshirë të shkruaj me urtësinë e nënës, me fjalën e ëmbël të të gjitha nënave.

 

Unë në një lëndinë

Ti në lëndinë tjetër,

Ti tjetër burim

Unë te gurr’ e vjetër

 

Ti në një lëndinë

Unë në lëndinë tjetër

I këndojmë magjisë

A plagës së vjetër?

 

Për të kuptuar më shumë, po sjellim një poezi të plotë të saj

 

Do të vij me erën,

Mbushur me pjalm,

Ta lë pranverën,

Mbrapa dhe larg.

Do të vij me diellin,

Rreze do të jem,

Do të jem dritë,

Po mos u tremb!

Se jam valë,

Jam dhe liman,

Jam varkë me vela,

Jam dhe fanar,

Jam ortek,

Vij si vullkan,

Jam pikë vese,

Qerpikut të gjatë,

Do të vij me erën,

Po mos më prit,

Jam pranë teje,

Por ti s’e di.

Tashmë, pas këtij prezantimi të shkurtër të poetes ngë Starja e Kolonjës, mbesë e regjisorit të filmit “Kapedani”, Muharrem Fejzo, duket se ka shumë për të thënë. Nuk ka dyshim që në të ardhmen do ta gjejmë me botime të tjera edhe më të bukura.

Shkrimtarët, “gjeneralët” e veprave të tyre – Nga Adelina Balashi

 

(Mendime për kundraromanin e  Ton Zmalit “ Engjuj pa qiell ”)

 

Asnjëherë nuk kam besuar se “Lumturitë e mëdha” në “Barazinë e madhe” të komunizmit “Të madh” ishin ndonjëherë çelësat që zbërthyen e vunë në lëvizje bravat e rënda të shpirtrave të poetëve…Përkundrazi, i ngujuan njerëzit në skutat e errëta të ndërgjegjes,për të mos hyrë askush,pastaj në dhomëzat e fshehta plot dritë hyjnore të krijimit,dhe ashtu midis ëndrrës e zhgjëndrrës i sollën zvarrë deri në prag të fundshekullit. E aty u përpoqën t’ i ngujonin. Por kambanat kishin rënë më në fund…  Kështu u zgjua brezi ynë dhe përshëndeti  shekullin e ri.

Ton Zmali është pikërisht njëri nga përfaqësuesit tipik të këtij brezi të sakrifikuar,që i jetoi të gjitha deri në palcë… Prandaj dhe ka aq shumë për të na thënë. I përkushtuar me shpirt ndaj poezisë. Mbas suksesit me tre vëllimet e para poetike,Ton Zmali troket me siguri të plotë në dyert e prozës dhe sjell në duart e lexuesve ”Kundraromanin” e tij të titulluar “ENGJUJ  PA QIELL”.

I rrëmbyer nga dëshira e shembjes,e përmbysjes,e zhveshjes deri në lëkurë nga e kaluara e superlativave tragjike,ndjen nevojën logjike që të transmetojë këtë mllef të mbledhur grimca-grimca si helmi e ta shpalos para nesh me gjuhën e veçantë të simboleve dhe alegorisë. Paralajmërimi për atë ç’ka do të shfletojmë është i dukshëm qysh në momentin e kontaktit të parë me titullin e librit e kopertinën e përfaqësuar kjo me një nga pikturat e famshme të absurdit Dali. Pamja e një koke njerëzore e dhunuar me një lloj fantazie,që e kthen pikërisht në të kundertën e asaj çfarë është. Dhe vazhdon ky lloj simbolizmi gjatë gjitha faqeve të veprës,që në thelbin strukturor ,të paktën është kthyer dhe ai pikërisht në të kundertën  e tij,pra në Kundraroman. Autori ka përmbysur çdo rregull klasik të ndërtimit të tij. Për të nuk ka nevojë të ketë një hyrje paralajmëruese apo një prolog që të shfaqë më tej kultin e ngjarjeve të ardhshme.I mjaftojnë krijuesit disa simbole karakteristike që përbëjnë esencën vertebrale të veprës prej ashtit të të cilave degëzohen e marrin jetë intujtive e spontane të gjitha ngjarjet e zhvillimet e tjera, hyjnë e dalin personazhe,krijohen realitete e mite, rritet e shtërngohet ”hallka mjegullore” e asgjësimit njerëzor në të gjitha llojet e parametrave të përfaqësimit të saj, paralajmërohet fundi. Qysh në fragmentin e parë,autori na vë përballë me “Mjegullën”, pra, me dhunën tiranike, si me vetë mortajën, me botën e shpërfytyruar që jeton nën “Mjegull” me deformimin mjegullor të shqisave, të ndjenjave, të ëndrrave, të luleve, të gjetheve, të tokës e ajrit, të fushave e maleve, të lumenjve e liqeneve, të njerëzve e kafshëve, të gjithçkaje që ekziston e përceptohet nga një sy i gjallë. Me një mjeshtri të dukshme artistike e me një fantazi të skajshme e dilerante pothuaj, autori pikturon deri në membranë pamjet tronditëse të pushtimit “mjegullor” për të. Na sjell më vonë përpara një antitezë tragjike ku ky ”pushtim mjegullor” jo vetëm duhej prenuar si arritje dhe persosja më e madhe e ekzistimit të jetës mbi tokë, por edhe i duheshin thurur ditirambe, hymne, piedestale për ta bërë të papërmbytshëm. Pikërisht këtu qëndron edhe esenca ironike e gjitha ndodhive dhe rrëfenjave që përmbushin materialin e veprës.

– Gjithçka diabolike që himnizohet si të ishte parajsë dhe që vret në emër të të qenit “I lirë”…..

Dalëngadalë autori na shfaq simbole të tjera shoqëruese në sistemin sundues të “Mjegullës” si janë ”Tokësat kryekuq” krijues e mbrojtës të betuar të saj, heroin e gjithëpushtetshëm “Buallin e madh” që dinte aq mirë ta mprehte “shpatën”, së bashku me “Buallicën” e helmet, që dinte aq mirë kërcënimet t’ i kthente në buzëqeshje të shprtërimit.”Engjujt pa qiell” që binin nën shpatën e Buallit si pulat kokëprera nëpër kasaphanet e përgjakura  pa prenuar t’i faleshin e përkuleshin botës mjegullore e tokësave të saj.

Të gjitha këto simbole-personazhe lëvizin e shpalosin veprimet e tyre me një nënkuptim tejet të dukshëm, i cili do të jepte mundësinë lexuesit më të thjeshtë të përjetonte me saktësi të plotë ngjarjet reale të anës më  të errët të jetës së popullit shqiptar në 50-vjetët e kaluara dhe jo vetëm, masakrimin e fshehur psikik e fizik të mijëra e mijëra njerëzve në botën e mbyllur komuniste. Portretet e martirizuara të shumë figurave të cilat hyjnë e dalin duke shumëfishuar planet e këtyre simboleve, për mendimin tim përbëjnë dhe brilantet e veprës, ose si të them ma mirë, janë pikërisht ato që përmbushin pasazhin e duhur informativ e cilësor të saj. Pa qënë nevoja në sjelljen e hollësive dhe detajeve të veprës, të cilën e quaj një privilegj të detyruar të lexuesve, do të doja të kujtoja me radhë figura si atë të Padër Gjergjit me gjuhën e prerë e pastaj te shkulur nga rrënjët e të varur në derën e kishës, Mullixhiun mendjeartë, Maliqin që e mbyti i vëllai vetëm sepse e kishte mendjen të artë, oazin erotik të Lekës se Lekut me Zojën e Stanit, Jak Belanë me dhimbjen e padhembur të djalit që i vdiç për “Buallin”, jetën e mallkuar të plakës Kune apo Ajkunës së pagëzuar dhe vetvdekjen e saj sublime, ankthin pezull të Arifit me Nusn e shitur, Colin e mjeruar të pushkatuar nga binjaku i tij i dekuruar, gjaku që mbillej  në Malin me Gropa etj- etj…Të gjithë këto personazhe që përmenda hyjnë e dalin brenda ngjarjeve në momendte të caktuara dhe largohen nga vëmendja e autorit pikërisht atëherë kur kanë sjellë të plotë mesazhin e zgjedhur prej tij. Autorin nuk e interesojnë aspak përmasat e zhvillimit të tyre artistik do të thoja. Nuk i intereson të bëjë një prerje vertikale të botës së tyre shpirtërore apo psikologjike, nuk ndjen detyrimin të përgjigjet deri në fund për fatin e tyre. Ata thjesht përdoren prej tij per të zberthyer simbolet bazë rreth të cilave nderton veprën me dy detyra të përcaktuara mjaft mirë, e para, të sjellin mesazhe për ngjarjet e pajetuara nga të gjithë, të mbytura  nga trashësia e “Mjegullës” së patretshme. Dhe e dyta, për të rikujtuar e për të hequr iluzionet mbijetuese të maskave “Mjegullore sheqerosëse” nga të gjitha ato ngjarje që jetuam e mbijetohen në forma të ndryshme në masën gjithëkohore. Po të mundoheshim të hidhnim një dritë sintetizuese kronologjike mbi gjithë materialin e prurë nga autori, do vinim re se ideja që vjen gjithmonë duke u forcuar e duke marrë një kreshendo maksimale tronditëse është pikërisht ajo e shkatërrimit të moralit njerëzor logjik, është asgjesimi i plotë i ndërgjegjes njerëzore dhe zëvendësimit të saj me instiktin e mbijetesës, është shndërrimi vrasës nga “Njeri” në “Qenje”, domethanë në “Gjallesë”. Vetë historia reale e popullit shqiptar gjatë fundshekullit që kaloi dhe më tutje ushqen brenda vetës fundin e paralajmëruar të “Lirisë që vret…” fundet e dhunave e tiranive skllavëruese. Pikërisht kjo besoj është ideja që përpiqet të na ndriçojë autori duke përfshirë edhe ndërgjegjësimin e lexuesit për t’u bërë vetë zot i fateve të veta, zot i kundërmjegullave.

Një tjetër drejtim në të cilin është tejet i dukshëm kujdesi e pasioni i autorit, është dhe puna që bën ai me gjuhën, mënyra sesi i veshën figurat e shumta që lëvizin brënda trajektores së tyre në vepër, penelatat tronditëse me të cilat i jep jetë natyrës duke e futur edhe atë në vallen e dhimbshme të shpirtrave, kostumet alegorike pa fund që u vesh natës e ditës, diellit të padukur kund e hënës fantazmë. I mbështetur përgjithësisht mbi simbolizmin e alegorinë dhe i ndihmuar dukshëm nga tonet ironike, natyraliste e hiperbola, autori shmang me mjeshtëri monotoninë e frazës apo shterpësinë e përsëritjen e saj. Sigurisht pa kaluar në anën tjetër të kundërt dhe pa e randuar me një “lluks” të panevojshëm. Autori nuk përpiqet të bëjë të dukshme pasazhe të tëra përshkruese, pasazhe krahasuese, pasazhe psikoanalitike e retorike, hiperbola të organizuara në fragmente etj…etj. Sepse gjithçka e përqendron tek fjala të cilën ai e konsideron si një tablo të kompletuar ku mund të luhet me të gjitha ngjyrat.

Ajo kundër të cilës mendoj se autori bën një luftë të hapur është pikërisht fjalia e drejtë, pra fjalia klasikisht e njohur, kryefjala, kallëzuesi, kundrina dhe kaq. Vetëm kur i duhet të karakterizojë figurat ma negative në vepër, gjuha e autorit ngurtësohet çuditërisht, zhvishet nga perlat sikur të dojë t’i dënojë të paktën me atë që ka ai në dorë e të mos u falë asgjë. Duke mos harruar për asnjë moment se fjalia artistike është indi themelor i vetë të qenit prozë artistike, autori e respekton atë me të gjitha aftësitë e talentit të tij. Megjithatë besoj se ky konkluzion nuk i jep imunitetin e plotë veprës, për të mos u redaktuar akoma më tej. Përgjithësisht, jam e mendimit se Shkrimtarët janë gjeneralët e padiskutueshëm  të veprave të tyre.

Adelina Balashi     ALBANIA press

Sot përurohet në Vlorë libri i Akademikes së mirënjohur Vilheme Vranari Haxhiraj “Elitat e mohuara…, krenari kombëtare”

Sot më dt.10.08.2019 përurohët në Vlorë libri i Akademikës tonë të mirënjohur Vilheme Vranari….”Elitat e mohuara…,krenari kombëtare”….

Fotografia e Flori Bruqi

Nga Fatmir Minguli 

(Shёnime kritike pёr librin “Elitat e Mohuara.., Krenari Kombёtare” tё (Mjeshtres sё Madhe & Akademike ,Vilhelme Vranari Haxhiraj)


“Historia ёshtё njё mёsuese e pamёshirshme.

Ajo nuk ka tё tashme, ka vetёm tё shkuar qё rend drejt sё ardhmes. Po tё pёrpiqesh ta frenosh,ajo tё hedh tutje!

John F. Kennedy


“Ndonjeri mund tё jetё heroik nga koha nё kohё,por xhentёlmen ёshtё njё gjё qё ju duhet ta keni gjithё kohёs!”

Luigi Pirandelo

Fotografia e Flori Bruqi


Para se tё filloja tё hidhja shёnimet e mia pёr librin “Elitat e mohuara…,Krenari Kombёtare” tё autores Vilhelme Vranari Haxhiraj, zonjё e madhe e letёrsisё shqiptare, mё erdhёn nё mendje fjalёt e mençura tё Soren Kiergegardqё shprehin pak a shumё dhe arsyen e madhe tё ndёrtimit tё librit tё Vilhelme Vranari Haxhiraj: “ Sa absurd janё njerёzit! Kurrё nuk i pёrdorin liritё qё kanё, por i kёrkojnё ato qё nuk i kanё. Ata kanё lirinё e mendimit dhe kёrkojnё lirinё e fjalёs.”

Sa e thellё, aq dhe tё ve nё mendime kjo sentencё e ekzistencilaistit tё madh norvegjez!

Vilhelme Vranari Haxhiraj, kjo mendimtare e lirё, qё nё kohёt e monizmit, iu ndalua fjala, por nuk iu ndalua mendimi, ka ardhur sot para botёs shqiptare dhe botёs sё huaj si njё studjuese e shpirtit njerёzor ku raporti midis shpirtit dhe mendjes ёshtё nё unison tё pёrsosur. Si rezultat i kёtij raporti tё stabilizuar, ajo sot ёshtё autore e dhjetra librave qё janё vlerёsuar nga bota e kritikёs letrare dhe shkencore brenda dhe jashtё Shqipёrisё. Konkretisht, nё 22 vjet ajo ka shkruar 47 libra nё gjini tё ndryshme, letёrsi pёr fёmijё, studime dhe publicistikё, prozё tё shkurtёr, romane, tregime, poezi, pёrralla, fabula, gjё e gjёza, etj

Por le tёkthehem te libri i saj mёi ri “Elitat e Mohuara…, Krenari Kombёtare”. Tёshkruash pёr kёtёlibёr nuk ёshtёe lehtё. Edhe pse kam shkruar mёparёpёr libra tёkёsaj autoreje tёshquar shqiptare, por pёr kёtёlibёr voluminoz e kam tepёr tёvёshtirё, tёshkruaj.


Related image

Akademik Vilheme Vranari Haxhiraj

A do tёmund tёreflektoj rrezatimin kultural dhe enciklopedik qёky libёr emeton nёeterin e mendimit intelektual shqiptar!? Eshtёme tёvёrtetёvёshtirё, shumёe vёshtirё!

Por duke e njohur mirёaktivitetin letrar dhe shkencor tёVilhelmes, duke i pranuar me shpirt titujt qёasaj i janёrakorduar si Mjeshtre e Madhe dhe si Akademike, mora guximin pёr ta lёçitur dhe pёr ta zbёrthyer kёtёvolum prej 470 faqesh, ku secila faqe ёshtёe ngarkuar sikur tёishte njёlibёr mёvete. Dhe pёrsёri mendja mё shkon te monografitё qё botohen pothuaj çdo ditё pёr njerёz me vlera por dhe pa vlera, pёr libra katalogjik plot me figura qё nuk i kanё shёrbyer kombit.

Por ja si shkruan Vilhelme Vranari Haxhiraj pёr figurat e shquara qё i shёrbyen kombit e qё nuk janё vlerёsuar: “Janё vlerёsuar shumё personalitete kombёtare, por disa syresh nuk u ka bёrё nder kombi, por janё ata qё kanё nderuar kombin.”

Por vlerat e figurave janё dhe vlera pёrfaqёsuese tё kombit tё tyre.

Para pak kohёsh, nёParis u dogj Katedralja e famshme e Parisit. U dhimbi nёshpirt, njerёzve francezёdhe jo francezёpёr kёtёmonument kulture botёrore, por mёshumё, kёtyre njerёzve u shkonte mendja mёshumё, te i madhi Viktor Hygo, i cili shkroi romanin “Katedralja e Parisit”. Ai pёrfaqёson kombin tёcilit i shёrbeu por dhe kombi ia shpёrbleu.

Por ç’ndodh nёShqipёri?

Vlerёsohen deputetёt dhe kryetarёt e bashkive, kurse figurat e vёrteta tёjetёs kulturale, artistike dhe shkencore, nёShqipёri harrohen…por vlerёsohen jashtёkufinjve shqiptarё. Vilhelme Vranari Haxhiraj, ka trajtuar me sinqeritetin e gruas intelektuale, me mençurinёe shkrimtares sёshquar, me zotёsinёe zonjёs sёmadhe shqiptare, trashёgimtare e njёfisi shekullor, disa figura shqiptarёsh dhe shqiptaresh tёnjohura e tёpanjohura.



Dhe ky libёr qёne kemi nёduar ka vlerёn e njёmonumenti, ndonёse ёshtёprej letre. A nuk ndodhi kёshtu edhe me librin e Viktor Hygo-it, qёnuk ёshtёmonument prej guri apo bronxi, por mbetet monument nёjetёtёjetёve? Eshte vlera qёdikton historia e shkuar e qёnuk mund tёfshihet. Ёshtёpikёrisht kjo tendenca qёe pёrçon shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj, tёstrukturojёtre kapituj kuptimplotёku reflekton atё, qёata heronj emetuan me veprёn e tyre e qёforcat e errta ndaluan pёrhapjen e rrezeve ndriçuese tёveprёs monumentale që ata lanë. Nëse ata korifej do të pranoheshin dhe do të njihej puna e tyre krijuese, jo vetëm do të ndihmonte në mbarëvajtjen e kombit, por ia rriste dinjitetin dhe ia ngrinte më lartë emrin Shqipërisë.

Njёshprehje e asaj qёka ndodhur shpesh nёregjimet e soc-realizmit, njёshprehje sa komike aq dhe tragjike ёshtёdhe kjo, qёthotёse “ kur nga skena ikin heronjtё, atje ngjiten kllounёt.”

Nga analiza qёi bёj kёtij libri enciklopedikshoh se figura tёtilla qёsot nuk jetojnёmёsi Ali Mihali, Dervish Aliu, Elena Lukrecia Peshkёpia, Fatos Merorrapaj, Janica Martina, Isuf Luzaj, Lejla Dino, Maro Konda, Nebil Çika, Nexhat Mersini, Osmёn Haxhiu, Rugjina Balsha etj,unёpёr vete nuk i kam paradёgjuar dhe shpreh mirnjohjen e thellёndaj autores pёr kёtёrisjellje tёhistorisё, nёfakt njёrisjellje tёsёvёrtetёs, një të vërtetë të pamohueshme.

Edgar Morin, ky filozof i shquar francez shkruan: “Ne duhet tёkthehemi te burimi i laicitetit, ai i shpirtit tёRilindjes, qёёshtёproblematizimi dhe duhet ta problematizojmёedhe atёqёishte zgjidhje, domethёnёarsyen dhe progresin.”

Prandaj autorja me shumёsqimёduke hedhur aty plotёsisht tёdhёnat pёr çdo figurёqёajo trajton. Unёdo tёpёrcaktoja kёtёintersektim tёtre kapitujeve si njёthurje intersekton tri pjesёtёkёtij libri qёajo i ndan nёtre kapituj tёpashmangshëm të njёpreludi tёmohimit tёvlerave duke pёrmendur figurat mёtёshquara tёkombit, qёe kanёpёrfaqёsuar denjёsisht emrin e tyre nёaltarin e kulturёs dhe historisёshqiptare, me figurat e shquara shqiptare qёjetojnёakoma, sot e kёsaj dite dhe qёrrezatojnёshqiptarizmin intelektual modern nёçdo skaj tёbotёs.

Por nёvёzhgimin tim, nёse pjesa e parёe librit ёshtёnjёuverturёe njёopere madhёshtore me subjekt shqiptar tёkulturёs dhe shkencёs dhe heriozmit shqiptar, kapitulli i dytёёshtё vetёopera dhe pjesa e tretё, pra kapitulli i tretё, ёshtёjehona e fuqishme qёkjo opera e cila sёbashku me uverturёn ushton me 90 instrumentat, figura tёshquara qёdirigjentja Vilhelme Vranari Haxhiraj i drejton me njёpasion dhe entuziasёm tёveçantё.

Tё gjithё figurat e spikatura tё trajtuara nё kёtё enciklopedi janё nga mё tё ndritshmet. Janё me tё vёrtetё 90 figura por ka akoma mё shumё nё historinё e vёrtetё shqiptare dhe jo nё atё tё cunguarёn nga persona politikё analfabetё e pakurrёfarё vlere nё kulturёn e kombit.

Eshtё mёse e natyrshme logjika e autores Vranari Haxhiraj tek shkruan nё kёtё libёr:

“ Nё kёtё libёr kujtesa dhe nderimi pёr vlerat kombёtare, iu kёrkoj ndjesё personave elitarё qё mund tё jenё lёnё nё harresё tё paqёllimshme! Gjithsesi edhe ata qё mungojnё, janё nё piedestalin e vlerave tё kombit sepse e meritojnё…Ndaj si autore, mё lind e drejta tё pyes:“Sa duhej tё krenohej Shqipёria vallё kur bota e kulturuar mburret me elitat e saj.”

Mendoj se ky ёshtё dhe motivi i shkrimtares sonё tё shquar, kёsaj zonje tё Rёndё tё Botёs së Letrave dhe të Kulturës Shqiptare tek na sjell para tavolinёs dhe para mendjes sonё librin e saj monumental “ Elitat e Mohuara…, Krenaria e Kombit”.

Eshtё e pamundur qё nё njё shkrim analitik tё pёrmend tё gjithё emrat e analizuar nё kёtё libёr monumental tё artё. Por ёshtё e mundur qё tё nxjerr nё relief disa nga mjeshtёritё, artificat qё autorja pёrdor pёr tё dalluar sa mё mirё, sa mё kuptueshёm vlerat e atyre figurave tё shquara shqiptare tё mohuara por jo tё harruara.

Ja si shprehet vetё autorja nё librin e saj: “Duke filluar nga perandorё, papё, kryeministra, general, ushtarakё, diplomat, arkitektё, mjekё, artistё tё skenёs, tё penelit, apo tё daltёs, shkrimtarё, filozofё, gjuhtarё, kanё qenё bijë tё kёsaj toke, personalitete shqiptare tё cilёt kanё gjetur veten jashtё kufijve tё atdheut, ku kanё shpalosur dhuntitё dhe vlerat e tyre.”

Kёshtu qё kjo autore nuk ka rёnё pré e shqiptarofilisё, kur shumё autorё kanё shkruar monografi apo “enciklopedi” duke bёrё me origjinё shqiptare figura qё nuk kanё asnjё lidhje me Shqipёrinё dhe shqiptarёt.

Vilhelme Vranari Haxhiraj, me saktёsinё e materialeve tё studjuara, me saktёsinё bibliografike, shkencёrisht na jep me vёrtetёsi çdo portret qё ajo ka pёrzgjedhur nё kёtё vёllim.

Sasia e madhe dhe e çuditshme e tё dhёnave tё çon nё mendimin se ky libёr mund tё bёhej vetёm nga njё institut qё merret me kёto punё…por jo! Ky libёr ёshtё shkruar vetёm nga njё grua, Zonjё e Rёndё jo vetёm nё botёn e letёrsisё shqiptare.

Pёr njё libёr tё tillё patjetёr qё ajo i ёshtё referuar literaturёs dhe internetit, por sa bukur e ka thurur ajo, tekstin pёr çdo autor, saqё mendimi tё shkon se informacionet e marra nga jashtё, asaj thjeshtё i shёrbejnё pёr njё lloj sigurie. Ajo ёshtё mё shumё se origjinale. Si shembull po sjell figurёn e inxhiner Karl Gega, pёr tё cilin pretendoja se dija shumё gjёra, por u gabova. E njëjta gjё mund tё thuhet edhe pёr shkrimtarin shqiptar, mbledhёsin e shquar tё folklorit shqiptar, Fatos Mero Rrapaj, pёr tё cilin miku im Aqif Dino, pinjoll i dinastisё sё Dinejve tё Çamёrisё ka shkruar njё tregim –ese tё mrekullueshme.

Por duke ardhur te i Madhi Gjergj Fishta, pёr tё cilin Vilhelme Vranari Haxhiraj ka derdhur gërma tё arta, mund tё themi se ky shkrimtar ёshtё akoma i mohuar apo “i harruar”. Shtёpia e tij nё Fishtё ёshtё drejt rrёnimit dhe pushteti nuk interesohet pёr njё riparim sado tё thjeshtё, kur pёr ndonjё tjetёr shkrimtar rindёrton jo njё, por dy shtёpi…

Duke diskutuar pёr Gjergj Fishtёn, duke medituar mbi çka Vilhelmja nxjerr nё dritё, mendja tё shkon te disa klerikё shqiptarё tё famshёm por tё mohuar ose tё harruar. Vetё autorja ka pёrmendur emrat e klerikёve Visarion Xhuvanidhe Kristofor Kisi, por çfarё nuk gjen nё literaturёn qё At Foti Cici ka publikuar, jo vetёm pёr kёta dy klerikё atdhetarё por edhe pёr Irene Banushi, po aq atdhetar dhe i ditur.

Por nuk do tё harroj tё pёrmend dhe klerikun tjetёr, myftiun Refik Ajazi, i cili nё njё farё mёnyre u mohua por shkrimatri dhe piktori Qemal Vrioni nё Durrёse risolli nё jetё me librin monografik pёr tё dhe qё inteligjenca durrsake e promovoi pak ditё mё parё.

Ja pra sa horizont na hap libri i zonjёs Vilhelme, jo vetёm pёr klerikёt e shquar tё besimeve tё ndryshme, por edhe pёr figura tё tё tjera, tё cilat ajo i ka trajtuar me besnikёrinё puritane, njё nga karakteristikat mё fine tё kёsaj autoreje.

Ajo me dhimbje shkruan nё kёtё libёr: “ Eshtё pёr tё ardhur keq se, sa e sa figura, emblema tё kombit, janё lёnё nё harresё tё qёllimshme jo vetёm pёr arsye klasore, politike, ideshё por edhe besimi fetar…”

Jo nё sensin e kritikёs, por thjeshtё duke iu pёrshtatur shprehjes sё sipёrme tё autores, do tё shtoja edhe figurёn e Spiro Konda, i cili botoi librin e famshёm “Shqiptarёt dhe problemi pellazgjik” qё nё vitin 1961, por qё u zhduk nga qarkullimi!?

Njё meritё tё madhe ka autorja kur trajton gjёrё e gjatё portretin intelektual tё Arshi Pipёs, tё mohuarin e madh, dhe shumё saktё e thotё se ai “nё fushёn e kritikёs e rreshtoi veten ndёr studiuesit botёror.” Arshi Pipa qё herёt ёshtё marrё me studime tё mirёfillta tё kritikёs, por do doja tё veçoja librin e tij “Pёr Migjenin”. Eshtё njё nga librat e rallё, i ndёrtuar mbi tre ese, ndёr tё parёt qё flet në rreth 100 faqe mbi Migjenin dhe artin e tij. Arshi Pipёs, sipas tё dhёnave qё na sjell Vilheme Vranari Haxhiraj i takon tё bёhen volume tё tёra mbi veprimtarinё e tij tё larmishme.

Nё kёtё libёr, qё ёshtё njё oqean i thellё me ujё tё kthjellёt, zhytesh e nuk del dot, tё pёlqen tё pluskosh e tё shijosh aromёn e kulturёs sonё shqiptare, natyrisht tё ndikuar nga mjeshtёria e pёrgatitjes sё kёtij libri- oqean!

Pёr kёtё libёr mund tё shkruash shumё dhe vazhdimisht. 

Ai padyshim qё po le gjurmё te intelektualёt e vёrtetё sepse dirigjentja nuk harron tё pёrmendё edhe shquarit e sotёm tё intelektualitetit shqiptar tё cilёt dёshiroj t’i pёrmend tё gjithё dhe qё janё Agim Krajka, Baki Ymeri, Eshref Ymeri, Fatmir Terziu, Flori Bruqi, Italo Costante Fortino, Joseph Dio Guardi, Laura Mersini, Mehdi Hyseni, Rudolf Stambolla, Skёnder Kamberi, Skёnder Kodra dhe Spiro Qirko.

Ështё kjo autore qё merr guximin e paparё pёr t’i sjellё nё kёtё libёr veprimatritё e tyre, veprimtari qё i shёrbejnё veç tё mirёs sё Shqipёrisё dhe shqiptarёve, nё kundёrshtim me veprimtaritё e politikanёve. 

Kam fatin qё t’i njoh nga afёr shumё prej tyre dhe tё kem bashkёpunim si me Fatmir Terziun, Baki Ymerinne komunikim me tё nderuarin Eshref Ymeri.

Dua t’i shpreh mirёnjohjen e pafund zonjёs sё Madhe Vilhelme Vranari Haxhiraj pёr kёnaqёsinё e madhe qё mё dha duke mё dhuruar kёtё libёr tё shenjtё, dua gjithashtu tё pёrshёndes zotin Fitim Haxhiraj,bashkёshortin e autores, por dhe menaxherin e madh, puna e tё cilit barazohet me punёn qё do ta bёnin me dhjetra njerёz tё tjerё por jo me cilёsitё e Fitimit.

Sinqerisht, kёto nuk janё lavdёrime tё radhёs, por janё shprehje e njё mendimi tё njё shqiptari qё e do atdheun e vet, qё mёrzitet nga padrejtёsitё qё i bёhen figurave tё ndershme qё jetuan dhe punuan pa kurrёfarё pёrkrahje, thjeshtё se e donin Shqipёrin.

Po Vihelme Vranari Haxhiraj, a nuk ёshtё njё nga kёto figura, qё aty nё Vlorё, larg sallave mondane tё Tiranёs, shkruan e shkruan… pёr Shqipёrinё dhe shqiptarёt?

Ajo vuajti gjatё kohёs sё monizmit e nuk u botua asgjё nga veprat e saj por nё ato qё u botuan mё vonё, nё demokraci, vlen tё pёrmendet fakti qё ajo e ka vuajtur apo siç e thonё vetё latinёt” Leniter, ex merito quid, quid patiare ferendum est quae venit indigno poene, dolente venit!” – “ E duron lehtё dёnimin ai qё ёshtё i dёnuar me tё drejtё, por ёshtё rёndё ai qё ёshtё dёnuar pa tё drejtё!”

*****

Lexoni  shkrimin :

Shkrimtarja e njohur shqiptare nga Vlora, znj. Vilhelme Vranari Haxhiraj Anëtare e re e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane me seli në New York

https://www.voal.ch/shkrimtarja-e-njohur-shqiptare-nga-vlora-znj-vilhelme-vranari-haxhiraj-anetare-e-re-e-akademise-se-shkencave-dhe-e-arteve-shqiptaro-amerikane-seli-ne-new-york/

“DUE VOLTE STRANIERI” – roman nga Ismete Selmanaj Leba – Nga TEUTA DHIMA

“Due volte stranieri” titullohet romani më i ri i autores Ismete Selmanaj Leba. Lexuesit e këtij libri do të ndahen padashur  në dy grupe: ata që kanë emigruar në Itali në periudhën kohore në të cilën zhvillohen ngjarjet dhe, ata lexues që kanë jetuar në vendin e tyre gjatë ndryshimeve dhe transformimeve rrënjësore në jetën e shqiptarëve.

Grupi i parë i këtyre lexuesve do të jetë patjetër i ndjeshëm ndaj ngjarjeve të rrëfyera. Ngjarje ku autori dhe narratori kanë të njëjtat “petka”. Grupi i dytë, që këto eksperienca nuk i ka jetuar, por dëgjuar nga të tjerët, do të bëhet edhe më i ndjeshëm se i pari, pasi vërtetësia me të cilën janë rrëfyer ngjarjet do t’i futë lexuesit në një labirint tërheqës.

Romani ka karakter autobiografik dhe autorja, ka rrëfyer jetën e saj si edhe atë të mikeshës së rinisë. Por disa histori dhe përvoja të miqve, të njohurve dhe bashkëkombësve të autores, i bëhen kontur këtij rrëfimi. Që në fillim të romanit, autorja pranon se për shumë kohë e ka shtyrë nxjerrjen në dritë të tij për arsye që lidhen drejtëpërsëdrejti me vështirësinë që ka autorja të flasë për veten e saj. E vështirë në fakt… Duhet para së gjithash forcë e kurajo, largpamësi, paanjëanësi në gjykim të shkruash për jetën tënde, sidomos kur ke jetuar në  një periudhë kohore përgjatë të cilës, janë shënuar ndryshime rrënjësore, transformime në jetën e një populli dhe këto, jo vetëm në sistemin e qeverisjes, por edhe në botëkuptimin dhe këndvështrimin për jetën.

Romani ngërthen një periudhë kohore delikate. Jetën në Shqipëri në vitet 90- të e këtej. Krizën në jetën e shqiptarëve, mënyrën e tyre të jetesës, paragjykimet, mendësitë. Largimi i madh i shqiptarëve në vitin 1991 drejt vendit fqinjë, ose Eksodi siç e quajmë ndryshe, me të vërtëtë që i liroi shqiptarët nga vargonjtë ë varfërisë, mungesës së demokracisë, por nga ana tjetër, i vuri ata ashtu, të papërgatitur për jetën, para një mijë andrrallash në tokën ku kishin zbritur. Në qendër të romanit është miqësia e dy shoqeve Mirelës dhe Dorinës, dy vajzave që frekuentonin të njëjtën shkollë. Miqësia e tyre do të kalojë sprova nga më të ndryshmet dhe vajzat do të marrin udhë të ndryshme në jetën e tyre. Dorina si e deklasuar, me prindërit e arrestuar, martohet me Mondin, vëllanë e pesë motrave të cilat jetonin me të vëllanë në një shtëpi. Eksodi, ikja e shqiptarëve në Itali, e la Dorinën vetëm me një djalë dhe shtatzanë me fëmijën e dytë. Në rastin më të parë gjatë një tjetër ikjeje të shqiptarëve, e ndihmuar nga një polic italian, Dorina i shpëton turmës së stadiumit që ishte e destinuar të kthehej në Shqipëri dhe niset në kërkim të Mondit, babait të fëmijëve të saj. Një jetë plot peripeci filloi për Dorinën.

Nga ana tjetër Mirela, mësuese në profesion, dashurohet me Fatmirin dhe një sërë të papriturash e detyrojnë atë të niset për në Itali, bashkë me bashkëshortin, përkundrejt një vize me afat kohor të limituar. Deri këtu, rrëfimi ndjek një udhë të drejtë, pa kthime dhe retrospektivë. Mirela, edhe ajo pa një mbështetje në vendin ku ka shkuar, vendos të kërkojë mikeshën e saj Dorinën, e cila nuk jetonte me burrin e saj, por në një shtëpi brenda kishës, ku e harruar tashmë nga i shoqi i cili nuk dihet ç’drejtim kishte marrë, është e pambrojtur, e brishtë, me dy fëmijë të vegjël, pa të ardhura ekonomike dhe si e tillë, ajo bëhet një pre e lehtë dhe objekt abuzimi. Si për ironi, abuzuesi  saj është vetë prifti i cili në shtrat, i harron predikimet e meshave të së dielës.

Mirela me Dorinën jetojnë tashmë pranë njëra-tjetrës, por jeta e tyre ka drejtime të ndryshme: Mirela bashkë me bashkëshortin vihen përpara përgjegjësive të reja, marrin shtëpinë e tyre, kanë qiranë për të paguar dhe një sërë shpenzimesh, të cilat ia kërkon jeta në shtetin italian ku ata nuk kanë as leje qëndrimi. Me të vërtetë që lodhen e ropaten, por kanë një jetë dinjitoze dhe nuk presin nga askush. Herë pas here, kur  shoqet i tregojnë njëra- tjetrës ç’ka ndodhur, rrëfimi thyehet me retrospektivë. Ngjarje që kanë ndodhur para se të vinin në Itali , ose në muajt e parë të ardhjes, kthehen dhe mbushin bisedat e tyre.

Romani, nëpërmjet përvojave të Mirelës dhe Dorinës, nxjerr në pah një sërë problemesh sociale me të cilat përballet shoqëria e atyre viteve. Shqiptarët e emigruar në Itali, nuk patën përgatitjen e duhur për  t’iu përgjigjur standardeve jetësore në shtetin italian. Mes tyre pati njerëz të nivele të ndyshme: intelektualë e të shkolluar si rasti i Mirelës dhe Fatmirit, Dorinës që vuajti plagën e të qenurit fëmija e armikut të popullit, apo njerëz të cilët, që në tokën amë nuk kishin ndonjë lloj niveli dhe ngritje si profesionale dhe kulturore.

Secili prej këtyre grupeve shoqërore iu përgjigj ashtu siç mundi përshtatjes në vendin që i priti, por përpos kësaj, ata indentifikoheshin me një emër: albanesi. Shqiptarët nga mosdija, mundet deri diku të justifikohen për një sërë qëndrimesh jo të kënaqshme, por ata kanë vuajtur mbi supet e tyre, racizmin, burokracitë ligjore dhe këto, nga njerëz që jetonin në shtetin e tyre dhe paguheshin për detyrën që kryenin.

Po rendis këtu disa nga eksperiencat dhe personazhet që më kanë lenë mbresa gjatë leximit dhe  mendoj, nuk janë vetëm eksperiencat e Mirelës dhe Dorinës, por të mijëra shqiptarëve që zbarkuan në brigjet italiane në kërkim të realizimit të një ëndrre, atë të një jete më të mirë:

  • Takimi me Marinë, të zonjën e shtëpisë me të cilën ndante pagesën e faturave të ujit dhe të dritave. Edhe pse shtëpia e saj ishte më e madhe se ajo e Mirelës dhe Fatmirit, shifra ndahej në dysh.
  • Nevoja e Mirelës për t’u shtruar në spital për të sjellë në jetë fëmijën e saj. Çifti nuk kishte leje qëndrimi në shtetin italian, ndaj ndihma që iu dha doktori ishte me mjaft rëndësi.
  • Takimi me Marinelën, zonjën plakë që i mbylli sytë në prani të Mirelës, e cila i shërbeu deri momentin e fundit dhe Elvirën, të bijën mosmirënjohëse, që i dhimbseshin lekët për të plotësuar edhe nevojat më primare të nënës së saj.
  • Momentet kur Luçia e Katerina komentonin lajmet për shqiptarët, ndërsa Mirela ishte aty para tyre, e djersitur duke iu hekurosur fustanet e setës: –  “Mamma mia, questi albanesi! Come sono cativi! Ladri, spacciatori, le donne prostitute.” Kështu paragjykoheshin shqiptarët edhe pse, prostitucioni, vjedhja dhe shpërndarja e drogës ishin plagë me të cilat shoqëria italiane kishte kohë që ishte përballur.
  • Takimi me Znj. Roza, fëmijët e të cilës, jo vetëm nuk ditën ta mbajnë e ta shtojnë pasurinë që iu la i ati, por ziheshin për ndarjen e saj çdo ditë. Suzanën vajzën e Rozës që bën veprimin më të ulët, atë të përvetësimit të parave që ati ia kishte lënë Laurës, vajzës tjetër, të cilën e kishte nga një marrëdhënie jashtëmartesore. Për vjedhjen e tyre akuzohet Mirela, sepse është albanese dhe e vetmja që ka hyrë në shtëpinë e tyre. Pas një pune të lodhshme në këtë familje, Mirela pushohet nga puna dhe kjo, komunikohet nëpërmjet telefonit.
  • Momenti kur do të çonte vajzën në çerdhe. Reagimi i nënave të fëmijëve të tjerë me një peticion për mos pranimin e Ambrës në çerdhe së bashku me fëmijët e tyre. E kujton Mirela këtë histori dhe mbushet me mllef për vogëlsinë e shpirtit, por mbi të gjitha të mendjes së këtyre njerëzve. Por, ajo nuk harron ndihmën që i dha Kryebashkiaku: Amber do të frekuentonte një çerdhe private.
  • Ardhja e asistentes sociale  bazuar në një telefonatë e fqinjëve të Mirelës. Sipas kësaj telefonate, në familjen Mema, me origjinë shqiptare, fëmija ishtë objekt keqtrajtimesh. Për një familje si ajo e Mirelës dhe Fatmirit ku vajza shikohej si drita e syve, kjo ishte tepër e rëndë.
  • Momenti kur drejtuesja e shkollës, kërkoi që Amber, e lindur dhe rritur në itali, folëse dhe njohëse e përsosur e gjuhës italiane, të bëhej pjesë e një klase me fëmijë ekstrakomunitarë të sapoardhur në Itali.
  • Mospublikimi në gazetë i esesë “Il dubbio”, cilësur si një nga shkrimet më të mira shkruar kjo nga Amber. Por jo vetëm kaq.  Në takimin që pati Fatmiri me drejtuesen e shkollës, iu tha: – “Sua figlia, o è un genio, o è stata abusata”. Dhe duke qenë se Amber ishte një albanese, aludohej më shumë në mundësinë e dytë. Asnjëherë drejtuesja e shkollës nuk iu përgjigj kërkesës së Mirelës për ta takuar. Çdo herë kishte gati një justifikim. I vetmi emër që mund të kishte kjo sjellje ishtë: mungesë profesionalizmi dhe integriteti.

 

Autorja  Ismete Selmanaj Leba, e ka tipike të stilit të saj “të vënit e pikave mbi i siç thuhet ndryshe. Ajo është tepër e ndjeshme ndaj problemeve shoqërore, reagon me një lloj force bazuar në dashurinë për të vërtëtën, për vlerat. Nuk bën kompromise  kur bëhet fjalë për të drejtën, për të vërtetën.

Një e veçantë në rrëfimin e këtij romani është prania e  zërit të gjyshes. Pas çdo ekperience, situate të vështirë, apo përballjeje me realitetin e trishtë të të qenit të huaj, Mirela dëgjon zërin

e gjyshes së saj. Si një mentore e mirë ajo e “shoqëron” përgjatë ditëve të saja. Në të shumtën e rasteve, fjalët e gjyshes janë fjalë të urta të popullit, shprehje frazeologjike. Ato shënohen me shkrim italik dhe shquhen qartë. Po sjell këtu disa prej tyre:

  • Kështu ndodh kur flet gjuha para mendjes.
  • Kush flet shumë jo gjithmonë i bën ato që thotë.
  • Mund të jesh e varfër, por e pasur në shpirt.
  • Mos jep peshë thashethemeve, por mendo me kokën tënde. etj etj.

Titulli i romanit “Due volte stranieri” është një shprehje që jo pak herë e kam dëgjuar nga shqiptarë që jetojnë në Itali. Një pohim paksa i rëndë, por i vërtetë. Shqiptarët e emigruar në Itali, pavarësisht bashkëjetesës së mirë dhe ndihmës së  shumë familjeve italiane, të cilat me humanizmin e tyre kanë qenë një pikë e fortë mbështetëse, kanë qenë të huaj në atë vend. Ngjarjet që rendit me aq vërtetësi dhe guxim Ismete Selmanaj Leba, e dëshmojnë dhe e mbështesin edhe më tepër këtë pohim. Po këta shqiptarë, edhe një herë tjetër, janë të huaj në vendin e tyre pasi, kanë lënë tashmë shtëpitë, shokët, miqtë. Shpesh herë kur kthehen, nuk i njeh më njeri, sepse si në çdo vend tjetër, jeta vazhdon me ritmin e saj dhe përditshmëria bën të sajën. Ndaj “Due volte stranieri” është titulli më i gjetur për këtë libër i cili na vjen si një copëz historie shkruar me ndjeshmëri dhe pasion. Kjo histori merr edhe më shumë vlera kur narratorja identifikohet me autoren dhe  ngjarjet, janë të jetuara prej vetë asaj.

Ngjarjet në roman nisin në Durrës dhe përfundojnë po atje, në tokën amë. Shoqet e vjetra kthehen atje ku kanë kaluar vitet e rinisë së hershme dhe secila mbart mbi supe shenjat e dallgëve të jetës. Dorina, si rezultat i një sëmundjeje, është në një karrike me rrota dhe shoqërohet nga Mirela. Ajo me zërin e saj metalik që vjen nga kompjuteri, pasi nuk mundet të flasë me zërin e saj, i thotë mikes: – “Grazie Lela! Sono davvero felice”. Mirela ka jetën e saj në Itali, ka gjetur vetveten dhe pas pushimeve, niset drejt vendit që i  ka hapur portat për një jetë më të mirë. Vendit, mikpritjes të së cilit, Mirela dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë i janë përgjigjur me integritet dhe ndershmëri si qytetarë model. Romani “ Due volte Stranieri” mbart në vetvete shumë vlera, pasi autorja e tij është bërë zëri me të cilin do të donin të flisnin mijëra shqiptarë, është bërë dora me të cilën ata do të donin të shkruanin historinë e tyre. Kjo histori është shkruar dhe gjendet brenda këtij libri. Brezat, do ta kenë si dëshmitar  të asaj që: ashtu siç ka njerëz që shkelin e dhunojnë të drejtat njerëzore, ka   edhe nga ata që kanë ditur t’i vënë në vend këto të drejta, duke dhuruar dashuri dhe mikpritje, duke u bërë një shpatull e ngrohtë për një fytyrë të përlotur.

Po sjell këtu një paragraf që mbyll librin si një esencë e gjithë asaj që është shkruar në të: “Quando c’è buona volonta, l’amore e la bontà, i mari non dividono, ma uniscono. Intrecciando queste tradicioni, conoscence, sapienze, tutti diventiamo piu richi, annulliamo le diference culturali, abbattiamo il confine, vivendo cosi in un mondo senza barriere. In fondo, tutto il mondo è paese

Autorja Ismete Selmanaj Leba shkruan në të dyja gjuhët në shqip dhe italisht. Në gjuhën amë si njohëse dhe  lëvruese e mirë e saj dhe në gjuhën italiane si një shembull i mirë i integritetit në vendin ku ka emigruar, duke dëshmuar që mund të ketë bashkëjetesë të paqme midis  njerëzve të nacionaliteve të ndryshme. Kufinjtë janë në tokë, por  fshihen nga mendjet dhe zemrat dhe këto të fundit, kanë dëshmuar ngahera që nuk njohin barrierra.

 

Mbi veprimtarinë letrare të autores:

 

  • “Gjembi dhe trëndafilat”) – Dudaj, nëntor, 2013
  • “Kokat e dy lejlekeve të purpurt” – Dudaj, nëntor, 2014

 

  • “Verginità Rapite” – Bonfirraro Editore (prill, 2015), finalist për çmimin Premio Letterario Giornalistico Piersanti Mattarella
  • “I bambini non hanno mai colpe” – Bonfirraro Editore (prill, 2016) ka fituar Premio Assoluto Holmes Awards 2019.

“Verginità Rapite”dhe “I bambini non hanno mai colpe”, janë zgjedhur si libra leximi në projektin Libriamoci – Giornate di Lettura Nelle Scuole, promovuar  nga MIUR. Gjithashtu janë përzgjedhur si tekste studimi për  kursin e  “Shkencat e Komunikimit për Kulturën dhe Artin, pranë Universitetit të Palermos në Fakultetin  e Letërsisë dhe Filozofisë. Të dy librat janë me parathënie nga Matteo Mandalà.

  • “Due volte stranieri” – Besa Editrice (shkurt, 2019).

Në kuadrin e konkursit letrar kombëtar“Lingua Madre”, tregimi  “L’amore Dentro i Bunker”.

Tregimi“Tutto, tranne il piacere”- botimi SEB27, bën pjesë në antologjinë e tregimeve për vitin 2019, shkruar nga autore që jetojnë në Itali.

Dhimbjet dhe trazimet dashurore, si nëntekste dhe mesazhe të epërme estetike – Nga Dukagjin HATA

Rreth librit me lirika “Dallgë në zemër” të poetit të mirënjohur Besim Xhelili

 

 

Kur lexova librin me poezi “Dallgë në zemër” të poetit nga Tetova, me banim në Austri, Besim Xhelili, u përballa me disa të vërteta të fshehta të unit, që zakonisht, për shkak të disa kondicioneve ”etike”, “morale” etj., (aq të huaja për poezinë) rrijnë nën ujë, si ajzberg, pa dalë në sipërfaqe të gjrave. Leximi i këtyre lirikave më krijoj ndjesinë e një endjeje të pafund, ku imazhet dhe gjendjet këmbëhen pambarimisht dhe kujtesa si mesazh dhe si emocion kthehet në semantikë të identifikimit të derivateve poetike.

Në lirikat e tij lëviz e pulson ankthi dashuror, i trupëzuar si mungesë, si keqkuptim, si narrativë e papërmbushur, si klithje dhe pamundësi, si nevojë urgjente për rrëfim e çlirim, si shpresë në dritëhijet e konturimit të saj. Poeti e konfiguron figurën dhe imazhin poetik me anë të transfigurimit estetik, duke e kthyer kërkimin e unit në një mënyrë të identifikimit të “fiksioneve” vetjake, që marrin shtrirje dhe dimension universal.

Besim Xhelili e ndërton fabulën poetike në përputhje me strukturën liriko-epiko-dramatike të vjershërimit dhe përjetimin e gjendjes vetjake si emocion, që buron nga pavetëdija e tij poetike, nga ato trajta arkitipale, që duke u përthyer në vetëdijen estetike të poetit, kthehen në mesazhe gjithëkohore.

Thellësia e sondës së tij poetike nxjerr në sipërfaqe gjendje dehëse e trallisëse të unit dhe të jashtësive të tij, kërkimet e një shpirti, i cili nuk pajtohet me të rëndomtën dhe lyp konture në ikje, që vazhdimisht largohen nga fokusimi fillestar dhe kthehen në vizatime të shkujdesura, më dorë të lirë. Kjo thellësi e çon atë në përcjellje të një kujtese, mbrese dhe emocioni të fortë, ku mpleksen e ndërthuren harmonkisht në vargje e strofa, të renditura në ritmet e brendshme dhe strukturat e një lirizmi harmonik e spontan, klithmat e një shpirti që kërkon të çlirohet nga tabutë dhe keqkuptimet e një epoke të sëmurë.

Shndërrimi i dhimbjeve dhe trazimeve dashurore në tekste, nëntekste dhe mesazhe të epërme, është i vjetër sa vetë akti shkrimor estetik, por në poezinë e poetit të mirënjohur Besim Xhelili, kjo përmasë kthehet në veçanti shenjuese dhe përcaktuese në fatin e rrugëtimit të tij poetik. Kur lexon librin e tij me poezi “Dallgë në zemër”, të cilat autori i etiketon si “108 lirika të dhimbshme dashurie”, lexuesi përjeton një ballafaqim ballë për ballë e sy më sy me vetveten, pasi uni i trazuar, kërkues dhe plotërues i poetit, drejt flakërimit të së bukurës, që kulmon tek magjia femërore, tek dashuria dhe erosi, janë dimensione të thella të shpirtit njerëzor, modele përmbushëse të unit.

Ka diçka nga ankthi dhe vuajtja danteske, në perceptimin që Besimi ka për vajzën e trazimeve të tij, ku gërshetohet lirizmi dhe drama e brendshme deri në një soj tragjizmi e ku nëpër labirinthet e një vetëdije të grimcuar, nga faqja në faqe, nga lirika në lirikë, konturohet e plotë, klithëse dhe provokuese, pa filtra dhe rekuizita jashtësie, drama ekzistenciale, allakafkiane e poetit, në kërkim të plotërimit të epër dashuror.

Në gjakimin e tij drejt përsëosmërisë së aktit dashuror, drejt pikëtakimit të pamundur të ëndrrës me realitetin, poeti zbulon vetveten, frikërat dhe dyzimet e tij, ankthet dhe mungesat, derivatet e ëndrrës dhe zhgjëndrrës, që përkundën në një karusel të ngarkuar me imazhe dhe gjendje, të cilat shkojnë përtej konstatimeve të rëndomta, duke na përftuar një gjendje afeksioni të gjithëkohshëm transhendent.

Ankthi, vetmia, mungesa, moskuptimi që vjen nga inkoherenca e dy personazheve dashurore nuk është fatal; një shtjellë drite, e imët dhe e luhatur në muzgun e ëndërrimit vjen e qaset në vargjet e poetit, si një mesazh “freskues”, në gjithë këtë “vapë” frymëmbajtëse: “Prishur mendsh jam nëse të thonë/ma zgjat dorën dhe në kohën betohu/për dashuri kurrë nuk është vonë/zemra ime të pret, ti vetëm afrohu”…

Ajo që të befason dhe të bën të reflektosh pas çdo lirike që lexon, është bota e pasur shpirtërore e poetit, ku harmonia dhe bukuria shikohen si një kërkim i etshëm, me dorë në zemër, në magjinë e bukurisë dhe hirit femëror, jo thjeshtë si një përmbushje erotike, por si një plotërim shpirtëror reciprok, i çliruar nga kondicionet sociale dhe aspekte të tjera të përditshmërisë së rëndomtë.

Me demonët n’amshim shpirti kur t’më bashkohet

Atje ka të vuajë dhe të tmerrohet përjetësisht,

Do të digjet, për çdo lotin tënd do të ndëshkohet

Dhe për kokëfortësinë që të desha çmendurisht…

Poezia e Besim Xhelilit është një mozaik kërkimesh të etshme dhe të vetvetishme në shpirtin e fshehtë të dashurisë dhe erosit, të dritëhijeve të tyre, të gjendjeve dehëse e trallisëse, që sjellin me vete kërkim e rrënim, rënie e rilindje. Heroi i aktit poetik të poetit është vetë uni i tij, ajo vetvete e trazuar, e pjesëtuar me kohën dhe bashkëkohësinë, me kujtimet, mbresat, emocionet, të ndodhurat. Autori di të ruajë ekulibrin mes ndjenjes dhe mendimit, mes figurës dhe imazhit, mes gjendjes dhe mesazheve që burojnë nga materia poetike.

Poezia e Besimit është një poezi e dhimbjes, iluzionit, vetmisë, shpresës, ëndrrës, zhgjëndrrës, ankthit, mungesës dhe teprisë së dashurisë, poezi e strukturave moderniste, që iu përkojnë gjendje dehëse e trallisëse të një shpirti gjithmonë në kërkim të përsosmërisë dhe harmonisë universale, ku gëlon shpresa dhe plotëria, si relieve që lëvizin në thellësi, por konturohen qartë dhe dukshëm në vargjet e poetit…

PËRURIM ME RESPEKT TË VEÇANTË TË VEPRËS “NGARENDJE”TË BARDHYL OSEKUR – Nga TAHIR BEZHANI

Gjakovë: përurim i librit me poezi të Bardhyl Osekur,
“Ngarendje”.

  1. Bardhyl Oseku,gjatë përurimit të librit poetik ”Ngarendje”.

 

Sot,me 08.08.2019,në Biblioteken  e qytetit “Ibrahim Rugova” në Gjakovë,u përuruar libri me poezi  “ Ngarendje” i  poetit gjakovar, Bardhyl Oseku,i cili në mesin dashamirëve të fjalës së shkruar,zgjoi interesim të konsiderueshem me vargun e tij brilant,me tema te larmishme të jetës sonë nëpër kohë. Përurimi i sotëm,ishte edhe një dëshmi se publiku gjakovarë,e do dhe e njeh  poezinë dhe shpirtin poetik të autorëve të vet e kujdo tjetër. Për të qenë pjesë e fjalës së bukur poetike, dashamirët e fjalësa së shkruar nga qyteti e rrethina,nuk i ndaloi as vapa e madhe e gushtit,ku temperaturat kaloni 35 gradë celsius.

Në mungesë të redaktorës,Entela Tabaku,për librin foli poeti e krijuesi me nam nga Peja,zotëri Sejdi Berisha,i cili në shkrimin e tij,të botuar edhe në disa gazeta e portale,vlersoi  lartë  vargun poetik të poetit Shefki Oseku,i cili bartë në shpirt dhimbjen dhe dashurinë,vuajtjet e popullit të tij nëpër kohë e situata të ecjës nëpër errësirë,jetë plot brenga të strukura në shpirtin e lënduar.

Sejdi Berisha.

 

Në fakt, poeti Bardhyl  Oseku,ndonëse  në moshë,në vete ka bartur gjatë, të strukur në shpirtin e tij plot dhimbje, fatin e njeriut tonë, urrejtjen e dashurinë, sakrificat e jetës në virigun e kohëve dhe ,le mesazh-porosi  me brumin e  pjekurisë potike për kahjet e ecjës kah ditë të bardha…..

Për librin me poezi të Bardhyl Osekut foli edhe  Bashkim Canhasi, profesor i filozofisë,tani në pension,i cili në mënyrë karakteristike,veçoi për trajtim disa poezi nga libri “Ngarendje” të Bardhyl Osekut,duke i konsideruar  përmbajtësore dhe me vlera të pasura poetike,siq dinë të shkruajnë poetët  e niveleve të tilla

Pjesëmarrësit në përurimin e librit “Ngarendje! Gjakove.

 

Prof.i filozofisë në pension,z.Bashkim Canhasi.

 

Këtë takim kulturo-letrarë  në, në emër të Klubit Letrarë,”Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, e përshëndeti edhe kryetari i ketij asociacioni,duke vlerësuar lartë poezitë cilësore të autorit,meritat e tij të dalluara në jetën kulturore,sa mbante postin e drejtuesit të Arsimit e Kulturës në Gjakovë. Në kët lami të jetës,mbetët një shembull i kohës  vepra e Bardhyl Osekut,i cili për shumë vite, qe përherë krahë i letrarëve gjakovarë dhe i kulturës në tërësi,tha zoti Kurti.

DY FJALË PËR AUTORIN:

Bardhyl Oseku u lind në vitin 1948 në një familje me tradita të pastërta gjakovare në aspektin e  atdhetarisë, ndershmërisë,bujarisë dhe sakrificës për lirinë e popullit. Koha e kaliti,e bëri të zgjuar, për përballje me jetën e shoqërinë. Nga ambicjet  përsonale,arriti të mbaroi fakultin për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Prishtinë,ku punoi disa vite në edukimin e shëndetshëm të gjeneratave të reja.Punoi si përkëthyese e gazetar te “Dukagjini”,pastaj në KK-ës Gjakovë,drejtues i Kulturës,rinisë e sporteve,ku përfundoi edhe karieren e tij të bujshme e plot lavdata.

Bardhyl Oseku,fjala përshëndetëse për publikun,

Gjakovë,8.gusht,2019.

 

Me shëndet të ruajtur,disponim djaloshar,jeton e shijon frytet e punës së tij,në gjirin e familjës, në qytetin e Gjakovës, kryeqyteti i poezisë shqiptare. Ka një jetë të qetë e të rehatshme,gëzon një rrespekt të qytetarët e Gjakovës  me rrethinë.

Bardhyl Oseku,me shkrime ka filluar që heret,që kur ishte nxënës,me botim libri “vonë”,nisje kjo,e cila nuk ka mbarim….

 

 

Gjakovë,                                                           Tahir Bezhani

08.gusht,2019

 

POETI AHMET PRENÇI NDEROHET ME ÇMIMIN “ESAD MEKULI”

 

Nga Rali LURA

Pas “Takimit të Tiranës” (4 mars 2019) e ”Takimit të Gjakovës” (26 prill 2019), “Gazeta e Alpeve” organizoi edhe “Takimin në Plavë-Guci”, te Bar-restorant “Krojet” në Vuthaj, më 1 gusht 2019, ku merrnin pjesë gazetarë e publicistë, studiues, poetë e shkrimtarë, veprimtarë atdhetarë, politik e kulturor, personalitete të fushave të ndryshme shqiptare nga  Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Sanxhaku Shqiptar, nga diasporat shqiptare në Amerikë, Europë, etj.

Nderonin me praninë e tyre dhe z. Genci Nimanbegu në Ulqin e Podgoricë–Nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi; ambasador Flamur Gashi–këshilltar për Rajonin e Diasporën i Presidentit të Shqipërisë; dr. Islam Lauka–ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë, pedagog, analist, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike; Nikollë Camaj në Tuz–kryetar i LDSH, veprimtar politik, arsimor e kulturor i shqiptarëve në Malin e Zi; Azgan Haklaj–Mjeshtër i Madh–president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar; Ali Daci–themelues e drejtues i Manifestimit Tradicional Mbarëkombëtar Letrar “Ora e Maleve” në Rrozhajë dhe zv/kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Sanxhakun; Zek Nokshiqi– zv/president i Qëndres Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas; publicisti e veprimtari Ismet Azizi-kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”; Skënder Thaçi–koordinatori kryesor i Shoqatës Bamirëse “Albania-Austria Partnerschaft”;  Adem Lushaj– drejtor i Shoqatës të Intelektualëve të Pavarur në Deçan;  aktori e regjisori Gjon Nikolla–Mjeshtër i Madh, etj.

Fjalën Përshendetëse e mbajti Hasan Selimi, antar i Bordit Drejtues të “Gazeta e Alpeve”, publicist, poet, shkrimtar, studiues, teolog, “Ambasador i Paqes”, anëtar i akademive -ASHSHA të New Yorkut dhe AMSH në Tiranë.

Në këtë “Takim i Plavë-Gucisë” u ndanë disa mirënjohje të ndryshme.

Me Çmimin e lartë “Esad Mekuli” u nderua poeti e publicisti, veprimtari atdhetar e kulturor, Ahmet Prençi” me këtë motivacion: Për librin e tij poetik “Udhë në pasqyrë” (Botimet M & B. Tiranë, 2016), i cili është një arritje e autorit dhe  i mirëpritur nga kritika letrare elitare e masmedia të shumta panshqiptare; për angazhimet e tij poetike, me shkrime letrare, në veprimtari të ndryshme të botës akademike, letrare e gazetarisë; për shkrimet e tij në Botimet Tropoja”.

Çmimin e lartë “Esad Mekuli” ia dorëzoi doktori i shkencave psikologjike e pedagogu universitar Jashar Demiri.

Esad Mekuli (1916-1993), i nokshiqas, i lindur në Plavë, banoi në Prishtinë, renditet ndër personalitetet ma të shquara të Kosovës e Shqiptarisë, me veprimtari letrare, shkencore, publicistike, politike, etj. Ai gjatë Luftës së Dytë Botërore u burgos dy herë për idetë e qëndrimet e tij atdhetare politike kombëtare. Në vitin 1949 e themeloi revistën letrare “Jeta e Re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën më 1959, u mor me punime akademike, ishte nismëtari, themeluesi e kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës (1975-’79). Gjithashtu ka qënë dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Njihet e vlerësohet shumë si poet, autor i disa librave poetik, që ka hyrë në shumë antologji poetike botërore, ka marrë çmime etj. Veprimtaria e tij është e madhe dhe në fushën e gazetarisë e publicistikës, si përkthyes nga shqip në gjuhë të huaja e nga gjuhët e huaja në shqip, etj.

Poeti e publicisti Ahmet Prençi  falenderoi për dhënien e Çmimit “Esad Mekuli” në vendlindjen e këtij personaliteti të shquar të Letrave Shqipe, poet, publicist, shkrimtar, akademik, etj.

Në “Takimin e Plavë-Gucisë” te “Krojet” në Vuthaj, folën e sollën përshendetjet e tyre edhe atdhetari e veprimtari kulturor Besnik Paci i Derës e Trungut familjar të Gjergj Fishtës së Madh, i nderuar me Çmimin “Agim Ramadani”; Binak Ulaj i Vuthaje- veprimtari atdhetar, ish i burgosur politik i rregjimit jugosllav, gazetari i njohur në Prishtinë e Kosovë; historiani Paulin Z. Zefi–drejtues i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore (Muzeu & Memoriali i Skënderbeut) në Bashkinë e Lezhës; veprimtarët atdhetar, kulturor e humanitar Esad Gjonbalaj-ish president i FPG në Amerikë e Hilmi Gashi i Drenicës me banim në Gjermani, etj. Pati dhe këngë e recitime.

Në përfundim të “Takimit të Plavë-Gucisë”, te “Krojet” në Vuthaj, mbajti fjalë përmbyllëse gazetari, poeti e studiuesi Ramiz Lushaj–kryeredaktor i Gazetës së Alpeve dhe drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë.

“Gazeta e Alpeve” është pjesë e “Botimet Tropoja” dhe e Portalit Kombëtar Limit. Al, është gazetë rajonale ndërballkanike në hapësirat alpine në Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Sanxhak, me tematika e shtrirje etno-historike-gjeografike përgjatë brigjeve të Valbonës, Drinit, Moraçës, Limit e Ibrit.

“Takimi i Plavë-Gucisë” u ndoq nga disa masmedia si “Zëri i Amerikës” (VOA), Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), gazeta print/online “Bota Sot” në Zvicër e Prishtinë, Portali Kombëtar Limit.al në Tiranë, etj.

“Gazeta e Alpeve” do të organizojë një Takim tjetër në Tiranë, më 12 shtator 2019, në 1-vjetorin e themelimit të saj, të botimit të numrit të parë të saj.

 

 

RALI  LURA

Plavë-Guci, 4 gusht 2019

Familja Vlashi në kuartet – Katër instrumentistët e familjes së Florian Vlashit, së bashku në Bienalen 2019 Nga Gëzim Kabashi

Në foto: Florian Vlashi me bashkëshorten violonçeliste Rediana Llukaçi, pedagoge e muzikës në Kolegjin “Esclavas” në Korunja, dhe me djemtë Danielin dhe Martinin do të jenë përsëri në Bienale, pas përfaqësimit të përbashkët në Bienalen e vitit 2015.

Violinisti Florian Vlashi dhe familja e tij e instrumentistëve janë pjesmarrës në Bienalen e 9-të të Muzikës Klasike me titull “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer”, që organizohet në Durrës nga 1-7 gusht.

Floriani me bashkëshorten violonçeliste Rediana Llukaçi, pedagoge e muzikës në Kolegjin “Esclavas” në Korunja, dhe me djemtë Danielin dhe Martinin do të jenë përsëri në Bienale, pas përfaqësimit të përbashkët në Bienalen e vitit 2015.

Floriani thotë se fëmijët u rritën mes partiturave, provave të grupit dhe tingujve muzikorë. “Do ta urrenin ose do ta dashuronin muzikën -shprehet violinisti i njohur, duke shtuar: “Për fat të mirë ndodhi e dyta”.

Pjesmarrja e katër instrumentistëve Vlashi në Bienalet “Netët e Muzikës Klasike” dëshmon jo vetëm lidhjet e shumëfishta që kanë me muzikën, por edhe dashurinë për atdheun. Danieli dhe Martini kanë lindur në Spanjë, por flasin një shqipe perfekte, dhe nuk mungojnë asnjëherë në udhëtimet e familjes drejt Durrësit, aty u veç të tjerash janë edhe gjyshërit Gjergj dhe Shpresa Vlashi.

“Një pjesë të jetës e kalojmë në makinë, në rrugë për në koncertet ku na ftojnë, jo vetëm në Spanjë”-tregon Floriani.

Katër pjestarët e familjes Vlashi, që jeton e punon prej 27 vjetësh në Korunja (Spanjë), do të interpretojnë si instrumentistë në koncerte të ndryshme të veprimtarisë që ka nisur dje dhe që do të vijojë për 7 ditë radhazi.

Martini 15-vjeçar ka zgjedhur rrugën e së ëmës në violonçel. Fitues i dy konkurseve ndërkombëtare, një prej të cilëve në Vigo, Martini ka qenë violonçel i parë në Orkestrën e fëmijëve të Sinfonikes së Galicisë, ndërsa ka interpretuar disa herë si solist me grupin “Camerata Brigantina”.

Danieli tashmë është 22 vjeç dhe në rrugën artistike ka shënuar sukseset e para. Mësimet e violinës i morri nga i jati, ndërsa në moshën 8 vjeçare interpretoi në koncertin e parë si solist. Pas studimeve në Konservatorin e Korunjas, ai fitoi të drejtën të studiojë në Konservatorin kombëtar të muzikës dhe dancit në Lion (Francë), ndërsa do të fillojë specializimin master në Shkollën Superiore të Muzikës “Hanns Eisler” të Berlin-it. Danieli ka fituar disa çmime në konkurse si solist i “Quatuor Confluence”, kuartet që e ka themeluar vetë. Ai punon rregullisht me Orquesta Sinfónica de Galicia edhe me Opera de Lyon, me dirigjente si D. Slobodeniouk, E. Inbal, R. Gamba ose O. Tausk dhe është anëtar i Grupo Instrumental Siglo XX.

Florian Vlashi, 10 vjet pasi u largua drejt Spanjës nisi në Durrës “aventurën” e Bienales muzikore, që e organizon çdo dy vjet në qytetin e tij të lindjes.

I formuar në shkollat e Durrësit dhe Tiranës si violinist ai ka një karrierë të njohur brenda dhe jashtë Spanjës me koncertet solistike.

56-vjeçari nga Durrësi, violinist në Orkestrën Sinfonike të Galicisë, është bërë shumë i njohur në gadishullin Iberik për themelimin dhe drejtimin e Grupit Instrumental “Shekulli XX”, me të cilin së bashku me instrumentistë nga 16 vende të botës interpreton vetëm muzikë të autorëve bashkëkohorë.

E gjithë familja Vlashi do të interpretojë për herë të dytë së bashku në një veprimtari të organizuar në Shqipëri.

d.ba./Shqiptarja.com

Në Teatrin Kombëtar Justina Aliaj një nga mbrojtëset e tij nga rrënimi interpreton “Mbretëresha” monodramë nga Rexhep Qosja

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit organizon shfaqjen Mbretëresha” monodramë nga Rexhep Qosja, intepreton Justina Aliaj (mjeshtre e madhe).

“Të interpretosh tragjedinë “Mbretëresha” eshte cilësuar sa e vështirë aq edhe privilegj për aktorët. Ajo na paraqitet shumëplanëshe në tërë kompleksitetin e saj si figure, e të tërheq fort duke e ndjekur nga fillimi deri në fund të veprës.

Ngjarja zhvillohet rreth vitit 229 p.e.s. Mesazhi që transmeton kjo vepër është sa i qartë aq edhe bindës:

Smira, lakmia, urrejtja, ambiciet pushtetore (sic e cilëson autori), mund të çojnë deri në asimilimin e një Kombi.”

Arben Bajraktaraj dhe Aktori amerikan Bob Berky sonte shfaqje në kuadrin e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Sot më 1 Gusht në kuadrin e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit në sallën e Teatrit Kombëtar në orën 20.30 aktori

Arben Bajraktaraj do të intepretojë një tekst të Teki Dervishit nga “Shtëpia e Sëmurë”

dhe më pas aktori amerikan Bob Berky do të performojë një pjesë nga repertori i tij xhestikulativ!

Mos mungoni, beteja për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar vazhdon me Art!

E pavend të abuzohet me shkrimtarin më të rëndësishëm të letërsisë shqipe dhe asaj botërore, Ismail Kadarenë! Entela Kasi, Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë

Një këshillë mediave dhe po ashtu të gjithë artistëve lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri:

– Është krejt e pa- vend që të abuzohet me shkrimtarin më të rëndësishëm të letërsisë shqipe dhe asaj botërore, Ismail Kadarenë!

Kështu që në këtë çast keni nevojë për të qenë të kthjellët dhe të arsyeshëm.

Ndaj bindjen se ju do të arrini të distancoheni nga abuzimi me emrin e shkrimtarit të përmasave botërore të kohës që jetojmë!

Kjo nuk i shërben askujt!

Entela Kasi, Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë

POEZIA E POETËVE TË BURGUT- FERR KAPITULL I RI NË HISTORINË E POEZISË SHQIPE – Studim nga Mexhit Prençi

ARRATISJA E POETIT NGA HAKMARRJA….

Pas tërheqjes zvarrë të monumentit të Diktatorit të Madh, populli fitoi lirinë bashkë me të burgosurit e të internuarit dhe poetët e burgut të cilët fituan lirinë e në të njejtën kohë u arratisën nga ndjenja e hakmarrjes. Sipas meje tre janë argumentet më substanciale:. S ë p a r i : u realizua ideali i tyre i lirinë. S ë d y t i : vuajtja, tortura dhe izolimi i ka bërë poetët më të ndjeshëm, më njerëzorë ndaj jetës së njeriut. S ë t r e t i, nga natyra poeti është një qënie njerëzore fisnike, paqtore, humane. Armën e hakmarrjes nuk e merr në dorë. Duart poeti i ka të zëna me penë e kartë duke shkruar e kumtuar për dashurinë njerëzore dhe drejtësinë univërsale. Edhe kur i del përpara torturuesi i tij i egër, poeti nuk e sheh si armik, nuk bën vetëgjyqësi, gjykimin ndaj bëmave kriminale të tij ia lë në dorë drejtësisë dhe Perëndisë. Poeti nuk vret. Diktatorët vrasin poetët…
***
Diktatura enveriste vrau poetët e lirisë dhe të dashurisë. Ata që me art shprehën ndjenjat dhe mendimin e lirë u pushkatuan, burgosën, ca vdiqën në burg të tjerë në internim jetuan ferrin për sëgjali. Poezia e tyre i këndonte lirisë duke sfiduar parimin e partishmërisë komuniste. U pushkatuan poetët Trifon Xhaxhika, Vilson Blloshmi e Genc Leka; U dënua me vdekje në litar Avzi Nela. Në burg vdiqën Ethem Haxhiademi poet e dramaturg, Mirash Ivanaj linguist e poet. Ndërsa numri i poetëve të burgosur ështe i madh: Vincens Prenushi, Arshi Pipa, Pano Taçi, Visar Zhiti, Frederik Rreshpja, Zyhdi Morava, Ahmet Kolgiini, Piro Kuqi e të tjerë, e të tjerë..Poezitë e tyre transmetonin mesazhe për lirinë e privuar, për drejtësinë e munguar dhe urrejtjen ndaj çdo dhune.

 

FILOZOFIA E NDËRTIMIT TË  URAVE…

Poezia e ish-të burgosurve dhe të internuarve në kampe izolimi, shpreh me art filozofinë e ndërtimit të urave midis njerëzve, etnive dhe popujve. Poetët si racë fisnikësh, mposhtën ndjenjën e hakmarrjes dhe kërkuan e kërkojnë fijet e dukshme e të padukshme të dashurisë njerëzore duke përcjellë m e s a z h e: tolerance e mirëkuptimi, mesazhe dashurie; mesazhe drejtësie si sfidë ndaj vetëgjyqësisë. Kjo frymë ndjehet në poezitë më të spikatur të tyre.

Ja si e shprehin poetikisht këtë filozofi vargjet e Jorgo Bllacit: “Askënd nuk e kujtoj për keq në botë / Në zemrën time shteg të mbyllur s’ka: / Mjafton një fjalë e çiltër, fjalë e ngrohtë / që të më bësh prapë mik e prapë vëlla”. Ndërsa te poezia e Visar Zhitit “D a s h u r i” shquaj qasjen artistike  të  poetit për ta kërkuar me çdo mënyrë dashurinë, kur netët e errta ngrihen si male midis poetit dhe dashurisë: “Nisi  rrugën  të shkojë dashurinë, por rruga nuk e gjeti atë dhe u kthye prapë te poeti. Nisi k a p r o l l i n, por atë e qëlluan gjahtarët dhe u kthye mbrapsht. Nisi  e r ë n, e ngatërruan në shpellat e dhimbjes dhë u kthye e verbër”. Megjithatë poeti me gjuhën e poezisë thotë: “Bie shi i rrëmbyer shprese” Ndaj mendon të nis YLBERIN, po ai “vetëm një mal mund të kapërcejë”. Atëhere niset vetë të kërkojë dashurinë: “Vetë po nisëm nëpër natë / dhe vetëm / do të kërkoj, / do të kërkoj, / do të kërkoj. / Si dora që endet nëpër dhomë, / në errësirë, / për të gjetur qiririn e shuar.” (Qaf-Bar,1983)

Autori i mbyllur në burg, i privuar nga liria & drita, ëndërron dhe kërkon dashurinë, në kuptimin konkret dhe universal. Edhe në errësirë e kërkon që të ndez qiririn e shuar, sepse beson te shiu i rrëmbyer i shpresës: se do ta gjejë dashurinë për njeriun dhe lirinë që janë burim paqeje, tolerance e mirëkuptimi.

***  Mjerisht  ka dhë njerëz-ujqër të uritur që nuk kërkojnë fijet që të çojnë te dashuria njerëzore, por kërkojnë ca fije të tjera nëpër labirinthët e errta të ndërgjegjes që të shpien te urrejtja që ndez zjarre konfliktesh dhe armiqësishë. Ç’kontrast me filozofinë e poetëve të burgut komunist të cilët duke sfiduar “detin e hidhur” të jetës së tyre, dhunën  fizike e psikologjike që ishte ushtruar mbi ta, kërkojnë njerëzoren te njeriu, dashurinë,  të bukurën dhë progresin. Ja si shpreh poetikisht këtë filozofi Zyhdi Morava në poezinë “T ë  g j i t h ë v e ” :  “U them ta dini, më dhimbsen;/ një kalë i rrahur, drurët e rënë,/ fëmijët që qajnë, njerëz që grinden,/ netët e ftohta pa hënë./ Sytë që më dha dashuria / Pas njerëzores më mbetën lidhur, /  Ndaj dolën të ëmbla këngët e mia/ Edhe pse piva detin e hidhur.” 

 

REVOLTA E POETIT

I dhunuar në burgun komunist, i zhgënjyer nga psedodemokracia, në poezinë “Kolltuku” poeti  dramatik Pano Taçci vë në shinjesten e satirës kolltukun e larte si simbol i dhunës dhe mjerimit te popullit nga politikanët gangster e të korruptuar. Citoj: “O Kolltuk, të rëntë një tënjë / Kaq të ëmbël, kush të gdhendi / Ulet djalli e zë rrënjë / E  s’ka vinç ta zhgul nga vendi./ Shkon një djall vjen një zullap / Njëri zbrit e tjetri ngjit, / Ne me gisht në gojë prapë, / Prapë se prapë me lak në fyt. / Ecim, e s’dijmë ku mbrrijmë / me rrasën e varrit mbi shpinë!

Satira therëse godet fronin e lartë të lidërve  gangster që  mbi gjithçka kanë vënë  idealin e kolltukut për të cilin ata përdorin  çdo mjet, për të ardhur në pushtet apo  për të qëndruar në fronin e lartë., ndërsa populli “me gisht në gojë” e “lak në fyt” zvarritet, zvarritet i pa shpresë.  Vargjet: “Ecim, e s’dijmë ku mbërrimë, me rrasën e varrit mbi shpinë!” janë britmë poetike për zgjim e revoltë që populli me guxim të guximshëm, fatin e vet ta marrë në duar, kolltukun ta çojë në muze, shkaktarët e mjerimit të japin llogari para drejtesisë  së vërtetë dhe jo drejtësisë si  a l i b i.

***  Frederik Rreshpja, poeti unik i pa krahasueshëm, në poezinë “Mësim historie”, nga një këndvështrim krejt origjinal, stigmatizon njerëzit mjeranë shndërruar në skllevër, të cilët pas rrëzimit dhe thyerjes së statujës së Diktatorit të Madh, coprat e stataujës i mblodhën dhe i mbanin si hajmali…  Poezinë e mbyll më vargun: “Të vjen të ulurishë “

*** Ndërsa poeti  Visar Zhiti me fantazi të arsyeshme që është mrekulli e artit, siç do të thoshte Francisko Goja, krijon poezinë “Dëshpërim”: Ujqërit,/ nuk hapin varre për ujqërit / as nuk djinë t’i denoncojnë/ ulurimat e uritura  mbi borë./ Kurse ulurimës së njeriut/ i ka mbetur një kockë në fyt./ Ka frikë lejleku i bukur, shtegtar si mendimi,/ t’ia heqë me sqepin e gjatë…/ do t’ia hanin kokën.”. Nëpërmjet metaforave dhe simboleve poeti Zhiti akuzon shkaktarët e mjerimit dhe stigmatizon  mungesën e guximit  për ta tërhequr kockën e ulurimës që i ka mbetur njeriut në fyt

*** I veçantë poeti Ahmet Kolgjini me një këndvështrim  poetiko-flozofik dhe me gjuhë poetike të pastër shqipe, shpreh luftën e të kundërtave brenda un-it poetik duke përcjellë mësazhin e lirisë dhe të dashurisë:  Citoj: “Kështu vazhdon luftimi pa mbarim / E shesh beteje bahet shpirti im/ Dhe zemrën time krejt si në përrallë / liria,,dashuria e rrëmbejnë me mall…”Dueli midis asaj që “më robnon e s’më lë shteg” dhe  asaj që “më çliron dhe më ngre peshë”, – është pikërisht triumfi i së mirës në kuptimin univërsal dhe i lirisë e dashurisë në  konkretësinë poetike.

 

REALITETI I PËRJETUAR DHE REALITETI POETIK

Poezia e ish-të burgosurve është realiste, konkrete, dramatike, lirike dhe satirike. Kur e lexon me vëmendje atë, të emocionon, të vë në mendim, të bën ta ndjesh vuajtjen, dhimbjen, dashurinë dhe urrejtjen; të befason me fisnikërinë e poetëve që sfidojnë hakmarrjen: – ndonësë të dhunuar nga diktatura fizikisht e psikologjikisht; ndonëse poezitë e  tyre i kanë përodorur si akt-akuzë për t’i burgosur; ndonëse shumë poezi të tjera ua kanë shkelur me këmbë, grisur e djegur. Është e ndjerë dhe e vlertë  poezia e tyre, realiste, e thjeshtë dhe tronditëse; formësuar jo prej fantazisë frelëshuar përtej realitëtit, përkundrazi ajo buron nga të vërtetat e hidhura dramatike e tragjike që ata kanë përjetuar realisht. Është reflektim i realitetit jetësor, shndërruar në realitet artistik i clli është më i përsosur, ndonësë ngjajnë si dy pika uji. Kjo vërtetësi: realitet jëtësor-realitet artisitk, vjen ngaqë poetët e burgut komunist duke shprehur vetvten në poezitë ë tyre, arrijnë në  përjetime vetjake të fuqishme nga realiteti i egër diktatorial. Lexusi e ndjen dhe përjeton këtë poezi e cila është e pasur në larminë e detajeve, situatave, mjediseve, gjendjeve traumatike, episodeve të dhunës, të qëndresës, depresionit, por edhe të dashurisë së madhe për jetën, për lirinë, njeriun, për dritë e shpresë, çka pasuron poezinë shqipe në tërësi, me motive, tema, optika dhe vizione të reja. Madje kemi dhe një larmi formash artistike të shprehjes figurative të realitëtit.

*** M a k s  V e l o  njihet si piktor dhe arkitekt modern, me personale artistike të spikatur, – vëzhgues i hollë i jetës. Syri i mprehtë i piktorit, i tillë është edhe te syri i poetit Velo i cili vëzhgon dhe qëmton nga realiteti detaje, episode, ngjarje, objekte, mjedise, të veçanta, të zakonshme e jashtëzakonshme të cilat janë lënda e parë e poezisë së tij, ku burojnë kumtet poetike. Autori duke paraqitur me vërtetësi një realitet të ashpër, të egër e të dhunshëm brenda  burgut, por edhe jashtë tij, komunikon besueshëm dhe emocionalisht me lexuesin dhe e  çon atë natyrshëm te përjetimi i asaj që duhet të dashurojë & asaj që duhet të urrejë. ALBUMI i tij poetki, i titulluar  “KOKËQETHJA” pasqyron jetën e burgut, me thjeshtësi e konkretësi, nëpërmjet detajeve, përqasjeve, kontrasteve, krahasimeve, metaforave e simboleve, ku mesazhet janë të fuqishme. Poezia shquhet edhe për satirën e hollë.

Nga poezia “Kokëqethhja citoj: Kokën na e qethin çdo fund muaji, / pa flokë dukemi si burra –fëmijë ./ Bagëtinë e qethim çdo vit, /  pa leshin duken lakuriq / Në flokët e shkurtër që bien / shkurtohet jeta jonë. / Në thinjat që shtohen / ngjyrat ë vuajtjeve gri. / Kështu duan të na kenë, / përjetësisht kokëqëthur, / ata që, si bagëtinë / qethnin çdo vit Shqipërinë.” 

*** Poetët dhe prozatorët që kanë përjetuar ferrin në burgun enverist, kanë shansin ta përshkruajnë me vëtetësi realitetin dramatik e tragjik, ndërsa të talentuarit, kanë dy herë shansin që atë ferr ta japin  më të përsosur artistikist, duke përcjellë mesazhe që e keqja të mos harrohet e përsëritet. Në të njetën kohë jepin  mesazhe  njërëzore, drite e shprese.

*** Poeti P a n  o  T a çi  i zhgënjyernga realiteti postkomunist,  gjoja demokraci , ( që ashtu siç erdhi, mos ardhtë kurrë,) – me super-realizëm jep një tablo varfërie të skajshme. Nga poema “O vendi im” shkëpus këto vargje: “Ikin vitet, shkelur nga këmbët / Rudhen ditët e shuhen orët. / Atdheut tim i kërcasin dhëmbët / Tek vjell  zorrët. /  E, ne, siç jemi të uritur, / si bishat që dalin nga shpellat / shtyhemi të  babëzitur / të hamë të vjellat…” No, coment!.

 

VËSHTRIMI PESIMIST I REALITETIT nga poeti Piro Kuqi

Larmia e poezisë së poetëve të burgut është një veçori e saj. Çdo poet e përcepton dhe konfiguron realitëtin në mënyrën e vet. Kështu edhe poeti Piro Kuqi ka unin e vet poetik. I traumatizuar nga diktatura komuniste, nga vuajtja e mjerimi, po edhe nga  pseudodemokracia, shpreh poetikisht botën e tij, dramën individuale dhe dramën shoqërore si të kohës së luftës së klasave, ashtu edhe të kohës sonë. Ë veçanta e krijimtarisë së së tij është vështrimi i realitetit me pesimizëm, trishtim e dhimbje, i cili është sjellë egërsisht me të. Po ai nuk mallkon,  nuk urren, gjithçka e mban përbrenda, e ndryn në shpirtin  e plagosur. Një fisnikëri e heshtur. Duke studjuar librin “B o t ë  ë  p a n j o h u r”  të Piro Kuqit, e konsideroj poet i pesimizmit,  trishtimit dhe akuzës ndaj botës së egër e të pistë. Ja, disa vargje nga poezia Ujqërve: “Përse ulurini ujqër, netëve/ Nën qiell të kaltërt, nën qiell me re? / Në terrin e natës të tokës mëmë / Ulurima juaj zgjatet posi gjëmë!” . Ujqërit : “Eja me ne, eja / O vdis nga uria / Ose nga rrufeja”. Poeti:O të dashur ujqër, s’mund të vij me ju / Në lulen e moshës, dergjem unë këtu,/ Bota më kapiti, bota më sëmuri, / O, ky shtrati im, është vetë qivuri!”

Çastet e pesimizmit dhe të rënies shpirtërore janë të shumtë në  poezinë e Kuqit, por ato janë momente të veçanta dramatike e të ndryshme brenda vetes, por ka dhe momente që e ndjen të këqen edhe jashtë tij, për të ndezë fitilat e shpërthimeve ndaj padrejtësisë, për të ndezë dritë e shprësës të ëndrrave të bukura të cilat kurrë nuk shuhen, sepse ato jetojnë thellë diku në shpirtin dhe  zemrën e poetit. Këtë kumton  poezia “Koha ikën”:  ”Vitet që kanë ikur,/ Rinorët plot me fletë,/ Në ëndrra jetojnë / në jetën e vërtetë.

 

POEZIA  OPOZITARE  E VËRTETË KONSTRUKTIVE

Letërisa & arti si dhe poezia – janë opozita më konstruktive dhe objektive në  kritikën ndaj realitetit. Thelbi i opozitarizmit është misioni  për të paraqitur realitëtin jëtësor, njeriun dhe botën e tij poetikisht në ndryshim e zhvillim, për të lartësuar vlerat dhe stigmatizuar antivlerat. Si të tilla lëtërsia  dhe arti, janë të angazhuar në përcjelljen e mesazhve artistike që burojnë nga shqetësimi poetik qytetar dhe nga idealet e larta për liri, demokraci, drejtësi njërezore dhe progres. Duke e studjuar sipas kësaj optike poezinë e ish-të burgosurve dhe të internuarve e izoluarve në kampe përqëndrimmi, konstatoj një larmi të pafund mesazhesh për dashurinë, urrejtjen, lirinë, drejtësinë; për tolerancën e mirëkuptimin, harmoninë dhe për gëzim  jetës, për arratinë nga  hakmarrja primitive; siç e cika më sipër; mesazhe për braktisjen e vetmisë. Një pafundësi kumtesh përmbajnë poezitë nga individualitetet më të spikatura të poezisë, ku do të veçoja poetët Arshhi Pipa, Visar Zhiti e Pano TAçi, të cilët shquhen për fantazi krijuese të begatë dhe të arsyeshme, me mendime e ide të fuqishme. Taçi duke kultivuar një poezi dramatike me shpërthime emocionale e mentale të forta. Ndërsa Zhiti shquhet për një poezi rebele, tronditëse unike, me shtresa e nënshtresa kuptimore, shumëdimensionale dhe me kolorit të ndezur. Citoj disa vargje të poezisë së Zhitit “Gishtërinjtë si gjarpinjtë” nga libri poetik “Hedh një kafkë te këmbët e tua”:  “Unë dua që edhe gjarpinjtë /  t’i çgjarpërizojmë /  t’i bëjmë gishta të blertë të natyrës, / ta shkulim rrezikun,  / t’ia heqim thumbin e helmit! / Fati të bëhet / dorë dashurie  / e bardhë, lakuriqe, e ngrohtë / të zgjatet drejt teje, / të kërkojë dorën tënde / ta marrë ta puthë. / (thonjtë të jenë petale jete që s’shkunden) Çdo njeri t’i ketë të tijat / duart e gjithë botës”. Poeti brenda hëkuravë të burgut, kërkon dashuri njerëzore: njeriu t’ia zgjat dorën njeriut, çka do të thotë të mbretërojë dashuria jo urrejtja e hakmarrja. Poeti kumton që edhe armiqëve t’ua heq helmin, armiqësinë. Duart e gjithë botës, t’i ketë të tija çdo njeri. Po, siç theksova më lart, mesazhet janë të larmishme, nga çdo poezi e secilit. Janë kumte origjinale, të ndryshme e të larmishme: kumte për dashurinë, njerëzit, jetën, urrejtjën, dhunën, diktaturën, të keqen e të mirën; arratisjen nga hakmarrja personale & thirrje për drejtësi, mirëqenie dhe progres dhe ndryshi, që të lulëzojë demokracia e vërtetë, pa neodiktatorë, politikanë të korruptuar e inkriminuar që për fronin e lartë dhe pasurinë e tyre, shesin Shqipërinë.

KONKLUZË :

Poezia e poetëve të pushkatuar, te vdekur në burgje, të internuar dhe izoluar në kampe përqëndrimi, është poezi e LIRISË. Sfiduese e poezisë së politizuar dhe ideologjizuar të realizmit socialist. Është një kapitull i ri që i shtohet historisë së poezisë shqipe. Mjerisht shkrimtarët, poetët kritikët e studjuesit e socrealizmit që akoma nuk janë u  divorcuar me të, kanë krijuar një Monizëm të Ri Letrar që nënvlefteson  poezinë dhe  prozën e poetëve dhe prozatorëvë burgut. Vlerat e larta të saj, sipas meje, mund t’i zbulojë dhe evidentojë kritika profesinale modene. Ndër  përfqsuesit më më cilësorë shquhen:  At Zef  Pëllumi me kryeveprën “Rrno për me trgue”, poeti e prozatori i klasit të pare Visar Zhiti, poeti elitar Frederik Rreshpja,, poeti rebel Pano Taçi,  liriku Jorgo Bllaci etj e tj. Pozia e burgut është poezi e lirisë & dashurisë njerëzore, që stigmatizon të keqen e të shëmtuarën & kumton  të mirën e të bukurën, që shtegton në rrugën estetike që të #on te liria siç do të thoshte Shileri.   

DOSTOJEVSKI thoshte: “Estetika është zbulimi i momenteve të bukura të shpirtit njerzor nga shkon njeriu (edhe poeti e poezia M.P.).për vetëpërsosje”