Qeveria dhe mazhoranca po mbrojnë zv/kryeministren Belinda Balluku duke zvarritur sa më shumë çështjen e heqjes së imunitetit, pas kërkesës së hershme të SPAK, pasi po prish provat dhe intimidon dëshmitarët.
Për të mbrojtur drejtësinë dhe qytetarët, nesër do të mbahet edhe një protestë qytetare para Kryesisë së Kuvendit, e organizuar nga shoqëria civile dhe aktivistët e saj.
Kështu u shpreh sot nga studio e “News 24”, aktivisti Migen Qiraxhi, duke shpjeguar edhe motivet e tubimit. Ai e cilësoi të paprecedentë lojën me zgjatjen e vendimit nga Kushtetuesja dhe mbledhjes nga Këshilli i Imuniteteve në Parlament.
Dhe meqë nesër më 28 janar është edhe mbledhja, u organizua kjo protestë, me qëllim që të mos zvarritet më çështja dhe Balluku t’i dorëzohet drejtësisë.
“Është vazhdimësi e aksionit ku ne si qytetarë kërkojmë që në një situatë të dukshme jo të zakonshme, kemi parë që SPAK që është strukturë në mbrojtje të qytetarëve, ka përplasje dukshëm me strukturën më të lartë të qeverisë, kryeministrin dhe figurën më të lartë, Belinda Ballukun. Ne mendojmë se Kuvendi po kërkon të fitojë kohë dhe të zgjasë vendimin për një kërkesë të drejtësisë. Ne jemi në krah të SPAK dhe drejtësisë, që t’i hiqet imuniteti ministres dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë për hetime, që të mos prishin provat, ashtu siç është shprehur gjykata dhe prokurorët, që mbajtja e saj në detyrë shërben për të intimiduar dëshmitarët dhe për të prishur provat. Minimalisht duhet t’i dorëzohet drejtësisë dhe ta ndjekë vetë çështjen penale dhe të humbasë ofiqet që ka”, shpjegoi ai arsyet e protestës së nesërme.
Por loja politike duket se ka prekur edhe Kushtetuesen sipas tij, pasi po shihet një taktikë për të zgjatur vendimin dhe për t’i dhënë jetë politikisht Ballukut dhe qeverisë.
Qiraxhiu nënvizoi se kushdo shkel ligjin, duhet të vendoset para drejtësisë dhe në rastin e Ballukut, duke pasur imunitet ajo mund të vijojë abuzimet dhe shkeljet.
“Vendimi i sotëm i Kushtetueses nuk është aspak optimist dhe dukshëm kuptojmë se ka tension shumë të madh. E pakuptimtë që Gjykata të marrë kaq kohë, kur çështja është emergjente. E ka shtyrë njëherë dhe tani e bën përsëri, kërkon kohë që të njihet me çështjet. Çdokush që ka shkelur ligjin duhet t’i dorëzohet drejtësisë. Shteti i prokurorëve që pretendon Rama është në precedentin që Gjykata i ka rrëzuar prokurorët. Nuk ka asnjë arsye që mazhoranca të mbrojë me imunitet një politikan. Kjo s’ka më asnjë kuptim. Është e patolerueshme”, vijoi ai.
Qiraxhi i bëri thirrje qytetarëve që nesër në orën 10:00 t’i bashkohen protestës te Kuvendi, përballë Kryeministrisë.
“Unë mendoj se pjesa tjetër e qytetarëve duhet t’i bashkohet nesër në orën 10:00 protestës tonë para Kryesisë së Kuvendit, përballë Kryeministrisë, të mos ngatërrohet me Parlamentin. Aksioni qytetar duhet të marrë jetë. Qëllimi i protestës është marrja në mbrojtje e drejtësisë dhe presioni ndaj parlamentit që të dorëzojë mandatin e Ballukut dhe për të mbrojtur institucionet që ajo ka në varësi. Ky është misioni i shoqërisë civile dhe aktivistëve, për t’u dëgjuar zëri ynë dhe i shoqërisë shqiptare”.
Aktivisti shpjegoi më tej se taktika e qeverisë dhe kryeministrit për ta mbrojtur Ballukun ka për qëllim mbajjen larg të drejtësisë, pasi nesër mund t’i gjendet tek dera edhe vetë kryeministrit. Ai akuzoi PS se po strehon dhe mbron me imunitet Ballukun.
“Mendoj se diçka mund t’i marrë edhe ata në këtë histori, këtë mendoj unë. Pasi në të kaluarën figurat kanë qenë larg kryeministrit, këtë herë drejtësia ka shkuar shumë pranë kryeministrit. Dikur thoshte drejtësinë e kam bërë unë, i jap këdo drejtësisë, kurse tani ka ndryshuar narrativën dhe flet për shtet prokurorësh apo mbron të akuzuarit. Mendoj se Drejtësia është e kërcënuar nga kjo qeverisje. PS po strehon dhe mbron me imunitet politik ministren Balluku. Të gjitha këto tregojnë se nesër drejtësia mund të shkojë edhe te dera e qeverisë”, u shpreh ai.

Kurse për vendimin e Kushtetueses, Qiraxhi argumenton se e priste edhe zvarritjen e saj, duke ndjekur lojën politike të qeverisë.
“Kemi pritur që Kushtetuesja të përdorë të njëjtën strategji si Kuvendi, që ta zgjasin jetën politike të Ballukut, që nuk ka arsye pse të ndodhë. Dhe të gjitha këto skandale duket se nuk kanë prodhuar krizën e duhur për qeverinë”, tha ai.
Një grup qytetarësh paralajmëruar sot se ditën e nesërme një protestë para kryesisë së Kuvendit, ku do të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Rregullores për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon autorizimin për arrestim.
Me sloganin “Dorëzoni imunitetin e hajdutëve”, ata do kërkojnë që Këshilli i Mandateve të marrë vendimin për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut.